Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/01/25

A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? *



 
370isa boltini 300x216 A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? * Alain Ducellier

Paris, 1981

…Së fundi një argument i tillë nuk do t’u shërbente aspak ithtarëve të “tezës serbe”, sepse shumica e toponimeve sllave të Kosovës, – si edhe ato të Shqipërisë, – janë më tepër bullgare sesa serbe, gjë që është krejtësisht e natyrshme, meqë  bullgarët e kishin pushtuar rajonin qysh në sh. IX dhe, veçanërisht, në sh. X, në apogjeun e perandorisë së fundit bullgare, që kishte si kryeqytet Ohrin.  Në këtë kohë serbët ishin ende larg Kosovës: në të vërtetë në sh. IX dhe X,  formacionet e tyre koherente janë Rashia, në luginën e Ibarit, në perëndim të Moravës, si edhe Zeta, e cila i përgjigjet, në mënyrë të përgjithshme, Malit të Zi: Vetëm në kohën kur princi Stepan, mori kurorën mbretërore, në vitin 1217, Shteti serb u zgjerua dhe vuri dorë në rajonin e Pejës (Peç),  ndërsa tërësia e Kosovës mbeti në atë kohë jashtë kufijve të Stepanit. Pra, mos të këmbëngulet më kot: çdo argument i tipit “historik” nuk mundet veçse të kthehet kundër tezës “serbe”, sepse Historia na mëson se serbët janë, në lidhje me Kosovën, pushtues të ardhur shumë vonë.
Ilirët: padyshim stërgjyshërit e shqiptarëve
Le të flasim hapur: në Ballkan, më shumë se kudo gjetkë, nuk ka ndonjë argument tjetër të mbështetur, për të përcaktuar përkitjen kombëtare të kësaj apo asaj krahine sesa  verbali i pushtimit të tanishëm  të një shumice kombëtare, të njohur në formën e duhur; në këtë kuptim Kosova, që sot banohet nga një popullsi dy të tretash shqiptare  (artikulli është botuar në Paris, në vitin 1981, – p.) del qartësisht e konsideruar shqiptare. Dhe kjo jashtë çdo ideje të lidhjes me entitetin politik që quhet “Shqipëri”. Çdo të thuhej, në të vërtetë, nëse do të vërenim një shumicë gjermanike në Alsas për ta bërë atë një krahinë gjermanike, në kuptimin politik të termit?
Këto qasje evidente bëjnë të peshohet rreziku i përdorimit të argumenteve “historike” për të mbështetur të drejtën e një populli që të zotërojë trojet që ka humbur apo që tani nuk i zotëron më, veçse duke qenë në pakicë: dihet roli që ka luajtur ideja e atdheut “origjinal” në gjenezën dhe në përligjjen e Izraelit.
Megjithatë, kur shohim këmbënguljen me të cilën përdoret argumenti historik për të provuar që serbët kanë “një të drejtë” ndaj Kosovës, duke pasë qenë banorët më të hershëm të saj, por të zhvendosur më vonë nga shqiptarët, nuk është keq që të tregojmë se, për herë të parë, historia dhe gjendja e tanishme përputhen.
Në një artikull të kohëve të fundit, Mishel Obeni (Michel Auben), ky na kujton se Kosova përbënte “qendrën ekonomike dhe politike të mbretërisë mesjetare serbe në shekujt e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë 1); paskësh qenë, pra, vetëm fitorja turke e cila, pasi i kishte dëbuar serbët nga tokat më të mira, i kishte shtrënguar (serbët, -p.), pastaj, veçanërisht në vitin 1690 dhe 1738, që të emigronin drejt Hungarisë jugore. Dhe turqit na i paskan plotësuar vendet bosh me elementë të islamizuar, të ardhur nga Shqipëria e Veriut!
Mos të ngulmojmë në faktin se vendosja e një qendre të pushtetit politik dhe ekonomik në një truall të dhënë, nuk garanton aspak, sidomos në Mesjetë, karakterin zotërues etnik nga ana e atyre që mbajnë autoritetin politik: Kështu despotati i vogël “serb” i Serresit, në Greqinë e Veriut, mundi të zotërojë nga viti 1355 gjer në vitin 1371, mbi një popullsi me shumicë greke 2). Është thënë shumë se nacionalizmi është një shpikje moderne, fatmirësisht e panjohur nga popujt mesjetarë, që nuk ishin aq të ndjeshëm sa ne për karakterin “e jashtëm” të atyre që mund t’i zotëronin përkohësisht.
Le të pranojmë, ndërkaq, se serbët ishin në shumicë në Kosovë ne shekullin e trembëdhjetë: por atëherë nuk mund të ndaloheshim që të pyesnim edhe se kush e banonte krahinën më parë. Të gjithë e dinë se sllavët janë populli indoevropian që ka ardhur më vonë në Europë, sepse ardhjet e njëpasnjëshme të pushtimeve të tyre u përkasin shekujve VI dhe VII 3). Dihet, gjithashtu, se në atë kohë, shumë shekuj të romanizimit nuk kishin mundur, sakaq, të zhduknin popullatat e vjetra autoktone, Dakët në Rumani, Thrakët në Bullgari, Ilirët në Dalmaci, në Shqipëri dhe më Maqedoni. Për të ardhur te Kosova, askush nuk e mohon se qysh prej shekullit XVIII para erës sonë, kishin lindur dhe ishin zhvilluar shumë formacione  politike ilirë të cilat hap pas hapi kaluan nga gjendja tribale në statusin e mbretërive të vërteta të vogla dardane, peneste, paeoniane, për të mos përmendur veçse më të rëndësishmet 4). Tani punimet më të fundit, si gjuhësore ashtu edhe arkeologjike, të gjitha provojnë sot se ilirët janë, pa asnjë dyshim, stërgjyshërit e drejtpërdrejtë të shqiptarëve 5). Për sa i takon arkeologjisë, studimet e qeramikave dhe të stolive (vathë, karfica, unaza, tokëza rrobash), provojnë se ka një vazhdimësi të jashtëzakonshme në trajtat dhe në teknikat e nekropoleve ilire antike dhe në zbulimet në qytetet mesjetare që u përkasin shekujve VI – VII të erës sonë (Kalaja e Dalmacës në Pukë dhe sidomos Kruja): kaq është e vërtetë kjo sa arkeologu jugosllav B. Coviçi i çmoi materialet e Kalasë së Dalmacës si të shekujve VI dhe VII para erës sonë 6). Na duhet të kujtojmë se gërmimet  në Kalanë e Dalmacës filluan në shekullin e fundit dhe në atë kohë thuhej se ato ishin dëshmi të “civilizimit të lashtë sllav”. Por është krejtësisht e sigurt që kjo vazhdimësi iliro-shqiptare nuk del vetëm në truallin e tanishëm të Shqipërisë: zbulimet e bëra në nekropolet e Mjeles, pranë Virpazarit, në Malin e Zi dhe në të dy qytetet e rajonit të Ohrit, në Maqedoni, kanë lejuar që të dalin në dritë objekte që i përkasin të njëjtit civilizim  8). Është e kuptueshme se vetëm aktiviteti jashtëzakonisht i madh i arkeologëve shqiptarë pas Luftës, duhet marrë parasysh për të shpjeguar bollëkun më të madh të gjetjeve të bëra në truallin kombëtar.
Serbët në Kosovë: jo në sh. VII, por në atë të XIII!
Në mungesë të çdo dokumenti që do të provonte asgjësimin apo emigrimin e popujve ilirë vendorë në kohën e pushtimeve sllave, është e natyrshme që të mendojmë se Kosova gjatë gjithë Mesjetës së hershme, si edhe vetë Shqipëria, e kishte ruajtur në mënyrë të pandërprerë një popullsi thelbësisht ilire, domethënë shqiptare. Sigurisht që kemi edhe një dukuri sllavizmi, në të cilin toponimia është dëshmitari më i mirë; por dihet se  toponimia është një argument me pak vlerë për të përcaktuar etninë e një popullate: le të mendojmë edhe një numër të madh toponimesh sllave që ndodhen në vetë Shqipërinë, por askush nuk mbështet mendimin se popullata ka pasë qenë ndonjëherë sllave në shumicë. Së fundi një argument i tillë nuk do t’u shërbente aspak ithtarëve të “tezës serbe”, sepse shumica e toponimeve sllave të Kosovës, – si edhe ato të Shqipërisë, – janë më tepër bullgare sesa serbe, gjë që është krejtësisht e natyrshme, meqë  bullgarët e kishin pushtuar rajonin qysh në sh. IX dhe, veçanërisht, në sh. X, në apogjeun e perandorisë së fundit bullgare, që kishte si kryeqytet Ohrin. 9). Në këtë kohë serbët ishin ende larg Kosovë: në të vërtetë në sh. IX dhe X,  formacionet e tyre koherente janë Rashia, në luginën e Ibarit, në perëndim të Moravës, si edhe Zeta, e cila i përgjigjet në mënyrë të përgjithshme Malit të Zi: Vetëm në kohën kur princi Stepan, mori kurorën mbretërore, në vitin 1217, Shteti Serb u zgjerua dhe vuri dorë në rajonin e Pejës (Peç),  ndërsa tërësia e Kosovës mbeti në atë kohë jashtë kufijve të Stepanit. Pra, mos të këmbëngulet më kot: çdo argument i tipit “historik” nuk mundet veçse të kthehet kundër tezës “serbe”, sepse Historia na mëson se serbët janë, në lidhje me Kosovën, pushtues të ardhur shumë vonë.
Pushtimi serb a mundi ta zhdukë popullsinë e vjetër iliro shqiptare?
Në fakt, janë vetë tekstet serbe ato që na provojnë të kundërtën: në vitin 1348, një donacion që i bëri car Stepan Dushani IX manastirit të Shën Mihalit dhe Gabrielit në Prizren na provon se rreth këtij qyteti kishte së paku 9 fshatra, që cilësoheshin si shqiptare (arbanas10).  Në vitin e mëparshëm, kodi i famshëm që kishte shpallur po ky sovran, shprehte shqetësimin për një dinamizëm të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, të cilëve mundohet t’u kufizojë vendosjen  në tokat e veta 11). Le të saktësojmë që, nëse shqiptarët quheshin prej kohësh si nomadë, kjo me siguri nuk mendohej kështu sepse ata ishin “barinj të hershëm” por thjeshtësisht sepse ata ishin katandisur në këtë gjendje nga trysnia ekonomike dhe politike që ushtronte populli zotërues (që dominonte). Tanimë, në vitin 1328, ndodhte e njëjta gjë në rajonet Diabolis, Koloné dhe në Ohër ku Zhan Kantakyzeni tregon për takimin e pernadorit bizantin, Adronikut III me “shqiptarët nomadë” të Maqedonisë  qendrore 12). Nuk ka asnjë dyshim se dominimi serb ishte tepër i rëndë për shqiptarët që duheshin nënshtruar; me gjithë qëllimet propagandistike të autorit, ka doemos të vërteta në ato që shkruante, andej nga viti 1932, një propagandist i kryqëzatës, Gijomë d’Adami: “meqë ata popuj, qofshin latinë apo shqiptarë janë shtypur nga një zgjedhë e padurueshme dhe tepër e rëndë e senjorëve sllavë që u marrin shpirtin me taksa të shumta, që keqpërdorin klerin dhe i vënë nën hekura fisnikët e shpronësuar. Këta të fundit, të gjithë së bashku apo individualisht mendojnë se do t’i pastronin duart e tyre po t’i zhytnin në gjakun e atyre sllavëve që vepronin kësisoj” 13).
Shtojmë edhe se autorët bizantinë janë shumë të ndjeshëm për njëjtësimin e popullit, që nga Shqipëria gjer në Maqedoni: historiani Laonikos Kalkokondilis, që shkruante në sh. XV, pasi nënvizonte se shqiptarët e kohës së tij janë mjaft të ndryshëm nga serbët dhe nga boshnjakët 14), përfundon se nuk ka ndonjë popull tjetër i cili, më shumë se shqiptarët, t’u përngjasë maqedonasve 15).
Shqiptarët bënë qëndresë
Mësymja turke nis në këtë kontekst, në gjysmën e dytë të sh. XIV dhe e vërteta është se në këto ngjarje shqiptarët mundën të riafirmohen në Kosovë, por me siguri jo në atë mënyrë siç janë paraqitur gjerat zakonisht: në vend që të hipnin në “vagonin e mallrave të armikut”, popullsia shqiptare, që nga Liqeni i Shkodrës e përtej në Kosovë, u bë bllok me popujt e tjerë të krishterë. Për goditjen vendimtare të 1389-s, autorët grekë përmendin, përveç serbëve dhe bullgarëve, edhe shqiptarët e veriut, ata të Himarës, të Epirit dhe të brigjeve detare 16). Kronikat turke të Idriz Bitlisit përmendin veçanërisht pjesëmarrjen e shqiptarëve të krahinës së Shkodrës, princi i të cilëve, Gjergj Balsha, kishte dërguar në luftë 50.000 veta 17). Të njëjtat njoftime gjenden edhe në kronika të tjera otomane, si në ato të Aliut dhe të Saadedinit 18).

shqiperiaetnike61 237x300 A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? *  Shqiptarët nuk ishin aspak të prirur që t’u nënshtroheshin otomanëve
Disfata e vitit 1389, duke çorganizuar tërësisht Shtetin serb, u la fushë të lirë senjorëve vendorë më të shkathët, ndërmjet të cilëve edhe princave shqiptarë të Veriut dhe të Verilindjes: më i shquari është Gjon Kastrioti, i ati i Skënderbeut, i cili nga krahinat e sipërme të Matit, mundi në fund të sh. XIV dhe në fillim të sh. XV, që të shkëpusë një principatë të gjerë që shkonte nga  grykëderdhja e Ishmit gjer në Prizren, në zemër të Kosovës: si pasojë, në vitin 1420, ai u mundësoi raguzianëve një privilegj tregtar, “që nga brigjet gjer në tokat e veta, e gjer në Prizren” 19). Ky pushtet i ri shqiptar sigurisht që pati ndikimin e vet për zhvillimin e një klase tregtare në gjirin e popullsisë, që ishte gjer në atë kohë mjaft e rrënuar: arkivat e Raguzës (Dubrovnikut) provojnë, për shembull, se një numër tregtarësh shqiptarë të Raguzës tanimë qëndrojnë me dëshirë në Kosovë: në marsin e vitit 1428, kemi rastin e Marko de Tanit të cilit Republika i dërgon një letër në Prishtinë  20); madje, edhe pas nënshtrimit të Kastriotëve ndaj turqve, gjendet ende, në të njëjtin qytet, në vitin 1448, tregtari shqiptar  Çymo Mati de Tani 21).
Kështu nuk kemi asnjë arsye që të mendojmë se otomanët, në këtë fazë të fitores, u mbështetën në mënyrë të veçantë te shqiptarët, të cilët iu kundërvunë sllavëve: padyshim që s’është e padobishme që të sjellim në kujtesë se shqiptarët në atë kohë ishin të krishterë, si edhe serbët, dhe nuk ishin aspak të prirur, nga ana tjetër, që t’u nënshtroheshin otomanëve. Nëse këtu mund të jetë jo me vend që të flasim për veprimtarinë e Skënderbeut, disa nga ndeshjet e të cilit u zhvilluan në kufijtë e Kosovës, mund të përmendim megjithatë faktin se historiani bizantin Dukas, në mesin e sh. XV, na jep si shkakun kryesor të triumfit turk, pakësimin e shqiptarëve, që nga Dalmacia gjer në Thrakë  22). Sa për kronikat turke, ato nuk mungojnë së vëni në dukje ngritjet krye të shqiptarëve në Kosovë, veçanërisht në vitin 1467, kur të “revoltuarit” u panë të grabitin bagëtitë në Tetovë, nën drejtimin e një “tradhtari” të quajtur Iskender  23).
Është, pra, e qartë se një pjesë e rëndësishme e popullsisë shqiptare gjendej në Kosovë qysh përpara fitores turke, pa qenë nevoja të shpjegohet fakti, për të  marrë me mend shpërthimin e emigrimeve në masë, për të cilat burimet nuk bëjnë zë. Dukuria që nuk ka pasur kurrë çështje  ndeshjesh ndërmjet sllavëve dhe shqiptarëve në kohën e car Dushanit dhe sidomos në kohën e përpunimit të principatës së Kastriotëve, është së fundi një tregues se “pushteti shqiptar” u shtri hap pas hapi dhe përgjithësisht u pranua nga popullsia vendore, padyshim se kjo e kuptonte tanimë e prej shumë kohësh  elementin shqiptar. Për sa i përket përcaktimit të rëndësisë relative të shqiptarëve në raport me sllavët në Kosovën e sh. XV, duhet thënë se kjo është thuajse e pamundur, me gjithë burimet e reja që na sjellin regjistrat kadastrale otomane (defterler) e që botimet na i kanë vënë para syve: shembulli më i mirë është botimi, në vitin 1974, nga Selami Pulaha, i regjistrit të Sanxhakut të Shkodrës, që mban datën 1485, dhe që përfshin krahinat e Shkodrës, të Pejës (Peç), të Podgoricës dhe të Bihorit 24).
Nënshtresa: shqiptare
Na duhet të vëmë në dukje ndershmërinë e skajshme me të cilën S. Pulaha trajton të dhënat e pasura toponimike dhe antroponimike që na jep nga këto burime: është mirë që të përsërisim bashkë me të se një shqiptar mund të ketë fare natyrshëm një emër sllav dhe ndërsjellas dhe një toponimi sllave apo shqiptare e kjo nuk mund të paragjykojë natyrën e popullatave në shqyrtim 25). Megjithatë është e sigurt që përdorimi i përbashkët i një toponimie dhe antroponimie të dyfishtë dëshmon për një përzierje etnike, për të cilën mund të shprehet, sipas rajoneve, vlera e përbërësve: për sanxhakun e Shkodrës (që përfshin të gjithë zonën kosovare të Pejës), S. Pulaha dallon këtu tri bashkësi elementesh shqiptare që dalin në pah më shumë apo më pak: Krahina e Shkodrës, ku shqiptarët përbëjnë shumicën e plotë; krahinat e Piperit, Shestanit dhe të Altunit, ku duket se ka një barazpeshë ndërmjet të dy popullatave dhe zona e Pejës, ku shqiptarët janë në pakicë 26) dhe ku vërejmë, ndërmjet të tjerash që  mjaft e emra fshatrash që kanë një emër sllav janë, në të vërtetë, me shumicë shqiptare 27). Përfundimi thelbësor  qëndron në atë se një përzierje kaq e fortë ndërmjet të dy elementëve të popullsisë do të ishte menjëherë e papërfytyrueshme nëse njëri element apo tjetri do të vendosej tani në rajon: kadastra otomane e Shkodrës tregon, pra, veçanërisht në zonën e Pejës, se shqiptarët përbëjnë atje një përbërëse shumë të lashtë të popullsisë vendore; dhe se, përveç të tjerash, ne nuk kemi njohje për ndonjë lëvizje në masë të Shqipërisë drejt Kosovës para sh. XVI, gjë që të bën të mendosh se një pjesë e madhe e elementit shqiptar kosovar i vendos rrënjët në popullatën e lashtë iliro-shqiptare, që zotëronte atje që në kohet e Antikitetit 28).
Për pjesën tjetër të Kosovës duhet të dimë se është ruajtur një regjistër kadastral që, në këtë rast, bën fjalë për Kosovën qendrore (Vilkili):  Nga ky regjistër i vitit 1455, historiani boshnjak A. Hanziç nxjerr saktësisht po ato përfundime: përzierja e popullsisë si ndërlikimi i tullave që mbivendosen njëra mbi tjetrën, megjithatë bëhet mbi një nënshtresë (substrat), në themelin e vjetër shqiptar 29) .
28336 126747857348196 113501828672799 207751 3667036 n 300x239 A E KISHIN PUSHTUAR SHQIPTARËT KOSOVËN? * Minierat, nxitje për imigrim shqiptarësh
Duhet të shtojmë ende se ky element shqiptar u përforcua qysh në fillim të sh. XV, me anë të një imigrimi “ekonomik”, i tërhequr për shfrytëzimin e pasurive minerare të Kosovës, veçanërisht të argjendit të Sbrenicës dhe të Novo Brdos: këta shqiptarë, gjithmonë të krishterë, – kuptohet, – janë teknikë të cilët  e nisën me emigrimin drejt Raguzës dhe që vinin veçanërisht nga Shqipëria bregdetare veriore (Tivari, Shkodra). Por edhe nga zonat malore (Mati) 30). Këta teknikë zunë vend në Kosovë në breza të shumtë: kështu është rasti i Petar Gonoviç Prishtinasit (nga Pishtina) 31), e Johan Progonoviçit nga Novomonte (Novo Brdo), si edhe i shumë të tjerëve, padyshim 32). Nuk është pa interes të shënojmë edhe se edhe në sh. e tetëmbëdhjetë, ky imigrim shqiptar katolik, i tërhequr për punën në miniera, vazhdonte dhe tërhiqte vendosjen e këtyre  në Novo Brdo, në Gjakovë, në Pirshtinë, në Trepçe, sipas raporteve nga vizitorë të dërguar nga papa në rajon 33).
Përfundime:
Në Kosovë gjenden, natyrisht, sllavët ose popujt e sllavizuar; bullgarët e më pas serbët të cilët pushtuan, duke filluar me sh. VII, një krahinë, popullsia e së cilës ishte tërësisht iliro-shqiptare qysh nga Lashtësia. Sigurisht ngulimi (implantacioni) sllav dhe sllavizimi i pashmangshëm i një pjese të popullsisë origjinale, u lejoi serbëve në fillim të sh. XIII, që ta bënin Kosovën qendrën politike dhe ekonomike; por askush nuk mund ta dijë kurrë se cilat ishin, në atë kohë,  përpjesëtimet përkatëse të të dy elementëve, bashkëjetesa e të cilëve duket se nuk pati, megjithatë, probleme të mëdha. Më tej, fitorja otomane dhe dobësimi i njëpasnjëshëm i Serbisë i lejoi popullsisë shqiptare, shpesh nga kundërveprimi i brendshëm dhe falë migrimit malësor të shqiptarëve të krishterë të Veriut, që të peshonin gjithnjë e më tepër në Kosovë. Mjaft studime janë ende të nevojshme që ta afirmojmë këtë; por ka shumë gjasa që, edhe para emigrimit sllav të 1690-s dhe të 1738-s, shqiptarët përbënin në Kosovë, një pakicë të rëndësishme, madje edhe shumicën e popullatës. Nga ana tjetër do të ishte e padrejtë që të harronim që serbët nuk ishin të vetmit që ikën nga zonat që në atë kohë u islamizuan: madje edhe në çastin e emigrimit të madh serb të 1737-’38-s, shumë mijëra shqiptarë të krishterë lanë zonat malore të krahinës së Shkodrës dhe u vendosën në rrethinat e Karlovacit, në Kroaci, ku qeveria austriake i qasi në kuadrin e politikës së saj të kolonizimit ushtarak; tani, këta “Klementiner”, siç quhen në tekstet austriake, gjenden bashkë të përzier me elementët serbë, që emigruan në po ato çaste dhe u vendosën njëlloj: ata do të ruanin traditat dhe gjuhën e tyre gjer në vitin 1910, që ishte koha e sllavizimit definitiv të tyre  34).
“Desllavizimi” i Kosovës është, pra, një problem i rremë: ai është vetëm një pasojë e këtyre lëvizjeve të gjera të rrudhjeve nga sipër (të konveksionit), që kanë karakterizuar gjithmonë historinë e popujve ballkanikë. Këto lëvizje, të mbështetura në substratin e vjetër që mbetet gjithmonë shqiptar, u bënë pa dhunë gjatë të gjithë Mesjetës dhe gjatë kohës së parë moderne, në mënyrë që episodet e 1690-s dhe të 1738-s duhet vetëm të quhen si pikëmbërritje.  Këto lëvizje shekullore nuk kanë lidhje me projektet e gjera të qeverisë jugosllave cila, ndërmjet të dy luftërave, kërkonte të kombinonte pjesëtimin e Shqipërisë me Italinë fashiste dhe as me dëbimin masiv të shqiptarëve që iu drejtuan Turqisë 35).
*) Titulli në origjinal: “Les Albanais ont-ils envahi le Kosovo?”.
———
Në fund të bibliografisë së autorit jepet në fac simile  riprodhimi i dorëshkrimit të kodit të Dushanit, në Prizren. Siç lexohet në rreshtat e fundit, kemi të bëjmë me kapitullin 82 të Kodit të Car Stepan Dushanit (1349). Mund të lexohet: “Në një fshat ku ndodhet një valak ose një shqiptar, në këtë fshat të mos vendoset një tjetër, pas atij të parit; dhe po të jetë se ndonjëri vendoset me forcë, ai duhet të paguajë të drejtën për të kaluar atje, bashkë me vlerën e kullotjes së bagëtisë së vet”.
Përktheu: Kostaq XOXA 

Letërsia shqiptare në Paris


.......


Është një maksimë  që thuhet “në dashuri dhe luftë të gjithë kanë të drejtë”dhe meqenëse në  Ballkan më pak kemi pasur dashuri , por gjithmonë kemi  pasur luftë gjithsesi është dashur dhe krijuesit t’i nënshtrohen kësaj maksime dhe dashurin ta shikojnë si luftë dhe luftën si dashuri. Është një situate absurde kur njeriu të mësohet që dashuria të jetë luftë dhe lufta dashuri, por këto janë realitetet ballkanike. Shkrimtarëve shqiptare u është dashur tu nënshtrohen kësaj fatkeqësie, këtij mallkimi dhe prandaj kjo nuk ka qenë një ndjenjë e këndshme, por e domosdoshme . Jeta në Ballkan ka qenë  mbijetesë. Kultura politike dhe kultura intelektuale iu është nënshtruar kësaj maksime, dhe shkrimtareve shqiptare iu është dashur ta pranojnë duke treguar se e kane nje te drejte te tyre, kjo është e drejta për jetë dhe ekzistence.
                 Në këtë kontekst është një mallkim që shkrimtarët shqiptarë por edhe shkrimtarët në Ballkan t’i ndjekë kjo maksimë sepse nuk kanë përfunduar konfliktet historike ne Ballkan, nuk ka përfunduar as ajo që ne e shohim si luftë qytetërimesh, një kufi, që edhe sot e kësaj dite në forma të ndryshme mbijnë e derdhen, dhe ne duhet t’i përshtatemi edhe rrethanave të tilla. Unë u ndala ne kontekstet historike sepse si shkrimtar nuk dua ta shpjegoj librat , librat flasin vetë- tha Buxhovi.
Ndoshta subjektet historike janë një angazhim për Buxhovin  për të shkruar librat e tij .Angazhime si ato të shekullit 20-të që I kemi njohur në Kosovë , Shqipëri dhe në Francë ,angazhimi i tij janë vlerat evropiane, por edhe dëshmia historike .
                Historia e Ballkanit është pak tragjike, shkrimtari nuk mund t’i largohet temave te tilla , jeta dhe historia në Ballkan i ka pasur parametrat tek historia dhe tek përcaktimet historike . Popujt e vegjël siç është populli shqiptar domosdoshmërish  është detyruar ta shpjegoje te drejtën historike sepse ka qenë me rrezik në qoftë se nuk e bënin. Kanë qenë steriotipet intelektuale që i kanë imponuar kategoritë historike ta shpjegojnë historinë.  Buxhovi solli një fakt: në Ballkan nga kriza lindore e tutje, shumë popuj kanë qenë ata që përmes  letërsisë e kanë krijuar urrejtjen dhe shumë intelektualë shqiptare iu është dashur t’i përgjigjen kësaj sfide sepse politika dhe ata qe e kane përcjellë, i kane pranuar argumente te tilla në një fare mënyre. Është një raport i zhvendosur shoqëror kulturor, por kjo është një normalitet në Ballkan, që shkrimtarët i ka ngarkuar më se tepërmi dhe në të njëjtën kohe i ka dënuar.
                Michel Riviere gazetar në France –TV , i cili ka njohur intelektuale shqiptarë  të angazhuar si ish -Presidenti  Ibrahim Rugova,që është imponuar, si një lëvizje, si një mendim, si një afer asaj , që bëjnë luftën nga dashuria,që nga qëndresa  paqësore tek  Rugova. 
Cili ishte impresioni juaj për Kosovën dhe për qëndresën e intelektualeve te Kosoves?
Perpara se t’u përgjigjem dua tu them që edhe në Francë mirëpritja shqiptare është për t’u admiruar – tha Michel Rivière,dhe dua ti bëj një homazh mikut tim, një botuesi që nuk ndodhet midis nesh Michel Champandal i cili kontribuoi që  libri i Jusuf Buxhovit  të botohej në Francë , ky libër ka një të veçantë sepse parathënia e bërë nga Aleksandër Zotos  u bë nje pasthënie, dhe nuk ishte plan ifikuar që të bëja një intervistë me Buxhovin për  këtë libër, dhe Champendal me thotë : – botohet një shkrimtar i rëndësishëm nga Kosova , është mirë që të japim një informacion për autorin,  letërsinë e tij dhe në  të njëjtën kohë  për Kosovën, dhe për të ishte më interesante të lexoje direkt romanin, se sa të humbje me shpjegime përpara se të hyje në tekst .
Homazhi i dytë është për mikun tim Ibrahim Rugova u shpreh-Rivière, që e kam takuar në një kontekst të veçantë, dhe më vjen mirë që këtu po shikoj edhe miq të cilët nuk i kisha parë që prej 20 vitesh, që në atë kohë më kanë ndihmuar shumë të kuptoja çështjen shqiptare në gjirin e federatës jugosllave që ishte nje çështje shumë komplekse.
                 Në  vitet 1987- 1988 -1989 unë kam bërë kërkime dhe në Francë nuk mund të thuhet se kishte më të vërtetë informatione. Kam kërkuar  vepra, referenca dhe gati nuk kishte, ose ishin suspekte dhe të komplikuara, ishin vetëm disa libra të viteve 20 ose 30, shënime të ambasadorëve dhe ajo çfarë ishte e shkruar më pas, ishte në vitet 1991, 1992- 1993 që do të thotë,në atë kohë kur fillova të udhëtoja në Jugosllavi, për së gjati e së gjeri duke takuar personalitete të mëdhenj të republikave të ndryshme . Ibrahim Rugovën e kam takuar duke u nisur vetëm, në muajin Mars- Prill 1989 –tha Rivière ,në momentin kur po ndodhnin ngjarje të rënda në Kosovë.
Bëra si të gjithë gazetarët pak të humbur dhe që mbërrinin vetëm në Prishtinë, pra në hotelin më të madh që ishte në qendër, dhe i vetmi personalitet që njihja dhe që filloi të lëvizte  pak ishte Ibrahim Rugova, që në atë kohe nuk ishte emëruar akoma President i Kosovës, apo qoftë edhe  i LDK-së që  në atë kohë nuk ekzistonte akoma ishte ndoshta një mendim , por  ishte Kryetar i lidhjes së shkrimtarëve, kisha një numër telefoni, thërras në telefon dhe askush nuk përgjigjet, disa orë më vonë shikoj që vjen një udhërrëfyes  dhe me thërret tek dhoma e hotelit. Nuk duhet harruar që në atë kohë ishte një gjendje urgjente alarmante , kishte të shtëna dhe nuk mund të dilje kur të doje, në qytet ishte me rrezik te madh. Udhërrëfyesi  më njeh me Prishtinën ,dhe me çon në një pallat të madh me disa  kate të ndriçuara dhe disa  te tjera jo, në shtëpinë e Rugovës, që më mirëpret  me një dashamirësi që karakterizon shqiptarët.
                Provova verën e kuqe kosovare që ishte e shkëlqyer , më pas mora vesh që kishte bërë studimet letrare në Francë, kishte lexuar midis të tjerave Roland Barths dhe njoha një burrë të mrekullueshëm.  Nuk folëm pothuajse fare për politiken,- shtoi Michel Rivière ,me foli më shumë për popullin shqiptar,për besën fjalën e dhënë, e plot gjera të tjera dhe më në fund me tha:     -  shëtit në të gjithë Kosovën Michel –në qofte se mundesh dhe shikoje vete ç’fare ndodh. Diskutimi jonë zgjati deri vonë , kaluan dhe orët ku ishte e ndalur të dilje nga të shtënat që fillonin natën, dhe me vone i thoja me humor Ibrahimit : Me mbajte shumë vonë aë natë sepse doja ta shikoja vete represionin policor.( qesh).
Dhe pikërisht ,përpara se të shkoja në hotel  me ndaluan, dhe pas kësaj ngjarje vendosa të beja një dokumentar një film që quhet « Kosova: pluhur i Jugosllavisë » dhe   « Trashegimnia e Titos » që u shfaq  në France, nga televizioni  France 3,në Mars 1991 d m th para luftës.
                Doja të vija tek libri dhe titulli i tij,sepse  «  kush i reziston  kolerës i reziston vete djallit »,(titulli në frëngjisht) për publikun francez do të mendonim Kamyne dhe doktor Rio , njeriut përballur me një epidemi dhe një problem kolektiv,që është e vështirë per tu zgjidhur.
                Michel Riviere përngjas një tjetër pikë të ngjashme të romanit të Buxhovit me një libër tjetër te Kamysë qe nuk eshte Miti i Sifizit por « Burri i revoltuar ».Ku  Kamy, pershkruan format revolte , historike , kulturore, religjioze,narcizik etj, dhe  jep etimologjinë e fjalës « revolte » ne  latinisht është re voltare – të kthehesh dhe të përballesh ,dhe përfundimisht në  librin e Buxhovit  bëhet fjalë për një popull, që nga gjuha dhe identiteti i tij i bën balle pushtuesit, gjen zgjidhjen  kundër një helmi të kolerës dhe populli shqiptar është shpëtuar.
                Pushtuesi otoman do të njoh disa probleme s’po i themi qe lexuesi ti zbuloje vete,  mund të mendojmë çdo lloj pushtuesi, dhe se dyti gjeja që na afron është toleranca : toleranca e popullit shqiptar për të cilin Rugova më kishte folur shumë ,por personalisht nuk dua të flas për luftën e Kosovës dhe atë që çka ndodh sot, por toleranca është në element kohë e fortë. Konfliktet religjioze ku në gjirin e të njëjës familje kemi dy vëllezërit myslimanë dhe dy të krishterë ,por pse jo dhe ato laikë dhe republikanë, mua më sjell ndërmend Saint Exupery : « si tu diffère  de moi, frére,loin de me léser, tu m’ enrichis » dhe do te perfundoj me këtë frymë të rezistencës –tha Michel Rivière : sepse kjo lagja  Paris 5 , ku jam edukuar. Nuk e di nëse është një shans,sepse kur ke prindër që kanë luftuar dhe rezistuar nganjëherë është e ndërlikuar ,me një baba qe ishte nga te paret qe formoi grupin e rezistëntëve ne lagjen latine, në verën e 1940 dhe gjithë rezistenca e studenteve gjendej në lagjen latine qofte Luxemburgu , shkolla e mjekësisë , shkolla normale e lartë, Sorbona, ku  shumë takime e shumë gjëra bëheshin në Sorbone ,në bodrumet nën tokë  të këtyre shkollave , ku nazistët nuk arritën kurrë t’i gjenin, dhe kam një ndjenje që kjo lloj  qëndrese në të cilën unë kam kaluar gjithë  fëmijërinë, dhe vite me vone, jam gjetur gati te njëjtën pasion me njerëzit që takoja në Kosovë, kishim biseda  bazuar tek toleranca ,por në të njëjtën kohë,dhe në qëndresë, këto biseda i kishim bërë edhe me Ibrahim Rugoven që është një mik shumë i afërt dhe të gjitha këto tema i gjejmë në romanin e Jusuf Buxhovit-përfundoi Michel Rivière.
Ky roman për mua ishte një udhëtim përmes Shqiperisë, përmes ngjarjeve  vërtet dramatike  që përsëriteshin pa fund , gjithmonë luftë për tu mbrojtur , Ilirianët kundër romakeve, dhe më vone me pushtuesit otoman që zgjati për pesë Shekuj , eksodet , shpërngulja e popujve, emigracioni, shumica janë ne Greqi,ne Itali mbi të gjitha arbëreshët që e lanë Shqipërinë që nga pushtimi otoman aty nga shekulli 15-16. Por ajo që ka ngelur gjithmonë tek populli shqiptar është kjo force kjo energji që i beri të qëndrojnë, të përballojnë dhe të mbajnë identitetin e tyre.
Zoti Aleksandër Zotos që ka shkruar dhe pasthënien e romanit na dha edhe disa arsye më shumë që publiku  të lexoje  romanin.
                Së pari është fryma epike që përshkruan romanin ,dhe mënyra që këto tema përshkojnë realitetin historik dhe gjejnë jehonë. Michel Riviere e theksoi me lart në letërsinë internacionale kjo çështje e qëndresës dhe e tolerancës dhe roli i intelektualeve  është diçka shume aktuale dhe këtë libër nuk duhet ta lexosh si një jehonë , autori e tha : që lufta dhe konfliktet nuk janë zgjidhur akoma, por është një libër që na shpie drejt së ardhmes, nëpërmjet këtyre temave dhe ia vlen të jetë lexuar.

Botimet e autoreve nga Kosova ne Shqiperi gjate komunizmit




Nga Prof.Dr.sci. Begzad  Baliu

Viteve të fundit (2003, v.j.) po vazhdon të përsëritet diskutimi mbi mosbotimin e disa prej autorëve të Kosovës në Shqipëri. Fjala është për një diskutim të filluar menjëherë pas vitit 1989-90, kur gazetarë dhe krijues të caktuar nga Kosova filluan ta vizitonin Shqipërinë dhe të kontaktojnë me bartës të kulturës e të shkencës në institucionet e mëparshme, me bartës të zhgënjyer dhe me disidentë të vjetër të tyre, me ata që vazhdonin të mbronin konceptet e mundësisë së botimit të letërsisë së Kosovës dhe me ata që bënin vërejtje për kriteret e botimit të saj.
Vizitorët e asaj kohe patën zbuluar me bujë mosnjohjen tonë në shumë fusha të jetës, për të cilat mund të kishim mirëkuptim, por ishte vështirë të kuptoje se si, ne që lexonim çdo ditë letërsinë e shkruar dhe të botuar në Shqipëri, vetë nuk ishim të pranishëm atje, ose ishim të pranishëm vetëm për një periudhë të caktuar, vitet ’70-‘90, dhe për më keq, letërsia që krijohej në Kosovë, jo vetëm nuk perceptohej si tërësi e saj, por vazhdonte të mos vlerësohej as si pjesë e saj.
Përpjekja për ndarje
Nga këto shkrime, kishim mësuar se në Shqipëri letërsia shqipe kishte filluar të botohej vetëm në vitin 1970, në kolanën Letërsi e autorëve nga Kosova ( e kjo nënkuptonte letërsinë e autorëve që krijonin brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, nga Struga (Agim Vinca) deri në Zarë (Josip Rela). Ky koncept ishte krijuar jo vetëm në botimet e shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, por edhe në ligjërimin e saj në Universitetin e Tiranës. Shtypi i atëhershëm qe marrë shumë me problemin e këtij identifikimi të domosdoshëm “Letërsi e Kosovës”. Në të vërtetë, përpjekje për ndarjen e letërsisë së Kosovës nga ajo e Shqipërisë, në dekadën e shtatë, ka pasur edhe në qarqet jugosllave, por ajo ishte kundërshtuar nga studiues dhe institucione të Kosovës. Vështirësi për mbrojtjen e saj, pra të tërësisë sonë letrare, kishte sidomos gjatë orvatjes së përfaqësimit të saj në librat shkollorë, në emër të “Planeve unike! ”, sipas të cilave letërsia e Kosovës duhej të fillonte me Pjetër Bogdanin dhe të mbaronte me krijuesit më të ri të letërsisë që krijohej brenda kufijve shtetërorë. Mbrojtja që iu bë atëherë trashëgimisë dhe tërësisë së letërsisë shqipe ka qenë e jashtëzakonshme dhe me pasoja për individë e institucione. Nëse ndarja e saj në librat shkollorë në Tiranë ishte përligjur në gjysmën e dytë të shekullit XX (koha e socrealizimit në letërsi), politika e Beogradit këtë ndarje përpiqej ta përligjte në vetë fillimet e saj (Buzukun).
Nga shtypi i Prishtinës gjithashtu patëm mësuar dy përgjigje të kundërta për ndarjen e letërsisë së Kosovës nga botimet shqipe në shtëpitë botuese në Shqipëri dhe për ndarjen e ligjërimit të saj në Universitetin e Tiranës, dhe kjo përgjigje pati ardhur pothuajse nga i njëjti burim:
- e para, që kishte konotacion politik: letërsia e Kosovës ishte ndarë si lëndë në Universitetin e Tiranës, me qëllim të përligjjes së ndarjes sonë jo vetëm kulturore por edhe politike, dhe
- e dyta, se kjo kishte ndodhur madje krejt rastësisht: me qëllimin më të mirë, që letërsia e Kosovës të njihej dhe të mësohej sa më gjerësisht.
Pa dashur që të merremi me komente të gjera, këtu po e sjellim bibliografinë, e botimeve të Letërsisë së autorëve kosovarë nga fillimi (viti 1970) deri në vitin 1990.
Antologjitë: Poezi, prozë, studime
• Për ty, poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124.
• Rrëfimi i njeriut me samar, tregime nga Kosova, 1970.
• E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova. Redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264.
• Toka e përgjakur, shkrimtar nga Kosova, tregime, 1972.
• Letrat dhe gjethet, tregime nga shkrimtarë të Kosovës, 1976.
• Heshtja e një kohe, poezi nga Kosova, 1976.
• Vendlindja ime, vjersha të poetëve nga Kosova, 1980, f. 135.
• Qëndresa e emrit, poezi nga Kosova, 1981, f. 190 .
• Djepi i lashtë, tregime nga Kosova, 1981, f. 390.
• Reja e zezë mbi kullën e bardhë, tregime nga Kosova, 1981, f. 126.
• Me xhaketën kuq e zi, vjersha për fëmijë, 1982, f. 154.
• Djaloshi trim, vjersha e tregime nga Kosova, 1983, f. 166.
• Përmendore, tregime nga Kosova, 1984, f. 353.
• Kur buzëqesh nëna ime, poezi nga Kosova, 1984, f. 155.
• Studime dhe kritikë letrare, nga autorë shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi. Mblodhi dhe përgatiti për shtyp Ramadan Vozga, 1983, f. 500.
Poezi
• Ali Podrimja, Thirrje, 1972 dhe Poezi, 1986, f. 287.
• Din Mehmeti, Mallkimi i gjakut”, 1972; dhe Poezi, 1985, f. 222.
• Azem Shkreli, Poezi, 1972; Poezi, 1982, f. 215.
• Rrahman Dedaj, Nuk e kam thirrur shiun, 1975, f. 94; Poezi, 1989, f. 282.
• Agim Vinca, Në vend të biografisë, 1977, 95 f; Poezi, 1984, f. 71.
• Enver Gjerqeku, Gjurmëve të jetës, 1972, Poezi, 1986, f. 202.
• Fahredin Gunga, Flaka e fjalës, 1976; Poezi, 1986.
• Rexhep Hoxha, Lulet le të dalin, 1975; Mbi krahët e fluturës 1989, f. 119.
• Vehbi Kikaj, Gurrat, 1977, f. 57; Shtëpia ime ka sy, 1988, f. 117.
• Qerim Ujkani, Gjaku im, 1980.
• Edi Shukriu, Poezi, 1980.
• Jusuf Gërvalla, Bekimi i nënës, 1983, f. 86.
• Sabri Hamiti, Lind një fjalë, 1986, f. 111.
• Abdulaziz Islami, Yjet e vendlindjes, 1987, f. 166.
• Flora Brovina, Luleborë, 1988, f. 97.
• Jakup Ceraja, Kur dhemb zemra, 1976, f. 126.
• Eqrem Basha, Poezi, 1990, f. 190.
• Agim Deva, Ankohet çanta e vogël, 1986, f. 75.
• Mehmedali Hoxha, Një brez livadh, 1990, f. 86 (e ilustruar)
• Ali Huruglica, Dreri me yll në ballë, 1988, f. 107.
• Gani Xhafolli, Zogjtë fluturojnë mbi lule, 1984, f. 82.
• Hasan Hasani, Mici e topi, 1981, f. 66.
• Mark Krasniqi, Poezi, 198?.
Proza: tregimi, novela, romani
• Nazmi Rrahmani, Malsorja, 1970, f. 256; Toka e përgjakur, 1975, f. 422; Rruga e shtëpisë sime, 1980, f. 356.
• Daut Demaku, Plisat e kuq, 1971, f. 104.
• Hivzi Sulejmani, Njerëzit, 1973, f. 328; Fëmijët e lumit tim, 1972, f. 213.
• Ramiz Kelmendi, Heshtja e armëve, 1973, f. 183.
• Jusuf Buxhovi, Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit, 1985, f. 165. Libri i të mallkuarve, 1991, f. 382;
• Murat Isaku, Rreckajt, Plagët.
• Arif Demolli, Ballkonet e një qyteze, 1980, f. 134; Pëllumbat e kujtimeve, 1984, f. 113.
• Rifat Kukaj, Minaku i përhimët, 1975, f. 108; Shkrepi i diellit, 1977, f. 108; Droja, 1981, f. 188; Qafa e Ulkonjës, 1987, f. 249; Bardhi e Mirusha, 1982, f. 184.
• Sefedin Fetiu, Në humbëtirat e kohës, 1985, f. 125.
• Zejnullah Rrahmani, Sheshi i unazës, 1985, f. 213.
• Rexhai Surroi, Orteku, 1986, f. 307.
• Rexhep Qosja, Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1986, f. 270.
• Mehmet Kraja, Udhëzime për kapërcimin e detit, 1991.
• Nebil Duraki, Shtrojera.
• Jusuf Gërvalla, Rrotull, 1983, f. 125.
• Nerimane Kamberi, Anejsi dhe shtatë pikturat, 1990, f. 159.
• Rushit Ramabaja, Gjergj Elez Alia, 1983, f. 96.
• Qamil Batalli, Zogu që bisedoi me Afërditën, 1989, f. 282
• Ibrahim Kadriu, Pas kthimit, 1985, f. 110.
• Abdyl Bunjaku, Kërriqi i pikëlluar, 1983, f. 91.
• Hajro Ulqinaku, Ligji i detit, 1986, f. 72.
Drama
• Josip Rela, Nita, 1973, f. 95.
• Kristë Berisha, Drama.
• Ekrem Kryeziu, Epoka para gjyqit, 1987, f. 71.
• Sabri Hamiti, Futa, 1991.
• Rexhep Qosja, Vdekja e mbretëreshës, 1991
• Jusuf Gërvalla, Procesi, dorëshkrim i planifikuar për teatër, por që nuk u shfaq, më 1991.
Studime dhe kritika
• Mark Krasniqi, Gjurmë e gjurmime, 1978.
• Rexhep Qosja, Panteoni i rralluar, 1988, f. 660; Porosia e madhe, 1990, f. 443.
• Ibrahim Rugova, Vepra e Bogdanit, 1990


Në gjuhën greke
Dramatizimi
Prej informatave të ndërmjetme dhe vetjake të zhvillimeve kulturore në Tiranë, dimë se disa nga këto vepra ishin dramatizuar e ekranizuar. Pra, ishin botuar jo vetëm vepra letrare për një rreth lexuesish, por edhe për një rreth më të gjerë interesimesh. Le të shohim disa shembuj të dramatizimit të tyre nga Radio Tirana: romani i Nazmi Rrahmanit “Rruga e shtëpisë sime”, i dramatizuar me titull “Tokë e ndezur”, romani i Jusuf Buxhovit, “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, me titullin “Qyteti i dënuar me vdekje”, ndërsa romani tjetër i tij “Libri i të mallkuarve”, është lexuar në emisionin Radio revista letrare-artistike; novela e Rifat Kukajt “Qafa e Ulkonjës”, romani i Rushit Ramabajsës “Gjergj Elez Alia”, romani i Ibrahim Kadriut “Pas kthimit”, drama e Ekrem Kryeziut “Epoka para gjyqit” etj.
Vepra që ishin planifikuar apo pritnin radhën në shtyp
Nga bashkëbisedues të afërt me institucionet kulturore, në mesin e të cilëve ishte më i merituari z. Pandeli Koçi, mësonim se në shtyp, apo në radhën e botimeve të planifikuara gjendeshin edhe nga një vepër e këtyre autorëve: Rexhep Qosjes, Ali Hadrit (zgjedhje), Mehmet Krajës (Net bizantine), Anton Pashkut (Tregime), Beqir Musliut (Poezi), Ymer Shkrelit (një roman), Ramiz Kelmendit (tregime), Abdullah Konushevcit (poezi) etj.
Letërsia e vonuar!
Në këtë rrjedhë kërkimi është vështirë të përligjet koha, që u desh të pritej për botimin e letërsisë së Kosovës. Nëse Esat Mekuli, Hivzi Sulejmani etj., nuk mund të botoheshin, sepse në jetën kulturore, arsimore dhe shkencore në ish-Jugosllavi, ishin edhe bartës të drejtpërdrejtë të politikës kulturore dhe shkencore në Kosovë, si të shpjegohet mosbotimi i veprës së Adem Demaçit, i cili si me veprën ashtu edhe me jetën identifikohej me Tiranën zyrtare. Vepra e tij nuk ka qenë e panjohur për drejtuesit politikë dhe kulturorë të Tiranës, pasi ajo ishte e botuar para rënies së tij të parë në burg. Gjithashtu dihet se vepra e tij, me të gjithë përbërësit letrarë e estetikë, ka qenë dhe ka mbetur një vepër që ka shënuar vlera të rëndësishme në letërsinë tonë.
Përjashtimin e palejuar, për të cilin sot nuk mund të diskutohet, e bënë vetë studiuesit shqiptarë. Në kohën kur në Prishtinë botoheshin jo vetëm veprat e veçanta, por edhe veprat e plota të autorëve, të cilët këtë ende nuk e kishin bërë në Tiranë (Sterio Spasse, Petro Marko, Ismail Kadare) dhe i përcillnin ato me kritika në faqet e kulturës, me studime në revistat shkencore dhe madje me projekte të institucioneve shkencore, përjashtimi i letërsisë që krijohej në Kosovë nga Historia e letërsisë bashkëkohore, na duket i panatyrshëm dhe i paarsyeshëm.
Në interes të krijimit të një pasqyre sa më të plotë, dhe të nivelit të njohjes së kësaj letërsie e të konceptimit të botimit të saj në Tiranë, këtu po sjellim edhe disa elemente të rëndësishme, me të cilat përshkohen këto botime:
Për ty. Poezi nga Kosova, përmblodhi dhe redaktoi Pandeli Koçi, 1970, f. 124. Përmbledhja hapet me hyrjen “Dy fjalë“, f. 3-5 dhe më pas përfshihen poetët sipas kësaj radhe: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Esat Mekuli dhe Nebih Muriqi. (!)
E di një fjalë prej guri, poezi nga Kosova. Redaktuar nga Pandeli Koçi, 1972, f. 264. Përmbajtja: Ali Podrimja, Azem Shkreli, Besim Bokshi, Din Mehmeti, Enver Gjerqeku, Fahredin Gunga, Ibrahim Kadriu, Jakup Ceraja, Latif Berisha, Muhamet Kërveshi, Milaim Berisha, Nexhat Pustina, Qerim Ujkani, Rrahman Dedaj, Rahmi Tuda, Rifat Kukaj dhe Shime Dëshpali.
Po të vazhdonim të sillnim përmbajtjen e plotë të antologjive me poezi dhe me prozë, do të kuptonim veç tjerash, se në këto vëllime gjenden edhe disa shkrimtarë, të cilët as kanë qenë dhe as nuk besojmë se do të jenë ndonjëherë në listën e botimeve antologjike të letërsisë së krijuesve nga Kosova.

CIKEL POETIK NGA IRENA GJONI






IRENA GJONI ka kryer Studimet Universitare për degën gjuhë – letërsi. Në vitin 2007 ka përfunduar Studimet Pasuniversitare dhe ka fituar gradën “Master” për letërsi në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht është në ndjekje të shkollës doktorale po pranë këtij Universiteti. Ka punuar si gazetare në median e shkruar kombëtare dhe lokale, në Radio “Gjirokastra”, në radio dhe televizion lokal të Sarandës. Aktualisht është pedagoge e jashtme në Universitetin e Tiranës Filiali Sarandë, mësuese letërsie në gjimnazin “Hasan Tahsini” Sarandë si dhe gazetare në mediat lokale.

Që prej viteve të shkollës së mesme e në vijim ka botuar poezi, prozë letrare si dhe shkrime kritike e studimore në periodikë të ndryshëm. Në vitin 2003 ka botuar librin me poezi “Tatuazh në shpirt të detit”. Në 2008 boton librin studimor “Marrëdhënie të miteve dhe kulteve të Bregdetit Jonian me ato ndërkufitare” (material me të cilin ka fituar Gradën “Master”), si dhe vëllimin me fiksione “Gjysma dashurish” (2010).



KËTU JETOHET, KËTU VDISET



Këtu jetohet.....dhe vdiset...



..maskohen njerëzit

e kalojnë duke dashuruar



Vrastar riti i zakonshëm i rutinës.



E morali me lëkurë dhie

vrastar për një shpirt bohem



ku një dashuri...është pak...për dashurinë



Koha jote rri e veçantë në mua

Për ty kam kohë sa kam frymë



...këtu jetohet... këtu vdiset...





AVLEMENT GALAKTIK



Në avlementin galaktik

ndesh, përshtat , nusëron

e përpunon ëndrrën



Pa mundur të kristalizojë

të vetmin labirinth,

atë të vetvetes.



Fat gllabërues

që barqeve konservon

lartësimin e profilit



I aftë të krijojë një tjetër ikonë...



HESHTON ME KLITHMËN E HESHTJES



Ëndrra që mbetet në ëndërr.

Je ti

Ëndrra që mbetet në ëndërr -

gur varri

që rri mbirë në kokën e heshtjes...

gur varri

që i flet….ëndrrës

gur varri

që heshton në ty

Heshton me klithmën e heshtjes



ME TY PO TRUPOJ ZJARRE PA U DJEGUR



Me ty po trupoj zjarre pa u djegur

duke të dhuruar zjarrmi nate

e etje buzëputhje zharitur në mall

në temperaturë diellore



Pak...kohë deti me Ty...

të kalëronim dallgët...

Eh, si djersiten ato…

si vjellin...zallin që kanë brenda



Kripa e jodi mbi lëkurë

Konturojnë harta thesaresh dashurish

Të pazbuluara kurrë

e të lexueshme vetëm

nga ata sy me shije deti





E guacka marroset

nën ritmin kalorësiak

të bukuroshit mitik



... Me ty po trupoj zjarre pa u djegur...



NJËZET E KATËR



Unë i dua thellësitë e mia jonike

dhe majat e maleve të tu

Ajo që s’është e thellë

e nuk kap majat te retë,

s’ka hyrë kurrë në shpirt

e s’ka rrëshqitur mbi lëkurë...



PËRNDRITJE (F)LOÇKE



Trishtimi endet

në perëndimin e diellit.

Muzgu ngrihet nga thellësitë,

duke mbajtur në sup

arkivolin e heshtjes.

Dalëngadalë

errësira nis rëndon mbi ajrin



Trupi i (F)loçkës ershëm farfurin

duke përndritur natën



Është ora e saj...



RRUGËTIM



... së pari fillohet nga shpirti..

.Pastaj nga lëkura, nga...

krejt ngadalë, si nëpër mjegull...

Butë dhe ëndërrueshëm

rruga për në qendër të botës

kalon nga era...



NË TË NJËJTËN TJETËRBOTË...





Erëligat e orëligat po e ndëshkonin

shkulshëmflokësh

shkulshëmrrënjshëm

shkulshëmzemrash

përpiqeshin t’ia merrnin

ikonën e projektuar në zemër.



Tërbimi frenetik ish’ pa fre

Pse e deshti sa nuk e kishte dasht’

kush tjetër në këtë jetë

e nuk kishte për ta dasht’

as në përtej-jetë.



Shpirti vajtueshem kolovitet nga parajsa në ferr

Stiksi ishte kufiri i fatit

Fati ishte AI

Ajo ishte e destinuar të jetonte brenda fatit

Ajo jetonte brenda tij.



Ajo po e ndërtonte veten brenda tij

Ndanin të njëjtin puls zemre

Një frymëmarrje u mjaftonte të dyve

Hanin të njëjtin ushqim amëshimi

Tirrnin të njëjtën fije drite

Ternin të njëjtin tingull ajri



Vetëm në një lot ngrinin uragane

Tek një flokëz dëbore ndërtonin themele lumturie

Deheshin në ekstazë nga e njëjta aromë manushaqeje.



Josheshin nga të njëjtat muza

Tek i njëjti shikim shpërthenin

e shuanin vullkane brenda një sekonde

Shihnin të njëjtën ëndërr apokaliptike



... Jetonin në të njëjtën tjetërbotë...

... Jetonin në një tjetër njëjtëbotë...



AUTOPORTRET



Ngjitur shtyllave të rrugëve



- Si në kohët e lashta,

lajmërimet e vdekjeve, - pëshpëris



(Ej, bukuroshe, kjo erë vjeshte

ta zhbën nocionin kohë?)



Fletës së letrës,

në këmbë i ka ngelur vetëm një gisht,

i mjafton balerinës virtuoze

të bëjë vallzimin e vdekjes

nën ritmin e erës



Fryma po i del çikë e nga një çikë



Ekspozitë...fotografike

Modele...- Biondia...e...Detit

Fo...to...graf...-me...ndjet... ...e... ...

a...dh...u...r...u...e...s...v...e...

...t...ë... ...s...a...j...



Shpirti i fluturoi

rrathëve të ferrit - rrugicave vjeshtake

Per t’u bastarduar

Nënkëmbëve të kushedi kujt

Fotograf - Mendjet e adhuruesve të saj



E fiksuar fotografive nga mendjet

Në çastet më fatlume a fatkeqe

sjellë adhuruesve të saj



Një vetull perfekte në ironi të dashurisë

e vjedhur një fije floku e verdhë,

e mbajtur fatsjellës,

një arkivol sysh - guackë perle kënaqësi,

një buzëqeshje vrasëse pa pagesë,

buzë të kopjuara me karbon të kuq buzësh

për t’u risjellë pranë netëve ogurzeza,

një gjoks ngacmues, përtej dekoldeve

dhe bluzave të ngushta,

mantel të kuq gëzofësh - mburojë shigjetash,

një lot i zi,

përzier me helmin e dhimbjes e rimelit,

duar të sikletshme, përherë në mbajtje të shanceve,

ëndrra të mëdhaja,

pa ditur ditën e lindjes e vdekjes,

mendje në lojëra fantazie,

hipnotizuese për të tjerë



E gjitha e ndarë,

në një labirinth mendjesh,

E ngelur në të njëjtin vend,

E ngelur në të njëjtën moshë,

E gjendur në të njëjtën bukuri Beatriçase



Ekspozitë e parë me shpirt të rrënuar,

E paçuar gjer në fund,

E trembur nga bukuria e dikurshme,

Nga adhuruesit e shumtë gati mitikë,

Nga ëndrrat të ëndërruara dikur fatlume



Me shëmtimin krijuar prej zhgënjimit,

Me çmendurinë prapë pinjoll të zhgënjimit,

Eci rrugëve duke mbledhur gjethet e vjeshtës,

Me përfytyrime - fotografitë e mendjeve të adhuruesve

Pa i parë

Vetëm duke iu trembur

Bastardimit nga nënkëmbët

E kushedi kujt...







Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...