Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/06/27

Poetë të tjerë shqiptarë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët

Bazat e arsimimit që hodhi Kisha Katolike në Shkodër në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë duket se kishin dhënë fryte në periudhën e pavarësisë. Shqipëria e veriut, e sidomos rajonet e izoluara të malësive të veriut, me kulturën unikale fisnore, kishte mbetur gjithmonë prapa jugut më të përparuar nga pikëpamja arsimore, madje edhe sot ende kështu është. Ndërkaq, në të tretën e parë të shekullit të njëzetë, Shkodra vetë e linte në hije kryeqytetin e ri të vendit, Tiranën, si nga ana arsimore ashtu edhe nga ajo kulturore. Rol themelor në përparimin kulturor të veriut luajti kleri katolik i cili, me mbështetjen e qarqeve kishtare nga Austria dhe Italia, i hapi rrugën qytetit gjysmëkatolik e gjysmëmysliman dhe krahinës përreth jo vetëm për arsim zyrtar e për institucione botuese e kulturore, por edhe për hyrjen e një game të gjerë idesh të reja Perëndimore. Letërsia shqiptare vazhdoi të përfitojë nga kujdesi që tregonin për të etërit françeskanë dhe jezuitë, sikundër kishte përfituar në shekullin e nëntëmbëdhjetë, kur pjesëtarë me ide kombëtare të klerit katolik, si Pjetër Zarishi (1806-1866), Leonardo de Martino (1830-1923), Ndue Bytyçi (1847-1917) dhe Preng Doçi (1846-1917), kishin qenë ndër të parët në atë kohë, që krijuan dhe botuan poezi të shquar në shqip, duke mos u përqendruar tërësisht në tema fetare. Figura që zinin vendin e kreut në kulturën shkodrane e në letërsinë shqiptare në përgjithësi midis dy luftërave, ishin ati françeskan Gjergj Fishta (1871-1940), zëri i kombit, si dhe prozatori me formim jezuit Ernest Koliqi (1903-1975). Por pati edhe mjaft të tjerë, që dhanë ndihmesë për zgjimin e një kulture shqiptare të pavarur në Veri, dhe në veçanti qenë tre poetë katolikë: Vinçenc Prennushi (1885-1949), Lazër Shantoja (1892-1945) dhe Bernardin Palaj (1894-1947).

Dhjetëvjeçarët e fundit të kulturës katolike shkodrane e të zhdukjes së saj pas marrjes së pushtetit nga komunistët duket se do t'i përfaqësonte sot, më shumë se kushdo tjetër, një shkrimtar katolik po nga Shkodra. Poet, folklorist dhe përkthyes, Vinçenc Prennushi (30) (1885-1949), emri i shkruar edhe Prenushi dhe Prendushi, lindi më 4 shtator 1885 në Shkodër dhe studioi në një kolegj katolik në Austri. Më 25 mars 1908 u shugurua prift françeskan. I magjepsur nga kultura gojore e Shqipërisë së veriut, Prennushi nisi të mbledhë këngë popullore nga fiset veriore. Përmbledhja e një materiali folklorik u botua nga arkeologu dhe historiani austriak Karl Paç (Carl Patsch, 1865-1945) në vëllimin Kângë popullore gegnishte, Sarajevë 1911, dhe solli një ndihmesë të madhe për studimin e letërsisë gojore shqiptare. Prennushi gjithashtu shkroi artikuj me tema të ndryshme për shtypin katolik të kohës, në periodikë të Shkodrës si Lajmtari i Zemers t'Jezu Krishtit, Hylli i Dritës, Posta e Shqypniës dhe Zâni i Shna Ndout.

Në karrierën e tij ekleziastike Vinçenc Prennushi shërbeu si provincial nga 1929 deri më 1936. Më 19 mars 1936 u emërua peshkop i Sapës, kurse më 1940 kryepeshkop i Durrësit, duke u bërë kështu një nga dy dinjitarët më të lartë të Kishës Katolike në Shqipëri.

__________________________________________________ _________________


29 Gazeta e re, 22 shkurt 1929, f. 3.

30 kr. A. Çapaliku 1996.
__________________________________________________ _________________


Më 1924 Prennushi botoi një vëllim me poezi lirike të holla në dialektin gegë, me titullin Gjeth e lule, Shkodër 1924, i cili u ribotua më 1931. Kjo përmbledhje me gjashtëdhjetepesë vjersha përmban poezi me frymëzim kombëtar dhe fetar. Vjershat e tij me temë atdheun të kujtojnë motivet e zakonshme të poezisë së Rilindjes si Skënderbeun, flamurin, vetëmohimin për atdheun nën zgjedhë, dhe shpesh kanë më fort një tingëllim luftarak sesa françeskan. Vjersha të tilla u bënë popullore në kohën e vet dhe shumë prej tyre recitoheshin në publik, si p.sh. Grueja shqiptare 1918, në të cilën një vashë i kalon ditët duke qëndisur një flamur shqiptar kuqezi, por, me merakun për atdheun vdes nga hidhërimi dhe e mbulojnë në varr me atë flamur. Vjershat e tij fetare përshkohen më shumë nga përjetimet shpirtërore sesa nga idetë dhe kanë karakter përsiatës. Mjaft prej tyre trajtojnë tema tipike katolike si shpëtimtari në kryq, Shën Mëria, Shën Françesku i Asizit dhe Duns Scotus. Toni i përgjithshëm i këtyre vjershave, disa prej të cilave kanë përsiatje të mprehta mbi kotësinë e ekzistencës mbi dhe, është më fort i zymtë e i trishtuar, se i qetë e optimist.

Nga përkthimet e Prennushit, mund të përmendim dramën në pesë akte për fëmijë E Trathtuemja, Shkodër 1919, nga italishtja Tradita, 1903, nga një T.A. Rolando, si dhe përkthimet e tij në shqip të romanit Quo vadis, Shkodër 1933, nga fituesi i Çmimit Nobel Henrik Shenkieviç (Henryk Sienkiewicz, 1846-1916); të romanit Fabiola, 1924-1925, nga kardinali Nikolas Uajzmen (Nicholas Wiseman, 1802-1865); i Dreizehnlinden të poetit minor gjerman Fridrih Vilhelm Veber (Friedrich Wilhelm Weber, 1813-1894), poemë epike për futjen e kristianizmit te saksonët; dhe i Le mie prigioni, kujtime të poetit dhe dramaturgut italian Silvio Peliko (Silvio Pellico, 1789-1845). Sipas bashkëkohësve Vinçenc Prennushi ishte njeri i virtytshëm dhe modest dhe gëzonte respekt të madh në popullsinë katolike. Me gjithë rangun e lartë që zinte në hierarkinë kishtare, ai nuk ishte aktiv në politikë. Megjithatë u arrestua nga autoritetet komuniste, u torturua e u dënua nga një gjykatë ushtarake në Durrës me njëzet vjet burg e punë të rëndë si armik i popullit. I dobësuar prej kushteve të burgut e i sëmurë nga astma dhe zemra, kryepeshkopi gjashtëdhjetetrevjeçar vdiq në spitalin e burgut më 19 mars 1949. (31)

Lazër Shantoja (32) (1892-1945) ishte një poet, eseist e përkthyes nga Shkodra që, edhe pse i talentuar, botoi pak. Lindur më 2 shtator 1892, ai studioi në Kolegjian Papnore Shqyptare të jezuitëve në Shkodër, ku për mësues pati Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Anton Xanonin (1862-1915), të cilët e ushqyen me dashuri për gjuhën amtare e për gjuhët e huaja. Shantoja studioi për teologji në Insbruk dhe u shugurua prift më 1920. Më tej, ai punoi në disa famulli fshati në Shqipërinë e veriut, sidomos në Sheldi, në lindje të Shkodrës. Prift me temperament, ai e donte muzikën dhe njihej në krahinë si 'prifti me piano', sepse e panë kur solli pianon në fshat ngarkuar mbi një mushke. Kur Lazër Mjeda, i vëllai i poetit Ndre Mjeda, u emërua kryepeshkop i Shkodrës më 1924, Shantoja u caktua sekretar personal i tij. Ndër detyrat e tij në Shkodër ishte që të merrte pjesë aktive në të përjavshmen demokratike katolike Ora e maleve, e themeluar në prill 1923 nga Ernest Koliqi (1903-1975) dhe Anton Harapi (1888-1946). Këtë e kreu duke botuar artikuj me stil të fuqishëm dhe ironi të hollë shkodrane. Në dhjetor 1924, kur erdhi në fuqi me anën e grushtit të shtetit Ahmet Zogu (1895-1961), Lazër Shantoja, si shumë intelektualë të tjerë të kohës, iku në mërgim, në fillim në Jugosllavi e në Austri. Në janar 1928
në Vjenë nisi të botojë një të përdyjavshme të një grupi politik të pavarur mërgimtarësh shqiptarë me titull Ora e Shqipnisë, por kjo e pati jetën të shkurtër. Më pas Shantoja vijoi në Zvicër, ku, i shoqëruar nga e ëma plakë shkodrane, shërbeu si kapelan në Bernë.


__________________________________________________ _________________


31 Për një përshkrim të viteve të fundit dhe të vdekjes, kr. Pipa në Sinishta 1976, f.79-90.


32 kr. Koliqi në Sinishta 1976, f. 110-117, dhe Koliqi 1986-1987.
__________________________________________________ _________________

Lazër Shantoja përmendet si stilist i shkëlqyer, mjaft i ngjashëm me Ernest Koliqin, ndonëse numri tepër i vogël i botimeve dhe largimi për një kohë të gjatë nga Shqipëria e kanë vënë disi në skaj të letërsisë shqiptare. Ai është autor i disa prozave me stil mjaft të shkathët, si Grueja, dhe i disa lirikave të holla, të shpërndara nëpër faqet e shtypit të Shkodrës, si në Hylli i Dritës, Zâni i Shna Ndout dhe Leka. Me pseudonim ai botoi një varg tingëllimash dashurie kushtuar një vajze në Shkodër. Libri i tij me 180 faqe Për natë kazanesh, Shkodër 1919, është një përmbledhje humoristike anekdotash dhe proverbash. Mjaft të pëlqyera janë përkthimet e tij, kryesisht nga gjermanishtja. Ndër to janë Wilhelm Tell (Vilhelm Tel ) dhe Das Lied von der Glocke (Kënga e kumborës) nga Fridrih Shileri (1759-1805), dhe Hermann und Dorothea (Herman dhe Dorotea, 1936) si dhe pjesë të Faustit nga Johan Volfgang fon Gëte (1749-1832). Fan Noli i palodhur (1882-1965), vetë përkthyes i shquar, e kishte nisur e pastaj e kishte lënë një përkthim të Faustit kur qe në mërgim në Berlin pas rrëzimit të qeverisë së vitit 1924. Kur e lexoi përkthimin e Shantojës, ai i dërgoi një letër në Zvicër për t'i shprehur admirimin e tij:

"Nuk gjej fjalë për të të uruar për përkthimin tënd në shqip të poezisë veçse duke të siguruar se, po ta dinte shqipen, gjigandi i Veimarit do të të falenderonte ty, një Nerval shqiptar, për këtë përkthim."

Pas një kohe të gjatë jashtë Shantoja nuk u tregua i arsyeshëm kur mori vendimin për t'u kthyer në Shqipëri më 1940. U vendos me të ëmën në Tiranë. Katër vjet më pas, u arrestua prej autoriteteve komuniste, u torturua në mënyrë të pamëshirshme dhe u pushkatua në pranverën e vitit 1945.

Një poet tjetër françeskan i dhënë me mish e me shpirt pas folklorit ishte Bernardin Palaj (33) (1894-1947). Lindi më 2 tetor 1894 në malësinë e Shllakut dhe filloren e kreu në shkollën e etërve françeskanë në Shkodër, që më pas u njoh me emrin Collegium Illyricum, të drejtuar nga Gjergj Fishta. Françeskanët e dërguan për të vazhduar të mesmen në Zalcburg (Salzburg) të Austrisë, kurse për shkollim fetar - në Insbruk. U bë anëtar i urdhërit françeskan më 15 shtator 1911 dhe u shugurua prift në gusht 1918. Me t'u kthyer në Shqipëri, Palaj punoi si prift famullie në malësi, kurse më pas si mësues i shqipes dhe i latinishtes në Collegium Illyricum. Sikundër Vinçenc Prennushi e Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Bernardin Palaj gjatë udhëtimeve më këmbë nëpër malësi mblodhi këngë popullore dhe shkroi artikuj për letërsinë gojore gegërishte e për zakonet fisnore. E tërhoqën sidomos Këngët e kreshnikëve, cikli i epikës heroike të Mujit e të Halilit, të cilat i botoi bashkë me Donat Kurtin (1903-1969) në Kângë kreshnikësh e legenda, Tiranë 1938.

Palaj është edhe autor lirikash klasike dhe elegjike, në pjesën më të madhe të botuara në vitet tridhjetë në revistën françeskane Hylli i Dritës. Kjo poezi me muzikalitet harmonik dhe përsosmëri teknike, si ajo e poetit italian Xhozue Karduçi (Giosuè Carducci, 1835-1907), dëshmon për përfytyrimin atdhetar mbi të kaluarën historike dhe për kulturën e pasur vendëse të popullit të vet. Vjersha e parë e tij Prej burgut të jetës, e botuar më 1933 me pseudonimin Kukel Lapaj, është një himn fetar 248-vargjesh për rënien e njeriut dhe shpërblimin. Ajo mbyllet me thirrjen:
"O njeri i shkretë! Mbate, si të duesh ket jetë:
Ká rruga kjo qi të qesin në Hind - te Leka,
Te Çezari në Romë, a larg atje m'nji detë,
Nji Napoljon kû e xûni në ngûjim deka.
__________________________________________________ _________________

33 kr. K. Gurakuqi 1953, Koliqi 1972a dhe Palaj 1969.

Kot u rrek njeri gjithnduersh per të diktuem
Se kû i ká shtonet e veta lumnija!
Në daç shoq me kênë me Zotin e mishnuem,
'Kalo tuj bâ mirë!' - kshtu urdhnon Perendija!"
Valët e nji shpirtit, me 1533 vargje, e vitit 1934 u kushtohet perandorëve romakë me prejardhje ilire, sidomos Konstandinit të Madh (mbretëroi 307-337), i cili futi krishterimin në Evropë. Viti 1937 qe mjaft prodhimtar për Palajn. Atë vit ai botoi: Moskë - Alkazar, me 893 vargje, për rrethimin e akademisë ushtarake Alkazar në Toledo kur po shpërthente lufta civile në Spanjë, një ngjarje në korrik 1936 që tronditi keqas pjesën profashiste të klerit katolik të Evropës jugore; Vorreve të flamurit dhe Kuq e zi, himne kombëtare me rastin e njëzetepesë- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në të cilat poeti i bën thirrje zanës për të nderuar varret e dëshmorëve të kombit.Ndërmjet të Shën Gjergjavet, me 1184 vargje, shkruar më 1938,përmban skena të freskëta baritore me dritë e ngjyrë në prag të ditës së Shën Gjergjit në pranverë. Nga respekti për mësuesin e tij Gjergj Fishta, Palaj nuk shkroi mjaft poezi epike, edhe pse afria me botën magjike të rapsodive të Mujit e të Halilit i pati zgjuar talentin dhe prirjet për atë lloj poezie. Fishta vdiq më 30 dhjetor 1940, ngjarje që e preku thellë Palajn. Me këtë rast ai shkroi për nder të tij elegjinë me 1180 vargje Kah nata e vetme. Edhe këtu kemi përsëri zanën, muzën e adhuruar të Fishtës e të kombit shqiptar, që vajton për fatin mizor dhe vetminë e varrit sipas traditës së gjâmës, këngëve të vajtimit të letërsisë gojore gege. Poezia e Palajt është redaktuar nga Angjela Çirinçone (Angela Cirrincione) në vëllimin shqip-italisht Opere, Romë 1969 (Vepra).

Në vitet e luftës, Palaj botoi edhe një numër studimesh etnografike për kanunin, mitet dhe legjendat. Në vjeshtë 1944, pasi kishte humbur çdo shpresë se forcat antikomuniste mund të fitonin dhe duke e ndier se fundi qe afër, iu zbraz Karl Gurakuqit (1895-1971) me lotë në sy:
"Do të tërhiqem në nji famulli të malevet të mija të dashuna dhe aty ku mbahet gjallë fryma e shpirti arbnuer, në kontakt me popullin e thjeshtë, do të vijoj punën e nisun tash sa e sa vjetë, tue e gjurmue në historìn, në folklorën e sidomos në Kanunin. Do të përplotsoj e do të sistemoj rapsodìt, qi unë i kam mbledhë me kujdes tash sa kohë. (34)"
Bernardin Palaj u arrestua në Shkodër, u keqtrajtua rëndë e u dënua me vdekje për tradhti. Vdiq në dhjetor 1947 në një burg të Shkodrës. Këta tre poetë katolikë, Vinçenc Prennushi, Lazër Shantoja dhe Bernardin Palaj mund të themi se simbolizojnë një numër të madh studiuesish dhe shkrimtarësh të dorës së dytë nga gjiri i klerit katolik, që qenë aktivë në fushën e kulturës e të arsimit deri më 1944 dhe që dhanë ndihmesë të rëndësishme për letrat shqiptare. Vdekja e këtyre tre burrave, krahas vdekjes së dialektit gegë si gjuhë letrare, simbolizon gjithashtu fundin e shkrimit katolik shkodran si rrymë në letërsinë shqiptare e madje edhe të epokës së artë të kulturës katolike shkodrane në Shqipëri.

Por jo vetëm poetët katolikë do të vuanin në duart e sundimtarëve të rinj antiintelektualë. Gjergj Bubani (1899-1954), i njohur edhe si Jorgji Bubani, ishte një poet toskë, që studioi në Athinë. Madje vjershat e para i shkroi greqisht. Pasi u shpërngul në Rumani, e cila tërhoqi mjaft intelektualë shqiptarë në dekadat e para të shekullit të njëzetë, Bubani punoi për të përjavshmen kombëtare shqiptare Shqipëri' e re, e botuar në fillim në Bukuresht, kurse nga korriku 1920 në Konstancë prej studiuesit Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964). Në janar 1922 hapi një organ periodik të ri me emrin Dodona, sipas emrit të orakullit grek të lashtësisë në Epir, kurse në mars 1926 hapi revistën Zëri shqipëtar, që pati jetë të shkurtër. Gjithashtu punoi

__________________________________________________ _________________

34 L'Albanie libre, 25 tetor 1953, f. 3.
__________________________________________________ _________________

si sekretar i konsullatës shqiptare në Konstancë e më pas për njëfarë kohe në konsullatën në Sofje. U kthye në Konstancë buzë Detit të Zi dhe u bë kryeredaktor i gazetës Shqipëri' e re, në të cilën bashkëpunoi me artikuj të nënshkruar me nofkën Brúmbulli. Bash në këtë gazetë dhe në Dodona dolën vjershat e para satirike të tij. Bubani gjithashtu përktheu pjesë teatrore e tregime nga rusishtja dhe rumanishtja, sidomos vepra të Viktor Eftimiut (1889-1972), dramaturg rumun me prejardhje shqiptare. Gjergj Bubani, shkrimet letrare të të cilit ende nuk janë mbledhur e redaktuar në formën e një vëllimi, nuk arriti për fat të keq të shohë ndonjë kulm të krijimtarisë së tij letrare. Me t'u kthyer në Shqipëri më 1945, u arrestua me akuzën e bashkëpunimit politik dhe u dënua me pesëmbëdhjetë vjet burg, ku edhe vdiq.

Poeti satirik dhe diplomati Ali Asllani (1884-1966) (35) nga Vlora është autori i njërës prej veprave poetike më të këndshme të letërsisë parakomuniste shqiptare, i poemës rrëfimtare me frymë të ngrohtë popullore e familjare Hanko Halla, Tiranë 1942. Asllani u shkollua në Janinë dhe në Stamboll para se të punonte si nëpunës në administratën osmane. Më 1912 ai bashkëpunoi me qeverinë e parë të pavarur shqiptare të Ismail Qemal bej Vlorës (1844-1919), kurse më pas pati disa detyra shtetërore. Në vitet tridhjetë ai përfaqësoi Shqipërinë në misionet diplomatike jashtë, si konsull në Trieste e si ambasador në Sofje dhe në Athinë. Ndonëse Asllani ka shkruar disa lirika dashurie të ndjera (36), ai përmendet në radhë të parë për Hanko Hallën me ritmin e gjallë njëmbëdhjetërrokësh e me fjalorin e pasur popullor. Ky rrëfim plot humor në vargje pasqyron mundimet dhe frikën e një zonje energjike nga derë e madhe, që është vazhdimisht në mospajtim me modat e mënyrat e reja të jetesës. E rritur në një shoqëri patriarkale tradicionale, ajo mbetet gojëhapur nga risitë që sjell në jetë rinia, e njëherazi vë në lojë konservatorizmin e vet. Hanko Halla hyn në radhën e poezisë më të mirë të këtij zhanri në letërsinë shqiptare.

Një poet shkodran, që ndryshe nga të tjerë nuk ishte pjesëtar i klerit katolik, ishte Gaspër Pali(1916-1942). I lindur në Shkodër më 14 gusht 1916, Pali botoi vjershën e parë të brishtë në moshën njëzetvjeçare në të përdyjavëshmen e Korçës Rilindja. Më 1940 kreu studimet për letërsi në Firence dhe u kthye në Shkodër, ku punoi si mësues në gjimnazin e shtetit më 1941-1942. Pas dy vjetësh u mposht nga tuberkulozi, mjaft i përhapur në Shqipërinë e veriut në atë kohë. Nëntëmbëdhjetë vjershat e Palit u botuan në vëllimin Hyjt mbi greminë, Tiranë 1959. Ndër to gjenden vjersha meditative e intime të mallit për Shkodrën, por poezia e tij ndryshon në thelb nga shfrimet sentimentale për kombin të epokës së Rilindjes. Pali ishte poet i kohës së vet dhe një poet në zhvillim. Karriera e tij e shkurtër si mësues e si shkrimtar u mbyll shumë shpejt më 21 korrik 1942, kur vdiq në moshën njëzet e gjashtë vjeç.

Nga Vlora është poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), i njohur edhe si Nexhat Haki Mahmudi, autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane me titull Këngët e zambares, Tiranë 1939, një përmbledhje e ribotuar më pas me titullin Zëri i fyellit, Tiranë 1959. Më vonë, Hakiu, poezia e të cilit është me ndikim të fortë nga poezia gojore toske, botoi edhe vëllimin Fjala ime, Tiranë 1961, por që pati sukses më pak.

Ndër shumë poetë aktivë para ardhjes në pushtet të komunistëve mund të përmenden: Kristaq Cepa (1908-1988), satirik i majtë nga Korça, i njohur në mes të viteve tridhjetë me pseudonimin Kapa; Vedat Kokona (l. 1913), prozator dhe përkthyes i shkolluar në Francë; Petro Marko (1913-1991), anarkist dhe veteran i luftës civile të Spanjës, të cilit Migjeni i pati thënë: "Vajtja jote në Spanjë është poema jote më e bukur"; Andrea Varfi (1914-1992), poet i majtë që, edhe pse u burgos së bashku me Petro Markon pas luftës, u bë ndër shkrimtarët kryesorë të realizmit socialist; Veli Stafa (1914-1939), revolucionar komunist i njohur në

__________________________________________________ _________________

35 Ditëlindja e Asllanit jepet e ndryshme, herë 1882 e herë 1884.

36 kr. Plasari 1991a.
__________________________________________________ _________________

shkrime me emrin Platonicus, që vdiq nga tuberkulozi në moshë të re; i vëllai Qemal Stafa (1920-1942), figurë revolucionare dhe autor poezish e skicash në prozë, nën pseudonimin Brutus; Dhimitër Shuteriqi (l.1915) nga Elbasani, që më pas do të bëhej historian letrar 'zyrtar' i Shqipërisë socialiste; Aleks Çaçi (1916-1989), poet i viteve të para të realizmit socialist; Arshi Pipa (l. 1921), studiues dhe kritik, që u burgos për dhjetë vjet pas lufte dhe u arratis më 1958 në Shtetet e Bashkuara; Vehbi Bala (1923-1990) nga Shkodra; Jusuf Luzaj (l. 1913), autor i përmbledhjes sentimentale me 293 faqe Rrëfimet, Korçë 1937; gazetari Thanas Konomi; Manush Peshkëpia (1910-1951), i burgosur e më pas i pushkatuar gjatë reprazaljeve pas bombës së hedhur në ambasadën sovjetike në shkurt 1951; i vëllai Nexhat Peshkëpia (1908-1970); dhe juristi Kudret Kokoshi (vd. 1991) nga Vlora, i burgosur edhe nga fashistët, dhe më pas nga komunistët.

Millosh Gjer Nikolla-Migjeni dhe Lasgush Poradeci , lajmëtarët e bashkëkohësisë





Gjergj Fishta dhe shkolla shkodrane përfaqësonin rrjedhën kryesore të letërsisë shqiptare deri në Luftën e Dytë Botërore - krijuese, novatore e njëherazi tradicionaliste. Fishta e kishte ngritur letërsinë e këtij vendi të vogël të Ballkanit në një nivel më të lartë artistik, në atë nivel që vendet më të përparuara të Evropës e kishin pasur në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në vitet e para të shekullit të njëzetë. Në vetvete ky ishte një hap përpara në pikëpamje të konsolidimit të vonuar të Shqipërisë si shtet dhe të zhvillimit të ngadaltë politik e kulturor. Por kjo periudhë e letërsisë shqiptare deri diku po i humbte lidhjet me realitetin e shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1930.

Rrugës drejt bashkëkohësisë, pra edhe drejt Evropës, do t'i hynin dy poetë të një brezi të ri, dy 'outsider', që u shkëputën nga letërsia tradicionale dhe i dhanë kulturës shqiptare vendin e vet në Evropën bashkëkohëse: mesianiku Migjeni dhe panteisti Lasgush Poradeci.

Me Migjenin (22) (1911-1938), akronim i Millosh Gjergj Nikollës, nis rrugën e vet poezia bashkëkohëse shqiptare. Migjeni lindi në Shkodër më 13 tetor 1911. I ati, Gjergj Nikolla (1872-1924), vinte nga një familje ortodokse me prejardhje nga Dibra dhe kishte një kafene në Shkodër. Më 1900 Gjergj Nikolla u martua me Sofia Anastas Kokoshin (1881-1916), e cila lindi katër vajza, Jelenën (Lenkën), Jovankën, Cvetkën e Ollgën, dhe dy djem, Nikollën (1901-1925) dhe Milloshin (Mirko). Mirkoja i vogël ndoqi shkollën fillore ortodokse serbe në Shkodër, dhe nga 1923 deri më 1925 një shkollë në Tivar në bregdetin malazez, ku ishte shpërngulur motra e madhe Lenka. Në vjeshtë të vitit 1925, katërmbëdhjetëvjeçari Mirko fitoi një bursë për të ndjekur shkollën e mesme të Manastirit në Maqedoni. Ky qytet i larmishëm etnikisht, jo larg kufirit me Greqinë, duhet ta ketë tërhequr njëfarësoj të riun shqiptar nga Shkodra e largët, ngaqë aty u njoh jo vetëm me shqiptarë nga pjesë të ndryshme të Ballkanit, por edhe me studentë maqedonas, serbë, arumunë, turq e grekë. Duke qenë edhe me prejardhje sllave, ai nuk u mbyll brenda kufijsh nacionalistë, por do të bëhej një nga të paktët autorë shqiptarë që do të lidhte dy anët e hendekut kulturor, që ndante dhe po ndan shqiptarët dhe serbët. Në Manastir ai studioi sllavishten e vjetër kishtare, rusishten, greqishten, latinishten dhe frëngjishten. Pasi përfundoi shkollën më 1927, hyri në Seminarin Ortodoks të Shën Gjon Theollogut, edhe ky në Manastir, ku me gjithë problemet shëndetsore që po i lindnin vazhdoi studimet deri në qershor 1932. Mirkoja lexonte çdo libër që i binte në dorë e sidomos letërsi

__________________________________________________ _________________

22 kr. Pipa, 1945, 1971, Ejntrej 1973, Kraja 1973, Bala 1974, Jamura 1982, Fetiu 1984, Llunji 1990, Kadare 1991 dhe Idrizi 1992.
__________________________________________________ _________________

ruse, serbe dhe frënge, që i shijonte më shumë se teologjinë. Vitet në Manastir e ballafaquan me polarizimin Lindje e Perëndim, nga njëra anë, me shpirtin sllav të Nënës së Shenjtë Rusi e të sllavëve të jugut, të cilin e ndeshte në veprat e Fjodor Dostojevskit, Ivan Turgenievit, Lev Tolstoit, Nikolai Gogolit dhe Maksim Gorkit; dhe, nga ana tjetër, me autorë të kritikës sociale të Perëndimit që nga Zhan Zhak Rusoi, Fridrih Shileri, Stendali dhe Emil Zola e deri te Epton Sinkleri, Xhek Londoni e Ben Traveni.

Me kthimin në Shkodër më 1932, pasi nuk arriti të fitojë bursë për të studiuar në 'Përndimin e mrekullushëm', Mirkoja vendosi t'i hyjë karrierës së mësuesisë e jo të priftit, për çfarë kishte studiuar. Më 23 prill 1933 u caktua mësues i gjuhës shqipe në një shkollë në fshatin Vrakë me popullsi malazeze, shtatë kilometra larg Shkodrës. Në këtë kohë ai fillon të shkruajë poezi dhe skica në prozë, që pasqyrojnë jetën dhe ankthin e një intelektuali në ngritje, të një vendi që ishte dhe ka mbetur rajoni më i prapambetur në Evropë. Prozën e parë e shkroi në maj 1934. Ishte Sokrat i vuejtun a po derr i kënaqun, që u botua në revistën Illyria, nën akronimin e ri Migjeni. Në verë 1935, njëzetetrevjeçari Migjeni u sëmur rëndë nga tuberkulozi, të cilin e kishte marrë më parë. Ai vajti në korrik në Athinë për kurim kundër kësaj sëmundjeje që ishte një epidemi e përhapur në ultësirat bregdetare kënetore të Shqipërisë asokohe. U kthye në Shkodër pa ndonjë përmirësim. Në vjeshtë 1935 u transferua për një vit në një shkollë në qytetin e Shkodrës dhe, përsëri në revistën Illyria, nisi të botojë vjershat e tij të para që bënë epokë. Në një letër të datës 12 janar 1936 shkruar Skënder Luarasit (1900-1982) në Tiranë, Migjeni njoftonte, "Unë jam gati t'i lëshoj në shtyp kangët e mia. Tue qenë se Ju, kur ishit këtu, më premtuet se do ta merrni përsipër me folë me ndoj botonjës, si për shembull me Gutembergun, unë tashi po Ju kujtoj at gja tue Ju thanë se jam gati." Dy ditë më pas Migjenit iu dha transferimi që kishte kërkuar për në qytetin malor të Pukës, dhe më 18 prill 1936 nisi punën si kryemësues i një shkolle, që e gjeti në një gjendje të keqe. Ajri i pastër i malit i bëri mirë për shëndetin, por skamja dhe mjerimi i fiseve malësore në Pukë e përqark ishin shumë më të rënda sesa të banorëve të fushës. Shumica e fëmijëve vinin në shkollë zbathur e pa ngrënë, kurse mësimi ndërpritej për periudha të gjata për shkak të shpërthimit të sëmundjeve ngjitëse, si fruthi dhe shytat. Pas tetëmbëdhjetë muajsh të vështirë në male, poeti tuberkuloz u shtrëngua t'i japë fund karrierës si mësues e si shkrimtar, e të kërkojë trajtim mjekësor në Torino, ku e motra Ollga qe studente për matematikë. Më 20 dhjetor 1937 u nis nga Shkodra dhe mbërriti në Torino para Krishtlindjeve. Ai shpresonte që, pasi të merrte veten, të ndiqte studimet në Fakultetin e Arteve. Por zgjidhja për shërimin e tuberkulozit do të gjendej tepër vonë për Migjenin, pikërisht pas një dekade. Pas pesë muajsh në sanatoriumin San Luixhi afër Torinos, Migjeni u transferua në spitalin Valdesian në Torre Peliçe (Torre Pellice), ku dhe vdiq më 26 gusht 1938. Vdekja e tij në moshën njëzet e gjashtë vjeç qe një humbje tragjike për letërsinë bashkëkohëse shqiptare.

Migjeni ka shkruar rreth njëzet e katër skica në prozë, të botuara nëpër revista kryesisht nga pranvera e vitit 1934 deri në pranverën e vitit 1938. Ato shkojnë nga një deri në pesë faqe, prandaj janë tepër të shkurtra për të qenë rrëfenja apo tregime. Këto skica, që nga pikëpamja letrare nuk mund të quhen të gjitha vepra të mëdha arti, pasqyrojnë preokupimet ideore kryesore të Migjenit: mjerimin dhe vuajtjet. Ai ngre zërin kundër urisë, mjerimit dhe padrejtësisë që mbretëron përreth tij duke akuzuar me zemërim të thellë e sarkazëm. 'Heronjtë' e këtyre skicave, më bindëset ndër të cilat ndoshta janë Një refren i qytetit tem, Moll' e ndalueme, A do qymyr, zotni?, Luli i vocërr, Bukuria që vret dhe Puthja e cubit, janë lypësit, vjedhësit e vegjël që kapen duke vjedhur gjësendi për të ngrënë, gra të poshtëruara, prostituta dhe foshnja që vuajnë. Më 31 dhjetor 1936 Migjeni përfundoi edhe një dorëshkrim me titull Novelat e qytetit të veriut, që mbeti i pabotuar. Përveç një numri skicash që i përmendëm, ai përmbante pesë tregime më të gjata (deri në njëzet e pesë faqe), përsëri me temën e mjerimit. Ndër to janë Studenti në shtëpi, një rrëfim me shtysë autobiografike për një student shqiptar që kthehet nga jashtë e që i duhet të pajtohet me karakterin çnjerëzor dhe imoral të vlerave sociale tradicionale, Historia e njenës nga ato, karriera e vajtueshme e një prostitute, dhe Bukën tonë të përditshme falna sot, një tregim klasik migjenian për skamjen dhe urinë.

Migjeni pati një fillim premtues si prozator, sidomos në trajtim temash të reja me një forcë artistike dhe demaskuese të paparë deri atëherë. Vepra e tij është me vite dritë larg romantizmit kombëtar mbizotërues për kaq shumë dekada në letërsinë shqiptare. Por vdekja e parakohëshme e preu në mes përfundimisht këtë premtim për të ardhmen. Migjeni i kishte edhe të gjitha parakushtet për të qenë poet i madh: forca depërtuese, natyra pesimiste depresive dhe seksualiteti i shtypur. Edhe pse krijimtaria në poezi nuk është më e vëllimshme se ajo në prozë, suksesi i tij në lëmin e poezisë është më i dukshëm. Vëllimi i vetëm poetik i Migjenit, Vargjet e lira, Tiranë 1944, u krijua gjatë një periudhe trevjeçare, nga 1933 deri më 1935. Një botim i parë i kësaj përmbledhjeje të vogël por revolucionare, gjithsej tridhjetë e pesë vjersha, u shtyp në Shtypshkronjën Gutemberg në Tiranë më 1936 por, u ndalua menjëherë nga autoritetet dhe nuk qarkulloi kurrë. Botimi i dytë më 1944, i ndërmarrë nga Kostaq Cipo (1892-1952) dhe e motra e poetit Ollga, pati fat më të mirë. Megjithatë, atij i mungojnë dy vjersha, Parathanja e parathanjeve dhe Blasfemi, të cilat botuesi Ismail Mal' Osmani mendoi se mund të fyenin kishën. Ndërkaq botimi i vitit 1944 përfshiu tetë vjersha të tjera, të shkruara nga autori pasi botimi i parë kishte hyrë në shtyp.

Tema kryesore e librit Vargjet e lira, si dhe e prozës së Migjenit, është mjerimi dhe vuajtjet. Ajo është poezia e një dëshpërimi dhe vetëdije sociale të mprehtë. Ndërsa brezat e mëparshëm të poetëve u kishin kënduar bukurive të maleve shqiptare dhe traditave të larta të kombit, Migjeni ishte i pari që pa realitetin e vrazhdë të jetës, shkallën tronditëse të mjerimit, skamjen dhe sëmundjen që vërente kudo përreth. Ai ishte poet i dëshpërimit që nuk shihte rrugëdalje, që nuk kishte shpresë, sepse vetëm vdekja mund t'i jepte fund kësaj vuajtjeje. "Vuej bashkë me fëminë të cilët prindi nuk ja bleu lojnën, vuej bashkë me të riun që digjet n'erotizëm, vuej me pesdhetëvjeçarin që mbytet n'apatinë e jetës, vuej me plakun që dridhet nga friga e vdekjes, vuej me bujkun që lufton me tokë, vuej me puntorin të cilin hekuri e ndrydh, vuej me të sëmundët të gjithë sëmundjeve të krejt botës... Vuej me njeriun!" (23) Tipike për vuajtjen dhe për kotësinë e përpjekjeve njerëzore për Migjenin është Rezignata, një vjershë në ciklin më të gjatë të kësaj përmbledhjeje, Kangët e mjerimit:
"Na shprehun të ngushlluem gjetme në vaj...
Mjerimet i morme në pajë
Me jetë... se kjo botë mbarë
Ndër gji t'Univerzumit âsht një varrë,
Ku qenja e dënueme shkrrahet rrshân
Me vullnet të ndrydhun në grusht të një vigan'.
- Një sy i stolisun me lot të kulluet së dhimbes së thelltë
Ndritë nga skâji i mjerimit,
E ka-i-herë një refleks i një mendimit të hjedhtë
Veton rreth rruzullimit
Shfrimin me gjetë mnís së vet të mnertë...
Por kreu varet, syn' i trishtuem mbyllet
E nga qerpiku një lot i kjart shtyhet
Rrokulliset nga ftyra, bje në tokë e thrrimet,
E ndër thrrimet e vogla të lotit ka një njërí lindet.
__________________________________________________ _________________

23 kr. Illyria, Tiranë, 1934, nr. 17, 1 korrik, f. 4; dhe Pipa 1978, f. 148.

Seicili prej tyne n'udhë të fatit të vet niset
Me shpresë në ngadhnim mâ të vogël, përshkon të gjitha viset
Kah rrugët janë të shtrueme me ferra e rreth të cilave shifen
Vorret të shpërlamë me lotë e të marrët që zgërdhihen."
Kjo është një tablo e zymtë e ekzistencës mbi dhe e mbushur me netë të errëta, lot, tym, ferra dhe baltë. Rrallë herë kalon nëpër këtë terr ndonjë puhi e freskët apo ndonjë pamje e madhërishme e natyrës. Kur natyra shfaqet në vargjet e Migjenit, atëherë ajo natyrisht shfaqet vetëm si një vjeshtë, si në vjershën Vjeshta në parakalim:
"Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra t'ona.
Afshon erë e mekun, lëngon i zymtë dielli,
Lëngon shpirt'i smum ndër krahnore t'ona,
Dridhet jet'e vyshkun ndër gemba të një plepi.

Ngjyrët e verdha losin në vallen e fundme -
(Dëshirë e mârrë e gjethve që një nga një vdesin!)
Gëzimet, andjet t'ona, dëshirat e fundme
Nepër balta të vjeshtës një nga një po shkelin.

Një lis pasqyrohet në lotin e qiellit,
Tundet dhe përgjaket në pasjon të vigânit:
"Jetë! Jetë unë due!" - e frymë merr prej fellit,
Si stuhi shkynë ajrin... por në fund i a nisë vajit.

Dhe m'at vaj bashkohet horizont' i mbytun
Në mjegullë përpîse. Pemët, degët e lagun
Me vaj i mshtjellin në lutje - por kotë! E dinë të fikun
Se nesër do vdesin... Vall! A ka shpëtim ndokund?!

Mallëngjehet syni, mallëngjehet zêmra
N'orën e vorreses, kur heshtin damaret,
E vorri naltohet nën qiella mâ t'epra
Me klithëm dëshprimi që në dhimbë të madhe xvarret.

Vjeshtë në natyrë dhe vjeshtë ndër ftyra t'ona.
Rrënkoni dëshirat fëmitë e jetës së varfun;
Rrënkoni në zije, qani mbi kufoma
Që stolisin vjeshtën nepër gemba të thamun."
Nëse nuk ka shpresë, ka të paktën dëshira të ndrydhuna. Disa vjersha, si Të birtë e shekullit të ri, Zgjimi, Kanga e rinis dhe Kanga e të burgosunit janë haptas deklamative në një mënyrë revolucionare majtiste. Këtu zbulojmë një Migjen paraardhës të poezisë socialiste ose, në fakt, në kulmin e poezisë së vërtetë socialiste në letërsinë shqiptare, shumë kohë para së ashtuquajturës periudhë të 'çlirimit' e të socializmit nga 1944 deri më 1990. Megjithatë, Migjeni nuk ishte poet socialist ose revolucionar në kuptimin politik, me gjithë revoltën dhe grushtin e shtrënguar që na tregon nganjëherë. Për këtë atij i mungonte optimizmi si dhe një farë ndjenjeje e angazhimit për veprimin politik. Migjeni ishte produkt i viteve tridhjetë, i një kohe kur intelektualët shqiptarë, ndër ta edhe ai vetë, i tërhiqte shumë Perëndimi, Evropa Perëndimore, ku ideologjitë rivale të komunizmit dhe fashizmit po ndesheshin për herë të parë në Luftën Civile të Spanjës. Migjeni ishte i ndikuar edhe nga filozofia e së djathtës që po lindte. Në Të lindet njeriu, e sidomos, në ditiramb niçean, në Trajtat e mbinjeriut, vullneti i tij i ndrydhur e i copëtuar shndërrohet në "një dëshirë të flakët për një gen të ri", për ardhjen e Mbinjeriut:
"Ndoshta ka me zbardhun...
Një agim i pritun, dit' e parathanun.

N'ardhmeni të trash'gueme Mbinjeriu vrehet,
Ndërgjegjë pa dyshime,
Ndërgjegjë pa trillime,
Me një grusht graniti që kurr nuk do thehet.

Një sfings i madhnueshëm, Mbinjeriu i ardhshëm,
Pa zêmër, pa ndjenja,
Syt e tij rrufena -
Qarkullojnë rreth rruzllit tue synue vrânshëm."
Një shoku trockist, Andrea Stefit (1911-1963), i cili e kishte paralajmëruar se komunistët nuk do ta falnin për vjersha të tilla, ai iu përgjigj: "Vepra e eme ka karakter luftarak edhe praktikisht, për kushtet e veçanta tonat, duhet me manovrue, pra disa herë edhe në mënyra të maskueme. Unë s'mund t'ua shpjegoj këto grupeve [komuniste]. Ata duhet t'i kuptojnë vetë. Qarkullimi i veprës sime diktohet nga imperativi i etapës shoqërore që po kalojmë. Për veten teme unë e quej veprën teme si një kontribut për bashkimin e këtyre rretheve. Në rrnosha edhe pak, Andre, vepra e eme, konspektivisht do kryhet." (24) Kisha për Migjenin ishte një pjesë e 'sistemit' që ai e mendonte se i kish lënë në harresë vuajtjet e njerëzimit dhe ishte pikërisht ajo përgjegjëse për to. Shkollimi fetar i Migjenit dhe mësimi për prift ortodoks duket se kanë qenë krejtësisht të kundërfrytshme, sepse ai as nuk ushqente ndonjë prirje ndaj fesë as ndonjë ndjenjë të ngrohtë ndaj kishës së organizuar. Zoti për Migjenin nuk ishte tjetër veçse një gjigant me grushte graniti që dërrmon vullnetin e njeriut. Dëshmi të neverisë për Zotin dhe kishën gjenden në dy vjershat e papërfshira në botimin e vitit 1944, Parathanja e parathanjeve, me thirrjen plot dëshpërim "Perëndi! Ku je?", dhe Blasfemi:
"Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
E lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
Dhe nga këto lutje zemra zotit ende s'iu thye,
Por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende tona të mjerueme...
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke...
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme...
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve.
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!
__________________________________________________ _________________

24 kr. Nëndori, Tiranë, 1955, 11, f. 68; dhe Pipa 1978c, f. 150n.
__________________________________________________ _________________
Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
Krahët i kanë varë pa shpresë - simbojt e shpresave të humbuna
Me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të përndueme,
Kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna."
Në poezinë Kanga skandaloze Migjeni shpreh një joshje të sëmurë ndaj një murgeshe të zbehtë e njëkohësisht kundërshtimin e mospranimin e botës së saj.
"Një murgeshë e zbetë, që bashkë me mkatet e botës
Barë dhe mkatet e mija mbi supat e vet të molisun,
Mbi supat e verdhë si dylli që i ka puth hyjnija
- kaloj rrugës së qytetit si êjll e aratisun.

Një murgeshë e zbetë, e ftoftë si rrasa e vorrit,
Me sy boj-hîni si hîni i epsheve të djeg'na të gjallesës,
Me buzë të holla të kuqe, dy gajtana pshertimet që mbysin
- m'a la der' vonë kujtimin, kujtimin e ftoftë të kalesës.

Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon...
Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta.
Pa lutjet e saja bota kushedi ç'fat do kishte?
Por dhe nga lutjet e saja ende s'i zbardhi drita.

O murgeshë e zbetë që çon dashní me shejtent,
Që n'ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit
Dhe u a zbulon veten... Cmirë u a kam shejtenvet!
Mos u lut për mue, se due pash më pash t'i bij ferrit.

Unë edhe ti murgeshë, dy skâje po të një litari,
Të cilin dy tabore i a ngrehin njeni-tjetrit -
Lufta âsht e ashpër dhe kushedi ku do të dali,
Prandaj ngrehet litari edhe përplasen njerzit."
Kjo vjershë është nga ato që na ndihmojnë të hedhim dritë jo vetëm mbi qëndrimin e Migjenit ndaj fesë, por edhe mbi njërin nga aspektet më tërheqëse e më pak të studiuara të jetës së poetit, mbi ndjesitë seksuale të tij më se të shtypura. Erotizmi sigurisht asnjëherë nuk ka qenë tipar i dukshëm i letërsisë shqiptare në ndonjë periudhë dhe do të ishte tepër e vështirë të përmendnim ndonjë autor shqiptar që të ketë shprehur dëshirat dhe impulset e tij intime në prozë apo poezi. Migjeni i afrohet erotizmit, ndonëse në një mënyrë të pavetëdijshme. Mendohet se poeti ka mbetur i virgjër deri në vdekjen e parakohshme në moshën njëzet e gjashtë vjeç. Në vjershat dhe prozat e tij kemi me bollëk figura grash, mjaft prej tyre prostituta fatkeqe, për të cilat Migjeni shpreh keqardhje dhe interesim seksual së bashku. Janë sytë e përlotur dhe buzët e kuqe që e tërheqin, ndërsa pjesa tjetër e trupit nuk përshkruhet kurrë. Për Migjenin, edhe seksi është vuajtje:
"Ato dy buzë të kuqe
Dhe dy lote të mija
Qenë shenjat e dhimbjes
Kur më vrau bukurija
Kur më zû dashunija
E më dogji rinija."
Pasioni dhe epshi janë kudo të pranishëm në poezinë e Migjenit, por po aq i pranishëm është edhe spektri i intimitetit fizik të pasqyruar në formën e brengës dhe neverisë. Ja një nga pamjet e shumta shtazarake të mjerimit, ajo që përshkruhet në poezinë me 105 vargje Poema e mjerimit:
"Mjerimi tërbohet në dashuni epshore.
Nepër skâje t'errta, bashkë me qejë, mijë, mica,
Mbi pecat e mbykta, të qelbta, të ndyta, të lagta
Lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa,
Kapërthehen ndjenjat me fuqí shtazore,
Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta,
Edhe shuhet ûja, dhe fashitet etja
N'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja,
Dhe aty zajnë fillin të mârret, sherbtorët dhe lypsat
Që nesër do linden me na i mbushë rrugat."
Sa përpara bëri befas letërsia shqiptare e sa u largua nga folklori i vjetër dhe artificializmat e Çajupit dhe Fishtës! Edhe pse nuk botoi as edhe një libër të vetëm sa qe gjallë, veprat e tij, që qarkulluan dorë më dorë ose në shtypin e kohës, patën një sukses të menjëhershëm. Migjeni çau rrugën për një letërsi bashkëkohore, por që do të mbytej që në embrion. Madje po atë vit që u botua vëllimi Vargjet e lira, fitoi në Shqipëri stalinizmi. Të shumtë janë ata që kanë bërë pandehma për ndihmesën që do të jepte Migjeni nëqoftëse do të kishte jetuar më gjatë. Kjo është një pyetje që mbetet tepër hipotetike, sepse ky zë individualist i protestës së vërtetë sociale pa dyshim do të pësonte fatin e shumë shkrimtarëve me talent të fundit të viteve '40. Vdekja e hershme e ruajti të paktën të paprekur këtë shkrimtar.

Fakti që Migjeni iku kaq i ri, e bën vlerësimin kritik të veprës së tij të vështirë. Edhe pse përgjithësisht i adhuruar, Migjeni nuk ka mbetur pa kritikë. Disa janë zhgënjyer nga proza e tij, po as gama e poezisë së tij nuk është e mjaftueshme që të na japë të drejtë ta quajmë poet universal. Arshi Pipa ka vënë në dyshim edhe vetë zotërimin e gjuhës shqipe prej poetit, kur thotë: "I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave, pastaj i shkolluar në një mjedis kulturor sllav, ai përsëri pati kontakt me Shqipërinë dhe me gjuhën e kulturën shqipe si i rritur. Gjuha që fliste në shtëpi ishte serbo-kroatishtja, kurse në seminar mësoi rusishten. Ai nuk e dinte shqipen mirë. Shkrimet e tij janë plot gabime drejtshkrimi, madje edhe mjaft elementare, kurse sintaksa e tij është larg sintaksës tipike të shqipes. Çka qëndron për italishten e Italo Svevos qëndron edhe më fort për shqipen e Migjenit (25)". Kritikët stalinistë të pasluftës në Shqipëri pa u thelluar e kanë shpallur Migjenin pararendës të realizmit socialist, ndonëse nuk kanë qenë në gjendje të analizojnë shumë anë të jetës e të veprës së tij, e sidomos pesimizmin e tij shopenhauerian, simpatinë për Perëndimin, seksualitetin e tij të shtypur dhe elementin niçean, veçanërisht të dukshëm në vjershën Trajtat e mbinjeriut, që për 'komoditet' është lënë jashtë disa botimeve të poezisë së tij pas luftës. Ndërkohë që kritikëve të tillë u ka ardhur për mbarë me kënaqësi ta vështrojnë Migjenin si pjellë të Shqipërisë zogiste 'para çlirimit', ndjen dhimbje kur sheh qartë se 'kangët e pakëndueme' të poetit, pas dyzet e gjashtë vjetësh diktature të proletariatit, janë akoma më aktuale se kurrë ndonjëherë.
"O kangët që fleni reliktet e mija
__________________________________________________ _________________

25 kr. Pipa 1978c, f. 134.
__________________________________________________ _________________
Q'ende s'keni prekun as një zêmër të huej,
Vetëm unë me ju po kënaqem si fëmija
Unë - djepi i juej, ndoshta vorr'i juej."
Rrugën drejt bashkëkohësisë në letërsinë shqiptare e mori edhe një poet tjetër, i cili gjysmë shekulli më pas do të konsiderohet nga shumë vëzhgues si poeti më i madh i Shqipërisë në shekullin e njëzetë: Lasgush Poradeci (26) (1899-1987). Ky shkrimtar vdiq më 1987 në moshën tetëdhjetë e shtatë vjeç. Vitet e fundit të jetës i kaloi në qytetin e tij të dashur të Pogradecit buzë liqenit të Ohrit, duke u përkujdesur për kopshtin e vet à la Candide dhe duke soditur si ndërronin stinët në liqen. Valëvala e butë dhe ritmike e ujërave të liqenit kishte qenë gjithmonë një ndër burimet kryesore të poezisë së tij panteiste.

Lasgush Poradeci, pseudonim i Llazar Gushos, ka lindur në Pogradec më 27 dhjetor 1899, siç duket. Ai ndoqi një shkollë të gjuhës rumune në Manastir, Maqedoni, nga 1909 deri 1916. Në mes të Luftës së Parë Botërore, i ati, me gjithë marrëdhëniet e ndera midis shqiptarëve dhe grekëve në Shqipërinë juglindore në atë kohë, e dërgoi Llazarin e mitur në Greqi për të vazhduar shkollën, por me kusht që ajo të mos ishte në gjuhën greke. Prandaj Llazari u regjistrua në Lycée des Frères Maristes, shkollë në gjuhën frënge në Athinë, ku qëndroi deri më 1920. Për arsye shëndetësore, dy vitet e fundit të qëndrimit në Greqi nuk i kaloi në shkollë, por në një sanatorium, ndonëse në një gjendje të dëshpëruar financiare. Atje vajti me ndihmën e Sofia Shlimanit, që ishte e veja greke e arkeologut të famshëm gjerman Hajnrih Shliman (Heinrich Schliemann, 1822-1890). Pa u shëruar plotësisht, Llazari jëzetedyvjeçar u përjashtua nga sanatoriumi para kohe më 1920, pasi u kap in flagranti me një infermiere. Vitin tjetër poetin e ri e gjejmë në Bukuresht, tek i vëllai. Llazari dëshironte të studionte në Akademinë e Arteve të Bukura, por doli se nuk qe e lehtë për t'u regjistruar, sepse qeveria rumune, në atë valë antisemitizmi që ishte ngritur, kishte vënë kufizime për studentë nga çdo kombësi jorumune. Megjithatë, pas disa mundimesh, arriti të regjistrohej. Qëndrimi i poetit në Bukuresht do të kishte një ndikim vendimtar për të ardhmen e tij letrare. Këtu u njoh e u miqësua me poetin romantik Asdreni (1872-1947), të cilin e zëvendësoi si sekretar të kolonisë shqiptare më 1922, me tregimtarin Mitrush Kuteli (1907-1967) dhe me mjaft shkrimtarë rumunë. Gjithashtu nisi të botojë poezi në organe shtypi në gjuhën shqipe, ndër të tjera në Shqipëri' e re, një e përjavshme kombëtare e ilustruar që botohej në Konstancë, dhe në Dielli të Bostonit. Poezia e tij e kësaj periudhe po shfaqte tashmë një farë afrie teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminesku (1850-1889).

Një bursë nga qeveria e Fan Nolit më 1924 i dha mundësinë të vazhdonte studimet jashtë. Poradeci shpresonte të studionte nën albanologun austriak Norbert Jokl (1877-1942). Doli se katedra qe e zbrazët në atë kohë, prandaj Poradeci vazhdoi Universitetin e Gracit në Austrinë juglindore, ku u regjistrua në fakultetin e filologjisë romane e gjermane. Kaloi dhjetë vjet në Grac. Siç pohon poeti, kjo periudhë ishte koha më e mirë e jetës së tij. Në maj 1933 mbrojti doktoratën me një disertacion mbi Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich- heimatliche Ideologie (Eminesku i pavlerësuar dhe ideologjia e tij popullore vendëse). Vitin tjetër Poradeci u kthye në Shqipëri dhe punoi si mësues në një shkollë të mesme në Tiranë, ku dhe jetoi gjatë luftës. Nga viti 1944 deri më 1947, vitet e para të turbullta të sundimit komunist, ai ishte i papunë dhe banoi me të shoqen në Tiranë, me rrogën e vogël të saj si mësuese. Pasi punoi për pak kohë në Institutin e Shkencave, pararendës i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, gjeti punë si përkthyes letërsie në shtëpinë botuese shtetërore 'Naim Frashëri', ku

__________________________________________________ _________________

26 kr. Çabej 1929, ribotuar 1986-1989, vëll. 5, f. 87-89, Kuteli 1938b, Maloku
1938, Qosja 1979, f. 135-177, Hamiti 1983, f. 257-274, Raifi 1986, f. 13-31 et passim, Kolevica 1987, 1988, 1992, Matraxhiu 1991a, Kabashi 1993a, dhe Lalaj 1995.
__________________________________________________ _________________

punoi pa u ndier derisa doli në pension më 1974. Lasgush Poradeci është autor i dy përmbledhjeve të jashtëzakonëshme me poezi. Vallja e yjve dhe Ylli i zemrës, të botuara në Rumani përkatësisht më 1933 dhe 1937. Ato janë vërtet një revolucion në poezinë shqiptare po aq sa ç'ishte përmbledhja e Migjenit Vargjet e lira. Vallja e yjve u shtyp në shtypshkronjën Albania në Konstancë me fonde të mbledhura më 1932 me ndihmën e Asdrenit e të një grupi studentësh shqiptarë në Bukuresht. Ajo përmban vjersha të shkruara e të botuara së pari në vitet 1921-1924. Vëllimi i dytë, i botuar me ndihmën e mikut të Poradecit, prozatorit Mitrush Kuteli, përmban jo vetëm krijime të mëvonëshme, por edhe mjaft nga vjershat e botimit të vitit 1933 të ripunuara. Kjo përmbledhje është sintezë e krijimtarisë më të mirë lirike të tij, ku gjejmë disa nga poezitë më melodioze, më të punuara në metrikë, të shkruara në gjuhën shqipe. Ja një shembull me notë melankolike:
"Fluturoj dhe shtërg' i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që me-natë sipër malesh me dëborë...
Iku rënd' e i përmallshmë, dhe me sqep të ti të fortë
Zotëriut q'i la folezën i trokiti mun në portë...

Pra më s'duket shpes' i fatit prapa bujqësh edhe plorësh,
Prapa brazdës së rrëxuar hap-me-hap prej qe malorësh;
Më s'dëgjohet nër ugare të kërcasë miu i hirtë,
Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht' e shkretëtirtë.

Dheri-i mardhur prej thëllimi dirgjet heshtur nënë brymë,
Fryn veriu në pyll të thatë me zembrim e me fërtymë,
E si shtohet cinërima... ja! se ku dinak dh' i voçërr
Nëpër gardhe-e nëpër ferra dërdëllet gazmor një çoçër!...

O! sa hir që kishte shtërgu, aq fisnik me shtat të gjorë,
Kur bariste dal-nga-dale - posi dhëndër me kurorë!...
E kur pranë-i vinte krilla, që shëndrij më kraharuar,
Me sy lart, me hap të matur - posi vash' e nusëruar!..."
Vendi i Poradecit në letërsinë shqiptare nuk është përcaktuar kurrë në mënyrë të kënaqshme. Ngjasonte pak me bashkëkohësit si romantikun Asdren, politikun Fan Nol dhe mesianikun Migjen. I mbrujti letrat shqiptare me një element ekzotik të panteizmit mistik, duke sjellë atë çka ai e quante metafizikë të harmonisë krijuese. Cili poet tjetër shqiptar i kohës do t'ia kushtonte energjitë e veta studimit të sanskritishtes për të kuptuar vedat? Poezia e Poradecit hedh një urë metafizike nga gjendjet shpirtërore të rënda të ekzistencës tokësore në sferat e larta të së madhërishmes, në burimin e të gjitha energjive krijuese. Një pjesë e mirë e saj është poezi e gjendjes shpirtërore dhe e çastit, si p.sh. Dimër:
"Shpirti im që sot u mbyll
Dhe gëzimin m'a përzuri.
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qëkuri.

Bjenë flokët një-nga-një
Mi katundin e shkretuar.
Dyke mardhur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar.

Fjet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa më s'qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.

Në kaq heshtje-e qëtësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë të ti
Jet' e trembur se mos vdesi..."
Në brendësi të thellësive të veprës së Lasgush Poradecit janë ujërat e liqenit të Ohrit. Aty, në qytetin e Pogradecit, kaloi vitet e rinisë, jo larg nga ku rrëzë Malit të Thatë merr rrugën lumi Drin, e jo më shumë se disa kilometra nga manastiri i famshëm mesjetar i Shën Naumit që ndodhet tamam tek vija e kufirit. Po aty kaloi në pension verat e fundit të jetës, në një shtëpi gjysmë të rrënuar me arkitekturë ballkanase, duke u kujdesur për kopshtin e duke çapitur përgjatë bregut të liqenit me qenin nga pas. Në vjershën Poradeci, kushtuar qytetit të lindjes, dhe natyrisht liqenit, vjersha tipike për mjeshtërinë e tij në punë të metrikës, ai shkruan:
"Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir.
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb' i natës që po bije,
Dyke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir...

E kudó krahin' e gjërë më s'po qit as pipëlim:
Në Katund kërcet një portë... në Liqer hesht një lopatë...
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë...
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t'im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra... u dergj... e zuri gjumi...
Zotëroj më katër anë errësira...
Po tashi: Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi..."
Liqeni i Ohrit vazhdimisht e tërhiqte dhe e magjepste poetin, çdo moment e çdo ditë. Ai hetonte çdo nuancë, çdo pasqyrim të dritës në valët e në thellësitë e ujërave të tij llamburitëse, dhe sodiste si binte mbi të hija e maleve përreth. Aty, në një varr të thjeshtë, që sheh nga ujërat e liqenit, të cilit i kushtoi vjershën e pashoqe Mëngjes, prehet sot poeti.
"Si shpirt' i zi në kraharuar,
U mbyll liqeri nënë male.
Ndaj fund' i ti e pasqyruar,
Po shuhet nata me-nga-dale.

E shoh ku vdes e ku po vuan,
E syt' e saj dyke pulitur;
E syt' e saj q'u mavijuan,
Jan' yjt' e qjellit të venitur.

Tashi dh' agimi llambaritës
Po svagullon në fund liqeri,
Po tretet tinës yll' i dritës
Posi një sumbull prej sheqeri.

Pra ja! pra ja! se dita ndezi,
Se fund' i ujit vetëtiti,
Se posi lajmëtar - mëngjezi,
Del zogu-i bardh' i një nositi..."
Fëmijë eklektik i kohës së vet, Poradeci ishte dhe mbetet një nga paradokset e letërsisë evropiane juglindore. Kritiku nga Kosova Rexhep Qosja ka thënë me vend për poetin se ai "ndien si romantik, mendon si klasiçist, asht i vetmuem dhe i hermetizuem shpirtnisht si simbolist dhe i kujdesshëm e fanatik ndaj formës së vargut si parnasist. Asht eklektik dhe origjinal në çdo pikëpamje." (27)

Përveç dy përmbledhjeve poetike kryesore Poradeci botoi poezi në revista letrare në fund të viteve tridhjetë dhe dyzetë, sidomos në revistën e përmuajshme kulturore të Branko Merxhanit Përpjekja shqiptare. Por me ardhjen e stalinizmit, pena e nderuar e Lasgushit do të fillonte të shterronte. Edhe pse fshehurazi lëvdohej nga mjaft kritikë e specialistë, ky estet romantik, pa ndonjë vlerë ideologjike për partinë, nuk gëzoi kurrë miratimin e dogmatikëve marksistë të pasluftës. Ata nuk qenë në gjendje t'i kuptonin veprat e tij, kurse poeti vetë thuhet se e kishte më lehtë të thyente lapsin sesa të shkruante atë lloj poezie që donin 'ata'. Një numër i pakët krijimesh dukeshin herë pas here në shtypin letrar të Tiranës, në Drita dhe në Nëntori, të para me lente para botimit nga censorët partiakë, por fusha kryesore e veprimtarisë në periudhën socialiste ishte, dashur pa dashur, ajo e përkthimit të poezisë, liman ky i sigurt për heretikët letrarë. I zhytur vetë në heshtje, ai shqipëroi poezi nga Aleksandër Pushkini, Mihail Lermontovi, Aleksandër Blloku, Adam Mickeviçi, Johan Volfgang fon Gëte, Hajnrih Hajne, Lenau, Bertold Brehti, Viktor Hygoi, Alfred de Myse, Lord Bajroni, Robert Bërnsi, Persi Bishe Sheli dhe Mihai Eminesku. Lasgush Poradeci vdiq në varfëri të plotë në shtëpinë e vet në Tiranë me 12 nëntor 1987, duke pasur pranë vetëm dy vajzat e tij, Kostandina dhe Maria.

Përveç poezisë për natyrën dhe asaj me tone metafizike, të ripunuara e ribotuara në sa e sa variante, Poradeci gjithashtu është autor i shumë vjershave për dashurinë, si dhe i disa poezive me temë kombëtare, gjithsej rreth njëqind. I pëlqenin fjalët dhe shprehjet arkaike, por gjente kënaqësi të veçantë edhe në neologjizma e në përqasje të reja të emrave për të krijuar efekte të pazakonta. Në kohën e vet me to pati rezultat befasues e të mahnitshëm, e u pëlqye menjëherë. Epoka e romantikës kombëtare, që ishte ushqyer nga një plejadë poetësh rilindës të ndryshëm nga talenti, po vinte tani drejt fundit të vet.
Temat e Poradecit, struktura dhe gjuha e poezisë së tij harmonizoheshin mjaft me letërsinë gojore të Shqipërisë së jugut, sidomos me poezinë popullore toske, nga e cila u frymëzua shumë. Mitrush Kuteli, që i redaktoi librin Ylli i zemrës, e quajti "i vetëmi poet shqiptar që mendon, flet e shkruan vetëm shqip. (28)" Lasgush Poradeci është njëherazi artist me shtat të vërtetë evropian. Ai bashkërendonte ndjeshmërinë fjalësore të Sharl Bodlerit (Charles Baudelaire, 1821-1867), filozofinë estetike të formës dhe elegancën e hollë të Stefan Georges (Stefan George, 1868-1933), humanizmin dhe filozofinë e Naim Frashërit dhe pavdekshmërinë kozmografike të mjeshtrit të tij, Mihai Eminesku. Studiuesi Eqrem Çabej (1908-1980) ka thënë


__________________________________________________ _________________

27 Qosja 1979b, f. 144.

28 Ylli i zemrës 1939, f. 152.
__________________________________________________ _________________

se ai ishte "shkrimtar, të cilin Shqipëria do t'ia falë njëherë botës, (29)" ndonëse poezia e Poradecit nuk përkthehet lehtë, koha mund ta provojë se Çabej ka pasur të drejtë.

Veprimtaria letrare e priftit shqiptar At Gjergj Fishta


Gjergj Fishta, zëri i kombit



Figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë është ati françeskan Gjergj Fishta (100) (1871-1940), i cili më shumë se cilido shkrimtar tjetër i dha shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lart deri në Luftën e Dytë Botërore si 'poet kombëtar i Shqipërisë' dhe 'Homeri shqiptar', Fishta do të binte menjëherë në harresë kur komunistët morën pushtetin në nëntor 1944. Edhe vetëm përmendja e emrit ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati dyzet e gjashtë vjet me radhë. Kush ishte Gjergj Fishta dhe a mund ta mbajë epitetin 'poet kombëtar'edhe gjysmë shekulli më vonë?
Fishta lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës, ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo De Martino (1830-1923). Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe Shkodër, ku që fëmijë u ndikua mjaft nga i talentuari De Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili i ushqeu këtij çuni të zgjuar dashurinë për letërsinë dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte pesëmbëdhjetë vjeç, Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t'u bërë prift, si dhe shumë djem të tjerë shqiptarë. Në seminaret dhe institutet françeskane në Sutjeskë, Livno dhe Kreshevo, djaloshi Gjergj studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinisht, italisht e serbo-kroatisht. Kështu, ai po përgatitej për karrierë ekleziastike dhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq (Grga Martiƒ, 1822-1905) dhe me poetin kroat Silvije Strahimir Kranjçeviq (Silvije Strahimir Kranj…eviƒ, 1865-1908), të cilët i zgjuan talentin letrar e me të cilët lidhi miqësi. Më 1894 Gjergj Fishta u shugurua prift e u pranua në urdhrin françeskan. Me t'u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 ai bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), abati me influencë i Mirditës, me prozatorin dhe priftin dom Ndoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për zgjidhjen e problemit shqetësues të alfabetit të shqipes. Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 1908 (1), ende fjalori më i mirë i dialektit gegë. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore e publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër.

Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku përmendet sidomos se zëvendësoi italishten me shqipen për herë të parë si gjuhë në shkollë. Kjo masë ndikoi për t'i dhënë fund mbisundimit kulturor italian në katolikët e Shqipërisë së veriut dhe u ushqeu të rinjve shqiptarë që studionin në këto shkolla një ndjenjë identiteti kombëtar. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres, ku morën pjesë delegatë katolikë, ortodoksë dhe myslimanë nga Shqipëria dhe jashtë saj, u mbajt për të vendosur përfundimisht një alfabet të gjuhës shqipe,

__________________________________________________ _________________

100 kr. Çabej 1941, Dema 1941, Ercole 1941, Lambertz 1949, Schirò 1959, Shêjzat 5, 1961, 11-12 (Numër përkujtimuer për 90 vjetorin e lindjes së Gjergj Fishtës) Koliqi (red.) 1941, Stadtmüller 1942b, 1942d, Koliqi 1972b, Nekaj 1981, Gradilone 1983, Jeta e re, Prishtinë, 11-12, 1990 (Atë Gjergj Fishtës me rastin e 50 vjetorit të vdekjes), Berisha & Musliu 1990, Duka-Gjini 1992, Zamputi 1993b, S. Çapaliku 1995, dhe A. Plasari (red.) 1996.

1 kr. Fialuer... 1908.
__________________________________________________ _________________

problem ky i studiuar hollësisht nga Fishta. Për më tepër, ishte Gjergj Fishta ai që u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej njëmbëdhjetë delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Pas tri ditë diskutimesh Fishta dhe komisioni vendosën të mbështesin dy alfabete: një formë të modifikuar të alfabetit të Stambollit të Sami Frashërit i cili, edhe pse jo praktik për shtyp, përdorej më gjerësisht në atë kohë, dhe një alfabet të ri latin pothuajse të njëjtë me alfabetin e Bashkimit të Fishtës, me qëllim që shtypja e librave jashtë vendit të bëhej më e volitshme.

Në tetor 1913, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë në Vlorë, Fishta themeloi dhe filloi të nxjerrë të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të turbullta të Luftës së Parë Botërore dhe viteve menjëherë pas saj, 1915-1920 si dhe të viteve të hershme të diktaturës së Ahmet Zogut, 1925-1929, kjo revistë me influencë e me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944 dhe ndihmoi për zhvillimin e kulturës gege të veriut ashtu si revista Albania e Faik Konicës në Bruksel kishte ndihmuar për kulturën toske të jugut. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e Kultusprotektorat-it, me gjithë që forcat pushtuese nuk para kishin besim te Fishta për shkak të aspiratave të tij kombëtare. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), Ndre Mjedën (1866-1937) dhe Mati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej austro- hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve Komisia vendosi me të drejtë që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjanës për gjuhën letrare. Ky vendim binte mjaft në kundërshtim me dëshirat e Gjergj Fishtës, për të cilin dialekti i Shkodrës ishte më i përshtatshmi. Fishta shpresonte se koineja shqiptare e veriut së shpejti do të shërbente si normë letrare për të gjithë vendin, ashtu si gjuha e Dantes kishte shërbyer si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim e të drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) nga viti 1921, i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.

Në gusht 1919 Gjergj Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris dhe, me këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit, imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në Shtetet e Bashkuara për t'u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje ai vizitoi Bostonin, Nju Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin shqiptar dhe u zgjodh në gusht të atij viti si zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti mjaft në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), Sofje (1931) dhe Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t'ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, kishën dhe kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta ulej në hije dhe merrej me poezinë e vet. Si poet kombëtar i brezit të tij, Gjergj Fishta është nderuar me diploma, çmime e tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Ka marrë Ritterkreuz-in austro- hungarez më 1911, është dekoruar nga papa Piu XI me çmimin Al Merito më 1925, i është dhënë medalja prestigjioze Feniks nga qeveria greke, është nderuar me titullin Lector jubilatus honoris causae nga urdhëri françeskan, dhe është bërë antar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe Arteve më 1939. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.

Ndonëse Gjergj Fishta është autor i gjithsej tridhjeteshtatë botimeve letrare, emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me Lahuta e malcís, Shkodër 1937. Ajo është një poemë epike historike me 15.613 vargje që vë në qendër luftën për autonomi e pavarësi e, në veçanti, ngjarjet e historisë së Shqipërisë së veriut nga 1858 deri 1913. Kjo kryevepër letrare ishte shkruar në fillim midis viteve 1902 e 1909, pastaj u ripunua nga autori gjatë një periudhe tridhjetëvjeçare. Është e para ndihmesë në gjuhën shqipe për letërsinë botërore.

Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh e u miqësua me fshatarin e moshuar Marash Uci (vd. 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Në mbrëmjet që i kalonin së bashku Marash Uci i rrëfente priftit djalosh për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të Lahuta e malcís, me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zadar më 1905 e 1907, e u ribotuan më pas të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Botimi përfundimtar i veprës në tridhjetë këngë u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të njëzetepesëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Me gjithë suksesin e Lahuta e malcís dhe personalitetit të shquar të autorit, kjo vepër dhe të tjera të Gjergj Fishtës u ndaluan pas Luftës së Dytë Botërore kur komunistët erdhën në pushtet. Megjithatë, kjo poemë epike, e ribotuar në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe në Romë më 1991, gjendet edhe në përkthime në gjermanisht dhe italisht (2).

Në përmasat e veta historike, Lahuta e malcís nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malazezë më 1858. Thelbi i veprës (këngët 6-25) u kushtohet ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi dhe shpuri në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e Revolucionit të Xhonturqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një farë autonomie, si dhe luftërat ballkanike të viteve 1912 e 1913, që shpunë në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Ngjarjet e kësaj poeme epike mund të përmblidhen si vijon:

Kënga I - Cubat
Më 1858, me gjithë pesë shekujt e gjatë nën zgjedhën turke, shqiptarëve nuk u ishte shuar dëshira dhe vullneti për të fituar lirinë. Cari i Rusisë, për të shtrirë ndikimin në Ballkan, i shkruan një letër mikut të vet, princit Nikolla të Malit të Zi. Në këtë letër ai i premton atij ndihmë dhe i kërkon që të përvetësojë një copë të Shqipërisë së veriut duke mos i lënë turqit të qetë. Letra, duke kaluar male e lugina në duart e të dërguarit personal të Carit, mbërrin në oborrin e Cetinës dhe mirëpritet nga sundimtari malazez, i cili e bind trimin Vulo Radoviq, serdar i Vasoviqit, të gatisë banditët e tij për të shkretuar Vraninën në liqenin e Shkodrës.
Kënga II - Oso Kuka
Vulo Radoviqi e merr Vraninën pa qëndresë. A do të zbresin malësorët nga malet për të dëbuar banditët malazezë? Avdi Pasha në Shkodër ankohet se në Shqipëri nuk kanë mbetur burra të vërtetë, se ajo është bërë vend vashash. Djaloshit Oso Kuka i hipën gjaku në kokë kur dëgjon një fyerje të tillë dhe i kundërvihet duke i thënë se shqiptarët e kanë mbrojtur vendin e tyre kurdoherë me trimëri pa u kursyer para asnjë sakrifice. Në krye të javës, vetë Oso Kuka organizon një grup prej dyzet luftëtarësh të zgjedhur, që
__________________________________________________ _________________

2 kr. Fishta 1925, 1958b, 1968-1970.

përmenden të gjithë në poezi në mënyrë homerike, dhe niset për në Vraninë.
Kënga III - Preja
Në një kullotë pranë Vraninës, Vulo Radoviqi vret bariun shqiptar Avdi Hisa dhe ia merr tufën si pre. E motra e Avdiut, Turkina, e vajton të vëllanë sipas traditës malësore. Kur dëgjon vajin e saj, Oso Kuka thërret luftëtarët e tij për të marrë hak. Ata vihen në ndjekje dhe i arrijnë vjedhësit e tufës mu në breg të Moraçës, ku pas një beteje të ashpër ua rimarrin tufën. Sllavët humbin dy burra, kurse shqiptarët përgatiten për t'u tërhequr, të kënaqur se ia morën gjakun Avdiut dyfish. Rrugës në të kthyer Oso Kuka sheh se i mungon njëri prej luftëtarëve, Kerrni Gila nga Zagorja. Kthehet dhe e sheh Kerrni Gilën të mbërthyer në një dyluftim për jetë a vdekje me luftëtarin malazez Jovan, të cilin poeti e karakterizon me përmasa vërtet epike. Oso Kuka i ndan nga njëri tjetri dhe ia fal jetën Jovanit, duke i thënë të shkojë në shtëpi "e thuej nânës e nuses s' ré se per s' dytit sod ké lé."
Kënga IV - Vranina
Figura e Oso Kukës përshkruhet me imtësi. Ai është hero me fuqi të mbinatyrshme, të cilit i trembet princ Nikolla. Princi mbledh komandantët e ushtrisë së tij dhe u paraqet planet që kishte bërë. Dyqind luftëtarë do të dërgohen në ishullin e Vraninës në liqenin e Shkodrës. Këshilltari i tij Mirko Kapidani e këshillon të mbjellë farën e përçarjes mes shqiptarëve si mjet për t'i mundur. Poeti u bën thirrje zanave të njoftojnë Oso Kukën për këtë mësymje që po përgatitet.
Kënga V - Deka
Oso Kuka ka parë një ëndërr. Duke ngrënë bashkë me burrat, ai pyet Soko Tonën, që ishte i zoti për të parathënë të ardhmen. Nga blana në shpatullën e një bishe të vrarë, Soko Tona sheh varre, tym dhe gjak. Kaçel Doda merr lahutën dhe këndon këngën e famshme të Gjergj Elez Alisë dhe Harapit të zi. Oso Kukës i hyn meraku dhe dërgon roje në va. Por, në mes të rojeve është edhe një tradhtar, Zeliq Gjuka, i cili u rrëfen udhën malazezëve nëpër një va natën. Në betejën më pas luftëtarët shqiptarë munden. Tridhjetë të vrarë dhe dhjetë të plagosur. Ndër ata që shpëtojnë është Oso Kuka, i cili me burrat që i kishin mbetur gjeti strehë në një xhebehâne, depo baruti e fortifikuar. Malazezët mësyjnë, kurse Oso Kuka, për të mos iu dorëzuar armikut, hedh në erë kullën, duke u vrarë vetë, shokët e tij të plagosur dhe mësymësit. Ndërkohë që poeti i jep bekimin Oso Kukës, flamuri malazez ngrihet mbi Vraninë.
Kënga VI - Dervish Pasha
Njëzet vjet më pas një lajmëtar shqiptar ndalet te porta e Sulltanit në Stamboll dhe rrëfen për vuajtjet e gjata të Shqipërisë nën sundimin e Malit të Zi. Sulltani vendos të dërgojë një ushtri prej pesëdhjetë batalionesh nën komandën e Dervish Pashës për të sprapsur malazezët. Poeti u bën një thirrje kushtrimtare bashkëvendësve për t'u ngritur për liri, kurse turqit korrin fitore. Në tri mësymje, pushtohen Podgorica, Kernica, liqeni i Shkodrës dhe kryeqyteti Cetinë. Princ Nikolla tërhiqet maleve. Por Kongresi i Berlinit do të vendosë ndryshe. Poeti konkludon:

"Vall, a hîn Pasha n'Cetinë?..
Nuk e diej a hîn n'Cetinë;
Por n'Cetinë e diej se s'rrin;
Diç po vlon atje n'Berlin." (3)
Kënga VII - Kuvendi i Berlinit:
Poeti pyet muzën e tij, zanën, se ç'është ai gjëmim që vjen nga larg. Ka shpërthyer lufta ruso-turke. Krerët e shteteve të Evropës, të personifikuar në shtatë krajlat e letërsisë gojore shqiptare, janë mbledhur në Berlin për të vendosur për fatin e popujve të Ballkanit. Të gjithë kanë mbrojtësit e tyre, përveç shqiptarëve. Princ Nikolla i Malit të Zi del para kongresit i reckosur dhe kërkon ndihmë. Atij i jepen tokat me popullsi shqip- folëse të Plavës, Gucisë, Shkodrës dhe Alpeve të Shqipërisë së veriut deri poshtë në lumin Drin. Poeti mallkon të gjithë ata që nënshkruajnë dhënien e këtyre territoreve dhe parathotë fatkeqësi për pushtuesit malazezë. Princi i ngazëlluar kthehet në Cetinë dhe urdhëron Pal Milanin të marshojë mbi Shqipëri me pesë batalione. Milani shpreh droje, por princi përgjigjet duke u tallur me të.


Kënga VIII - Ali Pasha i Gucís:

Ali pashë Gucia niset më të aguar, duke i lënë lamtumirën nënës dhe së shoqes. Rrugës nëpër male, ulet nën një lis për të pushuar dhe takon aty orën. Ajo i qorton shqiptarët për mungesë patriotizmi dhe i thotë Aliut të mos harrojë se ç'i ka dhënë vendi i tij: hije, ujë gurrash, livadhe pranverore. Ai betohet mbi gurin e varrit se nuk do ta kursejë as veten e as të birin për të mirën e Shqipërisë. Me një bisk rozmarine, ora i fal atij fuqi magjike për të shkulur pemë e për t'i mbjellë prapë.[/indent]
Kënga IX - Lidhja e Prizrendit:
Ndërkohë që dielli ngrihet mbi majën e Cukalit, zanat dhe orët janë mbledhur për t'u këshilluar për ngjarjet e Prizrenit, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Olimpit bisedonin për rrjedhat e Luftës Trojane. Vendin e nderit nuk e ka zënë Agamemnoni, por Ali pashë Gucia. Nga bjeshkët ato vrojtojnë ngjarjet dhe numërojnë pjesëmarrësit e Lidhjes të mbledhur në Prizren më 1878. Abdyl Frashëri dhe patriotë të tjerë shqiptarë i drejtohen Lidhjes me fjalë të zjarrta dhe marrin vendim t'i shkruajnë letër Kongresit të Berlinit për të shprehur kundërshtimin ndaj planeve sllave në dëm të tokave të tyre.

"Shkrepi dielli buzës s'Cukalit,
Eja e t'kndojm, oj Zâna e malit,
Eja e t'kndojm më Lahutë t'Malcís,
Si atà Krenët e Shqyptarís
Në Prizrend na janë bashkue,
Per me folë, me bisedue,
Shqyptarín se si m'e pshtue
Prej çapojve t'Malit t'Zí,
Qi ká dyndun top e ushtrí,
Me hî n'Plavë, me hî n'Gucí,
Me marrë Shkodren me Malcí,
Dér kû dán vendi me Drî;
Pse, po thonë, Mbreti i Stambollës
Dorë i dhânka Knjaz Nikollës
Me ndezë zjarm aj m'votra t'ona,
__________________________________________________ _________________

3 Lahuta e malcís VI. 480-484.
__________________________________________________ _________________
Me ngá qét aj n'ara t'ona,
Me bâ drû n'zabele t'ona,
E me grá e me vasha t'ona
Me luejtë Shkjau harushë nder né, T
hue se s'ká Shqyptarë mbí dhé." (4)
Kënga X - Mehmet Ali Pasha
Telegramet sjellin lajmin se Sulltani ka caktuar një pasha tjetër. Në Gjakovë, krerët e malësisë shqiptare mblidhen në shtëpinë e Abdullah Drenit për të takuar të dërguarin e ri. Mehmet Ali pasha i përshëndet krerët me ngrohtësi dhe shtrëngohet të rrëfejë se Sulltani ka vendosur t'i lëshojë pe princ Nikollës. Shqiptarët revoltohen kurse Mehmet Ali pasha i zë e i burgos. Miqtë dhe të afërmit e pengjeve i kërkojnë Abdulla Drenit t'ua dorëzojë pashën. Sipas kanunit të rreptë të mikpritjes shqiptare, Abdulla Dreni natyrisht nuk mund t'u dorëzojë mikun, kështuqë shtëpinë e marrin me sulm. Pasha dhe një numër nga paria e shqiptarëve vriten. Poeti ankohet se, edhe kësaj radhe, shqiptarët luftojnë me njëri tjetrin për shkak të turqve. Krerët shqiptarë i dërgojnë Sulltanit një letër që t'u sjellë një pashë tjetër. Ata janë betuar të mos pranojnë kurrë të jetojnë nën sundimin e princ Nikollës të Malit të Zi.
Kënga XI - Lugati:
Princ Nikolla po kalon një mbrëmje të qetë në sarajet në Cetinë me të shoqen, Milenën, duke u mburrur për heroizmin e tij në të kaluarën e për bëmat e mëdha që e prisnin. Milena i thotë të mos e marrë me aq vrull. Ajo i jep verë, duhan dhe gështenja të pjekura para se të bien për të fjetur. Gjen çastin dhe i thotë se fëmijët kishin frikë të binin në shtrat ngaqë u kishte dalë lugati një natë më parë. Princ Nikolla e quan besimin në lugetër e fantazma gjepur kalamajsh. Pas gotës së fundit të verës dhe llullës së fundit me duhan, princi bie për të fjetur. Natën i del një lugat. Është hija e Mehmet Ali pashës së vrarë, që i rrëfen për vdekjen e tij në duart e shqiptarëve dhe që e këshillon të marrë në dorë malësinë e tyre. Hija zhduket, siç na thotë poeti: "tue lânë mbrapa nji qelbsinë qi dér vonë u ndie n' Cetinë." Princi hidhet nga shtrati, thërret gjeneralin e tij Mark Milanin dhe e urdhëron të prijë forcat malazeze drejt Shqipërisë.
Kënga XII - Marash Uci
Kjo këngë qe e para nga Lahuta e malcís që u botua, dhe përmban mjaft vargje të spikatur. Ajo sillet rreth figurës së Marash Ucit, dikur luftëtar trim i Sulltanit, kurse tani një bari i moshuar, i urtë e plot përvojë. Kënga fillon kështu:

"Te nji mriz, te nji lejthí
Kishin ndollun tre barí,
Dy me dhên e nji me dhí,
Njâni plak e dy të rí:
Marash Uci e t'bijt e Calit,
Dy djelm t'letë si shpezt e malit." (5)

Lart në bjeshkë, Marash Uci këshillon barinjtë e rinj të ruajnë traditat burrërore të
__________________________________________________ _________________

4 Lahuta e malcís IX.1-20.

5 Lahuta a malcís XII.1-6.

kulturës së tyre fisnore dhe gjithmonë të mbajnë besën. Pastaj ai kalon nga mali në mal e shkon te Çun Mula, bajraktari i Hotit, dhe i bën thirrje të mbledhë krerët në kishën e Shën Gjonit në Brigje.
Kënga XIII - Te kisha e Shnjonit:
Krerët e bajrakut të Hotit janë mbledhur në kishën e Shën Gjonit. Çun Mula e hap kuvendin dhe aty Marash Uci mban një fjalë të gjatë e prekëse për marrëdhëniet e vështira të Shqipërisë me turqit, për autonominë fisnore e për Kanunin e lashtë të Lekë Dukagjinit. Tani punët kanë ndryshuar, shton ai. Evropa, kurva e motit, i ka tradhtuar shqiptarët, që kur Kongresi i Berlinit i dha princit të Malit të Zi tokat e Hotit, Grudës, Plavës dhe Gucisë.

"Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá token e Shqypnís
Per me mbajtë klysht e Rusís?" (6)

Krerët e fisit vendosin të shkojnë në luftë për të mbrojtur malësinë, me Çun Mulën komandant. Të gjithë burrat e bajrakut, të rinj e pleq, rrëmbejnë armët, duke lënë shtëpitë, arat dhe bagëtinë nën kujdesin e grave.
Kënga XIV - Te ura e Rrzhanicës:
Riza Pasha, komandanti turk i kalasë në Shkodër, hedh vështrimin nga veriu dhe sheh se mjegulla ka mbuluar liqenin. Nuk është mjegull, i thotë myftiu, por tymi i barotit në përleshjet e përgjakshme midis forcave malazeze nën komandën e Mark Milanit dhe malësorëve të Grudës e të Hotit. Poeti thërret zanat për të marrë vesh numrin e trupave sllave, të cilat pastaj radhiten në një mënyrë homerike. Dymijë e shtatëqind trupa malazeze ngjishen në Urën e Rrzhanicës përballë njëzet malësorëve dhe njëzet pushkëve, e ndër ta janë Halil Haka e Palokë Gjoka. Beteja që pason përshkruhet në të gjitha imtësitë e veta heroike, derisa sllavët munden dhe Mark Milani detyrohet t'ia mbathë me të katra.
Kënga XV - Kasneci:
Një sorrë ogurzezë ulet e zë vend në pullaz të pallatit në Cetinë ndërkohë që arrin lajmëtari me lajmin se ushtria malazeze është mundur dhe malësorët kanë ndërmend të hyjnë në Mal të Zi.
Kënga XVI - Kulshedra:
Kënga XVI përbën një interlud pas lufte me një analogji mitologjike për betejën. Në kohë stuhie, nje kulshedër e tërbuar shtatë-krerëshe ka ikur nga një shpellë në Shalë për të marrë hak mbi një drangue, Vocërr Bala. Drangojt, që personifikojnë heronjtë e malësisë, mblidhen për t'i bërë ballë e për të mundur përbindëshin gjigant. Pasi korrin fitore, drangojt marrin pjesë në një drekë me grurë, bukë, mish dreri dhe mjaltë, të ftuar nga orët e Shalës që e kanë soditur betejën nga një shkëmb aty pranë. Pas buke orët ia nisin valles dhe këndojnë këngën e vashës Eufrozinë nga Janina, e cila zgjodhi vdekjen e nuk iu dorëzua tiranit Ali pashë Tepelena:
__________________________________________________ _________________

6 Lahuta e malcís XIII. 40-44.
__________________________________________________ _________________
"Varza ká e varza s'ká,
Por, si ká nji vajzë n'Janinë,
Kurkund shoqen s'i a ké pá,
Kah bje diell e serotinë:
Sínin diell, ballin si hâna,
Ardhun shtatit si silvija,
Eufrozinë e quejti nâna,
Augur t'mirë m'e pasë Shqypnija.
Atê e páka aj Alì Pasha,
Dalë si vida në balkue,
Edhè fort pelqye i âsht vasha:
Çon Harapin m'e kerkue.
Vjen Harapi e i thotë te dera:
Shpejt tash, vashë, ti ktû me zdrypun
E me mue me ardhë nji hera;
Persè Pasha të ká lypun.
T'u thafët goja! shka po thue?
I a kthen vasha fjalen marë;
Se un nji vajz-o kam qillue:
S'diej me folë me Pashallarë,
Jo, po, Ali Pashë Tepelena
Mundet kryet aj me m'a pré,
Si i ká pré kushdi sá krena;
Gjallë por s'lshoj un erz as fé.
Asht mushë Pasha me mëní,
Prap harapin çon e e thrret:
Pa ndigio harap i zí,
Se dy herë Pasha nuk flet:
A se vjen ktû sande goca,
A se ndryshe n'fund t'liqênit
T'a bâj gjumin me bretkoca.
More vesht, bre qên i qênit?
I shkon naten vashës harapi,
Edhè e mêrr e e çon m'liqê,
Kû tue pritun ishte trapi,
Per me i bartë neper kurrnê.
N'mes të liqênit si kan dalë,
Atí trapi vend ká zânun,
Edhè nisë harapi fjalë,
Nisë aj vashës kështû me i thânun:
Nuk ká tjeter, tash, lum vasha:
E s'jam nieri fjalës qi i luej:
A me shkue sande te Pasha:
A shî ktû me t'mytë ty n'ujë.
Jo, po, i thotë vasha tue qeshë,
Se un te Pasha due me shkue;
Por due t'shkoj nji herë me u veshë,
Pse sido ktû kam qillue.
E kështû tue i thânë harapit,
Atij qênit, t'birit t'qênit,
Mêrr e hidhet n'ujë prej trapit,
Edhè zhduket n'fund t'liqênit.
Doli fjala neper dhé:
Njekso varzash ká n'Shqypní,
Qi per erz edhè per fé
T'rijt e jeten i bâjn flí." (7)
Kënga XVII - Në Qafë-Hardhi:
Pas betejës në këngën XVI, orët dhe drangojt kanë ikur në shtëpi të vet. Mbeten vetëm dy drangoj, Rrustem Uka dhe Xhem Sadrija, që do të përgatiten për dasmën. Ata fluturojnë e ngjiten në Qafë-Hardhi. Aty bëjnë një pushim, duke pirë duhan e duke pastruar armët. Mark Milani është kthyer me tetë batalione të reja, i vendosur të pushtojë Plavën e Gucinë. Dy drangojt shqiptarë shtrëngohen të mbrojnë qafën nga treqind trupa malazeze. Ata zihen ngushtë, por u vijnë në ndihmë barinj të ndodhur andej afër, dhe fitojnë betejën. Mark Milani vendos t'i tërheqë trupat për një betejë tjetër në Sutjeskë. Zanat, të cilat përsëri e kanë soditur betejën nga një majë aty afër, zënë vend tani në një majë shkëmbi që sheh nga Sutjeska dhe rrinë në pritje.
Kënga XVIII - Te Ura e Sutjeskës:
Trupat e Mark Milanit mblidhen te Ura e Sutjeskës për të marrë Gucinë, por Ali pashë Gucia u ka zënë pritë me dymijë ushtarë shqiptarë. E gjithë kënga i kushtohet betejës së egër, përshkrimit të luftëtarëve të veçantë dhe bëmave të tmerrshme në një përleshje për jetë a për vdekje. Vjen pastaj një interlud me vajin prekës të një zogu të zi për vdekjen e Smajl Arifit. Por është edhe nëna e Cen Brahimit për t'u vajtuar, sepse i biri e ka turpëruar veten duke mos i marrë hakun probatinit të tij Sadri Çuni të vrarë në betejë. Kokën e Sadriut e kanë vënë majë një huri dhe e kalojnë para shqiptarëve për t'u tallur:

"Do me t'thashë, me giasë, or Pashë,
Se t'bân êmer Mark Milani,
Mark Milani Kapidani,
Me i a ndreqë cilen n'Xhamí,
Dreken n'Plavë, darken n'Gusí." (8)
Kënga XIX - Pater Gjoni:
Duke bërë një mallkim të zjarrtë patriotik, Pater Gjoni i Kelmendit dënon bëmat e poshtra të sllavëve, që për pesëqind vjet nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë munduar shqiptarët dhe u kanë marrë tokat. Por malësorët janë kockë e fortë dhe kanë mbijetuar. Po të mos ishte prift, ai vetë do të kishte rrëmbyer armët e do të dilte në mbrojtje të maleve të atdheut. Sa të ketë ujë lumi i Drinit, sllavët nuk kanë për të shkelur në tokën shqiptare. Kur fillon të derdhet gjaku, Lulash Ndreu këndon një këngë patriotike, Patër Gjoni niset për në Sutjeskë me burrat e Kelmendit prapa.
Kënga XX - Lekët:
Skena edhe më të përgjakshme beteje në Urën e Sutjeskës. Luftëtarët shqiptarë të malësisë si dhe kundërshtarët e tyre sllavë po aq të vendosur përshkruhen një nga një, si
__________________________________________________ _________________

7 Lahuta e malcís XVI. 524-579.

8 Lahuta e malcís XVIII. 329-333.

luftëtarët e Agamemnonit dhe Priamit nën muret e Trojës së lashtë. I ngjashëm me episodin e Glaukut dhe Diomedit te Iliada është takimi i probatinëve të vjetër, sllavit Mil Spasi dhe shqiptarit Bec Patani. Në përleshje e sipër, të dy e njohin njëri tjetrin, këmbejnë fjalë përshëndetjeje dhe mbështetin kokat në supet e njëri tjetrit, siç e do zakoni. Në interlud rrëfehet si kishte lindur miqësia e tyre. Kur Rrustem Uka mbërrin me përforcime nga Gucia, Bec Patani e shpëton probatinin e tij. Mbi atë kasaphanë bie nata.
Kënga XXI - Ndërmjetsija:
Pas një përshkrimi të gjatë të skenave të betejës të mbushur plot me gjak, gjymtyrë dhe koka të prera, shfaqet Patër Gjoni i këngës XIX. Ai i kërkon pashait t'i japë leje të shkojë te Mark Milani për një armëpushim, për të varrosur të vrarët. Pashai pranon. I shoqëruar nga një gjakon, Patër Gjoni niset për në kampin e komandantit malazez. Atje e presin me nderime. Pason një dialog midis patriotit Patër Gjoni dhe Mark Milanit, që tregohet fisnik, dhe armëpushimi vendoset. Por disa luftëtarë nuk duan t'ia dinë dhe mezi ç'presin të luftojnë. Me njëzet shokë besnikë me vete, Bec Patani mësyn në një tufë dhensh në Mal të Zi. Hyjnë në një vathë natën dhe e rrëmbejnë tufën. Skena të kujton Iliadën, plaçkitjen e Odiseut dhe Diomedit natën në kampin trojan. Rrugës në kthim ata marrin vesh se Mark Milani kishte ndërmend t'i mësynte përsëri sapo të mbaronte armëpushimi, kësaj radhe në Nokshiq. Nxitojnë që t'ia japin këtë lajm Ali pashës.
Kënga XXII - Tringa:
Veprimi ndodh në Nokshiq (pa dyshim Novshiqi i sotëm) në luginën e Limit të sipërm në juglindje të Malit të Zi. Për t'i shpëtuar kërdisë, të gjithë banorët janë larguar, madje edhe kafshët e egra. Mbetet në shtëpi vetëm vajza trime shqiptare Tringa, për t'u kujdesur për të vëllanë Curr Ula që po vdes. Përkushtimi dhe vetmohimi i motrës së ndershme e sypatrembur, figurë e marrë nga letërsia gojore shqiptare, jepet nga poeti me imtësi të holla. Curr Ula vdes dhe i bie Tringës ta varrosë në tokën e vet, megjithëse pas pak do të shpërthejnë luftimet. Një luftëtar sllav që kalon aty, Gjur Kokoti, e kallëzon dhe kërkon ta marrë "si ré nanës t'm'i ndihmojë n'shpi", por Tringa nuk do t'ia dijë. Ajo rrëmben pushkën dhe e qëllon në krahëror, duke marrë edhe vetë një plumb në kokë nga shoku i Gjur Kokotit, Vasil Ndreka. Kënga mbyllet:

"Edhè dielli dheut i rá,
Gjallë por Tringa Shkjaut n'dorë s'rá" (9)
Kënga XXIII - Ke tbanat e Curr Ulës:
Luftëtari shqiptar Gjetë Gega nga Shllaku mbërrin në vend dhe merr hak për Tringën duke vrarë Vasil Ndrekën. Më tej Gjetë Gegën e sulmon sllavi Millosh Pera në një duel, që poeti e krahason me një përleshje për jetë a vdekje midis një luani e një tigri. Në përleshje e sipër Millosh Pera pengohet te kufoma e Vasil Ndrekës dhe vritet nga Gjetë Gega, i cili i pret kokën Vasilit dhe e flak në oborr pranë trupit pa jetë të Tringës. Më tej në këtë këngë përshkruhen duele të tjera, ku trimat shqiptarë e malazezë përqeshin e shpotitin njëri tjetrin në një mënyrë epike.
Kënga XXIV - Zana e Vizitorit:
Zana e Madhe kundron betejën e përgjakshme nga më e larta pikë e malit Vizitor mbi
__________________________________________________ _________________

9 Lahuta e malcís XXII. 881-882.
__________________________________________________ _________________
Plavë, ashtu si Zeusi sodiste Luftën e Trojës nga maja e lartë e malit Ida. E zemëruar në kulm kur sheh Tringën e virtytshme, e cila që fëmijë kishte qenë nën mbrojtjen e zanave të malit, ajo zbret për t'ia marrë trupin e për ta sjellë në rudinat e malit Vizitor. Trupin e saj e lajnë me ceremoni, e ndërrojnë dhe e varrosin rrëzë një bliri, ndërsa Zana e Madhe e vajton. Tringës i duhet marrë haku. Ky është vullneti i Zanës së Madhe që ngrihet mbi malësi dhe u lëshon burrave kushtrimin për të shpejtuar për në fushëbetejën e Nokshiqit. Retë e luftës mblidhen në horizont ndërsa fiset e Shalës, Shoshit, Shllakut, Temalit, Merturit, Gjâjit dhe Dushmanit përgatiten për betejë.
Kënga XXV - Gjaku i marrun:
Kjo këngë, më e gjata nga të gjitha, me 1184 vargje, i kushtohet përsëri ashpërsisë së betejës, të cilën poeti shpirtbutë françeskan e përshkruan me kënaqësi. Nga vendi ku është ulur në majën e lartë të Durmitorit, ora e Malit të Zi dëgjon kushtrimin therës të Zanës së Madhe të Vizitorit dhe niset për të lajmëruar Mark Milanin, duke vajtuar:

"Si gjithmonë Shqyptár e Shkjá
Janë lá n'gjak, q'se fati i zí
Flakë e agzot vûni per brî,
Vû per brî Shqypní e Mal t'Zí!" (10)

Ora i del Mark Milanit me fytyrën e poetit epik malazez Petar Njegosh për t'i njoftuar se shqiptarët po bëhen gati të zbresin në Nokshiq e ta tërheqin për të hyrë në betejë. Mark Milani trim i hyn orvatjes së fundit të pasuksesshme për të pushtuar malësinë shqiptare. Ai u bën thirrje luftëtarëve të vet të hidhen në sulm, duke u premtuar "cilen n'Plavë, dreken n'Gusí, zamren n'Hot e darkën n'Shkodër." Beteja ndizet e përgjakshme dhe përshkruhet edhe një herë me gjithë vrullin e heroizmit e batërdinë e saj. Zanat e maleve, ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së lashtë, ndërhyjnë për të mbrojtur luftëtarët e dashur e për t'i dërguar të tjerët në atë botë. Mark Milani e kupton se malazezët janë të rrethuar dhe kërkon nën një rrebesh shiu Mirko Kapidanin, për t'i thënë që të tërhiqet. Mirkoja është kapur rob nga shqiptarët në një urë mbi Lim. Këtu ora malazeze dhe zana shqiptare, të mbështetura nga dy shtriga mbi kurriz breshke, zënë e përleshen vetë. Ora mundet, e lodhur në pemën e blirit mbi varrin e Tringës, ku e rrahin gjarpërinjtë. Hakmarrja është kryer. Zana e Madhe këndon:

"A t'kam thânë, 'or' Knjaz Nikolla,
Se un, dér sande pa marrë dielli,
Tringen do t'a kish' pague:
Treqind krena un tue t'i pré,
Treqind rob un tue t'i zanun,
Trí mij çika e nuse t'reja
Para kohës tue t'i lânë veja." (11)
Kënga XXVI - Koha e re:
Pas skenash të gjata me beteja, kënga XXVI bën kontrast me karakterin idilik të skenave të saj. Këtu hyn vetë poeti. Ai po e kalon pranverën në Lezhë për të përfunduar Lahuta
__________________________________________________ _________________

10 Lahuta e malcís XXV. 52-55.

11 Lahuta e malcís XXV. 1165-1171.
__________________________________________________ _________________
e Malcís, dhe fton për vizitë zanën, muzën e tij. Bukuritë e Lissusit të lashtë në ato ditë pranvere e frymëzojnë poetin të rikujtojë historinë e krahinës: ndërtimin e kështjellës së Lezhës me muret e saj ciklopike, jetën e mbretërve legjendarë të Ilirisë, varrin e Skënderbeut, legjendat dhe mitologjinë. Tani, pas pesë shekujsh sundimi turk, po agon një kohë e re, ajo e lirisë dhe e pavarësisë së Shqipërisë.
Kënga XXVII - Xhemjeti (Komiteti):
Ka ardhur shekulli i njëzetë. Në brigjet e Bosforit, gjatë revoltes së xhonturqve më 1908, mblidhet një pseudokomitet pashallarësh turq për të vendosur për fatin e Shqipërisë. Liberalizmit të Sinan Pashës i kundërvihen Xhavit dhe Turgut Pasha, për të cilët në Perandori ka vetëm një kombësi, ajo turke, dhe që kërkojnë të përdoret forca për të mposhtur kryengritësit shqiptarë.
Kënga XXVIII - Dedë Gjo' Luli:
Fryma e qëndresës ndaj malazezëve vazhdon të gjallojë në Shqipërinë moderne në figurën e Dedë Gjo' Lulit, kryeluftëtar i çështjes kundër turqve. Jemi në vitin 1911, një vit para luftërave ballkanike, kur turqit nisën orvatjen e tyre të fundit për t'i nënshtruar malësorët shqiptarë nën sundimin osman. Me Dedë Gjo' Lulin dhe çetën e tij prej njëzet petritash është edhe plaku Marash Uci nga Rapsha e Hotit, që e kemi parë në këngën XII. Turgut Pasha me shtatëdhjetë batalionet e tij kërkon që malësorët të dorëzohen brenda pesë ditësh, dhe pastaj përgatitet për sulm, por tani gjendja e mjerueshme e Shqipërisë i ka rënë në sy edhe Evropës.
Kënga XXIX - Lufta e Balkanit:
Perandori i Austrisë Franc Jozefi e këshillon Sulltanin të mos i ngacmojë shqiptarët, se përndryshe do të ketë me ta më shumë probleme nga sa kujton ai. Cari i Rusisë shtyn miqtë e vet sllavë t'i shpallin luftë Turqisë dhe kështu nis Lufta Ballkanike e vitit 1912. Nga humbja e Turqisë do të përfitojnë bullgarët, dhe përsëri sllavët sulmojnë Shqipërinë. Mbreti i Anglisë fton gjashtë mbretërit e tjerë, përfaqësues të Fuqive të Mëdha, në Konferencën e Londrës për të zgjidhur këtë problem, sepse "prej Balkanit hajr nuk ké!"
Kënga XXX - Konferenca e Londonit:
Pas tridhjetë vjetësh pune me Lahuta e malcís, poeti e mbyll këngën duke i bërë thirrje zanës, e cila prej kohësh e ka ndjekur pa u ndarë andej-këndej nëpër lëndinat e Parnasit. Ashtu si Horaci në exegi monumentum, poeti na thotë:

"Ndertue kemi 'i pomendare,
Rrfé as mot mos m'e dermue." (12)

Përshkrimit nga poeti të ngjarjeve të Konferencës së Londrës, ku të 'shtatë krajlat' bisedojnë për fatin e Shqipërisë, nuk i mungon një notë humori e ironie. Pas shumë debatesh, pjesëmarrësit pranojnë të njohin shtetin e ri e të pavarur shqiptar. Flamuri kuq e zi, "porsì fleta e Engllit t'Zotit", valëvitet tani mbi tokën e Skënderbeut.

Lahuta e malcís është pa dyshim poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini: nga poema me
__________________________________________________ _________________

12 Lahuta e malcís XXX. 23-24.

ndikim persian e Dalip Frashërit Hadikaja, rreth v.1842 (Kopshti); nga poema epike shiite e Shahin bej Frashërit Myhtarnameja, 1868 (Historia e Myhtarit); nga poema disi e shkapërderdhur e Jeronim De Radës Scanderbeccu i pa-faan, 1872-1884; nga poema me frymë kombëtare po jo dhe aq e arrirë e Naim Frashërit Istori' e Skenderbeut, 1898; nga poema epike shiite po e tij Qerbelaja, 1898; nga poema e mërgimit e Zef Skiroit Te dheu i huaj, 1900; dhe deri tek ajo e Frano Krispi Glavjano Mbi malin e Truntafilevet.

Epoka e poemave bektashiane e shiite sipas traditës turko-persiane natyrisht kishte marrë fund, kurse tema klasike e poemave epike shqiptare, bëmat e heroit kombëtar të shekullit të pesëmbëdhjetë, Skënderbeut, e cila ishte trajtuar me një nivel artistik të kufizuar nga dy shkrimtarët shqiptarë më me emër të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Jeronim De Rada dhe Naim Frashëri, tani ishte tepër e largët dhe e mjegullt për t'u vënë në qendër të një poeme epike të shekullit të njëzetë. Gjergj Fishta zgjodhi për subjekt atë çka njihte më mirë: kulturën heroike të vendlindjes, malësisë shqiptare të veriut. Synimi i tij me këtë poemë, e cila është një arritje e pashoqe në letrat shqiptare, ishte të paraqiste jetën e fiseve të Shqipërisë së veriut, e të njerëzve të saj në përgjithësi, në përmasa heroike. Autori pati fatin e mirë që në ato vite të jetonte mu në burimin e së vetmes shoqëri heroike të pacenuar në Evropë. Kështu, struktura fisnore e banorëve të Alpeve të Shqipërisë së veriut ndryshonte rrënjësisht nga rajonet më të përparuar e më "të qytetëruar" të jugut toskë. Ajo çka i mahniste vizitorët dhe etnografët e huaj në Shqipërinë e veriut të këtyre viteve ishte shoqëria e fortë patriarkale e malësisë, një sistem i mbështetur në zakone të trashëguara në shekuj nga ligji fisnor, e në veçanti nga Kanuni i Lekë Dukagjinit. Në Lahuta e malcís kemi të gjitha tiparet dalluese të kësaj shoqërie: zakonet e doket e lindjes, martesës dhe varrimit, mikpritjen bujare të fiseve, gjakmarrjen dhe besën.

Lahuta e malcís është frymëzuar fuqishëm nga poezia gojore shqiptare (13), si nga ciklet e poezisë heroike të quajtura Këngë kreshnikësh me ndërtimin e vargut tetërrokësh, të ngjashme me juna…ke pjesme serbo-kroate, ashtu edhe nga ciklet po aq popullore të poezisë historike të shekullit të tetëmbëdhjetë, të ngjashme me poezinë kleftike greke apo me haidutska pesen të bullgarëve. Fishta e njihte këtë poezi gojore të kënduar nga fiset malësore gege me lahutën e tyre me një tel, dhe e pëlqente gjuhën e ritmin e saj. Prandaj rrëfimi në poemë është plot fjalor arkaik të pasur dhe figura ligjërimi të larmishme e të gjalla, që përdoren nga fiset luftëtare malësore të veriut, e që sot nuk janë aq të kuptueshme, madje edhe për vetë shqiptarët e veriut (14). Natyrisht, lidhjet e ngushta me letërsinë gojore janë një tipar më se i zakonshëm për poemat epike, ndonëse disa autorë e kanë kritikuar Fishtën për 'folklorizëm', për imitim të folklorit, pa mundur të krijojë një poemë të vërtetë epike. Metri kryesor i Lahuta e malcís është tetërrokshi trokaik apo shtatërrokshi, i cili harmonizohet më bukur me poezinë gojore shqiptare se sa heksametri klasik i poemave epike greke e latine. Megjithatë, ndikimi i poemave të mëdha të lashtësisë klasike, Iliada dhe Odiseja e Homerit apo Eneida e Virgjilit, është kudo i pranishëm në Lahuta e malcís, sikundër kanë pasur kënaqësinë ta theksojnë një numër studiuesish, e sidomos Maksimilian Lamberci dhe Xhuzepe Gradilone (15). Pra, mjaft paralele në stil e në përmbajtje kanë kapërcyer shekujt. Vetë Fishta më pas përktheu shqip librin e pestë të Iliadës (16).

Ndër figurat stilistike kryesore që karakterizojnë Lahuta e malcís dhe pa dyshim pjesën më të madhe të epikave, janë metafora, aliteracioni dhe asonanca, si dhe hiperbola dhe

__________________________________________________ _________________

13 kr. A. Berisha 1990.

14 Për leksikun e Fishtës, kr. Kolgjini 1969.

15 kr. Lambertz 1949 dhe Gradilone 1983.

16 kr. Hylli i Dritës, Shkodër, VII, 1, 3, 4 (1931).
__________________________________________________ _________________

arkaizmat. Tipari kryesor heroik i subjektit dhe rrëfimi i imtë i skenave të betejave për fat të mirë janë harmonizuar me përshkrimet lirike dhe idilike të bukurisë së natyrës së Alpeve të Shqipërisë së veriut, të cilat i japin Lahuta e malcís një dritë e hijeshi poetike. Mangësia në këtë aspekt do t'i sillte mungesa të dukshme veprës.

Lahuta e malcís mbështetet thellësisht në legjendat dhe mitologjinë shqiptare dhe është e mbushur plot figura mitologjike nga letërsia gojore, që ashtu si perënditë dhe perëndeshat e Greqisë së Lashtë, sodisin ngjarjet dhe, kur del e nevojshme ndërhyjnë në to. Ndër to janë: zanat, hijet trimëresha të malësisë, që rrijnë pranë burimeve e përrenjve dhe u japin mbrojë luftëtarëve shqiptarë; orat, hijet femër, që edhe vetë emrin e kanë tabu; lugatet; shtrigat; dhe drangojt, figura gjysmënjeri të lindur me krahë flatrash e me fuqi të mbinatyrshme, që si qëllim kryesor në jetë kanë luftën kundër kulshedrës zjarrvjellëse me shtatë krerë derisa ta vrasin atë. Shkrirja e elementeve heroike dhe mitologjike është më se e dukshme në një numër personazhesh, të cilëve Fishta u jep një vend të rëndësishëm në Lahuta e malcís. Kështu, Oso Kuka, luftëtari trim e i rreptë, që më mirë vdes se i dorëzohet i gjallë armikut sllav; bariu i moshuar Marash Uci, i cili i këshillon luftëtarët e rinj të mbrojnë lirinë dhe të mos harrojnë zakonet e të parëve; si dhe vasha trimëreshë Tringa, që i gjendet te koka të vëllait e që është e vendosur të mbrojë tokën e vet.

Aspekti heroik i jetës në malësi është një nga tiparet që fiset shqiptare të veriut e kanë të përbashkët me fqinjët e vet sllavë të jugut e sidomos me malazezët. Të dy popujt, edhe pse të ndarë nga gjuha dhe nga rrjedha e hidhur e historisë, kanë mjaft gjëra të përbashkëta mes tyre. Edhe pse malazezët si personazhe janë 'negativë' në qëllimin e Fishtës për t'i thurur lavdi atdheut të vet, ai nuk kishte mbetur i pandikuar e i paemocionuar nga arritjet letrare të sllavëve të jugut në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, sidomos të poezisë epike për qëndresën sllave kundër turqve. Kemi përmendur rolin e atit françeskan Gërga Martiq, veprat e të cilit i shërbyen djaloshit Fishta si model gjatë studimeve në Bosnjë. Fishta u frymëzua gjithashtu nga shkrimet e një shkrimtari më të hershëm françeskan, Andrija Kaçiq-Mioshiq (Andrija Ka…iƒ-Miošiƒ, 1704-1760), poet dhe publicist dalmat i periudhës së Iluminizmit, i cili përmendet sidomos për veprën e tij Razgovor ugodni naroda slovinskoga, 1756 (Bisedë e këndshme e popullit sllav), përmbledhje me prozë e poezi për historinë serbo-kroate; po ashtu, edhe nga veprat e poetit kroat Ivan Mazhuraniq (Ivan Mazuraniƒ, 1814-1890), autor i poemës së njohur epike Smrt Smail-age ‚engiƒa, 1846 (Vdekja e Smail Aga Qengiqit). Burim tjetër frymëzimi letrar për Fishtën ka qenë poeti e princi malazez Petar Petroviq Njegosh (Petar Petroviƒ Njegoš, 1813-1851). Nuk është rastësi që titulli Lahuta e malcís është mjaft i ngjashëm me titullin Gorski vijenac, 1847 (Kurora e maleve), poemë epike e Njegoshit për qëndresën heroike të Malit të Zi ndaj pushtuesve turq, e cila tani përgjithësisht konsiderohet si eposi kombëtar i malazezëve dhe serbëve. Fishta arriti të vërtetonte se edhe gjuha shqipe ishte në gjendje të jepte një epos letrar të përkryer me po ato përmasa heroike.

Edhe pse Gjergj Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satirik nuk janë më pak të mëdha se ato në gjini të tjera. Shumë studiues vlerësojnë më lart poezinë e tij lirike. Botimi i parë i Fishtës me poezi lirike, Vierrsha i pershpirteshem t'kthyem shcyp, Shkodër 1906, përmblidhte krijime me frymëzim të fortë katolik. Aty gjejmë përkthime poetësh të mëdhenj italianë si arkadiani Pjetro Metastazio (Pietro Metastasio, 1698-1782) nga Roma; romancieri e poeti romantik Alesandro Manxoni (Alessandro Manzoni, 1785-1873) nga Milano, të cilin Fishta e adhuronte pa masë; patrioti Silvio Peliko (Silvio Pellico, 1769-1845) nga Torino; liriku dhe historiani i letërsisë Xhakomo Xanela (Giacomo Zanella, 1820-1888) nga Viçenca si edhe të tjerë.
Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale u botua me titullin Pika voëset, Zadar 1909, kushtuar bashkëkohësit të tij Luigj Gurakuqi (1879-1925). Pas saj vjen më 1913, në agim të pavarësisë së Shqipërisë, botimi i parë i librit Mrizi i zânave, Shkodër 1913, që përfshin edhe disa poezi fetare nga Pika voëset. Fryma e përgjithshme që përshkon përmbledhjen Mrizi i zânave është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më fort në botimet e tjera të zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në një botim të fundit pas vdekjes më 1941. Vjersha si Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheut, Shqypnija e lirë dhe Hymni i flamurit kombtár shprehin gëzimin dhe krenarinë e Fishtës për historinë e Shqipërisë dhe pavarësinë e re të saj. Në këtë vëllim janë përfshirë edhe melodrama alegorike Shqyptari i gjytetnuem dhe vazhdimi i saj Shqyptarja e gjytetnueme. Krahas poezisë me tema atdhetare të përqëndruara në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe Vallja e Parrîzit, Shkodër 1925. Poezia e kësaj përmbledhjeje, ndër to vjershat si Të kryqzuemit, Të zânun e pafaj të Virgjërês Mri, Nuntsiata dhe Shë Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.

Gjergj Fishta ishte gjithashtu mjeshtër i përkryer i poezisë satirike, që e përdori zgjuarsinë dhe penën e mprehtë për të qortuar cenet e sjelljes dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve të vet. Ai nuk kishte ironinë dashamirëse e këshilluese të Çajupit, por satirën therëse e djegëse, shpesh të pamëshirshme, një ekuivalent ky në poezi i prozës satirike therëse të Faik bej Konicës. Fishta kishte botuar mjaft vjersha të tilla në revistën Albania me pseudonimin kuptimplotë 'Castigat ridendo' (qorton duke qeshur). Më 1907, ai botoi pa vënë emrin e tij përmbledhjen satirike me 67 faqe Anxat e Parnasit, Sarajevë 1907, e cila hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga mjaft kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij. Në të parën e satirave të tij, Nakdomonicipedija (Mësim për Nakdo Monicin), ai i drejtohet mikut të tij, shkrimtarit dhe botuesit jezuit Dom Ndoc Nikaj (1864-1951), të cilin me dashuri e thërret me pseudonimin e tij Nakdo Monici, për t'i shprehur simpatinë e vet, ngaqë vepra 416 faqesh e këtij të fundit, Historia é Shcypniis, e botuar në Bruksel më 1902, nuk ishte pritur me interesimin e duhur nga bashkatdhetarët. Shqiptarët qenë shumë indiferentë ndaj historisë së vet e madje ndaj gjendjes së tashme të vajtueshme në përgjithësi. Arsyeja e këtij indiferentizmi, na thotë Fishta, është konkurrenca midis Shën Nikollës dhe djallit. Shën Nikolla kishte kapërcyer dete me urdhër të Zotit për të shitur arsye dhe shije. Djalli, nga ana e tij, konkurronte me një vapor plot me çizme të vjetra që donte t'i shiste. Kur të dy tregtarët mbërritën në portin e Shëngjinit, shqiptarët biseduan me njëri-tjetrin dhe vendosën të blejnë çizmet veresie. Me masa të tilla të pashkolluara, Fishta i rekomandon Nikajt të ngushëllohet me sjelljen gjakftohtë dhe përbuzëse të Tartufit të Molierit. Anxat e Parnasit, e shkruar më pas Anzat e Parnasit, me shumë shprehje therëse, por të bukura, që nuk mund të priteshin në një masë të tillë nga një prift françeskan i butë, u ribotua më 1927, 1928, 1942 dhe 1990, dhe i solli Fishtës shumë miq e armiq. Gomari i Babatasit është një tjetër vëllim satirik-humoristik, i botuar me pseudonimin Gegë Toska, në kohën kur Fishta qe anëtar i Parlamentit shqiptar. Në këtë vepër, që itoi popullaritet të madh në kohën e vet, ai godet patriotët e rremë dhe dembelët.

Përveç melodramave të përmendura më sipër Shqyptari i gjytetnuem dhe Shqyptarja e gjytetnueme, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër, ndër to edhe përshtatje nga një varg klasikësh të huaj, p.sh. I ligu per mend, Shkodër 1931, komedi në tri akte e Molierit, dhe Ifigenija n'Aulli, Shkodër 1931, e Euripidit. Ndër veprat e tjera dramatike që hartoi apo përshtati në një kohë kur dramaturgjia shqiptare ishte në shpërgënj janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetare. Ndër to përmendet pjesa me tri akte për Krishtlindjen Barìt e Betlêmit; Sh' Françesku i Asisit, Shkodër 1912; tragjedia Juda Makabé, Shkodër 1923; Sh' Luigji Gonzaga, Shkodër 1927; dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve, Shkodër 1941, e fundit ndër veprat e tij, që u botua sa qe gjallë. Deri para daljes së Gjergj Fishtës në skenën letrare, letërsia kombëtare e Shqipërisë kishte marrë një farë toni tosk. Ai vërtetoi se Shqipëria e veriut mund të ishte partner i barabartë me jugun më të përparuar në krijimin e një kulture kombëtare. Por Lahuta e malcís nuk u prit me brohori nga të gjithë, në veçanti nga kritikët toskë. Disa autorë e kanë shikuar shkrirjen e letërsisë gojore e asaj të shkruar si të pafrytshme, kurse të tjerë e kanë parë këtë poemë epike mbi një temë vërtet bashkëkohëse thjesht si një anakronizëm në shekullin e njëzetë. Ismail Kadare (l. 1936) e ka nënçmuar Lahuta e malcís si një "poemë të gjatë monotone, një kronikë sterile, e cila duke qenë, veç të tjerash, moralizuese e didaktike, ngjante me epet e veriut aq sa ç'mund të ngjante ujët e distiluar me ujvarat e bjeshkëve (17)." Vetëm koha do ta tregojë nëse Fishta do ta rifitojë vendin e vet si 'poet kombëtar' pas një gjysëm shekulli lënie në harresë për arsye politike.

Shkolla katolike shkodrane e letrave, që në krye të vendit kishte Gjergj Fishtën, hyri në epokën e vet të artë në dekadat e para të shekullit të njëzetë dhe, për këtë lulëzim të kulturës gege, atij i takon një meritë të madhe. Poetë dhe studiues françeskanë si Pashko Bardhi (1870-1948), Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Pal Dodaj (1880-1948), Vinçenc Prennushi (1885-1949), Marin Sirdani (1885-1962), Anton Harapi (1888-1946), Justin Rrota (1889-1964), Bernardin Palaj (1894-1947), Donat Kurti (1903-1969), Benedikt Dema (1904-1960) dhe Gjon Shllaku (1907-1946), e madje në të vërtetë të gjithë ata intelektualë të tjerë shqiptarë, që kaluan vitet e tyre krijuese në Shkodër gjatë kësaj apo asaj periudhe të katër dekadave të para të shekullit, u ndikuan nga figura madhore e atë Gjergj Fishtës. Studiuesi Eqrem Çabej (1908-1980) shkruante:
[indent]"I rrënjosur thellë në vendin e tij, të cilin e linte vetëm për pak, për t'u kthyer gjithmonë rishtas atje, Fishta fuqitë e tija njerëzore e poetike i thithi prej kësaj toke. Atje te godina e dytë e Kuvendit, që ndodhet jashtë qytetit të Shkodrës, ku pemë të lashta japin një qetësi të ëmbël, atje jetoi jetën e tija dhe përgjoi frymëzimet e qeta të zanavet. Ay nuk qe asish shkrimtarësh jo aq të rrallë në Ballkan, të cilët më të shumtën e jetës së tyre e kalojnë nëpër qytete të mëdha të viseve të huaja. Ay qe një nga ato natura, të cilat ngrihen e rriten dalngadal prej qarkut të tyre. Në këtë qe një bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ay u bë, në një tjetër kuptim sesa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë (18)."[/inent]

Në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore Gjergj Fishta vërtet u njoh nga të gjithë si 'poet kombëtar'. Albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963) e ka cilësuar si "poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria (19)", kurse Gabriele D'Anuncio (1863-1938) e ka quajtur "poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë". Për të tjerë ai ishte "Homer shqiptar". Por pas luftës Fishta u godit e u përgojua ndoshta më shumë se çdo shkrimtar tjetër i paraluftës dhe u la menjëherë në harresë. Poeti kombëtar u kthye në mallkim. Historia e Letërsisë Shqiptare e vitit 1983, histori zyrtare e Tiranës, e cila pati bekimin e Partisë së Punës së Shqipërisë, i linte trajtimit të Fishtës një minimum hapësire absolutisht të kufizuar:
"Përfaqësuesi më kryesor i këtij kleri, Gjergj Fishta (1871-1940), poet, publicist, pedagog, politikan, drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhërit françeskan dhe
__________________________________________________ _________________

17 kr. Kadare, Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe, Tiranë 1991, f. 40.

18 kr. Koliqi (red.) 1941, f. 31; dhe Çabej 1941.

19 kr. Lambertz 1948, f. 368.
__________________________________________________ _________________
veprimtarinë kulturore e arsimore të këtij urdhëri. Për të, interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe cinizmin, dhe e kishte vënë në themel të punës së tij si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike 'Lahuta e Malësisë', duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve të Veriut, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekullonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarje dhe figura të historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë. Vepra të tjera, si poema satirike 'Gomari i Babatasit', ku u sulmuan me tërbim laicizmi i shkollës dhe idetë demokratike, ishin karakteristike të luftës së egër që bëri kleri katolik për të ruajtur e për të rritur ndikimin e tij në jetën mendore të vendit. Këtij arti përpiqej t'i shërbente një formë që i qëndronte pranë folklorit. Atë e shoqëronin shpesh proliksiteti, efektet e kërkuara, retorizmi, brutaliteti i shprehjes e i stilit, gjer në banalitet, argumentimet e tyre false, që orvaten të imponohen me pahir, si dhe një qëndrim i theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste (20)."
Arsyeja e vërtetë për rënien e Fishtës pas 'çlirimit' më 1944 duhet kërkuar jo në gjoja pro-italianizmin e tij, por në zanafillën e vetë Partisë Komuniste Shqiptare. PKSH, më pas Partia e Punës e Shqipërisë, ka qenë themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore nën kujdesin e të dërguarve jugosllavë Dushan Mugosha (1914-1973) dhe Miladin Popoviq (1910-1945). Në korrik 1946, Shqipëria dhe Jugosllavia nënshkruan një Traktat të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës Reciproke si dhe një numër marrëveshjesh të tjera, që i dhanë Jugosllavisë kontrollin real mbi të gjitha çështjet shqiptare, përfshirë edhe fushën e kulturës. Serbokroatishtja u fut si lëndë e detyrueshme në të gjitha shkollat e mesme shqiptare, kurse në pranverë 1948, po përgatiteshin plane për bashkimin e të dy vendeve. Nuk ka dyshim se ndjenjat antisllave të shprehura në Lahuta e malcís bënë që vepra dhe autori i saj të ndaloheshin nga autoritetet jugosllave, edhe pse Fishta qe shkolluar në Bosnjë dhe qe frymëzuar nga letërsia serbe dhe kroate. Elementi antisllav i veprës së Fishtës është gjithashtu i vetmi që theksohet në botimin e parë të pasluftës të Enciklopedisë së Madhe Sovjetike në Moskë. Në të është shkruar (Mars 1950):
"Veprimtaria letrare e priftit katolik Gjergj Fishta pasqyron rolin që ka luajtur kleri katolik në përgatitjen e agresionit italian kundër Shqipërisë. Si ish agjent i imperializmit austro-hungarez, Fishta, në vitet e para të veprimtarisë së tij letrare, mori një qëndrim kundër popujve sllavë, të cilët ishin kundër planeve grabitqare të imperializmit austro-hungarez në Shqipëri. Në poemën e tij shoviniste antisllave 'Lahuta e malcís', ky spiun ngrinte lart ndjenjat armiqësore të shqiptarëve kundër popujve sllavë, duke bërë thirrje për luftë të hapur kundër sllavëve.(21)"
Pasi marrëdhëniet me Jugosllavinë u prishën më 1948, kishte shumë gjasa që shprehjet e ndjenjave antimalazeze e antiserbe të mos konsideroheshin mëkat i madh sipas mendimit të Partisë, por për sa i përket Fishtës tashmë ishte marrë një qëndrim zyrtar dhe, ndoshta për shkak

__________________________________________________ _________________

20 kr. Shuteriqi (red.) 1983, f. 470-471. Për të qenë të drejtë, duhet shënuar, sipas Shuteriqit, se Vehbi Bala (1923-1990), kishte përgatitur 40 faqe për Fishtën, për historinë e letërsisë të Akademisë, por nuk qe lejuar ta botonte.

21 kr. Bolshaja Sovjetskaja Enciklopedija, vëll. 2 (Moskë, 18 mars 1950), f. 49.
__________________________________________________ _________________

të respektit për aleatët e rinj sllavë në Moskë, ky qëndrim nuk mund të hiqej pa shkaktuar ndonjë skandal. Gjergj Fishta, ai që veçse pak vite më parë ishte vlerësuar si poet kombëtar i Shqipërisë, u zhduk nga skena letrare dhe nuk i dukej më asnjë gjurmë. Aq frikë e patën, saqë më vonë thonë se edhe eshtrat ia nxorrën fshehurazi nga dheu e ia hodhën në lumë. Por me gjithë katër dekadat e propagandës së vazhdueshme partiake, e cila e quante Fishtën 'poet klerik e fashist', populli i Shqipërisë së veriut, e sidomos banorët e Shkodrës ku kishte lindur, nuk e kishin harruar. Vepra e tij ka qarkulluar fshehurazi dorë më dorë, dhe është lexuar nëpër brezat e shqiptarëve. Pas afro gjysmë shekulli, Gjergj Fishta u përkujtua hapur për herë të parë më 5 janar 1991 në Shkodër. Gjatë të parit recital me vepra të Fishtës në Shqipëri pas dyzet e pesë vjetëve, aktori në një çast ngeci në recitim, por menjëherë e në mënyrë spontane u ndihmua nga salla, e cila e mbante mend ende përmendësh Lahuta e malcís.



Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...