2012-06-03

Dr Gëzim Alpion, modeli akademik dhe intelektual


Nga Fatmir Terziu




Nëse ka një figurë intelektuale komplekse, jo thjesht nga emrat që mund të ‘propozohen’ apo zënë vend diku në zyrat plot ‘burokraci e politikë’, por si një emër e një intelekt që bashkëjeton brenda tërësisë jetike, mes njohurisë, mencurisë, aktivitetit akademik dhe krijimtarisë, është padyshim intelektuali i plotëformuar, Dr Gëzim Alpion. Dhjetra e dhjetra intervista, mendime, kritika, recenca, analiza, ese, artikuj shkencorë e mjaft forma të tjera janë përdorur nga emrat më në zë në botën akademike, jo vetëm në Universitetin e Birmingamit, ku ai lekturon, por edhe në tërë hapësirën globale që lidhet me këtë fushë. Alpion e kam thënë edhe herë të tjera është modeli i referimit, inspirimi jetik dhe akademik për mjaft shqiptarë e të huaj. Është roli me të cilin ai gatuan tërë aspektualitetin e studimeve të tij shkencore. Edhe pse i larguar herët nga bangat shkollore në Shqipëri, edhe pse ka studiuar dhe ka arritur rezultate të shkëlqyeshme në auditoret e Universitetit të Kajros në Egjipt, nuk e ka ndikuar në angazhime të ngushta, madje edhe doktoratura në fushën e tij e bën atë më kompleks e të gjithanshëm, se sa një akademik me ‘rrogë’ dhe me titull, që rëndom i gjejmë sa andej dhe këndej.

image
      Dr Gëzim Alpion




Pra, Dr. Gëzim Alpion i lindur në vitin 1962 në qytetin e Peshkopisë, mbeti në thelb njeriu që u edukua dhe u kalit në vatrën e një familjeje tejet te respektuar dibrane, por edhe një njeri që premtoi me kohë dhe arriti të kthente premtimet në vepra. Kështu ai pas përfundimit të arsimit tetëvjeçar në Peshkopi, në vitin 1977 filloi studimet në Tiranë në Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja 'Asim Vokshi', ndërsa në vitin 1983 studimet në Fakultetin e Filologjisë, Departamentin i Gjuhës Angleze, në Universitetin e Tiranës, studime të cilat i ndërpreu në fund të vitit të dytë, për të studiuar gjuhën dhe letërsinë angleze në Universitetin e Kajros. Në Kajro studioi për "Bachelor of Arts" nga viti 1985-89 dhe për titullin Master of Arts në Studimet Angleze nga viti 1990-93. Që nga vendosja e marëdhënieve diplomatike midis Shqipërise dhe Anglisë nga Kajro aplikoi në katër universitete në Britaninë e Madhe për të zhvilluar temën studimore që pati filluar në Egjipt në vitin 1991. Të katër universitetet: ai i Edinburgut, Lidsit, Notinghamit dhe Durhamit, e pranuan. Ai zgjodhi Durhamin, ku vazhdoi studimet pasuniversitare për Master of Arts në veprat e James Joyce dhe D. H. Laërence dhe pak muaj më pas Universiteti vendosi që studimin t'ia kalojë për doktoratë. Titulli Doktor në Filozofi për studimin mbi 'Imazhin e Artistit në Rini' në veprat e D. H. Lorencit iu akordua në vitin 1997.

Që nga akordimi i titullit “Doktor” në Filozofi në Universitetin e Durhamit në vitin 1997, Alpion ka punuar në Mbretërinë e Bashkuar si lektor i letërsisë anglo-amerikane, modernizmin, dhe filmit në Universitetin e Huddersfield, Sheffield Hallam University dhe Neëman University College. Në vitin 2002, Dr. Alpion u emërua lektor në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, ku është edhe Drejtor i Studimeve Pasuniversitare, dhe Anëtar Nderi i Institutit të Studimeve të Avancuara në Arte dhe Shkencat Shoqërore që nga viti 2000. Dr Alpion ka zhvilluar biseda dhe leksione në disa universitete britanike (Oxford, London School of Economics, University College London, Kingston), si dhe në SHBA, Kanada, Kinë, Indi, Rusi, Afrikën e Jugut, Gjermani, Itali, Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri. Gëzim Alpion është autor i librit të mirënjohur “Mother Teresa: Saint or Celebrity?” (“Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?”), që u botua në anglisht në Britaninë e Madhe, Amerikë dhe Kanada në vitin 2007. Në vitin 2008 kjo vepër u botua po në anglisht në Delhi, dhe në italisht në Romë. Botimet e tjera të Dr. Alpion në gjuhën angleze përfshijnë dy vepra dramatike – tragjedinë “Vouchers” (“Tollonat”) (2001), dhe dramën “If Only the Dead Could Listen” (“Sikur të vdekurit të dëgjonin”) (2008) – si dhe dy vëllime me ese dhe tregime – “Foreigner Complex: Essays and Fiction about Egypt” (“Kompleksi ndaj të huajve: Ese dhe prozë për Egjiptin”) (2002), dhe “Encounters ëith Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa” (“Takime të civilizimeve: Nga Aleksandri i Madh tek Nënë Tereza”) (2008). Në librin e fundit, botuar nga Meteor Books në Indi në vitin 2008 dhe nga Globic Press në SHBA në fillim të vitit 2009, janë përfshirë ese të shkruara nga 1993 deri më 2007. Recenca dhe artikuj për librat e Dr. Alpionit janë botuar në 15 gjuhë të botës. Studimet dhe recencat e Dr Alpion janë botuar në disa revista shkencore në Australi, Britani dhe Amerikë si: ‘Continuum: Journal of Media and Cultural Studies’; ‘The Journal of the Royal Anthropological Institute’; ‘Journal of Southern Europe and the Balkans’; ‘Islam and Christian-Muslim Relations Journal’; ‘Review of Communication Journal’; ‘Film & History: An Interdisciplinary Journal of Film and Television Studies’; ‘Scope: Online Journal Film & Television Studies’; ‘Albanian Journal of Politics’.

Pra sic shihet jo thjesht, arritjet e tij, por edhe vlerat dhe vlerësimet akademike e bëjnë këtë figurë të respektueshme e tejet intelekte.

Kam patur rastin që herët të komunikoj me librat e Gëzim Alpion, që në kohën kur ai do të mi postonte si një dhuratë e cmuar e kohës, kur unë ende përballesha me gjuhën në vendin ku isha ngulur, falë turfullimave të jetës. Dhe ende i mbaj ato libra në mesin e librave që shpesh i shfletoj. Në fakt ishin takimet e para në letër, në letër librash, në gjuhën e tjetrit që unë pikëtakoja ndërsa kisha lënë pas torbën e madhe të derteve të emigracionit. Lexoja dhe nënvizoja, duke lënë kështu jo vetëm shenja, por edhe data mbi këto libra. Shihja se si shqiptari i kualifikuar në Perëndim kishte mbështjellë stilin dhe sensin komunikues intelektual në vijëzime të qarta e të repektueshme.

Dhe ndërsa lidhja me emigrimin dhe librin ishte disi kontradiktore, vonë do të lexoja edhe ato opinione që Gëzim Alpion i shprehte në mediat shqiptare. Në një artikull të Dhurata Hamzait ai shprehet edhe për “problemet e shqiptarëve në mërgim”. Aty gjej të shkruhet se “Një shtysë e madhe që Alpion ndërmerr kaq shumë studime me vlera të mëdha historike dhe kulturore është se autori ka pasur fatin të studioj në Shqipëri, Egjipt dhe Angli dhe ka pasur privilegjin të njihet nga afër dhe të shkruaj për tema që kanë të bëjnë me civilizimin perëndimor, egjiptian dhe Indinë. Alpion gjatë veprimtarisë së tij intelektuale shquan problemet e shqiptarëve në mërgim duke theksuar se “Në kohën tonë, elita shqiptare në mërgim është aktive por jo e organizuar. Ajo që e bënte imperative organizimin e diasporës në kohën e vëllezërve Frashëri, Konicës, Nolit dhe Qemalit, ishte mungesa e një shteti shqiptar. Në kohën tonë elita intelektuale që ka mërguar do të jetë në gjendje të organizohet shumë më mirë dhe për pasojë t’i shërbej më me efikasitet kombit, po qe se në Shqipëri dhe Kosovë ekzistojnë institucione qeveritare që merren direkt me emigracionin dhe me propagandimin e kulturës shqiptarë ne botë”. Ndërkohë ai e quan absurd faktin që një komb si i yni edhe pse është i shpërndarë në të gjithë botën, akoma nuk ka ministri emigracioni as në Tiranë as në Prishtinë. “Po ashtu, shteti shqiptar dhe ai kosovar duhet të investojnë në krijimin e një ministrie apo instituti që të merret kryesisht me propagandimin e kulturës kombëtare në botë. Një institucion i tillë duhet të ketë një fond të veçantë për t’u përdorur në formë bursash, etj, për studiues të huaj të interesuar në kulturën, gjuhën dhe traditat tona”, tha Alpion, duke theksuar se po qe se duam të na njohë bota, duhet te investojmë edhe më shumë.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...