Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/03/27

Territori i sotëm i Kosovës gjatë mesjetës okupohet tërësisht nga Rashka vetëm në vitin 1283 e jo si pretendohet nga historiografia serbe në vitet 1180/90.

Dr. sc. Enver Rexha


Nga Dr. sc. Enver Rexha


Koordinator Shkencor  

Instituti Arkeologjik i Kosovës


Me këtë studim historik kemi për qëllim të paraqesim një pasqyrë të qartë e të përgjithshme duke u mbështetur në faktet historike mbi territorin e sotëm të Kosovës gjatë mesjetës, konkretisht okupimin e tij gjatë shek. XIII, nga dinastia Nemanja. Kjo dinasti arriti të themelojë “shtetin” mesjetar sllav të Rashkës (Rassa-Rascia-Rasia) që nga historiografia serbe njihet si “shteti mesjetar i Serbisë”. Duhet të theksojmë se, territori i sotëm i Kosovës që nga dhjetëvjetëshi i fund shek. XII e duke vazhduar gjatë shek. XIII do të përballet me sulmet e pandërprera të Rashkës (e cila gjendej në veri të Kosovës) që synonte për ta pushtuar dhe depërtuar në viset e ngrohta e të begatshme jugore. Rashka do të arrij që pjesërisht të pushtojë dhe ripushtojë trevat e Kosovës gjatë periudhës në fjalë dhe, më në fund, dhe të okupojë gjithë territorin e sotëm të Kosovës në vitet e nëntëdhjeta të shek. XIII e t’i mbajë ato nën sundimin e saj deri në vitet e shtatëdhjeta të shek. XIV, kur dihet se, me rënien e sundimit të Nemanjëve (1371) do të bien dhe “shteti” i tyre.
Lidhur me këtë, duhet të tregojmë se historiografia serbe e themeluar në shek. XIX, e ndihmuar edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, vazhdojnë edhe në kohën e sotme që realitetin historik mesjetar ta paraqesin sipas interesave politike e jo atyre shkencore. Propaganda shkencore-politike serbe, konstruktoi argumentet historike që i përdor edhe sot si mbështetjet kryesore, për të mbuluar qëllimet dhe programet e shtetit serbë për okupimin e tokave të tjera dhe popujve të tjerë, tendenca këto që paraqiten qe 150 (njëqindepesëdhjetë) vite e nuk ngurrojnë dhe sot me të vetmin qëllim, mbi krijimin e një “Serbie të Madhe”. Poashtu edhe emri “Serbia” që përdoret zakonisht për emrin e shtetit mesjetar “Rashka” pothuajse te të gjithë autorët që shkruajnë për mesjetën, duhet të dihet që keqpërdoret qëllimisht. Kur emërtimi i vendit apo shtetit nuk quhet ashtu si është quajtur në kohë (ku shihet se në të gjitha burimet mesjetare vendi i quajtur “Rashka” përkthehet ose përdoret sot nga studiuesit serbë dhe tjerë me emrin e shek. XIX, që quhet “Serbia”), duhet të klasifikohet falsifikim. Deri në shek. e XIX nuk shihet që “Serbia” paraqitet apo shënohet si shtet apo farë njësie politike, pra nuk ka jetë shtetërore me emrin “Serbi” (V. Kariq, Srbija, opis zemlje, naroda i države...). Qëllimet shoviniste e propagandistike serbe se, Kosova gjatë mesjetës ka qenë “tokë serbe”, “toka ‘atërore’ e ‘gjyshërore’ serbë”, “qendra e shtetit mesjetar serb”, “vend i banuar vetëm nga serbët”, “serbët janë banorë të saj që nga shek. X” etj., janë vetëm manipulime shkencore e trillime të hartuara e të pavërteta. Burimet historike të kohës e më pas e edhe ato serbe, edhepse të pakta për mesjetën, nuk argumentojnë në asnjë mënyrë qëndrimet e tilla, por ato tregojnë të vërtetën se, territori i sotëm i Kosovës e më gjerë, ishin pushtuar-okupuar gjatë mesjetës për kohë të shkurtë nga Nemanjët e Rashkës dhe se ato nuk ishin “toka” të tyre. Për të qenë ma i arsyeshëm tek lexuesit duhet të tregoj se, në gjuhën serbe termi “osvojiti – osvojio” përdoret tek të gjithë autorët serbë që ne i citojmë në këtë punim, e që në gjuhën tonë kur përkthehet ka kuptimet “pushtim”, “okupim” apo “ arrij të marrë diçka dhe ta bëj për vete”. Pra termi “pushtim dhe okupim” që do të përdorën shumë herë në këtë punim, nuk i përdor unë me farë qëllimi apo tendence, siç mund t’i kuptojë ndokush, por ato si të tilla janë dhe unë i paraqes. Territori i sotëm i Kosovës deri në okupimin e tij nga Nemanjët ishte nën juridiksionin politik e administrativ bizantinë -Thema e Shkupit. Edhe vetë burimet historike serbe të shek. XIII kur përshkruajnë okupimet e trevave të ndryshme nga Stefan Nemanja tregojnë se territoret në fjalë nuk ishin të tyre dhe kuptohet të janë quajtur toka “greke” (bizantine, E.R.). Për më tepër duhet të shtojmë dhe atë se, kjo historiografi për “toka serbe” mesjetare paraqet dhe treva të tjera e poashtu dhe Bosnjën, Malin e Zi, që bien në kundërshtim të plotë me realitetin historik edhe me historinë e këtyre vendeve. Edhe Bosnja e Mali i Zi aso kohe kishin status politik e administrativ të vetin që dmth. nuk ishin “toka serbe”, siç shkruhet dhe pretendohet gjithnjë nga historiografia serbe. Por, ajo çka është më e rëndësishme për ne në këtë punim, qëndron pikërisht në atë se, do të arrijmë që nga vetë rezultatet e historiografisë serbe të argumentojmë që territoret e sotme të Kosovës nuk janë “toka serbe” e as që “ishin ndonjëherë” gjatë historisë, por që ato ishin pushtuar, ripushtuar disa herë nga Nemanjët dhe se ato do të gjenden për një kohë të shkurtë gjatë mesjetës nën okupimin e tyre. Territori në fjalë, pothuajse sipas të gjithë autorëve të historiografisë serbe, është pushtuar në fund shek. XII, më konkretisht gjatë viteve 1180-1190 nga zhupani i madh Stefan Nemanja dhe do të mbetet “tokë e tyre” deri në kohën e pushtimeve Osmane (1455). Fatkeqësisht edhe historiografia jonë (shqiptare) deri në ditët e sotme, duke u mbështetur në qëndrimet e historiografisë serbe (tezat e tyre i marrin të gatshme) pa e studiuar sa duhet çështjen në fjalë, mbizotëron me këto qëndrime të gabuara se, territori i sotëm i Kosovës nga fund shek. XII apo që nga vitet e lartëpërmendura okupohet nga Stefan Nemanja, sundimtari i Rashkës. Në këtë drejtim historiografia jonë me ndonjë përjashtim, emrin e shtetit mesjetar “Rashka” e përdor “Serbi”, psh. “Serbia në shek. e XII-XIII; Trevat serbe gjatë mesjetës; Serbia e pushtoi Kosovën në shek. XIII; Shteti mesjetar serb etj.,”. Këto gabime shkruhen dhe përshkruhen në shumë punime shkencore e aq ma keq edhe në tekstet shkollore ku mësohet historia e popullit shqiptar për mesjetën. Mendoj që do të ishte e rrugës që, historishkruesit shqiptarë duhet marrë parasysh rezultatet e historiografisë serbe, por jo pa i studiuar faktet dhe argumentet historike në mënyrë më të detajuar, analitike dhe kritike për të dalë me qëndrime e vlerësime konkrete të historisë tonë. Kjo çështje dhe periudhë e historisë së Kosovës duhet të rishikohet dhe të korrigjohet me arsyen e vetme – për hir të së vërtetës shkencore që e kemi për obligim.
Në këtë drejtim, lidhur me atë çka u tha më lartë, ne do ta bëjmë një hap përpara dhe me fakte do të argumentojmë se, territori i sotëm i Kosovës kryesisht pjesë e vogël e trevave veriore të saj, do të gjenden nën pushtimin e Nemanjëve që nga vitet 1190, por pushtimet do të jenë të përkohshme dmth. pushtojnë dhe tërhiqen, pra ato treva nuk do të mund t’i mbanin e as nuk do të mundin që të vendosin pushtetin e përhershëm. Mendoj se, këto sulme të para në këto treva nga Rashka fillimisht të karakterizohen me luftë për plaçkë. Po ashtu do të vërtetohet se, pushtimet e para kanë të bëjmë kryesisht me pjesën veriore të trevës, e cila gjatë kohë, e më mirë të themi për më tepër se gjysmë shekulli, do të njihet si zonë kufitare ndërmjet territoreve të sotme të Kosovës (tokave bizantine) dhe zhupanisë (krahinës) së Rashkës. Tentimpushtimet e Rashkës në këtë drejtim që nga fillimi do të kufizohen gjatë linjës Hvosne (fshat afër Pejës), duke vazhduar mbi lumin Ibër (mbi qytetin e sotëm Mitrovicë) dhe malet e Albanikut (Kopaonikut), duke kaluar mbi qytetin e sotëm Besianë (ish-Podjevë). Ky kufi në vija të trasha, apo kuptuar më gjerësisht përshkruhet nga shumë studiues që, kështjella e Zveçanit (mbi Mitrovicë) të ishte nën okupimin e Rashkës, ndërsa qyteti i Lipjanit i takonte Bizantit, dhe gjendja e tillë, pra zona kufitare ndërmjet Zveçanit dhe Lipjanit do të shihet gjatë gjithë periudhës deri në okupimin e tërë të vendit. Të dhënat, argumentet historike flasin që, zona në fjalë për dhjetëra vite të ketë qenë arenë e luftërave e poashtu, ato dëshmojnë që, tek nga viti 1282/83, me ardhjen në pushtet të mbretit– Millutin, i tërë territori i sotëm i Kosovës do të okupohet nga Rashka.
S’kishte me qenë e tepërt të theksohet se, kur shkruhet për mesjetën vlen për të dhënë mendimin tonë dhe të shtohet që, mënyra dhe qëndrimi i të menduarit mesjetar lë të kuptohet se: “shteti, ai ishte sundimtari, qoftë ai edhe mbreti anglez, mbreti danez apo perandori bizantin. Shkrimtarët mesjetarë sipas personalitetit të sundimtarit shkruajnë për popujt. Baza e mendimeve të tilla është në esencë religjioze, shumë herë e shprehur në burime. Sundimtari është i zgjedhur nga ‘Zoti të zotërojë’ - ‘Dei gratia’, sikurse atëherë është folur. Ai ishte i zgjedhur të kryej punët e tija sipas kuptimit të asaj kohe. Shekujt e mesjetës krishtere kishin mënyrën e vet të të menduarit, sistemin e vlerave në shoqëri. Çdo hulumtim për cilëndo temë të asaj epoke supozon deshifrimin e mënyrës së atëhershme të mendimit. Me fjalë të tjera, kur bisedojnë dy shtete për çështje me rëndësi të vendit, nuk duhet të pritet të përmenden popujt. Në emër të tyre vendoset. Kjo është mesjeta në civilizimin evropian” (Evropa i srbi, Beograd…). Është me rëndësi të japim edhe mendimin që tërheq vëmendje në këtë pikë e që ka të bëjë me kufijtë gjatë mesjetës. Në të kaluarën në Ballkan ka pasur kufij të ndryshëm: “Politikë, etnikë, ekonomikë, gjuhësorë, kulturorë, fetarë etj. Ata gati sa mund edhe të numërohen. Cilët ishin kufijtë “serbë” dhe çfarë lloje të botës kuptimore qëndrojnë në historinë evropiane. Këtu ka mashtrime dhe “qëllime” (J. Kaliç). Poashtu qysh gjatë mesjetës ka qenë e avancuar propaganda. “Propaganda paraqitet në raportet që dalin nga mesjeta e që sot merren si burime. Këto metoda propagande, të përdorura edhe sot ..., ishin të njohura dhe të përdorura që në shek. XIII” (F. Schevill).
Në vazhdim të shohim si paraqitet gjendja sipas të dhënave historiografike duke dhënë dhe një përshkrim të shkurtër paraprakë për të njohur zhvillimet dhe ngjarjet më të rëndësishme për çështjen që bëhet fjalë. Territori i sotëm i Kosovës shtrihej në një udhëkryq të rëndësishëm të zhvillimeve dhe ndikimeve të ndryshme, rrethanave politike që vinin apo ndikonin nga vise të ndryshme në këtë pjesë të Gadishullit Ballkanik. Që nga periudha antike e duke vazhduar, sidomos gjatë feudalizmit të zhvilluar, territoret e sotme të Kosovës veçoheshin si treva shumë të begatshme, me pasuri natyrore dhe me pozitë gjeografike të mirë, cilësi këto që ndikuan që gjatë shekujve vendi të jetë vatër e ngjarjeve të mëdha historike me rëndësi ballkanike dhe herë-herë më gjerë. Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, në Perëndimore dhe Lindore, territoret e Kosovës si tërësi mbeten në kuadrin e Perandorisë Bizantine (Lindore). Aktualizimi i trevës së sotme të Kosovës në skenën ndërkombëtare shihet gjatë feudalizmit të zhvilluar, aty nga gjysma e dytë e shekullit XI. Gjatë viteve 1072-1073 në këtë trevë, më konkretisht në Prizren, u zhvilluan ngjarjet politike si kryengritje popullore, të drejtuara kundër pushtetit perandorak të Bizantit (Mihailit VII Duka). Qendra e kryengritjes ishte Prizreni, por ajo përfshihej edhe më gjerë në anë të ndryshme dhe udhëhiqej nga K. Bodeni dhe Gj. Vojteku. Mund të shtojmë se prej asaj kohe dhe periudhës më pas, territori i sotëm i Kosovës është vatër e madhe e ngjarjeve historike dhe luan rol jashtëzakonisht të madh, jo vetëm në historinë e saj, por edhe më gjerë – atë ballkanike. Qysh nga shekulli XII, Kosova, siç do të shihet, gjendet në rrugën e ekspansioneve të zhupanëve të Rashkës. Gjatë fundshekullit të XI, zhupani i quajtur Vukan me të vëllain Mark dhe me ndihmën e Bodenit, udhëheqës i dinastisë së Duklës (Zeta-Mali i Zi), arriti të marrë pushtetin në Rashkë (Letopis popa Dukljanina…). Pushteti i zhupanëve të Rashkës, që gjendej në veri dhe në veriperëndim të Kosovës gjatë këtyre shekujve të sundimit të Bizantit, në fillim kishte mbetur nën hijen e fqinjëve në perëndim, sundimtarëve të Duklës. Tentim zgjerimi i këtyre dhe aspiratat pushtuese shfaqen në drejtim të territoreve të Kosovës, kryesisht drejtimin juglindje në linjën Ras-Zveçan-Pejë (Istorija Srpskog Naroda I…). Ngjarjet që do të ndodhin në shekullin XII, tregojnë për luftërat që do të zhvillohen në këtë drejtim, pra të territorit të Kosovës. Gjatë vitit 1127 kishte shpërthyer lufta ndërmjet Hungarisë dhe Bizantit, ku kësaj lufte iu kishin bashkëngjitur rashkasët, të cilët e kishin sulmuar kështjellën bizantine të Rasit (vend i paubikuar, por që mendohet të gjendet në afërsi të qytetit të sotëm të Novi Pazarit në Sanxhak, dhe nga gjysma e shek. XII selia e zhupanëve të Rashkës) të cilën e dogjën, edhepse u desh të tërhiqen (Vizajntijski izvori…). Lufta për marrjen e kështjellës së Rasit ishte humbje e madhe për zhupanin Vukan. Në vazhdim gjatë vitit 1149 nën udhëheqjen e Uroshit II (1146-1156) kishte vazhduar sulmi rreth qytetit të Rasit, pra lufta kundër bizantinëve. Përgjigja e bizantinëve kundër sulmeve të Uroshit II bëri që ai, të tërhiqet në male të larta për të shpëtuar dhe rezidenca e tij ishte djegur. Gjatë vitit 1150, Uroshi II, kishte mbledhur luftëtarë të vet dhe në aleancë me ushtrinë hungareze sulmojnë ushtrinë bizantine dhe në betejën që zhvillohet në Tarë pësojnë disfatë. Pas kësaj, Uroshi II detyrohet t’i nënshtrohet detyrimeve vazale të Manuelit I, mbretit bizantin, duke u detyruar që të japë edhe ushtarë në numër të caktuar Perandorisë në raste lufte dhe vetëm në këto rrethana, ai mundi ta ruajë pushtetin tij, pra nuk e humbi titullin e zhupanit (Istorija srpskog naroda…). Po në kushte do të ketë sunduar edhe zhupani Desa, derisa gjatë vitit 1163, do të burgoset nga Perandoria Bizantine (Vizantijski izvori IV…). Pikërisht gjatë viteve 1163 deri më 1167 ndodhin ndryshime të brendshme në Rashkë dhe për herë të parë paraqitet Stefan Nemanja. Për rrethanat e ngritjes së kësaj familjeje ka shumë pak të dhëna. Familja e S. Nemanjës mendohet të ketë qenë në lidhje me familjet e zhupanëve të Rashkës, por edhe të dinastisë së Zetës. Thuhet se ky u lind në Ribnicë të Zetës dhe më pastaj do të gjendet në Rashkë (Zhitije Simeona Nemanje…). Burimet mesjetare si krisobulat (diplomat) dhe biografitë e sundimtarëve nemanjitë, si dhe punime të shumta historiografike, nuk mund të tregojnë për gjenealogjinë e kësaj familje. Nuk mund të theksohet se kjo familje rrjedh nga Rashka, Zeta, e poashtu nuk i dihet as emri i prindit-babait të sundimtarit të parë Stefan Nemanjës, çështje që edhe sot mbeti e pazgjidhur (sipas shkrimeve, emri i babait të tij mund të ishte: Urosh, Bella Urosh, Zavida etj.). Ka dhe hipoteza që kjo familje mund të ketë prejardhje nga popullata e vjetër e vendit, që aso kohe quhen Vllehë (Vllasë, Vllahë - merret përgjithësisht që ishin grupe të popullatës ilire, ndërkohë të romanizuar e më pas dhe sllavizuar). Nemanja me luftë edhe kundër familjes-vëllezërve të tij, arrin të marrë në qeverisje një pjesë të trevave, si rrethin e Toplicës, Ibrit, Rasit dhe Rekës. Në postin e Zhupanit të madh asokohe gjendej i vëllai më i vjetër, Tihomiri, që edhe vëllezër të tjerë ia kishin pranuar qeverisjen (Zemljište radnje Nemanjine…). Si zotërues i disa tokave përreth kufirit bizantin, Nemanja tregonte dëshirën për pushtet më të madh dhe të pavarur të tij. Mund të kuptohet se edhe ky ishte në marrëdhënie vasale të mbretit bizantin, Manuelit I Komneni (Žitije Simeona Nemanje). Nemanja, pas forcimit, përzihet edhe në luftën e brendshme (vëllazërore) për postin e zhupanit të madh. Sipas tregimit të N. Honijatit (autor bizantin i kohës), ai kishte dëshirë që sundimin e vet ta zgjerojë në të gjitha territoret e Rashkës dhe më gjerë, kështu që erdhi në konflikt me sunduesit tjerë si dhe me familjarë, duke filluar kështu luftën kundër të vëllait Tihomirit për ta rrëzuar nga pushteti (Istorija srpskog naroda I…). Siç shihet, ky përfundon në burgun e vëllezërve të tij në një shpellë guri në treva të Rashkës, ku pastaj arrin të lirohet nga disa ithtarë të vet. Ai do të marrë pushtetin nga një sundimtar rrethi, si dhe titullin e zhupanit të madh, kurse sundimtari i rrëzuar, kuptohet se do të kërkojë ndihmë nga Bizanti. Dihet se Nemanja erdhi në pushtet në zhupaninë (krahinën) e Rashkës rreth viteve 1168 dhe merret se titullin “zhupan i madh” (kryekrahinar) e kishte nga viti 1166 (Vizantijski izvori IV...).
Kundërthëniet dhe luftërat ndërvëllazërore të sundimtarëve të Rashkës, do të zhvillohen edhe në territorin e sotëm të Kosovës, afër vendit të quajtur Pantinë, por dihet poashtu se ata tërhiqen prapë në trevat e tyre. Vendi deri ku kishte arritur Nemanja, i quajtur Pantinë, mund të kuptohet sikur të ishte Sitnica (Kosova), i cili atëherë ishte pjesë që i takonte “Serbisë”, siç del në shkrimet e shumë autorëve serbë, por këto konstatime kundërshtohen nga qëndrimi i autorit R. Novakoviq, i cili thekson se, “është e sigurt që ai nuk ishte”, pra nuk ishte as treva e as vendi Pantinë “tokë serbe”, siç pretendohet të quhet. Rreth kufirit të Rashkës së asaj kohe, bën fjalë dhe autori St. Novakoviq, i cili njihet si njohësi dhe hulumtuesi më i mirë i historisë gjeografike serbe për mesjetën. Ky autor, nga të dhënat ekzistuese për zgjërimin e tokave të Nemanjës, paraqet dhe kufijtë jugorë të “Serbisë” mesjetare, duke theksuar se, ato shtrihen mbi malin e sipërm të Llapit, duke u lëshuar deri te Sitnica (lumi), drejt vendeve të ngritura që ndajnë Ibrin, Sitnicën dhe Drinin e Bardhë, që dmth. ka pushtuar pjesë veriore të vendit. Në atë luftë vëllazërore, kuptohet të kishte mbetur i vdekur Tihomiri, vëllai i Nemanjes, dhe thuhet se ushtria e tij shkatërrohet. Kështu Nemanja i mundi kundërshtarët e vet, por derisa nuk i rregulloi raportet me mbretin bizantin Manuelin I, nuk mundi fitoren e arritur ta quante përfundimtare (Srpsko-vizantijski sukob 1168.godine…). Kështu mund të kuptohet se nga gjysma e dytë e shekullit XII e deri në dekadën e fundit të këtij shekulli, kufiri ndërmjet sundimtarëve të Rashkës dhe Perandorisë Bizantine, kalonte nëpër pjesën veriore të Kosovës së sotme (Kosovo nekad i danas…), ndërsa kështjella e Zveçanit konsiderohet si pjesë kufitare në anën serbe (Srpske oblasti u X i XII veku…). Qëndrimi i autorit “konsiderohet” duhet të merret me rezervë, sepse nuk ekziston asnjë burim që mund ta mbështesë që kështjella e Zveçanit të ishte nën pushtetin e tyre aso kohe. Zveçani nuk përmendet në burimet mesjetare me trevat e tjera që përmenden të jenë okupuar gjatë viteve 1180/90, që shkruhen nga vetë Nemanja, biri i tij Stefani dhe Sava. Zhvillimi i ngjarjeve të theksuara bënë të kuptojmë se, treva e Kosovës asokohe ishte arenë e konflikteve të pandërprera (R. Mihajlçiq). Edhepse Nemanja kishte fituar luftën kundër të vëllait në Pantinë (afër Zveçanit), ai ende nuk kishte mundur të fitojë territore të Kosovës Veriore, porse vazhdonte të forcohet në këtë drejtim. Sulmet drejtuar kah territori i Kosovës gjatë sundimit të tij do të arrihen vetëm gjatë viteve 1180-1190, kur dhe do të shihen pushtimet e para të disa pjesëve të territorit (Prvovenčani vladaoci bugara, hrvata i srba…). Asokohe Nemanja shfrytëzon rastin, kur Perandoria Bizantine gjendej në pozitë të pavolitshme, kohë kur e kishin kapluar luftërat në disa fronte. Në luftën kundër saj, ky shfrytëzoi mbështetjen e fqinjëve (Hungarisë më 1183, dhe kryengritjet bullgare të vitit 1185-88), dhe luftës së normanëve (gjermanët) kundër Perandorisë Bizantine (1185) si dhe ndërrimin në fronin perandorak bizantin, vrasja e Andronik Komnenit (1185), dhe ardhja në pushtet e Isak Angjelit II (1185-1195) (Istorija bizantije…). Në të mirë të tij shkonte edhe koalicioni i krishterë dhe përgatitja e një kryqëzate kundër shteteve myslimane në Lindjen e Afërt, ku do të merrnin pjesë sundimtarët më të mëdhenj të Evropës Perëndimore, kur dihet se në këtë do të ngatërrohet edhe Perandoria Bizantine. Sipas shumë autorëve serbë, zhupani Nemanja gjatë kësaj kohe pas shumë përpjekjeve, arriti të bëhet i pavarur dhe të zgjerohet, duke okupuar territore të reja, pjesë dërrmuese të trevës së Kosovës (Istorija srpskog naroda…). Kështu deri në vitin 1190 (M. Dinić, The Balkans…), thuhet se, Nemanja arriti në trevat e Kosovës së sotme dhe pushtoi disa pjesë, si: Rrafshin e Kosovës (Llapin, Lipjanin, Sitnicën), dhe një pjesë të Metohisë (Patkovën, Hvosnën, Podrimjen, Kostërcin dhe Dërshkvinën). Në këtë drejtim në kohën e ofensivës drejt Duklës (Malit të Zi), arrin të pushtojë disa treva deri te Liqeni i Shkodrës, Pultin e Epërm dhe të Ulët (R. Grujiç). Duke treguar për pushtimet e babait të vet, Nemanjës, Shën Sava, paraqet se ai arriti të pushtojë “nga tokat bregdetare: Zetën me qytete, ndërsa nga Rabani (Arbania) dy Pultet, ndërsa nga tokat greke, Patkovën (rrethi i sotëm afër Gjakovës), Hvosnën (Metohi rreth Pejës), Dërshkvinën, Sitnicën, Llapin, Lipjanin dhe rrethin e Prizrenit ose Podrimjen me Zhupën Duboçicë” (Sveti Sava, Zhivot Stevana Nemanje ...).
Në këtë drejtim kemi arsye të paraqesim dhe qëndrime tjera të historiografisë serbe të konstruktuara gjatë shekujve XIX-XX, që sipas tyre, trevat të cilat nemanjët i morën – okupuan, ato nuk u ishin marrë shqiptarëve, por poseduesve – pronarëve bizantinë dhe romanë ose ndonjë tjetër popullate të lirë luftarake. Në këto treva të Kosovës së sotme gjatë shekujve XII-XIV e deri në XVII nuk kishte banorë autoktonë arbanas (shqiptar, E.R.). Theksohet për më tepër se, në “Kosovë e Metohi” popullsia qysh në momentin e parë të ndërhyrjes së “shtetit serb” në drejtim të kësaj treve që nga shekujt X-XI dhe në fund të shekullit XII ishin kompakte “serbe”. Mbase nuk kemi mbështetje për të vërtetuar në ekzistimin e popullit shqiptar si banorë të Kosovës asokohe: në të kundërtën, migrimi i “serbëve” i filluar qysh me dyndjet e popujve, mbaron me vendosjen dhe banimin e popullit serb në Kosovë, qysh para mbarimit të shekullit XI. Kështu gjatë shekullit XIII, ndërkohë erdhi deri tek ndërhyrja, por e fortë e posedimit të Kosovës dhe disa territoreve në jug të Bjeshkëve të Nemuna nga ana e “shtetit serb”. Ajo që nuk u shkoi përdore knjazëve të vjetër të Rashkës, e sundimtarëve të Duklës, e arritën sundimtarët e Dinastisë së Nemanjëve. Këtej “Kosova e Metohia” dhe rrethet e tjera në lindje dhe në jug të kufirit me “Serbinë” në drejtim të Maqedonisë bizantine hyn në përbërje të pushtetit të nemanjëve si “toka serbe” në pasqyrimin etnik. Ato, prandaj jo vetëm në masë të plotë integrohen politikisht, ekonomikisht dhe me kulturë, por menjëherë pas bashkëngjitjes bëhen qendra të rëndësishme si shpirtërore e jetësore nacionale “serbe”, bazë e sigurt për bashkimin e mëtejmë të territoreve “nacionale serbe” (D. Bogdanoviq). Po në këtë frymë jepen mendime se “Kosova e Metohia” me territorin e saj ishte e përfshirë në kufijtë e shtetit serb qysh gjatë viteve 927 deri më 950. Kufiri i Serbisë atëherë ishte i tërhequr në jug të Rasit përtej Ibrit dhe maleve deri te burimi i lumit Klina, e që duke përfshirë qytetin Dërsnik (fshat në Kosovë), kthen kah perëndimi dhe lidhet me kufirin e Duklës tek Bjeshkët e Nemuna, diku nën Liqenin e Plavës (S. Çirkoviq). Sipas autorëve, lëvizja e kufijve në jug e zhupanëve të Rashkës - nemanjëve gjatë shekullit XIII nuk duhet shikuar si okupim të territoreve të sotme të Kosovës “por si bashkim të trevave që qysh më herët i takonin popullit serb”. Në këtë drejtim për okupimet e Nemanjës theksohet “Me shkathtësi dhe mund të vetin i arriti, çka ishte shkatërruar me dhunë nga gjyshërit e tij dhe çka i kishte takuar nga tokat serbe” (Knjiga o Kosovu…). Vetë Nemanja duke u përshëndetur me bujarët e tij gjatë lëshimit të pushtetit ka thënë se qysh gjatë marrjes së pushtetit gjeti “tokën e shkatërruar... dhe nuk gjeta qetësi derisa të gjitha t’i kthej. Dhe me ndihmën e Zotit ju dorëzoj juve në gjerësi e gjatësi që u është të gjithëve e njohur”. Nga tregimet e Shën Savës shihet se Nemanja me pushtimet e tij, vetëm i ktheu ato çka kanë qenë “serbe” (Knjiga o Kosovu…). Edhe Stefani I i kurorëzuar, biri i mesëm i Nemanjës dhe trashëgimtari i ardhshëm në pushtet, tregon për pushtimet e babait të tij shumë më tepër me të dhëna edhe më të plota se sa ato që i ofron Shën Sava. Sipas tij, Nemanja ishte “mbledhës i tokave të shkatërruara të etërve të tij... dhe përtëritës i asaj çka ishte shkatërruar”. Vendet që i okupoi babai i tij ishin të dy Polloget, rrethin e Prizrenit, Kosovën dhe trevën e Zetës, “etërit dhe lindjes së tij, të drejtën e drejtë të gjyshërve, të cilat dhunshëm i mbante populli grek...”(Zhitije Simeona Nemanje…).
Shkrimet e mëvonshme që paraqet Domentijani në biografinë mbi Shën Simeonin (Stefan Nemanja), i përsërit afërsisht të gjitha këto qëndrime, duke shtuar se, Nemanja “i jepte drejt tokave të etërve të tij, shumë toka nga rrethet e mbretërisë greke... dhe ndërron famën e tyre në serbe” (Zhivot svetoga Simeona…). Po ashtu vetë Nemanja, në hartimin e Diplomës së Manastirit të Hilandarit rreth viteve 1198 ose 1199, paraqet çka krejt kishte pushtuar si sundimtar. Ai tregoi se pushtoi “nga Arbanasët Pultin, e nga tokat greke Llapin dhe Lipjanin, Duboçicën, Rekën...”. Pushtimet e Nemanjes, siç shihet, “përfshinë edhe një pjesë të territoreve ku jetonin Arbanasit, sidomos nga Shkodra deri në Prizren drejt Krujës” (Spisi Svetoga Save i Stevana Prvovenčanoga ).
Pas gjithë kësaj që u fol rreth pushtimeve të Nemanjës, një çështje me rëndësi për kohën ishte dhe lufta e Nemanjës me bizantinët. Bizanti e filloi luftën kundër Nemanjës për rikthimin e territoreve të cilat ju pushtuan për kohë të shkurtër nga ai. Lufta e Moravës e zhvilluar në vitin 1190, pranohet nga historiografia serbe të ishte luftë kapitulluese për Nemanjën dhe ku tregohet që ky pësoi humbje të mëdha (N. Honijat…). Kjo fitore e bizantinëve mundësoi riokupimin, rikthimin e territoreve të veta, në drejtim të Nishit deri në Beograd, e kjo nënkupton dhe territoret e sotme të Kosovës. Bizanti nën udhëheqjen e perandorit Isaku II Angjeli, edhepse korri fitore të mëdha, ishte në një krizë politike të thellë dhe duke parë se nuk mund të mbante luftëra në shumë fronte, filloi që disa probleme t’i zgjidhte me anë të bisedimeve. Bisedat që u zhvilluan ndërmjet Nemanjes dhe Bizantinëve tregojnë në një mënyrë aftësinë politike të Nemanjes, i cili në vend të marrëdhënieve vasale arriti të fitojë sovranitetin në disa toka të okupuara. Ndër të tjera, Nemanja arriti që birin e tij, Stefanin, ta martojë me mbesën e perandorit. Në këtë mënyrë Nemanja vërtetonte pushtetin e perandorit bizantin, kurse në anën tjetër, në një mënyrë ky u lirua nga detyrimet e rënda të gjertanishme. Përveç autoritetit të ngritur të nemanjëve, ishte kjo rruga, fillimi për njohjen e “shtetit” të ardhshëm të Rashkës (Istorija srpskog naroda…).
Po ashtu, duhet pasur parasysh edhe faktet e tjera historiografike që do ti paraqesim, ku do të jepen vlerësime të ndryshme që bien në kundërshtim me të dhënat e theksuara më lart rreth qëndrimeve se cilat treva apo vende-territore të Kosovës asokohe mbetën nën sundimin e Nemanjës. Në dokumentin e Stefanit I të kurorëzuar, djali i Stefan Nemanjës, që mban datën e viteve 1200-1202 shihet (vërtetohet, E. R.) se disa prej trevave të përmendura ishin të pushtuara përkohësisht (A. Solovjev, Odabrani spomenici…). Të dhënat më tej, tregojnë se, pas vdekjes së Nemanjës, Rashka mbante edhe më tutje disa pjesë të Kosovës (Llapin, Lipjanin) dhe pjesë të Metohisë si Patkovën, Hvosnën, Podrimjen etj., që këto të fundit ishin të pushtuara përkohësisht nga Nemanja (M. Bashiq…). Pas humbjes së Nemanjës në Luftën e Moravës, autori R. Agatanoviq duke mbështetur dhe përkrahur edhe mendimin e L. Kovaqeviq e L. Jovanoviq, mendon se, kufiri pas luftës ishte më sipër Lipjanit dhe Prizrenit, sepse Nemanja humbi menjëherë vendet e okupuara siç janë Nishi, Vranja, Lipjani (i cili sipas disa autorëve që thirren në burimet serbe quhet Kosovë-por në kuptimin e ngushtë të fjalës) dhe Prizreni. A ka të drejtë S. Novakoviq i cili sipas të dhënave thekson se “Serbia” pas humbjes në Moravë humbi “Pollogun, rrethin e Prizrenit ...”, ndërsa L. Kovaqeviq nuk numëron-përmendë vendet e as kufijtë, por thekson vetëm se, Nemanjës pas humbjes i duhet që Isak Engjëllit (Perandorit bizantinë) ti “kthej ... gjitha pushtimet” mendohet për gjithë trevat e pushtuara që theksohen si “toka greke”, duke shtuar dhe atë se është vështirë edhe të vërtetohet kur dhe çka u pushtua (O nekim pitanjima granica Srbije krajem XII i poćetkom XIII veka…). Mes “fitoreve” (pushtimeve-okupimeve, E.R.) që dalin nga burimet si biografia e Stefanit I dhe Sava mbi zgjerimet e Nemanjës, tregohet se nga “tokat greke” Sava numëron: “Patkovën, Hvosnën, Podrimjën, Kastërcin, Dërshkvinen, Sitnicën, LLabin (Llapin) dhe Lipjanin ...”, ndërsa Stefani I i numëron vetëm qytetet si “Prizrenin dhe Lipjanin, duke i cilësuar si rrethe administrative dhe kishtare” (Srednjovekovna Prošlost današnjeg Kosova…). Nga burimet vendore të kohës e njëherit të parat si, diploma e Nemanjës 1198/99, Stefanit I e viteve 1200-1202, biografia e Nemanjës nga Stefani I dhe Sava, biografia e Simeonit dhe Savës nga Domentiani dhe e Savës shkruar nga Teodosi dhe për të dhënat që dalin nga këto dokumente duhet menjëherë të thuhet, që përveç atyre të dhënave historiko-gjeografike në këto shkrime, ajo që në të vërtetë është kaherë e ditur, ekziston vështirësi e madhe që përshkrimet të deshifrohen drejt dhe gjeografikisht të përcaktojmë kufij (Relja Novakoviq, O nekim pitanjima granica Srbije…). Kronikat e shkruara nga Verkoviq dhe Ostojeviq si dhe gjenealogjia nga Pejatoviq theksojnë se, Nemanja shkon në “tokën atërore” në Rashkë. Por duke ditur se Rashka nuk ishte vendlindje e tij e as e babës të tij, kuptimi “Rashka atërore” sigurisht lënë për të kuptuar “tokën e Rashkës”, që na mundëson ta kuptojmë si të tillë dhe shënimi i dalë nga kronika e dytë (II) e Ruvarqev-it. Këtej, për vija kufitare të qëndrueshme deri në fund të shek. XII, nuk kemi kurrfarë të dhëna konkrete (Gde se nalazila Srbija od VII do XII veka…). Nga shkrimet e Stefanit I të kurorëzuar rreth luftës së Nemanjës të viteve 1184/85 thuhet se ky kishte marrë dhe trevën e Prizrenit, por në diplomën e Hilandarit të Nemanjës e po ashtu në biografinë mbi Nemanjën të shkruar nga Sava, nuk përmendet fare Prizreni e as rrethi i tij (St. Novakoviq). Po Stefani I, për luftën e Nemanjës tregon dhe për tokat që ai i bashkëngjiti “Serbisë” (Rashkës, E. R.), trevat “atërore dhe vendlindjes të drejtën e tij gjyshërore”. Nga këto treva, vetë Nemanja i thekson si e mori Zetën me qytete e nga Arbanasi (Arbënia) – Pilotin (Pultin). Shën Sava përmend po ashtu Zetën me qytete a nga Rabni (Arbënia) dy Pilotët (Pultet). Trevën bregdetare të dy këta e kuptojnë apo e quajnë Zetën me qytete. Duhet ditur se, Zeta aso kohe nuk ka shkuar deri në det, ajo nuk shtrihej më tutje se kufiri i lumit me emrin e njëjtë. Jo vetëm që Shkodra nuk ishte nën Zetë (gjatë shek. XII çështje e sigurt), por deri në veriperëndim të liqenit të Shkodrës shtrihej Piloti (Pulti), siç do të shihet në shek. XIV. Shkodra sipas burimit të Stefanit I të Kurorëzuar shihet (ishte, E. R.) nën Dalmaci. Tokat të cilat Nemanja i mori nga “grekët” (bizantinët, E. R.) nuk i takonin pjesës “atërore”, kjo ishte e qartë nga vetë Nemanja (St. Novakoviq, Zemljište Radnje Nemanjine…). Autori A. Mojkov thekson se, për termin tokë “gjyshërore” kuptohet të është “shteti” (kupto treva apo vendi, E. R.) i vjetër familjarë, me thënë ashtu djepi i lindjes, ndërsa “atërore” është ajo çka mund të mbetet nga pasardhësit. Gjithë tokat që bien nën sundimtarët “serbë” thirren (quhen) “atërore” ose më shpesh vetëm “tokë” (A. A. Mojkov, Istorija Srpskog Naroda…). Studiuesi i njohur Ilarion Ruvarac, duke u marrë me këtë çështje, pra me pushtimin e tokave nga Nemanjët, vjen në përfundim se: unë kisha me thënë ”që Prizreni me trevën e tij dhe Lipjani me të vetën, treva të cilat Stefan Nemanja, zhupani i madh ‘serb’, ndërmjet viteve 1184 e deri më 1189 nga ‘grekët’ i mori dhe ia bashkëngjiti tokave ‘atërore’ të tij, që nga viti 1191 bien prapë nga ‘shteti serb’ fillimisht nën ‘Grekët’ e më pas nën ‘Bulgarët’ ...” (Prilozi za Srpsku Povijest…). Për tokat që Nemanja i zgjeron flet dhe burimi i kohës: “I shton tokës së babës së tij trevën e Nishit deri në fund, Lipjanin ...”, që tregohet qartë se që këto treva pushtohen dhe nuk ishin “atërore” as “gjyshërore” qysh do t’i paraqesin shumë autorë serbë, duke mos i interpretuar drejt burimet (Stefan Prvovenčani, Sabrani Spisi…). Po nga shkrimet e kohës që na i paraqet biografia mbi Savën, do të shihet se pjesa veriore e territoreve të sotme të Kosovës, do të jetë zona kufitare me Rashkën. Aty shkruhet se, Hvosna trevë në pjesën veriore të Metohisë (Dukagjinit, E.R.), ku ishte ndalur Sava, ishte si vend kufitar, përkatësisht trevë ku duhej të gjendej kisha apo manastiri, që më pastaj nga viti 1220 gjendet edhe peshkopata (Sveti Sava, Sabrani Spisi…). Afërsisht nga gjithë burimet e kohës shihet se, shohim tri territore ose kundërshtarë nga të cilët Nemanja i mori tokat, duke ia bashkangjitur “shtetit” (vendit, E.R.) të tij. Këto janë Zeta me qytete, Arbanas-Rabno (Arbënia, E. R.) dhe tokat greke (bizantine, ku kuptohet që përfshihet i gjithë territori i sotëm i Kosovës, E. R.). Këtu shihet, siç konstaton autori R. Novakoviq, dhe ajo se, tokat e reja të pushtuara përmenden vetëm pasi që shkruesit nënvizojn që Nemanja parangriti “atërinë-gjyshërinë”, që më duket se, mund të kuptohet vetëm që “gjyshërinë” (tokën, vendlindjen) nuk duhet kërkuar në asnjërën nga tokat e përmendura si të okupuara. Ndër rrethet që duhet kërkuar “gjyshërinë” dhe “atërinë” e tij, duhet kërkuar në katër treva tjera, nga të cilat njëra rreth atyre bregdetare, e dyta Podgora dhe zhupania e Drinit, e treta Rashka dhe e katërta Ibëri, Toplica, Rasina dhe rrethet të quajtura Reka. Pra në trevat e këtyre tokave duhet kërkuar “gjyshërinë” dhe “atërinë” e tij e po ashtu duhet të kuptojmë se, këto treva duhet kuptuar si “Serbi” të cilat “Nemanja fillimisht i ndërtoi dhe ngriti, duke vazhduar më tutje në okupimet e gjithë atyre trevave që numëruam sipas diplomave dhe biografive ... Zeta dhe trevat e tjera (këtu kuptohet dhe territori i plotë i sotëm i Kosovës, E.R.) të përmendura, nuk vinë në shprehje të jenë të tyre, përndryshe s’kishte për të pasur nevojë të përmend tokat e veta si pushtime, sikur të ishin të tija” (Gde se nalazila Srbija od VII do XII veka…).
Po i njëjti autor bën dhe një vlerësim të burimeve historike të kohës që flasin për këto çështje. Qysh gjatë shek. XIII, kur në “Serbi” paraqiten një numër i monumenteve të së drejtës, para së gjithash “diplomat (krisobulat), të cilat bukur qartë përcaktojnë pronat tokësore me madhësitë se kujt i takojnë ato dhe të kujt janë, me gjithë tentimet tona për të gjetur më shumë përkrahje, ato na japin vetëm pasqyrë të përgjithshme. Për ndonjë precizitet më të madh, nuk mund të bëhet fjalë edhe nga paraqitja e një numri të dokumenteve të shkruara, sepse përshkrimet në to nuk janë gjithherë të kuptueshme, e përveç kësaj, edhe orientimi vështirësohet me faktin që shumë emërtime, që do na lehtësonin gjendjen për zgjidhje, gjatë shekujve ndërrohen ose plotësisht shuhen ... Këtej, shumë lehtë edhe vijmë në situatë të krijojmë një fotografi gjeografike të pa qartë e që dalin dhe shumë pyetje për të cilat nuk dimë kur u krijuan, sa ishin në tërësi dhe kujt në kohë të caktuar i takonin” (R. Novakoviq, Gde se nalazila Srbija…). Po dhe autorë tjerë duke punuar dhe studiuar shkrimet mesjetare, vinë në përfundime se, këto të dhëna dëshmojnë se gjatë kundërsulmit të Bizantit, Nemanjës iu desh të heqë dorë nga disa pushtime, duke filluar që nga Nishi në veri dhe treva të Shkupit në jug (Fine, Late Medieval Balkans…). Sipas një biografie të Nemanjës shkruar nga njëri prej bijve të tij, ai e kishte pushtuar edhe “rrethin e Prizrenit”, shprehje që mund të ketë të bëjë me ndonjë pjesë të dioçezës së Prizrenit në Kosovën Perëndimore, e jo qytetin (Hofner, Serbischen Mittelalter…). Edhe po të kishte pushtuar Prizrenin dhe trevën e Kosovës Perëndimore, ata do të ishin të detyruar së shpejti të hiqnin dorë nga to – njoftojnë autorët S. Novakoviq dhe R. Novakoviq. Nga këto të dhëna duhet të veçohet se Prizreni me rrethinë, që asokohe konsiderohej njësi e veçantë territoriale, mund të ketë qenë i pushtuar nga nemanjët vetëm gjatë viteve 1207-1208, 1214-1216, apo deri në vitin 1220 (R. Novakoviq, O nekim pitanjima…).
Okupimet në trevat e territorit të sotëm të Kosovës, do të vazhdojnë edhe nga i biri i Stefan Nemanjës, Stefani I (1196-1228), i kurorëzuar me titullin e mbretit në vitin 1217 (Gj.Slijepçeviq). Koha e ripushtimit të trevave në fjalë nga ana e tij, mund të merret periudha gjatë viteve 1204-1208. Ky sundimtar thuhet që arriti t’i shfrytëzojë mirë ngjarjet që mund të quhen tronditëse për Ballkanin gjatë pushtimit të Konstantinopojës më 1204 nga ushtritë e fuqive evropiane të Kryqëzatës IV. Duke i shfrytëzuar pasojat politike të ngjarjeve, këtij i shkoi ndoresh që të pushtonte tërë Kosovën Perëndimore (pa zonën e Prizrenit), diku rreth vitit 1208, ndërsa vetë qyteti i Prizrenit pushtohet diku rreth viteve 1214-1216 apo deri në vitin 1220 (R. Novaković, O nekim pitanjima…). Pushtimet e Stefanit I Nemanjit gjatë kohës së sundimit të tij (1196-1228), thuhet që përfshinë pothuajse të gjitha territoret e Kosovës së sotme dhe se nga kjo kohë Kosova do të jetë ngushtë e lidhur me pushtetin e nemanjëve gjithë deri në vitin 1371. Por në anën tjetër dihet se, territoret e sotme të Kosovës në vitet 1204 do të gjinden nën Bullgari në kohën e Kalojanit, por nuk tregohet për sa kohë. Po ashtu kuptohet se me shpalljen e Stefanit I mbret në vitin 1217, dmth. kur ai shpallet i “kurorëzuari”, mbreti Hungarez Andreja i II (shpalljen e tij) e shpreh me përgatitjen për rimarrje (M. Joviq, Istorija Srba…), që mundëson të kuptojmë që Rashka aso kohe të ketë qenë nën Hungari. Pra vetë Rashka me sundimtarin Stefanin e I aso kohe do të gjendet nën pushtetin e huaj, herë Bullgar e herë Hungarez, e kjo nënkupton se nuk kishte mundësi për t’u marrë me okupime, në rastin tonë, okupimin e trevave të Kosovës së sotme. Ngjarjet e zhurmshme e të shpejta politike që ndodhnin në Ballkan asokohe, sidomos rënia e Perandorisë Bizantine kur pushtohet qyteti i saj Konstantinopoja në vitin 1204, krijuan një realitet politik të ri në trevat ballkanike. Në territorin e Perandorisë u krijuan katër shtete të reja që ishin: Maqedonia, Bullgaria, Arbëria (Shqipëria) dhe Rashka (Serbia) – (Istorija Srpskog Naroda I…). Përveç kësaj, mund të thuhet se Arbëria e Maqedonia nuk kanë në këtë kohë “rol të pavarur dhe shpejt ndërrohen sundimtarët” (K. Jiriçek – J. Radoniq), por do të shohim se as Rashka nuk do të gjendet në një pozitë ma të mirë. Kështu, edhe Stefani I i kurorëzuar gjatë atyre ngjarjeve arrin që një kohë të mbajë pushtetin, dhe se kur ai i rrezikohej, arrin përsëri ta kthen. Ky arriti ta bashkojë Zetën, shtetit të tij dhe pushtoi Metohinë, “shtetërisht dhe etnikisht për të gjitha kohërat, ai konsolidoi shtetin dhe u mundua të vendosë në të bashkimin e pushtetit dhe bashkimin e dëshirës, siguroi kufijtë shtetërorë dhe u konsolidua në bregdet” (D. Bogdanoviq), pra qartë shihet se këtu përmendet vetëm se pushtoi Metohinë (Dukagjinin, E.R.) e jo dhe treva tjera të Kosovës. Lidhur me pushtimet e Nemanjës dhe të birit Stefanit të I në territoret e sotme të Kosovës gjatë mesjetës, autori R. Agatanoviq tregon se shihen shumë paqartësi dhe ngatërrime se kush çka ka pushtuar gjatë periudhës së tij dhe cilat treva. Ai thekson se, gjatë studimit të burimeve që flasin mbi pushtimet e Nemanjës në trevat jugore, vijmë deri tek problemi, sepse nuk dimë që Hvosnën, Patkovën, Podrimjën, Kostercin e Dërshkvinën apo rrethin e Prizrenit që i përmend Stefani I, t’i paraqesim si “fitore” vende të pushtuara nga Stefan Nemanja apo t’i llogarisim ato si “fitore” të tij - Stefanit I. Kur diplomat gjithë atë trevë nuk e përmendin, kemi arsye të mendojmë, ose Nemanja ato vende të lartpërmendura nuk i pushtoi, por që ato të jenë “fitore” të Stefanit I ose që ato i ripushtoi, apo ato gjatë humbjes në Moravë (Nemanja) i humbi e Stefani I prapë i rimori (Odnošaji između Srbije i Bugarske od XII do XV v. ...). Këto të dhëna, na japin mundësi të shprehemi se qëndrimet e ndryshme për çështjen e kufijve dhe trevave që bëhet fjalë, nuk mund të merren krejt ashtu siç përshkruhen, sepse u tha dhe më herët, dhe theksohet dhe nga studiuesi i njohur se, “historia e Ballkanit në shek. e XIII ofron një pasqyrë të ngatërruar, në të cilën kohë Arbëria (Shqipëria) dhe Maqedonia më së shumti pësuan dridhje...” (K. Jiriçek, Istorija Srba…). Po kjo gjendje sipas të dhënave ka përfshirë dhe “shtetin” Nemanjit të Rashkës gjatë gjithë asaj periudhe e më pas. Rashka përshkruhet se gjatë kohës kishte pushtuar herëpasherë territore të fqinjëve, por ato dhe i kishte humbur, s’kishte pas mundësi t’i mbajë, e që për një vijë kufitare të saktë me vendet përreth me atë çka na ofrojnë të dhënat, as që mund të bëhet fjalë. Dëshmohet se Stefan Nemanja dhe i biri Stefani I dhe pasardhësit e tij ishin vasalë të Perandorëve bizantinë, më pas të mbretërve bullgarë e hungarezë, e që duke u mbështetur në miqësinë dhe fuqinë e tyre, ata arrinin të sundonin. Sundimtarët Nemanjitë ishin të varur plotësisht nga ndikimi i atyre fuqive të kohës, gjithnjë deri në ardhjen e mbretit Millutin në qeverisjen e Rashkës në vitin 1282. Vetëm pas kësaj kohe mund të bëhet fjalë për pushtet të fortë e të pavarur mesjetar të Rashkës. Këtë qëndrim e mbështet autorja N. Georgieva-Gagova, e cila duke u mbështetur në burimet si biografinë e Simeonit (Stefan Nemanjës) dhe Stefanit I, të botuara nga Gj. Daničić, thekson që “fuqia dhe zhvillimi politik i jashtëm në kohën e Nemanjës dhe Stefanit I të kurorëzuar, nuk shkëlqen siç paraqitet. Ndryshimet kategorike që pasojnë gjatë pushtetit të Millutinit, arrijnë të bëjnë ndryshime dhe të tregojnë fuqinë (Sveto pismo u žitijama srpskih vladara…).
Pasardhësit e Stefanit I, të bijtë, Radosllavi dhe Vlladisllavi, nuk ishin luftëtarë, por ata arritën që, kryesisht, të ruajnë krejt atë çka e trashëguan nga babai. Për sundimin e shkurtër të mbretit Radosllav (1228-1234) ka shumë pak të dhëna, por edhe sipas tyre, ky më tepër ndjehej bizantin se sa rashkas (D. Bogdanoviq). Gjatë sundimit të tij ndodhën ngjarje të rëndësishme politike, si lufta e Kllokotnicës (1230), kur bullgari Ivani II Aseni (1218-1241) arriti ta mund mbretin e Selanikut Teodorin I Angjelin. Pasojat e kësaj lufte në të ardhmen do të ndikojnë dukshëm në raportet e vendeve juglindore të Ballkanit. Mbreti bullgar më pas arriti të pushtojë treva të Trakisë, Maqedonisë, Arbërisë (Shqipërisë) etj., (Istorija srpskog naroda…). Kuptohet se edhe trevat rreth Ohrit dhe Shkupit asokohe hynë nën pushtimin bullgar (D. Bogdanoviq). Pas fitores së madhe në luftën e Kllokotnicës, Ivani II Aseni është e mundshme që të ketë pushtuar edhe pjesë të “territoreve të Rashkës”, por në burime nuk ka të dhëna për të ditur më tepër. Këto rrethana thuhet se ndikuan për rrëzimin e mbretit Radosllav. Në pushtet vjen Vlladisllavi (1234-1243), ku tregohet se gjatë sundimit të tij, ndikimi bizantino-epirot në Rashkë ndërrohet me atë bullgar, pasi që ky ishte i martuar me të bijën e mbretit bullgar Asenit II. Ardhja në pushtet e Vlladisllavit do të sjellë deri te riorientimi në politikën e shtetit “serb”, sepse rreth kufijve të tij ndodhën shumë ndryshime që ngatërruan raportet e fuqive në jugperëndim të Ballkanit. Ishin këto pasojat e pushtimeve të Perandoritë Ivan Asenit II i cili tani ishte bërë sunduesi më i fortë në Ballkan. Vlladisllavi dhe faktorët tjerë me rëndësi në Rashkë (Serbi), nuk mund t’i shpëtojnë këtyre rrethanave. Në pushtimet e mëdha të territoreve ballkanike të Asenit II, numërohen dhe toka “serbe”, e mbreti Vlladisllavi thuhet të kishte pranuar vasalitetin e tij (Istorija srpskog naroda I…). Perandori bullgar Ivan Aseni II e forcoi dhe ngriti shtetin e tij në fuqi të Evropës juglindore. Gjatë asaj kohe territoret e “Serbisë” dhe të Kosovës së sotme gjendeshin nën pushtetin e tij (P. Pavllov, Arhiepiskop Sava Nemaniq, car Ivan Asen II i bljgaro – srlbskite…).
Pushteti i dobët i Vlladisllavit do të ndikojë që bujarët (të cilët sikurse edhe Radosllavin), të pakënaqur me gjendjen ta rrëzojnë, kuptohet e detyrojnë këtë që pushtetin t’ia dorëzojë vëllait më të ri, Uroshit I (1243-1276). Kur ky mori pushtetin, Rashka gjendej në një situatë specifike. Pavarësia e Rashkës sikur duket është më pak e rrezikuar se sa në dekadat paraprake, por sundimtari i ri kishte shumë më tepër hapësirë për zhvillimin e politikës së pavarur. Ajo ishte e shtrënguar nga fqinjët e fortë si në veri ashtu edhe në jug, ndërmjet Hungarisë dhe Perandorisë Bizantine (Istorija srpskog naroda…). Pas fitores së Mbretërisë së Nikejes (1246) e cila arriti të sundojë edhe Selanikun, kjo kishte arritur të bëhej fuqi ballkanike dhe kufizohej me Rashkën. “Nuk mund të thuhet me saktësi se në cilën linjë shkonte kufiri ndërmjet tyre, por besohet të ketë qenë në shkëmbinj të Maleve të Sharrit ...”. J. Vataci, sundimtari i Mbretrisë së Nikejës, pas fitores së vitit 1246 ndaj despotit të Epirit Mihailit II, kishte arritur të marrë territore të gjëra ballkanike si, “gjithë Maqedoninë Perëndimore dhe Shqipërinë me Krujën, deri tek Deti Adriatik dhe kufiri ‘serb’ (1252)”. Nikej-ët pas disa viteve nën udhëheqjen e Mihail Paleologut, gjatë vitit 1259 prapë i nënshtrojnë të gjitha tokat deri tek Malet e Sharrit (K. Jiriçek – J. Radoniq). Hegjemonizmi i Nikejës ndaj Ballkanit që mori shumë territore të pjesëve Evropiane të Bizantit e që bëri thyerjen e fuqive kundërshtare, do të arrijë kulmin në vitin 1261, kur e marrin Konstatinopolin dhe rithemelojnë Perandorinë Bizantine. Gjatë kohës së sundimit të perandorit bizantin Mihailit VIII Paleologu (1259-1282), i cili bëri luftëra të shumta dhe përpjekje t’i kthente tokat e Perandorisë që kishin pushtuar edhe nemanjët, kuptohet se territoret e sotme të Kosovës asokohe konsideroheshin treva bizantine, sipas dispozitave të vitit 1272, i takonin Perandorisë Bizantine (G. Ostrogorski). Pas restaurimit të Perandorisë Bizantine, situata ngjante në atë të para një shekulli, kur Rashka (Serbia) mundohej të ngritët mes njërës apo fuqisë së dytë (Sima Qirkoviq, Srbi u Srednjem Veku…). Pas ripërtëritjes së Bizantit në vitin 1261 dhe fuqizimit të shpejtë të Hungarisë, Rashka gjendej në pozitën e cila, sipas shumë gjërave, ishte e ngjashme me pozitën e Stefan Nemanjës dhe paraardhësve të tij (Istorija srpskog naroda …). Këto tri qëndrimet e fundit janë shumë interesante dhe nuk kanë nevojë për më tepër komentim, sepse tregojnë saktësisht se, Rashka aso kohe gjendej në pozitën e para një shekulli-si në kohën e paraardhësve të Nemanjës, si dhe kohës së tij (pra gjendja e shek. XII) etj., që dëshmon dhe vërteton që, territoret e sotme të Kosovës nuk gjendeshin nën sundimin e sundimtarëve nemanjitë të Rashkës edhe gjatë pjesës së dytë të shek. XIII.
Një gjendje e tillë do të pasojë edhe në periudhën e sundimtarit të ardhshëm të Rashkës. Nga pushteti Uroshin I, dihet se e largon i biri Stefan Dragutini (1276). Dragutini sundon nga viti 1276-1282 (Istorija srpskog naroda …). Për këtë thuhet se ishte i dobët në luftë me bizantinët dhe gjatë qeverisjes së tij, siç tregon shkrimtari bashkëkohanik, bizantinët me dëshirë e nënshtrojnë Rashkën dhe sundimtarin e saj, arritën deri në Lipjan dhe “atyre ditëve mund të shihet toka e Rashkës në hall të madh” Životi kraljeva i Arhijepiskopa srpskih…). Data e saktë e “atyre ditëve” nuk mund të saktësohet, por nuk ka dyshim se fjala është për fundin i sundimit të Dragutinit (1281-1282) - (S. Stanojević…; Kralj Dragutin,GND…). Dihet se gjatë vitit 1281 atëherë në kufirin bizantino-rashkas i cili gjendej në Malet e Sharrit, larg Prizrenit dhe Lipjanit, zhvillohej luftë e pandërprerë guerile (K. Jiriček ). Lufta e Dragutinit i cili në aleancë me Karlin I Anzhuin e sulmon Bizantin më 1281/82, tregon se ushtria bizantine në krye me Mihailin Paleologu gjendet në Lipjan të Kosovës. Lufta mes Bizantit e “Serbisë” shihet dhe në vitin 1282, ku ishte dhe perandori Androniku II Paleolog (1282-1328), i cili poashtu gjendet në Lipjan (Kosovo nekad i danas ). Sipas një autori të kohës, që të dhënat paraqiten nga Gj. Daniçiq, Bizantinët ishin në Lipjan edhe në kohën e Dragutinit (1276-1282), dhe “atyre ditëve mund të shihej toka ‘serbe’ në krizë të madhe” (Istorija srpskog naroda…).
Një gjendje siç e paraqitëm deri tani, do të trashëgojë edhe mbreti i ardhshëm i Rashkës, Millutini, i cili sikurse edhe paraardhësit e tij, erdhi në pushtet me rrëzimin e vëllait të tij Dragutinit, si duket me një “grushtet të qetë” (K. Jiriçek). Ardhja në pushtet e Stefanit II Millutinit (1282-1321), e ndërroi nga themeli situatën në këtë territor (Gj.Slijepčeviq, Srpsko-arbanashki…). Sipas tregimit të peshkopit Danillo II (jetoi në kohën e Millutinit, E.R.), kur Millutini mori sundimin, shteti i tij gjendej në pozitë të vështirë: “Në ato ditë shihej toka ‘serbe’ e rrudhur e shtrënguar fort dhe e zvogëluar, sepse shteti i mbretit grek arrinte deri tek vendi i quajtur Lipjan...” (Arhiepeskog Danilo II, Životi kraljeva i arhiepiskopa srpskih…). Në biografinë “Život Kralja Millutina” (Jeta e Mbretit Millutin) shkruhet me pak fjalë situata në të cilën gjendej “Serbia” kur ky, Millutini, erdhi në pushtet. Atyre ditëve tokat “serbe” gjendeshin të t’kurrura dhe Perandoria Greke, e cila gjendej deri në Lipjan, kërcënonte edhe më tej të zgjerohej (D. Petroviq, Život Kralja Millutina od Arhiepiskopa Danilla II…). Po ashtu edhe studiuesi i njohur për historinë e mesjetës G. Ostrogorski tregon se, përparimi i “serbëve” drejt jugut dhe depërtimi i tyre në trevat bizantine, depërtim i cili kishte filluar që në kohën e Nemanjës, tani hyri në fazën e vet përfundimtare. Që kur Millutini në vitet e para të mbretërimit ua kishte shkëputur Shkupin bizantinëve, sulmet “serbe” në kufijtë maqedonas nuk pushuan (Historia e Perandorisë Bizantine…). Rreth pushtimeve të kësaj kohe autorë tjerë shprehen se, vetëm me ardhjen në pushtet të Millutinit fillon epoka e pushtimeve të qëndrueshme e territoreve bizantine. Më 1282 trupat “serbe” do të fillojnë depërtimin me pasoja të rëndësishme. Ata do të marrin tokat jugore deri në Shkup e më gjerë, treva këto që disa herë i kishin pushtuar gjatë shek. XIII dhe i kishin humbur. Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shek. XIII, “Serbia” e mbretit Millutin ishte “shteti” që shihet qartazi për nga fuqia dhe rritja e tij (Istorija srpskog naroda…). Autori B. Bojoviq, duke u marrë me këto çështje thekson se, që nga viti 1190 “serbët” nuk mund ta mbajnë Prizrenin, i cili do të jetë prapë nën Bizant. Nga viti 1204, Prizrenin me rrethin do ta sundojnë bullgarët, por së shpejti më 1275 do të gjendet në përbërje të shtetit të nemanjëve. Në të mirë të mendimit tonë, përveç tjerash, flasin të dhënat e D. Bogdanoviqit, i cili thekson se “integrimi politik i Kosovës dhe i ‘Metohisë’ si dhe i Shqipërisë Veriore (nën pushtetin e Rashkës, E.R.), vazhdon me zgjerimin e qytetit ‘serb’ në jug dhe me konsolidimin e posedimin e këtyre territoreve gjatë shekujve XIII-XIV”. Në këtë pikë vazhdon: “Të luajturit e këtij kufiri më tutje drejt jugut, është vepër e mbretit serb Millutinit (1282-1321). Në operacionet e tija luftarake gjatë viteve 1282-1283 definitivisht ‘Serbisë’ i bashkëngjitet territori i plotë i Kosovës dhe i ‘Metohisë’ [...]”(Knjiga o Kosovu…). Është interesant të paraqesim dhe një njoftim lidhur me çështjen në fjalë. Një autor serb duke u marrë me studimin e trevave të territorit të sotëm të Kosovës gjatë mesjetës (punimin e botoi në vitin 1935 në Beograd nga Akademia Serbe e Shkencave), kur bën fjalë për Moravën e Epërme dhe vendin e ashtuquajtur Izmornik (sot rrethet e Gjilanit dhe e Aratanës), paraqet rezultatet e tija që i gjen asokohe. Ky autor në punimin e tij thirret në referencat apo iu referohet studiuesve të ndryshëm, që është normale. Por për ne është interesante se, kur ky autor i referohet çështjes së historisë së Kosovës, duke u thirrur në punimin e botuar “Istorija Srba, I,” të studiuesit të njohur K. Jiriçek (ma merr mendja thirret në botimin e parë të librit të botuar më 1912 në Beograd), paraqet qëndrimet siç janë: “depërtimi i Rashkës në këto treva shihet nga fundi i vitit 1189 dhe ato i takonin Nemanjës, por se këto tanimë vitin e ardhshëm janë prapë nën Bizant (citon f. 201-202); në kohën e Stefanit të Kurorëzuar sikur edhe këto rrethe përkohësisht të hynin në kuadër të ‘shtetit’ të Rashkës (citon f.219-220); gjithsesi në to kishin hyrë trupat (ushtria, E. R.) e mbretit Urosh, kur morën Shkupin, Prilepin... (citon f. 233); nuk dihet se a janë humbur prapë (pra tregon se nuk dihet saktësisht se a kanë qenë nën sundimin e Rashkës, E. R.), por nga koha e mbretit Millutin hyjnë nën brendësinë e “shtetit” të Rashkës dhe gjithnjë deri në rënien e tij mbesin në duart e ‘serbëve’ (citon f. 245)” - (Srpska Kraljevska Akademija, Srpski Etnografski Zbornik, Knj. LI…). Problemi qëndron këtu se, qëndrimet e paraqitura në këtë punim, në të cilin autori i referohet apo thirret në rezultatet e librit “Istorija Srba, I,” të K. Jiriçek, nuk i gjejmë më vonë në ribotimet e po të njëjtit libër. Kështu, libri “Istorija Srba , I-II ” i K. Jiriçek i ribotuar në Beograd më 1952 dhe 1988, tregon se përkthehet nga autori serb Jovan Radoniq, i cili del dhe bashkautor. Poashtu, që në faqen e parë të librit tregohet se, me pëlqimin e Akademisë Serbe të Shkencave i lejohet J. Radoniq për të ndrequr-korrigjuar (ispravljeno) dhe për të plotësuar-shtojë-mbush (dopunjeno) botimin (izdanje) – (K. Jiriček, Istorija Srba, I, II, Beograd, 1988). Pra, ribotimet e librit do t’i shtrohen procesitë të: ndreqjeve, korrigjimeve e plotësimeve që bëhen sipas bindjes dhe qëllimeve politike. Në rastin tonë, qëndrimet e theksuara më lartë, që kanë të bëjnë me historisë e Kosovës, në dy ribotimet e më vonshme të librit, nuk gjenden, pra ato qëllimisht hiqen. Kjo ka vetëm një kuptim, kemi të bëjmë me keqpërdorimin e burimeve dhe qëndrimeve shkencore nga historiografia serbe për historinë e Kosovës që quhet: falsifikimi i historisë.
Duke vazhduar më tej të flasim për periudhën e viteve 1282/83 e në vijim, do të kishim paraqitur qëndrimin e autorit S. Stanojević, i cili tregon se, mbreti Millutin, la shtetin bukur të rritur, sepse trashëgoi tokën që kufiri jugor ishte në Lipjan, si në kohën e zgjerimit të Stefan Nemanjës. Por konsolidimi i shtetit nuk ishte kryer; elemente heterogjene kishte shumë; autoriteti i pushtetarëve ishte i dobët, ndërsa fisnikët – aristokracia posaçërisht ata të zetës dhe shqiptarëve (albanska), ankohet Stanojeviq “janë gjithherë të gatshëm që interesat shtetërore t’i bartin në interesat e tyre”, kuptohet kur ai (shteti) nuk ishte i tyre (R. Ratkoviq, Zeta u Državi Nemanjića…). Autorë tjerë theksojnë se, Kosova në mos e plotë, me shumicën e territorit bie nën “Serbi” me pushtimet e Nemanjës -1190. Nën “Serbi” ajo në fillim për kohë të shkurt ishte trevë kufitare, sepse kah jugu sundonte Bizanti, që më vonë me ekspansionin “serb” kah jugu, të bartet më larg nga treva kufitare “serbo” – bizantine (A. Urosheviq). “Serbia” ekspansionin më të madh e ka nga koha e mbretit Millutin (1282/83). Me këtë zgjerim kah jugu, Kosova nuk është më regjion kufitar ndaj Bizantit, por si pjesë qendrore e shtetit “serbë” – bëhet qendër e tij e re kishtare, politike dhe administrative. Këtu janë prej fillimit të shek. XIV, selitë e përkohshme të monarkëve nga dinastia e Nemanjëve: Prishtina, Prizreni, Nerodima afër Ferizajit, Pauni etj., (Kosovo Nekad i Danas…). Po ashtu shumë autorë serbë tregojnë se, që nga koha e mbretit Millutin e në vazhdim, veprimtaria e sundimtarëve nemanjitë, është e lidhur me komplekse rezidenciale në Kosovë. Ndër ta, veçohen: Vrhllabi, Pauni, Nerodimja, Prishtina, Svrqini, Ribniki afër Prizrenit etj., (Kosovo i Metohija u srpskoj istoriji...; A.Popović,Vrhlab…). Dihet se vendi i quajtur Vrhllabi (sot fshati Belasicë që gjendet mbi 25 km në veri të qytetit Podjevë), do të jetë vendqëndrimi i parë i sundimtarëve të Rashkës në territoret e sotme të Kosovës. Për herë të parë këtu do të vendoset mbreti Millutini, kuptohet pas pushtimeve të tija të viteve 1282/83. Në burimin e kohës, jetëshkrimin e Stefan Uroshit – Millutinit, kur po përshkruheshin ngjarjet e viteve të tetëdhjeta të shek. XIII, thuhet: “Millutin-i mbret i Banjskës, e barti selinë në ‘Dardani’, nën Malin Sharr të quajtur Prizren” (Lj. Stojanović, Stari Srpski Rodoslovi…). Derisa Rashka paraqitet si qendër “serbe”, nga Millutini, kjo do të bartet në trevat e Kosovës deri tek Malet e Sharrit (Vl. Çorović). Sipas St. Novakoviq, që nga koha e Millutinit dhe pushtimeve të tija në Maqedoni, kufijtë do të hiqen nga trevat e Kosovës, kështu që, ajo (Kosova, E. R.) gati për një dhjetëvjeçar do të gjendej në qetësi. Po nga koha e mbretit Millutin, veprimtaria e sunduesve Nemanjitë është e lidhur me kompleks rezidencash, të cilat gjenden në jug të Kosovës (Nemanjičke prestonice Ras-Pauni-Nerodimlja…). “Nga koha e mbretit Millutin (1282-1321) dhe deri në kohën e mbretit Urosh (1355-1371), veprimtaria e sunduesve nemanjitë është e lidhur me komplekse rezidenciale, të cilat gjenden në pjesën jugore të Kosovës” (S. Čirković, Vladarski dvori oko jezera na Kosovu...). “Serbët” nuk patën kurrfarë qendre, përveç kuptimit tradicional që Rashka është tokë e tyre. ”Shteti i vjetër serb” sipas K. Jiriçek, nuk pati kurrë gjatë mesjetës seli-qendër apo kryeqytet në kuptimin si shtetet e tjera. Ata ishin të dhënë pas interesave feudale, luftë për pushtet dhe zgjerimin e shtetit pa kufij, e cila trashëgohej që nga periudha e zotëruesve të robërve (R. Ratković…). Sundimtarët “serbë” vitet e shumta i kalonin në rrugë duke shkuar nga njëra qendër në tjetrën. Nga koha e Millutinit, sundimtarët “serbë” më tepër kohën e kalojnë në jug – Kosovë dhe Shkup – vende të posa pushtuara (Zeta u Državi Nemanjića…). Zhvendosja e qendrës së shtetit (nga Rashka), shihet edhe në gjendjen e manastireve. Vetëm në shek. e XIV shohim përkushtimet në vendet e ngrohta jugore, si rreth Pejës, Prizrenit, Fushës së Kosovës dhe rrethin e Shkupit. Këto na tregojnë atë që ajo (Rashka), ende nuk ishte formuar dhe vendosur, ende nuk e kishte marrë formën e “shtetit” (Zeta u Državi Nemanjića…). Mbreti Millutin (1282-1321), menjëherë pas fillimit të sundimit, do t’i shkojë përdore të pushtojë trevat deri në Shkup (K.Jiriçek), ku mund të kuptojmë se menjëherë, nga kjo kohë Shkupin e bën seli të tij (Životi kraljeva i arhiepiskopa ...). Sipas të dhënave më të sakta, kjo ka mundur të ndodhë vetëm në vitin 1290, kur ai shpalli Shkupin kryeqytet të vetin. Në këtë pikë lidhur me pushtimet e territoreve bizantine nga Millutini, duhet të dihet edhe kjo se, deri në vitin 1297, bizantinët nuk pajtohen që tokat e tyre të mbesin nën “Serbi”. Nga ky vit Perandoria tanimë fillon të hyjë e të bëjë marrëveshje me mbretin “serb” për paqe (Istorija srpskog naroda…). Kuptohet pra se, vetëm nga ky vit (1297-1299), Perandoria Bizantine detyrohet të pranojë humbjen e territoreve të veta, e në këtë kuadër dihet se përfshihen dhe territoret e sotme të Kosovës. Kjo nënkupton që, juridikisht deri në këtë kohë (fund shek. i XIII), territoret e sotme të Kosovës nuk ishin dhe nuk mund të quhen “toka serbe”.
Gjatë fillimit të shekullit XIV, Millutini ishte bërë një monark i fuqishëm në Ballkan. I pasuruar nga tokat e reja të pushtuara dhe nga shfrytëzimi gjithnjë e më i madh i tyre, ku hynë dhe territoret e sotme të Kosovës, ai filloi programin e tij të ndërtimit të kishave, jo vetëm brenda shtetit “serb”, por edhe në malin Atos, në Selanik, Konstantinopojë dhe Jerusalem (një biografi e tij përmend 15 kisha të themeluara nga ai e nga këto vetëm tri (3) gjenden në Kosovë, ndër to edhe Graçanica)- (Patriarku Danillo II, në Hofner…). Gjithashtu, Kosova, gjatë shekullit XIV, duke iu falënderuar pasurive, numrit të madh të banorëve dhe lidhjeve të mira të komunikacionit, gradualisht merr rolin e qendrës së shtetit të Rashkës (S.Çirković, Kosovo i Metohija u srednjom veku…). Gjatë zhvillimeve të tilla, do të shohim edhe gjendjen në ndërrimet e vendit të organizimit kishtar. Kështu, ndodh që kryepeshkopata e Rashkës në dekadën e fundshekullit XIII, nga Zhiqa të vendoset në Hvosne (Pećka Patrijarshija…). Rreth zhvendosjes së kryepeshkopatës, shkruhet në burimet e kohës se, ajo vendoset në Pejë, përkatësisht në “trevat dardane” (Lj. Stojanović, Stari Srpski Rodoslovi…). Zhvendosja - ndërrimi i vendit të kryepeshkopatës prej Zhiqës në Pejë, sipas disa historianëve serbë, mendohet të jetë momenti vendimtar ai, kur sulmi i Komanëve e dogji Zhiqën. Kjo ndodhi në vitin 1292 (M. Diniq, Srpske Zemlje u Srednjom Veku…). Edhe disa autorë tjerë serbë, e mbështesin qëndrimin se, kisha ishte zhvendosur në Pejë vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XIII, më konkretishtë, ndërmjet viteve 1292 deri 1300. Për qendrat e vjetra fetare, si peshkopata e Prizrenit dhe Lipjanit, autori I. Ruvarac shkruan që, në to nuk ka mundur Sava të vendos peshkopët e vet, sepse në kohën e vendosjes së peshkopëve “serbë”, ato në pjesën e madhe të tyre dhe qytetet, ishin në tokë të tjetrit, e jo në pushtetin e mbretit “serbë”. “Trevat në fjalë, jo shumë kohë pas vdekjes së Savës ... në kohën e mbretit të madh Uroshit I, prapë do t’i takojnë mbretërisë ‘serbe’ ” (Prilozi za Srpsku Povest…). Autori A. Mojkov, duke shkruar mbi këtë çështje thekson: “Peshkopata e Lipjanit apo e Kosovës u themelua më vonë (është fjala për kohën kur kjo do të gjendet nën ndikimin e kishës së Rashkës, E. R.), sepse nuk ekziston në shkrime tjera , e kjo vetëm gjatë kohës së Millutinit lajmërohet” (Istorija Srpskog Naroda, reprint izdanje od 1876…). Këto të dhëna në mënyrë të qartë na dëshmojnë se, tek në fund të shek. XIII pra me okupimet e mbretit Millutin, në trevat e sotme të Kosovës, do të vendoset kryepeshkopata e kishës ortodokse e Rashkës. Poashtu edhe peshkopatat e qytetit të Lipjanit e Prizrenit, të cilat deri aso kohe nuk ishin nën varësinë e kryepeshkopatës së Rashkës, nga kjo kohë ato do të jenë nën varësinë dhe pushtetin e tyre. Po nga koha e okupimit të Millutinit, siç u theksua dhe më lartë, në territoret e Kosovës do të shihet dhe interesimi i tij për rindërtimin e kishave dhe manastireve. Të gjitha të dhënat – dokumentet e kohës e më pas tregojnë se, kishat dhe manastiret ortodokse sllave u rindërtuan në territorin e sotëm të Kosovës gjatë shek. XIV. Kisha në Hvosne – Pejë, kisha e Shën Apostujve, ishte kisha e parë e rindërtuar në Kosovë prej nemanjëve gjatë viteve të gjashtëdhjeta të shek. XIII (Knjiga o Kosovu…). Pas ngritjes së disa kishave shtesë (gjatë shek. XIV), kishës së Shën Apostujve, formohet një kompleks që më vonë (1346) do të merr emrin Patrikana e Pejës (Pećka Patrijaršija…). Gjatë shek. të XIV, ndërtohen kishat përcjellëse të kompleksit të Pejës si, ajo e Shën Dimitrit (1321-1324), Odigitria dhe Arsenije (1324-1337) dhe më 1337 ajo e Shën Nikollës. Po ashtu, manastiri i Shën Stefanit apo “Bajska”, u rindërtua në themelet e manastirit të vjetër nga mbreti Millutin, nga viti 1312 deri më 1317. Millutini e rindërtoi edhe manastirin e Graqanicës në jug të Prishtinës, aty nga vitet 1314/15. Manastiri i Deçanit apo “Pantokratori”, ngritet nga Stefan Deçani nga vitet 1327 deri 1355 të cilin e përfundon i biri Stefan Dushani. Edhe Dushani nga viti 1348 do ta ngrit manastirin afër Prizrenit (Knjiga o Kosovu). Në këtë drejtim theksohet se, edhe Zhiqa si seli (e vjetër e peshkopatës), nuk humbi kurrë rolin formal të rezidencës (kryepeshkopatës, E.R.). Udhëheqësit e kishës serbe qëndrojnë në kompleksin e Pejës edhe në vitin 1346, kur kjo ngritët në rolin e Patrikanës (Episkopije i mitropolije srspke crkve…).
Është me rëndësi të tregojmë se edhe burimet historike mesjetare si, diplomat (krisobulat) na mundësojnë të vijmë në konstatimin tonë që, territoret e sotme të Kosovës vetëm nga okupimi i tyre në kohën e Millutinit do të përfshihen në kuadër të Rashkës. Diploma e Hilandarit e Stefan Nemanjës e vitit 1198/99 dhe ajo e Zhiqës e Stefanit I të kurorëzuar e vitit 1220, përveç se tregojnë për pushtimet e përkohshme të një pjese të trevave veriore të territorit të sotëm të Kosovës, me të dhënat e tyre, nuk mund të mbështesin për sa kohë dhe se sa ato u mbajtën nën pushtetin e tyre dhe as që lënë të kuptojmë farë vije kufitare (D. Bogdanoviq). Ndërsa, sipas autorit M. Peshikan, diplomat si, ajo e Shën Stefanit ose e Bajskës së mbretit Millutin e vitit 1313-1318, e Graqanicës nga Millutini e vitit 1321/22, e Deqanit e mbretit Stefan Deqani e vitit 1330 dhe ajo e Arkangjelit e Stefan Dushanit e vitit1348, , dëshmojnë dhe mund të na ofrojnë të dhëna të qëndrueshme mbi emërtimet e vendeve e vetëm nga këto mund të lidhemi për të përcaktuar vendet. Psh. rrethi i Novobërdës që përfshinte zhupën mesjetare Topollnic, emri i së cilit dihet vetëm nga shek. i XIV, pra pas pushtetit të Millutinit. Po ashtu, për herë të parë të dhënat-argumentet historike përmendin emrat, vendbanimet dhe qytetet e territoreve të sotme të Kosovës, tek në shek. e XIV si: “Trepça më 1303, Novobërda më 1326 ...” (Srpske Zemlje u Srednjom Veku…). Ky (Millutini, E.R.) në shtetin e tij kishte 7 miniera ku përfshihen edhe ato të Kosovës mesjetare si Trepça, Janjeva e Novobërda e cila do të zhvillohet në njërin ndër qytet më të mëdha në Ballkan (Istorija srpskog naroda I…). Nga gjithë këto burime historike mesjetare të shek. XIV që ofrojnë të dhëna të kohës, mund të kuptohet qartë se vetëm gjatë kohës së Millutinit e më pas mund të bëhet fjalë për okupimin e tërë territoreve të sotme të Kosovës nga Rashka. Territoret e sotme të Kosovës edhe pas pushtetit të Millutinit do të gjenden në pushtetin e Stefan Uroshi III, i quajtur “Deçanski”, i cili sundon nga vitet 1321-1331. Ky pas luftës në Nerodimje (rrethi i Ferizajit, E.R.) në vitin 1331 kuptohet se u rrethua nga i biri mbreti Stefan Dushani, i cili e mundi dhe e burgosi në kështjellën e Zveçanit, ku në rrethana të pasqaruara humb jetën (Gj. Slijepqeviç). “Deçanski” pësoi disfatë nga i biri, u zë rob dhe pas një kohe të shkurtër u ekzekutua me ngulfatje (Late medieval…). Gjatë periudhës së sundimit të Stefan Dushanit (1331-1355) shteti i Rashkës fuqizohet edhe më shumë, kur ky vazhdon politikën e paraardhësve me më shumë fuqi dhe fitore. Ky interesin e vet e paraqet në politikën e tij pushtuese në drejtim të tokave të Arbërisë (Shqipërisë) dhe të Greqisë (K.Jiriçek,Istorija srba I…). Pushteti i Dushanit e solli shtetin në lulëzimin më të madh. Megjithatë, fama e saj ishte jetëshkurtër. Pushtimet e tija kryesore territoriale u arritën deri më 1340, kurse shteti i tij fillon të shthurej fill pas vdekjes së tij më 1355. Dushani përfitoi nga lufta e gjatë civile brenda Perandorisë Bizantine për të pushtuar një territor të madh duke përfshirë edhe tërë Shqipërinë e Jugut dhe një pjesë të madhe të Greqisë Veriore(Kosovo i Metohija…). Pushteti i tij sipas të dhënave që ofron K. Jiriçek, tregohet se oborri i tij ishte i përbërë nga serbët, bullgarët, grekët, arbanasët, sasët minatorë, raguzanët si tregtarë etj., që kishte një karakter internacional. Kohët e trazirave fillojnë të paraqiten tek pas vdekjes së Dushanit në Rashkë. Përleshjet e brendshme gjatë mbretit Urosh i cili sundoi prej vitit 1355 e deri më 1371, dëmtojnë shumë sundimin e tij në rrethet periferike (Kraj srpskog carstva…). Në këtë drejtim duhet shtuar dhe qëndrimin që karakterizohet për të gjitha periudhat e sundimit të nemanjëve që, pothuajse të gjithë sundimtarët “serbë” arritën t’i mbajnë pozitat e tyre në territoret që janë edhe të trashëguara dhe ato në masë të madhe në saje të martesave të shumta politike (Istorija srpskog naroda I…; K.Jiriçek, Istorija srba…).
Edhe J. Kantakuzeni shkruan se pas vdekjes së Dushanit ndërmjet “serbëve” lindin “ngatërresa të mëdha [...] bujarët e mëdhenj i ndjekin të voglit dhe të dobëtit, grabisin secili vetes së mundnin qytete përreth [....] dhe në 100 anë të shpërndarë fillojnë të grinden” (Istorija srpskog naroda…). Edhe pse Uroshi udhëhiqte pjesën qendrore të shtetit, këtu paraqitet edhe ngadhënjimtari i tij (nga viti 1365) mbreti Vukashin për të cilin thuhet se kishte pushtetin edhe në Prizren gjatë asaj kohe (Kosovo i Metohija u srpskoj istoriji…). Shthurja e pushtetit nemanjitë nën pushtetin e birit të Dushanit, mbretit Urosh qe shumë e shpejtë. Territoret e pushtuara ranë në duart e fisnikëve vendës. Kështu gjatë vitit 1360 mbretërinë nemanjite e kishte kapluar një luftë civile (N. Malcolm, Kosova…). Edhe dy ngjarje me rëndësi këso kohe ndikuan në shkatërrimin më të shpejtë të Mbretërisë së Rashkës. E para, gjatë vitit 1371 kur mbreti Vukashin humb luftën dhe jetën në Betejën e Maricës (shtator 1371) kundër turqve dhe vdekja e mbretit Urosh që ndodh së shpejti, po këtë vit (dhjetor 1371) -(Oblast Brankoviqa), dhe ngjarja e dytë me rëndësi, ngritja e familjes Balsha (shqiptare, E. R.), që dinastia e tyre kishte arritur të shtrijë pushtetin në veriperëndim të Shqipërisë dhe në Mal të Zi (N. Malcolm). Dëshmohet se, Balshajt do të sundojnë nga vitet e shtatëdhjeta të shek. XIV e deri në Betejën e Kosovës (1389) shumicën e territoreve të sotme të Kosovës: Trevat nga Peja, Prizreni e në lindje deri afër qytetit të Novobërdës. Nga kjo periudhë kohore e deri në kohën e pushtimeve Osmane, pjesë të territorit të sotëm të Kosovës do të gjendën dhe nën sundimin e disa feudalëve tjerë vendorë si Kastriotëve e Dukagjinëve dhe atyre territorialë Llazar-ëve e Brankoviq-ëve.
Para përfundimit do të shtoja dhe qëndrimin se, territori i sotëm i Kosovës ishte shumë i rëndsishëm asokohe për pushtuesit Nemanjit. Okupimi dhe sundimi i plotë i territoreve në fjalë nga mbreti Millutin i Rashkës dhe pasardhësve të tij gjatë shek. XIV (pasardhës të dinastisë Stefan Nemanja) shihet qartë se ato kanë pasur dhe luajtur një rol me rëndësi gjatë gjithë periudhës së sundimit të tyre. “Ato (territoret e sotme të Kosovës, E.R.) ishin në një mënyrë qendra kryesore ekonomike me rëndësi të veçantë për ta, si dhe minierat e Kosovës ishin ato që i siguruan pjesën më të madhe të pasurisë së tyre (sundimtarëve Nemanjit, E.R.). Gjithashtu, përveq aspektit ekonomik edhe ai gjeografik kishte pozitë të veçantë. Rrugët kryesore tregtare kalonin nëpër Kosovë dhe arrinin në bregdet. Njëkohësisht kishte ndikuar edhe zhvillimi i tregtisë edhe në qytete të tjera(K.Jiriçek, Staat und Gesellschaft…).
Për fund, të gjitha të dhënat shkencore-argumentet historike që i paraqitëm në këtë punim, kryesisht rezultatet e historiografisë serbe për historinë mesjetare të Kosovës, pa pasur nevojë për të komentuar më mundësojnë për të konstatuar se: Territori i sotëm i Kosovës definitivisht u okupua në vitin 1283 nga Millutini, mbreti i Rashkës.
Konstatimi im mbështetet, siç e thashë, në argumentet shkencore të paraqitura gjatë këtij studimi të cilat tregojnë që, pushtimet e Stefan Nemanjës në fund të shek. XII që përfshin disa treva veriore të vendit e deri në qytetin e Lipjanit ishinë ndërhyrje e përkohshme e tij. Po ashtu dëshmohet se, Stefan Nemanja në luftën e Moravës (1190) humbi luftën nga Bizanti dhe po ashtu humbi dhe të gjitha tokat bizantine që i kishte okupuar e në rastin tonë edhe ato pjesë të territorit të sotëm të Kosovës që paraqitën më lartë. Të gjitha të dhënat tregojnë edhe se, pasardhësit e Stefan Nemanjës gjatë periudhave të sundimit të tyre duke filluar që nga Stefani I i Kurorëzuar (1196-1228) për të cilin thuhet se i riokupoi trevat e lartpërmendura por nuk dëshmohet se i mbajti, pastaj Radosllavi (1228-1334), Vlladisllavi (1234-1243), Uroshi i I (1243-1276) dhe Dragutini (1276-1282) do të arrijnë të mbajnë nën okupimin e tyre dhe të sundojnë vetëm një pjesë të vogël të trevave veriore të territorit të sotëm të Kosovës. Sipas të dhënave, trevat që mbesin nën okupimin e tyre, mund të shihen në vijën kufitare veriperëndimore të vendit duke filluar nga Hvosna (rrethi i Pejës) për të vazhduar në veri të lumit Ibër mbi qytetin Mitrovica e sotme e deri në pjesën verilindore të vendit në malet e Albanikut (Kopaonikut) mbi qytetin e sotëm të Podjevës. Në anën tjetër, të gjitha argumentet e paraqitura dëshmojnë se, trevat e tjera të vendit si dhe qytetet e vjetra si Lipjani e Prizreni u okupuan gjatë viteve 1282/83 nga mbreti i Rashkës - Millutini. Ardhja në pushtet e Millutinit në vitin 1282, karakterizohet nga të dhënat me luftërat dhe fitoret që kishte ndërmarrë ky për zgjerimin dhe ngritjen e Rashkës. Vetëm nga kjo kohë, pra nga koha e sundimit të Millutinit, do të mund të flitet për një pavarësi të krahinës së Rashkës, çështje kjo që tregon se, paraardhësit e tij nuk ishin të pavarur siç shkruhet dhe pretendohet nga e gjithë historiografia serbe. Duhet edhe të theksojmë se, të gjithë paraardhësit e Millutinit, që nga Stefan Nemanja, Stefani I i Kurorzuar, Radosllavi, Vlladisllavi, Uroshi I dhe Dragutini të kenë sunduar territoret e Rashkës vetëm duke ju falenderuar marrdhënjeve vazale-nënshtrimit të tyre ndaj shteteve fqinje e që ishinë fuqi të kohës si Perandoria Bizantine, Bullgaria e Hungaria. Dëshmohet po ashtu se, që nga pushteti i Millutinit, në territorin e sotëm të Kosovës vendosen dhe rezidencat e përkohshme të sunduesëve Nemanjit, duke filluar nga ai, e më pas dhe pasardhësve të tij. Gjithashtu të dhënat na tregojnë se, vetëm pas vendosjes së pushtetit politik e administrativ nga Millutini në territoret e sotme të Kosovës do të vendoset dhe pushteti fetar. Kisha ortodokse sllave e Rashkës do të vendoset në trevën e Pejës diku rreth viteve 1292-1300. Dëshmi shtesë në këtë drejtim kemi dhe rindërtimin e kishave dhe manastireve ortodokse sllave në territorin e sotëm të Kosovës, që dihet se puna në to do të fillojë vetëm pas okupimit të vendit apo më konkretisht gjatë periudhës së sundimit të Millutinit e më pas. Vetëm gjatë shek. të XIV në territorin e sotëm të Kosovës do të rindërtohen: kishat përcjellëse të kompleksit të Pejës gjatë viteve 1321-1337 (si ajo e Shën Dimitrit, Odigitris, Arsenijës dhe e Shën Nikollës); manastiri i Shën Stefanit apo Bajska nga mbreti Millutin gjatë viteve 1312 deri më 1317: po ashtu ky Millutini rindërtoi edhe manastirin e Graqanicës në jug të Prishtinës aty nga vitet 1314/15; manastiri i Deqanit apo “Pantokratori” ngritet nga Stefan Deqani nga vitet 1327 deri 1355 të cilin e përfundon i biri Stefan Dushani i cili nga viti 1348 do ta ngritë edhe manastirin afër Prizrenit. Po ashtu duhet të dihet se, vetëm nga fillimi i shek. XIV, kemi të dhënat-shkrimet e para të administratës së Rashkës rrethë emrave të vendbanimeve dhe qyteteve të territorit të sotëm të Kosovës, përveç Lipjanit dhe Prizrenit. Qytetet siq janë: Trepça, Janjeva, Prishtina, Novobërda, Vrhllabi, Pauni, Svërqini, Nerodimje etj., që përmendën për herë të parë, pra gjatë shek. XIV, janë dëshmi shtesë që territori i sotëm i Kosovës vetëm nga kjo kohë do të ishte nën sundimin e tyre. Këto të dhëna dëshmojnë bindshëm se, vendet-qytetet ekzistonin qysh më herët, pra para okupimit të tyre nga Rashka. Qytetet në fjalë, sikur të ishin nën sundimin e Rashkës më herët psh. gjatë shek. XIII, sigurisht se burimet e kohës do ti shënonin aso kohe e nuk do të pritnin që ato të shënohen tek në shek. e XIV. Po ashtu, sipas të dhënave shihet qartë se, qendra e sundimtarëve nemanjitë vetëm gjatë shek. XIV do të vendoset dhe atë përkohësisht në territorin e sotëm të Kosovës. Këtej, që nga Stefan Nemanja e gjatë shekullit XIII, qendra e shtetit të Rashkës ishte Rasi (vendbanim mesjetar që tani supozohet të gjindet afër qytetit të sotëm Novi Pazari). Që nga pushteti i Millutinit kryeqendër do të shihet Shkupi. Këtej shihet se edhe kremtet e rëndësishme si martesa e Millutinit, kurorëzimi i Dushanit etj., bëheshin vetëm në Shkup, gjë që tregon se territori i sotëm i Kosovës nuk ishte qendër e përhershme e sundimit të tyre. Dihet se, edhe në kohën e despotit Llazar (fund shek. XIV dhe shek. i XV) qendra e Rashkës nuk gjindej në Kosovë, por kryeqendra e tij gjendej në Krushevc, në veri të Kosovës, e pastaj në Smederevë.
Përfundimisht, po e përsëris edhe njëherë, të gjitha të dhënat dëshmojnë se, territori i sotëm i Kosovës u okupua nga sundimtarët Nemanjit të Rashkës në vitin 1283 dhe se, territori do të jetë nën pushtetin e tyre deri në vitin 1371. Pra, sundimi i Rashkës në territorin e sotëm të Kosovës gjatë mesjetës do të jetë i përkohshëm dhe do të zgjatë 88 vite.
Në këtë drejtim, qëndrimet nacionaliste dhe pseudoshkencore të historiografisë serbe dhe shtetit serb që vazhdojnë edhe në kohën e sotme të paraqesin “argumente” historike se: Kosova që nga mesjeta “ishte tokë serbe”; Tokë “gjyshërore e atërore serbe”; “zemra e shtetit mesjetar serb”; “tokë e shenjtë”etj., janë vetëm konstruksione “shkencore-politike” të pa argumentuara nga shkenca e historisë. Botimi i qindra studimeve dhe librave “shkencore” që u krijuan nga historiografia serbe për historinë e Kosovës dhe për historinë e popullit shqiptarë të saj, karakterizohet me keqpërdorimin e realitetit historikë të vendit. Historiografia serbe duke u bazuar kryesisht nga dëshirat dhe nevojat e kohës, shkroi historinë e Kosovës duke u mbështetë në përrallat-tregimet popullore, legjendat dhe mitet gjithnjë duke i anashkaluar burimet shkencore. Mendoj se, pothuajse të gjitha shkrimet e kësaj historiografie, me ndonjë përjashtim të vogël, për historinë e Kosovës janë falsifikim.
Sa i takon historisë së popullit shqiptarë dhe historisë së Kosovës për të cilën bëmë fjalë, mendojë se në kohët e fundit janë arritur rezultate objektive. Për shtrirjen e vendbanimeve mesjetare shqiptare dhe për shtrirjen e popullit shqiptar në mesjetë, po flasim për shek. XIII-XIV, tani janë bërë hulumtime-studime e janë shkruar e botuar shumë artikuj nga studiues ndërkombëtar e kuptohet dhe shqiptarë. Në historiografi e edhe në atë të popujve sllavë sot vazhdon të zotërojë ende teza e L. Thalloczy, K. Jiriçek dhe e M.Shuflaj (të parashtruar që në vitin 1899 dhe e riformuluar më hollësisht në vitin 1913) se kufijtë etno-gjeografikë të Arbanonit mesjetar (Arbënia-Albania-Arbëria) në shekujt e sipërpërmendur, në bazë të dokumenteve që njiheshin deri atëherë, ndodheshin përafërsisht në katërkëndëshin e ashtuquajtur: Tivar-Prizren-Ohër-Vlorë. Sipas të dhënave dëshmohet se, Arbanoni politik shtrihej deri në Prizren me një ndërhyrje në veri-lindje. Mirëpo, me dokumentet e hulumtuara-zbuluara-studiuara më vonë, sidomos atyre të proveniencës së arkivave të Raguzës dhe të Stambollit, dëshmohet se, ekzistonte dhe pjesa tjetër e Arbanonit etno-gjeografik veri-lindor, që përfshinte hapësirën nga Prizreni dhe shtrihej në veri deri te Nishi (Naisus), e në lindje deri te Velesi (Bilazora) dhe Shtipi (Astibos). Kjo pjesë e trevave të Arbanonit dihet se, gjatë shek. X do të gjendet nën sundimin bullgar e që nga viti 1018 do të jetë prapë nën sundimin Bizantin. Ky territor për kohë të shkurtër do të gjendet gjatë shek. XIV edhe nën sundimin e Rashkës. Në fundshekullin e XIV tokat e Arbanonit-Arbërit verilindor u pagëzuan sipas toponimit të një vendbanimi me emrin Kosovë, që gjendej në afërsi të qytetit të sotëm Prishtinë dhe Novobërdë, ku kishte burime xeherore. Ky toponim filloi të marrë emërtimin gjeografik menjëherë pas Betejës së Kosovës të vitit 1389, që deri këso kohe nuk njihej fare si Kosovë, por si hapësira e Arbanonit-Arbërit etnogjeografik verilindor që njihej me emrin Dardania. Edhe burimet sllave mesjetare të shek. XIII-XIV, që i përmendim në këtë punim, në dy raste e përmendin apo e quajnë vendin – territorin e sotëm të Kosovës – Dardania apo viset e Dardanisë. Gjatë fund shek. XIV, dihet se territori do të bie nën sundimin e Perandorisë Osmane e cila do të mbajë ato për disa shekuj, më saktësisht deri në vitin 1912. Nga ky vit, Lufta e Parë Ballkanike, vendi do të pushtohet dhe do të ndahet ndërmjet disa shteteve fqinje, por në rastin tonë, dihet që territori i sotëm i Kosovës pushtohet nga Serbia dhe do të jetë, me pak përjashtime, nën okupimin e saj deri në luftën e fundit të popullit shqiptarë për çlirim të vitit 1998/99, kur populli i Kosovës me ndihmën e shteteve-fuqive ndërkombëtare do të fitojë pavarësinë.

Historiografia e ‘të tjerëve’ për Kosovën




Nga Flori Bruqi

Punimi shkencor “Historiografia serbe për Kosovën, XIII-XIX”, është libri më i ri i autorit Enver Rexha, i cili sjell një periudhë të gjatë kohore, duke filluar nga mesjeta për të përfunduar me vitin 1912.

“Historiografia serbe për Kosovën, XIII-XIX”, është libri më ri i autorit Enver Rexha, njëkohësisht ushtrues i detyrës së drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës. Një vepër, e cila i ka munguar bibliotekave të vendit tonë, pasi që nxjerr në sipërfaqe fakte dhe dëshmi të reja që hedhin poshtë ato që janë thënë deri më sot nga kundërshtarët. Autori në parathënien e këtij libri citon, “Mbështes fuqishëm një luftë ballkanike kundër falsifikuesve në histori-historiografi e përgjithësisht në shkencë. Pasqyra e rrejshme-falsifikimi për të kaluarën e vetë popullit-kombit, na çon në një rrugë qorre të historisë”.

Ky punim shkencor që i po i ofrohet studiuesve dhe opinionit të gjerë publik, është një përmbledhje e studimeve të shumë artikujve, punimeve dhe botimeve shkencore që kanë të bëjnë me historinë e Kosovës dhe popullit shqiptar. Punimi përfshin një periudhë të gjatë kohore, duke filluar nga mesjeta për të përfunduar me vitin 1912. Vet autori ka pohuar se në këtë vepër është munduar të përfshijë ato studime dhe dokumente që trajtojnë disa nga problemet më të rëndësishme të historisë sonë nga ana e historiografisë serbe dhe në rendin e dytë, ato të historiografisë vendore e ndërkombëtare.


Kjo shihet në ndërtimin e projekteve të mëdha nacionale e shtetërore, në argumentimet e tezave të dyfishta të etnogjenezës, autoktonisë dhe paraqitjet e së drejtës natyrore ose asaj historike, jo vetëm për territoret, por edhe për kulturën. Autori sjell fakte interesante rreth historiografisë serbe, që në fillimet e saj, e mbështetur nga qarqet shtetërore duke shfaqur qëllime imperiale në raport me jo të tijën, historinë, historiografinë dhe trashëgiminë kulturore të fqinjëve. Vepra në fjalë do të tregojë se çfarë nuk është shkruar dhe çfarë nuk është thënë, pothuajse në të gjitha veprat dhe shkrimet e historiografisë serbe deri më tani, për historinë e Kosovës dhe popullit të saj, shqiptarët.

MITI SERB PËR KOSOVËN




enverrexha@gmail.com

Duke u nisur nga faktet - të dhënat historike, kuptohet se e tërë historia e ekspansionit Osmanë në Ballkan gjatë pjesës së dytë të shekullit XIV dhe atij XV, ka qenë një histori e bashkëpunimit të tyre me sundimtarët vendës të krishtere. Kështu ndodhi që shumë historianë të besojnë se fitorja më e hershme turke buzë lumit Marica në Bullgari në vitin 1371 ka pasur shumë pasoja të rënda dhe të mëdha për regjionin e Ballkanit. Pikërisht, pra, kjo ishte hapja e rrugës për pushtimin e përgjithshëm osman të Ballkanit. Këtej si pasojë do të rrjedhin edhe luftëra të tjera në këtë drejtim po të atij karakteri e me rëndësi për çështjen tonë që e shqyrtojmë është Beteja e Kosovës (1389), një çështje që u trajtua më lart dhe mitin serb që lindi mbi bazat e kësaj ngjarjeje historike nëpër kohë dhe vazhdon të jetojë edhe sot në historiografinë serbe dhe popullin serb. Duhet ritheksuar se Beteja e Kosovës ishte një nga përpjekjet e popullatës vendëse “aleancës së popujve” ballkanikë kundër pretendimeve osmane në Ballkan. Duke folur mbi Betejën dhe duke ofruar burime lidhur me atë ngjarje, si ato të krishtere, po ashtu osmane, italiane etj., dhe literaturën historike që përkitazi me këtë ngjarje rrjedh nga kohë më të vonshme, kemi theksuar se nuk mund t’iu besohet shumë. Por nga ajo që mbetet të besohet është se aleanca e popujve të krishterë pësoi në këtë Betejë disfatë të plotë nga osmanët. Që nga koha e zhvillimit të Betejës, po ashtu të dhënat tregojnë dhe vërtetojnë se osmanët vërshuan në veri dhe në perëndim të Ballkanit duke nënshtruar trevat e saj, në fillim duke ju mjaftuar me krijimin e një vargu “shtetesh” të vogla nën vazalitetin e tyre të plotë. Por nga të gjitha të dhënat lidhur me zhvillimin e Betejës dhe ngjarjen është më e rëndësishmja, njëkohësisht dhe me e çuditshme ajo se si ngjarja hyri në ndërgjegjen dhe vetëdijen e popullit serb. Tek serbët Beteja e Kosovës, siç do të shohim, nuk hyri si ngjarje historike, kuptuar thjesht me gjithë zhvillimet dhe rrjedhojat politike të saj, por si ngjarje e përshkruar nga legjendat që do të krijohen në mit dhe krejt ato që do bë mbijnë disa dhjetë vjet dhe shekuj më vonë. Është për t’u theksuar se miti serb për Kosovën nuk pushon ndërkohë, mirëpo formën e plotë dhe zhvillimin e saj e arrin tek në shekullin XIX e XX, e që ekziston edhe sot, si tek populli dhe intelektualët si dhe tek historiografia serbe të cilët e përdorin me qëllime të caktuara.
Çka është miti? Miti është lloj i veçantë i krijimtarisë gojore popullore, rrëfenjë për qenie të mbinatyrshme, për heronj legjendarë, për ngjarje e dukuri të çuditshme, ku pasqyrohen parafytyrimet primitive të njerëzve, për prejardhjen e botës e të jetës mbi tokë, për natyrën dhe shoqërinë; rrëfenjë e trilluar për diçka që nuk ka qenë e nuk është në të vërtetë, përrallë, legjendë. Mitet, megjithëse janë trillim, ato tregojnë dhe shpjegojnë të kaluarën dhe parimet e bashkësive përkatëse të institucioneve, të zakoneve dhe të zhvillimit shoqëror. Mitet janë më të vjetra se tregimet, ato janë pjellë e fantazisë, kurse tregimet historike mund të kenë mbështetje edhe në realitet. Në rrethana të ndryshme shoqërore gjatë historisë, mitet kanë pasur modifikime të shumta, ato mund të kenë kuptimin religjioz, laik – jofetar, historik, shoqëror etj. Miti dhe mitologjia nuk tregojnë gjithmonë e në çdo rast edhe shkallën kulturore të individit ose të mjedisit, ku ajo ende është e pranishme, megjithëse parimisht ajo është shenjë prapambeturie ose varfërie shpirtërore, ideore. Sot mitologjinë e luftojnë shumë shkencëtarë. Këtej në të sotmen rëndësia e Kosovës në “ndërgjegjen kombëtare” të serbëve nuk ka të bëjë vetëm me Betejën e Kosovës dhe mitin për atë Betejë. Serbët janë të prirë që Kosovën ta mbajnë për “vend të shenjtë” të tyre duke u ushqyer me ndjenja nga tri burime: Nga “Beteja vendimtare” e Kosovës; Nga kujtesa e “bërthamës” së mbretërisë së tyre mesjetare dhe nga “trashëgimia kulturore” (kishat dhe manastiret) e asaj kohe. Pa marrë parasysh se sa pak kanë të bëjnë miti e legjenda me faktet historike, ato për serbët patën dhe do të kenë një rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë drejtim do të mundohemi të shpjegojmë si dhe pse dhe për çfarë qëllimesh u sajua ky mit. Në rend të parë do të theksonim që të gjitha dëshmitë që kanë të bëjnë me Betejën e Kosovës dhe e gjithë ajo që ka arritur deri në ditët e sotme, duhet të kuptohet se kanë qenë nën ndikime të ndryshme fetare, letrare dhe politike gjatë shekujve.
Populli i Rashkës qysh nga mesjeta, kuptohet të kishin hyrë në jetën shpirtërore të ortodoksizmit shënsavijan. Kushtimisht theksuar, që nga kjo kohë do të merret karakteri nacional, që sigurisht në këtë ndikonte lidhja e afërt e interesit të shtetit dhe të kishës. Qysh në kohën e nemanjëve, ishte formuar motivi biblik për shenjtërinë e lozes së sundimtarëve, që populli e pranoi dhe e kuptonte atë si kult fetar, detyrë tradicionale dhe metodë që në momentet e rrezikut, të mbrohet në rrethin e kultit të saj. Tema kryesore e shkrimeve më të vjetra të dala viteve dhe decenieve të para pas Betejës së Kosovës (1389), kryesisht kishtare ishte heroizmi i Llazarit dhe ushtarëve të tij, humbja e të cilëve në luftë me turqit ka kuptimin e ndërmarrjes së mundshme për fenë dhe lirinë. Ndër shkrimet më të vjetra pas Betejës, është ai që dëshmon për shpejtësinë dhe zgjerimin e kultit për martirizimin e Kosovës dhe ngritjes së kultit ortodoks për Llazarin. Po ashtu, filli i kultit ortodoks për Llazarin do të shihet qysh në rastin kur kufoma e tij rivarroset në manastirin Ravanicë (të cilin vetë e kishte themeluar) në mes Nishit dhe Beogradit. Kjo ngjarje ndodhi një vit pas Betejës dhe qysh aso kohe filluan të shkruhen tekste religjioze që atë e shpallin martir, dhe krijohet një liturgji e veçantë për festimin e 15 qershorit (1389 – E.R.). Disa nga shkrimet religjioze, shihet për nga përmbajtja e tyre që përmbajnë traditën e fuqishme të “shenjtërisë mbretërore” e duhet të themi se përkujtimet mbi Llazarin përbëhen kryesisht nga “recitale” ku përshkruhen virtytet dhe arritjet e tija të larta. Shkrimet e para që shihen të jepen mbi Llazarin gjatë shekullit XV në përbërje tematike me përmbajtje kronologjike të ngjarjeve janë të rëndësishme për vazhdimin e njohjes së mëtejmë të “idesë” – ‘’serbe’’ mesjetare. Duke pasur pikën nismëse dhe mbështetjen e fortë të traditës së shkruar “kisha serbe” e mbante, zhvilloi dhe e shpjegonte përmes manastireve dhe qendrave të tjera fetare “idenë” mbi Kosovën, që merrte gjithnjë e më tepër karakteristika më të gjera në vetëdijen popullore. Tradita tregimtare popullore i mori elementet bazë mbi “idenë” e Kosovës nga shkrimet kishtare dhe krijoi nga ajo bazën e vet për zhvillimin e mëtejmë të epit dhe kronikës gojore. Në këtë drejtim, ngatërrimin e burimeve të vlefshme historike me elementet e traditës popullore mund ta shohim siç theksuam nga fillimet e shkrimeve që nga përkthimi nga italishtja të historisë së J. Dukës, e duke vazhduar edhe te shkrimet e L. C. Tuberoni, M. Orbini dhe J. Llukareviqi. Edhe dorëshkrimi i autorit të panjohur “tregimet mbi Betejën e Kosovës” pa mëdyshje paraqet një kompilim mirë të menduar që në shkrimin e tij shihet se ka përdorur të dhëna nga Orbini por edhe legjendën, të dhënat nga tradita dhe kënga popullore.
Me rëndësi është të theksohet se motivi i tradhtisë, si njëra ndër legjendat që lidhet me Betejën e Kosovës fillon të paraqitet që nga autorë të përmendur. Kështu në shkrimet më të reja si në kronikën e “Studenicës” dhe “Cetinës”, vetëm flitet për tradhtinë e njërit nga udhëheqësit e Betejës që kishte ndikuar edhe në humbjen e luftës e tek në fund të shekullit XV në “kronikën turke” të K. Mihajloviqit nga Ostrovica, do të shohim se tradhtia lidhet me një grup të njerëzve dhe për shkak të tradhtisë dhe mospajtimeve nga njerëzit e ligë lufta u humb. Në këtë drejtim, motivin e tradhtisë për emrin e Vuk Brankoviqit e lidhi i pari, M. Orbini. Lidhur me mundësinë e tradhtisë është folur shumë, që më në fund edhe lidhet për emrin e Vuk Brankoviqit. Duke komentuar këtë çështje, S. Çirkoviq thekson se sipas stilizimit të të dhënave për tradhtinë e tij, ato duket se kanë mundur të dalin nga burimi i shkruar, por burime të tilla nuk ka apo nuk janë ruajtur. Për tradhtinë e Brankoviqit përveç Orbinit e përmendin edhe shkrime të tjera, si: J. Llukareviq, kronika e Brankoviqit, Perashtanini i panjohur, kronika e Podgoricës si dhe të gjitha tekstet e mëvonshme dhe këngët popullore. Motivi i heroit dhe i tradhtisë që paraqitet një kohë të gjatë në të gjitha shkrimet e mëvonshme të autorëve të ndryshëm, do të vazhdojë gjatë. Në këtë drejtim është me rëndësi edhe personi apo figura që e mbyti Muratin. Sipas K. Filozofit, vrasës i Muratit është një njeri i shquar; sipas Oruçit, ai është një beg nga kundërshtarët e fuqishëm të krishterë; sipas kronikës së Bogdanit “Kronikës bullgare” një ushtar trim etj. Të huajt para shkruesve serbë do të përmendin emrin e tij si bizantinasi Halkokondili dhe Ashik Pasha Zade nga historianët turk. Kështu K. Mihajloviq në fillim të shekullit XVI do të thotë se vrasësi i Muratit është Millosh Kobiliq dhe e dhëna doli më tepër se 100 vjet pas Betejës. Në tregimet e mëvonshme figura e Milloshit paraqitet “si luftëtar i fortë, i mirë, i arsyeshëm dhe me vlerë”, duke e ruajtur njëherit dy mbiemrat e tij, edhe Kobiliq e edhe Obiliq. Mirëpo, duhet pasur parasysh se kulti i Millosh Obiliqit mund të “vërtetohet” vetëm nga të dhënat popullore. Traditën e rikujtimit të Kosovës si dhe kultit të Llazarit kisha do ta vazhdojë ndërkohë. Kulti i krijuar mbi Llazarin dhe “idenë e Kosovës” një kohë të gjatë do të vazhdojë të zhvillohet në Manastirin Ravanicë. Të dhënat tregojnë se në fund të shekullit XVII vetëm Ravanica ishte apo mbeti vendi që e festonte kultin e Shën Llazarit. Disa kisha mund të kenë rikujtuar datën e 15 qershorit (më 28 qershor sipas kalendarit bashkëkohor) në shenjë të ditës së Shën Vitusit (“Vidovdan”) që në kalendarin zyrtar të kishës kjo ditë i ishte kushtuar profetit Amos të Dhjatës së Vjetër, kështu që vetëm në shekullin XIX, Shën Vitusi – Vidovdani formalisht filloi të figuronte në kalendar. E tërë ideja, pra, e kremtimit fetar dhe kombëtar serb e kësaj date është trillim i shekullit XIX. Tradita e epikës popullore si njëra më e rëndësishmja për serbët që mbështet krijimin e mitit serb mbi Kosovën vështirë se mund të merret si dëshmi për ngjarjet historike për të dhënat që ofrojnë. Shembull për këtë shiko figurën e Markut (Kraljeviq Marko, kur dihet se ky ishte vazal i Muratit I në Betejën e Kosovës) e cila këtë figurë e paraqet më të rëndësishme, ndoshta se edhe vetë Llazari apo Millosh Kobiliqi, të cilët luftuan dhe ranë në luftë kundër turqve. Për më tepër vlen të konsultohen punimet të cilat janë përplot me qëndrime të tilla. Në këtë drejtim të gjitha burimet historike serbe tregojnë se Marku ishte vazal i sulltan Muratit I dhe kishte marrë pjesë në Betejën e Kosovës më 1389 dhe kishte luftuar por në anën e turqve, bashkë edhe me disa sundimtarë të tjerë të krishterë.
Kështu “tradita e Kosovës” përveç ngritjes dhe rolit të madh që i kushton Llazarit që zakonisht mbivlerësohet në këtë drejtim edhe figurat tjera me rëndësi që i paraqet si individë në ngjarje historike, si Millosh Obiliqi, Jugoviqët etj., janë të ndërtuara sipas gojëdhënave dhe këngëve popullore duke përshkruar kështu veprimtarinë e tyre e cila shihet plotësisht e pambuluar nga ana e burimeve historike, pra është vetëm imagjinatë kreative. Pra, kjo “traditë” nuk mund të merret si një e vërtetë objektive e ngjarjeve, ajo është dhe do të mbetet një pasqyrim artistik, shfrytëzimi i së cilës kërkon gjithnjë një ballafaqim me të dhënat e burimeve historike. Këtej, letërsia artistike serbe e mbushur me retorikë siç thekson një autor serb, është aq e varfër dhe e zhveshur nga të dhënat e vërteta për Betejën e Kosovës, sa nuk mund të shërbejë si burim historik. Duke parë se në Serbi gjatë shekullit XIX, kryesisht kah fundi i shekullit, historia mësohet nga këngët popullore kishin reaguar dhe tërhiqnin vërejtjen studiuesit I. Ruvarac dhe L. Kovaçeviq (themelues të kritikës së historisë në Serbi). I. Ruvarac boton një studim për “Llazarin” ku i hedh poshtë plotësisht të dhënat nga tradita popullore dhe këngët epike që synohej të paraqiteshin si burime historike mbi ngjarjen, por kuptohet se ky asokohe sulmohet ashpër nga J. Tomiq dhe shumica e intelektualëve serbë të asaj kohe. I. Ruvarac (1832-1905) u linte porosi të drejtë gjeneratave serbe të flisnin qartë që nuk dinin asgjë për Milloshin (Obiliqin – E.R.). J. Tomiq e vlerësonte poezinë dhe traditën popullore si burim historik shumë të besuar. Në mënyrën e të kuptuarit romantik, ai i pakënaqur me zgjedhjen e këngëve mbi Kosovën, të cilën e kishte bërë S. Novakoviq, vetë i zgjodhi këngët dhe i botoi por duke intervenuar në ato, aty ku ai kishte menduar se duhet. Pasi që ishte sulmuar nga kritika, J. Tomiq kishte dhënë përgjigje: “Mbytjani dikujt të kaluarën e tij, me këtë ia keni rrezikuar ardhmërinë”. Është me rëndësi të theksohet se popullata serbe e Kosovës tek në gjysmën e dytë të shekullit XIX dhe atë kah fundi i shekullit filloi të dinte për “traditën” dhe historinë e ngritur mbi Kosovën. Traditën mbi Kosovën e sjellin dhe e shpërndajnë tek serbët (sllavët, E. R.) e Kosovës priftërinjtë dhe mësuesit të ardhur nga Serbia, numri i të cilëve në fund të shekullit ishte rritur shumë. Librat nga Serbia u dërgoheshin ‘’popullit serb’’ në Kosovë që nga viti 1969, posaçërisht në këtë drejtim veçohen librat historike të punuara në hijen e romantizmit dhe të nacionales, tekste të cilat përmbanin më së shumti këngë historike popullore të ngritura mbi “idenë e Kosovës”. Se në të vërtetë popullata e paktë serbe (sllave, E. R.) në Kosovë nuk dinte asgjë lidhur me mitin mbi Kosovën, vërteton edhe autori nga Rusia, A. Gilferding. Ky gjatë gjysmës së shekullit XIX vizitoi Kosovën e duke mbledhur dhe hulumtuar të dhënat për historinë e saj, tregon se, në Kosovë në Nerodimje nuk këndohen këngët për Millosh Obiliqin dhe Llazarin. Duke pasur parasysh ndikimin e traditës dhe epikës popullore që kishte të merr karakter të veçantë në dijen kombëtare historike të serbëve, më së miri e shfrytëzuan shkrimtarët nacionalistë dhe ideologët kombëtarë, krijues të Serbisë gjatë shekullit XIX. Shekulli XIX ishte periudhë kur po krijoheshin identitetet kombëtare në shumë vende të Evropës. Kështu edhe Serbia duke luftuar në atë drejtim lindi-projektoi ‘’idenë’’ për të formuar një territor kombëtar të pavarur sa më të gjerë. Ideja e një lufte të organizuar për pavarësi do të zhvillohet asokohe tek serbët mbi “mitin kombëtar” tani të krijuar “ideja e Kosovës” e cila njëherit ju kujtonte atyre ‘’shtetin mesjetar – Mbretërinë e Nemanjëve. “Beteja e Kosovës” me heronjtë e saj të cilët kishin luftuar po kundër osmanëve, dhe me ngritjen e kultit të Llazarit e luftën “e shenjtë” të tij. Të gjitha elementet mbi mitin e Kosovës që do të krijohen gjatë fundit të shekullit XIX më i rëndësishmi do të del ai, “përbetimi i Kosovës”. Këtu bëhet fjalë për idenë e Llazarit që i qe ofruar mundësia të zgjedh a po e do mbretërinë tokësore apo hyjnore, kurse sipas saj ky zgjodhi atë të fundit. Ky vendim u quajt edhe si “marrëveshja me Zotin” dhe se serbët e konsiderojnë veten si “popull hyjnor”. Në traditën e folklorit popullor, këto të dhëna paraqiten në formë të këngës me titull “Rënia e perandorisë serbe”. Duke u bazuar në tekstet liturgjike rrjedh edhe e dhëna “a nuk është më mirë të vdesësh me lavd, se sa të jetosh me turp?”. Nga kjo që u tha, problemi në fjalë tek serbët në fund shekullin XIX çështja do të lidhet me ideologjinë kombëtare serbe e cila qëndrimet e tilla filloi t’i manipulonte dhe në interesat e shtetit serb, që njëherit qëllimet ishin për ekspansionin territorial të tyre për një “mbretëri tokësore” – ç’është e vërteta, ata mbi të gjitha janë të interesuar që të shtrihen (okupojnë – E.R.) në vetë Kosovën. Sipas një historiani serb: “Përbetimi i Kosovës” – zgjedhja e lirisë në “Perandorinë hyjnore” në vend të përuljes në robëri, në botën e përkohshme, mbetet ende një hallkë e përhershme që i frymëzon serbët me ndjenjën e etnitetit kombëtar”. Serbia për historinë mesjetare ka prodhuar një trashëgimi të pasur të epikës popullore, në poezi e këngë, si dhe të përkthimit të ngjarjeve në këso lloj trajtesash mitologjike, fill pas ndodhjes së tyre rëndom të kriposura me erëza të bollshme teatrale dhe të ndërlikuara me temat aktuale të ditës, me synim argëtimi dhe aktualizimi. Qyshdoqoftë “miti nacionalist” për Betejën e Kosovës që e njohim sot në kundërshtim me dokumentimet për përleshjen nuk është epikë mesjetare; ai nuk lindi në kohën e këtyre ndodhive, as nga tradita gojore arkaike ‘’serbe’’, por ishte përftesë e mëvonshme. Çkado, apo cilado qofshin të dhënat për Betejën e Kosovës, më me rëndësi është se ato më vonë mbështesin “idenë e Kosovës”, pra mitin serb të krijuar, si kushtrim më i madh për kombin serb dhe thirrje për domosdonë e hakmarrjes (kupto formimin e Serbisë së Madhe ku në rend të parë përfshihet okupimi i territorit të Kosovës – E.R.). Humbjet, kryesisht ato me rëndësi të madhe, tradicionalisht janë arsyetuar me motivin e tradhtisë. ‘’Serbët’’ nuk do të humbnin as “mbretërinë” në Kosovë, sikur të mos ishte “tradhtia” e Vuk Brankoviqit. Këto motive i gjejmë kryesisht tek memoaret në shekullin XIX të cilët ndihmuan në fillimin e përgatitjes së kryengritjes serbe. Shkrimtarët nacionalistë si dhe krijuesit e kombit të këtij lloji me shkrimet dhe qëndrimet e tilla do të veçohen ndër të parët serbët e shkolluar nga Vojvodina – Austro-Hungaria. Këta në të gjitha aspektet do ta ndihmojnë Serbinë si në ngritjen e vetëdijes, mënyrës së të menduarit, zhvillimin e arsimit, ndërtimit të vendit si dhe angazhimin në sferën politike, me një fjalë udhëheqjen nacionale e politike të rindërtimit të shtetit serb. Ndër ta veçohen vëllezërit Telemakë, D. Obradoviq, I. Jugoviq, mitropoliti i Karllovcit S. Stratimiroviq e të tjerë. D. Obradoviq duke ndihmuar kryengritjet serbe të viteve 1806-1807 ndihmoi në thirrjen e popullit në proklamatën mbi unionin ruso - serb në luftën e përbashkët kundër turqve. Ky duke luftuar me kthimin moral dhe psikologjik tek serbët, ardhmërinë e shihte edhe në ndërtimin e poezisë popullore dhe të dytën traditën gojore të idealizuar për të kaluarën e ‘’shtetit të vjetër serb’’, por ndaj kërkesave të kohës së re. Në këtë drejtim edhe V. Karaxhiq do të bëjë një punë të “çmuar” në mbledhjen e krijimtarisë gojore të popullit serb. Karaxhiqi i ndihmuar nga qeveria dhe njëkohësisht i kompensuar, ishte ideator dhe kreator i planeve për rilindjen e arsimit dhe të kulturës së popullit serb. Duke u angazhuar në punën nacionale, ai e shihte të nevojshme që shkollat në Serbi duhet “krijuar librat shkollore më të mira, sipas modeleve evropiane, që edhe serbët e tjerë (në vendet e tjera) të pranojnë nga ne (librat, E. R.), si nga ëma e tyre e jo të marrin prej tjerëve”. “Puna nacionale duhet të zhvillohet me propagandë të shëndoshë nacionale që do të arrihej në dy mënyra: duke studiuar historinë – së bashku me prodhimtarinë gojore të krijuar nga populli: këngët popullore, tregimet dhe folklori - duhet përkthyer në gjuhë të huaja që populli i arsimuar i Evropës të njoftohet me popullin serb, të kaluarën e tij dhe kulturën”. Duke punuar në projektimin e “Serbisë së Madhe”, Karaxhiq me Serbi nënkuptonte, territorin nga Sharri deri te Sava e Danubi dhe nga Timoku në Drin. Ai në veprat e tija në shkrimin “Serb të gjithë dhe gjithkah” tregon shtrirjen e popullatës serbe: “Në të vërtetë dihet se serbët jetojnë në principatën serbe, “Metohi”, Bosnje e Hercegovinë, Zetë, Mal të Zi, Banat, Baçkë, Srem, Osijek deri në Sent-Andrej, Slloveni, Kroaci, Dalmaci dhe në gjithë hapësirën bregdetare nga Trieshti deri tek Bojana (Buna afër Shkodrës). Duke bërë ndryshimet për këto shkrime ndërmjet Serbisë së Madhe dhe gjithë serbët, autori I. Pilar erdhi në përfundim duke vërtetuar se serbët donin “të marrin dhe serbizojnë gjithë sllavenët e Ballkanit”. Tek Karaxhiq kishte lindur qe një kohë dëshira për mundësitë e shtetit të ri shekullor serb në hapësirën e mbretërisë së Dushanit dhe në perspektivën e largët edhe rikrijimin e tij. “Kur grekët morën Thesalinë, Shqipërinë dhe Epirin; edhe unë kisha me ndërhy në Bosnjë e Hercegovinë dhe Bullgari deri te Koxha Ballkani: kjo është krejt serbe, ndërsa rreth Shkodrës kemi me u rrah më vonë me grekët, sepse nuk është e drejtë që ata të kenë aq shumë det, e ne askund asgjë. Qeshni ju me mua derisa të kënaqeni, por kini parasysh që juve më pastaj grekët të mos ju përqeshin, ndërsa pasardhësit juve të mos u fajësojnë”, i tërheq vëmendjen V. Popoviqit në letrën dërguar më 27 mars 1827. Vuk Karaxhiq në rrethin e kulturës dhe Ilija Garashanin në udhëheqjen politike të shtetit, sajojnë, formojnë definitivisht programin nacional serb. Autori i memoarit (K. Nikollajeviq) të ashtuquajtur “Shtetet e bashkuara serbe” (Srpskim s jedinjenim dr`avama) ishte përfaqësuesi serb në Stamboll. Ky i bindur se Turqia nuk do të dalë nga kriza gjatë pjesës së parë të shekullit XIX propozon që: “Serbisë t’i bashkëngjitet Bosnja, Hercegovina, Mali i Zi dhe Shqipëria e Epërme (Serbia e Vjetër) [...]”.
Tekstet që do të botohen nga autorë të ndryshëm serbë, që janë krijime të reja, që merren me studimin e historisë së Kosovës gjatë shekullit XIX, krijuan dhe zhvilluan nacionalizmin modern serb. Përveç shkrimeve mitologjike mbi Betejën e Kosovës (1389), po ashtu shihet se, shkruhet edhe për “shpërnguljen e madhe” të ‘’popullit serb’’ nga Kosova në shekullin XVII, kur dhe lindin qëndrimet se, kinse “toka” nga kjo kohë do të okupohet nga fiset shqiptare nga veriu i Shqipërisë. Miti nacionalist i historiografisë serbe mbi Kosovën, zhvillohet siç theksuam, gjatë shekullit XIX dhe atij XX në një shkallë më të gjerë duke marrë forma të reja e të ndryshme dhe gjithnjë duke qenë objekt propagande, në rend të parë, në mënyrat se si i përgjigjej politikës zyrtare e shtetërore të Serbisë. Nga shkrimet dhe qëndrimet e tilla të historiografisë serbe hartohet edhe programi kombëtar serb “Naçërtanija” nga kryeideologu i nacionalizmit Ilija Garashanin në vitin 1844. Programi në fjalë do të mbështetet nga politika shtetërore dhe kisha serbe gjatë gjithë kohës për të realizuar aspiratat për “Serbinë e Madhe”, ku kuptohet se përfshihej përveç territorit të Kosovës edhe gjithë Shqipëria Veriore. Asokohe duke u mbështetur në mitin mbi Kosovën dhe për t’i dhënë politikës së tyre një peshë akoma më të madhe, serbët e “zbuluan” e “shpikën” dhe termin “nacionalist” për territorin e Kosovës “Serbia e Vjetër” (Stara Srbija), emërtim ky “i ri” për Kosovën dhe territoret përreth që përshëndetej nga qarqe shkencore e politike serbe të kohës. Ky emërtim “gjeografik” figuron për herë të parë nga viti 1845 në “Hartën e Principatës së Serbisë” që u shtyp në Beograd. Ky emërtim për Kosovën nga kjo kohë do të vazhdojë të përdoret nga të gjithë historishkruesit, shkrimtarët, politikanët dhe publicistika serbe, kryesisht deri në gjysmën e dytë t shekullit XX, por për një pjesë të madhe vlen e përdoret edhe në ditët e sotme. Këtë emërtim e mbështeste dhe e pranonte edhe shkenca sllave – ruse të cilët shkruan shumë artikuj për “Serbinë e Vjetër” si për “vendlindje të serbëve”, vend me “trashëgimi të plotë të monumenteve fetare prej të cilave nuk heq dorë asnjë serb”. Këso kohe historiografia serbe do të punojë mbi krijimin e mitit “të ri” mbi Serbinë e Vjetër e cila do të paraqet dhe konceptoj shtrirjen e saj: kjo nënkupton Kosovën dhe Rrafshin e Dukagjinit; nënkupton Kosovën dhe Maqedoninë, d.m.th. një pjesë të madhe të ‘’Mbretërisë së Dushanit’’; nënkupton ‘’Mbretërinë e Stefan Dushanit’’ në kohën kur ajo kishte shtrirje më të gjerë, prej Shkodrës dhe lumit Shkumbin e deri tek kufijtë e Mbretërisë Bullgare, dhe prej Pribojit e deri në Manastir. Asokohe me çështjen e ‘’Serbisë së Vjetër’’ do të jepen shumë mendime nga shumë autorë të historiografisë serbe dhe do të bëhen shumë pazarllëqe lidhur me përfshirjen e territoreve të saj. Disa mendojnë se zanafilla e ‘’Serbisë së Vjetër’’ fillon te Nemanja, themelues i Dinastisë mesjetare të Rashkës – nemanjëve, e disa të tjerë nisen nga Llazar Hrebljanoviqi apo knez Llazari i cili në Fushë të Kosovës e ka dhënë jetën duke e mbrojtur “Serbinë e Vjetër” prej pushtuesve turq. Ka edhe mendime se ‘’Serbinë e Vjetër’’ duhet kërkuar nga lashtësitë (antika – E.R.) për ta bërë më të fortë qëndrimin mbi të, dhe atë qysh nga ‘’koha e periudhës romake, sepse që nga ajo kohë në Ballkan ka vendbanime serbe’’. Duke mos u ndalur në veprimtarinë e tyre pseudoshkencore e propagandistike të ndërtuar mbi baza të mitit serb për Kosovën, autorët serbë do të vazhdojmë më tutje duke forcuar sajimin e tyre “Serbia e Vjetër”, nocion ky që siç thamë, përdoret për Kosovën “që do t’i përkushtohen qindra faqe punimesh e kuptohet se qëllimi ishte që nga kjo” mitologji do të mvarej Serbia në të ardhmen, se a do të jetë e vogël siç ishte, apo e madhe siç imagjinohej.
Qëndrimet e tilla të shumta e të ndryshme mbi Kosovën që rrjedhin nga propaganda “shkencore” e Akademisë Serbe të Shkencës dhe politikës ditore serbe, e ndërtuar mbi bazat e “mitit nacionalist mbi Kosovën”, do të kishin qëllimet e veta. Edhe tani kjo propagandë nuk heq dorë nga qëndrimet se: “fati i Kosovës mbetet çështje jetësore e tërë popullit serb”; “përcaktimi gjithë serb i Kosovës”; “në Fushë të Kosovës, në ‘zemër të Serbisë’, para gjashtë shekujsh ‘Serbia’ e mbrojti veten dhe Evropën”; “Kosova – simbol i shtetësisë dhe i kulturës serbe – diçka si tokë e shenjtë e popullit serb”; “Aty qëndrojnë kishat serbe, varret tona, monumentet tona, e tërë historia jonë”; “Kosova është pragu i parë i Serbisë”; “Kosova është serbe dhe si e tillë duhet të mbetet”; “Kosova është tokë serbe për të cilën kurrë nuk mund të flitet ndryshe, përveçse për tokë serbe të shenjtë”; “Në Kosovë më 1389 u shpartallua ‘mbretëria serbe’ [...] se Kosova u bë shqiptare pas shpërnguljes së madhe ‘serbe’ pas vitit 1690 [...]”etj.
Përqendrimet e sipërtheksuara, sipas meje, nuk donë koment. Arsyeja është se, historia flet ndryshe për ata që duan të jenë objektiv. Këto qëndrime dhe shkrime të historiografisë serbe të cilat krijuan mitin mbi Kosovën, mendojmë se janë të paqëndrueshme, qëllimkëqija e nacionaliste dhe janë të dëmshme për shqiptarët dhe për popujt fqinjë ballkanikë e më gjerë.
Ngjarjeve që mbetën ndër më të rëndësishme për ‘’historinë e vjetër ‘serbe’ nga vdekja e Dushanit, Beteja e Kosovës e më pas’’, janë përshkruar gati gjithherë ashtu si ai populli vetë për vete i nxori nga harresa historike. Pa dyshim këtë e kanë bërë nga mungesat e të dhënave historike për periudhë të gjatë kohore, duke u mbështetur në atë dhe nga tregimet të cilat janë për ato ngjarje shpejt të krijuara duke përfshirë edhe popujt fqinjë, duke i lidhur edhe me fatin e asaj që sot ndodh në Serbi. Por, pavarësisht nga këto “tradita kosovare” në shkrimet e tyre mbeti që nga fillimi e pakonsultuar me kritikën historike, depërtoi deri në ditët e sotme, gjithherë në vendin e caktuar në ngjarjet me rëndësi, shumë më e fortë, më e qëndrueshme dhe variante të ndryshme, me kohë shumë më e fortë “si një xhevahir i rrallë që shkëlqen” e krejt kjo në punime të autorëve tmerrësisht të dyshuar. Paraqitja e një numri të madh autorësh të cilët nuk pyetën shumë prejardhjen e arritjeve të tyre, thonë se, ashtu siç edhe kanë thënë se kjo “traditë” që i ka vënë bazat për një periudhë të gjatë në historinë serbe, ka lënë në errësirë, mjegull, një pjesë të kësaj historie e cila edhe sot është vështirë të trajtohet dhe të përmirësohet.
Për fund, miti i krijuar-konstruktuar për Kosovën u vërtetua e argumentua që u ndërtua nga autorë nacionalistë të historiografisë serbe me mbështetjen edhe të kishës ortodokse serbe e politikës qeveritare serbe gjatë fundit të shek. XIX dhe gjatë fillim shek. XX. Miti si i tillë, cilësohet nga historiografia e përgjithshme, si krijim-vepër e dëmshme që çoi në ashpërsimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërkombëtare të popujve të Ballkanit e më gjërë. Ardhmëria e popujve shihet në studimet reale të historisë së popujve. Tani në shekullin XXI, krijimi, mbështetja, thirrja në Mite – mitologji, nuk shkon, nuk kalohet, nuk pranohet me arsyen e shëndoshë se ka ardhur, më në fund, koha e paraqitjeve reale të të gjitha historive nacionale.

Enver Rexha: HISTORIOGRAFIA SERBE PËR KOSOVËN (XIII – XIX), Prishtinë, 2009, f. 487

Historiografia për emrin Kosovë – Kosova


Nga Dr. sc. Enver Rexha


Emri është elementi i parë i identitetit të njeriut, kombit, vendit, e po ashtu edhe i shtetit. Pasi që bëhet fjalë për emrin e shtetit tonë “Kosova”, fillimisht dua të them se, nuk di si të ndihem sot, krenar i zhgënjyer apo i nevrikosur, e po ashtu, nuk di si ndihen studiuesit tjerë si, historianë, gjeografë, gjuhëtarë etj., kur shkruajmë dhe e përdorim emrin në punime të ndryshme e nuk e kemi ende të qartë kuptimin apo prejardhjen e tij.
Rreth kësaj që u tha më lartë, kisha për të shtuar dhe at se, të habit fakti që deri më sot, kemi shumë pak rezultate, studime nga studiuesit shqiptar të Kosovës që janë marrë me këtë çështje. Kureshtja ime që të merrem me këtë punë nis nga dy arsye. E para, kur disa muaj më parë lexova në gazetën ditore punimin e botuar të historianit Qazim Namani me titull “Fusha e Kosovës – Fusha e Kështjellave”, i cili emrin “Kosova” e nxjerr me prejardhje nga gjuha shqipe. E dyta, kur pak javë para shpalljes së Pavarësisë së vendit, mjetet tona të informimit, si televizioni e gazeta ditore, paraqiten intervista të marra nga studiues e politikan vendor ku shtrohej pyetja: se nga e ka prejardhjen emri, kur emri përmendet për herë të parë në burimet e literaturën historike dhe se, si do të njihet vendi me emrin zyrtar pas njohjes ndërkombëtare: Kosovë-a apo “Kosovo” (varianti që pretendohet për shumë kohë e edhe sot nga historiografia serbe). Për fat të keq, përgjigjet rreth këtyre pyetjeve ishin mjaft konfuze dhe të pa qarta nga të intervistuarit. Këto arsye, më bën që të merrem me hulumtimin dhe studimin e të dhënave - burimeve dhe literaturës historike që kanë të bëjnë me emrin ‘’Kosova’’, me qëllim që të kemi një pasqyrë sa më reale për kuptimin dhe prejardhjen e tij.
Fillimisht duhet të dimë që, emri i sotëm i vendit dhe shtetit tonë “Kosovë-a”, si toponim është emër historik, i cili sot përfshinë vetëm një pjesë të territorit (pjesën qendrore) të Dardanisë antike e cila gjendej në qendër të Gadishullit Ilirik, sot Ballkanik. Regjioni gjatë historisë së vet, ishte së pari pjesë e Dardanisë Ilire, pastaj në kuadër të Romës, Bizantit (Campus Dardanci), për pak kohë në mesjetë nën Sllavët e më pas nën Perandorinë Osmane, kur ndahet si njësi e veçantë “Vilajet” (1877-1912). Gjatë kohës të Jugosllavisë së vjetër (pasi që vendi ishte okupuar më 1913 dhe riokupuar më 1918 nga Serbia), territori i Kosovës është ndarë në tri zona – “zhupani” si: Zetës, Vardarit dhe Moravës (1921-1931), të cilat më vonë u shndërruan në “banovina” regjionale (1929-1939). Pas luftës së Dytë Botërore, territori bashkohet dhe formohet një njësi e re administrative dhe territoriale nën Jugosllavinë e re që do të quhet, Territori i Krahinës Autonome të Kosovës e Metohisë – “Kosmet” (1945- 1968). Nga viti 1968, vendi zgjeron statusin e tij, e do të quhet Krahina Autonome e Kosovës - Kosova, e cila vepron deri në vitin 1999, kur vendi pas luftës (1998-99) pavarësohet dhe sot njihet ndërkombëtarisht me emrin Republika e Kosovës.
Kështu, emri i sotëm i vendit “Kosovë” nga aspekti historikë, merret si pasardhësi i emrit të vjetër të vendit që quhej “Dardani”. Të dhënat e para historiografike për emrin “Kosovë” (në kuptimin e ngushtë të fjalës “Fusha e Kosovës”) janë relativisht të vona në histori, edhe pse emri në aspektin gjeografik përmendet që nga shek. XIV. Emri historikë i vendit “Kosovë” njihet nga gjysma e dytë e shek. XIX, kur krijohet Vilajeti i Kosovës si njësi administrative e territoriale nën Perandorinë Osmane, që përfshinte një territor më të gjerë se që ka sot (afro 30.000 km), duke vazhduar të mbijetoj deri në ditët e sotme (shumë i zvogëluar, me 10.870 km).
Mendoj që, është shumë me rëndësi të njihemi përgjithësisht me qëndrimet historiografike që janë dhënë deri më tani rreth emrit të vendit tonë “Kosovë-a”. Lidhur me këtë, duhet të themi që, rreth prejardhjes së emrit të vendit ‘’Kosovë/a’’, ka lindë problemi qe një kohë të gjatë dhe ai, në mes historiografisë serbe dhe historiografisë tonë shqiptare. Historiografia serbe përgjithësisht, kuptimin dhe prejardhjen e emrit mundohet ta nxjerr nga gjuha sllave-serbe. Duhet theksuar se, në këtë drejtim, shumë më tepër është angazhuar dhe ka punuar historiografia serbe, e cila i përkushton çështjes dhjetëra punime deri sot, duke filluar që nga vitet e para të shek. XX. Rezultatet e dhëna të deritashme nga historiografia serbe, siç do të shohim në këtë punim, do të jenë përgjithësisht të llojllojshme, të sakta e të pa sakta, të deformuara, e për më tepër sipas mendimit tim, qëndrime tendencioze e skajshmërisht të politizuara.
Historiografia serbe, mund të themi pa përjashtime, veçohet në këtë drejtim me qëndrimet e saja se, emri “Kosova” ka prejardhje (etimologji) nga gjuha sllave-serbe. Prejardhja e emrit, konsiderohet që rrjedhë nga gjuhët sllave të jugut, ku fjala “kos”, “kosov”, “kosovac” e “kosoviq”, kanë kuptimin e shpendit (zogut) “mëllenjë” (merula), përkatësisht “zogu i mëllenjës” apo “zogu i zi”. Kështu, nocioni kryesor dhe rëndësia e emrit ‘’Kosovë’’, apo kuptimi i thirrjeve të ndryshme (mendohet në emërtimet si, ‘’Serbia e Vjetër’’, ‘’Serbia Jugore’’, ‘’Kosova e Metohija’’etj., E. R.), ka rëndësi dhe kuptim të ndryshëm në disa shoqëri etnike. Te Serbët, emri shënon, përcakton ‘’tokën serbe’’, ‘’hapësirën e Jerusalemit serb’’, e cila ngriti shkëlqimin kulturorë e ekonomikë në mesjetë, që në mënyrë brutale e ndërpreu ardhja e Osmanlijëve. Më tutje thuhet:’’se për serbin mesatar emri ‘Kosova’ është emër qiellor, i cili shënon, cakton tokën e shenjtë [...]’’. Sipas kalkulimeve të politizuara dhe të mitologjizuara të studiuesve serb rreth emrit, theksohet se, heronjtë serb të rënë në Fushë Kosovë (Beteja e Kosovës – 1389) janë kthyer në “mëllenja” dhe vajtojnë në këngën e tyre për disfatë e që nga atëherë na ardhka dhe emri Fushë Kosovë, ku “kos” është fjala serbe për “mëllenjë”. Emri i plotë i Krahinës (bëhet fjalë për periudhën kur Kosova gjendej në ish Republikën Jugosllave, E. R.), e cila është juridikisht në Serbi, është “Kosova e Metohija”. Ka shumë simbolika në këtë emër. “Kosovo” është, në serbisht, toka “Kosova”, “zogjve të zinj”, ndërsa “Metohija” tokë “metohie”, “prona manastiresh”[...]. ” Në kohen e humbjes më 1389, në ‘tokën e manastireve dhe të zogjve të zinj’ jetuan ‘serbët’ dhe një numër ‘simbolik’ i shqiptarëve”.
Etimologët serb ndër kohë më tepër sikur e largojnë qëndrimin nga emri “kos” për ta nxjerrë kuptimin nga emri “kos-a” - “kositi”, që ka kuptimin e veglës bujqësore për korrjen, prerjen e bimëve, drithërave etj. Sipas historiografisë serbe, emri “Kosova” përmendet për herë të parë para Betejës së Kosovës të vitit 1389 në një diplomë (krisobul) mesjetare, origjinali i të cilës i takon kohës së Stefan Nemanjës. Në këtë shkrim përmendet emri i rrethit i quajtur “Kosova”, i cili duhej të paguante taksa manastirit Studenicë. Për këtë të dhënë të parë të emrit “Kosova” që i takon kohës së S. Nemanjës, i cili vdiq në dhjetëvjetëshin e fundit të shek. XII, kuptohet se edhe emri përmendet që nga ajo kohë. Për diplomën në fjalë, autori A. Urosheviq thekson se, sipas fjalëve dhe disa emrave, ndër ta dhe emri “Kosova”, që ishin shkruar në te asokohe, mendoj që ky dorëshkrim u plotësua më vonë, pra në kohen e re, sepse emra të tillë nuk ka pasur në kohen e Stefan Nemanjës e as në gjuhen tonë. Kështu në këtë dorëshkrim (të diplomës) hyri dhe emri “Kosovë”. Emri gjeografik “Kosova” paraqitet tek pas betejës së vitit 1389. Deri atëherë ky emër me një përjashtim të dyshimtë, asnjëherë nuk përmendet me emrin “Kosova”. Pas Betejës së Kosovës treva e Kosovës së sotme gjithherë thirret me emrin “Kosovë”. Pas Betejës së Kosovës, vendi i Kosovës së sotme, gjithherë thirret “Kosovë” si në shkrimet tona, turke dhe të huaja. Kuptimin e këtij emri të huajt, sigurisht sipas përshkrimit – përkthimit të vendasve, e kuptojnë sikur vjen nga emërtimi i zogut “kos”, sepse përkthehet si Campus Merulae ose Shamp de Merles ose Amselfeld. Emërtimi “Kosova e Metohija” në vend të “Serbia e Vjetër” (Stara Srbija), u krijua tek pas luftës së Dytë Botërore. Sipas burimeve historike (serbe, E. R.) “Serbia e Vjetër”, në të sotmen “Kosovë e Metohi”, përbëhej gjatë mesjetës nga 9 krahina (zhupa). Edhe gjatë shek. XVI e XVII, po sipas burimeve historike, gjitha këto krahina thirreshin me emrin e përgjithshëm “Serbi e Vjetër”. Sipas dëshmive të shkruara nga Sava “Biografia mbi Nemanjën”, Stefan Nemanja (1114-1200) bashkoi “shtetet serbe” dhe që nga atëherë territori i sotëm i “Kosovës e Metohisë” (Serbia e Vjetër) hynë në kuadër të “shtetit të madh serb”. Nga kryengritja e Parë dhe e Dytë serbe, 1804 dhe 1813, sikur dhe në Mbretnin Serbe dhe Jugosllavi e deri te lufta e Dytë Botërore, në përdorimet zyrtare – shtetërore është përdor termi “Serbia e Vjetër”, ashtu si dhe në hartat gjeografike, dokumente historike, literaturën shkencore dhe shkrimet diplomatike, a sidomos në studimet toponimike. Emri ‘’Serbia e Vjetër’’ si thirrje gjeografike, vendoset në shek. e XIX, nën ndjenjën e ndërrimeve që pësoi pas çlirimit Principata Serbe. Kur Principata e Serbisë, filloi të paraqitet si trevë e veçantë në Harta, gjeografët (serb, E. R.) u dashtë të krijojnë emrin e ri gjeografikë për ato treva të ‘’shtetit mesjetar serbë’’të cilat nuk hynë në përbërje të Principatës. Me ‘’Serbi të Vjetër’’ u quajtën atëherë të gjitha trevat qendrore, jugore dhe jug veriore të ‘’serbisë mesjetare’’. Autori D. Bogdanoviq në librin e tij kushtuar historisë së “Kosovës” thekson se, vetë emrin “Kosova” do ta përdori kushtimisht sepse, në qoftë se është fjala për krahinën, emri i sotëm që e thërrasim është turko-shqiptar (tursko-albanski), e rrjedh nga emërtimi i “Vilajetit të Kosovës” (Kosova), i cili përfshinte para luftës së parë ballkanike gjithë territorin e Sanxhakut ( Novi Pazarit) me Polimljen e Epërme, pastaj territorin e “Kosovës e Metohisë”, Maqedoninë Veriore deri te Velesi dhe at Lindore me rrjedhën e plotë të Bregalnices. Insistimi për at emërim (Kosova, E. R.), krahas lëvizjes së autonomisë drejt njësisë më lartë, asaj federale (1968), kishte për çdo kënd që merret vesh me historinë – parathirrje nacionaliste e pretendimeve të “mëdha shqiptare”.[...] Në dokumentet e PKJ, para dhe gjatë luftës së Dytë, si dhe në dokumentet e së drejtës kushtetuese të Jugosllavisë së re, ky regjion quhej “ Kosova e Metohija”, edhe pse dhe ky emërtim nuk ishte krejt i vërtetë, sepse territori i tij përfshinte dhe treva tjera me emra të veçantë. Nga pikëpamja e gjeografisë regjionale, as ky emër nuk ka qenë plotësisht i arsyetuar. Kështu, historikisht dhe sipas traditës (serbe), as emri i parë (Kosova) e i dytë (Metohija) nuk janë zbatuar në këtë territor dhe në hapësirën e tij. Me arsyen më të madhe, pra është folur para vitit 1912 për “Serbinë e Vjetër”, sepse kjo ishte foleja e “ kulturës dhe e shtetit të vjetër serb”[...]. Por ne do ta përdorim emrin “Kosova”, jo vetëm se ai ka hyr në përdorim të përgjithshëm si shenjë për tërë trevën por më tepër për at se, ky emër tani është një problem aktualë, politikë e historikë, i cili me këtë emër është i njohur dhe ka hyrë në botë. Duke hulumtuar në të kaluarën historike mesjetare të Kosovës në hapësirë të gjerë, krahas ‘’Fushë Kosovës’’ dhe ‘’Kosovicës’’ që vazhduan të jetojnë, nuk kemi të dhëna tjera për të ditur më tepër për emrin. Por sot, duhet ditur dhe duhet të merret parasysh dallimi në mes “Kosovës” mesjetare, e cila ishte në rend të parë thirrje gjeografike dhe emërtimit modern të gjerë të “Kosovës” si tersi administrative të datimit të ri. Emri “Kosovë” filloi të zgjerohet me krijimin e Vilajetit të Kosovës (shek. XIX). Hapi më i madh i zgjerimit merret më 1968, kur emri prej dy pjesëve i krahinës autonome “Kosova e Metohija” ndërrohet me emrin “Kosova”.
Përveç të dhënave të paraqitura më lartë, do të paraqesim dhe qëndrime të tjera që jepen nga shumë autorë tjerë të historiografisë serbe për emrin ‘’Kosova’’. Pa përjashtime, emrin “Kosova”, në njëqind vitet e fundit, e gjejmë të manipuluar nga autorët e historiografisë serbe në disa forma dhe trajtime, afërsisht me qëndrimet e lartpërmendura. Emërtimet për “Kosovë-n”, prodhohen sipas dëshirave dhe qejfeve dhe i gjejmë në format si: “Serbia e Vjetër”, “Serbia Jugore”, “Kosova e Metohija” - “Kosmet” e “Kosovo”, emërtime këto, të cilat nuk kanë të ndalur as në punimet e ditëve tona. Kjo vlen edhe për emërtimet e popullit shqiptarë të Kosovës, kur nga po kjo historiografi, shqiptarët quhen ndërkohë: “arnaut”,“arnautash” e “shiptari”. Termi ‘’shiptar’’ ndonëse i ri, u shti në përdorim në këtë territor. Përndryshe, termi ‘’shiptar’’ si opsion, ishte gjatë në përdorimin zyrtar në ‘’Kosovë’’, afërsisht deri në vitet 1968.
Emrin në trajtën “Serbi e Vjetër”, e hasim pothuajse në të gjitha shkrimet historike dhe materialin hartografik të historiografisë serbe të viteve të fund shek. XIX, e duke vazhduar deri në periudhën e luftës së Parë Botërore, duke u përdor ndërkohë deri në ditët e sotme. Nga vitet 1920 e deri më 1940, emri i vendit parapëlqehet të shkruhet dhe të thirret edhe si, “Serbia e Re” (për pak kohë, nga viti 1913-1918) dhe “Serbia Jugore” (ku përveç territorit të sotëm të Kosovës, përfshihej dhe territori i Maqedonisë së sotme e më gjerë). Trajta e emrit “Kosovë e Metohi” që përdoret nga vitet 1945 e deri më 1968, edhe sot pretendohet nga “Serbia” të jetë emri “zyrtar” i “Kosovës”. Qëndrimet e tilla i gjejmë, kushtimisht po e them, edhe te autorët e mëdhenj të historiografisë serbe, si: M.S. Milojeviç, J. Ristiç, S. Novakoviç, S. Protiç, V. Gjorgjeviç, J.Cvijiç, S. Stanojeviç, R. Novakoviç, N. Kostiç, J. H. Vasileviç, J. Dedijer, D. Kovaqeviç, S. Çirkoviç, A. Urosheviç, D. T. Batakoviç, D. Bogdanoviç dhe te shumë autorë të tjerë.
Duhet të dihet që, edhe në shumë punime tjera të autorëve serb kemi këto qëndrime, të cilat janë më tepër të karakterit politik se sa shkencor, e për më tepër janë qëndrime që autorët i prodhojnë, i arsyetojnë etj., por ato siç do të shihet, dalin të jenë historikisht të pa verifikuara, pra janë qëndrime të falsifikuara.
Historiografia turke na ofron një të dhënë interesante sa i takon prejardhjes së emrit. Kjo historiografi na ofron variantin turk të prejardhjes së emrit “Kosova”. Enciklopedia turke emrin e shpjegon sipas emrit “Koh – soh – vah”, që është emër origjinal turk dhe do të thotë “fushë e mëllenjave”. Në gjuhën turke fjala “Kus” lexohet “Kosh” që do të thotë “mëllenjë”, derisa në turqishten e vjetër fjala “Kus” ka qenë adekuate për “mëllenjat”, ndërsa “ova” do të thotë “fushë”.
Po ashtu kemi dhe disa punime, por të pakta në numër, të autorëve shqiptarë të Kosovës, kryesisht të punuara që nga vitet e tetëdhjeta të shek. XX, që janë marr me prejardhjen dhe origjinën e emrit “Kosova”. Duhet domosdo të theksohet se, vlen për ti veçuar vetëm autorët , të cilët emrin e vendit dhe prejardhjen, origjinën e nxjerrin nga emër vendi, vendbanimi, mali, kështjelle apo qyteti nga hapësira e territorit vendor, të cilët me punën e tyre arrijnë në përfundime që, emri ka origjinën nga gjuha ilire-latine, shqipe etj. Ndër autorët që veçohen në këtë drejtim, kisha për ti përmendur këta: Muharrem Carabregu, Skender Rizaj, Ejup Statovci, Avni Këpuska e Qazim Namani.
Fatkeqësisht, kemi dhe disa autorë shqiptar të cilët duke mos pasur dije të mjaftueshme, e ma merr mendja edhe duke qenë nën ndikimin dhe shkollën e historiografisë serbe, në punimet apo deklarimet e tyre rreth emrit te vendit, prejardhjen dhe etimologjinë e tij e shpjegojnë se rrjedh nga gjuha sllave. Për më keq, kemi dhe raste kur ndonjë i ashtuquajtur ‘’studiues’’ i joni, deklarohet dhe shpjegon se, emri “Kosova” për herë të parë në burimet historike përmendet apo shkruhet në trajtën “ Kosovo”. Për këta ‘’studiues’’ as që e vlen të bëhet fjalë, le ti kanë në ndërgjegje ‘’dijet’’ e tyre.
Historiografia ndërkombëtare në shumë punime shkencore që i’a kushton historisë së Kosovës, regjionit e më gjerë, në rastet e shumta nuk merret me prejardhjen e emrit “Kosovë”. Është një numër relativisht i vogël i punimeve që i qasen çështjes së emrit, dhe atë, duke e shpjeguar shkurt e sipërfaqësisht. E keqja është se, kemi edhe ndonjë rast, kur në këto punime, nga ndonjë autorë, merret versioni i historiografisë serbe rreth prejardhjes së emrit, e kjo është një propagandë e keqe në këtë drejtim. Fatkeqësisht, kjo ndodh për një arsye. Dihet që historiografia serbe ka shumë punime tendencioze e jo objektive, që përveç emrit, përgjithësisht i dedikohen historisë së popullit shqiptarë dhe Kosovës. Punimet që janë më të rëndësishme për propagandë shkencore anti shqiptare, institucionet serbe i përkthejnë në gjuhët kryesore botërore (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht etj.) dhe i shpërndajnë institucioneve shkencore botërore dhe opinionit të gjerë ndërkombëtar.
Në vazhdim, do të paraqesim dëshmi të cilat do të lidhen me kohën kur emri fillon të përmendet më tepër nga të dhënat historiografike. Duhet të dimë se, emri “Fusha e Kosovës” -“Kosova”, vendi ku ishte zhvilluar lufta e vitit 1389, e njohur në historiografi si “Beteja e Kosovës”, në mes të Koalicionit të popujve ballkanik dhe Osmanëve (Turqve), nga historiografia evropiane e më gjërë, njihet edhe me emrat: Amselfeld (Gjermanisht), Campia Mierlei (Rumanisht), Champs des Merles (Frengjisht), Kosifopedhio (Greqisht), Rigomezo (Hungarisht), Campus Turdurum (Latinisht), Campus Merulae (quhet nga kronistët latin), Kosovo Polje (Serbisht) dhe Kosova (Turqisht).
Dëshmitë, ndër të parat, për emrin e vendit, fushës, malit, katundit-fshatit, qytetit të quajtur “Kosovë/a”, i gjejmë në dokumentet e kohës që dalin që nga fillimi i shek. XV. Ipeshkvi i Ulqinit, Martino Segano (i lindur në qytetin Novobërdë të Kosovës), i cili për një kohë ishte dhe famullitar vendas i kishës katolike në Novobërdë, në një shkrim të vetin me karakter gjeografik kushtuar vendlindjes gjatë gjysmës së dytë të shek. XV, e përmend një luginë të quajtur “Kosovitza” nëpër të cilën po kaluaka lumi Llap, ku nga vendi në njërën anë gjendet Prishtina e në anën tjetër Novobërda. Nga shkrimi greqisht i Konstantin Filozofit i shek. XV, në kontest të përshkrimit të Betejës së Kosovës, përmendet dy herë një vend i quajtur “Kosova/Kosovë”. Shënimi tjetër i shek. XV tregon se, për të shkuar nga Prishtina për në Vuqitërn, tregtarët duhej të kalonin nëpër “pyje (male) të Kosovës”, përkatësisht nëpër “boschi di Cossova”. Nga Libri i borxhlinjve i vitit 1438, i tregtarit dubrovnikas, Michael de Luchari, i cili veproi në Novobërdë, në afërsi të këtij qyteti, përmend katundin “Chosouiza”. Nga punimet e studiuesit Muhamet Tërnava, kemi të dhënat dhe për katundin “Kosofc” në regjionin e Llapit, i cili përmendet në vitin 1455, e që dëshmohet dhe në regjistrimet e viteve 1566 e 1574. Duket se po me këtë katund ka të bëj dhe studiuesi Iljaz Rexha, kur thekson se, dokumentet e viteve 1566/1574, e paraqesin katundin “Kosovc” por që gjendet në krahinën e Gallapit.
Udhëpërshkruesi i shek. XVI, Petantius, kur po kalonte nëpër këtë trevë, shkruan se, përgjatë rrugës që shpie për Procopia (Prokuplje) në Nisum (Nish) nëse lëshohesh poshtë, kah jugu, jo fort larg shtrihet lugina “Kosovitza” përmes së cilës kalon lumi Llap. Libri i botuar në Venedik më 1605, nga Giacomo di Pietro Luccari, kur flet mbi Betejën e vitit 1389, tregon se, sulltan Murati depërtoi deri në vendin e quajtur “Kosovë”, që Gjermanet e quajnë “Amselveld”, Hungarezët – “Rigomezev” a Turqit – “Cossova”. Sipas të dhënave që i paraqet Haxhi Kalfa nga viti 1650, “Kosova” ishte Kadillëk (Kaza) i Sanxhakut të Vuçitërnës që ndodhet mes Prishtinës dhe Kurshumlisë. Po ky autor, pra gjeografi turk Haxhi Kalfa, gjatë gjysmës së dytë të shek. XVII, përmend qytetin “Kosova” duke e cilësuar si Kadillëk. Historiani Skender Rizaj, paraqet dëshmitë e studiuesit anglez J. Mackay, që tregojnë se, ekzistonte një “qytet” që quhet “Kosova” dhe i cili gjendej afro 7 (shtatë) milje (1 milje = 1.852 m) në verilindje të Prishtinës në Rumeli (Ballkan). Po ky autor, na tregon se, “Kosova” ishte qytet dhe se njihej si lokalitet i vjetër xehetarë. Një defter i vitit 1498, përmend “Kosovën”, duke treguar që ishte dhe lokalitet i rëndësishëm xehetarë [...]. “Kosova” si qytet antik, mesjetar dhe i kohës së re u rrënua në fund të shek. XVII, por fama e tij nuk u rrënua, emri i tij përfshiu një territor shumë më të gjerë të Gadishullit Ballkanik. Qyteti ‘’Kosova’’ ishte njëri ndër qytetet që ranë në duart e austriakëve në viti 1689.
Pas të gjitha këtyre që u thanë, do të japim të dhëna interesante që kanë të bëjnë me emrin “Kosova”, të cilat dalin nga burimet hartografike (gjeografike). Këto të dhëna do të paraqiten në shumë Harta të punuara nga studiues evropian që përfshijnë periudhën kohore që nga shek. XV e deri në shek. XIX. Në këtë drejtim duhet ta falënderojmë studiuesin Muharren Carabregu, i cili me punën e tij, na mundësoi që ti njohim burimet hartografike që kanë të bëjnë me emrin e vendit tonë ‘’Kosovë’’. Rezultatet e punës së tij, kryesisht ato që kanë të bëjnë me punën tonë, do ti paraqesim në vijim të punimit. Fillimisht, është shumë me rëndësi të tregohet se, në shumë Harta, emri i vendit “Kosovë-a”, paraqitet apo shënohet kryesisht si: “Casoua”(Kasoua), Casova(Kasova), “Cascova” (Kaskova), “Cassovia” (Kasovia) etj., dhe gjithnjë duke e paraqitur vendin, herë si vendbanim e herë si rajon (provincë). Këto dëshmi të para hartografike për emrin ‘’Kasova’’- ‘’Kosova’’ janë shumë të rëndësishme, sepse këto vërtetojnë ekzistimin e këtij lokaliteti me këtë emër në territorin tonë.
Dëshmitë e para hartografike për territorin (e Kosovës së sotme) i kemi nga fundi i shek. XV, nga F. Roselli (1447-1527), i cili boton hartën e Evropës J.L. në Firenza të Italisë, ku paraqet emrin ’’Casoua’’ (Kasova), që ka të bëj me emër visi. M. Benventano në vitin 1507 në Romë-Itali, boton hartën ‘’Tabula Moderna [...]’’, ku paraqet emrin ‘’Cascova’’ (Kaskova) për emër të vendbanimit. G. Gastaldi në hartën ‘’Carte dei paesi [...], që e botoi në vitin 1546, paraqet emrin ‘’Cascoua’’ (Kaskova) si vendbanim, ndërsa në hartën ‘’Tavole nuovo [...]’’ të vitit 1548, e quan ‘’Cassovia’’ (Kasovia), prapë duke e theksuar për vendbanim. Po ky autor, në vitin 1560, boton hartën ‘’Atlas Ptolomaeus [...]’’, ku si vendbanim paraqet vendin me emër ‘’Scascoua’’ (Skaskova). G. Mercatori në hartën e botuar në Duisburg në vitin 1595, paraqet vendbanimin ‘’Scascoua’’ (Skaskova). Në atlasin e Ortelit të vitit 1595, paraqitet emri në formën ‘’Scascova’’ (Skaskova). P. M. Coronelli, duke punuar në hartimin e atlasit-globit tokësor gjatë viteve 1683-1704, boton harta në 12 vëllime. Në botimin e hartës ‘’Iliricum’’ të vitit 1688, përmend vendin e quajtur ‘’Campo Cassova’’. Po në këtë atlas të Coronelli-t, në hartën nr. 143 të botuar më 1689, paraqitet vendi ‘’Campo Cassoua’’. Mathias Seutteri në hartën nr. 152 të atlasit të tij, përmend emrin ‘’Campus Merlinius Cassovius’’, ndërsa në hartën nr. 153, e paraqet ‘’Campus Cassovius’’. Në një riprodhim të hartës së I. M. Hasiusit, të punuar nga Hamanni, përmendet visi me emër ‘’Cassova Provincia’’. F. Reilly, në koleksionin e atlasit hartografik të botuar më 1796, vendin e quan ‘’Cassovo’’, ndërsa në fletën 22 të po këtij atlasi, e quan vendbanimin ‘’ Ebne Kassavo’’. V. de Vaudoncaurti, në hartën e punuar të vitit 1818, e përmend vendbanimin ‘’Kassova’’.
Është interesant se, vetëm në botimet e hartave të fund shek. XVIII dhe në shek. XIX, emri i vendit fillon të quhet ‘’ Kosova’’. Kështu, në hartat regjionale të Haxhi Kalfës nga vitet 1657, në hartën me nr. 297, paraqitet vendbanimi ‘’Kosova’’ . Në hartën e G. de L’Isle të vitit 1702, paraqitet vendi i quajtur ‘’Planin de Cossova’’. F. A. Scheraembli, boton hartën në vitin 1788, ku përmendet visi ‘’Cossovo oder Amsel Feld’’ .J. Riedli në hartën e botuar më 1812, përmend qytetin ‘’Kossova’’ që e vendos në V.L. të Pristines (Prishtinës). Vendin ‘’Fusha e Kosovës’’, të shkruar në gjuhën serbe ‘’Kosovo Polje’’ – ‘’Amsel Feld’’, do të gjejmë të përmendet gjatë shek. XIX , vetëm në tri raste dhe këtë: në vitet 1867, 1876 dhe më 1881. Ndërsa, emrin në variantin e shkruar ‘’Kosovo’’, do ta gjejmë vetëm në një rast edhe atë pikërisht në shek. e XIX, më konkretisht në vitin 1829.
Nga të dhënat-burimet hartografike që i paraqitëm më lart, shihet qartë se, që nga shek. XV e deri në fillimin e shek. XIX, baza e emrit është shkruar dhe paraqitet gjithnjë me fjalën ‘’Kas’’. Gjatë këtyre shekujve, emri kryesisht do të ekzistoj në variantin ’’Kasova’’. Vetëm kah fundi i shek. XVIII dhe gjatë shek. të XIX, fjala ‘’Kas’’ fillon të shkruhet dhe të paraqitet në trajtën ‘’Kos’’, që na jep versionin dhe formën e emrit të sotëm të vendit ‘’Kosova’’.
Në këtë drejtim, do të ofrojmë dhjetëra të dhëna historiografike të autorëve-studiuesve të ndryshëm botërorë, të cilët në punimet e tyre, kryesisht të botuara gjatë shek. XIX, e në pak raste dhe gjatë shek. XX, emrin ‘’Kosova’’ do ta paraqesin në trajtën ‘’Kasova’’.
Në një libër, që është botuar në vitin 1822, kur flitet mbi Historinë Moderne Evropiane, gjejmë të dhëna dhe për vendin tonë i cili paraqitet me emrin ‘’Kasova’’ ([...] on the plains of Cassova [...]). Libri ‘’ Allgemeine deutsche Real-encyklopodie [...]’’ e botuar në vitin 1827, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([...] bei Kassova [...]). Në një punim tjetër të vitit 1837, “The History of Modern Europe [...]”, po ashtu emër vendi paraqitet në versionin ‘’Kasova’’ ([... the plains of Cassova [...]). Libri ‘’Histoire de I’Empire otoman [...]’’, i botuar në vitin 1841, vendin e quan ‘’Kasova’’ ( Assassinat qu’il commet sur Mourad I, dans la batalle de Kassova). Në librin ‘’The Turkish Empire [...]’’, të botuar më 1854, duke u përshkruar shkurt ngjarja rreth Betejës së vitit 1389, vendi quhet ‘’Kasova’’ ( A bloody battle was fought in the plain of Kassova [...]’’. Po ashtu, në librin ‘’Histoire De L’Empire Ottoman’’ të botuar në vitin 1855, emri i vendit quhet ‘’Kasova’’ ([...] por le plateau de Kassova pour de scendre dans la Macedoine). Libri ‘’Chronological Tables [...] And History Of The World’’ i botuar më 1857, vendin ku u zhvillua Beteja e vitit 1389, e quan ‘’Kasova’’ ( Victory of Kassova [...]). Revista shkencore ‘’L’Investigateur [...] Historique’’ e botuar më 1857, duke e quajtur luftën e vitit 1389, si një ngjarje fatale, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([...] apres la fatale batalle de Kassova [...]). Libri ‘’Histoire de la Turquie’’ i botuar në vitin 1859, në kapitullin IV, shkruan për vendin dhe luftën e Kosovës (1389), ku emri i vendit quhet ‘’Kasova’’ ( IV. Bataille de Kassova – Mort d’Amurat). Libri ‘’Mittheilungen Aus Justus Perthes Geographischer [...]’’ i botuar më 1860, vendin e quan ‘’Kassova’’. Në librin ‘’Die Geschichte der Welt var und nach Christus’’ të botuar në vitin 1853, vendi quhet ‘’Kassova’’ ([...] aber bei Kassova geschlagen [...]). Revista shkencore ‘’The Quarterly Review’’ e botuar në vitin 1865, duke bërë fjalë për luftën e vitit 1389, vendin e quan ‘’Kasova’’ ([...] on the field of Cassova; [...] battle of Cassova [...]). Libri ‘’History of Europe [...]’’ e vitit 1877, duke folur për luftën e vitit 1389, e quan ‘’Beteja e Kasovës’’ ( Battle of Kassova – 1389 [...]). Në librin ‘’The Russo – Turkish War’’ i botuar në vitin 1877, vendin e gjejmë tri herë të shënuar në trajtën ‘’Kasova’’. Libri ‘’A History Of The Empire And People of Turkey [...]’’ i botuar në vitin 1878, duke bërë fjalë për luftën Hungareze të vitit 1448, tregon se ajo u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ (Again the Hungarians rollied in 1448 and again they were routed at Kassova by the furius enemi). Në librin ‘’Muslim Rule In Europe’’ autori , duke bërë fjalë për Hungarinë dhe luftërat e saj me Turqit, përmend luftën e Huniadit (Hunyadi) të vitit 1448, duke përmend edhe vendin ku ajo ishte zhvillua që ishte quajtur ‘’Kasova’’. Në punimin ‘’Baby Rue’’ të botuar në vitin 1881, përshkruhet lufta e vitit 1389, duke theksuar se ajo u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ ([...] of August , 1389, the sun a rose over the plains of Kassova [...] of victory to the Turkish Sultan). Në librin ‘’Turkey Old And New’’ të botuar në vitin 1883, në pjesën e IV ,duke u bërë fjalë për Greqinë, Bulgarinë dhe vendet shqiptare , thuhet se beteja e madhe e vitit 1389, u zhvillua në vendin ‘’Kasova’’ ( 4. Battle of Kassova – Death of Amurath). Asociacioni i numizmatikës amerikane në botimin e tyre të vitit 1899, përshkruan luftën e vitit 1389, dhe vendin e ndodhjes e quan ‘’Kasova’’ ([...] by the Turks at the battle of Kassova, in 1389, [...]). Në punimin ‘’Cyclopaedia of Political Science [...] by the Best American and Europian Writers’’ të botuar në vitin 1899, në pjesën ku bëhet fjalë për Turqinë, flitet dhe për Betejën e cila kishte ndodhur në vendin ‘’Kasova’’ ([...] Turkish rule was established in its prezent European limits by the battle of Kassova [...]). Në librin ‘’Jahrbuch der geologischen Bundesanstalt [...]’’ të botuar në vitin 1905, autori vendin e quan ‘’Kasova’’. Në librin ‘’Modern History [...]’’ të botuar në vitin 1907, kur flitet mbi luftën e vitit 1389, vendin e ndodhjes autori e quan ‘’Kasova’’ (Kassova ‘1389’, the Turks completed the overthrow [...]). Në librin ‘’The Modern World [...]’’ të botuar në vitin 1915, vendi ku u zhvillua lufta e vitit 1389, quhet ‘’Kasova’’ ( But at Kassova ‘1389’, the Turks completed [...]). Në librin ‘’The Middle Ages, 300 – 1500’’ të botuar në vitin 1932, kur bëhet fjalë për luftën e vitit 1389, autori atë e quan ‘’Beteja e Kasovës’’ (1389. Battle of Kassova. Great defeat by [...]). Në librin ’’Islam in U.S.S.R., Turkey and Europe’’ të botuar në vitin 1956, autori duke përmendur trevat shqiptare që gjendeshin nën Perandorinë Osmane gjatë fundit të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, përmend provincën ‘’Kasova’’ (Vilajetin Kosova, E. R.), si njërën ndër katër Provincat Turke që paraqet sot Shqipëria ([...] die old Turkish provinces of Skutari, Yanina, Kassova and Monastir [...]). Në librin ‘’Contribution a l’histoire du Commerce Bulgare’’ të botuar në vitin 1971, autori duke përshkruar Betejën e Varnës, luftrat e Skenderbeut dhe Betejën e vitit 1389, për këtë të fundit, tregon se u zhvillua në vendin e quajtur ‘’Kasova’’ ( Bataille de Kassova). Një autor hungarez në librin e tij të botuar në vitin 1999, vendin e quan ‘’Kassova’’. Një autor francez, gjatë qëndrimit në treva të ndryshme shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XIX, na jep një qëndrim interesant që ka të bëj me emrin ‘’Kosovë’’. Ky ishte Emil Viet, i cili ishte për një kohë Konsull i shtetit të Francës në Shkodër, ku gjatë asaj kohe mësoi shumë për shqiptarët dhe vendet e tyre. Kur flet për territorin tonë, vendin e quan me emrin ‘’Kosova ose Gistivari’’ i cili nga emri i rrafshinës quhet gjithashtu ‘’Fushë Kosovë’. Ky është ‘’Kasobusi i vjetër’’, që shquhet prej dy betejave të mëdha ku ngadhënjyen Bajaziti I dhe Murati i II, më 1389 dhe 1448 [...]. Gjendet në rrugën që shpie për Nissa (Nish) [...]. Lidhur me paraqitjen e emrit “Kasobusi”, mendoj që autori ka parasysh fjalën “Kasaba”, e cila në gjuhën shqipe dmth. “qytet”. Po ashtu, ‘’Kasaba’’ ka kuptimin e “qytetit të vogël” (qytezë) edhe në gjuhën serbe. Fjala “Kasabali” në gjuhën tonë, ka kuptimin e “banorit të vjetër të qytetit” , apo në kuptimin e plotë të fjalës dmth. “qytetar”.
Nga të gjitha të dhënat rreth emrit “Kasova”-‘’Kosova’’, është me interes ta paraqesim dhe qëndrimin e Encillopedisë Britanike, që lidhet drejtpërsëdrejti me atë që u tha deri më tani. Sipas Enciklopedisë në fjalë, alternativa e shqiptimit të emrit ‘’Kosova’’ frekuenton nga fillimi i shek. XX, nga shqiptimi i më hershëm ‘’Cassova’’ ose ‘’Cassoua’’, emër i italianizuar.
Nga e gjithë kjo që paraqitëm, vlen për të komentuar më tutje dhe disa qëndrime shtesë që lidhen me prejardhjen e emrit. Kështu, nga literatura kuptojmë se, interpretimin e parë të emrit ‘’Kosova’’, e ka bërë akademiku kroat Josip Rogliç, i cili thotë se: ‘’ e tërë terminologjia gjeomorfologjike dhe emrat gjeografikë të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire’’, duke ardhur dhe në përfundim që, terminologjia e emrit gjeografikë ‘’Kosova’’, i takon gjuhës ilire.
Po ashtu interpretimin gjeografik të emrit e shpjegon dhe M. Carabregu, i cili thotë se, termi ‘’kas-a’’ përmban kuptimet e një kodre, mali apo shkëmbi. Variantet e shpeshta të emrit që ndër kohë paraqitën si, ‘’Kasova’’, ‘’Kasava’’ dhe ‘’Kosova’’ na japin ‘’ kas-a’’ dhe ‘’va’’, që të dy terma gjeografikë.
Në bazë të këtij termi gjeografik ‘’kas’’, janë gjithashtu edhe emrat: Cassel, Castel, Cashtel, Casteli etj. Ky term përdoret edhe për emër personal, fisnor dhe po ashtu si emër vendi, si: Kas-i, Kasaj, Canius, Kastrat, Kastriot, Kasendra, Kas, etj. Këtyre qëndrimeve, ju shtojmë disa shembuj që vërtetojnë këto të dhëna. Psh., Fisi “Kastrat” e ka djepin në Veri të Shqipërisë. Emri “Kastrat” në shqipen nuk është shumë i vjetër, ky emër vjen nga latinishtja ‘’Castrum’’. Qyteti mesjetar ‘’Kassa’’në Hungari, në gjuhen gjermane shqiptohet ‘’Kaschau’’ ndërsa në gjuhen latine ‘’Cassovia’’. Sipas dokumenteve dubrovnikase, familja aristokrate ‘’Kasica’’që jetonte në Dubrovnik, ishte me prejardhje nga qyteti Novomonte (Novobërda), etj.
Ndërsa, sa i takon termit gjeografik të emër vendit ‘’ va – u’’, kuptohet të përdoret tek emër vendet për cektësi ose gjerësi të lumenjve apo luginave, pastaj për përshkrimin e një gjerësie, rrafshine etj. Është me rëndësi të theksohet se, ky term, si prapashtesë ka përkrahje të gjerë, kuptimi i të cilit mund të jetë në tri aspekte: 1) te lumenjtë si vendkalim më i përshtatshëm, 2) tek emërtimet visore si gjërsi , rrafshinë, dhe 3) te vendbanimet si rrafshi i ndërtimit.
Në vazhdim, duhet të tregojmë se, që nga koha antike gjejmë burime të shkruara, të cilat na munëdsoin për të vërtetuar se, fjala ‘’Kas’’, është shumë e pranishme si emër në gjithë vendbanimet, apo trojet ku jetonin ilirët, e po ashtu disa nga emrat janë, të afërt me emrin e sotëm të ‘’Kasovës – Kosovës’’. Nëpër tërë territorin e Kosovës, që nga lashtësia hasim një shtresë të theksuar ‘’castrumesh’’ (kështjellash) dardane, që më vonë i përforcuan romakët. Disa prej tyre gëzonin dhe statusin e doganave, stacionit për pushim rrugor e disa dhe statusin e municipumit (qytetit). Kështu, fjala “Kastra” e gjuhës latine në gjuhen shqipe, dmth. – Kamp ushtarak, Shatorre apo Llogore; Castrum – Kështjellë; Castellum – Kështjellë, Rezervuar uji, Katund apo fshat; Castellani – Banorët e një kështjelle; Kascus/a/um – I moçëm, I vjetër, I lashtë; Kasa/ue – Kasolle, Pronë, Çadër ushtarake. Po ashtu të dhënat e para, në këtë drejtim, na njoftojnë se, në tokat e Ilirisë - në Epir, përmendet qyteti ‘’Kasopia’’ qysh në vitet 313-312 p.e.s.. Shënimet që i gjejmë të vepra ‘’Gjeografia’’, e gjeografit Klaud Ptolemeu të shek. II të e.s., na tregojnë se, kur bëhet fjalë për Epirin dhe vendin e tij, autori përmendë dhe qytetet, ku njëri ndër ta ishte qyteti i quajtur ‘’Kassiope’’. Në të dhënat që i gjejmë në veprën ‘’Mbi qytetet dhe popujt’’ të autorit Stephani Byzantini, kur bëhet fjalë mbi fiset ilire e po ashtu edhe vendbanimet - qytetet e Ilirisë dhe Epirit, përmendet qyteti ‘’Kassope’’, [...] i quajtur kështu nga krahina ‘’Kassopia’’. Emër etnik ‘’kassopaios’’, ‘’kassopios’’ [...]. Procopi Caesariensis (Prokopi i Cezaresë) në veprën ‘’De Aedificis’’ (Mbi Ndërtimet) në shek. e VI, duke folur për Dardaninë, përshkruan dhe fortifikatat (kështjellat, E. R.) që Perandori Justinian ndërtoi dhe i rindërtoi në këtë vend. Prokopi i Cezaresë është historiani më në zë i Bizantit i cili jetoi gjatë shek. VI (... – 565), që na la shkrime për territorin e Dardanisë gjatë kohës së sundimit të Perandoritë Justiniani. Një listë e tërë e shkruar na ofron të dhëna për kështjellat e ndërtuara dhe të ri ngritura nga Justiniani, pra përmenden disa vendbanime, emërtimet e të cilave janë të rëndësishme për toponimet e Dardanisë, sot Kosovës. Ne, në këtë rast, do ti përmendim vetëm ato, që fillojnë me fjalën ‘’Kas’’. Fortesa të ndërtuara, të reja, në Dardani përmenden dy: ‘’Kastimon’’ dhe ‘’Kastelion’’. Ndërsa, të rindërtuara përmenden tri: ’’Kasyella’’, ‘’Kastellobreata’’ dhe ‘’Kastelona’’. Në Maqedoni, me fjalën ‘’Kas’’ nga fortesa të rindërtuara përmenden vetëm dy: ‘’Kasopas’’ dhe ‘’Kassopes’’. Po ashtu, në trevën Nais, paraqiten dy raste të ndërtimit të fortesave të reja, ku fjala e emrit fillon me bazën ‘’Kas’’, e këto janë: ‘’Kastellion’’ dhe ‘’Kasia’’. Qyteti Nais (Nishi i sotëm) aso kohe ishte njëri ndër qytetet kryesore të Dardanisë dhe gjendej në pjesën veri-lindore të vendit. Në mbështetje të zbulimeve, hulumtimeve të reja arkeologjike që u zhvilluan deri në vitet e tetëdhjeta të shek. XX në territorin e Kosovës, thuhet se, kemi të evidentuara rreth njëqind (100) vendbanime antike, kryesisht në gërmadha, numri i madh i të cilave nuk është identifikuar.
Të gjitha të dhënat e deritashme na bëjnë për të theksuar, edhe një herë se, fjala “Kos” është vazhdimësi e fjalës “Kas”.
Në vazhdim të punimit, do të ndalemi edhe njëherë te fjala “Kos”. Nga disa punime dhe qëndrime të ndryshme do të shohim se fjala ‘’Kos’’, nuk mund të pranohet ashtu si e paraqet historiografia serbe, se fjala ka prejardhje nga gjuha sllave, por do të tregohet se, kjo fjalë i takon dhe gjuhëve të tjera e po ashtu, ka dhe shumë kuptime në shumë gjuhë të botës. Për më tepër, prejardhja e fjalës ‘’kos’’ konsiderohet për e errët. Do të ofrojmë disa shembuj për të treguar që fjala nuk ka kuptim vetëm në një gjuhë siç pretendohet. Kështu, vendi i quajtur ‘’Kos’’ ose ‘’Cos’’ në greqisht, në turqishte ‘’Istankoy’’, në italishte ‘’Coo’’, është një ishull në detin Egje në Greqi. Ky vend me këtë emërtim ekziston që nga kohet e vjetra-antike, që tregohet qartë se emri s’ka fare të bëj me farë kuptimi, origjine apo ka të bëj me farë prejardhje sllave. Fisi (Farefisi) i Romës ‘’Kos-o’’ ose ‘’Kos-oje’’ ka origjinë nga Etrurët, ndërsa te serbët këta ‘’Kos-ari’’, i përkisnin familjes fisnike të vjetër të Barit (Tivarit, E. R.). Emri ‘’Kos-tandin’’, predominon dhe përdorët në gjuhën shqipe si emër i njeriut. Edhe pse ky emër dominon te shqiptarët, origjina e tij rrjedhë nga gjuha latine. Emri ‘’Kos-tandin’’ është më i afërti me variantin ‘’Cos-tantino’’ që e gjejmë te italianët. ‘’Kos-tandin’’ është një variant i emrit ‘’Con-s-tantine’’ i gjuhës angleze. Kështu, emri ‘’Kos-tandin’’ përdorët vetëm nga italianët ( Cos-tantino dhe Cos-tanzo) dhe shqiptarët (Kos-tandin), ndërsa varianti ‘’Kon-s-tantin’’ përdorët në shumë gjuhë tjera si: angleze, gjermane, franceze, greke etj.
Me fjalën ‘’Kos’’ në Indi quhet ‘’mila e indisëveriore’’, pra ka kuptimin e njësisë së gjatësisë gjeografike. Pastaj kemi termat në matematikë si, ‘’Kos-ekans’’ (që në gjeometri ka funksionin e një rrethi), ‘’Kos-ekant’’ (gjeometri), ‘’Kos-inus’’ (matematikë – sinus pika e dhënë e rrethit dhe gjeometri funksioni i katetes drejt hipotenuzes) etj. Po ashtu, kemi dhe fjalët si, ‘’Kos-mos’’ në gjuhën angleze, e cila në shqip shqiptohet ‘’Kozmos’’, e në serbishte ‘’Kozmos’’ (Svemir), e që të tria bashkë, kanë kuptimin e njëjtë ‘’Gjithësi’’. ‘’Kos-kinomantia’’ (greqisht), që në përkthim dmth. ‘’të profetizuarit - të parathënët’’. ‘’Kos-marhija’’ (greqisht – bota, sundimi), sundimi i botës. ‘’Kos- mika’’, ( greqisht - bota, sundimi), në gjuhën tonë ‘’Kozmik/e’ ’dmth. botërore-diçka që i takon krejt botës. ‘’Kos-metika’’ (mjeshtëria e zbukurimit), dmth. ‘’Kozmetikë’’, etj. Kështu, prejardhja e fjalës, emrit ‘’Kos’’, mund të konsiderohet jo sllave apo të konsiderohet për fjalë e errët, pasi që gjuhëtarët nuk e ndriçojnë për më tepër.
Nga gjitha të dhënat e paraqitura, mendojë se, argumentet flasin që, emri ‘’Kosovë-a’’ origjinën linguistike e ka në emrin ‘’Kasova’’. Prandaj kemi metatezën në shqiptimin e emrit nga ‘’Kasova’’ në ‘’Kosovë – Kosova’’. Sipas konsultimit me një studiues të gjuhës, i cili njehë mjaft mirë gjuhën cirilike sllave dhe gjuhën osmane, tregon se, në shkrimet e vjetra cirilike sllave ndeshim shumë raste kur germa ‘’a’’ është shkruar ‘’o’’, çështje kjo që vërtetohet me krahasimin e dokumenteve. Po kjo shihet edhe te studiuesit serb të cilët, në rastet e përkthimit të dokumenteve mesjetare latine e osmane shumë shpesh, apo në shumicën e rasteve, germën ‘’a’’ e zëvendësojnë me germën ‘’o’’. Një shembull adekuat në këtë drejtim, e arsyeton qëndrimin e theksuar më lartë, e ky është emri i qytetit ‘’Kotor’’, i cili në të gjitha dokumentet që nga mesjeta deri në shek. XIX quhet ‘’Katar’’. Versionin ‘’Kotor’’ e gjejmë vetëm në shkrimet sllave, çështje kjo që mund të vërtetohet nga argumente të mjaftueshme. Nga të gjitha qëndrimet e theksuara më lartë, vlen për ti përmendur edhe njëherë punimet e akademikut J. Rogliç dhe studiuesit M. Carabregu, nga të cilat mundë të theksojmë se, emri ‘’Kosova’’ ka origjinë Ilire, duke hedhë poshtë teorinë se, emri ka etimologji sllave-serbe. Edhe autorë tjerë janë të këtij mendimi kur theksojnë se, emri ‘’Kosova’’ [...] me sa dihet, përmendet që nga Beteja e Kosovës (1389). Mendoj se fjala ‘’Kosovë’’duhet të jetë fjalë e lashtë ilire apo trake, aq më tepër, kur dihet se, emrin ‘’Kosova’’ e hasim në shumë vise të Gadishullit Ballkanik [...]. Duke qenë se emërtimin ‘’Kosovë’’ e hasim edhe në disa vende si Dalmaci, Bosnje e Maqedoni, në të vërtet mu në pjesët ku ishte zhvilluar etnosi ilir, mendoj se kanë prejardhje të njëjtë. Kështu, ‘’Kosova Dalmatine’’ përmendet herët si ‘’Campus Merularum’’ te kronika e “Popit Duklanin” e shek. XII, pra e ka kuptimin e emrit ‘’Fusha e Kosovës’’. Emri ‘’Kosova’’ edhe në këtë dorëshkrim të shek. XIII, thuhet të ishte një termë mbi bazën e gjuhës ilire. Autori, Q. Namani, na ofron të dhëna që, fjala “Kas” nënkupton fjalën “Kështjellë”, me arsye se, vendi kishte shumë kështjella gjatë historisë-vetëm në shek. e VI, kishte 69 kështjella që i paraqet autori Prokopi i Cezares, dhe fjalën “ova” që nënkupton “fushë”. Këto dy fjalë përbëjnë sot në gjuhën shqipe emrin “Fusha e Kështjellave” – “Kasova”, që me një metatezë ndër kohë, emri do të kalon në formën e sotme “Kosovë/a”.
Para përfundimit duhet të theksojmë që, kërkimet e gjertanishme në fushë të toponimisë brenda kufijve të sotëm të Kosovës dhe në kontest të kufijve historik, të cilat i janë përshkruar Dardanisë antike, dëshmojnë për një numër të madh shtresash gjuhësore të saj, studimi i të cilave krijon pasqyrën e saktë të kulturës gjuhësore, etnografike e historike të vendit. Në fondin e përgjithshëm të toponimeve të Kosovës, dhe më gjërë Dardanisë, që e përbën fondi i vjetër iliro-shqiptar, do të ndeshim dhe fondin e shtresimeve romake, bizantine, saksone e sllave gjatë mesjetës, osmane gjatë pesë shekujve si dhe serbe në shek. XX
Është i njohur fakti se gjuha latine, pas pushtimeve romake të viseve të banuara me popullsi ilire bëhet mjeti kryesor i të shprehurit shkrimor të ilirëve dhe në këtë mënyrë, pa u vërejtur janë futur format romake në onomastikën dhe toponomastikën e vjetër tradicionale ilire. Pasi në këto troje, sundimi Romakë zgjati dhjetëra shekuj, duhet ditur ndikimin e fuqishëm të tyre dhe fesë katolike tek populli që jetonte në këto treva, të cilët bënë që vendi të pranojë edhe elemente latinfolëse dhe që shumë toponime të lashta sot të kanë apelativa latinë. Kjo ndodhi dhe me emrin ‘’Kas-a’’.
Derisa fondi i vjetër i toponimisë shqiptare, dëshmohet nga shkrime dhe harta që nga antikiteti, dihet se fondi sllavë i toponimisë mesjetare do të rikonstruktohët nga fundi i shek. XIX duke vazhduar në shek. XX. Të dhënat fragmentare për emrin e vendit (edhe ato për emërtimet e shumë vendeve të tjera të Kosovës) të cilat na i afron lënda arkivore-burimet historike (diplomat mesjetare) dhe dokumente tjera që na paraqiten nga literatura serbe, duhet të merren me rezervë. Këto të dhëna, që nga mesjeta e deri në fillim të shek. XX, nuk kishin karakterin e përgjithshëm të regjistrimit të vendbanimeve. Shumë nga to, janë shkruar dhe përshkruar nga priftërinjtë e kishave ortodokse sllave, të cilët me qëllime e pa qëllime i kishin ndryshuar të dhënat toponimike dhe antroponimike, duke i shkruar në frymën dhe formën e gjuhës sllave, kështu që shumë prej tyre ishin shtrembëruar dhe një pjesë e tyre ishte sllavizuar në mënyrë direkëte me anë të përkthimeve. Siç shihet, prej këtyre të dhënave, toponimia dhe antroponimia shqiptare e popullatës vendëse ishte sllavizuar gati tërësisht. Këto të dhëna, për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, hynë në përdorim në shkrimet zyrtare dhe keqpërdorohen nga shkrimet e ndryshme të historiografisë serbe. Përveç dëshmive të pakontestueshme që dihen për sllavizmin e toponimisë mesjetare shqiptare, ky fond, dhunshëm do të shtresohet mbi toponiminë e vendit, pas okupimit të Kosovës nga Serbia që nga vitet 1913 e këtej. Nga kjo kohë, shumë emërtime të vendbanimeve do të ndërrohen dhe do të zëvendësohen me emra të rinj, psh: Lazarevo, Miloshevo, Obiliç, Gjeneral Jankoviq, Uroshevac, Kosovo Polje, Dobra Voda e tjera. Zakonisht, dihet se pas ç’do lufte, më mirë të themi, pas ç’do okupimi, gjithherë janë shkaktuar ndryshime të mëdha si gjuhësore e etnografike dhe kulturore-historike të një populli apo të vendit të caktuar. Pushtuesit në këto troje, dhunshëm krijuan emërtimet e vendbanimeve etj., duke krijuar dhe shënimet, hartat topografike me politizime të antroponimeve, toponimeve, hidronimeve dhe vet etnonimeve të vërteta e të vjetra të vendit. Këta, gjatë shekujve, jo vetëm që lënë gjurmë kulturore e fetare, të emrave të njerëzve etj., por për më keq, ngatërruan apo dhe tentuan ta zhdukin topografinë reale të vendit. Rezultati i pushtimeve sot, na e bënë shumë të vështirë të dimë etimologjinë e vërtet të emërvendeve të territorit tonë dhe më gjerë regjioneve ballkanike.
Nga e gjithë kjo që u tha, konstatoj se: tendencat e shkencës së politizuar dhe historiografisë serbe që emrin ‘’Kosovë-a’’ ta paraqesin me prejardhje sllave – serbe etj., janë vetëm konstruktime, manipulime me qëllime nacionaliste e të pa mbështetura nga dëshmitë historike. Është interesant të thuhet dhe ajo, që vërehet pothuajse në të gjitha punimet e autorëve serb, se, shpjegimin e emrit e marrin nga të dhënat popullore e jo nga të dhënat shkencore.
Është shumë me rëndësi të paraqesim dhe qëndrimet tendencioze serbe që i theksuam në këtë punim, e që kanë të bëjnë me pretendimet për ndërrimin e emrit ‘’Kosovë/a’’. Historiografia serbe, që nga gjysma e shek. XIX, e deri në vitet e njëzeta të shek. XX, pretendon dhe provon me të gjitha mjetet që ta quaj vendin me emrin e imagjinuar ‘’Serbia e Vjetër’’, por ky tentim bie poshtë, pasi që nuk arrin të hyj në përdorim zyrtar dhe nuk pranohet nga historiografia evropiane e më gjërë. Po ashtu, kemi tendencën që vendi të quhet ‘’Serbia Jugore’’, emër që përdoret nga vitet 1920 e deri në vitin 1940, por dihet se edhe ky emërtim nuk pati jetë të gjatë dhe nuk mundi të realizohet. Pas dështimit të dy emrave të parë, tentimi do të vazhdojë pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendi do të quhet ‘’Kosova e Metohija’’, deri në vitin 1968. Por edhe ky emërtim i pa bazë do të bie, pasi që emri i vendit, sipas Kushtetutës së vitit 1968 të Republikës Federale të Jugosllavisë, me kërkesën e shqiptarëve, u vendos të quhet me emrin që e kishte më parë ‘’Kosovë/a’’. Pas këtyre tentimeve, historiografia serbe, kuptohet gjithë kohës me mbështetjen e qeverisë serbe, pasi nuk i mbeti alternativë tjetër, gjeti mbështetje vetëm në mundësin për ta ‘’shpjeguar shkencërisht’’ prejardhjen e emrit, duke e shpjeguar siç e pamë, se, kinse emri paska prejardhje nga ‘’gjuha sllave-serbe’’. Kështu, që nga kjo kohë, pa ndërprerë pretendohet që, edhe sot emri të shqiptohet dhe shkruhet në variantin ‘’Kosovo’’. Ky variant, siç del nga dëshmitë e lartpërmendura më lart, nuk ka fare të bëj me farë mbështetje shkencore, përveç asaj që mund ta quajmë, përshtatje e ndjenjës gjuhësore sllave-serbe.
Nga kjo del se, sikur emri ‘’Kosovë’’të ishte me ‘’prejardhje sllave’’, nuk do të kishim dhe tendencën shekullore të historiografisë dhe qeverisë serbe për ta ndryshuar atë, jo në një variant, por në shumë variante, siç i pamë më lartë. Në këtë drejtim, kemi dhe qëndrimin e autorit serb se, emri është turko-shqiptar, që nënkuptohet se emri, nuk ka prejardhje serbe. Po ashtu, po e ritheksoj qëndrimin e autorit serb që tregon se, emri duke u përshkruar-përkthyer nga vendasit merret dhe kuptohet nga autorët e huaj, sikur se emri ka prejardhje nga ‘’zogu’, kështu që shumë autorë ndërkombëtarë emrin e vendit pasi që e përkthejnë në gjuhët e tyre e quajnë: Campus Merulae, Shamp de Merles ose Amselfeld dhe emërtime tjera që i kemi paraqitur më lartë. Duhet të dihet që këto emërtime të autorëve ndërkombëtarë në literaturën historike fillojnë të paraqiten tek nga fund shekulli XVII, kurse këto do të arrijnë të marrin formë tek gjatë shek. XIX – XX. Pra, këta emra kanë dalë si rezultat i vonë i shkrimeve dhe literaturës historiografike ndoshta të imponuar, dhe për këtë nuk mund të kenë vlera autentike.
Të dhënat e mjaftueshme që i ofruam, më mundësojnë për të përfunduar se, emri i vendit tonë ‘’Kosovë/a’’, ka prejardhje nga gjuha ilire-latine-shqipe. Prejardhja e emrit lidhet me emrin e një kështjelle, qyteti, province, mali apo fushe që ekzistoi në vendin tonë ndër shekuj. Po ashtu nga të dhënat, mund të theksojmë se, emrin mund të kuptojmë që paraqet vendin e vjetër të qytetëruar, vendin e kështjellave, vendin e kasollave-shtëpive etj. Por për mundësinë e kuptimit të emrit, mendoj se është reale t’ia lëmë gjuhëtarëve, etimologëve për të dhënë rezultatet e tyre në këtë drejtim, që do të ishte zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare e ndriçimit të çështjes, që mendoj se, në të ardhmen e afërt këto rezultate nuk do të na mungojnë. E rëndësishmja e këtij punimi është se, të dhënat historiografike dëshmojnë që, emri ka prejardhje dhe kuptim nga vendi dhe gjuha e popullit që jetoi mijëra vite në këto treva – popullit shqiptar.

Dr. sc. Enver Rexha
Koordinator Shkencor
Instituti Arkeologjik i Kosovës Prishtinë

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...