2012-02-01

Rexhep Shahu: Poezi nga libri ''Lis i vetëm në fushë''

















P o e z i

LIS I VETËM NË FUSHË

babës tim :
...
Po plakem fëmijë
jetim pa ty...


Titulli : Lis i Vetëm në Fushë
Autori : Rexhep Shahu
Redaktor : Izet Duraku

Të drejtat të rezervuara autorit

ISBN : 978-99927-685-5-6

Piktura ne kopertine : nga Nazmi Hoxha
Arti grafik : Albdesign
Shtëpia botuese : Albdesign
Shtypur në shtypshkronjën : Albdesign

Tiranë, 2011


SI KUAJ TË ZI NISUR PËR LUFTË
 
Si kuaj të zi nisur për luftë
Turfullojnë e rendin radhë e pa radhë
Kalorësit u kanë mbetë s'dihet se ku
Jelet u janë zbardhë.
 
Bregun synojnë dallgët e çmendura
Si në çdo luftë ku s’fitohet gjë
Përplasen në shkëmbinj e zalle
Shuhen e treten pa zë.
 
Me veten e kanë dhe e bëjnë stuhinë
Si njerzit që fundin harrojnë
Dhe rendin ta shalojnë lavdinë
E në fund në zalle shterrojnë.
  

TI JE PREJ UJI

Ti je prej uji se nuk të mbaj në duar
Më derdhesh në poret e lëkurës e sërish dua
Të derdhesh sërish e sërish.
Të pi si tokë e kallur nga etja,
ngopem një çast,
Mbush të çarat e thara të shpirtit
Dhe pas pak, prapë dua se prapë digjem,
E prapë pi e s’ngopem me ty.
 
Ti je prej ajri… Më përkëdhel edhe kur s’të shoh,
Kur kam ftohtë më ngroh,
Më mbush mushkëritë sa herë kam nevojë,
Më ledhaton flokët me dorë të padukshme,
Më ter djersët se mos ftohem,
Më flladit shpirtin kur më kallet zjarrmisë.
 
Duket se je prej drite, je drita vetë
Je dielli, hëna, ylli
Që hyn në sytë e mi e u jep dritë
Gjithë gjërave dhe botës që më rrethon
Gjithë gjërave dhe botës që kam në veten time,
Udhëve nga shkoj, të mos thej qafën në honet e hiçit
Tek ec mbi tokë, nëpër ëndërr a kur shtroj retë nën këmbë
Edhe hijes e natës time i jep dritë, ta shoh vetë e ta shohësh ti
Skutave ku ikën të natojë që të mos shihet,
Udhëve nga ecën që të mos e shkelin.
 
Duket je prej ëndrre, prej ëndrre je
Se vjen pa u ndjerë e më derdhësh kur dua,
Pa të parë edhe pse të thërras
Më hyn mes krahëve të hapur që të presin,
Mbështetesh në gjoksin tim që digjet, më puth lehtë
Më mbështjell për beli se e din që dua,
Më gudulis dhe hidhem përpjetë.

Po, po, prej ëndrre je, prej ëndrre
Se ta ndjej frymën që ma lëshon në fytyrë edhe pse je larg 
Ta ndjej aromën e trupit mbi gjithë aromat e luleve,
Të ndjej ngjeshë për trupi kurdo,
Kudo ndjehem i mbështjellë me ty,
Si i zhytur në diell, det a Dri,
Më bëhet se ec dhe jetoj jetën brenda syrit tënd
Ndjej çdo çast trokun e hapit tënd në ritmin tim të nxituar
Në udhët e jetës që m’i ke paqtuar
Në tokën ku mbij e në qiellin ku hedh shtat
Ndjej lëngun e buzëve që s’di të teret në mua…


*  *  *

Ranë gjethet,
ulërimat e tyre ngjethëse
i pashë e dëgjova
ditë e natë në mua.


MË HUMBI VETJA
 
Më humbi vetja, dheu i zi e përpiu
det’ i pangimë, ëndrra të pangime
në hijen time vetja u mbyt.
S’lashë vend që e rreh dielli pa e lypë
as hije e skuta të errëta të botës e të vetes
pa hy s’lashë...
I kreha retë me gishta edhe ëndrrat po e po
yll pa pyetur s’lashë në qiejt e pafund,
s’lashë dyshim timin pa e pyetur për veten time
thërras sot pa zë me piskamë në breg të detit
thërras kot veten, brenda vetes thërras,
cfarë humbtë mos u gjettë kurrë, mërmërin deti a
thërret dikush zëngjirur brenda meje,
e unë s’e shoh kush thërret,
deti u step më keq se unë i shtangtë
prej dhimbjes sime, turfulloi si kalë i zi plot plagë
me kalorësin të vrarë mbi shpinë
u ndal, më pa e më tha,
meqë e dashke kaq shumë veten,
lype lype se një ditë do ta gjesh
të ngrime bri ndonjë ferre…


*   *   *

Mbeta me drapër në dorë…
Bari i shpresës mbin
Edhe në majë të shkëmbit.


PA KRYE

Gjithkush në vetvete është varr i padukshëm
Që rreket të kalbë fajet e tij
Por faji në varr është si në serë
Veç rritet e rritet në shëmti.
 
Gjithkush në vetvete është i varur
Nga pak në çengelin e fajit të vet
Askush me vetveten s’është në paqe të plotë
Askund, në asnjë botë s’je n’harmoni t’vërtetë.

Askush s’qëndron dot kollaj para vetes
E sidomos para vetes në gjumë
Është njësoj si ta lash të vërtetën
Në të vjellat e botës që rrjedhin si lumë.

1998


*  *  *

Ti do të ikësh drejt pranverës,
Dimrin do ta lësh tek unë,
Por ngricat brenda syve tu do mbeten
Si copat e akullit në lumë…


JEMI TË GJITHË VETËM

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Dhe kemi nevojë për dikë tjetër
Kush ndryshe bën e thotë
Gënjen të gjallë e të vdekur.
 
Shpesh vetmia na bëhet parajsë
Udhëkryqet kanë marramendje
Kërkojmë një palë sy, një sup, një krah
S’i gjejmë e drejtë vetmisë rendim me ëndje.

Jemi të gjithë vetëm në këtë botë
Drurë prej rrufeje shitur,
Pas syve që s’i gjejmë dot më,
Rendim mashtruar…

2000


RRËNJË E PADUKSHME

Ëndërr që jeton kur nata është tretë
Diell që përvëlon kur vera ka ikë
Rrënjë të padukshme që s'më shkulen kurrë
Dorë që m'i mbyll qëpallat kur të kam pranë
Dhe më zgjon sa herë që s'je
Era dhe ajri që më duhet të thith
Pamja që më duhet për sytë
Lulja dhe kopshti që s'janë më
Ku rri e kundroj ikjen e mosardhjen tënde
Gjurmët që le në tokë, në ajër, në lëkurën time
Ku rri e kundroj ditën pa ty
Ditën pa sy...


QIELLI DIMËROR

Qielli dimëror lotonte në Paris
Grija bëhej më gri
Mijëra njerëz në Shën Elize
S’më hynin në sy.
 
Ecja mes tyre i pavënë re
Njerzia në punë të vet
Në dhjetra fytyra më bëhet se je
Mashtrim i shkretë.

Këtu gjithçka është gri
Dhe ëndrra më bëhet e hirtë
Ti atje buzë detit të largët
Sheh rërën që lahet.
 
Buzë Senës java pa ty
Ish e gjatë, ish një jetë
Dhe ky qytet ëndërr
Pa ty ish i shkretë.
  
Këtu qielli loton shi
Ti lahesh me diell në ato anë
Nata parisiene më përpin
Në tingujt e bardhë.


*   *   *

Larg më je sot, kaq larg
Të shoh me sytë e mendjes,
Buzët e puthjes s’të mbërrijnë
Veç krahët e zemrës.


NA LINI

Na lini të jemi të pa emra sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo, unë jam Adami
Dashnorët e parë në botë.
 
Na lini të jemi veç dy njerëz sonte
Të digjemi e të bëhëmi hi,
Mos na spërkatni me pështymë tek flisni
Mos villni nga sytë padi.
 
Na lini të jemi pa identitet sonte
Mos na kërkoni pasaportë,
Eva është kjo ,unë jam Adami
Dashnorët e fundit në botë.

2000


TRISHTIMI YT

Kulm mbi Dri,
trishtimi i syve tu…
 
A nuk mjafton mungesa e cicërimave të zogjve
mungesa dhe heshtja e tyre
(ç’tu ketë ndodhur vallë?…)
 
A nuk mjaftojnë këto drurë pa gjethe e sytha, të fjetur, të trembur
a nuk mjafton plogështia e udhës, supet e kërrusura të njerzve
buzët e vyshkura nga mosputhja të grave e vajzave që më kalojnë pranë,
çapet e zvarrë të njerzve që bëjnë sikur ecin, sikur flasin e sikur qeshin
por që në fakt edhe sot ecin bythëmbrapsht.
(Ka kohë që njerzit ecin me shpinë para e kokë pas,
duke parë me mall të shkuarën e tyre që i poshtëroi,
gjithmonë duke pyetur nga vijmë e kurrë jo, ku shkojmë…)
 
A nuk mjafton grija e errtë e qiellit të sotëm
që bëj be se nuk ka parë e mbajtë kurrë diell në gji
kurrë hënë në sy, yje përmbi…
 
Sot, ah të paktën sot, nuk e doja trishtimin në sytë e tu
se zërat që dëgjoj ngado më ngjajnë me mjaullima macesh të pafuqi
sytë e gjithkujt që takoj më duken galeri boshe…
 
Kurvat që më kalojnë pranë, (disa që i njoh dhe ua di hamshorët)
më thonë se janë perëndesha të gjithpushtetshme,
mbretëresha të virtytit dhe nderit…
 
Më beso, të gjithë u tremben kurvave sot
edhe ato që kanë shkuar me to
edhe ato që s’kanë shkuar por kanë ëndërruar.
 
Kurvat të groposin dhe të marrin copën e bukës së fëmijëve
ta plasin publikisht se i ke palluar…
 
Sot, jo, të lutem, mos loto trishtim
edhe pse më sheh mes burrave kurva
me ligësinë e tyre pa kufi,
po ti mos loto, se unë do të hesht si shkëmb përballë detit
se ndryshe burrat kurva të bëjnë horë
e të marrin erzin…
 
Sot, në këtë ditë shterpë, në udhën e shkretë plot njerëz
trishtimin e syve tu nuk e mbaj mbi supe,
pasi më shemb përdhe fytyra e ditës
si e vajzës së pafaj kafshuar e nxirë prej maniakut seksual…
 
Shësht… dëgjo si derdhet e frikshme qeshja e kurvave
derdhet kërcënuese nga kulla në kullë
nga zyra në zyrë, nga selia në seli
merr pastaj bulevardin bri tribunave të lehjes…


NËSE MË DO

Nëse më do, mos më fto të vdes
Më ler të ngjitem në parvaz të dritares
Të shoh hënën…

1998


TRE ZOGJ…

Rrufeja ra
Lisin shkrumb e dogj
Edhe po të mbijë ndonjë filiz prej rrënjëve
S’bëhet lis për zogj.
 
Tre zogj mbeten pa fole
Të vetmuar cicërojnë në shkurrë…
A do t’i gjejë e ëma kur të kthehet
A do të mundet t’i ushqejë ?…
 
Tre zogj të vetmuar, pa fole
Qajnë në një shkurrë,
Rrufeja ra
E lisi shkrumb u dogj…

2000


*   *   *
 
Jemi bërë si gurë
të brejtur,
ngulur rastësisht mbi tokë,
pa mundur t’i gjendemi njëri – tjetrit…


NË UDHË T’PA EMËR ME M’PRITË

Në udhë t’pa emër me m’pritë
në ditë të vdekura veshur me qefin,
në netë të shkreta veshur me vetmi,
në ardhsha me diellin ndonjë ditë,
me ndonjë yll të këputur ndonjë natë,
me pikat e trishta të ndonjë shiu të ngratë,
me hedhurinat që shtjell erë e forte…


ME M’I KPUTË KRAHËT
 
Me m’i kputë krahët, duart me m’i kputë
e di se kanë me më dalë prapë
se nuk mundem mos me i përkëdhelë
e shtërngue e me i mbushë duart plot me gjinjtë e tu
nuk mundem mos me të kapë e shtërngue gjithkund
në trupin tënd, me ta dëgjue zërin tek bërtet
auuaaa… më vrave, më sakatove, më nxive…
nuk mundem mos me të kapë për beli a për barku
tek më rrëshqet si ngjalë nën krahë e lumë nën urë
nuk mundem të mos ndjej dridhjen e dehjen e trupit tënd
e djersën e lehtë të lodhjes së ëmbël që të bulëzon mbi lëkurë…
 
Me mi nxjerrë sytë e ballit, me mi qorrue krejt
e di se prapë kanë me më ardhë sytë
se nuk mundem mos me të pa ty
e sytë e tu përmes të cilëve shoh botën…
nuk mundem pa e pa qetësinë hyjnore të syve të tu të qielltë,
s’mundem pa i pi ato dy pika loti që bulëzojnë në ato sy
teksa unë i thith e i pi që të mos rrjedhin faqeve tua,
tek perëndojnë e tulatën e derdhin një dritë qiellore në mua
teksa më thua fjalën tënde të zakonshme, ah i lig, i lig…

Me ma këput kryet në qafë si të pulës
e di se më ngjitet prapë, më del një krye tjetër
se s’mundem me ndenjt pa e vu kryet në gjoksin tënd
mes gjinjve të tu, s’mundem kurrë mos me e futë kokën
mes gjinjve të tu e me heshtë, me heshtë, me heshtë
s’mundem mos me e mbulue kryet me flokët e tu
e me u bë nervoz në çast tek më derdh flokët në fytyrë…
 
Me më mbytë krejt, me më blue gur për guri a me më djegë
e di se prej hiri kam me u ngritë kështu si jam
njeri që ha përditë fatin e vetën time me dhëmbë
që humbas pa mëshirë si në kumar orët, ditët, kohën time
që i ha e nuk i sos dot as në ëndërr thonjtë e mi
që të puth e të puth e nuk ngopem kurrë me buzët e tua që më çmendin
që qaj, qesh, flas e hesht, ulërij e vdes në të njejtën kohë
që e vras ditën me plumb në ballë dhe ashtu të vdekur e mbaj në krahë
udhës së yjeve me vaj e kujë ditë e natë
e gris, e çjerr përnatë natën e përdalë
ia shpërthej barkun e zi me thonjtë e mi të pistë
në prushin e yjeve ia pjek zorrë e mushkëri
 
Kam me u ngritë prej hirit të yjeve të djegur e kam me u ba
kështu, si më ke dashtë gjithmonë
ti, që për fatin tim të bardhë, nuk ke kërkue në mua dikënd tjetër...
ti, që më ke dhënë nga vetja jote plot sharm gjithë gruan e botës
dhe pafundësitë e saj…
prej hiri pra kam me u ngritë
e kam me ardhë, i gjallë…
  

*   *   *
 
Ka ditë që sytë e tu s’më kërkojnë
Dhe zëri im s’bën më për fjalë…

1998


TASH SA KOHË

Tash sa kohë shoh veten e varme në lis
Mu në mes të fushës
Me litar në qafë, natë e ditë.
Dimër verë njerzit pështyjnë,
Bëjnë shurrën në trung dhe rrënjë.
Lëvores, miza pafund, rrallë ndonjë korb a zog i pafaj
Merr vdekjen e vet në sqep.

S’ka mbetur gjë tjetër në mua,
As vdekje s’ka mjaft për gjithë zogjtë…


NË ËNDRRAT E MIA

Në ëndrrat e mia
Kam vdekë e
Jam varrosë qindra here,
Në tokën e mbretërisë së ëndrrave
Jam lindë,
Përmendore mjegulle jam bërë,
Nëpër varret e ëndrrave kam hyrë e dalë
Me ty në krahë,
Pa ty në krahë,
Me veten për dore
Drejt asgjësë.


LIS I VETËM NË FUSHË

Lis i vetëm në fushë
Gjysmë i plakur e gjysmë i kalbur
Që ende dëgjon gjithçka
Nga bëmat e botës,
Që sheh edhe ato që s’duhen parë.
Trumcak i ngrirë në borë
Me krahun e thyer nga llastiqet e fëmijëve.
Sytë e Hënës që shohin gjithsinë,
Dera e çelur ku hyjnë zërat,
Dritare pa xhama nga hyjnë zogjtë,
Dhimbja që ndjen toka nga pesha e hapave,
Etja e lumit nga shterrja e ujit,
Tharja e buzëve nga mungesa e puthjes,
Thirrja e gjinjve për tu shtërnguar,
Malli i dorës për të rrëshqitë mbi flokë,
Shëmtimi i oxhakut pa zjarr,
Fole dallendysheje e braktisur...
 
E tjetër çfarë mund të jem
Në këtë ditë pa sy
Në këtë natë të verbër
Kur ti s’je...

MIQTË KOSOVARË, VËLLEZËRIT KINEZË DHE EDI RAMA





Rexhep Shahu u lind në vitin 1960 ne Lume. Fëmijërinë e kaloi në breg të Drinit të Bardhë me Pikëllimën në shpinë e Pashtrikun në sy, aty, në mesin e dheut, ku pajtohen e bëhen një dy Drinat, i Bardhi dhe i Ziu dhe rendin bashkë me ëndrrat e tyre drejt detit.

Në Durrës kreu shkollën e mesme teknike-mekanike. Atje u mëkua me det dhe lau ëndrrat në të.

Universitetin për letërsi e kreu në Shkodër.

Ka provuar gjithëfarëlloj punësh e profesionesh në fusha e male me bujq e blegtorë, kosëtarë e korrës gruri... Ka jetuar me mineralkërkuesit, minatorët, vagonistët, ka punuar si motorist e xhenerik, ka bërë sekretarin në prokurori, shpesh duke u dridhur për fatet e të tjerëve, ka qenë drejtues kulture, tregtar, ka themeluar një kompani ndërtimi, ka punuar gazetar në Radio Kukësi, Radio Tirana, Top Albania Radio e në organe të shumta shtypi të Tiranës e Prishtinës, zëdhënës në Qarkun e Kukësit dhe në Ministrinë ë Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit në Tiranë, ku dhe ende punon për një detyrë tjetër.

Por veten e gjeti në profesionin e gazetarit. Ka drejtuar si kryeredaktor  revistën kulturore “Dy Drina”,  revistën për fëmijë “Kallz”, organe këto të Qendrës Kulturore “Dy Drina”, të përkohshmen “Gazeta e Kukësit” dhe prej pesë vitesh edhe revistën kombëtare “Bujqësia Shqiptare”, organ i Ministrisë.

Rexhep Shahu vazhdon të magjepset pas poezisë. Vargjet e tij të hershme janë tretur shpateve te fëmijërisë si larat e dëborës. Vijat e fatit shpeshherë trazohen në përngjasim me relievin e përthyer të Bardhocit të Kukësit, fshatit të tij të lindjes, njërit prej fshatrave të Lumës, i ndodhur në gjurmën e udhës së vjetër “Via Publica” që lidhte Dardaninë ilire me Adriatikun dhe i njohur me këtë emër që në shekullin e 13-të.

Veç librit “Lis i Vetëm në Fushë”,  ky autor ka botuar edhe pesë libra të tjerë, dy vëllime poetike dhe tre libra me publicistikë: “Mali i Hënës”, poezi, Tiranë, 1988; “Bregu i Brengës”, poezi , Prizren, 2000; “Misioni për Paqen”, kushtuar krizës së Kosovës dhe aktorëve të kohës; “Bllaca” monografi; “Marsi i Minave”, Tiranë, 2006.
REXHEP SHAHU
(“Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës” – vetëm kjo gjysmë fjalie gjendet në programin politik  të Partisë Socialiste për Kosovën).
Përsëri këto ditë Edi Rama me “Kurban” në shpinë mori udhët përtej Shqipërisë administrative, me shitë do libra, kësaj radhe në Preshevë dhe sërish tek emigrantët shqiptarë në Greqi. Ka fillue dhe po miklohet ndër veti dhe po i duket se “Kurbani” i tij ngjan me “Kuranin” e Muhametit.
Po i sillet rrotull e rrotull Shqipërisë, nga jashtë, për me gjetë ndonjë derë të çelur me hy në zemër të Shqipërisë.
Në Preshevë, këtë fundjanari të 2012, si në nëntor të 2011 në Prishtinë, kërkon të shalojë ndonjë kalë patriotizmi e nacionalizmi me ia mësy Shqipërisë.
Ka kuptuar, pa ia thënë zëdhënësit e këshilltarët as xha xhai e xhaxhallarët, se kjo përmasë i mungon (përmasa e nacionalistit dhe patriotit) dhe një urdhër i brendshëm e nisi për atje. Gjë shumë e mirë dhe kurrë nuk është vonë.
I shkokluar brinjësh nga shtypja që i jep përmasa e Berishës në Kosovë e Preshevë, ai nuk ka fuqi as të lypë ndihmë as të trokasë në derën e duhur dhe shkon shumë inferiror e pritet si inferior nga inferiorët, krejt me të padrejtë.
Dera e kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë për në Kosovë e në zemër të saj nuk çelet as nga Baton Haxhiu e as nga Shkelzen Maliqi, dy figura të nderuara publike të Kosovës, por duhet të çelet ndryshe dhe çelet ndryshe.
Sepse Edi Rama nuk është sot një piktor udhe që kërkon një sallë për një ekspozitë apo një ekspozitë ku të mund të varë një pikturë piktori varfanjak, i talentuar e i pakuptuar nga bashkëkohësit.
Edi Rama nuk është një fenomen në publicistikë që ka bërë një kryevepër (mos kujton me të vërtetë ndonjë budalla nga militantët e tij se ka bërë Rama një Kuran të ri…), pasi ai e di mirë se ka derdhë mllef dhe urrejtje pa hesap (duke u rrekur pa sukses e pa fat të urrejë urrejtjen) në atë libër që jam duke e lexuar, e din mirë se është rrekur me stërmundim të bëjë pikturën e tij të Shqipërisë siç ai e sheh me sytë e mendjes e të zemrës së tij plot zemërim, urrejtje të verbër, dëshpërim e zhgënjim.
Edi Rama nuk është një politikan që e “morën në qafë” të pabesët, që e “hëngri” kot, që “ia lanë në dorë…”. Jo. Ai është shkop bagërdani në politikën e majtë shqiptare për rreth një dekadë e gjysmë. Është sulmues, gjuajtës penalltish dhe mbrojtës e portier vetë.
Pra, ai, nuk është thjeshtë nga këto që thashë sipër, ai është lideri i opozitës në Shqipëri dhe si i tillë duhet të shkojë në viset e tjera shqiptare, pasi nuk është turp të jesh lider i opozitës shqiptare, sepse unë besoj plotësisht se Partia Socialiste është parti shqiptare dhe është shumë mirë të njihet ndër shqiptarë, është mirë të takohet me shqiptarë jashtë kufinjve administrativë të vendit tone, duke e vrarë frikën që ka kjo forcë politike nga e3 kaluara e pararëndësve të saj, duke larë vetën dhe duke mos ia futë shpatullat mëkatit të atyre që e themeluan dhe e bënë paraardhësen e kësaj partie antikombëtare, antiKosovë, internacionaliste në dëm të çeshtjes kombëtare shqiptare deri aty sa në “Zërin e Popullit” shkruhej “miqtë kosovarë e vëllezërit kinezë”.
Por problemi i vërtetë që Edi Rama si kryetar i PS, mbase nuk e di, ose e di por nuk dëgjon nga ai vesh, është se Partia Socialiste e Shqipërisë nuk e konsideron Kosovën, nuk e përfill as sa borën e rënë në vitin 1953. Pasi në programin politik të kësaj partie të fundvitit 2011, për Kosovën ka shkruar vetëm këtë gjysmë fjalie:“Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”. 54 germa a karaktere. Kaq. Asnjë germë më shumë.
Këtë program politik të botuar si libër Edi Rama ia dhuroi Hashim Thaçit në Prishtinë. Hashimi, që ndoshta nuk ka kohë t’i shkojë deri në fund leximit të një libri të tillë, nuk reagoi. U pajtua me “dashurinë” e Partisë Socialiste të Shqipërisë për Kosovën. Sepse Hashimi beson ende mbase se bytha e pulës bën vezë pate.
Nuk reaguan as reaguesit profesionistë në Kosovë as Vetvendosja as Albini as tifozat kuq e zi të futbollit politik në Shqipëri. Jo për gjë, por thonë se janë patriotë dhe janë për bashkim kombëtar. Duket ua kanë qorrue sytë xhixhat patriotike se ndryshe do të alarmoheshin nga kjo mosdashje për Kosovën nga Partia Socialiste e Shqipërisë, partia që ka gjysmën e shqiptarëve me vete, që do të vijë në pushtet një ditë në Shqipëri.
Patriotët nuk e çmojnë si duket si mungesë të përmasave patriotike mungesën e Kosovës në programin politik të Partisë Socialite të Shqipërisë. Patriotët janë të zenë më çeshtje patriotike shqiptare më të rëndësishme se Kosova.
Por duket se edhe Rama dhe mbështetësit e tij, nuk janë të trazuar për këtë mungesë të Kosovës në programin e tyre politik sepse ende nuk e besojnë se Rama do të vijë një ditë në pushtetin politik si drejtues, si kryeministër, nëse do të kryesojë socialistët. Rama duket vetë nuk beson se do të bëhet kryeministër. Shpesh, që nga 2009, ka artikuluar fjalën “kurrë”. O sot o kurrë!, thërriste Rama. Kjo “sot” nuk u bë dot dhe mbeti “kurrë”. Pra Rama nuk beson vetë së pari se mund të bëhet kryeministër. Sepse ende deri sot asnjëherë nuk është sjellë si i tillë, asnjë ditë, për asnjë lloj gjëje. Ai nuk beson se mund të veshë kostumin e kryeministrit, pasi i duket gjë shumë serioze dhe e paarritshme. Dhe shpesh po dëgjojmë dhe shohim mbështetësit e tij që pyetën e pyesin edhe vetën në emisione televizive “a bën Rama për kryeministër…”. Thjeshtë shtruarja e kësaj pyetje nga njerzit e Ramës, tregon se as Rama e as të tijtë nuk janë ende gati që ai të marrë përgjegjësi e të bëhet kryeministër.
Ndërsa unë besoj se nëse do ta votojnë shqiptarët ai s’ka pse të mos bëhet kryeministër, por jo me “O sot o kurrë…” sepse kështu i bie të bëhet kryeministër kurrë.
Miqtë e mi socialistë e pro socialistë, që i kam miq jo për hatër të politikës pasi politika nuk është grazhdi im, nuk ndjehen mirë për këtë dashuri të munguar të Partisë Socialiste për Kosovën, për këtë mungesë totale vemendje ndaj saj, për këtë shpërfillje e tallje ndaj Kosovës dhe në vend që të reagojnë që të ndryshohet kjo gjë, që Kosova të jetë në axhendën e kësaj partie, të jetë realisht ashtu siç është në jetën reale të përditshme shqiptare, pasi edhe Kosova edhe PS janë shqiptare, rrinë e më kujtojnë mua nëpër komente e bllogje Sali Berishën, Partinë Demokratike, të vrarët e 21 janarit etj etj.
Unë nuk do t’ua kujtoj përditë miqve të mi socialistë, se i bie që t’i shpall budallenj se Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka lëvizur asnjëherë nga qëndrimi i saj i qartë kombëtar dhe se Kosovën e çeshtjen kombëtare shqiptare e ka patur që në çastin e themelimit, yll të saj polar. Është e shkruar në të gjitha dokumentet politike të kësaj partie, siç është e shkruar gjysmë fjalia fyese për Kosovën në programin politik të PS. Miq, thirrini kujtesës dhe shihni punët që janë bërë, pa tifozllëk.
Udha e Kombit nuk do të bëhej dhe nuk u bë pa një vullnet të fortë politik, nuk do të bëhej po të mos ishte Kosova çeshtje kombëtare shqiptare, po të mos ishte kjo çeshtje yll polar për Partinë Demokratike të Shqipërisë, qeverinë dhe kryeministrin e saj.
Nga sjelljet, nga deklaratat që bën nga faqja e tij e internetit Edi Rama po sillet si një gazetar apo publicist që pretendon të jetë i pavarur, por që nuk është dot i pavarur, si një piktor që don të jetë i famshëm, por nuk është dot as mesatar. Nuk ofron besim, shpresë. Ofron sharje, fyerje. Synon të tërheqë vemendjen e Berishës, merakoset se a e lexoi apo dëgjoi Berisha të shkruarën apo të thënën e tij. Angazhohet për mustaqet e Çelos, avokaton gjëra e çeshtje koti, bën prokurorin e akuzatorin për gjëra banale. Nuk arriti asnjëherë të na thotë kush dhe cilat janë prioritetet e tij, problemet serioze të këtij vendi, por merr rolin e ndonjë kryetari të ndonjë OJF-je të dyshimtë dhe hyn në aleanca me OJF fantazma. Rama nuk beson se shteti nuk qeveriset nga OJF dhe as si OJF.
Gjeja më e madhe që ka ndodhë në Shqipëri për ta përmbyllë pavarësinë e cunguar të kombit shqiptar është Udha e Kombit që u ndërtua. Ajo nuk u pranua nga Rama e të tijtë. Përkundrazi u sha, përbalt dhe mallkua pa fund me një histeri urrejtje.
Rama shkon dhe shan këtë udhë mu në Prishtinë. Kësaj i thonë t’ua shash atyre ëndrrën. Gjithmonë duke synuar të shajë Sali Berishën, kur e din mirë ai dhe cilido tjetër se Berisha nuk mund të shahet në Prishtinë. Është as më shumë e as më pak se sa papjekuri e Ramës, këshilluesve dhe Xhaxhallarëve që e udhëzojnë. Minus i madh për vetë Ramën. Shqiptarëve ju dhëmb deklarata e Ramës, por atij i djeg e përvëlon, ani se bën sikur nuk e ndjen, sepse këto deklarata janë fatura e humbjeve të tij politike.
Duket se po sillem si kali në lëmë të shirë teksa merrem me raportet e Ramës me Kosovën. Duke e ditur se ai është kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, unë nuk ndjehem mirë që ai shkon gati – gati fshehtas e ilegalisht në Kosovë nëpër rrugë shoqërie e OJF-sh. Ai nuk duhet të gjejë sebep një libër të tijin për të shkuar në Kosovë. Ai duhet të shkojë atje si kryetar i PS. Me dinjitet. Të qartësojë njëherë e mirë se ai nuk ka përgjegjësi për trashëgiminë anti Kosovë të Partisë Komuniste apo Partisë së Punës të Shqipërisë. Të kërkojë ndjesë publike që Kosovës i ka kushtuar gjysmë fjalie në programin politik të PS. Dhe të gjitha këto për arsyen e thjeshtë e të vetme, që Partia Socialiste të ndërrojë kurs ndaj Kosovës, të pranohet në Kosovë, të mos u kujtojë shqiptarëve atje mëkatet e kësaj partie ndaj Kosovës në këto dy dekada, mëkatet dhe krimet e origjinës së kësaj partie ndaj Kosovës në gjysmë shekullin e kaluar. Sepse ndryshe nuk ka afrim, nuk ka pranim, nuk ka bashkim. E nëse Rama dhe partia e tij janë të bindur se janë në rrugë të drejtë në raportet e tyre me Kosovën, s’më mbetet tjetër veçse t’ju uroj fat në humnerën pa urë që kanë përpara.
Dhimbja më e madhe e këtij vendi në këto dy dekada është shprazja e atdheut. Shumë shqiptarë, tani  që po bëhet një brez njerzor larg atdheut, janë në dilemën e llahtarshme, çfarë të bëjnë: të rrinë apo të ikin nga vendet ku janë. Ku të shkojnë. Çfarë të bëjnë në atdhe. Fëmijët u janë rritë larg atdheut. A mund të integrohen në atdhe dhe çfarë u ofron atdheu atyre dhe fëmijëve të tyre.
Krijimi i mundësive për investime prodhuese, jo më për shërbime, jo më për kafe e restorante e lojra, krijimi i mundësive për ta bërë efektive tokën, kjo është dilema sot, sfida e sotme dhe e neserme e këtij vendi.
Ndër më të mirat gjëra që ka bërë ky shtet në 20 vitet e fundit është nxitja dhe stimulimi i fermerëve shqiptarë për të mbjellë tokat e tyre me produkte për të cilat ka uri gjithmonë tregu dhe që kanë konkurueshmëri në treg lokal e rajonal. Subvencione për mbjellje frutash, perimesh etj. Por me rëndësi të madhe kombëtare janë dy programet e mëdha, ai i mbjelljes së ullnjve dhe arrorëve. Të dyja këto programe i ka tallë Edi Rama. Ndërsa unë mendoj se nuk ka gjë më atdhetare se sa të mbjellësh 50 apo 100 milionë rrënjë ullinj në këtë vend sepse janë mundësitë dhe mundësisht ullinj vendas, shqiptarë. Dhe nuk ka sektor tjetër më fitmprurës për fermerin shqiptar se sa të mbjellë gjithë teritorin e pranueshëm për arra e lajthia. Këto dy projekte duhet ti nxiste e t’i stimulonte Partia Socialiste e jo ti anatemonte. T’i bënte presion  qeverisë të dhjetëfishonte fondet në këto projekte. E të mos rrinte duke gjurmuar ku ka për të vjedhë e për të përfituar sepse kjo pohon se është zakon e ves kjo gjë, pasi ai që bën vetë, kujton se të gjithë duhet të bëjnë si ai…
Edhe patriotët profesionistë shqiptarë nuk e kanë në axhendë ullirin e as arrorët. Janë ende në sferën e parfumerisë patriotët tanë profesionistë.
Se po na krijohet përshtypja se u largova nga tema tek përmenda punësimin, arrorët e ullinjtë. Jo, jo. Ishim te fjalia e mekur për Kosovën në programin politik të kandidatkryeministrit të nesërm Edi Rama që është pesha e rëndë mbi supet politike të Edi Ramës, është pesha e rëndë që nuk i lejon portat e Kosovës të çelen për Edi Ramën edhe pse ky vlerësim për Kosovën në programin politik të Partisë Socialiste të Shqipërisë nuk u bën përshtypje as Shkelzenit e as Batonit si sajditës të Ramës në Prishtinë.
Thashë se Rama po i sillet nga jashtë “kalasë Shqipëri” për ta marrë e për t’u bërë kryeministër. I duket si pasqyrë Kosova, Presheva dhe emigrantët dhe monologon para tyre me veten a bëj për kryeministër. Duket nuk i beson plotësisht xha xha –it e xhaxhallarëve të tjerë që i bëjnë vapë e fresk. Shkon me “Kurban” në shpinë tek emigrantët shqiptarë në Greqi.Duhet të blejnë edhe librin e Ramës shqiptarët ca për Kuran e ca për Bibël dhe të nisin të gjithë me “ooiiii” në kor me Ramën për mundjet e tij.
Tradhëtare e shpalli Edi Rama qeverinë shqiptare se tentoi të shiste detin tek greku por nuk e la Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Dhe ai shkon te greku e i kërkon ndihmë për ta bërë atë kryeministër në Shqipëri. Dhe greku mbase e bën, por sa të ngrejë njëherë pantallonat e tij se i kanë rënë në fund të këmbëve. Shkon dhe ulet në gjunjë para të “shquarit” Papandeut kryeinternacionalist, ëmbëltohet me ishministren e jashtme greke Bokajanis që “mëkatoi” për detin me ishministrin e jashtëm shqiptar Lulzim Bashën.