Jam i dashuruar me ëndrrën si kurrë ndonjëherë. Aq bukur jetoja me atë, sa kisha frikë të zgjohesha. Nuk doja që ajo të zhdukej. Doja të jetoja sa më gjatë me të. Por jam i zhgënjyer më shumë se mohimi që më bënë, kur isha fëmijë dhe ende nuk e kuptoja se i përkisja një bote tjetër.
Ende e ndiej që më gëlon në shpirt dashuria. Bashkë me hapat e saj vajzëror, ajo hyri me furi dhe më pushtoi çdo qelizë të trupit dhe mendjes.
Fillimisht më dukej e brishtë si një lastar i njomë, sa kisha frikë t'ia pohoja vetes. Nuk doja ta prishja magjinë. Oh, shikimi i saj… Ishte aq magjepsës sa isha marrosur pas tij. Më shfaqej kudo, në rrugë, në punë, kur isha me miqt e mi në Bar, madje edhe në gjumë.
Ndjenja ime me ëndrrën, ishte e butë si flokët e borës, e dëlirë si rrezet e para të agimit, e brishtë si vesa e mëngjesit, që vetëm nën ndikimin e faktorëve klimatikë e prishin bukurinë. Ndaj doja të mos ia shqisja sytë vetëm për të mos ia përdhosur magjiinë. Ishte dehëse si aromat e pranverës. Kjo dashuri ngjante me ditën e bukur, kur në kaltërsinë e qiellit nuk duket asnjë re. Dashuria për ëndrrën më bëri të lumtur. Më dukej kaq e vërtetë, sa prania e saj këtu, atje, aty, më ngazëllente si fëmija para lodrave të veta. Kjo ndjenjë gazmore, më ndryshoi ritmin e jetës. Ishte kaq joshëse, sa më bëri, të zvarritesha mes realitetit dhe imagjinatës, aq sa bija në këmbët e ëndrrës. Aty në terrin e natës, mes një pasigurie, ndieja drithërimat e shpirtit. Kjo dashuri më kishte tjetërsuar dhe tmerrohesha nga frika se mos e humbisja. Dashuria nuk njeh kufi, nuk ka masë dhe nuk do t’ia dijë për moshë. Ajo ngelet gjithmonë e re, e brishtë, e gjallë dhe përherë e pranishme. Është kaq e vërtetë, sa nuk ndryshon kurrë. Isha i sigurt në vetvete se do të isha i robëruar pas kësaj ndjenje. Dukej se jetoja vetëm për të…Sa keq e dashura ime, ëndërr! Sa keq që gjithçka ishte një zhgënjim i pamohueshëm.
Si duket kam qenë në gjumë letargjik gjatë gjithë kohës.Dashurova imazhin që më solli ëndrra. Vetëm atë natë, atje sipër në taracë, e kuptova se kjo ndjenjë nuk ishte realitet. Tani e besoj se po qëndroj me këmbë mbi tokë. Gjithashtu ndiej se ajo masë inerte po më rrëshqet nën këmbë. Ndaj druhem prej frikës se mos rrëzohem dhe nuk ngrihem dot më...
Gjithsesi, ëndrra ime, ti më dhurove dashurinë e përjetshme. Të falenderoj për gëzimin dhe shpresën që më dhurove.
Tani që jam zgjuar, e kuptoj se nuk jetoj dot pa ëndrrën. Nëse më rishfaqet, dua ta rijetoj me gjithë qënien time.
Ndoshta ti, ti nuk më beson?!
Unë jam gati për dashurinë time në çdo kohë dhe pa kushte. Edhe foshnja që mbaje në duar, m'u duk si dhuratë e dashurisë sonë. Edhe pse e dija që s'ishte gjak i gjakut tim, besoja se do të ishte yni, imi dhe i yti, i nënës që po e rrit me aq kujdes. Dhe unë do të isha babai më i mirë dhe më i lumtur në botë. E di që nuk më dëgjon! Të përgjërohem për fëmijërinë time pa fëmijëri, për rininë time, pa rini, për jetimin me baba gjallë, për njeriun e përçmuar dhe të përbuzur, që jetonte brenda realitetit të mohuar, kjo është e vërteta si drita e diellit.
Ndoshta kjo ëndërr ishte pasioni im për të të bërë timen, për të të pasur pranë, për të të dhuruar gjithë lumturinë e botës. Që nga ai çast kur të pashë se jetoje për dikë tjetër, gjithmonë e kam ditur se kjo ishte një lidhje e pamundur, e paarritshme...Gjithsesi pa vetëdije një forcë e brendshme më e madhe se vet qenia ime, më shtynte ta realizoja ëndrrën qoftë edhe për një çast të vetëm.
Ndonjëherë më është dukur si ego, por jo...Ndjenja ime është ndryshe...që edhe pse iluzion është po aq e vërtetë, sa ekzistenca e ne të dyve. Me qëndrimin tënd naiv, të rezervuar për t'iu dhënë kënaqësive të çastit, ke bër që ti të rritesh e të madhohesh në sytë e mi. Ndjenja ime për ty i ngjan një rruge të nisur, që nuk ka kthim pas. E tillë është dashuria, e cila nuk njeh as kufijë dhe as rregulla. I verbuar nga kjo ndjenjë e bukur, jam shndërruar në skllav të pasionit...jam bërë lodër në duart e tij. Ai më ngre lart, më shuk në tokë, më përplas, më shkel me këmbë, më ngurtëson, më merr frymën...pastaj, oh më pas më qeton e më mbush me fllad dhe oksigjen...Ky pasion i çmendur më bën tjetër njeri, më jep shpresë dhe unë rinis të jetoj...
I rilindur nga asgjëja zgjat duart për ta kapur ëndrrën, por mjerisht ajo është zhdukur. Atëherë e kuptoj se nuk është gjë tjetër veçse një iluzion, një vizion i mendjes sime të sëmurë e të çakërdisur.
Ëndrra ime, e di se edhe çmenduria apo marrëzia janë pjesë të jetës? Kur shpresojmë se kemi arritur synimin, ajo derë e fatit mbyllet. Dhe çuditërisht kur kemi humbur çdo shpresë, kur e kemi mbledhur mendjen, jemi bindur për këtë dhe kemi hequr dorë nga të mirat e kësaj bote, papritmas disa dyer të tjera na hapen. Por nuk është ajo që kishim pritur apo kishim ëndërruar.
Unë doja të të jepja gjithçka që të kanë mohuar...por jo...ti jeton me të shkuarën. Oh, sikur të gjenim forca brenda vetes, për t'i lënë pas dyerve të mbyllura dikur, të mos shohim më mbrapa, t'i japim një mundësi të dytë vetes për ta kapërcyer atë prag të pakapërcyeshëm...
Tani pas gjithë këtyre analizave pa zgjidhje, ndodhem para një dileme. Vetëm heshtja është bërë pronare e emocioneve të mija. Por a mund të hesht zemra? Dhe ku mendja bije në gjumë letargjik, hesht goja. Kur heshtin edhe goja edhe mendja, atëherë është zemra ajo që flet...
Ndaj zemra ime ka për të ligjëruar vetëm për ty, kurrë nuk ka për të ndalur së rrahuri vetëm për ty, e dashur!
Ti, ëndrra ime, dashuria e vetme e jetës sime, kur një ditë do ta mësosh të vërtetën, do të jem shumë larg. Nuk e duroj dot, ta kem ëndrrën aq pranë dhe të mos e shijoj nektarin e saj. Për fat ndodh edhe kështu. Përjetësisht i dashuruar me...të pamundurën.