Prof. dr. Xhezair Zaganjori
Shkruan: Ramiz LUSHAJ- Drejtor ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike
1.
Vetëm pas 100 vitesh, që nga themeluesi i shtetit modern shqiptar, gjeniu vizionar, Ismail Qemal Bej Vlora (1912-1914) presim të dytin rast rishtar të mundësisë për ardhjen në krye të shtetit të një juristi, prof. dr. Xhezair Zaganjori, tash një dekadë anëtar i Gjykatës Kushtetuese (2003-2012), të cilit politikisht nuk iu dha i fortkërkuari “konsensus” nga e majta opozitare në raundin e parë të votimit të tejkaluar, ndonëse nuk patën argumente ballas e kandidat rival si liderin e tyre historik prof. dr. Fatos Nano, “i vet-shpallur” në këtë garë lobuese e vorbulluese.
Disi befasues ky fakt pasi Zaganjori si personalitet i botës akademike e përvijon traditen presidenciale shqiptare të tre dekadave të fundit të mirëpasjes kryetar shteti me tituj e grada shkencore “prof. dr.” në fusha të ndryshme si Sali Berisha, Rexhep Meidani e Bamir Topi, siç i kanë edhe shtetet e gadishullit ballkanik si Maqedonia prof. i shkencave politike, Greqia e Sllovenia dr. të Drejtës Ndërkombëtare, Turqia dr. i shkencave ekonomike. I pari president me diplomë universitare shqiptare ishte Prof. Dr. Sali Berisha (1992-1997) tue vijnue njëtrajtësisht edhe me të tjetër deri te kandidati i sotëm i maxhorancës, Prof. Dr. Xhezair Zaganjori, duke mos ndodh si në Serbi që presidenti aktual, çetniku Nikoliç nga një “mbikëqyrës varrezash” arrin e merr master të dyshimtë në një universitet privat, siç pohojnë opozita serbe e gazetat “Blic” e”Kurir” të Serbisë.
Ky konsensus “tryezë apo tezgë”(!) për kandidaturën presidenciale të mazhorancës pritet të arrihet me ujdi politike në Kuvendin e Shqipërisë, që në legjislaturen paraardhëse (2005-2009) kishte 42 deputetë me tituj e grada shkencore (13 prof. dr., 1 prof. asoc. dr., 10 dr., 11 master, 4 kandidat/master e 1 magjistër), kurse në këtë legjislaturën e fundit (2009-2013) ka rritje të numrit të deputetëve me mastër e rënie deri në 9 të prof. dr., po luhamat e nivelit shkencor të Parlamentit nuk duhet të sakrifikojnë politikisht një kryetar të pritshëm shteti si prof. dr. Zaganjori.
2.
20 vjet më para, katër organizma ndërkombëtare me seli në Bruksel, Strasburg e Vjenë, shfaqën befasi teksa në listen me 250 deputetë të Parlamentit të parë shumëpartiak (1991-1992) kqyren se veç 10 prej tyre ishin juristë, biles ndonjëri nënpyeti me kulturë në tel në Kuvendin e Shqipërisë nëse kemi të bëjmë me ndonjë “gabim teknik”. Po jo. Shumica e atij kuvendi përbëhej nga 62 agronomë, 57 inxhinierë, 37 mësues etj. Tevona, në legjislaturen paraardhëse (2005-2009) ky numër arriti në 18 juristë (nga të cilët vetëm 5 prej tyre e kanë të kryer fakultetin direkt, pasi të tjerët e kanë mbaruar atë part-time si shkollë të dytë). Vetëm parlamenti i fundit (2009-2013) i ka prurje 27 juristë e avokatë, çka përkon edhe me përqindjen e disa parlamenteve europiane në vitet e fundit si Bullgaria me 240 deputetë ka 51 juristë e politologë, Gjermania me 650 deputetë ka 115 juristë, Italia me 650 deputetë ka 86 avokatë, ndërkohë që parlamente në Vendet Skandinave, Kongresi Amerikan e Parlamenti Australian kanë 40-55 për qind juristë.
Kjo rritje numrit të juristëve në Parlament duhet të reflektohet edhe te kreu i shtetit, si te kandidatura e Zaganjorit, pasi kjo është edhe një prirje ballkanike, pasi shtete si Sllovenia, Kroacia, Greqia, Mali i Zi e Kosova i kanë juristë presidentët e tyre.
Për ma tepër prof. dr. Xhezair Zaganjori është lektor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, i së Drejtës Europiane dhe i të Drejtave të Njeriut në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në Shkollën e Magjistraturës dhe në Shkollën e Studimeve Europiane. Kjo po vjen si një kërkesë e kohës për rajonin e Ballkanit: presidenti Papulias i Greqisë dhe D. Turk i Sllovenisë janë doktor të shkencave në të Drejtën Ndërkombëtare (në atë private e atë penale); Josipoviç i Kroacisë – ish pedagog i të Drejtës Ndërkombëtare Penale, Vujanoviç i Malit të Zi ishte gjykatës e avokat, i angazhuar edhe me të Drejtën Ndërkombëtare. Njejtësisht edhe presidenti i Turqisë, dr. shk. Ekonomike është lector në menaxhimin ndërkombëtar.
Desha të them se tashmë Shqipëria ka tejkaluar edhe rastin e gjeneralit 73 vjeçar Alfred Moisiut, djalë i ish-Komandantit të Luftës Partizane, Gjeneral Spiro Moisiu, u zgjodh President i Republikës (2002-2007), siç ndodhi sivjet në Bosnje-Hercegovinë, ku Bakir Izetbegoviç, djali 55 vjeçar i ish-presidentit legjendar Alija Izetbegoviç, u zgjodh më 10 mars 2012 president i radhës i këtij shteti federal.
Në vendet ballkanike, përveç Serbisë, Rumanisë, Malit të Zi e ndonjë tjetër presidentët kanë qënë edhe pedagog si në rastin e Zaganjorit në tre institucione arsimore (pas)universitare. Njëherash përben rast analog edhe aktivizimi i tij nga organizma ndërkombtare si OSBE, çka vihet re te pjesa më e madhe e presidentëve ballkanik.
Kandidati për president, prof. dr. Xhezair Zaganjori është i vetmi në të gjitha shtetet e Ballkanit që ka shërbyer si diplomat, ambasador i Shqipërisë në Gjermani (1992-1997) çka përben një tregues të veçantë risor e vleror dhe një arsye më shumë për të marrë konsensus sa më të gjërë e një votë plebishitare në raundin e dytë të votimit në Parlament më 4 qershor 2012.