Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi

Evropa e Bashkuar   nga ideja deri te realizimi




Në këtë studim shkencor, në veçanti janë hulumtuar përpjekjet e mendimtarëve për një Evropë të Bashkuar, në shekullin XIX dhe XX, si: Sen Simon-it, Viktor Ygo-së, Adam Smit-it, Lorimer-it, Jozef Prudon-it, Kudenhov Kalerg-it, Eduard Herio-së, Aristid Brian-it...


Prof. dr. Lazar Lazarov për librin e botuar nga Dr.sc. Zeqirja Rexhepi, vlerëson se: vepra e autorit Doc Dr. Zeqirja Rexhepi, Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi është një studim shkencor, që merret me çështjen e zhvillimit dhe jetësimit të idesë së kahmotshme, të ideologëve dhe mendimtarëve të shumtë për bashkimin e popujve evropianë, filluar nga zanafilla e idesë evropiane e deri më sot. Është me interes të jashtëzakonshëm për njohjen, sado pak të procesit evolutiv të idesë evropiane nëpër shekuj, proces që është në zhvillim e sipër.

Në këtë studim shkencor, në veçanti janë hulumtuar përpjekjet e mendimtarëve për një Evropë të Bashkuar, në shekullin XIX dhe XX, si: Sen Simon-it, Viktor Ygo-së, Adam Smit-it, Lorimer-it, Jozef Prudon-it, Kudenhov Kalerg-it, Eduard Herio-së, Aristid Brian-it... 

Autori, në këtë vepër me të drejtë potencon se ideja e Evropës së Bashkuar fillon të konkretizohet vetëm pas tragjedisë së popujve evropianë në luftërat botërore, pas të cilave vjen tek vetëdijesimi i tyre, në veçanti të atyre që gjatë të kaluarës historike ishin përpjekur për dominim në kontinent. Pra, me Evropën e Bashkuar fillon një etapë e re historike – ajo e bashkëpunimit të popujve, fillimisht në sferën ekonomike e më pas edhe në sferat tjera. Sot, Evropa e Bashkuar - Unioni Evropian, është një realitet i gjallë që zhvillohet në kahe të mirëqenies ekonomike dhe politike të popujve evropianë, për këtë dëshmon procesi i zgjerimit të saj me vende të reja. 

Autori, konstaton se ideja për një Evropë të Bashkuar do të mbetet e parealizuar po qe se ky projekt ndërpritet së zgjeruari. Andaj, sipas tij, përpos vendeve të Ballkanit, në këtë projekt duhet bërë vend edhe për vendet tjera evropiane, siç janë: Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia, pra atëherë do të realizohej në tërësi ideja e filozofëve për një Evropë të Bashkuar. 

Autori i veprës Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi, konstaton një optimizëm të theksuar për unifikimin e tërësishëm, duke u nisur nga fakti se, civilizimi evropian është ngopur me tragjedi, ndërkaq kthimi në të vjetrën nuk do të thotë asgjë tjetër përpos një tragjedi të re me përmasa shkatërrimtare. Nisur nga ky fakt, autori në veprën e tij hedh poshtë kategorikisht zërat pesimistë, për dështim të projektit “Evropa e Bashkuar”. 

Vepra, Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi, do të mbetet në shërbim të opinionit, si: studentëve, historianëve, politikanëve dhe të gjithë atyre që dëshirojnë të njihen me projektin më madhështor të qytetërimit evropian – Evropa e Bashkuar. 

Doc Dr. Zeqirja Rexhepi
   Doc Dr. Zeqirja Rexhepi

Ndërsa, doc. dr. Fehari Ramadani, thekson se Vepra e autorit Doc. dr. Zeqirja Rexhepi, Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi, është e një rëndësie të veçantë, sidomos për faktin se ai jep një pasqyrë të plotë të zhvillimit të idesë për një Evropë të Bashkuar, që nga periudha e antikitetit dhe deri te realizimi i saj, pas Luftës së Dytë Botërore.

Autori ka arritur me mjeshtri të pasqyrojë evoluimin e procesit për bashkimin e popujve të kontinentit të Evropës, duke prezantuar idetë e personaliteteve të shquara të historisë botërore, që nga periudha e antikitetit e deri në kohën më të re. Sipas autorit, Bashkimi Evropian, sot shihet si vend i shpëtimit për çdo evropian, në radhë të parë nisur nga aspekti ekonomik dhe politik. Prandaj, synim i secilit popull të kontinentit të vjetër është integrimi në BE.

Krijimi i “Evropës së Bashkuar”, dëshmoi se francezët dhe gjermanët, dy popuj që kishin luftuar për vite të tëra kundër njëri tjetrit, shumë më lehtë mund t’i realizonin interesat reciproke duke bashkëpunuar midis tyre sesa duke luftuar. Kjo duhet të shërbejë si model edhe për të tjerët.

Autori me një stil shumë të kuptueshëm dhe të rrjedhshëm pasqyron gjithë procesin e krijimit dhe të zhvillimit të Bashkimit Evropian, që nga vitet 50-të, të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Ai në mënyrë të veçantë pasqyron zhvillimin e institucioneve evropiane.

Bashkimi Evropian, për autorin, paraqet një Bashkësi të shteteve dhe popujve, të cilët kanë synime të përbashkëta. Sipas tij, në perspektivë, në BE do të përfshihen të gjithë Evropianët. Ai shpreh bindjen se në të ardhmen institucionet e BE-së do të fuqizohen edhe më tepër, duke hartuar edhe një Kushtetutë, duke i përsosur institucionet e përbashkëta për politikë të jashtme dhe sigurisë, qeveri të përbashkët...

Ky studim është hartuar me një strukturë të logjikshme dhe të qëndrueshme, duke respektuar me përpikëri aspektin metodologjik. Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi, është rezultat i punës kërkimoro-shkencore të autorit, i cili ka shfrytëzuar shumë studime paraprake rreth kësaj çështje. 

Autori ka analizuar dhe sistematizuar një varg të dhënash që lidhen me idenë procesin të krijimit të BE-së, e që janë pak të njohura jo vetëm për opinionin e gjerë, por edhe për qarqe shkencore.

Mënyra e strukturimit dhe e hartimit të veprës në fjalë, stili i përshtatshëm dhe gjuha e pastër që përdor autori, rrisin edhe më tepër vlerat e saj.

Evropa e Bashkuar nga ideja deri te realizimi, do t’u shërbejë studentëve të shkencave shoqërore si dhe opinionit më të gjerë, i cili ka interes të njihet me idetë dhe procesin e krijimit dhe të zhvillimit të Bashkimit Evropian.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit