Nga Flori Bruqi-Prishtinë
Naim Sali Kelmendi lindi më 10.09.1959 në Ruhot të Pejës.Rrjedh nga një familje e njohur për tradita patriotike në Rrafshin e Dugagjinit.Ëshë biri i nacionalistit të mirënjohur Salih Ramë Kelmendi nga Haxhaj -Rugovë. Për të parët e familjes së tij është shkruar edhe në “Lahutën e Malësisë” së Gjergj Fishtës duke përmendur të parin e kësaj familje -Rrustëm Ukën…Babai i Naimit,Salihu ishte i ndjekur dhe i burgosur nga shovenistët serb në kazamatat jugosllave.
Deri më vdekje babai i tij mbeti konsekuent ndaj çështjës kombëtare. Naimi,për disa vjet ka punuar si gazetar i gazetës “Bota sot”,kurse gjatë luftës çlirimtare në Kosovë,ishte reporter lufte në betejën famoze të Kosharës( 1999)prej nga lexuesi shqiptar njoftohej për luftën heroike të vashave dhe djemëve shqiptarë.
Poashtu ai njoftonte opinionin mbarëkombëtarë për të bëmat e lavdishme dhe heroizmin e kësaj beteje të lavdishme,por më vonë Naim Kelmendi shkroi edhe mjaftë radhë,artikuj ,intervista etj,për një tjetër betejë të lavdishme-Betejën e Loxhës në gazetën “Pavarësia Neës” etj.Naim Kelmendi tërë jetën e tij e deri më sot ia kushtojë çështjes sonë kombëtare gjegjësisht penda e tij nuk pushojë kurrë së shkruari poezi e prozë për Kosovën dhe popullin e robëruar shqiptar, dhimbjet e të cilit do t’i përjetojë rëndë në shpirt, njësojë sikur mallin për babanë e tij, ngrohtësinë dhe zërin e ëmbël të të cilit nuk e shijoi kurrë në jetë.
Naim Kelmendi edhe tash vazhdon të shkruan poezi, të këndojë dhe t’i thurë këngë lirisë së fituar me aq shumë gjak, do të këndojë bashkë me popullin e tij të cilit i thuri aq shumë vargje, dhe për lirinë e të cilit ishte i gatshëm të sakrifikohet në çdo çast.Poetët janë zëri më i bukur i një populli, janë këngëtarët më të mëdhenjë që i këndojnë lirisë, janë bilbilat më të bukur të botës që ia thonë këngës në çastet më të vështira kur të tjerët vajtojnë, vetëm e vetëm që ta mbajnë të gjallë shpirtin e popullit kur ai kërcënohet me zhdukje, siç ishte rasti para një decenie me popullin të cilit i takonte Naimi.
Qysh në përmbledhjen e parë të poezive me titull “Shtreza në fjalë” është hetuar tek ai se adhurimi i tij është shumë i fortë për leksikun autokton rugovas dhe se ato fjalë të vjetra do të mund të shfrytëzohen pafundësisht në poezi. Kjo prirje e tij vazhdoi të thellohet edhe te veprat e tjera, deri tek ajo e fundit.
Mund të thuhet se Naim Kelmendi një numër të madh fjalësh të leksikut rugovas e futi me gjeturi në poezi, ia gjeti vendin e përshtatshëm aty dhe ashtu e mbetur ajo u ngulit aty edhe më tej nga bashkëfrymëzuesit e tij, kështu që në saje të meritës dhe të pasuesve të tij, gjuha jonë e ka rinuar një numër fjalësh e shprehjesh të vjetra, ua ka rigjeturur vendin aty dhe aty kanë mbetur e do mbesin përgjithmonë si pasuri edhe e leksikut letrar. Një meritë tjetër e Naim Kelmendit si poet e prozator e ka edhe për gjetjen e neologjizmave (fjalëve të reja), për krijimin dhe formimin e tyre, duke i dhënë një kontribut të madh neologjisë shqiptare.
I dhënë pas letërsisë, ku e ka gjetur strofullën shlodhëse për shpirtin dhe ndjenjat e tij, ai si gjuhëtar tërthorazi ia begatoi leksikun gjuhës së vet, e cila në penën dhe gjeturinë e tij, gjeti një mjeshtër kulmor për ruajtjen e të vjetrave dhe krijimin e fjalëve të reja sipas dhe në saje të mendjes dhe syrit shigjetues të tij(Nyja e Gordit). Nga leksiku popullor Naim Kelmendi ia doli të fusë në përdorimin letrar me dhjetra e dhjetra fjalë, të cilat, jo vetëm që nuk ia ulnin vlerën letrare asaj gjuhe, por, përkundrazi ia ngrisnin, ia larushonin dhe ia mbushnin me poezicitet.
Natyrisht se një vlerë të tillë nuk mund ta ketë çdo fjalë e leksikut popullor, prandaj ai arriti mjeshtërisht të zgjedhë ato fjalë që në vetvete kishin bukuri fjale, bukurtingëllim, veçanësi emërtimi ose shënjimi(Pse ashtu Pandorë).Nga sa u tha, Naim Kelmendi në lëmën e leksikut ka sjellur një pasuri leksiku jo vetëm me brumin vetanak por edhe duke e rikthyer në jetë një numër fjalësh të gjuhës sonë, të cilat poezisë i japin hijeshi, gjerësi kuptimi e sidomos melodicitet autokton.Fjalët e reja të qëmtuara nga veprat, shkrimet dhe shënimet e tij mua më kanë hyrë në punë si lëndë e pakapërcyeshme në punën time gjatë hartimit të FJALORIT TË FJALËVE TË REJA.
Ndër krijuesit më të frutshëm të fjalëve veçohet i dalluar edhe Naim Kelmendi ashtu si Azem Shkreli dhe Ramiz Kelmendi. Prej pendës së Naimit kam qëmtuar dhe shënuar me dhjetra fjalë të tipit të neologjizmave.
Naim Kelmendi këngën e ka ndërtuar me fjalë ngjyrimesh të ndryshme ndër të tjera edhe me përmbledhjen me poezi “Nyja e Gordit” .
Ai me një “daltë fjale” në dorë këndoi edhe kur shkroi përmbledhjen me poezi “Përballje me vdekjën” me atë formën më të bukur që dinë poetët të bëjnë mjeshtërinë e fjalëve (Eklipsi i diellit,Albanoi,Nyja e Gordit,Pse ashtu Pandorë,Kohë për të folur gurët,Sipërfaqja e padukshme etj). Për krijimtarinë letrare e publicistike të shkrimtarit tonë të mirënjohur Naim Kelmendi kanë shkruar:Ramadan Musliu,Sali Bashota,Basri Çapriçi,Iljaz Prokshi,Fatos Arapi,Azem Shkreli,Agim Vinca, Shyqri Galica, Abdullah Konushevci, Rushit Ramabaja,Skënder Buçpapaj,Arbër Ahmetaj,Januz Fetahaj,Elida Buçpapaj,Hasan Mujaj,Sejdi Berisha, Shefqet Dibrani,Shaban Cakolli,Ali D. Jasiqi,Sinan Gashi,Rrustem Geci,Avni Nezaj, Rexhep Elezaj,Nazmi Lukaj,Ndue Ukaj,Prend Buzhala,Shahbaze Vishaj,Sarë Gjergji,Flori Bruqi,Valdet Hysenaj etj.
Publicisti Naim Kelmendi ka shumë libra dhe vlejnë t’i veçojmë disa prej tyre:
1.Shtreza në fjalë,poezi,Prishtinë ,1984.
2.Albanoi,poezi,Prishtinë,1986.
3.Nyja e Gordit,poezi,Prishtinë,1987.
4.Ç’ të bëj me dhembjen,poezi,Prishtinë,1987.
5.Pse ashtu Pandorë,poezi,Prishtinë,1989.
6Përballje me vdekjën,poezi,Prishtinë,1993.
7.Eklipsi i diellit,poezi,Prishtinë,1993.
8.Vrasja e deputetit,monografi,Prishtinë,2003.
9.Shqiptari vdes duke kënduar,poemë për Adem Jasharin,Prishtinë,2003.
10.Kohë për të folur gurët,poezi,Prishtinë 2004.
11.Sipërfaqja e padukshme,poezi,Prishtinë 2005.
12.Beteja e Kosharës,monografi,Prishtinë,2008.
13.Pikëpamje dhe reagime ,2008.
14.Në një jetë pas Krishtit,2010
15.Esenca,2010
16. Shqiptari vdes duke kënduar,botim i dytë,2010
Naim Kelmendi është njëri nga publicistët që, me penën e tij, i doli përballë krimit që mbiu në Kosovë menjëherë pas përfundimit të luftës, pjesëmarrës i së cilës ka qenë edhe vetë si reporter lufte në Koshare.Për këtë guxim të tij, për këtë përpjekje në funksion të ndërtimit të një shteti të mirëfilltë ligjor, për vizionin e tij për një Kosovë demokratike-ishte për një kohë të gjatë i kërcënuar nga grupet kriminale që u konvenonte anarkia, për ta shfrytëzuar këtë (anarkinë) për pasurim brenda nate.Naim Kelmendi krejt çka mendoi për zhvillimet e pasluftës në Kosovë, e tha haptaz.
Prandaj, vlera e shkrimeve të tij qëndron jo vetëm te ana cilësore e tyre, por edhe te guximi për t’i thënë me emrin e vërtetë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë.Në shënjestër të shkrimeve të Naim Kelmendit, ndër të tjera, ka qenë edhe politika e “re” e Beogradit dhe lëvizjet e saj të vazhdueshme për ta frenuar procesin e pavarësimit të Kosovës.
Çdo lëvizje antiKosovë nga ana e kësaj politike, publicisti në fjalë bën përpjekje ta demaskojë në sytë e opinionit tonë.Njëkohësisht, i analizon edhe politikat ndërkombëtare në raport me Kosovën dhe, sa herë sheh të meta në të, bën thirrje që ajo të mos bjerë viktimë e taktikave të reja të politikës së “re” të Kalimegdanit kundër pavarësisë së saj.
Po ashtu, parashtron fakte të shumta në favor të pavarësisë së Kosovës, e cila edhe u realizua më 17 shkurt 2008.Shkrimet e përmbledhura në këtë libër janë të shkruara në gazetën “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia neës” etj. gjatë viteve të pasluftës.Në të janë përfshirë vetëm disa prej shkrimeve të tij të shumta të publikuara në këto gazeta. Me penën e tij, ishte njëri nga heronjtë e demokracisë në Shqipërinë Etnike .
Themi Hero për faktin se t’i identifikosh gjërat negative për një shoqëri dhe një komb, kur nata qe bërë kulçedër që i “hante” atdhetarët e Kosovës, është vërtet heroizëm.T’ua vësh gjoksin përpara grupeve kriminale, që gati sa s’e patën dërrmuar përpjekjen e Kosovës për pavarësi, ishte ana tjetër e atdhetarizmit të Naim Kelmendit, pas përfundimit të luftës.
Ana tjetër e atdhetarizmit të tij të treguar qysh në kushtrimin e parë për luftë kundër Serbisë.Shkrimet e publicistit ,shkrimtarit ,gazetarit dhe patriotit Naim Kelmendi do ju shërbejnë gjeneratave te ardhshme se si mbrohet Kosova edhe në liri. Se si liria e merr kuptimin e saj të vërtetë…/Flori Bruqi/
Nga Naim KELENDI
HARRIM U BËMË
Koha kaq e shurdhër
e spo na e zë as fjalën
as zëri s’na dëgjohet kund
hapësira sa e gjerë
i vie era pis
nga myk i mendimeve
e s’e shohim njëri-tjetrin
nga hipokrizia e vetvetes
amen mor si ia dalim
kështu drejt Bregut
e ai na pret në maje
me shpatën e njëjtë
ne ngjitemi rrugëjetës sonë
mugët dhe bëjmë sehir
me jetët tona e lavdet
e fitorët e minjve
harrim u bëmë kaq kohë
e s’po e kuptojmë asnjëherë
as n’fund as n’fillim Dhembjen
N’KUJTIM TË TAHIR DESKUT
(Tim mikut poet)
Njëherë e atëbotë e njohëm miqësisht fjalën
ishte e etur koha jonë e vargu etje na kishte
dhe mendimi ynë i zënë nga dhuna, gjak
pikonte etjeve tona t’thikta për zogun e lirinë
Herë tjetër boheminë e njohëm deri në palcë
rrugëve n’Prishtinë bashkë me Mirko Gashin
e gotat e rakisë dhe orët letrare dhe endjet
me pezmin e fjalës dhe kryeneqësinë e vargut
që s’jepej para lterit as i bindej kurrë pushtimit
Tjetër herë u pamë vargjeve t’ekzilit e caqeve
të botës shkapërderdhur si vezët e qyqes
sëkush në Amerikë e nëpër Evropën blu e tej
lexuam tek vetja kujtesën e etërve dhe u kthyem
përgjithmonë te rrënja të ishim aty të vdisnim
nëse qe shkruar, shqip te vargu te fjalë e lashta-
Këtë radhë e pamë lirinë e thithëm dhe ajër t’lirë
por i pamë të gjitha t’panjohurat e sëkush harroi keq
ta kthejë kokën prapa, i pamë t’palarat e kohës dhe
hipokrizinë prej njeriu, uri pushteti e vetminë e pamë
te shpirt i lënduar, lum miku rri tash n’amshim të bukur
Përjetësisë tënde zjarrmohet fjala dhe vargu
Hirit të tyre kohëve i falim ne poetët zgjim feniksi
KOHË E DËSHPËRUAR
Dhe vjen m’bie kokës i egër mendimi
ecjes së vetmueshme dhe e han veten
i vetmi cast i heshtur dhe dëshpërimi
ah, s’e paskam njohur mirë t’vërtetën
endet hirit të vet hija e s’jam unë
ka vdekur dje e imja vrarë e tradhtuar
e kërkoj caqeve t’errta e nuk e gjej askund
t’uroj fat dhe jetën e gjatë mendim i bekuar
e t’na rrofsh sa malet rrugëve t’kërkimit
të jesh a t’mos jesh saherë e ke peshuar
saherë dhembjen ke ndjerë me afsh pezmatimit
sërish ti je ngritur njerëzisht për t’marshuar
tashmë fillikat i vetëm të kacafyt trishtimi
me t’vërtetën e hidhur me shije krejt pelim
dhe n’kohë dëshpëruese të vret tundimi
ditenatë rrugëve t’jetës që kanë emrin tim
Prishtinë,27 prill,2012
PIKËLLIM LIRIE
Rrugët e hanë veten pa dalë në kryerrugë
mëkatnojnë natën në pikënatë dhe
ditën në pikëditë lindin kopila
rrugëve nga ndërgjegjet e vrara në njeri
as e kisha besuar kurrë
se liria është kaq lavire e madhe
harron dhe të harrojnë tmerrshëm
në vetminë pikëllyese
dhe merresh me vetveten t’humbur
në harresën e secilës ditë të heshtur
të jesh a të mos jesh vjen pikëpyetja
përditë e më shumë kuptoj
nga t’pakushtueshmet e djeshme
sa më afër i afrohem ta prek
ta dua të vërtetën aq më larg mbetem
për të arritur në Breg e zbres
në fund të zhgënjimit të madh
deri te rrënja të flas me atin tim t’lashtin
për t’i thënë pse më le aq herët fillikat vetëm
edhe rrugët e hanë veten pa dalë në kryerrugë
Prishtinë,30 prill 2012