Shkruar nga: Viron KONA
Grykës
1.
I shkruar në një stil modern, që rrjedh natyrshëm dhe pa sforcime romani ”Grykës” i Fatmir Terziut, është sa tërheqës në të lexuar, aq edhe të vë në mendime. Të “detyron” të bësh një restrospektivë të kohëve që kaluan, që kalojnë, por që vetëm mendja dhe kujtesa i fikson dhe i shkruan, sepse, “lumi”, ka kohë që vijon rrëmbyeshëm rrugën e vetë, pa u ndalur deri sa derdhet në det dhe, atje, kripërat e lëngu jetësor bashkohen e shkrihen, bëhen njësh me të tërën.
Në të vërtetë, në këtë botë asgjë nuk humbet, vetëm transformohet, gjithçka është aty, në hapësirën e pafund, gjithçka lëviz e lëvrinë afër dhe larg nesh, qark nesh, midis nesh. “Arkiva më profesionale” dhe më e saktë është koha. E, gjithsesi, as ajo nuk do të mjaftonte, por do të qëndronte e heshtur, si statujat në një kopsht, që janë aq të bukura, por që nuk flasin, nuk kanë gojë. Është inteligjencia njerëzore, shkenca, arkeologjia, kultura, arti, letërsia, gazetaria, që na i sjellin herë pas here në kujtesë, pasuritë dhe vlerat e shumta njerëzore, madje edhe duke i shijuar, edhe duke na ngjallur kënaqësi estetike, por edhe duke na sjellë pranë dhe brenda shpirtit tonë edhe dhembjet, që shpesh herë janë dramatike, tragjike, por edhe me bukuri tronditëse për nga forma dhe realizimi artistik.
Artistët dhe shkrimtarët u japin dukurive, ngjarjeve, gjithçka-je të kësaj bote, formë dhe gjallëri. I paraqesin dhe i bëjnë ato të dukshme, duke i zhveshur nga velloja e mjegullnajave të kohërave. Ata “i afrojnë” ato pranë nesh, aq sa shpesh herë na duket se jemi pranë tyre, herë si vëzhgues, herë si pjesëmarrës aktivë; Ata i shfaqin ato, si sekuenca filmi, në ekranin e jetës dhe të mendjes sonë, u japin atyre trajtë, formë, karakter, cilësi, veçori, dallime, degëzime…
2.
Fatmir Terziu në romanin e tij “Grykës” ka kapur një temë sa interesante për lexuesin, aq edhe origjinale në përmbajtje dhe në të shkruar, me një gjuhë të pastër dhe të rrjedhshme, që nuk të sjellë pengesa e vështirësi. Përkundrazi, të nxit të vijosh kureshtar leximin dhe, ç`është më e rëndësishme, të zhytesh i tëri në idetë e tij, të meditosh dhe të gjykosh kohët dhe kohën, të analizosh dhe të investigosh përmes “unit” tënd atë çfarë artisti ofron dhe për të cilën duket sikur thërret: “Zgjohu, o njeri i mirë, mos dremit ! Jeta nuk është vetëm një kopsht ku rriten lule ! Jeta është edhe pamje, edhe përmbajtje. Ajo është edhe e bukur, por edhe misterioze; dukuritë e saj janë të shpjegueshme dhe të pashpjegueshme. Trëndafili i bukur, lulja e dashurisë prej 5 mijë vjetësh (nga Persia e lashtë), poshtë fletëve, fsheh edhe gjemba ! Shpesh jeta të “gënjen” me trillet, skenat dhe mizaskenat. Paraqitet, jo gjithmonë ashtu siç e sheh ose siç e mendon e dëshiron. Dielli ka ngjyrë të bardhë, por, kur rrezet e tij mbërrijnë në Tokë, ai bëhet i argjendtë, merr llojshmëri ngjyrash. Veterinerët e dinë se “Qumështi, sa i bardhë është, aq edhe të “zeza” mban brenda.” “Dëbora është e zezë” , - thoshte filozofi i lashtë Anaksagora.
Grykësit nuk kanë lindur sot, as dje. Ata kanë lindur bashkë me ekzistencën e shoqërisë njerëzore, ata janë edhe të dikurshëm, edhe aktualë; vijojnë të vegjetojnë edhe sot. Vijojnë të bëjnë lojën tradicionale, të hedhin vallen sipas avazit të tyre, sipas kushteve dhe hapësirave që sajojnë mendjet e tyre të mbrapshta. Ata nuk kanë brirë, ata nuk janë as ciklopë, që të duken së largu; nuk shfaqen si fantazma, pavarësisht maskave të zeza dhe të frikshme që mbajnë herë-herë kur grabisin udhëtarët; ata nuk janë as ujqër që bredhin pyjeve, luginave dhe fshatrave për të shuar instinktet e tyre. Ata janë të vërtetë, ata janë real, ata janë njerëz, shpesh herë me petka të kushtueshme, me kostume, të parfumosur me dodorantë të cilësisë më të mirë, me këpucë lustrafinë…Ata nuk ndryshojnë nga pamja me të tjerët, ata duken njëlloj me të tjerët. Ata, rastis të ndodhen mes nesh. Ndodhë të përshëndetemi dhe të pimë edhe kafe, të qeshim dhe të dëgjojmë historitë dhe aventurat e tyre të trilluara, ndodh edhe t`i shohim në televizor duke na dhënë mësime ose duke na deklamuar për demokracinë, liritë dhe të drejtat e njeriut; ata dinë edhe të derdhin lot përpara fatkeqësive të projektuara nga mendjet dhe zagarët e tyre..!
3.
Ndodh që prindit i vijnë paratë nga emigracioni, sepse ia ka dërguar biri i tij, sepse atij i “ka ecur puna” atje në emigracion. Po cila punë? Sepse është pronar i një shtëpie publike, kur robëron dhe deformon, shëmton dhe shpërfytyron vajzat e bukura të vendit të tij apo vendeve fqinj ? I “ka ecur” tregtia. Po cila tregti ? Ndodh që është ajo “tregti” që drogon, që vjedh, që vret dhe mashtron dhe sjellë para kontrabandë, që dalin nga bankomatët si nga “gojë përbindëshash”? Ndodh, sepse, i ka ecur, sepse, është “menaxher” i zoti, sepse është marrë me trafik organesh ? Është bërë “politikan” i shkathët, sepse mbron një pjesë njerëzish, kundër një pjese tjetër, nisur nga aforizma e vjetër “përça e sundo !”. Cilësohet i zoti, sepse hedh farën e mirë, atje ku i intereson dhe lëvozhgat në pjesën tjetër, sepse ata të tjerët nuk janë “të tijtë”, sepse, sepse nuk votuan për të?
Sigurisht që grykësit, rrallë bëhen të dukshëm, rrallë zbulohen nga hetuesit dhe njerëzit e ligjit. Në mjaft raste, ata mbeten të pazbuluar, kthehen në të mistershëm ose, kur, më në fund u mbetet “dopjo gjashta” në dorë dhe diktohen, ata largohen menjëherë në “drejtim të paditur”.
4.
Dikush duhet ta bëj këtë zbulim, këtë demaskim; dikush duhet të marrë përgjegjësinë e denoncimit të kësaj “race” të shpërfytyruar njerëzore. Në mjaft raste, janë krijuesit, artistët, shkrimtarët, gazetarët, ata që i zbulojnë tipat dhe karakteret e tyre, që i portretizojnë dhe ia tregojnë mostrat e tyre shoqërisë, që ajo të marrë masa profilaktike mbrojtëse, siç merr mjekësia masa për t`u mbrojtur nga epidemitë e sëmundjeve të këqija. A nuk është gazetaria e Fiksit në Shqipëri, që arrin të zbulojë dhe demaskoj trimërisht dhe me guxim disa prej këtyre lloj grykësve ? A nuk janë gazetarët dhe kameramanët, që zbulojnë dhe sjellin në vëmendjen e shikuesve të vendit dhe botës, ngjarje tronditëse, që të tmerrojnë, edhe vetëm kur i dëgjon e i shikon ? A nuk flasin përditë gazetat me gjuhën e mprehtë të kritikës dhe të nevojës së përmirësimit të gjërave, të demaskimit të veseve dhe të atyre që janë të veshur kokë këmbë ose janë korracuar si breshkat, me ato vese të shëmtuara?
Krijuesit, shkrimtarët, gazetarët, artistët janë të llojeve të ndryshme dhe të shumtë. Ata janë piktorë, si Francesko Goja me Gjigandin e tij dhe me “kapriçot”; si Vrubeli, me Demonin; si piktori çek Jozef Llada, që ilustroi aq mrekullisht romanin e njohur “Ushtari i mirë Shvejk”; si Servantesi, që krijoi dhe i rrëfeu botës Don Kishotin. Ata janë këngëtarë si Majkëll Xhekson, që i këndoi me aq dashuri fëmijëve të botës; ata janë si Pele dhe Maradona, që zgjojnë fantazitë dhe bëjnë të qeshin sytë ëndërrimtarë të fëmijëve e adoleshentëve; ata janë shkrimtarë si Zhyl Verni, që i bëjnë fëmijët, të rinjtë të ëndërrojnë dhe shkencëtarët të meditojnë rreth të vërtetave shkencore… Por shpesh ata janë edhe Bruno, që “inkuizicioni i vjetër ose modern” i “djeg në turrën e druve”; janë edhe Galilej, që “inkuizitorët” i kërcënojnë të mos shfaqin liritë dhe idetë e përparuara. Madje, për këtë qëllim, për t`iu kundërvënë kritikave dhe lirive të shprehjeve të të vërtetave, grykësit vënë në punë dhe hedhin në sulm edhe “gardën pretoriane, kalemxhinjtë servilë, që, i mbajnë si qenë besnik pas vetes, duke u hedhur ndonjë kockë…
Krijuesit, shkrimtarët, gazetarët, janë ata që i vuajnë jo rrallë pasojat e zbulimit dhe demaskimit të mostrave. Ata shpesh e paguajnë deri edhe me jetë e persekutim kërkesën për drejtësi, për lirinë dhe dritën me të cilën u ndriçojnë udhën njerëzve, udhën e qëndresës dhe të mbrojtjes, të pafajshmëve, të varfërve, “skllevërve të kohëve moderne”.
5.
Lexoj dhe meditoj rreth romanit të Fatmir Terziut: futem në mendime dhe krijoj idenë se, nëpërmjet librit të tij, Terziu, duke na treguar pjesën e dukshme të ajsbergut, na ofron artistikisht edhe të padukshmen, atë që është dhe pjesa më e madhe, tre të katërtat e copës së akullit gjigant.
Nëpërmjet dukurisë së grykësisë, autori i romanit, bën analiza metaforike, ndal për një çast akrepat e sahatit, vë gishtin në një pjesë të globit, më saktë në Ballkan, ndalet në Shqipëri dhe analizon e përjeton artistikisht një copëz të kohëve që jetojmë, dhe depërton në labirintet e saj, si Tezeu në pallatin e Knosit me ndihmën e fillit të Ariadnës, dhe, atje ai tenton të demaskoj fort grykësit, që, si demi i pallatit labirint, kërkojnë fli njerëzorë.
Kudo dhe kurdoherë ka pasur labirinte. Evansi vetëm sa rrëmoi në Kretë dhe zbuloi pallatin e Knosit; Shlimani gërmoi në kodrën Isarllëk dhe zbuloi Trojën; të tjerë vijuan me zbulime të befasishme dhe të habitshme, zbuluan piramida dhe shpella, qytetërime të lashta, vepra monumentale, sa të këndshme, aq edhe mendim sjellëse.
Fatmir Terziu përpiqet të ndriçoi një realitet të pjesshëm, të egër e të mistershëm njerëzor. Në veprën e tij kuptojmë edhe një herë se, është njeriu që bën edhe të mirën, edhe të keqen; edhe të bardhën edhe të zezën. Inkuizitorët dhe diktatorët, kufizonin dhe prangosnin dijet dhe mendimin e lirë; të tjerë individë që, visheshin me “kostumin” e të perëndishmëve, prangosin dhe zhdukin si për sport dhe relaks gladiatorët. Në kohët, që sot quhen moderne, nuk ndodhin ato shfaqje të shëmtisë njerëzore, por të tjera dukuri e shëmti, të ndryshme nga forma, por mbase më të egra në përmbajtje. Ato përmbajnë brenda ligësi të pa rrëfyera, një “lumen i moderuar” endet dhe vërtitet si fantazmë, si hije e zezë, “i pagëzuar” me emrin grykës, “i gjithëpushtetshëm”.
Ndodh që grykësit, ose keqbërësit në përgjithësi, i krahasojmë me kafshë. Por, kot u biem në qafë kafshëve të gjora. Ato, e bëjnë të keqen instiktivisht, nga dëshira e të ushqyerit, kurse grykësit e bëjnë sepse ashtu duan, e bëjnë me ndërgjegje, ata dinë se çfarë bëjnë.
Prej natyrës së shfaqjes në skenat e jetës të grykësve, gjykohen kohët. Hapen dhe mbyllen dosje, zarfe. Secili ia lë fajin dhe përgjegjësinë tjetrit. Ata janë diktatorë lokal ose rajonal, ndonjëherë, mbase edhe më shumë…!
-“Keq e ke punën”, – gjej një avokat të mirë ta mbyllësh çështjen!” Domethënë gjej një njeri, që quhet “avokat”, i cili është i zoti të shndërroj të zezën në të bardhë, natën në ditë, krimin në pafajësi. Dosjet mbyllen, zarfet hapen. Njeriu i gjorë mbetet pa mend, i hutuar, i çoroditur, sepse ajo që e mendon flori, i del qymyr.
Kështu kanë kaluar kohët në Shqipëri, në Ballkan… Duket sikur diçka ndryshon dhe, befas gjithçka prishet sa hap e mbyllë sytë. Bëhet diçka e mirë dhe njerëzit e gjorë gëzojnë sinqerisht.
-Erdhën, erdhën ! – thërrasin.
-Kush?
-Dritat pra ! Ja, nata u bë ditë ! Shpejt, fike qiririn dhe hap televizorin se do dëgjojmë lajmet !
“Nxitojmë të ndezim ekranin,
Të kapim lajmin e lënë në mes,
Po “Burrat e Shtetit” veç shanin
Dhe prapë asgjë në thes.
1).1). (Poezia”Burrat e Shtetit”, nga libri i shkëlqyer poetik ”Kohëbota” e F. Terziut).
Dhe njerëzit vijojnë bisedat e ankthshme:
-Erdhi uji, nuk e ndjen gurgullimën !
-Shpejt, kovat, kazanët, kusitë. Ehe, sa qejf, edhe sot u zgjidh çështja e ujit. “Kuçedra” e lëshoi ujin, tani shpëtuam…!
Me sa pak gjëra, kënaqet varfëria !
-Tani shpejt të paguajmë dritat dhe ujin, duhet të jemi në rregull me ata të Çezit.
-Po, si shumë na ka ardhur kjo fatura e dritave, moj bijë?
-E po, nëno, ca paguajnë, sa s`paguajnë. Ato që s`paguajnë, do t`i paguajnë ata që paguajnë, domethënë, do t`i paguani ju, që paguani. E kuptove?
Qytetarja qëndron krejt e stepur te sporteli. E ka të vështirë të zbulojë këtë “rebus” dhe, e sheh vajzën kamatë-mbledhëse e hutuar dhe pamundur të kuptoj këtë gjëegjëzë të frikshme dhe tronditëse.
-Është kohë krize nëno, e kupton?
-Eh, o bijë, e, e kupton nëna, si nuk e kupton. Është si sëmundja e flamës kjo kriza. Por, çudi: gjysmën e kap dhe gjysmën s`e kap.
-Paske fjalë nëno, radha, tjetri ju lutem…!
Kurse, ata, grykësit zgërdhihen dhe hapin me zhurmë shishet e shampanjës…
Shumë gjëra nuk i ndal dot, ato janë konflikte të fuqishme të natyrës njerëzore, por ndërhyrja, inteligjencia njerëzore, ka arritur që, ca gjëra t`i ndalë, ca gjëra t`i rregullojë e përmirësojë, ca kufij t`i vendos. E, megjithatë, grykësit gjithnjë i gjejnë shtigjet që të përfitojnë. Ata spekulojnë me ide, abuzojnë me demokracinë, himnizojnë të keqen e sheqerosur, mitizojnë diktatura dhe diktatorë të rinj, shkaktojnë konfuzion social, politik, ekonomik, sajojnë ngjarje që s`postojnë vëmendjen e shumicës…Ej, kush fiton 100 milionë ! Ej…Ej, Ej ! Dhe vallja e grykësve vazhdon. Daullet sa s`çahen nga gazi dhe hareja, klarineta në kupë të qiellit: “Shqipëria po ia kalon edhe…!”
Mjafton të sjellim ndërmend luftërat botërore, të përfytyrojmë “të mëdhenjtë” e botës që janë përpjekur të gjejnë rrugët e shpëtimit duke ndrequr një gabime me dhjetëra gabime të tjera, një faj, me dhjetëra faje të tjera. Një zinxhirë gabimesh dhe fajesh, ku viktimizohen njerëzia e varfër dhe, mbi ta, si korbat, ndodhen gjithnjë, ata, grykësit, grykësit, përfituesit, përbindëshat…
Në Luftën e Parë Botërore humbën jetën 20 milionë jetë njerëzish !? Në të dytën, thuajse trefish: 60 milionë jetë njerëzish ? ! Dhe, këto nuk u bënë para mijëra vjetësh, por vetëm brenda një harku 25 vjeçar, të shekullit të kaluar !?
Kush mund t`i “projektojë” këto tragjedi, veçse grykësit, të pangopurit, përbindëshit ?
6.
Fatmir Terziu nuk i kërkon grykësit në qiell, nuk i kërkon në hapësirën kozmike dhe në xhungla, nuk i kërkon në thellësitë e shpellave të nëndheshme… Ai i shikon me sytë e mendjes dhe të krijimtarisë rreth e qark, ku jetojnë dhe banojnë njerëzit e mirë dhe të pafajshëm, por që ndihen të rrezikuar, ndihen dyshues dhe të pasigurt nga ajo që mund t`u ndodh. Askush nuk është i imunizuar ndaj së keqes. Kjo, sepse çdo qëllim të tyre, Grykësit e bëjnë të lehtë dhe tërësisht të zbatueshme. Mjaftojnë që t`u shkoj në mendje dhe, e bëjnë.
Grykësit buzëqeshin ëmbël. Në vend të një karameleje ose cigareje, i ofrojnë fëmijës dhe adoleshentit pakëz drogë: “Ja, provoje vogëlush, e ndjenë sa e mirë është ! Mos më thuaj se nuk të shijon ! Apo jo? Eh, sa e bukur është jeta ! Jetoje djalosh, jetoje, mos humb kohë me shkollë e libra, as me punë. Puna është për buajt, që tërheqin parmendën; për kuajt, mbi të cilët hipin donkishotët; për gomarët, që ngarkohen me dru…!”
Dhe, fëmija i pafajshëm, si peshku i padjallëzuar, bie në grepat dhe rrjetat e këtyre egërsirave.
Askush nuk e ka të lehtë të luftojë grykësit, sepse ata janë si amfibët, që, kur u pret një pjesë të trupit, kanë vetinë që të rriten e zhvillohen përsëri. Kjo na sjellë ndërmend legjendat e lashta, luftën e Samsonit me kuçedrën me shtatë kokë, që, kur ai priste njërën kokë, dilte tjetra. Atëherë ai gjeti mënyrën e djegies së tyre me zjarr. Ndaj grykësve ka masa shtrënguese. Përpara ligjit dhe lirisë, janë dhe duhet të jenë të gjithë të barabartë. Jo ca të nënës, ca të njerkës. Liria është për të gjithë, por me rregulla dhe ligje. Liria është për të gjithë, por ka cakun, deri atje ku nuk e cenon lirinë e tjetrit. Jo më kot e sjellim dhe e risjellim në mendje dhe në shkrime proverbin e vjetër anglez, tashmë i sanksionuar në kushtetutën amerikane: “Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë”.
7.
Fatmir Terziu analizon grykësit në natyrshmërinë e tyre, pa fishekzjarrë dhe pa shfaqje spektakulare, formale e butaforike. Ai i sjellë ata përpara lexuesit në mënyrën e thjeshtë të paraqitjes, si njerëz të zakonshëm në dukje, por si përbindësha në shpirt.
Nuk janë krijuar më kot kameleonët, që shikojnë edhe para, edhe pas dhe, që, ndërrojnë ngjyrat aq herë sa u nevojiten. Me dukjen e saj, dhelpra e mashtroi dhe iu gëzua fitores që, arriti t`i rrëmbej djathin korbit, nëpërmjet hiles frytdhënëse. Krokodilët, rrinë symbyllur sikur flenë gjumë dhe e gëlltisin sa hap e mbyllë sytë viktimën e tyre. Koralet e bukura të detit, që lëkundin flatrat si të duan të kënaqin gjallesat e tjera që venë e vinë përqark tyre, papritmas mbyllin krahët bukur si flutura dhe i gëlltisin dhe i tresin si ushqim të tyre. Merimangat, endin e thurin pa pushim mjeshtërisht, saqë do t`i kishte zili çdo endës e arkitekt, rrjetat e tyre të “peshkimit” dhe, të gjithë këtë, për të realizuar një qëllim: grykësinë.
Shfaqjet e grykësve janë të shumanshme, janë të shumëllojshme, me shumë kolor, me figura dhe zbukurime tërheqëse, gati marramendëse, por që kanë vetëm një gjë të përbashkët, brenda shpirtit janë të zinj. “Grykësit”, që lëvrijnë e zvarriten si gjarpërinjtë në romanin e Fatmir Terziut, nuk lëvizin si pistolierët e dikurshëm me kuaj dhe pistoleta, por rrugëtojnë me makina luksoze, me kamionë, madje janë të lyer me dodorantë të kushtueshëm dhe nëpër gishta e qafa mbajnë unaza e zinxhirë të florinjtë, margaritarë të nxjerrë nga fundi i deteve dhe oqeaneve. Kuletat e tyre janë plot gjithnjë. Ata janë të perfeksionuar në artin e përgjimit dhe të investigimit, ata janë ndjekës dhe kanë rrjete spiunësh që do ta kishte zili çdo agjensi, e ngritur nga njeriu në shërbim të tij. Ata dinë të ndjekin lehtë-lehtë, të studiojnë tekat, zakonet, koordinatat dhe korridoret e lëvizjeve të viktimave të tyre. Në çastin e duhur, pranë viktimës hapet një derë makine dhe vajza përfundon mes dy – tri mjekroshëve, që zgërdhihen, duke shprehur kënaqësinë e mjeshtërisë së tyre përmes dhëmbëve të krimbur e të palarë, sepse, e kapën, shumë, lehtë, ashtu siç e kishin parashikuar “gjahun”, që do t`ia dhurojnë bosit të tyre. Pastaj, shpejt në gomone, pse jo, edhe në traget, madje edhe në Kroçiera. Kalorësit e zinj e çojnë “princeshën” e tyre në pallatin e ligjshëm publik, ku klithmat dhe të qarat ngashrryese të vajzave, mbyten nga epshet kafshërore… Teksa, prindi i gjorë, pret e pret bijën, krijesën e tij të dashur; më kot…!
Nuk duhen thënë të gjitha në letërsi, është vetë lexuesi që, shpesh herë e nxjerrë përfundimin. Nuk thonë kot që libri i mirë, fillon atëherë kur t`i ke mbyllur edhe fletën e fundit të tij dhe zë e vihesh në mendime rreth atyre që ke lexuar. Terziu ia ka arritur kësaj aksiome. Më së miri.
I dashur Fatmir!
Të falënderojmë për këtë roman. Nuk u mora me kompozicionin, as me figuracionin poetik mjeshtërisht të përdorur, as me fjalinë e ndërtuar bukur dhe të qartë e lehtësisht të kuptueshme. Për këto mund të flas edhe në ndonjë shkrim tjetër, sepse ato përbëjnë vlera të vërteta artistike të këtij romani. Por, u përpoqa të kap thelbin ideor të tij. Dhe, në këtë çështje, shpreha ato që ndjeva. Ti i jep ndihmë njerëzve me këtë roman; t`i u hap sytë, atyre që nuk duan të shikojnë; u hap veshët, atyre që nuk duan të dëgjojnë; u hap gojët, atyre që nuk duan të flasin.
Të falënderojmë për këtë kambanë drithëruese, që pena jote e artë na e solli mes nesh, miku im. Kam dashur t`i shprehë këto mendime edhe më parë. Edhe i kam përpunuar, edhe i kam latuar, edhe i kam përfytyruar me mendjen time. Mbase dikush mund të mendoj se, edhe i kam zmadhuar. Por, unë kështu i kuptoj grykësit, kështu i shohë në jetë, në filma, në art e letërsi, në kronikën e zezë të gazetave, në gjyqet që zhvillohen…Nuk mund të shpëtojmë dot prej tyre, po nuk i denoncuam, po nuk i zhveshëm nga hijet, po nuk u zbuluam maskat…
Në përfundim, dhashë e mora, e i vura veshin asaj fjalës: “Thuaj ashtu siç i ke mendimet”. Nëse të burojnë nga zemra, do të të besojnë. Nëse të burojnë nga shpirti, do të të besojnë. Pas këtyre fjalive, që po rrekem të argumentoj mendimin tim, më mirë po i drejtohem Gëtes, kur thotë: “Zemra juaj s`do të fitoj shoqe, kur nuk ju del nga zemra ajo që thoni”. E besoj dhe e vlerësoj shumë këtë shprehje të cituar nga “Fausti” i Gëtes së madhërishëm, ashtu, siç i besoj edhe zemrës tënde, i dashur miku im i mirë, me romanin tënd të përkryer. Urime!