2012-06-05

Ja njëra nga pasojat e servilizmit të politikës shqiptare




Nga Prof.dr.Eshref Ymeri


Para pak ditësh më ra në dorë fare rastësisht libri “Gjuha Shqipe 2”, për klasën e 2-të të shkollës 9-vjeçare. Është ribotim i vitit 2010 dhe është shtypur në Shtëpinë Botuese Albas. Autore të librit janë zonja Rita Petro dhe Prof.as.dr. Mimoza Gjokutaj.

Është një botim mjaft i bukur dhe shumë tërheqës për nxënësit e kësaj moshe. Autoret kanë bërë një punë shumë të mirë. Por diku, në një faqe të këtij libri, më bëri përshtypje diçka fort interesante.

Në faqen 61 nxënësit i shtrohet një pyetje:

“Shiko hartën”:

Dhe në anën e djathtë të faqes jepet harta e Shqipërisë, e Maqedonisë, e Kosovës dhe e Malit të Zi. Më poshtë vazhdon kërkesa që i shtrohet nxënësit:
“Dallo Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi ku jetojnë shqiptarë.
Shqiptarët jetojnë gjithashtu edhe në vende të tjera të botës. Thuaj emrat e disa shteteve, ku jetojnë disa nga njerëzit e fisit tënd.

- A keni kushërinj në Kosovë, në Maqedoni ose në Mal të Zi? Fol për ta.
- Nëse ke qenë ndonjëherë në këto vende, tregoju shokëve për to”.

Nuk e besoj që zonjave autore të librit të mos u ketë shkuar ndër mend që, pranë hartës së Shqipërisë, përveç hartës së shteteve të lartpërmendura, të vendosnin edhe hartën e Greqisë, ku banojnë shqiptarë etnikë në krahinën shqiptare të Çamërisë.

Por, me sa duket, pesha e servilizmit të politikës shqiptare ndaj telendares së Evropës me emrin Greqi, është kaq e madhe, saqë Tirana zyrtare e mohon ekzistencën e shqiptarëve etnikë në krahinën tonë Çamëri. Prandaj edhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që ka aprovuar botimin e këtij libri, nuk mund të lejonte që Çamëria të përmendej në këtë libër të nxënësve shqiptarë.

Madje, nga sa mësova nga një analizë interesante e paradokohshme e zotit Mërgim Korça, të botuar në faqen internetike të “Tribunës Shqiptare”, qeveria shqiptare që e hedh vallen sipas daulles së shpuar greke, me kërkesën e kësaj të fundit, sikur paska ndër mend ta fshijë nga harta emërvendin (toponimin) “Çamëri”. Nuk ka asgjë për t’u habitur, përderisa servilizmi i politikës shqiptare ndaj shovinizmit karagjoz athinjot nuk ka as anë, as fund.

Shteti grekokaragjoz, nxënësve të vetë, që në moshë të njomë, u fut në gjak shpifjen se Epiri i Veriut është tokë “greke” dhe Maqedonia është territor “grek”. Kurse shteti shqiptar i Tiranës mohon të vërtetën historike për Çamërinë dhe nxënësve shqiptarë nuk u fut në gjak dashurinë për këtë tokë amtare.

Normalisht, për faqen 61 të tekstit në fjalë, duhej të kishte reaguar partia e zotit Shpëtim Idrizi, sepse, si për të gjithë nxënësit e tjerë, me këtë libër mësojnë dhe edukohen edhe nxënësit me prejardhje nga Çamëria.

Por zotit Shpëtim Idrizi nuk i bën përshtypje një gjë e tillë. Sepse ai, me ndërhyrjen e zotit Fatos Nano, sipas porosisë së nëndheshme të Athinës, është komanduar në krye të partisë çame pikërisht për ta sabotuar çështjen çame. A nuk është ky burrë me pamje serioze, që para mikrofonave nëpër tribuna apo para gazetarëve, rreh gjoksin dhe betohet e stërbetohet për (mos)zgjidhjen e çështjes çame?

A nuk ishte ky burrë që, nga ekranet e televizorëve, në prag të zgjedhjeve vendore të vitit të kaluar, deklaroi me mburrje se ai, bashkë me një grup çamësh, do të shkonin në Çamëri pas përfundimit të atyre zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të sfiduar autoritetet greke, që qytetarët shqiptarë të lindur në Çamëri, nuk i lejojnë të hyjnë në Greqi?

 Por pasi përfunduan zgjedhjet, ky burrë me pamje të krekosur, s’u ndie më për i gjallë për të shkuar me atë grupin e çamëve në Greqi. E hëngri fjalën dhe u tërhoq si lepuri në ferrë.

Klasa politike shqiptare, për turpin e saj, e ka mohuar çështjen çame. Por një zë i fortë i një nëne të nderuar shqiptare nga Çamëria, zëri i zonjës Zeqije Nuri, që ka ushtuar fuqishëm në intervistën e zotit Fatos Veliu, të botuar në faqen e internetit të zotit Feliks Taho të datës 18 maj 2012, me titull “ajo që ndodhi mbi ne ishte një pastrim i pastër ndaj atyre që nuk ishin kaurë...”, ua kujton mbarë shqiptarëve atdhetarë të vërtetën hyjnore:
“…përshëndes edhe një herë njerëzit e mi kudo që janë dhe punojnë dhe t’u them një fjalë, unë, plaka e moçme, që të mos e harrojnë Çamërinë tonë. Ajo është atje. Është jona”.
Santa Barbara, Kaliforni. 05 qershor 2012


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...