Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/10/02

Autobiografia e Ahmet Zogut, rrëfimi: Pse u bëra Mbret dhe i hapa dyert Italisë



Mbreti Zog gjatë një parakalimi para Ushtrisë Shqiptare
Për herë të parë bëhet e njohur autobiografia e Mbretit.
“Shqiptari është në zemër monarkist. Një fron do të thotë autonomi e vërtetë dhe pavarësi”
Nga Mbreti Zog deri në ditët tona na kanë ardhur përgjithësisht kujtime dhe rrëfimeve të të tjerëve. Kësaj here është vetë Mbreti që rrëfehet. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, si përfaqësues i Amerikës, ambasadori Herman Bernstein pati rastin të takohet dhe ta “intervistojë” Mbretin e shqiptarëve, i cili u është përgjigjur pyetjeve të diplomatit mbi jetën e tij dhe karrierën politike. Është një autobiografi në vetë të tretë, e gjetur në  arkivat e YIVO Institute for Jewish Research, në New York, të cilin albanologu Robert Elsie e ofron në faqen e tij on line.  Ndër të tjera, në këtë rrëfim Zogu prek edhe çështje të rëndësishme si marrëveshja me Italinë, koncesionet e naftës, prishja e marrëdhënieve me Jugosllavinë, lëshimi i Shën Naumit, kreditë e marra nga Italia etj.                         a.m
(vijon nga numri i kaluar)
Kryengritja e Dukagjinit i mësoi Zogut se Shqipëria nuk ishte ende mjaft e fortë për të qëndruar vetëm në mes të një rrethi kombesh të huaja, të pangopura dhe koprrace. Prandaj, edhe pse revolta u shtyp kësaj here, ishte e nevojshme të sigurohej se nuk do të kishte trazira të mëtejshme nxitur nga fuqitë e huaja. Për këtë arsye, Zogu vlerësoi të përshtatshme të arrinte një traktat miqësie me një shtet tjetër, për t’i dhënë fund një politike të rrezikshme izolimi. Ai hyri në negociata me qeverinë italiane, dhe, më 27 nëntor 1926, një traktat miqësie për një periudhë 5- vjeçare u lidh në Tiranë.
Ahmet Zogu dhe konti Çiano
Përveç kësaj, ai e konsideronte të nevojshme të lidhte një aleancë mbrojtëse me Italinë, duke ruajtur në të njëjtën kohë të drejtën e sovranitetit kombëtar, duke garantuar edhe një herë pavarësinë e integritetin territorial të Shqipërisë.
Mbi këto baza themelore dhe me të drejtat e detyrimet dypalëshe, më 22 nëntor 1927 u nënshkrua në Tiranë Traktati i Aleancës Mbrojtëse midis Shqipërisë dhe Italisë. Ky traktat u bë shpejt një faktor i rëndësishëm në stabilizimin politik të Shqipërisë dhe i dha kohë popullit shqiptar për t’i treguar botës se ata janë në gjendje të organizojnë një shtet modern. Ditën e nënshkrimit të traktatit nisi një kurs i ri në jetën e shqiptarëve. Ishte një stad që do të karakterizohej nga hapa të mëdhenj përpara në fushat ekonomike, financiare, administrative dhe kulturore.
Shqetësimi i brendshëm më i madh ishte nevoja për fonde për të financuar këtë program modernizimi. Shqipëria ishte shumë mbrapa vendeve të tjera në çështjet e zhvillimit ekonomik dhe nevojitej ndërtimi i veprave publike të të gjitha llojeve. Prandaj, ministri i Financave, Myfit Libohova, hyri në negociata me një grup financiar italian përfaqësuar nga Mario Alberti. U bë një marrëveshje për hapjen e një Banke Kombëtare dhe për një kredi prej 50 milionë frangash ari (afro 10 milionë dollarë ari). Mbi bazën e marrëveshjes, miratuar me modifikime nga Parlamenti në qershor 1925, përfaqësuesi i grupit italian brenda tridhjetë ditëve duhet të formonte Bankën Kombëtare të Shqipërisë, me një kapital nominal prej 12.500.000 frangash ari, e ndarë në 495 aksione të zakonshme me vlerë në 25 franga ari secila dhe 100,000 aksione, ndarë dhe vlerësuar në 1,25 franga ari secili. Zyra kryesore e Bankës do të ishte në Tiranë dhe degë të saj mund të hapeshin kudo. Sipas marrëveshjes, kohëzgjatja ishte pesëdhjetë vjet, por kjo periudhë mund të zgjatej me marrëveshje të ndërsjellë. Banka ndërmori krijimin e Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë (SVEA).
Sipas marrëveshjes, kredia e SVEA-s nuk do të paguhej kurrë, sepse shumica e fondeve janë përdorur në vepra të përbashkëta, të tilla si ndërtimi i Portit Durrës dhe shumë rrugëve dhe urave, me karakter thjesht strategjik, për të cilat qeveria italiane kishte më shumë nevojë se vetë shqiptarët.
Që nga viti 1923, si kompania amerikane “Standard Oil’ dhe ajo anglo-perse “Oil Company” kishin kërkuar koncesionin e naftës së Shqipërisë nga qeveria. Antagonizmi i fortë dhe konkurrenca mes dy kompanive e bëri të domosdoshme për qeverinë ta shtyjë vendimin e saj për disa kohë, derisa kushtet e paraqitura të ishin studiuar me kujdes.
Së fundi, pas rrëzimit të qeverisë së Fan Nolit në 1925-n, Parlamenti miratoi kontratën anglo-perse për shfrytëzimin e zonave naftëmbajtëse në Patos. Më vonë koncesione të ngjashme janë dhënë për kompaninë “Standard Oil”, “Ferrovia dello Stato” dhe kompani të tjera. Në kohën e sotshme, kompania anglo-perse në rajonin e Patosit ka shpuar puse të shumta dhe ka gjetur një rezervë të bollshëm nafte, siç ka bërë gjithashtu edhe “Ferrovia dello Stato” në zonën e Vlorës.
Shpallja e Mbretërisë
Për shqiptarët, shpallja e Republikës së Shqipërisë në vitin 1925 nuk dukej si arritja më e madhe e qeverisë. Traditat e tyre, mentaliteti i tyre ishte i tillë që nuk i lejonte të kuptonin plotësisht idealet e një shteti republikan. Për ta, patriotizmi dhe dashuria e vendit mund të mos thotë asgjë po të mos jenë ca njerëz të gjallë që ta personifikojnë atë. Shqiptari i vërtetë është në zemër monarkist. Për njerëzit gjithashtu, një fron shqiptar do të thotë një autonomi reale dhe pavarësi, sepse ata kujtojnë historinë e vendit të tyre, kur Skënderbeu ishte Mbreti. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1924 Asambleja Kushtetuese u nda në dy kampe të forta: monarkistët dhe republikanët.
Në fund, monarkistët triumfuan dhe Asambleja Kushtetuese, duke përfaqësuar vullnetin e popullit, ra dakord. Të shtunën, më 1 shtator 1928, Shqipëria u shpall mbretëri, mes aklamacionit të pashembullt dhe gëzimit. Zogu u kurorëzua kështu si Mbret i shqiptarëve, nën emrin e Zogut I, dhe tha fjalët e mëposhtme në Kuvend: “Sot, në momentin kur unë jam ngarkuar nga vullneti i popullit, të shprehur përmes jush dhe ndërgjegjes suaj, me detyrën e vështirë dhe të lartë për të udhëhequr shtetin, unë premtoj se do të kem gjithnjë parasysh përgjegjësinë time morale ndaj popullit shqiptar, që herët a vonë do të ngrihet me energji të pakufizuara për lartësimin e një kombi në mesin e kombeve”.
Vjena dhe atentati ndaj Mbretit Zog
Nga rrënojat e një populli të lashtë filloi të rritet Shqipëria e re. Puna e organizimit dhe konsolidimit të shtetit ishte shumë e madhe. Gjatë muajve të parë të 1930-s Mbreti punonte tetëmbëdhjetë orë në ditë rregullisht. Së fundi, kjo punë pandërprerë filloi ta lodhë dhe ta dobësojë atë, kështu që u këshillua nga familja dhe miqtë e tij për të shkuar jashtë vendit për një kohë të shkurtër trajtimi.
Prandaj Zogu la qeverinë në duart e Këshillit të Shtetit në shkurt 1931 dhe u largua për në Vjenë, duke kaluar Adriatikun me luftanijen italiane “Quarto”.
Në Vjenë jetonte një numër i madh njerëzish që kishin shkaktuar atentatin ndaj tij në vitin 1924. Pasi revolucioni i tyre kishte dështuar, ata u larguan nga vendi, dhe tani ishin duke jetuar një jetë aventureske dhe luksoze në kryeqytetin austriak, të mbështetur nga fuqi të ndryshme të huaja.
Këta ish-kundërshtarët e tij, nxitur nga vendi që i kishte paguar, vendosën t’i japin fund jetës së Mbretit Zog. Për këtë qëllim, më 20 shkurt 1931, ish-oficerët e xhandarmërisë Nok, Gjeloshi dhe Aziz Cami, u akuzuan si autorët e atentatit. Prandaj, kur Mbreti ishte duke u larguar nga Opera e Vjenës me ndihmësit e tij, ata qëlluan mbi të shumë herë. Mrekullisht ai shpëtoi. Por adjutanti i tij, major Llesh Topollaj, besnik dhe i drejtë deri në fund, u vra dhe ministri i Oborrit, Ekrem Libohova, u plagos në një përpjekje heroike për të mbrojtur Mbretin.
Në nëntor 1931, Traktati i Miqësisë i lidhur me Italinë në nëntor 1926 skadoi. Qeveria italiane kërkoi një rinovim, por Mbreti mendoi se kjo nuk ishte e nevojshme, pasi:
a) Meqenëse Traktati i Aleancës ishte në fuqi me të drejtat dhe obligimet e tij të dyanshme, një traktat i veçantë miqësie do të ishte thjesht një përsëritje e panevojshme.
b) Traktati i Miqësisë këtu dhe jashtë vendit ishte kritikuar aq shumë dhe kishte rezultuar i dëmshëm për reputacionin e Shqipërisë kështu që, në kuadër të kësaj propagande djallëzore dhe në mënyrë që të tejkalohet përshtypja e keqe, do të ishte me mend që të mos rinovohej më.
c) Traktati i Miqësisë, në nenin e tij të parë në lidhje me “statuskuonë politike dhe juridike”, ishte kuptuar nga populli shqiptar me synimin për të mbajtur regjimin në këmbë, dhe jo shtet sovran. Duke mos e rinovuar atë, do të kuptohet se të gjitha traktatet e lidhura gjatë mbretërimit të Zogut kanë në themel të tyrin shtetin dhe jo regjimin aktual dhe personin;
d) Në çdo rast, rinovimi i traktatit do të jetë i pakuptimtë, për shkak të politikës së sinqertë dhe të hapur të dy qeverive.
Për këto arsye, Mbreti refuzoi të rinovojë Traktatin e Miqësisë me Italinë.
Dhjetë kreditë italiane
Zhvillimi ekonomik i vendit nuk tregoi përparim të mjaftueshëm në vitin 1931 për t’i lejuar Shqipërisë rritjen e vazhdueshme, të nevojshme për interesat e saj jetike. Në drejtim të shpenzimeve të rënda për administratën ushtarake, mbreti kërkoi nga qeveria italiane, nëpërmjet ministrit të saj në Tiranë, Antonio Meli Lupi di Soragna, një kredi me qëllim që të lehtësojë programin konstruktiv dhe progresiv të qeverisë së tij.
Qeveria italiane, si një mik, aleat, fqinj dhe një shtet në Adriatik, pranoi që ta japë këtë kredi. Bëhej fjalë për një shumë maksimale prej 10.000.000 frangash ari, duke filluar me vitin fiskal 1931-1932, dhe që do të përsëritej për nëntë vjet rresht. Këto kredi do të ishin pa interes, dhe shlyerja e tyre i lihej nismës së qeverisë shqiptare, e cila mund ta bënte pagesën, kurdo që ajo e shihte të mundshme, pa lënduar situatën ekonomike financiare të vendit. Por në çdo rast, nuk do të bëhej asnjë shlyerje, përpara se hyrjet buxhetore të shtetit shqiptar të kishin arritur shumën vjetore prej 50.000.000 frangash ari.
Këto kredi vjetore duhet të zvogëloheshin në mënyrë proporcionale me rritjen e të ardhurave ose zvogëlimin e shpenzimeve të Thesarit shqiptar. Së fundi, kreditë duhet të përdoreshin kryesisht për zhvillimin e punëve publike, ekonominë kombëtare dhe arsimin kombëtar.
Mbi këtë bazë, më 30 qershor 1931 u miratua një ligj i veçantë, për miratimin dhe ratifikimin e kredive kontraktuara ndërmjet qeverisë shqiptare dhe italiane. Rregullore të veçanta, dekretuar nga Mbreti Zog, përshkruanin detyrat dhe kompetencat e një komisioni për përdorimin dhe shpërndarjen e kredive. Komisioni ishte i përbërë nga dy shqiptarë dhe dy italianë, emëruar me dekret mbretëror.
Në fuqinë e këtyre kredive vjetore, qeveria shqiptare përgatiti një listë të punëve të ndryshme për t’u ekzekutuar dhe për caktimin e ndarjeve buxhetore për punët publike, ekonominë kombëtare dhe arsimin kombëtar. Komisioni i Kredisë vazhdoi punën e tij për një farë kohe, por më vonë mosmarrëveshjet ende të pazgjidhura mes qeverisë shqiptare dhe italiane pezulluan operacionet e tij. Deri në atë kohë kreditë nuk ishin akorduar plotësisht. Kjo e detyroi Mbretin Zog të reduktonte shpenzimet e shtetit nga 30.000.000 franga ari në 18.500.000, në mënyrë që të kalonte situatën e krijuar, dhe të siguronte për Mbretërinë e tij një buxhet realist në përputhshmëri me fuqinë e saj financiare.

Salman Rushdie :Është e rëndë të heqësh dorë nga etnia e emrit


Salman Rushdie: “Vargjet satanike” s’është një libër fetar






“E kam përdorur si titull të librit, si një mënyrë për t’i treguar lexuesit se sa e çuditshme ishte të bëje një jetë të tillë, kur duhej të sakrifikoje edhe emrin”, ka thënë ai në një intervistë dhënë gazetares Rudina Xhunga, të emisionit “Shqip” në televizionin “Top Channel”. Aty ai ka thënë se është diçka shumë e rëndë, kur të kërkojnë të heqësh dorë nga emri yt. Por në intervistë ka folur edhe për shumë gjëra të tjera.

Shkrimtari me nam thotë se një njeri që të shkruaj duhet patjetër të lexojë libra fëmijësh.

“Them se duhet të filloj që aty. Duhet lexuar patjetër ‘Liza në Botën e Çudirave’”.

Por biseda me gazetaren nis natyrshëm, kur Xhunga i thotë se i ka pëlqyer autobiografia e tij.


Rrëfimi i shkrimtarit të “mallkuar” për lexuesin shqiptar.
“Një numër shumë i madh njerëzish, që thonë se janë të fyer prej tij, s’i kanë lexuar asnjë fjali”
“Joseph Anton” është rrëfimi i 10 viteve arrati, por edhe njohje e një historie, së cilës njerëzit i njohin vetëm bujën. Ndërsa në libraritë shqiptare ka dalë libri autobiografik i shkrimtarit Salman Rushdie, gazetarja Rudina Xhunga i ka marrë një intervistë për emisionin “Shqip” vetë autorit, ku sqaron se përse e shkroi këtë libër, si u dënua nga Irani e mbi të gjitha për librin “Vargjet satanike”, që së shpejti do të vijë në shqip nga shtëpia botuese “Dudaj”. Më poshtë botojmë një pjesë nga kjo intervistë.
Tani edhe Joseph Anton-i është i famshëm, është po aq i famshëm sa Salman Rushdie…
Siç e them në libër, e kam urryer gjithnjë atë emër. Sepse ishte një emër që u detyrova ta përdor. Është diçka shumë e rëndë, kur të kërkojnë të heqësh dore nga emri yt. Duhej të hiqja dorë jo vetëm nga emri, por dhe nga etnia e emrit. S’duhej të zgjidhja një tjetër emër indian, sepse do të kuptohej lehtë. Pasi m’u hoq etnia, e pashë letërsinë si burim. Kështu krijova kombinimin e emrave të Conrad dhe Chekhov. Por e kam urryer gjithnjë. E kam përdorur si titull të librit, si një mënyrë për t’i treguar lexuesit, se sa e çuditshme ishte të bëje një jetë të tillë, kur duhej të sakrifikoje dhe emrin. Duhej të jetoje për një dhjetëvjeçar nën një emër që s’e doje, sepse s’ishte i yti. Ditën kur munda të heq qafe Joseph Anton-in, s’u pendova fare. Isha i lumtur që më në fund u zhduk.
Kam lexuar një intervistë tuajën për “Paris Review”, ku i pyetur nëse do ta bënit ndonjëherë autobiografinë, jeni përgjigjur: Jo!

Rudina Xhunga me shkrimtarin Salman Rushdie
S’kam pasur kurrë interes të shkruaj një autobiografi. Arsyeja që u bëra shkrimtar s’ishte për të shkruar për veten, por për të tjerët. Pastaj pata fatin e keq të kem një jetë interesante. Ndjeva se arsyeja për ta bërë, në radhë të parë, ishte sepse shumë prej asaj jete, nuk ishte e njohur. Edhe pse ishte shkruar shumë në atë kohë, kishte shumë spekulime. Por pak njohuri dhe informacion. E dija që kisha një histori interesante për të treguar, dhe doja ta tregoja. Ndjeja që kjo histori lidhej gjithashtu me tema më të larta se vetja ime, me tema që po ndodhin në botë dhe të cilat tani i mendojmë të gjithë. Historia ime dhe e familjes sime ishte në një mënyrë pjesë e asaj historie më të madhe.
Dhe shkojmë në 14 shkurt të 1989-s, kur Ayatollah Khomeini nxori fatwa-n ku ju shpalli ju dhe “Vargjet satanike” kundër islamit, profetit dhe Kuran-it, duke ju dënuar me vdekje. A ju duket sikur kjo i ka ndodhur Joseph Anton-it dhe jo juve?
Jo, më ndodhi mua. Në njërën anë, ndihet ende shumë e pranishme në jetën time, sepse kishte pasoja shumë ekstreme për një kohë të gjatë të jetës sime. Por në anën tjetër, ndihet si një histori e vjetër, sepse ajo kohë e jetës sime mbaroi para më shumë se 10 vjetësh. Mbase kanë kaluar rreth 12 vjet, që kur kjo ishte diçka e madhe në jetën time. Për shumë prej atyre viteve kam mundur të jetoj si çdo shkrimtar tjetër, të bëj punën time, të udhëtoj, dhe të jem normal. Sigurisht që jam përpjekur shumë ta kthej atë kohë pas, dhe të jem në gjendje të kthehem në jetën që kam dashur gjithnjë të kem. Mendoj se mënyra se si është shkruar ky libër, është mënyra se si unë e lë më në fund pas atë histori. E kam ditur gjithnjë që kam dashur ta shkruaj këtë libër. Sepse problemi i të qenët shkrimtar është se edhe kur jeta jote po shkon shumë keq, ke një njeri të ulur te supi që të pëshpërit në vesh “kjo është histori e mirë”. E dija që kisha një histori për të treguar. E dija që një ditë do ta shkruaja. Pasi e bën, ndien sikur ke hequr një barrë.
Çfarë i solli fatwa punës suaj, suksesit tuaj? A do të ishit ju kaq i suksesshëm pa të?
Isha i suksesshëm dhe më parë. 10 vjet më parë. Do të isha shumë i lumtur dhe me atë nivel suksesi. Shiheni në mënyrë më të thjeshtë. Nga ana komerciale pati rritje shitjesh me “Vargjet satanike”, por gjithë librat e tjerë, para dhe pas, kanë qenë në të njëjtin nivel. Mendoj se ma bëri emrin më të famshëm mes njerëzve që nuk lexojnë libra, dhe papritur të gjithë njerëzit që s’do të merrnin kurrë në dorë një libër timin, kishin një mendim për mua. Kjo ishte shumë e çuditshme.
Kaq vite më pas, a mund të thoni përsëri se nuk është e vërtetë që “Vargjet satanike” nuk donin të provokonin askënd, që nuk ka lidhje fare me provokimin ndaj myslimanëve?
Provokimi dhe fyerja është diçka që bëhet shumë lehtë. Po të dua të fyej, mund ta bëj shumë shpejt. S’kam nevojë për pesë vjet punë. Ka shumë myslimanë që e kanë lexuar “Vargjet satanike” dhe mendojnë se është shumë i mirë dhe s’e kanë fare problem. Një numër shumë i madh njerëzish, që thonë se janë të fyer prej tij, s’i kanë lexuar asnjë fjali. Problemi s’është me romanin, por me fanatizmin. Një gjë për të cilën jam përpjekur shumë gjatë viteve që njerëzit ta kuptojnë, është të mos fajësojnë viktimën. Ai që ka përgjegjësi për krimin është krimineli. Nëse unë të fyej ty, dhe të them diçka që është shumë fyese, ti më urren për këtë dhe merr një armë e më qëllon. Është faji yt, jo i imi. Njeriu që meriton të burgoset për këtë, je ti. Nëse duhet të jetojmë në një univers moral, duhet të kuptojmë që njerëzit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Njerëzit e dhunës janë fajtorë për veprimet e dhunshme. Jo ata që bien pre e këtyre veprimeve. Fatkeqësisht, jetojmë në një kohë kur retorika e fesë, dhe sidomos e asaj ekstreme, është aq e fuqishme, sa përpiqet ta heqë peshën e fajit. Thotë “ai njeri më fyeu, kështu që jam i shfajësuar për ta sulmuar”. Jo, nuk është.
Shtëpia botuese “Dudaj” do ta sjellë për lexuesit shqiptarë librin “Vargjet satanike”. Mund t’u tregoni vetë atyre se çfarë duhet të jenë gati të lexojnë?
Në radhë të parë, s’është një libër për fenë. Është roman për emigrimin, për njerëz që vijnë nga India në Angli. Kjo është, mes të tjerave. Gjatë ngjarjeve, një nga personazhet që e humbet mendjen, sheh disa makthe për lindjen e fesë së islamit. Nëse lexon gazetat e më pas lexon librin, s’arrin të kuptosh se për çfarë u bë gjithë ajo rrëmujë. Shumë njerëz më kanë kontaktuar pasi kanë lexuar romanin, dhe thonë se nuk kuptojnë ku është problemi. Problemi është në mendjet e njerëzve që krijuan telashet.
Ata që e krijuan të parët këtë, ishin gazetarët?
Jo, dhe pse disa prej tyre ndihmuan, problemin s’e krijuan gazetarët. Në botën në të cilën jetojmë, me komunikimin në masë, është e lehtë të bësh keqinterpretime dhe njerëzit nisin t’i besojnë. Koha e fatwa-s kundër “Vargjeve satanike” ishte para epokës së internetit. S’kishte internet apo e-mail-e në atë kohë. Ishim në kohën e fakseve. Por prapë, ishte një fushatë ndërkombëtare. Mbase ishte hera e parë që media ndërkombëtare po përdorej për t’i bërë propagandë një pikëpamjeje shumë mesjetare. Sot ke teknologjinë më të fundit që përdoret për të reklamuar një pikëpamje mesjetare të botës. Nëse njerëzit duan të debatojnë kundër punës sime, jam më se i përgatitur të debatoj. Por kur futet dhuna në mes, është tjetër gjë. Çështja këtu është si do të reagosh ndaj dhunës. Nëse futesh në dhunë, garanton që do të ketë më shumë çështje të tilla. Dorëzimi ndaj dhunës është mënyra për të garantuar që do të ketë më shumë dhunë të tillë, sepse njerëzit shohin që funksionon. Para tre vjetësh, në 20-vjetorin e fatwa-s, shtypi britanik e përmendi shumë dhe folën me shumë prijës myslimanë që ishin përfshirë në fushatën kundër “Vargjeve satanike”, sesa kur doli për herë të parë. Të gjithë pa përjashtim thanë se kishin bërë gabim. Disa e thanë për arsye taktike. Pati dhe të tjerë që thanë se ngjarja më kishte dhënë më shumë para dhe më kishte bërë më të famshëm. Disa thanë që s’duhej ta kishin bërë për ato arsye, ndërsa të tjerë mbajtën anën e pozitës të fjalës së lirë dhe kuptuan që nëse ata mund të lejoheshin të thoshin çfarë donin, të njëjtën gjë mund të bënin dhe ata që s’ishin dakord me të. Kjo ishte interesante, që në 20 vjet ka pasur këtë nivel përparimi.
Ata që ju mbrojtën, pavarësisht frikës, pavarësisht kërcënimeve, në emër të kujt e bënë? Në emër të librit apo në emër të të drejtës për të lexuar, në emër të lirisë për të shkruar?
Disa mbështetën secilën prej këtyre. Besoj se ka pasur shkrimtarë që s’e pëlqenin librin tim, por mendonin se duhej të mbronin parimin e të qenit të lirë të shkruaje atë që kishe në zemër. Të tjerë pëlqenin më shumë veprën dhe për ata ishte ky faktori. Të tjerë nuk e pëlqenin veprën, por kjo është ideja e fjalës së lirë; të kërkon gjithnjë të mbrosh punë që ty s’të pëlqejnë. Sepse është e lehtë të mbrosh të drejtën e njerëzve që shkruajnë gjëra që të pëlqejnë. Kur nuk të pëlqen dhe e mbron, zbulon nëse beson te fjala e lirë apo jo, nëse je gati të mbrosh njerëzit, të cilët i kundërshton. Sigurisht që tema e madhe është çështje parimi. Mbaj mend që po të shihje rastet e mëparshme në 100 vitet e fundit kur janë sulmuar libra, dhe njerëzit janë përpjekur t’i ndalojnë… si “Lolita” e Nabokov-it, ose “Uliksi” i Joyce. Ose “Dashnori i zonjës Chatterley”. Mbrojtja e këtyre librave kishte të bënte shumë me mbrojtjen e cilësisë së tekstit. Njerëzit thoshin që s’mund ta ndalosh këtë libër, sepse ishte letërsi serioze. Edhe në ligjin britanik e atë amerikan, mbrojtja e cilësisë pranohet me ligj. Nëse tregon se vepra ka qëllime serioze, atëherë kjo është mbrojtje. Joyce u akuzua për pornografi dhe blasfemi. “Uliksi” është roman i bukur, por nuk ngjall ndezje seksuale. Shumë pak njerëz që e kishin lexuar “Lolitën” mund të thoshin se po mbronte pedofilinë. Prapë, akuzohej për këtë. Mbrojtja e librit ishte se shumë njerëz çoheshin e thoshin se ishin materiale të mira letrare që meritonin të mbroheshin, sepse kishin qëllime serioze. Edhe unë doja që njerëzit ta mbronin librin tim. U kërkoja njerëzve të mbronim parimet, por ishte shumë e rëndësishme të mbronim edhe tekstin. Dhe njerëzit e bënë.
Ka njerëz që i kujtojnë me të qeshur ato kohëra frike, por ka njerëz që nuk mund t’i kujtojnë dot, njerëz që vdiqën, në emër të librit dhe dhunës që u ushtrua për këtë libër.
Ndodhi diçka e tmerrshme, dhe s’ishte thjesht teori. Njerëzit u lënduan vërtet, dhe u vranë vërtet. Ky është një fakt i madh që s’e harroj ndonjëherë. Mendoj se dikur në ato vite, disa njerëz mendonin se ngaqë s’isha vrarë, atëherë s’po përpiqej të më vriste njeri, dhe ishte thjesht ekzagjerim. S’ishte ekzagjerim, por një sulm i vërtetë, i gjatë dhe shumë serioz. Sigurisht që s’është aspak për të qeshur. Ndonëse edhe të qeshesh duhet, kur ka situata dramatike. Nëse ti je në një situatë të vështirë, e kam në natyrë që përpiqem të bëj shaka si teknikë mbijetese. Dhe ndonjëherë, ka gjëra që ndodhin dhe janë për të qeshur. Si, kur isha në Nju Jork për herë të parë, gruaja ime Elizabeth-a ishte me mua, një polic që kishte përgjegjësi mbrojtjen time u shqetësua shumë, sepse ju duk e rrezikshme. Ajo ishte njeriu me pamje më pak të rrezikshme në botë. I thashë që Elizabeth-a ishte në rregull, ishte me mua. Ai më tha që po të donte të më vriste, do të më sillte pikërisht atë. Pas asaj, e pamë gjithnjë si vrasëse të mundshme.
A është rreziku që kërcënon botën e sotme, tani, kohë mbas fashizmit, stalinizmit, islamizmi totalitar?
S’mendoj se është rreziku më i madh ndaj botës, por ndaj vendeve islamike. Mendoj se njerëzit që vuajnë më shumë nga fanatizmi islamik janë myslimanët. Njerëzit që vuajtën më shumë nga regjimi i Ayatollah-ut në Iran janë pikërisht iranianët. Njerëzit që vuajtën më shumë nga talebanët janë njerëzit e Afganistanit. Mendoj se kjo fazë e islamit fanatik është një rrezik i stërmadh për banorët e vendeve islamike. Aftësia për të sulmuar pjesën tjetër të botës mund të jetë zvogëluar. Mendoj se sulmet e 11 shtatorit ishin kulmi. Gjithashtu besoja, por mund ta kem gabim, që ky moment fanatik në islam mund të mos jetë i gjatë. Sepse njerëzit që jetojnë në ato vende e urrenin shumë. Sa më të fuqishëm të bëhen prijësit islamikë, aq më shumë urrehen. Mendoj se në fund, kush urrehet, do të refuzohet nga banorët e atyre vendeve. “Pranvera Arabe” është një shembull, një përpjekje për t’u larguar nga politika autoritare, drejt një shoqërie më të hapur e më të lirë. Sido të jenë rezultatet e “Pranverës Arabe”, deri tani na ka treguar se njerëzit duan të njëjtën gjë si ne. Duan liri dhe punë. S’duan të jetojnë në diktaturë, qoftë fetare apo të çdo lloji qoftë ajo.
RUDINA XHUNGA

Qytetërimi shqiptar dhe besa


Nikolle Loka

Një trajtesë për librin e studiuesit të njohur, Mësuesit të Merituar Isa Halilaj “Besa është kushtrim”.

Libri i studiuesit të njohur Isa Halilaj


Të jeshë mësues, pavarësisht shkencës ku je diplomuar, bëhesh së pari edukator, por edhe sociolog, studiues i dukurive shoqërore. Nuk është rastësi që pas pasionit të mësuesit dhe vlerësimit për një karrierë të shkëlqyer në mësimdhënie, tek shumë mësues të njohur del në pah edhe natyra e tyre e studiuesit, një akumulim dhjetravjeçar me vlerë që kurorëzohet me botime interesante. Njëri ndër këta është Isa Halilaj, mësues i respektuar, drejtues i arsimit në rrethin e Kukësit, i cili ka botuar kohët e fundit një libër interesant etno-historik për besën shqiptare.

Studiuesi lumjan, Mësuesi i Merituar Isa Halilaj, si intelektual, kërkon të japë ndihmesën e tij, duke gërshetuar me sukses përvojën e gjatë, njohjen e gjërë të traditës dhe fakteve historike, me njohjen e gjërë si studiues. Duke analizuar situatën në të cilën kalon vendi ynë, ai mendon se ka ardhur koha e një besëlidhje shqiptare.“Besë burra! Besa-besë vëllezër e motra” e titullon ai librin që u botua para pak kohësh. Dhe jo vetëm titulli, por edhe lënda që përmbahet në libër e merr shtysën nga tradita, historia, besëlidhjet e njohura lumjane që i lejuan kësaj krahine t’u mbijetojë ekspeditave osmane dhe barbarizmit të serbëve, ku siç dihet Luma ka shënuar një ndër faqet më të ndritura të historisë sonë kombëtare.

Studiuesi Halilaj e fillon librin e tij me kuptimin e besës, duke bërë ndoshta trajtimin më të gjërë që i është bërë deri më sot në studimet shqiptare. Dihet se besa është testamenti moral i shqiptarëve qysh prej periudhave mitologjike. Dy baladat më të rëndësishme të folklorit shqiptar, me motivin e murimit dhe motivin e ringjalljes (flijimi për ngritjen e një kalaje dhe ngritja e vëllait nga varri për të kthyer motrën në familje) lidhen me mbajtjen e fjalës së dhënë.

Në librin e studiuesit Isa Halilaj merret në analizë e kaluara e popullit shqiptar, të gjitha momentet historike kulmore të historisë sonë kombëtare, të cilat janë shoqëruar me besëlidhje. Aty ideali kombëtar, bashkimi kombëtar dhe besa shihen si hallka të pashkëputura të një zinxhiri të vetëm. Nuk ka ideal pa besë dhe as besë pa ideal kombëtar. Pra besa shqiptare lidhet drejtpërdrejt me atdhetarizmin e popullit tone dhe mbijetesën e tij. Autori ka mundur të nxjerrë dobinë e besës, rezistencën në kohën e Skënderbeut, ngritjen e shqiptarëve për mbrojtjen e trojeve të tyre në vitet e Lidhjes së Prizrenit, besën e shpalljes së shtetit të pavarur në Vlorë e të tjerë. Isa Halilaj nxjerr përfundimin: “Pa besë nuk ka ideal, nuk ka bashkim… Pikërisht si nevojë jetike mendimtarët e Rilindjes, drejtuesit e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare që me Skënderbeun e sidomos me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit përqëndruan të gjithë punën dhe luftën e tyre për realizimin e bashkimit kombëtar me anën e besës dhe besëlidhjeve historike”.

Besa është e nevojshme edhe në ditët e sotme, në kohë paqeje për mirëqeverisje. Shqiptarët e kanë përdorur besën për të eleminuar dhe pakësuar dukuritë negative në shoqërinë e tyre si lakmia, cmira, egoizmi. Njeriu me tipare shqiptare është patjetër edhe njeri i besës, pra beson në vlerat kombëtare që janë trashëguar brez pas brezi, i çmon këto vlera, udhëhiqet prej tyre dhe betohet për to. Njerëzit e besës pra janë edhe atdhetarë, edhe familjarë të mirë, drejtues të duhur të institucioneve shtetërore, qytetarë të denjë të vendit, e të tjerë. Sipas autorit besa dhe besëlidhja fillojnë me veten. Qytetari i gjendur përballë problemeve të ndërlikuara shoqërore duhet t’i kërkojë zgjidhjet shqiptarisht “me besë” dhe mos të udhëhiqet nga e keqja, ligësia, të mendojë që mos t’ia bëj kujt atë që nuk do ta dëshironte për veten e tij, e të tjerë. Natyrisht që realiteti na jep edhe shembuj të mungesës së kësaj bese, prandaj vërehen edhe dukuri negative në shoqëri që fillojnë me zyrtarët e lartë dhe politikanët dhe përfundojnë me qytetarin e thjeshtë.

Isa Halilaj krejt shoqërinë e sheh si bashkim individësh bestarë,që japin familje bestare dhe nga familja që ka rëndësi shumë të madhe në edukim në bashkëpunim me institucionet shtetërore kalohet në besën e madhe që i jepet Atdheut si garanci për të ecur përpara.

Mësuesi i Merituar Isa Halilaj, që është marrë tërë jetën e tij me shkollën, auditorin dhe edukimin vëren me keqardhje se në emër të modernitetit po shkallmohen disa vlera shumë të çmuara të shoqërisë shqiptare. Kështu sipas tij “besa, nderi e burrëria po quhen të vjetëruara dhe si tregues të prapambetjes shoqërore”(!)Dhe duke goditur me fakte dukuritë negative që vëren në shoqërinë e sotme, autori kërkon që shkolla, institucionet e tjera edukative në Shqipëri e në trojet shqiptare, të këmbëngulin për t’u mësuar të rinjëve qytetërimin shqiptar, atë traditë shekullore që e trashëguam brez pas brezi dhe që na e vlerësoi e gjithë bota. Sipas tij besa si institucion i përshtatet shumë mirë natyrës së shqiptarëve dhe mund të përdoret fare mirë si çelësi i zgjidhjeve të problemeve shoqërore. Në këtë nismë duhet të marrin pjesë sociologë, etnologë, politologë, shkrimtarë e studiues të tjerë të fushave të albanologjisë, si dhe intelektualë të tjerë të shquar vendës dhe të huaj.

Libri i studiuesit të njohur, Mësuesit të Merituar Isa Halilaj bën edhe një trajtim të plotë të besës, duke analizuar të Drejtën Zakonore Shqiptare, mendimet e albanologëve të huaj dhe të studiuesve më të mirë vendës, por duke sjellë këndvështrim të ri, duke analizuar besën shqiptare në rrethana të ndryshme historike të së djeshmes dhe të sotmes. Përmes këtij libri dhe librave të tjerë të studiuesit Isa Halilaj mësohet shumë për historinë e popullit tonë, për kulturën e tij shpirtërore, për vlerat kombëtare që kemi si popull, prandaj ia vlen që ky libër, krahas librave të tjerë të autorit, të jetë në bibliotekat e studiuesve të shkencave shoqërore, juristëve, misionarëve të pajtimit, mësuesve e pedagogëve, si një ndihmesë me vlerë në ruajtjen e traditës së vyer të popullit tonë.

Ukshin Hoti vizionar i madh i kombit


Shkruan Gjon Keka

Të shkruash për figurën e Ukshin Hotit nuk është lehtë, jo se ne nuk e njohim personalitetin e tij mbikohor, por se për të shkruar për të duhet së pari të gjejm kodin e të menduarit dhe filozofisë së tij politike.Gjetja e kodit apo kapja e tij në tërësi do të na zbulonte edhe thelbin apo do të na e kornizonet mendimin e tij dhe ne do të mund më lehtë të zbërthenim ato dhe vizionin e tij për kombin shqiptar europian dhe identitetin e tij historik europian të tij.
Unë personalisht aq sa kam arrit të studioj në bazë të veprave të tij si në dorshkërim ashtu edhe atë të botuar, kam arritur në këtë përfundim se „veprat e tij të pabotuara në dorshkrim dhe të botuara janë një nga veprat monumentale rreth qenësisë së kombit shqiptar europian ,identitetit të tij ,kulturës ,pastaj fatit të tij dhe të ardhmes së tij ,pra rikthimit në familjen europiane dhe posaqrisht mendimi politik i tij sipas frymës së etërve për një Shqipëri të natyrshme europiane.Ai si personalitet mbikohohr dhe njeri i dijes arriti të vë para vetës dy synime tepër domethënëse:
së pari ;kuptimin e plotë të nevojës që kombi duhet të zgjohet kombëtarisht dhe të ringjallet sipas rrënjeve të tij historike, dhe
së dyti ; të rivendosjes së fatit të kombit në shinat e natyrshëm të historisë ,dinamikës dhe zhvillimeve të përbashkëta me familjen europiane.
Ukshin Hoti është një Montesque shqiptar, një mendimtar si Ruso dhe një kritikë kombëtar syhapur si Fichte.Ai është i vetmi mendimtar politik i shekullit të tij që nuk e la të pushoj mendimi politik shqiptar në kuptimin e ndrydhjes së çështjes,pastaj procesit historik ,ndikimeve të ardhshme ,ato të kohës së tij historike-kombëtare dhe përhajpjes së parimeve të lirisë,demokracisë autentike ,gjenezës dhe fatit të plotë të kombit shqiptar europian.
Ai vërtetë ishte një politolog praktik ,pse them kështu sepse ai e shihet teorinë dhe mendimin politik të tij në dritën e realitet praktik të mishërimit të idealit të tij , ai e mishëroi sepse u bë një nga prijësit e të realizuarit të mendimit të tij politik dhe këtë e bënte edhe në bashkëbisedime apo simpoziume që mbanet në vende të ndryshme në botë sidomos gjatë qëndrimit të tij në SHBA dhe Slloveni ,por edhe gjatë leksioneve që mbanet në universitetin e Prishtinës.
Magjistër Ukshin Hoti nuk e kufizoj mendimin e tij politik dhe filozofinë e tij në kufijtë e shekncës teorike as në kufijët idealit të tij ,por ai shpërtheu më idetë dhe mendimin e tij politik duke tejkaluar kufijt e teorisë shkencore dhe idealizmit.Sepse ai e dontë më tepër efektin e teorisë shkencore mbi mendimin politik të tij rreth çështjes kombëtare shqiptare si dhe dëshironte me ngut të zbriste idealin si të etërve të tij ashtu edhe idealin e tij të forcuar mbi parimet e etërve në botën praktike ,thjesht ta bënte vizion të përkthyer në realitet ,ta plotësonte atë që kishte mbetur si testament politk e kombëtar i etërve për natyralizimin e bashkimit të kombit shqiptar europian dhe rikthimit të tij në familjen europiane.
Vlera e mendimit të tij politik dhe filozofik janë vlera të pakapërcyeshme shkencore dhe praktike ,jane vlera që burojn nga një njeri dhe personalitet i dijes dhe që mbi të vërtetën historike të kombit shqiptar ka ngre mendimin e tij politik në rrethana tepër të vështirë mendim ky që mori trajtën e filozofisë praktike të futjes së këtij mendimi në rrjedhat e kohës dhe të proceseve që kalonte kombi.Madje ky mendim përbënte në realitet edhe natyrën e zgjidhjes, pastaj analizën e sintezën e thellë të gjetjes së rrugës për të dal te qëllimi i natyrshëm dhe historik i kombit shqiptar europian.
Ai si mendimtar e shihet tepër qartë se liria e kombit shqiptar nuk mund të blehej as të bëhej kompromis me fatin e tij,sepse për të liria ishte vlera thelbësore e filozofisë së tij politike ndërsa fati i kombit dhe e ardhmja e tij ishte mendimi i tij politik e intelektual si roje e këtij fati që të mos gabihet sërish ashtu siç u gabua me parë gjatë traktateve të ndryshme si dhe gjatë kohës së pushtimeve barbare ndaj kombit shqiptar europian.
Liria dhe fati i kombit është i lidhur ngusht njësoj si truri me zemrën ,kështu që një kombi që i mungon liria ,por që ai funksionon ashtu si zemra brenda trupit pa lidhje me trurin është një funksionim i panatyrshëm ,një mungesë e pafalshme historike një nevoj e natyrshme që kërkon të hramonizohet ,të bëhet lidhja e natyrshme e zemrës me trurin,pra e lirisë me fatin e përgjithshëm të kombit ,në këtë mënyrë e shihet edhe Ukshin Hoti lirinë dhe fatin e kombit shqiptar si një domosdoshmëri e lidhjes së përjetshme dhe të natyrshme të tyre.
Me pak fjalë mendoj dhe duhet nenvizuar tepër qartë këtë gjë se blerja e lirisë është një fantazi e tmerrshme e individëve pa identitet ,e popujve pa shpirt e doktrinarëve të verbër e egoist ideologjik e politik si dhe e popujve pa atdhe dhe nder.
Ukshin Hoti mund të themi përnjëmend se ai është dishepull i filozofisë dhe i mendimit politik të etërve tanë të kombit shqiptar europian,poashtu ai është një vizionar i madh i kombit një intelektual i sfidave të mëdha të kohës,ai është vlerë e shkencës së botës politike shqiptare dhe patriot besnik i kombit shqiptar europian.Si shkenca shqiptare ashtu edhe djepi i kombit shqiptar ka kohë që po e ndien mungesën e mendimtarit më të thellë të politologjisë shqiptare të kohës së tij dhe birit të vyer e mendjemprehtë të lirisë,dhe unitetit të kombit shqiptar europian.

Interviste me Sociologun Gezim Alpion

Interviste me Sociologun Dr. Gezim Alpion
Momenti i përzgjedhjes së Presidentit të Republikës po afron dhe parada e emrave dhe e supozimeve është deri më tani trishtuese. Moçali politik shqiptar duket i paaftë të dëshmojë edhe këte herë pendimin më të vogël për atë shfaqje të shëmtuar tashmë 20 vjeçare që i ofrohet jo vetëm opinionit ndërkombëtar, por mbi të gjitha vetë shqiptarëve.

Nga diaspora po shtohen ndërkohë zërat e kualifikuar të intelektualëve, të cilët ofrojnë kontributin e tyre në zgjidhjen e problemeve të rënda socio-politike në shtetin amë. Duket se largësia nga ambienti politik shqiptar i ndihmon në kthjelltësine e mendimit e të vështrimit mbi gjendjen e tanishme dhe mbi atë çfare duhet bërë. Njëri prej tyre është edhe Gëzim Alpion, pedagog në Departamentin e Shkencave Politike dhe Studimeve Ndërkombëtare, në Universitetin e Birmingamit, Angli dhe njëkohesisht autor i disa studimeve të rëndësishme në anglisht.

Tepër kritik mbi klasën e sotme politike shqiptare, pedagog i Universitetit të Birmingamit, duket se ka mprehur vështrimin në gjetjen e kontakteve akoma të shëndetshme në radhët e atyre që janë angazhuar në zhvillimet politike shqiptare.”Topi është tashmë në fushën e politikanëve shqiptarë” – thotë ai ndërsa jep këndvështrimin e tij në zgjidhjen e problemit. Më poshtë ndiqni te plotë intervistën eskluzive dhënë Redaksisë sonë.

Dr. Gëzim Alpion. Sociolog, Universiteti i Birmingamit

Pas pak muajsh do të zgjidhet Presidenti i Republikës. Ky eveniment vjen në një kohë kur politika shqiptare ndodhet në një fazë shumë të tensionuar. Mendoni se ka ndonjë mënyrë që ky tension të mos ndikojë në këtë zgjedhje?
Fatkeqësisht, jo. Politika shqiptare tani për tani nuk është në gjendje dhe, me sa duket, disa elementë nuk janë të interesuar të çpolitizojnë zgjedhjet presidenciale.

Tashmë forcat politike kanë nisur llotarinë e emrave. Pa i hequr parlamentit të drejtën që i jep kushtetuta për zgjedhjen e presidentit, çfarë kontributi mund të japë shoqëria civile në këtë rast?

Në Shqipëri nuk ka shoqëri civile të efektshme që të ketë ndikim të ndjeshëm në procesin e zgjedhjeve presidenciale.

Në demokracinë shqiptare populli (demos-i) është i skajshëm deri i papërfillshëm dhe fuqia (kratos-i) është monopolizuar nga një kleptokraci arrogante që përdor një ligjërim hipokrit demokratik vetëm kur klanet në klubin e ‘përzgjedhur’ të politikës cënojnë interesat e ngushta të njëri tjetrit.

Parlamenti i Shqipërisë ka kohë që nuk funksionon normalisht dhe për pasojë nuk ‘përfaqëson’ vullnetin e popullit por pasqyron gjëndjen mjerane të demokracisë shqiptare. Reputacioni i ulët i Parlamentit është tregues i shkallës së lartë të erozionit të legjitimitetit të këtij institucioni kryesisht si pasojë e zgjedhjeve anormale. Në dy dekadat e fundit, ashtu siç ndodhte në monizëm, rezultati i zgjedhjeve në të shumtën e rasteve duket se është përcaktuar para se të hidhen apo numërohen votat. Më së fundi kjo situatë anormale është bërë ‘normë’.

Në këto kushte, çdo kandidat presidencial si nga ana e qeverisë apo e opozitës do të shikohet me të drejtë nga populli dhe komuniteti ndërkombëtar si zëdhënës partiak dhe për pasojë jo i aftë apo i denjë për postin e presidentit.

Në artikullin tuaj “Monarkizimi i politikës në shtetin njëshekullor”, publikuar për herë të parë në AlbaniaNews me 6 Janar 2012, nënkuptohet një ngjashmëri mes politikanëve tanë dhe atyre drejtuesve që, sipas Max Weber, u mungon ‘ndjenja e përgjegjësisë dhe integriteti intelektual’. Gjithashtu ju pohoni se ‘do të ishte në të mirën e shtetit që për këtë post të lartë të mos kandidojnë asnjë nga figurat që në çerekshekullin e fundit kanë dominuar dhe asfiksuar politikën shqiptare, pothuajse sipas rutinës së Putini dhe Medvedevit’. Ku t’i gjejmë të tjerët? Ndërgjegja se do të ndeshen me të njejtën politikë mund të bëhet penguese për ata që u propozohet posti.

Në një situatë politike normale nuk përjashtohet mundësia që presidenti të zgjidhet nga rradhët e politikanëve. Por aktualisht ‘normaliteti’ nuk është tipar dallues i politikës shqiptare.

Kjo nuk do të thotë që në Shqipëi nuk ka politikanë të ndershëm. Siç e theksova në intervistën që i dhashë vjet në Janar rrjetit televiziv Al Jazeera, është absurde të thuash se në Shqipëri dhe Ballkan të gjithë politikanët janë të korruptuar.

Megjithatë, tani për tani këta politikanë të ndershëm nuk kanë mundur të dëshmojnë me prova se janë në gjendje të ushtrojnë ndonjë influencë pozitive të ndjeshme tek bosët e tyre partiak. Për më tepër, fakti që pas ngjarjeve të 1997-tës, Gërdecit, dhe me së fundi vrasjes së katër personave më 21 Janar vitin që kaloi asnjë drejtues shtetëror apo partiak nuk ka dhënë dorëheqje dhe nuk është përballur me ligjin, e bën zgjedhjen e presidentit nga rradhët e klasës politike një shaka të hidhur, një akt sadist, që do të rezultoj në thellimin e mëtejshme të hendekut të madh që aktualisht ekziston midis popullit dhe shtetit.

Sikur të zbresim tek përgjegjësitë personale, u vini dot emra përgjegjësve të kësaj gjendjeje politike?

Për mua përgjegjësit janë drejtuesit kryesorë të shtetit dhe të partive politike. Kryeministri dhe Kryetari i Opozitës ka kohë që sillen me njëri tjetrin më shumë si dy kunata inatçesha sesa si drejtues serioz preokupimi i vetëm i të cilëve duhet të jetë jo se kush bën më shumë deklarata më të mençura në kurriz të njëri tjetrit (politika shqiptare ka kohë që i ngjan një parade mode ku mungon fantazia dhe origjinaliteti) por si të drejtojnë vendin më së miri dhe si të ofrojnë opozitë konstruktive dhe besnike.

Ndonjëherë harrojmë se Partia Socialiste ka patur më shumë dinamizëm në politikë, gjë që është parë në ndyshimin e shpeshtë të kryeministrave dhe më në fund edhe të kryetarit të partisë. A mendoni se është e drejtë që Rama të paguajë edhe për të kaluarën?

Gëzim Alpion: Dinamizmi i Partisë Socialiste ishte i paevitueshëm pas dështimit të monizmit në Shqipëri. Megjthatë, është një gjë pozitive që duhet të kihet parasysh veçanërisht nga partitë e krijuara gjatë dy dekadave të fundit në mënyre që të mos përsëritet praktika e Partisë së Punës ku fjalën e fundit për gjithçka e kishte Enver Hoxha që ushronte diktatin e tij nëpërmjet një tufë plebejsh të zgjedhur qëllimisht nga hiçi pasi i garantonin besnikëri të verbër. Duket se çdo drejtues partie në Shqiperi tani ka krijuar rreth tij një grup sejmenësh të aftë vetëm të vegjetojnë.

Si Z. Berisha ashtu edhe Z. Rama, dhe për pasojë të gjithë drejtuesit kryesor të qeverisë dhe politikës shqiptare që kanë përreth duhet ta kuptojnë se askush nuk është i pazëvëndesueshëm. Politikanët shqiptarë duhet të mësojnë të japin dorëheqje kur ka dështime në funksionimin e shtetit apo kur partitë nuk kanë sukses në zgjedhje. Po ashtu, kur një drejtues partie emërohet si kryeministër apo president ai duhet të heqë dorë menjëherë nga posti i kryetarit të partisë.

Në një realitet të tillë politik me të cilin ballafaqohet Shqipëria, cili është mendimi juaj për procesin e zgjedhjes së presidentit?

Meqë përballemi me një realitet të tillë të zymtë politik, unë do të sugjeroja që dy-tre partitë me numrin më të madh të deputetëve në Parlament të propozojnë për postin e presidentit personalitete të shquara nga fusha të ndryshme të artit, shkencës dhe kulturës si në Shqipëri dhe në diaspora (që zotërojnë gjuhën shqipe, dhe mundësisht letraren) të cilët kanë dëshmuar se janë parimor, kanë qëndruar vazhdimisht jashtë influencës së partive politike, dhe gëzojnë reputacion ndërkombëtar në profesionin e tyre.

Përse mendoni se zgjedhja e presidentit është e një rëndësie kaq të madhe?

Shqipëria ka një imazh tepër negativ në botë që vjen kryesisht nga sjellja dhe veprimet e papërgjegjshme të klasës politike shqiptare. Me këtë imazh përballet dhe skuqet çdo ditë çdo bashkëatdhetar jashtë Shqipërisë por veçanërisht elita intelektuale shqiptare që po jep kontributin e saj për t’i treguar botës me fakte se jemi një komb me kulturë, kontribut që vazhdon të injorohet nga establishmenti në Shqipëri.

Zgjedhja në postin e presidentit të një figure publike të pastër është fillimi i një ndërmarrje serioze për të filluar përmirësimin e këtij imazhi. Ky do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë dhe nuk do të zgjidhet thjesht duke bërë foto me ndonjë person të spërkatur disi nga pluhuri magjik i hollivudit.
Asnjë politikan shqiptar nuk duhet t’a gënjejë veten se gëzon reputacion ndërkombëtar. Edhe drejtuesit më të ‘dëgjuar’ që kanë ‘mbijetuar’ në politikën shqiptare në dy dekadat e fundit shëndrohen në njerëz anonime sapo ngjiten në avion në Rinas.

Në një konventë akademike para disa vitesh në Washington u shpreha se perëndimi nuk duhet t’a ketë të vështirë që të ekspozojë drejtuesit e korruptuar të politikës shqiptare. Në lidhje më këtë çështje, një studiues i huaj u shpreh se në arkiva sekrete disponohen dokumenta për drejtues të korruptuar.

A mendoni se britanikët (dhe të huajt e tjerë) në dy dekadat e fundit kanë mbështetur në Shqipëri gjithonë ‘më të mirin’? A përkon kjo mbështetje me interesat e Shqipërisë apo interesat e tyre, apo kemi të bëjmë me koinçidim interesash të përbashkëta?

Kohët e fundit në një pritje diplomatike në Londër në bisedë me figura politike dhe punonjës të administratës britanike pyeta se si spjegohet që, në disa momente, përceptimi mund të ketë qenë, ndonëse i gabuar, se Britania e Madhe, ka përkrahur në ndonjë rast figura apo ente politike shqiptare rekordi demokratik i të cilëve është i dyshimtë. Përgjigja që mora ishte: Britania nuk vendos se kush e drejton Shqipërinë dhe se ajo gjithmonë ka përkrahur me të mirin ndër të këqinjtë që ka ofruar politika shqiptare.

Falë pozitës gjeografike, Shqipërisë nuk i kanë munguar kurrë aleatët, veçanërisht kohët e fundit si pasojë e disa faktorëve favorizues për ne. Se sa të aftë janë treguar politikanët shqiptarë për t‘i përdorur këto konjuktura interesash në shërbim të vendit është çështje tjetër, dhe jo objekti i kësaj interviste.

Në politikë nuk ka miq por partner interesash që janë të një natyre strategjike (afatgjata) dhe taktike (afatshkurtëra). Ndodh që disa drejtues të politikës shqiptare ose nga naiviteti ose nga egoja e sëmurë e interpretojnë përkrahjen që marrin nga jashtë si mbështetje që u jepet vetëm atyre si individë ose partive të tyre dhe qeverive që drejtojnë. Kjo nuk është për tu çuditur në një vend si Shqipëria ku qeveria dhe opozita nuk e konsiderojnë njëri tjerit si kundërshtarë politikë, ashtu siç ndosh në botën demokratike, por si armiq të betuar.

Mbështetja e jashtme nuk është kurrë e pakushtëzuar. Kjo është aryseja që kur ndonjë udhëheqës apo qeveri shqiptare gjatë dy dekadave të fudit janë sjellur në kundërshtim me normat demokratike, aleatët e huaj, megjithëse jo gjithmonë, dhe jo kur dhe sa duhet, e kanë bërë të qartë, dhe me të drejtë, se kjo nuk është e pranueshme.

Deputetët shqiptarë duhet ta shikojnë në një seancë të veçantë të Kuvedit intervistën qe ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Z. John L. Withers II, i dha me 18 Janar të këtij viti Zërit të Amerikës. Parlamentarët shqiptarë duhet të nxjerrin konkluzionet e duhura nga pengu i Z. Withers për mosrealizmin e premtimit që i kishte dhënë nënës së një viktime të Gërdecit.

Ka pasur raste kur mungesa e etikës profesionale, që është bërë normë mes deputetëve shqiptare, është reflektuar edhe në reagimet e turpshme të disa drejtuesve të shtetit kur marrin kritika të principta nga aleatët.

Klasa politike shqiptare po qe se vërtet ka vullnetin e mirë për të përmirësuar situatën e rëndë politike në vend dhe imazhin e vendit në botë, duhet t’i konsiderojë zgjedhjet presidenciale si një rast shumë të mirë për t’i treguar opinionit ndërkombëtar me fakte se edhe ne jemi në gjendje të bëjmë zgjedhje të ndershme dhe të pakontestueshme.

Në një klimë të tillë politike, si mund të përfshihen masat më shumë në zgjedhjen e presidentit dhe në të njëjtën kohë të mos ndryshojmë formën e republikës?

Pjesëmarrja më e gjërë e masave në zgjedhjen e presidentit është e mundshme dhe, për mendimin tim, e domosdoshme, edhe pse Shqipëria nuk është dhe s’ka përse të jetë republikë presidenciale. Siç përmenda më parë, kandidatët për president duhet të propozohen nga partitë politike. Serioziteti i kandidatëve do të dëshmojë seriozitetin e enteve përkatëse politike.

Edhe pse rekomandohen nga partitë politike, kandidatët janë në thelb të pavaruar. Këtyre kandidatëve duhet t’u akordohet një fond i njëjtë për fushatën e zgjedhjeve, dhe detajet e këtij fondi, që duhet të vijë vetëm nga shteti, duhet të bëhen publike.

Është e rëndësishme që në kushtet që po kalon Shqipëria ku, si gjithçka tjetër, edhe bizensi është i politizuar, tani për tani në zgjedhjet presidenciale nuk duhet të ketë kandidatë të vetë-financuar apo që mund të sigurojnë sponsorizim privat.

Kandidatët presidencialë duhet ta organzojnë fushatën e tyre në bazë të rregullave që janë të njëjta për të gjithë. Kjo fushatë do të kurorëzohet me tre debate televizive, të organizuara në tre qytete të vendit – në jug, veri, dhe Tiranë – të cilët do t’u japin kandidatëve mundësinë të paraqesin programin e tyre para popullit para se ky të votojë direkt për ta.

Kjo intervistë nuk ështe vendi për të diskutuar me imtësi se si mund te realizohet ky skenar zgjedhjesh. Po qe se drejtuesit e politikës shqiptare si në qeveri ashtu dhe në opozitë janë të interesuar, unë do t’a diskutoja këtë propozim me ta në detaje. Sigurisht, që ky proces kërkon angazhimin e kolegëve nga shkencat politike dhe sociale në Shqiperi dhe disaporë të cilët nuk i kanë mbajtur ison asnjë politikani në Shqipëri. Në këtë proces nuk ka vend, po të huazojmë një shprehje të Edward Said, për ‘lakej intelektual’, të cilët me qëndrimet e tyre të paprincipta kanë përbaltur integritetin akademik. Intelektuali i vërtetë është gjithmonë në ‘opozitë’.

Distanca kohore e mbetur deri në zgjedhje është e vogël (e limituar) Mendoni se mund të arrihet një ndryshim i tillë në kaq pak kohë?

Po. Nuk po flasim për një proces të ndërlikuar apo për zgjedhje maratone të tipit amerikan, por për një fushatë të shkurtër dhe transparente në mënyre që populli ta shikojë me fakte së është i përfshirë në zgjedhjen e figurës më përfaqësuese të shtetit. Koha e presidentëve anonime, emrat e të cilëve i mësojmë vetëm kur ‘emërohen’, ka ikur.

Propozimi që bëj unë mundëson angazhimin e partive politike në një proces demokratik, transparent, dhe nuk krijon premisa për krijimin e partive të reja politike të cilat janë me shumicë. Numri i këtyre enteve politike është mirë që të reduktohet duke krijuar aleanca me parti me të cilat kanë anë të përbashkëta.

Po qe se klasa politike në Tiranë është vërtet e interesuar që të përfitojë nga eksperienca pozitive e intelektualëve shqiptarë dhe është serioze kur flet për ‘brain gain’, propozimi im është një hap konkret për bashkëpunim. Topi është në fushën e politikanëve shqiptarë.

Pas zgjedhjes së presidentit vijnë zgjedhjet politike. Që nga zgjedhjet e vitit 1996 të konsideruara nga OHDIR si hap prapa, jemi të përndjekur nga vesi i vjedhjes së votës. Çfarë mund të bëj presidenti në këtë pikë? Sepse siç e dimë veprimtaria e presidentit është e kufizuar.

Tani për tani, jo shumë. Efekti nuk do të jetë i menjëhershëm. Por të paktën shqiptarët do të jenë të vetëdijshëm që në postin e presidentit është një njeri i ndershëm që do të pezulloj karrierën personale për t’i shërbyer vendit me dinjitet, përkushtim dhe transparencë, nocione që me sa duket akoma nuk aplikohen si dhe sa duhet në politikën shqiptare.

Si mund të zgjidhet problemi i grupimeve të fuqishme mafioze që tashmë kanë fuqi të konsiderueshme financiare dhe politike për të ndikuar e për të kompromentuar çdo zhvillim të ardhshëm?

Siç thashë më lart, bota, dhe populli deri diku, e di se kush janë drejtuesit politik të korruptuar në Shqipëri. Po qe se ju thoni se grupe mafioze drejtojnë apo kanë ndikim të drejtëpërdrejt në politikën shqiptare, atëherë ne jemi në nje gjendje akoma me të vajtueshme se çmendojmë.

Përgjegjësi kryesor i atyre zgjedhjeve gjendet akoma në pushtet. Nganjëherë ndodh si me hajdutin i cili është kapur njëherë dhe i ngelet gjithmonë damka. A mund t’i shpëtojmë ndonjëherë këtij paragjykimi?

Si vend ne ka kohë që vuajmë një ndëshkim kolektiv jo të drejtë për sjelljen dhe aktivitetin e paprinciptë të disa drejtuesve kryesore të politikës shqiptare. Po qe se nuk e vemë shtëpinë tonë në rregull ne do te jemi gjithmonë të stigmatizuar. Dhe problemet tona nuk duhet të presim të na i zgjedhin të tjerët. Po ashtu, vetëm ne shqitarët mund të përmirësojmë imazhin negativ që kemi.

A mendoni se ndryshimet nga lart janë të mjaftueshme për të hyrë në rrugën e normalitetit? Nëse jo, kush është përgjegjës për ndërgjegjësimin e masave?

Jo. Por ndryshimet nga lart janë shumë të rëndësishme sepse drejtuesit e shtetit të cilët e konsiderojnë veten dhe veprojnë si shërbëtorë të popullit paraprijnë me shembullin personal dhe frymëzojnë popullin, dhe veçanërisht brezin e ri që është shpresa kryesore për ndërtimin e një shoqërie civile aktive kaq të domosdoshme për konsolidimin e demokracisë. Sistemi arsimor i të gjitha hallkave si dhe mediat e pavarura luajnë nje rol parësor në ndërgjegjësimin e masave për t’u kërkuar llogari politikanëve dhe për t’a vënë atë para përgjegjësisë.

Duke u rikthyer tek zgjedhjet e presidentit, keni në mendje ndonjë emër, apo emra të veçantë?

Jo, por njerëz cilësore dhe të përkushtuar për çështjen kombëtare që mund t’i shërbejnë vendit në mënyrë shembullore ka si në Shqipëri dhe diasporë. Ata që janë në krye të politikës shqiptare, nga të cilët, me sa duket, disa ka kohë që e konsiderojnë vendin si çifligun e tyre, le t’i gjejnë këta persona në mënyrë që duke bashkëpunuar me ta të mësojnë nga integriteti i tyre dhe të fitojnë me prova kredibilitetin që e kanë humbur prej kohësh.

A mund të jenë Fatos Nano dhe Jozefina Topalli presidentë të mirë?

Po qe se Z. Nano dhe Znj. Topalli propozohen krahas kandidatëve të tjerë në mënyrë transparente nga partitë politike për të konkuruar në mënyre të principtë dhe të barabartë për postin e presidentit dhe nuk serviren si konkuruesit e vetëm, si çdo shtetas, edhe ata kanë të drejtën të marrin pjesë në zgjedhje. Kandidatët le t’i mbushin mendjen popullit gjatë zgjedhjeve presidenciale se përse ata e meritojnë ta përfaqësojnë vendin në një post kaq të lartë.

A ka kuptim t’i ofrohet ky post nje personazhi si Ismail Kadare?

Për Z. Kadare kam konsideratë të veçantë por posti i presidentit nuk ka kuptim t’i ‘ofrohet’ askujt. Për këtë post duhet të bëhen propozime nga entet politike dhe po qe se Z. Kadare është njëri prej kandidatëve të përzgjedhur në mënyre transparente, bashkë me kandidatët e tjerët duhet të ballafaqohen me popullin në bazë të skenarit që përmenda më parë, skenar që trajton të gjithë pjesëmarrësit në mënyrë të barabartë.

Mundet një figurë deri tani anonime dhe e panjohur për publikun dhe i paangazhuar në jetën shoqërore dhe politike shqiptare të jetë një zgjidhje për presidentin?

Kush nuk ka kurajo të përballet me popullin për t’i fituar besimin nuk është kurrë në gjendje të realizoj ndryshime pozitive.

Nëse e djathta dhe e majta janë njësoj të paafta për të ndryshuar gjëndjen në Shqipëri, cilët janë forcat e reja politike/shoqërore që mund të ndryshojne atë?

Ka ardhur koha që drejtimin e partive politike të majta dhe të djathta t’a marrin në dorë një brez i ri politikanësh që nuk janë përlyer në korrupsion. Shqipërisë nuk i duhen parti të reja por një mendësi e re politike. Politikanët shqiptarë nuk duhet të themelojnë parti politike sa herë që zihen me drejtuesit partiak ose thjesht sepse duan të jenë vetë ali vetë kadi. Në Shqipëri pluralizmi partiak është kuptuar dhe aplikuar si amulli partiake ku çdo kush dëshiron me çdo kusht të bëhet dhe të ngelet i pari deri në fund. Në këtë drejtim nuk e marr vesh se si dallojnë drejtuesit e politikës shqiptare të dy dekadave të fundit nga Zogu dhe Hoxha të cilët i akorduan vetes për jetë tapinë e pushtetit. Se çndodh kur qeverisesh nga njerëz me nje mendësi të tillë dihet.

Pellumb Kulla / Ramiz Alia i ndjekur nga Sigurimi i Shtetit

Interviste imagjinare


Interviste imagjinare

Intervistë imagjinare, marrë zotit D.K., ish funksionar i lartë i Sigurimit

I intriguar mjaft nga botimet dhe shtypi i ditëve të fundit, në të cilin personazhe të dorës së parë shpalosin kujtime e dokumenta me peshë, ku shihet qartë se Sigurimi i Shtetit ndiqte njerëz të rëndësishëm të nomenklaturës komuniste, unë arrita të kontaktoj zotin D.K funksionar i lartë i armës së Sigurimit. I thashë se kërkoja një intervistë nga ai për “Shekullin”. Ai më pa me dyshim nga koka te këmbët për një kohë të gjatë teksa unë ngriva nga frika se do të më kërkonte dokumentin e gazetës, që nuk e kisha. Por ai e pranoi ftesën pa kërkuar shkresurina. Vetëm m’u lut që për shkak të detyrës së lartë që pat mbuluar në Sigurim, të mos identifikohej. Gjysëm orën e parë e harxhuam për të caktuar inicialet e tij. Së fundi ramë dakord të quhet D.K., gërma nga të cilat asnjëra nuk bën pjesë në emrin dhe mbiemrin e tij të vërtetë.

Në fillim më pyeti ai:



D.K. - Përse të intereson kjo temë?

Unë - Më intereson, se pas 15 vjetëve, po na del një tablo tjetër nga ç’e kishim menduar. Kuptohet që kjo me kalimin e viteve do të thellohet. Do të vdesin dëshmimtarët dhe tregimet mbi persekutimet do të bëhen më ngjethëse. Por unë desha të provoj, a është e saktë që objektivi i vërtetë i Sigurimit nuk paskan qënë të huajt dhe reaksionarët, por vetë funksionarët e lartë të Partisë, Frontit, Bashkimeve Profesionale. Ne kujtonim si persekutim, internimet, burgimet, pushkatimet, punët e rënda…

D.K. - Ke përfytyrim të gabuar. Për cilin të përndjekur do që të dish më shumë?

Unë - Për sho… Për Ramiz Alinë.

D.K. - Ku e ke hallin? Ku do ta nxjerrësh kollën?

Unë - Nuk kam për të nxjerrë asnjë kollë. Vetëm më vjen mirë që edhe sho.. Ramiz Alia të zerë një vend të nderuar midis të përsekutuarve, që janë aq në modë edhe që nderohen aq shumë sot në demokraci. Këtu kam parasysh njëmbëdhjetë shoqatat e tyre, miliardat e letrave me vlerë, përgatitjet që bëhen për reabilitimin e tyre para se ata të arrijnë të vdesin. E plot, e plot mirësi, që nuk i them dot.

D.K. - Qëllimin e paske të mirë. Jam gati të përgjigjem.



Tani nisa të pyes unë:



Unë – E keni ndjekur Ramiz Alinë?

D.K. - Egërsisht!

Unë - E kish nuhatur ai ndjekjen tuaj?

D.K. - Ne nuk i kishim dhënë shkas që ta kuptonte, por ai e ndjente, si të gjithë.

Unë - Pse “të gjithë”? Ishin shumë ata që ndiqnit?

D.K. - Me mijëra! Që nga kandidatët e Komitetit Qendror e lart! Ti, aty më parë, përmende burgimet dhe pushkatimet… Ato nuk janë asgjë para ndjekjes. E di ti, se çfarë domethënë të të ndjekin?

Unë – Nuk e di. I ndiqnit, po a i zutë?

D.K.- Jo nuk i zumë, por ndjekja nuk është pak.

Unë - Sidoqoftë kjo gjë ata nuk i pengoi të kishin funksione, të udhëhiqnin, t’u botoheshin të thënat, të jetonin në apartamente luksoze, të pushonin në vila edhe më të mira, të lëviznin me automobilë të shtrenjtë, të bridhnin nëpër Europë…

D.K. – Hiçgjë! Këto ishin hiç krahasuar me ndjekjen që i bënim ne!

Unë – Ju, përse i ndiqnit?

D.K. – Sepse ata kishin qëllime që t’ia lehtësonin jetën popullit. Ata maskarenj ishin gati të jepnin jetën për njerëzit e thjeshtë, për të vuajturit e diktaturës.

Unë – Nuk ju pëlqente juve kjo gjë?!

D.K. – Jo!

Unë – Pse?

D.K. – No coment!

Unë - Më ndjeni që ngul këmbë në këtë pyetje, zotëri, por në tërë këto kujtime të çmuara që botohen, flitet që këta funksionarë janë përndjekur dhe persekutuar keq. Por nuk del nga kush? Me një fjalë, tregohet se këta vuajtën dhe u cfilitën, por në atë teatër të diktaturës, tërë personazhet e njohur dalin të mirë, pozitivë. Mungon pala që bën keq.

D.K. - Nuk të mjaftojmë ty, ne, Sigurimi? Sigurimi është personazh i njohur.

Unë - Mirë, po cili? Ju, përshembull, nuk pranoni të identifikoheni dhe quheni D.K.

D.K. – A ramë dakord për inicialet?! Apo ta dhjesim intervistën, tani?!!Ou!

Unë – Dakord. Kërkoj ndjesë. Unë desha që gjërat të jenë të qarta deri në fund, se në rast se fillojmë dhe ulërijmë të tërë për thuprat që na fshikulluan 20-30 vjet më parë, në Shqipëri do bëhet një kakafoni, që nuk do ta marrë vesh i pari të dytin. Ju keni ndërmend t’u jepni dëshmi persekutimi të gjithë këtyre të mëdhenjve?

D.K. - Pse mos do të presim t’ua japin ato… shoqatkat?! More ty, çfarë të shqetëson ty vetë? Ke ardhur te unë për të marrë edhe ti ndonjë dëshmi?

Unë - Çfarë dëshmie! Unë atëhere nuk kisha lindur akoma. Flas si “Shekull”, jo si gazetar!

D.K. – Atëhere ti do kesh zili ndonjë gazetar!

Unë – Asnjë zili. Ja ta konkretizojmë me gazetarët, apo shkrimtarët. Po të jetë se nga çanaku i persekutimeve, do të nisni të ushqeni dhe Dritëronë me Ismailin, siç po mundohen të bëjnë disa, atëherë vaj medet moj Shqipëri!

D.K. - Pse njeh ti ndonjë shkrimtar që është persekutuar më shumë?

Unë - Ja, pikërisht se nuk njoh, aty është belaja! Nuk i njoh përshëmbëll ata qindra studentë, që nuk u lejuan të studjojnë për letërsi! Ja, ata nuk kanë emra! Ata tani nuk njihen dhe del që as nuk janë persekutuar! Nuk kam ç’të them! Sidoqoftë, ju faleminderit, çanaku është i madh… Gëzohem që mora vesh, që nga ju paska vojtur edhe sho… Ramiz Alia!



Dhe e lashë.Ai më ndoqi me sy nga pas me një vështrim dhelpëror edhe më tha:

- Eja ndonjë ditë të të tregoj për persekutime edhe më të mëdha!

Unë u intrigova më keq dhe pyeta:

- Se mos keni ndjekur dhe Enver Hoxhën!

Ai qeshi dhe e pohoi:

- Hajde të ndjekur, që i kemi bërë, hajde! Persekutimin që ka patur Enveri, nuk

e ka patur njeri, po prit, prit! Më vonë do të dalin!

Unë i shkova edhe një herë për ballë dhe e pyeta:

- Po ju, dreqi e mori, ju, kush ju urdhëronte? Kush ju udhëhiqte?

Ai pa përreth sikur kërkonte njerëz që të më lidhnin. Po unë, nuk isha aq budalla

sa të qëndroja akoma dhe ia mbatha tatëpjetë shkallëve.

A ka pasë diktatura desidencë dhe desidentë?



Pergaditi Daniel Gazulli
A ka pasë diktatura desidencë dhe desidentë?
Ja një shembull:
 Letër e At Pjetër Mëshkallës
 Kryetarit të Këshillit të Ministrave 
            Mehmet Shehu
            Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendet sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjes, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët t’i këthehen; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë shërbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli. 
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut. 
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj., le të vinë e t’i marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe. 
Por, unë dëshroj të çfaq disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit. 
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohet rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën. 
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet. 
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit. 
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetet e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh? 
Sidomos pjesa e friksueme me kërcënime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohet me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht. Po për këte të Shek. XX-të? 
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té. 
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Ju, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët: “Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit. 
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira. 

Krytarit të Kësh. të Ministrave                                       Me nderime 
          Mehmet Shehu                                                 Pjetër Meshkalla 
   në Kryeministri – Tiranë                    meshtar katolik i Shoqnisë Jezu. 
            
 5 Prill 1967.

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...