2012-06-03

FRAGMENT NGA ROMANI"I FUNDMI I SHALËGJATËVE"

Nga Thani Naqo


“Mjekrat janë në modën kapitaliste, ” ngushëllova veten, por u zilepsa keqas me mjekroshët e qytetit: ah, janë veshur ndryshe nga unë! Nuk më qetoi as ngrefimi i gjoksit dhe as sedra, “ku mjekrat e tyre e, ku mjekra jote. Qethu, rruhu, vishu evropiançe dhe…” Në vesh më trokëllinë takat e këpucëve e sandaleve të femrave mbi pllakat e trotuarit. Ato më kujtuan revanin e Grizos në kalldrëmet e fshatit. Mushka Grizo u plak aq shumë sa s’dukej më gri, por e bardhë. “Sikur zhgryhet mbi miell” thoshte teto Dabucka për të. Ditën që shita tufën e dhive Grizos i hoqa samarin e kapistrën. I përkëdhela shpinën dhe ajo tundi bishtin e kënaqur. E putha në ballë. Ma lagu dorën hunda e saj. Vitet e fundit hunda e Grizos ishte gjithnjë e jargavitur. I rashë miqësisht me pëllëmbë mbi vithe dhe “Grizo, je e lirë. I lirë jam edhe unë. Do të ndahemi për së gjalli, Grizo. Bashkohu me gomarët e mbetur pa zot. Për të fjetur eja në haurin tënd. Derën po e lë hapur. Shtyje me hundë pleresin e plevicës dhe do të gjesh bar e kashtë”, mirëpo Teto Dabucka më kishte përgjuar kur flisja me Grizon, nxorri kokën në brimën e gardhit që ndante dy oborret tona dhe e drodhi zërin si kulprë e tezarur kur e rreh era.
“Grizua dhe gomarët e egër do të kullosin mbi mua, por edhe mbi prindërit e tu që të kanë bërë kokën.”
Lindi dielli dhe rrezet e tij u ngjitën pas brirëve të jargavitura të Shkëmbit të Cjapit. Dallova çatitë e murrëtyera të fshatit tim dhe harrova të mar frymë. Tymonin vetëm katër oxhaqe. Nëntëdhjetë e gjashtë oxhaqet e tjerë prej vitesh nuk lëshonin fjolla tymi. I braktisën shtëpitë, macet, qentë, arat, pyllin, burimet dhe ikën ku sytë këmbët. Përfytyrova një e nga pleqtë e mbetur: Sofia dhe i shoqi, Iloja, edhe sot do të jenë grindur. Cili do të mjelë dhe kullosë lopën? Sofia pi kafen me gllenjka të vogla dhe ankohet për gjunjët që i dhembin. I meren edhe mentë po të rijë e përkulur. Iloja, qysh kur u shembën me rrapëllimë shtëpitë e Kuqalëve dhe Botkave, pa i thënë kush, filloi të meremetojë çatitë e shtëpive të braktisura. “Sa të më punojë dora e këmba, nuk do ta le fshatin të kthehet në gërmadhë” lëshon zërin Iloja çdo mëngjes nëpër rrugët pa njerëz. Petrovica përgjon xhezven mos derdhet ajka e kafes. Njërin sy e mban mbi xhezve, tjetrin nga divani, ku Petroja, i shoqi, dergjet i sëmurë nga prostata. Natën e Krishtlindjeve të pesë vite të shkuara, u paralizua Loni. Nuk lëviste as dorë, as këmbë, as qepallë.
“I ziu Loni! Ka qenë ajka e djemurisë. Loni është dekoruar në festivalin e Gjirokastrës. Për hatrin e tij Mariana la fshatin në fushë dhe u ngjit majë malit. I gjori Loni, ka ditët e numëruara – më tha teto Dabucka natën e Krishtlindjeve kur po ktheheshim në shtëpi – Mariana do të mbetet vejushë në moshë të re, njëlloj si unë – tha teto Dabucka. Qëndroi. U mbush fort me frymë, vështroi anembanë dhe tha me zë të ulët sa mezi dëgjova:
“Marjana është fati yt. Ajo akoma s’i ka mbushur të dyzet e pesat. Femra në moshën e saj, pjell.”
“Çfarë thua moj, teto Dabuckë! Për prapësira të shkon mendja,” por teto Dabucka bëri sikur nuk dëgjoi çfarë thashë, por vazhdoi ecjen e të folurën - E bija krisi e iku në Itali. Asaj nuk i bie ndër mend se la prindërit majë malit” dhe sot Teto Dabucka mu fanit duke përgjuar rrugën nga përtej kortinave.
“Nxirre merakun me Vjenën dhe, po e pe se nuk të fle mendja as atje, kthehu. Unë, tetoja jote, nuk do ta dredh këmbën pa tundur djepin e Shalëgjatëve” tha me mllef teto Dabucka kur më përcolli në të dalë të fshatit. U tret tingëllima e zërit të saj dhe fillova të habitem përsëri pas femrave që nxitonin në të dyja trotuaret. Menjëherë dallova se edhe gratë e moshës time paskeshin hequr dorë nga moda e dikurshme kineze me pantallona e fustanet lëshur mbi to. Sytë më përvidheshin pas pulpëve e gjokseve bardhoshe, gjersa më së fundi i thirra vetes “përmblidhu, po le nam. Po bën sikur nuk ke parë femër me sy, a derëbardhë.” Grabujova me gishta mjekrën e flokët dhe mu bë se gishtat nuk ishin të mijat, por gishtat ledhatarë të Marianës.

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...