Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/02

Ramadan Sokoli, kolos i etnomuzikologjisë shqiptare





Shkruan: Prof. dr. sc Akil Mark Koci

PROF. DR. SC. AKIL MARK KOCI
Si mund ta kuptojmë krijimtarinë e Ramadan Sokolit po të mos ravijëzojmë figurën ikonoklastike të këtij personaliteti të shquar nga shumë aspekte, si fryt i punës kolosale shumëvjeçare befasuese, si njohje empirike, si arketip dhe prototip në eter, që sublimon jo vetëm parimet shkencore, artistike dhe estetike, por edhe vrojtimet fondamentale të moderuara filozofike?
Profesorin e nderuar e kam takuar për herë të parë në vitin 1970, pikërisht më 26 dhjetor të atij viti, në Tiranë. Atëkohë, bashkë me kompozitorin e profesorin Lorenc Antoni, si përfaqësues të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, në kuadrin e marrëveshjes për shkëmbime të ndërsjella nëmes Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, patëm shkuar në Festivalin tradicional që organizohej çdo vit, – Kënga në Radio, – njëri prej aktiviteteve të shumtë ku i këndohej Partisë së Punës së Shqipërisë, kooperativistit, shokut Enver dhe tërë plejadës së udhëheqësve partiakë.
Ai festival me vlera kombëtare në muzikën e lehtë shqiptare, krahas pasurimit për vite me radhë të fondit të kësaj gjinie, nxirrte në pah edhe krijime të tjera ,,me elemente të huaj,,, siç thoshin anëtarët e byrosë politike të ngarkuar me çështjet ideologjike në artin shqiptar dhe, fill pas mbarimit të edicioneve të festivalit, mbanin plenume dhe konferenca për të trajtuar “mangësitë ideologjike” të këngëve. Ende e kam të freskët Plenumin IV të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë, që u thirr menjëherë pas festivalit të XI, për të ndëshkuar, siç shpreheshin, frymën liberale që kishte nxjerrë krye në disa nga këngët dhe që përbënin “shfaqje të huaja,, për normat e shoqërisë socialiste.
Pra, sidoqë kanë kaluar shumë vite, më kujtohet si tani ai festival, se kam qënë i pranishëm dhe më befasoi me këngë të një stili të ri, stil që nuk ishim mësuar ta dëgjojmë herë të tjera. Prandaj edhe debatet, autokritikat dhe kritikat ishin të ashpra dhe në fund u shoqëruan me marrjen e masave drakoniane ndaj të gjithë atyre kompozitorëve dhe këngëtarëve, të cilët shprehnin ,,mani për të huajën,,.
Kështu doli edhe termi ksenomani, që u huazua nga fjalorët dhe u përdor nga propaganda dhe nga politika e diktaturës në lëmin e artit e të kulturës. Qëllimi ishte të bëheshin zap dëshirat e përpjekjet e shkrimtarëve dhe artistëve për t’u njohur e përfituar nga arti dhe kultura përparimtare botërore. Me këtë u hap “drita jeshile,, që të anatemohej, ndalohej dhe dënohej çdo lëvizje kulturore, e cila nuk përmbante të gjithë elementet përbërës të realizmit socialist, duke u bërë sinonim i krimit. Ndëshkimi në kësi rastesh nuk kufizohej vetëm me burgim, por shkonte deri në asgjësim fizik. Meqë ishim mysafirë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, na pritën në lokalët e saj ku, pos shumë krijuesve, të cilët na i prezantuan me protokoll, ishin të pranishëm edhe persona të tjerë, të cilët as që guxonin të na afroheshin pa lejen e funksionarëve partiakë.
Në mesin e tyre çuditërisht ishte edhe profesori Ramadan Sokoli. U habitëm paksa duke e ditur se në çfarë ferra kishte kaluar menjëherë pas ,,Çlirimit,, të vendit.
Nuk e kam pasë njohur më parë, por kisha lexuar mjaft prej veprave të tij shkencore, ndër të tjera edhe një botim voluminoz e një studim të thukët shkencor me titull Folklori muzikor shqiptar, (Morfologjia), dalë nga shtypi më 1965. Ishte ndër veprat e para shkencore të këtij autori, të cilën ma kishin dërguar vëllezërit dhe motrat e mia, që ishin asokohe në Shkodër. Ua kishte dhënë motra e profesorit, Safetja, me porosi që të ma dërgonin në Kosovë. Ishte vërtet një kënaqësi që e njoha këtë artist dhe etnomuzikolog të shquar personalisht dhe me shumë lutje e bëmë sëbashku një fotografi me kolosin e krijuesin e doktrinës etnomuzikologjike shqiptare.
Po ta analizojmë atë fotografi me kujdes, do të vërejmë se, ndërsa në fytyrat tona shihet një lloj gëzimi për takimin tonë me të, në fytyrën e tij bie në sy njëfarë droje, ankthi, disponim i zymtë që merr përmasa të njeriut të frikësuar. Ndjenjë e natyrshme kjo për këtë intelektual të rrallë, që pat njohur izolimin shumëvjeçar nga diktatura, çka bëhej “në emër të popullit,,. Po në emër të tij, i dërgonin nëpër burgje dhe internime. Me siguri që nuk i kishte harruar bisedat paraprake dhe të shumta në zyrat e errëta të hetuesisë dhe të Sigurimit, që zhvilloheshin gjithnjë sipas një plani dhe programi, si reminishencë dhe retiçencë e dhunës, jo vetëm fizike, por sidomos psikike.
Ishte shtatlartë, me pamje fisnike dhe gjatë bisedës shumë të shkurtër që zhvilluam me të, unë dhe profesor Lorenci u bindëm se ishte një njeri i predestinuar për shkencë, mendimtar që zotëronte prirjen për objektivitetin shkencor, për krijimtarinë e vërtetë artistike, si veprime pragmatike me cilësi dhe përmbajtje humaniste, substancë intelektuale të rafinuar në kuptimin më pozitiv të kësaj stileme.
Si do që fjalët e tij ishin mbresëlënëse, i dilnin nga goja me një pianissimo, saqë mezi e dëgjoja. Si dukët frikohej sepse ,,Sigurimi, syri vigjilent i Partisë”, siç dëgjohej të thuhej shpesh e kudo, të bënte gjëmën. Pra, nuk kish çudi që t’i ndodhte edhe njëherë tragjedia që pat pësuar pa bërë asnjë faj. Prandaj ruhej se mos e ,,tepronte,,, sikurse thoshin pushtetarët për normat e ,,sjelljes,, së papërgjegjshme para të huajve e sidomos para atyre që vinin nga shtetet revizioniste, siç emërtohej në radhë të parë ish-Jugosllavia.
Pavarësisht prej gjithë atij konstelacioni optik që zotëronte dhe atmosferës mikpritëse dhe solemne për nderin tonë, gjatë tërë kohës ndjehej edhe një lloj mjegullëze mikluese, intelektuale e artistike, që dukej qartazi se ishte farsë e ushtruar mirë nga kreu i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si specifikë e diktaturës, edhe pse artificialisht bënin çmos ta mbulonin.
Ramadan Sokoli: E si mund të punosh kthjellët, kur mbizotëron parimi hegelian ,,gjithkush kundër të gjithëve,,?
Ramadan Sokoli
Profesor Sokoli edhe në ato rrethana punoi pa pushim dhe me veprat e veta krijoi një logjikë jashtëzakonisht të fuqishme, një postulat, që nuk ka nevojë të vërtetohet.
Mendoj se, as sot e as nesër nuk mund të përfytyrohet shkenca e etnomuzikologjisë pa të, pa kontributin që ka dhënë qysh para shtatë dhjetëvjetëshash, sepse, pos brezit të parë që krijoi, siç thotë kompozitori dhe muzikologu prof. dr. .Sokol Shupo, ,,botimet e tij të shumta influencuan dukshëm në rritjen e sensibilizonit të formimit të muzikologëve të shkolluar vetëm në Shqipëri. Ato ishin kthyer në një lloj Bible për këtë profesion … në krijuesit shqiptarë, njohja e sistemuar e lëndës folklorike shqiptare krijoi një premisë reale për t’u shprehur me një gjuhë të pasur në elemente shqiptarë,,. Prandaj universi estetik i etnomuzikologjisë shqiptare, pa Ramadan Sokolin në Shqipëri dhe pa Lorenc Antonin në Kosovë, të cilët filluan veprimtarinë e tyre kërkimore dhe artistike dhe vunë themelet e saj në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, nuk do ta kishte këtë zhvillim dhe utilitarizëm muzikor si funksionalizim estetik. Do të përqendrohemi posaçërisht në aktivitetin krijues të kompozitorit dhe të etnomuzikologut Ramadan Sokoli, jo vetëm për të kuptuar nervin e tij hulumtues, por edhe për ta njohur krijimtarinë që paraqet njëmetaforë artistike si pjesë përbërëse e kohës sonë, si sublimim i ndjenjave krijuese dhe i përjetimeve origjinale
me qasje të duhura artistike. Me emrin e tij është e lidhur ngushtë etnomuzikologjia shqiptare, kjo degë e shkencës, historia dhe ecuria e saj në Shqipëri dhe më gjerë.
Etnomuzikologjia fillestare dhe pa traditë
Etnomuzikologjia nuk ka pasur ndonjë traditë të madhe si shkencë në trojet tona, sikurse edhe e gjithë shkenca dhe kultura shqiptare. Në një të kaluar jo fort të largët, kemi pasur disa emra të nderuar, të cilët kanë qënë mbledhës të folklorit dhe ndonjëherë kanë mundur t’i deshifrojnë këngët që kanë mbledhur. Ndër ta duhet përmendur Gjon Kolë Kujxhija, që ka dhënë një ndihmesë të shquar me botimin e vëllimit të parë me titull Valle kombëtare – Dasma Shkodrane, më 20 qershor 1943 në Firence, si dhe Pjetër Dungun me përmbledhjen e njohur Lyra shqiptare.
Të dy këto punime mund të konsiderohen në mos të parat, së paku ndër të parat botime të kësaj gjinie. Ramadan Sokoli është studiues e hulumtues, i cili i shtrin problemet etnomuzikologjike në tema universale të kësaj shkence duke i prezantuar në referenca. Ai pikërisht është i pari që na solli brenda një harku kohor të shkurtër një varg studimesh dhe tekstesh etnomuzikologjike me struktura komplekse, moderne, jo vetëm në aspektin e parimeve estetike, por edhe të qasjeve të tyre, duke u bazuar në diskurse që burojnë nga vetë gjenia krijuese e popullit. Kësaj të fundit i jep pa ngurrim përparësi, siç i ka hije një shkencëtari me bagazh të konsiderueshëm diturie dhe pa dilema, si përfaqësues i denjë dhe teoricien i parë i etnomuzikologjisë shqiptare.
Tek vepra e Ramadan Sokolit shquajmë një krijimtari të madhe dhe të gjerë, jo vetëm në etnomuzikologji, por edhe në kompozicion. Nga ky këndvështrim, duke i shpalosur punimet e tij shkencore, me plot gojë mund të themi se kredoja e tij krijuese dhe hulumtuese bazohet në binomin artist shkencëtar, binom që shumë shpesh e hasim edhe te krijues të tjerë, sepse koha ka qenë ajo që ua ka imponuar një realitet të tillë.
Shkodra, qytet i një kulture të madhe gjithëshqiptare
Shkodra ka qenë qyteti në të cilin u lind ky shkencëtar, që rrjedh nga një familje me tradita të hershme kombëtare, atdhetare e qytetare. Fisi i Sokolajve pat ardhur nga fshati Boja i Sumës i Malësisë së Madhe dhe ka nxjerrë shumë trima. Po të shfletojmë pak historinë, do të na shfaqet përpara figura e Hodo Pashë Grudës, mbrojtësit legjendar të Hotit e të Grudës – dy treva shqiptare në Mal të Zi.
Ramadan Sokoli u lind pikërisht në Shkodër, më 19 qershor të vitit 1920. Aty filloi të mësojë muzikën artistike dhe në moshën 16-vjeçare kompozoi një sërë këngësh, si: ,,Turtulleshë,,, ,,Jelino,,, “Lulja me erë,, e shumë të tjera, që u përqafuan nga publiku dhe u bënë pjesë e shpirtit të tij.
Në vitet 1940-1944 vazhdoi studimet për flaut dhe kompozicion në Konservatorin e Muzikës ,,Luigi Cherubini,,, në Firence (Itali). Pas përfundimit të studimeve, duke grumbulluar tashmë dije të konsiderueshme, e ngriti nivelin jo vetëm të mësimdhënies së flautit, të teoretikës e të teorisë së kompozicionit, por u fut plot sukses në të fshehtat e në enigmat që mbante në gji ai kozmos muzikor, si katarsis aristotelas. I gjithë ky proces nuk kish si të mos shoqërohej me ,,trandje,, shpirtërore. Rëndësi të posaçme i kushtoi përcjelljes e zbatimit të përvojës së fituar sakaq, si mesazhe bindëse për krijimtarinë e tij jo vetëm në rrafsh teoriko-praktik, por edhe artistik. Njëkohësisht bëri hapa drejt sintetizimit të tyre në aspektin gnoseologjik.
Mjerisht, me kthimin në atdhe, fill pas mbarimit të studimeve, çka përkoi me kohën kur komunistët e ,,çliruan,, Shqipërinë, Ramadan Sokoli pësoi jo vetëm katarsis e tronditje të vërteta shpirtërore, por edhe tragjedi. Befas ,,çlirimtarët,, e burgosën bashkë me të dy vëllezërit, Ibrahimin dhe Hodon, për shkak të pjesëmarrjes në veprimtari nacionaliste dhe legaliste. Ky ishte “mëkati“ i tyre. Pas shumë viteve, falë ndihmës së shokut të tij, shkrimtarit Llazar Siliqi, – që shfrytëzoi, siç thuhej, nevojën e regjimit për kuadro të afta në fushën e studimeve muzikore, – u lirua nga gulagu enverist. Por, pas vuajtjeve fizike, filluan vuajtjet, po aq të mëdha, shpirtërore, sepse e detyruan të krijonte si “anonim”, pa pasur të drejtë të vinte emrin në veprat e në shkrimet që botonte.
Me të dalë nga burgu, me qenë mse ia kishin nevojën, donin s’donin e caktuan instruktor muzike në Ministrinë e Mbrojtjes, instruktor të korit shtetëror, përgjegjës të muzikës në Pallatin e Kulturës në Tiranë, ndërsa më 1967 e caktuan pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja”nga ku e nxorën në pension në moshën 55-vjeçare, bash në kohën më të përshtatshme krijuese. Gjithnjë u është përmbajtur fjalëve “Chi va piano, va sano”, (Kush ec ngadalë, mbërrin shëndoshë e mirë). Me durim e këmbëngulje, me zell e përkushtim, botoi shumë artikuj e studime shkencore dhe praktikisht u bë themelvënësi i muzikologjisë shqiptare, pastaj edhe modernizuesi i saj në tërësi, përmes zbatimit të diskurseve dhe referencave konkrete, të cilat u mishëruan e u materializuan në veprimtaritë e specializuara të fushës përkatëse. Paralelisht me këtë, i vuri vetes detyrë që të përgatiste kuadrot e nevojshëm, duke qënë i vetëdijshëm se në muzikologji mungesa e tyre ishte mjaft e theksuar.
Studim i shkëlqyer: “16 shekuj” – njih vetveten!
Lista e punimeve të tij do të ishte shumë e gjatë, por ne do të ndalemi vetëm në veprën 16 shekuj, ku çuditërisht as në kopertinë e as në brendinë e botimit nuk hasim as datën e botimit e as atë të krijimit, çka mund të konsiderohet si lajthitje teknike. Parathënia fillon me fjalët e së madhes Dora d’Istria (Elena Gjika): ,,Arbëria gjithmonë ka nxjerrë njerëz të
mëdhenj,,.
Qysh në rreshtin e parë të kësaj parathënieje lexojmë dy fjalë: ,,Njih vetveten,,, si lajtmotiv i krejt studimit, edhepse profesori i nderuar në të nëntë kaptinat nuk thotë as edhe një fjalë të vetme për veten, por ligjëron e shkruan për personalitete që pak ose aspak nuk janë hulumtuar, që nuk është shkruar për ta, përfshi krijimtarinë shkencore dhe artistike të humanistëve, artistëve dhe shkencëtarëve mërgimtarë. Pra, sintagma: ,,Njih vetveten!,, e përligj plotësisht e më së miri vënien në ballë të parathënies, duke qënë se i sugjeron çdo krijuesi, duke filluar nga vetvetja, njohjen e modeleve që duhen ndjekur, nga të cilët duhet të mësojë secili. Në kreun e parë shpaloset veprimtaria e madhe e dijetarit dhe muzikantit Niketë Dardani ose Niketa i Remesianës, për të cilin autori me të drejtë shprehet: ,,Niketë Dardani, i pajisur me prirje letrare e muzikore, përpilonte këngë dhe himne e ua mësonte besimtarëve që t’i këndonin së bashku. Me sa duket ai ishte rritur në një mjedis ku muzika përfshihej në planin mësimor për edukimin e rinisë, si pjesë e lëndës së metrikës”.
Më tej, autori shton: “Pra, ky prelat i devotshëm, njeri i gjakut tonë, në moshë të re, 26-vjeçare, ishte në postin më të lartë në hierarkinë kishtare katolike, që i dha qytetërimit një opus të gjerë të kanonizuar, të pranuar si model, aktual dhe i përdorshëm edhe në ditët e sotme. Mjafton të përmendim Te Deum Laudamus, himn i cili njihet në literaturën e përbotshme dhe ka mbetur aktual që nga viti 525 pas Krishtit e ndodhet në Antifonarin e Bangorit të Irlandës, si dorëshkrim i kopjuar ndërmjet viteve 680-691, si relikë paleokristiane që të kujton disa skulptura arkaike plot patos në thjeshtësinë tyre. Sa i përket natyrës së himnit të sipërpërmendur, profesor Ramadan Sokoli thotë se ky himn tradicionalisht shtjellohet lirshëm, duke u mbështetur në pikat parësore sipas stilit responsorial, domethënë duke gërshetuar zërin e solistit me zërat e grupit të këngëtarëve, që i përgjigjet verset pas verseti. “Te Deum ,vazhdon autori, pa druajtje është më i famshmi himn në liturgjinë kishtare të mbarë botës.
Më tej, Ramadan Sokoli shpjegon edhe shumë elemente të tjerë dhe ve në dukje se “me të drejtë mund të konstatojmë se ky krijues sikur asgjë të mos kishte bërë, por vetëm këtë himn, do të kishte ngelur i njohur si autor me një të shprehur dhe të menduar si krijues i vetëdijesuar dhe i formësuar artistikisht në nivel të lartë artistik dhe duke pasur soditje imagjinative në kontekstin jo vetëm spiritual, por më gjerë”. Në fund, autori konstaton:  kjo dukuri dëshmon jo vetëm për qëndrueshmërinë e himnit, por edhe për azhdimësinë e pandërprerë të traditës sonë, duke hapur shtegun për hulumtime të mëtejshme rreth etnogjenezës së popullit tonë, si dhe të vazhdimësisë etnokulturore iliroarbërore- shqiptare. Me qënë se vendi në gazetë nuk na lejon të flasim për të gjithë kapitujt veç e veç gjerësisht, ne vetëm sa i përmendëm ato.

3 poezi nga Vullnet Mato


 

 
R R Ë S H Q I T J E
 
Afrova pakëz buzët
te buza jote e ëmbël,
krejt instinktivisht
dhe pothuaj fare kot,
ndjeva një dridhmë
nga koka të këmbët,
dhe atë çast padashur   
rrëshqita më poshtë.
 
Aty gjeta ato lodra
që më kishin munguar
dhe lodrova pakëz
me ngazëllim të plotë,
po më shkundi rryma
trupin e dridhmuar,
dhe atë çast padashur  
rrëshqita më poshtë.
 
Pastaj më zunë befas  
ca ethe me gjëmime,
që më rrëzuan përmbys
te këmbët në agoni,
ku një shkrepje e fortë
me shkarkim vetëtime
më shkriu e na saldoi
së bashku të dy!...
 
Truall trupi me kaq
pjerrësi rrëshqitëse,
nuk besoj se ka 
femër tjetër në botë,
me rënkime bubullime
humnerave të rrezikshme,
siç rashë brenda tek ti
dhe nuk dola më dot!...         



 

 
NGJYRAT E DIKURSHME
 
Kam ëndërruar dikur 
të bëhesha një ylber,
të shtrija brezin purpurak 
tejpërtej përmbi brigje,
të zgjatja krahët e ngjyrosur 
largësive nëpër erë, 
të ndaloja në qiell 
retë e bardha të çdo grigje.
 
Mblodha tubeta ngjyrash, 
nuanca për çdo njollë,
kuajve azganë u shkula 
qimet nga bishti,
dhe i ngjita në shkopinj 
prej bredhi të hollë, 
për telajot e gatitura 
me pëlhura liri.
 
Pastaj i zbrita retë 
të mërzenin në vathë si dele,
pyjet nëpër korniza 
i vura të shushurinin,
lumenjtë i ndala të rridhnin 
në zallishte bezje,
futa detin në kuadrat 
me gjithë dallgë e shkëmbinj.
 
Mbusha salla me krahina 
nga veriu në jug,
me njerëz të çdo moshe, 
fytyra të çdo forme
dhe fillova të shes troje, 
fusha, diell në muzg,  
male të thepisur, dete,
banesa me kulme bore. 
 
Ato që mbetën, i nxora 
nga kafazët ku flinin,
të fluturonin ku i mora, 
andej nga më erdhën,
reve, lumenjve, deteve, 
u hapa burgjet të lëviznin.
Se më erdhi mesazhi i shenjtë 
të kalëroja penën...



 

 
NUK JAM UNË...
 
Mbrëmë në një ëndërr 
tejet të habitshme,
njerëzit kishin të gjithë 
një pamje në fytyrë,
ishin të tërë njësoj
 përmasat fizike, 
dhe me zërin identik   
në një timbër të shtrirë. 
 
Burri shikonte gruan 
tek puthej në buzë,
apo e gjente nudo, 
nën një mashkull tjetër
dhe ajo i shfrynte serbes: 
Jot shoqe nuk jam unë,  
shko gjej tënden, 
ke ngatërruar adresën!...
 
Kësisoj nuk shpërfaqej  
xhelozia ndër çifte,
tradhtia ishte në modë 
njëlloj si te kafshët;
delet bjonde bënin kopilë 
në tufën kolektive,
deshtë brun ndërzenin 
kopenë e përbashkët. 
 
Vogëlushët të një stampe 
gëlonin në maternitet,
si zogj të sapodalë 
nga vezët e një klloçke.
Për të mos u ngatërruar 
nga prindërit e vërtetë,
rriteshin së bashku 
në çerdhe e kopshte.
 
Dalloheshin nga etiketa 
varur në qafë me emrin,
ku të rriturit shkruanin 
ndonjë emër të ri,
kur nga nevoja braktisnin 
për ca kohë vendin
dhe pagëzoheshin kishave
diku larg në Greqi. 
 
Jetohej në pasigurinë 
më kaotike të një kombi, 
ku nuk gjendej lehtë 
autori ekzakt i krimit.
Rendi nuk faktonte dot
identitetin e personit 
Drejtësia nuk siguronte 
provat e burgimit.
 
Kriminelët me vetura luksi 
bënin ligjin ku të donin,
policia dhe gjyqet, 
me rraskapitësen punë,
zinin çdo specie “peshqish”
dhe sërish i lëshonin,
pas shprehjes shpëtimtare: 
Nuk jam unë!”...
 
E bombardova ëndrrën 
me pyetje gjer në mesnatë, 
pasi nuk mora përgjigje 
nga asnjë i shurdhuar, 
për bëmat e palogjikshme 
të asaj jete të llahtartë, 
brofa nga gjumi përpjetë, 
duke klithur i tmerruar: 
 
Uh, shyqyr, o zot, që s’jemi  
si pikat e ujit në lumë,
se vaj halli, po të thoshim 
të gjithë: “Nuk jam unë!”...
 

I njoh


TË GJITHË MË SHIKOJNË E ASNJËRI NUK MË NJEH

Font size: Decrease font Enlarge font
imageADEM ZAPLLUZHA
































ADEM ZAPLLUZHA


 I njoh
Po kë nuk e njoh
Në këtë jetë të përdalë
Kurse mua
Askush nuk më di emrin

Herë më gjuajnë
Si topin e llastiktë
E herë si çamçakëzin
Kur më përtypin mizat

Lëkura ime
Nuk vlen as sa një dajre
E ciganes
Me gjinj të mëdha
Prej silikoni

Sybajamja e lagjes
Me ato sy të mëdha
Pareshtur më shikon
Dhe nuk më vëren
Unë nuk jam askund
Në fushëveprimin
E shikimit të saj

Të gjithë më shikojnë
E asnjëri nuk më njeh
Prishtinë, 30 prill 2o12

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...