Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/03

Prometheu shqiptar – Adem Jashari

Nga Flori Bruqi

Thënë të drejtën, botimet e mia datojnë që herët, që në vitet e tetëdhjeta, e që mund të thuhet që jam edhe përfaqësues i poezisë së viteve të tetëdhjeta, atëherë kur kam filluar botimin e veprave poetike. Mbase të shkruaj kam filluar që herët. Mirëpo, thënë të drejtën, kritika letrare, disa nga veprat e mia poetike, i ka veçuar në kohë, si vlera poetike. Mbase janë edhe mjaftë emra të njohur të letërsisë sonë të re moderne, që kanë shkruar për veprat e mia, qoftë këndej në Kosovë qoftë andej në Shqipëri. Mund të them se me mendimin e kritikës çdoherë jam i kënaqur, jam katërcipërisht i pajtuar, ngase kritika letrare nëpër kohë, secilën vepër që e ka marrë me theks të kritikës, e ka çmuar dhe vlerësuar pozitivisht, dhe kjo më gëzon si fakt. Unë, do të thoja që janë një sërë veprash poetike, siç bie fjala “Shtreza në fjalë”, e botuar më 1985, ka qenë fillimi i botimit të veprave të mia poetike, domëthënë kjo është vepra ime e parë poetike, që është pranuar atëbotë në konkursin letrar, me shifër, jo me emër dhe mbiemër, në konkurrencën e 33 dorëshkrimeve të edicionit botues “Zëri”. Atëbotë kjo vepër është pranuar si vëllim poetik në konkurrencën e 33 dorëshkrimeve dhe më vonë doli si botim i librit, me titullin “Shtreza në fjalë”, dhe besoj që kjo ka pasur atë vlerën e vet, si krijim poetik, që ka sjellë një frymë të re në poezinë shqipe të kohës. Dhe pastaj do të veçoja edhe veprat tjera si, “Pse ashtu Pandorë”, po ashtu vepër poetike,botuar më 1993, pastaj do veçoja, “Përballje me vdekjen”,botuar më 1999, apo poemën e gjatë, një ndër poemat e para të kësaj natyre, kushtuar legjendës së trimërisë shqiptare Adem Jasharit e titulluar “Shqiptari vdes duke kënduar”, së bashku me poezitë shkruar gjatë kohës së luftës çlirimtare,kur raportoja si reporter lugte, nga beteja e Koshares, e botuar në vitin 2000 dhe ndonjë tjetër, sipër shembull vëllimin tjetër poëtik, “Kohë për të folur gurët”, e botuar në vitin 2001, apo atë, “Sipërfaqja e padukshme”,botuar më 2003 etj. Thënë të drejtën, veprat poetike janë, siç është thënë edhe nga shumë autorë klasikë, apo e kanë thënë edhe të tjerët, disi nuk mund t’i dalloj, t’i ndajë, janë sikur fëmijët kur lindin, do të thotë, secila të duket më e mirë se tjetra, secila e ka atë pjesën e vet tek krijuesi, të vuajtjes së krijuesit, sepse, është një prurje, është një lindje që poeti e sjell. Dhe kështu këto janë ato që do t’i veçoja....

“Në një jetë pas Krishtit”


 Këtë libër e ka botuar shtëpia botuese “Rugova Art”, e cila ka një traditë botimi më se katërvjeçare, të cilën e udhëheq poeti i mirënjohur shqiptar Naim Kelmendi, pra ky është  krijuesi dhe drejtuesi i saj. 


Në radhën e botimeve të tjera, që kanë dalë këtyre viteve, nga gjini të ndryshme letrare, qoftë ato në prozë, poetike, pastaj publicistike e të fushave të tjera, dhe më në fund arriti që të botoj edhe veprat e tij. 


 Vëllimin poetik “Në një jetë pas Krishtit”,  si zakonisht, krijuesi pret reagimet e lexuesit, qofshin ato publike apo të formave tjera, kështu që ato janë të pritshme....


 Mund të them se poezitë e Naim Kelmendit  kanë  motivetë ndryshme. Poezia moderne  e tij  shkapërderdhet -shpërndahet nëpër një sërë motivesh, e po ashtu edhe poezitë e këtij libri, janë nga më të ndryshmet, personale, intime,lirika të dashurisë,lirika të atdhedashurisë, të jetës urbane, moderne, e motive të tjera, kështu që, këto janë edhe motivet që e përbëjnë poezinë e tij  , më konkretisht të vëllimit poetik “Në një jetë pas Krishtit”...


Naim Kelmendi,” “Shqiptari vdes duke kënduar”,poezi,botoi Shtëpia botuese “Rugova Art”,Prishtinë 2010,faqe 74.

   


Heroi biblik e zotëroi nga fillimi deri në fundin e vet Betejën e pasmbrapsur të heroizmit -shqip.



Në çastin kur bishat e çmendura arritën ta vrasin më të mirin(o zot sa keq ata u sollën me koka të prera,njerëz të vrarë,pleq e plaka,nëna të therura me shtatëzani!)diçka e thellë, e tillë u shkrep në truallin dhe shpirtin që kërkonte vetëm gjak arbëror.

Fillimisht në këtë truall lindi poeti ynë,i cili, ka gjëra të përbashkëta me vargjet fishtjane , mbase të ndërtuara në mënyrën më pikante te poema “Shqiptari vdes duke kënduar”…


Homerit shumë i pëlqente zotërimi.Deri në momentin kur dueli hyjnor-ishte i pa-kryer,poeti i verbër e kishte dashtë shumë Akilin e kishte vlerësuar atë si një zotërues,krejt ashtu siç e synonte dhe ai vetë botën…

Bota i pranon dy a më shumë zotërues.Ne nuk e dijmë se si e ka”parë” Homeri duelin Hektor-Akil,ashtu i verbër ashtu me errësirën e padepërtueshme dhe të përjetshme nëpër sy,ashtu i pamundur,por e ka ndjerë e ka dëgjuar nga shembja e”thelbit” të tij.

Akili ka qenë një rast-hata,një kohë hata,një njeri – hata,një vrasës dhe një fitues – hata.



Ka qenë momenti që poeti ka kuptuar se ai, Akili, nuk është zotëruesi,por sunduesi,e vetmja gjë e përjetshme që nuk ju ka pëlqyer poetëve.

Zotëruesi i baladës është nga Ruhoti i Pejës, është shqiptar,ka të botuara 17 vepra letrare .

Ai është si zogu që ka hyrë edhe vetë në balada lufte,sepse edhe ky ishte njeri i Baladave. Ai u ngrit me vargun e tij për t’i denuar ata – mizorët,që u sulën pabesisht – pas shpine , me elaborate,histori të tmerrshme , për t’i zhbërë me rrënjë nga faqja e dheut-Njerëzit Legjenda -,Adem Jasharin ,…Drenicën,Deçanin,Rugovën,Logjen e Llapin,…Isa Boletinin, Agim Ramadanin, që pikturën dhe poezinë dardane e la ta shkruajë në kohë paqje…,që kurrë për së gjalli s’e arrijti….



Poeti shqiptar ka emër dhe mbiemër, ai është Naim Kelmendi ,që këto ditë,ribotoi në Shtëpinë Botuese “Rugova Art” poemën –Legjendë ,me titull “Shqiptari vdes duke kënduar”…




Dhembja e çdo vargu , e shkruar nga poeti ynë pulson në çdo strukturë të brendshme , që shtrihet gjatë leximit në thelbin racional, ndërsa dhembjet ai i vë në shtratin e poemës nacionale …Pozicioni i çdo fjale,shenje,është i paracaktuar.

Poema për Adem Jasharin,e ka strukturën fishtjane.



Ajo është fabulë,prandaj e ka strukturën e poemës në gur.Duke e lexuar baladën kushtuar Adem Jasharit me titull”Shqiptari vdes duke kënduar”,e cila është botuar para 11 vjetëve , në numrat e gazetës” Bota sot”( 15 mars 1999 dhe 31 mars 1999)që më vonë është botuar si libër poetik(viti 2000 dhe ribotuar sivjet me disa plotësime ) me kapitujt II dhe III : “Poezi nga lufta”(5 poezi), të shkruara në frontin e Kosharës ,pra gjatë luftës ,me vjershat : Shqiptarët në luftë, Histori e gjallë, Vargje në mes plumbash, Fundi, Ora e fundit);kapitulli i tretë me titull “Kapërcimi i ujërave të turbullta”(13 poezi të shkruara gjatë luftës:Shqiptarët,Hyrje në atdheun e djegur,Zabullimë,Shkëlqim i zi,Misteri,Rendi i shurdhmemecëve,Fjalë e drejtë,Pështjellim,Tregim i moçëm,A pritet vdekja në shtrat,Krimet,Kapërcimi i ujërave të turbullta,Mundja e përbindshave )janë eksponent i shkëlqyer në ndihmë të argumentit për ndryshimin semantik të kësaj tradite të të menduarit.



Dihet se, shkrimtarët dhe të gjithë krijuesit e artit të vërtetë janë subjekte të faktorëve të ndryshëm jetësor.


Lexuesi pasi ta ketë lexuar librin”Shqiptari vdes duke kënduar”,gjithsesi do të bindet se Naim Kelmendi është poet modern.

Lexuesi I mirëfilltë kur I lexon 47 baladat e Naim Kelmendit, do t’a ndjejë veten si në një shfaqje filmike,ku përsonazhet si Adem Jashari,Hamza Jashari,Shaban Jashari,Isa Boletini,Oso Kuka,Agim Ramadani,Kosharja legjendare,lëvizin si në ekranin e filmit duke na dhënë një art skenik në heshtje,apo një vallëzim të zjarrtë,që herë-herë është i akullt, me përplotë akrobacione të kryera skenike të një kalibri protonizmian,rrymë kjo e krijuar nga shkrimtari ynë i mirënjohur Shefqet Dibrani.


Sekreti dhe talenti estetik i homerianit tone shqiptar i përket një fuqije tjetër: asaj të njohurive të shkëlqyera të kodeve të shkruara dhe të pashkruara të gjinisë së poemave të gjata,asaj të përvetësimit të plotë të gjitha elementeve të poezisë (e veçanta është se askund nuk përdorën shenjat e pikësimit),asaj të zotësisë së tij profesionale për t’i kthyer këto njohuri në instrumente diplomatike,që ndihmojnë drejtëpërsedrejti në kryerjen sa më të përsosur të plotësimit të” shkyer” të hartës arbërore nga Evropa plakë.



Le të përqendrohemi në disa prej këtyre elementeve si dhe në mënyrën se si efektet e tyre kanë ndikuar kaq pozitivisht në poemën që gjejmë në librin e posabotuar ”Shqiptari vdes duke kënduar”….



Që në rreshtin e parë të poemës (prej 30 baladave) kushtuar AdemJasharit,legjendës së trimërisë shqiptare,është një rrëfim fishtjan ,i gjallë,i shfaqur me një sugjestivitet, i cili të tërheq më shumë kënaqësi drejt fundit.



Vini re fjalitë e para:



Gjaku është e vetmja metaforë e kuqe
Vdekjes i jep kuptim përjetësisë rrënjë
Mbi imazhin e sakatosur të Dhe Atdheut

Si dhe vargjet :
“aty ku dhemb Kosova a nuk derdhet gjaku
aty ky vritet Kosova a s’është gjasë e vjetër”

(balada 1,faqe 11)

Ose:

…..

përmbyllet njëra krizë hapen të tjerat
ngërdheshën dhëmbët hapen varret
bëhet varr pa varri deri në çmenduri
u humbin edhe emrat pa ditur ku i kanë
as eshtrat as letërnjoftimet as pa ditur
përse kanë lindur aq të pafat e pse vdesin
pa asnjë mbrojtje në duar gjakëpirësish
ndërsa atje në kancelaritë hijerënda
mbahet prapë mbledhje dhe shkojnë
e flasin të mëdhenjtë pështyma u thahet
fjalët bëjnë spektakël fjalët keq tradhtojnë
të vërtetën e shenjtë fjalët bëhen kafshë
të egra dehjes me shampanjë me shikime
të dhelpërta me orekse të egra ujqërie.

(balada 5,faqe 11).



Pra, poeti Kelmendi ,zotëron lirshmërinë narrative,paraqitjen dinamike.


Duke fokusuar aspektin psikologjik të ndodhisë apo gjendjes,ai përqendrohet pikërisht në rrëfimin e këtij aspekti.

Kjo i ka dhënë atij mundësinë të mos bjerë në komente apo analiza psikologjike,por që gjendjen psikologjike e manifeston brenda tejksit apo nënteksit në strukturën tekstore:
….
pahetueshëm a s’po e sheh gjakun tim
të shprishur gjeografisë popullore copat
e ndara në duar të ndyra në gojë myku
përgjaket njeri cep shpopullohet tjetri
masakrojnë të parin e copëzojnë të dytin
andej u vrasin zogjve këngën e parë
….

(Balada 6,faqe 16).



Ose:

fjala e pathyer në emër të Atit e të Birit
e në emër të shpirtit vetëvdekja e trimit
në shtat e shtatqind vafshin se Unë njëherë
kam vendosur të bëj timen për dhe Kosove
ah, këtij dheu i pëlciti mjaft zemra,…

(balada 7,faqe 17).



Tek analizojmë poezitë i identifikojmë argumentet,gjendjet dhe, falë pastërtisë së jashtëzakonshme të baladave të Naim Kelmendit,nuk e kemi të vështirë t’i kuptojmë shtresat e niveleve filozofike dhe psikologjike,që gjenden pothuaja në çdo varg të këtyre baladave-Legjendë!



Në secilin varg të librit” Shqiptari vdes duke kënduar”,gjejmë domethënie të dyta e nganjëherë të treta për t’i analizuar në detaje.



Është interesante se, çdo varg është i regjistruar si me kamerë , me imtësi funksionale ,sikur veprime e gjeste të aktorëve , trillët e zogjve , instiktet e kanibalëve sadistë,që…”skanë gjak njeriu,janë krijesa shpirt djalli,vijnë nga terri monstruoz i historisë makabre,të mësuar brez pas brezi të pinë gjak shqiptari”( Balada 24,faqe 34).



Naim Kelmendi e di mirë se me çfarë cilësish duhet t’i veshë protogonistët dhe në ç’fushëbetejë duhet t’ i vendosë ato figura.
Ai është shumë i kujdesshëm se kush janë,ç’qëllime kanë dhe ku e kur humbin apo fitojnë.

Personazhet e Naim Kelmendit janë të besueshëm sepse vetë ai si autor është i besueshëm.Ai u lejon atyre gjuhën që ata zakonisht përdorin,vetitë dhe vesët që kanë.



Naim Kelmendi është dhe do të jetë i suksshëm në poezinë moderne shqipe,sepse,nga njëra anë,ai e njeh mirë njeriun,vuajtjen dhe psikologjinë e tij,shoqërinë së cilës ai i përket, si dhe jetën në përgjithësi.

Nga ana tjetër,ai ka triumfuar në artin e krijimtarisë edhe më dy vepra tjera “Në një jetë pas krishtit”(Rugova art,2010) dhe “Esenca”(Rugova art,2010).



Naimi zotëron mirë të gjitha sekretet e zanatit të tij si një poet i madh bashkëkohor.

Migjeni, Në vorbullën e të pavërtetave dhe spekulimeve






Nga Akademik Prof.dr. Alfred Uci


“Në varrimin e idhujve të vjetër kumonat kanë për të plasë së ramit, minaret kanë për të thye kurrizin së faluni dhe zhrecvet do tu këputen telat e fytit së kënduari. Dhe do të vijë heshtja. Se cdo vikamë fillon e mbaron me heshtje. Mbasandaj do të fillojë puna”.(Nga “Idhuj pa krena” – Migjeni)

Historia punon me themel, duke qenë e pamëshirshme. Përmes lojës së saj, në dukje-absurde e paradoksale, ajo e bën mirë të sajën, duke i habitur brezat që vinë me rreptësinë seleksionuese të shoshës së saj: në fund të fundit, çdo gjë ajo e vendos në vendin e vet. Ajo përmbys figura të ngritura përdhunshëm në piedestal, shpërndan shkëlqime breroresh të rreme edhe kur balsamosen për t’u ruajtur përjetësisht në gjirin e saj, ajo i flak tutje si byk dhe i braktis përfundimisht në harresë. 



Por historia punon edhe me një kah tjetër, ngulit në kujtesën e saj figura, që duket sikur kanë qenë varrosur për të mos u ndierë e dëgjuar kurrë më dhe i vendos në piedestalin e merituar, ndonëse me vonesë. E habitshme është forca e saj rivlerësuese, që zbulon thesare të fshehur aty, ku nuk pritej dhe ia kthen ato së ardhmes, duke e begatuar për brezat që vinë. 

Gjysmë-shekulli i fundit i mjaftoi historisë për ta vendosur veprën letrare të Migjenit në një nga majat më të larta të bjeshkëve me gjelbërim të përhershëm të letërsisë sonë kombëtare.



 Gura poetike e Migjenit rrahu paksa, sepse ai vdiq i ri, në moshën 27 vjecare dhe la pas një trashëgimi letrare të paktë në sasi. Ky fakt, me sa duket, e shtyn dikë, që desh ta parashikonte vendin e Migjenit në historinë e letërsisë sonë, ta quante një “kometë”, që lëshon një shkëlqim të castit e pastaj shuhet. Krahasimi ka qenë i gabuar, sepse trashëgimia letrare e Migjenit ndriçoi e do të vazhdojë të ndriçojë si një diell i pashuar. 


Me gjithë këtë pohim, nuk mund të thuhet se është kapur e njohur i gjithë spektri i rrezatimit letrar migjenian. Në këtë spektër përfshihen edhe shumë vlera ende të pakuptuara, që janë si rrezet e padukshme infra të kuqe, që syri i njeriut nuk i kap. 

Në një vështrim të cekët mund të duket sikur Migjeni, poet i nderuar këto dekadat e fundit, e ka zënë vendin e plotë, të saktë e të pandryshuar në panteonin e letërsisë sonë kombëtare. Por s’është kështu; ka dy arsye të rëndësishme, që e bëjnë të nevojëshme e të dobishme rishikimin edhe një herë të vlerësimit të veprës së tij letrare. 


Së pari, kushtet shoqërore janë duke ndryshuar rrënjësisht dhe do të ishte me interes të shihnim se si duket Migjeni në sfondin e proceseve të sotme demokratike; 


Së dyti, vlerësimet e krijimtarisë letrare të Migjenit nuk kanë shpëtuar nga ndikimi i atyre skemave e dogmave, që udhëhiqnin kritikën zyrtare partiake, e cila u përpoq ta tërhiqte edhe atë në vorbullën e ulitarizmit politik. 


E dimë mirë se ç’përpjekje u bënë për ta pagëzuar Migjenin si “përfaqësues të parë autentik të realizmit socialist” në letërsinë shqipe. Në këtë rast poeti ynë u përdor si “kokë turku” deri sa, sipas kritereve ideologjike partiake, nuk mund të zihej me gojë emri i Lame Kodrës së dënuar.



 Por ka shumë fakte, që kanë qenë lënë në harresë e që tregojnë se një nga shqetësimet më të mëdha të Migjenit, e përjetuar fort emocionalisht, madje dramatikisht, një mundim i tij i stërgjatur pat qenë përpjekja për të mos rrëshqitur në “lojrat” politike e ideologjike të kohës, për të mos u bërë pre i tyre. Ai tregoi forcë karakteri, ndershmëri të lartë qytetare, kuptim të thellë estetik të misionit të shkrimtarit, duke ua mbyllur atyre erërave “të ftohta acar”, që vinin nga “e djathta” ose nga “e majta” dhe prej të cilave poeti kishte frikë “mos ia fiknin dritën”. 


Vepra letrare e Migjenit është dokumenti më autentik e më bindësi, që e provon pozicionin “jashtë loje” të tij. 

Të ruanje një pozicion të tillë nuk ishte e lehtë për poetin, që e joshnin me thirrje circiane; ai ishte edhe më i vështirë për një “letrar të angazhuar” (sipas shprehjes së ZH.-P. Sartrit) që përgjërohej të prishej amullia e trishtueshme dhe ai drejtpeshim social që e mban botën shqiptare larg e jashtë progresit qytetërues të kohës. 



S’ka dyshim se talente të tjerë, madje të një rangu me të, e kishin më të lehtë të distancoheshin nga atmosfera inkandeshente ideologjike e viteve 30, qoftë edhe duke heshtur. Migjeni e kishte më të vështirë, sepse ishte në kërkim të rrugëve të shpëtimit, në kufijtë e horizontet e të cilave merrte frymë krijimtaria e tij poetike. 

Njëlloj si lëngata e pashërueshme, atë e brente në brendësi të shpirtit pyetja: Ku duhet shkuar?
Kritika vulgare ka pasë përdorur argumenta banale rreth përgjigjes së poetit. Duke manipuluar një figurë simbolike artistike – “dielli alegorik”- kjo kritikë ia veshi poetit zgjedhjen e Bashkimit Sovjetik si rrugëdalje e si model të s’ardhmes, ndonse, kur u prishën marrëdhëniet me “revizionizmin sovjetik” u harrua edhe kjo bashfigurë. 



Drejt këtij modeli e ftonin Migjenin edhe përfaqësues të grupeve komuniste të asaj kohe, brenda të cilëve ai dallonte njerëz të ndershëm, por edhe ëndërrimtarë të cekët e vizionerë të pandreqshëm, të cilët, edhe pa dashur, mund ta merrnin më qafë vendin. Ai nuk shihte në rradhët e tyre flamurmbajtës me potencial intelektual e moral të mjaftueshëm për të ecur pas tyre. 


Vetë Migjeni, sic e dëshmon më së miri edhe vepra e tij letrare, kishte një përfytyrim më të gjerë e më të thellë për jetën, ai e kuptonte se ajo nuk lëviz sipas dëshirave, sado të bukura qofshin, të vizionerëve. 


Ai ishte zhgënjyer, si shumë të tjerë, në iluzionet racionaliste të iluministëve; përvoja sociale e dramave tronditës të shekullit 20 e kish mësuar të kuptonte se në skenën e historisë hedhin valle dhe “ia luajnë lojën” njerëzimit forca të tmerrshme irracionale; ato e tërheqin në aventura tejet të rrezikshme e me tragjedi me përmasa apokaliptike. 


Ja përse poeti ndruhej të ecte pas vizionarëve. 

Migjenin e thërrisnin në anën e tyre edhe forca të tjera shoqërore, që kishin nevojë të ngrinin një dekor të madhërishëm dhe t’i bojatisnin fasadën “Mbretërisë së Salep Sulltanit”. 



Flirti i poetit me Mbretërinë kishte për të qenë jo vetëm shoqërisht i rrezikshëm, por edhe poshtërues për një krijues që qëndronte i palëkundur në anën e popullit, që s’mund të loste rolin e poetëve të oborrit.


 Për refuzimin e pafalshëm regjimi zogollian e dënoi dy herë me vdekje poetin- kur i ndaloi shpërndarjen e “Vargjeve të lira” dhe kur e la në mëshirë të fatit përballë sëmundjes vdekjeprurëse. 

Në vitet 30 Migjeni pati guximin deri në vetëmohim “t’i zbathte bragushat” regjimit të hurit e të litarit duke shpërndarë atë mjegull të dendur gjumëndjellëse, të mbrujtur me mite, legjenda, iluzione e paragjykime mashtruese, të gatuar në kuzhinën e propagandës zyrtare dhe të letërsisë anakronike, sentimentale, pseudoromantike e pseudopatriotike. Realiteti iu zbulua poetit i zhytur në mjerim. Shumë faktorë të asaj kohe ngjallnin dëshpërim. 


Kritika vulgare në vend që të përmendte përjetimet e idhta të poetit që vuante si Krishti për gjithë mundimet njerëzore, i vishte nofkën e “pesimistit” atij, që kishte mall për një jetë të gëzuar e të lumtur, për një rini të qeshur. E ç’të bënte poeti? Të qeshte, si Palacuya, “ndërsa zemra t’i pëlciste nga hidhërimi”?! Sidoqoftë me besimin në idealet demokratike humanitare Migjeni shpresonte se do të vinin zgjimet e do të agonte një botë e re, më e mirë. 


Shteti totalitar e pranonte Migjenin si poet të tij zyrtar; por në këtë rast regjimi bënte një lojë të pandershme me poetin me shpirt të brishtë e tejet të pastër. Poetin e pranonin në këtë rol, por me kusht që të vihej në shërbim të regjimit, që të identifikohej ideali i tij me atë të regjimit, madje që të kish profetizuar te “Komandanti” “Mesinë” e ardhshëm shpëtimtar.



 Këtë kuptim i jepte kritika partiake poezisë “Të lindet njeriu”; por sa larg qëndronte “Komandanti” nga “Njeriu pa yll në ballë” i Migjenit. Sa herë që “Komandanti” nga majat e piramidës së kultit të tij e ndjente të gjallë lavdinë e merituar të Naimit, Samiut, I.Qemalit, Gj. Fishtës, F. Nolit, Migjenit etj lëshonte anathema kundër “kultit” të artistëve, që “janë të këtillë e t’atillë...”. “Komandanti” i parapëlqente rrugët e historisë të zbrazëta, pa personalitete e individualitete të shquara, duke dashur të shtrinte mbi këto hapësira vetëm hijen e kultit të tij.


 Prandaj ideali i poetit nuk mund të identifikohet me asnjë regjim shtypës dhe ai nuk mund të ishte “poet zyrtar” i ndonjë regjimi. Migjeni punonte për një kohë tjetër – të lirë, të lulëzuar, humanitare. Ai ka qenë apostulli i kohës sonë, shenjtor i demokracisë. Ai e priste me padurim këtë kohë...
Kritika vulgare është përpjekur herë pas here ta futë Migjenin në shtratin e Prokustit. 



Për këtë qëllim ajo edhe ka spekulluar me qëndrimin e Migjenit ndaj Nices, duke e shndëruar në një lloj “klecke biografike”, gati në simpati kolaboracioniste për nazistët. Eshtë e vërtetë se në vitet 30 kishte forca që kërkonin ta tërhiqnin inteligjencën shqiptare në aventurën fashiste.


 Pati edhe viktima të kësaj gracke. Por Migjeni gjithsesi iu kundërqëndroi në mënyrë të papajtueshme miteve të ideologjisë fashiste. Në vjershën “Trajtat e Mbinjeriut” (sa spekullime janë bërë me këtë vjershë!”) Migjeni zbulonte rrezikun e këtyre miteve, që dukeshin si “një vegim shpresëdhënës”, si “një rreze e diellit më ngroh zemrën ngrimë të kësaj bote të varfën”. Ndoshta ka me ardhun... Ndoshta ka me zbardhun... 


Një agim i pritun, ditë e parathanum”. Por kjo shpresë ishte e kotë, sepse për poetin miti i mbinjeriut ishte tmerrues: “N’ardhmeni të trashëgueme Mbinjeriu vrehet/ Ndërgjegje pa dyshim,/ Ndërgjegje pa trillim/ Me një grusht graniti që kurr nuk do të thehet”.


 Sipas poetit, ky mit nuk mund të ëmbëlsonte botën, sepse mbinjeriu qëndron si një përbindësh i pashpirt, ashtu si fytyra tmerruese e çdo diktatori: “Një sfinds i mashnueshëm Mbinjeriu i ardhshëm/ Pa zemër, pa ndjenja,/ Syt e ti rrufena/ Qarkullojnë rreth rruzullit tue synue vranshëm” e sjellin me vete” gjurma luftimi, shenja hidhnimi”. 

I dashur Milosh! 



A e ka pas ditur se për këtë portretizim diktatorësh, tiranësh të conin në Mat’hausen, në Gulag, të dënonin për “agjitasion e propagandë”? 

Eshtë përpjekur ndonjë ta quaj “Migjenin “revolucionar”. Shumëkush me këtë kuptonte njeriun e dhunës. Por a ka qenë i tillë me të vërtetë? Si natyrë njerëzore e brishtë dhe poet ai nuk mund të ishte i tillë; kjo gjë, sigurisht, s’e pat penguar të ishte kundërshtar i padrejtësive socviale, të vepronte aktivisht me armën e preferuar e të plotfuqishme, me artin e tij; të vepronte kundër regresit; por “revolucionar” që adhuron dhunën, ai nuk ishte. Me këtë nuk e fyejmë Migjenin. 



Duke e cliruar nga temjanet e ideologjisë staliniste duhet të mësohemi të kuptojmë se njeriu mund të jetë shumë i mirë edhe pa qenë “revolucionar” i këtij tipi. Nuk bën të pranosh se si që shfaq mendimin artistik:”O si nuk kam nji grusht të fortë/ T’i bi mu në zemër malit që s’bzan!”, medoemos beson se dhuna e revolucioni janë mjetet universale të zgjidhjes së problemeve sociale.


 Dufet e mllefet e tij të brendshme Migjeni i transformonte në vargje poetike që jetojnë përjetësish, përtej “përmbysjeve e kthesave revolucionare”. Ai kishte frikë nga përmbysjet e kataklizmat sociale dhe parapëlqente evoluimin, që ka si forcë të tij motore më të fuqishme përsosjen shpirtërore e intelektuale të njeriut. Ai kishte frikë nga “përmbysjet radikale sociale” sepse e dinte që ato mund të dalin jashtë kontrollit të arsyes së njeriut dhe mund të kthehen kundër tij. 


Qëllimet, sipas poetit, ngatërrohen, armiku nuk përcaktohet qartë, mjetet s’janë gjithnjë të pastra si qëllimet dhe prandaj mund të përfundojnë në një “hap ekstravagand”, madje në një vetëvrasje të njerëzimit: “Njerzia kundër njerzisë,- ironizon poeti.- Domethënë luftë me vetveten, me një fjalë tjetër:Revolucion! Kështu ia filloi epopeja njerëzore.


 Sikur Hamleti në orë të fundit, q’ashtu njerëzia pushoi të lozi rolin mashtrues dhe u vue në veprim për të pas përfundime ma konkrete”. Por poeti ka frikë nga këto veprime, sepse, sipas tij, me to njerëzimi “ia luan lojën vedit”. 

Vepra letrare e Migjenit është një pikënyje referimi, që zbulon momente kyce të historisë së letërsisë shqipe. Në vitet 30 në botën shqiptare Migjeni i dha letërsisë atë peshë shoqërore e estetike, që pati gjatë Rilindjes Kombëtare verbi poetik i Naimit e i De Radës, i Fishtës e i Cajupit e më vonë i F. Nolit e L. Poradecit. Migjeni lidhet me ta jo vetëm si majë midis majash, por edhe nga që ripërtëriu me mesazhe të reja idealin estetik rilindas të clirimit shoqëror e kombëtar. 




Vepra e tij letrare ishte një pranverë e madhe shpirtërore në një stinë të thatë amullie shoqërore. Në këtë stinë Migjeni u bë shkrimtari më modern midis gjithë shkrimtarëve të viteve 30. 



Ai ishte modern, së pari, sepse si askush tjetër zhvilloi frymën kritiko-sociale, që e shquante letërsinë botërore të shekullit 20. Vepra e tij letrare ishte shfaqja më e rëndësishme e realizmit social, që dallohej për frymën cmistifiuese, cmitizuese. 


Ndryshe nga përfytyrimet idilike të shkrimtarëve anakronikë, Migjeni zbuloi mjerimin si atribut thelbësor të jetës, të realitetit shqiptar të viteve 30. Në veprën e tij mjerimi damkoset si njollë e turpëshme në ballin e shoqërisë, të historisë, të shekujve. Në truallin arbëror, sipas poetti, nuk ka vend për zana, orë e shtojzavalle, sepse të tjera qenie hedhin vallen e mjerimit.


 Migjeni nuk e idealizonte historinë, por e poetizonte. Atë si poet nuk e tërhiqnin ngjarjet historike të rastit e konkrete, por kuptimi e përvoja globale e tyre. Kjo gjë i jep dorë të shihte gjithë dimensionet e historisë, dramat e saj tronditëse, dukuritë e saj tragjike e të madhërishme, të shëmtuara e heroike. Përjetimi i përmasave universale të historisë e ndihmon ta konceptojë atë jo vetëm poetikisht, por edhe thellë, duke njohur gjithë rrymat e nëndheshme, gjithë rrjedhat e ngatërruara e kontradiktore, gjithë vrullet e fashitjet e saj. Prej saj ai kërkonte të nxirrte mësime për të ardhmen e kombit, sepse kishte frikë:”Apo ndoshta shekujt me ne prap’ po tallen”. 


S’duhet të humbasim më, sic kemi humbur gjatë shekujve- ja cili ishte përfundimi i tij:”S’duhet me humbë/ në lojë/ duem ngadhnjim, ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë!/ S’duem për hir/ të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shenjtnim”/ të zhytemi prap’ në pellgun e mjerimit/ që të vajtojmë prap, kangën e trishtimit/ kangën monotone, pa shpirt të skllavnis- / të jem një thumb i ngulun ndër trutë e njerëzisë”. 

Së dyti, Migjenin e quajmë poetin më modern të viteve 30, sepse parandjeu intuitivisht prirjet e reja të letërsisë botërore bashkëkohore, duke vënë në qendër të saj problemin e tjetërsimit. Migjenin nuk e kënaqnin më iluzionet iluministe e racionaliste mbi “mbretërinë” e arsyet e të harmonisë universale. Duke u kërkuar gjërave rrënjët dhe proceset zanafillën, Migjenit iu shpalos realiteti i mbushur plot me kontradikta e forca armiqësore, me situata paradoksale e absurde. 



Ai zbulon se lëvizja e jetës njerëzore nuk drejtohet e komandohet vetëm nga forca e arësyes, por merr impulse e goditje të nëndheshme edhe nga forca irracionale. Historia është për poetin arena, ku ndeshen e përleshen forcat e së mirës e të së keqes, forcat krijuese me ato shkatërruese. Në të vepron pjesa “më e mirë e njeriut” arsyeja, por vepron edhe “atavizmi stërgjyshor dhe instikti i një organizmi të egër”, vepron “Njeriu – Sokrat”, por edhe “Njeriu-Derr”, vepron Hamleti, por edhe Don Kishoti (novelat “Ose... Ose...”, “Vdekja e trumcakut”. Ky kryqëzim forcash e shtyn njerëzimin jo vetëm drejt krijimit, pro edhe drejt shkatërrimit. Për Migjenin, rruga e njerëzimit s’është drejtvizore, por e mbsuhur me “valle të rrezishme”, ku është shumë e vështirë të dallosh shkaqet nga pasojat, fajtorët nga viktimat, aktorët nga autorët e spektatorët. 


Prandaj, ndryshe nga dëshirat, nga synimet e vetëdijshme, nga vullneti i njerëzve, në jetë shpërthejnë pasoja të papritura, të paparashikuara, të padëshiruara. Ky proces tjetërsimi, sipas Migjenit, s’le jashtë veprimit të tij asnjë sferë të jetës individuale e shoqërore. Në tregimin “të korrurat” Migjeni (si në metamorfozat e mrekullueshme të përrallave) e zbulon këtë dialektikë të tjetërsimit si ligjësori universale të jetës e të botës: Fshatarët, që shkojnë të korrin, çuditen se, në vend të grurit, në arat kanë mbirë topa. “Ç’asht kjo? Na ket farë s’e kemi mbjellë... 


E pra, e thanum asht:”Cfarë fare do të mbjellish, të tillë od të korrish”. Ne kemi mbjellë farë gruri ndërsa këtu na kanë mbirë topa hekuri!”. 

Bota, jeta e ndërtuar sëprapthi, sipas Migjenit, jep edhe një ndërgjegje së prapthi domethënë të tjetërsuar. Ai kishte parasysh gjithë mitologjemat e vjetra e të reja, që shtrembërojnë tablonë e jetës reale dhe e pengojnë njeriun t’i afrohet së vërtetës. Ai e quante një detyrë fisnike të artit realist t’u cirrte masakt “gogolëve që lind errësira”, t’i cmistifikonte mitologjemat politike e sociale, morale e estetike, këto “bombarodame” (sipas shprehjes së tij), “lutje të parfumosura” dhe t’u hapte sytë njerëzve, t’u ndriconte mendjet, t’i shpëtonte nga “trutë e smundë”.



 Duke e bërë vatër të hulumtimit të tij artistik tjetërsimin, Migjeni arrin të zbulojë shumë “të fshehta” për jetën e ekzistencën njerëzore që i patën shpëtuar syrit të shkrimtarëve pararendës. 

Së treti, Migjeni ishte shkrimtari më modern i viteve 30, sepse, ai si asnjë tjetër, gjithë lëndën jetësore që përdori ia nënshtroi një këndi me të vërtetë të ri shikimi, atij ekzistencial. Fati i njeriut në botë, lumtëria e fatkeqësia e tij – kjo ishte tema zotëruese në krijimtarinë e Migjenit. Larg cdo dogmatizmi e sentimentalizmi, Migjeni nuk e shihte njeriun as si qenie me përsosmëri ideale, hyjnore, por as si zvarranik; njeriu duhet të merret sic është në vetvete dhe në rrethanat shoqërore; po kështu edhe jeta e tij duhet të merret sic është. 


Brenda dy skajeve të ekzistencës: lindjes e vdekjes, sipas poetit, jetën, ekzistencën njerëzore e mbushin përjetime nga më të larmishmet: të ëmbla e të hidhta, të vetëdijshme dhe spontane, racionale e instiktive, e mbushin tundimet e Parajsës dhe të Skëterrës. Duke arsyetuar për thelbin e njeriut e të ekzistencës njerëzore, Migjeni nuk don të jetë as i cekët, as qaraman; ai të mëson ta marrësh jetën me seriozitet, sepse ajo na tërheq me bukuritë e të mirat e saj, sepse na jepet një herë e duhet ta gëzojmë, por edhe njëkohësisht është e ashpër, tinzare dhe dinake. Jeta, sipas poetit, është e vështirë, sepse njeriu “lind në thërrime të vogla të lotit, e prej andej niset në udhë të fatit të vet me shpresë në ngadhnjime të vogël, përshkon të gjitha viset kah rrugët janë të shtrueme me ferra, rreth të cilave shifen vorret me lotë e të marrët që zgërdhihen”. 


Në jetë ka faktorë që i kundërqëndrojnë njeriut e që mund ta bëjnë pesimist. Ja si e shikon njërën anë të botës poeti:”... Kjo botë mbarë/ndër gji të Univerzumit asht një varrë/ ku qenia e dënueshme shkrahet rreshan/ me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigani...” Në novelën “Tragjedi apo komedi” Migjeni e thellon këtë motiv ekzistencial:”Gjini njerëzor asht një kitare e gjallë, mbi të cilën Shenjti e Katili përftojnë melodina tragjike apo komike... 



Një melodi të hidhët, si është e hidhët bota jonë (Dheu) në majën e gjuhës së kozmosit”. Që këtej Migjeni arësyeton sikur t’i kishte pas njohur predikimet e mendimtarë ekzistencialistë të pas Luftës së dytë botërore, filozofinë e absurditetit të ekzistencës njerëzore. Në novelën “Vetvrasja e trumcakut” poeti mediton: Drita e mendjes mund të shërbejë për të zbuluar një botë të bukur, por trumcaku i Migjenit ka lindur dhe e gjen veten të braktisur në një botë absurde, armiqësore, ku zotërojnë forcat shtazarake, fillesa derriane. Si dhe pse gjindet trumcaku në këtë botë të pakuptim, “në këtë pikë kozmike”, kjo s’dihet.


 Sipas Migjenit, s’mjafton intelekti që trumcaku të bëhet i lumtur (se ai “pak kuj i solli qetësi dhe të mirë”); me ndihmën e tij mund të zbulosh anët absurde të botës dhe janë pikërisht këto që e detyrojnë intelektin të bëjë “kapërcime logjike”: “Ç’ka janë këto kapërcime logjike”:- ka me bërtitë ndokush.- Po, lexues i dashtun e jo i cekët. 


Po! A pak po kemi kapërcime logjike, morale dhe dogmatike në botën tonë reale? Pse më zemërohe dhe po don me më gjyku për disa kapërcime logjike askuj damsjellëse?...” Forca tjetërsuese e jetës e vë njeriun përballë shumë dilemash: Të distancohet prej saj, duke e soditur apo të marrë pjesë në lojën absurde? Të lozë rolin e Hamletit (të humanistit që paralizohet nga mëdyshja e s’vepron) apo rolin e Don Kishotit, duke hedhur vallen e aventurave të tij të pafundme, por sic shprehet Migjeni, të domosdoshme?
Përmes meditimeve ekzistenciale poeti arrin në përfundimin se shoqëria është ngujuar në një krizë shumë të rëndë dhe njeriu në kërkim të rrugëdaljes nuk di c’të bëjë e zvarritet nëpër tragjedi komedinë e ekzistencës së vet. Prandaj vetëm vetëdija e vështirësive të jetës mund ta aftësoja atë t’i përballojë, duke mbetur në kërkim të përhershëm të rrugëdaljes. Sado e largët është koha, për të cilën bën fjalë Migjeni, meditimet e tij të mësipërme ekzistenciale duken aktuale, duken sikur përftohen nga vështirësitë e sotme, nga kriza, që po përcjell procesin e demokratizimit të vendit. 



Meditimet ekzistenciale të Migjenit, mund të të pëlqejnë, mund edhe të mos të të pëlqejnë, por s’mund t’u mohohet atyre thellësia filozofike dhe përmbajtja humanitare. Migjeni ka besim se nëpër rrugët e ngatërruara të historisë njeriu gjen, ndonëse me vështirësi, me sakrifica e mundime shtigjet pë rtë shkuar përpara, për t’u ngritur më lart. “Ka ardh nji kohë/- shkruante poeti në poezinë – testament “Parathënia e parathënieve”- në të cilën njerzit po kuptohen fare mirë për me ndërtue kullën e Babilonit,- / Dhe në majë të kullës, në majë të majës së fronit/ ka me hypë njeriu dhe ka me thirrë/- Perëndi! Ku je?” 



Këto vargje sentencë kanë shprehur fuqishëm kredon e mesazhit humanitar që bartnin me vete gjithë meditimet ekzistenciale të Migjenit. 


Më në fund, Migjeni ishte letrari më modern i viteve 30 edhe për faktin se përmbajtjen e re estetike që solli në art e sendërtoi me një gjuhë të re artistike, me një ekspresivitet të panjohur më parë në letërsinë tonë. Ai e cliroi letërsinë nga kanunet klasiciziante të ngurtësuara, nga prosodia arkaike shkollaeske dhe i celi rrugën estetikës së “vargut të lirë”.



 Synimi për të shprehur me ekspresivitet artistik nyjet e fshehta e të ndërlikuara të jetës njerëzore, e shtyu të përdorë një tipologji figurative të pasur me grotesk, metafora, hiperbola, parabola etj. Në një mënyrë të re (duke sjellë një material të freskët) e përdor Migjeni edhe figuracionin mitologjik tradicional, të cilin ia nënshtron lëndës konkrete jetësore. 


Ai e zgjeronte ngarkesën semantike të figuracionit mitologjik pa e zhveshur nga universaliteti i tij, pa e barazuar me domethënien e përvecme të fakteve të realitetit bashkëkohor. Në frymën e realizmit Migjeni nuk e vë figuracionin mitologjik të punojë për një paraqitje natyraliste, por për të rritur dendësinë e informacionit e të mesazheve artistike, të përgjithësimeve dhe të forcës emocionalo-ekspersive. 


Duke sjellë në letërsi një përmbajtje të pasur filozofike, ai përdori forma dhe zhanre të reja, sic ishin novelëzat e vogla, kuptimi themelor estetik i të cilave nuk qëndronte në fabulën dhe subjektin anekdotik rrëfyes, por kryesisht në meditimet e thella filozofike dhe në një ngarkesë të vecantë ironiko-satirike. Mjetet e reja të ekspresivitetit artistik që përdori Migjeni dhe ideali demokratik humanitar që e frymëzonte e integrojnë në thesaret e letërsisë botërore moderne të shekullit 20. 



Tek Migjeni kthehemi e do të kthehemi vazhdimisht, jo vetëm për të kremtuar e për të bërë homazhe në jubiletë e lindjes e të vdekjes së tij, jo vetëm sepse nga vepra e tij letrare lëvrijnë të gjalla në dejet e letërsisë sonë bashkëkohore lëngjet përtëritese të blerimit migjenian, por edhe sepse vepra e tij ësahtë nxitje e përhershme për pasurimin e jetës shpirtërore e intelektuale dhe të kulturës së kombit tonë, për përparimin e tij në rrugën e demokracisë.



Akademik Prof.dr. Alfred Uçi është anëtar i Akademisë së Shkencave. Asambleja e Institutit të Sociologjisë, më 21 nëntor 2006 e ka zgjedhur Anëtar të Bordit Akademik.

Alfred Uçi ka kryer studimet e larta në fakultetin e Filozofisë të Universitetit “Llomonosov”
të Moskës, në vitet 1949-1954.

Më pas ka punuar si pedagog në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Që me krijimin e Universitetit të Tiranës ai ka qenë pedagog i estetikës dhe i filozofisë në fakultete të ndryshme të tij.

Në vitin 1970 iu dha titulli “profesor”. Ka qenë,gjithashtu, drejtor i Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave (vitet 1979-1987) dhe kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve (1987-1990).

Ka marrë pjesë në kongrese, konferenca e simpoziume shkencore ndërkombëtare në Sofje, Athinë, Ankara,Beograd, Prishtinë, Vjenë, Itali, Suedi, Francë etj.

Ka shkruar një numër të madh artikujsh, referatesh e kumtesash me tematikë nga fusha e filozofisë,sociologjisë, estetikës, etnografisë,folkloristikës, kritikës letrare etj.

Ai ka shkruar e botuar librat:

1.Estetika, jeta, arti (1970),

2.Probleme të estetikës (1976),

3.Labirintet e modernizmit (1978),

4.Probleme të estetikës (1980),

5.Mitologjia, folklori, letërsia (1982),

6.Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës (1986),

7.Estetika – Vëllimi I, II, III(vitet 1987-1988),

8.Shekspiri në botën shqipare (1996),

9.Dostojevski në kohën tonë (1997),

10.FerrparajsaDanteske (1998),

11.Prometeu dhe Hamleti (Botuar në greqisht, në Athinë, 1998),

12.Grotesku kadarean(1999),

13.Estetika e groteskut – Teoria dhe historia (2001),

14.Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe(2001),

15.Paradigma të ndërgjegjes shoqërore - estetikë filozofike e politike (2001) etj.

Estetika metateorike mbi artin

16.* JERONIM DE RADA – LËVRUES I ESTETIKËS TEORIKE (Mbi veprën “Parime të estetikës”)

17.Estetika E Groteskut

18.Parime Te Estetikes: Mendime Rreth Jetes Dhe Qellimeve Te Saj (Ekstrakte)

19.Pese Te Medhenjte E Letersise Shqipe Ne Optiken E Nje Rileximi: N. Fasheri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni

20.Filozofia E Teodor Anastas Kavaliotit

21.Universi Estetik I Antikitetit Greko-Romak

22.Shekspiri Ne Boten Shqiptare: Ese Kritiko-Letrar

23.Grotesku Kadarean: Sprove Estetike Per Analize Stilistike



Përgatiti për botim për Agjencionin Floart-Press:Mr.sci.Flori Bruqi

2012/03/02

"Falja e gjakut" për tri net mbi 32 mijë dollarë


Filmi me tematikë shqiptare "Falja e gjakut" (The forgiveness of blood") ka korrur sukses në kinematë amerikane. Ajo ka mundur të ketë mesataren më të lartë për shitje biletash të një filmi të sapoprezantuar. Me vetëm tri shfaqje në kinematë amerikane "Falja e gjakut" ka mbledhur 32,301 dollarë, çka përkthehet në një mesatare prej 10,767 dollarë nata. Festivali "Sundance Selects" vëren se filmi do të shitet në shtëpi të tjera filmike të New York dhe do të shtrihet në 20 tregjet më të mira në muajin mars.
photo

Mediat amerikane, njofton BW,  shkruajnë se "Falja e gjakut" është s’kualifikuar për të prezantuar Shqipërinë në OSCAR- ët e sivjetshëm. Me regji të Joshua Marston (që ka realizuar edhe "Maria Full of Grace") "Falja e gjakut" që prej datës 24 shkurt ka filluar produksionin e tij në kinematë amerikane, duke çuar kështu një copë nga tradita e gjakmarrjes në Shqipëri. Festivali "Sundance Selects" ka marrë përsipër distributimin e filmit në 40 kinema amerikane në Los Angeles, Texas, Florida e Çikago, ndërkohë që premiera do të jetë në New York.
Grupi i aktorëve nga Kosova, Maqedonia e Shqipëria kanë udhëtuar për në kryeqytetin e botës në premierën që u shfaq.
Filmi, një produksion shqiptaro-amerikan, trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikun 17- vjeçar të ngujohet në shtëpi bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij. Rrëfimi i familjes shqiptare, që izolohet për shkak të gjakmarrjes, ka shëtitur pak kohë më parë edhe në Holandë.
"Falja e Gjakut" është vlerësuar me "Ariun e Argjendtë" në Berlin, Çmimin Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Hamptons të New York-ut, për skenarin më të mirë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Çikago, etj.

TRI DEKADA RRITE



 jusuf-gervalla.jpg
 Portreti i Jusuf Gërvallës punuar nga piktori ;Demush R.Avdimetaj


Neki Lulaj
(Kushtur trinomit të Martirëve të lirisë)
Frushkuj gjaku
Në Untergruppebach
Këputet vigu i Lumit të thatë
Mbi kalanë e Dubovikut
Ligjërojnë engjëjt jetë gjatë.

Pas syve të Diellit tradhtuar/mashtruar/
Në dritën e hënës lojzënjare
Përbindëshit, zvarranikët e uritur
Për gjak
Lugetërit tokën e huaj
E mbuluan me mëkat.

Krismat e armëve plasën natën
Shpirtërat e ri fluturuan mbi dhe
Qielli lëshoi flakën
Mbi kafkën dardane
Ngulet flamuri kuq e zi.

Janari ngricë diamanti
Zjarri i shpirtit nuk shuhet kurrë
Plagë shekulli në Shtuttgart
Zgjebanikët hienat në prita
Pjella e zezë e lavires sllavjane.

Tri dekada i përkund shekulli
Ëndërrat kurrë s´fjetën
Mbi retë e bardha
Krismat e natës na burrëruan
Tri dekada rritje e pritje
Panteonët Gërvalla e Zeka
I ligjërojnë vendlindjes
Për brezat e dritës.

Heshtja shtërngon
Mendjet e pa fjetura
Cicëron zog bardhi pa pushuar
Mbi plepat e lartë të Dubovikut
Kanjusha çerdhës kurrë s´ju pat larguar.

Malli si lumi gërryen bjeshkën
Drejtësia e përgjumur ende po hesht
Heshtja e ndryshkur e thanë eshkën
Kriminelët duhet zbuluar
Që në gjiun e tokës së bekuar
Eshtrat e martirëve
Në qetësi për të pushuar.

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...