FISHTA “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.



Daniel Gàzulli

F I S H T A
  (23/10/1871-30/12/1940)

- Në 140-vjetorin e lindjes –

 “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
Gjergj Fishta ne vdekje te Avni Rrustemit. 

Hymje

            Ishte dhejtori i vitit 1990, dhjetori i shpresave, i frikës, i kërcënimeve, i vorfnisë së skajshme; ishte ai muej kur shqiptarët shikonin një rreze shprese, por edhe dhambët kërcënues të diktaturës, që kishte gjithë mjetet e dhunës ende në duert e saj.
            Binte 50-vjetori i vdekjes së At Gjergj Fishtës, të mohuemit, të përbaltuemit, mëkatarit e deri tradhëtarit. Ishin rritë tre breza pa e njohë vepren e tij, e të bindun se ishte fjala për një tradhëtar të madh, për një anmik të kombit e sa nofka të tjera njollosëse.
            Po ishte 50-vjetori i vdekjes së tij dhe mendova se kishte ardhë koha që populli ynë të mësonte të vërtetën.
            Iu drejtova disa shkrimtarëve, poetëve, kritikëve, mësuesëve të letërsisë që të organizonim një Konferencë në këtë përvjetor të shënuem.
            Përgjigje ishte e njëjtë: “Më vjen keq, nuk e njoh, nuk kam lexue asgja prej tij”.
            Që një pjesë nuk kishte lexue asgja prej tij, duhej besue, pse me lexue një vepër të Fishtës mund të të kushtonte dhjetë vjet burg. Të tjerët nuk ishin çlirue ende nga frika që diktatura i kishte futë në palc popullit shqiptar.
            Po unë isha i vendosun ta mbaja atë Konferencë. U gjet vetëm një njeri i gatshëm të bashkpunonte. Ai nuk ishte njeri i artit. Ishte shofer. Por nuk e kishte fshehë kurrë se ishte adhurues i Fishtës. Për ma tepër dinte përmendësh gjithë Lahutën e Malsisë, ashtu dhe pjesën ma të madhe të poezive të tjera.
            E ndamë mandjen ta mbanim atë konferencë vetëm na të dy, unë do të përgatisja referatin, shoferi Lekë Celaj do të bante ilustrimin me recitime nga vepra e Fishtës.
            Ma në fund dita erdhi. Të paktën na vunë në dispozicion sallën e vogël të Palaltit të Kulturës Lezhë me rreth 120 vende.
            Në orën 16 të datës 30 Dhjetor 1990 fillova leximin e referatit. I hodha një sy sallës. Ishte plot. Kryesisht të moshuem. Në mes të tëpranishmëve ishin edhe dy komunistë, të moshuem edhe ata; ndoshta diçka kishin lexue prej Fishtës kur kishin qenë në shkollë në vitet ’30 – ’40.
            Ndërsa lexoja refertim, kuptova se zani më dridhej, pse ishte hera e parë që flitej për Fishtën publikisht, po shpejt e mora veten.
            Nuk pëpëtinte asgja. Do të dëgjohej edhe fluturimi i një mize, po ishte dhjetor i acartë e miza nuk kishte.
            Tek i afrohesha fundit të referatit, hidhnja shikimin ma shpesh në sallë. Nuk po kuptoja ç’ishte ajo heshtje gati e ankthëshme: po e pëlqenin, apo po më urrenin nga që po thoja krejtësisht të kundërten e asaj që kishte thanë “Partia” për 46 vjet me radhë? Aq ma tepër që në analizën time ndalesha ma shumë tek Fishta Atdhetar, pikërisht pika ku e kishin sulmue për një gjysëm shekulli.
            Mbas rreth 40 minutash lexova edhe rreshtin e fundit.
            Përsëri heshtje. M’u duk se heshtja zgjati një shekull. Mandaj papritë shpërthyen duertrokitjet, të përmbajtuna, por të forta, të pandërpreme, gjithnjë e ma të forta. Tashti pjesëmarrësit, të gjithë në kambë, nuk dinin të ndaleshin. Pash burra me sy të përlotun.
            Shumë prej tyne u ndalen e më dhanë dorën e më falnderuen. U ndalen edhe dy komunistët. Njeni prej tyne me tha i emoconuem: “Na zgjate jetën dhjetë vjet”.

            Po sot do t’u la fjalën tre “të ftuemëve” të mi.  Do të jenë Prof. Abas Ermenji, poeti Ali Podrimja dhe Mërgim Korça, dy toskë e një kosovar,që me fragmente nga shkrimet e tyne për Fishtën, do të formojnë këtë triptik përkujtimor.

1. Prof. ABAS ERMENJI

AT GJERGJ FISHTA, SHQIPTARI POET (fragmente)

Ndonëse, në kohët që po jetojmë, shpirti i ynë - shpirti i kombit shqiptar - është i ngarkuar me të tjera kujdese dhe s'ia ka ngenë të merret me poezi e me poetë, me gjith këtë s'duhet të na hutojnë problemet e ditës aqë sa të mos e çojmë mëndjen në një çast tek Fishta, te këngëtari i math, që mbylli sytë në një ditë të vrenjtur Dhjetori dhjetë vjet më parë.
Vargjet e tij bien të fortë si oshëtimë gurrash, si rropame shkëmbejsh që rrokullisen, dhe nëpër ta duket lakuriq shpirti shqiptar - shpirt i pa-prishur nga butësitë e qytetërimit - me një tok cilësish nga të burrërisë së lashtë, prerë mbi një fisnikëri t'ashpër, dhe që Fishta i tregon shquar si vija të gdhendura në gur.
Por boshti rreth të cilit vepra e poetit t'onë ngihet në kulm, është antiteza shqiptaro-sllave, lufta heroike që bëjnë të parët për t'u mprojtur nga lakmitë e të dytëve. Në këtë dyluftim epik, Fishta e dallon me vija të forta shqiptarin prej shkjahut si popull, si komb, si fe.
A është "LAHUTA E MALCIS" epopeja e jonë kombëtare ?
Me poemin e tij epik pra, Fishta i ngriti kombit shqiptar monumentin më të bukur. Lahuta e Malcis s'e përmbledh ndoshta jetën kombëtare t'onën në të gjitha çfaqjet e saj por vë në dukje kaq mirë tipin e shqiptarit të pa-prishur - shpirtin, mëndësinë dhe vleftat morale të tij - saqë duket sikur ia sheh të gjitha këto si të prera në gur.
Jetë-kuptimin dhe vleftat morale të shqiptarit, Fishta i gdhend si në mermer në tipin e Marash Ucit e në porositë që ky iu lë Djemve të Calit. Pastaj bukuria është se Lahuta thesarin e folklorit, besimet popullore, mënyrë-shprehjen dhe botë-kuptimin e shqiptarit përgjithësisht i ka shkrirë e përdorur aq mirë si elementa të saja, sa që ke përshtypjen se është poemi i ndonjë këngëtari që s'e njeh jetën përtej rrethit të maleve. Prandaj çdo përshkrim, çdo figurë, edhe hiperbolat më të guximshme të saj, na vinë të këndëshme e të natyrëshme dhe s'të lënë aspak përshtypje se dalin jashtë masës. Çdo gjë në të, çdo ndjenjë, mendim, koncept e mënyrë të thëni është tipike shqiptare.
Edhe gjuha e Fishtës është ajo e malevet, e pa-ngrënë prej limës s'artit, por e pasur, e fuqishme me frazologjinë e saj të natyrshme, ashtu siç del nga burimi psikologjik shqiptar. Ndër shkrimtarët shqipëtarë, Fishta është ai që ka derdhur thesarin gjuhësor më të pasur, me një mënyrë të menduari e të thëni krejt shqip.
Fishta është i zoti të vërë në dukje, me katër pesë vargje, tipin e burrit të hovshëm e të fortë trup e shpirt: 

Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega;
Faqja e tij kuq porsi shega,
Shllungë mustakun derdhë n'dy dega;
Kur nji fjalë po e folka burri,
Ma si luejtka me sa curri.

Vetëm fjala "lshon" këtu tregon burrin e papërmbajtshëm, i cili derdhet me vrull si një forcë e lidhur që këput vargonjt, si një ujë i mbyllur që thyen pengesat.
Krahëso efektin që bën këtu vargu: 
Shllungë mustakun derdhë n'dy dega 
me notën e vrazhdë e disi komike që shtojnë vetullat e mustaqet tek Malaziasi Vulo Radoviqi: 
Vetllat trashë ngërthye kular,
Porsi lesh derrit bugar;
Vesh e m'vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë pr' i lakut.

Një nga skenat më të bukura e më pathetike të Lahutës është mbledhja e krerëvet të Hotit te Kisha e Shnjonit, ku Marash Uci parashtron rrezikut që i kanosej Malësisë e ku merret vendimi i qëndresës. Kjo mbledhje, madhështore në thjeshtësinë e saj, nuk është më pak epike nga ato t'Iliadhës, e ku Marash Uci, ky Uliks i Malësisë që: 

Anë e mbanë i kisht'ra detit, 
tregon rrezikun e afërt dhe pregatit, me një oratori të rrallë, fushën shpirtërore për marrjen e vendimit heroik. Fjalët e tij rrokullisen ngadalë njera pas tjetrës, të thjeshta e të sigurta si çapat e luanit, dhe bëjnë që krerët e Hotit 

Si t'u rake i rrfe prej Zotit,
...............................
Kishin ndejë me sy për dhe.

Atëhere Marashi, pasi i ka sjellë shpirtrat në këtë gjëndje, hedh shkëndijën e fundit: 

Ç'thoni burra? Fe e zakona,
Bjeshkë e vrri e kullat t'ona,
A'imend Knjazit pa luftue,
Pa 'i pushkë t'shtime kem m'ia lshue?

Këta katër vargje bjenë si katër ura zjarri që e shkrijnë akullin e heshtjes ; vendimi që ka marrë seicili në thellësinë e zemrës, zbërthen si gurrë nëpër gojën e Gjeto Markut dhe e vendos Çun Mula me benë e tmerrëshme.
Shih, për shembull, se ç'figurë ka gjetur poeti për të paraqitur ndeshjen me jatagana ndërmjet shqiptarëve e malazezëve te Ura e Rrzhanicës, dhe me sa forcë e shpejti sillen përfytyrimet, ashtu siç ka qënë e hovëshme edhe përpjekja : 

Po, dy prroje prej dy kulmesh,
Ndryshej nuk përpiqen shkulmesh,
Kur t'ken hasun n'grykë t' ndo 'i malit,
Për me u lshue mandej gjatë zallit,
Nëpër ara e fusha t'gjana,
Si u-përpoj'n, ahi! me tagana,
Dy ushtrinat ke Rrzhanica :
Heshti huta edhe "novica",
U përzien ksula e "kapica",
Flakuruen kaptina e koka,
Shkumboi gjaku, bumblloi toka.

Duke kënduar këta vargje, ke përshtypjen sikur të dridhet toka nënë këmbë.
Pjesa satirike e veprës së Fishtës nuk është më pak e denjë për t'u përmendur, pse qëndron gati në një lartësi me krijimet e tij epike. Edhe aty si objekt mbetet prap shqiptari (por këtë radhë jo shqiptari i maleve), ku poeti i rreh me sarkazmë disa nga anët e dobëta.
            Eshtë për t'u vënë re, sidomos, që humori a mënyra tallëse e Fishtës ka diçka tipike shqiptare, dhe zbulon gjithkund natyrën sulmonjëse të poetit të Lahutës. Pa zbritur në trashamani, gjithnjë me kripë, satira e Fishtës nuk është pupël që të gudulit por është kamzhik që të djek lëkurën.
Gazeta FLAMURI, janar-shkurt 1951
2. Ali Podrimja

FISHTA - NDËRGJEGJJA E KOMBIT (fragmente)

Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare shfletova për herë të parë "Lahutën e Malcis". Im atë nuk e di ku e kishte gjetur, në cilin kënd të antikuariatit të gjërave të çmuara, siç e quanim qytetin, aty nën Çabrat, ku dhuna serbe bënte çmos të zhbinte çdo vlerë tonën shpirtërore që mbante gjallë kujtesën.
Mbi tavolinë, aty në kënd të dhomës, ku qëndronte deri vonë llamba e ndezur, im atë e kishte vënë librin e anatemuar dhe kishte pëshpëritur: "Dy ditë ke afat ta lexosh". Kisha pastruar tavolinën dhe kisha zënë ta shfletoja. Më bëhej se gëlltitja çdo germë, varg e këngë. Përballesha me poetin, për të cilin kisha dëgjuar shumëçka, sidomos për dinjitetin e guximin e tij prej krijuesi.
Ditën e tretë im atë ishte ndalur para dritareve me shikim kah Pashtriku, për të cilin thoshte se atje rrinë perënditë tona dhe kisha hetuar si i lëviznin buzët. Fishta qenka më i lartë se mali ynë, Baba, i kisha thënë. I buzëqeshur ai e kishte mbështjellë librin dhe ishte bërë frymë në natën e frikshme.
Unë vështirë i bija në gjurmë Fishtës, të cilin fillova ta konsideroj fuqi hyjnore dhe të pajtohesha me atë që dëgjoja: Ai është ndërgjegjja e Kombit.
            Disa vjet më vonë piramida e Shtetit ideologjik Shqiptar ishte bërë bezdisëse me retorikën e mugët. Të pranohej se ishte antikombëtar Fishta, i cili vendin e popullin i kishte ngritur në mit?! Mund të kapërcehej "Lahuta e Malcis" dhe të pajtohesh me etiketat e kuzhinës së diktaturës? Por gogolët e diktaturës nuk mund ta pranonin madhështinë e tij. Qëndrimi i tyre fyente dhe rrugëtimin historik të popullit. Akuzat ndaj veprës dhe personalitetit të Fishtës ishin absurde. Nuk kishin asgjë nga kodi ynë etik. Ishin pjellë e logjikës sllavo-otomane, e cila bënte çmos t'i shembte majat e kombit.
            Komunikimi me opusin letrar të Fishtës është i rëndë, pakëz i trishtë por krenar. Shpalos ngjarje të mëdha të kohës së artë të shqiptarizmit, kur atdheu ishte mbi çdo gjë. Kujtojini heronjtë nga Lidhja e Prizrenit (1878), u ngjanin atyre të kohëve mitike. Ishin tubuar të mbronin çdo pëllëmbë të vendit, i cili po e humbiste gjeografinë historike. Fishta nuk mund të çonte dorë, se Lidhjen e Prizrenit e konsideronte ngjarje kombi. Si ta kapërdinte këtë Piramida ideologjike kur veten e mendonte të paprekshme, ndërsa propaganda e fqinjëve kryente punët e veta. Shqiptarët besonin se do të prajnë krrokamat e gëlltitësve, po qe se Fishtën dhe bashkëmendimtarët e tij i rrokullisnin nga Panteoni shqiptar. Kujtesa është e çuditshme. Vështirë harrohet morbiditeti. Pas të ashtuquajturës LNÇ, brenda qenies sonë ndodhi gjenocid nacional. Mbetet i paharrueshëm pendimi i Mehmet Shehut para të birit: "Kishin ndodhur ekzekutime masive në Shqipërinë e Veriut" (Bashkim Shehu, "Vjeshta e ankthit"). Dhe shtrohet pyetja: Përse në Veri dhe pse ajkën e intelektualëve dhe kreun e Kishës Katolike Shqiptare? Sipas të gjitha gjasave kasta politike po luante ndonjë karagjozllëk për ndonjë të huaj. Ky është ai turpi nacional nga i cili duhet të lirohemi. 
Për potencën krijuese të Fishtës dëshmojnë poezitë lirike dhe ato satirike, vlera të pakontestueshme jo vetëm në letrat shqipe. Në "Lahutën e Malcis" ndeshemi me artikulim karakteristik burrëror, rrëmbyes. Ngjarjet lemeritëse Fishta nuk pranonte t'i harrojë populli. Mu për këtë kishte lexues-dëgjues të shumtë. Këta duhet të njiheshin me të kaluarën e tyre, konkretisht me ngjarjet që kishte për subjekt në "Lahutën e Malcis", duke u dhënë atyre përmasa mitologjike. Prizreni ishte dhe metaforë. Nga të gjitha skajet e vendit kishte tubuar luftëtarë për të mbrojtur nderin dhe një copë tokë. Bën të harrohen zonat e shkëputura nga trungu amë? Fishta ia kishte parashtruar vetes se shqiptarët duhet mbajtur të zgjuar, pa marrë parasysh cilit besim apo krahine i takonin. Ai qëndronte në ballë me atë kumbimin trimërues. "Lahuta e Malcis", ishte në një farë mënyre, abetare historike. Të vetmin problem Magi e kishte ekzistencën e Shqipërisë. Kjo e bën të madh atë, ma të madhin ndër të mëdhenjtë. 
Në poezinë "Shkodër, (ri)varrimi i Gjergj Fishtës" (nga libri "Thesaret e frikës" 2005) përmes nëntë vargjeve poeti Visar Zhiti na jep madhështinë e pavdekshme të poetit, por vë në mëdyshje edhe atë që kishte ndodhur pas (ri)varrimit:

Çka mund të bahet me to, o At veçse skeleti i dorës
që mbi dhé ka shkrue eposin e vdekun të t'gjallëve
e nën dhé eposin e gjallë të t'vdekunve.

Qëndrimi i Zhitit është dinjitoz, qorton dhunën e Piramidës që ishte ngritur duke shkelur dhe vlera kombëtare.
Botuesi dhe analisti nga New Yourk-u Gjekë Gjonlekaj ka të drejtë që në vështrimet e tij ta ngrit në çështje arrogancën sllavo-otomane ndaj At Gjergj Fishtës, se nuk i jepet ende vendi i merituar poetit kombëtar në Panteonin shqiptar. Kjo ndoshta ndodh se ende ca nga ne nuk janë liruar nga hija e Piramidës.
Toleranca ndërfetare mbetet njëra nga stolitë tona, për të cilën na e kanë zili të tjerët. Fishta kishte respekt për besimet shqiptare. Figurat historike nuk mund t'i ndante në myslimanë e të krishterë. Në galerinë e tij kishte vend për të gjithë. Si dhe pse ndodhi te ne islamizmi dihet. Por ekziston frika se mund të vihet në pyetje lashtësia iliro-shqiptare.
Pansllavizmi ka kohë që merret me të kaluarën dhe origjinën tonë, duke lansuar gjithandej Europës gënjeshtra, pikërisht për lashtësinë dhe autoktoninë tonë. Pra, ndodh një luftë e heshtur për dominimin e hapësirës Ballkanike. Mirëpo, ne vazhdojmë të mbështesim se identiteti ynë mbetet ai europian. Ky është realitet që nuk mund të ndërrohet për hirë të askujt. Shkas ndoshta është njëra nga degët e besimeve tona që dëshmon për trungun nacional se kush jemi e nga vijmë.
Nëna Tereze na la një amanet që shpesh duhet ta kujtojmë: "Atdheun më shumë e doni, kur njëri-tjetrin ta doni më shumë".

            Dy fjalë në mbyllje

Pak vjet ma parë akademiku Ali Aliu botoi një antologji të poezisë shqiptare. Në atë antologji, ku nuk ka mbetë poet e poetuc pa u përfshi, mungon At Gjergj Fishta. Nuk dëshiroj me i ba koment tjetër, veç të përsëris sa ka thanë Poeti i Madh në varrim të heroit Avni Rrustemi:  “ … fatzeza moj Shqipni – po ishte faj me të dashtë ty”.
E pra, si vëren me dy fjalë të thjeshta Klajd Kapinova, Vepra e Fishtës asht një ungjill atdhedashunie.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)