Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/10/24

FISHTA “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.



Daniel Gàzulli

F I S H T A
  (23/10/1871-30/12/1940)

- Në 140-vjetorin e lindjes –

 “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
Gjergj Fishta ne vdekje te Avni Rrustemit. 

Hymje

            Ishte dhejtori i vitit 1990, dhjetori i shpresave, i frikës, i kërcënimeve, i vorfnisë së skajshme; ishte ai muej kur shqiptarët shikonin një rreze shprese, por edhe dhambët kërcënues të diktaturës, që kishte gjithë mjetet e dhunës ende në duert e saj.
            Binte 50-vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës, të mohuemit, të përbaltuemit, mëkatarit e deri tradhëtarit. Ishin rritë tre breza pa e njohë vepren e tij, e të bindun se ishte fjala për një tradhëtar të madh, për një anmik të kombit e sa nofka të tjera njollosëse.
            Po ishte 50-vjetori i vdekjes së tij dhe mendova se kishte ardhë koha që populli ynë të mësonte të vërtetën.
            Iu drejtova disa shkrimtarëve, poetëve, kritikëve, mësuesëve të letërsisë që të organizonim një Konferencë në këtë përvjetor të shënuem.
            Përgjigje ishte e njëjtë: “Më vjen keq, nuk e njoh, nuk kam lexue asgja prej tij”.
            Që një pjesë nuk kishte lexue asgja prej tij, duhej besue, pse me lexue një vepër të Fishtës mund të të kushtonte dhjetë vjet burg. Të tjerët nuk ishin çlirue ende nga frika që diktatura i kishte futë në palc popullit shqiptar.
            Po unë isha i vendosun ta mbaja atë Konferencë. U gjet vetëm një njeri i gatshëm të bashkpunonte. Ai nuk ishte njeri i artit. Ishte shofer. Por nuk e kishte fshehë kurrë se ishte adhurues i Fishtës. Për ma tepër dinte përmendësh gjithë Lahutën e Malsisë, ashtu dhe pjesën ma të madhe të poezive të tjera.
            E ndamë mandjen ta mbanim atë konferencë vetëm na të dy, unë do të përgatisja referatin, shoferi Lekë Celaj do të bante ilustrimin me recitime nga vepra e Fishtës.
            Ma në fund dita erdhi. Të paktën na vunë në dispozicion sallën e vogël të Palaltit të Kulturës Lezhë me rreth 120 vende.
            Në orën 16 të datës 30 Dhjetor 1990 fillova leximin e referatit. I hodha një sy sallës. Ishte plot. Kryesisht të moshuem. Në mes të tëpranishmëve ishin edhe dy komunistë, të moshuem edhe ata; ndoshta diçka kishin lexue prej Fishtës kur kishin qenë në shkollë në vitet ’30 – ’40.
            Ndërsa lexoja refertim, kuptova se zani më dridhej, pse ishte hera e parë që flitej për Fishtën publikisht, po shpejt e mora veten.
            Nuk pëpëtinte asgja. Do të dëgjohej edhe fluturimi i një mize, po ishte dhjetor i acartë e miza nuk kishte.
            Tek i afrohesha fundit të referatit, hidhnja shikimin ma shpesh në sallë. Nuk po kuptoja ç’ishte ajo heshtje gati e ankthëshme: po e pëlqenin, apo po më urrenin nga që po thoja krejtësisht të kundërten e asaj që kishte thanë “Partia” për 46 vjet me radhë? Aq ma tepër që në analizën time ndalesha ma shumë tek Fishta Atdhetar, pikërisht pika ku e kishin sulmue për një gjysëm shekulli.
            Mbas rreth 40 minutash lexova edhe rreshtin e fundit.
            Përsëri heshtje. M’u duk se heshtja zgjati një shekull. Mandaj papritë shpërthyen duertrokitjet, të përmbajtuna, por të forta, të pandërpreme, gjithnjë e ma të forta. Tashti pjesëmarrësit, të gjithë në kambë, nuk dinin të ndaleshin. Pash burra me sy të përlotun.
            Shumë prej tyne u ndalen e më dhanë dorën e më falnderuen. U ndalen edhe dy komunistët. Njeni prej tyne me tha i emoconuem: “Na zgjate jetën dhjetë vjet”.

            Po sot do t’u la fjalën tre “të ftuemëve” të mi.  Do të jenë Prof. Abas Ermenji, poeti Ali Podrimja dhe Mërgim Korça, dy toskë e një kosovar,që me fragmente nga shkrimet e tyne për Fishtën, do të formojnë këtë triptik përkujtimor.

1. Prof. ABAS ERMENJI

AT GJERGJ FISHTA, SHQIPTARI POET (fragmente)

Ndonëse, në kohët që po jetojmë, shpirti i ynë - shpirti i kombit shqiptar - është i ngarkuar me të tjera kujdese dhe s'ia ka ngenë të merret me poezi e me poetë, me gjith këtë s'duhet të na hutojnë problemet e ditës aqë sa të mos e çojmë mëndjen në një çast tek Fishta, te këngëtari i math, që mbylli sytë në një ditë të vrenjtur Dhjetori dhjetë vjet më parë.
Vargjet e tij bien të fortë si oshëtimë gurrash, si rropame shkëmbejsh që rrokullisen, dhe nëpër ta duket lakuriq shpirti shqiptar - shpirt i pa-prishur nga butësitë e qytetërimit - me një tok cilësish nga të burrërisë së lashtë, prerë mbi një fisnikëri t'ashpër, dhe që Fishta i tregon shquar si vija të gdhendura në gur.
Por boshti rreth të cilit vepra e poetit t'onë ngihet në kulm, është antiteza shqiptaro-sllave, lufta heroike që bëjnë të parët për t'u mprojtur nga lakmitë e të dytëve. Në këtë dyluftim epik, Fishta e dallon me vija të forta shqiptarin prej shkjahut si popull, si komb, si fe.
A është "LAHUTA E MALCIS" epopeja e jonë kombëtare ?
Me poemin e tij epik pra, Fishta i ngriti kombit shqiptar monumentin më të bukur. Lahuta e Malcis s'e përmbledh ndoshta jetën kombëtare t'onën në të gjitha çfaqjet e saj por vë në dukje kaq mirë tipin e shqiptarit të pa-prishur - shpirtin, mëndësinë dhe vleftat morale të tij - saqë duket sikur ia sheh të gjitha këto si të prera në gur.
Jetë-kuptimin dhe vleftat morale të shqiptarit, Fishta i gdhend si në mermer në tipin e Marash Ucit e në porositë që ky iu lë Djemve të Calit. Pastaj bukuria është se Lahuta thesarin e folklorit, besimet popullore, mënyrë-shprehjen dhe botë-kuptimin e shqiptarit përgjithësisht i ka shkrirë e përdorur aq mirë si elementa të saja, sa që ke përshtypjen se është poemi i ndonjë këngëtari që s'e njeh jetën përtej rrethit të maleve. Prandaj çdo përshkrim, çdo figurë, edhe hiperbolat më të guximshme të saj, na vinë të këndëshme e të natyrëshme dhe s'të lënë aspak përshtypje se dalin jashtë masës. Çdo gjë në të, çdo ndjenjë, mendim, koncept e mënyrë të thëni është tipike shqiptare.
Edhe gjuha e Fishtës është ajo e malevet, e pa-ngrënë prej limës s'artit, por e pasur, e fuqishme me frazologjinë e saj të natyrshme, ashtu siç del nga burimi psikologjik shqiptar. Ndër shkrimtarët shqipëtarë, Fishta është ai që ka derdhur thesarin gjuhësor më të pasur, me një mënyrë të menduari e të thëni krejt shqip.
Fishta është i zoti të vërë në dukje, me katër pesë vargje, tipin e burrit të hovshëm e të fortë trup e shpirt: 

Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega;
Faqja e tij kuq porsi shega,
Shllungë mustakun derdhë n'dy dega;
Kur nji fjalë po e folka burri,
Ma si luejtka me sa curri.

Vetëm fjala "lshon" këtu tregon burrin e papërmbajtshëm, i cili derdhet me vrull si një forcë e lidhur që këput vargonjt, si një ujë i mbyllur që thyen pengesat.
Krahëso efektin që bën këtu vargu: 
Shllungë mustakun derdhë n'dy dega 
me notën e vrazhdë e disi komike që shtojnë vetullat e mustaqet tek Malaziasi Vulo Radoviqi: 
Vetllat trashë ngërthye kular,
Porsi lesh derrit bugar;
Vesh e m'vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë pr' i lakut.

Një nga skenat më të bukura e më pathetike të Lahutës është mbledhja e krerëvet të Hotit te Kisha e Shnjonit, ku Marash Uci parashtron rrezikut që i kanosej Malësisë e ku merret vendimi i qëndresës. Kjo mbledhje, madhështore në thjeshtësinë e saj, nuk është më pak epike nga ato t'Iliadhës, e ku Marash Uci, ky Uliks i Malësisë që: 

Anë e mbanë i kisht'ra detit, 
tregon rrezikun e afërt dhe pregatit, me një oratori të rrallë, fushën shpirtërore për marrjen e vendimit heroik. Fjalët e tij rrokullisen ngadalë njera pas tjetrës, të thjeshta e të sigurta si çapat e luanit, dhe bëjnë që krerët e Hotit 

Si t'u rake i rrfe prej Zotit,
...............................
Kishin ndejë me sy për dhe.

Atëhere Marashi, pasi i ka sjellë shpirtrat në këtë gjëndje, hedh shkëndijën e fundit: 

Ç'thoni burra? Fe e zakona,
Bjeshkë e vrri e kullat t'ona,
A'imend Knjazit pa luftue,
Pa 'i pushkë t'shtime kem m'ia lshue?

Këta katër vargje bjenë si katër ura zjarri që e shkrijnë akullin e heshtjes ; vendimi që ka marrë seicili në thellësinë e zemrës, zbërthen si gurrë nëpër gojën e Gjeto Markut dhe e vendos Çun Mula me benë e tmerrëshme.
Shih, për shembull, se ç'figurë ka gjetur poeti për të paraqitur ndeshjen me jatagana ndërmjet shqiptarëve e malazezëve te Ura e Rrzhanicës, dhe me sa forcë e shpejti sillen përfytyrimet, ashtu siç ka qënë e hovëshme edhe përpjekja : 

Po, dy prroje prej dy kulmesh,
Ndryshej nuk përpiqen shkulmesh,
Kur t'ken hasun n'grykë t' ndo 'i malit,
Për me u lshue mandej gjatë zallit,
Nëpër ara e fusha t'gjana,
Si u-përpoj'n, ahi! me tagana,
Dy ushtrinat ke Rrzhanica :
Heshti huta edhe "novica",
U përzien ksula e "kapica",
Flakuruen kaptina e koka,
Shkumboi gjaku, bumblloi toka.

Duke kënduar këta vargje, ke përshtypjen sikur të dridhet toka nënë këmbë.
Pjesa satirike e veprës së Fishtës nuk është më pak e denjë për t'u përmendur, pse qëndron gati në një lartësi me krijimet e tij epike. Edhe aty si objekt mbetet prap shqiptari (por këtë radhë jo shqiptari i maleve), ku poeti i rreh me sarkazmë disa nga anët e dobëta.
            Eshtë për t'u vënë re, sidomos, që humori a mënyra tallëse e Fishtës ka diçka tipike shqiptare, dhe zbulon gjithkund natyrën sulmonjëse të poetit të Lahutës. Pa zbritur në trashamani, gjithnjë me kripë, satira e Fishtës nuk është pupël që të gudulit por është kamzhik që të djek lëkurën.
Gazeta FLAMURI, janar-shkurt 1951
2. Ali Podrimja

FISHTA - NDËRGJEGJJA E KOMBIT (fragmente)

Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare shfletova për herë të parë "Lahutën e Malcis". Im atë nuk e di ku e kishte gjetur, në cilin kënd të antikuariatit të gjërave të çmuara, siç e quanim qytetin, aty nën Çabrat, ku dhuna serbe bënte çmos të zhbinte çdo vlerë tonën shpirtërore që mbante gjallë kujtesën.
Mbi tavolinë, aty në kënd të dhomës, ku qëndronte deri vonë llamba e ndezur, im atë e kishte vënë librin e anatemuar dhe kishte pëshpëritur: "Dy ditë ke afat ta lexosh". Kisha pastruar tavolinën dhe kisha zënë ta shfletoja. Më bëhej se gëlltitja çdo germë, varg e këngë. Përballesha me poetin, për të cilin kisha dëgjuar shumëçka, sidomos për dinjitetin e guximin e tij prej krijuesi.
Ditën e tretë im atë ishte ndalur para dritareve me shikim kah Pashtriku, për të cilin thoshte se atje rrinë perënditë tona dhe kisha hetuar si i lëviznin buzët. Fishta qenka më i lartë se mali ynë, Baba, i kisha thënë. I buzëqeshur ai e kishte mbështjellë librin dhe ishte bërë frymë në natën e frikshme.
Unë vështirë i bija në gjurmë Fishtës, të cilin fillova ta konsideroj fuqi hyjnore dhe të pajtohesha me atë që dëgjoja: Ai është ndërgjegjja e Kombit.
            Disa vjet më vonë piramida e Shtetit ideologjik Shqiptar ishte bërë bezdisëse me retorikën e mugët. Të pranohej se ishte antikombëtar Fishta, i cili vendin e popullin i kishte ngritur në mit?! Mund të kapërcehej "Lahuta e Malcis" dhe të pajtohesh me etiketat e kuzhinës së diktaturës? Por gogolët e diktaturës nuk mund ta pranonin madhështinë e tij. Qëndrimi i tyre fyente dhe rrugëtimin historik të popullit. Akuzat ndaj veprës dhe personalitetit të Fishtës ishin absurde. Nuk kishin asgjë nga kodi ynë etik. Ishin pjellë e logjikës sllavo-otomane, e cila bënte çmos t'i shembte majat e kombit.
            Komunikimi me opusin letrar të Fishtës është i rëndë, pakëz i trishtë por krenar. Shpalos ngjarje të mëdha të kohës së artë të shqiptarizmit, kur atdheu ishte mbi çdo gjë. Kujtojini heronjtë nga Lidhja e Prizrenit (1878), u ngjanin atyre të kohëve mitike. Ishin tubuar të mbronin çdo pëllëmbë të vendit, i cili po e humbiste gjeografinë historike. Fishta nuk mund të çonte dorë, se Lidhjen e Prizrenit e konsideronte ngjarje kombi. Si ta kapërdinte këtë Piramida ideologjike kur veten e mendonte të paprekshme, ndërsa propaganda e fqinjëve kryente punët e veta. Shqiptarët besonin se do të prajnë krrokamat e gëlltitësve, po qe se Fishtën dhe bashkëmendimtarët e tij i rrokullisnin nga Panteoni shqiptar. Kujtesa është e çuditshme. Vështirë harrohet morbiditeti. Pas të ashtuquajturës LNÇ, brenda qenies sonë ndodhi gjenocid nacional. Mbetet i paharrueshëm pendimi i Mehmet Shehut para të birit: "Kishin ndodhur ekzekutime masive në Shqipërinë e Veriut" (Bashkim Shehu, "Vjeshta e ankthit"). Dhe shtrohet pyetja: Përse në Veri dhe pse ajkën e intelektualëve dhe kreun e Kishës Katolike Shqiptare? Sipas të gjitha gjasave kasta politike po luante ndonjë karagjozllëk për ndonjë të huaj. Ky është ai turpi nacional nga i cili duhet të lirohemi. 
Për potencën krijuese të Fishtës dëshmojnë poezitë lirike dhe ato satirike, vlera të pakontestueshme jo vetëm në letrat shqipe. Në "Lahutën e Malcis" ndeshemi me artikulim karakteristik burrëror, rrëmbyes. Ngjarjet lemeritëse Fishta nuk pranonte t'i harrojë populli. Mu për këtë kishte lexues-dëgjues të shumtë. Këta duhet të njiheshin me të kaluarën e tyre, konkretisht me ngjarjet që kishte për subjekt në "Lahutën e Malcis", duke u dhënë atyre përmasa mitologjike. Prizreni ishte dhe metaforë. Nga të gjitha skajet e vendit kishte tubuar luftëtarë për të mbrojtur nderin dhe një copë tokë. Bën të harrohen zonat e shkëputura nga trungu amë? Fishta ia kishte parashtruar vetes se shqiptarët duhet mbajtur të zgjuar, pa marrë parasysh cilit besim apo krahine i takonin. Ai qëndronte në ballë me atë kumbimin trimërues. "Lahuta e Malcis", ishte në një farë mënyre, abetare historike. Të vetmin problem Magi e kishte ekzistencën e Shqipërisë. Kjo e bën të madh atë, ma të madhin ndër të mëdhenjtë. 
Në poezinë "Shkodër, (ri)varrimi i Gjergj Fishtës" (nga libri "Thesaret e frikës" 2005) përmes nëntë vargjeve poeti Visar Zhiti na jep madhështinë e pavdekshme të poetit, por vë në mëdyshje edhe atë që kishte ndodhur pas (ri)varrimit:

Çka mund të bahet me to, o At veçse skeleti i dorës
që mbi dhé ka shkrue eposin e vdekun të t'gjallëve
e nën dhé eposin e gjallë të t'vdekunve.

Qëndrimi i Zhitit është dinjitoz, qorton dhunën e Piramidës që ishte ngritur duke shkelur dhe vlera kombëtare.
Botuesi dhe analisti nga New Yourk-u Gjekë Gjonlekaj ka të drejtë që në vështrimet e tij ta ngrit në çështje arrogancën sllavo-otomane ndaj At Gjergj Fishtës, se nuk i jepet ende vendi i merituar poetit kombëtar në Panteonin shqiptar. Kjo ndoshta ndodh se ende ca nga ne nuk janë liruar nga hija e Piramidës.
Toleranca ndërfetare mbetet njëra nga stolitë tona, për të cilën na e kanë zili të tjerët. Fishta kishte respekt për besimet shqiptare. Figurat historike nuk mund t'i ndante në myslimanë e të krishterë. Në galerinë e tij kishte vend për të gjithë. Si dhe pse ndodhi te ne islamizmi dihet. Por ekziston frika se mund të vihet në pyetje lashtësia iliro-shqiptare.
Pansllavizmi ka kohë që merret me të kaluarën dhe origjinën tonë, duke lansuar gjithandej Europës gënjeshtra, pikërisht për lashtësinë dhe autoktoninë tonë. Pra, ndodh një luftë e heshtur për dominimin e hapësirës Ballkanike. Mirëpo, ne vazhdojmë të mbështesim se identiteti ynë mbetet ai europian. Ky është realitet që nuk mund të ndërrohet për hirë të askujt. Shkas ndoshta është njëra nga degët e besimeve tona që dëshmon për trungun nacional se kush jemi e nga vijmë.
Nëna Tereze na la një amanet që shpesh duhet ta kujtojmë: "Atdheun më shumë e doni, kur njëri-tjetrin ta doni më shumë".

            Dy fjalë në mbyllje

Pak vjet ma parë akademiku Ali Aliu botoi një antologji të poezisë shqiptare. Në atë antologji, ku nuk ka mbetë poet e poetuc pa u përfshi, mungon At Gjergj Fishta. Nuk dëshiroj me i ba koment tjetër, veç të përsëris sa ka thanë Poeti i Madh në varrim të heroit Avni Rrustemi:  “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
E pra, si vëren me dy fjalë të thjeshta Klajd Kapinova, Vepra e Fishtës asht një ungjill atdhedashunie.

2011/10/23

Ibrahim Berjashi,pioner në shumë fusha

Pionier në shumë fusha


Duke folur për ndihmesën e Berjashit në publicistikë, kryetari i SHAI “Art Club”, mr. Haxhi Shabani tha se ndihmesa e tij “për shqiptarët në Malin e Zi është e dorës së parë, sepse ai duke qenë korrespondent i “Rilindjes” për shumë vjet, arriti që me dhënien e informacioneve për trevat shqiptare të kësaj ane, të bëjë integrimin e tyre ne mediumin themelor për shqiptarët e ish Jugosllavisë”.
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini organizoi të hënën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin mbrëmje kushtuar 60-vjetorit të lindjes dhe 40-vjetorit të krijimtarisë së shkrimtarit dhe publicistit Ibrahim Berjashi.
Kryetari i SHAI “Art Club”, mr. Haxhi Shabani, theksoi se portretin e shkrimtarit dhe publicistit Ibrahim Berjashi duhet parë në tri fusha: në gazetari, në letërsi dhe në organizimin e veprimtarive kulturore.
Sipas Shabanit, edhe pse Berjashi është përfaqësues i brezit të mesëm në fushat e përmendura, për shqiptarët në Malin e Zi ka edhe rolin e pionierit.
Duke folur për ndihmesën e Berjashit në publicistikë, Shabani tha se ndihmesa e tij “për shqiptarët në Malin e Zi është e dorës së parë, sepse ai duke qenë korrespondent i “Rilindjes” për shumë vjet, arriti që me dhënien e informacioneve për trevat shqiptare të kësaj ane, të bëjë integrimin e tyre ne mediumin themelor për shqiptarët e ish Jugosllavisë”.
Sa i përket kontributit të Berjashit në fushën e letërsisë te shqiptarët në Mal të Zi, ai tha se “Berjashi është pa dyshim një nga emrat që e ka mbajtur gjallë këtë gem të letërsisë shqiptare në përgjithësi”.
Shabani vlerësoi edhe rolin e Ibrahim Berjashit si organizator kulturor, duke theksuar se ai ka dhënë një ndihmesë në krijimin e shoqatave kulturore.
“Ai është ideator, një nga themeluesit dhe kryetar i parë i SHAI “Art Club”, tha Shabani.
Vetë Berjashi tha se “të merresh me gazetari është punë më e vështirë sesa e minatorit”.
“Nuk ka profesion më të vështirë. Unë e kam një ves shumë të keq - jetoj me lajmin 24 orë dhe ai është pjesë e jetës sime. Kam hyrë në një tunel. Cila do të jetë dalja ime nuk e di”, theksoi ai.
Për veprimtarinë e Berjashit gjatë mbrëmjes folën edhe dr. Bahri Brisku, shkrimtari Hajro Ulqinaku, drejtori i Televizionit “Teuta”, Izedin Dino Ramoviq, kompozitori Fiqiri Hasanaga, këngëtari dhe drejtori i Qendrës së Kulturës në Ulqin, Shaban Gjeka, deputeti Luigj Shkreli dhe shkrimtari Asllan Bisha.
Po ashtu lexuan poezi shkrimtari Hajro Ulqinaku, poetet Lumnije Hoxha dhe Senada Veliqi, poeti Hajredin Kovaçi, Ali Gjeçbritaj, kurse nxënëset e shkollës së mesme Jehona Salaj, Marina Luloviq, Antigona Nimanbegu dhe Rita Lulgjuraj deklamuan vargje nga krijimtaria e Berjashit.

I.Kallaba

Berjashi, përveç se shkruan për gjëra interesante, që ngacmojnë kureshtjen dhe nxisin fantazinë e fëmijëve, tregon edhe mjeshtri shkrimi. Leksiku i tij është i kapshëm për lexuesit e vegjël, gjuha e rrëfimit është e thjeshtë, spontane dhe e qartë, fjalitë nuk janë tepër të gjata, personazhet janë të individualizuar mirë - me pak fjalë... Ai këtu del një prozator i mirë.

Anton Gojçaj

Se gazetaria dhe letërsia mund të shkojnë bashkë, këtë e dëshmon edhe Ibrahim Berjashi. Ai shkruan për të rritur dhe fëmijë dhe është ndër krijuesit e njohur të letërsisë shqipe në Mal të Zi.
Vëllimi me tregime "Floçka e liqenit" ka gjithsej tridhjetë tregime, të ndara në katër pjesë (cikle).
Të shkruash për fëmijë do të thotë të kultivosh një formë të të shkruarit që përveç veçorive standarde artistiko-letrare nënkupton edhe disa specifika që e veçojnë nga letërsia për të rriturit.
Interpretimi që merr parasysh disa nga kërkesat kryesore të letërsisë për fëmijë (dhënien e disa informacioneve/njohurive të reja, pastaj funksioni argëtues, edukativ dhe estetik) mzu duk i përshtatshëm për tzi bërë një analizë të qëndrueshme "anatomisë" letrare-artistike të këtij libri.
Pjesa dërrmuese e tregimeve të Berjashit zhvillohen në liqen, apo në brigjet e tij, por disa edhe në Ulqin, gjegjësisht në (breg)det. Lexuesi i ri në këto tregime p.sh. mund të mësojë disa fjalë nga leksiku i peshkatarëve (objektet lundruese dhe pjesët e tyre: suli, lundra, motoskafi, anija, popja, kiçi, kuverta, rremat, spiranca, grepi, fuzhnja, njica, tratka etj., pastaj disa emra peshqish: krapi, sardelja, gjumëca, por edhe shpezësh e kafshësh: pulëbardha, rosaku, albatrosi, madje edhe kali, dhelpra dhe ujku paraqiten krahas tyre, e gjithashtu edhe emra (vendesh) karakteristikë për viset buzë ujërave: vau, gjiri, ishulli, liqeni, deti, mandej këneta, kallmishta, bollujca, llopufi, shelgjishta...). Këto fjalë jo vetëm se e pasurojnë fjalorin e fëmijëve, por si rrjedhojë edhe i zgjerojnë njohuritë e tyre.
Një tjetër kontribut i këtyre tregimeve është se në disa prej tyre kryepersonazhet, që janë më së shpeshti dy fëmijët simpatikë - Jani dhe Fani, ndërmarrin ekspedita të vogla hulumtuese, siç ndodh për shembull në tregimin "Kali i drunjtë". Aventurierët e rinj p.sh. zbulojnë një anije të mbytur dhe madje nxjerrin në sipërfaqe edhe amfora me vlerë. Në këtë mënyrë, autori duke shkruar për liqenin dhe thesaret e fshehura në të, njëkohësisht ngjall dashuri dhe respekt për liqenin, por ngacmon edhe kureshtjen e fëmijëve që te ndonjëri mund të ndezë dritën jeshile për të marrë rrugën e studiuesit të ardhshëm të arkeologjisë apo historisë.
("- Kjo anije është e vjetër dy mijë vjet, - filloi Petriti. - Këtu për rreth liqenit jetonin labeatët. Ata bënin tregti me liburnët, të cilët njiheshin si mjeshtër të zotë për ndërtimin e anijeve. E kishin traditë që në kiç të gdhendnin ndonjë totem - kokë ujku, gjarpër..." - "Kali i drunjtë")
Personazhi i Floçkës, që i jep emrin librit, është huazuar me sukses nga folklori kombëtar, por në tregimin "Floçka e liqenit" autori krijon një rrëfim origjinal në fillim aq të bukur ("Dy të rinjtë dashurinë e palosën në shami prej dielli edhe e futën në vazot më të thella të zemrës."), por në fund edhe aq pikëllues, sepse Iliri është larguar në det kurse Floçka, nusja e tij me dy fëmijë e pret e dëshpëruar. ("Mbase një ditë do të kthehet Iliri, - foli Floçka duke kujtuar me aq mall ditët kur ia dhuroi krejt çka fshihte në shpirtin e saj të trazuar. E shtrirë në kullë, me një sy mundohej të flejë, kurse me tjetrin sodiste liqenin në sfond. Pos ndonjë pulëbardhe që ka humbur rrugën, në Vaun e Arbneshit tash sa kohë nuk dëgjohet askush.)
Sikur ta lexoja si një rrëfim alegorik, fare lehtë Floçkën do ta merrja si një simbol për vetë liqenin e Shkodrës (çzmë bie ndërmend Rozafa!?) që me shumë mallë pret kthimin e "ilirëve" të vet.
Tregimi është shumë i bukur, megjithëse doza e dhimbjes mund të jetë tepër e fortë për fëmijë.
Humori është shumë i rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Këtë e di mirë edhe I. Berjashi, prandaj në tregimet e tij lexuesi takon mjaft skena me vlera të mirëfillta argëtuese e humoristike. Vetë Jani, njëri nga dy kryeprotagonistët e shumicës së tregimeve, që paraqitet edhe si narrator (rrëfimtar) në vetën e parë, rregullisht gjendet në situata komike, si p.sh. kur në tregimin "Frika" e ngatërron macen me ujkun, apo kur në tregimin "Kali i drunjtë", së pari hijen e anijes së mbytur nën ujë e shikon si një hije fantazmë, e pastaj edhe koka e kalit në kiçin e anijes i ngjason me një gjarpër laraman. Prandaj ai edhe mban nofkën Jan frikacaku, të cilën nuk e do, por që shpesh e mishëron.
Humori i Berjashit është i realizuar mirë, kryesisht i natyrshëm dhe besoj i përshtatshëm për psikologjinë e fëmijëve. Ky gjykim vlen për të gjitha tregimet e këtij vëllimi, veç jo për "Kuleta me bisht", që është hartuar mirë stilistikisht, por si ngjarje nuk është një gjetje e papritur, prandaj duke qenë një truk aq i njohur nga përvoja jonë e përditshme, mund të kritikohet për mungesë origjinaliteti.
Ndërkaq, një tregim që më ka pëlqyer mjaft në këtë kënd vrojtimi është "Peshku". Edhe tregimi "Bima e kripës", veç tjerash, përmban vlera të konsiderueshme argëtuese.
Jam më se i bindur se falë humorit të shëndoshë e të sinqertë dhe vlerave argëtuese që ofrojnë, këto tregime do të priten mirë nga fëmijët.
Studiuesit bashkëkohorë të letërsisë për fëmijë parapëlqejnë që vlerat edukuese tzi përfillin shumë më pak se në të kaluarën. Ata mendojnë se vlerat argëtuese dhe ato estetike, por edhe ato gnoseologjike, janë shumë më të rëndësishme sesa vlerat pedagogjike, apo moralizimet didaktike.
Ibrahim Berjashi di të bëjë humor, por ai nuk e humb nga vëmendja se fëmijët janë krijesa të njoma që kanë nevojë për këshilla, për mësime dhe për edukatë. Disa nga tregimet e tij janë mjaft të realizuara në këtë segment, madje fjalitë përmbyllëse të tyre nganjëherë janë porosi të mirëfillta, moralizuese (p.sh. "Kuleta me bisht", "Letra gjysmë e grisur"...).
Një problem në vete në teorinë dhe kritikën e letërsisë për fëmijë paraqet çështja se a duhet lejuar që veprat letrare për fëmijë të kenë përmbajtje që mund të japin mesazhe të diskutueshme (?). Tregimet "Canushi" dhe "Lulushi" vërtet janë tregime interesante dhe shumë prekëse, që kanë përfundime të bukura dhe me porosi shumë humane, por në to përmendet një personazh negativ, i paraqitur me një emër të përgjithshëm, njerka, (që i tillë haset edhe në përrallat popullore, por edhe te vëllezërit Grimm dhe te Anderseni), e që në kontekstin e jetës moderne, kur divorcet dhe martesat për të dytën, të tretën... herë janë gjithnjë e më të shpeshta, tregimet si ky mund të kontribuojnë në krijimin e paragjykimeve për njerkat moderne që në jetën e përditshme nuk është e thënë që të jenë gjithmonë dhe papërjashtimisht: shtriga zemërliga. Përndryshe, Canushi dhe Lulushi janë ndër personazhet më simpatikë të librit.
Edhe një sqarim për të shmangur keqkuptimin: vërejtjen e mësipërme duhet kuptuar si të natyrës "pedagogjike" (që sot bëhet rrallë), e jo estetike!
Berjashi, përveç se shkruan për gjëra interesante, që ngacmojnë kureshtjen dhe nxisin fantazinë e fëmijëve, tregon edhe mjeshtri shkrimi. Leksiku i tij është i kapshëm për lexuesit e vegjël, gjuha e rrëfimit është e thjeshtë, spontane dhe e qartë, fjalitë nuk janë tepër të gjata, personazhet janë të individualizuara mirë - me pak fjalë... Ai këtu del një prozator i mirë.
Arti i tij shkëlqen herë pas here, madje me shumë forcë. Ja disa përshkrime shumë të bukura: "Kur dielli nxori syrin mbi Bjeshkët e Nemuna, liqenit i ishin qetësuar valët. Dukej si një foshnje që ëndërron ëmbël në djep." ("Lundra e humbur") ose: "Pullazet e shtëpive fishkëllonin si tel violine." (Shkundëtari), apo: "Sytë e saj dukeshin si ndonjë arkë magjike, e mbushur margaritarë. Kur i hapte qepallat, rrezet e diellit piknin ar mbi shuplakat e bjeshkës, gufonte e gufonte blerimi. Kur këndonte, zëri i saj tundte malet, e bilbilat në atë melodi nuk pushonin dot duke u puthur." ("Baresha")
Fragmente të tilla, të qëndisura me shprehje të pasura dhe stilistikisht të bukura, të cilat gjithsesi edhe e "edukojnë" shijen estetike të lexuesit të ri, gjenden pothuaj në të gjitha tregimet e këtij libri.
Pas këtij vështrimi, ndoshta edhe tepër "akademik" e cikërrimtar kur kihet parasysh sa rrallë botohen libra të tillë në gjuhën shqipe në Mal të Zi, do të ishte e padrejtë sikur Ibrahim Berjashi të mos përgëzohej për liqenin e mrekullueshëm me thesaret e tij të fshehta që ua zbulon fëmijëve. Jam më se i sigurt se "Floçkën e liqenit" do ta lexojnë me ëndje jo vetëm fëmijët në Mal të Zi, por edhe në trevat e tjera ku lexohet shqip. Natyra e këtyre tregimeve është e tillë sa që mendoj se sikur të përktheheshin në ndonjë gjuhë të huaj, do të priteshin gjithashtu mirë.

DYER QE S’HAPPEN

Kam ardhur me të gjitha historitë
Dhe fusnotat e ruajtura nën lëkurën e gjarpërit
Hape portën, jam unë që të kam kërkuar kaherë
Mos ma vërbo syrin me pendël hutini
Adresa ime nuk ka ndërruar
As javën e përmbytjeve të mëdha.
Hapi dyert, nuk jam as Don Kishot as Pirro
Personazhe të kësaj drame fatkeqe jemi unë e ti
Mos kërko të firmos me gjak fletpalosjen
Se më vrave nën pjergullën e sorrave’
Hapi dyert ime zonjë të shpallë dashuri si motit.
METAMORFOZE

Duke ikur nga nata e përrallave të zeza
Sheshet e meteorëve
U emëruan dhimbje e historisë sime.
Ekspozitë që djeg në shpirtë
Edhe gjumin ta vjedh me gojë ujkonje
Kjo ishte e tëra
Që hyri në bllokun e xhepit tim prej bore.
Durimi, i biri i Havushës e Ademit
Tiranas i pasher, njizetvjeçar
U ripagëzua sot në Athinë, Niko.
Edhe shpresa vlonjate porosit nga Hamburgu
Tash e tutje duhet kërkuar Ursullën
Adresë tjetër nuk pranohet.
E kush do të jemk unë
Stinëve që vjen pas vitheve të pelës
A e di njeri këtë parashikim shurran.
PERSOSMERIA E FORMES

Më nuk jemi tradicionalë
Sepse në korzo dalim me një këpucë
Me bisht dhelpre pas shpine
Syzet për diell i vëmë edhe natën
Kiur shtrihemi në “krevatin francez”.
Sa shumë jemi përsosur
S’ka djallë ta definojë
Këtë mit të hijes sonë.
Cdo ditë lëngëzojmë shtrembër
Nga xhelozia për parajsë e kosmos.
Në rrugë përshëndetemi me dorë të majtë
E gjumi s’na zë
Pa përtypur gomë aromatike
Por shëmbët përsëri po na prishen.

STINE E MBRAPSHTE

Tërë verën i kemi ndjekur mushkajat
Edhe ethet s’na kanë ikur nga gjymtyrët
Nuk vriten farmacistët tataloshë
Që s’kishin hapa qetësimi për pacientët e gjorë
As amerikanët llupeshë t’I hidhnin n’litar
Pse mbeten pa frymë n’krevatin francez
Me prostitutat ruse e motrat shqiptare
Ec e bindi malsorët e Briskut të poshtëm
Të ma heqin thikën nga qafa ime e hollë
Për ta mbajtur një meshë buzukiane
Në kishen e dënuar me vdekje
Edhe Balshën e tretë deshën ta nxjerrin nga varri
Se kishte pas thënë ditën e Motit të Madh
- jemi të një gjaku
Sa stinë e mbrapshtë!
ME KISHTE PAS HARRUAR ROZAFA

Sëmundja e ujit e kishte përbirë
Si një kokërr portokalli
Trupin tim të verdhë
Postjerët adresën
Më kot e kërkonin në tryezën e dallëndysheve
Qyteti po vdiste nga tërbimi i kluajve të tredhur.
Dita e vjeljes së ullinjve
Po hynte në javën e tretë
Kush të futet i pari në laboratorium
Për të konstatuar grupin e gjakut
Në udhëkryq vetëm ora e zezë ulërinë
Kur t’i shtrijmë gjymtyrët e mpirë.
Se ç’ishte çmendur Uliam Shekspiri
Në dasmën e peshqve me Hamletin marroq
Edhe njëqind vjetë po lutej Sabetaj Cevi
Pas mureve të kullës së Balshajve
Për të mos e zbuluar udhëtimin e mesisë
Gjelat s’e thërrasin dot agimin.
Më kot vizatojmë fletëve të zemrës lule
Duket se e kanë ngrënë gjinkallat shiun
Një stinë para se të vdiste gushti
Mua më kishte harruar Rozafa
Buzët fosile në shtëpinë e gjarpërit
Vuajn dënimin
Ura pikon vetëm lot harrimi.
RETORIKE

C’kemi mbushur kokat folklor
Botën e tredhim me një frymë
Punë e madhe se ç’ka thotë demoni
Kryesore historisë ia përkufizuam formën
Uji do te vrapoje tatëpjetë malit
Tash ka vdekur formula e vjetër
Fatn e drejtojmë me telekomandë
Asgjë nuk mbetet në shuplakën e Don Kishotit
Edhe orës së murit ja kemi ndrruar ritmin
Koha do të ecë për ne
Cigare mund te pimë këmbë mbi këmbë
Tërë naten e vetmisë së madhe

ORA E BRAKTISJES

Stinë e vashave troket në derë
Mrekulli tjetër
Nuk ka mbetur
As në panairin e ëndrrave
Se shuan deti etjen
Sa një thërmi edhe dielli
Midis syve tanë.
Flisnin zemrat me drithërimë
Plagët zgjohen nga gjumi
As në librin e të harruarve shënim zyrtarë
Se gjallojmë unë e ti
Histori e çmendur
E këtij mileniumi amoral
Ishim të dënuar
Të vdesim pa u takuar
As diten e Shën Valentinit
PARODIA E NATES SE PARE

Ti po vije nga një kohë miti
Isha i gjorë për të luftuar në shesh
Dhëmbët e gjarpërit kush i duron
Ec e mos vdis midis ëndërrës e flakës
Kush po thotë se në ditën e lumit
Djalli s’i kishte hequr brekët
Edhe luante dramën e Piratit pordhec
Gjeli i pa mëshirë pret agimin pas dere
Ama vdekja dhuratë shumë e vogel;
Atë sekondë flijimi
Pasqyra mërgon përtej kopshtit të çmendur
Trupi im për tokë i kishte humbur të gjitha betejat
Edhe sa shekuj duhet pritur kamarieren
Për një kafe mëngjesi
Mbase do të ringjallem.
LETER POETEVE

Ju poet keni zmerën e drerit
Me plotikanët
Punët u shkojnë pisk.
E dini pse ka ndodhur ky incident
Vashat adhurojnë poetët
Vashat s’i duan politikanët
Pushtetarë
Mos firmosni dekretë
Për ta dënuar poezinë me gjithë poetë.
Bukuria e stinëve është e poetëve
Politikan ju vdisni për atdhe
Në mes shalëve të kameriereve.
Poetët përherë mbesin të gjallë
Në zemrat ne vashave.
CILA VDEKJE MUND TE JETE ME E EMBEL?

Cila vdekje mund të jetë e ëmbël
Hyrja në albumin e Majkël Xheksonit spirtuoz
Apo nata e vetme në restaurantin “Teuta”
Të kalasë së brishtë të Ulqinit baladë
Cila ka më shumë hoje
Buzëqeshja hemletiane e Rexhep Mitrovicës
Skallëve të teatrit koqeqen të Parisit
Bukuria e dhembjeve të Nënë Terezës në Kalkutë
Apo dalja e Dedë Gjo Lulit
Atje lartë në maje të Deçiqit s bashku me malësorë
Për të thënë se jam
Cila t’i qumështon buzët shumë më shumë
Kalaveshi I rrushit të pjekur në fushën e Cemit
Sharkia e Dervish Shaqës
Apo shalët e Dijanës që e alivanosi përjetë princin anglez
Nuk ka shije
Vdekja nën këmishën e kërrmillit
As me syze të zbritura mbi hundë
E JASHTZAKONSHME

Më kishin dënuar me vdekje
Fshatarët e katundit Ljare
Mua shtegtarin e braktisur.
Në klinikën e errësirës
Kishte mbetur e varur në litar
Historia e sëmëmundjes
“Gjysëmshekulli” zjarr e ankth
Nëpër duart prej likeni
Vetëm ëndërrat kishin ardhur me stinët
Ishin ngrënë pa bukë
Edhe tiset e kujtimeve.
E Jashtzakonshme
çerdhet e laraskës me një ve qyqeje në mes
edhe kur bie shi
etja puthë me gjethin e shelgut
Unë një zog I plagosur
Me trurin e shpërlarë nëpër kanalizim
Frut I kësaj gështenje që s’rron dot
Algë e orës së malit që pret të ushtrojë
Nga zërat shqip
Edhe pas ndërhyrjes klandestine të kirurgut
Duhet ngritur me dekret nga varri të vdekurit
Që t’u predikojnë të gjallëve
Përse kaq shumë më është hapur zemra.

“Wikileaks” dhe fati i Shqipërisë


“Ra ky mort e u pamë”. Në këtë shkrim nuk do t’i bëhet kurrfarë analize apo kritike veprës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Mirëpo, titulli i romanit të tij koincidon dhe u përshtatet më së miri zbulimeve që ka bërë Wikileaks lidhur me prapaskenat e politikës dhe politikanëve kosovarë.

Ra Wikileaks dhe u panë































Adrian Çollaku

“Ra ky mort e u pamë”. Në këtë shkrim nuk do t’i bëhet kurrfarë analize apo kritike veprës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare. Mirëpo, titulli i romanit të tij koincidon dhe u përshtatet më së miri zbulimeve që ka bërë Wikileaks lidhur me prapaskenat e politikës dhe politikanëve kosovarë.

Kabllogramet që Ambasada Amerikane në Kosovë, ia ka dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, flasin më së miri për nivelin e politikanëve tanë, për mentalitetin e tyre dhe në përgjithësi “zbulojnë” dhe “zhveshin” në tërësi personalitetin e tyre, dyfytyrësinë e tyre, anën e errët të tyre... Nga këto kabllograme jepet një pasqyrë më reale e shumë zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë gjatë këtyre viteve, e që në fakt opinioni ka pasur një perceptim shumë më ndryshe.

Wikileaks zbuloi se edhe njeriu më i fuqishëm i Kosovës, Hashim Thaçi frikësohet nga konkurrenca e brendshme dhe e jashtme politike. Sipas një kabllogrami që ambasadorja amerikane Tina Kadanow, ia kishte dërguar DASH-it, thuhet se Hashim Thaçi në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, nuk i donte listat e hapura në zgjedhje, pasi që “frikësohej” se nënkryetari i PDK-së, Fatmir Limaj, do të dilte më i votuar se ai.

E, në fakt paraqitja publike e tij në raport me Fatmir Limajn, ishte krejt e kundërt, sepse ata konsideroheshin si dy njerëz shumë të afërt dhe bashkëpunëtorë të ngushtë jo vetëm në luftë, por edhe pas luftës, si kolegë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Wikileaks kishte zbuluar po shtu se kryeministri Thaçi i frikësohej edhe homologut të tij shqiptar, Sali Berishës. Thaçi i kishte kërkuar zëvendësambasadorit amerikan në Kosovë, që të frenonte ndërhyrjen e Sali Berishës në politikën e brendshme të Kosovës, pse kryeministri shqiptar ishte takuar me disa liderë të partive tjera kosovare.

Jo vetëm kaq. U zbuluan edhe shumë prapaskena tjera.

Përçarjet tjera brenda partisë më të madhe kosovare - PDK-së, ankesat e politikanëve të ndryshëm ndaj njëri-tjetrit, tendencat e “eliminimit” politik të njëri-tjetrit...

Wikileaks ka zbuluar edhe anën tjetër të “medaljes”, më saktësisht atë se si e shohin përfaqësuesit e SHBA-ve skenën politike dhe zhvillimet e përgjithshme në vend. Kënd e përkrahnin e kënd e kundërshtonin, kënd e donin e kënd nuk e donin ambasadorët amerikanë në Kosovë...

Ky është vetëm fillimi i zbulimit të personalitetit të vërtetë të politikanëve kosovarë. Në ditët dhe javët në vazhdim Wikileaks do të publikojë edhe një sërë kabllogramesh të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, të cilat edhe më shumë do të paraqesin pasqyrën reale të udhëheqësve të shtetit të Kosovës.

Shkurt e shqip Wikileaks ka bërë një punë shumë të madhe dhe të rëndësishme, nga e cila do të përfitojë më së shumti opinioni publik. Nëse opinioni publik do t’i analizojë ashtu si duhet këto kabllograme të Ambasadës Amerikane drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, atëherë bindja e qytetarëve për politikanët e Kosovës, me gjasë do të ndryshojë. Të paktën perceptimi i tij do të fillojë të jetë më ndryshe, sepse secilit politikan dalëngadalë po i zbulohet fytyra e vërtetë.

Nëse qytetarët e Kosovës dinë t’i vlerësojnë ashtu siç duhet këto kabllograme për zyrtarët e lartë shtetërorë, atëherë mund t’i kontrollojnë më lehtë veprimet e politikanëve dhe mund t’i ndërpresim politikat e tyre të gabuara. Qytetarët duhet të nxjerrin mësim nga këto kabllograme dhe të kërkojnë përgjegjësi dhe llogaridhënie nga politikanët. Fati i politikanëve është në duart e tyre. Rastin e kanë, le ta vlerësojnë vetë se kush çka është dhe kush çka meriton. Shyqyr që ra Wikileaks, e u pa kush janë politikanët tanë. Apo do të vazhdojmë edhe më tutje që të jemi të verbër?

Jehona e botimeve në shtypin shqiptar të kabllogrameve të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, do të vijë një ditë dhe natyrisht që do të shuhet.
“Wikileaks” dhe fati i Shqipërisë





Ilir Yzeiri

Nga gjithë ajo zhurmë mediatike do të fiksohen në kujtesën kolektive portretet reale të qeveritarëve shqiptarë dhe do të vuloset përfundimisht portreti i Kryeministrit aktual si shtetari që ishte gati të shiste edhe ujërat territoriale në Greqi mjaft që të rrinte në pushtet, siç thuhet në një prej kabllogrameve.

Analistë të ndryshëm që janë marrë me efektin dhe rëndësinë e botimit të kabllogrameve prej “Wikileaks” kanë vënë në dukje, mes të tjerash, se rëndësia e publikimit të tyre qëndron në faktin se këto kabllograme i bënë fakt dhe i vërtetuan opinionet e përhapura në formë perceptimi. Kështu ka ndodhur në Francë me Sarkozinë apo në Itali me Berluskonin. Raportimet e diplomatëve amerikanë nga Tirana dhe sidomos ato të ambasadorit Withers, kanë vlerën e provës për shumë nga dyshimet apo raportimet e medias shqiptare. Nga kjo pikëpamje, vlera e tyre është e jashtëzakonshme, sidomos për arkivin dhe memorien historike.

Ato i kanë caktuar qysh tani vendin e duhur në histori qeveritarëve të sotëm që përmenden në këto kabllograme si të korruptuar apo të lidhur me mafien. Ndërsa Kryeministri aktual duket se e vulosi biografinë e tij me faktet dhe provat e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë që e paraqesin atë, siç e kam thënë edhe në shkrimin e mëparshëm, si një Ben Ali të Ballkanit, për shkak se ai, bashkë me familjen, ashtu si diktatori i Tunizisë, është përfshirë në një korrupsion tragjik të përmasave të mëdha. Por me që jemi këtu, dua të ngre një hipotezë. 

Botimi i kabllogrameve nga “Wikileaks” e ndihmoi demokracinë shqiptare, Shqipërinë e sotme apo e dëmtoi atë? Ta shohim. Siç dihet, më 6 qershor 2010 analisti ushtarak Bradly Manning u ndalua në lindje të Irakut me akuzën se i kishte dorëzuar organizatës “Wikileaks” 250 000 faqe dokumentesh konfidenciale të ambasadave amerikane nga e gjithë bota. Shumë shpejt u mor vesh se në këto kabllograme bënin pjesë edhe raportimet e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Publikimi i tyre filloi pas një periudhe disamujore, e cila u karakterizua nga konflikti që ishte hapur mes SHBA-së dhe “Wikileaks”. 

Pa dashur të zgjatem në këtë kronikë, dua të nënvizoj se organizata e fuqishme “Reporterët pa kufij” doli në mbrojtje të “Wikileaks” dhe të publikimeve që ajo kishte nisur të bënte. E gjithë kjo pasoi me shumë ngjarje të tjera, ndër të cilat dua të përmend dënimin që i bëri qeveria e SHBA-së këtyre botimeve dhe fjalën e sekretares së Jashtme të Departamentit të Shtetit, zonjës Klinton, e cila tha se u kërkonte ndjesë të gjithë atyre shteteve apo personave që përmendeshin në këto kabllograme. 

Mirëpo, një ditë do të vinte edhe radha e Shqipërisë. Dhe këtu nis edhe hipoteza ime. Ka një teori gjysmë konspirative që thotë se pas “rrjedhjes së kabllogrameve” qëndron vetë Amerika dhe këtu ata përmendin sidomos rastin e Tunizisë apo të Egjiptit. Botimi i kabllogrameve u tregoi popujve të këtyre vendeve se SHBA nuk i mbështesnin më diktatorët Ben Ali apo Mubarak. Ky ishte një sinjal që popujt e këtyre vendeve të ngriheshin e të rrëzonin diktatorët e tyre. 

Nëse do ta besonim këtë version, atëherë lind pyetja: Po kur të botoheshin kabllogramet për Shqipërinë si do të reagonte qeveria amerikane? Pra a do të lejonte ajo që populli shqiptar kur të shihte se qeveria amerikane e kishte vizatuar Kryeministrin shqiptar si Ben Aliu i Ballkanit, të ngrihej dhe ta rrëzonte me protesta popullore? Këtu puna vështirësohet dhe po të vështrojmë faktet, vijmë në një përfundim tjetër. Sapo nisin të publikohen kabllogramet e “Wikileaks”, në korrik të vitit 2010, ambasadori Withers njofton se do të largohet nga Shqipëria. Ai jep intervistën e fundit në “Top Story” të gazetarit Sokol Balla më 12 gusht 2010. Për të gjithë ata që e kujtojnë këtë intervistë, unë dua t’ju sjell ndërmend një fragment. 

Diku, gjatë intervistës, ai thotë: “Mbrojeni demokracinë tuaj! Gazetari Balla i përgjigjet: Ky është një mesazh shumë i fortë dhe shumë i rëndësishëm për shqiptarët, sidomos kur vjen nga SHBA-ja. Kur thoni, mbroni demokracinë tuaj, a mos vallë ajo është në rrezik? - e pyet Balla. Dhe ai përgjigjet: “Unë besoj se sistemet demokratike më shumë se çdo sistem tjetër, më shumë se sistemet absolutiste apo monarkike ose janë në rritje ose janë në rënie.

Në këtë këndvështrim, demokracitë janë në një kontekst të caktuar në një lloj kërcënimi”. Dhe më pas vjen shprehja e tij e famshme “plagët e Gërdecit ende kullojnë gjak...”. (“Top Story”, 12 gusht 2010, “Top Channel”). Ishte një nga intervistat më frymëzuese dhe të gjithë ishin të bindur se zullumet e Kryeministrit që kishte vjedhur votat e 2009-s do të ndëshkoheshin. Mirëpo kaluan disa muaj dhe në mos gaboj në dhjetor të vitit 2010 vjen ambasadori tjetër, ai që zëvendësoi John Withers-in. 

Më kujtohet se sapo ai mbërriti në Tiranë, vendi po përballej me katastrofën e përmbytjeve në Veri dhe dalja e parë e tij në publik ishte më duket në Shkodër në ndihmë të të përmbyturve. Ardhja e atij që zëvendësoi ambasadorin Withers nuk u ndihmua as nga moti dhe ambasadori e gjeti Shqipërinë jo ashtu siç ia kishte përshkruar pararendësi i tij, si një vend të bukur. Ai e gjeti të mbytur në ujë. Media, por dhe opinioni publik, thoshte se ky është uji i korrupsionit dhe krimit që po përmbyt Shqipërinë. Ngjarjet rrodhën shumë shpejt dhe ndërrimi i ambasadorëve, sipas arsyetimit tim, kishte në prapaskenë mosnxitjen e revoltave si në Tunizi apo Egjipt, pra frenimin e efektit domino. Nga publikimi i kabllogrameve deri në atë kohë kishte rrjedhur vetëm një informacion, që thoshte se Berisha i kishte trukuar zgjedhjet. 

Vetëm kaq. Askush nuk e dinte se kur do të botoheshin kabllogramet e tjera, të cilave mesa kuptohet sot, qeveria amerikane u druhej se mund të merreshin si një sinjal për revoltë popullore. Për të frenuar këtë perceptim ishte larguar, sipas mendimit tim, zoti Withers dhe në vend të tij erdhi ambasadori tjetër që kishte si mision të shpallte se nuk do të përkrahej asnjë lloj proteste apo revolte popullore. Diplomati që zëvendësoi zotin Withers do të deklaronte se Shqipëria është një shtet demokratik, me institucione demokratike, me media opozitare etj. Ende pa nisur publikimi i kabllogrameve, pra ende pa marrë vesh se si e vlerësonte qeveria amerikane Kryeministrin shqiptar, plas 21 janari. Tani, pas publikimeve të kabllogrameve, unë mendoj se diplomacia amerikane ndoshta është lehtësuar kur ka parë se zemërimi popullor u shfry më parë se të merrej vesh qëndrimi i SHBA-së për Kryeministrin shqiptar dhe qeverinë e tij. 

Ndërkaq, zëvendësuesi i ambasadorit Withers, mesa duket, ishte ngarkuar me detyrën që të mos nxitte në asnjë mënyrë rrëzimin e qeverisë shqiptare, e cila, siç del nga raportimet e ambasadorit Withers, kishte trukuar zgjedhjet e 2009-s, ishte e korruptuar, kishte shkatërruar sistemin e drejtësisë, pra ishte një lloj qeverie tuniziane si ajo e Ben Alisë. Mirëpo, ajo nuk duhej të rrëzohej me protesta. Dhe ambasadori që zëvendësoi diplomatin e madh Withers e mori këtë përgjegjësi duke paguar një kosto jo të vogël. Kulmi arriti kur ai, në emër të ambasadës, ndërpreu marrëdhëniet me gazetën “Shekulli”, për shkak të një shkrimi botuar prej meje, në të cilin unë kritikoja qëndrimin e tij proqeveritar. Tani që kabllogramet u botuan, në Shqipëri kanë ndryshuar shumë gjëra. Por është e njëjta qeveri. 

Vetëm se tani shqiptarët e dinë se çfarë mendon SHBA-ja për qeverinë e tyre. Tani edhe qëndrimi i ambasadorit që ka zëvendësuar zotin Withers është bërë më realist. Ai deklaroi se ne nuk komentojmë “Wikileaks”-in, ne e dënojmë atë. Kaq tha herën e parë. Pas kësaj, Kryeministri shqiptar nxitoi të thoshte se “Wikileaks” është një pasqyrë e medias, pra është si media shqiptare. Unë vlerësoj shumë dhe kam marrëdhënie të shkëlqyera me ambasadorin e sotëm të SHBA-së në Tiranë shtoi Kryeministri. U duk sikur ai ndërtoi me këtë thënie një opozicion. Pra ky i sotmi është ambasadori i vërtetë dhe qëndrimi i SHBA-së ndaj meje është qëndrimi i ambasadorit të sotëm. Ai i djeshmi, pra ambasadori Withers, ishte si gazetat e opozitës dhe merrej me thashethemet e medias shqiptare, la të kuptohej Kryeministri dhe këtë përsëritën disa nga tellallët e tij. 

Mirëpo nuk vonoi dhe ambasadori i sotëm i SHBA-së në Tiranë shfrytëzoi ditën e hapjes së punimeve të Kuvendit të Shqipërisë dhe tha se ato publikime secili është i lirë t’i lexojë dhe të krijojë opinionet e tij, ne nuk japim asnjë opinion. Pra nuk tha se janë të pavërteta dhe nuk la të nënkuptohej ai mesazh që kishte përcjellë një ditë më parë Kryeministri shqiptar. Ndërsa pardje ai foli për korrupsionin dhe për herë të parë deklaroi se në Amerikë as Presidenti dhe askush nuk mund të jenë mbi ligjin. Këtë deklaratë e bëri në sy të Kryeministrit, në një mjedis ku diskutohej për sigurinë kombëtare. Me këtë mesazh ai vërtetoi edhe njëherë thënien e pararendësit të tij, se “Gërdeci ende kullon gjak” dhe se ambasadorët e SHBA-së nuk mund të ndahen në miq të Kryeministrit dhe në jo miq të tij. Por a e ndihmoi “Wikileaks” Shqipërinë, pra a ndihmuan publikimet e kabllogrameve që Shqipëria të çlirohej nga e keqja?! Çfarë do të kishte ndodhur sikur zoti Withers të kishte vazhduar misionin e tij në Shqipëri dhe ne të mos dinim gjë për raportimet e tij. A do të vazhdonte ai të tregonte përralla me alegori për kafshët që i rrëmbejnë të gjitha apo do të kishte reaguar siç reaguan kolegët e tij me Kryeministrin e korruptuar Nano? Unë nuk jam në gjendje të përgjigjem. Unë vetë po citoj një thënie të një prej intelektualëve më të mëdhenj të kohës sonë, Noam Chomsky që thotë: "Po të shohim atë që ndodh në botë, mund të arrijmë në përfundimin se sa më shumë një shtet përdor dhunën aq më shumë rritet edhe përçmimi i tij për pavarësinë, natyrisht të të tjerëve...”.

Manipulimet me filma shqiptar


“Fije që priten” është manipulimi i filmit shqiptar me të njëjtin titull nga regjisori Muharrem Fejzo, në përpjekje për të krijuar trajlerin e filmit. Si kolonë zanore për këtë video është përdorur një nga hitet e “Nick Cave and the Bad Seeds”, “The Curse of Millhaven”, marrë nga albumi “Murder Ballads”.
Filmat “e manipuluar” shqiptarë në Bogota





























Janë manipulime filmash shqiptarë, të prezantuar në formën e videove. Artisti Fani Zguro e ka konceptuar në këtë mënyrë ekspozitën e tij të radhës, të cilën e ka quajtur “Goca, viktima, spiunë, policë, gestapo, ushtarë, burra”. 

Ekspozita personale e tij do të çelet më 10 shtator në galerinë “Valenzuele & Klenner” në Bogota, për të qëndruar e hapur deri në fund të muajit, më 31 shtator.

“Fije që priten” është manipulimi i filmit shqiptar me të njëjtin titull nga regjisori Muharrem Fejzo, në përpjekje për të krijuar trajlerin e filmit. Si kolonë zanore për këtë video është përdorur një nga hitet e “Nick Cave and the Bad Seeds”, “The Curse of Millhaven”, marrë nga albumi “Murder Ballads”. 

“Ky projekt kërkon të ironizojë fenomenin e krimit dhe revolucionit, i cili e ka zanafillën në periudhën e hershme, kur jezuitët e refuzuar konspironin kundër atyre në pushtet”, - shpjegon Zguro. Motoja “atje ku mbaron puna jote fillon puna ime” duket se është në kontekst me qëllimin e kësaj videoje. 

Struktura e saj vijon si një trajler i mirëfilltë, duke i bashkëngjitur seleksionimit të filmit “Fije që priten” kolonën zanore “The Curse of Millhaven”, e cila, ndonëse në periudhë dhe kohë të ndryshme nga filmi, krijon më së miri komunikimin me të.

“Kalimtarë” është videoja tjetër që konsiston në manipulimin e filmit shqiptar “Nusja dhe shtetrrethimi” të regjisorëve Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro. 

“Kjo video zgjat 20 sekonda dhe përsëritet në ‘loop’, duke krjiuar kështu edhe performancën në video, në të cilën vihen re pesë ushtarë gjermanë të Luftës së Dytë Botërore, të cilët janë duke ecur në një rrugë të zbrazët shoqëruar nga zhurma e lehtë e shiut”, - vijon artisti. 

Ky është dhe fillimi i filmit shqiptar, i cili trajton ngjarje të kohës së Luftës II Botërore gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë nga nazistët. 

E veçanta në video konsiston në faktin se ushtarët nuk arrijnë të përfundojnë performancën e tyre falë ndërhyrjes në montazh dhe përsëritjes në ‘loop’. Duket sikur ata shkojnë gjithmonë deri në gjysmën e rrugës dhe kështu nisin marshimin përsëri nga e para.

Videoja pasardhëse “Ti kthehesh” është një lloj versioni i ri i filmit me të njëjtin titull “U Turn” të regjisorit amerikan Oliver Stone. Në këtë përballje midis artistit dhe personazhit të vetëm në video kemi të bëjmë me një intervistë, e cila ngjason më tepër me shkëmbim batutash. 

Intervista merr një karakter cinik, që shndërrohet në një test negativ inteligjence. “Ti kthehesh” fillon si një regjistrim turistik, për t’u shndërruar mandej në një situatë ku e kaluara dhe e tashmja e personazhit të videos marrin një karakter grotesk.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...