Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/27

Përvetësimi i trashëgimisë shqiptare nga kisha ortodokse serbe!


Nga Enver Rexha

Duke pasur parasysh se territori i sotëm i Kosovës është një vend i banuar qysh nga kohët e lashta, që nga iliro’arbërit’shqiptarët, vend në të cilin nëpër kohë janë zhvilluar ngjarje të rëndësishme historike, kuptohet vetvetiu se, pothuajse çdo kulturë e lashtë që ka kaluar nëpër këtë trevë, përveç kulturës vendëse, ka lënë edhe gjurmët e saj. Gjatë rrugës së tij të zhvillimit historik, populli shqiptar ka krijuar monumente të shumta dhe të qëndrueshme arkitekturale, artistike, historike, etnografike etj. Me gjithë hulumtimet nga ekspertët që janë bërë edhe kohëve të fundit në këtë drejtim, të cilat dihen dhe në masë edhe të publikuara, mendoj se janë të pakta dhe ende jo të plota. Rezultatet e deritanishme në këtë drejtim, njoftojnë se, një numër i monumenteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës që nga kohët e lashta të ekzistencës së tyre që janë zbuluar nuk do të kenë vetëm rëndësi kombëtare shqiptare, por ato në shumë aspekte i kapërcejnë edhe kufijtë, me ç’rast hyjnë në historinë e kulturës botërore.

Kosova, sot paraqet një burim të begatshëm të trashëgimisë materiale dhe shpirtërore të periudhave të ndryshme historike, duke filluar që nga parahistoria e deri në ditët tona të cilat veçohen për nga vlerat, cilësitë dhe rëndësia historike e tyre. Njëherit, ato tregojnë për rrjedhën dhe vazhdimësinë e jetës njerëzore, formacioneve kulturore, qytetërimeve etj., të popullatës së këtij vendi. Në fondin e këtyre veprave të trashëgimisë bëjnë pjesë edhe objektet sakrale, të kultit, të realizuara nëpër periudha kohore. Ne në këtë punim do të fokusohemi kryesisht në monumentet e kultit, në kishat dhe manastiret katolike e ortodokse, në zhvillimin e tyre gjatë periudhës mesjetare dhe më pas. Po ashtu, do të përqendrohemi kryesisht në propagandën e Akademisë së Shkencave dhe historiografisë serbe të cilat duke u nisur që nga shekulli XIX-XX e në vazhdim deri në ditët e sotme, nuk zgjedhin mjete që në punimet e tyre “shkencore” të shumta të paraqesin qëndrimet, tendencat për përvetësimin e monumenteve të kultit të krishterë’kishave dhe manastireve “ortodokse” që ekzistojnë sot në Kosovë, duke u prononcuar se janë të tyre.Për më tepër, qëndrimet pseudoshkencore e propagandistike të historiografisë serbe paraqiten me tezat se: çdo gjë në aspektin e monumenteve dhe të trashëgimisë kulturore sot në Kosovë është kinse trashëgimi “serbe” ose “kulturë serbe”; shqiptarët nuk kanë “asnjë gjurmë të trashëgimisë kulturore”, përveç Kullave, të cilat kinse i ndërtuan pas “ardhjes” dhe “vendosjes” së tyre në trevat e Kosovës gjatë shek. XVIII-XIX; shqiptarët përjashtohen nga çdo e drejtë mbi “tokën e shenjtë serbe” të Kosovës ku gjinden “qindra” monumente “shpirtërore” të shtetit mesjetar “serb”, e plot qëndrime të afërta me këto, na shtyn që të merremi me këtë studim.

Të dhënat historike tregojnë se, trevat ilire (shqiptare) kanë hyrë në literaturën sakrale pikërisht që nga koha e Apostolit Shën Pali (shek. I), nga i cili kemi dëshminë: “Kështu prej Jerusalemit rreth e përqark deri në Ilirik e kam kryer plotësisht detyrën time të përhapjes së lajmit të gëzueshëm mbi Krishtin”. Me zyrtarizmin e krishterimit, sipas Ediktit të Milanos më 313, kur organizimi kishtar u legalizua edhe në trevën e Dardanisë (Kosovës, E.R.), kuptojmë se përmes statusit të veçantë administrativ e juridik, Dardania, do të ketë edhe qendrën e Ipeshkvisë ose Mitropolinë të sanksionuar me Koncilin e Nikesë të vitit 325. Siç dihet, pas ndarjes së Perandorisë romake në lindje dhe në perëndim, më 395, Iliriku administrativisht bën pjesë në Perandorinë e Lindjes, ndërsa në pikëpamje kishtare do të mbetet nën influencën e Romës. Gjatë shekullit IV-VI organizimi kishtar në Iliri mori hov të madh sa që dihet se vetëm në Dardani (Kosovë, E.R.) u ngritën 5 deri në 7 ipeshkvi. Në kohën e perandorit Justinian (525-565) fillon një epokë e re në jetën e kishës Dardane. Perandori Justinian e riorganizoi kishën dhe në këtë mënyrë krijoi një provincë të re të pavarur kishtare së cilës i dha një rol të rëndësishëm në këtë pjesë të Perandorisë. Perandori Ilir, Justiniani, gjatë vitit 535 e shpalli novelën e XI’të, me të cilën vendin e vet të lindjes, Justinianën e Parë, e shndërroi në qendër të madhe kishtare me një hapësirë të gjerë të territoreve të Perandorisë ku përfshihen: Dardania, Dacia Mediterania, Dacia Ripensis, Mysia, Prima, Prevalitana, Maqedonia e Panonia Secunda.

Në kuptimin e sotëm gjeografik, Justiniana e Parë nën ekzarkatin e saj kishte Serbinë, Sremin Lindor, Bullgarinë Perëndimore, Maqedoninë Veriore, Kosovën dhe Malin e Zi. Më pas, me invadimin e barbarëve (sllavo-avar) në trevat ballkanike do shihet se asokohe do ndërronte edhe harta kishtare e Dardanisë. Nga kjo kohë do të shohim se kisha e Dardanisë më vonë do të bëhet gjithnjë element më i fortë krishterizues edhe i ardhësve sllavë në Gadishullin Ballkanik që nga shek.VII-X’të. Gjatë kësaj periudhe pësojnë dëme të mëdha selitë ipeshkvore e arkipeshkvore siç janë: Justiniana Prima, Shkupi, Justiniana Seconda (Ulpiana, E.R), Nishi e Remesiana. Gjatë këtyre invadimeve do të ndërpriten lidhjet përkohësisht edhe me Papatin, për t’u shkëputur për një kohë të gjatë sidomos në shekullin VIII, kur Iliriku Lindor do të shohim se do ti bashkëngjitet Konstantinopojës. Por, do dihet gjithashtu se, jashtë ndikimit të kishës bizantine mbeti edhe për një kohë Ipeshkvia e Shkupit dhe e Prizrenit. Këtej Justiniana Prima, deri në vitin 732, ishte qendër kishtare nën juridiksionin e Romës. Pas kësaj periudhe, në kohën e perandorit bizantin Leonit III’të, ipeshkvitë e Ilirikut u shkëputën nga vartësia e Romës duke iu nënshtruar qendrës së Konstantinopojës.

Ndryshime të dukshme në vijim do të ndodhin edhe gjatë kohës së sundimit bullgar (893-971) në këto treva, kur Ipeshkvia e Prizrenit do të gjendet nën përbërjen e kishës bullgare. Pas vitit 971, territori i Ipeshkvisë së Prizrenit do t”i takonte Arkipeshkvisë së Bizantit deri në vitin 976. Me formimin e Perandorisë bullgare të Samuilit, territori në fjalë, prapë do të gjendet nën juridiksion e Mitropolisë së Ohrit, që aso kohe, ishte shpallur kishë e pavarur mitropolite në rangun e Patrikanës. Pas rënies së Perandorisë së Samuilit më 1018, perandori bizantin Vasili II’të, Patrikanën e Ohrit e uli në rangun e Mitropolisit, por ia la pavarësinë mbi 31 dioqeza.

Kështu, në bulën e Vasilit të II’të (1020) përmendet edhe Ipeshkvia e Prizrenit, që tregon se, asokohe ipeshkvia gjendet nën juridiksionin e Arkipeshkvisë së Ohrit. Ipeshkvia e Prizrenit aso kohe, ishte e rangut të tretë dhe përfshinte territore: Hvosnen, Leskovcin, Deçanin, Pejën. Selia e Peshkopatës së Prizrenit ishte kisha e Shën Prenës. Në Kartën e Stefan Deçanit (burimi shek. XIV, E.R) thuhet se, kisha e Shën Prenës (në Prizren) ka ekzistuar që nga kohërat e “mbretërve të stërlashtë”. Dëshmia e dytë e shkruar e vitit 1204 është ajo e cila tregon se, që nga koha kur perandori bullgar Kalojani (1197-1207), ripushtoi shumë territore nga sundimi bizantin, kuptohet edhe territore të Kosovës, ekzistonin ipeshkvitë e Shkupit dhe të Prizrenit. Më pas, gjatë zgjerimit të shtetit nemanjidë të Rashkës (Sipas historiografisë serbe, Rashka është bërthama e shtetit mesjetar serb) në drejtim kah jugu prej fillimit të shekullit XIII-XIV, do të okupohen dhe territoret e sotme të Kosovës që dihet se do gjinden nën sundimin e tyre për një kohë. Në këtë drejtim, nemanjidët do të formojnë kishën ortodokse të tyre, e cila siç do të shohim do të pavarësohet në vitin 1219 prej kryepeshkopatës autoqefale të Ohrit. Duke u shpallur e pavarur ajo do të vendoset me seli në Zhiçë të Rashkës. Okupimi i trojeve të sotme të Kosovës asokohe nga nemanjidët, që pason gjatë disa decenieve në shek.e XIII’të, solli padyshim një keqësim të ndjeshëm, jo vetëm fizik, politik e ekonomik, por edhe në shkatërrimin kulturor e fetar. Këtij përkeqësimi i kontribuoi edhe më tepër transferimi i selisë autoqefale kishtare të Rashkës nga Zhiça në Pejë, pra në trevat e Kosovës. Kjo ndodhi në fund të shekullit të XIII’të, ku pas një sulmi të vitit 1290 nga tributë tatarë dhe kumanë digjet Manastiri i Zhiçës. Kuptohet se, Peja nuk ka qenë seli e vetme ose e përhershme e Patrikanës së Rashkës qysh pretendohet. Manastiri i Zhiçës ishte rindërtuar e dihet se patriku Spiridon dhe trashëgimtari Danillo e kanë pasur selinë atje. Aso kohe, gjithashtu kuptohet se, kishat më të hershme “serbe” ishin ndërtuar në territorin e ngushtë të Rashkës: Studenica (afër Novi Pazarit), Malisheva (afër kufirit të Bosnjës), Sopoçani (Novi Pazar) etj. Kjo shtrirje e kishave përkon me territorin e shtetit mesjetar të Rashkës, që përshkruhet nga autori bizantin i shekullit të X’të [K. Porfyrogjeneti si dhe burime të tjera].

Duke pasur parasysh pushtimin e territoreve shqiptare, gjatë dy-tre brezave të sundimit të nemanjidëve, që arrijnë të shtrihen në territorin e sotëm të Kosovës, do të kuptohet se, qendra kishtare e tyre ishte ende jashtë Kosovës. Vetëm gjatë shekullit të XIV’të, të dhënat tregojnë se, me rastin e ndërtimit të Manastirit të Graçanicës, të Deçanit dhe të Kryeengjujve (Arkangjelit) në Prizren, treva e sotme e Kosovës mund të thuhet se kishte njëfarë rëndësie si qendër e Peshkopisë së Rashkës. Si pasojë, me forcimin e më tejmë të pushtetit Nemanjid në këtë territor, pra duke filluar nga shekulli i XIV’të, atëbotë zgjerohet edhe kisha ortodokse e Rashkës në këtë trevë, me të gjitha tiparet që i zotëronte kisha ortodokse bizantine: ligjet bizantine, veprat teologjike, literatura didaktike, artet, zejet, me të cilat jeta kishtare pasurohej me objekte të domosdoshme nga arkitektura, piktura kishtare e deri tek veshjet e etërve.

Pushteti Nemanjid në territoret e sotme të Kosovës, në veçanti gjatë shekullit të XIV’të, do të zbatojë një politikë që synonte asimilimin e popullsive vendëse të trevave të pushtuara. Si më të efektshëm në këtë drejtim zgjodhën represionin dhe persekutimet në lëmin fetar. Prandaj, edhe sundimtarët nga Dinastia e nemanjidëve mbanin lidhje të ngushtë me kishën ortodokse, për të cilën ndërtuan (rindërtuan) shumë kisha e manastire, jo vetëm në territorin e Rashkës, por edhe në ato ku shtrihej pushteti i tyre. Kuptohet se fshatrat asokohe përfshihen në prona kishtare e që pjesa më e madhe e popullsisë fshatare të Kosovës gjatë shekullit të XIV’të, ishte e detyruar ta lidhte fatin me kishën ortodokse. Përqafimi i ortodoksisë nga vendësit-arbërit (shqiptarët), dëshmohet nga listat e banorëve, ku krahas klerit katolik të cilësuar me apelativ që përdoret edhe sot në gjuhën shqipe: prift, dom, abat, përmenden edhe klerikët ortodoks të cilësuar si: pop, pope, papas dhe kalluxher. Ndërkaq, pjesa e popullatës së qyteteve, pra jashtë pronave kishtare përmes kolonistëve raguzanë, gjermanë e italianë qe e influencuar dhe e lidhur me kishën romake. Në dokumentin e papës Benedikti i XI’të të vitit 1303 ndër pesë famulli katolike në trojet e nemanjidëve përmenden edhe famullia e Trepçës (de Trepezo) dhe e Graçanicës (de Grazaniza). Në një dokument që pason nga Papa Kelmenti i VIII-të i vitit 1346 kuptojmë se ipeshkvi i Kotorrit ka pasur të drejtë kujdesi mbi famullinë e Prizrenit, Novobërdës, Janjevës dhe Trepçës. Po ashtu në vitin 1346 për Prizrenin përmenden se kishte dy kisha katolike “S. Marije de Prisren et S. Petri supra Prisren”. Po në këtë dokument kuptojmë se kryepeshkopi i Tivarit kishte kujdesin mbi këto. Kështu, Prizreni si qendër e ipeshkvisë katolike sipas dokumenteve, mund të ndiqte jetën kishtare. Këtu përmenden kishat e të krishtera katolike si kisha e Shën Pjetrit, kisha e Zojës Mari dhe kisha e Shën Kollit. Duhet theksuar se, të dhënat po ashtu dëshmojnë që, pushtimi Nemanjid i territoreve, e gjeti pjesërisht popullsinë arbërore të viseve veriore e verilindore të lidhura kishtarisht me ortodoksinë bizantine (Kosovë e Maqedoni) e me katolicizmin roman (Diokle - Zetë). Asokohe shumë kisha vendëse u uzurpuan ose mbi to u rindërtuan manastire ortodokse të Rashkës, siç janë të njohura faktet për kishën e krye’engjëjve Mihail e Gabriel si dhe kisha e Shën Prenës në Prizren. Këto fakte i paraqet letra e Papa Klementit të V’të, i cili i drejtohet Millutinit (Mbretit të Rashkës, E.R.) duke kërkuar që t’i lirojë kishat latine, të cilat i kishte okupuar ai ose të tjerët. Në kohën e sundimit të Uroshit të II’të - Millutinit (1282-1321), gjendja e katolikëve në Kosovë u keqësua shumë. Ai i ndiqte katolikët dhe e kishte ndaluar ritin e tyre. Këtë keqësim të gjendjes së të krishterëve katolikë e vërteton shkrimtari anonim, përndryshe i njoftuar mirë me kushtet dhe vendin që për Stefan Uroshin e II’të, thotë: “Po i ndjek shumë katolikët dhe i urren”. Po ashtu ai njofton se: “Po rrënon kishat dhe sulmon prelatët”, ndërsa katolikët në këtë vend “i dogji deri në thua” (Gasper Gjini). Për keqtrajtimin e popullatës katolike në vitin 1319, krerët arbërorë i dërguan përfaqësuesit e vet me letra përcjellëse te Papa Gjoni i XXII-të në Avinjon, me ç’rast e njoftojnë atë me ndjekjet e ashpra në vendin e tyre që bëhen nga Uroshi i II’të Millutini. Letrën e kishin nënshkruar shumë zotërinj arbërorë. Në mesin e këtyre zotërinjve arbërorë si kryengritës është i shënuar edhe një nga Prizreni. Ndjekjet dhe persekutimet e popullatës katolike do të vazhdojnë më fuqishëm gjatë periudhës së Stefan Dushanit (1331-1355). Për të, thuhet se, ka qenë “mjaft jo tolerant ndaj katolikëve” sepse “katolicizmin në popull dhe në masë nuk e duronte”. Masat e ashpra të tij pasqyrohen edhe nga arkipeshkvi i Tivarit G. Adami, në një relacion të drejtuar Dukës së Burgonjës, Filipit të VII’të Valua më 1332. Ai thekson se, po shkruan atë “që vetë e ka parë dhe përjetuar”. Duke përshkruar gjendjen thekson se: “në pjesën bregdetare edhe latinët dhe arbërit gjenden në pozitë jashtëzakonisht të vështirë sepse populli është nën pranga, priftërinj të thyer, të shkelur dhe të poshtëruar, ipeshkvitë dhe abatët shpeshherë burgosen... kishat, si ato katedrale po ashtu edhe të tjerat, rrënohen dhe u merren të gjitha të drejtat, zhduken dhe shkatërrohen kuvendet”.

Dokumentet e kohës dëshmojnë se Stefan Dushani, përdori tërë aparatin e forcës për zbrazjen e trojeve shqiptare me pretekstin se, po i ndiqte katolikët e padëgjueshëm arbërorë. Edhe pse në kushte të tilla, arbërit, i bën qëndresë të vendosur pushtimit dhe shtypjes së Nemanjidëve. Ajo shprehet sidomos me kryengritjen e madhe të vitit 1332 që përfshiu trevat e lumit Buna (Barbana). Kryengritjes do t’i bashkëngjitet edhe bujari Dhimitër Suma, e në vazhdim në vitin 1334 shohim kryengritjen edhe në rrethin e Prizrenit. Presioni dhe dhuna e egër që ushtrohej në trevat arbërore do të merret vesh edhe në zyrën e Papatit. Këtej, Papa Klementi i VI-të në vitin 1346, i shkruante Stefan Dushanit se: “disa mbretër të Rashkës, paraardhës të juaj, kuvendet dhe kishat... i përvetësuan në kohën e vet e që edhe tani ju i mbani të pushtuara”. Prandaj, Papa kërkonte nga Dushani, që t’i lejojë ipeshkvit të Kotorrit për t’i mbledhur kontributet e caktuara kishtare në ... famulli (krishtere). Politika diskriminuese e pushtetit të Rashkës e sidomos e periudhës së Dushanit ndaj popullsisë arbërore dhe të tjerëve të konfesionit katolik mori përmasa të gjera, dhe u institucionalizua e u sanksionua edhe me ligj. Konkretisht, një politikë e tillë u fiksua në të drejtën mesjetare, në Kodin e Stefan Dushanit, të vitit 1349.

Mjafton të shikohen dispozitat e neneve 6, 7, 8 dhe 9, dhe të konstatohet diskriminimi drejtuar kundër popullatave jo’rashkase. Katolicizmi sipas Kodit në fjalë, është “herezi latine”. Më tej mund të lexohet: “... në qoftë se ndokush nuk dëgjon të konvertohet e të kthehet në besimin e vërtetë (siç e quanin ata ortodoksinë) ai do të dënohet me vdekje”. “Klerikët heretikë (të konfesionit katolik) të një komuniteti të huaj që përpiqen të bëjnë predikimin do të kapen, do të dërgohen në miniera ose do të dëbohen”. “Kishat heretike (katolike) ... do t’u besohen klerikëve të besimit të vërtetë...”. “Në rast se gjendet një klerik latin që përpiqet ta konvertojë një të krishterë (ortodoks) në besimin latin, ai do të dënohet me vdekje...”. “Në rast se gjendet një besimtar latin që është martuar fshehurazi me një grua ortodokse, ai duhet të pagëzohet sipas mënyrës ortodokse, e në rast se nuk dëgjon të pagëzohet, atij do t’i merret gruaja, fëmijët e shtëpia, do të katandiset në mjerim e do të detyrohet të emigrojë...” (M.Purkoviq). Të ashtuquajturit “nene antiheretike” të këtij Kodi, sanksionojnë që të gjithë shtetasit e mbretërisë rashkase, anëtarët e komunitetit të huaj duhej të ripagëzoheshin në kishën e tyre. Veprimtarinë e tillë antikatolike të Dushanit e përshkruan edhe G. de Boulogne, legat i Papës në Padovë, në letrën e dërguar mbretit të Hungarisë dhe të Venedikut, ku shkruan: “Stefan Dushani me dhunë i kthen në fenë e vet besimtarët e tij katolikë, se i pagëzon me kundërshtim dhe jashtë ç’do dispozite dhe ligji të kishës” (Gasper Gjini).

Por siç theksuam dhe më lart, edhe përkundër të gjitha masave ndëshkuese dhe ndjekjeve të shumëllojta e keqpërdorimeve që ushtrohen ndaj popullatës dhe kishës katolike sidomos gjatë shek. të XIV-të, ajo do të rezistojë dhe qëndrojë. Autorët serbë M. Joviq, V. Koraq dhe të tjerë na tregojnë se gjatë shek. të XIV-të, në territorin e sotëm të Kosovës gjinden ose ekzistojnë komunat katolike dhe qytetet me kishat e tyre. Komuna katolike numërohen: Prizreni (tri kisha katolike), Trepça (dy kisha katolike), Novobërda (dy kisha katolike), Janjeva (një kishë katolike). Ndërsa vendet që kishin kishë katolike ishin: Graçanica, Belasica (Vrh Lab - sot vendburimi i lumit Llap në veri të Podjevës) dhe Prishtina.

Në këtë drejtim edhe pas vdekjes së Dushanit, ngjarjet nuk rridhnin aspak në të mirë për banorët e atëhershëm të Kosovës. Në skenën politike në territoret e Kosovës do të mbizotërojë për të mirë situata për arbërit - shqiptarët, tek kur këta do të përfshihen në shtetin mesjetar arbëror të Balshajve. Është fakt i njohur në literaturën historiografike, që territori i sotëm i Kosovës njohu sundimin e Balshajve nga viti 1372-1385. Pasi që e forcuan pushtetin e tyre, Balshajt në vitin 1369 nëpërmjet peshkopit të Shasit i kërkuan Papa Urbanit të V-të miratimin për konvertimin e tyre nga feja ortodokse në atë katolike. Pjesa dërmuese e popullsisë së zotërimeve të tyre që shtriheshin në trevat e Shqipërisë (L. Maltezi) ishte katolike. Me këtë hap, Balshajt, synonin t’i përshtateshin edhe në pikëpamje fetare mjedisit shoqëror të arbërve, duke hedhur tej çdo mbeturinë të sundimit të nemanjidëve që i largonte nga popullsia vendëse arbërore. Arsyet e tilla, na bëjnë të mund të konstatohet se, për Balshajt, ortodoksia kishte qenë një fe e imponuar në kushtet kur kanë qenë nën presionin dhe okupimin sllav. Ata vepruan nën maskën e saj derisa arritën kulmin e fuqisë së tyre politike për të shmangur çdo goditje të mundshme nga ata dhe kisha e tyre (P. Bogdani). Sundimi i Balshajve në Kosovë pati pasoja të drejtpërdrejta edhe në drejtim të kishës së Rashkës.

Të dhënat tregojnë gjendjen e rëndë të kishës së Rashkës, institucion ky ideologjik dhe politik i shtetit në fjalë. Klerikët rashkas këtë periudhë e cilësuan si një “furtunë” të vërtetë, sepse në mënyrën “banditeske dhe me sulme” u rrëmbyen pasuritë e saj deri tek froni i shenjtë “i patrikut dhe ofiqet apostolike”. Kisha e Rashkës gjatë kësaj periudhe ishte e anatemuar (për shkak të shpalljes së Patrikut të Rashkës në vitin 1346 nga Stefan Dushani në mënyrë të pa ligjshme, pra pa lejen e Patrikanës së Bizantit në Kostantinopojë, E.R.). Për të penguar asgjësimin që i kanosej, kisha e Rashkës, u orvat të pajtohet me Patrikanën Bizantine. Edhe pse si duket u njoh si kishë e pavarur nga Patrikana Bizantine, çështje diskutabile për të cilën flitet se a ishte krejt e pa varur ose jo, pozita e saj në trevën e Kosovës aso kohe ishte e dobësuar shumë. Për shumë arsye Balshajt nuk lejuan që qendra e saj të mbetet si më parë në Pejë dhe as nuk pranuan që kuvendi i kishës së Rashkës të mblidhej aty (1375). Prizreni u konsiderua si qyteti nga ku mund të kontrollohej më mirë veprimtaria e saj, ndaj edhe këtu u caktua qendra e re. Madje, për herë të parë në historinë e kishës së Rashkës u vë në postin e udhëheqësit kishtar jo një klerik i tyre pra rashkas, por një klerik bullgar, Jefreni. Masat e tjera radikale që lidhen gjatë sundimit të Balshajve në pjesë të territorit të Kosovës bën që kisha rashkase e dobësuar të ketë bërë zhvendosjen e qendrës së “Patrikanës” nga Prizreni në Zhiçë të Rashkës. Kjo ka ndodhur sigurisht para Betejës së Kosovës të vitit 1389. Po ashtu dihet se nga fundi i shek. të XIV-të dhe fillimi i atij të XV-të, përveç familjes Balshaj që zotëronte toka arbërore, krahas tyre do fuqizohen dhe familjet arbërore të Kastriotëve dhe Dukagjinëve, të cilat do shohim se do zotëronin territore të tyre. Këto dy familje do shihet që do të veprojnë dhe sundojnë edhe treva arbërore të territorit të sotëm të Kosovës (sidomos Rrafshin e Dukagjinit dhe Prizrenin) gjithnjë deri nën rënien e gjithë vendit nën Perandorinë Osmane (1455-1461).

Në këtë drejtim aspiratat e historiografisë, Akademisë së Shkencave, Kishës Ortodokse dhe Qeverisë Serbe, edhe në ditët e sotme, pretendojnë për përvetësimin e monumenteve arkitektonike të trashëgimisë kulturore të Kosovës - objekteve të kultit të krishterë kishave dhe manastireve. Këto objekte i quajnë të tyre, me pretekst se, kinse ato janë ndërtuar nga mbretërit e tyre gjatë mesjetës, kur ata paskan sunduar territoret e sotme të Kosovës. Dihet dhe nuk është çështje kontestuese se, që nga sundimi nemanjidas, sidomos nga koha mbretërve: Millutinit (1282-1321), Stefan Deçanit (1321-1331), Stefan Dushanit (1331-1355), dhe në kohën e sundimtarit të fundit të kësaj Dinastie Uroshit të V’të (1355-1371), territori i sotëm i Kosovës do të gjendet nën pushtimin nemanjid të shtetit të Rashkë, pra nën pushtetin politik e fetar të tyre. Sundimtarët në fjalë duke forcuar pushtetin politik të tyre, njëkohësisht forcuan edhe atë kishtar, bënë që edhe disa qytete mesjetare të Kosovës t’i përdorin si seli të përhershme të tyre. Në këtë drejtim edhe objektet e kultit, siç do të shohim, në masë të madhe do t’i adaptojnë për vete. Në anën tjetër, duke punuar në këtë drejtim, sidomos duke iu referuar burimeve historike dhe studimeve serioze që kanë të bëjnë me këtë çështje, del dhe është mirë e qartë se, këtu kemi të bëjmë me përvetësimin nemanjidas të monumenteve të kultit të krishterë iliro-arbëror si dhe ato romake e bizantine. Monumentet kryesore të kultit të krishterë në Kosovë, të cilat sot konsiderohen kisha ose manastire ortodokse nemanjidase “serbe”, siç pretendohet pothuajse në të gjitha shkrimet e historiografisë serbe, siç është: Manastiri i Deçanit, Graçanicës, Kisha e Shenjtorëve Mihail e Gabriel dhe kisha e Zojës Prene në Prizren, Patrikana e Pejës, Kisha e Shtjefnit në Banjë të Mitrovicës, del të jenë monumente të moçme iliro-arbërore. Duke pasur parasysh këtë që u tha, nga studiues seriozë, askush nuk e mohon faktin se kishat dhe manastiret në fjalë janë ndërtuar, rindërtuar ose meremetuar mbi themelet e monumenteve të moçme të periudhës romake e bizantine.

Nga e gjithë kjo që u tha, dhe për më tepër duhet të dihet edhe se, monumenti i parë kishtarë i rindërtuar nga nemanjët e Rashkës në territoret e sotme të Kosovës është kisha e Pejës. Në gjysmën e shekullit të XIII’të, thuhet se, u ndërtua kisha e apostujve në Pejë. Kjo kishë sot gjendet në kuadër të kompleksit të Patrikanës së Pejës. Edhe kjo kishë siç do shohim më poshtë, del të jetë rikonstruktuar në ndërtim të vjetër, së cilës iu dha forma e ndonjë kishe të kohës. Në fasadat e kësaj kishe shihet mënyra romanike e punimit, me gurë të imtë e të gdhendur, elemente këto të stilit perëndimor romanik, stili romaniko-gotik, që mund të themi se stili në fjalë do të paraqitet edhe tek të gjitha objektet e karakterit sakral të ndërtuara në Kosovë gjatë mesjetës së zhvilluar. Për ndërtimin e kishës së Shenjtorëve të Apostolit në Pejë, e cila ndërtohet diku në gjysmën e shekullit të XIII’të, të dhënat tregojnë se me të ndërtuar, në të vërtetë, vazhdohet një kishë e vjetër dhe e ruajtur mirë e tipit të ashtuquajtur bazilikë trekishtare, që koha e ekzistimit të saj nuk dihet. Ndërtuesit e punojnë atë sipas programit të kishave të Rashkës. Që kisha në fjalë u rindërtua njoftojnë këta autorë: Gj. Boshkoviq, M. Qanak’Mediq, B. J. Gjuriq, S. Qirkoviq, V. Koraq dhe Gj. Jankoviq.

Të dhënat tregojnë edhe se, Manastiri i Graçanicës, sipas njoftimeve burimore historike dhe gjetjeve arkeologjike gjatë viteve 1957, 1963 dhe 1964 të zhvilluara nga ekspertë serbë, është një bazilikë e ndërtuar midis shekullit të VI-të dhe XI-të. Kjo bazilikë ishte qendër e ipeshkvisë së Ulpianës Dardane. Pas rrënimit të saj, mbi themelet e Anijatës së Mesme u rindërtua një kishë kushtuar zojës së bekuar të Graçanicës. Ka të ngjarë se po kjo kishë të përmendet në letrën e Papa Benediktit të XI’të, të vitit 1303, si kishë famullitare katolike. Mbi këtë kishë, kuptohet se mbreti nemanjid Millutini, rindërtoi Manastirin e Graçanicës rreth vitit 1316. Se kjo kishë u ndërtua në themelet e vjetra të një bazilike bizantine, që themelet e saja nuk janë shfrytëzuar tërësisht, na njofton studiuesi serbë V. Koraç. Njoftime se kjo kishë ishte rindërtuar gjejmë edhe tek punime të autorëve të tjerë si: V. Vuliq, P. Mijoviq, D. Bogdanoviq, V. Markoviq, M. Kashanin dhe Gj. Jankoviq.

Gjithashtu edhe për Manastirin e shenjtorëve Mihail dhe Gabriel të Prizrenit, gjejmë dëshmi nga autori S. Nenadoviq dhe nga libri i botuar prej grup autorësh “Kosovo nekad i danas”, se ai është ndërtuar mbi një kishë të moçme Dardane të periudhës së antikitetit të vonë. Rindërtimi është bërë rreth vitit 1348-1352. Në kompleksin e Manastirit gjendet Kështjella e Epërme, Kisha e Shën Kollit dhe Kisha e Shenjtorëve. S’do mend se këtë kompleks të kultit e shfrytëzuan banorët e ritit ortodoks, si arbërit ashtu edhe “serbët”. Arkeologët në rrënojat e këtij Manastiri kanë zbuluar fragmente interesante të artit bizantin, romakë dhe gotikë (F. Drançolli). Ajo që tërheq më tepër vëmendjen është mozaiku, që nuk ka ndonjë paralele me ndonjë mozaik në Serbi, veçse më shumë i ngjan mozaikut në pagëzoren e Katedrales Santa Maria të Firencës (J. Drançolli). Në kishën e këtij Manastiri dihet se ruhet edhe varri i kryezotëriut arbëror, Strazimir Balsha nga viti 1372 (G. Tomoviq dhe R. Grujiq). Edhe me ndërtimin e manastirit të Kryeengjujve (Arkangjelit) afër Prizrenit, që do të ngrihet nga mbreti Stefan Dushani (1331-1355), të dhënat tregojnë se, aty ekzistonte një objekt fetar i vjetër dhe se në rrënojat e tij u ngrit manastiri i ri. Pra, manastiri ekzistonte edhe para se Dushani ta rindërtonte. Mbështetje për këtë dhanë: revista e sipër theksuar “Pravoslavlje”, S. Novakoviq dhe Vl. Çoroviq.

Në këtë drejtim, është e njohur se mbreti Millutin në vitin 1307 përvetësoi edhe kishën katedrale Zoja Prene në Prizren. Sipas hulumtimeve arkeologjike e historike të materialit relevant, supozohet se kisha e Shën Prenës në Prizren kishte katër faza të zhvillimit. Hulumtimet e para u bënë nga S. Nenadoviq, i cili konstaton ripërtëritjen e bazilikës së vjetër e cila ngrihet në themelet e një kishe bizantine të shekullit të IX’të ose X-të. Ai ka konstatuar dy faza të ndërtimeve para kohës së rindërtimit të shekullit të XIV’të dhe fazën e rindërtimit të vitit 1306-1307. Se kjo, ishte ndërtuar mbi themelet e objektit të vjetër njofton edhe autori Gj. Jankoviq. Edhe në Kartën e Stefan Deçanit (burim mesjetar serb i shek. të XIV-të) thuhet se: “Kisha e Shën Prenës ka ekzistuar që nga kohërat e mbretërve të stërlashtë”. Hulumtuesi S. Nenadoviq që udhëhoqi punët rreth restaurimit dhe konservimit të saj (1950-1952) thekson prezencën e fragmenteve më të vjetra dhe të monumenteve të krishterimit të hershëm: “... duhet të parashohim se kjo kishë ndoshta është ndërtuar mbi një tempull edhe më të vjetër, sepse nuk janë zhvilluar hulumtimet në atë masë që të jemi të sigurt se nën këtë kishë të vjetër nuk ekzistojnë themele edhe më të vjetra”. Po ashtu edhe J. Jastrebov, konfirmon faktin se, ky manastir është i kohës para “serbe”. Për rindërtimin e kishës së Prenës mbi themelet e një tempulli pagan duhet cekur se, kryepeshkopi Danillo (jetoi në shek. e XIV’të) e quan mbretin Millutin “ndërtimtar dhe ripërtërirës të tempujve të rrëzuar dhe të rrënuar”. Fakti mbi ekzistimin e kishës së mëhershme, tregohet nga mbishkrimi i vendosur aty “...e ripërtëriu që nga themelet mbreti Stefan Uroshi...” (S. Nenadoviq).

Ndikimet e stilit të ndërtimit perëndimor do të shihen më së miri edhe në Kishën e Manastirit të Deçanit ose siç edhe quhet Pandakratori, e rindërtuar ose ndërtuar gjatë sundimit të Stefan Deçanit dhe Dushanit (1327-1335). Karakteristika kryesore e këtij objekti është stili romanik i ndërtimit që tregon A. Stefanoviq. Sipas të dhënave, Manastirin e Deçanit e ndërtoi arkitekti shqiptar At Vita Kuçi - Cuci me 18 skulptorë e gurskalitës. Manastiri i Shën Stefanit ose Bajska që gjendet në Banjë të Mitrovicës, u rindërtua nga mbreti Millutin. Murimi i tij u realizua gjatë viteve 1312-1317. Sipas autorit D. Bogdanoviq, është e mundur që këtu edhe më herët të kishte ekzistuar një manastir. Se ky objekt ishte rindërtuar mbi themelet e një tempulli të vjetër mbështetet dhe nga autorët V. Markoviq, A. Stefanoviq e po ashtu dhe nga revista e Patrikanës Serbe “Pravoslavlje” që botohet në Beograd. Po ashtu, kemi të dhënat që tregojnë edhe për një numër mjeshtërish - skulptorësh të shquar shqiptarë të ndërtimit të kishave që veçoheshin asaj kohe, siç janë: Miho (Mikel) Tivarasi i shekullit të XIV’të, Gjin Aleksi dhe Mark Nikollë Gega etj.

Mbështetje për qëndrimet tona që paraqiten gjatë gjithë këtij punimi, se kishat dhe manastiret ortodokse u rindërtuan ose më mirë të themi, u adaptuan me ndërhyrje gjatë ri-ndërtimeve për t’u transformuar nga stili katolik në at ortodoks, siç kuptohet nga shumica e rasteve të sipërtheksuara, do të gjejmë edhe tek disa studiues serbë që shquhen me punimet e tyre për këto çështje. Gj. Sljepçeviq, tregon se: nemanjidët, sundimtar të Rashkës nuk patën dije për ndërtime as të kishave e as të manastireve, ata vetëm i shfrytëzuan objektet dhe kulturën bizantine duke qenë një herët kopjues dhe imitues të tyre. Kjo, sipas autorit, tregohet edhe me selit (rezidencat) e përkohshme të mbretërve të tyre që do të lëvizin gjatë gjithë periudhës së sundimit. Ata, nuk kishin një vend (qendër, qytet apo pallat) të përhershëm. Shefi i katedrës për arkeologji mesjetare në Beograd, Dr. Gj.Jankoviq, thekson se, sa është e ditur Kosova, Mali i Zi dhe Hercegovina janë territoret që më së shumti kanë kisha që shërbenin në vazhdimësi që prej njëmijë (1000) vjetësh. Nga këto, kemi objekte të ndërtuara qysh gjatë shek. të VI’të dhe të VII’të ose ato të shek. të IX’të dhe të XI’të, siç janë edhe kisha në Lipjan, Graçanicë dhe Zonja Prene (Ljevishka) në Prizren. Akademiku, D.Bogdanoviq, tregon se, dy qytete bizantine që i okupoi Stefan Nemanja, Prizreni dhe Lipjani, që aso kohe ishin qendra fetare. Kur arkimandriti Sava e organizoi kishën autoqefale “rashkase”, at e ndan në dhjetë (10) ipeshkvi, e nga ato tri(3) gjendeshin në territoret e sotme të Kosovës. Zhvillimi i territorit të sotëm të Kosovës, sipas autorit, si “qendër shpirtërore” e popullit “serb” gjatë mesjetës mbështetet me përqendrimin e madh të kishave dhe manastireve. Ai vazhdon, deri sot nuk mund të dihet se sa kisha kanë qenë ose janë ruajtur nga epoka para-nemanjide, sepse kërkime, hulumtime sistematike si dhe arkeologjike nuk janë kryer, duke shtuar, numër bukur i madh i kishave nemanjide (rashkase) sigurt se janë ngritur në themelet e vjetër të tempujve bizantinë. Njohësi i mirë i këtyre çështjeve, V. Markoviq, na tregon se, historia e kishave dhe manastireve ortodokse siç shkruhet dhe përshkruhet nga tradita dhe historiografia serbe, nuk lënë tjetër, veç të kuptohet se, veprat-ndërtimet e fundit, ato nemanjide, të janë ngritur mbi llogarinë e të parave. Kështu, nemanjidëve i përshkruhen shumë manastire, të cilat janë shumë ma të vjetra se koha e tyre. V. Markoviq, tregon edhe se, mbreti Millutini (1282-1321) nuk ndërtoi asnjë manastir të ri, ai vetëm i rindërtoi manastiret e vjetra e të lëna. Për këtë, historiografia jonë e vjetër dhe e re e paraqesin Millutinin si themelues-ndërtues i shumë manastireve. Karakteristikë e kohës së tij është se, Millutini rindërtoi shumë manastire në territoret që okupoi nga Bizanti, më shumë se sa në territoret e vjetra “serbe”. Historiani, St. Stanojeviq, thekson që edhe para Stefan Nemanjës, në kufijtë me Rashkën kishte bukur shumë manastire dhe udhëheqës fetarë dhe nuk fillon krejt me Nemanjën, siç donë ta paraqesin historiografët tanë... Autori, V. Petkoviq, vjen në përfundime se, fiset “serbe” (sllave, E. R.) që nga ardhja dhe vendosja e tyre në këto territore (ballkanike) e deri në shek. e XVIII’të, shënuan lëvizje të mëdha. U ndërtuan dhe rindërtuan kisha e manastire e për çka “ nuk mundemi të pohojmë e vërtetojmë se këto vepra janë ekskluzive serbe”.

Në këtë drejtim, siç potencuam edhe më sipër, kemi të bëjmë me propagandën pseudoshkencore serbe e cila tenton që territorin e Kosovës ta paraqet si “qendër shpirtërore të popullit serb” gjatë mesjetës, që sipas tyre, mbahet me numrin e madh të konceptuar të kishave serbe dhe manastireve në këtë territor. Duhet theksuar edhe tendencat e një pjese të madhe të autorëve të historiografisë serbe, që tentojnë me të dhëna të argumentojnë se, selia e kishës ortodokse e Rashkës do të bartet në Pejë gjatë gjysmës së shekullit të XIII’të, më konkretisht kinse që në vitin 1253, nga Zhiça, selia e arkipeshkvisë kalon në Pejë. Mirëpo, në këtë drejtim duke iu referuar po të dhënave të autorëve serbë, theksohet që Peja tek në decenien e fundit të shekullit të XIII’të bëhet qendër ose seli e arkipeshkvisë së Rashkës. Sipas tyre, selia e arkipeshkopatës pas sulmeve mongole dhe djegies së Zhiçës më 1284 bartet në Pejë. Sipas të tjerëve, selia e kishës kalon nga Zhiça në Pejë tek në decenien e fundit të shekullit të XIII’të kur sulmohet nga tatarët dhe kumanët që e plaçkitin dhe e djegin, të cilët i hakmerren Rashkës për një sulm që udhëhoqi ndaj tyre mbreti Millutin (V. Jankoviq). Po ashtu, edhe autorë të tjerë mbështesin faktin se tek në fund të shekullit të XIII’të, pas pësimit të Zhiçës, Peja bëhet seli e re e arkipeshkopatës rashkase (V. Boshkoviq, S. Qirkoviq). Në këtë drejtim tendencat janë që pjesët e territorit të Kosovës së sotme, konkretisht treva e Drenicës paraqitet si “Drenica mali i dytë i shenjtë serb”. Lidhur me këtë është interesant të përmendim se, autori thekson që në shekullin e XIV’të në trevën e Drenicës gjendeshin 13 manastire dhe 5 kisha (T.Vukanoviq). Po ky autor më pas, duke theksuar se kinse me rezultatet e tija hulumtuese të vendbanimeve, të cilat “bazohen në të vërtetën shkencore” nxjerr përfundime se: në trevën e Drenicës së sotme kanë ekzistuar gjithsej 9 manastire dhe 42 kisha, d.m.th. bie në konfuzion në librin e njëjtë. Po ashtu, vlen të theksojmë propagandën nacionaliste të kishës ortodokse serbe që gjithherë ishte veçuar dhe veçohet për kah falsifikimi dhe spekulimet lidhur me çështjen në fjalë. Sipas hartuesve të librit “Memorandumi për Kosovë e Metohi” i botuar nga kisha ortodokse serbe, theksohet se: “Kosova e Metohija”, “Tokë e shenjtë” e “popullit serb”, për ne paraqet atë, që për popullin “hebre paraqet Jerusalemi”. Për këtë, më së miri dhe më së forti dëshmojnë më se 1300 kisha dhe manastire që gjenden atje. Po kështu edhe autorë të tjerë mbështesin këto qëndrime duke theksuar se: “Hapësira e krahinës jugore të Serbisë mbulohet me 1300 kisha dhe manastire me emrin zyrtar “Kosovo” (me Metohinë e cila që nga viti 1968, me dëshirën e shqiptarëve kosovarë hiqet nga zyrtariteti, dhe më pastaj nga komunikimi politik ditor), që në gjuhën serbe është simbolike, fjala më me rëndësi e cila pas emrit të Zotit, emrit të Shën Savës (themeluesit të kishës ortodokse serbe në shekullin e XIII’të), shënon njëkohësisht edhe identitetin kulturor e nacional të të gjithë popullit serb” (D. Bogdanoviq). Propaganda në këtë drejtim vazhdohet: “... në territorin e Kosovë e Metohisë..., populli ortodoks serbë dhe kisha e saj kanë 1300 kisha e manastire nga shekulli i XII-të deri në atë të XX’të, të punuara gjatë tetë shekujve...” (Novosti, Beograd, 2004). Po ashtu theksohet se sipas evidencave në trevën e Kosovës duhet të ketë aty afër 200 objekte të ruajtura ose të shkatërruara, por në të vërtetë ka më shumë sikur të numëroheshin dhe hulumtoheshin lokalitetet arkeologjike të paidentifikuara (gërmadhat e kishave). Sipas A. Urosheviq, gjendja e të pamurit të kësaj treve (është fjala për Kosovën) në mesjetë flet për një numër të madh gërmadhash të kishave, mbetje të kishave të vjetra dhe sipas tij, shenja të tilla kishte pothuajse në të gjitha fshatrat, edhe serbe e shqiptare, ndërsa në disa fshatra janë edhe nga dy e më shumë gërmadha të kishave (A.Urosheviq). Edhe D.Bogdanoviq, shprehet se, sipas hulumtimeve arkeologjike vërtetohet se në territorin e Kosovës ishin 1300 kisha e manastire e monumente tjera serbe.

Të dhënat e tilla si më lart, të ndërtuara dhe të udhëhequra nga historiografia e edhe nga politika ditore e qeverisë serbe, pra, mundohen të mbështesin konceptin mbi monumentet e kultit të krishterë që ekzistojnë në Kosovë duke rritur numrin impozant që shihet, për çka dhe Kosova sipas tyre paraqet vlera të “jashtëzakonshme”. Për të sqaruar më mirë çështjen lidhur me ndërtimin dhe rindërtimin e objekteve fetare në territorin e Kosovës në periudhën nemanjide, ofrojmë dhe të dhënat që tregojnë se, mbreti Millutin (1282-1321) rindërtoi afër 30 manastire, në mes të cilave në territorin e Kosovës vetëm tri, në Prizren, Bajskë dhe Graçanicë. Mbreti Stefan Deçani (1321-1332) ndërtoi vetëm Deçanin. Gjatë periudhës së Dushanit u ndërtua Manastiri i Shën Arkangjelit (M. Kashanin, revista “Pravoslavlje”). Gjatë periudhës Osmane, burimeve që dalin aso kohe, të cilat i paraqesim nga M.Kashanin, tregohet se, që nga periudha e patrikut Makarije në gjysmën e shek. të XVI’të, u ngritën nga gërmadhat dhe u rishkruan-vizatuan përsëri me qindra kisha në territoret e sunduara nga Osmanët (mendon në Kosovë, Serbi dhe Sanxhak). D. T. Batakoviq duke u thirrur në burime osmane (regjistrat osmanë) tregon se gjatë shek. të XV’të dhe XVI’të ekzistonin dhjetë deri katërmbëdhjetë tempuj ortodoksë që ishin aktiv. Udhëheqësit e kishës ortodokse të Pejës (1557-1766) duke u mbështetur në traditën mesjetare të sundimtarëve nemanjid dhe shtetit të Rashkës, tani me një territor më të madh se i tyre, rindërtuan kultet e vjetra dhe vendosën edhe të reja. U bë jetësimi - funksionimi i kishave dhe manastireve, ku vetëm në Kosovë u ndërtuan njëzetë (20) kisha të reja, ndërsa shumë nga të vjetrat u aftësuan duke edhe u rishkruar-vizatuar (D. T. Batakoviq, R.Samargjiq, Gj.Sljepçeviq). Defterët osmanë për Sanxhakun e Vushtrrisë - Prishtinës (njësi administrativo-politike territoriale në Perandorinë Osmane), të viteve 1490-1491, 1525-1526, 1530-1531, 1544-1545 dhe 1561 tregojnë se ishin të evidentuar 42 manastire dhe 11 kisha, ndërsa në at të Prizrenit shënohen 2 manastire dhe 15 kisha (D. Batakoviq). Do të jetë interesante të paraqesim të dhënat që na ofron episkopi Artemije (Radosavljeviq) i Prizrenit, i cili në shkrimet e tija publikuar në “Raspeto Kosovo”, kur flet për rrezikun dhe dëmet e kishave dhe manastireve që gjinden në Kosovë gjatë luftës së vitit 1999, paraqet edhe regjistrin mbi një numër të tyre. Nga ky regjistër del të jenë kisha dhe manastire të ndërtuara gjatë periudhave: nëntë të shek. të XIV’të; nëntë të shek. të XV’të dhe XVI’të; pesë të shek. të XIX’të dhe pesëdhjetë e tri (53) që janë ndërtuar në shek. e XX’të. Këto të dhëna nga ky regjistër i paraqitëm me qëllim që të tregojmë se një numër i kishave janë të periudhës Osmane e çka është ma me rëndësi, këtu qartë shihen se pesëdhjetë e tri (53) kisha janë të evidentuara që janë ndërtuar në shek. e XX’të. Këtu, shohim që kishat e shekullit të XX’të, janë kisha thjesht “politike”. Këto kisha politike do të ndërtohen nga Serbia me qëllimin për të arsyetuar para botës se, Kosova është “tokë e tyre”. Por gjithë bota tani e dinë se, Kosova u pushtua nga Serbia në vitin 1912-1913 dhe Serbisë ju qel rruga për ndërtimin e numrit kaq të madh të kishave gjithnjë deri në vitin 1999, kur Kosova do të jetë jashtë saj.

Për të vërtetuar se me të vërtetë qëllimet, qëndrimet dhe të dhënat e historiografisë serbe, janë pretenduese, qëllim-këqija e nacionaliste, tregon numri i madh e i pa argumentuar i paraqitur për monumentet e krishtera ortodokse - kishave dhe manastireve që kinse kanë ekzistuar në Kosovë, që sipas tyre sillen prej 1300 e herë-herë deri në 1500 objekte. Për këtë mendojmë sigurt se, nuk ka as burime historike e as studime që mbështeten në fakte, se kishte aq shumë kisha në këtë trevë aso kohe e as sot, përveç konstruksioneve me prapavijë politike. Për këtë, lirisht vijmë në përfundime se, shkrimet e tilla janë falsifikim i qindpërqindtë i realitetit historik e shkencor.

Për fund, si bazë të fortë e argumentuese e gjithë qëndrimeve tona të paraqitura në këtë punim, ofrojmë dëshmitë mbi gjendjen reale të monumenteve të trashëgimisë kulturore, që tregojnë saktësisht se sa është numri i kishave dhe manastireve të krishtera në Kosovë që karakterizohen në radhën e monumenteve kulturore’historike. Po paraqesim të dhënat e sakta që ruhen në dokumentacionin e Entit Krahinor për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Prishtinë, të vitit 1990 (sot, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës). Të dhënat nga arkiva e këtij institucioni, na tregojnë dhe vërtetojnë që: në territorin e Kosovës sot, janë të evidentuara 183 objekte (të tipave dhe gjinive të ndryshme), kisha të krishtera, kryesisht ortodokse, prej të cilave 126 sosh kanë tretman monumenti, ndërsa 57 objekte janë vetëm të evidentuara (të dhënat marrë nga Dr. Fejaz Drançolli). Objektet në fjalë janë të regjistruara në regjistrin qendror të monumenteve në këtë institucion dhe nga këto monumente, mund të themi se, një numër i tyre i takojnë stilit bizantino-kosovar, posbizantin si dhe të karakterit lokal (F. Drançolli).

Këto të dhëna të fundit i theksuam me qëllim, sepse tregojnë se treva e Kosovës gjatë mesjetës e më vonë, nuk ishte epiqendra e veprimtarisë së kishës ortodokse të Rashkës - “Serbisë” siç pretendohet nga historiografia serbe, çështje që dëshmohet nga të dhënat e sipërpërmendura. Si përfundim, theksojmë se, kultura materiale e arbërve gjatë mesjetës e më pas shqiptarëve në territoret e Kosovës ishte pre e sundimeve të huaja, në rastin tonë atij më ekstrem - të Rashkës gjatë mesjetës. Theksuam se, në Kosovë gjatë kohës kanë bashkëjetuar shumë monumente të kultit, si katolike, ortodokse që shërbenin aso kohe si për arbërit-shqiptarët ashtu edhe për popullatën tjetër që asokohe dhe sot jeton në këtë vend. Nga të dhënat që theksuam shihet se kisha ortodokse rashkase - “serbe”, përvetësoi shumë nga këto monumente të kulturës, kisha e manastire vendëse iliro-arbërore ku ndërtoi dhe rindërtoi mbi to, siç u pa sidomos gjatë shekullit të XIV’të, kisha të quajtura më vonë të veta, duke i shndërruar ato në kisha ortodokse. Këtej kultura materiale e Kosovës ndër shekuj u shkatërrua, u plaçkit duke vazhduar me tendencat (që nuk ndalën as në ditët e sotme) për t’u përvetësuar në forma të ndryshme siç i paraqitëm. Këto qëndrime i paraqesim, me qëllim të tregojmë se, Serbia dhe historiografia e saj pothuajse pa përjashtime, pretendon edhe sot të qëndrojë me këto parime: që Kosova është “Djep i serbizimit”, “Tokë e shenjtë serbe”, “selia e kishës ortodokse serbe” dhe qëndrime të tjera antishkencore e jo humane, që sipas argumenteve shkencore nuk qëndrojnë, e për më tepër lënë pasoja të dëmshme në raportet e së ardhmes ndërmjet popujve. Sot numri i objekteve sakrale mesjetare, të kishave katolike, bizantine e ortodokse paraqesin gjurmë të kulturës materiale të dikurshme që e karakterizojnë kulturën materiale të popullit të Kosovës e më gjerë.

Duke i hedhur poshtë qëndrimet dhe tendencat që paraqiten prej historiografisë serbe, nga të dhënat e sipërshënuara, sot mund të themi se, në Kosovë kemi monumente të kultit të krishterë që janë ndërtuar nëpër kohë që nga antika e deri më sot, dhe jo vetëm ato të krishtera, katolike e ortodokse të mesjetës, por edhe duke vazhduar me monumentet kulturore islame që sot i kemi një numër të madh të tyre, sot i trajtojmë për trashëgimi të kulturës vendëse dhe ato i takojnë popullit dhe qytetarëve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, pa bërë dallime të trashëgimisë kulturore në asnjë aspekt. Në këtë drejtim do të shtojmë edhe mendimin se, është obligim shoqëror, intelektual, institucional e shtetëror, që monumentet e trashëgimisë kulturore, çfarëdo qofshin ato, të mbrohen, konservohen, restaurohen etj., të mbahen në jetë, sepse i takojnë kulturës materiale dhe shpirtërore të njerëzimit, në rastin tonë popullatës vendëse të Kosovës dhe kulturës universale botërore.

Për fund, kishte me qenë mirë t’i tregojmë edhe historishkruesve serbë, çështje për të cilën jam i bindur që e dinë por nuk e theksojnë dhe shkruajnë, se, të dhënat historike dëshmojnë që iliro’arbërit’shqiptarët, gjatë historisë jetuan dhe vepruan në këto treva dhe më gjerë që nga kohët e vjetra, dhe mundën të mbijetonin pushtuesit dhe sunduesit e ndryshëm, si ata romakë, bizantinë, sllavë, osmanë dhe serbë deri në kohën e sotme. Gjatë kësaj kohe, dëshmohet se, mbijetoi dhe një pjesë e monumenteve të trashëgimisë kulturore’historike e tyre (duke përfshirë në këtë kuadër edhe, kishat e krishtera, kishat dhe manastiret ortodokse si dhe objektet e kulturës islame - xhamitë, teqetë etj.) të cilat qenë ndërtuar nëpër kohë e që një pjesë mbijetuan deri më sot. Po këta, iliro’arbërit’shqiptarët, gjatë kohës, kanë pranuar kulturën fetare të besimit të krishterë më se dhjetë shekuj (prej shek.të I’rë deri në shek. e X’të). Më pas, ata do të gjinden pjesërisht edhe nën ndikimin e krishterë ortodoks bizantin për afro tre shekuj (shek. i X’të dhe i XIII’të), afër dy shekuj nën trysninë e kishës ortodokse sllave’rashkase (XIII’të e XIV’të) e që vazhdon me pranimin e fesë islame që nga (shek. i XV’të dhe i XIX’të). Gjatë këtyre shekujve rrugëtimi, populli shqiptar përqafoi tri konfesione si, atë katolike, ortodokse dhe islame. Konfesionet që bashkëjetuan tek populli shqiptar e që i besojnë dhe sot, i bëjnë që edhe monumentet fetare të trashëguara gjatë historisë t’i respektojnë, mirëmbajnë dhe vlerësojnë si pjesë e pa ndarë e kulturës së tyre.

Në vend të përkujtimit -Ishe prijatar trimërie, mbete Diellor –Lirie!





Me dhimbje ,krenari sot ju përkujtojmë në 23 vjetorin e rënies heroike ,

në logun e Betejës për jetë a vdekje në Demonstratat  e 28 marsit të vitit 1989…



 


ISMET  QORRAJ  /21 janar 1968- 28 mars 1989/

Koha është e pafuqishme që t’na zbehib  ankthin,mallin,dashurinë pietetin për Ty.

Do të mbetësh përherë në zemrat tona,ashtu si ishe i afërt,i dashur e dinjitozë.
Përjetësisht me mall:Vëllaznit,motrat:Xuni,Smajli,Muhameti,Xhevdeti,Ajmani,Ajshja,

Kumrija,Ganimeti,Valbonja dhe anëtarët tjerë të familjës tonë Qorraj
nga Çarrabregu i Deçanit.


------------------------------------




Njëzet e tri  pranvera pa Ty i dashuri vëlla ISMET






Ishe prijatar trimërie, mbete Diellor –Lirie!

Motra Kumrije Qorraj-Bruqi , me familje nga Prishtina



--------------------------------------------







Ismet ( Avdi) Qorraj (21 janar 1968- 28 mars 1989)





Trimëria jote është e ngulitur thellë në dejtë e Tokës ilire!
Shkove në përjetësi si dëshmor, ashtu si jetove,
 i nderuar, bujar, i urtë dhe trim.

Me pietet të kujton motra Valbona Qorraj-Jasiqi  me familje nga Peja

2012/03/26

Almeda Abazi , bukuroshja“Miss Globe”




Është kjo Almeda Abazi bukuroshja që po korr suksese në shtetin e Turqisë. Ajo deri më tani ka marrë shumë tituj në Shqipëri, ndërsa tani e 3 vjet jeton në Turqi, ku ka nisur punën e saj në disa fusha të artit. Almeda tani është bërë pjesë e kompanisë së njohur në Turqi “Survivor”, për të cil

ën thotë se ndjehet mjaftë e lumtur. Ajo ka edhe disa plane për të ardhmen të cilat shpreson që me kohë do ti realizoj. Për më shumë rreth punës dhe jetës private flet për “Zëri-n”.

Çfarë ju solli titulli “Miss Globe” në jetën në vazhdim?

Në moshën 16 vjeçare jeta prej një vajze të thjeshtë, që merrej vetëm me shkollën si çdo i ri i asaj moshe ndryshoi totalisht, duke fituar titullin “Miss Tirana” në vitin 2007, duke vijuar më pas me titullin “Miss Shqipëria 2008” dhe duke u kurorëzuar vetëm disa muaj më pas si “Miss Globe International 2008”, ku prezantova vendin tim Shqipërinë ndërmjet 101 shteteve të botës. Ishte kurora e parë ndërkombëtare në historinë e Shqipërisë, njëkohësisht jam quajtur si miss-i më i ri në moshë në botë ndër kohëra. Ky ishte fillimi im drejt një rruge shumë të gjatë, atë të televizionit në Turqi, duke arritur suksese të njëpasnjëshme.
 
Me çfarë merreni në Turqi përveç modelimit?

Edhe pse kam marrë disa tituj, prapë them se me modelim nuk jam marrë asnjëherë dhe është diçka që nuk ka bërë pjesë në planet e mija për të ardhmen, e respektoj profesionin e modelit, por nuk më pëlqen ta praktikoj. Në Turqi merrem me televizion, aktrim, prezantim, spektakle.

Sa keni mundur të ambientoheni në Turqi?

U bë gati 3 vjet që jam vendosur në Turqi, pasi familja ime ka një biznes prej vitesh këtu dhe duke qenë se isha në moshë shumë të re e pashë të nevojshme të rrija pranë familjes. Prej 3 vitesh këtu kam realizuar 3 filma kinematografik, 1 telenovelë, reklama të ndryshme televizive, kam prezantuar një program për të rinj dhe së fundmi “Dancing With the Stars Turkey”, ku zura vendin e tretë.

Nëse më duhet të them të vërtetën asnjëherë nuk jam ndier kaq mirë sa këto muajt e fundit, pasi më është dhënë mundësia të tregoj Almedën e vërtetë. Jam trajtuar si princeshë dhe kam gjetur një produksion ashtu siç ëndërroja përherë, respektohem dhe çdo gjë shkon sipas principeve të mija, pa pasur as edhe shqetësimin më të vogël. Mund të them që nuk do të doja ti ndërroja asnjëherë ndihem super mirë, sikur punoj me familjen time, duke shtuar këtu dhe mbështetjen financiare krahas asaj morale.

Kemi dëgjuar që po merr pjesë në një projekt tjetër të madh sa ai i “Dancing With the Stars”, për çfarë bëhet fjalë?

“Dancing With the Stars Turkey” sapo ka përfunduar dhe unë arrita të shkoj deri në finale, duke zënë vendin e tretë. Produksioni “Acun Medya” i cili thyen rekordet e shikueshmërisë këtu në Turqi me spektaklet e ndryshme që shfaq në kanalin “Show TV”, ndërkohë që vazhdonte spektakli i “Dancing” më ofroj të isha pjesë e spektaklit të radhës “Survivor”, ndërmjet vipa-ve që do të shfaqet sërisht në kanalin e “Show TV” në fund të muajit mars në orën 20:00.

Të them të drejtën u emocionova kur më erdhi oferta pasi është një garë që kërkon fuqi, durim, guxim dhe zgjuarsi, tek unë asnjë prej këtyre nuk mungon kështu që mendova që është një garë që duhet të jem pjesë e saj. Tani do të jem në Republikën Dominikane në ishujt e Karaibeve ku do të bëhet gara e Survivor.

Na thuaj diçka për princin e përrallave, ka ndonjë të tillë në jetën tënde?

Siç e thatë dhe ju ajo ndodh vetëm në përrallë, ne mund të themi shumë modele e dua kështu e dua ashtu, por e vërteta është që ajo vetëm me të jetuar provohet dhe asnjëherë nuk është ai që kemi ëndërruar.

Njeriu lumturinë mund ta gjejë tek dikush që është shumë larg ëndrrave të saj, plus lumturia është reciproke asnjëherë nuk mund të presësh prej dikujt tjetër të të bëj të lumtur, duhet të japësh që të marrësh dhe kjo arrihet nga 2 palët bashkë.

Jeta ime është e qetë akoma siç ka qenë gjithë këto vite, mendoj se dhe për disa kohë kështu do të vazhdoj, ka kohë dhe për atë. Unë jam një prej atyre vajzave që duan të dashurojnë vetëm një herë në jetë dhe përgjithmonë, prandaj çdo gjë me kohë, tani është koha për të mbaruar shkollë dhe të ndjek karrierë, sapo kam mbushur 20 vjet.

Pas “Survivor”, çfarë të pret?

Në këto momente që po flasim bile sapo me erdhi një ofertë reklame nga “Loreal”, gjithashtu ka dhe oferta për film por të gjitha i kam lënë pasi të kthehem, tani jam përqendruar vetëm tek ‘Survivor’.

Ekuilibri është tipar i politikës


XHAVIT HALITI

Historia e deritashme e bisedimeve Kosovë - Serbi dihet botërisht. Dihen ecuria, marrëveshjet e arritura dhe zbatimi realisht i tyre. Dihen, gjithashtu, nxitësit, organizatorët, ndërmjetësit dhe garantuesit e zhvillimit të këtyre bisedimeve, siç dihen dhe reagimet e opozitarëve politikë në Kosovë dhe Serbi në disfavor të fillimit dhe të vazhdimit të mëtejshëm të tyre.

Njihet përfundimi i takimit treditor të shkurtit në Bruksel, sikurse janë të njohura dhe vlerësimet e “unifikuara” ndaj tyre prej Beogradit dhe Prishtinës, që u vlerësua njëherësh si pakt ku “fitojnë të gjithë”. Me këtë pakt Serbia arriti, pak ditë më vonë, të fitonte statusin e vendit kandidat për anëtarësimin në BE, kurse Kosova, edhe pas një muaji, nuk ka vënë veten ende në një provë ku “të marrë pjesë dhe të nënshkruajë marrëveshje të reja në llogari të saj dhe të flasë për vetveten në takimet rajonale”, siç u deklarua nga BE-ja (deri sot është shënuar vetëm një rast i pranimit dhe uljes në një tavolinë në Tiranë, ku merrnin pjesë deputetë të tetë komisioneve parlamentare ballkanase për integrimin, të zëvendëskryetares së Parlamentit të Serbisë me zëvendëskryetarin e Kuvendit të Kosovës).

Vlerësimi i hendekut që ndan arritjet e Serbisë dhe Kosovës pas “fusnotës” u dha “flakë” dhe besueshmëri në propagandë dhe në opinion kundërvënieve ndaj marrëveshjeve më të fundit në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. U “harruan” apo u “injoruan” vlerësimet mbështetëse të ndërkombëtarëve për Kosovën. U “harruan” vlerësimet e BE-së, e H. Klintonit, e kryeministrit dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në botë. U “harruan” dhe këtë thuajse e harruam përgjithësisht në politikën vepruese, që ndërkombëtarët, BE-ja dhe SHBA-ja, janë dhe mbeten protagonistë në shporrjen ushtarakisht të Serbisë nga Kosova dhe miq garantë për të sotmen dhe ecurinë tonë si shtet i pavarur e sovran.

Të ndodhur nën trysninë e politikës pragmatiste opozitare (Vetëvendosjes) dhe asaj konkurruese për pushtetin(LDK-së) dhe, njëherësh, nën helmin e diversionit politik dhe diplomatik të një shteti me përvojë në këto dy fusha, të Serbisë, shtetarët e Kosovës nuk kanë filluar të humbasin besimin te BE-ja dhe SHBA-ja, por të bëhen nervozë ndaj zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Në mes të marsit, presidentja e Kosovës në një letër dërguar aleatëve dhe vendeve të Quintit, kërkoi të mos lejohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, pasi kështu do të rrezikonin bisedimet me Serbinë dhe anulimin e rezultateve të arritura deri tani. Ndërkohë, kryeministri Thaçi, në reagim të vendimit të kryetares së Kuvendit të Serbisë që shpalli mbajtjen e zgjedhjeve serbe dhe në Kosovë, u detyrua apo u “nxitua” të thoshte se pretendimet serbe për veriun e Kosovës do të çonin në hapjen e kufijve dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet, dhe se do të përdorej çdo mjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Nga ana tjetër, ministri ynë i Brendshëm nxiton të deklaroi, në kundërvënie të zhvillimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë, se ka nisur përgatitjen e një plani operativ për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës.

Opozita politike, për efekte elektorale, po e përdor këtë situatë. Vetëvendosje kërkon në shesh dorëheqjen e Qeverisë. Kryetari i partisë më të madhe opozitare, z. Mustafa, i përgjigjet negativisht kërkesës së kryeministrit për të marrë bashkërisht përsipër pasojat e vazhdimit të bisedimeve me Serbinë. Kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, i mirënjohuri z. Surroi, konkludon se bisedimet Kosovë-Serbi i kanë sjellë vetëm suksese Serbisë, ndërsa vetëm delegjimitet Kosovës. Më i fundit, por dhe me mjaftë me peshë institucionale, kryetari i Kuvendit i nxitur natyrshëm edhe emocionalisht nga pasojat e “dukshme” të fusnotës, por edhe nga amplifikimi politik dhe mediatik i tyre, kërkoi publikisht ndryshimin e përfaqësisë së Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Nuk preferoj të përmend dhe të gjykoj për vlerësimin e Tadiqit nga opozita politike nacionaliste serbe. Është punë e tyre. Kosova, që mendoj se në gjithë popullsinë e vet e ka fituar tashmë koshiencën e mëvetësisë nga Serbia, ka të drejtën dhe detyrimin që në gjithë strukturën shtetërore të jetë e disponueshme dhe e përgjegjshme për konsolidimin dhe prosperitetin e shtetit kosovar.

Jemi në një kapërcyell delikat. Jemi mosbesues në rrafshin shtetëror, dyshojmë në statusin e Kosovës si shtet, jemi mosbesues për vlerën e bisedimeve me Serbinë, jemi mosbesues për mbështetjen e BE-së, si garant në këto bisedime.

Mund të kemi të drejtë, por dyshimi (mosbesimi) ekstrem shkakton dizekulibër, rrëzim, e rrëzimi fraktura. Kosova s’ka kohë dhe komoditetin t’i shkaktoi vetes “thyerje”.


Xhavit Haliti lindi më 8 mars të vitit 1956 në Novo Sellë(shq: fshati i ri) të Pejës, Kosovë, është politikan shqiptar, një ndër themeluesit  e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ka qenë i burgosur politik, me ç'rast detyrohettë shpërngulet në Zvicër, ku caktohet  një nga udhëheqësit e LPK (Lëvizjes Popullore të Kosovës).

Në vitin 1993, së bashku me Ali Ahmetin dhe Azem Sylën, caktohet  në Sektorin e Rëndësisë së Veçantë, organ i cili kishte kompetenca të bashkërendojë grupet e atëhershme guerile që vepronin në Kosovë.

 Pas bashkrendimit të grupeve, ky Sektor, themelon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe cakton Shtabin Qendror të UÇK-së (më pas Shtabin e Përgjithshëm).

Kohë pas kohe Xhavit Haliti, udhëtonte nga Zvicrra në Shqipëri, ku mbante takime me udhëheqësit e grupeve guerile të UÇK-së, si dhe me zyrtarët e shtetit Shqiptar dhe diplomatë të huaj.

Kishte kontakte direkte apo indirekte me të gjithë eprorët e UÇK-së, sidomos me korrdinatorin  e UÇK-së në Kosovë, Nait Hasani. Xhavit Haliti dhe sektori që e udhëheqi u vlerësua shumë lartë dhe efikas në punën e tij.

Gjatë tërë kohës, mbështeti dhe koordinoi furnizimin e rregulltë të njësive të para të UÇK-së, e pas daljes së saj publike, luajti rolin  e diplomatit dhe mbrojti luftën e UÇK-së në bisedat e shumta me diplomatët e huaj, si dhe mbajti  raportet me zyrtarët e shtetit shqiptar.

Në Konferencën e Rambujes, u caktua anëtar i Delegacionit. Ishte halë  në sy të pushtetit serb, dhe ndaj tij në Zvicërr u organizua një atentat, nga i cili shpëtoi pa pasoja, por pësuan disa familjarë të tij . Pasi nuk ia arritit qëllimit që ta vriste, Serbia, me tërë arsenalin e vet propagandues, hapi propaganda të ndryshme kundër  tij, e kjo vazhdoi  edhe pas çlirimit të Kosovës.

Arsimimi

Fakulteti Filologjik, Dega e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe Tiranë dhe Prishtinë.

Veprimtaria

Gjatë viteve 1987–1999 ishte anëtar  i Kryesisë së LPK-së
Në vitin 1993 ishte bashkthemelues  i UÇK-së
Gjatë viteve 1993-1999 ishte anëtar  i SHP të UÇK-së
Që nga viti 1999 është anëtar  i Kryesisë së PDK-së
Që nga viti 2001 është Deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës në të tri legjislacionet.


PËRGATITI :FLORI BRUQI

FBI amerikane në Kosovë

Nga Flori BRUQI

Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar 4 kilogramë marijuanë dhe ka arrestuar poseduesin e saj.Sipas policisë, Erlad Toro, 22 vjeç, është vënë në pranga mbrëmjen e së premtes, në lagjen “Zinxhira” të qytetit, teksa kthehej nga Lazarati, ku e kishte blerë lëndën narkotike.Droga ishte futur në një thes plastmasi në formën e bohçes dhe sipas policissë kishte si destinacion qytetin e Fierit, ku do të shitje për përdorim të brendshëm.




Droga vazhdon të shkojë drejt Greqisë me metodat primitive, por me sa duket të sigurta. 437 kilogramë kanabis sativa janë bllokuar mbrëmë nga policia në Sarandë.Ngarkesa e lëndës narkotike është pikasur dhe bllokuar teksa transportohej pranë Liqenit të Butrintit. Sipas njoftimeve, droga e paketuar në 11 thasë të vegjël ishte duke u transportuar me 7 mushka.Policia ka shpallur në kërkim të paktën tre persona në lidhje me ngjarjen. Burimet zyrtare të policisë kanë thënë se në vendin e quajtur Sorona është zbuluar aktiviteti i tre personave që po transportonin drogën, e cila ishte marrë nga Lazarati.Lënda narkotike dyshohet se do të kalonte në drejtim të Greqisë me mjete lundruese.Ndërkohë, vijon puna për kapjen e personave të përshirë në trafik


Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër drogës gjatë vitit 2010. Ky është përfundimi i përgjithshëm i Departamentit të Shtetit në raportin e tij vjetor mbi problemin e narkotikëve në botë. Qeveria e Shqipërisë, thekson raporti, u përpoq gjatë vitit të kaluar të konfrontonte elementët kriminalë në luftën kundër këtij problemi. Megjithë përparimin, problemi i narkotikëve vazhdon të jetë një sfidë e mprehtë dhe prezente në Shqipëri, një vend që kryesisht shërben për tranzitin e drogës nga Azia për në tregun evropiano-perëndimor. Në analizën e tij, Departamenti i Shtetit veçon si probleme kryesore kontrollin e dobët në portet detare në Adriatik, të metat në kontrollin e kufirit tokësor, masat e autoriteteve kundër drogës kryesisht si rezultat i mungesës së fondeve dhe menaxhimit të dobët, por edhe si rezultat i korrupsionit që ekziston në radhët e punonjësve të rendit.

 
Raporti i Departamentit të Shtetit thekson se kontrabanda e drogës mbetet një ndër aktivitetet më fitim-prurëse në Shqipëri. Vendndodhja strategjike e Shqipërisë dhe problemet në kontrollin dhe parandalimin e problemit e bëjnë këtë një vend tërheqës në tranzitin e drogës drejt Evropës. Shqipëria, thuhet në raport shërben si një vend tranzit i heroinës afgane dhe si vend burim i marijuanës kryesisht drejt Italisë dhe Greqisë. Raporti vlerëson përpjekjet e vitit të kaluar për t’iu përgjigjur problemit me politika më agresive. Si rezultat i këtyre politikave, një pjesë e mire e kontrabandës që bëhej përmes Adriatikut ka kaluar tani në rrugë tokësore përmes Kosovës dhe Malit të Zi e mëtej përtej Serbisë. Një problem i ri që konstaton raporti është se trafikantët shqiptarë duket se po marrin një rol gjithnjë e më të madh në financimin dhe shpërndarjen e heroinës jashtë Shqipërisë, veçanërisht në Ballkanin verior dhe Evropën Perëndimore.
 

Përveç tranzitit, Shqipëria ka vazhduar të shërbejë edhe vitin e kaluar si prodhuese e bimës kanabis, kryesisht në zonat e largëta malore për tregjet evropiane. Kultivimi i kësaj bime ra ndjeshëm me intensifikimin e përpjekjeve të forcave të rendit si kundër trafikantëve, ashtu edhe kundër prodhuesve. Me përjashtim të kanabis sativas, prodhimi i llojeve të tjera të narkotikëve është i kufizuar.Nuk është konstatuar kultivim i lulëkuqeve të heroines dhe nuk janë zbuluar laboratorë të prodhimit të lëndëve sintetike narkotike.
Raporti i Departamentit të Shtetit ndalet edhe tek problemi i varësisë nga droga. Në një fare shkalle, si rezultat i historisë së saj si vend i varfër, dhe i izoluar, përdorimi i drogës brenda vendit është i ulët, por qeveria dhe shoqëria thuhet në raport, janë treguar të ngadalshëm për të vepruar ndaj këtij problemi të ri që po lind. Megjithëse ky është një fenomen relativisht i ri për Shqipërinë, problemi qëndron në mungesën e vëmendjes.  Shqipëria, si një vend me probleme të shumta sociale, që nga papunësia, ritmet e larta të krimit e mungesa e infrastrukturës institucionale, nuk arrin t’u kushtojë vëmendjen dhe burimet e duhura informacionit kundër drogës dhe përpjekjeve për rehabilitimin e përdoruesve të drogës.


Megjithë vështirësitë, raporti pohon një numër arritjesh në luftën kundër drogës. Departamenti i Shtetit vlerëson faktin që qeveria e Shqipërisë ka rritur nivelin e përparësisë të luftës kundër krimit të organizuar dhe drogës duke u dhënë forcave të rendit një rol më të madh në operacionet anti-drogë. Ambicjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit për t’u përfshirë në regjimin e lëvizjes pa viza në zonën Shengen ishte një ndër faktorët  që nxiti autoritetet të zbatojnë reforma të reja që kanë sjellë përparim. Por raporti nënvizon se karakteri fraksional i politikës në Shqipëri dhe niveli i ulët i aktivitetit të shoqërisë civile janë ndër pengesat për një përparim më të madh.
Në raportin e Departamentit të Shtetit thuhet se forcimi I institucioneve qeveritare dhe masave të forcave të rendit ka dhënë efekte positive, por përparimi ka qenë i ngadaltë. Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë, thekson raporti, do të vazhdojnë të punojnë me qeverinë e Shqipërisë për të luftuar trafikun e drogës, për të shfrytëzuar në mënyrë efektive ndihmën e dhënë për organet e rendit dhe për të mbështetur reforma ligjore.
Shkenca në “shërbim” të drogës
Vdekja aksidentale e një cifti në Golem pas konsumimit të një shisheje me verë në të cilën ishte tretur kokainë për qëllime trafikimi, konfirmoi më në fund dhe zyrtarisht se vendi ynë kishte hyrë tashmë në linjën e vendeve që trafikojnë drogat e rënda në mënyrat më të cuditshme e më të padëgjuara. 

Prokurororia e Krimeve të Rënda tre vite më parë tentoi ta zbardhte këtë rrjet të trafikimit të kokainës që fuste drogë nëpërmjet një kompanie vere, në një mënyrë tepër të sofistikuar, por më pas nuk u mor më vesh se cfarë u bë me këto hetime.

Përgjatë një konference për shtyp, kur kishin goditur një grup të tillë të trafikut ndërkombëtar, mënyrat e sofistikuara të trafikut të drogës u pranuan edhe nga vetë krerët e luftës kundër krimit të organizuar.

Grupi i goditur tentoi të trafikonte 8 kg kokainë nëpërmjet një ngarkese me oriz, i nisur nga Bolivia dhe i sekuestruar në Tirane.

“Ka një lloj fuqizimi të tregut të kokainës nga Amerika Latine. Ajo është furnizuesi kryesor i kokainës dhe ne nuk mund të bëjmë përjashtim”, deklaroi pas operacionit Edmon Rizari.

Në raste të mëparshme prokuroria e policia së bashku kanë zbuluar nëpërmjet operacioneve ndërkombëtare, me metodën e dorëzimit të kontrolluar, kokainë e heroinë të porositur me postë në disa raste të fshehur në pjesë këmbimi makinash dhe herë të tjera të tretur në rroba të bardha.

Por nuk kanë munguar edhe rastet e kapërcimit të 44 qeseve me kokainë, sic iu zbulua në spital një ish-sportisti. Rasti më i fundit është ai i kokainës së tretur në vaj palme. Por në cfarë mënyre ndahet kokaina nga vaji i palmës?

Përpos faktit që edhe kjo formë hyn tek mënyrat tejet të sofistikuara dhe që përfshin rrjete të mirëorganizuara, ja se si kokaina ndahet nga vaji i palmës.

Elementi narkotik nga gjethet e kokës shtypet dhe lëngu i përftuar hidhet në vajin e palmës. Më pas ai përzihet me amoniak, që ndihmon në procesin e ndarjes së dy elementeve. Hedhja e amoniakut ndihmon në mpiksjen e kokainës, e cila më pas thahet.

Mënyra e tretjes së kokainës në vaj palme ndihmon personat që e trafikojnë atë që droga të mos nuhatet nga qentë antidrogë, edhe pse në raste të trafikimeve me mënyra të soifistikuara më së shumti ngarkesat zbulohen ose me persona të infiltruar brenda rrjetit, ose me metodat speciale të përgjimit. Shumë rrallë ndodh që ngarkesa të tilla të zbulohen sipas një kontrolli rutinor. 


 


 Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit në raportin vjetor për luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës vlerëson se Maqedonia ka bërë përparim në luftën kundër drogës ...
Maqedonia nuk është as një prodhues i madh e as një nga pikat e mëdha rajonale tranziti për drogë të paligjshme. Qeveria e Maqedonisë vazhdon të bëjë progres në luftën kundër trafikut të drogës dhe zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit 2008-2012 mbi Drogën, me një fokus të veçantë këtë vit dhe në vitet e ardhshme”, theksohet në raport.
Në raport bëhet e ditur për rritje të shitjes së paligjshme të marihuanës komerciale, por numrat për kapjen dhe rastet penale ka mbetur në lidhje me të njëjtin nivel me 2009.
Në raportin e DASH nënvizohet se Maqedonia është një nga rrugët në Ballkan që përdoret për trafikimin e heroinës afgane (përmes Turqisë dhe Bullgarisë), për në Evropën Perëndimore.
Drogat sintetike në tregun e Maqedonisë janë kontrabanduar nga Bullgaria fqinje dhe Serbia dhe gjithashtu nga Holanda.
 
Në Maqedoni theksohet se nuk ka raporte të prodhimit vendor të paligjshëm ose rafinimin i heroinës apo drogave të paligjshme sintetike.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) në vitin 2010 ndaj 649 personave janë ngritur akuza penale të lidhura me narkotikët, një rritje prej rreth 340 personave në krahasim me 2009, për një total prej rreth 500 rasteve penale.
Raporti vlerëson bashkëpunimin e MPB-së së Maqedonisë me vendet fqinje, si dhe me vendet evropiane. Bashkëpunimi me i ri mes Kosovës e Maqedonisë ka vazhduar të përmirësohet dhe se inteligjenca maqedonase ka kontribuar në kapjen e 74 kg heroinë në Greqi, një rast i koordinuar nga Agjencia Amerikane për Zbatimin e drogës 

Përqindja e të rinjve të shkollave të mesme që kanë përdorur drogë është rritur me kalimin e viteve, edhe pse në shifra të ulëta, ndërsa konsumuesit më të shumtë janë në klasën e 11. Një studim i Institutit të Shëndetit Publik tregoi se përqindja e të rinjte të shkollave të mesme që kanë përdorur një herë ose më shumë marihuanë gjatë gjithë jetës së tyre është 7.4 %, krahasuar me 5.4 % që ishte në vitin 2005. 

Megjithatë, sipas specialisteve te Institutit te Shëndetit Publik, pozitiv është fakti që studimi i fundit mbi sjelljen e të rinjve mbi drogat tregon që 92.6 % e të rinjve nuk e kanë provuar asnjëherë marihuanën. Nga studimi vërehet se 50 % e të rinjve që kanë përdorur marihuanë të paktën një herë në jeten e tyre e kanë përdorur në moshën 15-16 vjeç, kjo pasi, sipas specialistëve në këtë moshë ata i shtyn kurioziteti për të provuar të paktën një herë efektin e marihuanës. Pjesa më e madhe ndër këta janë meshkuj dhe shumë pak femra. 
Rritet ndër vite numri i të rinjve përdorues të drogës 
Referuar përdorimit të kokainës nga të rinjtë, në studimin e 2005, nga të dhënat shihet se 1.6 % e të rinjve kanë përdorur një ose më shumë herë kokainë, duke shenuar nje rritje ne studimin e fundit. Kështu, bazuar në të dhënat deri 3.2 % e të rinjve kanë përdorur kokainë dhe kryesisht janë të moshës mbi 17-vjec, ndërsa e kane provuar vetem 1 ose dy here. 

Sa i takon përdorimit të ekstazisë, vihet re se nuk ka dallim në shifra midis studimeve. Kështu, rreth 4 % e të rinjve kanë përdorur ekstazi që është e njëjtë me përqindjen e të rinjve që kanë përdorur ekstazi në studimin e bërë në vitin 2005 dhe shumica e tyre janë meshkuj. 
Pozitiv është fakti, theksojnë specialistët, ulja e përdorimit të drogave me injektim. Kështu, në studimin e bërë në 2005, vetëm 1.9 % përqindje e të rinjve kanë përdorur drogë me injektim dhe kjo përqindje është ulur tashmë në 1.2 % dhe shumica thonë që e kanë provuar 2 herë ose më shumë. 





 EUROPOL: Grupet kriminale shqiptare, aktive në trafikun e drogës
Policia e Kosovës në Prizren në bashkëpunim me atë të EULEX-it, kanë filluar fushatën për vetëdijesimin e qytetarëve, për pasojat që i sjell droga.


Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha ka thënë se kjo fushatë ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për parandalimin dhe largimin e të rinjve nga droga, që po rrezikon seriozisht jetën e njerëzve, duke u bërë shkaktari i shumë vetëvrasjeve.Ndërsa, këshilltari i operativës rajonale të EULEX-it në Prizren, Ole Vestphalen ka theksuar se këtë fushate e ka filluar Policia e Kosovës dhe se janë duke e përkrahur në vazhdimësi.




Pluhuri tejet fitimprurës po përfshinë gjithnjë e më shumë, jo vetëm trafikantët por edhe intelektualët.




                                          Prokurori Publik i Qarkut të Prishtinës:Aleksandër Lumezi

Vetëm në tre muajt e parë të këtij viti, organet e rendit në Kosovë kanë goditur dymbëdhjetë grupe kriminale që në lokacione të ndryshme në Kosovë janë marrë me shitje, blerje, posedim e shpërndarje të substancave narkotike. Nga dhjetëra aksione të ndara, kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut në Prishtinë, Aleksandër Lumezi, konfirmon se janë vënë prapa grilave gjithsej 65 persona.

Tërë këto aksione, që janë zhvilluar në bashkëpunim mes policisë dhe prokurorisë, të cilat Lumezi i vlerëson si sukses, sipas tij, janë arritur falë punës së prokurorëve, të cilët, duke e zbatuar Kodin e Procedurës Penale, kanë arritur që mes tyre dhe avokatëve të të dyshuarve të bëjnë marrëveshje për pranimin e fajësisë.

Marrëveshja për pranimin e fajësisë, e cila ka nisur të implementohet në Kosovë pas disa trajnimeve që kanë mbajtur prokurorët e Kosovës në Karolinën e Veriut të Shteteve e Bashkuara të Amerikës, sipas Lumezit, ndihmon në zbardhjen më të lehtë të rasteve. Personi që bashkëpunon me drejtësinë, sipas tij, edhe nëse është i implikuar në rast por që tregon për veprimtarinë e grupit kriminal, mund të marrë dënimin më të lehtë të lejueshëm për veprën e caktuar penale.

“Marrëveshja për pranimin e fajësisë bëhet nga prokurori publik dhe mbrojtësi i të dyshuarit të cilët negociojnë kushtet për pranimin e fajësisë. Mirëpo, gjatë negocimit të këtyre kushteve për pranimin e fajësisë, personat të cilët janë të involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale, duhet që prokurorisë t’i ofrojnë prova dhe fakte të vërteta të cilat shpiejnë në zbulimin e kryesve të veprave të tjera penale që kanë të bëjnë me substanca narkotike”, bën me dije Lumezi.

Duke e zbatuar këtë marrëveshje, Lumezi konfirmon se janë bërë edhe dhjetëra arrestime dhe janë konfiskuar dhjetëra kilogramë substanca narkotike.

“Kemi një rast ku pos të arrestuarve janë konfiskuar edhe 50 kilogramë marihuanë, rasti tjetër me 11, një tjetër me 4, por kemi edhe dy raste të ndara kur në njërin janë kapur 17 kilogramë e në tjetrin 5 kilogramë drogë të llojit heroinë”, thotë Lumezi.

Nga dymbëdhjetë rastet me më shumë se 2 kilogramë substanca narkotike, Lumezi konfirmon se dy nga to kanë kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, por mohon se mbrapa këtyre rasteve që cilësohen si krim i organizuar, qëndron ndonjë person i njohur në skenën e Kosovës.

“Në bazë të informacioneve, nuk kemi ardhur në përfundim që qëndrojnë emra të përveçëm të pushtetarëve”, thotë ai, duke konfirmuar ekzistimin e hetimeve edhe për raste të tjera të dyshimit për posedim të substancave narkotike.

FBI në Kosovë

Për arrestimet që janë bërë që nga fillimi i këtij viti, kryeprokurori Lumezi një pjesë të meritës ua dedikon edhe dy prokurorëve amerikanë dhe një hetuesi nga Karolina e Veriut të cilët për një javë të qëndrimit të tyre kanë rekomanduar hetuesit dhe prokurorët vendorë se si bëhen marrëveshjet për pranimin e fajësisë të cilat janë mënyrë më e lehtë për zbardhjen e krimeve.

“Kontribut të madh në zbulimin e kryesve të këtyre veprave penale kanë dhënë edhe SHBA-të, sidomos prokurorët e Karolinës Veriore, të cilët kanë qenë fizikisht këtu në Prokurorinë e Qarkut dhe kemi pasur me ta një bashkëpunim të ngushtë së bashku me policinë. Ardhja e tyre në Kosovë ka rezultuar pas një vizite që ne kishim atje ku jemi njoftuar me punën dhe teknikën e policisë dhe prokurorisë në rastet që kanë të bëjnë me trafikimin me substanca narkotike”, thotë Lumezi.

Prokurorët amerikanë, sipas tij, nuk kanë qenë të inkuadruar direkt në raste por kanë sugjeruar se si të veprohet në rastet konkrete.

“Ata nuk kanë punuar direkt në raste, por ata thjesht kanë shikuar punën tonë dhe na kanë sugjeruar se si bëhen marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Këto marrëveshje për pranimin e fajësisë na kanë ndihmuar që të zëmë grupe të mëdha të cilat merren me substanca narkotike. Përpos marrëveshjeve dhe negocimit me personat që kanë qenë të involvuar në kryerjen e këtyre veprave penale, i kemi përdorur edhe masat e fshehta të përgjimit, të shikimit, të fotografimit në vende publike”, thotë Lumezi.

Duke parë nga afër se prokurorët kanë qëndruar në zyre të Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë dhe kanë sugjeruar vetëm se si të veprohet, Lumezi, këtë sukses që e quan ai, ua dedikon prokurorëve që punojnë nën ombrellën e tij, policëve të Kosovës por edhe zyrtarëve nga Shërbimi i Inteligjencës së Kosovës të cilët thotë se kanë ndihmuar me informacionet e siguruara.

Detyrë e të gjithëve

Kryeprokurori i Prokurorisë Publike të Qarkut, Aleksandër Lumezi, nuk e mohon faktin e Kosova është një vend transit për bartjen e substancave narkotike, por thotë se nuk është në nivelin e asaj që prezantohet nga institucione dhe organizata ndërkombëtare.

“Kosova është vend transit por nuk kalon droga nëpërmjet Kosovës në sasi aq të mëdha sa përflitet, por të gjitha shtetet e rajonit kanë pasur qëllime të caktuara për të treguar në ato takime se vend transiti është Kosova, ndërsa ne e dimë që droga, shumica e drogës, përmes Afganistanit e Turqisë, kalon në Bullgari e nga aty në vendet e Evropës ndërsa një sasi e vogël e drogës përmes Kosovës”, thotë Lumezi.

Shtetet e rajonit, sipas Lumezit, kanë pasur tendenca të përfitimit të donacioneve, ndërsa për të përfituar ato janë thirrur në Kosovën si vend transit i mijëra kilogramëve substanca narkotike.

Por një reputacion i tillë çfarë i është dhënë Kosovës dhe një luftë më e madhe kundër këtyre dukurive, sipas Lumezit, mund të bëhet vetëm me një bashkëpunim më të madh të qytetarëve me policinë dhe me prokurorinë.

“Në këto dy mileniume, njerëzit kanë ndërtuar sistemin e vlerave ku krimi duhet të ndëshkohet dhe për këtë arsye nëse ne dëshirojmë të ndëshkojmë krimin, atëherë edhe qytetarët e këtij vendi duhet të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Prokurorët kanë detyrim ndaj popullit, ndaj institucioneve të vendit, ndaj gjithçkaje që mban emrin drejtësi dhe duhet luftuar barbarizmat dhe poshtërimet që bëhen nga mafia popullit dhe qytetarëve të Kosovës”, thotë Lumezi.

Lufta kundër krimit nuk është vetëm detyrë e organeve të hetuesisë por, sipas tij, e të gjitha institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Barra kryesore i bie prokurorisë, sepse ata janë shërbëtorët e shtetit dhe paguhen nga shteti për të ndjekur penalisht kryesit e veprave penale. Nuk mund të heshtet përballë shkatërrimit të të rinjve kosovarë dhe familjeve të tyre”, përfundon ai.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...