Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/06/09

NJOFTIM NGA LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS


 



NJOFTIM NGA LIDHJA E SHKRIMTARËVE E KOSOVËS

 


Lista e pjesëmarrësve ne festivalit ndërkombëtar të poezisë “Drini poetik”, Prizren, 9-10.6.2012,që duhet të jenë të vendosur në dy hotele në Prizren:

Në hotelin “Nafron” PRIZREN 


1. Abdyl Kadolli
2. Adem Demaçi
3. Alisa Velaj (kumtesë)
4. Anna Kove
5. Beatriçe Balliçi
6. Bedri Halimi
7. Bedri Zyberaj
8. Begzad Baliu
9. Behar Gjoka
10. Bilall Maliqi
11. Delvina Kërluku
12. Dibran Fylli
13. Dr. Arben Hoxha
14. Edlira Mantho
15. Hamit Xhaferi
16. Helena Grillo
17. Ibish Neziri
18. Ibrahim Berjashi
19. Kadri Rexha
20. Kadrush Radogoshi
21. Manjola Sulaj
22. Meri Lalaj
23. Muhamet Kërveshi
24. Sabahate Byci
25. Sabile Keqmezi – Basha
26. Sadri Fetiu
27. Shyqri Galica
28. Veli Veliu
29. Vera Istrefaj
30. Violeta Allmuça
 

Në HOTELIN “OK” PRIZREN

1. Adem Zaplluzha
2. Adem Zejnullahu
3. Agim Desku
4. Arsim Halili
5. Bedri Neziri
6. Behram Hoti
7. Brahim Avdyli
8. Dren Shala
9. Edit Dibra
10. Fatime Ahmeti
11. Feride Papleka
12. Flori Bruqi
13. Gjokë Dabaj
14. Halil Xani
15. Ilir Paja
16. Ismet Lecaj
17. Kozeta Zavalani
18. Lulzim Hajdari
19. Nebih Bunjaku
20. Nezir Prokshi
21. Nikolla Spathari
22. Petrit Ruka
23. Raimonda Moisiu
24. Ramadan Thaçi
25. Riza Greiçevci
26. Riza Lahi
27. Rushit Ramabaja
28. Sadik Përvetica
29. Sali Bytyçi
30. Sarë Gjergji
31. Skënder R. Hoxha
32. Sulejman Dida
33. Shqipe Hasani
34. Tafil Duraku
35. Ukshin Morina
 

 


2012/06/07

Në nderim të figurës së zotit Ardian Klosi




Nga Prof Dr Eshref Ymeri


Edhe pse jeta na dhurohet vetëm një herë…






                     Dr.sci.Ardian Klosi


E ndjeva veten keq dhe u pikëllova në shpirt kur mora vesh lajmin për vdekjen e parakohshme të zotit Ardian Klosi. U largua nga jeta me vetëvrasje një intelektual i kompletuar: një kritikë, analist dhe publicist i talentuar. Por kultura shqiptare humbi edhe një përkthyes të shkëlqyer dhe një specialist të rrallë të gjuhës shqipe. Në përkthimet e veta, fjalën shqipe ai e pati gdhendur si me daltën e një skulptori të pakundshoq.

Kjo dukuria e vetëvrasjes është lënduese për këdo, jo vetëm për të afërmit e të vetëlarguarit nga jeta. Në këto raste gjithkush rri e përsiat: cilat duhet të jenë vallë arsyet, që njeriu, një ditë të bukur, vendos të vetëvritet, edhe pse jeta atij i dhurohet vetëm një herë? Është e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje delikate. Megjithatë, secili le të zhvendoset për një çast nga qenia e vet dhe të mundohet të rimishërohet në qenien e atyre individëve që kanë bërë plane për vetëvrasje. Pas kësaj shpërnguljeje mendërore në qenien e këtyre njerëzve të zhgënjyer nga jeta, mund të pikasen ca arsye që ata i detyrojnë të shkojnë drejt vetësakrifikimit.

Dikush prej tyre përjeton shqetësime të forta në jetën personale, siç janë dështimet në lidhjet romantike me dikë, një dashuri fatkeqe, vdekja e ndonjë të afërmi ose e ndonjë miku të dashur.

Dikujt tjetër mund t’i nxihet jeta prej torturave dhe kërcënimeve të vazhdueshme, prej poshtërimeve për të metat fizike, prej përdhunimeve dhe rrahjeve të pandërprera. Por dikush, me dhembje në shpirt, mund të përjetojë mungesën e të kuptuarit prej njerëzve që e rrethojnë, ftohtësinë e tyre, e cila bëhet shkak që ai të përfundojë në mëshirën e vetmisë. Kurse një tjetër individ nuk i bën dot ballë faktit që dikush ka bërë publike të dhëna për jetën e tij personale, sidomos për orientimet e tij seksuale.

Jo pak emocione të fuqishme ngjallin në qenien e njeriut mossukseset, dështimet në jetë, siç janë ato të natyrës krijuese, profesionale. Kjo bën që njeriu të humbas interesimin për jetën, të ndiej lodhje prej saj.

Gjurmë të thella lënë në jetën e njeriut vështirësitë ekonomike, varfëria e tejskajshme Madje më të shumtë janë ata individë që e mbyllin jetën me vetëvrasje për shkak te halleve të rënda, të papërballueshme ekonomike.

Por nuk kalojnë pa mbresa të thella në jetën e njeriut edhe problemet e shëndetit, sëmundjet kronike, të cilat vijnë duke e mposhtur ca nga ca vullnetin e tij për t’i përballuar ato me optimizëm. Pesimizmi në këto raste merr sipërinë dhe njeriut fillon t’i duket jeta e pakuptimtë.

Shkak për vetëvrasje bëhet edhe fanatizmi fetar që është i përhapur zakonisht në sektet fetare, mes të cilave vihet re ajo që quhet vetëvrasje rituale. Dhe ne jemi në dijeni të vetëvrasjeve edhe të disa adoleshentëve 12-15-vjeçarë në vendin tonë, të cilëve ua kishin bërë mendjen çorap ca të ashtuquajtur dëshmitarë të Jehovait për “bukurinë” e jetës së përtejme.

Arsyet politike, po ashtu, ndikojnë mbi individë të veçantë për ta mbyllur jetën me vetëvrasje. Le të kujtojmë për një çast (vetë)vrasjen e njërit nga udhëheqësit kryesorë të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Nako Spirus. Përplasja me jugosllavët, me miqtë e ngushtë të Enver Hoxhës, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes ekonomike skllavëruese me Beogradin, bëri që Nako Spiru të gjendej i izoluar në udhëheqjen e lartë shtetopartiake dhe një ditë të bukur ai të etiketohej prej Enver Hoxhës si pengesa kryesore e bashkimit të Shqipërisë me Jugosllavinë. Në ato kushte, mënyra më e mirë për ta shmangur atë pengesë, ishte likuidimi i tij fizik, çka edhe u realizua me vrasje të pabesë, ose me vetëvrasje, sipas versionit zyrtar. Komunistët shqiptarë vetëvrasjen e quanin të dënueshme, madje e vlerësonin si tradhti. Megjithatë, Enver Hoxha nuk e deklaroi tradhtar Nako Spirun, me sa duket, me porosi të Titos, të cilit i kërkoi edhe leje nëse duhej të shkonte ose jo në varrimin e tij.

Po për arsye, në të vërtetë politike, e mbylli jetën me (vetë)vrasje edhe Mehmet Shehu. I gjendur nën furinë e sulmeve të egra të anëtarëve të Byrosë Politike në pasditen e 17 dhjetorit 1981, sulme ato të inskenuara paraprakisht, Mehmet Shehu, ashtu si edhe Nako Spiru dikur, u gjend krejtësisht i izoluar, në një vetmi të plotë deri në drithërimë. Por, në dallim nga Nako Spiru, Enver Hoxha këtë, që të nesërmen, e shpalli tradhtar dhe poliagjent. Me sa dukej, (vetë)vrasja e Mehmet Shehut e shpëtoi Enver Hoxhën një herë e mirë nga ankthi i xhelozisë për hedhjen në erë paskëtaj (prej Mehmet Shehut po të mbetej gjallë pas vdekjes së diktatorit) të traditës së pushtetit të tij personal që e pati çuar deri në përmasa katastrofike.

Për kryerjen e vetëvrasjes njeriun mund ta shtyjnë edhe ca rrethana të caktuara në një situatë lufte: për sigurimin e fitorës mbi armikun në një betejë ushtarake, një ose disa luftëtarë të caktuar vendosin të vëtësakrifikohen. Le të përmendim këtu Oso Kukën me bashkëluftëtarët e vet, si edhe Mic Sokolin apo Selam Musain. Por, në një situatë të tillë, vetëvrasja mund të kryhet edhe për të shmangur rënien rob ose për të shpëtuar bashkëluftëtarët e vet.

Në jetë janë hasur edhe raste të vetëvrasjes së detyruar. Kështu, mund të përmendet rasti i vetëvrasjes së Senekës(Lucius Annaeus Seneca minor – 4 p.e.r.-65 e.r.), filozofit, poetit dhe personalitetit shtetëror të lashtësisë romake. Me urdhër të perandorit Neron, që dikur Senekën e kishte pasur edukator, ai u dënua me vdekje, meqenëse me autoritetin e vet të fuqishëm qe bërë pengesë në ushtrimin e pushtetit të tij të dhunshëm. Pë të shmangur dënimin me vdekje, Seneka kërkoi të bënte vetëvrasje. Së bashku me të, bëri vetëvrasje edhe e shoqja e tij, Paulina.

Rasti tjetër është ai Romelit (Erwin Eugen Johannes Rommel – 1891(18911115)-1944), gjeneral-feldmareshalit gjerman, që ishte komandant i trupave të Boshtit në Afrikën e Veriut. Më 20 korrik të vitit 1944, u krye një atentat i pasuksesshëm kundër Hitlerit. Njëri nga komplotistët pati përmendur edhe emrin e Romelit. Duke marrë parasysh meritat e shquara të tij, Hitleri vendosi që atij t’i jepej e drejta të zgjidhte mes gjyqit ushtarak dhe vetëvrasjes. Më 14 tetor 1944, sipas një versioni zyrtar që pati qarkulluar asokohe, Romeli i dha fund jetës me cianur.

Hasen edhe raste kur një njeri sedërtar bën një gabim, të cilin paskëtaj e ka të pamundur ta korrigjojë, paçka se pendesa e mundon orë e çast. I gjendur nën soditjen e heshtur të farefisit apo të një rrethi ose komuniteti të caktuar, individi i gjorë jep e merr me veten e vet se si të shpëtojë nga makthi që po i merr frymën. Ai ia ka mbushur mendjen vetes se është vënë në diskutim nderi i tij. Në këto raste, heshtja e njerëzve që ai ka përreth, mosndërhyrja në kohën e duhur, është vrastare. Dhe i gjori njeri e gjen “shpëtimin” te vetëvrasja.

Në jetë janë hasur raste edhe të vetëvrasjes imituese. Aty nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, në vendlindjen time, në Smokthinë të Vlorës, nje burrë i nderuar, me autoritet, i cili njihej në mbarë zonën për karakterin e tij të fortë, kreu vetëvrasje për një arsye të brendshme, familjare. Arsyeja nuk ishte aspak bindëse që ai të vetësakrifikohej. Njërit nga djemtë e tij, më të madhit, i cili asokohe ishte në moshën e pararinisë (adoleshencës), vetëvrasja e babait i la një vrragë të thellë në shpirt, e cila, me kalimin e viteve, nuk erdhi duke iu shëruar. Përkundrazi, ajo erdhi duke iu mahisur gjithnjë e më shumë. Ai u rrit, u shkollua dhe u punësua në shtet. Por një pasdite të bukur vendosi të imitonte të atin, ia hoqi vetes.

Jetën mund ta mbyllin me vetëvrasje imituese edhe ata individë që kanë qejf të ndjekin shembullin e personaliteteve të shquara apo të heronjve të letërsisë artistike.

Gjatë jetës mund të hasen edhe njerëz që kryejnë vetëvrasje, nisur nga dëshira për ta filluar jetën nga e para. Këta janë njerëz që besojnë në atë që quhet “mishërim i përsëritur” (në latinishte emërtohet “reinkarnacion” (reincarnation), kurse në greqishte – “metempsikozë”, që do të thotë “shpërngulje e shpirtit”. Këto janë doktrina filozofike fetare, sipas të cilave thelbi i pavdekshëm i qenies së gjallë (në disa variante vetëm i njeriut) rimishërohet, domethënë ritransformohet përsëri e përsëri nga njëri trup te tjetri. Këtë thelb të pavdekshëm, në tradita të ndryshme, e quajnë “frymë” ose “shpirt”, apo “shkëndijë hyjnore”, e vlerësojnë si “Unin suprem”ose “Unin e vërtetë”. Pra, sipas doktrinave në fjalë, në çdo jetë njeriu, vjen e zhvillohet një individualitet i ri i individit në botën fizike, por ama një pjesë e caktuar e “Un-it” tëindividit mbetet e pandryshueshme, duke u shpërngulur nga njëri trup te tjetri në serinë e rimishërimeve (ritransformimeve) të lartpërmendura.

Jo më pak e përhapur është dukuria e vetëvrasjes mes njerëzve të shquar të letrave. Duke filluar që nga lashtësia, me poetin romak Lukreci (Titus Lucretius Carus – rreth 99-55 p.e.r.), e deri në shek. XX, numërohen 259 krijues të shquar të letrave që i kanë dhënë fund jetës me vetëvrasje. Arsyet e këtyre vetëvrasjeve mund të kenë qenë nga më të ndryshmet, por mendoj se njërën nga arsyet e forta e ka nxjerrë në pah shkrimtari i shquar amerikan Heminguej (Ernest Miller Hemingway – 1899-1961).

Në fund të tetorit të vitit 1954 ai pati marrë lajmin se i ishte dhënë “Çmimi Nobel”. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai e pati të pamundur të ishte i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimit. Por në Stokholm atë e përfaqësoi ambasadori amerikan Xhon Kabot (John Cabot), i cili lexoi para jurisë përshëndetjen e Heminguejit. Në atë përshëndetje shkrimtari njoftonte se e pranonte çmimin “me përunjësi” dhe pati shprehur një mendim të tij të parapëlqyer, sipas të cilit “jeta e shkrimtarit, kur ai ka arritur majat e suksesit, kalon në vetmi”. Një parashikim befasues ky për vetëvrasjen e tij, që do të kryhej shtatë vjet më vonë.

Me sa duket, vetëvrasja e zotit Klosi shërbeu për ta rrumbullakosur numrin e vetëvrasjeve të njerëzve të shquar të letrave. Tani që zotin Klosi nuk e kemi më në skenën e jetës shqiptare, mendoj se duhet shtruar një pyetje e zakonshme: po a ishte e mundur vallë që të shmangej vetëvrasja e tij? Si temperament, ai ka pasur një natyrë tepër të ndjeshme dhe në shpirtin e tij linin gjurmë të thella shfaqjet e padrejtësisë. Por sipas psikologjisë, njerëzit tepër të ndjeshëm kanë shumë nevojë për ngrohtësinë e mjedisit shoqëror, sidomos të komunitetit ku ata ushtrojnë profesionin e vet.

Mes shumë kontributeve të shquara që zoti Klosi ka dhënë në realitetin shqiptar të këtyre viteve, dëshiroj të ndalem vetëm në njërin prej tyre. Para disa vitesh doli nga shtypi dhe u hodh në qarkullim një abetare e gjuhës shqipe. Menjëherë zotit Klosi i ra në sy niveli shumë i dobët pedagogjikoshkecor i asaj abetareje dhe ai i bëri asaj një analizë shteruese. Nisur nga fakti që abetarja është themeli ku fillon dhe edukohet brezi i fëmijëve, ku njomëzakët e klasës së parë për herë të parë mësojnë se ç’është vendlindja, ç’është atdheu, ç’janë elementet e para të kulturës qytetare, zoti Klosi argumentoi me fakte se abetarja në fjalë nuk i kryente këto funksione dhe kërkoi heqjen e saj nga qarkullimi.

Me sa duket, zoti Klosi, si një intelektual me një kulturë shumë të gjerë, kishte parasysh një thënie të Zhan-Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau – 1712-1778) për rëndësinë e edukimit të kulturës qytetare mes fëmijëve francezë. Rusoi theksonte :

« Pikërisht një kulturë të tillë i jep edukatori francez nxënësit të vet, me qëllim që të shkëlqejë gjatë fëmijërisë së tij, në mënyrë që paskëtaj ai të mos jetë kurrë askushi”.

Por, për fat të keq, denoncimi publik që zoti Klosi i bëri nivelit të asaj abetareje, mbeti një zë në shkretëtirë. Komuniteti i gazetarëve, i analistëve dhe i publicistëve nuk u ngrit peshë në këmbë në përkrahje të zotit Klosi. Ky qëndrim moskokëçarës i tyre, pa diskutim që ka ushtruar ndikimin e vet mbi rëndimin e gjendjes së tij shpirtërore. Në sa e sa emisione televizive zoti Klosi ka pas qenë ftuar si analist, por, për çudi, askujt nga drejtuesit e atyre emisioneve nuk i pati shkuar mendja ndonjëher që të organizonte ndonjë emision të veçantë që t’i kushtohej posaçërisht zotit Klosi. Sa do ta qetësonte zemrën e tij një emision i tillë, sa do ta zbuste natyrën e tij tepër të ndjeshme, sa shumë do ta ndiente ai ngrohtësinë shpirtërore të kolegëve të vet.

U njoha me shumë reagime gazetarësh, analistësh e publicistësh për vdekjen e zotit Klosi, por asnjëri nga ata nuk tha që edhe komuniteti i tyre ka pjesën e vet të fajit për vetëvrasjen e tij. Personalitetet e shquara të kulturës shqiptare, sidomos ata që kanë një shpirt tepër të ndjeshëm ndaj shfaqjeve të padrejtësisë, duhet t’i rrethojmë me ngrohtësinë e shpirtit tonë se ata janë pasuri kombëtare me vlera të jashtëzakonshme. Asnjëherë nuk duhet t’i lëmë ata në mëshirën e vetmisë vrastare.

Flori Bruqi: Olimpi shqiptar


PIKËPAMJE NGA OLIMPI I MENDIMIT SHQIPTAR


(Pikëpamje/kritikë/vlerësime/poetikë...)

Fjala e redaktorit



PIKËPAMJE NGA OLIMPI I MENDIMIT SHQIPTAR

Vepra "Olimp shqiptar" është edhe një kontribut tjetër i mendimit intelektual dhe vështrimit, pikëpamjes dhe mendimit kritik, të shkrimtarit dhe publicistit, Flori Bruqi.Autor i shumë veprave, ai na del para lexuesit edhe me këtë vepër në publicisatikë, si çdoherë me veprat e tij në këtë fushë, i arrirë, përmbledhës, i veçuar dhe i shenjuar. Pas veprës paraprake, "Guxim shqiptar",që tek lexuesi shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, nuk mbeti pa jehonën e vet, tash Flori Bruqi vjen para lexuesit tonë me një tjetër vepër hiç më pak të rëndësishme se kjo që e theksuam.Madje,kjo e tashmja:"Olimp shqiptar",në dukje të parë,mbase nënkuptohet si vazhdimësi e "Guximit shqiptar",por kjo na del disi më e veçuar përnga kuantiteti dhe kualiteti,përnga seleksionimi dhe vizioni conceptual i librit,poashtu dhe përnga tematika dhe përnga seleksionimi i lëndës së këtij libri. Nisur nga botimet elektronike,si tek libri "Guxim shqiptar", në vebfaqen "Floart Press",Flori Bruqi ka ditur të veçojë në këtë vebfaqe letërsi të mirëfillët, polemika të nivelit intelektual e shkencor,shkrime e veçime të tjera nga shumë fusha letrare dhe të publicistikës. Me sajimin e librit "olimp shqiptar" autori sinjifikon një pikë kulmore të asaj lënde që përfshinë brenda kjo vepër dhe, pikërisht këtë synon autori t'ia ofrojë lexuesit. E tërë lënda, kuptohet, më parë e botuar në vebfaqen e njohur "Floart Press", është lëndë e zgjedhur dhe e përzgjedhur nga kritere të mirëfillta letrare, që përbëjnë një prezentim zhanresh të ndryshme, duke u nisur nga poezia, me autorë të zgjedhur shqiptarë, polemika për çështje të veçanta,çështje me tematikë psikologjike, analiza dhe veçime nga letërsia botërore,kuptohet sipas përzgjedhjes së autorit,por edhe autorë e figura të letërsisë, publicistikës dhe jetës buplike shqiptare, që në një formë o në një tjetër, kanë shënuar pika kulmore në jetën dhe dijen shqiptare. Të tilla figura në këtë vepër i gjejmë, nga bota letrare: Esad Mekulin,Azem Shkrelin,Din Mehmetin,Fatos Arapin,Arshi Pipën, Martin Camajn,Anton Pashkun, Agim Vincën,Sabri Hamitin,Besnik Mustafajn,Naim Kelmendin,Abdullah Konushevcin,Fahredin Shehu, Iljaz Prokshin, Albana Lifschin,Rajmonda Moisiu etj,nga ajo studimore si Rexhep Qosjen, Idriz Ajetin, Jup Kastratin,gjithashtu për jetën dhe veprën e nobelistes shqiptare Nënë Terezën,pastaj për figurat madhore të kohës sonë,legjendën e luftës, rezistencës dhe trimërisë shqiptare Adem Jasharin, atë të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, atë të shkrimtarit tashmë me famë botërore Ismail Kadare, si dhe mjaftë tema të tjera me interes të veçantë…Edhe me këtë vepër diktohet mëtimi i autorit Flori Bruqi që të seleksionojë kategori,vlera dhe çështje që shenjojnë nivele të arrira në botën e kulturës shqiptare, dhe këtë ai arrinë ta bëjë me sukses, me një shije të hollë dhe të zgjedhur.Me zellin dhe sensin e tij prej intelektuali të kujdesshëm,ai pothuajse i vë shenjën pikante mendimit të analizës letrare,prezentimit,vështrimit,
krijimit,debatit, recensionit dhe shtjellimeve tematike, që ngrit brenda këtyre vështrimeve dhe tematikës në këtë vepër…

Naim Kelmendi,shkrimtar nga Prishtina

Nga Instituti “Goethe”, Dr.Ardian Klosi u pushua pas 8 vitesh punë

Ardian Klosi (9 korrik 1957, Tiranë - 26 prill 2012, Tiranë) ishte publicist, përkthyes, albanolog dhe aktivist i shoqërisë civile në Shqipëri.

U diplomua në fakultetin e Gjuhë - Letërsisë në 1981. Ka marrë doktoratën në vitin 1990. Nga viti 1993 - 1998 ka qëndruar në Gjermani. Në vitin 1998 u rikthye në Shqipëri si Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, duke lënë pas ofertën si shef i katedrës së albanologjisë në universitetin e Mynihut. Ai erdhi në krye të këtij institucioni të lënë pas dore ato kohë, me një platformë perëndimore si në përmbajtjen e informacionit dhe programeve, ashtu edhe në teknologji.



 Idealizmi dhe korrektësia - sidomos në marrëdhëniet financiare - e bënë Klosin të padëshirueshëm për një lobim goxha të fuqishëm brenda RTSH, lobim ky i lidhur ngushtë edhe me pushtetin e kohës. Në këto kushte, intelektuali i ardhur nga Gjermania nuk arriti të vërë në zbatim ëndrrën dhe misionin për një radiotelevizion publik dhe modern. 


Pak muaj pasi mori detyrën, pikërisht në 23 mars 1999 ai u largua nga posti i drejtorit të përgjithshëm , duke bërë edhe një deklaratë publike ku denonconte aktorët politikë që jo vetëm nuk e lanë të punonte, por edhe që nuk kishin interes për jetësimin e një Radiotelevizioni të pavarur e publik. Ata që e thirrën me premtimin "për të bërë Shqipërinë" e braktisën në më pak se një vit... Ka botuar disa libra si në shqip, ashtu edhe në gjermanisht.

Në shqip: 1991: "Refleksione" me Edi Ramën, 1991: "Shqipëria zgjim i dhunshëm", 1993: "Quo vadis Shqipëri", 1997: "Shqipëria ē'mund të jetë" dhe në gjermanisht: 1993: "Mbijetesë shqiptare" (fotot Jutta Benzenberg), 1997: "Fjalor gjemranisht - shqip" (me W. Fiedler), si dhe mjaft tregime, ese, artikuj n[ shtypin shqiptar dhe të huaj.


I martuar me fotografen Jutta Benzenberg. Fundi i tij ishte mjaft i dhimbshem pasi me datë 26 prill 2012 kreu vetevrasje, pas një tentative në janar te vitit 2012 duke gëlltitur sasi të konsiderueshme farmaceutikësh. Ai do të kujtohet si një ndër penat më të mira shqiptare dhe shumë i ndjeshëm ndaj problematikave sociale në vend.

Përgatiti Flori Bruqi






Ardian Klosi


Institutit “Goethe” i nevojitet kohë, deri në dhënien e një përgjigjeje zyrtare lidhur me pushimin nga puna pa paralajmërim të Ardian Klosit. Përkthyesi, publicisti, njeriu i letrave në përgjithësi, i cili ndërroi jetë më datën 26 prill, mbajti për 8 vite pozicionin e drejtorit ekzekutiv pranë shoqatës kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”, u pezullua krejt papritur në janar. Në ditët e para të fillimvitit ai bëri tentativën e parë të vetëvrasjes dhe u shtrua për 3-4 ditë në spital për kujdes mjekësor. Por, pas daljes që andej, u përball me librat dhe dokumentet e tij të paketuara nga ana e drejtoreshës së “Deutschzentrum Tirana” (Qendra e Gjermanishtes), Brigitta Grau-Günther, si dhe me lajmin se është i papunë. Të paktën kështu rrëfeu dje për gazetën “Panorama” mikja e tij e ngushtë që nga fëmijëria, Kozara Kati, ndërsa lajmi është konfirmuar tashmë dhe nga familjarët e të ndjerit, si dhe ish-kolegë. I vetmi që ende nuk po reagon lidhur me ngjarjen është instituti “Goethe” (Gëte) në Tiranë, që ndodhet në rrugën “Ismail Qemali”. Kërkesës sonë për të marrë një përgjigje lidhur me shkarkimin nga puna të Klosit, pa u lajmëruar më parë, duke shkelur kështu ligjin, punonjësit pranë institutit na thanë që t’u drejtojmë një shkresë zyrtare. Ne nuk u vonuam në dërgimin e shkresës dhe as institucioni me kthimin e saj. Veçse, ishte një përgjigje pa përgjigje. “Zonja Grau-Günther ndodhet aktualisht në një udhëtim pune dhe do të kthehet në Tiranë javën e ardhshme”, shkruhej në sqarimin e shkurtër që na erdhi nga instituti “Goethe”. Ndërkaq, në faqen zyrtare të institucionit “Goethe”, ku deri dje në mesditë ekzistonte eksperienca e punës së Klosit dhe kontributi i tij, diçka ndryshoi. Më saktë, pasdreke u hoq dritarja ku paraqitej aktiviteti i të ndjerit dhe kohëzgjatja në punë; që ishte nga viti 2004. Po ashtu, u bllokua edhe nekrologjia e Klosit, e cila ndodhej direkt në hapjen e parë të faqes zyrtare: http://www.goethe.de/ins/al/tir/kue/lit/sq9256502v.htm. Nekrologjia e tij u spostua në njërin prej linkeve të brendshëm të faqes zyrtare të institutit.

Reagojnë miqtë e dr.Ardian Klosit

Menjëherë pas lajmit të botuar , kanë qenë të shumta reagimet e miqve të dr.Ardian  Klosit. Disa prej tyre e dënuan menjëherë aktin e pushimit nga puna pa paralajmërim nga ana e institutit “Goethe” dhe disa zgjodhën të mos e besojnë. Se e tillë u dukej kjo ngjarje, si e pabesueshme. Të paktën kështu thotë miku i vjetër i Klosit, shkrimtari dhe publicisti Daut Gumeni: “Është vërtet i pabesueshëm një qëndrim i tillë ndaj një personaliteti të gjithanshëm, me përmasat e Ardian Klosit. Nëse është vërtet ai që përmendet motivi i shkarkimit të doktor Klosit nga drejtor Ekzekutiv i shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane, me emrin e Robert Shvarcit të paharruar, atëherë vetëm për të menduar nuk bëhet dot fjalë… Po qe se vërtet e kanë shkarkuar doktor Klosin nga ajo detyrë, pasi paskan “menduar se do të vonohej shumë kohë”, ai model të menduari duket si shumë larg kohës së marrëdhënieve të shëndetshme kulturore të kohës sonë. Nëse Klosi ynë iku duke na lënë një zbrazëtirë, që kushedi sa kohë do të dojë të mbushet, me bekimin e një njeriu me talentet e tij, ata që e kanë pushuar me një motivim aq absurd, mbase janë bërë pa kohë për bekime apokaliptike”. Shumë spontan dhe aspak i kursyer për një opinion origjinal u tregua Artan Lame. Duke e krahasuar popullin gjerman me automjetet, publicisti dhe koleksionisti Lame thotë: “Gjermanët nuk janë njerëz, por makina. Kur u prishen makinat, i hedhin. Dhe për gjermanët nuk është turp të të hedhin, nëse je prishur, nëse nuk u hyn më në punë. Nuk kuptojnë ata nga ndjeshmëria njerëzore. Nëse u thua se je sëmurë, të thonë se nuk ke punë këtu dhe ik në spital. Dhe nuk duan që t’ia dinë. Ashtu e kanë natyrën ata, dhe nuk ke ç’u bën. Mos u çudisni fare”. Si aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut, por i njohur më së shumti si ambientalist, Lavdosh Ferruni, një tjetër mik i kauzave të përbashkëta me Klosin, reagon i indinjuar. “Cilido intelektual shqiptar, por dhe gjerman që e njeh Shqipërinë, kur bëhet fjalë për njohjen e kulturës gjermane në Shqipëri nuk mund të mos e lidhë atë me veprimtarinë dhe autoritetin e Ardian Klosit. Tri dekada energji e derdhur për kulturën Gjermane nuk mund të hidhen poshtë në 3 ditë largim nga puna, pas një drame personale të tij”, thotë Ferruni. Sipas tij, Klosi edhe udhëtimet e tij në natyrë i bënte me miq gjermanë, duke shkëmbyer kulturën për mbrojtjen e mjedisit shqiptar, që e ndjente thellë në shpirt. “Tek vizitonte me kolegët gjermanë kanionet e lumit të Tiranës, ai nuk mund të mos shkruante për masakrën me Rrugën e Arbrit të monumentit natyror te shkallët e Tujanit. Me 2 kolegë gjermanë, ai planifikoi dhe udhëtimin e tij të fundit, nga Dardha në Përmet, të cilin e priti me shumë dashuri, por këtu nuk mundi të vazhdojë më tej. Sot, diçka madhore i mungon kulturës gjermane, në raport me qytetarin e mirë shqiptar, Ardian Klosi”, thekson Ferruni.

Dëshmia e Kozara Katit, mikes së ngushtë të Klosit

“Danin e hoqën nga puna në janar, direkt pas tentativës për vetëvrasje”



Kozara Kati


Ishte mikja e fëmijërisë dhe e kauzave të përbashkëta, Kozara Kati, ajo që denoncoi e para pezullimin e menjëhershëm nga puna të Ardian Klosit, sapo instituti “Goethe” u informua mbi tentativën e vetëvrasjes. “Më tha që nuk kishte më as zyrë dhe as rrogë. E kishin përzënë nga puna. Dani punonte aty si drejtor Ekzekutiv i shoqatës kulturore shqiptaro-gjermane “Robert Schwartz”. E hoqën nga puna në momentin më të vështirë të jetës së tij. Pasi kishte humbur nënën e tij, me të cilën ishte shumë i lidhur dhe ndërkohë kishte tentuar t’i jepte fund jetës. Pra, bëhet fjalë për në janar, pas tentativës së parë për vetëvrasje. Dani ishte në spital duke u kuruar kur një funksionare e re pranë institutit “Goethe” i kishte bërë gati librat dhe të gjithë dokumentacionin. Kur pas daljes nga spitali Dani u paraqit sërish në punë, u përball me shkarkimin. Motivi që i kishte dhënë zonja në fjalë kishte qenë: Menduam se nuk do të vije për një kohë të gjatë në punë. Nuk na shkoi në mendje se do të ktheheshe shpejt…”. Më pas, Kati bëri publik edhe emrin e zonjës që e kishte pushuar nga puna: “Nuk dua të gabohem, por me sa më kujtohet, quhet Brigitta Grau-Günther”.

Daut Gumeni

“Është vërtet i pabesueshëm një qëndrim i tillë ndaj një personaliteti të gjithanshëm, me përmasat e Ardian Klosit. Nëse Klosi ynë iku duke na lënë një zbrazëtirë, që kushedi sa kohë do të dojë të mbushet, me bekimin e një njeriu me talentet e tij, ata që e kanë pushuar me një motivim aq absurd, mbase janë bërë pa kohë për bekime apokaliptike”.

Artan Lame

“Gjermanët nuk janë njerëz, por makina. Kur u prishen makinat, i hedhin. Dhe për gjermanët nuk është turp të të hedhin, nëse je prishur, nëse nuk u hyn më në punë. Nuk kuptojnë ata nga ndjeshmëria njerëzore. Nëse u thua se je sëmurë, të thonë se nuk ke punë këtu dhe ik në spital. Dhe nuk duan që t’ia dinë. Ashtu e kanë natyrën ata dhe nuk ke ç’u bën.
Mos u çudisni fare…”.

Lavdosh Ferruni

“Cilido intelektual shqiptar, por dhe gjerman që e njeh Shqipërinë, kur bëhet fjalë për njohjen e kulturës gjermane në Shqipëri, nuk mund të mos e lidhë atë me veprimtarinë dhe autoritetin e Ardian Klosit. Tri dekada energji e derdhur për kulturën Gjermane nuk mund të hidhen poshtë në 3 ditë largim nga puna, pas një drame personale të tij”.

Deputetët nderojnë publicistin

Kuvendi, një minutë heshtje për Klosin

Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur dje një minutë heshtje në nderim të kujtimit të Ardian Klosit, me kërkesë të deputetes socialiste, Valentina Leskaj. Shqipëria, u shpreh Leskaj, ka humbur jo vetëm një ndër intelektualët e shquar të botës shqiptare, por edhe një nga kontributorët e ditëve të para për demokraci. “Ditë më parë u nda nga jeta në mënyrë tragjike një ndër intelektualët e shquar të botës shqiptare, Ardian Klosi. Shqipëria humbi një prej personaliteteve që u shqua si historian, përkthyes, publicist. Ardian Klosi njihet si një nga kontribuuesit e ditëve të para për demokraci, përfshirë edhe kontributin e tij në gazetën e parë opozitare, në cilësinë e anëtarit të këshillit botues të saj. Ai mbetet një kontributor i vijës së parë të shoqërisë civile në mbrojtje të vlerave të demokracisë, të drejtave të njeriut, të mjedisit e të kulturës shqiptare. Për këto arsye i kërkoj Parlamentit të mbajë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të tij”, tha Leskaj. Propozim që u miratua menjëherë nga parlamentarët e tjerë dhe e nderuan me disa çaste heshtjeje. Publicisti, shkrimtari, përkthyesi dhe aktivisti i shoqërisë civile, Ardian Klosi, u nda nga jeta më 26 prill 2012, duke zgjedhur vetëflijimin.


LETËR NGA KUMANOVA


  Shkruan:Prof. Sabri Zeqiri-Kumanovë



Foto e Profilit




From: sabri.zeqiri@live.com
To: floribruqi@live.com

Date: Tue, 5 Jun 2012 16:43:21 +0200


                      
E nderuara redaksi e gazetës “Shqip “

            Ju dëshiroj punë të mbarë në punën e kësaj gazete , por do t’u sugjeroja që në faqen e kulturës të shkruani diçka më shumë sa i takon kulturës sonë letrare . 

Le të jetë ky një fillim i mbarë dhe në shërbim të lexuesve shkollarë e pikërisht të maturantëve të të gjitha profileve që të nxitni ata që dinë të shkruajnë mirë  të japin kontributin e tyre në shërbim të maturantëve që sivjet do të përballen me dhënien e provimit nga matura shtetërore. 


Sigurisht që do t’i motivojë lexuesit ndonjë tregim i bukur nga autorët tanë apo të huaj, ndonjë punim në formë eseje , kritike letrare,reportazhi,analize etj.

            Besoj se kështu do të shtohet pasioni i të lexuarit që  dita –ditës po bie, sepse lexuesi nuk po e lexon gazetën, por po e shikon për të joshur vetëm syrin  me fotot që shohin në gazetat tona të përditshme.
Meqë,titulli i gazetës thotë shumë , le të dëshmojë edhe brendia e saj.

Unë po ua dërgoj një punim që të nxisë të tjerët që dinë të shkruajnë më mirë për të nxitur lexuesit që të lexojnë më shumë .

P.S.
Nëse e botoni le të mbet anonim. Ju faleminderit!                                                                                               analizë romanit “I huaji” të Albert  Kamysë

                  Nga kritika e kohës konsiderohet si romani më i mirë francez i shekullit XX.
Në këtë vepër Kamy përshkruan botën absurde, shoqërinë njerëzore të udhëhequr nga ligje që kanë vetëm pamje humane dhe aspak logjike . Shoqërisë i nevojiten bindje, vlera,që të bëhet e mundshme jeta në bashkësi. Nëse dikush nuk i respekton këto vlera ai nuk konsiderohet njeri dhe duhet të ekzekutohet,sepse bëhet i rrezikshëm . Mërsoi nuk i respekton të njëjtat vlera që i respekton shoqëria:atij i pëlqejnë plazhi, deti, dielli, trupi i Marisë(dashnores së tij) dhe asgjë tjetër.E do edhe nënën , por jo edhe aq dhe nuk kupton pse është dashur të tronditet nga vdekja e saj. Shoqëria nuk e dënon me vdekje për shkak të vrasjes që ka bërë , por për shkak se ai nuk gënjen fare dhe e thotë të vërtetën haptas[1].

Pra, ky hero i veprës(që është një bashkim i fjalëve-meurs+soleil:je meurs:unë vdes+soleil:diell;që gjatë shqiptimit del në formën e shkurtuar –Mër+so=d.m.th.vdes nga dielli[2] .   

Mërsoi i preokupuar vetëm për të jetuar , ashtu si di e me aq sa mundet , qysh në fjalinë e parë të romanit zihet në grackën e vdekjes. I vdes e ëma, për çka nuk qan; vret një arab, për çka nuk pendohet; dënohet me vdekje , për çka nuk mbrohet. Gjykatësit e vetë salla(të pranishmit në aktin e gjykimit) duan para së gjithash të kuptojnë se cili na është ky Mërso , se ç’na paska ky në shpirt, se pse ky nuk paska derdhur lot në varrimin  e së ëmës, etj.[3]

Mërsoi çudit shumëkend me qëndrimin e tij në gjyq: të gjithë e akuzojnë e ai nuk mbrohet! Ai e di që nuk shpëton dot , ndaj hesht? Ose nuk e di se do ta dënojnë me vdekje për një arab, ndaj hesht? Ose nuk e imagjinon dot vdekjen pa qenë i dënuar me vdekje, ndaj hesht? Ose nuk është mësuar të shtiret, e prandaj hesht? Apo e ndien veten fajtor e megjithëse do t’ia presin kokën, ai prapë hesht?[4] Po sikur, skenës së fundit me priftin, gjyqi të përsëritej e atij(Mërsoit) t’i jepej mundësia për t’u shfajësuar sadopak , si do të sillej në këtë rast?—A do të ilustronte sërish me sjelljen e vet se dy anët e ekuacionit absurd janë njëlloj të vlefshme, si jeta ashtu edhe vdekja ?-A do të mund të thoshte ai prapë: “ Aq  më bën “ apo “ Për mua njëlloj është”?

Ata dinë : (thoshte Mërsoi) ata , e bashkë me ta shoqëria, le ta mbajnë në ndërgjegje fajin e dënimit me vdekje.(Kamy mendonte se dënimi me vdekje duhej hequr- ide e shprehur edhe  në esenë “Mendime për gijotinën “ se dënimi me vdekje nuk është asgjë tjetër përpos hakmarrje !) 

Qysh në fjalinë e parë të romanit, kur merr vesh se e ëma ka vdekur , ai nuk i jep më rëndësi të ëmës që shkoi (vdiq), por i kushton vëmendje vetëm vdekjes që i shfaqet si vdekje e së ëmës; kur vdekja futet nën dhe bashkë me trupin e së ëmës , ai nuk u kushton më rëndësi as njërës e as tjetrës dhe është gati të shohë një film me aktorin komik Fernandel e të flejë me të dashurën e vet Marinë .Më vonë ai i del në mbrojtje fqinjit të vet, Rajmondit, në një ngatërresë me dy arabë. Rajmondi ka revole me vete (ai është një njeri jo i ndershëm dhe merret me punë të këqija) e ndihet trim,por Mërsoi ia merr armën duke e qortuar se burrat nuk qëllojnë mbi njerëz të pambrojtur: “ Mbërtheje si burrat dhe ma jep mua revolverin Po të ndërhyjë tjetri    apo po nxori thikën,do të shtie...Kur Rajmondi më dha revolverin, dielli vezulloi mbi të (kupto-armën)”[5]  

Po atë ditë, duke shëtitur i vetëm  nëpër plazhin e përzhitur nga dielli, Mërsoi rastësisht takon njërin prej arapëve që ishte zënë me Rajmondin.---“Sapo më pa(thotë Mërsoi-shënimi im),ai(e ka fjalën për arabin, i cili pas disa sekondave do të bëhet viktimë e tij)u ngrit dhe futi dorën në xhep. Unë , natyrisht, shtrëngova revolverin e Rajmondit në xhaketë”...Sytë m’u verbuan...U tendosa i tëri dhe shtrëngova dorën mbi revolver .Këmbëza u bind, preka trupin e lëmuar të qytës dhe pikërisht aty,në zhurmën e thatë e shurdhuese, filloi gjithçka. Shkunda djersën dhe diellin. E kuptova se e kisha prishur ekuilibrin e ditës, qetësinë e jashtëzakonshme të plazhit ku kisha qenë i lumtur. Atëherë qëllova dhe katër herë të tjera mbi një trup të palëvizshëm ku plumbat humbisnin pa u parë. Ishin si katër trokitje të shkurtra mbi portën fatkeqësisë.”[6] 

Gjykatësit e dënojnë me vdekje, sepse ky njeri ka zemër krimineli për shkak se nuk kishte derdhur asnjë pikë loti për nënën e vdekur etj .Gjithashtu, mund të themi se Mërsoi ishte i huaj për mjedisin arab në të cilin jeton :ai ka kryer një krim racor dhe për të pajtuar mërinë (inatin ) e arabëve gjyqi e dënon me vdekje. I revoltuar ndaj keqkuptimeve absurde, Mërsoit nuk i mbetet tjetër veç të urojë që “Ditën e ekzekutimit tim të kishte  sa më shumë njerëz dhe të më prisnin me britma e urrejtje”.[7]      
    
Dhe për fund, historia e Mërsoit tregon se njeriu duhet të jetë përgjegjës për veprimet e tij ,qofshin këto naive e të pafajshme, si dhe për pasojat që këto sjellin. Sepse, jeta nuk është synim në vetvete:rëndësi ka  çfarë jete bëjmë e për ç’qëllim e harxhojmë atë.[8]

Për Kamynë  “ I huaji “kishte vlerë të veçantë, mbasi me të u afirmua si shkrimtar i vërtetë. Romani “ I huaji “ shpreh në mënyrë më besnike gjithë begatinë e universit letrar kamyzian dhe ndikoi  në tërë gjysmën e dytë të shek.(XX )letrar francez, duke i dhënë impuls lindjes së letërsisë së Absurdit të viteve 50-60-të duke u bërë pararendës i Romanit të Ri të viteve 60-70-të, e duke ndikuar tek romancierët neoklasikë të viteve 80-90-të. I mirënjohur nga lexuesit,studiuesit e shkollarët e mbarë vendeve ,” I huaji” ka hyrë tashmë në fondin e letërsisë klasike të përbotshme.[9]

                       
frFrom: sabri zeqiri sabri.zeqiri63@gmail.comto: gazeta.shqip@hotmail.com
date: Mon, Apr 21, 2008 at 3:28 PMsubject: Nga Sabri Zeqiri-Kumanovë mailed-by: gmail.com
P.S. Ky shktim nuk u botua kurrë,bile as përgjigje nuk mora për mosbotimin e saj


[1] Po aty, faqe 10” Absurdi në veprat e Kamysë “-Sanije Bajraktari.(marrë nga revista “Fjala “,Prishtinë ,1986
3.Ardian Marashi,monografi:”Albert Kamy-njeriu,Mendimtati,Artisti,Shtëpia Botuese “Albas”Tiranë ,2004,fq.94
[3] Po aty-fq.95. A.Marashi
[4] Po aty,fq,95, A.Marashi...
[5] Alber Kamy,”I huaji”,Sh.B.”Fan Noli”Tiranë,fq.66
[6] Po aty, fq.68-69-70
[7] Po aty fq.137 (I HUAJI)
[8] Gjuha shqipe dhe letërsia 4(për gjimnazet e reformuara),Botime shkollore,Albas, Tetovë,2005
[9] Po aty, fq.344                                                                                                                                                                                                                                                                                            

Meditime rreth romanit “Grykës” të Fatmir Terziut



Shkruar nga: Viron KONA

Grykës



Në foto Viron Kona dhe Fatmir Terziu 2011

1.
I shkruar në një stil modern, që rrjedh natyrshëm dhe pa sforcime romani ”Grykës” i Fatmir Terziut, është sa tërheqës në të lexuar, aq edhe të vë në mendime. Të “detyron” të bësh një restrospektivë të kohëve që kaluan, që kalojnë, por që vetëm mendja dhe kujtesa i fikson dhe i shkruan, sepse, “lumi”, ka kohë që vijon rrëmbyeshëm rrugën e vetë, pa u ndalur deri sa derdhet në det dhe, atje, kripërat e lëngu jetësor bashkohen e shkrihen, bëhen njësh me të tërën.
Në të vërtetë, në këtë botë asgjë nuk humbet, vetëm transformohet, gjithçka është aty, në hapësirën e pafund, gjithçka lëviz e lëvrinë afër dhe larg nesh, qark nesh, midis nesh. “Arkiva më profesionale” dhe më e  saktë është koha. E, gjithsesi,  as ajo nuk do të mjaftonte, por do të qëndronte e heshtur, si statujat në një kopsht, që janë aq të bukura, por që nuk flasin, nuk kanë gojë. Është inteligjencia njerëzore, shkenca, arkeologjia, kultura, arti, letërsia, gazetaria, që na i sjellin herë pas here në kujtesë, pasuritë dhe vlerat e shumta njerëzore, madje edhe duke i shijuar, edhe duke  na ngjallur kënaqësi estetike, por edhe duke na sjellë pranë dhe brenda shpirtit tonë edhe dhembjet, që shpesh herë janë dramatike, tragjike, por edhe me bukuri tronditëse për nga forma dhe realizimi artistik.
Artistët dhe shkrimtarët u japin dukurive, ngjarjeve, gjithçka-je të kësaj bote, formë dhe gjallëri. I paraqesin dhe i bëjnë ato të dukshme, duke i zhveshur nga velloja e mjegullnajave të kohërave. Ata “i afrojnë”  ato pranë nesh, aq sa shpesh herë na duket se jemi pranë tyre, herë si vëzhgues, herë si pjesëmarrës aktivë; Ata i shfaqin ato, si sekuenca filmi, në ekranin e jetës dhe të  mendjes sonë,  u japin atyre  trajtë, formë, karakter, cilësi, veçori, dallime, degëzime…
2.
Fatmir Terziu në romanin e tij “Grykës” ka kapur një temë sa interesante për lexuesin, aq edhe origjinale në përmbajtje dhe në të shkruar, me një gjuhë të pastër dhe të rrjedhshme, që nuk të sjellë pengesa e vështirësi. Përkundrazi, të nxit të vijosh kureshtar leximin dhe, ç`është më e rëndësishme, të zhytesh i tëri në idetë e tij, të meditosh dhe të gjykosh kohët dhe kohën, të analizosh dhe të investigosh përmes “unit” tënd atë çfarë artisti ofron dhe për të cilën  duket sikur thërret: “Zgjohu, o njeri i mirë, mos dremit ! Jeta nuk është vetëm një kopsht ku rriten lule ! Jeta është edhe pamje, edhe përmbajtje. Ajo është edhe e bukur, por  edhe misterioze; dukuritë e saj janë  të  shpjegueshme dhe të pashpjegueshme. Trëndafili i bukur, lulja e dashurisë prej 5 mijë vjetësh (nga Persia e lashtë), poshtë fletëve,  fsheh edhe gjemba !   Shpesh jeta të “gënjen” me trillet, skenat dhe mizaskenat. Paraqitet, jo gjithmonë ashtu siç e sheh ose siç  e mendon e dëshiron. Dielli ka ngjyrë të bardhë, por, kur rrezet e tij mbërrijnë në Tokë, ai bëhet i argjendtë, merr llojshmëri ngjyrash. Veterinerët e dinë se “Qumështi, sa i bardhë është, aq edhe të “zeza” mban brenda.” “Dëbora është e zezë” ,  - thoshte filozofi i lashtë Anaksagora.
Grykësit  nuk kanë lindur sot, as dje. Ata kanë  lindur bashkë me ekzistencën e shoqërisë njerëzore, ata janë edhe të dikurshëm, edhe aktualë; vijojnë të vegjetojnë edhe sot. Vijojnë të bëjnë lojën tradicionale, të hedhin vallen sipas avazit të tyre, sipas kushteve dhe hapësirave që sajojnë mendjet e tyre të mbrapshta. Ata nuk kanë brirë, ata nuk janë as ciklopë, që të duken së largu; nuk shfaqen si fantazma, pavarësisht maskave të zeza dhe të frikshme që mbajnë herë-herë kur grabisin udhëtarët; ata nuk janë as ujqër që bredhin pyjeve, luginave dhe fshatrave për të shuar instinktet e tyre. Ata janë të vërtetë, ata janë real, ata janë njerëz, shpesh herë me petka të kushtueshme, me kostume, të parfumosur me dodorantë të cilësisë më të mirë, me këpucë lustrafinë…Ata nuk ndryshojnë nga pamja me të tjerët, ata duken njëlloj me të tjerët. Ata, rastis të ndodhen mes nesh. Ndodhë të përshëndetemi dhe të pimë edhe kafe, të qeshim dhe të dëgjojmë historitë dhe aventurat e tyre të trilluara, ndodh edhe t`i shohim në televizor duke na dhënë mësime ose duke na deklamuar për demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut; ata dinë edhe të derdhin lot përpara fatkeqësive të projektuara nga mendjet dhe  zagarët  e tyre..!
3.
Ndodh që prindit i vijnë paratë nga emigracioni, sepse ia ka dërguar biri i tij, sepse atij i  “ka ecur puna” atje në emigracion. Po cila punë? Sepse është pronar i një shtëpie publike, kur robëron dhe deformon, shëmton dhe shpërfytyron  vajzat e bukura të vendit të tij apo vendeve fqinj ? I “ka ecur” tregtia. Po cila tregti ? Ndodh që është  ajo “tregti” që drogon, që vjedh, që vret dhe mashtron dhe sjellë para kontrabandë, që dalin nga bankomatët si nga “gojë përbindëshash”? Ndodh, sepse, i ka ecur, sepse, është “menaxher” i zoti, sepse është marrë me trafik organesh ? Është bërë “politikan” i shkathët, sepse mbron një pjesë njerëzish, kundër një pjese tjetër, nisur nga aforizma e vjetër “përça e sundo !”. Cilësohet i zoti, sepse hedh farën e mirë, atje ku i intereson dhe lëvozhgat në pjesën tjetër, sepse ata të tjerët nuk janë “të tijtë”, sepse, sepse nuk votuan për të?
Sigurisht që grykësit, rrallë bëhen të dukshëm, rrallë zbulohen nga hetuesit dhe njerëzit e ligjit. Në mjaft raste, ata mbeten të pazbuluar, kthehen në të mistershëm ose, kur, më në fund u mbetet “dopjo gjashta” në dorë dhe diktohen, ata largohen menjëherë në “drejtim të paditur”.
4.
Dikush duhet ta bëj këtë zbulim, këtë demaskim; dikush duhet të marrë përgjegjësinë e denoncimit të kësaj “race” të shpërfytyruar njerëzore. Në mjaft raste, janë krijuesit, artistët, shkrimtarët, gazetarët, ata që i zbulojnë tipat dhe karakteret e tyre, që i portretizojnë dhe ia tregojnë mostrat e tyre shoqërisë, që ajo të marrë masa profilaktike mbrojtëse, siç merr mjekësia masa për t`u mbrojtur  nga epidemitë e sëmundjeve të këqija. A nuk është gazetaria e Fiksit në Shqipëri, që arrin të zbulojë dhe demaskoj trimërisht dhe me guxim disa prej këtyre lloj grykësve ? A nuk janë gazetarët dhe kameramanët, që zbulojnë dhe sjellin në vëmendjen e shikuesve të vendit  dhe botës, ngjarje tronditëse, që të tmerrojnë, edhe vetëm kur i dëgjon e i shikon ? A nuk flasin përditë gazetat me gjuhën e mprehtë të kritikës dhe të nevojës së përmirësimit të gjërave, të demaskimit të veseve dhe të atyre që janë të veshur kokë  këmbë ose janë korracuar si breshkat, me ato vese të shëmtuara?
Krijuesit, shkrimtarët, gazetarët, artistët janë të llojeve të ndryshme dhe të shumtë. Ata janë piktorë, si Francesko Goja me Gjigandin e tij dhe me “kapriçot”; si Vrubeli, me Demonin; si piktori çek Jozef Llada, që ilustroi aq mrekullisht romanin e njohur “Ushtari i mirë Shvejk”; si Servantesi, që krijoi dhe i rrëfeu botës Don Kishotin. Ata janë këngëtarë si Majkëll Xhekson, që i këndoi me aq dashuri fëmijëve të botës; ata janë si Pele dhe Maradona, që zgjojnë fantazitë dhe bëjnë të qeshin sytë ëndërrimtarë të fëmijëve e adoleshentëve; ata janë shkrimtarë si Zhyl Verni, që i bëjnë fëmijët, të rinjtë të ëndërrojnë dhe shkencëtarët të meditojnë rreth të vërtetave shkencore… Por shpesh ata janë edhe Bruno, që “inkuizicioni i vjetër ose modern” i  “djeg në turrën e druve”; janë edhe Galilej, që “inkuizitorët” i kërcënojnë të mos shfaqin liritë dhe idetë e përparuara. Madje, për këtë qëllim, për t`iu kundërvënë kritikave dhe lirive të shprehjeve të të vërtetave, grykësit vënë në punë  dhe hedhin në sulm edhe “gardën pretoriane, kalemxhinjtë servilë, që, i mbajnë si qenë besnik pas vetes, duke u hedhur ndonjë kockë…
Krijuesit, shkrimtarët, gazetarët, janë ata që i vuajnë jo rrallë pasojat e  zbulimit dhe demaskimit të mostrave. Ata shpesh e paguajnë deri edhe me jetë e persekutim kërkesën për drejtësi, për lirinë dhe dritën me të cilën u ndriçojnë udhën njerëzve, udhën e qëndresës dhe të mbrojtjes, të pafajshmëve, të varfërve, “skllevërve të kohëve moderne”.
5.
Lexoj dhe meditoj rreth romanit të Fatmir Terziut: futem në mendime dhe krijoj idenë se, nëpërmjet librit të tij, Terziu, duke na treguar pjesën e dukshme të ajsbergut, na ofron artistikisht edhe të padukshmen, atë që është dhe pjesa më e madhe, tre të katërtat e  copës së akullit gjigant.
Nëpërmjet dukurisë së grykësisë, autori i romanit, bën analiza metaforike, ndal për një çast akrepat e sahatit, vë gishtin në një pjesë të globit, më saktë në Ballkan, ndalet në Shqipëri dhe analizon e përjeton artistikisht një copëz të kohëve që jetojmë, dhe depërton në labirintet e saj, si Tezeu në pallatin e Knosit me ndihmën e fillit të  Ariadnës, dhe, atje ai tenton të demaskoj fort grykësit, që, si demi i pallatit labirint, kërkojnë fli njerëzorë.
Kudo dhe kurdoherë ka pasur labirinte. Evansi vetëm sa rrëmoi në Kretë dhe zbuloi pallatin e Knosit; Shlimani gërmoi në kodrën Isarllëk dhe zbuloi Trojën; të tjerë vijuan me zbulime të befasishme dhe të habitshme,  zbuluan piramida dhe shpella, qytetërime të lashta, vepra monumentale, sa të këndshme, aq edhe mendim sjellëse.
Fatmir Terziu përpiqet të ndriçoi një realitet të pjesshëm, të egër e të mistershëm njerëzor. Në veprën e tij kuptojmë edhe një herë se, është njeriu që bën edhe të mirën, edhe të keqen; edhe të bardhën edhe të zezën. Inkuizitorët dhe diktatorët, kufizonin dhe prangosnin dijet dhe mendimin e lirë; të tjerë individë që,  visheshin me “kostumin” e të perëndishmëve, prangosin dhe zhdukin si për sport dhe relaks gladiatorët. Në kohët, që sot quhen moderne, nuk ndodhin ato shfaqje të shëmtisë njerëzore, por të tjera dukuri e shëmti, të ndryshme nga forma, por mbase më të  egra në përmbajtje. Ato përmbajnë brenda ligësi të pa rrëfyera, një “lumen i moderuar” endet dhe vërtitet si fantazmë, si hije e zezë, “i pagëzuar”  me emrin  grykës, “i gjithëpushtetshëm”.
Ndodh që grykësit, ose keqbërësit në përgjithësi, i krahasojmë me kafshë. Por, kot u biem në qafë kafshëve të gjora. Ato, e bëjnë të keqen instiktivisht, nga dëshira e të ushqyerit, kurse grykësit e bëjnë sepse ashtu duan, e bëjnë me ndërgjegje, ata dinë se çfarë bëjnë.
Prej natyrës së shfaqjes në skenat e jetës të grykësve, gjykohen kohët. Hapen dhe mbyllen dosje, zarfe. Secili ia lë fajin dhe përgjegjësinë tjetrit. Ata janë diktatorë lokal ose rajonal, ndonjëherë, mbase edhe më shumë…!
-“Keq e ke punën”, – gjej një avokat të mirë ta mbyllësh çështjen!” Domethënë gjej një njeri, që quhet “avokat”, i cili është i zoti të shndërroj të zezën në të bardhë, natën në ditë, krimin në pafajësi. Dosjet mbyllen, zarfet hapen. Njeriu i gjorë mbetet pa mend, i hutuar, i çoroditur, sepse ajo që e mendon flori, i del qymyr.
Kështu kanë kaluar kohët në Shqipëri, në Ballkan… Duket sikur diçka ndryshon dhe, befas gjithçka prishet sa hap e mbyllë sytë. Bëhet diçka  e mirë dhe njerëzit e gjorë gëzojnë sinqerisht.
-Erdhën, erdhën ! – thërrasin.
-Kush?
-Dritat pra ! Ja, nata u bë ditë ! Shpejt, fike qiririn dhe hap televizorin se do dëgjojmë lajmet !
“Nxitojmë të ndezim ekranin,
Të kapim lajmin e lënë në mes,
Po  “Burrat e Shtetit” veç shanin
Dhe prapë asgjë në thes.
1).1). (Poezia”Burrat e Shtetit”, nga libri i shkëlqyer poetik ”Kohëbota” e F. Terziut).
Dhe njerëzit vijojnë bisedat e ankthshme:
-Erdhi uji, nuk  e ndjen gurgullimën !
-Shpejt, kovat, kazanët, kusitë. Ehe, sa qejf, edhe sot u zgjidh çështja e ujit. “Kuçedra” e lëshoi ujin, tani shpëtuam…!
Me sa pak gjëra, kënaqet varfëria !
-Tani shpejt të paguajmë dritat dhe ujin, duhet të jemi në rregull me ata të Çezit.
-Po, si shumë na ka ardhur kjo fatura e dritave, moj bijë?
-E po, nëno, ca paguajnë, sa s`paguajnë. Ato që s`paguajnë, do t`i paguajnë ata që paguajnë, domethënë, do t`i paguani ju, që paguani. E kuptove?
Qytetarja  qëndron krejt e stepur te sporteli. E ka të vështirë të zbulojë këtë “rebus” dhe, e sheh vajzën kamatë-mbledhëse e hutuar dhe pamundur të kuptoj këtë gjëegjëzë të frikshme dhe tronditëse.
-Është  kohë krize nëno, e  kupton?
-Eh, o bijë, e, e kupton nëna, si nuk e kupton. Është si sëmundja  e flamës kjo kriza. Por, çudi: gjysmën e kap dhe gjysmën s`e kap.
-Paske fjalë nëno, radha, tjetri ju lutem…!
Kurse, ata, grykësit zgërdhihen dhe hapin me zhurmë shishet e shampanjës…
Shumë gjëra nuk i ndal dot, ato janë konflikte të fuqishme  të natyrës njerëzore, por ndërhyrja, inteligjencia njerëzore, ka arritur që, ca gjëra t`i ndalë, ca gjëra t`i rregullojë  e përmirësojë, ca kufij t`i vendos. E, megjithatë, grykësit gjithnjë i gjejnë shtigjet që të përfitojnë. Ata spekulojnë me ide, abuzojnë me demokracinë,  himnizojnë të keqen e sheqerosur, mitizojnë diktatura dhe diktatorë të rinj, shkaktojnë konfuzion social, politik, ekonomik, sajojnë ngjarje që s`postojnë vëmendjen e shumicës…Ej, kush fiton 100 milionë ! Ej…Ej, Ej ! Dhe vallja e grykësve vazhdon. Daullet sa s`çahen nga gazi dhe hareja, klarineta në kupë të qiellit: “Shqipëria po ia kalon edhe…!”
Mjafton të sjellim ndërmend luftërat botërore, të përfytyrojmë “të mëdhenjtë” e botës që janë përpjekur të gjejnë rrugët e shpëtimit duke ndrequr një gabime me dhjetëra gabime të tjera, një faj, me dhjetëra faje të tjera. Një zinxhirë gabimesh dhe fajesh, ku viktimizohen njerëzia e varfër dhe, mbi ta, si korbat, ndodhen gjithnjë, ata, grykësit, grykësit, përfituesit, përbindëshat…
Në Luftën e Parë Botërore humbën jetën 20 milionë jetë njerëzish !? Në të dytën, thuajse trefish: 60 milionë jetë njerëzish ? ! Dhe, këto nuk u bënë para mijëra vjetësh, por vetëm brenda një harku 25 vjeçar, të shekullit të kaluar !?
Kush mund t`i “projektojë” këto tragjedi, veçse grykësit, të pangopurit, përbindëshit ?
6.
Fatmir Terziu  nuk i kërkon grykësit në qiell, nuk i kërkon në hapësirën kozmike dhe në xhungla, nuk i kërkon në thellësitë e shpellave të nëndheshme… Ai i  shikon me sytë  e mendjes dhe të krijimtarisë  rreth e qark, ku jetojnë dhe banojnë njerëzit e mirë dhe të  pafajshëm, por që ndihen të rrezikuar, ndihen dyshues dhe të pasigurt nga ajo që mund t`u ndodh. Askush nuk  është i imunizuar ndaj së keqes. Kjo, sepse çdo qëllim të tyre, Grykësit e bëjnë të lehtë dhe tërësisht të zbatueshme. Mjaftojnë që t`u shkoj në mendje dhe,  e bëjnë.
Grykësit buzëqeshin ëmbël. Në vend të një karameleje ose cigareje, i ofrojnë fëmijës dhe adoleshentit  pakëz drogë: “Ja, provoje vogëlush, e ndjenë sa e mirë është ! Mos më thuaj se nuk të shijon ! Apo jo? Eh, sa e bukur është jeta ! Jetoje djalosh, jetoje, mos humb kohë me shkollë e libra, as me punë. Puna është për buajt, që tërheqin parmendën; për kuajt, mbi të cilët hipin donkishotët; për gomarët, që ngarkohen me dru…!”
Dhe, fëmija i pafajshëm, si peshku i padjallëzuar, bie në grepat dhe rrjetat e këtyre egërsirave.
Askush nuk  e ka të lehtë të luftojë grykësit, sepse ata janë si amfibët, që, kur u pret një pjesë të trupit, kanë vetinë që të rriten e zhvillohen përsëri. Kjo na sjellë ndërmend legjendat e lashta, luftën  e Samsonit me kuçedrën me shtatë kokë, që, kur ai priste njërën kokë, dilte tjetra. Atëherë ai gjeti mënyrën e djegies së tyre me zjarr. Ndaj grykësve ka masa shtrënguese. Përpara ligjit dhe  lirisë, janë dhe duhet të jenë të gjithë të barabartë. Jo ca të nënës, ca të njerkës. Liria është për të gjithë, por me rregulla dhe ligje. Liria është për të gjithë, por ka  cakun, deri atje ku nuk e cenon lirinë e tjetrit. Jo më kot e sjellim dhe  e risjellim në mendje dhe në shkrime proverbin e vjetër anglez, tashmë i sanksionuar në kushtetutën amerikane:  “Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë”.
7.
Fatmir Terziu analizon grykësit në natyrshmërinë e tyre, pa fishekzjarrë dhe pa shfaqje spektakulare, formale e butaforike. Ai i sjellë ata përpara lexuesit në mënyrën e thjeshtë të paraqitjes, si njerëz të zakonshëm në dukje, por si përbindësha në shpirt.
Nuk janë krijuar më kot kameleonët, që shikojnë edhe para, edhe pas dhe, që, ndërrojnë ngjyrat aq herë sa u nevojiten. Me dukjen e saj, dhelpra e mashtroi dhe iu gëzua fitores që, arriti t`i rrëmbej djathin korbit, nëpërmjet hiles frytdhënëse. Krokodilët, rrinë symbyllur sikur flenë gjumë dhe e gëlltisin sa hap e mbyllë sytë viktimën e tyre. Koralet e bukura të detit, që lëkundin flatrat si të duan të kënaqin gjallesat e tjera që venë e vinë përqark tyre, papritmas mbyllin krahët bukur si flutura dhe i gëlltisin dhe i tresin si ushqim të tyre. Merimangat, endin e thurin pa pushim mjeshtërisht, saqë do t`i kishte zili çdo endës e arkitekt, rrjetat e tyre të  “peshkimit” dhe, të gjithë këtë, për të realizuar një qëllim: grykësinë.
Shfaqjet e grykësve janë të shumanshme, janë të shumëllojshme, me shumë kolor, me figura dhe zbukurime tërheqëse, gati marramendëse, por që kanë vetëm një gjë të përbashkët, brenda shpirtit janë të zinj. “Grykësit”, që lëvrijnë e zvarriten si gjarpërinjtë në romanin e Fatmir Terziut, nuk lëvizin si pistolierët e dikurshëm me kuaj dhe pistoleta, por rrugëtojnë me makina luksoze, me kamionë, madje janë të lyer me dodorantë të kushtueshëm dhe nëpër gishta e qafa mbajnë unaza e zinxhirë të florinjtë, margaritarë të nxjerrë nga fundi i deteve dhe oqeaneve. Kuletat e tyre janë plot gjithnjë. Ata janë të perfeksionuar në artin e përgjimit dhe të investigimit, ata janë ndjekës dhe kanë rrjete spiunësh që do ta kishte zili çdo agjensi, e ngritur nga njeriu në shërbim të tij. Ata dinë të ndjekin lehtë-lehtë, të studiojnë tekat, zakonet, koordinatat dhe korridoret e lëvizjeve të viktimave të tyre. Në çastin e duhur, pranë viktimës hapet një derë makine dhe vajza përfundon mes dy – tri mjekroshëve, që zgërdhihen, duke shprehur kënaqësinë e mjeshtërisë së tyre përmes dhëmbëve të krimbur e të palarë, sepse, e  kapën, shumë, lehtë, ashtu siç e kishin parashikuar  “gjahun”, që do t`ia dhurojnë bosit të tyre. Pastaj, shpejt në gomone, pse jo,  edhe në traget, madje edhe në Kroçiera. Kalorësit e zinj e çojnë  “princeshën” e tyre në pallatin e ligjshëm publik, ku klithmat dhe të qarat ngashrryese të vajzave, mbyten nga epshet kafshërore… Teksa, prindi i gjorë, pret e pret bijën, krijesën e   tij të dashur; më kot…!
Nuk duhen thënë të gjitha në letërsi, është vetë lexuesi që, shpesh herë e nxjerrë përfundimin. Nuk thonë kot që libri i mirë, fillon atëherë kur t`i ke mbyllur edhe fletën e fundit të tij dhe zë e vihesh në mendime rreth atyre që ke lexuar. Terziu ia ka arritur kësaj aksiome. Më së miri.
I dashur Fatmir!
Të falënderojmë për këtë roman. Nuk u mora me kompozicionin, as me figuracionin poetik mjeshtërisht të përdorur, as me fjalinë e ndërtuar bukur dhe të qartë e lehtësisht të kuptueshme. Për këto mund të flas edhe në ndonjë shkrim tjetër, sepse ato përbëjnë vlera të  vërteta artistike të këtij romani. Por, u përpoqa të kap thelbin ideor të tij. Dhe, në këtë çështje, shpreha ato që ndjeva. Ti i jep  ndihmë njerëzve me këtë roman; t`i u hap sytë, atyre që nuk duan të shikojnë; u hap veshët, atyre që nuk duan të dëgjojnë; u hap gojët, atyre që nuk duan të flasin.
Të falënderojmë për këtë kambanë drithëruese, që pena jote e artë na e solli mes nesh, miku im. Kam dashur t`i shprehë këto mendime edhe më parë. Edhe i kam përpunuar, edhe i kam latuar, edhe i kam përfytyruar me mendjen time. Mbase dikush mund të mendoj se, edhe i kam zmadhuar. Por, unë kështu i kuptoj grykësit, kështu i shohë në jetë, në filma, në art e letërsi, në kronikën e zezë të gazetave, në gjyqet që zhvillohen…Nuk mund të shpëtojmë dot prej tyre, po nuk i denoncuam, po nuk i zhveshëm nga hijet, po nuk u zbuluam maskat…
Në përfundim, dhashë e mora, e i vura veshin asaj fjalës:   “Thuaj ashtu siç i ke mendimet”. Nëse të burojnë nga zemra, do të të besojnë. Nëse të burojnë nga shpirti, do të të besojnë. Pas këtyre fjalive, që po rrekem të argumentoj mendimin tim, më mirë po i drejtohem Gëtes, kur thotë: “Zemra juaj s`do të fitoj shoqe, kur nuk ju del nga zemra ajo që thoni”. E besoj dhe e vlerësoj shumë këtë shprehje të cituar nga “Fausti” i Gëtes së madhërishëm,  ashtu, siç i besoj edhe zemrës tënde, i dashur miku im i mirë,  me romanin tënd të përkryer. Urime!

prof.dr. Bajram Begaj ; Presidenti i Republikës së Shqipërisë , mori pjesë sot në ceremoninë e 50-vjetorit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të zhvilluar në Prishtinë.

  Nga Akademik Prof.dr. Flori Bruqi  Në vijim, Presidenti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe asa...