Agjencioni floripress.blogspot.com

2011/12/31

CORRIERE DELLA SERA, 31.12.1940 – “LA MORTE DI GIORGIO FISHTA” (Vdekja e Gjergj Fishtes)

























Tue shfletue nji liber të vjeter mbi Historinë e Shqipnisë, gjeta rastësisht nji copëz të preme të gazetes ma të madhe italiane “Corriere dell Sera”- 31 dicembre 1940 , në të cilen bahej ky njoftim: “La morte di Giorgio Fishta – il poeta nazionale albanese” (Roma 30 dicembre).
Këtë e skanarizova dhe e përktheva shqip:

“Vdekja e Gjergj Fishtes – poeti kombtar shqiptar” (Rome me 30 dhjetor)

Erdhi lajmi nga Shkodra që per shkak të nji goditje zemre ka vdekë sot në mengjes At Gjergj Fishta i Urdhnit Françeskan (OFM), akademik i Italisë dhe shkrimtar i shquem shqiptar.
Fishta, i lindun në afersi te Shkodres ne vitin 1871, mbaroi studimet fetare në Bosnje dhe u kthye në atdhe mbasi u shugurue meshtar. Në Shkoder themeloi shkollen françeskane dhe filloi botimin e së përkohshmes “Hylli i Drites” . Të shumta jane botimet kulturore dhe letrare të cilave u dha jetë dhe zhvillim ky rregulltar. Poemat e tij, krijimet dramaturgjike dhe shkrimet e tij qyshe ne fillim u drejtuen në pergjithesi per dhanjen e impulsit të zgjimit të ndergjegjes patriotike shqiptare. Si drejtor i Shkolles Publike të françeskanve në Shkoder futi aty gjuhen kombtare qysh nga viti 1902, kur ajo ishte e ndalueme rreptesisht nga Qeveria osmane.
Mbas lëshimeve te kushtetutes turke të korrikut 1908, shqiptarët, te cilet kishin luejt nji rol me randesi në atë revolucion, deshten të mblidhshin forcat intelektuale dhe ti perfshijshin në nji bashkësi të perbashkët, por veshtirsia e parë në të cilen ndeshën ishte unjisimi i alfabetit. Në Kongresin shqiptar të mbledhun per këtë qellim mori pjesë At Gjergj Fishta, i cili ia arriti që të bante që alfabeti latin të pranohej, i cili ma vone u ba i perbashket dhe zyrtar per të gjithë Shqipninë.
Mbasi u ba nji nder eksponentet kryesor të Shqipnisë së ringjallun, ai morië në Konferencen e Paqes në Paris dhe ma vonë u emnue deputet dhe zevendes- president i parlamentit. Në shenj mirenjohje si mik i sinqert i Italise, per meritat e tija ndaj vendit të vet dhe per vlerat e botimeve të tij, u ftue në majin e shkuem me marrë pjesë në Mbretnore të Italisë.
Nder publikimet e shumta të At Gjergj Fishtes kanë randësi krijimet poetike të frymzueme në pergjithsi prej legjendave shqiptare dhe të prime me perkujtue ndjenjat kombetare. Veç poemes në tridhjet kangë të titullueme “Lahuta e Malcise” , ai ka shkrue hymne kishtare, lirika të ndryshme dhe satira me karakter politik.
Luigi Federzoni ka marrë masat që Akademia e Italisë të ketë perfaqesuesin e vet në funeral, dhe i ka dergue telegram ngushllimi familjes, kryeministrit të Shqipnisë, ministrit të Arsimit të Shqipnisë, parisë së etenve françeskan si dhe “Institutit Skenderbeg”, antarë i të cilit ishte i ndjemi i shquem.”
Përgatiti PAUL TEDESCHINI

2011/12/29

Alida Hisku, shkelqimi dhe renia e nje ylli



                 Flori Slatina
 Alida Hisku, një emër që ka bërë hisotri, një yll që shkëlqeu sa një meteor. Ajo hyri me bujë në muzikën shqiptare, fuqishëm, duke fituar radhazi, në moshë të re, dy festivale të këngës, mori pjesë në tetë festivale dhe intepretoi për tetë vjet me radhë këngën e bukur popullore, këngën e lehtë, mori pjesë së dhjetra koncerte zyrtare dhe pubike, në Koncertet e Majit, në anketat muzikore të radios, disa çmime, etj, etj. 

Një histori e shkurtër e këngëtares që u largua dhunshëm nga kënga, duke i  prerë në mes ëndrrën e saj, e cila filloi bukur dhe si askush tjetër. Nëse udha e saj nuk do të ishte prerë në vitin 1980, ajo sot do të kishte në karrierën e saj disa çmime e me dhjetra e qindra këngë. E megjithatë ajo, në aq pak kohë, ndërtoi një emër që s'harrohet lehtë, jo vetëm nga ata që patën fatin ta dëgjojnë, por edhe nga ata që kanë lindur vonë, e që do të lnidin në vazhdim.

Alida Hisku, ka mbi 23 vjet që nuk këndon më. I mjaftojnë vetëm kujtimet dhe mirazhet e saj, këngët që i la në mes e që i këndoi në heshtje për vite me radhë. Prej mëse një dekade, ajo jeton në Gjermani, me mallin e kujtimet e një kohëe të bukur...
 30 vjet më parë
 
30 vjet më parë, në 1973, menjëherë pas dënimit të Festivalit të famshëm të XI, në skenën e Festivalit të 12-të do të ngjitej një vajzë e re, ende në shkollën e mesme. Në natën e parë të festivalit Alida do të këndonte këngën e kompozitorit Josif Minga "Si agim i kuq", ndërsa në natën e dytë Shoku ynë" të kompozitorit I. Spahiu. Dhe simpatia u rrit për të.

 Kritikia e pëlqeu paraqitjen e saj, simpatike, me një zë të veçantë dhe plot freski. I ndjeri kompozitor Gjon Simoni, për këtë festival dhe për praninë e Alida Hiskut do të shkruante "Në skenën e festivalit u pa qartë se po fitojnë fizionominë e tyre edhe interptueset e reja të këngës, siç janë Alida Hisku, Thëllënxa Akcani, Lindita Sota, Suzana Qatipi, etj".
Por asuksesi i Alida Hiskut do të vinte një vit më pas. Në Festivalin e 13‑të, Alida Hisku merr çmimin e parë me këngën "Vajzat e fshatit tim". Kënga pati jehonë dhe motivet e saj mbahen mend e këndohen edhe sot e kësaj dite pas 30 vjetësh. Në këtë festival Alida Hisku këndoi edhe këngën e kompzitorit Kastriot Gjini "Nëpër ditët tona".
Dhe shtypi përsëri do të shkruante për Hiskun: "Ishte i freskët me nuanca popullore e me temperament interpetimi i këngëtares së re të talentuar Alida Hisku në këngën "Vajzat e fshatit tim", të Enver Shjnëgjergjit, me tekst të Zhuliana Jorganxhiut".
Tashmë Alida Hisku kishte fituar popullaritetin e saj dhe këngët këndoheshin nga jugu në veri, nga qindra e mijëra dëgjues të radios e ata pak teleshikues që kishin nga një televizor bardhë e zi, kryesisht në Tiranë.
Por një vit më pas shprëthen prësëri Alida Hisku. Përsëri çmim i parë. Kësaj vere me këngën "Buka e duarve tona", të Kujtim Laros, me tekst të Xhevahir Spahiut. Po në këtë festival këndoi edhe këngën "Dasëm në fshat" të kompozitorit Agron Xhunga, me tekst të Ismail Kadaresë.
Alida Hisku u cilësua si një këngëtare e denjë e këngës sonë, me një dinjitet artistik.
Më pas, deri në festivalin e 20‑të Alida Hisku do të këndonte edhe këngë të tjera, do të merrte çmime të dyta e të treta dhe disa nga këngët e saj të suksesshme si "Këngët e rinisë", "Kasollja e Galigatit", "Ti që ke në sy lirinë", "Njerëzit e agimeve", "Flaka e betimit" etj, do të jehonin për disa kohë, derisa do të vinte edhe dënimi.
Thuihej shpesh e me mburrje se Alida përfaqësonte më së miri edhe klasën puntore. Kjo i leverdiste më mirë regjimit.
Dënimi... 
Një nga këngët e saj në festivale është edhe kënga "Me dy plagë lufte hyre në parti". Një këngë, që nuk pati sukses, por  më vonë pati koston e saj. Partia kur të donte, të ngrinte lart e kur donte të të gosdiste, të ulte aq poshtë, edhe pse dikur kishe qënë dikush. Shembuj në art kishte sa të duash, në të gjitha kohët e në çdo fushë. Suksesi i Alida Hiskut, si një këngëtare që vinte nga klasa puntore, ishte i dukshëm. Patjetër që partia duhej ta mbante afër. 

I propzuan të futej në parti dhe i dhanë një bursë në shkollën e partisë. Një artiste e madhe dhe një vajzë e re nuk mund ta kuptonte skusesin e saj pa qënë afër partiesë, madje, pse jo, në gjirin e saj. Por nuk e konceptonte ashtu jetën dhe të qënit në parti vetë Alida. Pas 20 vjetësh, disa kolegë të saj kujtojnë se Alida ishte paksa rrebele, i pëlqente të bënte atë që dëshironte dhe nuk pajtohej kollaj me mediokrteitin. 

Ndoshta naiviteti dhe çapkënllëqet e moshës e morën në qafë. Shkas për dëbimim dhe fundin e karrierës së saj u bë një ditar, një ditar personal, që Alida e mante edhe gjatë paktikës në Sarandë. Xhelozia profesionale, apo ndonjë shkak tjetër banal, bënë që ky ditar të bjerë në duart të partisë. Dhe partia nuk mund ta gëlltiste kaq kollaj, me vërejtje apo me autorktika. Pastaj kishte kohë që në art nuk kishte dalë ndonje grup armiqësor dhe këto dënime i bënin mirë artistëve, të cilët e shikonin si masë se deri ku do të sdhkonte hapi i tyre.
Këtu mori fund karriera e saj. U shua një meteor, një këngëtare e cila mund t'i kishte dhënë shumë këngës shqiptare. Megjithatë ajo sot renditet me dinjitet ndër këngëtaret që kanë bërë histori e kanë lënë emrin në librin e artë të festivaleve, si fituese e dy herë çmimit të parë dhe dy herë radhazi, çmim që e kanë fituar vetëm Vaçe Zela, Tonin Tërshana, Elsa Lila, e më pas veç e veç edhe Nertila Koka, Mira Konçi, Parashqevi Simaku, Ardit Gjebrea, Manjola Nallbani.
 
Nuk ka rëndësi heshtja që ka zgjdheuyr këngëtarja e viteve 70‑të. Ishte koha tjetër. Tashmë janë të tjera kohë. Shtypi shqitpar   nuk ka shkruar për të. Të tjerët e kanë harruar. Por jo të gjithë... Ajo jeton prej vitesh në Gjermani. Ka jetën e saj, por një pjesë të mirë e la në Shqipëri, atu ku ëndrat mbeten në mes e ku shpresa ngelet vetëm shpresë...Të kishte mundësi ta niste edhe një herë jeten nga e para, o Zot, sa gjëra do kishte bëre ndryshe....!
 
Alida Hisku
 Ja zëri më i freskët i këtij ansambli, zëri i një vazje që akoma nuk i ka mbushur të 19 pranverat e jetës së saj, trashëgimtare e denjë e solistëve më të pjekur të kësaj trupe artistike, e cila kuido ku ka debutuar, ka korrur sukses të merituar. Alida bëri një karrierë të rrufeshme si këngëtare, nga skena në skenë, nga festivali në festival, erdhi gjithnjë në rritje, duke u ngitur e duke u vlerësuar nga dëgjonjësit. Incizimet e shumta të bëra nga ajo, brenda një kohe shumë të shkurtër, dëshmojnë nga ana kualitative për zërin e saj të bukur, emocional e plot vitalitet. Ajo shquhet së tepërmi si në intepretimin e këngës popullore, ashtu edhe në atë të muzikës së lehtë. Eshtë interesante se Alida megjithëse nuk ka një përvojë skenike të konsiderueshme, për shkak të moshës së saj të re, ajo është aq e natyrshme dhe e sinqertë në skenë, duke e zotëruar atë në mënyrë më profesionale. Kjo bijë e këtij ansambli ka një repertor mjaft të zgjedhur  dhe të pasur, me larmi të madhe krahinash, të tokës shqiptare. Megjithëatë, që e re si këngëatare, për merita vokale, është fitonjëse e njëpasnjëshme e çmimeve të para në shumë konkurime e festivale kombëtare. Eshtë një zë që premton dhe që do ecë përpara.
 (Nga karakteristika që  ka lëshuar Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore më 1976)  

“ ALIDA! NA SILL SA MË SHUMË CICËRIMA PËR KOPËSHTIN TONË”


 
Kjo është SMS që e ka zgjuar nga gjumi në agimin e natës së dytë të Festivalit Kombëtar në Radio Televizion, këngëtaren tonë të njohur Alida Hisku.
SMS e dërgonte numuri i saj më i dashur i celularit – ai i bashkëshortit të saj gjerman, mjek I njohur okulist, Thomas Keune.
Alida Hisku , si ka marrë ftesën zyrtare nga organizatorët e festivalit tonë të pesëdhjetë; si e ka marrë atë përmes telefonit nga muzikanti I shquar Shpëtim Saraçi që ia kishte dhënë miku i të dyve, I njohuri dhe që bëri skup të veçantë në performancën e  tij të natës së parë, Bashkim Alibali, është sulur të siguronte biletën e linjës Frankfurt – Rinas.
Në skenarin e festivalit, shkrojtur nga Pandi Laço, është parashikuar që të këndohen që të gjitha këngët fituese të çmimeve të para gjatë të të pesëdhjetë festivaleve të organizuar deri tani në vëndin tonë. Dhe, njëra nga këngëtaret fitueset dhe e vetmja që ka udhëtuar qënga larg atdheut, është pikërisht Alida. Ajo në festivalin e 13 ka fituar vëndin e  parë me këngën e Enver Shëngjergjit dhe lirikën e Xhuliana Jorganxhiut “ Vajzat e fshatit tim”. Besoj që u kujtohet në masë që të gjithë ndjekësve të panumurt të festivaleve tona dhe të muzikës sonë të lehtë në përgjithësi, zëri “pushkë”, I pastërt si ujët e një katarakti, gjith freski dhe dashuri për vrullet e jetës i Alidës Kushedi se sa djem e bënë atë këngë sinjal takimesh me të dashurat e veta; ishte shumë e asimilueshme dhe, sidomos, e freskët, pafundësisht e freskët dhe  zbukuruar nga zëri pranveror I vajzës së re.
Alida Hisku ka provuar, si askush, të këndojë në një festival kombëtar në moshën 13 vjeçe, në klasën e shtatë dhe pat fituar çmimin e dytë me këngën “Portret heroine” dhe, që atë kohë e deri sa rrodhi drama e saj e njohur, ajo ka të regjstruara në Radio Tirana një numur prej 74 këngësh.
Edhe në Gjermani, ku ka ngritur folenë e saj, ajo ka vazhduar t’I mbajë të shënjta lidhjet me atdheun e saj. Para disa kohësh, ajo ka përuruar një CD me këngë të saja të titulluar “Kthimi”, ka shkruar një roman biografik që është përkthyer me shumë sukses edhe në gjuhën gjermane, por, edhe ka ngritur një grup të vogël që këndon dhe jep koncerte të suksesëshme nëpër Gjermani. Kompleksi muzikor i ideuar nga Alida jonë quhet “Melodi Rain” ( Melodia e ylberit) dhe ka 5 femra që këndojnë dhe u bien vetë instrumentave. Secila nga artistet, përfaqëson një continent – ka , pra, nga Kina, Brazili, Afrika, Portugalia dhe Albania. Alida në të gjitha rastet kur japin koncerte,dhe koncertet zakonisht I japin në prezencën e 400 – 500 spektatorëve gjermanë, këndon vetëm këngë shqip; këngë të repertorit të saj, por edhe ata të reportorit të idhullit të saj, Vaçe Zelës si, “Lemza”, “Moj e bukura More”, “Këngët e vëndit tim”.
Pyetjes sonë, se si e kanë pritur lajmin e gëzuar se ajo ishte e ftuar të këndonte në të njëjtën skenë ku ka kënduar në moshën 13 vjeçare; si e kanë pritur  njerëzit e saj më të afërt, ajo iu përgjigj kështu:
“ Antaret e ansamblit u gëzuan shumë se dikush nga grupi I tyre do të këndojë në një jubile kombëtare. Vajza, Alina, 16 vjeçare më tha “Maaa, na ndero si 30 vjet më parë”. Djali, këngëtar shumë I mirë, hahahah, si unë, Albani 27 vjeçar m’u angazhua se do t’i bënte ai që të gjitha punët e shtëpisë derisa të kthehem unë. Kurse Thomi? Hahahahah….Me puthje të çmëndura…Dhe me këtë SMS…ja ku e kam!”
     Alidën e takuam në kafenenë e Radio Tiranës. Ajo fluturonte , qeshte me të gjithë, I puthte ngado që vinin ta takonin, betohej për “shpirtin e ” se do të paguante të gjitha kafetë vetëm ajo dhe, në tërësinë e saj, I ngjante një trofte që e kanë lëshuar në ujrat e saja ku është rritur
 
     RIZA LAHI

Lazer Valteri : ERDHI KOHA




 
Ditë e ngrohtë, ditë me diell,
bëhem akullnajë.
Ditë e ftohtë, ditë e errët,
më djeg si një zjarr.
I shëmtuar, i përlotur,
mbetur gjithmonë larg.
Zemërdjegur , zemërsosur
mbytur në uj’ pak.
As më linde ti, e dashur,
mbi detin plot dallgë?
Je ciklon, jam një varkë,
që një jetë po çaj.
Folmë dhe pse zemëruar,
pyetmë në jam gjallë!
Të kam dashur dhe të dua,
jam fëmijë i rrallë.
........
Sa në jetë kam dëgjuar,
që fëmijët s’dëgjojnë.
Erdhi koha, që dhe nëna
bijtë t’i harrojë.

VITI I RI 2012 DHE NJË BOTË E RE QË PO FILLON!

Adnan Abrashi është nga Prizreni. Lindi me 21.12.1957 . Shkollen fillore dhe ate te mesmen e kreu ne vendlindje, ndersa me 1982 diplomon ne Fakultetin Juridik te Universitetit te Prishtines. Me te diplomuar, perkatesisht qe nga viti 1982 punon si sekretar i ndermarrjes grafike-botuese “RAMIZ SADIKU” ne Prizren. Per shkak te bindjeve te veta atdhetare, ne vitin 1992 perjashtohet nga puna si i papershtatshem politikisht.

Qe nga vitet e shkolles se mesme, por edhe sot e kesaj dite, eshte marre dhe vazhdon te merret me studimin dhe trajtimin e fenomeneve te ndryshme parapsikologjike. Qe nga kjo kohe ka bashkepunuar me shume revista. Ishte njeri prej themeluesve te pare te revistes mujore “ASTRA”, qe botohej ne Prizren, e vleresuar si reviste e pare gjtheshqiptare e specializuar per trajtimin e temave psikologjike, filozofike, parapsikologjike, metafizike… Nje kohe te gjate, ka bashkepunuar me mjaft sukses edhe me revisten HOROSKOPI, qe botohej ne Prizren . Dy vitet e fundit eshte duke bashkepunuar me revisten “KOSOVARJA” .

Herë pas herë bashkëpunon edhe me redaksin Floart-Press dhe Floripress.








adnan_abrashi[1]Ashtu sikurse është karakteristikë kudo në botë, ditëve të fundit të vitit që po e lamë pas, hapësira jonë mediale ishte e dominuar me lajme nga konferencat përmbyllëse për shtyp të institucioneve shtetërore dhe udhëheqësve tanë të lartë politik. Duke u ngopur me lëvdatat e tyre shabllonistike dhe boshe për sukseset e arritura gjatë vitit, në fund, qeshesha ëmbël në vete dhe çdo herë spontanisht nga goja më dilte ajo pyetja e ime alegorike si shprehi: “Allahile, çka jeni në horoskop”?
Vërtet, ky gjest nga dikush mund të merret si një ves infantil fëmijëror, por ai për mua  kishte një domethënie të prejardhjes. Gjithmonë kur në rrethin e shoqërisë sime të ngushtë, ndonjëri fillonte të teproj me krekosje dhe lëvdata për vete, për ta ndërprerë të vazhdoj më tej me këtë avaz, paralajmërimi i bëhej duke e pyetur me ndërhyrje: “Çka je bre ti në horoskop”?!. Kjo formë e shprehisë së ndërprerjes ndaj dikujt që flet dokrra, kohën e fundit më ishte instaluar si një ves i keq, andaj këtë mënyrë pak sa të pahijshme, e praktikoja edhe në vende dhe situata të tjera jo aq intime. Çuditërisht, me kohë, ky ves i reagimit të këtillë, nuk më shfaqej vetëm kur dikush ishte aty për aty prezent, por instinktivisht e thoja atë në vete edhe gjatë leximit të ndonjë artikulli në gazetë, apo, kur dëgjoja ndonjë lajm alla dokrra dhe kopalla në televizion. 
Sipas një llogarie time të bërë si bilanc, këtë pyetje ironike në vete, gjatë vitit që po e lëmë pas, më së shumti ia kam bërë politikanëve tanë, dhe atë: Hashim Thaçit, Hajredin Kuqit, Edita Tahirit, Behxhet Pacollit, Mimoza Kusarit …
Sido që të jetë, jeta vazhdon! Fundviti para-festiv i ndarjes së dy mot-moteve nuk është vetëm rast i përshtatshëm për prezantimin e të arriturave njëvjeçare në një fushë apo sektor të caktuar, por edhe mundësi e parashikimit të aktiviteteve dhe ngjarjeve të ardhshme që mund të na ndodhin në vitin që po vjen. Dhe... sipas të gjitha gjasave, si  në planin global, ashtu edhe shoqëroro-politik në vend, viti 2012, do të jetë një vit i bujshëm në çdo aspekt....

Apokalipsi 2012?!

Mbështetur një disa informata të përhapura më parë në publicistikën botërore, të cilat tek shumica e njerëzve me karakter supersticioz veç kanë shkaktuar frikë, panik dhe ankth të panevojshëm, se, 21 dhjetori 2012, do të jetë viti i apokalipsit të botës, kataklizëm kjo që mendohet se është parashikuar sipas një kalendari parathënës të vlerësuar si tejet të saktë të civilizimit të lashtë botëror - MAJA. E përmenda jo rastësisht këtë ngjarje, sepse, mu kjo besëtytni aq e përhapur si shqetësim kolektiv, mendoj se gjatë gjithë vitit 2012, detyrimisht do të jetë temë boshte e preokupimit edhe më të fuqishëm mediatik në tërë botën.
Në të vërtetë, civilizimi i hershëm MAJA, i cili ka ekzistuar që nga 500 p.e.s , ndërsa kulmimin e zhvillimit të vetë e ka arritur në vitet 250 - 900 e.s., ka qenë i shtrirë në një hapësirë gjeografike të kontinentit të sotëm të Amerikës Qendrore (në mes të Guatemalës, Belizesë, Hondurasit dhe Salvadorit të sotëm). Me një forme të përsosur të organizimit shtetëror - administrativ,  MAJAT, për kohën e vetë,  kanë qenë një popull tepër i zhvilluar dhe shumë i përparuar në çdo aspekt të dijes: ishin njohës të mirë të matematikës, astronomisë, arkitekturës, e mbi të gjitha, sot më së shumti përmenden si përpilues të një kalendari që sipas kohëzgjatjes parashikuese përfshinë një periodë prej 26 mijë vjet. Në të, në mes të shumë ngjarjeve saktësisht të parapara, disa deshifrues të tij pretendojnë se ky civilizim i lashtë, pikërisht në ditën e 21 dhjetorit  2012, ka parashikuar se do të ndodh shkatërrimi i botës (apokalipsi). E vërteta është se, me këtë datë, ky kalendar e përfundon ciklin e vet të gjatë parashikues 26 mijë vjeçar, por aty askund nuk figuron se fundi i saj, njëkohësisht nënkupton edhe shkatërrimin material të botës. Në fakt, aq është manipuluar me këtë kalendar në opinion, saqë, sot me të nuk merret vetëm publicistika senzacionaliste botërore, por rreth interpretimit të saj, me të madhe është sfiduar edhe shkenca e jonë reputative oficiale.
Shikuar realisht, vërtetë deri më 21 dhjetor 2012 diçka do të ndodh në botë. Diçka si shkatërrim, transformim dhe zhdukje, por jo në aspektin fizik- material sikurse komentohet, por kjo rilindje do të jetë pikërisht në shpirtin kolektiv të njerëzimit.
Civilizimi i lashtë MAJA ka qenë një etnitet i lashtë me mentalitet tërësisht intuitiv dhe jo/materialist. Ata, të gjitha ngjarjet që ngjanin në realitetin tonë objektiv, i kanë konsideruar si trysni të proceseve të ndodhura në planin tjetër paradoksal jo/material të esencës tonë objektive (shpirtit), andaj, sado që të jetë e saktë kjo profeci e tyre, NE detyrimisht asaj duhet t’i qasemi nga një këndvështrim metafizik (jo/material).
Gjegjësisht, edhe nëse aty ka diçka të vërtetë, kalendarin në fjalë duhet ta interpretojmë si zhdukje dhe shkatërrim, PO, por të njëmendësisë tonë të gjertanishme të gabuar kolektive mbi botën dhe realitetin e saj; si ringjallje, ardhje e kohës së duhur për veprim të përbashkët kundër sundimit të pakicës tejet të pasur, nga njëra anë, dhe shumicës e cila dita më ditë varfërohet në botë, nga ana tjetër... Pra, sipas këtij kalendari parashikues, viti 2012 mund të jetë një vit i kulmimit të rebelimit kolektiv drejtë një emancipimi revolucionar shpirtëror të gjithë njerëzimit... E, nëse realitetin e tashëm global e vështrojmë ndryshe dhe nga një këndvështrim tjetër, do të shohim se ky ndryshim kolektiv kuantitativ dhe kualitativ shpirtëror, veç ka nis të ndodhi kudo në botë. Vetëm shikoni: “Pranverën arabe”, lëvizjen “Occupy Wall Street”, që shpejt morri përmasa globale, kriza e madhe financiare që e ka kapluar kohën e fundit eurozonën dhe e cila me shpejtësi të madhe po reflektohet edhe në shtetet tjera të këtij kontinenti në dukje me stabilitet të qëndrueshëm financiar (Itali, Spanjë, Portugali...), nisja e protestave masive kundër manipulimit me zgjedhje në Rusi...etj.

E në Kosovë...?

E në Kosovë sikur bota nuk sillet fare si gjetiu?! Por, si duket, në vitin 2012, edhe tek ne ajo do të filloj të sillet. Edhe pse disa herë të shpallur si popull të durueshëm dhe më optimist, në vitin 2012, as ne nuk do të jemi indiferent kundrejt këtyre lëvizjeve populliste që veç kanë filluar të kaplojnë tërë botën. Pra, as ne gjatë vitit vijues nuk do të kursehemi nga “ndodhja e popullit”.
Edhe pse, ndoshta i ndikuar nga një trend botëror në rritje, shprehja kolektive e pakënaqësisë përmes kësaj forme, për ne kosovarët do të vijë në një teren të gatshëm dhe të parapërgatitur mirë me kohë, sikurse është: papunësia e madhe, varfëria, korrupsioni, hajnia, nepotizmi, mediokriteti dhe servilizmi pushtetar, morali i degraduar tej mase  të shoqërisë në përgjithësi…Të gjitha këto dukuri shoqërore negative në rritje, dita-ditës  po e demaskojnë fytyrën e vërtetë të kësaj politike dhe të këtij koalicioni në pushtet.
E kjo rrënje graduale e kredibilitetit të saj, në vitin 2012, do të vazhdoj me një ritëm edhe më të shpejtuar. Andaj, përballë gjithë kësaj të keqeje që na ka kapluar si shoqëri, ndjenja e ardhjes së një stuhie të madhe të pakënaqësisë kaherë të akumuluar sociale, po rritet me një masë të progresioni matematikor në Kosovë. Tashmë po vërehet qartë se, tek shumica e qytetarëve, “barku i zbrazët” ka filluar të ndikoj në ndryshimin e mendimit dhe bindjeve të tyre për këtë elitë politike dhe për mënyrën e saj të gjertanishme të politikëbërjes në vend.

Zgjedhjet nacionale dhe presidenciale në vitin 2012?!

Kur nën një trysni të fuqishme ndërkombëtare, atëbotë ishte nënshkruar ajo marrëveshje e famshme në mes të 3 liderëve tanë partiak: Thaçi-Mustafa-Pacolli, nga e cila, neve si shpërblim, na doli presidentja e jonë e tashme prej zarfi, ku konstatohej se zgjedhjet për presidentin e Republikës do të mbahen diku kah muaji maj i vitit 2012, ndërsa ato të përgjithshme nacionale dhe lokale, kah fundi i vitit 2013, pak kush ka besuar në realizimin e saj si të tillë në praktikë. Sipas rrjedhës së gjertanishme të gjërave, sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve, ne, në të vërtetë, do të kemi një realitet krejtësisht tjetër në vitin 2012!
Opozita po forcohet dhe mes tyre po vërehet një bashkëpunim i heshtur dhe më i sinkronizuara i bashkëveprimit ndaj pozitës politike në pushtet. Ky synim i realizimit të një trysnie demokratike më të koordinuar opozitare, më vitin 2012, me lirimin nga të gjitha aktakuzat për krime lufte edhe të liderit të AAK-së, z. Ramush Haradinajt, nga Haga (GJNKL), do të forcohet edhe më tepër.
Pas një krize të mundshme të shkaktuar qeveritare, këto dhe shumë rrethana tjera të zhvillimeve të nxehta politike që në vazhdimësi do të ngjajnë gjatë vitit të bujshëm 2012, ato patjetër do të ndikojnë që diku në fund të po këtij viti, të shpallen Zgjedhjet presidenciale dhe së bashku to edhe ato të përgjithshme dhe të parakohshme nacionale.
Krejt në fund, të gjithë lexuesve të kësaj gazete, ua uroj nga zemra: Gëzuar vitin e ri 20012.  Nëse dikush nga ta rastësisht do të gjykoj se unë me diçka në këtë artikull e kam tepruar nga pak, atëherë lirisht mund të veproj sikur unë me at vesin tim të përshkruar në fillim, duke ma bërë edhe mua atë pyetje alegorike: “Adnan, po ti çka je në Horoskop?!

Adnan Abrashi




Nga mot GEZUAR!





KRISTAQ TURTULLI
                          Ndodh qe ka dhe  MIRËNJOHJE     

…një qese me flori…
Tendosa qafën dhe vështrova në drejtim të trekëndëshit ku lidhen tre bulevarde. Trotuari i gjerë i trekëndëshit dhe busti i irnosur nga koha i Naum Veqilharxhit, personalitetit të rilindjes qenë larë prej shiut të vrullshëm të natës. Më ngjanë si mbledhur, të mërdhirë.
E mërdhirë dukej gjithashtu  dhe silueta e një femre që qëndronte mbështetur në njërin prej gurëve rrethues e të shtufet të bustit. Në pellgjet e vegjël të trotuarit lëviznin me plogështi disa trumcakë. Gruan e mbante të mbërthyer mëdyshja e mundimshme e lëvizjes. Dy trumcakë iu afruan shumë pranë, i çukitën këpucët e vogla dhe të kafenjtë. Gruaja uli sytë dhe vështroi krijesat e brishta.
 -Mendoj se nuk është e nevojshme të vijë përsëri,- murmurita i bezdisur.
Guri i lagur prej shirave me siguri e ftohu gruan, u shkëput me nervozizëm prej vendit ku ish mbështetur. Ajo ish me trup mesatar, me flokë gjysmë të zbardhur, të mbledhura si topth prapa kokës. Dukej pak e shkuar në moshë. Shtriu pa qenë nevoja fustanin e gjatë, të errët, të modës së vjetër. Trumcakët fluturuan të trembur.
 Gruaja qëndroi pa lëvizur në cepin e trotuarit të gjerë, të shtruar me pllaka betoni dhe me pellgore të vogla. Kryqëzoi krahët lart mbi kokë sikur donte ti përfshinte të tre bulevardet dhe ti hidhte si shall në qafë. Në realitet futi një karficë të plotë në topthin e flokëve, ndoshta me ndjesinë e shpupuritjes së papritur të flokëve. Nuk lëvizi.
-Ç‘është e vërteta, klientë dua. Prandaj e hapa këtë barakë,- murmurita si për të qetësuar veten dhe vendosa në raft disa çokollata dhe mastika të tjera.
 Nuk e shkëputa shikimin prej andej. Gruaja kish qëndruar në buzë të trotuarit, ngurtësuar si busti i Naum Veqilharxhit. Era mëngjesore luante shkujdesur me një cullufe të zbardhur të flokëve të saj. Iu drejtova vetes me zë të lartë:
- Seç ka kjo femër e panjohur që më vë në siklet.
Mendova se gruaja do të bënte mirë të ndiqte rrugën në të majtë që çon lart në këndin e lojnave me dorë. Ndërtuar me gurët e gdhendur prej prishjes së katedrales së Shën Gjergjit, por të braktisur tashmë. Rruga më pas vazhdon  pranë lulishtes së Mihalit, lë në krah  spitalin e madh të qytetit. Ngjitet në fabrikën e birrës dhe përfundon lart në kodër, në fabrikën e qelqit deri tek vreshtat e zhdukura, në ish pronat e pa përfituara të familja sime.
-Blerësi është indiferent ndaj shitësit. Është i interesuar vetëm për çmimin dhe mallin e mirë, - u grinda me vete dhe pastaj shtova, - shitësi është shtojcë e parëndësishme e mallit.
Nëse dëshiron, le të vazhdojë rrugën në të djathtë që zgjatet dhe dredhon mes pallateve pesëkatëshe me tulla të kuqe, gati të ronitura, të ndërtuara me kontribut vullnetar dhe përfundon në varrezat e qytetit të Shën Triadhës.
Gruaja u shkëput me mundim prej trotuarit dhe eci me hapa të ngadalta. U ngreha dhe sa për tu gjendur në punë, rregullova çokollatat dhe mastikat  në raftin portativ. Raftin e kisha vendosur përpara barakës së vogël, ngritur shpejt e shpejt me llamarinat vjetra, te gjetura në pazarin e vjetër. Një grup fëmijë të zhurmshëm kërkuan të blinin mastika. Më përshiu puna dhe nuk pata kohë të mendoja për tjetër gjë. Çamarrokët e këndshëm  vinin çdo mëngjes dhe kërkonin të blinin mastika ku brenda të kishin lodra.
Silueta e gruas lëvizi pjerrtas disa metra larg meje. U ktheva vrulltas me bezdi të hapur. Buzëqeshja e saj ish vizuale e ndrojtur, me pafajësi çarmatosëse. Ajo u përskuq në fytyrë prej vështrimit tim të ndërkryer dhe për të mposhtur turbullimin  me duar të dredhura hapi çantën e madhe, zbërtheu zinxhirin me zhurmë dhe gërmoi në kuletën e vogël me lëkurë të lëmuar, prej andej nxori një njëqind lekëshe. Zgjati drejt meje kartëmonedhën e palosur më dysh dhe kërkoi si gjithnjë të blinte çokollatë Hilal. Pa vështruar nga ajo i zgjata çokollatën dhe tërhoqa kartëmonedhën qullur. Sa shpejt u qullkan lekët prej gishtërinjve të hollë dhe delikatë! Gruaja më falënderoi por nuk u largua. Më kot shpresova në ikjen e saj.
            -Jeni djali i Petros dhe Artemisise?- dëgjova zërin e ulët të gruas.
            - Po- iu përgjigja mbytur.
            -Nuk më njehni, -foli ajo.
Mblodha supet dhe luajta kryet në shenjë mohimi. Drejtova trupin dhe u ktheva ballas nga gruaja e panjohur që më kish ngulur vështrimin lagësht. Ajo me plogështi futi kuletën e vogël në çantën e madhe, mbylli zinxhirin me zhurmë. Çokollatën nuk e futi brenda e mbajti në dorë dhe pa e pasur mendjen grisi letrën e kuqe dhe të ndritshme, ndau çokollatën ne mes, një copë ma zgjati mua. U tërhoqa i habitur një hap prapa dhe bëra me dorë lëvizje kundërshtimi. Doja ti thosha se ish një xhentilesë e panevojshme dhe se isha velur deri në fyt me ëmbëlsira.
-Ju lutem merreni çokollatën,- i tha ajo,- nuk është keq të ëmbëlsohesh.
Gruaja zgjati kokën dhe i brodhi sytë brenda barakës së varfër të izoluar me letër plastike ngjyrë të kuqe për të mos lejuar erën të hynte nëpërmjet plasave, ngaqë kornizat metalike ishin salduar shkel e shko. Fytyra bardhoshe i morri shprehje të ngrirë dhe kafshoi çokollatën me majat e dhëmbëve të përparme. Më erdhi turp edhe inat prej varfërisë banale së barakës, letra plastike e kuqe ish shqyer në disa vende prej rrëmetit të papritur dhe ngjitur me ngut. Më shumë më acaroi kurioziteti i tepruar i femrës së panjohur. U bëra nervoz por nuk kisha çfarë të bëja.
Para një jave më ndodhi vjedhja e dytë e shëmtuar, në harkun kohor tre mujor. U  thye çelësi i trashë i derës së barakës. Prej frikës së vjedhjes së paralajmëruar e izolova çelësin e futa brenda kasës së trashë metalike, aq sa disa miq nënqeshën me mendjeshkrepjen time, më thanë se; edhe depo e armëve të socializmit të qe, nuk ia vlen barra qiranë të bësh kasë të trashë metalike dhe jo për një barakë e rëndomtë e qoshkut të humbur, me mall qesharak. U fola për vjedhjen e parë të shëmtuar. Miqtë ma kthyen me nënvleftësim, e para vjedhje ish zhgënjim total dhe pësim për hajdutët e rinj, prandaj përsëritja e vjedhjes do jetë mendjelehtësi. Por thyesit e kasës së trashë metalike nuk ishin i kësaj mendje. Ata qenë durimmëdhenj dhe nuk çanin kokë për hollësira banale. Duhet të kenë qenë hajdutë sedërmëdhenj dhe pasionantë ndaj barakave. Ata e dinin fort mirë që mbaja pak mall, ngaqë e fillova tregtinë prej hiçit, por përsëri nuk përtuan të harxhonin kohë nën dritën e mekur të hënës, të shkatërronin kasën e trashë metalike dhe të thyenin çelësin. Shkulën me zhurmë llozin e trashë, hapën derën dhe hynë brenda. Kjo gjë kërkonte kohë dhe shkaktonte zhurmë të madhe. Shqyen me sende të forta letrën plastike si hakmarrje kur gjetën pak mall. Ata nuk u ligështuan për misionin e vështirë të paramenduar, por përlanë pa ceremoni varfërinë time dhe humbën nëpër natë, duke lënë përdhe një barominë, si një paralajmërim ogurzi për një vjedhje të tretë...
Eh çfarë të bëja, nuk munda ti kënaqja hajdutët! Mallin që kisha në barakë mezi munda ta huaja tek një i njohur në pazarin me shumicë. Hajdutë e rinj joshen lehtë prej vështirësive në vjedhje me thyerje dhe nxirosje kundrejt lehtësive dhe kollajxheve që kanë në vjedhje dyqanet e tjera qendrore, të mbushura me ushqime dhe veshmbathje, me shitës me eksperiencë të gjatë në tregti, me ekonomi të siguruar, me depozita bankare dhe me stabilitet shumë vjeçar në politikën moniste.
Ngaqë isha brokë nga paratë, qysh në fillim bëra marrëveshje jo fort të këndshme me të njohurin, pronarin e mallrave me shumicë; kur të shisja mallin do ti ktheja paratë me një përqindje fitimi dhe ai atëherë do më jepte mall tjetër. Hajdutëve nuk u interesonin këto hollësi e panevojshme, e marrjes së mallit hua e përqindjes së fitimit dhe e dhënies se lekëve pas shitjes. Ata parapëlqenin vjedhjen si mundësi më e lehtë për tu pasuruar, por edhe për të shkrehur inatet e pashpjeguara, të trashëguara. Hajdutët përdorën leva të forta për të thyer çelësat e mëdhenj, dhe asnjë prej komshinjve nuk u tund të shihte se çfarë bëhej jashtë në rrugë, ose të lajmëronte policinë. Në inat e sipër ua thashë në sy, por ata ma prenë shkurt:
-More djalë, akoma nuk e ke marrë vesh që policia ka frikë nga hajdutët.
Komshinjtë kundërshtuan ashpër në lagje për ngritjen e barakës sime, sidomos për shfaqjen mes tyre papritur dhe papandehur të filizit delikat të tregtarëve të djeshëm. Të familjeve të mëdha që quheshin të fshira njëherë e përgjithmonë prej listës së ekzistencës. Lumenjtë e mëdhenj të ngritur në qindra vjet ishin tharë bërë qilizmë, prej më se dyzet e pesë vjet dhe atyre nuk ua pranonte arsyeja që të shfaqej një rrëkezë e vogël në atë tokë të tharë. Të zhbërët nuk mund të bëheshin më. Ata e pranonin me zë plotë dhe botërisht se lumenjtë e rinj që bënë shtrat në monizëm e kishin tashmë shtegun dhe ujin e bollshëm, veçse duhej të shtriheshin më gjerë.
Mos kjo femër është njëra prej pjesëtarëve në vjedhje dhe dërguar qëllimisht të shohë me kënaqësi makabre rezultatin e mynxyrës? Mezi e binda të njohurin, pronarin e mallit me shumicë të më jepte mall tjetër duke i dhënë fjalën se do ti ktheja të gjitha lekët në fund të muajit. Ai me turinj varur urdhëroi hamallin të ngarkonte karrocën. Para se të ikja më bërtiti nga pas.
-Do me sjellës dhe dy për qind më shumë.
Nuk i ktheva përgjigje, nga ta gjeja atë dreq dy për qind më shumë, kur i jepja dhjetë përqind. Tregtarët e rinj ishin bërë të zellshmit e mëdhenj të lekut. I qava hallin për vjedhjen e dytë, ai lëshoi pa mëshirë sjelljen e dy përqindëshit shtesë të kamatës. Dhe ata pak miq nuk janë si më parë, të ndjeshëm dhe zemërgjerë. Elementet e para të ekonomisë së tregut i ka tjetërsuar shumë, aq më tepër kur filluan të preknin dhe të ndjenin fërfëritjen, vlerën dhe fuqinë e parasë. Hajdutët janë pehlivanët e ekonomisë së tregut, qëndrojnë me mes, të ndehur në dy skaje dhe kanë ndryshuar formë dhe takt. Ata nuk mjaftojnë vetëm me vjedhjen, por duan të shohin sa i aftë është njeriu, të përballojë ngjarjen dhe sa kohë do të rimarrë veten për tu vjedhur përsëri.
-Të rrojnë prindërit?- Më pyeti gruaja.
- Jo,- i fola ftohtë. Çfarë lidhje kish vjedhja e dyqanit me interesimin ndaj prindërve të mi! Mos kërkonte ajo të kënaqej akoma më shumë në përvuajtjen e tejskajshme prindërore ndaj vjedhjes dhe rropatjes sime?
-Sa keq,- ia bëri ajo,-kanë vite që kanë ndërruar jetë?
-Nëna më vdiq vjet në prill, ndërsa babai shumë vite më parë,- as vetë nuk e kuptoja përse duhet ti flisja kësaj për vdekjen e prindërve të mi, kur më kish mbërthyer keqas krimbi i dyshimit të pjesëmarrjes së shpifur në vjedhjen e afërme të barakës, me paralajmërimin e lënies së qëllimshme të barominës.
-Ah,- ia bëri ajo, palosi pa kujdes çokollatën dhe e futi në xhep.- Shpresoja të takoja prindërit e tu, së paku nënën, Artemisinë.
-Kush jeni ju?- nuk mu durua më dhe ngrita zërin. Ndaj prindërve të mi qysh në mesin e vitit 1945 nuk kish më interesim dhe respekt, por mohim. Miqtë e vjetër u shmangeshin prindërve të mi dhe familjes sime. U rralluan vizitat, dera e madhe nuk hapej dhe mbyllej si më parë. Shtëpia u mbush me qiraxhinj që na përgjonin çdo hap. Menteshat e derës së dhomës lëviznin me përtesë, si me ankim, përshëndetjet u ftohën, derisa u harruan, ndërsa qytetarët i shikonin shtrembër. Kështu rrodhën vite dhe vite, të lidhura mbas litarit të vuajtjes.
Pas një viti e ca demokraci të mbarsur me zhgënjime, vjedhje të pështira, më shfaqet dikush dhe kërkon të takohet me prindërit e mi!
-Një mike e vjetër, –tha ajo,- prindërit e tu ishin miq me prindërit e mi. Kam ardhur enkas për tu takuar me ta, në pamundësi, dua të vë një buqetë me lule në varrin e tyre?
-Mirë,- i fola me mëdyshje. Jeta më kish bërë të isha i dyshimtë për gjithçka, ndaj të shkuarës dhe kur kish vetëm një javë që më kishin tharë krahun me vjedhjen e dytë të ndyrë duke më futur në borxh.
-Ju lutem, -dëgjova gruan të fliste,- mund të më shoqëroni deri tek varrezat?
 Qenka bela me gratë kur të qepen si rrodhe nuk i shkul dot, paçka se dyshon në pjesëmarrjen e tyre në vjedhje. Do të vendosë lule në varreza si për të qetësuar shpirtin dhe të nesërmen të vijë të më vjedhë. Kur vdiq babai vetëm pak njerëz erdhën në varrim. Prapa kortezhit na ndiqnin këshilltarët shembullorë të lagjes së bashku me operativin e zonës. Ata ishin në përgjim të ndonjë fjale të pandërgjegjshme në çastet e dhimbjes së madhe. Vdekja e tim ati ishte e diskutueshme për shkak të operacionit të tretë të bërë në qeskën e ujit. Një miku im më tha se operacioni nuk ish bërë vetëm në qeskën e ujit por në gjithë pjesën e barkut dhe të stomakut, ngaqë në operacionin e dytë ish harruar pakujdesish një gërshërë operacioni. Ne  familjarët ishim të bindur se gjithçka ish bërë e qëllimtë, eliminim fizik i rëndomtë në kuadrin e luftës së klasave. Mbasi dhe vetë operacioni i dytë ish krejt i panevojshëm. Babai im ish burrë i fortë. U harrua gërshëra, e nxori radiografia sendin metalik të fshehur midis zorrëve, përvuajti mjeku fytyrën. Duhej operacioni i tretë dhe vendimtar për të parandaluar hemorragjinë e madhe dhe shkulur prej trupit të sëmurit sendin e metaltë të lënë aksidentalisht në momente nxitimi, mbasi në korridor priste një minator me këmbë të prera.
Prandaj prapa kortezhit ecnin këshilltarët shembullorë të lagjes dhe operativët e zonës. Në këto momente zbërthehen zorrët e barkut, pa qenë nevoja të fshihen nëpër to sende të forta dhe të mprehta metalike. Në dëshpërim dalin në shesh pakënaqësitë e radhës prej njerëzve që kanë rezerva ndaj partisë dhe pushtetit. Uji po nuk u turbullua nuk pastrohet. Ne ecnim pas arkivolit të babait dhe nuk i dëgjonin hapat tona, koka na buçiste. Këshilltarët dhe operativët dëgjonin me kujdes kuisjen rrotave të pa vajosura të karrocës, dënesjen, kollitjen e hamejve, hapat tona dhe hapat tyre.
-Ju lutem,- dëgjova.
Kërkesa e gruas kish të bënte me prindërit e mi. Me mëdyshje futa mallrat brenda, mbylla dyqanin dhe shtyva raftin e drunjtë në cep, më hante shumë kohë ta futja brenda në barakë dhe ta nxirja. E kisha tmerrësisht bezdi gjithashtu ti futja e ti nxirrja mallrat edhe pse ato ishin të pakta. Në atë zonë e aplikova për herë të parë nxjerrjen e mallrave përpara dyqanit, për të tërhequr klientët, kjo i tërboi shitësit e tjerë që shisnin në vite mallin e shtetit. Qysh me vjedhjen e dytë bëhesha nervoz dhe i paduruar pa shkak dhe i pavëmendshëm. Gruaja qëndronte pak më tej me vështrim të përhumbur. U kujtova, hapa dyqanin përsëri, mora një tufë me lule dhe ia zgjata gruas.
-Dale, prit të paguaj, - më tha ajo dhe lëvizi me zhurmë zinxhirin e çantës dhe nxori kuletën e vogël.
-Bëhet fjalë për prindërit e mi,- i thashë.
-Ju lutem,- ia bëri ajo.
Si ktheva përgjigje. Gruaja më zgjati lekët, nuk bëra asnjë lëvizje. Ajo me mëdyshje i futi lekët në kuletë.
Ecëm pa folur deri në varrezat e qytetit të Shën Triadhës. Ngandonjëherë kërkesat e të tjerëve, si sapun mbi gunë më acaronin dhe më dukeshin paradoksale. Dyshimi nuk më ndahej në çdo hap që hidhja. Shpejtoja hapat. Pas treçerek ore, dilnin në pushimin e madh nxënësit e shkollës tetëvjeçare që ish përkarshi barakës sime dhe me ta bëja xhiro të mirë, fëmijët i pëlqenin mastikat dhe çokollatat. Një luks i njohur tani vonë në vend. Në mesditë binte xhiroja.
 Gruaja ecte në krah dhe merrte frymë me vështirësi. Balli iu mbush me djersë. Nxori pompën e vogël nga xhepi i xhaketës, i fryu disa herë. U qetësua, vazhdoi ecjen. Ajo vuante nga azma. Në hyrje të varrezave ngadalësoi hapat. Në kishën e rindërtuar të pa suvatuar dhe pa xhama të Shën Triadhës bleu disa qirinj të vegjël. Ish viti i dytë që ish lejuar feja, pas një mohimi të gjatë dhe çdo gjë po riniste nga e para, po ndërtoheshin kisha dhe xhami, përgatiteshin qirinj të shtrembër dhe ikona të punuar trashë. Në këndin e majtë të kishës për tu mbrojtur nga era një plakë e fishkur shërbente e mbështjellë me një pallto të vjetër. Bleva disa qirinj dhe hodha monedha metalike në kutinë prej kartoni të ndihmave. Plaka ndiqte me vëmendje veprimet e mia, më falënderoi me zë të ulët.
Ndjeja topitje të pakuptimtë të pyesja më gjerë këtë grua të panjohur që ecte në krah dhe që vuante nga azma. Ngado zotëronte një heshtje e thellë e rëndë. E udhëhoqa gruan në rruginën e ngushtë mes varreve deri në varrin e thjeshtë të prindërve të mi. Gruaja mblodhi duart në gjoks dhe u ul në gjunjë. Puthi gurin e lagësht dhe vendosi lulet tek kryqi. Mbështeti ballin dhe qëndroi disa minuta në heshtje. U ngrit ngadalë, fytyrë përlotur. I zgjata shaminë të fshinte lotët. Kush të ish kjo grua e panjohur që qante në varrin e prindërve të mi? Babai dhe nëna nuk më kishin folur për të afërm të tjerë të dashur. U ndjeva bosh prej dyshimit të papritur.
Gruaja përkëdheli kryqin dhe hodhi pas një hap në heshtje. U përkula në gjunjë, u fala, putha kryqin ku shkrova para një viti emrat e prindërve të mi, ndeza qirinjtë, qëndrova një copë herë.  Ndjeja një shtrëngim në gjoks. Prindërit e mi vdiqën në varfëri, në trusni, duke pasur mbi krye kosën e tmerrshme të luftës së klasave dhe të mohimit të çdo vlere të qenësishme.
-Keni cigare?- më pyeti gruaja.
Futa dorën në xhep dhe nxora paketën e cigareve, i zgjata cigare, ia ndeza. Ajo e thithi fort, me neps, aq sa e mbyti kolla.
-Më fal. Kam shumë vite që e kam lënë duhanin,- më tha ajo, flaku cigaren përdhe dhe shtoi: - Le të njihemi, më quajnë Margarita. Siç ju thashë prindërit e mi kishin miqësi me prindërit e tu. Emrin dhe jetën e kam prej Petraqit, babait tënd. Dikur jetonin në lagjen e vjetër të Rrotës. Nëna ma përmendte gjithnjë dhe me shume respekt se çfarë bëri familja juaj për ne. Kur nena u sëmur ish shtatzënë me mua. Babai punonte nallban, por e pëlqente pijen dhe paratë që nxirrte me mbathjen e kafshëve i bënte rrush e kumbulla. Me lot në sy babai iu lut Petros ta ndihmonte për ta çuar nënën e sëmurë në klinikën mjekësore të një specialist me përvojë të Follorinës edhe pse ishte mot i ftohtë me erëra dhe shi. Kamionët ishin shumë të paktë, administroheshin nga firma ‘Shqiponja’  i Stefos dhe i Ndrekos. Duhej të paguaje një grusht me të holla, që të bindje Stefon të lëvizte kamionin. Babai yt pagoi Stefon dhe u nisën me të shpejtë në Follorinë. Lindja ime ishte e vështirë, me operacion, më kish mbërthyer në fyt kordoni. Babai juaj më vuri emrin Margarita iu duka si margaritar në atë mot të ftohtë të Follorinës. Në korridor të spitalit Stefoja grindej, ju bllokua kamioni për një javë dhe ortaku Ndreko do ta bënte për qepë dhe kripë.
“-Sa të bën vonesa e kamionit o Stefo,” - e pyeti babai yt.
Stefo u kollit dhe ia pat zë ngjirur:
“-Një qese me flori o Petro, një qese me flori.”
“-Do ti kesh atë qese me florinj, mos u mërzit,”-i ktheu babai yt.
Vitet rrodhën shpejt dhe unë u rita u bëra gjashtëmbëdhjetë vjet. Më kërkoi për grua një djalë që e doja dhe ish shumë i mirë dhe prej familje të mirë. Babai si gjithnjë i prishte lekët në taverna dhe nuk kishin me se të më blinin fustan dhe të bënin dasmën. Prindërit e djalit donin të merrnin nusen me pajë dhe muzikë, ndryshe nuk bëhej martesa. Nëna ankohej bërtiste, babai tundte kokën dhe s’fliste. Prindërit e djalit që doja ikën të mërzitur, pa pirë rakinë dhe dasma ishte në prag të prishjes.
“-Ti lutemi Petros,”- tha nëna e trishtuar.-“ Ndryshe do na mbetet vajza në derë.”
“-Jeni borxhli deri në grykë tek ai Zotni. Më vjen rëndë. Harxhoi kohë, para, shpëtoi jetë njeriu, i pagoi Stefo maniakut një qese e gjysmë me florinj dhe nuk më ka rënë në sy qysh prej asaj dite.
“-Lëre vajzën pa martuar,”-iu kanos nëna: -“zorra jote nuk u ngop me te flamosuren raki.”
“-Nuk i ka fajin zorra dhe rakia, ka rënë tregtia, nuk kanë para fshatarët tu vënë patkonj hajvanëve,” - u mbrojt babai.
Babai juaj ishte e vetmja shpresë për të ardhmen time. Një të shtunë një mëngjes herët së bashku me babanë tim i shkuan Petros në dyqan.
“- Çfarë e mirë të pruri o Pilo? Me sa shoh ke vendosur ta martosh çupën,” - foli Petroja sa na pa të hynin brenda.
“- Nga e more vesh o Petro,”- i foli babai me zë të ulët i zënë ngushtë.
“-Çfarë do të marrësh për vajzën- pyeti babai yt.
Babai im ngriti supet, vështroi nga unë, pastaj rrëzoi sytë përdhe pa majat e këpucëve të ngrëna.
“-Mallin e gjënë e do për të veshur vajzën apo për pajë?”- Pyeti babai yt.
“- Si të jetë më mirë o Petro” ,- ia ktheu me zë të ulët im atë.- “Halli më ka zënë për fyti. Në dorë të zotit e kam lënë.”
“-Zoti është lart në qiell dhe ne jemi në tokë o Pilo. Zoti na ka dhenë mendje dhe zemër,”- foli babai yt dhe tërhoqi nga rafti një top të madh me plaçkë, me lule të mëdha, preu disa metro. I palosi dhe i la në tavolinë. Pastaj tërhoqi disa lëmshe të mëdhenj me penj. Në fund nxori nga kuleta një tufë me kartëmonedha dhe mu drejtua mua.
“-Bijë  a ke karficë?”
“-Kam,”- iu përgjigja e hutuar pa kuptuar përse e donte ky njeri karficën.
“-Shumë mirë,”- ma ktheu ai.- “Futi këto të holla në xhep dhe mbërtheji me karficë. Janë të dasmës dhe të ardhmes tënde. Mos ja jep babit ti pijë.”
Babai im i hutuar zbardhi dhembët dhe nxitoi të falënderonte...
U bë një dasmë e bukur, prania e prindërve të tu më jepnin krahë. Më pas ndodhën ndryshime të mëdha. Lufta. Unë shkova luftova së bashku me burrin deri thellë në tokat Jugosllave. Burrin im u plagos rëndë dhe e transferuan në spitalin e Shkodrës.  Zura një dhomë me qira, pranë spitalit, shkoja çdo ditë e shikoja dhe përkujdesesha. Kur burri im u shërua dhe doli nga spitali, vendosëm të jetonin përgjithnjë në atë qytet me njerëz mikpritës dhe dashamirës. Zumë shtëpi pranë kështjellës Rozafa. Më mahniste legjenda e Rozafës, mbajtja e besës së vëllait të vogël dhe thyeja e besës prej vëllezërve më të mëdhenj, për hir të dashurisë apo të dobësisë? Mbi të gjitha më mahniste stoicizmi i nënës dhe amaneti i saj. Jetonim mirë, nuk kisha përse të ankohesha. Të dy kishim nga një punë dhe merrnim rrogë të mirë. Linda dy fëmijë, djalë dhe vajzë. Mbas disa vitesh u përmbys gjithçka, burrin tim e arrestuan me akuzën e puçit të shtetit në ushtri. Isha plotësisht e bindur që burri im akuzohej me pa të drejtë, sepse ne e donim vendin dhe shtetin, kishim derdhur gjak për të, nuk mund të ngriheshim kundër tij, kur në të njëjtën kohë im shoq ish oficer me gradë të ulët. Unë së bashku me familjen time u internuam mes malesh, në fshatrat më të thella të veriut. Kam disa vjet që jam kthyer në Shkodër, në shtëpinë e vjetër, pranë kalasë së Rozafës. Nuk më rihej pa ardhur këtu për të  takuar prindërit tuaj, në pamundësi tu vendosja në varr një buqetë me lule. Respekt për njerëzit e mirë.
U ndjeva vërtet mirë. Im atë flaku dikur me moskokëçarje në cep të qilarit, në lagështirë, dhjetëra dosje me kapak të trashë të zverdhur nga koha, ku ishin shkruar emrat e qytetarëve që ju kish dhënë borxhe. Ku im atë u ish ndodhur pranë në momente të vështira. Por që askush prej qytetarëve nuk u kujtua të thoshte një fjalë, në shenjë mirënjohjeje, por veçse përgjim, nëmje dhe përbuzje...

KRISTAQ TURTULLI
Dhjetor 2011

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...