NASTILA MANO :KAFEJA


foto-3.jpg

Subjekti është kafeja. Kafeja e mëngjesit në veçanti dhe më pas kafetë e gjithëkohëshme.Kur kemi përpara kafenë,na duket idiote këshilla e mjekut për të mos e pirë lëngun magjik. Unë kam kujtime të hershme me kafenë,që në fëmijërinë e largët,kur ime gjyshe më jepte të pija kafe elbi. S’di pse e bënte,por mbaj mend që mua më shijonte aq shumë,po aq shumë,sa në kujtesë kam akoma zerin tim të vogël,që lutej:”nëna,dua kafe”.Tërhiqja me duart e vogla mësallën e saj,derisa  ajo ngrihej e merrte në dollap xhezven e madhe ngjyrë blu.
image

 Unë ndiqja me sy kuriozë procesin,që nga mbushja e mullirit të verdhë me kokrra dhe deri tek mënyra si zjente kafeja mbi sobën e dimrit. Pas vitesh,kur ajo nuk jetonte më,ishte im gjysh,një njeri i shkolluar jashtë dhe tregëtar i suksesshëm,ai që më tregonte nga vinte kafeja dhe si rritej.Pak nga pak në mendjen time u ndërtua rrugëtimi i kafesë,nga pema në filxhan.

foto2.jpg
Prej asaj kohe nuk i jam shkëputur kafesë. Lëngu magjik që vjen prej së largu,bashkongjithë botën me shijen e tij.Azia,Afrika,Amerika Latine e te tjera,ishin për shumë kohë subjekt i fantazive të mia.Kafeja turke u bë ritual i ditës,u bë subjekt për të lexuar fatin në llumin e filxhanit,u bë fajtore pse fati nuk dilte dhe u kthye në shaka,kur fati doli. Histori kafesh dhe jetë grash,të lidhura kaq fort pas filxhanëve dhe shtëpive. Histori kafesh dhe jetë burrash,të kaluara nëpër kafene plot tym cigaresh.Këto mbaj mend nga Shqipëria ime dhe tani që i shkruaj ndiej nostalgji. Një herë,gjatë adoleshencës,(kur qëllimi ishte të shihnim filmat klasikë),na mbeti në mendje i bukuri Clark Gable,që tha:”Unë nuk qesh kurrë,nëse më parë s’kam pirë kafe”;ne qeshëm sepse e kishim pirë herët kafenë tonë. Më pas dokumentarët për Damaskun e Mekën,për Tripolin dhe Indonezinë na plotësonin historinë e kafesë. Sërish filmat na shtonin etje për kafe,duke parë plantacionet gjigande,dashuritë me aromën e mire,skllevërit dhe vuajtjet(ç’trishtim) dhe sërish pemët e kafesë,makineritë e përpunimit,mjeshtrat e shijimit dhe logot e kompanive.Biznes global me mijëra shije,çdo shtet me kafenë simbolike dhe çdo njeri me preferencën e vet. I bashkon kafeja,sido që është ajo. Në mëngjeset e të dielave në dimër,kur jashtë binte borë,nuk kishte ngrohtësi dhe aromë më të mirë në botë se ajo e kafesë turke. Vitet kaluan dhe unë ndryshova disa herë shijen për kafe,deri sa tani jam komplet e përfshirë nga filtri dhe aroma e tij. Dikush ka thënë;”Kafeja është ajo që na tregon se nëna është zgjuar herët dhe po përgatit mëngjesin.” Pikërisht kështu do të jem pas shumë vitesh për fëmijët tanë. Im shoq ndan kafenë e parë të ditës me mua dhe e di që ky zakon,është ndër më të ëmblit në jetën e një çifti. Leo Buscaglia ka këshilluar dikur:”Kujdes,mos bëni që njëra nga kafetë të lihet e papërfunduar.Kjo do ta prishë krejt ditën tuaj”. 

foto1.jpg
Për dreq kjo është shumë e vërtetë,aq sa menjëherë më sjell ndërmend kafenë e mëngjesit të Jacques Prevert.Kafeja shpërndan aromën e pakrahasueshme nga kuzhina në gjithë shtëpinë dhe nga banaku i një lokali,tek çdo tavolinë. Të fortë janë ata që I rezistojnë tundimit. Në Radion abc,ku punova për më shumë se 10 vjet,programi im i mëngjesit titullohej “Dolce cafe”,në ato kohë kafenë e pija të ëmbël.Ndjesitë më të bukura ishin sigla me fjalën “kafe”,gazetat e mëngjesit dhe një kafe e vërtetë në studion e radios. Më pëlqente të mendoja se edhe dëgjuesit e mi ishin duke pirë ndërkohë kafenë e parë të ditës.E kështu,duke mbaruar filxhanin e kësaj pasditeje,kuptoj sa shumë e dashkam kafenë. Madje,dua fort edhe dy fotografi;njëra tregon një filxhan të bardhë,të thyer, të cilin e kanë lidhur me tel. Aty pinin kafenë e siguruar me mijëra mundime,disa të burgosur në kampin e përqëndrimit në Aushvic. Kurse fotoja tjetër tregon një grua,mbi gërmadhat e shtëpisë se saj,pas përfundimit të Luftës në Europë. Ajo mban në dorë një filxhan kafeje.Është tronditëse. Të njëjtën skenë përshkruan edhe Remarku tek “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”. Kafeja i është dashur njeriut në çdo kohë,për shkak të vetive që përcjell:ripërtëritje,zgjim,frymëzim,energji dhe dëshirë për të vazhduar…
Ekspresi është në Itali siç është shampanja në Francë.Italianët e marrin shumë seriozisht kafenë.Që nga romakët e vjetër,tradita e tyre vjen duke u sofistikuar. Fjalori italian për kafetë është një botim më vete.Kubanezët e duan kafenë e tyre.Ajo serviret e fortë, e zezë dhe me ëmbëlsinë tipike të kafesë se maleve Sierra Maestra.Në Costa Rica,që prej një dekreti të vitit 1840,nëpër rrugët kryesore të vendit,kafeja serviret falas.Etiopia është vendlindja e kafesë. Atje kafeja serviret me rituale të veçanta,të paharrueshme për turistët.Kafeja në Melbourne të Australisë,trumbetohet si ndër më të mirat në botë.Kafenetë atje janë shumë të popullarizuara dhe për vendasit,një kafe konsiderohet e shenjtë,mjafton të shoqërohet me gazetën ose me disa miq të mire.Në Amerikë,në Seattle,kafeja është forma më e mirë e ngushëllimit gjatë ditëve të pafundme me shi. Zgjidhja për ta mbetet Starbucks-I.Kafeja turke,vitet e fundit çuditërisht,nuk preferohet dhe aq në atdheun e vet,në Turqi.Megjithatë,kur serviret,ajo shoqërohet me llokume me arra.Vjena,në Austri,mbahet si qyteti që ka një numër tronditës të kafeve-shtëpi,ku secila ka stilin e vet në shije dhe shërbim.”Macja e zezë”,El Gato Negro, është një nga kafenetë më historike në Buenos Aires. Ajo ishte fillimisht një dyqan erëzash,themeluar nga një koloni spanjolle në vitin 1929.Teksa ecën brenda saj,mund të ndjesh përzierjet e aromave në ajër.Në Greqi,kafeja Ness është më e popullarizuara.Kafe e fortë dhe energjike,që mjafton për të përballuar ishujt e mrekullueshëm të Egjeut.Në pak fjalë,gjithë bota është e mbushur me histori kafesh e kafenesh.E kam të pamundur t’i përmend të gjitha.
Subjekti ishte kafeja. Kafeja e mëngjesit,mendimi i parë,aroma e parë,shija e parë.Këtë vetëm kafedashësit mund ta kuptojnë. Madje,me sytë nga dritarja,ka raste që mezi presim të zbardhë,për një kafe mëngjesi…
© NASTILA MANO
TETOR 25,2011
-USA-

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)