Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/05/24

Visar Zhiti rrëfen gjyqin: Si më dënuan për poezitë

Nga Flori Bruqi


Visar Zhiti, lindur më 2 dhjetor 1952 në Durrës është shkrimtar shqiptar.

Visar Zhiti ishte bir i aktorit dhe poetit Hekuran Zhiti (1911-1989). Visar Zhiti u rrit në Lushnjë, ku ai përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970.

Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër (sot Universiteti Luigj Gurakuqi), ai filloi karrierën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare.

Në 1973, ai përgatiti për botim një përmbledhje, "Rapsodia e jetës së trëdafilave".

Ishte koha e Plenumit të 4-t të KQ të Partisë së Punës (Partia Komuniste)në të cilin diktatori komunist Enver Hoxha filloi një fushatë të egër kundër të rinjve që pëlqenin kulturën perëndimore. Babai i Zhitit kishte patur më parë një konflikt me autoritetet, dhe poeti i ri papritmas u bë një nga viktimat politike të diktaturës për të frikësur intelektualët shqiptarë.

Dorëshkrimi i përmbledhjes së tij të përmendur më sipër, që kishte qenë dorëzuar për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri, u konsiderua si një krijim me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist. Ai u arrestua më datë 8 nëntor, 1979 në Kukës.

Mbasi u dënua në një gjyq qesharak në prill të vitit 1980 me trembëdhjetë vjet burg, ai u dërgua në burgun e Tiranës dhe më vonë transferohet në burgun famëkeq të Spaçit. Shumë nga të burgosurit që ishin me të në burg vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja ose pësuan çrregullime mendore.

Ai u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987 dhe u "lejua" nga pushteti komunist për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku punuoi në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas kthimit të tij në Shqipëri, ai punoi si gazetar dhe u emërua kreu i ndërmarrjes botuese e cila kishte planifikuar të botonte librin e tij të parë. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999.

Veprimtaria Krijuese

Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshnte disa poezi nga burgu. "Hedh njė kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm.

Ky vëllim përmbante të gjitha 100 poezitë të krijuara në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar vetëm në kujtesën e tij.

 Vëllime të shumta pasuan, dhe ai është i njohur tani si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtëra, të mbledhura në dy vëllime, dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka dhe poeti italian Mario Luzi.

Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit: burgologji" u botuan në Tiranë në vitin 2001. Në vitin 1991 atij iu dha çmimi italian për poezi "Leopardi d'oro" (Leopardi i artë), dhe në 1997 ai mori çmimin prestigjioz "Ada Negri".

Libra me poezi:

Kujtesa e ajrit (Tiranë: Lidhja e shkrimtarëve, 1993)
Koha e krisur (1993)
Hedh njė kafkë te këmbët tuaja (Tiranë: Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1994)
Mbjellja e vetëtimave (Shkup: Flaka e vëllazërimit, 1994)
Koha e krisur (1993)
Dyert e gjalla (Tiranë: Eurorilindja, 1995)
Kohë e vrarë në sy (Prishtinë: Rilindja, 1997)
Si shkohet në Kosovë (Tiranë: Toena, 2000)
Rruget e ferrit: burgologji(2001)
Ka shkruajtur edhe Pazari I Kepucarit. Përkthyer në Gjuhën Agleze:
Condemned Apple (Molla e dënuar): Poezi të zgjedhura, përkthyer nga Robert Elsie (Los Angeles: Green Integer, 2005).


Skeda:Visar Zhiti.jpg

Nga Visar Zhiti
Seanca gjyqësore në Kukës, akuzat, aktekspertiza dhe mësuesit-dëshmitarë
“Rrugët e ferrit – Burgologjia ime për Spaçin dhe më parë”, kështu titullohet libri i sapobotuar i shkrimtarit dhe poetit Visar Zhiti, i cili ka provuar mbi shpatulla 10 vite të gjata në burgun e Spaçit.
Një libër rrëqethës, botim i shtëpisë botuese “OMSCA-1”, që nis me ditën e arrestimit, për të ndjekur ditë pas dite rrathët e ferrit dantesk, nga hetuesia në gjyq, në Spaç, në minierë, duke shtyrë vagonët me mineral. Një libër që përshkruan gjithë makthet që mund të kalonte një i dënuar për agjitacion e propagandë, në kufirin mes jetës dhe vdekjes. Në rreth 570 faqe libër, të cilat të shtyjnë njëra pas tjetrës të lexosh edhe më, edhe më rrëfehen ngjarje, ndjesi, përshkrime dhe personazhe, të cilat në të gjitha rastet janë reale.
Ja një pjesë nga libri, në të cilën shkrimtari rrëfen gjyqin e tij, botuar në të përditshmen Panorama.
Gjyqi i hapur
I lidhur me pranga, mes dy policëve të armatosur, po prisja në bankën e të akuzuarit, në krye, por anash, në sallën e madhe, bosh të gjyqit. E dija ku më kishin sjellë, në gjykatën e re, në qendër të qytetit. Ngrehinë gri, vazhdimisht e ftohtë si nën erëra. Isha endur rrugëve ndanë saj, ku kalimtarët rralloheshin ose nxitonin t’i largoheshin si të yshtur nga një e keqe. S’kisha ndjekur ndonjëherë ndonjë gjyq, s’i duroja dot dënimet.
I hapur apo i mbyllur do të jetë gjyqi im? Unë kisha thënë: më mirë të hapur. I hapur, sigurisht, tundi kryet hetuesi. Duhej ta shihnin si goditej armiku. Në vendin e lartë kryesor, sipër tryezave me cohë të kuqe të trupit gjykues, që ende s’kishte ardhur, pashë parullat e tmerrshme për luftën e klasave dhe për dënime të pamëshirshme ndaj armikut të brendshëm. Citatet pushtonin tërësisht ballinën, me emrin e Enver Hoxhës poshtë, shkruar me të kuqe, kurse fjala “armik” sterronte, me shkronja të zeza pisë kudo….
Një rrapëllimë, si një sulm, revolucion province, më solli në vete. Qenë hapur dyert në fund të sallës së gjyqit, jo andej nga u futëm ne, dhe po vërshonin njerëz, me zhurmë, shtyheshin, sa më afër kreut, mundësisht…
Ndjeva dallgë. Radhët dallgë-dallgë po mbusheshin me fytyra, të dëshpërimit të gëzueshëm…

Visar Zhiti në burgun e Spaçit
Njerëzit zhurmonin si në kinema, sikur do të kishte shfaqje estrade… Mua po më qartësoheshin pamjet, por s’po gjeja familjarët e mi mes atij anonimati. Kërkoja, kërkoja. “Shiko”, më thanë dhe policët. Ah, s’janë! Më mirë. Salla plot. Dhe midis rreshtave, në rruginat e vogla, kishin shtuar karrige, kurse nga fundi rrinin dhe më këmbë. Ja, një grup i pikëlluar fëmijësh, nxënës të mi. Kokulur, të urtë. Mbase besonin se makina qethëse e shtetit i kishte ngulur dhëmbëzat e vet edhe te mendimet e mia, te metaforat, idetë, i kishte bërë zero dhe trutë. Njëri nga ata ngriti kokën për të më parë, a isha i tëri, a i kisha të gjitha gjymtyrët, a kuptoja dhe, kur i shkela syrin, aq shumë u çmerit, sa filloi të lajmëronte dhe të tjerët, duke i shkundur, seç u thoshte dhe ata sikur shkrinin nga një ankth. “Ngri-shkri” është dhe një lojë, më duket.
E përfytyrojnë dot ata mësuesin armik? Unë armik?! Sa më kanë dashur! Të mos i zhgënjej. Armiku është tjetër lloj, tjetër gjë. Do t’ua tregoj dot? E kuptoj tronditjen e tyre… s’kanë për të harruar… a do të di të rri së fundmi në kujtesën e tyre ashtu siç duhet? Përtej kolegët e mi, tepër festivë, si në piknik, si në oborr të shkollës. S’më interesonin tani.
- Çohu! – dëgjova të më urdhëronte njëri nga policët. Ata, bashkë me gjithë njerëzit në sallë, qenë ngritur në këmbë…
Gjykatësi, i akullt i tëri, i mësuar me mynxyra, pasi bëri shenjë të uleshim të gjithë, u kthye nga unë dhe më duket se pyeti në isha dakord të më gjykonin ata:
- Mërgim Dragushi, gjyqtar, me Hamit Dungën dhe Ymer Bashën, ndihmësgjyqtarë?
- Po. Njëlloj është për mua, nuk ju njoh, – thashë.
- Mos rri ashtu, – më urdhëroi polici me zë të ulët. S’duhej të dukesha krenar.
- Ke të drejtën e fjalës, – më tha gjykatësi me zë të lartë, por që s’ishte dot i lartë, dhe salla duhej të mbante qetësi, nëse do të donin të dëgjonin. – Ke të drejtën e mbrojtjes, – po vazhdonte ai dhe mund të mbaja shënime, por s’duhej të bërtisja, as të shaja. Ndryshe gjyqi zhvillohej edhe pa praninë time.
- Po, po, njëlloj është, – përsërita. Kërkova diçka për të shkruar, e pabesueshme, u bë një rrëmujë e vogël, policët lëvizën armët. Dikush nga salla u ngrit, zgjati një laps, jepjani, tha gjykatësi, e mori njëri nga policët, ishte i mprehur mirë, pashë karikaturistin e qytetit, me profilin alla-Pushkin, ai ka lapsa të tillë. Pranë tij shkrimtari Ferhat Cakaj, me kostum të përzishëm.
Gjykatësi tregoi procedurën dhe urdhëroi të më hiqeshin prangat menjëherë. Polici hapi me çelës drynin e prangave të mia, të madh sa të dyerve. Nuk desha t’i çmpija duart. Mbi lëkurë pashë vragën e thellë të hekurit dhe një njollë të zezë në mëngën e këmishës.
S’e di a iu dha fjala prokurorit apo vetë e dinte radhën, ai u ngrit më këmbë, atje pas tryezës së tij të vogël, në anë të trinisë së përbindshme gjykuese, ballë për ballë me mua. Ashtu trupmadh, pa shprehje në fytyrë, si i zbrazur nga fryma, me flokë të shkurtër, por të hirtë e të butë, të shtrirë përpara si të xhelatëve klasikë, po ai xhup i trashë me kafshë te jaka si e mbërthyer e gjallë, nisi të lexonte, keq, shumë keq, me gabime të trasha ortoepike, akuzën, kopjen e zbehtë të së cilës unë e mbaja mbi gjunjët që më dridheshin. Përgatitur nga Nexhat Selimi, kryexhevapnxjerrësi me hu i oborrit të Enver Pashait. Ishte po ajo, autopsia a aktekspertiza e dy (sh)krimtarëve, sozitë e të cilëve, gjoja si punëtorë a ndihmësgjyqtarë, i shihja aty, në krye. Në të vërtetë gjyqtari dhe prokurori ishin dy ndihmësit e atyre shkrimtarëve që me kohë më kishin hedhur në radhët e armiqve…
Armik i rrezikshëm, po bërtiste duke parë shtrembër nga unë. Gjyshi i pasur, xhaxhain të vrarë nga Partia edhe ky atë rrugë do të merrte, të xhaxhait dhe të të atit. Unë jam brezi i tretë që goditet, më xixëlloi djegshëm ky mendim. Këta s’ngopen. Tani do të jenë të tjerë, brezi tjetër, me biografi të keqe, nga shkaku im. Po dëgjoja të flitej për poezinë, pra gjendja duhej të zbutej, të zhdramatizohej disi, por ajo u bë më absurde, sharëse dhe e egër. Kisha shkruar me qëllim të keq politik, nxija realitetin, isha hermetik, dekadent, pesimist, doja të çoroditja mendjet e njerëzve, që Partia i kthjellon. Shikoni deri ku arrin, kërkoja diell të dytë, a është parë e dëgjuar kjo? Kisha dalë kundër Partisë, herë hapur dhe herë s’guxoja, nga frika e popullit, por fshihesha pas… metagaforeve armiqësore, edhe kundër udhëheqësit të lavdishëm me poezinë “Sfinksi” etj., kundër klasës punëtore që ky armik te poezia “Lustraxhinjtë” shkruan se janë te këmbët, është kundër socializmit dhe realizmit socialist. Mbrojtës i klasave të përmbysura, të cilave dhe u përket, kisha bërë thirrje të hapur për kryengritje dhe për përmbysje si te poezitë… nuk dëgjoja dot më, ndërkohë sa keq lexonte prokurori, të vinte të protestoje! Ju lutem, lexojini mirë poezitë e mia, ky është tjetër dënim! Pastaj u hodh te lidhjet e mia armiqësore, me të gjallët dhe me të vdekurit, rrëmujshëm, që kur isha student, me poetin e burgosur Frederik Rreshpja, por dhe me poetin revizionist sovjetik Jevtushenko, donim dhe ta përkthenim, me priftin reaksionar dhe poetin antibolshevik, Gjergj Fishta, lidhjet e mia vazhdonin me francezin Bodler, dekadent i shpallur, kompozitorin reaksionar gjerman Ëagner, me hermetikun italian Ungareti, me anglezët, dhe arrinin deri në Japoni. I shtrembëroi mizorisht të gjithë emrat. Me siguri e bënte dhe me qëllim, jo se s’ishte aq i trashë, por për të thënë se ata aq vlerë kanë për ne, s’na duhen, kemi Partinë. Dhe pa çarë kokën për homoniminë në shqip e përsëdyti emrin e poetit Takuboku, duke thënë “taketukja”.
…U shanë metaforat dhe gjuha e Ezopit, dhe unë. Prandaj nuk duhej të isha më i lirë, paraqitja rrezikshmëri shoqërore.
Gjykatësi pa nga unë dhe u kthye nga salla si për të marrë lejen e popullit.
- I pandehur, e pranon Akuzën? – pyeti ftohtë.
U ngrita më këmbë:
- Jo, nuk e pranoj, natyrisht! – thashë dhe anova kokën mbi njërin sup, këputshëm, jo siç e kisha zakon….
- Ulu, – u kujdes polici për mua. Fati im, o fat i mjerë, në fund të pusit të… Atëherë gjykatësi seç foli vesh më vesh me dy ndihmësit e tij prej bakri, herë me njërin, pastaj me tjetrin, njëlloj, duke i mbuluar pëshpëshet me një libër, me Kodin Penal, për të mos u dëgjuar nga ata që ishin më pranë, nga radhët e para të sallës, dhe i kërkoi prokurorit në mund ta vazhdonin gjyqin.
- Po, – u vrenjt ai. “E ç’mund të presësh tjetër nga armiku”, – u duk se shtoi mes përtypjeve të tij të acarta.
Nga radhët e para të sallës u ngrit rrëmbimthi, duke i kthyer krahët gjithçkaje, kryetari i kooperativës së fshatit ku kisha punuar. S’kishte si t’i pëlqente akuza, as sabotim, as atentat, as vjedhje e madhe a arratisje, por punë poezish. Me një fjalë, pesë me hiç….
- Kalojmë me dëshmitarët, – thirri gjykatësi. – Të futen një nga një, pa e dëgjuar njëri-tjetrin. Fillojmë me të parin, me drejtorin e shkollës.
- Emri? – duhej të kishte pyetur gjykatësi.
- Bajram, – tha. Jo shumë fort, ndoshta për të mos e dëgjuar salla pas kurrizit të tij.
- Mbiemri? – po, po, gjykatësi po pyeste.
- Tota.
- E njeh të pandehurin?
U kthye nga unë, më pa me druajtjen e mëparshme të ballafaqimit, dyshim katundari dhe mënjanësi, të përftuara nga nëpunësia në shtet. Pastaj tha:
- Po.
- Si i kishit marrëdhëniet?
- Të mira.
M’u duk më i hequr dhe i lodhur. Gjithë ajo rrugë më këmbë mes malesh dhe mjegullave mbi përrenj për të ardhur deri këtu, që të dëshmonte:
- E kemi kapur duke dëgjuar lajmet në Radio-Prishtina dhe në stacione të tjera të huaja në dhomën e tij, në shkollë. I mbante flokët të gjatë, ndiqte modën dhe në një mbledhje të këshillit pedagogjik për gjuhësinë na ka ngatërruar me Hitlerin. Tha rroftë. Duhet të edukojë vetë lënda e jo veç shembulli gjuhësor, fjalitë e saj propagandistike, kështu tha. Gabim. Ishte i çoroditur. Dhe s’dihej ç’shkruante. Nuk na i tregonte.
Më pas u thirr dëshmitari i dytë, kushëriri i tij i zbërdhulët, si me borë të pashkundur, Mersin Tota. S’i kishte dalë frika. Si të ishte ai i pandehuri. Megjithatë s’donte të më akuzonte për asgjë.
- Një herë, – e nisi ai dëshminë e vet, – kishte rënë zilja e mësimit në shkollë dhe ne, arsimtarët, si zakonisht, po rrinim në dhomën e jabanxhinjve…
- Kush janë jabanxhinjtë? – e ndërpreu gjykatësi.
- Mësuesit e ardhur nga rrethe të tjera, – u kruspullos dëshmitari aq sa ç’mundet një njeri më këmbë.
- I pandehuri aty ishte?
- Po.
- Vazhdo.
- Te dhoma e tyre ne mbanim regjistrat e shkollës, shkumësat, hartat, aty mblidheshim në pushimet mes orëve të mësimit dhe, kur binte zilja, shkonim te pasqyra në mur për t’u parë, a ishim në rregull, se do të dilnim përpara nxënësve. Unë po krihesha dhe erdhi pas meje ai… Mënjanova kokën, që të shiheshim të dy në pasqyrë, për të mos humbur kohë, por ai më tha: “S’ka gjë, jo, pasqyrohem edhe duke qenë pas, je i tejdukshëm”. Pra nuk kisha tru, ngaqë jam nga Veriu, jemi të trashë ne, kurse jugorët jo. Lexonte libra, ka mundësi edhe të ndaluar. Kaq. – Fjalitë e fundit i tha shpejt, si për të shpëtuar prej tyre ose ngaqë i kishte mësuar përmendsh.
Erdhi dëshmitari i tretë, mësuesi i fillores, Shaban Jata, i zeshkët si ata që punojnë me qymyr dhe më i gjatë se dëshmitarët pararendës. Tha se unë i kisha thënë që s’jetohet në këtë fshat, varfëri e skajshme ekonomike, po, po “e skajshme”, nga ai e dëgjova të përdorur kështu këtë fjalë, e pastaj varfëria ekonomike të çon dhe në varfëri shpirtërore. Këtu njerëzit të përshëndetin në mëngjes: “a fjete?”, sepse është e pamundur të flesh prej shqetësimeve dhe anktheve se mos të bëjnë keq o do që t’i bësh keq dikujt. 24 lekë të vjetër dita e punës. Sa për të blerë një paketë cigaresh “Partizani” e një shkrepëse. E theksonte “Partizani”, jo si paketë, që kushton fare lirë, se te ne çmimet janë të ulëta, por për tjetër gjë. Ishte i hidhët.
- Duhani? – ndërhyra unë.
- I pandehur, merr leje, – tha gjykatësi. – Përgjigju, dëshmitar.
- I hidhët ishte ai. Një ditë ia mbylla radion, e kishte hapur në stacionin revizionist titist të Prishtinës.
Kurse dëshmitari i fundit, Ejup Hoxha – në ballafaqimin në hetuesi nuk ma kishin sjellë – shok fakulteti, meqenëse kishte filluar punën e ëndërruar në kabinetin pedagogjik, mbante mend nga unë, me habi, se i paskësha thënë që qëllimin edukativ të një ore mësimi nuk e mendoja më parë, por e krijoja në çast, duke parë nga dritarja: nëse binte shi, kërkoja të donim shiun, dhe, po të shihja kuaj, të adhuronim kuajt, kështu shkruaja në ditarin tim mësimor. Dhe vërtet ashtu. Sepse jetonim mes natyrës dhe nuk e njihnim atë, nuk e donim dhe jo siç tha dëshmitari, me synimin për të qenë apolitik e se s’punoja që të ngjallja dashurinë e nxënësve për Partinë dhe socializmin në fshat.
Pyetjes së gjykatësit në kisha gjë për të thënë për dëshmitarët dhe vërtetësinë e dëshmive të tyre (poeti Frederik Rreshpja është në burg, tha ai, në Spaç, nuk e sollëm, po kemi dëshminë e tij me shkrim. Ta lexojmë, pa praninë e tij? – si të doni, thashë, m’u bë e njohur në hetuesi, dhe ata e lexuan… Jevtushenko… Gjergj Fishta… një kartolinë armiqësore etj.). Unë iu përgjigja se marrëdhëniet e mia me dëshmitarët i kam pasur normale, të mira, kështu besoja. Mbaj mend të kem ngrënë bukë nëpër shtëpitë e tyre. Të tjerat i kam harruar, thashë. U dëgjuan pëshpërima. Malësorët, kur të futin në shtëpi, të kanë bërë mik dhe miku është i shenjtë. Nuk pritet në besë. Doja të thosha “sipas Kanunit”, por nuk e thashë.
Prokurori u ngrit në këmbë me vrull dhe bërtiti:
- Politika në plan të parë. Të mos lejohet i pandehuri të bëjë propagandë dhe agjitacion edhe në gjyq.
Gjykatësi u kthye nga unë dhe me qetësi tha:
- Vazhdo, i pandehur.
Mora frymë thellë…
- Zoti gjykatës, zotërinj të pranishëm, zoti prokuror! Është vuajtje të flasësh siç jam unë i shtrënguar ta bëj.
- Ke qenë i cenuar, je prekur, i pandehur? – më pyeti gjykatësi.
- Uria, minjtë. I mbyllur… S’kishte nevojë për tortura të tjera. Mjafton dhe kërcënimi. Ënjtja, veshkat. Trysni psikologjike dhe shpirtërore, po, vazhdimisht. Por ajo që më shkatërron, është se me mua duan të sajojnë armikun, jo se e kanë zbuluar. Nuk ka asnjë provë serioze që ju të merrni kurajën të dënoni një jetë. Poezitë e mia, që dikush i quan armiqësore, së pari nuk janë të tilla, sepse nuk mundin, nuk është ky misioni, i çdo poezie qoftë, përkundrazi. Së dyti, poezitë e mia ende s’janë libër, s’kanë lexues dhe nuk i kanë bërë kurrkujt agjitacion dhe propagandë kundër Partisë dhe shtetit.
Prokurori u ngrit vrikthi më këmbë, se ç’donte të thoshte, por gjykatësi i bëri shenjë me dorë që të mos më pengonte.
- Vazhdo me dëshmitarët, i pandehur, – m’u drejtua mua, – nëse doni të sqaroni.
- Po, – dhe e kapa fillin tjetër të çështjes. – Edhe mund të ketë ndodhur të dëgjoj radion në stacione të huaja, pa pasur frikë as nga muzika e botës, as nga lajmet, duke besuar te forca jonë. E ç’do të më bënin ato? Edhe Radio-Prishtinën e dëgjoja, pa e marrë për stacion të huaj. Por dua të sqaroj, unë s’kam pasur radio, më mungonte mjeti që ta bëja atë krim. Ishte radioja e shkollës. Sa për incidentin, po jepej një informacion për agresionin kinez në Vietnam dhe, kur dikush deshi ta mbyllte radion, unë s’desha: “jo, ta dëgjojmë”, – thashë. Është stacioni i Prishtinës, – m’u kthye ai i mrrolur. Flitej një shqipe letrare, shumë herë më e saktë se ajo e dëshmitarit, si në Radio-Tirana, ndoshta kjo bëri që të mos e kuptoja siç e kuptoi ai. A ka ndonjë gjë të keqe këtu? – Gjykatësi përsëri e ndaloi prokurorin e xhindosur, le të më linte të flisja. – Kurse për sa i përket çështjes së pasqyrës, se ku janë më të zgjuarit, – vazhdova, – unë nuk dyshoj, se ata janë kudo, siç janë dhe jo të zgjuarit kudo, pra s’kemi bërë një debat të tillë, veçse atë shakanë, që të nesërmen dëshmitari, po ashtu, e përsëdyti me mua. S’kam komplekse jugore. Kanuni dhe Gjergj Fishta janë nga Veriu. A jam akuzuar se i adhuroj? Atëherë… Tjetër, në fshatin ku punoja, s’kishte kuptim dhe mundësi të ndiqja modën. Pata gjithmonë po ato rroba të 3-4 vjetëve më parë. Dhe në një vend ku s’ka berber, flokët edhe rriten, kjo është arsyeja e flokëve të mi të gjatë.
- Po të tjerët ku qetheshin? – m’u bë e njëjta pyetje banale si dikur, në një nga netët e hetuesisë.
- Te mullixhiu, – thashë thjesht. Gjëmoi biruca nën dhe nga e qeshura me të madhe e hetuesit. “Ti je i poshtër”, – gajasej ai. Nuk e kuptova në po qeshnin edhe tani në sallë. – Kam shfaqur pakënaqësi për varfërinë në fshat, kam thënë: s’jetohet kështu e jo këtu. Për varfërinë jam përgjegjës si të gjithë. Gjithmonë besoj për më mirë…
- Jo, – bërtiti prokurori. – Gënjen! Ne jemi mirë dhe shumë mirë. Ai është përgjegjës për armiqësinë e tij, – dhe tundi gishtin kërcënueshëm….
- Unë isha mësues, detyrë që e kam kryer mirë dhe me dinjit…
- Për të mbuluar armiqësitë e tua, – më ndërpreu prokurori duke përsëritur hetuesin.
- Kurse si poet, – ndërrova kahun e fjalës sime mbrojtëse për të dalë atje ku po sulmohesha, – unë nuk besoj se poezia përmbys shtete, kur nuk i pret dot yryshin një prokurori. Aq më tepër poezia e pabotuar… Aktekspertiza që kanë bërë… ç’rëndësi ka se kush, çudi si janë lejuar të vendosin më përpara se gjyqi në jam ose jo unë armik, me ç’të drejtë?!
Në sallë filluan mërmërimat. Prita sa mbaruan. Gjykatësi s’deshi të ma jepte fjalën prapë, por mua më duhej të thosha, e kisha vendosur:
- Me 100 lepuj nuk formohet dot një kalë, me 100 supozime nuk formohet dot një provë. Kështu thotë një proverb, – dhe nuk shtova: anglez. – Ju doni të më dënoni me supozime.
- I pandehuri, – kërceu prokurori – është kundër tufëzimit të bagëtive, e dëgjuat.
- …kundër është ky gjyq! – Më kapi një dhembje koke më keq se në qeli.
- …dhe ne kemi lënë pa çuar nëpër shkolla të larta bijtë tanë, – bërtiti prokurori. – Ja si ia shpërbleu Partisë dhe popullit. Shokë qytetarë, – vendosi të bëhej më i shtruar dhe më bindës, – armiqësia e tij vërtetohet katërcipërisht. I pandehuri bie vetë brenda. Poezitë e tij janë armiqësore me qëllim, jo pa dashje, as nga padituria, sepse ia dhamë shkollën e lartë. S’ka arsye tjetër, – dhe u ul. Si i zemëruar edhe me trupin gjykues.
Ma kishin thënë që në hetuesi, ishin penduar për shkollën time të lartë dhe po kërkonin të ma konvertonin në burg… Prokurori po lexonte pjesë nga ditari im, pashë që ia zgjati hetuesi nga radhët e para të sallës, ndalte te fletët e përthyera. Ato që s’i kuptonte, i mbulonte me të thirrura. “…hapëm gropa si varre të vegjël… nxorëm patate e futëm brenda të shtunën tonë të masakruar… Një mollë hëngri Adami me Evën dhe i përzunë nga Parajsa. Përditë ha mollë të egra këtu unë (kemi mbetur pa bukë, s’ka…) dhe s’po i shpëtoj dot kësaj parajse të tmerrshme…” Flaku ditarin dhe nxori nga dosja e tij një copë gazetë me ca shkarravina të miat mbi titujt e djegie me cigare anash dhe shkumëzoi:
- Shikoni si i ka fyer vajzat tona oficere ky armik këtu! – Vërtet kisha shkruar diçka kundër virgjërisë, por s’e kisha me profesionin, qoftë ky dhe i ushtarakeve. Asgjë s’ndryshoja dot e as zhbindja. – Ja, një poezi tjetër e tij e tmerrshme, ku kërkon të hedhë nga dritarja Profesorin. – Është e vërtetë? Vrasës! – Ç’t’u thosha, që ishte metaforë? Që jam kundër pedagogjisë vrastare? – Ja, dëgjoni…: Gjithmonë kam ëndërruar të hedh nga dritarja/ kufomën e gjallë të Profesorit… E kush është ky? Ai që të mëson me mësimet e partisë e ti kërkon ta flakësh. Profesor ka qenë dhe udhëheqësi ynë i ndritur… që… Por të flakim ne më parë… ti… jo… sepse… pushoni! Qetësi! Do t’ju nxjerr përjashta.
- Do të lypësh mëshirë, i pandehur? – pyeti gjykatësi, duke më parë më gjatë, por gjithmonë i akullt.
- Jam mësues, – ngrita zërin tim të lodhur, – pra, pishtar drite, – dhe heshta. (Mos duhej të shtoja “siç thotë Partia”?) (Ishte sforcimi i fundit.) – Dhe, si i tillë, – vazhdova, – kam flakën time, por edhe tymin tim… Nuk duhet ta shuajmë flakën… me gjyq. – Dhe heshta mes heshtjes së rëndë si rërë. S’kuptova ç’përshtypje bëra, por më erdhi keq për veten, m’u duk se pata shpresë për një çast.
Trinia gjykuese, duke kthyer kokët nga njëri-tjetri, i afronin, se ç’mërmëritnin duke mbuluar fjalët me pëllëmbë ose me ndonjë fletore nga të miat, që i kishin marrë për provë, nëse do të duhej t’i përdornin, vendosi të tërhiqej mënjanë. Doli nga salla, ndoshta për të marrë vendimin, duke pirë kafe në një nga dhomat e brendshme, s’dihej në ç’kat të Dënimit, kurse mua m’i vunë prangat menjëherë.
Ripërsëriteshin me gjëmim ato që kishte bërtitur prokurori në fund: paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe kërkoj heqje lirie… sa vjet sa, 10, për mua? Duke marrë parasysh moshën  e tij të re, – shtoi, – edhe  heqjen e së drejtës elektorale… heqjen e së drejtës së ushtrimit të profesionit, të botimit… po heqjen e kokës…?
…Gjithë salla po priste më këmbë. Gjykatësi nuk urdhëroi të m’i hiqnin prangat, por shkurt dhe thatë tha:
- Gjyqi do të vazhdojë nesër, – dhe trinia e tyre u kthye vrikthi për të dalë.
U hapën dyert, të gjitha dyert. Njerëzit, para se të iknin, kthenin kokët nga unë, ndalnin, vinin ata që kishin qenë në fund për të më parë, i shtynin. S’pata që s’pata nga familjarët e mi. Më mirë…
Visar Zhiti

Shqipëria në sytë e arbëreshëve dhe kujtimet e Jorgaqit


Mbi librin me kujtime të shkrimtarit dhe studiuesit Nasho Jorgaqi “Koha e Kujtimeve”.“Kurrë s’kisha përjetuar një ankth të tillë për fatin e protagonistëve të persekutuar”
Nga Zef Skiro Di Maxho, poet dhe dramaturg arbëresh
Zef Skiro di Maxho
Lëvizja e parë që lexuesi arbëresh bën, sapo ka në dorë librin Koha e kujtimeve, është ajo të shkojë te faqja e Përmbajtjes në kërkim të “kujtimeve arbëreshe” të Nasho Jorgaqit, që mund të quhet tashmë miku shqiptar historik i arbëreshëve: dhe lexuesi ato kujtime është i sigurt se do t’i gjejë. Në shoqëri me Poetët arbëreshë dhe Dashuritë e Vorea Ujkos janë këta kapitujt që lexuesi arbëresh hap para se të kthehet në faqet fillestare të vëllimit. Kush njeh vëllimin Larg dhe afër (Udhëpërshkrime dhe meditime, 1987), sapo numëron njëmbëdhjetë faqet e kushtuara këtë herë arbëreshëve në librin Koha e kujtimeve, vë re se ato duken futur në vëllim pothuajse si azhurnim dhe vërtetim i përshtypjeve të mira dhe i vlerësimeve të përzemërta që Nasho Jorgaqi ka shprehur gjatë vizitave në katundet arbëreshe. Në një libër kujtimesh të jetës së tij, Nasho Jorgaqi nuk mund të mos fuste edhe nderimin për kujtimet më të gjalla që ka provuar në tokën e Arbërisë.
Kreu Dashuritë e Vorea Ujkos na ngjall kureshtje të menjëhershme. Prifti Domenico Bellizzi (Vorea Ujko) pati ca dashuri? Tek ne, prifti, që ka (o ka pasur) ndonjë dashuri, ka ngjallur gjithmonë një kureshtje të pandalshme e të pahijshme. Dihet se priftërinjtë tanë bizantino-katolikë para se të shugurohen si të tillë, mund të martohen, të vëne kurorë: situatë e jashtëzakonshme kjo në tokë katolike, meqë priftërinjve latinë nuk u lejohet martesa. Por prifti Domenico Bellizzi mund të mos jetë martuar, sepse në kohën e tij zakoni i martesës para shugurimit të priftërinjve bizantino-katolikë me banim në tokën italiane ishte shumë i ligështuar nga Vatikani i rreptë në beqari. Lind pyetja: për cilat dashuri flitet në libër? Në lexim e sipër, ato dashuri pak nga pak fillojnë të zbulohen. E përsërit: Nasho Jorgaqi ka shikuar botën dhe njerëzit me sy të hapur nga çudia: vetëm një poet, i lindur poet, mund të veprojë kështu. E pastaj gjuha e shkëlqyeshme shqipe që ai përdor, i lejon të mbetet shtang nga habia, të magjepsë të tjerët, të dramatizojë, të bëjë epike edhe gjënë më të vogël. Dhe ti si lexues e sheh për së gjalli Vorea Ujkon që u ngrit në këmbë, hapi krahët dhe…  rroku fort në qafë shkrimtarin Nasho Jorgaqi. Takim pas takimi, skenë pas skene, si te afresket e bazilikave mesjetare, shkrimtari na tregon për “bëmat” e poetit Vorea Ujko. Dashuritë e Voresë dalin në dritë: dashuria për Shqipërinë dhe shqiptarët që është gjithnjë me dashurinë për Kosovën e për kosovarët, dashuria për bisedat e gostive, ku rrjedh vera si gjak i përbashkët vëllazëror, dashuria për poezinë, dashuria ndoshta krejt platonike për bukurinë femërore, shprehur dhe kënduar në vargje të ëmbla për emra të përveçëm grash, o me sigla plot komplicitet: L.K. e paarritshme! Nasho Jorgaqi të sjell në një botë të rrallë, që ekzistonte vërtet për arbëreshët që vizitonin Shqipërinë në kohën e monizmit. Ishte toka e të parëve tanë që të priste e të bënte të ndiheshe bir, nip, stërnip i rëndësishëm. Nasho Jorgaqi është shkrimtar i sinqertë dhe i përpiktë. Ai nxjerr nga miniera e arit të kujtimeve gjithë arin e mundshëm dhe ua dëfton të bukur e të shkëlqyeshëm lexuesve të tij. Kështu në kreun e kushtuar Vorea Ujkos. Por herë-herë, në minierën e arit ndodhet ndonjë damar që nuk është pikërisht ar i kulluar.
Nasho Jorgaqi, në rastin e Vorea Ujkos, veç ndjenjave të veta të sinqerta, regjistron, sa vetë Vorea i sugjeron me sjelljen e tij: të pijë verë, të bëjë dashuriçka, të heqë veshjen e padukshme, por gjithmonë të pranishme, të qenies së tij prej prifti, të himnizojë përparimet e socializmit shqiptar. Besoj se Nasho Jorgaqi, Fatmir Gjata, Dritëro Agolli e miqtë e tjerë shqiptarë binin në një keqkuptim të madh. Vorea Ujko nga ana e tij asgjë s’bënte të dilte nga keqkuptimi, sepse ne arbëreshë mysafirë të mëmëdheut e provuam fenomenin e “dehjes” që ishte më e fortë se dehja që prodhon vera, të linim që shqiptarët të mendonin për atë (për ne) çfarë donin të mendonin: jeni vëllezër të mi (tanë), prandaj mendoni gjithçka të doni!
Ma përforcon këtë mendim fakti se kthyer në Kalabri, në përkorën e jetës së përditshme prej famullitari të Fermës, d.m.th. kthyer në qenien e tij prifti, larg fizikisht nga ajo e jashtëzakonshme, por e përkohshme jetë në Shqipëri, Vorea kishte shkruar një dramë “antifashiste”, që miqtë e tij shqiptarë e gjykuan jo të përshtatshme me ideologjinë në fuqi. Dhe dihet se këto gjëra, edhe kur të mos e pranojmë, ftohin pak “vëllazërinë”. Vorea Ujko nuk u vinte pengesa miqve të tij, miqtë e tij ia vinin. Drama shkruar nga Vorea nuk u botua me një motivacion çarmatosës: ishte strukturalisht e dobët. Poeti do të ketë vuajtur për këtë.
Kapitulli “Dashuritë e Vorea Ujkos”, megjithëse xixëllues për gjuhë, ndjenja të shprehura o të lëna pas intuitës, nuk është më i “përmallshmi”, sepse libri na rezervon  kapituj të tjerë me dramatizëm tejet të ndryshëm.
Libri
“Kthim në fillesat letrare të brezit tim” na jep në dy nënkapitujt “Shkodra letrare e fundit të viteve ‘40 dhe fillimit të viteve ‘50″e “Tirana letrare e fillimit të viteve ‘50″një lexim shumë intensiv të ndjenjave të një adoleshenti që lufton kundër anonimisë me një pjekuri të mendjes dhe të vullnetit, vërtet të lavdërueshme dhe me një projekt të qartë: të bëhesh shkrimtar. Shumë gjëra nuk i dinim. Një shembull për të gjithë: as shqiptarët e dinë se vargjet e këngës “Luleborë” i ka shkruar Nasho Jorgaqi.
Kujtimet në kapitullin e parë besoj se janë ato më të çmuarat për shkrimtarin tonë dhe një dëshmi historike, për ne lexues, për jetën sidomos shkollore e kulturore të asaj kohe.
Nga kreu i dytë i Kujtimeve më duket se bëhem spektator i emocionuar e i përvuajtur i një Rruge të Kryqit (Via Crucis) me stacione të dhembshme ku emra e pllakëza metalike shënojnë dramat: Lasgushi (Si e njoha), Ali Asllani (Zemra që s’u plak), Sejfulla Maleshova (Poeti rebel as i gjallë as i vdekur), Mitrush Kuteli (Dramat dhe pengjet), Nonda Bulka ((Kur qeshte dhe qante), Jakov Xoxa (Murgu i manastirit të letërsisë), Selman Riza (Burrëria intelektuale), Robert Shvarc (Shoku besnik i “tre shokëve”). Mund të korren në këta kapituj qindra fjali që të bëjnë të rrëqethesh.
Në kohën në të cilën Nasho Jorgaqi vendos ngjarjet e poetëve dhe shkrimtarëve të librit, ne arbëreshë kishim midis nesh në Itali disa letrarë shqiptarë të ikur nga Shqipëria ose të dënuar me vdekje, ose të paduruar ndaj regjimit: Ernest Koliqin, Karl Gurakuqin, Namik Resulin, Arshi Pipën, Martin Camajn e të tjerë. Ne kishim para syve dramën e Shqipërisë së atëhershme dhe solidarizoheshim me të mërguarit duke ndjekur pak a shumë politikën kulturore të tyre (Shqipëria na u hap neve në fund të viteve ‘70). Kush kish ikur nga atdheu, luftonte në një betejë të kotë për lirinë e të drejtat e njeriut në Shqipëri, kush kish mbetur në atdhe luftonte, edhe i deklasuar, në një betejë po aq të kotë për lirinë e afirmimin e të drejtave të njeriut. Regjimi i vendosur në Shqipëri dukej dhe ishte i pathyeshëm dhe kish gjithë potencialin të zgjaste pesëdhjetë vjet, si pikërisht ndodhi.
Nasho Jorgaqi, koherent asokohe në pranimin e ligjeve të shtetit edhe se diktatorial, koherent edhe sot kur mendon se shumë gjëra pozitive u kryen gjatë regjimit (nuk duhet të hedhim ujët e ndyrë me gjithë foshnjë), mund të kish bërë që harresa të përpinte Lasgushin, Asllanin, Maleshovën, Kutelin, Bulkën, Xoxën, Rizën, Shvarcin, por ai i rikthen në jetë, mund të më thoni për të lehtësuar barrën morale dhe shpirtërore se nuk bëri asgjë për ta, se nuk i ndihmoi sa duhet, por ai thjesht nuk kish mundësi t’i ndihmonte, se nuk mund të shkonte kundër ligjeve të shtetit e të kishte pasoja. Ka, në regjimet diktatoriale, një vdekje që mund të pësohet në jetë: mënjanimi nga jeta civile, dënimi me burgun e kotësisë, përveç burgimit fizik. Ka një vdekje të dytë, ajo natyrore, herë-herë më të dëshirueshme se vdekja civile. Por ka një vdekje të tretë më të llahtarshme se të tjerat: ajo e harresës. Sipas mendimit tim, merita më e madhe e Nasho Jorgaqit është kjo: ka larguar nga harresa ata shkrimtarë që ishin dënuar dhe njëkohësisht ka dëshmuar me fjalën e tij të përjetshme ekzistencën e tyre si njerëz të deklasuar o thjesht të mënjanuar.
Stili letrar i Kujtimeve në përshkrimin e ngjarjeve të të deklasuarve është fort dramatik: kurrë s’kisha përjetuar një ankth të tillë për fatin e protagonistëve shoqërisht të persekutuar. Ndoshta një emocion si ky që ndjeva me leximin e librit të Aleksandër Solzhenicit “Një ditë e Ivan Denisoviçit” o të librit të Primo Levit “Në ky është njeri”. Por shkrimtarët e deklasuar të Nasho Jorgaqit janë shqiptarë, vëllezërit tanë, për të cilët nuk dinim asgjë, bashkëvepruese ajodamnatio memoriae me të cilën po dënoheshin nga letërsia zyrtare. Nasho Jorgaqi lë të nëpërduket gjatë tregimeve dramatike një mendim ende më dramatik: Nëse Lasgushin, Maleshovën, Kutelin e të tjerët do i kishin lënë të lirë të kryenin romane e të thurnin vargje, kushedi sa vepra të jashtëzakonshme për Shqipërinë do të kishin dalë! Por: “Kjo gjë vetëm Zotit i mohohet: të shkatërrojë të kaluarën” (Etika nikomakea, Aristoteli).
Nasho Jorgaqi ka vizituar edhe arbërorët që ndodhen në Greqi e në Kroaci, të cilëve u kushton dy kapituj: Aristidh Kola (Buzëqeshja) e Shime Deshplani (Zëri larg dhe afër). Edhe këtyre u ndërton një përmendore të përjetshme me ndjenjat më të sinqerta për veprimtarinë që ata kanë zhvilluar për afirmimin e të drejtave të pakicave etniko-gjuhësore midis vështirësive, të shumtat e herëve të pakalueshme në trevat ku ata kanë jetuar.
Ka në librin e Kujtimeve një çudi letrare: Autori nuk flet vetëm për takime të mirëfillta si thotë fjala, por edhe për takime shpirtërore dhe kulturore me ndërmjetës që mund të jenë një mik letrar, një libër o një vend ku ai ka shkuar. Bëhet fjalë për Nazim Hikmetin (Kujtime të kujtimeve), për Anton Çehovin (Takim) e për Nastradin Hoxhën (Takim). Më ka pëlqyer pa masë takimi me Çehovin o, më mirë, me “Zonjën me kone”. Në djalëri e kisha lexuar atë tregim, por renda ta rilexoja, të kuptoja ku do të mbërrinte shkrimtari Nasho Jorgaqi. Gurovi, protagonisti, kush është? Përgjigjen na e jep citati që mbyll rrëfimin çehovian: “Çdo njeri në jetë ka pasur zonjën me kone. Në rast se nuk e ka, ai patjetër do ta ketë” (K. Pautovski). Profesor Nasho, je i rrallë!

Mafia, sfida ndaj shtetit


Mistere italiane nga Massimo Canario*
Më 23 maj 1992, ndërsa shumë njerëzve të famshëm vazhdojnë t’u arrijnë fletëthirrje për gjyq e nisin arrestimet e para të bujshme, dhe ndërsa partitë nuk arrijnë të gjejnë me mirëkuptim pasardhësin e Francesco Cossiga-s, në autostradën që nga Punta Raisi çon për në Palermo vritet gjykatësi Giovanni Falcone së bashku me të shoqen Francesca Morvillo dhe agjentët e truprojës Antonio Montinaro, Vito Schifani e Rocco Di Cillo: një bombë e vënë nën një mbikalim shpërthen në çastin e kalimit të veturave duke transformuar një pjesë të Sicilisë në Bejrutin e viteve tetëdhjetë
Përkufizimi i mafies nga fjalori De Mauro: “organizatë e gjerë klandestine e natyrës kriminale, lindur në Sicili në shek. XIX dhe zhvilluar në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, veprimtaria e së cilës qëndron tradicionalisht në sigurimin e fitimeve të paligjshme përmes shantazheve dhe shtypjeve të çdo lloji dhe veçanërisht në detyrimin e dhunshëm të ndërmarrjeve bujqësore, tregtare dhe sipërmarrëse t’i paguajnë kontribute të detyruara”.
Shtrirje e kuptimit: “grup personash të lidhur ngushtë mes tyre për të arritur, me rrugë të ligjshme apo të paligjshme, avantazhe të caktuara dhe për të mbrojtur me çdo mjet interesat e kategorisë së vet”.
Ky është përkufizimi që mund të gjejmë për fjalën mafia në fjalorin italian të Tullio De Mauros; përkufizimi mund të jetë edhe i saktë, ajo që mungon është se në Italinë e pasluftës dhe kryesisht në atë të viteve tetëdhjetë dhe të viteve të para nëntëdhjetë, Mafia ka dashur të thotë vdekje, shkatërrim dhe terror, deri sa shëmbëllente thuajse si një shtet në brendësi të shtetit, një kundërfuqi e aftë të vendoste rregullat e lojës dhe të pretendonte respektimin e tyre.
19 korriku 1992 ishte ditë e diel: lajmi që pasdite arriti nga Palermo ishte nga ata që mund të kallin në dëshpërim një vend të tërë: gjykatësi Paolo Borsellino dhe njerëzit e truprojës së tij ishin vrarë me një autobombë.
Në fakt, muajt e parë të vitit 1992 nuk premtojnë optimizëm: të lihej përshtypja se shteti po shkërmoqej nën goditjet e mafies dhe për shkak të korrupsionit të klasës politike që pool-i i Milanos po niste të nxirrte në dritë; për më tepër, zgjedhjet politike të prillit kishin sjellë konfirmimin e një force të re politike, Lega lombarde ( që më vonë do të bëhej Lega Nord), separatiste dhe raciste e hapur, pikërisht në çastin kur nga Jugosllavia e afërt po shiheshin shenjat e para të asaj që do të jetë një nga luftërat civile më gjakatare të viteve të fundit.
Le të kujtojmë ndonjë datë nga ata muaj të parë të vitit 1992:
- më 17 shkurt në Milano arrestohet presidenti i Pio albergo Trivulzio, Mario Chiesa, i PSI-së ndërsa merrte ryshfete; më 23 mars do të nisë të bashkëpunojë me gjykatësit: është fillimi i atij hetimi gjyqësor që do të njihet me emrin Tangentopoli dhe që do të shënojë fundin e republikës së parë
- më 12 mars në Palermo vritet Salvo Lima, politikan i fuqishëm demokristian, njeriu i besuar i Giulio Andreottit në Sicili
- më 5 prill janë zgjedhjet: Lega lombarde, e pranishme vetëm në Veri, kapërcen 8% të votave në shkallë kombëtare, si në Dhomën e Deputetëve ashtu edhe në Senat
- më 25 prill Cossiga jep dorëheqjen nga President i Republikës
- më 1 maj fillojnë lajmërimet gjyqësore e jashtëzakonshme: marrësit e parë janë dy ish kryebashkiakë të Milanos, që të dy socialistë: Paolo Pillitteri, kunat i Bettino Craxit, dhe Carlo Tognoli
- më 23 maj, ndërsa shumë njerëzve të famshëm vazhdojnë t’u arrijnë fletëthirrje për gjyq e nisin arrestimet e para të bujshme, dhe ndërsa partitë nuk arrijnë të gjejnë me mirëkuptim pasardhësin e Francesco Cossiga-s, në autostradën që nga Punta Raisi çon për në Palermo vritet gjykatësi Giovanni Falcone së bashku me të shoqen Francesca Morvillo dhe agjentët e truprojës Antonio Montinaro, Vito Schifani e Rocco Di Cillo: një bombë e vënë nën një mbikalim shpërthen në çastin e kalimit të veturave duke transformuar një pjesë të Sicilisë në Bejrutin e viteve tetëdhjetë
- më 25 maj, në valën e emocioneve për çka ndodhi në Palermo, Oscar Luigi Scalfaro zgjidhet President i Republikës
- më 28 qershor krijohet e para qeveri Amato: është akoma një pesëparti me shumicë shumë të ngushtë
- më 14 korrik Gianni De Michelis, ish ministër i Jashtëm, merr fletëthirrjen e parë për gjyq
Kjo ishte Italia e korrikut 1992. Po kush ishte Paolo Borsellino?
Lindur në Palermo në vitin 1940 nga një familje në gjendje të mirë, në vitin 1959 regjistrohet në fakultetin e drejtësisë në universitetin e qytetit të tij dhe diplomohet në vitin 1962 me maksimumin e notave (110 e lode); në vitin e pasrendës, në moshën 23-vjeçare, fiton konkursin për gjyqtar. Vitet e para i kalon në prokurori të ndryshme siciliane; në vitin 1975 vendoset në Palermo dhe nis të punojë përkrah Rocco Chinnici-t, një nga gjyqtarët e shumtë që do të shohë të bjerë viktimë e mafies; fillon të merret me mafien dhe në vitin 1980 pas arrestimeve të para i jepen agjentë truproje.
Nën udhëheqjen dhe falë intuitës së Chinnici-t lind pool-i, grupi antimafie që do të koordinojë të gjitha hetimet dhe që do të ndryshojë me rrënjë mënyrën e luftimit të dukurisë kriminale; në të do të punojnë gjyqtarë si Borsellino, Falcone, Di Lello e Ajala; do të jenë vite fitoresh të mëdha dhe zhgënjimesh e vuajtjesh, veçanërisht kur, e do të ndodhë shpesh, do t’u duhet të qajnë miq e kolegë, por edhe kur do t’u duhet të ndeshen me murin e gomës që duket se përshkon një pjesë të institucioneve. Ndër të parët që bien nën goditjet e mafies do të jenë gjykatësi Cesare Terranova dhe truproja e tij, marshalli i policisë Lenin Mancuso, vrarë më 25 shtator 1979; kapiteni i karabinierëve Emanuele Basile, që bashkëpunon me Borsellinon nga viti 1975, vrarë më 4 maj 1980.
Lista e vrasjeve të atyre viteve do të ishte tepër e gjatë: politikanë, njerëz të forcave të rendit, përfaqësues të drejtësisë, kushdo që u pret rrugën mafiozëve vë në rrezik jetën. Më 30 prill të vitit 1982 vritet kryetari i PCI për Sicilian, Pio La Torre; vendoset të dërgohet si i plotfuqishëm në Sicili gjenerali Carlo Alberto Dalla Chiesa, që sapo kishte arritur suksese të shkëlqyera kundër terrorizmit; gjenerali shpresonte të sillte në Sicili sisteme dhe metoda të përdorura kundër Brigadave të kuqe (Brigate Rosse); do ta kuptojë shumë shpejt që është i vetëm dhe më 2 shtator të të njëjtit vit, vetëm pas tre muajsh nga ardhja e tij, do të masakrohet bashkë të shoqen e re, Setti Carraro, ndërsa ktheheshin në shtëpi pa truprojë.
Për Paolo Borsellinon dhe Giovanni Falconen janë çaste shumë të vështira: më 29 korrik 1983 një autobombëvret Rocco Chinnici-n, dy nga agjentët e truprojës së tij dhe portierin e një godine. Po të provohet të shfletohet një kronologji e atyre viteve mbetesh pa frymë nga numri i vrasjeve që pasojnë njëra-tjetrën në Sicili.
Por puna vazhdon për Borsellinon dhe pool-in e tij: në vend të Chinnici-t vihet Antonino Caponnetto dhe rezultatet e para fillojnë të duken: më 1984 arrestohet Vito Ciancimino, ish kryebashkiak demokristian i Palermos; por viti 1984 është mbi të gjitha viti i të penduarit të parë të rëndësishëm të mafies: Tommaso Buscetta u tregon gjyqtarëve strukturën dhe lidhjet politike e institucionale të Cosa Nostra-s. Mbi fjalët e tij përfaqësuesit e drejtësisë do të ndërtojnë të parin maksiproces gjyqësor kundër bandave mafioze; por klima vazhdon të jetë e rëndë, vazhdojnë vrasjet e vdekjet, vihen në qarkullim fjalë kundër përfaqësuesve të drejtësisë sikur këta abuzojnë me truprojën duke vënë në rrezik jetë të pafajshmish. Paolo Borsellino kërkon dhe ia arrin të shkojë të drejtojë prokurorinë e Marsalës, ku do të qëndrojë nga 1986 deri më 1991 dhe ku, së bashku me Falconen që qëndron në Palermo, do të arrijë rezultate të mëdha.
Më 1987 Caponnetto largohet nga pool-i për arsye shëndeti; zgjedhja më e mirë për t’i dhënë vazhdimësi punës do të ishte zëvendësimi i tij me Giovanni Falconen, por Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën presione politike dhe me pretekstin e vjetërsisë më të madhe në punë, vendos të emërojë Antonino Mele.
Fillon një erë e re: gjyqtarët që ishin dhënë me mish e me shpirt pas punës ndjehen të izoluar, sulmet personale vazhdojnë me ritme frenetike, përhapen fjalë pa asnjë bazë për qëllime të supozuara politike të Falcones e Borsellinos. Ndërkohë, i pari vendos të pranojë një detyrë të re në Romë, si drejtor i çështjeve penale: është i bindur se, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me politikanët, fjala e tij mund të ketë vlerë për një projekt që ka shumë për zemër: krijimin e një superprokure antimafie; edhe Borsellino merr zemër dhe vendos të kthehet në Palermo: me të vijnë në prokurori zëvendës-prokurori Ingroia dhe marshalli Canale.
Në Romë vendoset të ngrihet Superprokuroria dhe kandidaturat e forta për drejtimin e saj janë dy: ajo e Falcones dhe ajo e Agostino Cordova. Borsellino, edhe pse nuk kishte qenë shumë dakord me zgjedhjen e mikut për t’u transferuar në kryeqytet, e mbështet atë plotësisht, në të gjitha mënyrat, me ndërhyrje dhe deklarata publike. Në maj duket se Falcone i ka të gjitha shanset të bëhet super prokuror, por më 23 të të njëjtit muaj, ndërsa ishte në Palermo, një bombë mbi autostradën e Capaci-t i jep fund karrierës dhe jetës së tij.
Borsellino është i drobitur por jo i mundur. I ofrojnë kandidaturën e mikut, por refuzon. Dëshiron të qëndrojë në Palermo dhe të japë kontributin e tij me të gjitha mënyrat për të zbuluar vrasësit e Falcones. Një muaj pas atentatit, duke marrë pjesë në një debat për mikun e tij do të thotë: “|Pse nuk iku, pse e pranoi këtë situatë të tmerrshme? Nga dashuria. Jeta e tij ka qenë një akt dashurie ndaj këtij qyteti, ndaj kësaj toke që e lindi dhe e rriti. Sepse, nëse dashuri do të thotë, mbi të gjitha dhe kryesisht, të japësh, për Falconen, dashuria për Palermon dhe njerëzit e saj ka nënkuptuar gjithnjë të japësh diçka, gjithçka ishte e mundur të jepje nga forcat tona morale, intelektuale dhe profesionale për ta përmirësuar këtë qytet dhe atdheun të cilit i takon... Kanë vdekur të gjithë për ne, për të padrejtët, u kemi atyre një borxh të madh dhe duhet t’ua shlyejmë, duke vazhduar veprën e tyre... duke i treguar vetës dhe botës që Falcone është gjallë”.
Fatkeqësisht nuk do ta ketë të mundur: më 19 korrik në Palermo, në rrugën D’Amelio një autobombë vret gjykatësin Paolo Borsellino dhe njerëzit e truprojës së tij: Agostino Catalano, Walter Cusina, Emanuela Loi, Vincenzo Li Muli, Claudio Traina.
Lidhja me vdekjen ka qenë gjithnjë e pranishme në jetën e këtij shërbyesi të jashtëzakonshëm të shtetit: ka parë të bien një nga një shumë miq e kolegë, por megjithatë, apo ndoshta pikërisht për këtë arsye, shpesh bënte shaka me Falconen me atë çka duhet t’u shkruanin në nekrologji në rast se njëri prej tyre binte nën goditjet e mafies.
Por Borsellino është i vetëdijshëm, dhe me të drejtë, që ka kryer gjithnjë, deri në fund, detyrën e tij; e vetmja gjë që e shqetëson vërtet, i fut ankthin, është dëshpërimi që do të binte mbi familjarët e tij. Përpara atentatit që i mori jetën kishte shkruar: “Nuk jam as hero as kamikaz, vetëm një person si shumë të tjerë. I trembem fundit sepse e shoh si një gjë të mistershme, nuk di ç’do të ndodhë në botën e përtejme. Por e rëndësishme është që guximi të fitojë mbi të tjera ndjenja... Po të mos ishte për dhimbjen që më jep largimi nga familja ime, mund edhe të vdisja i qetë”.
Vetëm pesë muaj pas vrasjes së Paolo Borsellinos duket sikur gjërat më në fund ndryshojnë: rinisin hetimet dhe arrestimet. Më i bujshmi, më 15 janar 1993, është arrestimi i kreut të Korleonezëve, familjes mafioze më në zë të asaj periudhe, Toto Riinës, që ishte edhe njeriu i atentateve më mizore të viteve pararendëse.
Por mafia nuk dorëzohet: një seri atentatesh mes majit dhe korrikut të të njëjtit vit të lënë të kuptosh që rruga do të jetë ende e gjatë: më 15 maj një bombë shpërthen në Romë, në rrugën Fauro, teksa kalon makina e Maurizio Costanzos, që duhet të ishte edhe viktima pasi gazetari, pas atentateve të Capaci-t dhe rrugës D’Amelio, ishte përpjekur shumë, me aq sa mundej, në luftën kundër mafies. Më 27 maj në Firenze, një autobombë në rrugën Georgofili shkaktoi vdekjen e pesë personave, Dino Capolicchio, Angela Fiume, Fabrizio Nencioni dhe të dy fëmijëve të këtyre të fundit, Nadia 9-vjeçare dhe Caterina 50-ditëshe, dhe mëse 40 të plagosur. Natën mes 27 dhe 28 korrikut shpërthejnë njëkohësisht dy autobomba, një në Romë (shkakton 20 të plagosur) dhe një në Milano (5 të vdekur), ndërsa në pallatin Chigi të qeverisë verifikohet njëblack out telefonik (teksa zhvillohet mbledhja e Komitetit për rendin dhe sigurinë) që bllokon komunikimin mes Kryeministrit dhe Komandës së përgjithshme të Karabinierëve. Në Milano vdesin zjarrfikësit Carlo Lacatena, Stefano Picerno, Sergio Pasotto, polici bashkiak Alessandro Ferrari dhe emigranti maroken Driss Moussafir. Në Romë dëmtohet rëndë kisha e San Giorgio in Velabro, dhe me një bombë të dytë, Bazilika e San Giovanni in Laterano. Të gjithë këto atentate duken si një paralajmërim që mafia u çon institucioneve.
Që atëherë kanë kaluar vite; mafia si një lumë karstik ka zënë pozita më të ulëta. Tashmë ka mbyllur epokën e atentateve të bujshme dhe ka rimarrë punën e saj nën rrogoz, por, pa dyshim, ajo ende nuk është mundur.
Massimo Canario, korrik 2005

Artikujt e përgatitur posaçërisht për lexuesin tonë nga historiani i ri italian Massimo Canario kanë trajtuar disa nga pikat më të nxehta (e shpesh të mistershme) të historisë politike, shoqërore dhe ekonomike të Italisë moderne. Shumë nga këta artikuj mbeten njësoj të vlefshëm edhe sot e kësaj dite, ndaj kemi zgjedhur t’i  ribotojmë në Agjencionin Floripress. 

Tragjedia në Himarë kishte marrë dhenë, ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme


Qytetarë dhe studentë të Prishtinës u bashkuan me dhimbjen e familjeve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të të hënës në Himarë dhe ndezën qirinj në nderim të kujtimit të tyre.
Ndërsa në Shqipëri ishte shpallur ditë zije, Kosova e quajti 22 .05.2012  ditën e Dhimbjes gjithëkombëtare. Atmosfera e Ditës së Zisë Kombëtare në Shqipëri, u ndie edhe në Kosovë, përfshirë programet e radiove dhe televizioneve, si dhe gazetat e ditës, të cilat pasqyruan gjerësisht tragjedinë e Himarës.
Qytetarë dhe studentë të Prishtinës u bashkuan me dhimbjen e familjeve të studenteve që humbën jetën në aksidentin tragjik të të hënës në Himarë dhe ndezën qirinj në nderim të kujtimit të tyre.
Duke filluar nga ora 20.30 e mbrëmjes së të martës, në shkallët e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës u ndezën qirinj në nderim të viktimave të tragjedisë së studentëve të Universitetit "Aleksandër Xhuvani" në Elbasan.
Vizioni Studentor i Universitetit të Prishtinës dhe qytetarë të Prishtinës i shprehën ngushëllimet më të sinqerta familjeve të viktimave. Drejtues të institucioneve shtetërore dhe partive politike të Kosovës kanë ngushëlluar familjet që humbën të dashurit e tyre, si dhe krerët e institucioneve të Shqipërisë.
 

Si në spitalin Ushtarak të Tiranës ashtu edhe në atë rajonal të Vlorës, vërehet përmirësim i gjendjes shëndetësore të vajzave të plagosura në aksidentin e rëndë të të hënës. Dy prej vajzave në gjendje më të rëndë mbahen akoma me frymëmarrje artificiale.   
 Gjendja shëndetësore e studenteve që po trajtohen në spitalin rajonal të Vlorës sot ka një përmirësim të ndjeshëm. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Shkëlqim Selami, "parametrat shëndetësore të 10 vajzave të plagosura kanë shënuar një përmirësim të ndjeshëm gjatë 24 orëve të fundit".
Sipas mjekut kirurg Fredi Muço, në këtë moment po zhvillohet një konsultë e grupit me mjekë të specializuar, për katër vajzat që janë duke u trajtuar në repartin e Rianimacionit, ndonëse gjendja e tyre paraprakisht paraqitet shumë më e mirë se ajo e një ditë më parë. Gjithsesi, për të dalë në një konkluzion përfundimtar, sipas mjekut kirurg Fredi Muço, do të bëhet një tjetër skaner rezonancë, si dhe disa analiza të tjera për vajzat e aksidentuara.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e vajzave të tjera, që po trajtohen në spitalin e qytetit, paraqitet e mirë dhe nuk përjashtohet mundësia që dy prej tyre të lenë sot spitalin, për t’u trajtuar në shtëpi.
Në Spitalin Rajonal të Vlorës aktualisht po trajtohen 10 nga vajzat që mbetën të plagosura në aksidentin tragjik të Himarës. Për trajtimin dhe kurimin e tyre u krijua një grup mjekësh, të specialiteteve të ndryshme, të cilët po ndjekin situatën e tyre shëndetësore prej 48 orësh.
Paraqitet përgjithësisht e mirë edhe gjendja shëndetësore e studenteve të plagosura që marrin shërbimin shëndetësor në Spitalin Ushtarak. Sipas drejtorit të Spitalit Bedri Mihaj, sa i takon dy rasteve më të rënda, mëngjesin e sotëm të plagosurat kanë parametra të stabilizuar mjekësorë, por ato akoma mbahen me frymëmarrje artificiale.  Dy vajzat që paraqiten më rëndë janë Florije Peci, që ka dëmtime në kokë, trup dhe palcën e kurrizit, shembje të gjoksit dhe barkut dhe Eriselda Gubere, e cila ka dëmtime të shpretkës, hemorragji të brendshme, dëmtime të veshkës unike, si dhe të disa vertebrave të zonës së kurrizit.
Dje u bë operacioni i Fetije Pecit në shtyllën kurrizore, i cili, sipas mjekëve, rezultoi i suksesshëm. Ndërkohë rastet e rënda po ndiqen në vazhdimësi nga ekipet e mjekëve.
Për të gjitha të plagosurat janë angazhuar dhe ekipe të neurologjisë dhe psikologë për t’i  trajtuar për traumën psikologjike që kanë pësuar.


Po mblidhen dokumentacionet nga agjencia e udhëtimit "Llixha 2001",  nga Drejtoria Rajonale e Transportit Rrugor dhe Universiteti i Elbasanit
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit të dy ditëve më parë, në Himarë, ku humbën jetën 13 studentët e universitetit "Aleksandër Xhuvani" të Elbasanit, ndërsa mbetën të plagosura shumë të tjera. Hetimet duan të nxjerrin në dritë nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e ndonjë defekti teknik, apo për faj të shoferit.
Sipas ATSh-së, ekspertë të Prokurorisë kanë nisur hetimet, të cilat si fillim janë përqendruar në agjencinë e udhëtimit "Llixha 2001", duke marrë nga kjo e fundit të gjitha dokumentet teknike, ku edhe do të vërtetohet nëse agjencia ka plotësuar të gjitha rregullat e duhura të mjetit, sikurse është kolaudimi dhe kontrolli teknik i tij. Gjithashtu, në Drejtorinë Rajonale të Transportit Rrugor në Elbasan është tërhequr dosja, ku edhe ndodhet patenta e shoferit Pëllumb Çela, si edhe dokumentet teknike të automjetit.
Ndërkohë që edhe nga universiteti "Aleksandër Xhuvani" janë tërhequr të gjitha dokumentet,  ku do të vërtetohet nëse ky institucion kishte lidhur më parë një kontratë me agjencinë "Llixha 2001", për transportin e studentëve në ekspedita, si edhe ekskursione të ndryshme.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Elbasanit, Liman Varoshi, është shprehur se "kontrata mes kësaj agjencie dhe universitetit është e rregullt dhe ka më shumë se tre vjet që studentët udhëtojnë me mjetet e kësaj agjencie".

Në spitalin e Vlorës po trajtohen gjithsesj 10 nga të plagosurat, katër prej të cilave ndodhen në repartin e reanimacionit për shkak të gjendjes ende delikate. Të tjerat, janë dërguar në dhomat e repartit të kirurgjisë, ku po mbahen nën kujdes të rreptë.
Elidona Gjinaj, 21 vjeçarja nga Laçi, është një prej vajzave në rianimacion. Rënkon nga dhimbjet. Ajo është akoma e shokuar dhe flet me mjaft vështirësi. Në një moment humbet disi vetëdijen dhe pyetjes "A mban mend diçka nga aksidenti?", i përgjigjet gjithashtu me pyetje; "Çfarë aksidenti?". Por, më pas kthjellohet disi dhe tregon me shumë vështirësi diçka nga ajo që ka ndodhur. "Kujtoj vetëm momentin kur autobusi po binte dhe më pas…asgjë…", thotë Elidona, duke marrë frymë me mjaft vështirësi.
Ajo thotë se i kanë ardhur të dy prindërit, të cilët tashmë janë më të qetë. "Jam vajzë e vetme, kam edhe dy vëllezër", vijon më tej 21 vjeçarja nga Laçi, ndërkohë që shton se, "tani ndihem më mirë".
Ndërkohë, në shtratin tjetër, ndodhet 23 vjeçarja Adiola Mustaku, nga Fier Shegani i Lushnjës. Është paksa më e qetë krahasuar me shoqen e saj, por gjithsesi mjaft e rënduar psikologjikisht. Madje është e shqetësuar për shoqet e saj, pyet për njërën prej tyre me mbiemrin Haka dhe kur mjeku Selami, që shikon një listë, i thotë se është gjallë dhe ndodhet në spitalin ushtarak të Tiranës, ajo lehtësohet dhe merr frymë thellë. Duket disi më e çliruar, aq sa mund të jetë e tillë një 23 vjeçare, që ka përjetuar një ngjarje tepër të rëndë. Mundohet të kujtojë ato momente "ferri", sikundër i cilëson ajo. "Autobusi po ecte me shpejtësi, kur në një nga kthesat ai devijoi. Unë isha ulur në sediljen e katërt pas shoferit dhe dëgjova që ai tha, nuk kam frenat. Të gjitha po bërtisnim. Ndërkohë, autobusi mori majtas duke shtuar shpejtësinë. Shoferi u mundua të kthente timonin por nuk arrinte pastaj pamë që autobusi u drejtua drejt bordurës anësore të rrugës dhe e goditi atë me pjesën e përparme. Më pas nuk mbaj më mend asgjë. U zgjova në ambulancë", përfundon Adiola.
Një shtrat më tej është Besjana Xhenati, 21 vjeçe nga qyteti i Kavajës. Nuk arrin të komunikojë. Në fytyrë nuk duket e dëmtuar, ashtu si shoqet e veta, por nuk reagon ndaj pyetjeve tona. Duket e tronditur. Madje, as mjekët nuk e bëjnë dot të flasë. Qëndron e heshtur dhe vetëm tund kokën, ndërkohë që herë pas here rënkon lehtë.
Në këtë dhomë të vogël të repartit të reanimacionit të Spitalit të Vlorës, nuk i kanë mësuar ende përmasat e tragjedisë. Gjendja ende e pavetëdijshme e të aksidentuarave, por edhe kujdesi i mjekëve dhe familjarëve dhe të afërmve për të mos u treguar, përbëjnë dy nga arsyet e kësaj.
Megjithatë, ato arrijnë të kuptojnë se diçka e rëndë, tepër e rëndë ka ndodhur. Kjo edhe kur shohin që në një dhomë të vetme janë tre shoqe, studente të një fakulteti. Adiola pyet për të mësuar diçka më tepër, por mjaftohemi duke u uruar të shkuara, për t’u drejtuar në një dhomë tjetër të këtij reparti, ku ndodhet një studente tjetër.
Liri Hasaj, 21 vjeç nga fshati Stërbeg i Kavajës, është paksa më e qetë dhe më e vetëdijshme se shoqet e tjera. Madje, për këtë arsye atë e kanë vendosur në një dhomë tjetër. Një e qepur e thellë në pjesën e djathtë të ballit, ku spikat ende gjaku i mpiksur, si dhe fyryra e verdhë, janë elementë që bien menjëherë në sy. Pavarësisht se flet me mjaft vështirësi dhe me një zë të ulët, Liria është në gjendje të tregojë mjaft detaje nga ajo çka përjetoi një ditë më parë. "Nuk e di ka ndodhur në realitet, apo jam në ëndërr. Më duket gjithçka si një ëndërr", shprehet ajo, duke vijuar më tej tregimin e saj. "Autobusi po lëvizte tepër ngadalë, madje edhe një gomar me ecjen e vet mund të na kalonte", thekson 21 vjeçarja, duke përshkruar disi ndryshe nga dy shoqet e tjera. Ajo thotë se ishte ulur në ndenjësen e tretë dhe ka parë mjaft gjëra nga ato momente të fundit përpara rënies.
"Në fillim ndiem një goditje në pjesën e pasme të autobusit, që u përplas, mbase në një shkëmb në anën e sipërme të rrugës. Pastaj nisi të rriste shpejtësinë dhe të lëvizte përpara në krahun e majtë drejt bordurës së anës tjetër të rrugës. Ne bërtisnim. Shoferi mundohej të drejtonte makinën. E ktheu në një moment. Por, autobusi ra anash bordurës. Ramë me pjesën e pasme. Kapërdimjen e parë të autobusit e ndjeva, duke u kapur fort pas sediljes. Më pas u zgjova dhe e pashë veten se ndodhesha 10 apo 20 metra larg autobusit. Po rënkoja. Pranë meje ndodheshin edhe dy vajza të tjera. Duke rënkuar dhe duke bërtitur aq sa mund të bërtisnin, kërkonin ndihmë. Njëra ishte Anisa Çoba. Tjetra Arta Ballabani. Shikonin nga unë dhe kërkonin t’i ndihmoja duke më thënë se ndiheshin keq. Por unë isha e mbuluar nga gjaku dhe e pafuqishme për t’u ardhur në ndihmë. Isha e larë gjithashtu kokë e këmbë me karburantin e autobusit, që ndodhej i shtypur 10-20metra më tej dhe poshtë tij, vajzat e tjera. O zot, Arta bërtiste me të madhe. Çfarë ishte kjo? Nuk e besoj dot ". Liria rrëmbushet dhe në sy i shfaqen lotët. Na falenderon që jemi pranë saj dhe humbet në botën e vet, në ato momente tmerri që ajo ka përjetuar një ditë më parë.
10 vajza trajtohen në Spitalin e Vlorës
Drejtori i Spitalit Rajonal të Vlorës, Shkëlqim Selami, thotë se aktualisht janë duke u trajtuar 10 vajza mes të cilave Elidona Gjinaj, nga qyteti i Laçit, Enkela Daja, 19 vjeçe nga Elbasani, Adiola Mustaku, 23 vjeçe nga Fier-Shegani, Lushnje, Ergita Opingari, 21 vjeçe nga Berati, Juliana Kuqi, 21 vjeçe nga Lushnja, Besjana Xheneti, 21 vjeçe nga Kavaja, Ticiana Hysaj, 21 vjeçe nga Elbasani, Liri Hasaj, 21 vjeçe nga fshati Stërbeg Kavajë, Anisa Hysa(Gjika), 20 vjeçe nga Elbasani, Adisa Çela, 21 vjeçe, nga Elbasani. Kirurgu Fredi Muço, shprehet se gjendja e tyre është drejt përmirësimit të vazhdueshëm. 
Florije Peçi gjatë aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore dhe në tru, ndërsa Eriselda Gubere është dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe në veshka.
Dy rastet e paraqitura më rëndë, ndër 14 vajzat e plagosura në aksidentin që ndodhi pasditen e së hënës në Qafën e Vishës dhe që po marrin trajtimin në Spitalin Ushtarak, do të nisen ditën e nesërmne drejt Austri për të marrë ndihmën e specializuar mjekësore. 
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, tha në një konferencë për mediat se shqetësimi ynë më madhor ka qenë dhe mbeten dy vajzat që kanë paraqitur problematikë shëndetësore të komplikuar. “Duke bashkëpunuar me ambasadorin austriak, me përfaqësuesit e Raiffeisen Bank dhe aktorë të tjerë kemi arritur me një zgjidhje të përbashkët pozitive: trajtimin e këtyre vajzave në klinika të specializuara në Austri” ka thënë ministri Vasili. 
Ambasadori austriak në Tiranë u shpreh i lumtur për arritjen e një marrëveshjeje për kurimin e dy vajzave në Austri të ënjten në mëngjes, gjë që do të ishte bërë edhe të mërkurën nëse gjendja e tyre shëndetësore do të lejonte udhëtimin”. 
Kirurgu i Spitalit Ushtarak Amedin Xhaferri, bëri me dije se Florije Peci dhe Eriselda Gubere ende nuk kanë dalë nga terapia intensive, por nuk dha detaje lidhur me transportimin e tyre për mjekime të specializuara në Austri. Mjeku njoftoi gjithashtu se sot pasdite Doriana Kumria doli nga reanimacioni.
Nga spitali i Vlorës, pas përmirësimit  të dukshëm të parametrave të tyre shëndetësorë, janë dërguar pranë familjeve, pesë nga studentet që mbetën të plagosura në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë.
“Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja, Adisa Çela, dolën sot nga ky spital, ku trajtoheshin prej mbrëmjes së ditës së hënë, kur ato mbërritën pak orë pas aksidentit” ka thënë për mediat drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami. Ato u shoqëruan nga autoambulancat e Spitalit Rajonal të Vlorës për në shtëpitë e tyre, në Berat dhe Elbasan.
Sipas drejtorit, gjendja shëndetësore e tyre ishte normale dhe mjekët vlerësuan se ato mund të qëndrojnë në kushtet e shtëpisë. 
Aktualisht, në spitalin e qytetit të  Vlorës po mbahen nën kujdesin e mjekëve studentet e plagosura Elidona Gjinaj, Adiola Mustaku, Juliana Kuqi, Besjana Xheneti, Liri Hasaj, parametrat shëndetësorë të të cilave janë ende të pastabilizuar plotësisht.




Aksidenti në qafë të Vishës, fatkeqësi e jashtëzakonshme...

Klearko Koçi nga Himara, dëshmitar i ngjarjes: “S’kisha parë kurrë një aksident të tillë rrugor nga afër. Autobusi pothuajse nuk ka frenuar dhe ra “brenda” në humnerë së bashku me 50 qeliza të reja”. Astrit Kurti, shoferi i dytë i ekspeditës: “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhëton”



Shoferi dëshmitar i fatkeqësisë


Ishte nisur si ekspeditë unversitare, por autobuzi me të cilin udhëtonin studentet përfundoi tragjikisht në humnerë me 13 të vdekur dhe 30 të plagosur dhe kjo ka tronditur thellë Klearko Koçin nga Himara: “S’kisha parë kurrë një aksident të tillë rrugor nga afër. Shoferi në përpjekje për të marrë në kontroll autobusin përfundoi rreth 80 metra në greminën e Vishës, 2 km larg Himarës”, thotë Koçi, 61 vjeç, babai i tre fëmijëve. Ai është një prej dëshmitarëve kryesorë të tragjedisë, pasi e ka parë me sytë e tij të gjithë aksidentin. Po udhëtonte nga Vlora drejt Himarës, ku do të prenotonte një lokal për dasmën e djalit.

“Çfarë të them. Unë po mendoja të martoja djalin në fund të qershorit, përpara syve të mi më del aksidenti. Nuk kam zemër ta shoh e ta dëgjoj këtë gjëmë”, shprehet Koçi, ndërsa shton se “autobusi pothuajse nuk ka frenuar dhe ra “brenda” në humnerë së bashku me 50 qeliza të reja”.

Për të, kjo tragjedi është tepër e madhe për Himarën dhe himariotët. “Bashkëqytetarët e mi treguan një zemër të fortë dhe të madhe. Të gjithë, i madh dhe i vogël ,“rrethuan” qendrën e spitalit për të kontribuar sado pak”, rrëfen Koçi. “Të parët në vendngjarje, - tregon ai, - u gjendën banorët të zonës. Dëgjuan rrokullisjen e autobusit dhe ulërimat e studentëve. Policia erdhi shpejt, pasi dikush kishte gjetur kohë ta lajmëronte. Brenda 45 minutave kanë ardhur tre ambulancat e Sarandës”.

“Me intuitë banorët kanë nxjerrë të parët nga autobusi të plagosurit, ndërsa me të vdekurit u morrën zjarrëfikësit. Ata janë heronjtë”, pohon Koçi. Sipas tij, aksidenti tragjik i Himarës mund të ishte shmangur, ndonëse rruga ku ndodhi gjëma ka një pjerrësi të theksuar. “Personalisht udhëtoj në Himarë katër herë në javë. Shoferët zakonisht e ulin shpejtësinë. Për mua kjo është një fatkeqësi jashtezakonisht e madhe”, përfundon Koçi.

Kolegu i shoferit viktimë

Duart i dridhen, cigaret i konsumun pafund, fytyra zeshkane e tij është e zverdhur. “Nuk mund të ecja më tej. Sapo u informova për aksidentit kam gjetur një vendparkim përballë kalasë në Palermo dhe së bashku me studentët dhe dekanin e Letërsisë kemi parë në televizon tragjedinë”, thotë Astrit Kurti, rreth 55 vjeç.

Pavarësisht se shoferi i dytë i ekspeditës është traumatizuar, ai tregon për ATSH-në se kolegu i tij, tashmë i vdekur, kishte përvojë në drejtim e autobusit. “Edhe tani nuk e kuptoj çfarë ndodhi në Qafën e Vishës. Kolegu im kishte përvojën, por ja që timoni nuk ka burrëri, të tradhëton”, u shpreh Kurti, duke theksuar se ai po udhëtonte rreth 200 metra pas autobusit të parë që u aksidentua.

“Po udhëtoja drejt Sarandës. Në kilometrin e pestë një studente e plagosur lehtë mori në telefon shokët e vet dhe tregoi gjithçka”, pohon Kurti. “Në fillim, - vijon ai, - dyshova se mos ishte ndonjë shenjtallëk rinor, por më pas frenova përballë kalasë së Palermos, ku ishte një bar-restorant me një televizor të madh. Tragjedia kishte marrë dhenë, ishte një fatkeqësi e jashtëzakonshme”, thotë ai.


Sipas tij, gjysmë ore pasi kishte ndaluar erdhën dy policë me makinën e tyre. “Me shumë mirësjellje policët më kërkuan të mos lëviz nga vendi. Një autobus tjetër do t’i merrte studentet dhe ashtu u bë. Rreth orës 22:30, studentet u shoqëruam drejt Elbasanit me një makinë eskortë policie”, përfundon Kurti.


Eriola, studentja 25 vjeçare nga Elbasani shkruante për dashurinë, ëndrrat e jetës, udhëtimet
Eriola Xhoi
 “Jeta nuk pati për qëllim të na bënte qenie të përkryera. Kushdo qoftë apo pretendon të jetë i përkryer nuk e ka vendin këtu, por në muze….”. Një thënie e Remarkut ishte postimi i fundit i vajzës nga Elbasani, Eriola Xhoi, që humbi jetën në aksidentin tragjik të hënën pasdite në Qafën e Vishës në rrugën Himarë- Sarandë.
Eriola, studentja e vitit të tretë në degën Gjuhë-Letërsi, kishte ëndërr të saj të bëhej mësuese letërsie. “Ndoshta një ditë do të botohen poezitë e saj, në të cilat shkruante për dashurinë, ëndrrat e jetës, udhëtimet, etj, por nuk do të jetë Eriola që do të gëzojë për këtë vëllim por miqtë dhe të afërmit e saj". Kështu shprehen shoqet  e kursit dhe mikeshat e Eriolës, në shkollën ku ajo studionte.
Eriola, studentja 25 vjeçare nga Elbasani ka lënë pas kujtime të bukura dhe ëndrra të parealizuara. Është e pamundur të hysh në banesën e saj të vogël, ku ajo jetonte me nënën dhe vëllanë e saj më të vogël, pasi babai i saj ka më shumë se 7 vjet që ka ndërruar jetë. “Për arsye personale, Eriola i nisi studimet pak me vonesë, por ëndrra e saj ishte të studionte për gjuhë – letërsi, i pëlqente shumë letërsia dhe thoshte se donte të bëhej mësuese letërsie”, thotë një mikesha e saj, në pallatin ku edhe jetonte Eriola deri mëngjesin e së hënës.
Njihej nga shoqet si një vajzë me vizion, hobi i saj ishte parukeria, madje disa vite më parë kishte ndjekur edhe një kurs, por që për shkak të studimeve, nuk mund ta ushtronte edhe këtë profesion të dytë. Vjen një nga familje me një ekonomi normale, nëna e saj punon infermiere dhe nga çasti që mësoi se vajza e saj kishte vdekur në këtë aksident, nuk është më në gjendje të presë e të përcjellë njerëz.
Zia ka pllakosur këtë familje që tashmë ka mbetur vetëm me dy persona, nëna dhe vëllai i Eriolës.  "Nuk mund të harrojmë buzëqeshjen e saj, as fjalët e ëmbla, dhe dëshirën për të bukurën, është një fatkeqësi e madhe, për familjen që humbi një vajzë të mrekullueshme, por edhe për ne mikeshat e saj”, thonë shoqet e fakultetit të Eriolës, si edhe ato të fëmijërisë, që qëndrojnë pranë nënës së saj në këto ditë të vështira.
Bashkë me Eriolën në këtë aksident humbën jetën edhe 10 vajza të reja, trupat e tyre të pajetë u përcollën të martën në banesën e fundit, por kujtimi i tyre do të mbetet gjithnjë në mendjet e të afërmve dhe mbarë qytetarëve shqiptarë.
Ëndrra të këputura në mes
Kishin plot ëndrra, dashuri për jetën. Jetë që tragjikisht iu këput në mes në një ditë të bukur maji. Lot dhe dhimbje kanë shoqëruar këto ditë të fundit shqiptarët; lot dhe dhimbje për të rinjtë që u ndanë kaq shpejt nga jeta. Vajzat e vitit të tretë të Degës Gjuhë Letërsi të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit ishin nisur në një ekspeditë në Sarandë. Por prej saj nuk u kthyen 11 prej tyre.
“Zemra ime është e mbushur me plot dashuri për ty Zoti; faleminderit që më krijove dhe je me mua në çdo moment të jetës tokësore që jetoj”, shkruante Dorina Stafa, një tjetër vajzë që humbi jetën në aksidentin tragjik.   
Ndërsa një ëndërr e madhe dashurie u këput në mes. Një dashuri e hershme që nisi kur Besjana Xheneti ishte në gjimnaz dhe që ishte kurorëzuar një vit më parë me fejesë. Armand Halilaga nga Kavaja nguli këmbë të shoqëronte të fejuarën e tij edhe pse pedagogët nuk kishin dashur ta lejonin të udhëtonte me to. Dhe ky ishte udhëtimi i fundit për Armandin. Një dhimbje tejet e madhe për familjarët e tij dhe të fejuarën Besjana që i mbijetoi aksidentit.

Përgatiti:Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...