Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/24

Murat Jashari-Baca :Titistët dhe spiunët


Titistët dhe spiunët
Letra Nr. 8 e shenjtë! – “Shkrime-kujtime-testament”
Pakë ma tepër se fëmijë, kisha nji çik shtat, nëna më angazhonte t` jua dërgojë në fushë babës e motrave bukën e vakteve.
E pështillte ushqimin nëna me nji çarshafë e, më thoshte ecë fluturimthi, mos u vono rrugës, bukën e sillës a drekës e presin punëtorët.
Në rrugë e sipër për te ara e Opajkës, në të djathtë e në të majtë, çka të zinte syri, shihje vetëm pleq e vasha në ara.
Një ditë mora guxim e babën po e pyes: o babë, ku janë burrat e fshatit, se në ara nuk duken?!
Eh, more birë, shteti, ushtria kështu na bajnë për çdo verë e vjeshtë. Ata që e kanë krye ushtrinë për çdo dytën vera e dytën vjeshtë, kështu deri sa të arrijnë moshën e pleqnsisë, duhet të shkojnë në „Vezhbë“ (ushtrime ushtarake), thotë qeveria!
Kjo është me rrokada, lumë babës. Kjo na ka ndodhur neve shqiptarëve prej kur është çliruar Jugosllavia prej nazistëve. Edhe unë, o birë, para disa viteve e kam krye këtë obligim të ushtrimeve. Tashti pasi i jam shtruar rrugës së pleqërisë nuk ju duhem më.
Por, mos harro, në këto farë ushtrime ushtarake, si ju thonë, këtu në Maqedoni janë mbi 80% shqiptarë. Sllavët nëpër punë administrative e nëpër fabrika nuk munden me shku në ato ushtrime se u mbyllen fabrikat e prishet “dërzhava”.
Kështu babës, titistat e shpiunat i renditin shqiptarët në lista, ushtrimet ushtarake të obligueshme me i kye!
Kështu më pat thënë baba, e kokën e shmangu që mos t`ia shihja sytë e përlotur.
***
Problemi ma i madh verës është ujitja e “bereqeteve”. Në shumicën e rasteve në terren “voderedarët” janë pilivana (politikanë demagogë), titista e spiunë ordinerë.
Ngatërrojnë rendin e fshatarëve për ujitje. Nuk mbetet vit pa i ngatërruar “voderedari” fshatarët për rendin e ujitjes.
Kështu titistat e spiunët e përçajnë fshatarësinë dhe mbjellin urrejtje, ngatërresa dhe vrasje në mesin e shqiptarëve!
***
Edhe më tepër mora shtat dhe tani e dija hilen e shtetit ndaj fshatarësisë shqiptare dhe në përgjithësi ndaj kësaj pjese të kombit tonë që ishte aneksuar e ndarë mes tri republikave jugosllave.
Isha në shkollën e mesme. Orari i mësimit ka qenë nji muaj paradite dhe nji muaj pas dite. Ishte dimër e acarë. Filluan bashkëfshatarët ta bënin duhanin kallëp e i ndreqnin në denga, siç e kërkonte puna.
Nji paradite dola në qendër të fshatit, ku ishte Monopolli (qendra e grumbullimit të duhanit) që e merrte shteti.
Çka me pa! Ishin grumbulluar paria e fshatit, të gjithë tok. Asnjëri nuk e kishte as edhe shkollën fillore të mbaruar! Disa kishin ndjekur ca kurse nate, të gjithë pelivana, titista e shpiona. Sa dëm u sillnin fshatarëve këta injorantë! Edhe në matjen e duhanit u vidhnin bashkëfshatarëve peshën reale!
Duke i parë se në çdo dengë nga 5-6 kg e nga 1-2 klasë e hiqnin të ashtuquajturit vlerësues, që ju thoshin “cenovaçi”, e atë në prani të udhëheqësve të fshatit dhe pronarit të duhanit, nuk durova dot, shpërtheva e protestova për këtë vjedhje të bashkëfshatarëve të mi.
Pelivanë titista e spiun me dhunë më larguan nga monopolli, dhe më kërcënuan se do të kesh punë me policinë.
***
Shumica e “shumarëve” (rojtarë të pyllit) kanë qenë spiun. Një kodër të tërë në fshatin tonë shteti patë mbjellun me lloje të ndryshme të pemëve. Në atë pemishte bari rritej shumë. Kishim mbi 100 krerë dele. Nji ditë mora qengjat dhe i dërgova të kullosin bari te ajo pemishte.
Mbas nja nji ore, mbërrini nji njeri i madh me mamzerkë krahë e qafë.
Më pyeti i kujt jam e më qortoi pse i kam shti qingjat këtu?
Po, aga ..., këtu po ka ma shumë bari se gjetiu, për këtë arsye i pruna këtu këta të bukur qingja, që as damin ma të vogël nuk ua bëjnë pemëve, u arsyetova unë.
Shpejt largoj prej këtu, se e thërras policinë, e me ta ndahesh shumë keq, më urdhëroi me një zë të shterur roja dhe filloj t`i shtynte e rrihte qengjat e njomë.
Ngadalë bre aga ...., se këto janë njimend kafshë, por shiqo sa të bukur e të vegjël janë! Gjynah bre aga ....me i rrah kështu sipo bë ti, se këta ende bebe janë!
I largova ngadalë prej atij vendi të shtetit e i qita te mali i fshatit, në kullosën e bashkarisë.
Aga filan pastaj filloj të më marr me të mirë, por e hetova se e ka me sherr. Titistat spiuj krejt të sherrit janë.
Fillojë të më pyes se a di se kush po shet duhan kah mali në të zezë dhe kush po gjuan në dasma e ahengje familjare me pistoletë.
Unë si fëmijë kam urrejtur uniformën e policit, të ushtarëve e të rojeve të pyllit.
Me nji urrejtje ndaj asaj uniforme, që tashmë e kishin veshur një numër I madhë shqipfolësish, që nuk e fshehja dot, i thash se në fshatin tonë nuk ka aso gjërash që kërkon t`i dishë nga unë!
***
Në një të premte rreth xhamisë silleshin disa të rritur burra me mantila të bardhë dhe tre me rroba civile.
Njëri nga ata me rroba civile, pelivan politikan, titist e spiun ii komitetit të partisë në Kumanovë kishte kërcënuar imamin e fshatit që t`ju thoshte xhematit, mbasi ta falin namazin, që krejt në qetësi e me radhë të hynin në klasën ku kam mësuar unë Alfabetin, sepse duhet të japin gjak shtetit.
4
Tjetri, civil, oficer i UDB-së, me shtat të lartë e babaxhan, sillej vërdallë aty pari para xhamisë e xhematit! Ishte vera, vapë e madhe.
Nuk e d çka ju ka thënë imami xhematit brenda në xhami. Mbas nji kohe, të shkretit besimtarë, bashkëfshatarët e mi të lodhur nga punët e vështira të fushës, u renditën, jo si ne te shkolla, por këto në katër rreshta, meqë nuk i zinte tok oborri i xhamisë, e vajtën në një klasë të shkollës.
Ai ma i madhi nga oficerët e UDB-së, ju thoshte bashkëfshatarëve të mi se unë jam “dërzhava” (shteti), çka t’ju them duhet me ba!
Kështu edhe atë pakë gjak që ju kishte mbetur, bashkëfshatarëve të mi shteti me zorë ua mirrte, si shushujzë!
***
Gjatë LDB edhe në këtë anë kishte pas partizan shqiptar që me idilet e çlirimtarëve ishin rreshtuar në brigadat partizane. Por më shumë ishte e organizuar NDSH-ja. Pas luftës, meqë partizanët me shumicë kishin fituar, anëtarët e NDSH i kishin ndjekur për ti arrestuar.
Në rrethin tonë, në Kumanovë, në fshatin Hotël e Orizare, kishte pasur ma shumë shqiptar të Organizatës së NDSH-së. Politika titiste meqë nuk kishte arritur ta asgjësoj dot këtë organizatë, kishte marrë aksionin e vrasjes në pusi dhe ndjekjes e burgosjes. Në këtë ndërmarrje kishte përdorë taktikë të shkëlqyer, duke marrë e bë për vete nga nji mashkull të familjeve të mëdha të këtyre dy fshatrave për ti vëzhguar e spiunuar familjet patriotike e atdhetare që mbanin në ilegalitet NDSH-istat.
I njëjti sistem është kah përdoret edhe tani nga subjektet politike shqiptare që janë në pushtet. Në kohën e titizmit ka pasur disa lloje spiunsh, edhe tani sikur janë rimëkëmbur ato struktura. Si shumë parti shqiptare që kemi janë shumëfishuar edhe shpionat e partive. Çdo parti që vjen në pushtet i punëson spiunët e vet. Atdhetarët e çlirimtarët, si në kohën e titizmit, edhe tani në kohën e pluralizmit, e shohin gazepin e zi për ta siguruar kafshatën për vete e familjen e vet. Po nuk je spiun i partisë që vjen në pushtet, vajhalli për ty e për milet.
Një ditë nëntori kishte plasur sherri në një klasë të shtatë të një shkolle fillore në një fshat të rrethit të Kumanovës. Një vashë e nji kurbetçari në dërrasë të zezë kishte shkruar shkronjat KR. Në orën e dytë, kur vjen arsimtari i gjuhës shqipe i sheh në dërrasë të bukurat shkronja KR. Skuqet e nervozohet e drejtë te zyra e drejtorit pelivan për të telefonuar te padronat e vetë, ku tjetër, pos në sekretariat. Padronat e mësuesit pelivan, nja katër nuk vonojnë dhe pipë në shkollë e direkt me drejtorin futen në klasën e shtatë. Nja dy inspektor, të shkretin mësues të matematikës që tashti po mbante orën e mësimit, e që ishte edhe kujdestar i klasës e marrin me vete e drejt te UDB në Kumanovë. Nja gjashtë orë ushtrojnë ndaj tij torturë të mirëfilltë psikike. Mësuesi pelivan para drejtorit pelivan (spiun) e dy supovca i pyesin nxënësit, duke i kërcënuar me burg, ata e prindërit e tyre, se kush i ka shkruar këto dy shkronja?
Të gjithë nxënësit rrudhin krahët, në shenjë se nuk e dinë. Përsëri pelivan mësuesi pyet se çka do të thotë kjo KR? Të gjithë përgjigjen KOSOVA REPUBLIKË.
Me urdhër të drejtorit pelivan, për identifikim i detyron një nga një nxënësit të dalin në dërrasë të zezë e t`i shkruajnë shkronjat KR. Vajza trimëreshë iniciatore e shkruese e dy shkronjave, del tek dërrasa e zezë dhe kur i vjen radha shkruan dy shkronjat RK pak më të drejta e më me përkushtim se herën e parë. Të gjithë një zëri: drejtor, mësues e supovca e pyesin vashën se çka do të thonë këto dy shkronja? Vasha shpejt e pa u menduar thotë: REPUBLIKA E KOSOVËS!
Spiunët e titizmit çdo kund: fë familje, në jetën private e shoqërore, në sipërmarrje, shkolla të të gjitha niveleve, po, po edhe në Universitet në të gjitha fakultetet. Në Shoqatën e Shkrimtarëve, në Organizatat bazë të LKJ, tek ato të lidhjes Socialiste e të Lidhjes së Rinisë. Spiunët e LKJ në media elektronike dhe të shkruara. Në Entin e Botimeve, në Redaksi të gazetave e TV, gjithkund ishin spiunët, këto roje të pushtetit. Në çdo pore të jetës!
Kah fundi i viteve '80-ta, me pamjen e skenës trishtuese të fundit të jetës së qiftit Çaushevski të Rumanisë dhe me urdhër të qendrave të LKJ spunët titista në një mëngjes u transferuan të gjithë në “demokratë”! Formuan parti e forume të rinisë e grave e gjithçka...
6
Përsëri titistat spiunë në krye të subjekteve politike e të mediave elektronike e të shkruara . Nga fjalët atdhetar , sepse ju duhej për të marr besimin e popullit, a në anën tjetër ruanin qetësinë për pushtuesit. Po dole në protestë për Republikë e Liri, të ka hangër dreqi përsëri!
Fundi i viteve '90 në skenë, përkundër dëshirës së kësaj “kotulle” demokratësh, djemtë e vashat dolën në skenë me emblemë të UÇK-së. Tani demokratët pak rrudhën gojën, por zanatin përsëri vazhdojnë ta ushtrojnë.
Fribourg (CH), 19 Shtator 2012
MURAT JASHARI-BACA
Orizare-Kumanovë

Pieter Feith: Ndarja e Kosovës do të destabilizonte rajonin

Qeveria dhe komuniteti ndërkombëtarë nuk kanë bërë mjaft për trajtimin e problemeve ekonomike në Kosovë, tha Pieter Feith, ish shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare. Zoti Feith u shpreh kundër ndarjes së Kosovës duke thënë se zgjidhja e çështjes së veriut duhet bërë në bazë të Planit Ahtisari. Në lidhje me korrupsionin ai tha se qeveria duhet t’i dyfishojë përpjekjet kundër kësaj dukurie që mund të shkaktojë vështirësi në përpjekjet për anëtarësim në BE.
Feith: Ndarja e Kosovës do të destabilizonte rajonin
Zërit i Amerikës: Zoti Feith, Zyra Civile Ndëkombëtare në katër vitet e jetës së saj shënoi një sërë arritjesh, por situata në veri vazhdon të jetë e paqëndrueshme dhe ekonomia vazhdon të jetë një sfidë e madhe për Kosovën. Së pari të ndalemi të ekonomia. A mendoni se komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovë kanë bërë mjaft për të trajtuar problemet ekonomike, si papunësia e lartë?
Pieter Feith: Mendoj se përgjigja është jo. Pjesërisht unë ndihem përgjegjës për këtë. Por, natyrisht në fund të fundit, qeveria është përgjegjësëse për politikat ekonomike. Por, komuniteti ndërkombëtar në periudhën e ardhshme duhet të punojë në krijimin e kushteve të jashtme për zhvillim ekonomik. Janë dy elemente në këtë aspekt. Së pari integrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale. Është e rëndësishme që të hiqen sanksionet e Serbisë të vendosura ndaj Kosovës menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Kjo do ta ndihmonte Kosovën të bashkëpunonte me shtetet rajonale në fushat e enegjisë, transportit dhe të tjera. Natyrisht edhe Bashkimi Evropian do t’i kërkojë Kosovës dhe Serbisë të punojnë së bashku drejt arritjes së marrëveshjeve për qarkullimin e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe për krijimin e një sistemi të integruar të menaxhimit të kufirit. Një çështje tjetër është fatkeqësisht imazhi i keq që ka Kosova, i cili urgjentisht duhet të përmirësohet. Kjo ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit, krimin e organizuar. Ka shumë dyshime për korrupsionin veçanërisht në prokurorimin publik por edhe me tenderat. Këto çështje duhet të trajtohen me urgjencë.
Zërit i Amerikës: Të ndalemi tani të situata në veri të Kosovës. Ka zëra që ofrojnë ndarjen e Kosovë si një alternativë zgjidhjeje. Kohët e fundit ish koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek ka thënë se ndarja mund të jetë zgjidhje për Kosovën. Cili është mendimi juaj?
Pieter Feith: Unë nuk jam dakord me zotin Erhard Busek dhe unë nuk jam i vetmi person që nuk është dakord me këtë. Vendet, të cilat e mbështesin Kosovën, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shumica e vendeve të Bashkimit Evropian, Turqia, Zvicra dhe Norvegjia e kundërshtojnë me vendosmëri ndarjen. Është një opsion për të cilin nuk duhet të shpenzojmë shumë energji. Nëse do të ketë ndarje, ajo do të jetë shumë destabilizuese për mbarë rajonin, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, sepse do të vihet në pikëpyetje Lugina e Preshevës dhe natyrisht ndarja mund të jetë destabilizuese edhe për Maqedoninë. Pra, unë mendoj se ky opsion është hedhur poshtë nga miqtë e Kosovës.
Zërit i Amerikës: Por duke marrë parasysh se ky problem nuk është trajtuar siç duhet në 13 vitet e fundit, a ka ndonjë opsion tjetër? Cilat janë alternativat tjera për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Pieter Feith: Ekziston një alternativë dhe mendoj se është e mundur të lëvizet përpara përmes rrugës së negociatave. Së pari, veriu i Kosovës duhet të mbetet pjesë e Kosovës. Siç e dini Kosova dhe Serbia kanë një perspektivë evropiane dhe çdo zgjidhje politike për veriun duhet të jetë në përputhje të asaj që unë do ta quaja korniza e anëtarësimit e Komisionit Evropian. Kjo do të thotë se kushtet që do të kërkohen nga Serbia dhe Kosova janë forcimi i sundimit të ligjit, qarkullimi i lirë i mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, siç e thashë më parë, zhvillimi ekonomik, pluralizmi dhe qeverisja e mirë. Ky është elementi i parë. Elementi i dytë është që në përgjithësi zgjidhja politike për veriun duhet të gjendet brenda parametrave të planit Ahtisari. Plani Ahtisari është shumë specifik në lidhje me të drejtat e komuniteteve përfshirë komunitetin serb dhe ne kemi bërë përparime të mira në fuqizimin e komunitetit serb në jug të lumit Ibër dhe e njejta gjë mund të bëhet për sërbet në veri të lumit Ibër. Unë gjithashtu do të thoja se është e rëndësishme që gradualisht të vendoset qeverisja dhe të vendosen lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunitetit në veri. Ky proces duhet të udhëhiqet nga qeveria. Nuk është e mundur për ndërkombëtarët që t’i bëjnë oferta komunitetit serb në veri. Kjo duhet të vijë nga qeveria. Komuniteti serb duhet të bindet që në vend që të shikoj nga Beogradi ata duhet të shikojnë në drejtim të Prishtinës dhe duhet të fillojnë të ndihen rehat me idenë e jetës me komunitetin shqiptar në Kosovë. Unë gjithashtu dua të shtoj se Beogradi mund të japë një kontribut konstruktiv në këtë drejtim. Sa i përket negociatave dhe taktikave unë mendoj se janë dy linja të dialogut. Në një anë duhet të ketë bisedime mes qeverisë së Prishtinës dhe udhëheqësve të komunitetit serb në veri ku mund të diskutohen çështjet që janë me rëndësi për qytatarët në Kosovë, dhe në anën tjetër është dialogu më politik i lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit.
Zërit i Amerikës: Nëse zyra që keni drejtuar ju nuk ishte aq e fuqishme për ta zbatuar planin e Ahtisarit, pse mendoni se kjo mund të arrihet nga qeveria e Kosovës, e cila as nuk njihet e as nuk pranohet nga ajo pjesë e vendit?
Pieter Feith: Së pari, së bashku me qeverinë kemi hapur një Zyrë Administrative në veri të Kosovës ku qytetarët mund të aplikojnë për dokumente të Kosovës. Ne nuk kemi arritur ta integrojmë veriun sepse unë nuk komandoja policinë ose forcat e KFOR-it. Nuk ka qenë mandati im dhe mua nuk më ishin dhënë këto kapacitete. Varet nga Bashkimi Evropian dhe misioni i Eulex-it që të punojnë në forcimin e sundimit të ligjit. Për këtë, komuniteti seb në veri dhe Beogradi duhet të sigurojnë lirinë e plotë të lëvizjes për forcat policore përfshirë forcat ndërkombëtare të policisë që do të jetë kusht i Bashkimit Evropian. KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pranishëm për të mbështur policinë dhe për të siguruar një ambient të sigurtë. Zyra Civile Ndërkombëtare nuk i ka patur këto aftësi, ajo duhej të varej nga partnerët e saj dhe edhe në të ardhmen të do jetë ashtu siç është tani.
Zërit i Amerikës: A kanë bërë mjaft qeveria e Kosovës, EULEX-i dhe Zyra Civile Ndërkombëtare në luftimin e korrupsionit? A keni shpresa se pas përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë, qeveria e Kosovës do ta luftojë korrupsionin?
Pieter Feith: Mendoj se qeveria duhet ta bëjë këtë. Qeveria duhet t’i ri-dyfishojë përpjekjet për ta fshirë këtë të keqe dhe kjo do të bëhet me mbështejtjen e fuqishme të Bashkimit Evropian. Nëse nuk do të ketë përparim të mjaftueshëm në këtë aspekt, atëherë unë mendoj se rruga drejt Brukselit do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Sipas mendimit tim, korrupsioni ushqehet nga shumë faktorë por një ose dy faktorë mund të identifikohen. Njëri prej faktorëve është varfëria që është një problem i madh në Kosovë. Dyzet për qind e popullsisë janë nën nivelin e varfërisë, punësimi nuk është i mjaftueshëm, papunësia është e lartë dhe rrogat e punonjësve të sektorit publik janë shumë të ulëta. Prandaj, nëse një gjykatës ose një polic fiton një shumë të caktuar parash me të cilën ka vështirësi ta ushqej familjen atëherë tundimi do të jetë aty.
Së dyti, në situatat pas konfliktit udhëheqësit e rezistencës, në këtë rast udhëheqësit e UÇK-së, kanë përvetësuar pozitat kryesore në shtetin e ri. Unë mendoj se ky problem duhet të rishqyrtohet. Duhet të vijë një brez i ri i kosovarëve të rinj të cilët gradualisht duhet të marrin drejtimin e vendit dhe unë pres nga ata zbatim të plotë të rregullave dhe normave të sjelljes morale dhe etike. Pra, ka shpresë. Qeveria duhet të jetë plotësisht e angazhuar në këtë fushë. Dhe unë e shoh që me ardhjen e brezave të rinj gjërat do të përmirësohen.
Zërit i Amerikës: Zoti Feith, këto ditë, gjatë një diskutimi në Universitetin John Hopkins, ju thatë se Kosova ka nevojë për konsolidimin e institucioneve, që do të thotë më shumë bashkëpunim mes partive politike për çështjet e interesit kombëtar. Si mund të arrihet kjo?
Pieter Feith: E kam diskutuar këtë vazhdimisht me kryeministrin e Kosovës. Mendoj se është në interesin kombëtar për qeverinë që të bisedojë me opozitën. Kjo ka filluar të ndodh tani, por me pak vonesë. Mendoj se duhet bërë një përpjekje më serioze për të krijuar atë që e kemi quajtur mbështetje për qeverinë në bazë të një ekipi uniteti ndërkohë që qeveria është në prag të hyrjes në dialog politik me Beogradin me ndërmjetësinë e Bashkimit Evropian. Mendoj se udhëheqësit politikë janë gati t’i bashkohen kësaj përpjekjeje. Kam biseduar me udhëheqësit e LDK-së, AAK-së, dhe me përjashtim të Vetëvendosjes, mendoj se ka vullnet për t’u bashkuar. Jo për krijimin e një koalicioni qeverisës, por për të krijuar një grup mbështetës që do të ndihmojë qeverinë të gjejë kursin në negociatat e ardhshme.
Zërit i Amerikës: Kosova ka kushtetutën dhe parlamenti i saj ka miratuar shumë ligje, por shpesh problem është zbatimi i ligjeve. A ka Kosova aftësi për zbatimin e plotë të ligjeve të saj?
Pieter Feith: Po, Kosova ka aftësi për zbatimin e ligjeve. Por, duhet bashkëpunim i plotë jo vetëm në nivelin qëndror, por edhe në nivelin e komunave me shërbimet kryesore të shtetit, policinë, autoritetet e taksave dhe shërbimet tjera. Për shembull, ka patur hapa të rëndësishëm për të siguruar përdorimin e të gjitha gjuhëve zyrtare në Kosovë, por ato nuk janë zbatuar. Nuk sheh shenja të rrugës që janë jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhën sërbe dhe gjuhë të tjera. Kështu që duhet të forcohet zbatimi i ligjeve dhe qeveria tani ka emërar një komisioner të gjuhës. Pra, ky është një hap drejt përmbushjes më të mirë të kushteve. E njejta gjë vlen për pjesën e planit të Ahtisarit, sipas të cilit televizioni publik, RTK duhet të ketë një kanal në gjuhën serbe. Tani është emëruar një drejtor i ri dhe shpresoj, që në një të ardhme të afërt ky kanal serb të fillojë punën.

Roli i mërgatës shqiptare në SHBA në sensibilizimin e çështjes kombëtare


Në 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, rrugët e kryeqendrave shqiptare të emërohen me emrat e atyre atdhetarëve në Amerikë që ndër vite bënë për vete kongresmenë e senator dhe mbarë opinionin e gjerë, e një nga atdhetarët më të mëdhenj që ka pasur historia shqiptare, padyshim se është edhe shqiptaro-amerikani, z.Xhem Xhema.

Roli i mërgatës shqiptare në SHBA në sensibilizimin e çështjes kombëtare

Shënimi i 16- vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan(NAAC) në Gotham Hall të New York City, me ç’rast mblodhi bashkë përfaqësuesit e politikës shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi, shqiptarë të Amerikës, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Philip Reeker, ambasadorja amerikane në OKB, Rosemary A. DiCarlo, kongresisti Eliot Engel, ambasadori Frank Wisner etj, shenonë një ngjarje tjetër në historinë moderne shqiptare.
Shqiptarët e Amerikës, por jo vetëm, kontributi i të cilëve ishte rreze drite për bashkëkombësit e tyre në trojet e origjinës, u bënë faktor kyç në çlirimin e Kosovës, të promovimit të paqes, demokracisë dhe formësimit të imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

FATOS BAXHAKU :Të parët tanë në Siri


Teksa rrugët e qyteteve siriane vazhdojnë të përzhiten orë e minutë nga flakët e luftës civile, teksa diplomacia ndërkombëtare deri më tash është treguar e paaftë të ndalë gjakderdhjen, teksa çështja siriane vazhdon të jetë një hekur i skuqur mbi trupin e lodhur të popujve arabë, na shkuan ndërmend se diku, dikur kishim lexuar mbi praninë e fortë shqiptare në këto anë. Ka shumë gjasë që shumë prej portreteve të shqetësuara, të përgjakura, të vetmuara që shohim përditë në ekranet tona të vogla të jenë pasardhësit e shqiptarëve të Sirisë. Ja se çfarë thotë historia.

Në vitin 1521, Sulltan Sulejman Ligjvënësi i nënshtroi përfundimisht prijësit mamlukë. Që prej asaj kohe e deri në 1916 shqiptarë e arabë sirianë jetuan nën të njëjtën çadër të madhe, nën Perandorinë Osmane. Shqiptarët e parë që u dukën këtyre anëve ishin sundues ushtarakë. Më i pari prej tyre rezulton të jetë Mehmet Pashë Dukagjini, i cili në 1550 ishte vali i Halepit. Ky ka mbetur i njohur për disa ndërtime të rëndësishme që la pas. Në mes dhe në fund të shekullit XVI, valinj të Damaskut ishin Lala Mustafa Pasha dhe Sinan Pasha, që të dy shqiptarë. Më 1590 të njëjtin vend e zunë me radhë Mustafa Pasha dhe Mehmet Pasha edhe këta nga gjaku ynë.
Të parët tanë në Siri
Rreth 1600 në krye të vilajetit të Halepit ishte shqiptari i rreptë Nasuh Pasha. Ky ka mbetur i njohur në historinë e Sirisë si njeriu që arriti të nënshtrojë jeniçerët që bënin zullume mes popullsisë së thjeshtë. Në 1608 në krye të Damaskut ishte prizrenasi Kuçuk Sinan Pasha. Në 1645 në të njëjtin post erdhi Mehmet Pashë Qypryliu i famshëm, origjina e të cilit ishte nga Roshniku në afërsi të Beratit. Mehmet Qypryliu u bë më pas Vezir i Madh (ekuivalenti i sotëm i Kryeministrit) dhe vendin e tij në Damask e zuri i biri, Ahmet Pasha. Ky e shpëtoi qytetin nga anarkia dhe uria. Edhe ky, njësoj si i ati u bë më pas Vezir i Madh në Stamboll.

Por nuk ishin vetëm valinjtë shqiptarë ata që lanë gjurmë në historinë e Sirisë. Në shekujt XVII-XVIII duket se këtu ishin ngulitur shumë shqiptarë, më së shumti si ushtarë. Në ditarin e një berberi nga Damasku shkruhet se kur Valiu i Damaskut unispër ekspeditë ndëshkimore në Palestinë ai kishte me vete 500 shqiptarë. Në 1757 në disa luftime rreth Damaskut marrin pjesë edhe njëzet bajraktarë shqiptarë. Në fund të shekullit XVIII truprojat e valinjve ishin të gjithë shqiptarë. Një vali boshnjak ua detyron jetën këtyre, sepse ishin pikërisht shqiptarët që e shpëtuan nga një komplot vrasës që ishte organizuar prej vetë ushtarëve të tij boshnjakë.

Pa asnjë dyshim shqiptari më i njohur në Siri është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ky vuri nën administrimin e tij gati të pavarur gjithë Sirinë e sotme dhe një pjesë të madhe të Palestinës. I lindur shqiptar, por i rritur si arab, ky ëndërronte një shtet të madh e të pavarur arab. Ishte i pari ndër politikanët e kohës që zgjoi vetëdijen arabe. U njoh për reformat e thella mes të cilave edhe lirinë e fesë. Vetëm nën sundimin e tij të krishterët mund të hipnin në kalë dhe të mos vishnin rrobat detyruese që i diferenconin ata nga shumica myslimane. Një nga të krishterët më të njohur të vendit, Hana Bahkri, ishte i pari ndër ta që jo vetëm u bë ministër i Financave, por edhe mori titullin bej. Gjë e padëgjuar deri më atëherë në Sirinë e kohës. Ibrahim Pasha reformoi shkollat dhe ngriti shtypshkronja në të gjithë Sirinë. Sundimi i tij zgjati në periudhën 1832-1840. Pas kësaj, vetë Fuqitë e Mëdha perëndimore kthyen në vend autoritetin e sulltanit. Në fakt, në hije ishte vetëAngliaajo që nisi të luante telat në Lindjen e Mesme. Pikërisht në këtë kohë nisi tinëzisht një periudhë e gjatë kolonizimi pasojat e së cilës ndihen ende edhe sot e kësaj dite.

Në periudhën e sundimit të Ibrahim Pashës kemi shtimin më të madh të pranisë shqiptare. Në 1832 numërohen rreth 15 mijë shqiptarë në ushtrinë e Ibrahim Pashës. Ironia e fatit deshi që në Siri të luftonin më shumë shqiptarë me shqiptarë sesa osmanë kundër arabëve. Shqiptarët ishin të shumtë edhe në krahun e ushtrive të Sulltanit. Gjatë një beteje që u zhvillua në dhjetor të 1832 afro 12 mijë shqiptarë, që ishin ushtarë të sulltanit dezertuan dhe u bashkuan me bashkëpatriotët e tyre të krahut të Ibrahim Pashës. Shumica e tyre mbeti në Siri, Palestinë, Liban. Pashai ua njohu nderin duke i shpërblyer me toka. Në 1834, banorët e Damaskut panë me kërshëri me qindra fishekzjarrë që ngriheshin drejt qiellit. Pastaj dëgjuan një turmë njerëzish që brohorisnin pareshtur “Krishti u ngjall, Krishti u ngjall!”. Këta ishin afër 7 mijë shqiptarë që nën drejtimin e Mustafa Pashës erdhën nga Kreta në Damask ku u vunë nën mbrojtjen e Ibrahim Pashës. Thjesht po festonin Pashkët. Shumica e tyre mbeti përgjithnjë në Siri.

Ardhja e shqiptarëve në këto anë vazhdoi edhe pas rikthimit të pushtetit osman. Shqiptarët vinin këtu më së shumti si ushtarë. Në 1844 duket se ata ishin aq shumë saqë një kryengritje kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak që ndodhi në 1844 është quajtur si “kryengritja e shqiptarëve”.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë sonë. Ismail Qemali ndenji vetëm pak kohë në këtë post, por njësoj si paraardhësi i tij, Ibrahim Pasha, edhe ky e nxiti fort idenë e krijimit të një shteti arab.

Shqiptarët, me kalimin e kohës, u bënë një komunitet shumë i fortë në Damask. Ata madje kishin edhe lagjen e tyre që quhej Suk Saraxha. Zakonisht mbanin mbiemrin Arnauti (emërtimi osman për shqiptarët). Një nga familjet shqiptare, Mardam Bek, në fillim të shekullit XX ishte një ndër më të njohurat e më të pasurat e parisë siriane të kohës. Pjesëtarët e saj e kishin origjinën nga Lala Mustafa Pasha. Shumë valë shqiptarësh mbërritën këtu gjatë luftërave ballkanike 1876-1878 dhe 1912-1914. Nga komuniteti “arnaut” shqiptar kanë dalë shumë njerëz të njohur të arteve dhe politikës, ndonëse më së shumti ata mbetën zanatçinjtë e vegjël të rrugëve të vjetra të Damaskut, pasardhës të kohëve kur shqiptarët ishin më së shumti ushtarë në shërbim të të tjerëve. Kush e di se ç’po ndodh këto ditë me njerëzit e gjakut tonë në vendin e përzhitur nga urrejtja civile.

Roli i padiskutueshëm i mediave elektronike dhe të shkruara


Roli i mediave në shoqëritë moderne po bëhet çdo herë e më i rëndësishëm kanë potencuar në fjalimet e tyre ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson dhe ambasadori amerikan në Shkup, Paul Wohlers.

Këto komente ambasadorët amerikanë i bën gjatë fjalimeve të tyre para një punëtorie të titulluar “Mediat dhe kohezioni shoqëror”, ku merrnin pjesë përfaqësues të mediave nga Kosova dhe Maqedonia.

Ambasadorja Tracey Jacobson tha se roli i mediave kurrë nuk ka qenë më i rëndësishëm sesa që është në ditët e sotme.

“Gazetaria nuk ka qenë asnjëherë më e rëndësishme sesa tani, kur po shohim një shpërthim të medieve sociale. Mediat sot nuk janë vetëm ato tradicionale, si gazeta, TV dhe radio, pasi që është shtuar numri i medieve që transmetohen përmes internetit apo medieve ‘online’”, tha ambasadorja Jacobson.

Por, që roli i tyre të jetë me ndikim pozitiv të shoqëri dhe rrjedhat e përgjithshme, nevojitet që të ketë një gazetari të përgjegjshme dhe objektive, theksoi ajo.

Ndërkaq ambasadori Paul Wohlers tha se gazetarët në Kosovë dhe ata në Maqedoni ballafaqohen me probleme afërsisht të njëjta, pasi që u përkasin shteteve me një demokraci të re dhe në ndërtim e sipër.

“Të dyja vendet ballafaqohen me çështje, probleme e presione të njëjta, sidomos mediat, pavarësisht nëse flitet për problemet në shoqëri, si tensionet etnike, korrupsioni e tjera. Shtypja që qeveritë e bëjnë mbi gazetarët dhe redaktorët është reale si dhe kriza ekonomike me të cilën ballafaqohen shumica e medieve”, ka thënë ambasadori Wohlers.

Shumëllojshmëria në Kosovë dhe Maqedoni, vijoi ambasadori amerikan, është pjesë e rëndësishme që sjell begati kulturore shoqërore e historike.

Mirëpo, këto dallime, etnike, fetare dhe shoqërore, theksoi ai, mund të keqpërdoren nga individë të caktuar të cilët duan të shkaktojnë mospajtime dhe përçajnë komunitetet.
Roli i padiskutueshëm i mediave
Andaj, pikërisht këtu, potencoi Wohlers, vjen në shprehje gazetaria e përgjegjshme për hulumtimin e vërtetë të ngjarjeve e rrethanave dhe prezantimin e tyre para publikut.

Krahas informimit objektiv dhe të përgjegjshëm, diplomatët amerikanë e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm përdorimin e mundësive të reja që u ofron sot teknologjia medieve për informimin sa më të shpejtë të publikut.

Pikërisht për këto mundësi dhe teknikat që mund të përdoren, gazetarët nga Maqedonia dhe Kosova më pas kanë pasur rastin që të mësojnë gjatë sesioneve trajnuese të kësaj punëtorie.

OBSH-WHO: Alarm global për virusin e ri


Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se një shtetas i Katarit, i goditur nga një virus i panjohur më parë, por që ka lidhje me virusin SARS, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
OBSH: Alarm global për virusin e ri
Mekanizimi për Shëndetësi i Kombeve të Bashkuara ka lëshuar alarm global për rastin e 49-vjeçarit.

Pacienti është shtruar për trajtim në Britani, pas kthimit nga Arabia Saudite.

Në vitin 2003, virusi SAARS ka shkaktuar vdekjen e rreth 800 personave – shumica e tyre në Azi.

Presidentja Atifete Jahjaga mori pjesë në takimin vjetor të Clinton Global Initiative

Presidentja Jahjaga mori pjesë në takimin vjetor të Clinton Global Initiative




Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, gjatëqëndrimit në New York, mori pjesë në takimin vjetor të Clinton GlobalInitiative: “Designing for Impact”.

Në takimin vjetor të Clinton Global Initiative Presidentja Jahjagaishte e shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi dhe ministrja e integrimeve evropiane, Vlora Çitaku dhe ndoqi diskutimet që u zhvilluan rreth krijimit të mundësive dhe kushteve për një të ardhme më të begatë për secilin njeri duke shfrytëzuar kapacitetet globale.

Në diskutimin e takimit vjetor të CGI-së, të cilin e drejtoi ish-presidenti amerikan Bill Clinton, morën pjesë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, mbretëresha e Jordanisë Rania Al Abdullah dhe presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim.

Presidentja Jahjaga gjatë takimit vjetor të Clinton Global Initiative u takua me personalitete të ndryshme pjesëmarrëse në këtë konferencë përfshirë edhe presidentin Clinton.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...