Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/04/23

Historia dhe miti i Titanikut


Gianni Riotta 

Përse një shekull më pas, tragjedia e bujshme e vitit 1912 është ende kaq e fuqishme në imagjinatën tonë kolektive? Sepse anija e famshme u mbyt ndërsa në botë po shfaqeshin mediat, të cilat do ta transformonin atë në një ngjarje epike. Sepse miti nuk i thotë kurrë të gjithë të vërtetat, por i flet zemrës tonë, frikës tonë, iluzioneve tona


Në fundjavën e Pashkëve, molet e portit Chelsea në Nju Jork ngjan me një spektakël të vërtetë. Grupe gjimnastësh që ëndërrojnë Olimpiadën, varka me vela shetisin turistët në lumin Hudson dhe hedhin përpjetë fontana festive uji, njerëz që gjuajnë peshk përballë statujës së Lirisë. Majë biçikletave të lehta plot ngjyra, shfaqen të rinjtë që po punojnë për ngritjen e kampusit në Ishullin Ruzvelt. Turistë, fëmijë, magjistarë e aktorë gjithfarësh, që të gjithë ndalen gjithsesi në molin 59, dikur nën pronësinë e shoqërisë White Star. Aty, një shekull më parë, duhej të ndalte vrapin e saj Royal Merchant Ship “Titanic”.
Nuk mbërriti kurrë në destinacion, mes mureve prej çimentoje të molit në Manhatan. Të mbijetuarit zbresin të tronditur, të lodhur, të drobitur nga bordi i anijes Carpathia, që u shpëtoi jetën. Në molin 59 u shkarkuan pa ceremoni varkat e shpëtimit të Titanikut. Që ajo tragjedi të vazhdojë të hipnotizojë fëmijët e katër brezave më pas, është diçka që të habit dhe të tërheq njëkohësisht: përse miti i Titanikut nuk shuhet, por përkundrazi është bërë pjesë e trashëgimisë tonë të shekullit të 21-të?


Përgjigja duket e thjeshtë: sepse anija e “pambytshme”, e cila u fundos kokëposhtë pas përplasjes me një ajsberg, është në të vërtetë një mit prej plazme, përballë fantazisë tonë kolektive të kohëve moderne. Pas filmit, libra, eksplorime shkencore, mijëra faqe në internet, ne besojmë se kemi mësuar gjithçka për ngjarjen, por në fakt dimë shumë pak. Nëse na pyesin, pelegrinëve të molit 59 “çfarë kujtoni nga mbytja e Titanikut”, përgjigja më e thjeshtë është: anija shihej si e pambytshme, orkestra luante himnin fetar “Më afër teje o Zoti im”, kapiteni heroik Smith, armatori hileqar Ismei që urdhëroi rritjen e shpejtësisë së anijes për të rritur prestigjin e kompanisë dhe që më pas iku i pari nga anija. Kujtojmë burrat që u veshën si gra, për të hipur në varkat e shpëtimit, por edhe fatin tragjik të pasagjerëve të klasit të tretë, të mbyllur në stivat e anijes dhe të qëlluar me armë nga marinarët, teksa përpiqeshin të dilnin në sipërfaqe.


Gjynah që asnjë nga këto fakte nuk gjejnë mbështetje në dokumenta. Askush, para tragjedisë, nuk kishte thënë se Titaniku është i “pambytshëm”. Ylli i vërtetë i kompanisë së udhëtimeve ishte anija binjake e Titanik, me emrin Olimpic, e cila në vitin 1911, kur kreu udhëtimin e parë, tërhoqi masa të mëdha gazetarësh e fotografësh pas vetes dhe që u drejtua nga i njëjti person, kapiteni Smith. Kurse për Titanikun u kujdesën shumë pak. Asnjë kronikë filmike, pak fotografi dhe pak artikuj nga shtypi. Së dyti, çështja e orkestrës mbetet gjithashtu për t’u parë. Është e vërtetë se ajo vazhdoi të luajë pjesë muzikore, por e bëri këtë për të vënë në lëvizje pasagjerët që kishin ngrirë e nuk po shkonin të vishnin jelekët e shpëtimit. Sa për himnin në fjalë, ajo është e gjitha legjendë.


 Së treti, kapiteni Smith nuk qe as hero, as sharlatan i tragjedisë. Rreth sjelljes së tij gjatë orëve të fundit dimë pak. Disa e përshkruajnë si të shokuar, të paaftë për të dhënë urdhëra, dikush tjetër thotë se u mundua të kontrollojë situatën, por në mënyrë pasive. Smith, të cilit i kanë ngritur një statujë në nder të asaj që ka bërë, nuk dha madje as urdhërin për të braktisur anijen (siç bëri për shembull Sketino, në anijen Konkordia), duke i ngadalësuar kështu operacionet.



Lavdia që i atribuohet, është krejt false. Së katërti, Brus Ismei, armatori i Titanik, nuk u ngjit me dhunë në ndonjë varkë shpëtimi. Lejen për ta bërë këtë ja dha një oficer që merrej me shpëtimin e pasagjerëve. Ndoshta bëri vërtet presion që Titanik të rriste shpejtësinë, por jo në fazën e fundit të udhëtimit. Dhe është vërtetuar se është ngjitur në varkën e shpëtimit, kur në bishtin e anijes s’ka pasur më njeri. Kështu thotë komisioni hetimor i ngjarjes, i drejtuar nga Lordi Mersei.


Sa për pasagjerët e mbyllur pas hekurave, në ambjentet e klasit të tretë, kjo nuk ishte diçka e pashpirt, siç paraqitet, por një kërkesë e ligjit amerikan të kohës. Emigrantët e gjorë nuk do të zbrisnin në molin 59 në Manhatan. Titanik do t’i zbriste ata në ishullin Elis, ku sot ndodhet Muzeu i Emigracionit.



Vizitat mjekësore, karantina, vizat hyrëse, e gjitha kjo ishte një procedurë strikte. Segregacioni ishte normë në anijet e asaj kohe. Nuk i bllokuan hekurat ata pasagjerë fatkeqë, por labirinti i korridoreve, shkallëve dhe kthesave që i ndanin nga klasi i parë dhe i dytë. Për më tepër, askush nuk qëlloi mbi ta. U qëlluan disa fishekë në ajër, për të vënë rendin në kuvertën e anijes, në një moment paniku kolektiv.



Pasagjerët e klasit të parë ishin 325, prej tyre u mbytën 124 veta. Në klasin e dytë ndodheshin 284 udhëtarë, prej tyre nuk mbijetuan 166 veta. Në klasin e tretë ndodheshin 708 pasagjerë, prej tyre u mbytën 530 veta. Por bilancin më të rëndë e ka ekuipazhi: nga 908 persona të shërbimit, u mbytën 692 prej tyre. Nuk dihen raste oficerësh që vranë veten me një plumb në tëmth.


Imagjinata jonë për tragjedinë e Titanikut është kaq e gjallë, por njëherësh kaq e distancuar nga e vërteta historike. E kjo për të njëjtën arsye: pasi ende flasim për këtë anije madhështore, edhe një shekull më pas. Kinemaja, e cila sapo kishtë lindur 15 vjet më parë, u hodh mbi këtë ngjarje me shumë emocion. Shtypi popullor, asokohe shumë i përhapur, e ktheu ngjarjen në një kryqëzatë të vërtetë, duke mos u merakosur shumë për detajet dhe të vërtetën.


Armatori Ismei bëri debat në Nju Jork me njërin ndër pronarët e mëdhenj të atij shtypi që sot e quajmë “gossip”, Hearst, i cili ja ktheu inatin, duke sajuar akuza skandaloze ndaj tij. Rasti i zbritjes së një pasagjeri me një shall gruaje në qafë, që ja kishte dhënë bashkëshortja në momentin e ndarjes, për t’u mbrojtur nga i ftohti, mjaftoi për të krijuar historinë e burrave të veshur si gra, me qëllim që të përfitonin nga kriteri i seleksionimit të atyre që do hipnin në varkat e shpëtimit.


Titaniku u fundos ndërsa lindnin mediat dhe ishin këto të fundit që krijuan historinë e tij epike. Në filma duhet shpesh një dramë, një fabul, personazhe pozitive dhe negative. Dhe kush më mirë se armatori Ismei mund të shërbejë për këtë qëllim? Apo komandanti stoik, orkestra e shenjtë ose pasagjerët e diskriminuar të klasit të tretë?!


Filmi i parë rreth tragjedisë doli në vitin 1912. Thuhet madje se Dorothy Gibson, e mbijetuar e ngjarjes, luajti në atë film me rrobat që kishte veshur kur udhëtonte mbi Titanik. Filmi i parë me zë doli në 1929 dhe u quajt “Atlantik”, pasi në gjykatë, kompania White Star fitoi të drejtën e censurimit të emrit të anijes. Në vitin 1943 – si për të konfirmuar mitin e Titanik – hierarku nazist Gebels komisionoi një film me titullin “Titanic” sipas stilit të regjimit. Ismei, një shtetas hebre, kërkon rekordin e shpejtësisë për të ngritur aksionet e kompanisë White Star. Dhe si për ironi, i vetmi që jep alarmin për ajsbergun që afrohet, është një marinar gjerman. Morali i filmit: shkatërrimi dhe humbja e aleatëve!



 Hollivudi e nxori të parin film për ngjarjen, në vitin 1953, me një skenar-klishe, ku dominonte një histori dashurie. Në vitin 1958, dokumentari i Walter Lord u konsiderua si më i miri nga BBC, kurse në vitin 1980 u hodh në treg një film që fliste për luftën e ftohtë, ku rusët dhe amerikanët kërkonin të gjenin mbetjet e Titanikut. Më në fund ishte viti 1997 kur filmi “kolosal” i Xhejms Kameron u shfaq, duke arritur majat e popullaritetit. Vetë Kameron pranon sot se “kam kërkuar dramën, jo të vërtetën”. Duke triumfuar, mund të shtojmë ne. Për të gjitha këto motive të vjetra dhe të reja, fëmijët e sotëm me iPhone në xhep, ndalen në këto Pashkë për t’u lutur për viktimat e asaj nate të një shekulli më parë. Jo sepse teknologjia pësoi disfatë atë natë, por sepse miti, që koha e Homerit, deri tek muzika e orkestrës së Titanikut, nuk duhet të thotë asnjëherë të vërtetën historike. Ai duhet t’i flasë kurajës tonë, frikave tona, shpresave dhe iluzioneve tona. Dhe asgjë më mirë sesa anija që nuk mbërriti kurrë në molin 59, nuk ia arrin kësaj.

4000 dokumenta për shqiptarët


Ka shkuar për të kryer një studim të shkurtër dhe ka zbuluar një thesar të tërë. Është rasti i historianit të njohur Pëllubm Xhufi, i cili pas dy muaj qëndrimi në Venecia, ka ardhur prej andej me materiale shumta (rreth 4000 mijë), të cilat hedhin dritë mbi periudhën pas pushtimit osman në vendin tonë. Ja si shprehet zoti Xhufi rreth këtij zbulimi, i cili pritet të ribëjë shumë nga tezat e historiografisë zyrtare, rreth kësaj periudhe kohore

Zoti Xhufi, sapo keni përfunduar hulumtimin e arkivave veneciane, në kërkim të dokumenatcionit që lidhet me Shqipërinë dhe shqiptarët. Çfarë periudhe kohore ka mbuluar studimi juaj dhe sa i gjerë ishte ai?
Unë shkova në Venecia më tepër për të kryer një sondazh e për të tërhequr ndonjë dosje me dokumente, për të cilat kisha dijeni më parë. Por u gjenda përpara një mase të madhe materialesh, të panjohura e të shpërndara në fonde të ndryshme në Arkivin e Shtetit të Venecies, si dhe në Bibliotekat publike e private Marciana, Correr e Querini. Ndonëse e zgjata qëndrimin në dy muaj, munda të tërheq dorëshkrime që lidhen drejtpërdrejtë me temën aktuale të studimit, “Një vështrim nga Perëndimi mbi Shqipërinë e Poshtme, shek. XV-XVIII”. Për mungesë kohe, arrita të largohem me pak materiale, por me shumë informacion edhe për dy temat e ardhshme studimore, ato mbi Shqipërinë e Epërme dhe atë të mesme në po ata shekuj. Me përfundimin e këtyre studimeve (me shpresë!), mendoj se do jetë dhënë një kontribut modest për historinë e shqiptarëve në një periudhë të lënë padrejtësisht pas dore, siç është ajo që nis me vdekjen e Skënderbeut dhe merr fund në prag të krijimit të Pashallëqeve të mëdha (fundi shek. XVIII).
Gjithsesi, për temën në studim, kërkimet në arkivat e bibliotekat e Venecies plotësojnë në një masë e cilësi të pashpresuar, tej çdo parashikimi, bazën dokumentare të njohur prej meje, dhe që deri tani përfaqësohej kryesisht nga burime spanjolle, vatikane, greke e osmane. Bëhet fjalë për rreth 4 mijë dokumente, një pjesë e të cilëve sjellin të dhëna ekskluzive, ndërkohë që të tjerët konfirmojnë apo rrëzojnë në mënyrë bindëse teza e pohime të mbrojtura deri më tash nga historiografia shqiptare dhe ajo e huaj. Pra, vlera e tyre është gjithashtu e çmuar.

Ka një debat të hershëm shkencor (por jo vetëm), në lidhje me rolin, pozitën dhe protagonizmin e munguar të Shqipërisë, pas pushtimit turk. Sa e vërtetë është kjo tezë?
Vërtet, dhe përderisa kohët e fundit edhe Kryeministri Berisha doli dhe e mbrojti këtë tezë, ka shumë të ngjarë që ajo të hyjë e të zejë vend edhe në tekstet e historisë, të cilët reforma ia ka besuar kronikanëve të zgjedhur. Në fakt, është krejtësisht e kundërta, dhe për të vërtetuar këtë nuk ishte e nevojshme që unë të hidhesha në Venecie, në kërkim të dokumenteve të panjohura. Edhe pa to, janë shkruar e botuar dokumenta e studime jo të pakta për periudhën 1500-1700, të cilat dëshmojnë se Shqipëria vazhdoi, edhe pas Skënderbeut, të jetë vatra e ndezur e rezistencës antiosmane.
I referohem botimeve dokumentare e punimeve të dy medievistëve të shquar, studjues e botues të palodhur dokumentesh: të paharruarit Injac Zamputi, veprat e të cilit duhet të ishin ribotuar shumë më parë se vepra e plotë e Giuseppe Valentinit. I referohem edhe botimeve, e sidomos një studimi monumental të albanologut të përkushtuar Peter Bartl, i cili dergjej i pashfrytëzuar në Bibliotekën Kombëtare, dhe që mu për këtë arsye u vura ta përkthej e ta botoj vitin e shkuar, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese “Dituria”. Vepra quhet “Ballkani Perëndimor midis monarkisë spanjolle dhe Perandorisë Osmane”, dhe është në 90% të tij një histori evropiane e Shqipërisë dhe e shqiptarëve në shekujt XVI-XVII.
Pra, me të dhënat e reja unë vetëm sa e përforcoj konkluzionin e historiografisë mbi Shqipërinë, si një gjenerator i historisë ballkanike e evropiane edhe në shek. XV-XVIII. Natyrisht sjell të dhëna të reja, ndonjëherë edhe lapidare, si p.sh. atë të një Ambasadori të Venedikut në Stamboll, i cili në vitet e shkëlqimit më të madh të Perandorisë osmane, shek. XVI, i shkruante Senatit se “në gjithë Turqinë evropiane, Shqiptarët janë të vetmit që luftojnë kundër Turkut”. Atë kohë, shqiptarët, që nga Tivari e deri poshtë në Paramithi e Margëlliç, u përfshinë në një varg kryengritjesh antiosmane, që shtrihen kohësisht deri në prag të krijimit të pashallëqeve të mëdha, në fund të shek. XVIII.
Interesante dhe e rëndësishme edhe në drejtim të zhbërjes së një miti që ka zenë vend në historiografi, sidomos në atë të huaj, është se kundër osmanëve luftonin sa shqiptarët e krishterë, aq edhe ata muslimanë. Në 1625, një misionar i Vatikanit, që raportonte për një përleshje të banorëve të Progonatit, në Labëri, me ushtrinë osmane, shprehte habinë e tij, se si ishte e mundur që në këtë vend “turqit luftonin kundër turqve”!
Dokumentet e gjetura në Arkivin e Venedikut rrëzojnë, besoj, edhe një mit tjetër, atë të barrierave krahinore mes shqiptarëve, i cili është rikthyer në modë edhe në ditët tona, “për meritë” të politikës. Sot, kur po bëhet gjithshka për të hequr nga analet e historisë sonë kombëtare apostuj të shqiptarisë, si Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Dom Nikollë Kaçorrin, Fan Nolin e Luigj Gurakuqin dhe kur po pompohen antikrishtët e tradhëtive dhe të ndarjeve kombëtare, ia vlen që të paktën të rinjtë të mësojnë se si, p.sh., në vitet 1620 qytetarë të Vlorës ishin ndër organizatorët e kryengritjeve në malësitë e Tivarit, dhe se si luftëtarë nga Ulqini, në 1735, erdhën enkas dhe luftuan në Margëlliç kundër osmanëve, në krah të kryengritësve çamë. Megjithatë, shqiptarët mbetën në krye të kronikave evropiane të shek. XVI-XVIII, jo vetëm për qëndresën e tyre brenda Shqipërisë. Shqiptarët ishin luftëtarë të pakrahasueshëm e shumë të kërkuar në “tregun e luftës”. Me stratiotë shqiptarë, Venediku mbrojti zotërimet e tij të shtrira nga Kreta e Peloponezi, Epiri shqiptar, Dalmacia, Friuli e deri në hinterlandin italian, duke i angazhuar ata në vijë të parë, si kundër osmanëve, ashtu edhe kundër francezëve, spanjollëve e austriakëve. Në vitet 1560, kur piratët Uskokë, me origjinë sllave dhe me bazë në Klisë të Dalmacisë, e bënë të palundrueshëm detin Adriatik, Venediku e gjeti zgjidhjen e këtij problemi jetësor për sigurinë e tij, duke armatosur 12 anije me luftëtarë shqiptarë, që vunë sakaq rregull në atë front. Në 1715, feldmarshalli prusian Schulenburg, i këshillonte autoritetet veneciane, që ta bazonin ushtrinë e tyre tek elementi shqiptar: edhe në rast se do duhej të rekrutonin ushtarë nga kombësi të tjera, këta duhet të mbanin “kapele shqiptare”, sigurisht për të demoralizuar armikun, që e njihte forcën dhe ashpërsinë e tyre në betejë. Në vitin 1737 mbreti Karl Borbon i Napolit krijoi një korpus elitar të ushtrisë së tij me luftëtarë shqiptarë dhe në 1807, pas marrjes së Korfuzit, Napoleon Bonaparti krijoi aty një trupë me rekrutë shqiptarë nga Epiri, të famshmin “Régiment Albanais” (Regjimenti Shqiptar). Dhe duke kaluar në revistë gjithë këto fakte e plot të tjera, nuk mund të mos konludosh, me keqardhje, se sa energji e sa gjak kanë derdhur shqiptarët për interesat dhe për luftrat e të tjerëve!

Një aspekt tjetër i këtij interpretimi ka qenë edhe mbyllja e vendit tonë. Sa e izoluar ka qenë Shqipëria e pushtuar nga turqit, ndaj Europës së krishterë?
Edhe këtu përgjigja e kësaj pyetje të ballafaqon me një lloj miti të krijuar mbi “ndarjen” e Shqipërisë nga lidhjet tradicionale me botën e me kulturën perëndimore, pas rënies nën sundimin osman. Nuk është kështu. Këto lidhje i kanë mbijetuar edhe pushtimit osman.
Po e filloj nga lidhjet më të natyrshme, ato njerëzore. Dokumentet e reja venedikase tregojnë se shumë shqiptarë, të ikur në Itali, në Greqinë kontinentale apo në ishujt e Jonit e të Egjeut, pas vdekjes së Skënderbeut dhe rënies së kështjellave shqiptare, apo që shërbenin në ushtri të ndryshme të Evropës, vazhdonin të mbanin lidhje me familjarët e tyre në Shqipërinë e pushtuar. Jo vetëm, por ishin pikërisht këta, si Gjon Muzaka në vitet 1500 apo Jeronim Kombi, në vitet 1600, të dy kapitenë në oborrin e Mbretit të Napolit, që inkurajonin, organizonin e koordinonin aksionet e përbashkëta çlirimtare të kryengritësve shqiptarë, me Papatin dhe princërit katolikë të Evropës. Ndërkohë, pas “depresionit të madh” që pasoi fushatat pushtuese osmane, vihet re një ringritje ekonomike e demografike e qyteteve shqiptare. Tregtarë shqiptarë nga Shkodra, Ulqini, Elbasani, Kavaja, Voskopoja, Vlora, Durrësi, Sajadha e Parga i gjejmë të vizitojnë tregjet e Venedikut, Ankonës, Raguzës etj., duke eksportuar aty mallrat tradicionale shqiptare, e duke importuar veshje të shtrenjta, beharna, armë e deri kazanë rakije, letër shkrimi e libra! Në Venedik u bë kujdes të ndërtohej një “hotel” i posaçëm për tregtarët që vinin nga territoret osmane (fontego de’ Turchi).
Mes tyre, në dokumentet veneciane shfaqen në numër jashtëzakonisht të madh tregtarët nga Shqipëria “osmane”. Kujdes: bëhet fjalë si për tregtarë të besimit të krishterë, ashtu edhe muslimanë. Një ndër këta tregtarë, në vitet 1770, furnizonte me libra pashain shqiptar të Margëlliçit, i cili ishte veçanërisht i apasionuar pas biografive të gjeneralëve të shquar, Aleksandrit të Madh, Jul Qezarit e Cesare Borgias. Fatkeqësisht, në spektrin e leximeve të tij nuk hynte biografia e Marin Barletit mbi Skënderbeun! Të dhënat e zbuluara së fundi dëshmojnë, gjithashtu, që dinjitarët shqiptarë të zonave kufitare, siç ishin psh. Gjirokastra, Vlora, Delvina, Sajadha etj., mbanin marrëdhënie të ngushta me qeveritarët venecianë të Korfuzit, Butrintit, Pargës etj. Zotërimet venedikase në fjalë mbaheshin me drithin e prodhuar në sterenë shqiptare. Por kontaktet shkonin edhe më tej. Ndonjë dinjitar shqiptaro-osman, si emini i Bastias, në Çamëri, e kishte bërë zakon që herë pas here të hidhej deri në Korfuz e të rrinte mik tek Bajliu venecian i ishullit. Kuptohet, e gjithë kjo, pa dijeninë e Portës.

Çfarë elementesh të pazbuluara keni nxjerrë në dritë gjatë studimit të kësaj arkive? Në ç’dritë zbulohen shqiptarët në dokumentat e reja të arkivave veneciane?
Besoj që përmenda më sipër mjaft elementë të rinj, që pasurojnë historiografinë tonë mbi një periudhë 300-vjeçare dhe që, gjithashtu, ndryshojnë në ndonjë rast edhe konceptet mbi historinë tonë. Më mbetet të theksoj, që dokumentacioni i ri kontribuon edhe për të hedhur dritë të re mbi çështje të debatuara, më shumë politikisht se shkencërisht, mbi karakterin etnik të Himarës, Çamërisë etj.

Më duhet të them, se dokumentet venedikase flasin thjesht e qartë për një popullsi shqiptare në këto treva, qoftë kur bëhet fjalë për të krishterë, e qoftë për muslimanë. Dhe dokumenteve të Venedikut u duhet besuar më shumë se çdo lloj dokumentacioni tjetër.
Venediku ishte një shtet me sjellje thuaj-thuaj laike (“Republika para fesë”). Në këtë kuptim, në përcaktimin e subjekteve të ndryshme, venedikasit nuk niseshin vetëm nga koncepti fetar, sipas të cilit një musliman ose një shtetas i Perandorisë Osmane ishte “turk”, qoftë edhe sikur të ishte i krishterë. Venediku i njihte mirë popujt ballkanikë, ishte prej 10 shekujsh në kontakt të ngushtë me ta. Nga ana tjetër, nëpërmjet bazave të tij në Kotor, Tivar, Korfuz, Pargë e Butrint, Venediku kishte ngritur një rrjet të dendur informatorësh, që shtrihej gjatë gjithë bregdetit, nga Malësia e veriut e deri në Himarë, Dhërmi, Delvinë, Margëlliç e Paramithi, duke depërtuar në thellësi deri në fshatra të thella të zonës së Tivarit, Shkodrës, Lezhës, Vlorës, Beratit, Elbasanit, Janinës, Gjirokastrës, Kosturit e Shkupit. Ndërsa informonin rregullisht për lëvizjet e ushtrive osmane, për kryengritjet e popullsive shqiptare apo edhe për shpërthimet e epidemive të murtajës në ato treva, këta “informatorë” japin të dhëna të çmuara dhe eksklusive mbi etnografinë e këtyre krahinave.
Nëse do t’ju pyesnim për të zbuluar kuriozitete, ndodhi konkrete apo ngjarje të panjohura për shqiptarë të njohur a të panjohur, cilat do të ishin disa prej tyre?
Janë të shumta, por po veçoj njërën prej tyre: kryengritjen e madhe antiosmane shpërthyer në Çamëri në vitin 1611, dhe të drejtuar nga një prelat ortodoks, peshkopi Dionis “Filozofi”. Kisha shkruar edhe më parë për këtë kryengritje, që historiografia greke e numuron si një ndër ngjarjet më të lavdishme të historisë së Greqisë, përgjatë periudhës së sundimit osman.
Dokumentet e reja që unë kam gjetur, provojnë katërcipërisht se të gjithë protagonistët e kësaj ngjarjeje: peshkopi Dionis, armiku e xhelati i tij, Osman Pasha i Janinës, kapiteni Jeronim Kombi i oborrit të Napolit dhe padyshim vetë kryengritësit e 70 fshatrave të Çamërisë, që u përfshinë në atë ngjarje, ishin që të gjithë shqiptarë! Pra, kemi të bëjmë me një histori shqiptare, që i duhet kthyer historisë së Shqipërisë.
Mund të tregoj edhe një tjetër histori, më relaksuese, që i ngjan një romani të verdhë. Në vitet 1770 në Epir shfaqet misionari Kozma nga Etolia, ai që më vonë u shpall shënjtor nga kisha greke, dhe që punoi shumë për hapjen e shkollave greke në gjithë Shqipërinë e Jugut. Misioni i tij u pa me dyshim nga Republika e Venedikut, e cila i vuri pas agjentë të fshehtë. Njëri prej tyre ka hartuar disa raporte të fshehta për “Këshillin e të Dhjetëve” në Venedik, që ishte një lloj drejtorie e shërbimit informativ. Unë kam gjetur disa nga këto raporte, madje edhe një broshurë propagandistike që Shën Kozmai shpërndante në fshatrat shqiptare, gjatë kryerjes së misionit të tij. Dhe a e dini se cili ishte agjenti venecian, që ndiqte hap pas hapi udhëtimin, fjalimet dhe takimet e Shën Kozmait? Giaccomo Casanova, dora vetë.

Kur do ta shohim të sistemuar këtë volum pune që keni kryer në Venecia?
Po merrem intensivisht me leximin dhe përpunimin e materialit të mbledhur, që është mjaft voluminoz. Kam shumë shpresë që studimin ta botoj nga viti i ardhshëm. Ndërkohë, do të botoj edhe një vëllim me dokumentet e mbledhura gjatë kësaj ekspeditë kërkimore, për t’i venë ato në dispozicion të studjuesve të tjerë dhe të studentëve të historisë. Shpresoj që me këtë, të jap edhe një kontribut për afrimin e studiuesve tanë të rinj me mesjetën shqiptare, që është vërtet e jashtëzakonshme.

Libri i Rërës rrëfyer nga Borges


Nga 

Me “Librin e rërës”, Borges ka shkruar në një regjistër që është e pamundur të identifikohet lehtë. Një libër me faqe të panumërueshme përbën shtjellën e këtij fikshëni, i cili të grish pafund dhe të bën pjesë të një sfide, që edhe ti duhet ta provosh, një gjë të ngjashme


Të trembëdhjetë tregimet e përfshira në këtë vëllim janë një risi për atë që është i lidhur me letërsinë, për arsyen e vetme ngaqë ato të mësojnë realisht se si shkruhet në këtë gjini. Dhe, tek “Libri i rërës”, botuar kohë më parë nga “Zenit”, ke një ushqim të plotë dhe të këndshëm për atë që i futet udhës së vështirë të rrëfimit letrar. Vetë Borghes, autori i tij, ka qenë koshient për këtë, por me modesti shton se “nuk mund të premtoj - nuk mund t’i premtoj as vetes - më shumë se këto pak variante të temave të mia të parapëlqyera. Siç e di gjithkush, kjo është streha klasike e së pandreqshmes monotoni”.
Megjithatë, lexuesi i letërsisë, librin e lexon jo vetëm për tregimin e mrekullueshëm “Libri i Rërës”, por për një grup të tërë tregimesh syresh. Realisht, në pak tregime të historisë së letërsisë, mund të shikosh kaq të përkorë filozofinë e shkrimit, imazhin që përftohet nga shkrimi, si edhe vetë artin e rrëfimit në vetvete. Ku pleksja e kulturës së gjerë dhe fikshëni i pastër i tejkalojnë të gjitha barrierat për të sjellë ngjarje fantastike dhe për t’i kthyer ato realisht të prekshme.
Përkthyesi Azem Qazimi, që njihet për punë cilësore nga gjuhët sllave dhe nga anglishtja, ka arritur të na e sjellë sa më të qartë autorin, megjithëse duhet hamendësuar me të drejtë se bjerrja nga origjinali duhet të jetë e pamohueshme. Në këtë korpus tregimesh, autori vetë i falet më shumë tregimit “Kongresi”, pjesë e cila vlerësohet më shumë nga ai, që jo vetëm i ka skllavëruar kohën, por edhe i ka thithur dashurinë e tij. Një përzierje stilesh, një rokoko, që ai e nis me një regjistër dhe e përfundon pastaj me një regjistër tjetër dhe një përpjekje e tërë për të ecur në një udhë ku përsoset vazhdimisht stili i tij. Dhe, stili i tij, realisht ka bërë të ushqehen krijues nga e gjithë bota dhe të ndikojë në veprat e shumë autorëve, qoftë dhe nga ata në Shqipërinë e largët.
Në një sens duhet t’i jemi mirënjohës autorit, kur ai vetë bën zbërthimin me pak penelata të tregimeve të tij, ku ti ‘trembesh’, realisht, ose më mirë, dihat për t’u orientuar në një stil, që duhet thënë se është shumë i vështirë për të zakonshmit. Në njërën prej tyre, p.sh. “Nata e dhuratave” është e veçantë për mënyrën e trajtimit por njësoj të duket sikur të gjitha rrëfimet janë mini-skripte me të cilat mund të ndërtohen romane të tëra korale. Në një nga tregimet e tjera, një personazh tejet i zakonshëm niset drejt pavdekësisë, thjesht, pa patos. Akti e kthen realisht në hero. Vendos të zhduket dhe ndahet natyrshëm me njerëzit e tij. Sytë e tij shikojnë vetëm aksionin. Ka një jetë monotone dhe pa asnjë gjë që mund ta veçojë, përveç momentit kur ikën për të dalë në botën e historisë. Në datën e caktuar dhe në kohën e caktuar vret atë për të cilin të tjerët kanë kohë që mundohen ta ekzekutojnë.
Kurse, me “Librin e rërës”, Borges ka shkruar në një regjistër që është e pamundur të identifikohet lehtë. Një libër me faqe të panumërueshme përbën shtjellën e këtij fikshëni, i cili të grish pafund dhe të bën pjesë të një sfide, që edhe ti duhet ta provosh, një gjë të ngjashme. Por është e pamundur, kur mendon se kjo është nxjerrë nga dora e Borghesit, ndërsa ti je thjesht një njeri i zakonshëm. Ngaqë të gjithë mendojnë se janë realisht fare të thjeshtë para tij. “Ai është një botë idesh të qarta, të dëlira dhe, në të njëjtën kohë të pazakonta, që... janë shprehur ndër fjalë me një drejtpërdrejtësi e përkorje të shkëlqyer. Tregimtar madhështor. Ne i lexojmë tregimet e Borghesit me një kërshëri hipnotike...”, shkruan Mario Vargas Llosa, një nga tregimtarët e fundit të gjallë të përmasës së tij.
E gjitha, në fakt, do të ishte një nul, nëse nuk do flisnim për stilin e tij. Ky mjeshtër i madh i teknikës së shkrimit, duke përsosur stilin e tij dhe duke bërë një lloj letërsie, që reformon në çdo moment vetë letërsinë, arriti t’u tregojë shkrimtarëve se shtigjet për të arritur suksesin janë po aq të rralla sa edhe vetë suksesi. Jo më kot, shtegu i tij është i veçantë dhe i parrahur lehtë. E lehtëson ngado strukturën prej gjymtyrëve të tepërta dhe është ideja ajo e cila mbetet dhe që do të na rrëfejë se sa shumë ndikon ky element në të gjithë veprën e tij dhe, në një farë mënyre, edhe në sfidën e tij të shkrimit.




INTERVISTA/ Flet historiani, Prof. Doc., Arben Puto: “Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare”


Intervistë me Prof.Dr. Arben Puto



image




INTERVISTA/ Flet historiani, Prof. Doc., Arben Puto: “Integritetin e Shqipërisë e shpëtoi Lufta Nacional-Çlirimtare”

Diplomatja më e saktë për Shqipërinë në periudhën e LANÇ-it, ishte BBC 
Musolini, Hitleri dhe Metaksai ishin diktatorët e Luftës Italo-Greke


Takimi me Prof. Arben Puto ishte plot mbresa. Brenda tij ishte akumuluar një bibliotekë me vete, ku në çdo pyetje do të gjeje përgjigje nga më interesantet. Biseda filloi me problemin tashmë të bërë publike, rastin e konsullit grek në Korçë, (Ikonomus), një rast i rrallë ku një diplomat bën thirrje për ndërrimin e kombësisë, të cilin Puto ishte ndër të parët që e denoncoi. Prof. Puton e gjen mes librave, por më shumë e gjen duke shkruar. Tashmë ai po përgatit një libër historik mbi Luftën e shumëdiskutueshme Italo-Greke, luftë, e cila solli dhe ligjin e luftës që Greqia i shpalli Shqipërisë. Një ligj lufte, i cili çuditërisht ekziston edhe sot, një ligj lufte që shpesh herë ka çuar në acarimin e marrëdhënieve Shqipëri-Greqi. Në këtë libër Prof. Puto sjell fakte historike përse Shqipëria nuk mund të quhet shtet pushtues në atë periudhë dhe rolin e qeverisë kuislinge shqiptare në atë periudhë. Por në këtë libër Prof. Puto nxjerr dhe fate të reja për rolin e luftës Nacional Çlirimtare dhe atë të BBC në këtë luftë. Sipas tij, BBC ishte diplomatja më e mirë e Shqipërisë në Luftën e Dytë Botërore pasi pa propagandën e saj, ku Shqipëria renditej në krahun e aleatëve kundër boshtit Romë-Berlin Toki, integriteti i Shqipërisë pas lufte do të ishte shumë i dyshimtë. Në këtë libër, që mendohet të dalë në vjeshtë të këtij viti Prof. Puto sjell fakte dhe komente të reja mbi këtë luftë që do t’u hapin një dritare të re historianëve, por dhe Historisë së Shqipërisë...

Per me shume lexoni gazeten"Telegraf"

Polemikë: Ardian Puto i përgjigjet Ardian Ndrecës




NGA PUTO VERSUS NDRECA

Ka tërhequr vëmendjen një shkrim i Ardian Ndrecës në Mapo lidhur me librin Diktatorë e Kuislingë të Arben Putos, dhe sot, po në Mapo, ish një përgjigje e shkurtër e autorit të librit. Po i publikojmë të dyja, duke filluar me përgjigjen e shkurtër të Putos.

Arben Puto

(Reagim ndaj artikullit të Ardian Ndrecës, botuar në gazetën MAPO në datat 15 dhe16 shkurt)

Unë e dëgjoj për herë të parë këtë emër. Më thonë se nuk është historian. Atëherë e ka aq më të lehtë të më bëjë humbës të historisë dhe të më ngelë në klasë. A ka lexuar ndonjë libër tjetër nga librat e mi, veç këtij?

Nga leximi i shkrimit kuptohet se është intelektual, publicist, por është një intelektual i profilit të ulët. Artikulli nuk është kritik. Kritika është një gjë normale. Ai nuk kritikon. Ai shfren urrejtje, fyen, poshtëron, ai është i hidhur, halucinant. Nuk duhet të marrë pozën e një autoriteti në fushën e historisë. Është vetëm një diletant që hyn nga dera e prapme në histori. Nuk ka haber nga normat më elementare të historiografisë. Nuk i njeh burimet kryesore të ngjarjeve të periudhës dhe injorancën e shet për erudicion. Nuk i pëlqen ditari i Cianos, se është “fashist”; as “Tomorri”, se është gazetë.

Herë-herë nuk bën kritikën e librit, del krejt jashtë temës dhe bën digresione në politikën e madhe në Europë dhe në botë: Stalin, Molotov, Ribbentrop, Leon Blum, deri te japonezi Matsuaka.

Artikulli ka vetëm një kuptim: autori nuk më fal që libri denoncon kolaboracionizmin. Nuk i fsheh simpatitë, jo vetëm për kuislingët që dhurojnë hektarë toke shqiptare (Sh. Verlaci), por edhe për Mussolinin e Hitlerin, që “admiroheshin” për qëndrimin antibolshevik.

Se çfarë konceptesh ka ky intelektual, del edhe kur flet për angazhimin tim në fushën e të drejtave të njeriut. Nuk është “konvertim”; asnjëherë nuk jam penduar për zgjedhjet që kam bërë që në rini. Të rinjtë ishin për një Shqipëri të pavarur, të përparuara dhe për një shoqëri të drejtë. Të drejtat e njeriut janë një pjesë e pandarë e shoqërisë së drejtë. Bëra thirrje për vendosjen e pluralizmit dhe për lirimin e të gjithë të burgosurve dhe të internuarve politikë. Ai përflet veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të atyre që ai quan me përçmim “grekofonë”.

Artikullshkruesi është antikomunist, por jo edhe antifashist. Është avokat i kolaboracionizmit. Kolaboracionistët dhe kuislingët kanë dalë përpara gjyqit të historisë dhe nuk do të rehabilitohen kurrë.

Historinë e atyre viteve e bëri Lëvizja e Rezistencës, Lufta Nacionalçlirimtare, që e shpëtoi Shqipërinë nga një copëtim i dytë me Jugun në dorë të Greqisë.

Le të vazhdojë me monolog.



Lufta e humbun e Arben Putos me historinë (II)

Ardian Ndreca

Vitin e fundit disa gazetarë kanë botue libra me karakter historik dhe prej atyne që un kam lexue veçoj atë të Ilir Ikonomit kushtue Faik Konicës, libër i shkruem me kulturë, me stil tregimtar të pëlqyeshëm, i mbështetun në fakte dhe pa gjykime emocionale. Para pak kohësh doli në qarkullim nji libër i autorit Arben Puto me titull “Lufta italo-greke.

Mbas leximit të vemendshëm të librit të Putos, konstatova se teksti i tij, edhe pse ai asht historian, nuk barabitet as me atë të Ikonomit e të ndonji tjetri, pse Putoja në librin e tij kur shkruen si historian thotë gjana të stërdijtuna, kur thotë gjana të vetat resht së qeni historian dhe kthehet edhe nji herë në radhët e nji partie që mbështetej në rrena, shpifje, banalitete të cekta e nëpërmjet tyne ushqente gjykime të mangëta e të shtrembta historike.

Prej titullit libri premton se do të sqarojë çeshtjen e konfliktit italo-grek. Në të vërtetë ai e anashkalon me nji shpengesë të çuditshme ketë luftë, tue mos ofrue të dhana as për forcat (armatat) në fushën e betejes, as për dislokimin e tyne, as për kontaktin mes ndërluftuesve dhe as për betejat ma të randësishme. Nga ana tjetër ai nuk jep asnji pasqyrë të besueshme, të mbështetun në të dhana konkrete, për pjesmarrjen e shqiptarëve në atë konflikt. Për shembull prej këtij libri nuk mëson se komandanti i forcave të armatosuna italiane në Shqipni, gjenerali U. Soddu, me nji urdhën sekret të datës 22.11.1940 autorizonte krijimin e “nuclei armati albanesi” me qëllim, jo pjesmarrjen në operacione luftarake, por mbrojtjen e territorit dhe ruejtjen e rendit publik. Këto forca përbaheshin prej 400 mirditasish, 100 matjanësh, 200 peshkopiasish dhe 200 çorovodasish të armatosun me pushkë mod. 91 dhe të paguem me nga 100 frang ar në muej (drejtuesit me 200 fr. ar.). Puto pretendon me folë për nji konflikt që ai vetë nuk e njeh në termat që duhet ta njohin nji historian. Për shembull flet për dezertimet e shqiptarëve, por nuk njeh as shkaqet dhe as masat e marruna. Po të kishte lexue dokumentat arkivore do të kishte mësue se dezertorët shqiptarë vinin ma së shumtit nga radhët e ushtarëve të zonave operacionale, siç njofton gjen. Geloso komandën e përgjithshme në nji telegram të datës 3.12.1940, ku flet edhe për zëvendsimin e tyne me elementë të zonave tjera. Putoja nuk flet për organikat dhe veprimet e batalioneve Dajti, Taraboshi, Gramozi, psh. nuk din se ky i fundit në qershorin e 1940 kishte 20 oficera, 20 nënoficera dhe 629 ushtarë, dhe komandohej prej maj. Rexhep Gjilanit e ma vonë prej maj. Adem Boletinit.

Solla këto pak fakte për me nënvizue se autori mëton me shkrue historinë e nji lufte që s’e njeh aspak përmes dokumenteve të dorë së parë. Ai nuk ka pa asnjiherë dokumentat e shtatmadhorisë italiane dhe asaj greke, nuk njeh literaturën përkatëse dhe madje as dëshmitë e atyne që kanë marrë pjesë direkt në atë konflikt apo kanë shkrue rreth tij, si për shembull: A. Serra, F. Benanti, G. Bonomo, E. Bucciol, M. Coltrinari, L. Ferrari, R. Gatti, A. Comel, A. Ventura, M. Laureati, G. Fusco, R. Panetta, V. Azzi, M. Rigoni Stern etj.

Gjithë pjesa e parë e librit s’asht tjetër veçse nji përsëritje gjanash të dituna: kush ishte Mussolini, kush ishte Hitleri. Mund të themi se deri në faqen 23, autori nuk ka thanë asnji gja të re apo të randësishme që mund të shkojë përtej nji libri shkollor të klasave të ulta. Për me besue ketë që un pohoj, mjafton leximi i 23 faqeve të para.

Bahet fjalë për nji libër plot me vlerësime emocionale që synojnë me denigrue me çdo kusht të gjithë ata që nuk i përkasin palës politike të autorit. Për shembull, Vërlaci quhet “beu i shumë flamurëve” (sic, f. 39). Për Konicën pohohet se aktiviteti i tij diplomatik ishte diçka e “dorës së dytë”, nji aktivitet “krejt i shpërfillun”, dhe në ketë konkluzion Putoja arrin mbasi: “Në Arkivin e Ministrisë së Jashtme, në Tiranë, nuk është gjetur asnjë raport mbi veprimtarinë si diplomat” (f. 177). Edhe nji student i vitit të parë të historisë e din se nuk mund të organizojnë argumentime tue u nisë prej mosnjohjes së fakteve nga ana e tij. Ex silentio nuk mund të ndërtohet asgja pozitive, sidomos pohime të tilla të rreme.

Denigrimi që Putoja përpiqet me i ba Konicës, i ka rranjët përtej injorancës së tij, ai buron prej sensit të inferioritetit dhe prej metodës së “prozhmimit me çdo kusht” që karakterizon historianët komunista. Në fakt Putoja e njeh librin e Ilir Ikonomit, nepërmjet të cilit mund t’i kishte plotsue mangësitë e tij në lidhje me aktivitetin diplomatik të Konicës. Asht e çuditshme sesi, me dashje apo padashje, Putoja nuk mbërrin me e citue saktë as edhe nji herë të vetme emnin e autorit të atij libri të vlertë.

Ma poshtë, në faqet 178-185, Putoja nuk ban tjetër veçse perifrazon I. Ikonomin.

Në librin e Putos flitet për gjyqin e Jacomonit të zhvilluem në Itali mbas lufte (ff. 59-60, 63-64), por autori nuk njeh promemorien e botueme prej vetë ish-Mëkambësit mbas atij gjyqi. Quen Jak Koçin nji “individ anonim” (f. 60), gja që tregon se nuk njeh aspak rolin e këtij individi, negativiteti i të cilit asht i dukshëm gjatë gjithë traktativave mes Zogut dhe italianëve. Ndoshta Putos do t’i kishte shërbye në ketë drejtim libri me kujtimet e Alessandro Lessona-ës (Memorie, Firenze 1958), por me sa duket as atë nuk e ka gjetë në Arkivin e MPJ në Tiranë!

Në faqet 72-75, 80-87, nuk thotë asgja të re. Ah, po! Në nji shenj vendit autori e ka pa të arsyeshme me sjell tekstin e plotë të kangës “Faccetta nera” (f.77), studimi i së cilës me siguri do t’i hapin horizonte të reja lexuesit shqiptar për me kuptue luftën italo-greke dhe kuislingët!

Burimet e tij të dorë së parë janë shumë të kufizueme. Libri mbështetet kryesisht në pak autorë që sillen mbarë e mbrapsht simbas nevojave ideologjike të Putos. Së pari kemi kujtimet e Ciano-s, pohimet e të cilit merren si ar i kulluem, edhe pse ai ka qenë fashist dhe megaloman i pashembullt, por ndoshta kjo asht arsyeja që Putoja e parapëlqen. Nji tjetër autor, i “plaçkitun” pa mëshirë prej Putos, asht O. Pearson, mbi tekstin e të cilit bazohet 1/3 e librit të Putos. Në qoftë se do të lexoni Puton, s’keni nevojë me lexue Pearson, e po lexuet ketë s’ka çka ju duhet Putoja vetë.

Nji tjetër libër që simbas Putos përban burim të besueshëm për historinë tonë të asaj kohe asht R. Morozzo della Rocca, i cili na paska dhanë “nji pasqyrë shteruese” (f.162), anipse s’din as gjuhën shqipe! Që Morozzo della Rocca-ës nuk mund t’i besohet me sy mbyllë, po ju sjell vetëm disa shembuj prej librit të tij “Nazione e religione in Albania” (ed. Besa, Nardò 2002). Për Zogun, ky autor shprehet se për me u “oksidentalizue”, eliminoi pjesën arabo-turke të emnit Ahmet, dhe modifikoi Zogolli në Zogu, gja që acaroj shumë Ataturkun (bot. cit., f. 90). Nuk e dijmë që Zogu ta ketë eliminue emnin e tij Ahmet pse i qenka dukë i shëmtuem! Dikund tjetër Morozzo della Rocca thotë se At Anton Harapi po mbaronte (it. spasimava) për me u ba regjent (bot. cit., f. 189). E keqja asht se ky pohim i tij nuk mbështetet në asnji dokument. Ndërsa e keqja ma e madhe qëndron në faktin se Morozzo della Rocca nuk njeh deklaratën në të cilin Harapi spjegon pse ka marrë atë detyrë, madje ai nuk e din se Harapi e merr atë detyrë me kusht që mos me firmosë dënime me vdekje. Ka edhe ma, as ai as Putoja nuk e dijnë se Harapi e “braktisi” atë detyrë, i lodhun prej vllavrasjes që po ndodhte dhe shkoi në Austri, dhe vetëm kërkesat e shumta me u kthye e premtimet e qeverisë për mos me krye gjakderdhje mes shqiptarësh e bajnë me u kthye në Tiranë.

Aty ku përshkruen hymjen e partizanëve në Shkodër me 29 nandor 1944, Morozzo della Rocca shkruen: “Skena asht lirike e mjaft e njohun: kangë, valle, parada, flamuj të shpalosun, së bashku me të pamungueshmet gjuejtje dhe shpërthime” (f. 194). Skena asht aq e njohun, sa që historiani italian s’e ndien të nevojshme me citue asnji autor. Megjithatë, dikund ndër nota ai i referohet jo drejtpërdrejt nji teksti, bahet fjalë për përmbledhjen me titull: “Partizanët tregojnë… Kujtime, ditarë, shënime të pjesmarrësve në luftën nacional-çlirimtare” (Tiranë 1960), po aty citon edhe ndonji libërth tjetër me “përralla”.

Roli që Putoja i ka caktue vetes në ketë libër asht ai i nji historiani-prokuror që dënon me artikuj gazetash dhe me telegrame të rastit. Në fakt, e kjo asht çudija e radhës, ai e konsideron gazetën Tomori, e cila për nji komunist duhet të jetë nji “gazetë e fëlliqur fashiste” si nji burim të dorës së parë (shih ff. 92, 189). Mendoni nëse sot nji studiues serioz mund ta shkruente historinë e Shqipnisë së 50 viteve të fundit tue konsiderue si burim të dorës së parë gazetën Zëri i Popullit apo buletinin Rruga e Partisë? Të gjitha zbulimet e jashtëzakonshme të këtij libri, të cilat na i shiti për pak lekë edhe në nji të përkohshme shqiptare, kanë të bajnë me telegrame të rastit që personalitete të kohës, si Koliqi, Kruja, Fishta kanë dërgue asokohe (shih ff. 139, 158, 167). A mundet nji telegram urimi të impostojë nji personalitet historik me nji aktivitet prej pesëdekadash si Fishta?

Po të ishte kështu atëherë duhet ta gjykojmë pozitivisht Haxhi Lleshin për faktin që gjatë karrierës së tij ka dërgue nja 3000 telegrame urimi kryetarëve të shteteve të gjithë botës?! Në qoftë se 3000 telegrame urimit s’dalin për me shpëtue Haxhi Lleshin, i cili ka firmosë me qindra dënime me vdekje, kam frikë se edhe nji telegram i vetëm urimit nuk mjafton për me fundos figurën e Fishtës, që, siç dihet, s’ka firmosë dënimin e kurrkujt!

Njianshmënia e Putos asht aq e madhe, saqë edhe po të kishte qenë nji trans-oqeanik do të ishte fundosë në pak sekonda. Por ai s’asht tjetër veçse nji historian komunist i lidhun me njimijë fije me nomenklaturën komuniste, veprimet çnjerzore dhe antikombtare të së cilës mundohet me i mbulue me ketë libër xhevahir me të cilin mbyll, besojmë, karrierën e tij të palavdishme.

Ai mbërrin me interpretue bashkimin me Kosovën dhe krijimin e Shqipnisë etnike si nji hap për sulmin kundër Jugosllavisë (f.91). Pra, nuk ka asnji fjalë pozitive për andrrën e bashkimit me Kosovën, pse ketë gja e kanë ba “fashistat”. Kah ana tjetër çon në qiell përpjekjet diplomatike (?) që Enver Hoxha bani për me shpëtue coptimin e Shqipnisë prej grekëve mbas luftet (f. 196), por në mënyrë absolute nuk e thotë nji fjalë për humbjen e Kosovës apo për masakrën e Tivarit.

Putoja skandalizohet me qëndrimin e Anglisë ndaj pushtimit fashist të Shqipnisë (f.105), por s’na thotë pse nuk reagoi BRSS? Mund t’ia themi ne pse nuk reagoi Stalini. Tashma asht ba publik memorandumi i bisedës së mbajtun në Kremlin natën e 23 gushtit 1939 mes ministrit të Jashtëm të Reich-ut, Stalinit dhe komisarit të popullit, Molotov. Në protokoll lexohet sesi Stalini i drejtohet von Ribbentrop-it tue e pyet për qëllimet italiane në Shqipni. Stalini e pyet nëse italianët mendojnë me pushtue Greqinë? Pse, Shqipnia, shton me cinizëm diktatori gjeorgjian, asht e vogël, me male dhe pak e popullueme e s’ka çka i duhet Italisë. Ministri gjerman i pergjegjet se Shqipnia ka randësi strategjike për Italinë, çka nënkupton nji pohim të asaj çka e pyet Stalini.

Putoja flet në mënyrë të përgjithshme për dështimin e sulmit italian kundër Greqisë dhe për përgjegjsitë e gjeneralit Cavallero. Nga ana tjetër flet për nji projekt të Verlacit për me i dhurue gjen. Cavallero si mirënjohtje për triumfin ndaj grekëve1000 hatokë dikund kah Fieri (ff. 139-140). Njikohsisht Putoja pohon se Duçja e largoi Cavalleron dhe shkarkoi Verlacin për arsyen e kësaj “dhurate” që binte erë korrupsion. Pra, sensibiliteti moral fashist arrinte deri aty sa me shkarkue Verlacin dhe me heqë gjen. Cavalleron, i cili (ketë gja Putoja e injoron) ishte vjehrri i Jacomonit. Absurditete të pandieme!

Putoja përpiqet me çdo kusht me denigrue M. Krujën e ketë gja e ban kryesisht tue citue nji fashist si Ciano-ja. Fashist për fashist, pse nuk citon Koliqin? Pse fjala e Ciano-s duhet të ketë vlerë absolute në gjykimet e tij? Putoja citon dhe riprodhon disa ligjërata të M. Krujës, por për çudi harron me citue fjalimin e tij të 22 nandorit 1942 në teatro Savoia, fjalim që zemëroi shumë autoritetet e Romës për tonet nacionaliste dhe për paralajmërimin se Shqipnia mbetet Shqipní. Në anën tjetër Putoja nuk thotë as edhe nji fjalë të vetme për kontributin e qeverisë Kruja në shpëtimin e hebrejve. Edhe kjo gja i ka rrëshqitë historianit Puto që s’mëton me shkrue historinë “siç ka ndodhë në të vërtetë” (wie es eigentlich gewesen), siç shprehej dikur L. von Ranke, por si i pëlqen atij. Nji akuzë tjetër qesharake asht se Kruja gjatë mërgimit të viteve ’20-‘30 ishte spijun i italianëve (f.148). Shpifje e ulët edhe për nji si Putoja. Në qoftë se ai do ta kishte marrë mundimin me kontrollue si duhet në Arkivin e Farnesinës, do të kishte gjetë dokumente që tregojnë se Kruja ndiqej dhe kontrollohej prej qeverisë së Romës në vitet ’20 si person i rrezikshëm për planet italiane. Por kulmin Putoja e arrin me “moralin” që nxjerr prej gjithë aktivitetit të M. Krujës: “Në dreq atë strofkull Toskninë, të shpëtojmë Gegninë” (f.151).

Kolaboracionistave shqiptarë mund t’u faturojmë shumë gjana, por kurrsesi përçamjen veri-jug, gegë-toskë. Putoja harron ndoshta se qenë pikërisht partizanët e tij komunista ata që sapo mbërrijtën me hy në veri mbas largimit të gjermanëve, hiqnin vallen: “luaje luaje këmbën t’ia bëjmë Gegës nënën”! Kah ana tjetër miqtë ma të mëdhenj të M. Krujës, si Xhevat Kortsha, Qazim Koculi, Kostandin Kotte kanë qenë toskë, dhe andrra e të gjithëve bashkë ka qenë Shqipnia etnike. Nuk ka asnji dokument të vetëm historik që të vërtetojë ketë shpifje të ulët të Putos. Në librin e tij sillet si shkak i dorëheqjes së Krujës mossuksesi i tij (shih ff. 130, 140), por nuk përmendet as edhe nji herë të vetme arsyeja që vetë Kruja ka pohue: vrasja nga ana e italianëve e mikut dhe bashkëpuntorit të tij Qazim Koculi, i cili kishte qenë nji prej udhëheqësve të Luftës së Vlorës. Po të kishte pasë nji nuancë sadopak shkencore libri i Putos, do të ishte dashtë me e përmend edhe ketë fakt. Ndoshta e ka lanë në heshtje pse do t’i ishte dashtë me shpjegue se kush ishte Koculi dhe se cili ishte misioni i tij në Vlorë!

Tue lexue se çka shkruen Kruja mbas luftet, Putoja skandalizohet me “konvertimin” e ish-kryeministrit shqiptar nga fashist në demokrat (f.130). Edhe tjetërkund Putoja skandalizohet me “voltafaccia” e Konicës ndaj Zogut më 1939 (f. 173). Nuk e kuptojmë sesi mund të skandalizohet Putoja me kend, kur ai vetë, i lidhun kamb e krye me diktaturën e Enver Hoxhës, tue pasë qenë funksionar i naltë i nji regjimi gjakatar që mohonte edhe të drejtat ma elementare, u konvertue në vitet ’90 në korife të të drejtave të njeriut të Komitetit të Helsinkit, madje i asaj dege që preokupohej kryesisht për grekofonët e Shqipnisë!

Kur flet për Koliqin, Putoja improvizohet si nji kritik letrar (f.155), shi prej atyne që kishin dikur “shtëpitë e kulturës” së katundeve. Kalon me dy rreshta kontributin personal të Koliqit në zhvillimin e arsimit në Kosovë, ndërsa botimet e randësishme që u banë në kohën që ai ishte ministër nuk i kujton aspak. As që e përmend nji dëshmi të Petro Markos (shih: Intervistë me vetveten, Tiranë 2000, ff. 405-406), ku shkrimtari disident tregon sesi Koliqi i shpëtoi jetën kur gjermanët donin me e pushkatue në Romë, dhe sesi ndihmonte miqtë e Markos, komunista malazezë dhe grekë tue i pajisë me pasaporta shqiptare për me i lejue me ikë prej Italijet. Putoja duket se e ka shikimin e mveshun prej pasionit politik dhe prej urrejtjes, mbasi deri edhe te didaskalia e fotos (f.157), ngatërron Koliqin me Terenc Toçin, apo citon burime të paverifikueshme, tue i klasifikue si “konfidenciale”, kupto të Sigurimit të Shtetit shqiptar (f.160).

Tingëllon çuditshëm përkufizimi i fashizmit që sjell Putoja: “një sistem në të cilin çdo gjë është për shtetin, asgjë nuk është jashtë shtetit, asgjë dhe askush nuk janë kundër shtetit” (f.156). A s’ishte vallë ky koncept identik me atë të komunizmit? E me mendue se përkufizimi i masipërm asht i Mussolinit. Koncepti i shtetit në regjimin në të cilin Putoja ka shërbye me devotshmëni nuk asht aspak i ndryshëm prej atij që përcakton Mussolini.

Putoja citon Morozzo della Rocca-en edhe përsa i përket At Anton Harapit. Asht e çuditshme sesi ai sjell të gjitha gjykimet negative të Morozzo della Rocca-s për Harapin, të cilat nuk i referohen asnji burimi të mirëfilltë historik. Ndërsa kur Morozzo della Rocca, tue iu referue nji dokumenti të ruejtun në Bundesarchiv-Militärarchiv (Freiburg im B.), sjell gjykimin që kishte Wehrmacht-i për Harapin si: “nacionalist i zjarrtë dhe anglofil i pandehun” (glühender Nationalist; angeblich anglophil) – Putoja nuk e citon aspak (shih: Morozzo della Rocca, bot. cit., f.205, nota 95).

Nuk besoj se nji histori e mirëfilltë shkencore mund të shkruhet kështu siç vepron Putoja. Kam frikë se po të kishte qenë në krye të Bankës Shqiptare, Putoja do t’i kishte shtypë kartëmonedhat vetëm nga njena anë.
Gjithnji tue citue Morozzo della Rocca-n, Putoja e njollos Fishtën si spiun të sivëllazënve të tij pranë autoriteteve fashiste. Asht e çuditshme, por as Morozzo della Rocca (bot. cit., f.166) dhe as Putoja (shih f.165) nuk e mbështesin nji akuzë të tillë denigruese në asnji dokument historik.

Morali: historia e tyne asht nji histori shpifjesh e asgja ma tepër!

Ndërkaq Putoja përsërit në mënyrë jokritike nji absurditet tjetër të Morozzo della Rocca-s, i cili sheh nji dualizëm mes Fishtës dhe Ballit Kombtar (f.166). Morozzo della Rocca-s do t’i kishte mjaftue me dijtë vetëm pak shqip për me marrë vesht se Fishta ka vdekë në dhjetor në vitit 1940, ndërsa Balli Kombtar asht krijue në vitin 1942! Ndërsa Putos do t’i kishte mjaftue me përdorë sadopak arsyen për mos me përsërit teza kaq absurde.

Nuk po flasim për lajthitjet e thjeshta të Putos, p.sh. në vend të Antonio Baldacci-t përmend nji Giovanni Baldacci që s’ekziston (f.148); apo flet për “lektorët romakë” (f.156) që i paskan dhunue shpirtin Koliqit! Ndoshta ndonji lektor historiet do të kishte ba mirë me pasë shikue në kohë shtypajt e librit të Putos, përpara se të na servirte këto mrekullina.

Lajmi i “tmerrshëm” që ai na sjell asht telegrami shumë i përfolun i Fishtës, i cili njihej, pse asht botue te Hylli i Dritës. S’kam ndërmend me ba nji apologji të Fishtës përpara atyne që ma s’parit u janë shitë kambë e krye jugosllavëve të Titos, mandej Stalinit, mbas tij Mao Ce Dunit e mandej vetë dreqit, pse edhe nji gjysëm i shkolluem stepet përpara akuzave të tilla që s’mund të mohojnë veprën patriotike e letrare të Fishtës, të cilën s’e cënon nji telegram i vetëm urimit. Së pari, duhet t’i tregojmë historianit militant Puto se përceptimi i figurave të Mussolinit dhe Hitlerit në vitin 1939 nuk ka qenë i njejtë me përceptimin që ne kemi sot. Në anën tjetër, historiani nuk mund të gjykojë nji epokë të kalueme me kriteret dhe vlerat që ne kemi sot. Sa për ilustrim, i kujtojmë Putos se Léon Blum, hebre socialist i S.F.I.O. shkruente në të përditshmen Le Populaire në vitin 1933, menjiherë mbas marrjes së pushtetit prej Hitlerit, se ky nuk do të ishte i rrezikshëm. Vetë Churchilli gjatë vizitës në Romë do të shprehej se admironte politikën e Mussolinit dhe qëndrimin e tij antibolshevik. Historianë si Henri Massis, eseista si Gonzague de Reynold vlerësonin te Mussolini qëndrimin antikomunist dhe rilindjen e qytetnimit romak; shkrimtarë si E. Waught, H. Miller, E. Pound shprehnin haptas admirimin për të. Këto vlerësime ishin shumë të përhapuna deri në fillimin e viteve ’40, mbasi te Mussolini shihej e ashtuquejtuna “rruga e tretë”, e mesmja mes komunizmit dhe demokracive parlamentare.

Meqë Putoja i thotë vetes historian, dhe duhet ta njohin landën e vet, ne e pyesim çka mendon për faktin se me 28 shtator 1939, me rastin e ndamjes së Polonisë mes Gjermanisë naziste dhe BRSS, forcat sovjetike dhe ato naziste festojnë me nji paradë ushtarake të përbashkët në qytetin tashma kufitar të Brestit? Çka mendon Putoja për telegramin që Stalini i dërgon Hitlerit me 17 qershor 1940 tue e përgëzue për marrjen e Parisit dhe mposhtjen e Francës?! Çka mendon për faktin se Kominterni përpara 22 qershorit 1941 nuk ka nxjerrë asnji direktivë kundër regjimit nazist? A din me na tregue Putoja nji dokument të vetëm, përpara 22 qershorit 1941, të grupit komunist të Enver Hoxhës ku dënohet nazizmi dhe Hitleri? Çka mendon për faktin se treni i fundit me drith prej BRSS, drejtue në Gjermaninë naziste, kalon kufinin sovjetiko-gjerman në mesnatën e datës 21 qershor 1941 dhe se importi ma i madh i Gjermanisë naziste ishte me BRSS?

Si e gjykon Putoja bisedën ndërmjet von Ribbentropit dhe Stalinit e Molotovit natën e 23 gushtit 1939, kur, ndër të tjera, ministri i Jashtëm i Reich-ut i thotë Stalinit se pakti anti-Komintern nuk kishte si qëllim me u drejtue kundër BRSS por kundër demokracive perëndimore, dhe Stalini përgjegjet se ai pakt ka friksue Londrën dhe tregtarët e vegjël britanikë. Atëherë von Ribbentrop shton se edhe Stalini shumë shpejt do të bashkohet me atë pakt! Stalini, shkruen në verbalin e tij zv/sekretari gjerman i shtetit për punët e jashtme A. Hencke, propozon në mënyrë spontane nji dolli për Hitlerin tue thanë: “E di sesa shumë e don populli gjerman Führerin e vet; prandaj do të pi për shëndetin e tij”. Të gjitha këto dokumente, pjesë e arkivit të MPJ të Reich-ut III, tashma janë botue prej Raymond James Sontag dhe James Stuart Beddie.

A din Putoja se kryeministri francez E. Daladier, mbas paktit Ribbentrop-Molotov, e nxori jashtë ligjit Partinë Komuniste franceze, mbasi kjo e fundit nuk pranoi me dënue politikën e Stalinit ndaj Hitlerit?!

Sigurisht të gjithë këto gjana Putoja nuk ka pasë se ku me i lexue, pse nuk gjinden në Arkivin e MPJ të Tiranës, ku ai ka bubrrue për me shkrue pamfletin e tij qesharak!

Çka mendon Putoja, meqë asht studiues telegramesh, për telegramin që konti Schulenburg, ambasador gjerman në Moskë, i drejton eprorëve të vet me 13 prill 1941. Ambasadori Schulenburg kumton në atë telegram sesi vetë Stalini kishte dalë me përcjellë ministrin e Jashtëm japonez Matsuoka, të cilit diktatori sovjetik e kishte sigurue se ishte nji mbështetës i bindun i forcave të Boshtit dhe kundërshtar (Gegner) i Anglisë dhe Amerikës. Ndërkaq, vijon Schulenburg, Stalini m’u afrue, më hodhi dorën në shpatulla dhe më tha: “Ne duhet të mbesim miq në çdo rast (auf jeden Fall) dhe ju duhet të bani gjithçka për ketë qëllim”.

Tue u kthye te libri i Putos, mundena me thanë se nuk janë të pakta pohimet ilogjike dhe jokoherente që ai ban. Për shembull, ai pohon: “I mirënjohuri E. Venizelos, politikani me prestigjin më të madh për mbrojtjen e paepur që i pati bërë “Megali Idesë” panhelenike në konferencat ndërkombëtare…” (f.19).

“I mirënjohuri” i kujt? Nuk kuptohet nëse Putoja e ndien veten grek apo shqiptar për me u shprehë kështu! Dikund tjetër, mbasi asht mundue me provue se pushtimi italian i hoqi pamvarësinë Shqipnisë, ai pohon se “bashkimi është fiktiv” (f.190).


Duket qartë se ka disa momente që profesor Putoja nuk takon aspak!

Ma tutje ai mohon vërtetësinë e neutralitetit shqiptar mbas 14 shtatorit 1943, tue thanë se Shqipnia nuk ishte neutrale si Zvicra (f.202). Putoja harron, e me mendue se ka qenë specialist pranë MPJ të regjimit komunist, se asokohe nuk ekzistonte vetëm nji lloj neutraliteti, mbasi edhe Turqia ishte neutrale ndryshe prej Zvicrës, edhe Persia ishte shtet neutral dhe si e tillë u pushtue prej anglo-sovjetikëve në gusht të vitit 1941!

Prap si specialist i marrdhanjeve ndërkombtare ai kundërshton shprehjen “grusht shtetit” në deklaratën e shkurtë që Kuvendi kombtar bani me 16 shtator për me spjegue shkëputjen prej Italisë dhe rimarrjen e prerogativave themelore të sovranitetit. Putoja, për shkak të moshës, duhet ta mbajë mend se me 8 shtator 1943 në Itali nuk ra shteti, u shpall vetëm nji armëpushim, vendi u nda dysh, në jugun e marrun prej Aleatëve dhe në veriun e Republikës së Salòsë, prandaj edhe akti i Asamblesë kombtare në Tiranë ishte formalisht nji “grusht shtetit”, pse i hiqte Italisë çdo të drejtë mbi sovranitetin shqiptar. Mos të harrojmë se Libia, për shembull, mbetet de jure koloni italiane deri në vitin 1947.

Ma poshtë Putoja, tue ju referue si gjithmonë O. Pearson-it, shkruen: “Njësitë partizane kryen aksionin e parë në Drashovicë, pikërisht ditën e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv në Tiranë, më 14 shtator. Zunë barakat ushtarake dhe çliruan 7000 robër ushtarë italianë që u bashkuan me partizanët” (f.210).

Ngjarjet në të vërtetë kanë ndodhë ndryshe. Sulmi partizan i batalionit “Halim Xhelo” dhe “Ismail Qemali” kundër kampit të Mavrovës, për të marrë municionet panumërta që nji ploton gjerman ruente së bashku me 7 mijë robët italianë, shkaktoi viktima të panumërta mes robëve, por edhe i liroi ata prej gjermanve. Megjithatë, disa autoblinda gjermane që mbërritën me shpejtësi prej Vloret hodhën në erë depon e municioneve tue shkaktue nji numër të madh të vramësh e të plagosunish. Askush nuk mund të flasin për numrin e italianëve që u bashkuen me partizanët, pse pjesa ma e madhe u lëshuen me ikë përgjatë lumit, nji pjese iu grabitën këpucët dhe teshat, ndërsa me qindra të plagosun u lanë në mëshirën e fatit. Nji oficer italian, i cili mjekonte Hysni Kapon që kishte thye kambën, i kërkoi këtij të fundit disa mushka dhe njerëz për me tërheqë të plagosunit. Ku asht pra gjithë ai heroizëm për të cilin flet me aq patos Putoja!

A thue e din Putoja se partizanët kishin krijue në Punëmirë, në veriperëndim të Voskopojës, nji kamp përqendrimi për ushtarët italianë, të cilët mbaheshin në kushte çnjerzore, me shumë pak ushqim dhe detyroheshin me punue në shërbim të komandës së kampit! Figura ma e urryeme e kampit të Punëmirës ishte komisari i komandës partizane të Voskopojës, nji kriminel sadist, që përdorte gjithfarëlloj torturash mbi robët italianë. Ma vonë nji sulm gjerman detyroi partizanët me ia mbathë e vetëm atëherë robët fituen lirinë dhe u nisën drejt bregdetit, por shumica vdiqën rrugës.
Edhe pse beteja e Putos me historinë asht krejtësisht e humbun, Klioja, muza e historisë, para se me e shpallë të mundun, e nxjerr edhe qesharak. Qe se çka shkruen ai: “Ky ishte Operacioni i Dimrit që zgjati tre muaj nga dhjetori deri në prill1944” (f.217).

Dhjetor – prill tre muej!? Putoja mirë se ka probleme me historinë, por edhe në aritmetikë nuk e kalon lehtë klasën!

Xh. Deva, për të cilin nuk kemi simpati as si politikan dhe as si inxhinier, quhet kudo në libër “terrorist” (ff. 219, 224 etj.). Sigurisht mbi të bjen përgjegjsia e nji akti terrori siç asht 4 shkurti. Po pse nuk quhet edhe Mehmet Shehu terrorist? Trimi i Çorrushit vrau krejt kot 67 nacionalista në Lushnjë, për ketë masakër madje ai do të bante autokritikë në plenumin e nandorit të vitit 1953. Përposë kësaj, Shehu pushkatoi me 2 prill 1943, 44 rob italianë. Jo vetëm, por pushkatoi me 5.6.1943 afër Çorrushit nënkolonel Ricci-n dhe kapitenin Raffaele, që mbaheshin si pengje, madje ketë të fundit e kishte pasë shok kursi në akademi.

A nuk ishin terrorista komandantat partizanë Kadri Hoxha dhe Xhelal Staravecka, që pushkatuen 110 rob italianë të drejtuem prej nënkolonel Gamucci-t, që kërkonin me u bashkue me forcat partizane për me luftue gjermanët! Teshat dhe gjanat personale të robëve u ndanë mes partizanëve. Staravecka, për me shpëtue veten, do të dëshmojë në gjyq në Itali, në vitin 1952, se urdhni për pushkatim erdhi nga nalt.

Keto janë “dekorimet” për të cilat flitet në fonogramet e Enver Hoxhës, për të cilin Putoja nuk shpreh asnji gjykim, nuk jep asnji opinion.

Deri para 20 vjetësh ky libër i Putos do të kishte qenë i përshtatshëm me u lexue në “forma edukimit”, sot ai s’vlen asnji lek, pse asht thjesh propagandë ideologjike, e cekët, pa ide, pa horizont historik, pa kulturë, pa kujtesë, pa inteligjencë dhe mbi të gjitha pa ndershmëni qytetare dhe intelektuale.

Leximi i këtij libri qe për ne nji humbje e madhe kohet, por i nevojshëm për me tregue sesa marrina e sa paturpsina mbërrijnë me shkrue ende historianët mjerana, bishtukët e regjimit kriminal të Enver Hoxhës.

Arben Puto: Shqipëri-Kosovë, dy pjesë të një kombi





Nga Elvin LUKU


Kosova dhe Shqipëria, ndonëse dy shtete të pavarura, janë pjesë të një kombi. Kështëu shprehet studiuesi i njohur i historisë, prof. Arben Puto, në këtë intervistë, ndërsa shton se, si të tilla, këto dy vende duhet të integrohen gjithmonë e më shumë. Historiani Puto e cilësoi ndarjen mes dy shteteve si konjukturale dhe thekson se zgjidhja është bashkimi i kombit në një bashkësi të vetme.

Në këtë intervistë, akademiku i njohur ndalet, në mënyrë të veçantë, në momentet më të rëndësishme në këto100 vjet, duke analizuar ngjarjet që sollën ditën e shënuar të Pavarësisë, krijimin e shtetit shqiptar, Revolucionin e Qershorit, vitet e drejtimit të Mbretit Zog, krisjen e marrëdhënieve me Greqinë, çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës.

 Puto thekson se 100-vjetori i madh i Pavarësisë duhet të shërbejë si një moment reflektimi i së shkuarës, si mjet i domosdoshëm për ecurinë e fatin e vendit. Ai vë theksin te bashkëpunimi dhe solidariteti mes politikbërësve, për të arritur marrëveshje të mëdha, në dobi të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Profesor, kohët e fundit, në prag të përvjetorit të 100-të të Pavarësisë, ju keni hedhur tezën se, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më shumë se një produkt i diplomacisë së Fuqive të Mëdha, është rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Si e argumentoni?

Skeda:Arben Puto.jpg

Arben Puto: Shqipëri-Kosovë, dy pjesë të një kombi 

Teza që e bëri Pavarësinë e Shqipërisë si produkt i diplomacisë evropiane është një tezë spekulative, e përhapur, në radhë të pare, nga qarqet zyrtare të shteteve fqinje. Në të gjitha konferencat ndërkombëtare që kanë trajtuar çështjen shqiptare, kjo tezë, bashkë me tezën tjetër të “paaftësive të shqiptarëve për vetëqeverisje, për të krijuar shtet”, janë përdorur si argumente për copëtimin e trevave shqiptare.

Me rënien e perandorisë osmane, me dëbimin e Turqisë nga Ballkani pas luftës ballkanike, veçanërisht Serbia dhe Greqia e quajtën një moment të përshtatshëm, një okazion për të realizuar synimet e tyre ekspansioniste. Trevat shqiptare duhet të ishin “plaçkë lufte”, si shpërblim për fitoren kundër Turqisë.

Siç dihet, gjendja e krijuar në Ballkan pas disfatës së Turqisë ka qenë objekt shqyrtimi në Konferencën e Londrës, të Fuqive të Mëdha, që zhvilloi punimet në vitin 1912-1913. Përfaqësuesit e Serbisë dhe Greqisë, gjithë aktivitetin e tyre e përqëndruan të synimi për të marrë tokat shqiptare. Ata patën, veçanërisht, përkrahjen e Rusisë.

Konferenca e Londrës nuk i kushtoi vëmendje lëvizjes shqiptare. Ajo u pajtua me këto teza, dhe, për pasojë, u la fushë të lirë pretendimeve serbe dhe greke. Si rezultat, u krye një padrejtësi e madhe kundër kombit shqiptar.
Front Cover

Tokat shqiptare dhe të banuara nga shumica shqiptare u cunguan rëndë. Serbia mori Kosovën, Greqia mori Çamërinë. Sipas një shprehjeje të shtypit shqiptar të kohës, Shqipëria mbeti “dy pëllëmbë e gjatë dhe një pëllëmbë e gjerë”.

Një padrejtësi tjetër, që lidhet pikërisht me gjoja “paaftësinë e shqiptarëve për vetëqeverisje”, ka qenë mosnjohja e faktorit kombëtar shqiptar në organizimin e shtetit të ri. Nuk e njohën as Shpalljen e Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës, as Qeverinë e Përkohshme të dalë prej tij. Qeveria e Përkohshme, e kryesuar nga një burrë shteti si Ismail Qemali, do të ishte bërthama e natyrshme e krijimit të shtetit të ri.



Por, Fuqitë nuk e njohën. Ato nuk njohën, as vendimin e Kuvendit të Vlorës, as Qeverinë e Përkohëshme.
Pra, nuk njohën fitoren historike të Lëvizjes Kombëtare.

Ato organizuan një shtet të uzurpuar prej tyre. Krijuan Principatën e Wied-it, një krijesë e rreme, e sajuar, që nuk hodhi kurrë rrënjë në realitetin e vendit.

Si konkluzion, Pavarësia e shpallur nga Kuvendi i Vlorës, më 28 Nëntor 1912, dhe Qeveria e Përkohshme ishin rezultat i përpjekjeve kombëtare shqiptare. Principata e Wied-it ishte produkt i diplomacisë së Fuqive të Mëdha.



Si e vlerësoni ju rolin e rilindasve në krijimin e shtetit të ri shqiptar?

Rilindja shënon zgjimin kombëtar të shqiptarëve, të ndrydhur për pesë shekuj nën sundimin turk. Rilindasit Sami Frashëri, Naim Frashëri, Vaso Pasha, Ismail Qemali etj…, ishin prekursorë të Lëvizjes Kombëtare, që do të çojë në shpalljen e Pavarësisë. Pavarësia nuk ka qenë projekt imediat. Ismail Qemali kishte fillimisht, një projekt tjetër, atë të transformimit të Perandorisë Turke në një bashkësi kombesh të barabartë, të organizuar sipas parimeve kushtetuese moderne evropiane. Perandorinë e reformuar, Rilindasit e quanin një strehë përballë rrezikut të coptimit të trevave shqiptare nga shtetet fqinje, ashtu sikurse ndodhi më vonë.
Rilindja del në dy dimensione: së pari, si taban i lëvizjes kombëtare; së dyti, si një bërthamë e artë e kulturës kombëtare.

Në këndvështrimin tuaj si studiues, cila ka qenë rëndësia e periudhës së pasluftës I-rë, vitet 1920-1924?

Së pari, këtë periudhë unë e kam karakterizuar si një eksperiment pozitiv në organizimin e jetës politike, mbi bazën e pluralizmit politik dhe të parlamentarizmit.
Ajo që ka më shumë rëndësi të vihet në dukje, në këtë periudhë, është Kongresi i Lushnjes, i janarit 1920. U krijuan disa parti politike me orientime dhe programe të pa qarta. Ishte një, parlamentarizëm i brishtë, i karakterizuar nga një gjendje e pastabilizuar. Nuk vonon shumë, dhe kjo gjendje nxjerr në shesh tendenca diktatoriale. Ahmet Zogu zuri postin e Ministrit të Brendshëm në qeverinë e dalë nga kongresi dhe u afirmua si “dorë e fortë”. Kjo shkaktoi reagimin e krahut liberal, që u materializua me Revolucionin Demokratik të qershorit të 1924-ës. U formua qeveria e Fan Nolit, dhe Ahmet Zogu u detyrua të strehohej në Beograd. Ishte një qeveri e “majtë”, dhe, si e tillë, ajo ra në një izolim të plotë ndërkombëtar, që përcaktoi krizën dhe rrëzimin e saj në dhjetor.

Rikthimi i Zogut, me ndihmën jugosllave, shënon fillimin dhe konsolidimin e diktaturës së tij personale.
Kongresi i Lushnjes ka rëndësi të madhe nga pikëpamja e rolit vendimtar të faktorit të brendshëm në organizimin e Shtetit. Kongresi hapi një faqe të re në historinë 100-vjeçare të Pavarësisë.

Aty krijohet shteti shqiptar mbi baza kombëtare, duke i dhënë fund ndërhyrjes së faktorit të jashtëm në qeverisje.
Në programin e qeverisë së re ishte edhe mbrojtja e integritetit territorial. Kjo pati si pasojë konfliktin me Italinë, që zinte një pjesë të madhe të territorit, bashkë me Vlorën.

Këtu shkruhet një nga faqet më të lavdishme të historisë, epopeja e Luftës së Vlorës, që e detyroi Italinë të tërhiqej, në gusht 1920.

Në dhjetor të vitit 1924, Zogu erdhi sërish në pushtet dhe e drejtoi shtetin shqiptar si president, e më pas, si mbret, deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore. Cili është qëndrimi juaj për këtë periudhë të gjatë qeverisjeje?


Janë 15 vjet, periudha më e gjatë pas Shpalles së Pavarësisë, deri në agresionin fashist më 1939.

 Rikthimi i Zogut në pushtet mori formën e Republikës, me Zogun president (1925), dhe pastaj u vendos Monarkia me Zogun mbret.

Kjo periudhë ka dy anë. Në pikëpamje të shtetit, pushteti i Zogut ka si meritë kryesore konsolidimin e themeleve të shtetit kombëtar, palë e pavarur në marrëdhëniet me shtetet e tjera.

Krijohen institucionet në nivel qendror dhe lokal. Përpunohet një legjislacion mbi bazën e modeleve evropiane, që e ndan vendin nga legjislacioni oriental turk.

Ndërtohet një rend politik i qëndrueshëm në të gjithë vendin. Shtet laik, në një vend multifetar. Zhvillimi i arsimit mbi themelet e kombësisë.

Në pikëpamje të regjimit, u vendos një diktaturë personale, veçanërisht në Mbretëri, dhe një pushtet i mbështetur në një rreth të ngushtë bejlerësh e çifligarësh; një shtet me natyrë agresive që zbaton gjerësisht dënimin me vdekje. Parlament fiktiv dhe zgjedhje të manipuluara.

Korrupsion i kapur në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe vetë Zogun që ka ambicjen e pushtetit dhe të pasurisë

. Shpërdorim masiv fondesh për Mbretin dhe oborrin e tij, kur vendi është i zhytur në varfëri. Politika e jashtme është e përqëndruar në marrëdhëniet me Italinë, e cila merr koncesione politike dhe ekonomike me shpërblimet që Zogu merr “nën dorë”, “Shqipëria në një aferë ekskluzive të interesave italiane.” Përfundimi logjik: pushtimi i vendit nga Italia fashiste, më 1939.

Profesor, në librin tuaj “Lufta Italo-Greke: Diktatorë dhe Kuislingë”, ju argumentoni se është lufta Nacional-Çlirimtare ajo që shpëtoi Shqipërinë dhe shqiptarët nga një coptim i dytë. Disa fjalë rreth kësaj ideje…

Dihet, se lufta italo-greke, tetor 1940 - prill 1941, përfshin edhe Shqipërinë. Ishte qeveria kuislinge që e futi në luftë. Qeveritë kuislinge, bashkëpunëtore të pushtuesit, ishin një fenomen i përhapur në Evropë gjatë Luftës së Dytë.

Qeveria kuislinge e Tiranës e justifikonte bashkëpunimin me Italinë, në agresionin kundër Greqisë, si një okazion i rrallë që i jepej kombit shqiptar për të ndrequr padrejtësitë e të kaluarës dhe për të realizuar ëndrrën e shtetit kombëtar, për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”.

Kështu, në aktin e shpalljes së luftës kundër Greqisë vinte firmën dhe qeveria kuislinge. Greqia u përgjigj me shpalljen e luftës, jo vetëm kundër Italisë, por edhe kundër Shqipërisë, të cilën e konsideronte, jo si vend të pushtuar, por si aleate të Italisë agresore.

 Në Konferencën e Paqes të vitit 1946, Greqia përdori si argument pikërisht kolaboracionizmin për të kërkuar Shqipërinë e Jugut. Atë e shpëtoi vetëm rezistenca antifashiste, Lufta Nacional-Çlirimtare që e rreshtoi Shqipërinë në radhët e Aleancës antifashiste.

Nuk ishte e rastit që Greqia e rreshtonte pjesëmarrjen e popullit shqiptar në luftën e fuqive të Boshtit dhe mbështetej vetem te veprimtaria e qeverive kolaboracioniste.

A e shikoni të mundshëm realizimin e ëndrrës së dikurshme të shqiptarëve për të krijuar “Shqipërinë e Madhe”, bashkimin me Kosovën apo me trevat e tjera shqipfolëse, në kushtet e sotme, krejtësisht të reja, të integrimit euroatlantik? Si mund të jetë sipas jush ky bashkim?

Shekulli i Pavarësisë do të festohet edhe për ngjarjen e madhe të kombit tonë, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha sërbe. Të kujtojmë si filloi me shkëputjen e Kosovës, të kremtojmë daljen e saj më vete si shtet i pavarur.

Jemi dy pjesë të një kombi. Ishte një ndarje koniukturale, që i ngjan dy shteteve gjermane. Ka vetëm një zgjidhje: bashkimi i kombit në një bashkësi të vetme.

Çfarë i kanë dhënë Shqipërisë këto 100-vjet Pavarësi, dhe si duhet festuar ky jubile?

I kanë dhënë shumë. Kemi shtetin tonë të pavarur kombëtar. Me gjithë rreziqet dhe ndërhyrjet e dhunshme Pavarësia është rikthyer, u shpëtua. Shqipëria ka dalë nga një ndrydhje, errësirë shekullore dhe ka zënë vendin që i ka caktuar gjeografia me sytë e drejtuar kah qytetërimit perëndimor. Janë realizuar vlera të mëdha në shumë fusha. Kemi kulturën dhe arsimin tonë. Janë ngritur universitete e institucione të larta. Tirana, nga një fshat është bërë metropol…

Kemi të drejtë të kremtojmë 100- vjetorin, por edhe të reflektojmë. 100-vjetori e gjen vendin që ka kaluar pragun e demokracisë, por nuk e ka arritur objektivin. Gjendja është e pastabilizuar, nën goditjen e një antagonizmi të skajshëm.

Tranzicioni është i gjatë dhe i vështirë. 100-vjetori na gjen në mes të rrugës. Të shpresojmë, që ky përvjetor i madh, të na nxisë e të na frymëzojë për bashkëpunim dhe solidaritet, për marrëveshje, si mjet i domosdoshëm i përparimit drejt shtigjeve të reja. Ky është mesazhi i 100-vjetorit të Pavarësisë.


Intervistoi: Elvin LUKU






------------------------
Arben Puto lindi në Gjirokastër në 1924. Është profesor i shkencave i cili ka bërë shpjegimin e disa termave të shkencës e të teknikës për hartuesit e Fjalorit të gjuhës shqipe të botuar në Tiranë më 1980.
Mësimet parauniversitare e kreu në Liceun francez të Korçës (1935-1939), në Liceun francez dhe Liceun klasik në Romë. Mori pjesë në LANÇ, fillimisht në Gjirokastër pastaj në Tiranë. Arsimin e ndërprerë e përfundoi pas çlirimit në gjimnazin e "Tiranës" sot gjimnazi "Qemal Stafa" më 1946. Studimet e larta i kreu në Moskë në Fakultetin e Drejtësisë dhe i perfundoi më 1951 në degën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Me hapjen e UT-së më 1957 punoi si pedagog deri më 1990.

Botime

Çështja Shqiptare në aktet ndërkombëtare pas luftës I botërore (Vëllimi III)
E Drejta Ndërkombëtare Publike Libër Universitar
Historia diplomatike e çështjes Shqiptare 1878-1926
Konventa Evropiane për të drejtat e njeriut në përqasje me Kushtetutën e Shqipërisë
Nëpër analet e diplomacisë Angleze
Shqipëria Politike 1912-1939
Lufta italo - greke, diktatorë e kuislingë


Përgatiti:Flori Bruqi

SHKRIM ME SHKAS:Dr. Mirela Bogdani – Talent dhe force nepermjet te vertetes


NGA ROBERT MARTIKO 



Falë edhe një predispozicioni që buron prej kohësh të egra, izolimesh të përbindëshme brenda Perdesh të Hekurta, me duhet të pranoj qysh më parë se nga aktiviteti i gjithashëm shkencor, shoqëror e politik i Mirela Bogdanit, pjesën me pikante për mua e përbën aktivizimi i saj aktual, i suksesshëm në radhët e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar: një Legjendë e Vërtetë!
Dhe jo më kot…
Qysh në fëmini mbaj mend se me ç’farë fjalësh poshtëruese e denigruese rrethonte propaganda komuniste në Shqipëri një nga personalitetet më të spikatura politike në botë, siç qe Winston Churchill-i, kryetar i Partisë së mësipërme. Ndërkohë që i mbushur me lavdi e nderime thithte purot e tij të famshme: Havana, Montekristo ose Romeo e Xhuljeta në Westminster, Douning Street, Chequers Court, në megayachting e gjithëveshur në ar “Christina”, të shumtë qenë aktorët shqiptarë, që të nxitur nga propaganda e një udhëheqje pa mend e të verbër përpiqeshin ta tallnin, duke i rrasur barkut të uritur ndonjë jastëk me kashtë: për të imituar linjën e tij të shëndetshme, trupore…Ç’do udhëheqësi të paditur e shtrëmbaluq, lindor, i dukej sikur mund ta arrinte. Çuditërisht, në rrugë të shtrembër: duke e vënë në lojë…Edhe pse bëhej fjalë për një individ të jashtëzakonshëm, një nga kokat më të mëdha që Njerëzimi njohu gjatë shekullit të kaluar…Njësoj si partia e tij, ky person i rrallë, vijon të përbëjë edhe sot një mit të vërtetë. Arriti të shpëtojë mijera jetë njerëzish në saje të zbatimit të politikave të mençura antifashiste, duke përfunduar me sukses, së bashku me Aleatët, Luftën e Dytë Botërore. Nëse Winston Churchill nuk do të qe përballur me dritëshkurtësinë politike të Franklin Ruzveltit në Jalta, Bashkimi Sovjetik nuk do të shtrinte dorën e përgjakur drejt Europës Lindore. Nuk do të ndodhnin atrocitetet që shkaktuan miliona të vrarë e të asgjësuar nga praktikat e udhëheqjeve të çmendura komuniste, të cilat me zell të patreguar shfarosën në masë popujt e vet. Me Partinë Konservatore Angleze lidhen edhe emra të tjerë legjendë, ku midis tyre dallon e ashtuquajtura Gruaja e Hekurt, e famshmja Margaret Thatcher…Dhe mjaft të tjerë!
Deri tani është e qartë se edhe pse nuk kam gabuar ne vlerësimet e mia politike, e pranoj që kam folur deri diku, nëpërmjet gjuhës së simbolikës së evenimenteve të ndodhura matanë Perdes së Hekurt: ku unë, së bashku me miliona të tjerë jetonim tmerre e ankthe pambarim, përjetime underground, filma bardh e zi, rrëqethës, të përgjakur, të stilit Alfred Hitchcock ose Xhon Romero… Duke mos dashur të zgjatem më tepër, mjafton të ve në dukje se porsa në horizont u shfaqën rrezet e para të dritës hyjnore të lirisë, qe e natyrshme që mjaft nga njerëzit e mençur e të talentuar të Shqipërisë të vërshonin jashtë kufijve të saj, duke shpalosur kudo në botë vlerat e tyre me të mira shkencore, artistike, shoqërore, politike dhe humane.


Një prej tyre është padyshim Mirela Bogdani.

Duke iu referuar biografisë së mjaft individëve të veçantë e të talentuar, ne jo pak raste ndryshimet e profesioneve janë regjistruar të suksesëshme kudo në botë…Përfaqësuesin më human e njëkohësisht më ekspresiv të arratisjes profesionale e ka përbërë shndërrimi i mjekut në shkrimtar ose politikan. Mbasi, thuhet se mjaft prej tyre, të pajisur nga natyra me një shpirt të ndjeshëm, duke u ndodhur në trysninë e dhimbjeve të pacientëve që vuajnë, e shtrijnë profesionin e tyre në mënyrë krejt të natyrshme, drejt dy profesioneve të mësipërme. Jam i bindur se pikërisht kështu duhet të ketë ndodhur edhe me Mirelën si mjeke e suksesshme stomatologe, kur përpos drejtimit në nivel kombëtar të këtij sektori të shëndetësise, jepte edhe mësime si pedagoge në Universitetin e Tiranës me titullin Doktore Shkencash. Dhe ndërkohë zhvillonte dijen dhe ekspertizën si studente pasuniversitare e kërkuese shkencore, duke bërë artikuj e libra, traktate, mastera e disertacione në mjaft universitete prestigjioze të botës, si fjala vjen në Universitetin “George Washington” apo atë të Bostonit në Amerikë, Universitetin e Londrës në Angli etj…Ashtu si shumë të rinj idealistë ne vitet ’90, Mirela u përfshi ne politikë (me forcat e djathta) dhe kjo erdhi pikërisht në vitin e mbrapshtë të kaosit të piramidave.


Jam i bindur se politikania e njëkohësisht akademikja në fjalë ka karakter e shpirt që i përkasin më tepër të tjera shkollave… Mjaft më dinjitoze nga ato që ofron ekzistencializmi i mjeruar në lidhje me modelet e tij njerëzore!…Mirela nuk është aspak një tip i varur nga të tjerët. Për të janë të huaja fenomenet masive të larjes e të lyerjes me furça servilësh të eprorëve apo shefave, më shqip: të sahanlëpirjes së rëndomtë, banale, përherë të mirënjohur e pandryshuar prej trajtës së saj historike, klasike…Mendimet Mirela i thotë drejt dhe hapur. Pa zbukurime! Mbi të gjitha zotëron një kurajo mjaft të lartë. Aq sa, në mjaft raste ua kalon edhe burrave…Eshtë diçka, që si fenomen i rrallë femëror, më habit. Në shumë gjëra që kanë të bëjnë jo thjesht me inteligjencën dhe ambicjen, po edhe në karakter, ajo ka mjaft cilësi të perbashketa me heroinën e saj Margaret Thatcher, e cila thoshte “Nuk jam një politikane pragmatike, po një politikane me parime e bindje” (I am a conviction politician, not a pragmatic politician). Dhe ashtu si heroina e saj, Mirela i mbron dhe lufton për bindjet e saj, kur mendon që kjo është e drejta, bile edhe kur kjo involvon risk.

Kur shikon websitin e Mirela Bogdanit (http://mirelabogdani.com/bogdaniAlbanian/index.htm  ), që hapet me fjalën Welcome të shoqëruar prej një buzëqeshjeje të ëmbël gruaje serioze e të pashme, impresionohesh duke lexuar për arritjet e saj, backgroundin e saj, eksperiencen e suksesshme në dy kariera, e më pas gjen rastin të shikosh fotografi të shumëllojshme me mjaft personalitete politike, shoqërore e akademike të botës perëndimore…Dallon midis tyre Margaret Thatcher (te cilën Mirela e ka takuar dy herë), Kryeministrin italian Silvio Berluskoni, Kryetarin e Partisë Konservatore Britanike David Cameron, Kryetarin e Komisionit Europian Jose Manuel Barroso, Kryetarin e Parlamentit Europian Hans Gert Poetering, europarlamentarët Doris Pack e Jonathan Evans, Lordin britanik John Taylor, Komisionerin për Zgjerimin e BE-së Olli Rehn, Presidentin e Universitetit të Oxfordit Chris Patten, ish Kryeministrin spanjoll Jose Maria Aznar, kandidatin për President të Rusisë Gary Kasparov, studiuesen britanike Miranda Vickers e mjaft të tjerë… Pastaj, humbet, me plot kuptimin e falës, në xhunglën amazonike të diplomave, artikujve, universiteteve, disertacioneve, kolegjeve, seminareve, çertifikatave, departamenteve, masterave, projekteve, programeve, strategjive, anëtarësimeve, kandidaturave, leksioneve, kërkimeve shkencore, përfaqësive në organizma politike, akademike e profesionale ku Mirela është zgjedhur në saje të inteligjencës, aftësive, shpirtit fisnik dhe natyrës së saj energjike e dinamike.


E pranoj: porsa shkarkova një mori elementesh të shumëllojëshme natyrash më tepër akademike. Kjo më bën të ndërgjegjshëm, sepse nuk e teproj me fjalën e mësipërme: xhungël… Ndofta ka ndodhur, ngaqë historikisht, kam parasysh gjendjen fillestare të ndërtesave të Univeriteteve të Oksfordit apo Kembrixhit përbri shkurreve e pemëve të paprera në fillimet e shekullit të dymbëdhjetë…Ku një ditë prej ditësh, një student në sezon provimesh, ndërsa ishte duke studiuar në natyrë, goditi një derr të egër me një libër të trashë në kokë duke iu hakërruar gjithë mllef: “This is Greek to me!” (“Kjo është e pakuptueshme për mua!”) Me sa dukej, personi i mësipërm vështirësohej në mësimin e greqishtes se vjetër edhe nga ambienti përreth, qe siç u përmend më lart, gjëndej i mbuluar me drurë, bar e shkurre…Një xhungël e vërtetë! Të më falin të gjithë…Nuk mund të flitet për xhungël në hapësirat e universiteteve më prestigjioze të botës, fjala vjen si ai i Oksfordit apo Kardifit… ku Mirela jo vetëm ka studjuar por edhe ka dhene edhe leksione…

Sa për derrin e egër, jo më kot e përmend: në një rol të dyfishtë… Ndofta për të simbolizuar forcat regresive shqiptare, ku sipas Ainshtainit, diktatorët përherë gjenden të shoqëruar prej maskarenjsh të mëdhenj…apo pseudo intelektualë! Të gjithë së bashku pengonin dritën e zhvillimit dhe dritës të arrinte edhe në Shqipëri. Për tu çliruar populli i tyre…Ose për tu hapur rrugën mjaft talenteve të tjera, të cilat shkëlqejnë sot kudo në botë, duke nderuar origjinën apo vendlindjen. Përbëjnë me plot kuptimin e fjalës margaritarë të vërtetë për një vend, deri dje të vrarë e të munduar in ekstremis …
Do të doja ta përfundoja këtë artikull të pamjaftueshëm për të inkluduar gjithë dimensionin e aktivitetit politik, shkencor, shoqëror e mbi të gjitha moral e human të Mirelës, duke i uruar rrugë të mbarë në karrierën e saj. Përveç kësaj, ajo është nje nënë dhe amvise shëmbullore. Në kohën e lirë i pëlqen të notojë, të shetisë me bicikletë apo të bëjë patinazh së bashku me të bijën e saj Cindy dhe.. çdo të diel shkon në kishë. Eshtë diçka që Mirelën e nderon.


Ndërsa zgjedhja e modeleve humane merr rëndësi të jashtzakonëshme në jetë, mungesa e tyre përbën një tragjedi të vërtetë për njeriun. Në rastin konkret, figura e Mirela Bogdanit në mënyrë koncize tregon se si aktiviste e politikës reale ajo përpiqet te ndodhet sa më larg praktikave demagogjike, që janë mësuar të përkëdhelin e njëkohësisht mashtrojnë, bastisin e vjedhin turmat e pambrojtura popullore…
Ndërkohë, të gjithë bijtë e ndershëm e të talentuar, do ti qëndrojnë Shqipërisë si gurë të çmuar kurore mbretërore në kokë…Pak a shumë, si diamantët e Imperial State Crown në Tower të Londrës. Do të dëshiroja ta mbyllja këtë shkrim me moton e Universitetit të Uashingtonit, ku Mirela ka studiuar: “Per veritatem vis”… Eshtë mjaft kuptimplotë jo vetëm për atë, por për gjithë intelektualët që përparojnë në jetë në saje të zotësivë të tyre personale. Dhe jo prej lançimeve të diktatorëve dhe gjakut të derdhur të bashkatdhetarëve…

Motua e mësipërme ka kuptimin se forca buron nga e vërteta! Dhe Mirela Bogdani përbën një nga shembujt më tipikë…


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...