Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/21

Nga Flori Bruqi : Në kthinat e hetuesisë në burgjet serbe,vdisnin patriotët

Ç’linin mangut hetuesit, e plotësonin gardianët


 Skeda:RexhaNuhiu.jpg


 



Rexhep Mala

Zemra e cila këndonte në zë edhe në brendinë e saj nuk mundi kush me ia ndalur dëshirën për të kënduar...Edhe në qeli kur isha, rrëfente Rexhep Mala "nuk kishte ditë që nuk këndoja edhe pse ishte rreptësisht e ndaluar, posa ndëgjonin zërin gardianët e burgut , vinin dhe më ndërprisnin por nuk mungonin as ndëshkimet nga gjakpirësit e ndytë, ata posa u largonin unë sërish filloja me zë të ultë e dalëngadalë më buronte një energji dhe e ngrisja zërin aq lartë , kujt’ i këndoja vall..?, popullit tim, heronjëve , dëshmorëve të rënë për Liri, qëndresës heroike të vëllezërve e motrave të mia shqiptarë".
Skeda:Rexha.jpg
Rexhep Mala, atdhetar, simbol i qëndresës kombtare shqiptare, hero i kombit nga Hogoshti, Komuna e Dardanës lindi me 26 mars 1951 nga e ëma Fahrije dhe i ati Mehmeti familje me kushte mesatare ekonomike por me një traditë shumë të pasur atdhedashëse e patriotike. Shkollën fillore dhe tetëvjeçaren në tërësi Rexhep Mala e kreu në Hogosht, më pastaj meqë i ati Mehmeti shpërngulet në Gjilan, Rexhep Mala e vazhdoi gjimnazin në Gjilan.



Si nxënës i vitit të III-të ishte ndër organizatorët e parë në organizimin e demonstratave të 1968-tës.

Në vitin shkollor 1969/1970 Rexhep Malajn e përjashtojnë nga shkolla me çrast Ai gjimnazin e vazhdoi në Preshevë ku edhe e kreu me sukses.

Në vitin shkollor 1970/71 me knaqësi të veçantë ushtroi detyrën si mësimdhënës në fshatin Marec të Prishtinës, mirëpo i etur për dituri dhe për të studiuar, ndërpreu punën dhe u regjistrua në fakultetin Ekonomik në Prishtinë, me plot sukses kryen vitin e parë të studimeve, ishte edhe në ilegalitet dhe pas një ndërprerjeje kaloi në Shqipëri nga edhe kthehet shumë shpejt me bindjen se duhet vepruar nga afër, rrugetimi, shkuarja-ardhja e tij në Shqipëri i kushton me burg që ndëshkohet nga Gjykata për kundërvajtje e Gjilanit, e burgosën plot 28 ditë, del nga burgu për të kaluar një kohë jasht shtetit të jugosllavisë (Francë, Gjermani, Itali dhe në Zvicër) të cilin Rexhep Mala s’e njohu kurr si shtet.
Heronjtë e popullit : Nuhi Berisha - Rexhep Mala

Denimi me 9-të vite burg

Rexhepi kudo që ishte, kado që shkonte dhe me këdo që ishte në shoqëri, kishte vetëm idealin e tij për një Kosovë të lirë dhe të pavarur por ishte në përndjekje nga barbarët hap pas hapi, me çrast si pjesëtar i Levizjes Nacional Çlirimtare ( LNÇ ) pikërisht ne vitin 1974 së bashku me Adem Demaçi -n (Grupi i Adem Demaçit) e shumë anëtarë të tjerë arrestohet dhe pas 9 muaj hetimesh denohet me 9 vite burgim të rëndë.

Në dosjet e SPB-së të Kosovës cekët kjartë se Rexhep Mala ishte ndër të burgosurit më të pathyer i cili më së gjati kishte mbajtur grevë urie, megjithëkëtë Ai arrin që edhe pse në kushte të vështira të shkruaj ditarin nga burgu “Kujtime nga Burgu” ku paraqet jetën shumë të vështirë dhe torturat më çnjrëzore mesjetare të UDB-së që kishin përdorur e ushtruar kundër tij.

Ndonëse ishte i papërkulur me qëndrimet e tij prej atdhetari, Rexhën e shetisin nëpër shumë burgje të ish jugosllavisë fashiste si në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Idrizovë, Prizren, Foçë e në Mostar.
Më 23 maj 1983 pas 8 vitesh vuajtje e malltretimesh lirohet nga dyert plot egërsi dhe vuajtje të pashlyera ngase pjesën më të madhe të denimit e kishte kaluar i vetëm nëpër qeli të burgjeve të sipërpërmendura të cilat nuk arritën dot ta thyejnë apo të detyrojnë të jetë i urtë për pushtetin komunist që nuk e njohu kurrë në jetën e tij.

Hoteli Kristal - Sheshi "Rexhep Mala e Nuhi Berisha" Qendra e qytetit ne Gjilan - Kosova
                                          Foto  nga  Mr.sci.Xhelil Neziri

Flaka e Janarit 1984

Doli nga ato dyer të ndyta dhe e gjen atdheun, Kosovën po aty ku e kishte lënë më parë, pas 8 vitesh Rexhep Mala nuk kishte dëshmi se diçka kishte ndërruar, jo… sërish të robëruar me çrast atë jetë me atë robëri Rexha s’e deshti kurrë dhe me plot energji futet sërish në rrugën drejt realizimit të synimeve dhe idealit të tij, gjen shokun e idealit Nuhi Berisha dhe futen prap në ilegalitet. Ndonëse në çdo hap i përcjellur, UDB-ja u bie në gjurmë por trimat lidhën besa-besën për t’mos u ra në dorë të gjallë gjelatëve. Në lagjen e trimave të Prishtinës , në një luftë të pabarabartë por me këngë dhe refale armësh me 11 dhe 12 janar 1984 ranë heroikisht për t’mos vdekur kurrë.

Rexhep Mala e Nuhi Berisha shquhen ndër figurat më të ndritura të qëndresës dhe sakrificës sonë kombëtare. Sot për veprën patriotike të Rexhep Malës me plot krenari flasin bashkëpunëtorët, bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët dhe mbarë Kosova ndonëse emrin e Rexhep Malës e shohim në çdo flamur me shqiponjën dykrenare, e hasim në shumë rrugë të cilat me nderë e krenari mbajnë emrin e tij , e hasim në shumë sheshe e vatra edukativo-arsimore, kazerma e qytetit në Gjilan me krenari mban emrin e bërthamës së UÇK Rexhep Mala e Nuhi Berisha.


Më 11 janar të vitit 2008 në Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë u promovua monografia “Rexhep Mala - Anteu i Lëvizjes Ilegale” , e autorit Selatin Novosella.

*****************
perm.rexhep malaj nuhi berisha



 http://whatiexpect.in/index.php?option=com_video&Itemid=148&video=S2YWfTfYrFY


Kujtime nga burgu


Rashë në sy që nga bankat e shkollës fillore si liridashës, sepse e doja popullin tim, historinë e tij të lavdishme, sepse e doja Kosovën time dhe simpatizoja me gjithë shpirt Shqipërinë. Dhe, mjaftoi kjo që të më fusnin në burg. ”Më mirë ta kemi nën dry sesa të jetë nën vëzhgim tonë pë gjatë gjithë kohës”, kështu sigurisht funksiononte logjika e sëmurë e UDB-së. Tani e ndjë për detyrë që ta njoftoj opinionin e vendit dhe atë botëror mbi arrestimin tim, torturat çnjerëzore që janë kryer mbi mua me muaj të tërë, gjykimin dhe vuajtjen e dënimit. Po përpiqem që me aftësitë e mia modeste t`i përshkruaj të gjitha ndjesitë e mia. Bindja e plotë dhe besimi i patundur se e vërteta dhe drejtësia herët apo vonë do të triumfojnë, si shumë të burgosur të tjerë politikë shqiptarë edhe mua më bënë më të fortë, më të qëndrueshëm, më të papërkulur, para presionit të policisë fashiste jugosllave dhe vështirësive të shumta që më përcollën në burgje. Nuk jam as i pari dhe as i fundit që u dënova pa asnjë faj. Për ne shqiptarët në Jugosllavi kjo është gjë e rëndomtë. Prandaj, edhe pse në burg, dhe në kushte shumë të vështira, i përcjellë hap pas hapi nga gardianët e burgjeve, për fatin dhe përjetimet e mia si dhe të shumë të burgosurve të tjerë politikë shqiptarë në Jugosllavi, duke ngritur edhe në këto kushte zërin e protestës kundër këtij terrori e gjenocidi që po ushtrojnë fashistët e Beogradit kundër popullit tonë.

Arrestimi

Ishte dimër i ftohtë, kur një mëngjes herët, policët, si lukuni ujqish, kishin rrethuar shtëpinë time. Ishin të armatosur me pushkë e automatikë. Kishin zënë pozicione luftarake, të gatshëm për të shtënë në ne, në lëvizjen më të vogël. Që të gjithë qemë në gjumë, kur pa pritur filluan të kërcasin në dyerë, u mëshonin sa mundnin atyre me duar dhe me shqelma. Nuk prisnin as të vishemi. Posa u çelën dyert, u vërsulën si bisha të çartura dhe me armë të gatshme na shpërndanë nëpër dhoma. Filloi një bastisje sa rrënuese aq edhe e poshtër. Ishin shumë dhe nuk mund t’i përcillnim se mos na vidhnin gjë edhe pse ishim të varfër. Rrotulluan dhe përmbysën çdo gjë që patën përpara. Çirreshin si egërsira të uritura. Donin të fusnin tmerr e panik te njerëzit e shtëpisë, por dështuan sepse anëtarët e familjes sime e morën këtë si gjë të rëndomtë. Familja ishte mësuar me arrestime që nga gjyshi e stërgjyshi. Për ne nuk ishte hera e parë të arrestohej një anëtar i familjes. Udbashët me vegla e aparate gjurmonin, si qentë edhe në shportën e bërllogut se mos gjenin gjë. Pas disa orësh rrotullimi e përmbysjeje, si duket, e panë se po lodhen kot, prandaj m’i vunë kllapat që në dhomë. Njerëzit e shtëpisë më përcollën me grushtin lart. Tamam si përcillet luftëtari i lirisë për në luftë. Paj, edhe unë në luftë shkoja, në luftë me bisha që kanë pamje njeriu. Më futën në një makinë të policisë, para dhe prapa së cilës kishte makina tjera përplot policë të armatosur.

Paraloja

Para dyerve të UDB-së më nxorën nga makina dhe të rrethuar nga të gjitha anët më futën brenda. Më çuan në një zyrë, mu aty ku do t’i zhvillonin hetimet ndaj meje. Aty më bënë një bastisje detale: më zhveshën lakuriq, të poshtrit ! Thuajse nuk më kishin bastisur kur m’i vunë kllapat në shtëpi. Tërë ditën më mbajtën në atë dhomë. Gjer në orët e vona të natës. Askush s’më pyeste gjë. Një polic filloi ta luante rolin e njeriut të mirë duke më këshilluar : “Trego çfarë të dish dhe puna do të mbarojë me kaq, sepse këta do të të rrahin dhe do të të torturojnë. Mos e shkatërro shëndetin se je i ri. Nëse m’i thua mua të gjitha ato që i di, unë do të lëshoj që sonte të shkosh në shtëpi...” I thashë se nuk dija sgjë, madje as për çka më kishin arrestuar. Ai nuk më ngacmoi më. Një polic, që të nesërmen do të mësoja se ishte hetuesi im kryesor, kur hyri brenda më pyeti: “Ti je Kushtrim Guri, a” ? Po, i thashë. Duke u zgërdhirë si qen më tha:”Nëna në shtëpi e bënë miellin bukë, e ne atë bukë e bëjmë miell ! Mbaje mend këtë !” Qeshi me fjalët e veta si i marrë dhe iku. M’u kujtuan fytyrat e Gestapos hitleriane që kisha parë në filma. Kurrë farë dallimi nuk kishin prej tyre kriminelët e UDB-së. Siç mësova më vonë, ky ishte gjakpirësi A.S. kaq biseduan me mua ditën e parë. Policët ndërroheshin vazhdimisht, gjersa më në fund, rreth orës 23, më dërguan në burg.

Në burg

U kryen formalitetet rreth pranimit tim dhe nëpër korridorin e ngushtë të burgut më dërguan në birucë, siç i thonë ndryshe qelisë. Aty s’kishte asgjë tjetër veç një teneqeje me ujë dhe një qypi që quhej ‘kibëll’ e që shërbente në vend të një WC-je. Gardiani më çoi në qoshe të korridorit, ku ishin dy dyshekë të vegjël të shqyer e të ndyrë sa s’bëhet. Vetëm emri dyshek u kishte mbetur. Ishin edhe të përgjakur, sigurisht nga ndonjë i burgosur i torturuar. Kishte edhe dy batanie të grisura, të pluhurosura dhe të fëlliqura. Edhe këto ishin të gjakosura. ”Merri !”- urdhëroi gardiani. Ç’t’i bësh, me duhej t’i merrja. Në atë dimër të madh më mirë me to se pa hiç gjë. Posa hyra brenda në qeli u përplas dera pas meje, ndërsa shuli kërciti me kërcëllimë. -Kështu kërcitkan shulat e dyerve të burgjeve jugosllave ! -mendova me vete. Më duhej të mësohesha edhe me këtë, që tani e tutje për shumë vjet do të ishte pjesë e jetës sime.
Policia jugosllave, si çdo polici fashiste e antipopullore, ndjek e persekuton çdo patriot e revolucionar. Nga pamundësia për t’i zbuluar atdhetarët që luftojnë e veprojnë natë e ditë, kudo në Kosovë, UDB-ja arreston njerëz të pafajshëm liridashës, i torturon me metodat më shtazarake për t’i detyruar që t’i pranojë gjërat, të cilat as në ëndërr s’i kishin parë, e pastaj i hedh në gjyq dhe u shqipton atyre dënime të rënda. Ndiqen sidomos simpatizantët e Lëvizjes, nga frika se sot apo nesër mund të inkuadrohen aktivisht në të. Dikush mund të pyes se si policia mund t’i dijë simpatizantët e Lëvizjes. Fare thjesht. Serbomëdhenjtë janë të vetëdijshëm se populli ynë është i ndërgjegjshëm për gjendjen ku e ka katandisur politika e tyre fashiste. Populli shqiptar është i pakënaqur me pozitën e tij prej popullit të shtypur në Jugosllavi. Ai në këto kushte nuk sheh tjetër rrugë veç asaj të qëndresës, nëpërmjet së cilës duhet t’i realizojë aspiratat e veta historike. Prandaj s’është e vështirë të gjesh bazën e dyshimit serbomadh ndaj popullit tonë në përgjithësi. Kështu që nga bangat e shkollës fillore ndiqet dhe përcillet puna dhe sjelljet e çdo shqiptari në Jugosllavi. Pastaj mjafton që një pjesëtar i farefisit të ketë qenë në burg që edhe ti saora të figurosh në dosjen policore si kandidat potencial për ndjekje nga UDB-a jugosllave. Meqë bastisjet e shqiptarëve janë gjëra fare të rëndomta, mjaftojnë të gjejnë ndonjë libër të ndaluar, e këso këtu ka shumë…ndonjë broshurë, fletushkë apo gazetë ilegale, ku flitet për problemet jetike të popullit, ose ndonjë trakt apo afishe të shpërndarë nga Lëvizja, apo fotografi të nxjerra nga gazetat që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe të fusin në burg, të të torturojnë e mundojnë, që të tregosh atë që të ka dhënë apo që e ka shpërndarë dhe, bashkë më të të hedhin në gjyq dhe të dënojnë me vitet të tëra. Gjërat për të cilat njeriu në botën e civilizuar as që guxon të mirret në pyetje. Ndodhë kështu, sepse drejtësia dhe humanizmi ka kohë që e kanë humbur, veçanërisht ndaj shqipëtarëve, kuptimin e tyre në Jugosllavi.
Qelia ku më futën ishte e vogël sa s’bëhet, aq sa nuk mund t’i shtrija këmbët sa duhet. Tavani ishte i ulët, saqë kur ngrihesha e prekja edhe me dorë. Gjatësia e mureve nuk ishte e rregullt, sepse burgu ishte në formë rrethi. Tri të katërtat e rrethit ishin burg, ndërsa pjesa tjetër përbënte ndërtesën e UDB-së, një ndërtesë trikatëshe, mbi njëqind metra e gjatë. As lartësia e mureve të burgut nuk ishte e njëjtë, pasi që nuk kishte kulm, por një pllakë të pjerrtë plumbi e betoni. Dritarja ishte shumë e vogël. Nga jashtë kishte një xham tjetër të trashë e të errët, të larguar nga muri për 25-30 cm. Nga fundi i kësaj plase mund të shihja pakëz qiellin, por kurrë diellin. Kuptohet mes dy dritareve ishin grilat e hekurta. Me hekur e beton ishin edhe muret e tavani. Bënte ftohtë sa s’ka. Qelia kundërmonte erë qelbësire. Aty kishte buba të vogla dhe të mëdha aq shumë sa kurrë s’mund t’i zhdukje. U mbështolla disi me të dy batanijet, por të ftohtit më kishte hyrë në palcë. Edhe pse isha pa ngrënë dy ditë dhe bënte shumë ftohtë, lodhja bëri punën e saj dhe shpejt më zuri gjumi. Të nesërmen herët dëgjova një cingërimë të zgjatur zileje, që ishte shenjë për t’u zgjuar. Pak më vonë kërciti dryri i derës sime dhe rrapëllima e shulit. Me të bërtitura dhe ngërmime, një gardian më urdhëroi që dyshekët t’i paloja në qoshe, duke m’u ngërmuar se gjatë ditës është rreptësisht e ndaluar çdo ulje apo mbështetje në dyshek, ndërsa “çebet”, sipas rregullit, m’i qiti në korridor.
Nga 19 veprimtarë të përfshirë në Procesin gjyqësor të Prishtinës, në vitin 1975, drejtpërdrejt në shkrimin dhe shpërndarjen e trakteve dhe shkrimin e parullave antijugosllave, ishin të përfshirë vetëm Rexhep Mala dhe Ilmi Ramadani. Gjatë hetimeve të tmerrshme, as Rexhepi as Ilmiu, nuk do të pranojnë as edhe një fjalë të vetme me çka do të dënoheshin edhe 17 të arrestuarit e tjerë në krye me Adem Demaçin. Po ashtu, as gjatë procesit gjyqësor Rexhep Malaj nuk do të pranojë se i ka kryer aktivitetet për çka po gjykoheshin 19 veta. Në burgun e Idrizovës, në Maqedoni, në vitin 1977 e pyesin shokët Rexhep Malajn: “Pse Rexhep nuk e ke pranuar se ti dhe Ilmiu i keni kryer ato veprime dhe të liroheshin 17 të burgosurit e tjerë nga ky proces i montuar politik”. Rexhepi përgjigjet: “Kam qenë i bindur se si e pranova se unë dhe Ilmi Ramadani jemi kryes të veprave për të cilat dënoheshim, kurse 17 të tjerët nuk kanë të bëjnë asgjë me këto aktivitete, pra Adem Demaçi dhe shokët e tjerë, ata do të gjykoheshin patjetër. Por do të përfundojë Rexhepi, -sikur edhe gjysmën e Kosovës ta kishin burgosur dhe ta kishin qitur në bankën e zez, nuk do të kisha shkelur fjalën e dhënë për ruajtjen e sekretit”.
Pra gjatë ditës duhej të ulesha vetëm në dërrasat e kalbura të qelisë, që ishin të ftohta sa s’bëhet, pasi që nën to kishte beton. Dritarja nuk mbyllej sa duhej dhe binte nga veriu. Mund të merret me mend se ç’të ftohtë bënte. Në mur ishte e varur një letër. Ky ishte “rendi shtëpiak” i burgut, ku ishin edhe “të drejtat” që i takonin të burgosurit. Çfarë ironie ! Më vonë do të provoja me mijëra herë se ky ishte vetëm një formalitet cinik, sepse në praktikë i burgosuri nuk kishte kurrfarë të drejtash, sidomos i burgosuri politik, i cili ishte nën mbikëqyrjen e policisë politike, pa lejën e së cilës nuk i jepej as ujë. Pas pak ma sollën mëngjesin. Po çfarë mëngjesi se ! Vetëm ujë të nxehtë, të turbullt nga kafeja. S’kishte kurfarë shije, s’kishte as sheqer. E shijova, por u detyrova ta derdh në qyp kibëll. Bukë në mëngjes nuk jepnin. Vetëm në drekë të sillnin një gjysmë buke dhe ti haje kur të duash gjatë 24 orëve ! Pastaj më nxorën gjer te WC-ja. Duhej pastruar qypin dhe duhej marrë ujë për 24 orë. Aty kishte edhe lavabo ku mund të pastroheshin duart. Gjatë kohës, gjersa laja qypin dhe mbushja ujë, derën ma mbyllën me shul, sikur që mbyllej edhe qelia. Nuk vonoi dhe më morën e më çuan në UDB. Hetimet ndaj meje edhe formalisht filluan. Kisha dëgjuar se në UDB më parë fillojnë me lutjet dhe premtimet bashkë, me kërkesat për bashkëpunim, dhe vetëm pasi nuk do t’i arrijnë qëllimit do të fillojnë me kërcënimet dhe torturat. Prandaj rrija pak më shlirë. Mendoja q ët’i shoh se si i bëjnë këto paraloja para torturave. Por filloi krejtësisht ndryshe.

Fillojnë hetimet

Isha ulur në një karrige pranë derës. Në dhomë ishte një polic. Hyri hetuesi kryesor me dy-tre policë prapa. Meqë unë nuk ngrihesha në këmbë kur hynin dhe dilnin policët, nuk u ngrita as para këtyre. Hetuesi kryesor Asllan Sllamniku erdhi pranë meje dhe sikur të ishim miq më goditi lehtas me grusht në shpatullën e djathtë. Mendova : ç’bënë ky njeri kështu ? Mos don të bëhet thuajse shok i imi, por të menduarit ma ndali një shuplakë mbrapsht, ne e quajmë “magjupisht”. Ishte e rëndë që sytë xixa më nxorën. Meqë reagova në këtë të rënë, më mbërtheu për flokësh dhe, duke mos më lënë të ngrihesha nga karriga, filloi të më sjellë me dorën që e kishte të lirë. Ndërsa policët tjerë rrinin gati hyn bren. Nuk po çohesh në këmbë, kur po hyj unë brenda a ? Dije se këtu nuk je te shtëpia, por në UDB ! Duhet të ngrihesh në këmbë për çdo kë kur hyn brenda ! - më tha i poshtri dhe më urdhëroi të ulesha e të ngrihesha. Ia filluan pra, me kërcënime e me të rëna që unë të flisja nga frika, dhe ata të kryenin shpejt punë me mua:Ishin këto të rënat e para, sikur një racion para drekës së majme. Më vonë do të shihja se këto s’ishin asgjë nga ato që do të vinin më pas. Çdo pyetjeje i përgjigjesha me : nuk di, jo, s’kam parë, s’kam dëgjuar, se kam bërë as atë as këtë, etj. Më mbajtën gjer në ora 14 e 30 minuta dhe më çuan në burg. Edhe kur më merrnin në burg për hetime(lexo: torturime) dhe kur më kthenin në qeli m’i vënin prangat, edhe pse burgu, siç thashë ishte i ngjitur me UDB-në. Në qeli më priste fasulja e ftohtë (fasule e i thënqin se ishte e tëra me ujë me vetëm disa kokrra) dhe buka. Kishte 48 orë që s’kisha ngrënë fare dhe e hëngra tërë bukën që ma kishin sjellë, edhe pse ishte për 24 orë. S’vonoi as një orë pas drekës dhe më morën prapë në UDB. Tani kishin ardhur 4-5 hetues. Në përgjigjjen time të parë ‘nuk di’, kërciti grushti në barkun tim, më ranë me shqelm, filloi njëri të më bjerë duarve e pastaj trupit. Pasi u lodh, punën e tij e vazhdoi tjetri. Nga të rënat fytyrës, m’u çanë buzët dhe më shpërtheu gjaku për hunde dhe për goje. Nuk më linin as të merrja frymë. Më çuan shpejt e shpejt në lokalet të më pastronin gjakun nga fytyra e rrobat dhe më kthyen prapë. Më rrëzuan në dysheme, më urdhëruan të zbathaj këpucët dhe çorapat.

Në fallak

- Ta shohim tash në fallak se si do të përdridhet- tha hetuesi. Menjëherë e kuptova. E dija se ç’është fallaku. Këtë metodë e kishin përdorur që në kohët e lashta dhe inkuizicionet e kishës. Filluan të ëm binin në shputat e këmbëve sa mundnin. Njëri më mbante për krahësh e tjetri kishte hipur mbi mua dhe godiste me tërë fuqinë e tij shputave të këmbëve të mia. Kjo ishte edhe për ata një puën e vështirë fizike, edhe pse e bënin me ëndje të posaçme. Lodheshin dhe shkumbëzonin si kuajt. Po ata kishin një përparësi, sepse sa lodhej njëri, menjëherë e zëvendësonte tjetri, dhe kështu me radhë. Në dy mënyra më goditnin shputave. Ndonjëri më binte vetëm në njërën këmbë nga 15-20 ‘kërbaçë’ e pastaj po aq me tjetrën, e prapë këmbës tjetër dhe kështu gjersa lodheshin. Ndonjë tjetër më binte me radhë herë në njërën e herë në tjetrën gjersa lodhej. Kjo e dyta më dukej më e lehtë. Këtë gjë sigurisht se e dinin edhe ata, prandaj më goditnin herë në një mënyrë e herë në një tjetër. S’mbaj mend të ketë ndodhur që dy veta radhazi të më kenë goditur në një mënyrë. Kohë pas kohe, e sidomos kur e ndienin veten të lodhur më urdhëronin të ngrihesha dhe të shëtisja nëpër dhomë. Ishin këto mundime të mëdha të ecësh me shputa të enjtura e të goditura pa mëshirë sikur të ishin cunga me mish njeriu. Kur nuk ngrihesha, më ngritnin me shqelma e me kërbaç. Dhe prapë fallak. Prapë shëtitje nëpër dhomë, të rëna duarve me "pendrek", të rëna të forta me të dy duart në veshë përnjëherë, nga të cilat edhe sot më dhembin veshët. Të vetmin pushim e kisha kur pushonin edhe vet xhelatët. Dhe kështu vazhdimisht gjer në orët e vona të mbrëmjes.
- Kërkonin t’i identifikoja njerëzit që nuk i njihja fare dhe të thoja se ai është person që ka shpërndarë trakte apo që më ka dhënë material propagandistic për të lexuar. Kërkonin t’i pranoja aksionet që s’i kisha kryer dhe as q ëkisha lidhje me to. Kërkonin të pranoja se kam lexuar këtë apo atë libër të ndaluar, këtë broshurë, fletushkë, gazetë ilegale apo trakt e afishe të shpërndarë.
- Në ndërkohë, nga bisedat e hetuesve në mes vedi, kuptova se kishte edhe të burgosur të tjerë me mua.

Këmbët më dhembnin si drita e syrit

- Në qeli më priste pjata me makarona të ftohta dhe pa pikë yndyre. Kuptohet, bukë nuk kishte. Pjesën e bukës që e kisha për 24 orë e kisha ngrënë në drekë. Makaronat nuk haheshin, s’do t’i kishin ngrënë as derrat e uritur, aq shumë kundërmonin. Drita ishte fikur, s’kishte kohë të mendohesha më duhej të pushoja. Tërë trupin e kisha të dërmuar nga grushtat dhe kërbaçi. Këmbët më dhembnin si drita e syrit. Ishin enjtur aq shumë sa as këpucët nuk mbatheshin dot. Nuk di se si kam ardhur deri tek qelia. Kam ardhur vetë apo më kanë tërhequr nga krahët. Isha krejt i dërmuar, vetëm mendjen e kisha të kthjellët dhe e dija se si po veprojnë me mua, por krejt kjo ishte vetëm fillimi. Fundi ishte akoma larg. Shumë larg. Kisha dëgjuar se pak njerëz kishin mundur t’u qëndronin torturave të këtyre përbindshave me pamje njeriu. Isha i vetëdijshëm për pafajësinë time, por i dhashë vetes për detyrë të qëndroja gjer në fund, të mos tradhëtoja, të mos kallëzoja askënd dhe me asnjë çmim të mos pranoja akuzat e tyre.
- Duhej t’u jepja shembull edhe të tjerëve që do të vinin pas.
-
Në kthinat e hetuesisë vdisnin patriotët

Filluan kështu torturat shatzarake të policisë fashiste jugosllave. Këta nuk ishin hetues, po bisha, që s’kishin kufi në shfrenimin e instikteve shtazarake, ishin të uritur për mish njeriu ; të etur për të pirë gjak. Është fakt se kishte hetues që i thonin vetes “shqiptar”. Ishin këta tradhëtarët më të fëlliqur të popullit tonë, të cilët kryenin punët më ët poshtra. Hetimet i udhëheqte një shovenist serb, i specializuar për torturat më çnjerëzore dhe vetëm formalisht ishin vënë hetuesit “shqiptar”. E pse jo ! Kjo u duhej për propagandën e tyre të ndyer se , gjoja, në UDB punojnë shqiptarët dhe, nëse do të akuzoheshin përpara opinionit botëror për terror e represalje ndaj shqiptarëve, prapë të fajësoheshin shqiptarët, se ata punuekan në UDB. Në kthinat e kësaj UDB-je kishin vdekur, siç vdesin edhe sot, shumë patriotë shqiptarë nga torturat. Por, specialistët e rryer për krimet monstruoze, gjithmonë do të kujdesen dhe do të gjejnë mjekë që do të nënshkruajnë se nga ajo apo nga kjo sëmundje ka vdekur i burgosuri. Mjeku patriot shqiptar, Ali Sokoli-specialist i sëmundjeve të mushkërive, ishte ndër ata mjekë të rrallë që qysh atëherë mundi t’u bëjë ballë presioneve dhe me guxim t’u kundërvihet kërcënimeve të UDB-së, e për të mos nënshkruar se patrioti i pavdekshëm, Fazli Greiçevci, vdiq nga mushkëritë e sëmura ! Edhe pse UDB-ja do të gjente mjek tjetër për të dhënë diagnozë të tillë, populli do të mësojë shumë shpejt për torturat shtazarake dhe qëndrimin heroik të Fazli Greiçevcit, por edhe për qëndrimin burrëror të Ali Sokolit.

Rexhep Mala : Më torturonin udbashët shqiptarë e serbë

Rexhap Malaj herën e parë është burgosur në vitin 1968, për organizimin e demonstratave të atij viti në Gjilan, së bashku me Irfan Shaqirin, Ilmi Ramadanin, Xhavit Dërmakun dhe Ahmet Hotin. Herën e dytë është burgosur në vitin 1973, për kalimin ilegal të kufirit Kosovë-Shqipëri, së bashku me Sami Dërmakun dhe Isa Kastratin. Herën e tretë është burgosur në vitin 1974, po ashtu për kalimin ilegal të kufirit Jugosllavi-Austri. Ndërsa, herën e katërt është burgosur në vitin 1975 së bashku me Adem Demaçin, Skënder Kastratin, Isa Kastratin, Osman Dumoshin, Sami Dërmakun, Ilmi Ramadanin, Selatin Novosellën, Ilaz Pirevën, Irfan Shaqirin, Xhavit Dërmakun, Nijazi Korçën, Hetem Bajramin, Hasan Dërmakun, Fatmir Salihun, Sherif Masuricën, Zijadin Spahiun, Nazim Shurdhanin dhe Ahmet Hotin.

Gestapoja do t'ia kishte zili UDB-së

Më tepër se një muaj më merrnin në pyetje dy herë në ditë, para dite dhe në mbrëmje, pos të dielave, që me gëzim i prisja për pushim. Të torturohet njeriu një kohë të gjatë dy herë në ditë kjo zor të shihet e të dëgjohet. As në gestaponë hitleriane nuk i kanë torturuar kaq gjatë. Pastaj është fakt se mua nuk më kanë torturuar aq sa kam dëgjuar se i kanë torturuar të tjerët më parë. Në këtë kohë me torturat intensive nga dy herë në ditë, çdonjëri prej tyre po t’ua kishte lënë në dispozicion të zgjedhtë torturat apo plumbin, pa hamendje do të zgjedhtë këtë të dytin. Kështu do të shpëtonin nga torturat dhe të dilnin faqebardhë, sepse nga torturimi i parreshtur kishte njerëz që do të thyheshin përkundër qëndresës këmbëngulëse. Tërë kohën sa më mbanin në kthinat e UDB-së, 8-12 orë në ditë, kurrë s’më linin të ulesha në karrige e as të mbështetesha për muri. Më ulnin në karrigë vetëm atëherë kur ma fusnin lapsin me zor në dorë dhe më urdhëronin që të shkruaj për gjërat që s’i kisha parë as në ëndërr. Kur më ulnin në karrige më rrinin një para, një prapa shpine dhe dy anash. “Shkruaj”, - më bërtisnin, dhe posa përgjigjesha- s’kam çka të shkruaj, - më kërcitnin grushtat, shuplakat, pendrekët dhe shqelmat nga të gjitha anët. “Atëherë shkruaj për këto që po t’i themi ne”, - gërvalleshin udbashët, dhe posa përgjigjesha se “ato nuk janë të vërteta” më binin me tërë fuqinë me kërbaç duarve të cilat më parë m’i shtrinin në tavolinë.

Të lumtë, nëse qëndron !

Ata: “Shkruaj kush ka mundur të shpërndajë këtë afishe !”. Unë : Nuk di…Aq të poshtër e këmbëngulës ishin sa më thoshin se edhe derr të zi do të pjellësh se çare s’ke pa treguar. Si të duash, nëse do dajak, dajak do të japim. Ne kemi kohë dhe s’po na ngut kush. Nëse s’di të flasësh ne do të të mundojmë kështu nëntë muaj dhe ti nëse qëndron - të lumtë ! Deri sot kurkush nuk qëndroi, e qebesa s’do të qëndrosh as ti, se nuk më thonë kot “specialist”, A.S. - dhe më binte me të dy duart përnjëherë veshëve. Torturuesit kryesorë ishin dy-tre serbë, që emrat s’mund t’ua di, pasi që ishte një praktikë që shqiptarët hetues i thirrnin me emra serbë, e serbët me emra shqiptarë. Mund të mësoje, p.sh. se njëfarë L. e thërrisnin Ramush. Ishte kjo një metodë pune për të mos u identifikuar torturuesit nga ana e viktimave të tyre. Ai kryesori ishte një njeri i madh me trup, me kokë të madhe si derri, fytyrën e kishte vrarë lie me dhëmbë si të kalit. Tamam kriminel, specialist për tortura. Ata vinin vetëm kur bëheshin torturat më të mëdha dhe më intensive. Torturues ishin edhe: F.N., M.D., B.B., e shumë të tjerë që s’ua mësova emrat.

Këtyre duhet t’ua çajmë kokën

Fytyra m’u pat enjtur dhe e bërë mavi nga të rënat. Buzët i kisha të çara dhe nga çdo e rënë shpërthente gjaku. Duart dhe këmbët të enjtura sa s’bëhet më, s’mund t’i mbathja as këpucët dot, e në UDB shkoja me papuçe. Kur kërkoja që të më shihte dhe të më kontrollonte mjeku, refuzonin si të tmerruar. Kur më torturonin e linin derën pakëz çelë. Në fillim nuk e dija pse, por më vonë e kuptova. Donin që torturimin ta dëgjonin edhe të burgosurit tjerë në lokalet e UDB-së. Na torturonin me radhë. Kështu, gjersa torturohej njëri, të tjerët merreshin në pyetje nga ndonjë udbash, kuptohet edhe dyert e tyre ishin pakëz të çelura që të dëgjonin të rënat e shuplakave, të grushtave e kërbaçëve dhe britma e atij që torturohej. Të gjithë hetuesit dhe policët e tjerë, gjashtë-shtatë vetë, ishin në dhomën ku torturohej i burgosuri, dhe të gjithë me radhë ose bashkarisht merrnin pjesë në torturim. Të burgosurve tjerë u mbetej që të dëgjonin dhe të prisnin secili radhën e tij. Nuk kishte gjë më prekëse e më trishtuese se sa kur dëgjoheshin gjëmët e shokëve. Dhe kështu shkonin prej një të burgosuri te tjetri duke shfryrë ndjenjat shtazarake dhe gjithë mllefin e tyre personal mbi ne.
Më binin duarve aq sa duart nuk qëndronin më, dhe për të mos më lënë të pushoja ma mbanin dorën vetë dhe më goditnin pareshtur. Kur lodheshin duke m’i mbajtur duart, atëherë nga mllefi më godisnin ku mundnin nëpër trup. Posa lodhej njëri, e zëvendësonte tjetri menjëherë. Më kapnin me të dy duart për flokësh dhe ma përplasnin kokën për muri. Në këto momente torturuesit e nxitnin njëri-tjetrin. Shtazaraku bëhej gjoja human dhe i thoshte atij që më përplaste kokën për muri: “Mos kokën, ki kujdes po e lëndon !”, kuptohej me sy ia bënte të më binte edhe më shumë. Dhe ky përgjigjej: “Pse kujdes ? Këtyre duhet t’ua çajmë kokën”, dhe më përplaste edhe më tepër. Më kapnin për organe gjenitale dhe më bërtisnin në fytyrë: “Kemi me të tredhë” dhe më shtrëngonin deri në alivanosje. Ujin e mbanin çdo herë gati, që kur të më binte të fikët të më hidhnin ujë trupit dhe fytyrës, dhe menjëherë do të vazhdonin punën. Më fyenin me sharjet më të ndyra, më ofendonin, më përqeshnin, më pështynin. Ishin këto poshtërime të rënda, por e dija se duhej t’i duroja dhe në veten time mbushesha me urrejtje të shumëfishuar për këtë regjim fashist e terrorist. Dhe kam të drejtë të tregoj për trajtimin shtazarak të policisë fashiste jugosllave ndaj meje, ta çjerrë maskën false të shoqërisë “demokratike” e “humane” që e propagandojnë me aq bujë e që në realitet s’ekziston kurrfarë nuance demokratike në këtë sistem të dështuar që mbështet kryesisht dhunën policore.

Ç’linin mangut hetuesit, e plotësonin gardianët

Edhe disa gardianë të burgut famëkeq të Prishtinës ishin të zgjedhur dhe të ushtruar për trajtim brutal të të burgosurve politikë. Në orët e vona të një nate, kur më kthyen nga torturimet, nuk isha në gjendje t’i kapja me duar batanijet dhe i thashë gardianit që më çoi në qeli. Ishte një djalë i ri si unë, që të m’i hidhte “çebet” në duar, sepse vetë s’kisha mundësi t’i kapja, sepse gishtat m’i kishin shtypur ndër tortura. –“Merri vetë !”- m’u përgjigj ai. Duke mbledhur forcat e fundit mezi i tërhoqa batanijet dhe i futa në disa qeli. Shumë të dresuar këta qen roje ! Të mjerët ! Nuk kuptojnë çfarë lodrash të përgjakshme të të huajit që janë. Meqë bënte ftohtë i madh, pata arritur ta vjedh një copë batanije të vjetër, duke shfrytëzuar rastin kur gardiani u detyrua ta ngriste receptorin e telefonit. Ishte rrezik të më shihte, por nevoja më shtyri të rrezikoja. Mirëpo, pasi çdo herë nuk isha në qeli, pra kur isha në UDB, apo në nevojtore, gardianët hynin në qeli dhe bënin bastisje detale. Unë mundohesha që ta fshihja gjysmën e batanijes në dyshek por njëri e kishte zbuluar “fajin” tim dhe më kishte denoncuar në UDB. Kështu që, kur më kthyen në qeli, ma mori me brutalitet dhe duke u çjerrë më tha: “Ty s’të takon batanija, bile edhe këto që t’i kam dhënë i ke tepër”.

Pas torturave - dy ditë pushim në javë

Pas më tepër se një muaji filluan të më merrnin në pyetje dhe të më torturonin vetëm mbrëmjeve, pos ndonjë përjashtimi, intensiteti i torturave ishte i njëjtë, pos që të shtunave nuk më mirrnin fare. Tash i kisha nga dy ditë në javë pushim. Kishte të burgosur që s’kishin mundur t’u qëndronin torturave dhe ishin thyer. Kishin pranuar të deponojnë gjëra çfarë u kishin thënë hetuesit, dhe kishin nënshkruar deklarata shpifëse dhe vetakuzuese. Deponimet e tyre me dorëshkrimin dhe nënshkrimin e tyre m’i sillnin dhe m’i tregonin, bile edhe m’i jepnin t’i shihja nga afër. Duke hasur në pathyeshmërinë time, as me deponimet e nënshkruara nga vet të burgosurit, ata përdornin edhe kartën e fundit: ballafaqimin. Mendonin se po të më thoshte ndonjë nga të burgosurit ( të cilët edhe i njihja), se kisha bërë këtë apo atë punë, se kishte kryer punë bashkë me mua këtë apo atë punë, se kishte kryer bashkë me mua këtë apo atë detyrë, se i kisha dhënë për të lexuar ndonjë libër apo gazetë të ndaluar etj., unë do të thyhesha dhe do t’i pranoja deklaratat e cituara nga udbashët dhe përdhunshëm të nënshkruara nga të torturuarit. Më ballafaquan me një të burgosur. Me atë rast salla qe e mbushur me udbashë për t’i përcjellë reagimet e mia. Kur i hodha poshtë deponimet e të burgosurit, u tërbuan fare. Thashë se do të më shqyejnë, aq keq më mbërthyen dhe më goditën duke më bërtitur: “More gomar, more idiot, në sy të dëshmoi para të gjithë neve dhe thua se nuk është e vërtetë. Vetë ai kërkoi të ballafaqohet me ty, ne e sollëm dhe ti tani na nxjerr bisht !”. Por, unë isha këmbëngulës dhe vazhdova në timen, se s’ishte e vërtetë çfarë thoshte deponuesi i këtyre dëshmive të rrejshme. Si ujq të uritur m’u lëshuan, kush me kërbaç e kush me grushta e shqelma. Nuk besoja se do të shpëtoja i gjallë. Isha i përgjakur dhe i tëri i dërmuar. Atë natë më patën çuar për krahësh në qeli, edhe pse isha në gjendje disi të ecja edhe vetë. Pastaj ma sollën të burgosurin për t’u ballafaquar dhe për të më thënë se kisha bërë këtë apo atë punë më të, se unë njihesha me filan personin, etj. I hodha poshtë me indinjatë edhe shpifjet e përdhunshme edhe të këtij të burgosuri, sepse e dija mirë se ai dëshmitar i shkretë ka kaluar nëpër të gjitha këto që po kaloja edhe unë, prandaj është detyruar ndër tortura që të akuzoj veten dhe mua.
Bile, një fjalë që ai e përmendte vërtetë e kisha dëgjuar, por edhe këtë e mohova me këmbëngulje. Egërsimi dhe tërbimi i hetuesve barbarë s’kishte kufi, kështu që më torturuan më shumë se asnjëherë më parë. Më thoshin: - “A të tha në sy se ti njihesh me filan personin ?” Unë përgjigjesha: - “ Kjo që po e thuani ju dhe ai nuk është e vërtetë...” Ai duke më rënë: -“ Për ty të gjithë po gënjejnë, a ?” Unë: -“ Ai dhe shumë të tjerë janë të detyruar të thonë gjëra që ju ua diktoni…” S’mund të merret me mend tërbimi i tyre.

Buzëqeshja me zor

Në këto situata edhe pse të vështira sa s’bëhet, për mua ishte një kënaqësi e veçantë kur i shihja të tërbuar nga inati duke shkumbuar si qentë e qartur. Shpesh më ndodhte edhe të buzëqeshja, ani pse boll me zor buzët i kisha krejtësisht të çara. Çdo buzëqeshje, natyrisht, më kushtonte shumë shtrenjtë, por mjaftohesha me tërbimin e tyre. Kishin kaluar gadi tre muaj hetime dhe tortura intensive gadi për çdo ditë. Por pas ballafaqimeve intensiteti i torturave filloi të bjerë. Tani më merrnin në pyetje dy ose tri herë në javë. Edhe torturat ishin më të paktat. Pas një kohe, kur kishin kaluar afërsisht katër muaj, filluan të më merrnin në pyetje vetëm njëherë në javë. Më vonë edhe këtë e rralluan, por nganjëherë më thërrisnin për nënshkrimin e procesverbaleve të hetimeve, edhe pse këto ishin kryesisht mohuese. Gjatë kësaj procedure të nënshkrimit provuan për të fundit herë të më mashtrojnë në lidhje me disa persona, por as këtu nuk u përkula dhe qëndrova në deklaratën time të dhënë më parë. Për disa çështje edhe pse nuk kishin të bënin fare me mua, mora përgjegjësinë mbi vete, vetëm e vetëm t’i shpëtoja disa persona, për të cilët interesohej UDB-a dhe mezi priste t’i burgoste.


Skeda:Nuhi Berisha.jpg

Nuhi Berisha, u lind më 3 tetor 1961 në Svircë të Dardanës (ish Kamenicë). Shkollën fillore e kreu në vendlindje, gjimnazin në Gjilan, ndërsa Fakultetin juridik dhe të Kulturës fizike i vijoi në Prishtinë. Ishte nxënës dhe student i shkëlqyshëm. Nuhiu kishte vizion të çartë për të ardhmen e Kosovës dhe guximin e duhur për të vepruar kunder regjimit të atëhershë qysh nga bangat e shkollës së mesme. Ndërsa si student me iniciativën e Rexhep Malës dhe të bashkveprimtarëve të tjerë formohet Komiteti i Studentëve në kuadër të Grupit Revulucionar, i cili do ti shërbejë Lëvizjës çlirimtare të shqiptarëve si bërthamë e parë për lëvizën e pranverës studentore të 1981-it. Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha provuan të vihen në themelet e një organizimi të lëvizjes çlirimtare, që vepronte në kontunitet, kurse me 1973 fillluan veprimtarin e tij në botimin e gazetës "Zëri i Kosovës".


Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.Shkolla fillore në Tygjec sot, mban emrin e Nuhi Berishës.


Vepra të botuara

  • Pranvera e Luleve të Kuqe,1982(Zvicër)
  • Mbi organizimin, 1983  (Zvicër)

 
Dëshmorët nuk vdesin kurrë

NJË LIS NË PYLLIN POETIK SHQIPTAR




IZET  DURAKU
 
NJË LIS NË PYLLIN POETIK SHQIPTAR

(Shënime të redaktorit Izet Duraku për librin poetik “Lis i vetëm në fushë” të Rexhep Shahut )

Photo of Rexhep Shahu

Libri më i fundit poetik i Rexhep Shahut “Lis i vetëm në fushë”, që u botua këtë verë të 2011, ndër të tjera, shënon kristalizimin e plotë të pjekurisë artistike, të origjinalitetit dhe mëvetësisë krijuese të autorit, me të cilin unë jam mik i vjetër dhe kam ndarë së bashku me të, në ditë e orë të gjata bisedash, hallet tona të përbashkëta të jetës dhe kam patur luksin dhe fatin e mirë të flasim edhe për shqetësimet tona krijuese.
Në fund të viteve ’70 dhe në fillim të viteve ’80, në qytetin e Kukësit ishte krijuar një bërthamë e vogël krijuese, por mjaft aktive, ku krijuesit poetë, prozatorë, piktorë, muzikantë e dashamirës të artit, mblidheshin në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe pothuajse gjithnjë në kafenetë e qytetit të vogël dhe flisnin për letërsinë, për miqtë e letrave në qytetet e tjera, për letërsinë botërore që botohej, për pjesët letrare, kryesisht poezi të korifejve të huaj që ashtu të pabotuara kalonin dorë më dorë. Ndonëse në kushte të vështira, ne si krijues u përpoqëm të jemi në një rrjedhë me kohën dhe të krijonim fizionominë tonë poetike.  
Në këtë klimë të ngrohtë shoqërore u maturuan poezitë e para të autorit Rexhep Shahu, libri i parë i të cilit “Mali i Hënës” u botua megjithatë relativisht vonë, në vitin 1998, kur kishin rënë barrierat e kuptueshme të regjimit totalitar. Më duhet të them se te Rexhepi, asgjë nuk ka humbur prej kësaj vonese, sepse poezia e vërtetë i reziston kohës, ajo duket si e pakohë, mund të jetë shkruar para shumë vjetësh, siç mund të shkruhet edhe pas shumë vjetësh. Edhe në letërsinë tonë për fat të mirë, kemi poetë tradicionalë, madje të cilësuar të vjetër, që ngjajnë kaq të rinj.
“Mali i Hënës” u pasua në vitin 2000 nga libri “Bregu i brengës”. Pas tyre, në 11 vjet të vrullshëm, shpeshherë të turbullt, Rexhepi u muar më shumë me publicistikë “me një qiri të ndezur në dorë për me ndritun atë të vobektë dhe”, siç thoshte Bogdani i Sibilave, vendlindja e të cilit është krejt përballë Bardhocit, vendlindjes së poetit Rexhep Shahu. Ndërkohë më shumë se prej publicistikës, drita duket se lind nga poezia, sado e trishtuar, e mjegullt, e zymtë dhe ankthioze të vijë ajo. Rexhepi nuk iu nda për asnjë çast dashurisë së vjetër, dashurisë poetike, që lindi rrëzë malit të Pikëllimës, përballë malit të shenjtë të Pushtrikut, Sionit të Sibilave, buzë rrjedhës së Drinit të Bardhë.
 Ashtu si jeta, edhe poezia për të lindur ndjen nevojën e ujërave, të lumenjve dhe deteve. Prandaj, Durrësi, ku Rexhepi kreu shkollimin e mesëm, mund të quhet vendlindja e dytë poetike e tij.
Poezia e Rexhep Shahut, është lehtësisht e komunikueshme me të gjithë lexuesit, e hapur, e kthjellët, e vetëvetishme dhe rrjedh pa sforcim, duke përcjellë dhimbjen tronditëse për humbjet tona, trishtimin e hollë, tragjizmin dhe shpresën njëkohësisht, ku pjesa e vdekshme bashkëjeton me pjesën e pavdekshme të individit.
Në poezinë e Rexhepit ndjehet rrjedha e trazuar e kohës që i bën trysni shpirtit njerzor, për ta mpakur dhe rrudhur deri në asgjësimin e plotë të individit. Kërkohen të dystohen ëndrra, të rrafshohen vlera. Por ka një spirancë të mos mbytet anija e jetës. Kjo është, Dashuria, gjithnjë e pranishme në poezi si një ndjenjë e thellë që jetohet me intensitet, që është e prekshme, por edhe e përjetuar me dhimbjen e largimit dhe mungesës së saj therëse. Dashuria është prej uji, prej ajri, drite dhe ëndrre, por edhe krejt lëndësore, që ndjehet, preket e shijohet plotësisht. Si e tillë, mungesa e saj barazohet me mungesën e jetës deri në vdekje.
Poezi të tilla intime dikur quheshin poezi të vogla, vetjake. Fati i individit, i shqetësimeve dhe dashurive të tij kërkohej të merrej nëpër këmbë, por poezia më e mirë e viteve 80 ia doli t’i vinte në substancë të saj këto fate të vogla, këto shpirtra që shpëtuan nderin e krijuesve dhe jetën e poezisë. Poezia e Rexhepit ecën në këtë tragë dhe poezia e tij mbetet thellësisht personale, ku mund të pajtohesh me gjithçka, por jo me mungesën e dashurisë. 
“Dëshirë të frikësuar s’do të ketë më
Ajo është mosdashje, s’ka emër tjetër
Unë shkaku i saj s’do të jem askund
Ndoshta në rrënjët e një lisi të vjetër.
…………………………………………………
………………………………………………….
…Prej sysh më del
Si hyjni qielli, sirenë deti
Përpara meje e veshur me dritë
Ndërsa zhdukesh pa gjurmë
Nëpër tymin e shkrumbit tim
Unë mekem pa frymë
Lis i shituem prej zanash.
Me teknika që tingëllojnë të njohura e klasike, poezia e Rexhepit arrin të përftojë gjendje të vërteta emocionale. Vargjet që citova janë krejt të zakonshme në libër, nuk janë nga më të zgjedhurit. Për një trill mbase, unë si redaktor, poezitë që më kanë pëlqyer më shumë, me mirkuptimin e Rexhepit, i kam vënë në fillim të librit. Vargjet e para që ju lexova janë marrë në faqen 63 dhe të tjerat në faqen 86.
Por kjo poezi qenka e hapur për interpretime të ndryshme, për rivlerësime. Tani më jep një imazh tjetër, një domethënie më të thellë. Dhe kjo ngjet më shumë tek ajo pjesë ku mungon krejt nervi i retorikës. Ato janë të ftohta, madje të akullta në dukje. Neutrale. Bukuria e vargut i shpëton syrit të pavëmendshëm. Edhe kur ndjeshmëria e lexuesit arrin optimumin e përthithjes, zbulimi është i pamundur të arrihet menjeherë dhe plotësisht. Pamje të reja do të shfaqen më vonë si nënshtresa të pikturuara në kohë të ndryshme. Dhe kam thënë me vete si nuk i kam vënë re më parë.
Këto po i thoja një natë mikut tim, poetit Aqif Hysa, librin e të cilit, për kënaqësinë tonë do ta kemi shpejt ndër duar.  Një pjesë poezish që mund të përfshiheshin te “Bregu i brengës” i pata mënjanuar se nuk ma mbushën mendjen, por ndonëse i mbaja mend turbull, i përfshiva pas 11 vjetësh te ky libër, se mu dukën krejt ndryshe. Jam i bindur se gabojnë redaktorët. Sigurisht nuk gabon poeti, as poezia.
          Tonaliteti i poezisë së Rexhepit nuk vjen i rrafshët, por i shumllojshëm, i përthyer si relievi i vendlindjes. Një pjesë poezish vijnë të zhurmshme, madje të marrin përpara me spontanitetin e tyre, me të shkruajturën me një frymë. Ato u ngjajnë përrenjve malorë që zbresin me shkumë dhe gjëmime. Vrulli i tyre nuk mund të mbërthehet në pritat, ledhet, argjinaturën e metrikës e ritmikës. Përmbytja sjell fundosjen e rregullit strikt gjuhësor. Fuqia e poezisë vendos në sovranitet të plotë mënyrën e shprehjes…
Malet e lartë të mbuluara nga mjegulla e bora, ujëra të vrullshëm që sulen brinjave, dimra të rreptë, ortiqe të frikshëm, krijojnë pamjen e një vendi, ku natyrshëm mund të lindë epika. Dhe vërtetë në këto treva gjendet dhe djepi i epikës, por në Lumë, krahas epikës historike, krahas mrekullisë së rrëfimeve realiste, alegorike e plot zgjuarsi, ku elementet fantastike zbehen, gjallon e përtërihet një lirikë e fuqishme. Në raport me epikën, lirika në Lumë dhe jo vetëm atje, si gjini më e vjetër, moshatare me njeriun, prandaj dhe më themelore, më prekëse dhe më gjithëpërfshirëse, zë vendin kryesor.
Pranë vatrës së ndezur të netëve dimërore, si i vetmi burim drite në kullat të zymta, gruaja lumjane (gjyshe, nënë, motër) tirrte dhe këndonte nën hundë vajin e shpirtit të vet, dëshpërimin e thellë për humbjet e saj dhe humbjet historike të brezave, dhimbjet e shkuara dhe dhimbjet e ardhshme.
Prej këtij shpirti tragjiko - poetik lumjan duket se është gatuar e mbrujtur poezia e Rexhep Shahut, ku miq krijues të poetit kanë mundur të shohin pamje të ndryshme të kësaj lirike, ku ndërthuret tragjizmi vetjak me tragjizmin e përgjithshëm, ku vërehet dyzimi, tuajzimi dhe dashuria e përjetshme.
Këto ditë përkujtuam 100 vjetorin e Migjenit të madh, që i dha aq forcë, bukuri, nder, e dinjitet poezisë shqipe. Pas pak ditësh do të përkujtohen 40 poetë që nuk mblidhen dot me ne për të drekuar, por janë me ne gjithnjë me poezinë e tyre. Frederik Reshpja, Arshi Pipa, Zyhdi Morava, Bilal Xhaferi, Agim Spahiu…
 Dëgjojmë të thuhet se poezia është ne vështirësi, ka mbaruar koha e saj, duhet një poezi e re, të vijnë poetë të rinj. Ndërkohë që botohen qindra libra me vargje që nuk kanë lidhje, as me poezinë e vjetër të Bogdanit, as me poezine moderne… Nuk janë poezi.
Natyrisht ka një brez të rinjsh të afirmuar që nderojnë ekzistencën tone njerzore dhe letrare. Lisi i Rexhep Shahut vjen natyrshëm në pyllin poetik shqiptar.

Floripress

PËR LIBRIN LIS I VETËM NË FUSHË TË REXHEP SHAHUT

Këtë qershor, doli në qarkullim libri më i ri i poetit dhe gazetarit Rexhep Shahu, Lis i vetëm në fushë, vëllim me poezi, mjaft cilësor si nga përmbajtja ashtu edhe nga paraqitja e botimit. Ky është libri i gjashtë i këtij autori, 3 libra poetikë dhe 3 publicistikë.


Në 122 poezitë e këtij vëllimi poetik poeti Rexhep Shahu vazhdon të jetë në shtratin e krijimtarisë së tij poetike : poet i tragjizmit, i revoltës së fortë, i vëzhgimeve të thella.

Për ta përshkruar më mirë poezinë e këtij poeti e gazetari të angazhuar, vlen të lexojmë minibiografinë e tij letrare të botuar në kopertinën e librit Lis i vetem në fushë.

Biografia letrare e Rexhep Shahut :

Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor revistën kulturore “Dy Drina”,  revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.

Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”,  ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.

Redaktori i librit, poeti dhe gazetari Izet Duraku, ka bërë këtë shënim :

“Një mal dhimbjesh të ndritshme, larë në argjendin e hënës, ku nuk shqiten mjegullat, s’reshtin shirat, e, rrallë, tepër rrallë, mbase në një skaj ëndrre, shfaqet dielli. Përse iu dashka kjo natë e natuar botës? A thua do të mbërrijmë në bregun e lakmuar ku së paku me veten të jemi vetvetja?
“Lis i Vetëm në Fushë” i Rexhep Shahut ndryn burime të kthjellta poetike, por rrjedhat e pakta, përmes botimesh të pakta, herë pas here bëjnë të mos e ndjesh mrekullinë e shijes që në hurbën e parë. Të thëna nën zë, mbase për të mos e provuar kurrë syrin e vrazhdë të dritës, në të ndihet si një pelin e pezm i tepruar. Pamjet apokaliptike, kundruar me një qetësi të admirueshme, mund të shihen vetëm përmes poezisë”.

Për poezinë e Rexhep Shahu, poeti, shkrimtari e studiuesi i mirënjohur Sadik Bejko është shprehur:

“Njeriu i dyzuar që vuan, që shpreh pikërisht hendekun midis vetes e vetvetes, që e bën njeriun – veten e tij, një tjetër dhe pastaj si në një operacion fillon dhe e copëzon më tej atë. Ka gjë më të dhimbshme, tragjike? Ato që duan të pikëllohen, tu them unë, lexoni Rexhepin? Ndoshta të tjerët pëlqejnë gjëra të tjera, më të bukura, tek ai, fjalën e mirë, të saktë, harmoninë e vargut, të figurës…

Por nëse vetmia është përsonale dhe tëhuajëzimi mbetet i huaj në një shoqëri të caktuar, ndonjëherë merr edhe përmasa kombëtare. Rexhep Shahu do të hedhë ura midis kufijve, ura midis vetmive, ura midis njerzve…”.

Nuk mungojnë edhe vlerësimet e poetit të njohur shqiptar Aqif Hysa që është në emigrim. Ai shprehet për librin e Rexhep Shahut si më poshtë :

Dashuria lind në një vend e në një moment e humbet në pafundësi… Por poezia jo. Ajo lind në një vend e në nje moment e jo vetëm që nuk vdes, por s’le të vdesin as vendin e as momentin që i nxori në dritë. Se vendi dhe momenti, por dhe poeti bashkë me ta, janë fiksuar në celuloidin e fjalës; tinguj e ngjyra, feshfëritje e pëshpëritje e mahitje e mahnitje, të filtruara nëpërmjet vetvetës. Kjo është përshtypja ime nga leximi i poezisë së Rexhep Shahut. Ka shumë rrugë e levizje në poezinë e tij, ka shumë ecje . Ecje me këmbë mbi të gjitha. Aq sa shpeshherë të ngjet se ecën këmbëzbathur, si për ta prekur më mirë tokën, si për ta prekur më mirë erën, si për të treguar se ecja e poetit drejt mbërritjes është kaq e përjetuar dhe e vertetë, aq sa ç’janë të vërteta dhe rrugët që ai ka përshkuar, përshkon e do të përshkojë… Gjithnjë drejtë majës së parabolës së tij poetike.

Mbresëlënëse është vlerësimi i poetit të mirënjohur të letrave shqipe Xhevahir Spahiu, për Rexhep Shahun dhe poezinë e tij:

“Rexhep Shahu është një poet i vertetë. Ka një ndjeshmëri, ku tragjizmi vetiak bashkohet me tragjizmin e përgjithshëm të shqiptarëve. Ai beson se njeriu mund ta jetojë jetën dhe lirinë e tij duke u mirëkuptuar me njerzit, malet dhe universin. Ai jeton nën hijen e Pikëllimës. Fati i këtij mali është edhe fati i tij. Të dy bashkë hedhin sytë në largësi për të gjetur një shteg drite”.

Ndërsa më gjërë për këtë poet dhe poezinë e tij është shprehur shkrimtari i njohur Faruk Myrtaj i cili e gjen të veçantë në shumë aspekte poezinë e Rexhep Shahut:

“Në të gjitha kohët, fati i autorit dhe fati i poezisë së tij, janë gjëra të ndryshme në jetë. Migjeni, ndër të fundit (!), e ka shpallur mrekullueshëm, madje ca vulgarisht : Sokrat i vuajtun, a derr i kënaqun…?! Është tjetër se në këtë truallin tonë, që jemi marrë vesh ta quajmë edhe për ca kohë, së paku, Shqipëri, na është bërë e mundur të vuajmë si Sokratër e të shtiremi si derra.

Rexhep Shahu, kuptuar sipas poezisë së botuar prej tij, duket se mbase nuk e lexon pjesën “moderne” të poezisë së sotme shqipe, së paku nuk joshet e as mashtrohet prej lulkave pa aromë të vërtetë të saj.

Ai e vendos veten aty ku është : qoftë edhe i kërcënuar.

Të jesh, është e domosdoshme të shpallesh siç je. Si njeri është mbase më vështirë se si krijues. Si krijues, si poet, është mallkim i detyruar. Mund të shtiresh gjatë si i ri, si gjoja i dashuruar, si gjoja i lumtur, si gjoja qytetar duartrokitës, si mëmëdhetar i paatdhe… Por si poet nuk mund të mbyllësh sytë…

Autori e ka fituar betejën me të shkuarën e shkuar. Malet e Hënës dihet që janë. Janë, kanë qenë prej kohësh. U desh dikush të shkonte, t’i prekte, t’i shfaqte për të tjerët…!”.

TIRANA OBSERVER

Te “Lisi” i Rexhep Shahut


Miho Gjini
Lisi, si pemë shekullore, përmes fëshfërimave të veta, duket sikur përcjell jehonën e viteve që shkuan, bëhet rrëfyes i bëmave e ngjarjeve të së kaluarës dhe duket sikur flet me zogj e me njerëz… Ndaj edhe poeti Rexhep Shahu e zgjedh atë si figurë-motiv që shpërfaq meditimet e imazhet e jetës së vet, po edhe ëndrrat që ka e që i vërtiten në kokë e në shpirt.

Libri i tij i ri “Lis i vetëm në fushë”, krijon freski e hapësirë për lexuesin, duke dalë nga vetja e duke u zhytur rishtazi brenda vetes. Natyra bën kështu ciklin e vet (tokë, qiell, tokë) dhe aty pleksen që të gjitha: dashuritë, ëndrrat, tradhtitë, rënia e rrufeve, shkrumbëzimi, vdekja, hiri e varri… Dhe ringjallja… Poeti do që ti prekë që të gjitha, ti shfaqë e ti shprehë me gjuhën e tij të thjeshtë, fare të qetë, por mikluese e të figurshme, hera-herës ngazëlluese Ndonëse i dyzuar si njeri ai e ndjen vetminë e tij tragjikisht. Ndjejmë aty “peshën“ e një dhimbjeje të përhershme që e mundon poetin, po edhe freskinë nën gjethet e një lisi të moçëm, e një lisi të vetmuar, në degët e të cilit “varen ëndrra”…

Të dy motivet vërtiten aty: ai i lisit të vetmuar që qëndron si i brengosur në mesin e fushës dhe i ëndrrave të poetit që rrinë “varur nëpër degë“ si të ishin njerëz…. E, midis tyre, shpirti i poetit, po kaq i vetmuar e i dërmuar nga jeta, që diku-diku e sheh veten të “përcëlluar nga rrufetë“ afër trungut, jo pak herë si një “gur i brejtur“ nga erërat e rrebeshet e motit. Dhe e sheh veten të “varrosur së gjalli“, poshtë “zemërimeve qiellore“. Mirëpo poeti është poet, është edhe zog edhe njeri, që e do lisin, për tu bërë hije njerëzve. Ndaj ka keqardhje kur rrufeja bie mbi të dhe e djeg, e shkrumbëzon gjer në atë shkallë, sa të mos mbijë në trungun e vet asnjë filizë e të mos këndojë asnjë zog nëpër degë. Kësisoj, poeti, është e mbetet njeri “që ha përditë fatin e vetes“ së vet dhe përsëri ngrihet mbi “hirin e vetvetes, për tu bërë rishtazi i gjallë“. Edhe pse e rrëmben pesimizmi (“Në ëndërrat e mia –kam vdekë e -jam varrosur qindra herë“, duke shkuar me veten për dore-drejt asgjësë“, nën hijen e këtij lisi, ai do të gjejë edhe cicërima zogjsh gjithfarësh, si edhe do të ndjejë zërin e së dashurës e do të thërrasë: “mi sill zogjtë e zemrës, -të mos vdes”. Se, lisi i tij, ‘ende dëgjon gjithçka – nga bëmat e botës“, -sidoqë është i vetmuar, “gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur“! Do të mbijë kështu një lis i ri, filizë jete, në rrjedhën e përroit të fshatit malor a në mesin e lëndinës së blerte, kundër “natyrës tip”, “ditës tip”, “njeriut tip”, poshtë “qiellit idiot“ dhe përbrenda “kornizave ku na kanë vënë”. “Kemi të bëjmë pra, me një poet, që del nga vetja për të qenë jashtë “kornizave të vetvetes“, jashtë tipave të zakonshëm që i “kacavirren jetës“ si ai kërmilli quravec trungut të një lisi të shëndetshëm. ( Oh, sa është e mbushur kjo djallo jetë me të tilla kreatura të neveritshme!). Dhe, të gjorit poet, për të mos e “shtyrë jetën “me pahir, i duhet që “ta pijë detin me fund“. Sikundër i bëri llogaritë Ksanti për ti dredhuar Ezopit. Prandaj ai do të dalë edhe kundra rrufeve që bien mbi lis, duke ia ndërruar kahjen goditjes (“Rrufetë i kam ndezë zjarre- Me ngrohë veten“).

Në këtë libër të Rexhep Shahut, i cili e kaloi fëmijërinë e tij midis brigjeve të lumenjve Drini i Zi e Drini i Bardhë, i kredhur i tëri në gjelbërimin e flladitjen e përjetshme të bregoreve të atjeshme, ka këtu po atë drite e gjallëri, paçka se nganjëherë e rrëmben trishtimi i: “ujerave të jetës”. Ai është një poet i imazheve të qarta, që zgjojnë asocacione të gjera dhe hapin “ shtigje “ ne horizontin poetik. Poezia e tij është e thjeshtë, konkrete dhe e prekshme. Emocionale dhe meditative njëherësh. Poet që e besojmë dhe e ndjejmë. Bile na duket sikur e “dëgjojmë“ të zëshëm, tek i thotë poezitë e veta atje, nën degët e lisit, kur “ia kërcet“ kënga e gjinkallave në çerrin e vapës. Dhe, tek e dëgjon, do që të marrësh me vete katër vargje poetike, si këto:
Të jetë si të jetë,
Dhe më mbulo me të
Kur të vish….”

Bukur! Kështu po. Mund të shkruash e të botosh libra me poezi. Jo vargëzime pa fund, si ato qe hidhen “lum“ e pa përgjegjësi në internet e pastaj “rëndojnë” raftet e librarive, gjersa ti mbulojë pluhuri e harresa.


Floripress


Gëzim AJGERAJ 

MISIONI I VARGUT SI VIZION PËR TË ARDHMEN, PËRKUSHTIM POETIK I REXHEP SHAHUT


Rexhep Shahu, ”LIS I VETËM NË FUSHË“, poezi, botoi “ALBDESING“, Tiranë, 2011, faqe 144. ISBN 978-99927-685-5-6
Poezia e Rexhep Shahut, këtu e dymbëdhjetë vite më herët, edhe në përmbledhjen “Mali i Hënës“, më ka tërhequr për filozofinë metaforike, që mbështjell vargun e tij, duke e bërë një varg shumë hermetik por aq edhe të ëmbël në lexim. Për mua, poezia e tij, është shumë meritore në avancimin e poezisë së sotme shqipe, me plot forma estetike që qojnë në përsosmërinë e formave të ndërtimit të poezisë.
Vlerësimin tim për librin “Lis i vetëm në fushë“, do ta nis me poezinë e parë, që na vjen si një prolog i të gjitha zhvillimeve kohore, me të cilat ballafaqohet poeti, e që shpeshherë shpirti i tij shpërthyes nuk pajtohet me to.
Poezia e Rexhep Shahut sikur bartë me vete ndrydhje të brendshme deri në shpërthim, që në fakt herë herë bartë emocionet e poetit, i cili për nga aspekti filozofik në varg, na bën të kuptojmë se ai i ndjek edhe zhvillimet në kohë, për ti metaforizuar ato brenda vargut, bashkë me përcaktimin e drejtë karshi zhvillimeve, për çfarë na jep të kuptojmë se poeti dhe vargu i tij, bëhen shkëndijë drite në zhvillimet e kohës.
Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s’dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)
Pra, me një fjalë ai e portretizon harbimin e trazimeve në kohë, deri në përfundimin e këtyre trazimeve që shpeshherë na dëmtojnë si popull se sa sjellin diç të mirë, dhe pikërisht këtu poeti përmes vargut, bëhet shkëndijë drite, për lexuesin, që me misionin poetik në varg, hap portat e dritës, se nga duhet të ecet.
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)
Ai vazhdon më tej duke mos u ndalur, dhe qëndron karshi furtunës deri në veshjen e plotë të kësaj maskote. Ai e vesh kohën, zhvillimet deri në ekstrem, dhe kjo është dëshmia më e mirë se Rexhep Shahu, është shumë i vendosur në misionin e poetit vizionar dhe taban të gjerë në shërbim të interesit të përgjithshëm kombëtar.
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerëzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.
SI KUAJ TË ZI TË NISUR PËR LUFTË, (faqe 7)
Për të mos u ndalur vetëm tek e sotmja, e cila sa do drejt e besueshmërisht të jetë pasqyruar, me zhvillimet dhe ecjen nëpër kohë mund të shihet ndryshe, brenda koncepteve tematike të poezive, ai na shfaqet edhe me tema të tjera metaforike, të cilat pasqyrojnë sentenca të tjera të jetës nga perceptimi poetik dhe pikërisht, këtu qëndron filozofia e poetit, duke i dhënë laryshi tonesh librit, për ta bërë tërheqës dhe të qëndrueshëm në çdo kohë vargun e tij, edhe në të ardhmen e largët. Dhe poeti vazhdimisht arrin të përsosë ndjeshmërinë e formave të ndryshme letrare, që sjellin laryshi artistike në stilet dhe strukturat e ndërtimit të vargut.
Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën…
(NËSE MË DO)… (faqe 24)
Jo rastësisht, kapëm një lirikë të poetit, për ta argumentuar atë që e thamë rreth laryshisë së poezive në këtë libër, dhe mesazheve të shumta që mbërthejnë ato brenda vargjeve. Dhe lirika brenda këtij libri, e cila nuk është e paktë, sikur të çlodh nga përditshmëria e cila është e stërngarkuar me zhvillime që herë herë e rëndojnë njeriun tonë, për mes këtij lloji të poezisë, poeti ia arrinë ta çlodhë lexuesin, që sa do pak ta ëmbëltojë për mes vargut, në shpirtin e tij.
Ti je mbyllë ne kullën e heshtjes,
Për mua mendon orë e çast
Unë i kam hypë kalit të ëndrrës
Prej vetes më ikë larg.
Aty ku troshiten nata me ditën
Në mbrëmje, të pres përnatë,
Mbërthyer në heshtje varri
Flas me yjet e hënën e ngratë
TI JE MBYLLUR (faqe 128)
Poezia e Rexhep Shahut, është sikur një pasqyrë, e zhvillimeve të kohës dhe ecjes së poetit nëpër të, e që natyrisht është e mbështjellë me metaforën letrare, që librin e bën të këndshëm për lexim. Krahas kronikave të përditshmërisë, për mes vargut, ai hedh dritë në të ardhmen. Vargu i tij, sikur të deh gjatë leximit, për të mos u ndalur deri në fund të librit. Dhe kjo çlodhje, që e ndjen gjatë leximit, sikur të mbushë plot motive shprese për ta shijuar të bukurën që e ofron jeta.
Të rend çdo çast drejt teje nëpër shi me çadër në dorë,
E të mos kujtohem ta hap çadrën nga nxitimi,
Hutimi a frika se mos vonohem;
Të emërtoj gjithë sendet e njerëzit e botës me emrin tënd;
Të ndaloj urbanin, të zbres dhe të ec në këmbë
Se më duket se urbani ecën më ngadalë se unë;
TË REND, (faqe 81)
Bota e brendshme e poetit, shpeshherë është shpërthyese, në raport me kohën. Ai vazhdimisht është në kërkim të së bukurës, të drejtës, të lirisë, që herë herë në varg tingëllon edhe ndryshe.

E kam marrë përdore veten
Dhe plasa ta tërheq për tek një qiell tjetër
Ku s`të thonë “trus”…
Pronarët e qiellit janë harbutë
Të jesh i gjatë do prerë diçka nga vetja
Të bëhesh i shkurtë.
Këtu si të tjerët duhet të jesh
As të dish më shumë as të kesh,
Ndaj e kam marrë për dore veten
Zvarrë po e tërheq…
NJË QIELL TJETËR, (faqe 65)
Rexhep Shahu, për mes këtyre vargjeve, nuk i bindet realitetit të të sotmes, e cila herë herë sikur nuk është në binarët e normales. Ky realitet, për fat të keq, po e përcjell vazhdimisht shoqërinë tonë njerëzore, në veçanti në Ballkanin e trazuar, e cili nëpër tranzicionin e tejzgjatur, herë herë po del nga realiteti i rregullave të normales. Dhe ky realitet, tek poeti, perceptohet nëpër vijat e holla të vargut, deri në ekstrem, të kërkimit të “Një qielli tjetër”. Ndaj, vargjet e tij, bartin mesazhe të qarta, duke i dhënë grusht të fortë ligësive të kohës, mesazhe këto të cilat veç sa e forcojnë misionin e të qenit poet.
Ku janë heronjtë, ku janë,
Ku rrinë, ku struken, ku pinë…
Kohë heronjsh nuk ka,
Nuk ka stinë të tyre, as mot të tyre,
As shekull, as ditë, as orë, as çast heronjsh nuk ka.
Ata s`ishin kur na u deshën në luftra,
Në tragjeditë tona jo e jo,
Pse t`i shpikim vallë?
Heronjë nuk ka kund motra ime,
Viktima po, të mundur po,
Të mundur që urrehen e vazhdojnë të munden nga të gjithë,
Të mundur që s`munden t`ia kafshojnë xhelatit
As gishtin kur ua fut në gojë.
Të mundurit e përdhunuar gjithmonë kanë faj,
E kurr jo xhelati.
Dhunuesi ishte hero dje,
Sot e përgjithmonë.
HERONJTË, (faqe 48)
Pamjet e këtilla që na faqen në libër, sikur na vijnë nga një shpërthim i brendshëm poetik, për ti ndërruar kohët. Kjo papajtueshmëri me kohën, brenda kronikave na vjen si një mesazh, se vërtet kohët dhe mentalitetet duhen ndërruar. Ai për mes kulturës krijuese, është shumë i vetëdijshëm se poezia e tij, do ti shërbejë edhe të tjerëve.
Poezitë e librit; “Lis i vetëm në fushë”, na bëjnë gjithmonë të besojmë se Rexhep Shahu, i kronikon kohës, i freskët me misionin poetik në gji, dhe pa ngarkesa nga e kaluara, por gjithmonë me vizion drite dhe besim në të ardhmen.
Unë nuk dua tavolinë të shtruar feste, urime gëzimi e cakërrime gotash
Në ditëlindjen time,
Sepse nuk dua të festoj humbjet e mia, vitet e çuara dëm
Nuk dua t`i shes mend zotit e as të festoj plakjen.
Nuk dua sepse kështu çoj dëm orët e lumtura që do të rrija veç me ty
Dhe trishtohem për këtë shkak, trishtohem pa fund…
NUK DUA FESTË NË DITËLINDJEN TIME, (faqe 116-118)
Këto vargje, sikur na japin të kuptojmë se, edhe përkundër jo ngarkesave të së kaluarës, ai brenda vetes bart vragën e dhimbjeve, nga ajo kohë, që poeti i quan; vitet e çuara dëm. Pra, për shumkënd, edhe për poetin, një pjesë nga e kaluara, sikur ishin vite të humbura, të cilat nuk kanë sjellur asgjë për një popull të tërë, pos dhimbje e vuajtje. Megjithatë, brenda këtij libri, thuaj se fare, poeti nuk i kthehet më të kaluarës. Sikur, s`don ta kujtojë më atë kohë. Disonanca e ngjyrave në vargje ndryshon, duke sjellë laryshi të temave të cilat janë preokupim edhe përditshmërisë poetike. E gjithë kjo laryshi temash, na vjen pasi vagjet në libër na vijnë si tërësi jo të ndara në cikle. Dhe kjo formë e aplikuar, librin sikur e bën më hermetik brenda akceptimit të temave. Megjithatë, ndoshta këtu do i jipnja të drejtë poetit, sepse estetika e ndërtimit të librit, temat dhe bukuria e vargjeve, e ruan origjinalitetin e përditshmërisë kronologjike të poetit.
Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithësinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur…
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je…
LIS I VETËM NË FUSHË, (faqe 34-35)
Vargjet që vijnë brenda poezisë, që shfaqen në formën e kronikave, na japin të kuptojmë se Rexhep Shahu, i vetëdijshëm për misionin poetik, sikur bartë mbi vargje edhe peshën e kohës, duke nxjerrë mesazhe të qarta edhe për ardhmërinë, pa ndonjë ngarkesë nga e kaluara, por duke ecur gjithmonë drejtë një vizioni plot dritë. Figurat letrare që i përdor poeti në vargje, vijnë si rezultat i një përvoje të gjatë në letra, përvojë e cila me mjeshtri i u jep kuptimin artistik në poezi. Pra, siç shihet nëpër vargje, poeti në masë të madhe, ja ka arrit të zbërthejë shpirtin e përditshmërisë së tij, të cilën më së miri e pasqyron poezia, ndryshe ecjes sonë do ti mungonte kuptimësia. Nga kjo që thamë, konstatojmë se poeti Rexhep Shahu, i kronikon kohës, duke e shikuar dhe ecur nëpër të, brenda vizionit poetik, që për mes poezisë hap dritë për të ardhmen, njëkohsisht përmes vargut, shquhet plot guxim, si luftëtar për ndryshime të përgjithshme shoqërore. Nga ky prizëm i të menduarit, na jep të kuptojmë, se poeti Rexhep Shahu, me plot besim në vizionin e tij, na shprehë atë edhe përmes vargjeve, të cilat në të shumtën e rasteve u prijnë ndryshimeve në shoqëri, e sidomos tek ne kur ende jemi përpëlitjeve tranzicionale.
Këto që i thamë, për poezinë Rexhep Shahut, nuk mundë të jenë e tëra. Ishte njëri nga aspektet e përceptueshmërisë shumëdimensionale të poezisë së këtij poeti. Kemi prekur vetëm disa pejsazhe nga libri ”Lis i vetëm në fushë”, për të sjellë mes jush perceptimet tona brenda kësaj bukurie letrare, nga këndi i ynë. Me këtë konstatim Rexhep Shahut, i urojmë edhe për shumë margaritarë tjerë letrarë, në botën e letrave shqipe.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...