Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/22

Shkrim me shkas: Gënjeshtrat shkencore të historianit Oliver Jens Schmitt

Nga Mr.sci.Flori Bruqi

Vepra e profesorit të historisë së Evropës Juglindore , pranë Universitetit të Vjenës,Oliver Jens Schmitt vjen e shqipëruar prej Ardian Klosit.

“Skënderbeu” është monografia e dytë e madhe për Arbërinë e shekullit 15, shkruar prej prof. Schmitt pas botimit në vitin 2007 të veprës “Arbëria Venedike”.

Në këtë vëllim kushtuar Skënderbeut, profesor Oliver Jens Schmitt, ka përdorur metodën e fokusimit shumëplanësh të protagonistit.

Në këtë vepër, Schmitt shkëputet nga jetëshkrimet tradicionale për Gjergj Kastriotin. Ndërsa analiza shkencore dhe dokumentacioni tejet i pasur mbështesin edhe më fort zbërthimin e një mitologjie që mbretëron prej njëqindvjeçari te ne.

Oliver Jens Schmitt, në veprën e tij, shkruan se jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua e u shpartallua nga osmanët.

Ndërsa e quan gati emblematike vetminë e Skënderbeut në ditët e tij të fundit…

“Vetëm se bota pas tij nuk deshi të dinte për këtë fat tragjik, ajo dëshiroi një hero ngadhënjimtar në luftën për mbijetesë kundër perandorisë osmane. Kështu vazhdoi të jetojë Kastrioti i madh si hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Ballkan dhe në Perëndim, ndërkohë që u harrua se ai në të vërtetë ishte figura tragjike e një periudhe kur po ndryshonin kohët”, vazhdon më tej profesori i historisë në Universitetin e Vjenës.


....

Rikthehet Schmitt: 'Skënderbeu ishte Arbër'

Prof.dr. Oliver Schmitt është ligjërues i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës. Ka lindur në Basel të Zvicrës më 1973-shin. Disertacioni i tij mbi "Arbërinë venedike", të cilin e ka mbrojtur në Mynih tek albanologu i njohur Peter Bartl, është një nga veprat më të rëndësishme për historinë e shqiptare të periudhës së mesjetës.

Për dallim nga vepra e lartpërmendur, monografia "Skënderbeu" ka ngjallur një debat të zjarrtë jo vetëm në qarqet intelektuale e profesionale, por edhe në shtresat e tjera të shoqërisë shqiptare, meqë figura e Skënderbeut për shqiptarët paraqet njërën nga figurat më madhore të historisë së tyre dhe që në kohën e Rilindjes Kombëtare u bë simbol i unitetit përtej feve dhe të tejkalimit të ndarjeve fetare midis shqiptarëve.

Intervistën me Prof. dr. Oliver Schmitt-in e zhvilluam gjatë qëndrimit tonë studimor në Universitetin e Vjenës dhe pasi më parë kishim lexuar dhe përpunuar deri në detaje librin "Skënderbeu", në mënyrë që të shtjellonin të gjitha dyshimet e ngritura rreth kësaj monografie.

Përshtypja e parë që fitohet është se shumica e kritikuesve të veprës nuk e kanë lexuar fare librin ose nuk e kanë kuptuar atë mirë, pasi temat kryesore të diskutimit nuk kanë të bëjnë aspak me librin dhe se diskutimi nuk ka një objekt.

Pavarësisht nga kritikat, libri i Schmitt-it është një nga librat më të rëndësishëm për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, pasi për herë të parë, me një metodologji dhe interpretim dhe analizë brilante shkencore, na dalin të shpërbëra mite dhe ngrehina ideologjike njëqindvjeçare rreth heroit kombëtar të shqiptarëve.

Duhet theksuar se monografia "Skënderbeu" është rezultat i një punë të gjatë kërkimore-shkencore, që mbështetet në të dhënat arkivore evropiane, si dhe në literaturën e përzgjedhur në gjuhën shqipe dhe ndërkombëtare. Libri përpiqet t´i thyejë, së paku pjesërisht, traditat e rrëfimit romantik dhe ideologjik.

Për këtë qëllim, autori është mbështetur mbi shembullin e një vepre, e cila përshkruan një shoqëri të ngjashme nga ana strukturore, në cepin tjetër të Evropës, në historinë e heroit kombëtar të Uellsit, Glyn Dwr, të shkruar nga R. R. Davies në vitin 1995 dhe ku trajtohet lufta e këtij heroi rreth vitit 1400 kundër kurorës angleze, e që në shumë pika i ngjason asaj të Skënderbeut.

Në librin e Oliver Schmitt-it shohim se jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me beteja të shumta e dramatike kundër Perandorisë Osmane. Ishte karizma dhe strategjia e Skënderbeut që bashkoi arbrit në luftë kundër pushtimit osman.

Lufta e tij pati jehonë të madhe në Perëndim, atje ku dëshirohej një hero ngadhënjimtar në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë Osmane. Kështu vazhdoi të hetojë Skënderbeu i madh si hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Evropën Juglindore dhe në Perëndim.

Historia e Skënderbeut nga Oliver Schmitt shihet si histori, në të cilën marrin pjesë shumë aktorë dhe dinamika e luftës nuk është vetëm arbër-turq, por shumë më komplekse.

Po të lexohet me kujdes libri për Skënderbeun, shohim se edhe në këtë vepër shkencore nuk cenohen asnjë nga shtyllat themelore të figurës së Skënderbeut, pavarësisht se kritikët e thonë me zjarr këtë gjë.

Libri nxjerr qartë Skënderbeun si një nga figurat më të rëndësishme të Evropës Juglindore, i cili pati ndikim të jashtëzakonshëm edhe në Evropën Perëndimore të asaj kohe.

Mbi të gjitha, në këtë libër askund nuk thuhet se babai i Skënderbeut ka qenë serb. Po ashtu, nuk thuhet se gjakmarrja ka qenë motivi i krejt luftës së Skënderbeut.

Nëse një motiv, qoftë ky edhe personal, mund të ketë qenë si shkëndijë për fillimin e një lufte, ai nuk duhet ngatërruar me krejt luftën e madhe 25-vjeçare të Skënderbeut. Dhe kush e lexon me vëmendje, këtë e pohon qartë edhe autori i librit, ashtu siç e thotë krejt qartë edhe në këtë intervistë se "Skënderbeu ishte shqiptar".

Për të njohur nga afër pikëpamjet e Oliver Schmitt-it rreth këtyre kritikave, por edhe për motivet dhe risitë që sjell ky libër, biseduam ekskluzivisht për gazetën "Koha Ditore".

Koha Ditore: Profesor Schmitt, pas librit "Arbëria venedike", të botuar vite më parë, tani së fundi doli nga shtypi monografia "Skënderbeu".


Por, për dallim nga libri "Shqipëria veneciane", që u prit në përgjithësi me tone pozitive, libri për Skënderbeun ngjalli një debat pro dhe contra, herë-herë me tone agresive, sidomos në Shqipëri, derisa në Kosovë gati ka kaluar në heshtje.


Si e keni vrojtuar debatin për librin "Skënderbeu"?

Schmitt: Po, keni të drejtë, libri "Arbëria venedike" nuk zgjoi vëmendjen në përmasat e librit për Skënderbeun, bile edhe nuk pati shumë recensione. Në përgjithësi ka pasur një interesim mediatik për librin e dytë dhe në këtë kuadër, shumë nga kritikat nuk kanë pasur një qasje të qëndrueshme shkencore, dhe nga ajo që kam lexuar, shumë njerëz, historinë e shohin jo si shkencë, por si një lloj objekti politik, që mund të manipulohet.


Ata mendojnë se historia mund të shkruhet si në romanin e njohur të Xhorxh Orwel, 1984. Por, historiani është një shkencor që ndjek një rregull, që posedon një metodë, përmes së cilës ai mund të kontrollojë rezultatet e tij shkencore.


Kritikët e lartpërmendur mendojnë se historianët gjithandej në Evropës mund të shkruaj historinë sipas interesave politike. Pse mendojnë njerëzit kështu?


Sipas mendimit tim, ky mendim rezulton nga përvoja që kanë përjetuar në Republikën Popullore të Shqipërisë dhe në Kosovë (kur ajo ishte në kuadër të Jugosllavisë socialiste, shënim i S. U), ku historia nuk mund të shkruajë në mënyrë të lirë, por ishte si projekt politik. P.sh. në Shqipëri, vetë Partia e Punës dhe personalisht Enver Hoxha kanë vendosur se çfarë është e saktë në interpretimin e historisë. Në këtë kontekst, historianët shqiptarë ishin të detyruar të bënin shumë kompromise.


Por, edhe sot, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, me përjashtim të veprës së Dritan Egros, që ka shkruar një libër të mirë mbi kritikën historiografike (Historia dhe ideologjia, Tiranë 2007), historianët nuk kanë debatuar publikisht se cili ka qenë roli i tyre në kohën e komunizmit, derisa në shumë vende të tjera kjo ka ndodhur, ose të paktën filluar si proces diskutimi.


A do të thotë kjo se historia shqiptare shkruhet sipas metodës dhe klisheve të së kaluarës?


Schmitt: Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, ka një kontinuitet nga e kaluara, të mënyrës së të shkruarit dhe të interpretimit ideologjik të historisë.


Pra, historia ende shpesh nuk shikohet dhe nuk shkruhet e pavarur nga politika. Pikërisht kjo është arsyeja pse edhe rreth librit tim ka pasur reaksione të tilla. Ose, nëse ju kujtohet një "skandal" pozitiv, rasti i gjoja zbulimit të dorëshkrimit të Teodor Shkodranit. Çka ndodhi?


Shumë njerëz i besuan kësaj dhe ishin të entuziazmuar, pasi mendohej se qe zbuluar diçka që atyre u pëlqente dhe menjëherë u vlerësua pozitivisht. Por askush nuk e kontrolloi dorëshkrimin dhe konfirmoi nëse kjo ishte e vërtetë.


Dhe çka ndodhi tash, pas promovimit të librit tim në nëntor të vitit të kaluar, një person, që në Shqipëri është shumë i njohur, doli në televizion dhe e vlerësoi negativisht librin, si dhe e cilësoi "sulm ndaj lirisë". Dhe njerëzit i besuan edhe kësaj.


Pra, në njërën anë, publiku i gjerë i besoi zbulimit të një dorëshkrimi të vjetër - i cili në realitet ishte ose një falsifikim, ose një gabim i rendë i publicistit që kishte botuar mbi atë - me një entuziazëm të madh, ashtu siç i besoi edhe teorisë së konspiracionit, se një historian i Perëndimit ka shkruar një libër me porosi, me qëllim për të dëmtuar një popull. Pra, besohet se mund të blihet një historian dhe ai mund të shkruajë një libër për të fyer apo rrënuar të kaluarën historike të një populli.


Në këtë linjë, debati për librin tim zgjati shumë dhe nga shumë njerëz që nuk e kishin lexuar librin në mënyrë intensive. Në përgjithësi, debati ishte emocional, ku u sulmua jo vetëm libri, por edhe autori, madje edhe përkthyesi. Debati mbi librin ndoqi mekanizma media dhe me këtë rast libri shërbeu si shkas për projektimin e stereotipeve ideologjike, por jo për të ndërtuar një kritikë përmbajtjesore dhe të argumentuar.


Më lejoni t´ju kujtoj rastin e Bullgarisë në 2007-ën, kur ndodhi një debat i ashpër pas publikimit të studimit të Ulf Brunbauer-it mbi ikonografinë e masakrës së Batakut (1876), me ç´rast u akuzua nga nacionalistët bullgarë se po e mohonte masakrën, edhe pse ai këtë gjë nuk e kishte pohuar, por ka dashur të studiojë vetëm ikonografinë e tij.


Debati dhe kritikat në përgjithësi u fokusuan në tri gjëra: tek emri Ivan i babait të Skënderbeut, tek motivi i gjakmarrjes në shpërthimin e kryengritjes dhe tek qëllimi se libri juaj demitologjizon figurën e Skënderbeut.


Schmitt: Nganjëherë kam përshtypjen se qëllimisht dëshirohej të mos kuptohesha. E ritheksoj edhe një herë për gazetën "Koha Ditore", se emri Ivan dokumentohet jo vetëm në burimet serbe, të cilët - sidomos disa kronika të shkurtra - janë të pakta dhe nuk janë kryesore për historinë e Skënderbeut, një fakt i njohur i gjithë historianëve profesionistë, por edhe në burimet greke (kronika e Laonikos Chalkokondyles-it) dhe latine (aktet të administratës venedike, e cila nuk kishte asnjë motiv për t´i sllavizuar emrat të fisnikërisë arbre). Gjithashtu, në librin tim askund nuk thuhet se Skënderbeu ka qenë serb.


E ripërsëris se, shqiptarët në mesjetë, ashtu edhe sot, bartën emra nga kultura të tjera. P.sh., emrat myslimanë nuk ndërrojnë përkatësinë etnike të shqiptarëve.


Emri në kohën e mesjetës, ashtu edhe tani, nuk tregon prejardhjen etnike, por vetëm influencën e kulturës së kohës, d.m.th., kultura bizantino-ortodokse në trajtën bullgare apo serbe, e cila kishte ndikuar jo vetëm shoqërinë arbre, por edhe rumunët.

Sipas librit tuaj, cila është prejardhja e Skënderbeut?

Schmitt: Në radhë të parë, përfytyrimi ynë modern për përkatësinë tonë etnike nuk mund të transferohet në mesjetë. Së dyti, Skënderbeu është ndjerë arbër dhe kjo është vendimtare, pasi identiteti përcaktohet ashtu si ndjehet individi.


Në të gjitha burimet arkivore, dokumentohet se ai është ndjerë si udhëheqës i Arbërisë dhe njëkohësisht ai ka qenë pjesë e aristokracisë ballkanike, duke qenë i miqësuar me shumë familje të rëndësishme të rajonit.


E ritheksoj se në tërë Evropën, aristokracia ka qenë ndërkombëtare, vetëm familjet e rëndomta nuk kanë pasur miqësuar me familjet e huaja. Dhe për mesjetën ishte praktikë lidhja e familjeve aristokrate.


Në këtë kontekst, edhe djali i Skënderbeut e martoi një princeshë serbe. Ndërsa sot, kjo shikohet si diçka negative, si pasojë e përvojës negative shqiptaro-serbe gjatë shekullit XX, nga ku ekzistojnë shumë paragjykime, por, siç dihet, në mesjetë nuk ka pasur konflikte shqiptaro-serbe.


Në mesjetë, për këto familje bëhej fjalë më shumë për prestigj, prandaj ishte shumë interesante që ta martosh vajzën e një udhëheqësi të fuqishëm, që ndoshta fliste gjuhë tjetër, sesa ta martosh një vajzë të varfër e që fliste të vyejtën gjuhë dhe kjo ishte praktikë në tërë Evropën.


Gjatë leximit të librit hasim në një konstatim interesant: fillimisht thoni se Skënderbeu rrjedh nga një ambient religjioz ortodoks, por në letrat e tij, të cilat ju i përmendi në libër, Skënderbeu gjithnjë në vetën e parë i referohet përkatësisë katolike. Në këtë kontekst, edhe më interesant del fakti se luftën e Skënderbeut nuk e përkrahu Kisha Ortodokse, por Kisha Katolike. Si i shpjegoni ju këto relacione?


Schmitt: Duhet pasur parasysh, Skënderbeu jetoi 63 vjet dhe gjatë jetës së tij përjetoi ndryshime të mëdha dramatike. P.sh., në fund të jetës mund të thuhet se ai ndjehej katolik dhe se gjatë luftës së tij kundër Perandorisë Osmane qëndroi shumë afër Kishës Katolike, ishte miqësuar me hierarkinë e lartë katolike, qëndroi në aleancë me Papën e Romës dhe udhëheqësit e kohës në Itali, por në rini ai erdhi nga brendësia e Ballkanit ku nuk kishte kishë katolike, pra, në Dibër nuk kishte kler katolik.


Megjithatë, në sytë e udhëheqësve ortodoksë serbë, babai i Skënderbeut shikohej si arbër (kulla që ndërtoi në Manastirin e Hilandarit në malin Athos, u quajt nga murgët serbë "kulla arbre (arbanaški pirg), ashtu siç shikohej krejt familja Kastrioti, pavarësisht se ishte ortodokse (Reposhi, vëllai i Gjergjit, vdiq si murg ortodoks në Hilandar).


Veç kësaj, në vazhdim të jetës së tij, Skënderbeu e kuptoi se mbijetesa e tij nuk mund të ndodhte pa përkrahjen e Perëndimit, pasi ndihma nuk po vinte nga fqinjët e tij ortodoksë, me të cilët, me serbët dhe malazezët, në fillim kishte bashkëpunuar, por të cilët u sulmuan nga osmanët, dhe për këtë shkak nuk kanë mundur t´i ofrojnë një mbështetje të vazhdueshme.


Por, pas betejës në Fushë-Kosovë (1448) d.m.th., pas dështimit të koalicionit të tij me Hungarinë, fuqinë më të rëndësishme në rajon, pasi rënies së shteteve ortodoksë dhe ballkanikë nën pushtimin osman (Bizanti, Serbia, Morea, Bosnja midis 1453 dhe 1463), Skënderbeu filloi të orientohet gjithnjë e më shumë kah Perëndimi, d.m.th., shtetet italiane, në radhë të parë mbretërinë e Napolit dhe shtetin e Kishës.


Në këtë kontekst, Skënderbeu gjithnjë e më shumë u afrua me Kishën Katolike, por nuk ka ndonjë dokument që flet se Skënderbeu u konvertua në katolik, megjithëse ai e ndjente veten si i krishterë dhe është legjitime ta cilësosh në vitet ´50-të dhe ´60-të të shek. 15, katolik.


Më ka bërë përshtypje në libër pjesa ku ju flisni për Skënderbeun si udhëheqës, strateg dhe diplomat me tipare më të veçanta në Evropën Juglindore. Ku i mbështesni këto pohime ose thënë më saktë, çka e dallon Skënderbeun nga udhëheqësit e asaj kohe?

Schmitt: Ky është pohimi thelbësor i këtij libri, që deri më tani nuk është diskutuar. Skënderbeu ka qenë një figurë e jashtëzakonshme jo vetëm në Evropën Juglindore, por edhe në Evropë. T'i rikthehemi pyetjes suaj, përse ai ka qenë një udhëheqës i veçantë?


Së pari, në aspektin ushtarak ai ka qenë një nga udhëheqësit e paktë ushtarako-politikë në Ballkan, i cili e ka studiuar me saktësi strategjinë luftarake të osmanëve.


Në anën tjetër, princërit bullgarë, serbë dhe të tjerët, i kanë luftuar osmanët në mënyrë konvencionale, me trupat e tyre zhvillonin beteja të hapura fushore, pastaj në qytete, dhe u shkatërruan nga ushtria osmane. Ndërsa Skënderbeu, dy gjëra i kishte kuptuar: së pari, vendlindja e tij ishte e varfër dhe kishte më pak ushtarë.


Së dyti, ai nuk zhvilloi beteja të hapura fushore, por me shkakësi shfrytëzoi natyrën dhe shumë herët e internacionalizoi luftën e tij kundër osmanëve, në një fazë të parë me fqinjët në rajon (deri më 1448-ën), sidomos me Hungarinë, dhe në një fazë të dytë (sidomos pas 1450-ës) më ndihmën ushtarake (nga Napoli) dhe ekonomike (nga Roma dhe nganjëherë nga Venediku).


Në këtë kontekst, ai ndërtoi raporte diplomatike me vendet fqinje, si dhe me shtetet italiane, me synimin që të siguronte mbështetje nga jashtë, sepse atij i duheshin armë, ushqime dhe para në luftë kundër osmanëve.


Në aspektin politik, nëse e krahasojmë me serbët, të cilët e ruajtën besimin ortodoks, por e humbën shtetin, përgjigjja e Skënderbeut ishte radikale dhe për këtë ai u afrua me Perëndimin katolik, pasi e kishte parë se vendet ortodokse ishin shumë të dobëta për të zhvilluar rezistencë.


Veç kësaj, e kishte të qartë se qëllimi i një kryengritjeje të suksesshme kundër osmanëve do të ishte vetëm shkatërrimi i Perandorisë Osmane, pasi e dinte se alternativa tjetër, një mbretëri e vogël përballë një Perandorie të madhe, gjithmonë do të ishte e pasigurt dhe nuk do të kishte shanse për mbijetesë.


Në anën tjetër, osmanët ndiqnin një strategji shumë të shkathët, nëse dikë apo shtet nuk arrinin ta nënshtronin, atëherë i ofronin krijimin e një shteti vasal, pastaj, pas disa vitesh e pushtonin gradualisht, ashtu siç bënë me serbët, të cilët pranuan vasalitetin (1448) dhe me këtë fituan disa vite (1459). Por, Skënderbeu i tha jo një oferte të tillë, pasi ai e dinte saktë si funksiononte kjo strategji, që pas një periudhe të caktuar vasaliteti, vendi i tij do të pushtohej nga osmanët.


- Një moment tjetër, që më ka përshtypje në këtë libër, është trajtimi i Betejës së Beratit, ku ju keni veçuar kontributin dhe veçantinë luftarake të Skënderbeut. Çka mund të thoni më tej për lexuesit për luftën e Skënderbeut në Berat?


Schmitt: Beteja e Beratit tregon veçantinë e figurës së Skënderbeut, i cili, për dallim nga udhëheqësit e atëhershëm, ishte udhëheqës ideal i luftës - sipas idealit të këngëve popullore, jehonën e të cilave mund ta gjejmë në veprën e Marin Barletit, - që dinte të mobilizonte dhe t´u dilte personalisht në ndihmë ushtarëve të tij.


Në aktet dhe dokumentet arkivore dokumentohet se Skënderbeu ishte një luftëtar i madh, nuk ishte udhëheqës i cili i dërgonte luftëtarët e tij në vdekje dhe vetë qëndron në kështjellë, por ai luftonte edhe vetë në radhën e parë të betejës dhe këtë e tregoi në Betejën e Beratit, kur në mesin e katastrofës ai i dëshmoi kualitetet si udhëheqës.


Ai, në Berat lufton deri në momentin kur u tërhoq luftëtari i tij i fundit dhe reaksioni i njerëzve të tij ishte i qartë: nëse udhëheqësi i tyre vetëflijohej, atëherë kjo i motivonte shumë. Ky rast tregon përse Skënderbeun e kanë ndjekur njerëzit edhe pse ishte rrezik, ngase ai ishte i pari dhe i fundit në luftëra.

- Zoti Schmitt, ju e dini se çdo libri i bën mirë kritika e argumentuar, ashtu si njeriut bari i mirë. Deri më tani a keni pasur ndonjë kritikë që keni thënë, epo kjo ia vlen të merret parasysh ose që ju ka shtyrë të mendoni për ndonjë korrigjim të pikëpamjeve tuaja.

Schmitt: Është një pyetje shumë e mirë. Nga kritikat e shumta që kam lexuar, kam parë se ka pasur shumë pak historianë profesionistë, që e kanë përpunuar librin.


Përpos Kristo Frashërit, nuk ka pasur historian profesionist që është shprehur në mënyrë kritike, por ai ka përdorur një qasje polemiste, ndërsa unë do të dëshiroja më shumë argumente dhe jo emocione. Tek të tjerët do të dëshiroja, ashtu si me ju që tani po diskutojmë në mënyrë kritike detaje të veçanta të librit tim.

Deri më tani debati është fokusuar në çështjen e emrit Ivan Kastriotit dhe në çështjen e motivit të gjakmarrjes së luftës së Skënderbeut. Ne kemi një dokument të besueshëm që flet qartë për motivin personal të kryengritjes, por lufta e Skënderbeut kishte arsye shumë komplekse, të cilat prezantohen me hollësi në këtë libër. Pra, është gabim nëse mendohet se Skënderbeu ka qenë një gjakmarrës ordiner.

Edhe diçka duhet sqaruar, në kritikat kundër librit, shpesh është thënë se autori ka përdorur kryesisht literaturë serbe, p.sh., se kam përdorur shumë Jovan Radoniqin, libri i të cilit nuk është monografi, por vetëm përmbledhje e dokumenteve, domethënë nuk janë interpretime të tij, por dokumente arkivore, të cilat ishin mbledhur nga Milan Shuflai.


Këtë libër, nëse dëshironi, mund ta përdorni në biblioteka dhe e shihni se është thjesht një përmbledhje e dokumenteve arkivore, sidomos nga Venediku, Milani dhe Barcelona. Çdo historian serioz e di këtë fakt.


Desha të theksoj që baza e diskutimit duhet të janë burimet, dhe shumë diskutues nuk i përdorin fare, por shfrytëzojnë vetëm versionin zyrtar të epokës së Enver Hoxhës, si prezantohet edhe në ditët tona në "Historinë e popullit shqiptar" ose në librat shkollorë. Çdo lexues kritik mund të verifikojë interpretimin tim duke studiuar burimet.


Unë jam gjithmonë i gatshëm për diskutim, por ai duhet të zhvillohet në një ambient shkencor, me metodat shkencore. Dhe një gjë e fundit: asnjë historian nuk mund të pretendojë që e di "të vërtetën" historike.


Historiografia është një proces afrimi i strukturave dhe personave të së kaluarës. Historiani duhet të deklarojë metodën e tij, burimet që përdor, dhe për këtë arsye historia nuk është një shkencë e "fshehtë", por e hapur; por kjo nuk quhet që leximi i një libri shkollor mjafton për të marrë pjesë në një debat shkencor.


1. Në libër keni përshkruar deri në detaje dhe me një lloj simpatie rrugëtimin e Skënderbeut për në Itali, respektivisht për pritjen që iu rezervua atje, për ndërhyrjen e tij në konfliktet e brendshme midis udhëheqësve të shteteve italiane.


Schmitt: Mirë që po më shtroni një pyetje të tillë, pasi deri më tani gjithmonë është thënë se Skënderbeu vetëm është përbaltur. Në renesancë Skënderbeu ishte një figurë shumë e popullarizuar. Në Itali u bë i njohur sidomos për shkak të këtij udhëtimi. Në këtë kapitull, për të cilin ju po flisni, janë pasqyruar kualitetet njerëzore të Skënderbeut, të cilat edhe sot janë mbresëlënëse.


Ka pasur shumë moskuptime kulturore midis renesancës italiane dhe Skënderbeut. P.sh., për Skënderbeun, shumë principe, si besnikëria, kanë qenë shumë vendimtare, derisa kjo në Itali ishte diçka relative.


Në këtë kontekst, Skënderbeu kishte shkuar në Itali për ta ndihmuar djalin (mbretin Ferrante) e një njeriu (mbreti Alfons V.), që e kishte ndihmuar atë. Kjo kishte shkaktuar befasi në Itali, pasi kjo nuk ishte praktikë, aleancat ndërroheshin sipas interesave të çastit.


Dhe kur e lexon këtë kapitull, është absurde të thuhet që Skënderbeu s´ka qenë arbër, sepse për të ideja e besës shërbente edhe si motivi për politikën praktike, ndërsa në sistemin feudal të Perëndimit, një vasal nuk ishte i detyruar automatikisht, d.m.th., pa betim të vasalitetit, t´i shërbejë birit të sundimtarit të tij.


Një çështje tjetër tejet interesante, Skënderbeu nuk ishte i korruptuar. Fisnikët italianë u përpoqën ta korruptonin, por kjo nuk qe e mundur, pasi për Skënderbeun, në rend të parë ishte ndershmëria e tij, jo ndershmëria retorike.

- Profesor, në kapitullin "kujtimi, harresa, rikujtimi", kam përshtypjen sikur nuk është tërhequr një linjë ndarëse mes instrumentalizimit të figurës së Skënderbeut nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe përdorimit të saj në kohën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, si simbol unifikues i tri konfesioneve dhe si figurë mobilizuese dhe e ndërgjegjësimit kombëtar. Mendoj kështu, mbase ka mundur të bëhet një diferencim më i theksuar, pasi pikënisja dhe synimet e këtyre dy periudhave janë krejt të ndryshme.

Schmitt: Ekziston teza se ideologjia shtetërore e Enver Hoxhës, rrënjët e fuqishme i ka në Rilindjen Kombëtare, e cila më pas shumë është pervertuar, nga toleranca fetare në ateizëm, kur, siç thotë studiuesi Egin Ceka, fillon periudha e kultivimin të një të ashtuquajturi religjion civil rreth figurës së Skënderbeut (sidomos nga viti 1967). Sa më shumë që është izoluar Shqipëria, aq më shumë regjimi i ka përdorur nacionalizmin dhe kultin e Skënderbeut si një lloj religjioni shtetëror.

Në këtë kuadër u bë edhe konstruktimi historik i ngjarjeve, sipas të cilave Enver Hoxha dhe Skënderbeu ishin figurat kryesore të kombit shqiptar, respektivisht Enver Hoxha shihej si perfeksionues i asaj që e kishte filluar Skënderbeu, që në historiografi interpretohej sipas klisheve ideologjike. Në këtë kontekst, unë nuk do të bëj ndonjë ndërprerje, pasi duhet parë një lloj kontinuiteti në interpretimin dhe manipulimin e figurës së Skënderbeut.

- Ekziston bindja se librat e autorëve të huaj, si libri i Noel Malkolm, që ka shkruar historinë e Kosovës, ashtu si në vendet tjera, si në Serbi libri i Holm Sundhaussenit apo në Bullgari libri i Ulf Brunnbauer, kanë një lloj besueshmërie më të madhe, pavarësisht se ato fillimisht priten jo mirë dhe me kritika të ashpra. Pse ndodh kjo, ose thënë ndryshe, pse autorët vendorë nuk arrijnë të lirohen nga interpretimi etnokombëtar?

Schmitt: Në vendet e Ballkanit, në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Serbi e vende të tjera, studiuesit e huaj shikohen nga ky këndvështrim: nëse ata shkruajnë pozitivisht për të kaluarën e tyre, atëherë janë miq, ndërsa nëse shkruajnë në mënyrë kritike, atëherë ata janë armiq. Por, këto kategori nuk funksionojnë në shkencë.

Mua më njohin disa intelektualë shqiptarë dhe ata e dinë se unë kam dashuri të madhe ndaj kulturës shqiptare, por si shkencëtar, unë në rend të parë punoj me dokumente dhe metodat e mia shkencore. Pra, unë nuk mund të shkruaj një libër duke u nisur nga motivi i simpatisë apo i antipatisë.

Veç kësaj, shkenca gjithmonë është debat dhe jo e vërtetë absolute dhe studiuesi nuk mund të pohojë se ai ka monopolin mbi të vërtetën. Në këtë kuadër, jam optimist se kur lexuesi të ketë lexuar veprën time për Skënderbeun, do ta shohë se në këtë libër ai prezantohet si një figurë e rëndësishme, por në dimensionin real dhe jo siç paraqitet në librat shkollorë.


Në fund, jam i bindur që vetëm kontaktet më të ngushta midis historianëve të rajonit dhe historianëve perëndimorë mund ta ndryshojnë situatën aktuale, d.m.th., keqkuptimet dhe manipulimin e rezultateve shkencorë nga një pjesë e mediave.


Ky është një proces i gjatë, por për fat të mirë, ka tashmë filluar; desha të përmend vetëm programin austriak për doktorantët kosovarë; ashtu, shkencëtarët të rajonit mund të përdorin metodat të reja, të hyjnë në marrëdhënie më kolegë të huaj, dhe, duke braktisur izolimin (ose vetizolimin) që vazhdon të karakterizojë një pjesë të shkencës shqiptare, do të integrohen më mirë në botën ndërkombëtarë e shkencës.

Oliver Jens Schmitt sulmon historinë shqiptare!


Historiani Jusuf Buxhovi, i pranishëm në një debat të organizuar nga Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me forumet rinore të partive politike shqiptare, ka qenë i ashpër në vlerësimin e tij për historianin zviceran, Oliver Jens Schmitt.
Ai u ka thënë të rinjve në politikë se shqiptarët nuk kanë nevojë të frikësohen prej madhështisë së historisë së tyre.

“Para disa ditësh Schmitt ishte këtu, një historian shumë i kontestuar, i cili e sulmon historinë tonë aty ku është gjëja më e shenjtë – Skënderbeun”, ka thënë Buxhovi, transmeton RTV21.
Sipas tij, është turp i madh që një historian si Schmitt ftohet të ligjërojë para studentëve shqiptarë, deputetëve të Parlamentit të Kosovës e zëvendësministrave kosovarë.



Oliver Jens Schmitt.

“Schmitt fyen edhe shkon aq larg sa thotë se as teoria ilire nuk ekziston dhe se historia shqiptare duhet të shikohet në kontekstin ballkanik. Kjo do të thotë se duhet të kthehemi në një çorbë ballkanike”, ka thënë Buxhovi.

Kohët e fundit të përditshmet shqiptare vluen prej qëndrimesh,ma së shumti polemike, ndaj kësaj vepre të historianit të ri zviceran Oliver Jens Schmitt. Me të drejtë autori i veprës dhe përkthyesi i saj A. Klosi, ftuen polemistat me e lexue ma parë veprën dhe mandej me ba debat. Na duket nji këshillë me mend, edhe pse u duk se përkthyesi në zjarrminë që kap shpeshherë opinionin publik në kësi rastesh, e ndiente veten paksa bashkëautor të veprës, kajherë tue e tërhjekë autorin e vërtetë në gjinin e polemikave, dhe tue paraqitë tezat e tija - ndoshta thjesht për arsye marketingu – në mënyrë të diskutueshme.
Po përpiqemi me rreshtue dy fjalë rreth kësaj vepre tue e pasë lexue ma parë, dhe tue u pasë mundue me kuptue me ndihmën e arsyes thelbin e saj, objektivat dhe rrugën që mton me çilë në lamijen e studimeve skanderbegiane.

***

Kur “Skënderbeu” nuk asht historia e Skënderbeut




Nga Ardian Ndreca 



http://img125.imageshack.us/img125/5548/adrianndrecakursknderbexx1.jpg


Historiani i ri Schmitt nuk e msheh se qëllimi i veprës së tij asht me çmitizue figurën e Skënderbeut dhe e me çlirue kështu përfytyrimin e gjanë popullor prej përrallash e dokrrash që janë rranjosë kahmot. Nji objektiv i lavdërueshëm ky, mbasi shkenca historike punon mbi fakte e mbi dokumente dhe përjashton kategorikisht vlerësimet metahistorike, emocionale, patriotike dhe gjykimet e bazueme në hamendje. Në ketë objektiv ban pjesë edhe orvatja e tij me interpretue arsyet e kryengritjes së Gjergj Kastriotit tue u nisë prej shkaqesh thjesht personale.

Ma së pari autori mundohet qysh në faqet e para me paraqitë “unitetin” skanderbegian si diçka të rrejshme, të paqëndrueshme, si fryt të nji përceptimi të mavonshëm të historianëve. Në këtë kuadër ai nuk ngurron me e quejt thjesht “pamflet” traktatin latinisht të Frang Bardhit, ku leksikografi i parë shqiptar, kundërshton tezat e Tomko Marnaviqit, simbas të cilit Skëndërbeu kishte qenë boshnjak. Schmitt ven në dukje me të drejtë, por pa nevojë, se asokohe konceptet etni/kombësi ishin mjaft të ngatërrueme dhe nuk kishte kufij të caktuem etnik, fetar. Ma së shumti - por këtë gja Schmitt-i s’e ven oroe - mund të flasim në mënyrë statike vetëm për kufijt fisnorë. Pjesa tjetër e përcaktimeve luhatet në natën e errtë ku të gjitha lopët duken të zeza, siç shkruente dikur nji filozof gjerman. Në fakt edhe pse historianit të ri shumë gjana i duken të errta, ai nuk ngurron me i ndriçue herë mbas here me nji dritë subjektive, të pazakontë për nji shkencatar, sidomos atëherë kur elementet i përshtaten teoremave të tija. Pra kemi nji ndërthurje aksiomash dhe teoremash. Për shembull nji aksiomë e Schmitt-it asht identifikimi i të jatit të Gjergj Kastriotit me nji sundimtar të arealit sllav dhe ortodoks. Pa hije dyshimit ai e quen atë: Ivan Kastrioti.

Le të bajmë nji hap mbrapa. Tek vepra “Arbëria venedike”, përkthyesi Klosi shenjonte paraprakisht: “I jemi shmangur prirjes për të shqiptarizuar emra mesjetarë si Juan (sic!) ose Andrea, që sot mund të jenë bërë Gjon ose Ndre; nuk dimë si kanë tingëlluar ata emra në atë kohë” (fq. 6). Si rrjedhojë e këtij arsyetimi në teksin në fjalë gjejmë për shembull: Joan Kastrioti, por ndeshim edhe në Pal e Lekë Dukagjini.
Çështja e emnave historikë në nji tekst shkencor nuk mund të jetë prerogativë e thjeshtë e përkthyesit, pse vetë natyra e librit përjashton gjykime të pathemelta si ato të masipërmet.

Ne sutor supra crepidam!

Në këtë rast autori mund ta kishte ndriçue përkthyesin e vet tue i kujtue se nji historian i mirëfilltë si Milan Šufflay dëshmon se qysh në vitin 1281 ndeshim në dokumente emna me trajta shqiptare: «ducam Gjinium Tanuschum Albanensem» (Milan Šufflay, Srbi I Arbanasi, Beograd 1925, f. 123) e kjo traditë vijon me «U doni Gjoni, i biri i Bdek Buzukut» në 1555 e deri në ditët tona.


Fakti që në vitin 1281 ekzistonte emni “Gjin” (shih edhe: Acta et Diplomata), kurse
në 1400 nuk ekzistonte emni “Gjon”, nuk përputhet me ligjet historike të gjuhës shqipe. Do të ishte qesharake me pohue gjana të këtilla, mbasi në të dyja rastet vepron i njëjti ligj gjuhsor.
Por edhe po të pranojmë kushtin paraprak të logjikës së Schmitt-it, pra tue u nis thjesht prej dokumenteve serbe për me përfundue se i jati i Gjergj Kastriotit përmendet vetëm si Ivan dhe si rrjedhojë ishte sllav – prapseprap ky silogjizëm nuk asht i rregullt, mbasi Šufflay na njofton se asokohe emni Ivan përdorej dendun edhe prej shqiptarëve.

Pra, sido që ta marrim gjykimi i Schmittit s’ka bazë logjike dhe shpërdoron pa kujdes ato pak të dhana që ka në dispozicion.

Siç shihet tek vepra e maparshme e Schmitt-it, Klosi përdor nji palë argumente e tek kjo e fundit përdoren argumente të tjera. Përfundimi asht se si autori si përkthyesi përdorin o formën Joan ose Ivan Kastrioti, por nuk pranojnë kurrsesi “për arsye shkencore” me e shkrue emnin e të jatit të Skënderbeut, në formën Gjon Kastrioti.

Lexuesi e kupton mirë se po të shihet në mënyrë thjesht abstrakte çështja, forma “Ivan” apo “Gjon” nuk do ta ndërronte thelbin e gjanave dhe nuk do të tjetërsonte qëllimin e luftës së Skënderbeut. Por në këtë libër përdorimi i trajtës “Ivan” rreket me e nxjerrë të jatin e Skënderbeut si pjesë organike e universit sllavo-ortodoks.

Šufflay na dëshmon që trajtën “Ivan Kastrioti” e gjejmë kryesisht në dokumentet sllave, e në fakt historiani zviceran nuk paraqet dokumente tjera, përposë atyne sllave për me mbështet tezën e tij.
Dyshimi i ligjshëm që lind asht ky: - a mjaftojnë dokumentet serbe për me vendosë përkatsinë etnike të babës së Skënderbeut?

Çështja e dytë asht feja. Schmitt-i thekson, sa herë që ka rastin me folë për të, se Ivani ishte ortodoks. Nuk paraqet dokumente historike për me mbështet ketë tezë, por niset prej pellgut hapsinor prej nga vjen Gjon Kastrioti, prej emnave të njerzve që banonin n’ato treva, prej përziemjes etnike dhe kulturore. Sigurisht Schmitt-i s’e ka fjalën për Krujën, ai flet për nji vend të pacaktuem me saktësi (mbasi hipotezat janë disa) dikund mes Dibrës dhe pjesës perëndimore të Maqedonisë së sotme. Pra, ai gjykon Gjon Kastriotin sundimtar të Krujës në bazë të disa të dhanave të vagullta fetare, kulturore dhe etnike të nji zone të shtrime që ndodhet mjaft larg prej Krujës në kohë dhe në hapsinë.

Milan Šufflay shkruen se në Krujë, me ardhjen e Anzhuinëve në Arbní në vitin 1272, merr fund ndikimi grek dhe dekretet e Papës qysh në vitin 1319 quejnë prijsat e amiljeve princnore të Muzakajve, Matarangvet, Arianitve, Blinishtëve, Jonimëve “dilecti filii” (bij të dashun) e “viri catholici” (burra katolikë. (Milan Šufflay, Srbi i Arbanasi, ff. 94, 95).

Qysh në 1167 Kruja kishte qenë me ndërpremje ipeshkvi katolike (Milan Šufflay, Srbi i Arbanasi, f. 88). Në vitin 1279 Kruja ka ipeshkvin e vet katolik, në vitin 1319 kryeipeshkvi i saj Andrea ban përpjekje paqtuese mes fisnikëve shqiptarë dhe Papës dhe titulli episcopus Croensis o Croyacensis dokumentohet dendun në këtë periudhë. Kurse historiani I ri Schmitt, tue u nisë prej dokumenteve serbe dhe atyne që janë filtrue nëpërmjet historiografisë serbe, përpiqet me argumentue se Ivan Kastrioti ishte sllav dhe ortodoks!
Mundet që i jati i Skënderbeut të ketë qenë edhe ateist, por për me mbështetë nji tezë të tillë duhen dokumente, e Schmitt-i nuk na ofron dokumente objektive historike për të pranue përkatësinë ortodokse të Gjon Kastriotit.

Ai thekson se prejardhja etnike s’kishte randësi, se nuk kemi burime të sakta (nuk mund të quhet burim historik përceptimi psikologjik i Arbër Muzakës, shih ff. 37-38), se kohnat ishin të turbullta, e megjithëketë pasiguri objektive ai zgjedh prejardhjen sllavo- ortodokse të Kastriotëve.

Asht, e theksojmë, nji zgjedhje e kryeme pa kritere shkencore, e lejueshme në nji roman apo në nji histori serbe për përdorim të mbrendshëm joshkencorë. Argumente të tërthorta për me vërtetue qenjën ortodokse të familjes Kastrioti, si përzgjedhja e emnit Gjergj për djalin e vogël (“Prindërit i dhanë një emër të pëlqyer në botën ortodokse” ff. 48-49) janë orvatje meskine, mbasi nji argument i tillë mund të kishte njifarë vleret joshkencore për emnat: Kritobulos, Manuel, Niqifor - por jo për emnin Gjergj, që asht deri edhe shenjt pajtor i Anglisë!
Autori trajton si të vërteta edhe hipotezat ma t’papërfillshme. Për shembull emni i Gjon Kastriotit shenjohet në pemën gjenealogjike të riprodhueme në tekst: Ivan/Hamza – tue dashtë me nënvizue se në fund të jetës ai ndrroi rishtas fenë dhe u ba mysliman. Ketë gja Schmitt-i e jep si te provueme, por kurrkund nuk na ka dhanë nji copë dokument apo dëshmi historike që ta mbështesin (shih: f. 217). Sigurisht, autori nuk ka asnji burim të sigurt historik, por kjo gja nuk e pengon me e marrë sikur të ishte e vërtetë.

Ka lajme për shembull që autori i thith prej autorëve sllavë. Ai përmend se pranë Ivan Kastriotit silleshin murgj të Malit Atos. Kjo e dhanë asht e marrun prej Jovan Radoni-it dhe Foti-it.

Mund të themi se “Skënderbeu” i Schmittit në gati gjysmën e të dhanave që përmban bazohet mbi përzgjedhjen e dokumentave të historianit serb Jovan Radoni, dishepull i Jireèekut dhe autor botimesh rreth mesjetës së Ballkanit. Radoni-i asht autor I përzgjedhjes së dokumenteve serbe, osmane etj. - që përban vijimin ideal të dy vëllime-ve të para të Acta et Diplomata.

Dikund Schmitt-i vëren en passant se Radoni ka qenë edhe “përfaqsues i nacionalizmit serbo-madh” (f. 490).

Mendojmë se militantizmi ideologjik nuk duhet ta ketë damtue punën përzgjedhëse të Radoni-it. Të paktën nji gja të tillë e shpresojmë, pse kështu edhe studimit të Schmitt-it s’do t’i kufizohej vlera që i buron prej bouquet-ës së Radoni-it!

Prej Radoni-it ai citon mjaft dendun në libër. Mund të themi pa frikë se 40% e citimeve të librit janë marrë prej Radoni-it dhe Spremi-it. Ky i fundit - historian jugosllav e bashkëautor i Historisë së Jugosllavisë gjatë kohës së komunizmit - ka hjedhë poshtë akuzat e tradhtisë së Vuk Brankoviqit në betejën e Fushë Kosovës.
Kudo gjejmë Radoni dhe Spremi, e Schmitt-i na duket si nji discipulus unius magistri (dishepull i nji mësuesi të vetëm).

Schmitt përpiqet me të gjitha forcat me e paraqitë Skënderbeun dhe kryengritjen e tij në nji ambjent të përziem sllavo-arbnor me besim ortodoks, për me i heqë karakterin thjeshtë arbnor kryengritjes së tij. Ndërkaq citon prej D. Frangut emnat e komandantave besnikë të Skënderbeut: Moisiu, Muzaka i Angjelinës, Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Maneshi (ff. 131, 360). Ku janë serbët këtu, po bullgarët?

A po mos ishin thjesht oplitë dhe kuzhinjera në ushtrinë e Skënderbeut?

Çdo personazh arbnor i nji farë randësie duket se e shqetson autorin. Nuk ka çka i ban psh. Pal Engjellit, por Johan Gazuli e Pal Gazuli (sic) nuk i kujtojnë se në Shqipni ekziston ende sot nji fshat me emnin Gazull dhe se ka me qindra mbiemna: Gazulli.

Përkundër, ai shton: “Gazulët mund të shihen si një familje ballkanike diplomatësh” (ff. 141, 143).
A mos vallë ky asht çmitizimi i shumëpritun? Nji projektim i vagullt në kohë e në hapsinë, në natën e errtë ku të gjitha lopët duken njilloj të zeza!

Kleri ortodoks, pohon autori, e tradhtoi Skënderbeun gjatë gjithë kryengritjes; megjithatë antarë të këtij kleri - vijon ai - patën randësi politike për luftën e Skënderbeut, por ai nuk mbërrin me na përmend si bashkëpuntorë të prijsit kruetan veç nji murg prej Malit Atos që historia na e ka përcjellë pa emën deri n’ditët tona (ff. 133-134).

Megjithatë Skënderbeu vijon me u quejt prej Schmitt-it “i vetmi zot ortodoks i Ballkanit” a thue se Skënderbeu ishte nji vlladikë!! (f. 468).

Kah ana tjetër ai pohon se Skënderbeu bahet katolik kur betejat e tija zhvendosen në zonat e popullueme me katolikë (ff. 146-147). Kjo hipotezë do të kishte bazë në qoftë se Schmitt-i do të ishte i zoti me ndërtue hartën e përkatsisë fetare të popullsisë arbëreshe.

Por ai ma së pari nuk merr parasysh në ketë libër veprën e Farlatit dhe sigurisht që pa nji histori kishtare të rajonit s’mundet me ba fluturime të këtilla pindarike. Aq ma tepër nji determinizëm i tillë minimalist, ku gjeografia përcakton besimin, në nji rrypinë toke si Arbnia, na duket ma fort fryt i nji fantazie të plleshme sesa përfundim shkencor.

Megjithëse Skënderbeu asht “i vetmi zot ortodoks i Ballkanit” - vetëm kleri katolik nuk e ka tradhtue asnjiherë - pohon autori (f.220). Spjegimi i Schmitt-it asht ky: mbasi kleri katolik nuk njihte besnikërinë që rridhte prej lidhjeve të gjakut, ai i ndejti besnik Skënderbeut (f. 221). Pra, kleri katolik I ndejti besnik gjatë gjithë kohës (jo për nji kohë të caktueme, apo thjesht mbas vitit 1666) nji princi me të cilin s’e lidhte as feja dhe as gjaku?!

Por simbas Schmitt-it gjuha dhe përkatësia etnike nuk kishin randësi, feja ishte nji motiv dytësor (shih: ff. 251, 477-478), kurse suksesi në luftë mvarej prej pareve (f. 153). Simbas këtij arsyetimi Skënderbeu për 25 vjet qe ma i pasuni sundimtar në Ballkan dhe jo princi i vendit ma të damtuem e ma të shkatrruem prej luftet!

***

E metë e madhe shkencore na duket fakti se nji pjesë e madhe e librit të Schmitt-it asht e ndërtueme mbi hamendje.

Hamendje: Skënderbeu mori nocionet e islamit prej dervishëve bektashinj, prej këtej legjenda e Sari Salltikut mund të duket ma pak përrallore, pohon Schmitt-i. (f. 50-51).

Hamendje rreth gjuhëve që dinte Skënderbeu: simbas autorit ai na paska dijtë bullgarishten perëndimore, ndoshta serbisht, arbërisht, greqisht, turqisht, arabisht, persisht...(f.52). Sigurisht që këto janë hipoteza, për të cilat Schmitt-i nuk na jep burime të sigurta. Hamendje me nji fjalë, prej të cilave Skënderbeu na del nji koleg i Pico della Mirandola-ës dhe jo nji luftëtar.

Hamendje tjetër asht takimi i Skënderbeut me Huniadin (f. 55).

Hamendje janë lëvizjet e Skënderbeut drejt veriut të krishtenë, kur ai ishte ende tek Sulltani, për me thurë fijet e politikës së tij (f. 58).

Hamendje asht fakti se Skënderbeu I njihte planet e Huniadit dhe Brankoviqit në vitin 1443 (f. 68).
Hamendje janë dyshimet e Schmitt-it se armët që ndodhen në Vjenë nuk kanë qenë të Skënderbeut.
Ato armë mund të mos kenë qenë të Skënderbeut, por ai si historian duhet të prodhonte dokumentet përkatëse me mbështet ketë hipotezë.

Arsyetimi i Schmitt-it në ketë pikë asht tepër fëmijnor. Meqë shpata ka nji mbishkrim arabisht me gabime, dhe tue qenë se Skënderbeu e njihte mirë arabishten (hipotezë tjetër kjo) ai s’kishte si të përdorte nji shpatë me mbishkrime plot gabime (fq.123).

Pse, mos vallë nji shpatë me gabime shkrimi do të ishte ma pak e efektshme në luftën kundër osmanëve?! Po sikur Skënderbeu të kishte probleme me gramatikën arabe dhe të mos i kishte vu oroe gabimet e shkrimit tek shpata e tij?

Hamendja tjetër: rrethi i përkrenares - simbas Schmitt-it - asht shumë e vështirë që të jetë prodhue në shek. XV. Por, shton ai, brenat e dhisë ama janë të vërteta, pse ato kujtojnë Aleksandrin e Ri. Lexò: provojnë nji tezë të Schmitt-it të shprehun në nji artikull të tijin.

Po si ka mundësi që shpata dhe gjysma e përkrenares të jenë të rrejshme e brenat të jenë të vërteta!
Këtë gja e din vetëm autori.

Hamendje tjetër: mundet që popët ortodoksë të katundeve t’Arbnisë të kenë pasë qëndrim tjetër prej peshkopëve të tyne (f. 134).

Hamendje tjetër: Skënderbeu duhet të jetë paraqit (përpara vitit 1443) si mysliman sunit (f. 471).
Hamendje Schmitt-i paraqet edhe rreth popullsisë në trevat shqiptare. Qe arsyetimi i tij: në vitet 1536-1539 në Dibër osmanët numronin 44 mijë banorë.

Hamendje: në këto vite popullsia e Dibrës mund të ketë arritë nivelin e para pushtimit osman, pra para pushtimit osman atje banonin rreth 44 mijë banorë. Hamendje tjetër: në zonat e Matit dhe ultësinës mes Adriatikut e Krujës jetonin të paktën po aq njerëz sa edhe në Dibër.

Përfundimi: “vijmë në një vlerësim të kujdesshëm prej 90 mijë banorësh në trevat e sunduara prej Skënderbeut” (ff. 129-130). Quod erat demonstrandum!

Të gjitha këto hamendje, që marrin vërtetësi vetëm prej hamendësisë së tyne, duken si sistemi i parashikimit të motit për gjithë shekullin XV tue u nisë tek niveli i ujit në Adriatik.

Duket se historiani ka zbatue teoremën e dytë të Euklidit për me gjetë numrin e popullsisë përgjatë katetit dibran dhe matjan të kandit të drejtë të Krujës! Ky mekanicizëm mendor e kthen historinë në diçka qesharake, pa ide dhe pa mendime të mirëfillta.

Por xhevahiri ma i çmueshëm i këtij libri asht nji dokument i diplomatëve de Curte e Trivulzio drejtue dukës Sforza të Milanos ku pohohet se këta dy kanë ndie prej nji ambasadori të Skënderbeut në Romë se shkaku I kryengritjes së Skënderbeut kundër sulltanit ishte vrasja e të jatit të heroit tonë.

Kemi pra dy ambasadorë që ndigjojnë nji ambasador tjetër që i thotë Papës se ky asht shkaku i luftës. Asnji dokument papnor i njohun deri më sot nuk thotë se ai ishte shkaku i kryengritjes. Madje nuk ka dokumente historike të besueshme që i jati i Skënderbeut të jetë vra, aq ma pak tashti që, simbas vetë Schmitt-it, kishte ndrrue fenë dhe ishte nënshtrue fizikisht dhe shpirtnisht.

I gjithë libri rreket me çmitizue Skënderbeun tue u nisë prej kësaj letër. Kështu, hakmarrja, kjo përbamëse psikologjike e nxjerr Skënderbeun si nji naiv fatlum që luftoi me sukses për 25 vjet kundër fuqisë ma të madhe të kohës!

Asnji historian serioz nuk do ta mbështeste kurrë nji vepër mbi nji hipotezë kaq të paqëndrueshme. Por këtu ndoshta ka ndikue edhe nji narçizizëm i tepruem i autorit ndaj nji dokumenti që ka zbulue ai vetë, që e ka shty me u ngutë kaq fort!

Hamendjet e pafundme i rrijnë këtij libri po aq mirë sa i rrinë xhepat kostumit të nji të vdekuni. Nuk i shërbejnë për asgja.

Mungesa e logjikës në faqet e këtij libri asht mbresëlanëse.

Skënderbeu për me u hakmarrë për të jatin, ka kontribue në mënyrë aktive për me vra djalin e madh të Muratit II, Aladinin. Jo vetëm aq, por Skënderbeu shtin me e vra tue qenë larg prej tij. Pra, nji vrasje me porosi (shih: f. 58 passim).

Asnji dokument osman nuk akuzon Skënderbeun si vrasës të Aladinit. Vrasja e trashigimtarit të fronit do të kishte qenë akuza e parë për bukëshkalin, kronikat osmane të mbushuna me shamje kundër Skënderbeut do ta kishin përmendë pafundsisht!

Pyesim: kush ka fitue historikisht prej kësaj vrasje? Historia na thotë se ka fitue Mehmet Fatihu gjenial, djali i Muratit me nji skllave të krishtenë ose hebreje. Kështu shkruen F. Babinger-i. Aktorja tjetër asht serbja Mara Brankoviq, grueja e preferueme e Muratit e cila do të ruejë nji ndikim të madh tek Mehmeti edhe kur ajo do të tërhiqej në nji monastir ortodoks në Thesali.

 Asht e dijtun se ka qenë traditë osmane që djali i madh i Sulltanit të faronte vllaznit tjerë për me sigurue pushtetin e vet, dhe Mehmeti tue e dijtë se ishte i gjykuem për vdekje i ka dalë para punës dhe e ka vra të vllanë. Mandej Mehmeti njihej si gjakatar i madh dhe i pandalshëm para asgjaje. Fakti që Mehmeti dhe Mara shkojnë mirë ma vonë, shtyn me mendue se mund të ketë qenë ajo që ka kurdisë planet. Por nuk ka asnji element objektiv historik që të na bajnë me pohue se Skënderbeu i vret djalin sulltanit për me u hakmarrë.

E gjithë kjo mesele asht prodhim i nji fantazie të ndezun, por pa asnji bazë historike dhe pa asnji themel logjik. Na habit fakti sesi ka mujtë Schmitt-i me ndërtue nji gja të këtillë. Absurd asht përfundimi simbas të cilit: përziemja e Skënderbeut në ketë vrasje asht e sigurt, kurse ajo e Mehmetit e dyshimtë (f. 61).

Historiani i ri Schmitt s’e ka kuptue apo ban sikur s’e ka kuptue, se motivi personal ishte motivi ma i fundit i ndeshjes mes osmanëve dhe Skënderbeut. Lufta në Egje, në More, në Peloponez, në Vllahi, Hungari – dhe vetë ftesat e herë mbas hershme të sulltanit drejtue Skënderbeut për pajtim, tregojnë se politika osmane e ngjadhnjimit shkonte shumë përtej zhdukjes nga faqja e dheut të nji rebeli që sundonte mbi male të zhveshuna, pa pasunina dhe pa tituj që mund t’i jepnin famë ngadhnjimtarëve.

Me pohue se hakmarrja ka qenë shkaku kryesor i luftës së nji populli për me qenë i lirë dhe i nji udhëheqësi për mos me iu nënshtrue sulltanit, asht si me pohue se të gjitha funksionet jetike: të trunit, të zemrës, të mëlçisë, mvaren kryekëput prej ngjyrës së lëkurës!

Filozofia e historisë (Meinecke, Dilthey, E. Meyer) na mëson se nji proçes historik, siç asht për shembull kryengritja 25 vjeçare e Skënderbeut nuk mund të trajtohen si të ishte nji “faida”, mbasi efektet e gjestit të Skënderbeut rrezatohen edhe në shekujt e mavonshëm deri në vjeshtën e vitit 1912.

Friedrich Meinecke e thotë qartë tek nji studim i tiji i vitit 1927 me titull: “Kausalitäten und Werte in der Geschichte”, se konceptimi antik i historisë, që zgjati deri në prag të Iluminizmit, shihte tek historia gjurmën e vendimeve dhe të veprimeve individuale, kurse konceptimi modern që ndjek hallkat e lidhjeve shkakore dhe të kavive meta-individuale të jetës historike, prihet kah nji ekuilibër i arsyeshëm.

Simbas Meinecke-s, nji interpretim i njianshën që sheh individualizmin dhe trajton nji arsye private si qendër të gravitetit të nji proçesi historik e kthen historianin mbrapa në kohë tek Tukididi dhe Herodoti. Pra, po të mendojmë se akejtë me të vërtetë sulmuen Trojën për me rimarrë Helenën do të kthehemi tek mendësia historike e Homerit. E njejta gja po të mendojmë se nji hakmarrje personale vuni Skënderbeun në krye të nji lëvizjes së përbotshme kundër osmanëve për 25 vjet!

Por edhe po ta pranojmë si të vërtetë faktin që i jati i Skënderbeut u vra prej sulltanit, sa princa dhe fisnikë prej Ballkanit i shërbejshin sulltanit, mbasi ky u kishte vra etnit! Ndër ta kishte edhe mjaft serb, prandaj Skënderbeu tue mos u hakmarrë nuk thyente asnji tabu.

Schmitt-i ka humbë drejtpeshimin, mbasi nji dokument i konfeksionuem prej vëzhguesash të huej pranë nji oborri si ai i Papës, në mungesë të çdo konfirmimi edhe të tërthortë, nuk ka ma shumë dinjitet shkencor sesa nji hipotezë e dobtë. Druhemi se historiani zviceran Schmitt në ketë rast e ka humbë fillin.

 I pezmatuem prej entuziazmit të nji zbulimi madhor, sëmundje e randomtë kjo e diletantizmit shqiptar, ai ka përfundue në krahët e nji gnosis thjeshtëzuese pa baza logjike e historike. E kështu me nji hop të vetëm ai ka lane mbas doret kritikën e saktësisë (anàkrisis) të cilën na e porositë nxehtësisht J. G. Droysent tek “Historik” e tija.

Nji tjetër problem asht vetë Skënderbeu. Schmitt-i e quen atë e shokët e tij që u kthyen në atdhe: renegatë. Nuk e di nëse historian ynë e ka të qartë vlerën e këtij termi dhe nëse e kupton mirfilli se çka domethanë me u marrë peng! Pengu nuk asht nji shenj miqsijet apo krushqijet, madje detyra e nji robi të marrun peng, qysh se shndritë dielli mbi tokë, asht me fitue rishtas lirinë. Nuk ka asnji dokument, përveç hipotezave të Schmitt-it, ku të pohohet se Skënderbeu ndërroi fenë me vullnetin dhe me bindjen e tij të thellë shpirtnore. Gjasa ma e madhe asht që ai të ketë jetue si nji kriptokristian deri në çastin e ikjes, siç dëshmojnë edhe biografët e parë.

Mandej, përfytyrimi i Schmitt-it i nji actus fidei të Skënderbeut mbas kthimit në Arbni asht krejtsisht holliwoodian.

Vetëm kronikat e sulltanit dhe historian Schmitt (pjesa tjetër janë gjithsesi mbasardhës të kronikanëve të sulltanit), e quejnë Skënderbeun renegat. Na duket intuitive se nji njeri që nuk ia kthen shpinën vendit të vet dhe mendon për tokën amtare, për pronat dhe për njerzit e vet - simbas normave të qytetnimit nuk asht nji tradhtar. Edhe konventat moderne që rregullojnë trajtimin e robëve të luftës njohin të drejtën e robit me ikë dhe me fitue rishtas lirinë.

Historia nuk asht thjesht nji rreshtim datash e ngjarjesh, emnash dhe citatesh, duhet ma tepër, nevojitet shpirti i historisë, pse pa të datat e emnat janë gur vorresh që s’bzajnë.

Në qoftë se Skënderbeu asht renegat, atëherë pse autori quen renegatë edhe Hamzain dhe Ballaban Pashën? Ata, simbas logjikë së tij, duhet të ishin besnikë dhe heronj!

***

Ka nji maní në këtë libër me paraqit emnat, toponimet, termat e ndryshme në format e tyne sllave. Folëm ma nalt për emnin Ivan. Kemi mandej emnin Joan Muzaki. Toponimin Bila kamin (Guri i Bardhë, Ivan Balšiq (sic! shih. f. 150), Suva gora (Mali i Thatë, Dolgo berdo (Mali i Gjanë. Mandej emna të përveçëm: flitet për Golem Aranit Komninoviqin, kurse djali i Skënderbeut quhet Ivan (fq. 213). Prapë: Lukaris/Lukareviq, de Pozza /Puçiq (për mbaresat sllave të të dyve autori frymzohet tek Radoni, shih: nota 167, f.317).

Për me shkrue formën Golem Aranit Komninoviqi, Schmitt-i frymzohet rishtas prej Radoni-it (shih: nota 337, f. 196). Edhe pema gjenealogjike, e riprodhueme në tekst (f. 195) paraqet format e sllavizueme.

Pse? Vetë përzgjedhja e nji forme gjuhësore/etnike tregon se autori mban nji qëndrim të caktuem dhe përçanson historinë jo si nji shkencatar i paanshëm por si nji actor i vendosun me e kthye Skënderbeun sa në nji udhëheqës ushtarak makiavelik dhe të randomtë aq edhe në nji satelit shpirtnor të botës sllave!
Babinger-i, që asht historiani që na ka lane gjanat ma t’randësishme për familjen në fjalë (shih: Das Ende der Arianiten), në studimin e vet nuk e shton mbaresën sllave -viq ! Asht interesant madje fakti, se në pemën gjenealogjike t’Aranitëve, renegatët, pra ata që kanë tradhtue Arbnín, kanë mbetë pa emën e shenjohen thjeshtë: renegatë.

Zakonisht në pemët gjenealogjike paraqiten me emën edhe fëmijët e vdekun në moshë të mitun, të çmendunit e edhe kopilat, kurse renegatët shlyhen sepse kanë tradhtue tokën e vet.

Nji lajthitje (lapsus calami?) tjetër asht pohimi se Koncili i Firences i dha fund skizmës 400 vjeçare mes ortodoksve dhe katolikëve (f. 63). Jepet ideja se skizma mori fund. Dokumenti i 5 korrikut 1439, që sot ruhet në Laurenziana, u firmos gati prej të gjithëve (përjashto pak grekë dhe vendoste bashkimin mes grekëve (jo të gjithë ortodoksve, mbasi ma vonë do të ketë marrveshtje të veçanta me jakobitët dhe me armenët) dhe Kishës së Romës. Por fundi i skizmës nuk qe nji fund i vërtetë, Bessarioni e Pletoni nuk mjaftonin me bashkue dy kishat, siç e tregon historia deri në ditët e sotme.

Nji spjegim që s’bind asht çeshtja e titullit të Skënderbeut. Šufflay dishmon se Gjergj II Balshaj thirrej Princeps Albanie (sic - pse asht gjinorja e latinishtes së asaj kohe), Karl Topia thirrej catholicus princeps Albanie.

Kurse Skënderbeu thirrej Albanie Dominus (Schmitt, nota 113, f. 139) ose princeps catholicus (Schmitt, f. 331). Por ai ishte njeri i luftës - vijon Schmitt, ndryshe prej monarkëve të tjerë ballkanikë që jetonin në pallate, me kancelarë e me njerëz të dijtun (sic! shih: f. 472).

Po e lamë mënjianë këtë përfytyrim romantik, mbasi as krajl Nikolla në shekullin XX nuk ka jetue ashtu siç sheh andrra Schmitt-i për monarkët e Ballkanit gjatë shekullin XV.

Po kthehemi tek titujt. Simbas Schmitt-it, Skënderbeu mbetë pa titull pse ai ndihet i mvarun prej Bizantit dhe tue mos pasë nji titull prej tij, mbetë pa gja.

Por Bizanti, i cili në vitin 1453 do të shembej përfundimisht, nuk gëzonte ma as autoritet moral e as perandorak me i dhanë kujt tituj. Mandej mes Bizantit dhe Arbnis kishte hy si pykë fuqija osmane dhe asht absurde që nji princ praktik dhe i shkathët për me ba aleanca të priste me marrë titull prej nji perandorije që ishte në grahmat e fundit!

 Pse duhej ta lidhte fatin e vet dhe famën në zenith me nji realitet që po perëndonte?
A nuk kishte nji burim tjetër titujsh në Perëndim?

 Pse nuk mori titull prej Papës, kur ma vonë ishte ba i randsishëm për gjithë krishtënimin? Këtë gja nuk e dijmë, mbasi dokumentet që ka zbulue Schmitt-i për çeshtjet e randsishme nuk na thonë gja.

Por heshtja dhe padija jonë sot nuk provojnë se Skënderbeu s’e kishte të qartë se Papa asokohe ishte i vetmi autoritet që mund të jepte tituj. Në mars të vitit 1452 në Romë Papa Eugjeni IV kishte ba kunorzimin perandorak të Frederikut III.

Bekimi mbi “rota porhyretica” i Perandorit në mes të bazilikës së shën Pjetrit dhe dorzimi i drandofilles së artë i kishin tregue mbarë botës se kush kishte pushtet me kunorzue nji monark. Prandaj teza e Schmitt-it mbetë pa bazë dhe mbi të gjitha nuk spjegon sjelljen e Skënderbeut mbas ramjes së Konstantinopojës.
Në veprën e Schmitt-it gjejmë herë mbas here interpretime dhe vlerësime tendencioze.

Ai, për shembull, ushtron nji skepsi pirroniane ndaj Kuvendit të Lezhës (f. 77), gati-gati i duket e pamundun që arbnorët mbërrijnë me u mbledhë në kuvend dhe me marrë vendime politike. Rreket me provue se kuvendi dështoi, por harron se nji përfundim i tillë e ban ma të vështirë spjegimin e sukseseve të Skënderbeut. Asht interesant fakti se kur flet për dëshirën për liri që nxiti Kuvendin e Lezhës, autori e ven në thojza fjalën liri (shih f. 79), sikur kjo të ishte e marrun uha sub condicione. Sulmet e Skënderbeut kundër Arbnisë venedikase i duken pa kuptim dhe gjithçka shumëzohet me zero. (ff. 84-94).

Na vjen me pyet nga e din autori që “trupat rezerviste nga Dibra e sipërme llahtariseshin nga pamja e sulltanit” (f. 102), apo prej ku del se të krishterët jetonin të tmerruar në malësi ? (f. 135)
Schmitt-in duket se e skandalizon fakti që Skënderbeu dhe barinjt e tij (nuk e hup rastin me theksue se ushtarët e tij ishin barinj, a thue se ushtarët serb apo mercenarët spanjoll ishin orëndreqës apo kirurgë banin ekspedita plaçitëse në tokat e pushtueme prej turqve dhe digjnin e grabitnin (f. 121). A thue se në nji kohë kur komandantat e Skënderbeut të kapun prej Ballaban Pashës ripeshin së gjalli, ai duhet të vepronte në përputhje me konventat e Gjenevës?

Mandej nuk na duket se asht thjesht plaçka e preja motivi pse njerzit e ndiqnin Skënderbeun, siç don me na ba me besue Schmitt-i, mbasi ai vetë pohon se po ata njerz pranonin ma mirë me vra veten sesa me iu nënshtrue turkut (f. 147).

Autori e quen Ballaban pashën “fshatari plak” pse ishte me origjine fshatare, në nji kohë që Ballabani kishte luftue gjithë jetën e si fshatar s’i kishte mbjellë kurrë dy kokrra qepë! Asht si me quejt nipin e nji lundërtari të famshëm, por që s’ka lundrue kurrë: “detar i famshëm”!

Shpesh autori përdorë “due pesi e due misure”.

Për shembull: për të Barleci asht legjendar, por nuk ngurron me e citue, tue e nxjerrë si të besueshëm, kur prifti shkodran thotë se djemt matjanë rekrutoheshin për plaçkë (f. 130).

Në nji anë Barleci asht legjendar, në anën tjetër kronika e Carlo Tocco-s asht e besueshme! Sidomos kur prej saj citohen shamjet e poetit ndaj arbnorëve të quejtun “bari derrash”, a thue se grekët apo serbët ishin bari gamilesh! (f. 116).

Prej Barlecit merren dhe nënvizohen disa episode që do ta banin qesharak Skënderbeun. Psh. kali i tij derdh lot njeriu kur vdes I zoti, ose Skënderbeu ishte nji njeri gjysëm hyjnor! (f. 117).

A thue nuk e din autori se në të gjithë letërsinë kalorsiake perëndimore dhe byzantine gjejmë episode të këtilla, gja që nuk ia ul vlerat dëshmive të dorës së parë të Barlecit e të D. Frangut!

Paralelizmi mes cubit Tocco dhe Skënderbeut, asht i pa bazë, për vetë faktin se cubit Tocco i humb nami dhe emni, pse cubnia nuk asht ideal që përjetsohet në vetëdijen e popujve, kurse liria po.

Në libër citohet përmbledhja foklorike e Marin Sirdanit për me i ba nji lloj proçesi ndërgjegjes kombtare të shqiptarëve që ka mbart në shekuj idena aq antishkencore e antihistorike (ff. 119-120). Vetëkuptohet se rigoroziteti shkencor i Schmitt-it do të dëshironte që edhe folklori të shprehej në terma ekuacionesh matematike.

Historiani i ri Schmitt përmend unazën e Skënderbeut që kishte Leden (Ëçäá dhe mjellmën (në tekst shohin përçudnisht të shkrueme: Leiden). Menjiherë hipoteza absurde: mos nënkuptonte Skënderbeu Kastorin, djalin e Zeusit, pra a mos ndoshta kishte idenë e prejardhjes së vet hyjnore!

Në këtë pikë burimi i Schmitt-it asht rishtas mentori i tij Radoni (shih f. 128, nota 63).
Nji mendim kaq absurd dhe teveqel, nuk do të mund t’i kishte lindë Skënderbeut as po të kishte pasë njikohsisht dijet e Winckelmann-it dhe marrinë e madhshtisë së Neronit!

Këto janë hipotezat me anë të cilave historian Schmitt don me çmitizue figurën e prijsit arbnor?
Apo çmitizim domethanë me e kthye Skënderbeun në nji figurë qesharake?
Mund të themi se në këtë rast arma e pazakontë e historianit tonë asht kthye në nji boomerang dhe e i ka ra atij vetë.

Janë të pakuptueshme përfundimet e autorit: “Kështu fati i Gjergjit nuk mund të quhet aspak i jashtëzakonshëm. Fati i Gjergj Kastriotit ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e brezave të mëpasëm vetëm për shkak të famës së tij të vonë” (f. 49).

Ne kujtuem se autori don me spjegue famën e Gjergjit tue nisë prej jetës së tij, pse për me spjegue famën e tij tue i nisë te vetë fama, na duket nji tautologji shterpë....

Si u realizua vrasja e pesëfishtë në Smilkovc


MPB ka dhënë një version të parë të ekspertizës se si ka ndodhur vrasja e pesëfishtë javën e kaluar në Smilkovc të Shkupit.

Vrasësit thuhet se kanë ardhur pranë liqenit të Hekuranës në afërsi të fshatit Smilkovc, në kohën kur katër të rinjtë po përgatiteshin për të shkuar, për shkak se makina e tyre e gjetur më pas ishte me drita të ndezura.
Makina “Opel Omega” për të cilën thuhet se ishte shfrytëzuar nga vrasësit e pesë vetave, sigurisht dyshohet nga MPB se ka qenë pranë liqenit. Ekspertët e forenzikës kanë vërtetuar se dheu në gomat e kësaj makine është e njejtë me bregun e liqenit.

MPB gjithashtu thekson se makina është me plotë gjurmë të tjera të ndërlidhura me vrasjen.

Sipas një ekspertizë të rikonstruktuar, vrasja është kryer nga së paku tre veta, të cilët në një periudhë prej 5 deri në 10 minuta kanë shtënë në drejtim të pesë viktimave në dy lokacione të ndryshme pranë liqenit. Katër të rinjtë Aleksandar Naqovski, Cvetanço Acevski, Kire Triçkovski dhe Filip Sllavovski janë gjetur pranë makinës së tyre, ndërsa peshkatari Bllagoja Stefkovski është gjetur 100 metra në largësi nga katër viktimat. Sipas policisë katër të rinjt ishin përgatitur për të shkuar, pasi që pranë makinës së tyre ishin gjetur edhe mjetet përgatitore dhe të peshkimit.

Vrasja siç thuhet është kryer rreth orës 20.00, ndërsa policia informacionin e ka marrë në ora 22.15 përmes qendrës së thirrjeve 192. Më pas 15 minuta më vonë edhe tre peshkatarë të tjerë kanë informuar mbi trupat e shtrirë të pajetë.

MPB ka theksuar se akoma po vazhdojnë hetimet intensive, pasi që është zbuluar profili i vrasësve, ndërsa po punohet për zbardhjen e identitetit të tyre. Hetimet siç nënvizohet mund të zgjasin me javë e me muaj, por MPB ka theksuar se është e përgatitur dhe do të zbardhë vrasjen e pesëfishtë.

Serbia e veriut të Kosovës



Çdo ditë e më shumë qytetaret e Kosovës po qartësohen me udhëheqësit e tyre, qe dikur u paraqitnin si shpëtimtar kombëtar, ndërsa sot ata zgërdhihen si karikatura të paturpshme dhe fare kozmopolite. Sa mashtrues dhe kriminel na paskan qenë ata.

Nga Bekim Rexhepi

Rreziku i deligjitimimit ekzistencial

Ka gjasa qe mendimi pro dhe për shtetin akoma më shumë të reduktohet, në masë të konsiderueshme po konsolidohet ideja se shteti përbën kërcënim, në vend se ai të jetë një burim legjitim pushteti, drejtimi dhe shërbimi. Po të pyesim qytetaret e Kosovës, përgjigjen më serioze qe do ta hasim është se shteti i tyre më se paku përbën legjitimitet pushteti, drejtimi apo shërbime për të. Pra, qytetaret shtetin e tyre po e perceptojnë si një e mirë vetëm për politikën, vetëm për politikanet. Çdo ditë e më shumë qytetaret e Kosovës po qartësohen me udhëheqësit e tyre, qe dikur u paraqitnin si shpëtimtar kombëtar, ndërsa sot ata zgërdhihen si karikatura të paturpshme dhe fare kozmopolite. Sa mashtrues dhe kriminel na paskan qenë ata. Ndërsa qytetaret shqiptar po konsumojnë akoma figura të tilla, vërtetë me të drejtë dyshojnë se autoriteti i tyre nuk vlen më për vendin dhe për ta. Po e kuptojnë fare mirë se sa të dobët janë dhe se sa teatër po bëjnë ne emër të shtetit dhe të politikës. Personalizimi i shtetit deri në atë masë sa patroni është vet shteti, duke i shfrytëzuar objektivisht të gjitha edhe ato strukturat shtetërore për një manipulim të gjerë dhe për më keq po e deligjitimojnë ekzistencën nacionale e territoriale të vendit.

Konsumimi politik i Thaçit

Një politikan qe konsumohet merret me cikërrime, duket se shembulli i presidentit Rugova, nuk i ka shërbyer pasardhësit në krye të vendit. Neveritja politike është shembulli më i keq që mund të nxjerrë një politikan, sepse kur ndodhet në këtë gjendje ai harron të sillet me kreativitet përgjegjës dhe sikur vet zgjedhë të konsumohet papërgjegjshëm, deri në ato debate shterp dhe merret me akuza të ndërsjella, madje duke harruar të drejtën legjitimuese të pushtetit, të drejtimit dhe të shërbimit. Ngadalë, kthehet në rolin e një lideri të papërgjegjshëm dhe në funksion të politikës ditore. S’ka dyshim se Hashim Thaçi është një konsumim i përditshëm politik. Shfrytëzon debatet ne parlament për të akuzuar opozitën për terrorizëm politik, për vetëfundosje, për retorikë devalvuese, për patriotizëm verbal dhe të tjera si këto. Kur kreu i shtetit vepron në këtë mënyrë bëhet e qartë se sa e dobëson atë përbrenda, duke e konsumuar edhe varfërimin politik, në vend se të merret me fuqizimin e shtetit. Natyrisht qe Kosova nuk mund të zhduket thjesht me vdekje apo ikje të një autoriteti suprem. Sepse disi mbijetohet dhe se pushtet ndërrohen, ne në fakt po rrezikojmë të shndërrohemi në një etnitet legal me operacione shpëtuese ndërkombëtare dhe me një organizim të dobët dhe vazhdimisht mbikëqyrës. Hashim Thaçi, me strukturat e tij manipuluese, si kreu më përgjegjës i vendit çdo ditë po e sakatos Kosovën me ligje diskriminuese në dem të shumicës.

Serbia e veriut të Kosovës

Serbia po përpiqet me të gjitha mjetet që ka në dispozicion që “veriun e Kosovës”, ta paraqes si një problem të rëndë dhe të negociueshëm. Zyrtaret serb e dinë se negociata apo bisedimet shqiptaro-serbe, pa faktorin ndërkombëtar janë të kota, ndaj po përpiqen qe ato ti zhvillojnë në agjendën ndërkombëtare, më qëllim qe të sensibilizojnë në njëfarë forme problemin për “veriun e Kosovës”. Janë shprehur se janë te gatshëm për negociata, këtë gatishmëri të Serbisë për negociata e njohim mirë,( dhe për shqiptaret qe kanë kujtesën e freskët gjatë shpërbërjes së RSFJ-së, nuk përbën ndonjë risi në politikën serbe sepse ata në njëfarë mënyre shprehin kësi lloj gatishmërie verbale, bëjnë marrëveshje por ato nuk jetësohen asnjëherë dhe po qe se prekin interesat nacionaliste serbe, serbet edhe kur bëjnë një marrëveshje në letër, para realizimit të saj, e rrënojnë atë dhe në teren krijojnë incidente apo nxjerrin një agresion të ri ndaj territorit të Kosovës, më qëllim qe të zhvleftësojnë marrëveshjen duke fajësuar kundërshtarin), por duke besuar ne faktorin ndërkombëtar qe edhe jo vetëm në këtë rast bëhet garantues i marrëveshjeve, ne edhe këtë herë i kemi dhënë shansin tjetër lojës politike me Serbin.

Pala shqiptare edhe përkundër deklaratës dhe rolit të faktorit ndërkombëtar se do të jetë garantues ne këto negociata, e ka të drejtën të paragjykojë çfarëdo ekipi të përfaqësimit ndërkombëtar, sepse tani kur kemi disa marrëveshje të arritura, po në prezencë të faktorit garantuesin ndërkombëtar, Serbia si gjithnjë vazhdon ti përbuzur ato marrëveshje dhe akoma i mban në siklet për ti realizuar. Tani, akoma pa i realizuar këto marrëveshje, ne kemi disa incidente qe direkt cenojnë territorin e Kosovës si rasti i kidnapimit të policisë ne territorin e Kosovës, kemi sulmin me bombë në ndërtesat shqiptare ku kemi viktimë serish shqiptaret, kemi akoma barrikada dhe struktura paralele qe sfidojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe në këtë atmosferë Serbia po avancon ndërsa Kosova ngecen dhe vendnumërohet në problemet aktuale. Më shumë se qytetaret shqiptar në veri të Kosovës nuk e përditëson Serbin e veriut të Kosovës, e pjesa tjetër përveçse bënë sehire ...

QUO VADIS MAQEDONIA?!


Xhelal Zejneli

Shkruan Xhelal Zejneli

MAQEDONIA PARAQET RAPORT FORCASH SHQIPTARO-MAQEDONASE

            Që nga viti 1990 e këndej, Maqedonia ka qenë një vend me numër tejet të madh incidentesh. Pothuajse s’ka pasur vit të ketë kaluar pa incidente. Incidentet në Maqedoni janë përshkuar nga dhuna, nga ndërhyrjet policore dhe nga ndërhyrjet e njësive speciale të forcave “të rendit”. Shumë incidente kanë përfunduar me rrahje, me lëndime, me plagosje dhe me vrasje. Pas incidenteve kanë pasur arrestimet, hetimet, aktakuzat, proceset gjyqësore dhe dënimet drakonike. Viktimë e të gjitha incidenteve të dy dhjetëvjeçarëve të pluralizmit politik dhe ideologjik, rëndom kanë qenë shqiptarët, ndërkaq ushtrues dhune kanë qenë sllavo-maqedonasit.
           
            Mbi shqiptarët në Maqedoni është ushtruar dhunë:
            - prej grupeve sllavo-maqedonase;
            - prej organeve shtetërore.
           
            Me fjalë të tjera, në periudha të caktuara të njëzet viteve të fundit, mbi shqiptarët në Maqedoni shteti ka ndjekur politikë represive dhe opresion.
            Dhuna është ushtruar në shumë mënyra: janë sulmuar nxënësit nëpër shkolla apo nëpër autobusët e qarkullimit qytetor; me pretekste të ndryshme, janë bastisur shtëpitë e shqiptarëve; nga forcat e armatosura - në kohë paqeje - janë sulmuar zona të caktuara të hapësirave shqiptare. Vrasje të caktuara dhe rrëmbime individësh, deri më sot kanë mbetur të pasqaruara.
            Gjatë qeverisjes së kryeministrit të përtashëm – Nikolla Gruevskit dhe VMRO-së së tij, në periudhën e viteve 2006-2012, në Maqedoni u zbatua një politikë ultranacionaliste. Me fjalë të tjera, ultranacionalizmi sllavo-maqedonas u bë politikë e shtetit, d.m.th. e qeverisë. Pjesë e qeverive të viteve 2006-2012 ka qenë edhe faktori politik shqiptar. Nga kjo del se në zbatimin e politikës ultranacionaliste sllavo-maqedonase, duke qenë pjesë e qeverisë, ka marrë pjesë edhe vetë faktori politik shqiptar në Maqedoni. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar në Maqedoni, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, duke qenë pjesë e qeverisjes, bëhet kreator dhe zbatues i politikës nacionaliste antishqiptare të partnerit të bashkëqeverisjes – VMRO-së dhe të kryeministrit Gruevski!!
            Shkupi kontestohet nga boshti anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofje: Serbia e mohon Kishën Ortodokse Maqedonase; Greqia e mohon emrin e shtetit, e rrjedhimisht edhe emrin e gjuhës dhe të kombësisë; Bullgaria e mohon gjuhën, kombësinë dhe historinë sllavo-maqedonase, duke thënë se sllavo-maqedonasit janë bullgarë, gjuha që flasin është bullgarishtja, ndërsa historia e tyre nuk është veçse histori bullgare.
             Duke qenë të mohuar prej fqinjëve që e rrethojnë, është vetëkuptueshme që sllavo-maqedonasit janë në krizë identiteti.
            Politika e VMRO-së dhe e Gruevskit - historikisht e vonuar - ka për qëllim të krijojë kombin maqedonas. Për ta tejkaluar krizën e identitetit, disa akademikë sllavo-maqedonas, prejardhjen e bashkëkombësve të tyre e ndërlidhin me maqedonasit e lashtësisë. Sipas këtyre pseudo-akademikëve, po qe se maqedonasit e sotëm nuk ndërlidhen me ata të lashtësisë, atëherë komb maqedonas në Ballkan nuk ka.
        
            Me regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, të kryer para dhjetë vjetësh, sipas të dhënave zyrtare, 25.17 % e popullsisë së këtij vendi janë shqiptarë. Ka që thonë se kjo shifër arrin rreth 30%. Rrjedhimisht, Gruevski dhe partia e tij pengesën më të madhe për ta krijuar kombin maqedonas e shohin te shqiptarët. Përse?! Kështu sepse barazia e plotë e shqiptarëve pashmangshëm do të shpinte ne federalizmin e Maqedonisë. Barazia e plotë do t’u mundësonte shqiptarëve të fitojnë statusin e popullit shtetformues. Federalizmi i Maqedonisë dhe statusi i popullit shtetformues të shqiptarëve do t’i shuante përfundimisht ëndrrat e VMRO-së për një Maqedoni unitaristemonoetnike dhe centraliste. Maqedoni federale do të thotë Maqedoni dyetnike – shqiptaro-maqedonase.
            Për këtë arsye, Gruevski dhe partia e tij, përballë shqiptarëve në Maqedoni kanëkompleks inferioriteti. Për ta kapërcyer këtë kompleks inferioriteti, Gruevski dhe partia e tij, ndaj shqiptarëve në Maqedoni ndjekin politike ultranacionaliste. Nacionalistët maqedonas nuk kanë kapacitet të ballafaqohen me aspiratat grabitqare të boshtit Beograd-Athinë-Sofje. Me shqiptarët ndërkaq, mendojnë se mund t’ia dalin lehtë. Duhet thënë se për arsye pragmatikedhe mbi bazën e antishqiptarizmit të përbashkët, politika e Gruevskit është e afërt me Beogradin.
            Shkupi e di se pretendimet historike të boshtit anti-maqedonas Beograd-Athinë-Sofjenuk mund të vihen në veprim për shkak të SHBA-së. Rrjedhimisht, me fqinjët që e kontestojnë, Shkupi s’ka arsye të përplaset. Sovraniteti dhe tërësia tokësore e Maqedonisë janë nën kujdesin e Uashingtonit.
            Sipas nacionalistëve të Shkupit sllavo-maqedonasit mund të maten dhe kanë arsye të maten vetëm me shqiptarët brenda. Ndaj, politika nacionaliste e Shkupit nuk manifestohet ndaj  fqinjëve që e kontestojnë, por ndaj shqiptarëve brenda.
             
            Që nga viti 2006 e këndej, në Maqedoni janë duke u zhvilluar dy procese:
           
            - e para, krijimi i kombit maqedonas,
            - e dyta, shndërrimi i shqiptarëve në pakicë të papërfillshme.

            Procesi i shndërrimit të shqiptarëve në minoritet të nëpërkëmbur mund të ndikojë:
           
            - në diskreditimin e luftës së 2001-shit;
            - në diskreditimin e Marrëveshjes së Ohrit;
            - në diskreditimin e faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

            Pjesë e pandarë e kësaj politike dhe strategjie të Gruevski është edhe varfërimi ekonomik i shqiptarëve. Si rrjedhojë e mosinvestimit në viset veri-perëndimore, shqiptarët shpejt do të ballafaqohen me papunësi përmasash tronditëse dhe me probleme socialeshqetësuese. Për të mbijetuar, të rinjtë shqiptarë do t’i marrin rrugët e mërgimit. Politika e krijimit të kombit antik (!!) sllavo-maqedonas, realizohet kryekëput në dëm të shqiptarëve. Kjo politikë e Shkupit krijon një Maqedoni unitariste, centraliste, monoetnike dheantidemokratike – përkundër përbërjes së saj dyetnike. Klasa politike dhe inteligjencia shqiptare në Maqedoni janë në letargji të plotë. Shqiptarët në Maqedoni merren me mikrovlera, me mikrostruktura dhe me mikrosisteme. Veprojnë në mikroplan. Çështja shqiptare në Maqedoni nuk mund të reduktohet në ndërtimin e sallave të fizkulturës në ndonjë shkollë katundi. Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politike, kërkesat kanë qenë dhe duhet të jenë politike, arritjet po ashtu duhet të jenë politike.
            Në vitet 2002-2006, shqiptarët në Maqedoni - në frymën e Marrëveshjes së Ohrit - realizuan kërkesa të caktuara politike. Në vitin 2006, nacionalistët sllavo-maqedonas ngritën  zhurmë të madhe duke thënë se shqiptarët fituan shumë. Për këtë e fajësuan LSDM-në, që sot është në opozitë. Që nga viti 2006 e këndej, kërkesat e faktorit politik shqiptar kanë hasur në vesh të shurdhët - vox clamantis in deserto. Që atëherë LSDM-ja vazhdimisht është duke i humbur zgjedhjet. Nacionalizmi maqedonas zbriti në popull.
            Tragjedia e shqiptarëve në Maqedoni qëndron në faktin se kërkojnë të drejta. Në të vërtetë shqiptarët, duke qenë popull autokton, nuk duhet të kërkojnë të drejta prej askujt. Aq më pak nga pala sllavo-maqedonase. Shqiptarët në tokë të vet, të drejtat e veta - historikisht të justifikueshme - duhet t’i realizojnë pa i kërkuar prej ndokujt. Kërkesat për të drejta drejtuar palës maqedonase jepen vetëm në shtratin e Prokrustit.  
*   *   *
Terri informativ që imponon qeveria e përtashme - Politika e qeverisë së Gruevskit çon në krijimin e një shteti diktatorialme tendencën për t’i vënë nën kontroll të caktuar edhe mediumet. Të ndalohet liria e shtypit, liria e fjalës, liria e të shprehurit në kohën e antenës satelitore, të telefonisë celulare, të internetit dhe të telefaksit është absurde dhe punë Sizifi. Të imponosh errësirë informativ në shekullin XXI, në një vend me pozitë gjeografike në Evropë, që i aspiron euro-integrimet - nuk i bën nder botës demokratike. T’u kanosesh mediumeve me fjalët: “...  mediumet të cilat do të botojnë shkrime që mbjellin urrejtje ndëretnike do të ndëshkohen...” do të thotë të bësh ndërrimin e tezave. Nuk janë mediumet ato që i shkaktojnë incidentet, por është politika e papërgjegjshme e Gruevskit dhe e partisë së tij që krijojnë terren për incidente të vazhdueshme. Sipas apelit të sipërthënë të qeveritarëve të përtashëmtë Shkupit, mediumet në Maqedoni u dashka të botojnë vetëm tekste për hurmat dhe për salep-shitësit e Lindjes së Afërt. Sipas tyre, drejtuesit e mediumeve duhet të shndërrohen në punëtorë me mëditje që luftojnë për bukën gojës dhe jo të jenë  kreatorë të mendimit politik, të kritikës politike apo të kritikës sociale. Gazetaria në botën e lirë ku mëton të hyjë ky vend, është veprimtari kreative dhe jo përulje para pushtetarëve injorantë. Kjo të përkujton bolshevizmin e Josip Visarionoviç Stalinit të paraqitur në veprën e Aleksandër Solzhenjicinit – Arkipelagu Gulag.
            Qeveria e Gruevskit, në kohën e pluralizmit, synon të imponojë njëmendësi politike dhe ideologjike.
            Në shërbim të politikës antishqiptare të Shkupit, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi, vihen edhe disa të ashtuquajtur analistë dhe krijues të opinioneve. Këta farë analistë dhe opinion-bërës nuk janë veçse kuislingëmercenarë dhe antishqiptarë. Nuk janë veçse instrumentë të shtetit, në funksion të krijimit të një Maqedonie monoetnike.
            Sipas qeverisë së përtashme të Gruevskit, mund të shkruash çmos, por jo edhe ide dhe ideologji kombëtare. Mund të shkruash çmos, por jo edhe të kritikosh – qoftë edhe në mënyrën më të butë – pushtetarët dhe qeveritarët. Qeveritarët dhe pushtetarët e Shkupit nuk duhet të harrojnë se një prej detyrave të një qytetari, për të mos thënë të një intelektuali - është kritika politike dhe kritika shoqërore. Krejt kjo, në funksion të zhvillimit të proceseve demokratike në shoqëri.
            Dihet cilat shkrime nuk duhet të gjejnë hapësirë në mediume: ato që mbjellin gjuhën e urrejtjes, sugjerojnë mjetet violente, propagandojnë ksenofobi, nxisin jotolerancë ndëretnike, fetare, sociale dhe racore, gjykojnë me stereotipe dhe paragjykime. Praktika e ka dëshmuar se një politikë është e fortë vetëm kur e lejon kritikën politike. Një shoqëri forcohet vetëm kur i kërkon në vetvete të metat e saj. Lirinë e fjalës e kanë sugjeruar iluministët francezë qysh në shekullin XVIII: Volteri, Rusoi, Didëroi, Dalamberi dhe enciklopeditët.

*   *   *
            Si do të hyjë ky vend në NATO dhe në BE me një ideologji kombëtare të tipit të shekullit XIX?! Politika e sotme e Shkupit i komprometon dhe i diskrediton: faktorin ndërkombëtar, qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tiranën dhe Prishtinën, si dhe faktorin politik shqiptar në Maqedoni. Politika e Gruevskit ka për synim t’i disiplinojë shqiptarët. Dhuna që është ushtruar mbi shqiptarët vitet e fundit, nuk është ushtruar as para vitit 2001. Ka edhe të tillë që thonë – as në kohën e komunizmit.
             Duke qenë se Maqedonia është një vend dyetnik, atëbotë puna e parë që duhet të bëjnë qeveritë e saj është kujdesi maksimal për ndërtimin e marrëdhënieve ndëretnike të shëndosha. Politika e Gruevskit e bën të kundërtën – marrëdhëniet ndëretnike i rrënon në themel. Nacionalizmi i VMRO-së krijon klimë antishqiptare. Të rinjtë sllavo-maqedonas edukohen dhe rriten nën frymën e antishqiptarizmit. Antishqiptarizmi është në fakt produkt i politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Nga ky këndvështrim duhet parë të gjitha incidentet që ndodhin në Maqedoni. Me fjalë të tjera, edhe incidentet në këtë vend janë pjellë e politikës nacionaliste të Gruevskit dhe të partisë së tij. Politika e Gruevskit vetvetiu gjeneron krizë, saqë krizat në Maqedoni janë bërë normale. Ky vend është mësuar me kriza. Ato janë përditshmëri e tij. Çdo dy-tre muaj ndodh nga një incident dhe herë-herë me pasoja tragjike.
            Brohoritjet e shpeshta të të rinjve sllavo-maqedonas nëpër stadiume dhe në hapësira të tjera publike, me përmbajtje antishqiptare, si:
           
            - Vdekje shqiptarëve;
            - Dhoma gazi për shqiptarët;
            - Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur;
           
cenimi vulgar i integritetit dhe i dinjitetit të femrës shqiptare, si dhe parulla të tjera me përmbajtje shoviniste, duhej ta alarmonin me kohë qytetarinë maqedonase, klasën politike dhe qeverinë. Ndërhyrjet e organeve të rendit dhe atyre të gjyqësisë, në raste të tilla është puna e fundit që duhet bërë. Cili shqiptar pas këtyre parullave antishqiptare do ta ndjejë Maqedoninë si shtete të vetin?! Nacionalizmi sllavo-maqedonas, me automatizëm nxit nacionalizmin shqiptar.
            Thelbi i nacionalizmit maqedonas është: Maqedonia është shtet nacional i maqedonasve, të gjithë të tjerët janë minoritet. Sipas kësaj ideologjie, shqiptarët në Maqedoni e kanë Shqipërinë dhe Kosovën; këtu nuk janë veçse minoritet.  .Nacionalistët maqedonas duhet ta dinë se Maqedonia paraqet raport forcash shqiptaro-maqedonase.Jashtë këtij raporti, nuk ka Maqedoni. Jashtë këtij raporti ka vetëm një Maqedoni jostabël, me tensione ndëretnike permanente.
             
            Pas çdo incidenti në Maqedoni, pasojnë edhe interpretimet:
           
            - incidentet i shkakton qëllimisht Gruevski, në shenjë trysnie para samitit të NATO-s në Çikago...;
            - incidentet i shkakton qëllimisht qeveria për t’ua tërhequr vëmendjen qytetarëve prej problemeve reale;
            - incidentet i shkakton Serbia, për ta destabilizuar Maqedoninë dhe rajonin;
            - incidentet janë pasojë normale e krizës ekonomike dhe sociale;
            - incidentet i shkakton Gruevski për të gjetur pretekst për të ushtruar represion dhe opresion mbi shqiptarët.
           
            Me rëndësi është një gjë: politika e Gruevskit dhe e VMRO-së, duke qenë ultranacionaliste dhe antishqiptare, është vatra e krizës, gjeneron krizë dhe është kriza vetë.  
           
            Pas çdo incidenti në Maqedoni pasojnë edhe klishetë dhe refrenet e faktorëve të caktuar:
            - Faktori politik shqiptar në Maqedoni gjithmonë del me të njëjtën deklaratë: “...ruani gjakftohtësinë dhe mos bini pre e provokimeve...”
            - Autoritet e Tiranës dalin me prononcimin: “...ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera...”
            - Udhëheqja e Prishtinës del me deklaratën: “...ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë mbizotërojnë marrëdhënie të shkëlqyera të fqinjësisë së mirë...”;
            - Faktori ndërkombëtar apelon: “...të zihen fajtorët dhe të nxirren para drejtësisë...”

             Për hir të perspektivës së përbashkët nacionalistët sllavo-maqedonas duhet:
           
            -  të heqin dorë nga krijimi i një kombi artificial;
            - të rishqyrtojnë politikën nacional-romantike të tipit të shekullit XIX;   
            - të heqin dorë nga politika antishqiptare;    
             - ta pranojnë realitetin shqiptar dhe t’ua njohin shqiptarëve statusin e popullit shtetformues;
            - të kultivojnë marrëdhënie ndëretnike të shëndosha;  
            - ta ndërrojnë emrin, në kompromis me Greqinë;
             - të krijojnë një Maqedoni stabile, si parakusht për sjelljen e investimeve të jashtme; dhe
            - të integrohen në botën euroatlantike.

            Marrëdhënie të mira ndëretnike, me shqiptarë të shtypur, të përkujton utopinë e Josip Broz Titos mbi vëllazërim-bashkimin midis kombeve dhe kombësive. Vetëm dy popuj të barabartë mund të bashkëjetojnë në paqe, në harmoni dhe në prosperitet.
            Ndryshe, krizat në Makondon markeziane do të riciklohen prore. 

Presidenti Topi dekoron personalite të larta shqiptare


Nga Mimoza Dajçi






Nën një ceremoni madhështore në ambjentet e Presidencës Shqiptare, Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi vlerëson në mënyrën më të lartë e fisnike personalite të politikës, kulturës, humanizmit e të persekutuar politikë; Znj. Rita Saliu, Vahbi Skënderi (pas vdekjes) ing. Riza Fejzi Alizoti (pas vdekjes) Islam Bali Nokshiqi(pas vdekjes).


Bashkëshortet Skender Buçpapaj,Elida Buçpapaj dhe disidenti Vehbi Skenderi

Eshtë për të ardhur keq (fakt i njohur) që shumica dërmuese e shtresës së ish të persekutuar politike vlerësohen e u akordohen Çmime pas vdekjes, nga institucione e drejtues të lartë të shtetit tonë, si në rastin konkret publicistit të njohur të letrave shqipe, disidentit Vehbi Skenderi, të cilin diktatura komuniste e flaku dhe e dergji internimeve si mijra të tjerë, vetëm për fjalën e lirë e demokracinë e ëndërruar.

E sot me të drejtë e bija e tij, intelektualja - gazetarja e njohur Elida Buçpapaj ngre zërin e bën apel për të atin e saj Vehbiun, jeta, puna e vepra e të cilit u “anashkalua”qëllimisht nga rregjimi i egër komunist, por edhe në kohën që ne besuam në vitet e demokracisë.


Presidenti  shqiptar Prof.dr.Bamir Topi dekoron shkrimtaren shqiptare nga Kosova z.Rita Saliu

Ajo njëherësh falenderon e i dërgon mirënjohje Presidentit të Republikës Bamir Topi për kujdesin që është duke treguar në lidhje me dekorimet që ka realizuar për personalitet e ndryshme të vendit, duke e quajtur këtë një hap në drejtimin e duhur për të ndrequr sadopak padrejtësitë e bëra nga diktatura, padrejtsi të cilat tranzicioni vetëm sa i ka thelluar me shpërfilljen tendencioze e cinike ndaj peronaliteteve të kombit, e sidomos ndaj klasës së ish të burgosurve politikë e të përndjekurve politikë.

Urdhërin e të atit me Titull “Mjeshtër i Madh” Elida e sheh si një rreze drejtësie, e cila kurrësesi nuk duhet të mbetet jashtë vëmendjes së shqiptarëve e asaj mediatike. Në Urdhërin për Mjeshtrin e Madh të letrave shqipe



Presidenti ndërmjet të tjerave në motivacionin e Tij shkruan: “Personalitetit të shquar të letrave shqipe, poetit dhe publicistit patriot e qytetarit, që gjithë jetën u qëndroi besnik idealeve të lirisë, drejtësisë sociale e demokracisë, për të cilat luftoi gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u përball me trimëri ndaj repersionit të egër të shtetit diktatorial”

Një vend të posaçëm në këtë ceremoni zuri edhe akordimi i Titullit me Urdhërin “Nënë Tereza”

humanistes, poetes e veprimtares së njohur për çështjen kombëtare, motrës Dardane nga Kosova martire Znj. Rita Saliu, e cila gjithë jetën i a ka kushtuar kombit e popullit tonë të shumë vuajtur nga dhuna e makinerisë serbe në Kosovë.

Ajo sot ndihet e emocionuar dhe tejet e lumtur që nëpërmjet vlerësimit të figurës së saj nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë Z. Bamir Topi ngrihet zëri e respekti për të gjitha gratë e vajzat shqiptare që u sakrifikuan e u martirizuan për të drejtën, paqen, e humanizmit jetësor.

 Në motivacionin e saj Presdenti Topi shkruan “ Veprimtares së shquar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, luftëtares së paepur të çështjes kombëtare, humanistes dhe poetes qytetare që fatin e saj e bën njësh me atë të vendit e bashkatdhetarëve të saj”

Të pranishëm në cermoni ishin të afërm të personaliteteve të dekoruar, përfaqësues të ish të përndjekurve politikë, akademik Mark Krasniqi, vëllai i poetit disident Vehbi Skenderi, bashkëshorti i Znj. Rita Saliu - inxhinieri nuklear Adem Saliu, Myvlede Saraçi, ish e burgosura politike në Kosovë ne vitin 1998, Shqipe Mugolli, bashkëshortja e Enver Malokut, Hava Maloku, veprimtarja nga New York-u Joana Simsia, gazetarja Vera Pelaj nga Koosva e shumë të tjerë.

Propozimi për akordimin e tyre me Urdhërin e Lartë u dërgua pranë zyrave të Presidentit Topi nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare për Integrim për ish të Burgosurit e të Përndjekurit Politikë Z. Besim Ndregjoni, i cili mori falenderimet e rastit për interesimin e kujdesin e treguar për vlerësimin e patriotëve disidentë e njerëzve të shquar të kombit.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...