Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/22

Si u realizua vrasja e pesëfishtë në Smilkovc


MPB ka dhënë një version të parë të ekspertizës se si ka ndodhur vrasja e pesëfishtë javën e kaluar në Smilkovc të Shkupit.

Vrasësit thuhet se kanë ardhur pranë liqenit të Hekuranës në afërsi të fshatit Smilkovc, në kohën kur katër të rinjtë po përgatiteshin për të shkuar, për shkak se makina e tyre e gjetur më pas ishte me drita të ndezura.
Makina “Opel Omega” për të cilën thuhet se ishte shfrytëzuar nga vrasësit e pesë vetave, sigurisht dyshohet nga MPB se ka qenë pranë liqenit. Ekspertët e forenzikës kanë vërtetuar se dheu në gomat e kësaj makine është e njejtë me bregun e liqenit.

MPB gjithashtu thekson se makina është me plotë gjurmë të tjera të ndërlidhura me vrasjen.

Sipas një ekspertizë të rikonstruktuar, vrasja është kryer nga së paku tre veta, të cilët në një periudhë prej 5 deri në 10 minuta kanë shtënë në drejtim të pesë viktimave në dy lokacione të ndryshme pranë liqenit. Katër të rinjtë Aleksandar Naqovski, Cvetanço Acevski, Kire Triçkovski dhe Filip Sllavovski janë gjetur pranë makinës së tyre, ndërsa peshkatari Bllagoja Stefkovski është gjetur 100 metra në largësi nga katër viktimat. Sipas policisë katër të rinjt ishin përgatitur për të shkuar, pasi që pranë makinës së tyre ishin gjetur edhe mjetet përgatitore dhe të peshkimit.

Vrasja siç thuhet është kryer rreth orës 20.00, ndërsa policia informacionin e ka marrë në ora 22.15 përmes qendrës së thirrjeve 192. Më pas 15 minuta më vonë edhe tre peshkatarë të tjerë kanë informuar mbi trupat e shtrirë të pajetë.

MPB ka theksuar se akoma po vazhdojnë hetimet intensive, pasi që është zbuluar profili i vrasësve, ndërsa po punohet për zbardhjen e identitetit të tyre. Hetimet siç nënvizohet mund të zgjasin me javë e me muaj, por MPB ka theksuar se është e përgatitur dhe do të zbardhë vrasjen e pesëfishtë.

Serbia e veriut të Kosovës



Çdo ditë e më shumë qytetaret e Kosovës po qartësohen me udhëheqësit e tyre, qe dikur u paraqitnin si shpëtimtar kombëtar, ndërsa sot ata zgërdhihen si karikatura të paturpshme dhe fare kozmopolite. Sa mashtrues dhe kriminel na paskan qenë ata.

Nga Bekim Rexhepi

Rreziku i deligjitimimit ekzistencial

Ka gjasa qe mendimi pro dhe për shtetin akoma më shumë të reduktohet, në masë të konsiderueshme po konsolidohet ideja se shteti përbën kërcënim, në vend se ai të jetë një burim legjitim pushteti, drejtimi dhe shërbimi. Po të pyesim qytetaret e Kosovës, përgjigjen më serioze qe do ta hasim është se shteti i tyre më se paku përbën legjitimitet pushteti, drejtimi apo shërbime për të. Pra, qytetaret shtetin e tyre po e perceptojnë si një e mirë vetëm për politikën, vetëm për politikanet. Çdo ditë e më shumë qytetaret e Kosovës po qartësohen me udhëheqësit e tyre, qe dikur u paraqitnin si shpëtimtar kombëtar, ndërsa sot ata zgërdhihen si karikatura të paturpshme dhe fare kozmopolite. Sa mashtrues dhe kriminel na paskan qenë ata. Ndërsa qytetaret shqiptar po konsumojnë akoma figura të tilla, vërtetë me të drejtë dyshojnë se autoriteti i tyre nuk vlen më për vendin dhe për ta. Po e kuptojnë fare mirë se sa të dobët janë dhe se sa teatër po bëjnë ne emër të shtetit dhe të politikës. Personalizimi i shtetit deri në atë masë sa patroni është vet shteti, duke i shfrytëzuar objektivisht të gjitha edhe ato strukturat shtetërore për një manipulim të gjerë dhe për më keq po e deligjitimojnë ekzistencën nacionale e territoriale të vendit.

Konsumimi politik i Thaçit

Një politikan qe konsumohet merret me cikërrime, duket se shembulli i presidentit Rugova, nuk i ka shërbyer pasardhësit në krye të vendit. Neveritja politike është shembulli më i keq që mund të nxjerrë një politikan, sepse kur ndodhet në këtë gjendje ai harron të sillet me kreativitet përgjegjës dhe sikur vet zgjedhë të konsumohet papërgjegjshëm, deri në ato debate shterp dhe merret me akuza të ndërsjella, madje duke harruar të drejtën legjitimuese të pushtetit, të drejtimit dhe të shërbimit. Ngadalë, kthehet në rolin e një lideri të papërgjegjshëm dhe në funksion të politikës ditore. S’ka dyshim se Hashim Thaçi është një konsumim i përditshëm politik. Shfrytëzon debatet ne parlament për të akuzuar opozitën për terrorizëm politik, për vetëfundosje, për retorikë devalvuese, për patriotizëm verbal dhe të tjera si këto. Kur kreu i shtetit vepron në këtë mënyrë bëhet e qartë se sa e dobëson atë përbrenda, duke e konsumuar edhe varfërimin politik, në vend se të merret me fuqizimin e shtetit. Natyrisht qe Kosova nuk mund të zhduket thjesht me vdekje apo ikje të një autoriteti suprem. Sepse disi mbijetohet dhe se pushtet ndërrohen, ne në fakt po rrezikojmë të shndërrohemi në një etnitet legal me operacione shpëtuese ndërkombëtare dhe me një organizim të dobët dhe vazhdimisht mbikëqyrës. Hashim Thaçi, me strukturat e tij manipuluese, si kreu më përgjegjës i vendit çdo ditë po e sakatos Kosovën me ligje diskriminuese në dem të shumicës.

Serbia e veriut të Kosovës

Serbia po përpiqet me të gjitha mjetet që ka në dispozicion që “veriun e Kosovës”, ta paraqes si një problem të rëndë dhe të negociueshëm. Zyrtaret serb e dinë se negociata apo bisedimet shqiptaro-serbe, pa faktorin ndërkombëtar janë të kota, ndaj po përpiqen qe ato ti zhvillojnë në agjendën ndërkombëtare, më qëllim qe të sensibilizojnë në njëfarë forme problemin për “veriun e Kosovës”. Janë shprehur se janë te gatshëm për negociata, këtë gatishmëri të Serbisë për negociata e njohim mirë,( dhe për shqiptaret qe kanë kujtesën e freskët gjatë shpërbërjes së RSFJ-së, nuk përbën ndonjë risi në politikën serbe sepse ata në njëfarë mënyre shprehin kësi lloj gatishmërie verbale, bëjnë marrëveshje por ato nuk jetësohen asnjëherë dhe po qe se prekin interesat nacionaliste serbe, serbet edhe kur bëjnë një marrëveshje në letër, para realizimit të saj, e rrënojnë atë dhe në teren krijojnë incidente apo nxjerrin një agresion të ri ndaj territorit të Kosovës, më qëllim qe të zhvleftësojnë marrëveshjen duke fajësuar kundërshtarin), por duke besuar ne faktorin ndërkombëtar qe edhe jo vetëm në këtë rast bëhet garantues i marrëveshjeve, ne edhe këtë herë i kemi dhënë shansin tjetër lojës politike me Serbin.

Pala shqiptare edhe përkundër deklaratës dhe rolit të faktorit ndërkombëtar se do të jetë garantues ne këto negociata, e ka të drejtën të paragjykojë çfarëdo ekipi të përfaqësimit ndërkombëtar, sepse tani kur kemi disa marrëveshje të arritura, po në prezencë të faktorit garantuesin ndërkombëtar, Serbia si gjithnjë vazhdon ti përbuzur ato marrëveshje dhe akoma i mban në siklet për ti realizuar. Tani, akoma pa i realizuar këto marrëveshje, ne kemi disa incidente qe direkt cenojnë territorin e Kosovës si rasti i kidnapimit të policisë ne territorin e Kosovës, kemi sulmin me bombë në ndërtesat shqiptare ku kemi viktimë serish shqiptaret, kemi akoma barrikada dhe struktura paralele qe sfidojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe në këtë atmosferë Serbia po avancon ndërsa Kosova ngecen dhe vendnumërohet në problemet aktuale. Më shumë se qytetaret shqiptar në veri të Kosovës nuk e përditëson Serbin e veriut të Kosovës, e pjesa tjetër përveçse bënë sehire ...

QUO VADIS MAQEDONIA?!


Xhelal Zejneli

Shkruan Xhelal Zejneli

MAQEDONIA PARAQET RAPORT FORCASH SHQIPTARO-MAQEDONASE

            Që nga viti 1990 e këndej, Maqedonia ka qenë një vend me numër tejet të madh incidentesh. Pothuajse s’ka pasur vit të ketë kaluar pa incidente. Incidentet në Maqedoni janë përshkuar nga dhuna, nga ndërhyrjet policore dhe nga ndërhyrjet e njësive speciale të forcave “të rendit”. Shumë incidente kanë përfunduar me rrahje, me lëndime, me plagosje dhe me vrasje. Pas incidenteve kanë pasur arrestimet, hetimet, aktakuzat, proceset gjyqësore dhe dënimet drakonike. Viktimë e të gjitha incidenteve të dy dhjetëvjeçarëve të pluralizmit politik dhe ideologjik, rëndom kanë qenë shqiptarët, ndërkaq ushtrues dhune kanë qenë sllavo-maqedonasit.
           
            Mbi shqiptarët në Maqedoni është ushtruar dhunë:
            - prej grupeve sllavo-maqedonase;
            - prej organeve shtetërore.
           
            Me fjalë të tjera, në periudha të caktuara të njëzet viteve të fundit, mbi shqiptarët në Maqedoni shteti ka ndjekur politikë represive dhe opresion.
            Dhuna është ushtruar në shumë mënyra: janë sulmuar nxënësit nëpër shkolla apo nëpër autobusët e qarkullimit qytetor; me pretekste të ndryshme, janë bastisur shtëpitë e shqiptarëve; nga forcat e armatosura - në kohë paqeje - janë sulmuar zona të caktuara të hapësirave shqiptare. Vrasje të caktuara dhe rrëmbime individësh, deri më sot kanë mbetur të pasqaruara.
            Gjatë qeverisjes së kryeministrit të përtashëm – Nikolla Gruevskit dhe VMRO-së së tij, në periudhën e viteve 2006-2012, në Maqedoni u zbatua një politikë ultranacionaliste. Me fjalë të tjera, ultranacionalizmi sllavo-maqedonas u bë politikë e shtetit, d.m.th. e qeverisë. Pjesë e qeverive të viteve 2006-2012 ka qenë edhe faktori politik shqiptar. Nga kjo del se në zbatimin e politikës ultranacionaliste sllavo-maqedonase, duke qenë pjesë e qeverisë, ka marrë pjesë edhe vetë faktori politik shqiptar në Maqedoni. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar në Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, duke qenë pjesë e qeverisjes, bëhet kreator dhe zbatues i politikës nacionaliste antishqiptare të partnerit të bashkëqeverisjes – VMRO-së dhe të kryeministrit Gruevski!!
            Shkupi kontestohet nga boshti anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofje: Serbia e mohon Kishën Ortodokse Maqedonase; Greqia e mohon emrin e shtetit, e rrjedhimisht edhe emrin e gjuhës dhe të kombësisë; Bullgaria e mohon gjuhën, kombësinë dhe historinë sllavo-maqedonase, duke thënë se sllavo-maqedonasit janë bullgarë, gjuha që flasin është bullgarishtja, ndërsa historia e tyre nuk është veçse histori bullgare.
             Duke qenë të mohuar prej fqinjëve që e rrethojnë, është vetëkuptueshme që sllavo-maqedonasit janë në krizë identiteti.
            Politika e VMRO-së dhe e Gruevskit - historikisht e vonuar - ka për qëllim të krijojë kombin maqedonas. Për ta tejkaluar krizën e identitetit, disa akademikë sllavo-maqedonas, prejardhjen e bashkëkombësve të tyre e ndërlidhin me maqedonasit e lashtësisë. Sipas këtyre pseudo-akademikëve, po qe se maqedonasit e sotëm nuk ndërlidhen me ata të lashtësisë, atëherë komb maqedonas në Ballkan nuk ka.
        
            Me regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, të kryer para dhjetë vjetësh, sipas të dhënave zyrtare, 25.17 % e popullsisë së këtij vendi janë shqiptarë. Ka që thonë se kjo shifër arrin rreth 30%. Rrjedhimisht, Gruevski dhe partia e tij pengesën më të madhe për ta krijuar kombin maqedonas e shohin te shqiptarët. Përse?! Kështu sepse barazia e plotë e shqiptarëve pashmangshëm do të shpinte ne federalizmin e Maqedonisë. Barazia e plotë do t’u mundësonte shqiptarëve të fitojnë statusin e popullit shtetformues. Federalizmi i Maqedonisë dhe statusi i popullit shtetformues të shqiptarëve do t’i shuante përfundimisht ëndrrat e VMRO-së për një Maqedoni unitaristemonoetnike dhe centraliste. Maqedoni federale do të thotë Maqedoni dyetnike – shqiptaro-maqedonase.
            Për këtë arsye, Gruevski dhe partia e tij, përballë shqiptarëve në Maqedoni kanëkompleks inferioriteti. Për ta kapërcyer këtë kompleks inferioriteti, Gruevski dhe partia e tij, ndaj shqiptarëve në Maqedoni ndjekin politike ultranacionaliste. Nacionalistët maqedonas nuk kanë kapacitet të ballafaqohen me aspiratat grabitqare të boshtit Beograd-Athinë-Sofje. Me shqiptarët ndërkaq, mendojnë se mund t’ia dalin lehtë. Duhet thënë se për arsye pragmatikedhe mbi bazën e antishqiptarizmit të përbashkët, politika e Gruevskit është e afërt me Beogradin.
            Shkupi e di se pretendimet historike të boshtit anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofjenuk mund të vihen në veprim për shkak të SHBA-së. Rrjedhimisht, me fqinjët që e kontestojnë, Shkupi s’ka arsye të përplaset. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë janë nën kujdesin e Uashingtonit.
            Sipas nacionalistëve të Shkupit sllavo-maqedonasit mund të maten dhe kanë arsye të maten vetëm me shqiptarët brenda. Ndaj, politika nacionaliste e Shkupit nuk manifestohet ndaj  fqinjëve që e kontestojnë, por ndaj shqiptarëve brenda.
             
            Që nga viti 2006 e këndej, në Maqedoni janë duke u zhvilluar dy procese:
           
            - e para, krijimi i kombit maqedonas,
            - e dyta, shndërrimi i shqiptarëve në pakicë të papërfillshme.

            Procesi i shndërrimit të shqiptarëve në minoritet të nëpërkëmbur mund të ndikojë:
           
            - në diskreditimin e luftës së 2001-shit;
            - në diskreditimin e Marrëveshjes së Ohrit;
            - në diskreditimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

            Pjesë e pandarë e kësaj politike dhe strategjie të Gruevski është edhe varfërimi ekonomik i shqiptarëve. Si rrjedhojë e mosinvestimit në viset veri-perëndimore, shqiptarët shpejt do të ballafaqohen me papunësi përmasash tronditëse dhe me probleme socialeshqetësuese. Për të mbijetuar, të rinjtë shqiptarë do t’i marrin rrugët e mërgimit. Politika e krijimit të kombit antik (!!) sllavo-maqedonas, realizohet kryekëput në dëm të shqiptarëve. Kjo politikë e Shkupit krijon një Maqedoni unitariste, centraliste, monoetnike dheantidemokratike – përkundër përbërjes së saj dyetnike. Klasa politike dhe inteligjencia shqiptare në Maqedoni janë në letargji të plotë. Shqiptarët në Maqedoni merren me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme. Veprojnë në mikroplan. Çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të reduktohet në ndërtimin e sallave të fizkulturës në ndonjë shkollë katundi. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike, kërkesat kanë qenë dhe duhet të jenë politike, arritjet po ashtu duhet të jenë politike.
            Në vitet 2002-2006, shqiptarët në Maqedoni - në frymën e Marrëveshjes së Ohrit - realizuan kërkesa të caktuara politike. Në vitin 2006, nacionalistët sllavo-maqedonas ngritën  zhurmë të madhe duke thënë se shqiptarët fituan shumë. Për këtë e fajësuan LSDM-në, që sot është në opozitë. Që nga viti 2006 e këndej, kërkesat e faktorit politik shqiptar kanë hasur në vesh të shurdhët - vox clamantis in deserto. Që atëherë LSDM-ja vazhdimisht është duke i humbur zgjedhjet. Nacionalizmi maqedonas zbriti në popull.
            Tragjedia e shqiptarëve në Maqedoni qëndron në faktin se kërkojnë të drejta. Në të vërtetë shqiptarët, duke qenë popull autokton, nuk duhet të kërkojnë të drejta prej askujt. Aq më pak nga pala sllavo-maqedonase. Shqiptarët në tokë të vet, të drejtat e veta - historikisht të justifikueshme - duhet t’i realizojnë pa i kërkuar prej ndokujt. Kërkesat për të drejta drejtuar palës maqedonase jepen vetëm në shtratin e Prokrustit.  
*   *   *
Terri informativ që imponon qeveria e përtashme - Politika e qeverisë së Gruevskit çon në krijimin e një shteti diktatorialme tendencën për t’i vënë nën kontroll të caktuar edhe mediumet. Të ndalohet liria e shtypit, liria e fjalës, liria e të shprehurit në kohën e antenës satelitore, të telefonisë celulare, të internetit dhe të telefaksit është absurde dhe punë Sizifi. Të imponosh errësirë informativ në shekullin XXI, në një vend me pozitë gjeografike në Evropë, që i aspiron euro-integrimet - nuk i bën nder botës demokratike. T’u kanosesh mediumeve me fjalët: “...  mediumet të cilat do të botojnë shkrime që mbjellin urrejtje ndëretnike do të ndëshkohen...” do të thotë të bësh ndërrimin e tezave. Nuk janë mediumet ato që i shkaktojnë incidentet, por është politika e papërgjegjshme e Gruevskit dhe e partisë së tij që krijojnë terren për incidente të vazhdueshme. Sipas apelit të sipërthënë të qeveritarëve të përtashëmtë Shkupit, mediumet në Maqedoni u dashka të botojnë vetëm tekste për hurmat dhe për salep-shitësit e Lindjes së Afërt. Sipas tyre, drejtuesit e mediumeve duhet të shndërrohen në punëtorë me mëditje që luftojnë për bukën gojës dhe jo të jenë  kreatorë të mendimit politik, të kritikës politike apo të kritikës sociale. Gazetaria në botën e lirë ku mëton të hyjë ky vend, është veprimtari kreative dhe jo përulje para pushtetarëve injorantë. Kjo të përkujton bolshevizmin e Josip Visarionoviç Stalinit të paraqitur në veprën e Aleksandër Solzhenjicinit – Arkipelagu Gulag.
            Qeveria e Gruevskit, në kohën e pluralizmit, synon të imponojë njëmendësi politike dhe ideologjike.
            Në shërbim të politikës antishqiptare të Shkupit, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, vihen edhe disa të ashtuquajtur analistë dhe krijues të opinioneve. Këta farë analistë dhe opinion-bërës nuk janë veçse kuislingëmercenarë dhe antishqiptarë. Nuk janë veçse instrumentë të shtetit, në funksion të krijimit të një Maqedonie monoetnike.
            Sipas qeverisë së përtashme të Gruevskit, mund të shkruash çmos, por jo edhe ide dhe ideologji kombëtare. Mund të shkruash çmos, por jo edhe të kritikosh – qoftë edhe në mënyrën më të butë – pushtetarët dhe qeveritarët. Qeveritarët dhe pushtetarët e Shkupit nuk duhet të harrojnë se një prej detyrave të një qytetari, për të mos thënë të një intelektuali - është kritika politike dhe kritika shoqërore. Krejt kjo, në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike në shoqëri.
            Dihet cilat shkrime nuk duhet të gjejnë hapësirë në mediume: ato që mbjellin gjuhën e urrejtjes, sugjerojnë mjetet violente, propagandojnë ksenofobi, nxisin jotolerancë ndëretnike, fetare, sociale dhe racore, gjykojnë me stereotipe dhe paragjykime. Praktika e ka dëshmuar se një politikë është e fortë vetëm kur e lejon kritikën politike. Një shoqëri forcohet vetëm kur i kërkon në vetvete të metat e saj. Lirinë e fjalës e kanë sugjeruar iluministët francezë qysh në shekullin XVIII: Volteri, Rusoi, Didëroi, Dalamberi dhe enciklopeditët.

*   *   *
            Si do të hyjë ky vend në NATO dhe në BE me një ideologji kombëtare të tipit të shekullit XIX?! Politika e sotme e Shkupit i komprometon dhe i diskrediton: faktorin ndërkombëtar, qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën, si dhe faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Politika e Gruevskit ka për synim t’i disiplinojë shqiptarët. Dhuna që është ushtruar mbi shqiptarët vitet e fundit, nuk është ushtruar as para vitit 2001. Ka edhe të tillë që thonë – as në kohën e komunizmit.
             Duke qenë se Maqedonia është një vend dyetnik, atëbotë puna e parë që duhet të bëjnë qeveritë e saj është kujdesi maksimal për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të shëndosha. Politika e Gruevskit e bën të kundërtën – marrëdhëniet ndëretnike i rrënon në themel. Nacionalizmi i VMRO-së krijon klimë antishqiptare. Të rinjtë sllavo-maqedonas edukohen dhe rriten nën frymën e antishqiptarizmit. Antishqiptarizmi është në fakt produkt i politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Nga ky këndvështrim duhet parë të gjitha incidentet që ndodhin në Maqedoni. Me fjalë të tjera, edhe incidentet në këtë vend janë pjellë e politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Politika e Gruevskit vetvetiu gjeneron krizë, saqë krizat në Maqedoni janë bërë normale. Ky vend është mësuar me kriza. Ato janë përditshmëri e tij. Çdo dy-tre muaj ndodh nga një incident dhe herë-herë me pasoja tragjike.
            Brohoritjet e shpeshta të të rinjve sllavo-maqedonas nëpër stadiume dhe në hapësira të tjera publike, me përmbajtje antishqiptare, si:
           
            - Vdekje shqiptarëve;
            - Dhoma gazi për shqiptarët;
            - Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur;
           
cenimi vulgar i integritetit dhe i dinjitetit të femrës shqiptare, si dhe parulla të tjera me përmbajtje shoviniste, duhej ta alarmonin me kohë qytetarinë maqedonase, klasën politike dhe qeverinë. Ndërhyrjet e organeve të rendit dhe atyre të gjyqësisë, në raste të tilla është puna e fundit që duhet bërë. Cili shqiptar pas këtyre parullave antishqiptare do ta ndjejë Maqedoninë si shtete të vetin?! Nacionalizmi sllavo-maqedonas, me automatizëm nxit nacionalizmin shqiptar.
            Thelbi i nacionalizmit maqedonas është: Maqedonia është shtet nacional i maqedonasve, të gjithë të tjerët janë minoritet. Sipas kësaj ideologjie, shqiptarët në Maqedoni e kanë Shqipërinë dhe Kosovën; këtu nuk janë veçse minoritet.  .Nacionalistët maqedonas duhet ta dinë se Maqedonia paraqet raport forcash shqiptaro-maqedonase.Jashtë këtij raporti, nuk ka Maqedoni. Jashtë këtij raporti ka vetëm një Maqedoni jostabël, me tensione ndëretnike permanente.
             
            Pas çdo incidenti në Maqedoni, pasojnë edhe interpretimet:
           
            - incidentet i shkakton qëllimisht Gruevski, në shenjë trysnie para samitit të NATO-s në Çikago...;
            - incidentet i shkakton qëllimisht qeveria për t’ua tërhequr vëmendjen qytetarëve prej problemeve reale;
            - incidentet i shkakton Serbia, për ta destabilizuar Maqedoninë dhe rajonin;
            - incidentet janë pasojë normale e krizës ekonomike dhe sociale;
            - incidentet i shkakton Gruevski për të gjetur pretekst për të ushtruar represion dhe opresion mbi shqiptarët.
           
            Me rëndësi është një gjë: politika e Gruevskit dhe e VMRO-së, duke qenë ultranacionaliste dhe antishqiptare, është vatra e krizës, gjeneron krizë dhe është kriza vetë.  
           
            Pas çdo incidenti në Maqedoni pasojnë edhe klishetë dhe refrenet e faktorëve të caktuar:
            - Faktori politik shqiptar në Maqedoni gjithmonë del me të njëjtën deklaratë: “...ruani gjakftohtësinë dhe mos bini pre e provokimeve...”
            - Autoritet e Tiranës dalin me prononcimin: “...ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera...”
            - Udhëheqja e Prishtinës del me deklaratën: “...ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë mbizotërojnë marrëdhënie të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë...”;
            - Faktori ndërkombëtar apelon: “...të zihen fajtorët dhe të nxirren para drejtësisë...”

             Për hir të perspektivës së përbashkët nacionalistët sllavo-maqedonas duhet:
           
            -  të heqin dorë nga krijimi i një kombi artificial;
            - të rishqyrtojnë politikën nacional-romantike të tipit të shekullit XIX;   
            - të heqin dorë nga politika antishqiptare;    
             - ta pranojnë realitetin shqiptar dhe t’ua njohin shqiptarëve statusin e popullit shtetformues;
            - të kultivojnë marrëdhënie ndëretnike të shëndosha;  
            - ta ndërrojnë emrin, në kompromis me Greqinë;
             - të krijojnë një Maqedoni stabile, si parakusht për sjelljen e investimeve të jashtme; dhe
            - të integrohen në botën euroatlantike.

            Marrëdhënie të mira ndëretnike, me shqiptarë të shtypur, të përkujton utopinë e Josip Broz Titos mbi vëllazërim-bashkimin midis kombeve dhe kombësive. Vetëm dy popuj të barabartë mund të bashkëjetojnë në paqe, në harmoni dhe në prosperitet.
            Ndryshe, krizat në Makondon markeziane do të riciklohen prore. 

Presidenti Topi dekoron personalite të larta shqiptare


Nga Mimoza Dajçi






Nën një ceremoni madhështore në ambjentet e Presidencës Shqiptare, Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi vlerëson në mënyrën më të lartë e fisnike personalite të politikës, kulturës, humanizmit e të persekutuar politikë; Znj. Rita Saliu, Vahbi Skënderi (pas vdekjes) ing. Riza Fejzi Alizoti (pas vdekjes) Islam Bali Nokshiqi(pas vdekjes).


Bashkëshortet Skender Buçpapaj,Elida Buçpapaj dhe disidenti Vehbi Skenderi

Eshtë për të ardhur keq (fakt i njohur) që shumica dërmuese e shtresës së ish të persekutuar politike vlerësohen e u akordohen Çmime pas vdekjes, nga institucione e drejtues të lartë të shtetit tonë, si në rastin konkret publicistit të njohur të letrave shqipe, disidentit Vehbi Skenderi, të cilin diktatura komuniste e flaku dhe e dergji internimeve si mijra të tjerë, vetëm për fjalën e lirë e demokracinë e ëndërruar.

E sot me të drejtë e bija e tij, intelektualja - gazetarja e njohur Elida Buçpapaj ngre zërin e bën apel për të atin e saj Vehbiun, jeta, puna e vepra e të cilit u “anashkalua”qëllimisht nga rregjimi i egër komunist, por edhe në kohën që ne besuam në vitet e demokracisë.


Presidenti  shqiptar Prof.dr.Bamir Topi dekoron shkrimtaren shqiptare nga Kosova z.Rita Saliu

Ajo njëherësh falenderon e i dërgon mirënjohje Presidentit të Republikës Bamir Topi për kujdesin që është duke treguar në lidhje me dekorimet që ka realizuar për personalitet e ndryshme të vendit, duke e quajtur këtë një hap në drejtimin e duhur për të ndrequr sadopak padrejtësitë e bëra nga diktatura, padrejtsi të cilat tranzicioni vetëm sa i ka thelluar me shpërfilljen tendencioze e cinike ndaj peronaliteteve të kombit, e sidomos ndaj klasës së ish të burgosurve politikë e të përndjekurve politikë.

Urdhërin e të atit me Titull “Mjeshtër i Madh” Elida e sheh si një rreze drejtësie, e cila kurrësesi nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së shqiptarëve e asaj mediatike. Në Urdhërin për Mjeshtrin e Madh të letrave shqipe



Presidenti ndërmjet të tjerave në motivacionin e Tij shkruan: “Personalitetit të shquar të letrave shqipe, poetit dhe publicistit patriot e qytetarit, që gjithë jetën u qëndroi besnik idealeve të lirisë, drejtësisë sociale e demokracisë, për të cilat luftoi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u përball me trimëri ndaj repersionit të egër të shtetit diktatorial”

Një vend të posaçëm në këtë ceremoni zuri edhe akordimi i Titullit me Urdhërin “Nënë Tereza”

humanistes, poetes e veprimtares së njohur për çështjen kombëtare, motrës Dardane nga Kosova martire Znj. Rita Saliu, e cila gjithë jetën i a ka kushtuar kombit e popullit tonë të shumë vuajtur nga dhuna e makinerisë serbe në Kosovë.

Ajo sot ndihet e emocionuar dhe tejet e lumtur që nëpërmjet vlerësimit të figurës së saj nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Bamir Topi ngrihet zëri e respekti për të gjitha gratë e vajzat shqiptare që u sakrifikuan e u martirizuan për të drejtën, paqen, e humanizmit jetësor.

 Në motivacionin e saj Presdenti Topi shkruan “ Veprimtares së shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftëtares së paepur të çështjes kombëtare, humanistes dhe poetes qytetare që fatin e saj e bën njësh me atë të vendit e bashkatdhetarëve të saj”

Të pranishëm në cermoni ishin të afërm të personaliteteve të dekoruar, përfaqësues të ish të përndjekurve politikë, akademik Mark Krasniqi, vëllai i poetit disident Vehbi Skenderi, bashkëshorti i Znj. Rita Saliu - inxhinieri nuklear Adem Saliu, Myvlede Saraçi, ish e burgosura politike në Kosovë ne vitin 1998, Shqipe Mugolli, bashkëshortja e Enver Malokut, Hava Maloku, veprimtarja nga New York-u Joana Simsia, gazetarja Vera Pelaj nga Koosva e shumë të tjerë.

Propozimi për akordimin e tyre me Urdhërin e Lartë u dërgua pranë zyrave të Presidentit Topi nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrim për ish të Burgosurit e të Përndjekurit Politikë Z. Besim Ndregjoni, i cili mori falenderimet e rastit për interesimin e kujdesin e treguar për vlerësimin e patriotëve disidentë e njerëzve të shquar të kombit.

2012/04/21

Tomasz Chmielik: Kadareja si Kafka ndaj zgjodha “Pallatin e ëndrrave”



Ju po përktheni në esperanto Kadarenë. E keni pasur vështirë?
-Po unë tashmë kam marrë të drejtën e përkthimit për librin e Kadaresë. Tashmë po mendoj për “Pallatin e ëndrrave”, që ta sjellë sa më mirë në esperantist. Ndërkohë jam duke përkthyer edhe “Procesin” e Kafkës.

A ngjajnë këto dy vepra?
-Është e njëjta klimë krijimi. Nuk ngjajnë, por janë me ide të njëjta, trajtuar me të njëjtën frymë. Mendoj që pikërisht “Pallati i ëndrrave” është njëra nga veprat më të rëndësime që unë kam lexuar dhe që trajtojnë veprat e totalitarizmit. Kuptohet e gjithë veshja është historike. Mendoj që Ismaili nuk mund të shkruante ndryshe, por me këtë veshje është paraqitur gjithçka me këtë temë të totalitarizmit që na intereson të gjithëve: sesi të sundosh, duke përfshirë edhe ëndrrat. Kjo është mënyra sesi çdo sundues gjen për të nënshtruar njerëzit, pikërisht nëpërmjet kësaj. Kjo është një parabolë e madhe e totalitarizmit që ka ndërhyrë në të gjitha sferat e njerëzimit. Kadareja e paraqet dhe simbolikisht shuam mirë, por edhe realiteti i përshkruar në vepër është shumë i tmerrshëm dhe bindës.

Keni biseduar me Kadarenë për lejen e përkthimit në gjuhën esperanto?
-Po. Unë ndërhyra pranë Kadaresë nëpërmjet zonjës Elena, bashkëshortes dhe nga ajo mora përgjigje pozitive se Kadare më kishte lejuar që ta përkthejë.

Në konferencë thatë se ju mblidheni e takoheni shpesh për problemet më urgjente me Organizatën e Esperantistëve, por nuk shpjeguat cilat janë problemet?
-Janë probleme që prekin zhvillimin e esperantos. Unë vëzhgoj sesi përparon ajo. Provoj të diagnostikoj zhvillimet intelektuale dhe shpesh shkëmbej mendime për këtë gjë. Esperanto kërkon zhvillime të reja. Literatura është e rëndësishme. Ne përpiqemi që letërsia në esperanto të krijohet nga shkrimtarë që vinë nga kombe të ndryshme dhe ka rëndësi që të paraqesin probleme të përbashkëta. E njëjta gjë ka të bëjë edhe me përkthimet që unë pata në dorë. Është një kujtesë për këtë ndërkombëtarizëm, sepse vepra do të lexohet edhe në Amerikë edhe në Afrikë dhe gjuha do të jetë kaq universale.

Sa gjuhë të huaj dini ju zoti Tomasz?
-Pak a shumë gjashtë.

Cilat janë?
-Unë jam pedagog i gjermanishtes dhe jam njohës i mirë i saj, janë anglishtja, rusishtja, judishtja, frëngjishtja, edhe spanjishtja.

Si e keni përkthyer titullin e “Pallatit të ëndrrave” të Ismail Kadaresë?

-Në esperantist titulli i librit të Kdaresë përkthehet “La Palaco de Sonxhori”. 

Fatos Kongoli dhe Ismail Kadare në gjuhën e rrallë esperanto


Duke u marrë me gramatikën e esperantos për dy orë unë isha në gjendje që, me ndihmën e një fjalori, të kuptoja çdo tekst në esperanto", ka shkruar në një nga ditarët e tij shkrimtari i famshëm Leon Tolstoi. Kjo mund të jetë e vërtetë, pasi në esperanto ka vetëm 14 rregulla të thjeshta gramatikore, dhe gjithë emrat përfundojnë me "o", apo të gjithë mbiemrat me zanoren "a". Eshtë një gjuhë me pak gramatikë dhe me alfabet fonetik.
Ç'është kjo gjuhë që prej më shumë se një shekulli po përpiqet të pushtojë njerëzimin, njësoj sikur të rikthehej mbrapsht prishja e Kullës së Babelit, që sipas Biblës kur Zoti e shkatërroi tha: "Ngatërroju gjuhët"?
Përhapja ose jo e esperantos në botë më shumë se një shekull që mbetet një çështje e hapur për njerëzimin, megjithatë ajo po përqafohet nga shkrimtarët e botës, të cilët nuk ngurrojnë të përkthehen në këtë gjuhë. Në Shqipëri përkthimi i saj ka një traditë gati njëshekullore, ku esperantisti i parë njihet Dom Lazer Shantoja, por nuk është bërë i njohur gjatë regjimit komunist. Së fundi, shkrimtari Fatos Kongoli e pas tij edhe të tjerë si Ismail Kadare, Luljeta Lleshnaku, po pranojnë që veprat e tyre të përkthehen në këtë gjuhë. Esperanto ka lindur si një gjuhë e re e krijuar nga Ludvvik Lejzer Zamenhof më 1887-n, i cili përdorte nofkën Doktoro Esperanto. Kjo gjuhë u krijua për të lehtësuar komunikimin midis njerëzve të kombeve të ndryshme. Megjithëse ka ngjallur debate dhe polemika sërish esperanto ka arritur të mbijetojë duke pasur rreth 1 milion folës në botë, siç pohuan përfaqësuesit e një grupi esperantistësh që kishin ardhur dje në Shqipëri me rastin e promovimit të romanit të Fatos Kongolit "Lëkura e qenit". Me gjithë qëndrimet konservatore dhe pengesat politike, organizata e esperantistëve në botë e mendon këtë gjuhë të parrezikshme në prishjen e gjuhëve. Ky ishte mesazhi që tha dje në Akademinë e Shkencave, përkthyesi Tomasz Chmielik. "Esperenato i ka rrënjët në fillimet e njerëzimit", tha ai, duke kujtuar historinë e Kullës së Babelit. Chmielik ka pohuar se do të jetë njëkohësisht edhe përkthyesi i "Pallatit të ëndrrave" të Ismail Kadaresë. Në intervistën për Shqiptarja.com ai rrëfen pse e zgjodhi "Pallatin e ëndrrave" të Kadaresë dhe u shpreh për disa nga problemet madhore që has Organizata Botërore e Esperantistëve sot. Pengesat kanë bëjnë me strategjitë politike të fuqive ndërkombëtare, por duke e menduar esperanton si një gjuhë që i bashkon njerëzit, Tomasz Chmielik thotë se "sot esperantistët kanë edhe manifestin e tyre "Shpresa" dhe akademi në të gjitha vendet e botës."

Prof.Dr.sc.Beqir Meta: Enver Hoxha mbështeti gjenocidin çam


Prof.Dr.sc.Beqir Meta


Historia e Çamërisë është e cunguar në tekstet shkol lore. Madje mungon edhe në botimin e akademisë së Shkencave. Beqir Meta, drejtori i Institutit të Historisë i tërheq vëmendjen Ministrisë së Arsimit për pasurimin e teksteve shkollore me historinë e çështjes çame. Në intervistën për Shqiptarja.com ai thotë se "kjo ka qenë një çështje tabu në kohën e monizmit". Por pse nuk përfshihej asgjë nga historia, kur edhe në shkallë ndërkombëtare ishte bërë aq e njohur çështja e gjenocidit të grekëve ndaj çamëve? Si u trajtuan çamët në atdheun e origjinës gjatë diktaturës dhe si qeveria e Enver Hoxhës u bë bashkëpunëtore e grekëve për pasojat dhe për fshehjen e gjurmëve të këtij gjenocidi. Si u persekutuan nga regjimi ata çamë që kërkuan kthimin në vendbanimet e tyre dhe si u bë zhdukja e menjëhershme e pasaportave greke nga shteti komunist shqiptar. Urdhri nga qeveria komuniste e Shqipërisë për kthimin e menjëhershëm në shtetas shqiptarë dhe probleme të tjera të trajtimit të çamëve të Shqipërisë nga grekët pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, përshkruhen nga Prof. Dr. Beqir Meta. Intervista me të na bën më të qartë sesi territori ku banonin çamët kaloi në pronësi të Greqisë. Gjenocidi ndaj çamëve myslimanë dhe asimilimi në grekë i çamëve ortodoksë sipas Metës ka vijuar e vazhdon edhe sot e kësaj dite, mes një procesi arbitrar të asimilimit të çamëve që janë në Greqi. Prof.Dr. Meta tha se, jo vetëm në shkolla, por dhe në tekstin akademik të "Historisë Kombëtare" flitet shumë pak për Çamërinë.

Zoti Meta, pse është injoruar historia e çamëve ne tekstet shkollore?

-Është bërë për qëllime dhe arsye politike. Në radhë të parë regjimi i E. Hoxhës ishte i përzier në çështjen politike çame. Ka ndihmuar vendosjen e procesit të spastrimit etnik. Kjo politikë nisi me përpjekjen që çamët t'i mobilizonte në luftën civile në Greqi dhe ka dokumente për këtë. Dështoi në këtë ndërmarrje të shumë të rrezikshme për vetë popullsinë çame dhe për Shqipërinë. Kështu vijoi ndaj popullsisë çame një proces të goditje politike dhe persekutimit politik, pasi kishte dështuar shteti komunist në këtë ndërmarrje. Sigurisht deshi ta mbyllte çështjen çame me dhënien e shtetësisë së detyrueshme shqiptare dhe me grekët e kishte mbyllur fare diskutimin. Çamët ishin shtetas grekë, ishin dëbuar nga pronat e tyre dhe ishin të pajisur me pasaporta greke. Në Shqipëri ua morën të gjitha pasaportat dhe u dhanë menjëherë shtetësinë shqiptare. Ua bënë të pavlefshme pasaportat.

Protestuan ata?

-Një pjesë po, por regjimi mori masa të rrepta që të mos ndodhte kjo. Kthimi i tyre nuk u lejua, sepse regjimi ishte i përzier në këtë proces. Atij i interesonte të heshtej për gjenocidin që kryen grekët mbi shqiptarët çamë, edhe pse regjimi thoshte që monarko-fashistët grekë janë agjentë të imperializmit etj, etj. Nuk donte ta acaronte Greqinë, sepse kishte dëshirë të kishte marrëdhënie sa më të qeta me të, për arsye të dobësisë së tij brenda vendit dhe të izolimit ndërkombëtar. Kështu që gjitha këto arsye bënë që nga regjimi i kohës të heshtej ndaj çështjes çame.

Kjo ka qenë arsyeja e mirëqenies së minoritetit grek në Shqipëri?

-PO. sigurisht. Por kjo bëhej edhe nga karakteri ideologjik i elitës politike. Në Shqipëri, grupi drejtues politik përcaktonte gjithçka: që të heshtej në mënyrë kriminale për tragjedinë çame, për fatkeqësinë e saj. Kjo heshtje, gjithsesi, u pasqyrua edhe në tekste shkollore, ku nuk shkruanin asnjë fjalë për këtë gjë. Heshtja vazhdon ende sot që shteti grek po bënë përpjekje për të mos e përfshirë çështjen çame. Shteti grek është përgjegjës për atë që ka ndodhur me çamët, për krimin etnik ndaj Çamërisë. Pavarësisht se nga kush u krye dhe si u krye, shteti dhe qeveritë greke kanë qenë vetë ideatorë dhe zbatues të gjenocidit.

Cilat veprimtari historike e argumentojnë që qeveria greke ka qene ideatore dhe zbatuese e gjenocidit ndaj Çamërisë?

-Kjo ka filluar që me aneksimin e Çamërisë dhe ka vazhduar si proces që ka shkuar në kreshendo dhe vijoi si proces në vitet '23-'26 me shkëmbimin e detyrueshëm të çamëve me popullsitë greke që vinin nga Turqia. U bë spastrimi i pjesshëm etnik i Çamërisë, dhe më pas edhe spastrimi i plotë etnik i fshatrave shqiptare të Follorinës e Kosturit, pastaj territoret shqiptare që ishin jashtë zonës së Çamërisë dhe vijon procesi kur vjen Lufta e Dytë Botërore ku Zerva, drejtuesi i forcave ultra-nacionaliste greke gjeti rastin dhe bëri spastrim të plotë të shqiptarëve myslimanë. Qeveria greke pas luftës bënë "arritje" të nacionalizmit grek. Nuk i lejoi më çamët në shtëpinë e tyre

Pra, ishte një përpjekje e dyanshme: zhdukje e çdo gjurme të identitetit për çamët myslimyslimanë dhe asimilim i atyre ortodoks?

-Po, dhe asimilimi i shqiptarëve ortodoks vazhdoi dhe gjatë dekadave. Ndaj qeveria greke nuk është e interesuar që kjo histori të trajtohet në tekstet shkollore. Ndërgjegjja djeg në politikat greke dhe në veprimet e shtetit grek.

Çfarë kapitujsh të historisë çame duhet të hyjnë në tekste shkollore, si më imediate?
-Ne historianët po bëjmë përpjekje për të futur të plotë e të saktë historinë çame. Që në vitin 1994 është bërë përpjekje që u fut një pjesë e çështjes çame në tekste shkollore nga Instituti i Historisë. Përfaqësues të kësaj nisme ka? Sigurisht. Ishte drejtori i atëhershëm i këtij instituti profesor Kasëm Biçoku, profesor Myslim Myzyri dhe një grup studiuesish, që kërkuan që çështja çame të trajtohej në tekstet shkollore dhe që të saktësohen të dhënat në to. Cilat fragmente historike të kësaj historie janë përfshirë? -Që nga momenti i parë që Çamëria pushtohet nga forcat greke, nga perandoria Osmane kalon në pushtimin grek, edhe deri tek spastrimi i plotë etnik që ka ndjekur shteti grek. Po tani cilat fragmente historike duhen plotësuar? -Tekstet shkollore duke u lehtësuar nga informacionet e kanë të vështirë zgjerimin. Por kjo histori është domosdoshme të futet, sepse njihet pak akoma, dhe duhet të jetë edhe integrale me Historinë e Shqipërisë. Nuk bëhet fjalë vetëm në tekste, por edhe në materialet jashtëshkollore; si tekste ndihmëse të nxënësve dhe mësuesve, me materiale formuese specifike për këtë temë.

Ku t'i gjejnë materialet?

-Sigurisht duhen përgatitur nga Ministria e Arsimit. Ata që janë përgjegjës për këtë punë. Ne historianët e kemi bërë detyrën tonë një farë niveli. Kemi bërë kërkime serioze. Janë libra në dispozicion. Çështja është se mësuesit tek ne nuk e kanë formimin dhe nuk lexojnë literaturën e re historiografike. Kanë mbetur te tekstet dhe një pjesë e madhe e mësuesve deri në vitet '90 nuk kanë mësuar asgjë në shkollë vetë. Ata e kanë këtë mangësi. Ata që merren me shkollën duhet ta kenë parasysh këtë fenomen që Historia e Çamërisë të trajtohet dhe të jepet me kompetencë.

Mund të specifikoni një nga shqetësimet tuaja si historian për rishkrimin akademik të Historisë Kombëtare?

-Specifike është çështja që: periudha nga 1912 deri në fillim të viteve 1920 mungon, për arsye se nuk ka pasur një bazë burimore shumë solide. Burimet greke nuk kemi si t'i marrin. Dokumentet shqiptare janë të varfra, sepse shteti në një fazë të paorganizuar mirë u përball me dy luftërat botërore.

Pra kjo histori është e patrajtuar edhe nga akademikët?

-Jo tamam, por kërkon një informacion më të plotë dhe sigurisht do investime. Edhe në botimin aktual të Akademisë që është libri i madh "Historia e Shqipërisë", në vëllimin e dytë dhe të tretë e të katërt ku jam dhe vetë autor nuk u është dhënë hapësira e duhur trajtimeve historike të çështjes çame. Atëherë kaq na është dhënë mundësia e atij projekti. Unë kam qenë i pakënaqur më këtë dimension. Duhet shtuar informacioni i detajuar dhe pritet një botim i madh akademik "Historia Shqiptare në shekullin e 20-të" me dimensione të mëdha. Profesor Marenglen Verli p.sh. ka ngritur çështjen e pasqyrimit të kësaj çështjeje në fjalorin enciklopedik të akademisë së shkencave. Fjalori '84- '85 nuk ka pasur shënime për historinë e çamëve. Në fjalorin enciklopedik duhet të ketë një vend shumë të madh

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...