Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/04

Beratasit dhe çifutët


Dy dashuri sjellin harmoninë?

Populli shqiptar njihet si më toleranti, më mikpritësi, më i respektuari më mbrojtësi, më besniku më i dashuri për popujt e tjerë. Cilësitë e rralla të një kombi dhe popullit fisnik i njeh gjithë bota. Popujt e tjerë qoftë fqinjët tanë në Ballkan ja kthejnë me të njëjtën dashuri, respekt ato që ndjejnë për popullin shqiptar. Shpirtin e ndjeshëm, zemrën e madhe na e jep historiani i apasionuar beratas, Asllan Sulo për popullin cifut që jetoi dhe punoi në Berat.
Beratasit dhe çifutët, ruanin tjetrin dy dashuri të njëjta që suallën harmoninë.
Dëshmohet se nga fundi i vitit 1942 në Berat filluan të vinin familje çifute.
berat
Familja çifute e Jakov David Asherit u vendos në familjen e qytetarit,Isuf Qolja me dëshirën dhe mikpritjen e tij. Ishte e përbërë nga 5 veta.I zoti i shtëpisë i mban mend të gjithë, kujton djalin David të kryefamiljarit çifut dhe me radhë të gjithë anëtarët e familjes ditur e të kulturuar që rrezatonte mirësi. Kishin ardhur nga Prishtina, siç duket nga frika e një okupacioni gjerman që po vinte nga jugu i Evropës. Familje të tjera çifute (ebreje), që erdhën në Berat u strehuan tek Qani Civeja, Sulo Droboniku, Gani Telegrafi, Vehxhi Buharaja, Asaf Xhufi, Avdulla Zaganjori, Hiqmet Cipi të gjithë qytetarë të lagjes së Re dhe Murat Celebi.

Eshte për tu theksuar se të gjitha familjet e nderuara në të gjithë Beratin për dashuri, respekt, edukatë, atdhetari janë të besimit mysliman dhe të njohura për bashkëjetesën shëmbullore midis tre feve. Ja që ata bashkjetesën e shtrinë në emër të Kuranit edhe me ebrejt. Ç’farë vitaliteti për një populli vigan dhe liberator. Si mos të rrezatonte cilësi brilante beratasi kur Vehxhi Buharaja është në panteonin e njerëzve më të zgjedhur të letrave shqipe? Në këto dy lagje u vendosën pjesa më e madhe e familjeve çifute. Qani Çiveja e lëshoi shtëpinë dy katëshe të re ku ishin 8 dhoma lart poshtë. Vetë i zoti i shtëpisë zbriti në një palë shtëpi të vogla që i kishte kur hyri në shtëpinë e re. Me familjen e tij të madhe ai u ngushtua shumë në ato dhoma të dikurshme.Djali i xha Qaniut , Shyqyriu që mban mend atë kohë, pohon se në shtëpinë e tij u vendosën 7 familje ebreje.

Mikpritja për familjet ebreje u përsërit në Berat, ashtu si në Prishtinë. Të gjithë shqiptarë janë dhe të njëjtë janë kudo që jetojnë në atdheun e shqiponjave. Uniteti midis tyre u duk me luftën e Kosovës dhe respektit reciprok për shtetin e Izraelit. Kështu del se në të dy lagjet e re dhe Murat Çelebi ishin vendosur 14 familje çifute. Duke marrë shembull nga këto dy lagje, familje të tjera ebreje u vendosën : 1 familje në lagjen “Mangalem” në shtëpinë e Pali Vruhos, e veja e Vasil Vruhos. Në përbërjen e kësaj familje ebreje ishte një farmacist, kryefamiljari, një mjek, i vëllai i tij dhe anëtarë të familjes. Në familjen e Tafur Haznedarit, në lagjen Nevlek u vendos familja ebreje tjetër. Në lagjen Uzgur një djalë ebre u vendos në shtëpinë e Llukan Gjikës dhe në shtëpinë e Llask Shollës. Ja, si nuk ndryshojnë qëndrimet e familjeve myslimane me ato ortodokse. Familjet ortodokse si më sipër njihen në Berat si përkrahëse të Kishës Autoqefale dhe mbështetës të Fan Nolit.

Dy Familjet e tjera ebreje u vendosën në shtëpitë e Tefik Ruzit dhe vëllezërve Grigor e Peci Shkurti. Rezulton se në qytetin e Beratit u vendosën gjatë luftës 20 familje ebreje të identifikuara. Mundet që familjet e tjera ebreje të jenë strehuar në Berat. Eshte e qartë se për dokumentacionin, as që bëhet fjalë për ebrejt, në kushtet e ardhjes së tyre pothuajse ilegale dhe provizorisht. Jakovi thoshte shpesh: Ne me beratasit kemi qenë një familje, shpirt e një kufomë! Eshte për tu vënë në dukje mikpritja, kujdesi që treguan familjet beratase për strehimin dhe mbrojtjen e ebrejeve duke marrë mbi vete rrezikun e madh!!! Kur hynë forcat gjermane në Berat në Nëntor 1943, pothuajse të gjitha familjet nuk u larguan sepse ndiheshin të sigurta në shtëpitë beratase, asnjë fjalë nuk u nxorr prej tyre. Ishin shqiptarë dhe shqiptari nuk e jep mikun që i ka ardhur në shtëpi dhe i kërkon mbrojtje, besim nder, miqësi. Berati ishte mbushur plot me gjermanë.

Gjatë 10 muajve që ata qëndruan në qytetin 3 000 vjeçar asnjë hebre nuk u zbulua e nuk u prek. Më 12 shtator 1944 forcat gjermane u larguan nga Berati dhe u dislokuan në fushën e aviacionit në Urën e Hasan Beut në Kuçovë. Prej këtej forcat gjermane rrahën me artileri për gjysmë ore Beratin. Duke menduar se zjarri artilerisë ishte përgatitje për një sulm të forcave të këmbësorisë në qytet, qytetarët në panik lanë qytetin dhe u drejtuan për nga periferia dhe më thellë për tu mbrojtur. Isuf Qolja me familjen e vet shkoi tek një mik në fshatin Tozhar.

Qani Çiveja me familjen e tij shkoi në Palikësht. Të dy këta beratas fisnikë nuk i braktisën familjet ebreje që kishin në shtëpitë e tyre. I muarën me vete ato dhe i kthyen bashkë pas një muaji kur forcat gjermane ikën nga Kuçova dhe Ura e Hasan Beut më 18 tetor 1944 duke hedhur në erë këtë të fundit pasi e kapërcyen. Edhe familje të tjera beratase nuk i braktisën ebrejtë që kishin strehuar. Familjet ebreje u dalluan për urtësinë, korrektësinë dhe ndershmërinë. Punuan me djersë. Dikush shiste ndonjë metrazh që kish sjellë të tjerë si ambulantë shisnin prodhime sheqeri, një tjetër punonte farmacist. Gratë qepnin jorganë dhe merrnin porosi për punë dorë që i bënin aq bukur. Një ebre tjetër shiste karrige të një cep i Pazarit të Misirit.

Ja c’tregon LLukan Gjika:

Kur erdhën familjet çifute në Berat gjatë luftës disa nga kryefamiljarët u muarën dhe me aktivitetin për të luftuar e fituar në jetë. Njëri nga këta kishte ndërmend të hapte një gjelltore. Para se ta bënte një gjë të tillë u njoh me furxhinë e lagjes tonë, qëndroi disa ditë në furrin e tij duke vërejtur se çfarë sillnin banorët e lagjes për të pjekur. Më në fund çifuti ndryshoi mendim. I tha furrxhiut se nuk e hapte gjelltoren, sepse në Berat punoka tava e mrekullueshme familjare dhe nuk do të kemi myshterinj!

Familjet ebreje ikën nga Berati pas çlirimit të vendit në fillim të vitit 1945. Mbyllja e Shqipërisë nga diktatori Enver Hoxha, nuk i lejoi familjet beratase të merrnin vesh për fatin e mëtejshëm të familjeve ebreje që u larguan.
Në Muzeun e Olokaustit në Izrael mbi faqen e një guri të madh janë gdhendur dhe emrat e 20 familjeve shqiptare prej tyre 14 familje janë nga Berati, që kanë strehuar familjet izraelite gjatë Luftës II-të Botërore.

Pushkatimi i intelektuales Sabiha Kasimati bashkë me 21 burra të tjerë

Nga : Ani Jaupaj

61 vjet më parë, në fshatin Mënik, pranë urës së Beshirit, kishte tre ditë e net që punohej për të hapur një gropë të madhe. Fshatarët e zonës nuk kuptonin asgjë se ç’ishte kjo ardhje e beftë e ‘shtetit’ pranë shtëpive të tyre. Duhet të kalonin ato tri ditë e të mbërrinte nata e fundit, që të dëgjohej klithma e një gruaje që do të ngacmonte kureshtjen e të gjithë banorëve përreth. Ishte Sabiha Kasimati, intelektualja që u pushkatua bashkë me 21 burra të tjerë të akuzuar pas plasjes së bombës në Ambasadën Sovjetike në shkurt të vitit 1951. Se si kishin rrjedhur ngjarjet, familjarët e viktimave mund ta mësojnë vetëm pas vitit ’92. Ishte atëherë që patën mundësi të komunikojnë me fshatarë të zonës. Ishte atëherë që mësuan edhe për përpëlitjet e së vetmes grua në atë grup burrash. Plumbi i parë, Sabihanë nuk e kishte prekur dhe vdekja e saj ishte vonuar, ndryshe nga shokët e saj. Por këtë herë të dytë nuk do të kishte më plumb. Vuajtje e tortura të njëpasnjëshme do t’i binin mbi shpinë, deri sa të jepte shpirt.
Sahiba-Kasimati-201x300
Të gjitha këto sot i tregon nipi i saj, djali i vëllait, Viktor Kasimati. Kur hallën e pushkatuan, Viktori ishte 16 vjeç, pra në gjendje të kujtojë se ç’ndodhte ato kohë në shtëpinë e tij dhe se si ishte situata, kur erdhën i lajmëruan… Por cilat kishin qenë arsyet e vërteta të këtij dënimi makabër? A bindej kush se ‘shashka’ që kishte thyer vetëm disa xhama të Ambasadës Sovjetike në Tiranë, pa shkaktuar as edhe një të plagosur, kishte qenë arsyeja e vërtetë? Jo! Kjo ngjarje kishte qenë vetëm justifikimi, që sipas Viktor Kasimatit, i shërbeu Enver Hoxhës për të ekzekutuar njerëzit që gjithnjë e më shumë po kundërshtonin regjimin e tij komunist…

Sabiha Kasimati ka qenë halla juaj, ndërkaq edhe një prej 22 personave që u pushkatuan më ’51-shin, pas bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. A kujtoni diçka prej asaj kohe?
- Unë kam qenë 16 vjeç kur Sabihaja është pushkatuar. Ka qenë një vajzë e shkolluar, përherë e angazhuar në aktivitetet e kohës. Kjo e bënte atë energjike, por kishte edhe natyrë tepër të prerë, nga sa kujtoj unë. Nga një situatë me time më, kur diçka bisedonim, kujtoj që unë disi e kundërshtoja. Halla u gjend aty dhe më sheh menjëherë me sy të vrenjtur duke thënë: “Si i kthen fjalën mamasë”. Mbaj mend që krijohej gjithnjë një farë ndrojtjeje nga ajo, pikërisht për shkak të kësaj natyre të rëndë gati-gati burrërore.


Jetonte me ju, meqë nuk ishte e martuar?
- Jo, vërtet nuk u martua kurrë, por jetonte vetëm. Për shkak të hyrje-daljeve që kishte me studiues e intelektualë të tjerë në vend që e vizitonin gjithnjë, ajo kishte nevojë për hapësirën e saj.


Ku ishte shkolluar që ishte përfshirë në një rreth të tillë?
- Sabihaja ka lindur në Edrene të Turqisë dhe kur u kthye u vendos te i vëllai në Korçë dhe në ’27-ën nisi studimet në Liceun Francez të këtij qyteti, duke qenë e vetmja vajzë deri në atë kohë. Edhe pas Liceut, ndryshe nga shoqet e saj, ajo ishte e vendosur të vazhdonte studimet e larta, që në atë kohë kryheshin vetëm jashtë shtetit. Kështu, arriti ta realizojë atë ëndërr të sajën dhe kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Torino.


Kur nisi të ishte më e angazhuar, u largua të jetonte vetëm, apo jo, sepse ka jetuar edhe me ju…
- Në vitet e para të pasluftës, kur unë isha ende fëmijë, dëgjoja nga familjarët që hallës i ishte ofruar një vend pune në Amerikë nga miqtë e saj, me të cilët kishte studiuar në Torino. E dëgjoja kur bisedonte me babanë dhe i tregonte që kishte refuzuar, sepse donte të rrinte në vendin e saj, pra u kthye në Shqipëri dhe u emërua në Institutin e Shkencave, që ishte institucioni më i lartë shkencor i atyre viteve, me drejtor Selaudin Toton dhe ku bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, profesor Zuberi, (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri etj.). Në këtë kohë u largua nga banesa ku jetonte me ne dhe u shpërngul në një apartament më vete, për të qenë më e lirë për të punuar.


Nga të qenit pjesë e një shtrese të lart intelektuale, Sabihaja u vu shumë shpejt në shënjestër të krerëve…
- Së pari, pas lufte u duk se gjërat po shkonin mirë, por në fillim të viteve 1947-1948 lufta e klasave në vend nisi të ashpërsohej. Ky ishte një qëndrim me të cilin Sabihaja nuk u pajtua kurrë. Gjërat u rënduan më tepër kur filloi të dënohej dhe të goditej elita e intelektualëve, një pjesë e të cilëve ishin shokët e saj. Sidomos pushkatimi i Selaudin Totos krijoi tek ajo një zhgënjim të madh dhe e bëri të krijonte një bindje tërësisht kundër regjimit komunist. Shpesh vinte dhe bisedonte me babanë, duke u shprehur se të gjitha këto që po bëheshin ishin të padrejta dhe se shteti nuk mund të ndërtohej mbi vrasje dhe dhunë. “Kurrë nuk i kam besuar doktrinës komuniste, shprehej ajo, por tashmë po bindem se nuk isha gabuar”. Kishte një guxim të jashtëzakonshëm dhe i thoshte hapur mendimet. Për më tepër ajo njihej nga afër me Enver Hoxhën.


Si kishte qenë njohja e saj me Enver Hoxhën?
- Sabihaja ishte femra e parë që studioi në Liceun e Korçës, po aty është njohur edhe me Enverin, e ka pasur në klasë. Për rrjedhojë, njihte edhe kapacitetin e tij intelektual dhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Kjo më ka bërë gjithmonë të besoj që Enver Hoxha personalisht kishte një arsye më tepër për të kërkuar eliminimin e saj.


Vetëm kjo nuk mund të jetë arsye… Ç’ngjarje të tjera fshiheshin pas këtij eliminimi që ju jeni i bindur se kanë qenë me urdhër të Enver Hoxhës?
- Sabihaja ishte natyrë rebele. Edhe tim atë e kam dëgjuar t’i thoshte shpesh të kishte kujdes kur fliste, sepse me ata nuk i dihej asnjëherë. Por ajo ashtu ishte gatuar, e kishte të pamundur të rrinte e heshtur e madje e fajësonte hapur ish-shokun e klasës për krimet që po kryheshin në vend. Kështu, diktatori mund të gjente shkak për eliminimin e saj, e pse jo edhe ta përfshinte në veprimtari terroriste, ashtu siç veproi. Të mbushje dosje në atë kohë rezulton që nuk paska qenë edhe aq e vështirë, e sidomos për t’i nxirë ato ishte tepër e thjeshtë. Fare mirë në dosjen e saj mund të jetë shënuar edhe fakti se shoqëroi një gazetar laburist anglez që kishte ardhur për të vizituar vendin tonë, duke qenë se Sabihaja njihte disa gjuhë perëndimore. Por më vonë askush nuk i pengonte organet tona të inteligjencës, që ta interpretonin këtë fakt si “veprimtari agjenturore”.


A ju kishte rënë rasti ta dëgjonit vetë në rebelimet e saj ndaj Enver Hoxhës?
- Në praninë time halla rezervohej në bisedat rreth tij, megjithatë kisha dëgjuar ndërsa i thoshte babait se “Udhëheqësi nuk ishte ai që shfaqej”. “Nuk ishte dhe aq tipi i luftëtarit se sa tipi i Don Zhuanit, që nuk shquhej për ndonjë moral me vlera”. E kishte njohur drejtuesin e vendit gjatë viteve të tij të rinisë, atëherë kur ishte edhe më e lehtë për të gabuar dhe, me sa duket, rinia e Enverit kishte gjëra që duheshin fshehur. Kishte treguar sjellje amorale gjatë viteve të liceut, pra kishte bërë një figurë jo të mirë edhe në qytet. Ishte kjo pjesë tjetër e medaljes, për të cilën halla fliste shpesh, deri sa më pas nisi të flasë hapur, duke e akuzuar si përgjegjës kryesor për dënimet që nisën të bëheshin.


Pra, Enver Hoxha e dënoi për shkak të qëndrimeve të saj të kundërta, apo sepse diçka fshihej në të shkuarën që mund të dilte në sipërfaqe?
- Mendoj që ndërthuren të dyja, por sigurisht që edhe qëndrimet e saj të vazhdueshme kundër ishin vendimtare.


Dini ndonjë situatë konkrete të këtyre reagimeve kundër?
- Për shkak të takimeve të rastësishme në rrugë mes hallës dhe Enverit, ata flisnin e bisedonin shpesh dhe në asnjë rast halla nuk kursehej të thoshte fjalën e saj ashtu siç e mendonte. Aq sa njëherë ai i pati thënë: “Po ti vetëm imperialistët francezë lexon, merr lexo Marksin”. Të gjitha këto akumulime që kishte bërë në gjithë këto vite, e bënin Enverin të arrinte deri te akuza se Sabihaja kishte organizuar këtë grup intelektualësh dhe bashkë me imperialistët do të çonin në luftën e 3-të botërore. Imagjinoni se deri ku kanë arritur…


Por ai nuk u hakmor vetëm ndaj saj, të pushkatuarit ishin 22 vetë!
- Nuk mund ta vriste të vetme, pa pasur një akuzë publike. Prandaj u gjet varianti i bombës në Ambasadën Sovjetike në Tiranë. Ky ishte rasti më i mirë për t’i eliminuar, sepse edhe të tjerët, pavarësisht se ishin të gjithë intelektualë, reagonin po njësoj si Sabihaja, pra të gjithë janë dënuar vetëm pse nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen regjimit.


Si dhe kush ju ka njoftuar kur e pushkatuan?
- Natën pas shpërthimit që ndodhi në Ambasadën Sovjetike, ku ishin thyer disa xhama, në apartamentin e saj kishte qenë e ftuar një mikeshë. Pikërisht atë mesnatë Sabihanë e kishin arrestuar. Të nesërmen në mëngjes, shoqja e saj trokiti në shtëpinë tonë. Doli babai e pas tij edhe unë. “Mbrëmë kam qenë tek Sabihaja dhe atë e arrestuan”, tha ajo. Askush më pas nuk mori vesh motivet e arrestimit. I kishin hedhur prangat dhe e kishin marrë në Degën e Brendshme, pa asnjë sqarim. Ne të familjes menduam së pari se e gjithë kjo kishte qenë një ngatërresë që mund të sqarohej, por nuk ndodhi kështu. Po atë ditë u arrestuan edhe 300 persona të tjerë për verifikime dhe ne menduam se halla mund të kishte qenë në këtë grup. Por sa më shumë shtohej koha, aq më shumë nisëm të besonim se diçka kishte ndodhur. Ime gjyshe, pas gjithë kohës së përpjekjeve që bëmë për të marrë vesh ndonjë lajm, shkoi të takohej me Omer Nishanin, me të cilin njihej personalisht. Përgjigjja e Omerit kishte qene e prerë: “Nuk kam ç’të bëj. Ajo fliste shumë për komandantin”. Kaq mjaftoi për të kuptuar.


Pra ka qenë gjithçka personale?
- Domosdo, zemërimi i Enver Hoxhës nuk kishte mbajtur më. Për më tepër, ai nuk mund të lejonte që një femër, ish-shoqja e tij e klasës, të fliste për të, të tregonte hapur gjithçka që dinte dhe të dilte kundër tij, duke e akuzuar poshtë e lart për gabime e faje, të vjetra e të reja. Me këtë ndëshkim ai do të tregonte që ishte i fuqishëm dhe nuk duhej të dilnim kundër tij. Dua të shtoj, që për më tepër nuk mund të jetë aspak i rastësishëm fakti që pjesën më të madhe të atyre që u pushkatuan natën e 26 shkurtit të vitit 1951, Enver Hoxha i njihte personalisht.


Si e morët vesh të vërtetën?
- Në përpjekjet tona të vazhdueshme, të xhaxhait kryesisht, për të marrë vesh diçka. Mësuam pas disa kohësh nga disa miq të afërm që kishim, se çfarë kishte ngjarë: Sabihanë e kishin pushkatuar së bashku me 21 persona të tjerë. Gjithçka kishte marrë fund brenda 2-3 ditëve. Sigurisht kohë e shkurtër për të pyetur dhe për të çuar drejt vdekjes 22 persona, megjithatë, kishte marrë fund. Asnjë sqarim nuk u dha për këtë ngjarje.
Ishte zhvilluar një gjyq në mungesë dhe morëm vesh vite më vonë, falë dekretit firmosur nga Omer Nishni, po ato ditë, ku lejohej të kryhej gjyqi në mungesë, për personat që akuzoheshin për veprimtari terroriste…


Pas vitit ’90, di që keni mësuar më shumë rreth ngjarjes…
- Po, u krijua një komision nga viti ’92, i cili mblodhi të afërmit e të pushkatuarve dhe ishin ata që kërkuan në zonën ku ishte bërë pushkatimi. Nga fshatarët e zonës morëm vesh se qysh tre ditë përpara se t’i ekzekutonin, në fshatin Menik, në afërsi të Urës së Beshirit, ishte hapur një gropë e thellë. Aty i kishin hedhur, i kishin lidhur me tela me gjemba dhe i kishin vrarë njëri pas tjetrit. Sabihanë nuk e kishte kapur plumbi për fat të keq dhe e kishin torturuar, deri sa kishte dhënë shpirt. Fshatarët tregonin se kishin dëgjuar klithma gjatë natës, një zë gruaje që ulërinte “Çfarë i kam bërë perëndisë?”. Kohë më pas, kishte kaluar andej një traktorist që nuk ishte në dijeni të ngjarjes dhe duke punuar, kishte nxjerrë trupin e saj në sipërfaqe, meqenëse ajo ishte hedhur më vonë se të tjerët, përderisa kishte vdekur e fundit.

Nga : Dr. Musa Ahmeti, Dr. Etleva Lala:Skenderbeu: Një dramë e panjohur dorëshkrim i 1840 në arkivin e Zagrebit


Skënderbeu si njëri prej prijësave më të njohur të shekullit të XV-të, që i bëri ballë zgjerimit të Perandorisë Osmane në Ballkan, është radhitur në mesin e heronjve më të nderuar të rilindasve kroatë. Ai do të konsiderohet si heroi më popullor i popujve të Ballkanit, i cili luftoi jo vetëm për të drejtat dhe lirinë e popullit shqiptar, por edhe të popujve të tjerë të Ballkanit dhe Evropës. Pjesa më e madhe e rilindasve kroatë, do e ngrinin lart figurën e Skënderbeut dhe luftën e tij, në veprat e tyre letrare, por edhe në tekste historike, studime të veçanta, artikuj të shumtë gazetash, etj. Në të, ata shohin rebelimin, qëndresën, luftën e drejtë dhe të pakompromis kundër zgjerimit Osman në Ballkan dhe mënyrën e vetme të kundërvënies, sepse në atë kohë, ende ishte aktuale Perandoria Osmane dhe bashkimi kombëtar e ndërkombëtar, për një qëllim të përbashkët, lirinë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar! Mund të pohojmë, se figura e Skënderbeut, ka luajtur një rol shumë pozitiv, në rrjedhat historike romantike, të zgjimit të vetëdijes dhe ndërgjegjësimit kombëtar të popullit kroat.
Dorëshkrimi i Ivan Kukuljeviq-Sakcinskit, i cili ruhet, në Arkivin e HAZU-t, është një dramë, e cila konsiderohet e papërfunduar, ngase i mungojnë disa skena të aktit të parë, të tretë dhe të katërt. Përkundër dëshirës së madhe që kishte, Ivan Kukuljeviq-Sakcinski, nuk ia doli që t’i përmbahej të dhënave dhe fakteve historike, ngase një gjë të tillë, nuk e duronte teksti letrar i dramës. Ideja për të shkruar një vepër letrare, në formë drame, e vuri përballë vështirësive të shumta. Ishte koha kur letërsia e Rilndjes korate luftonte me të gjitha forcat, për realizimin e qëllimeve të caktuara politike, arsimore dhe letrare. Kërkoheshin heronj dinjitozë antikë e mesjetarë, përmes shëmbëlltyrës së të cilëve, dëshirohej të grishej vetëdija kombëtare, në luftë për liri dhe çlirim të përgjithshëm kombëtar. Ky ishte njëri ndër shkaqet, që Skenderbeu gëzonte një vend të veçantë: te krijuesit, intelektualët dhe nacionalistët kroatë. Për të do të shkruhen vepra historike, studime historiko-letrare, do të botohen fejtone, do të thuren poezi, tregime, drama dhe vepra muzikore, në të cilat do të tregohet si model i pathyeshmërisë, luftës së pamposhtur dhe sakrificës së madhe, pa marrë parasysh numrin dhe fuqinë e armikut.


Dorëshkrimi ofron një vlerë të madhe kulturore-historike, pikërisht për faktin se pasuron bibliografinë e veprave letrare-historike, që janë shkruar në kroatisht për Skënderbeun. Njëkohësisht është tregues real i interesimit të studiuesve dhe krijuesve kroatë për figurën e Skenderbeut dhe historinë e popullit shqiptar gjatë mesjetës.
Dorëshkrimi edhe sot e kësaj dite
i pabotuar
Interesant është edhe historia e mosbotimit të këtij dorëshkrimi. I pari për të njofton T. Smiçiklasi, ndërsa nga studiuesit shqiptar, dr. Z. Neziri. Ne kemi përgaditur tekstin e këtij dorëshkrimi për botim. Kemi bërë transkriptim, transliterimin dhe përkthimin në gjuhën shqipe. Shpresojmë, që së shpejti do të shohë dritën e botimit si monografi e veçantë, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë kroate. Harresa dhe heshtja e plotë, duke lejuar që dorëshkrimin ta mbulojë pluhuri i kohës, e bëjnë edhe më enigmatike, arsyen e mosbotimit komplet ose fragmentar të kësaj drame! Nuk janë vlerat letraro-artiskike, shkak për mosbotim, ngase si krijimtari letrare, dorëshkrimi, radhitet, ndër krijimet më të realizuara artistike, të I.K.

Sakcinskit. Ndoshta një gjë të tillë, duhet kërkuar në tërheqjen e autorit nga jeta politike, e më vonë edhe me mospranimin e titullit të anëtarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Jugosllave (tashmë kroate) në Zagreb më 1870. Kjo mund të shpjegohet edhe me kundërshtimin e sistemit absolutist Habsburgian të Austrohungarisë. Në anën tjetër, befasues është edhe qëndrimi i shkencës së letërsisë kroate, e cila nuk ka treguar ndonjë interesim të veçantë, për këtë dorëshkrim, as për vlersimin e tij real, kur dihet se Sakcinski ka një vend të merituar në këtë fushë.

Teksi i dramës është i shkruar në 58 fletë të formatit të madh, 27,5 x 51.8cm. Në fillim, tetë faqet e para, kanë një format më të vogël, 22,5 x 35cm, në të cilat jepen shënimet paraprake për jetën dhe veprën e Skënderbeut, sipas burimeve dhe autorëve me të cilët ka punuar Sakcinski. Më tej, në vazhdim, kemi 48 fletë të shkruara dhe 2 fletë të zbrazëta. Të gjitha këto fletë janë të palosura më dysh dhe autori ka shkruar vetëm në njërën anë, pra në faqen “recto”. Dorëshkrimi përgjithësisht është i ruajtur mirë. Disa fletë, ato të aktit të tretë dhe dy të fundit janë të përlyera me baltë. Si duket kjo është pasojë e transportit të dorëshkrimeve dhe teksti në to vështirë lexohet.


Sipas të gjitha gjasave, autori i është rikthyer disa here dorëshkrimit, për përpunim dhe plotësim, ngase anash, me ngjyrë dalluese, ka shënime dhe përmirësime të mëvonshme, qofshin ato të natyrës drejtshkrimore, plotësime teksti me fraza të reja, apo edhe ndryshime monolgjesh të tëra.


Gjendja momentale e dorëshkrimit
Teksti në të cilin është shkruar pjesa e parë e dramës, shtrihet në 13 tabak. Secili tabak, është i shënuar me numra romakë nga I-IV; po ashtu pranë tyre janë numrat arabë, nga 1 deri në 4, ndërsa fletët e tjera janë të panumëruara.
Të trembëdhjetë tabakët mbajnë këtë renditje numerike: akti i dytë: II/1, II/2, II/3, II/4, ky i fundit ka një fletë të zbrazët; pastaj: akti i tretë: III/1, III/2, III/3, III/4 dhe një tabak të pa numëruar; akti i katërt: IV/3, IV/4. Tabakët e tjerë janë të pa numëruar. Nëse ndjekim parimin logjik, atëherë mund të konkludojmë se kanë humbur, nga akti i parë, tabakët: I/1, I/2, I/3, I/4 dhe nga akti i katërt tabakët: IV/1, IV/2.
Njëri ndër problemet më të ndjeshme dhe të rëndësishme është çështja e burimeve historike, në të cilat është mbështetur Sakcinski, të cilat duhet të sqarohen. Në shënimet paraprake autori shënon tre autorë: Georg Marnaviqin, Andrija Kaçiq-Mioshiqin dhe J. B. Hamerin, por, është evidente se Sakcinski ka shfrytëzuar edhe burimet e autorëve të tjerë, të cilët nuk i përmend, por nga leximi i vëmendshëm, mund të vërejmë se cilat janë ato vepra e burime.
Këtu në radhë të parë mendohet për Marin Barletin: “Historia de Vita et Gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis,” Zagreb, 1743; pastaj për: “Hungarische [Sibenbürgische] Moldau-Ëallach/ Türch-Tartar-Persian und Venetianische”, 1663, Francffurt am Maynn; pastaj për: “Türchische-Tartarische-Persianische-Griechische Venetianische”, 1665, Francffurt am Maynn.
Është interesant se Ivan Kukuljeviq-Sakcinski, nuk shënon titujt e veprave të tyre, por vetëm numrin e faqeve, të cilat i ka konsultuar, në dorëshkrimin e tij të dramës për Skëndrbeun.
Për autorin e parë, Georg Marnaviqin dhe veprën e tij, kemi njohuri dhe të dhëna të shumta ngase ai, ishte njëri nga kundërshtarët më të ashpër të Frang Bardhit. Përndryshe, ky autor, në historiografinë kroate, njihet si falsifikator i përkryer, i të dhënave dhe fakteve historike. Sakcinski nga vepra e Marnaviqit ka shfrytëzuar faqet 9-23.
Nga Andria Kaçiq-Mioshiqi, Sakcinski ka shfrytëzuar “Bisedimet e këndëshme të popujve sllavë”. Është shumë e vështirë të përcaktohet se cilin botim ka shfrytëzuar autori, sepse, pothuajse asnjërit nuk i përgjigjen faqet, të cilat i citon Sakcinski. Por më i afërt është me botimin e Dubrovnikut të vitit 1825. Na çon në këtë përfundim, fakti se ky botim, ka qenë më i përhapuri në kohën e Rilindjes kroate.


Ndërkaq nga autori i tretë, J. Hameri, Sakcinski, si duket ka shfrytëzuar të dhënat kryesore. Këto të dhëna ai i plotëson me Marin Barletin dhe biografë të tjerë të Skënderbeut, gjithsesi duke qenë i kujdesshëm, që të ruajë autenticitetin e burimeve për aq sa është e mundur një gjë e tillë në një tekst letrar. Në mënyrë mjeshtrore, Skacinski, i është shmangur mistifikimit të figurës së Skenderbeut, si dhe përpjekjeve tendencioze të historianëve të ndryshëm, të cilët origjinën e Skenderbeut e vinin në dyshim, duke i rritur apo zvogëluar meritat e tij, në luftën e pandërprerë kundër pushtuesve Osmanë.
Ndërtimi i veprës
Veprimi bazë i dramës bazohet në disa nga momentet kyçe të jetë së Skenderbeut, të cilat kanë mbështetje të plotë nga burimet dokumentare dhe tekstet e botuara. Në tetë fletët e para të dorëshkrimit Sakcinski, ka shënuar: të dhëna biografike për jetën e Skenderbeut, disa të dhëna themelore për personazhet kryesore dhe burimet e shfrytëzuara, duke na paraqitur edhe një koncept të shkurtër, për gjithë atë që planifikonte të shkruante. I tërë subjekti i dramës ndahet në tre periudha:
- në vendimin e Skënderbeut për tu kthyer në Shqipëri dhe përgatitjet në këtë drejtim,
- në kohën e kthimit të Skënderbeut në Shqipëri, dhe
- në njërën nga betejat e tij më të famshme, rrethimin e parë të Krujës.
Është e sigurtë, se autori nuk kishte për qëllim, të shkruante një dramë të aksionit, por një dramë psikologjike, duke u përpjekur të futet, sa më thellë në vetëdijen e Skënderbeut, shqiptarëve dhe bashkëluftëtarëve të tij, të cilët ishin nga shumë vende të ndryshme të Evropës. Të dhënat biografike kalohen me shpejtësi, sepse autori kryesisht ndalet në dy momente të rëndësishme: marrjen e vendimit dhe përpilimin e planit për t’u kthyer në Shqipëri. Lidhur ngushtë me të, edhe përgatitjet për shpalljen e një kryengritje të përgjithshme popullore për mbrojtje nga Perandoria Osmane. Rasti i parë i volitshëm ishte beteja në mes ushtrisë hungareze e drejtuar nga Gjon Huniadi dhe ushtrisë turke, zhvilluar në Nish, në nëntor të vitit 1443.
Në vazhdim përshkruhet kthimi i Skënderbeut në Krujë dhe inkuadrimi i tij në jetën e përditshme, të një prijësi shqiptarë. Pjesët e tjera të jetës së Skënderbeut, zhvillohen në retrospektivë: qoftë përmes kujtimeve të Vranjaninit para Skënderbeut, të vezirëve dhe pashallarëve në pallatin perandorak të Sulltanit ose përmes bisedës së heronjve të tjerë, pas përfundimit të betejave; ose në prag të betejave të reja.


Gjykuar sipas planit, në fillim të dorëshkrimt, mund të themi se autori nuk ka planifikuar të paraqesë, jetën e Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, në tërsi, por duke shfrytëzuar teknika të ndryshme përshkrimore, të domosdoshme për veprat letrare, ta përpunojë vetëm një pjesë të kësaj periudhe historike, e cila do të përfshinte përafërsisht kohën e kthimit të Skënderbeut në atdhe, e deri në rrethimin e parë të Krujës. Metaforikisht kjo periudhë historike do të shpjegohej me lindjen e konfliktit dramatik dhe me përfundimin fatlum të tij, gjë që është edhe ideja kryesore e Skacinskit!
Të dhënat burimore të shfrytëzura nga Marnaviqi, Kashiqi dhe Hameri i takojnë vetëm kësaj periudhe të jetës së Skënderbeut dhe mungojnë ato të viteve të mëvonshme të jetës së tij. Ky fakt na bën të gjykojmë, se ai ka planifikuar, që dramën e tij, për Skënderbeun, ta përfundojë me martesën e heroit, respektivisht me lindjen e djalit të Skëderbeut, Gjonit dhe me tradhtinë e Hamza Kastriotit, që në një farë mënyre do të spjegohej karakteri i fortë dhe i vendosur i Skenderbeut, përball atij të dobët të Hamzait, edhe pse gjenealogjikisht lidhjet e gjakut, të dy i kanë të përbashkëta, pra këtu do kishim elementet psikologjike dhe faktorin njeri, si dominues në përcaktimin e fatit për të ardhmen e atdheut.
Duhet thënë se ky dorëshkrim mban në vetvete disa momente të rëndësishme. Shkruhet nga penda e njohur e një historiani të shquar, i cili zbërthen anën faktografike në një tregim tërheqës dhe mjaft të lehtë për lexim. Gjuha e përdorur është e thjeshtë, e qartë dhe shumë melodike. Por më e rëndësishmja është se autori ka ruajtur paanshmërinë, duke qenë i kujdesshëm që personazhet kryesore të na i paraqesë, në dritë pozitive, por asnjëher më shumë se sa e meritojnë.

DITET E KULTURES SE KOSOVES NE DIASPORE



Na shkruajne nga Brukseli: Ali Podrimja, figurë emblematike, që i shërbeu të sotmes dhe të nesërmes poetike shqiptare.

nga Agron Shele*

Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shipërisë, Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptarë në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë në Belgjikë, organizuan në Bruksel, orën letrare “Ditët e Kulturës së Kosovës në Diasporë”, orë letrare e cila mbështetej financiarisht nga Ministria e Diasporës Kosovë dhe që kishtë për promocion promovimin e Antologjisë poetike “Dhimbë e bukur (homazh për poetin Ali Podrimja)”, përgatitur nga autorët Reshat Sahitaj dhe Begzad Baliu.
aktiviteti ne Bruksel
E veçanta e kësaj ore letrare ishte përfaqësimi gjithëpërfshirës i të gjitha trevave shqiptare përberenda këtij Unioni letrar me autorë nga Shqipëria Bahri Myftari, nga Kosova Gani Xhafolli dhe Reshat Sahitaj, nga Maqedonia Kalosh Çeliku, nga Mali i Zi Haxhi Shabani dhe nga Presheva Arsim Halili. Ora letrare u hap nga Koordinatorja e Shoqatës së Shkrimtarëve të Belgjikës znj Shiponja Duro, e cila e çeli këtë sipar me poezitë pishtar të këtij autori të madh për Kosovën, ku shprehje të tilla si: “Kosova është gjaku im që nuk falet!, Më shumë se kushdo tjetrër të njoh, Kosovë, Unë biri yt .”etj, krijuan sensacionin e duhur për zhvillimin e këtij aktiviteti. Më pas këtë event e përshëndeti dhe Ambasadori i Republikës së Kosovës Z Ilir Dygolli, i cili falenderoi nismëtarët dhe organizuesit e këtij eventi, si dhe Unionin që ata përfaqësojnë, falenderoi të pranishmit, si dhe u ndal në kontributin e poetit të madh Podrime,si autori më i përkthyer kosovar në kulturat e tjera letrare, kontribut i cili me plot të drejtë vlerëson dhe indetifikon kulturën kosovare dhe asaj shqiptare. Në fjalën e tij Z Reshat Sahitja i bëri një rezome të shkurtër kësaj antologjie poetike, ku rreth 60 autorë të njohur si Agim Vinca, Kristaq Shabani, Musa Jupulli, Visar Zhiti etj, me zërin e tyre poetik i thirrën himn lajmotivit të jetës dhe veprës së këtij poeti me përmasa kaq të mëdha. Për veçoritë poetike, stlistikore, rolin e tij në ngritjen e nivelit artsitik dhe modernizimin e poezisë kosovare, si dhe mesazhin e madh të Popdrimes për rritjen e ndërgjegjies së popullit kosovar, do referonin përfaqësuesit e ftuar nga mbarë trevat shqipfolëse, të cilët me ilustrimet e tyre në vargje do krijonin një atmosferë shumë më të këndshme dhe do e bënin këtë event edhe më emocionues. Në fund të takimit autorët me banim në Belgjikë do shprehnin opinionet e tyre rreth kësaj embleme poetike, duke e bërë takimin edhe më interesant. Dr Xhovalin Kola do shprehej se: “Podrimja ishte autori parë kosovar që bashkoi poezinë me ç’ ështjen e zgjidhjes së problemit kombëtar”. Poeti, piktori dhe historiani Lekë Pervizi do e mbështeste referencën e tij rreth kushteve historike në të cilën u zhvillua kjo poezi dhe me plot të drejtë ai do e përkufizonte këtë poezi si: “Poezi e pasthirrmës dhe rizgjimit të ndërgjegjies kombëtare”. Shkrimtari Albert Nikolla u referua në simbolikën dhe teknikën poetike të këtij autori dhe do e cilësonte poezinë e Podrimes si :”Simbolikë e poezisë moderne kosovare”. Inisiatori i Antologjisë poetike shqiptare në Gjuhën Frënge me rreth 80 autorë shqiptarë, botuar këto ditë në Belgjikë,ku natyrisht përfaqësohet dhe poeti madh Podrimja, z. Vasil Çepani përgëzoi të ftuarit dhe u shpreh se ‘ikja’ e Ali Podrimes ishte si nje shëtitje pa fund.Vlen të përmendet se imazhet dhe pamjet e këtij eventi u përcollën nga fotografi profesionist dhe i talentuar z.Asllan Krasniqi. Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej, ku nën trokitjen e gotave dhe bisedës së lirë do përjetoheshin çaste dhe momente nga më mbresëlënëset, momente që mund të ti falin vetm kreatura të tilla krijuese dhe korifenj të kulturës tonë kombëtare, sikurse është dhe do të mbetet për jetë poeti madh Ali Podrimja.

* Sekretari Përgjithëshëm Internacional “Pegasi” Albania

NË FUSHKOSOVË, KU U VRA SULLTAN MURATI I PARË


Nga RIZA LAHI/

Sikur të parandjente vdekjen e vet, 61 vjeçari që drejtonte superfuqinë ushtarake të kohës, mbajti një lutje me lotë në sy para ushtarëve, përshkruar nga kronikani i tij kështu:

“ Kur Padishahu hyri në Fushë Kosovë, më 8 gusht 1389, u përball me një furtunë, që e kishte shëndrruar mjedisin në tym e pluhur, saqë sytë të mos shihnin asgjë. Ishte pikërisht Nata e Beratit!Sulltan Murati i fali dy reqatë namaz dhe në fund, bëri këtë lutje me lotë në sy:

“O Zot!Poqese kjo furtunë ka dalë për shkak të mëkateve të këtij robi tënd të mjerë, mos i ndëshko ushtarët e mi të pafajshëm.

Allahu im, mos m’i ndëshko ushtarët e mi të pafajshëm që erdhën gjer këtu vetëm për të ta lartësuar emrin dhe për ta kumtuar Islamin.

Zoti ynë !Edhe pasuria, edhe pushteti janë të tutë; edhe ky rob i yti është. Unë jam një rob i mjerë. Ti je ai që njeh më mirë qëllimin dhe të fshehtën time…Pasuria dhe pushteti nuk janë qëllimi im; unë dëshëroj vetëm pëlqimin tënd.

O zot, mos I lër këta ushtarë besimtarë të munden e të shkatërrohen në dorë të mohuesëve dhe heretikëve. Ndihmoju atyre një fitore që ta festojnë tërë myslimanët! Në dëshëron atë ditë fitoreje …robi yt Murat le të bëhet kurban në rrugën tënde.

O zot, mos më bëj mua shkak për shkatërrimin e kaq shumë ushtarëve myslimanë! Ndihmoju atyre, dhuroju fitore! Unë jam gati të dhuroj jetën për ‘ta, mjafton që ti të më pranosh në grupin e dëshmorëve.

Unë jam gati të flijoj shpirtin për hir të ushtarëve islamë.

Me mplake fitimtar…në fund, të lutem, të keshë mirësinë të më bësh dëshmor.

Amin. Ashtu qoftë!”

Se kush ishte ky sulltan, ja, le të shikojmë edhe një tjetër burim osman:

“Sulltan Murati i Parë ( 1328 – 1389), ishte Sulltani i tretë Otoman, djali i Orhan Gaziut – nipit të Osman Beut, themeluesit të Perandorisë Otomane. Sulltan Murati ka mërrë nën mbrojtjen e tij shkencëtarët dhe poetët. Gjatë sundimit ai zmadhoi territoret e perandorisë, sigurisht me shpatë. Është pikërisht ky sulltan, ai që mundi në Luftën e Kosovës – më 1389 – forcat e bashkuara ballkanike. Është i vetmi nga tër sulltanët që është vrarë në fushën e betejës.”

Ky sulltan ka lënë edhe këtë poezi shumë të bukur në osmanishten e vjetër:

OH, SA KAM PIRË SONTE!…

O, sonte sa kam pirë !

Do pres gjer në të gjdhirë…



Këtë jetë,

siç dua vetë, më lini që ta sos

Më sillni, more, harpën!

Këtu, lahutën me tela!

Me zemrën e sulltanit

tani dua të llafos



Sa të zbardhë agimi

do të shkoj në varrezat

te gropa ime

të shtrihem ngadalë

Dhe shokët e mi kurr s’kanë për ta ditur

i kujt është ky varr

…pa një germë…

….pa një fjalë…….

Siç po e vërejnë lexuesit, në prezantimin e këtij njeriu të vdekur 600 e ca vjet, kur erdh të pushtonte viset e Ballkanit në krye të burrave të stërvitur për luftë e të armatosur deri në dhëmbë, unë, ja, nuk po paraqitem njeri i mëllefeve, pavarësisht se sa ballkanas kanë rënë nga shpata e tij, përfshirë edhe stërgjyshër të mi shqiptarë.

Ne po vëmë në dukje edhe prirjet personale të njërit prej tyre, gjë që synojmë të plotësojmë tablonë reale se si duhet t’i shikojmë personazhet e zhytur ndër shekuj në ditët tona, si produkte të kohës. Le t’i quajmë ata “ kurbanë” të ecjes përpara të shoqërisë njerëzore. Ja, tani, figurën e të vetmit sulltan që u vra në një luftë, po e kundrojmë me gjakftohtësi, shumë vëmëndje dhe me sa më shumë të jetë e mundur bukuri njerëzore. Pushtuesit e dikurshëm tanimë e kanë ngrënë livadhin e tyre dhe u ngjajnë fosileve të mbetura të dinosaurve të tmerrëshëm dikur, por që, ja, u kanë mbetur diku një grusht kocka dhe kujtimi që kanë lënë.

Por jo rrallë, ata po shërbejnë si gozhda e Nasradinit. Në periudhën e mesjetës ka qënë në llogjikën e kohës që prijësit të krenoheshin për sa kishin “zgjeruar” territorin e tyre; sigurisht jo me të përkëdhelura dhe duke ecur “happy gp lucky”, por me shpatë e zjarr e me marrshime të rrepta. Këtë kreni për “zgjerimin e perandorisë” e vërejmë edhe në jetëpërshkrimin e jetës së shumë sulltanëve turq. Kjo ndjenjë e ka derivatin e saj edhe sot, mu mes vulgut tonë, paçka se e veshur me rrobet e modës dhe shprehet pak a shumë me sentencën “ sa para mbanë në xhep, njaq burrë je”.

Politikanët janë përpjekur përherë që, si të mbushin një kosh me plehra, të mbushin kokat e fshatarëve, të pashkolluarve dhe mesatarëve të panumurt – sidomos ushtarakëve – me “bëma nga historia”, për t’i patur pastaj këtë kategori të gjërë të popullit, si mish për top në egërsinë e betejave nacionaliste nga të cilat kërkohet trofe, siç e mblidhin kanibalët e lashtësisë pas betejave.

Pra, ne në reportazhin tonë, kemi dëshirë vetëm të paraqesim para lexuesëve diçka nga kjo ndeshje historike. Kur fitorja e ushtrisë otomane mbi ballkanasit, që, sipas natyrës së saj, ia kaloi “fitores si ajo e Pirros” në Apeninet.

Sigurisht që do të bëjmë edhe ndonjë vërejtje miqësore, duke mbajtur vetëm anën e së vërtetës.

Ne personalisht, sapo e dhamë shëmbëllin e parë – ja, cituam edhe “duhanë” e para ndeshjes e të destinuar për të frymëzuar ushtarët për luftë ( dhe jo për t’u kthyer mbrapsht nga qenë nisur !!!), edhe kemi përkthyer e cituam poezinë aq të bukur të këtij prijësi, me urdhërin e të cilit kushedi se sa nga stërgjyshërit tanë shqiptarë dhanë jetën duke vringëlluar shpatat e tyre të drejta me jataganët e lakuar.

Boll kanë vuajtur popujt trima të Ballkanit nga egërsia e papërfytyrueshme nacinaliste në emër të të cilës janë kryer padrejtësira të pashëmbëllta dhe krime nga më monstruozet.

XXX

Sh., një tifoze e vjetër e prozës dhe poezive të mia, cilës ia kam dhuruar thuajse gjithë librat që kam botuar e që nuk le gjë pa lexuar nga unë në internet e, nga kjo, patjetër që e takoj kur, sadoqë rrallë vizitoj Prishtinën, atë mëngjes e kishte lënë punën.

E kishte parkuar “kerrin” para hotelit dhe po na priste që të dyve me Ledian për të na gjezdisur.

Ledushin, bijën time, e kisha marrë me vete me rastin e kësaj ftese në Prishtinë, si shpërblim për rezultatet e larta në mësime.

Fillimisht, “një kafe” për mirëseardhjen.

Sh., kjo kryeqytetase kosovare, manifestoi një variant spektakolar të mikpritjes, që mua nuk më kishte ngjarë ndonjëherë. Ajo na nisi me veturën e saj në periferinë e mrekullueshme të përmbytur në blerim të Prishtinës, ku këmbënguli të na qeraste me kafe dhe një ëmbëlsirë speciale, duke porositur për të tre.Mirëpo…ajo nuk futi asgjë në gojë dhe na u lut ne të dyve, sëpaku ëmbëlsirën, të mos e linim në tavolinë , sikurse mbeti kafeja e saj e papirë

Vajza nga Prishtina ishte agjinueshëm. Ajo kish porositur edhe për veten e saj njëlloj si për mysafirët, veçse…për të mos i prekur me dorë.

Ishim në Prishtinën e saj , e cila për të, është më e bukura e botës, përfshirë edhe këtë shkallë të paparë të mikpritjes tradicionale shqiptare…

Pas disa propozimeve të Sh. unë e vura gishtin “…në Fush Kosovë”.

Ledushi miratoi menjëherë..

Sh…I dha makinës për andej, rrugës që të çon në Mitrovicë…

XXX

Gjashtë – shtatë kilometro km nga veriu i Prishtinës , ndodhet në “Gazi Mestan” emër që nuk e kanë ndryshuar as serbët dhe as vëndasit shqiptarë, të dalluar tanimë për ndërrimet massive të emrave.

Ishte një zonë e rrethuar me tela , me madhësinë e një stadiumi. Rojat shqiptare me uniformën e Republikës së Kosovës, na thanë se mund ta vizitonim obeliskun e lartë rreth 15 metro, si Sh. parkoi makinën dhe pa asnjë pagesë.

Obelsiku mbante datën 1953 , pra i përket periudhës së llahtarëshme për shqiptarët të Rankoviçit.

Në hyrje ishte ky fragment në sërbisht, që ma kopioi një kosovar i rastësishëm.dhe, një tjetër më pas, ma përktheu me saktësi në Prishtnë:

“Kush është sërb i rracës sërbe, dhe nuk ka ardhur këtu për Betejën e Kosovës, mos pastë pasardhës gjaku, as djalë e as vajzë, as bij e as bija. Dora e tij mos prodhoftë as verë, as grurë e as rrush të bardhë…”

Në fillim më kërceu gjaku. Mos ishte një thirrje për të destabilizuar Kosovën aktuale? Gjith bota ka pas parë me habi tubimet nacionaliste të qindra mijra njerëzve të organizuara këtu, pikërisht këtu, sigurisht edhe jashtë telave, nëpër këtë rrafshinë pjellore,

“Kjo është një këngë e vjetër sërbe, mos gaboj” – më sqaroi i menduar dhe vetullmvrejtur mikpritësi im në Prishtinë, Murat Koçi, njëri prej liderëve të një shoqate të madhe shqiptarësh në Suedi, e cila për këtë aktivitet poetik në atdhe, më kishin ftuar dhe mua.

Mbi atë pllakë prezantuese, sekush kishte vënë, m’u dukën prej parafine, kryqin me katër “C” –të , “ Samo Sloga Spashava Serbija” të cilat në shqip përkthehen “Vetëm Uniteti e Shpëton Sërbinë” . Mirëpo, ky simbol, ka krijuar përshtypje aspak të mirë jo vetëm në masivin e popullatës kosovare dhe kjo, sepse, shoqëruar me këtë simbol, në Kosovë, janë bërë krime të përbindëshme, deri nga ata që të ngrënë leshrat përpjetë. CCCC dhe një kryq . Ky symbol fetar dhe politik, krejt normal, konçiz dhe i pa të keq, i keqshfrytëzuar nga njerëzit e politikës , të ushtrisë e policisë Republikës Sërbe në periudhën e luftërave në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë ka udhëtuar ngado ku ka buçitur llahtara e urdhërave të S. Millosheviçit. Kushedi se sa banorëve të këtyre nacionaliteteve, sa fëmijëve ,grave e pleqve u ka shtënë datën në gjumë ky simbol që përfshin edhe kryqin ortodoks, paçka nga natyra aq paqësore, e butë dhe e mëshirëshme e fesë ortodokse.

Më tej një tjetër parullë sërbisht që ma përkthyen kështu:” Me fjalë të tjera, ka ndodhur në verën e 1389, me 15 qershor, …a 6 a 7 e mëngjesit, vetëm zoti e din”

Polici i shërbimit më këshillon të mos ngjiteshim deri në majë të obelisktu, sepse

“ tash po lodheni deri atje nalt”.

Më tej po ngriheshin tyrbe të tjera a, sëpaku, objekte të financuara nga turqit e sotëm dhe që duket se kishin lidhje me këtë përleshje masive . Ne nuk mundëm të shkonim edhe atje, sepse ishin larg; sigurisht që të mësonim ndonjë hollësi më shumë, që mund të kishte interes të paparashikuar.

Por deri në majë të saj, sigurisht që hipëm që të tre dhe bëmë edhe foto të kësaj fushe pjellore që na u duk se është lënë pas dore, kur , në kohën e Jugosllavisë, ajo prodhonte grurë shumë.

Deri në majën e Obeliskut kishte ngado pllaka me gërma të gdhendura në gjuhën sërbe. Ata nuk lexoheshin mirë pasi nuk kishte drita pr t’i ndriçuar. Sigurisht ata duhet të kenë ndriçim për t’ lexuar vizitorët e obeliskut ; asnjë kosto nuk ka nga një llampë neoni për secilën pllakë. Po…Vallë, çfar është shkruar atje?

Me siguri që qysh në vitin 1953, kur është ngritur?

A ka pasaktësira historike atje, për më tepër?

Ta zëmë, a është shkruar, vallë, se kjo betejë e humbur ka qënë e ballkanasve? Se për më tepër ka patur edhe vullnetarë jo ballkanas që luftuan dhe u mundën në këtë betejë? Se ka patur formacione të armatosura edhe nga fiset shqiptare të Topijajve dhe Muzakajve? Etj?

Mos vallë ky obelisk ka patur qëllime të egra të natyrës së komunizmit titist dhe ka shtrëmbërime të qëllimta të historisë? Përfshirë, ta zëmë, faturimin e kësaj humbjeje vetëm serbëve të armatosur që luftuan atë ditë?

Ehhh…Duhet të dish sërbisht pa ta marrësh vesh këtë gjë.

Sëpaku anglisht të ishin të dubluara!

Rreth këtij obelisku të ngritur në periudhën e komunizmit titist – na e do mendja, të politizuar me kontekstin nacionalist dhe moskokçarës për shkencën , siç bëheshin gjërat në atë koh ë - janë organizuara tubime massive ; edhe në ditët tona. Ata kanë tingëlluar më shumë se provokuese – anakronike dhe jo të zgjuara. Sipas kësaj llogjike, haj le të vijnë në Kosovë qindra mijra turq. Të vijnë për të përkujtuar fitoren e tyre, qoftë edhe se si e Pirros përderisa po u festonka një humbje. Pa të organizojnë edhe ndonjë “tazi” në kujtim të xhenazes së sulltanit. Dhe ta bëjnë këtë në një tjetër ditë sepse, sipas burimeve turke, beteja është zhvilluar me 10 gusht, kurse në obelisk lexojmë datën 15 qershor. Viti nuk ndryshon në të dy burimet, gjë që na e heq dyshimin se mos turqit kanë përdorur vitin “hixhri”. Apo, në vazhdimësi të këtij arsyetimi, të mblidhen në ndonjë ditë sebepçeshë në territorin e Republikës së Sërbisë, pasardhës të banorëve që kanë banuar në ato toka para shekujve 6 e 7 të erës sonë dhe të bërtasin se “duam djepin tonë”.

Marrëzirat nacionaliste janë nga më të hatashmet.

Sivjet në Beograd, një intelektuale e mirëfilltë, grua shumë e mirë dhe e edukuar, më tha plot hare duke më parë në sy se, uaaaa, qënke nga “Skadarska”? (Shkodra). Vallë, a e dija unë se Shkodrën e kishin krijuar serbët? Se në Beograd është një rrugë me emrin e Shkodrës, për respect të qytetit të krijuar nga serbët?

Kur, për të mos e fyer dhe për të mos krijuar probleme mes Beogradit, iu përgjigja me pyetjen naïve “Shkodrën time serbët? Uaaaaa…Po a keni dëgjuar ju për Agronin, Teutën, Gentin…ata kanë qënë sfidantë të perandorisë romake dhe u kanë dalë romakëve superfuqi në fushën e luftës dhe me shpatë në dorë…2500 vjet më parë”, ajo uli kokën e inatosur dhe u largua pa më dhënë dorën.

Edhe ajo grua aq e mirë, e zgjuar, e edukuar dhe e bukur, ja që ishte njëra nga viktimat.Nga ana tjetër, kur i tregova për këtë grua një të “mënçuri” nga Kosova, që e dua shumë, më sugjeroi t’i kisha thënë asaj gruaje aq të mirë, por zënë brumë që kërthinjë me të tilla ide se, kur është themeluar Shkodra, moj zonjë e mbarë, ju keni qënë gjysëm të egjër dhe në stepat e Skithisë. Budallallëqet e marrëzitë nacionaliste janë nga më të rrezikëshmet, sepse sjellin erë gjak më shumë e më shpejt se asgjë tjetër.

Mendojmë që duhet të ishte normale që ky objekt që ruhet me njerëz me rrogë të Republikës së Kosovës, të kishte edhe flamurine kësaj republike diku. Objekti nuk ndodhet në territorin e Republikës së Sërbisë, por në territorine një tjetër shteti të pavarur.

Do të ishte normale që, gjithçka e shkruar nëpër pllakat e këtij objekti historik – dhe jo një fosil I vjetër që nxit për luftëra e beteja nacionale – të përkthehet sëpaku në anglisht dhe, e pse jo, edhe në gjuhën bazë të shtetit të shpallur multietnik të kësaj republike të re.

Ne e kuptojmë edhe pozitën e politikanëve bashëkohas serbë. Patëm rast të lexonim betimin e presidentit të Republikës sërbe para flamurit kombëtar sërb. Ka një fjali ku ai betohet se “Kosova është pjesë e Sërbisë”.

Tanimë e kanë vërejtur mjaft njerëz që, për fat të keq, popullata kosovare dhe ajo sërbe, kanë kohë që e urrejnë njëratjetrën ; sidomos qënga periudha e luftës. A ka shans vallë që në Rep. e Sërbisë të hyjnë edhe një herë , siç kanë qënë në kohën e Sllobodanit a Titos, a Karagjorgjeviçëve Kosova me 2 milion kosovarët që ka? Si mundet të qëndrojë në BE ku aspiron Rep. Sërbisë me 2 milion gjarpërinj për të brënda territorit të saj, nëse mund të ndodhte e paimagjinuara nga askush sot, që Kosova të hynte edhe një herë brënda kufijve të saj? Kur, për më tepër, ajo është njohur si shtet Sovran nga gjysma e planetit?

Kjo urrejtje fatkeqe mes dy popujve, do të vijë duke u fashitur ngadalë ngadalë, në radhë të parë prej njerëzve të artit e muzikës, sportistëve, biznesit, politikanëve të mënçur etj, por , deri atëherë…

Atëherë, ky obelisk a nuk ia vlen që të menaxhohet më me kujdes nga Minsitria e Kulturës e Kosovës?Aty vallë është vrarë Sulltani apo më tej, ku është tyrbia?

Millosh Kopiliqi, a nuk e meriton një statujë? Ai ka qënë një luftëtar kryetrim dhe në kësi rastesh kjo kategori përjetësohet me një shtatore.

A ka qënë ai sërb apo drenicak?

E ja, ta zëmë sërb. A ta zëmë shqiptar. E pastaj? A nuk e dinë të gjithë shpirtin luftarak të këtyre dy popujve që , ja, negociojnë edhe sot përmes përfaqësuesëve të tyre, për nacionalitetin e heroit të asaj periudhe.

Një hero të tillë, edhe vetë turqit e sotëm do ta respektonin. Siç respektojnë ta zëmë kosovarët dy sulltanët, Muratin dhe Mehmetin, kur shkojnë të falen në xhamitë e ngritura në nderim të tyre mu në Prishtinë, paksa më tej shtatores së Heroit të tyre Kombëtar, Skëndebeut. Sulltan Murati dhe sulltan Mehmeti respektohen , ma do mëndja, jo si pushtues dhe të dhunëshëm, siç është normalsiht çdo ushtri që vjen të “zgjerojë territorin”, por si lidër fetarë.

Siç duhet respektuar edhe heroi ballkanas M.Kopiliqi për trimërinë e tij dhe sakrificën supreme që bëri për liri në një betejë ku ishte vulosur humbja.

XXX

Ndoca pak kilometro më tej, Sh. edhe duke pyetur e manovruar në timon, mundi të gjente variantin tjetër të vëndvrasjes së sulltanit luftarak që shkruante vjersha dhe përkrahte e mbronte poetët dhe shkencëtarët.

Për këtë tyrbe përkujdesej një familje me origjinë aziatike, sigurisht myslimanë; atje kishte edhe varrezat e disa familiarëve të këtij fisi jo shqiptar, që , brez pas brezi, kishte adhuruar Sulltanin e vrarë në Fush Kosovë.

Një man I paparë kurr, mbi 400 vjeçar, ndodhej në e oborrin e gjelbëruar me lule dhe aq të qetë, sa bisedat e myslimanëve, apo siç është qetësia në varreza.

Trungu vigan I manit ishte I ndarë më dyshë, sigurisht nga rëndesa e viteve dhe, mbase është mbjellur në kohën kur këtu janë varrosur të brendëshmet e komanandtit supreme të ushtrisë aziatike , pasi trupi, siç na tha ciceroni – një djalosh kosovar me flokë të kapura pas dhe mjaft kopetent në spiegimet– është transportuar I balcamosur në Bursa .

Kjo tyrbe , e cila, pas vitit 1912 ka qënë neglizhuar, por tanimë ishte rregulluar e sistemuar më së miri, deri në korrikun e vitit 2012, qënga janari, është vizituar nga mbi 8000 vizitorë. Shumica turistë apo të huaj ardhur me shërbim në Kosovë, por shqiptarë pak.

Vizita në këtë tyrbe – muze është pa biletë, , por atje ishte edhe një arkë, ku, secili që dëshëron , mund të hedhë të holla, që shërbejnë gjithmonë vetëm për mirëmbajtjen e këtij objekti me interes të veçantë.

Sikurse biseduam edhe me ciceronin – i cili shtangu dhe këmbënguli që të kishte lirikën e shkruar nga Murati i Parë ( që e kemi përkthyer ne dhe e kemi vënë në fillim të këtij shkrimi ) – kryekomandanti I perandorisë osmane dhe lideri fetar kryesor I kësaj perandorie , është vrarë sipas këtyre tre varianteve:

Sipas studiuesëve turq, ai është vrarë nga atentatori që hiqej si i vdekur në në fushën e luftës. Ndërsa Sulltan Murati po insektonte fushën e lluftës pas fitores, atentatori që rrinte si I vdekur, I ka kërcyer vetëtimthi mbi kal sulltanit të rrethuar nga shpura e tij.

Sipas studiuesëve serbë, Millosh Kopiliqi shkoi t’i puthte dorën sulltanit në shatorre, duke i uruar fitoren dhe duke e njoftuar se po konvertohej në mysliman. Atje, vetëtimthi e ka therur me thikën e mbajtur në gji sulltanin e shkujdesur nga fitorja. Oponentët e këtij varianti, e kundërshtojnë duke thënë se Kopiliqi nuk ishte në asi niveli përfaësues, sa të lejohej të futej te Sulltani, madje, i pakontrolluar. Oponentët e kësaj oponente, e paraqesin M.Kopiliqin “Bojar”, pra, jo një luftëtar dosido.

Studiuesit dhe gojëtarët shqiptarë, i pranojën që të dy këta variante, por një pjese prej tyre u duket më pranë së vërtetës, një sulm i rrufeshëm, natën; një sulm i organizuar mirë, fort i egër, i karakterit diversionist. Komandoja e drejtuar nga Millosh Kopiliqi ka penetruar mes turqve të dehur nga fitorja dhe, kryetari i tyre i patrëmbur, ka kryer ekzekutimin me saktësi.

Ka edhe një variant tjetër, sipas të cilit Sulltan Murati është qëlluar me heshtë që larg nga Kopilqi nishantar I mbaruar, por këtë variant e besojnë për ditë e më pak njerëz.

Mes objekteve të kësaj tyrbeje, mbi varrin simbolik ndodhet një çallmë. Ngado mbishkrimet janë edhe në gjuhën shqipe.Na bëri përshtypje të veçantë një treshe skulpturore shumë e bukur. Në mes të një jeniçeri – veshur dhe paisur me armatimin e kohës – ishin dy ushtarakë të tjerë, me vegla muzikore. Ciceroni na sqaroi se ata ishin pjestarë të “Bandës së Mehterit”. Kjo lloj bande ushtrie ka qënë krijuar që në shekullin e shtatë dhe kishte dy funksione : të jepte sinjale taktike për komandantët gjatë betejës dhe, sidomos, të nxiste moralisht ushtarët për sulm. Efektet e “Bandës së Mehterit” populli ynë i ka përjetuar edhe në këngën e njohur tiranase të Cen Kavajës :” Po vjen asqeri, hajde, o me muzika- s’janë muzika, as janë borie – Cen o Kavaja në dorë I gjallë s’po bie”.

Diku më tej – një tjetër objekt i mrekullueshëm skulptural: Sulltan Murati i Parë mes Këshillit të tij të Luftës. Ai është i veshur me rrobet e veta karakteristike të kohës, që nga çallma e deri te pantoflat e bukura. Sigurisht me shpatën e rëndë në brez.

Është e çuditëshme se në fletpalosjen e kësaj tyrbeje – krejt në gjuhën shqipe – flitet për Sulltanin në fjalë i cili “ i zgjeroi territoret e shtetit osman në 500 000 km katrore prej 95 000 km katrore sa kishte me rastin e vdekjes së atit të tij Orhan Gazi”. Ani, pra! megjithëse është vënë në pah natyra pushtuese e territoreve, e pranueshme për liderët e kohës dhe “aut of day”totalisht në ditët e sotme.Por atje shkruehet edhe kështu : “Më 10 gusht të vitit 1389 …beteja ndërmjet forcave Osmane dhe forcave Sërbe…sulmohet nga fisniku sërb Milosh Obiliqi / Kopiliqi “

Siç e shikojmë, pra, në fletpalosje, ku presupozohen gjëra preçize, janë vënë gjëra të diskutueshmë. Besojmë që edhe historianët seriozë në Beograd nuk kanë se si ta mohojnë karakterin ndërballkanik të kësaj beteje. Madje edhe nga burimet turke që ne sapocituam më lart, thuhet : “Është pikërisht ky sulltan, ai që mundi në Luftën e Kosovës – më 1389 – forcat e bashkuara ballkanike. Është i vetmi nga tër sulltanët që është vrarë në fushën e betejës.”

Apo për identitetin e atentatorit – e pamë që edhe ai është i diskutueshëm pavarësisht se për njerëzit me vizion të Evropës së shekullit 21 kjo gjë nuk paraqet ndonjë ngërç sa për të krijuar ngatërresa.

Tjetër. Sigurisht që njerëzit mund të kishin dashur të dinin më shumë rreth reagimit të popullatës autoktone në Kosovë gjatë kësaj beteje. Pas pushtimit otoman, atje kanë punuar me muaj të tërë qatipët osmanë, aq të famshëm për skrupulozitetin e tyre dhe, nga defterët e tyre, rezultojnë emra katundarësh e malësorësh shqiptarë që të kenë banuar këtej pari. Fare pak emra që mbarojnë me “viç” in karakteristik të pjesëmarrësve të tubimeve masive rreth obelsikut për të cilin folëm më lart.

Mendojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës, së pari Minsitria e saj e kulturës, mbi bazën e konsultave shkencore me shkencëtarë turq, serbë dhe shqiptarë – jo nisur nga nacionaliteti i tyre, por nga afria që kanë secili prej tyre me burimet autoktone që i kanë më të mundëshme për t’i studiuar – duhet t’i trajtojë në mënyrë akoma më shkencore këta objekte.

Ata mund të shërbejnë, jo vetëm për të pasuruar erudicionin e vizitorëve, por edhe si objekte turistike, nga mund të vileshin edhe të ardhura.Pasurimi dhe trajtimi sa më shkencor i këtyre objekteve do të ndikonte edhe për mos nxitjen e epsheve nacionalsite – një rrezik aq eminent në të gjithë vëndet e Ballkanit tonë ende plot trazime…

Do t’u hiqte nga dora një mashë tjetër që shpupurish zjarre politikanëve aktualë ballkanas .Qofshin ata të paskrupuj apo fatkëqinj.

DY SHPÊLLA TË THÊLLA…

AtShtjefenGjecovi
Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

Nga Nga Fritz RADOVANI


Ndër dy shpella të thella, nën dy harqe të daltuem në shkambijtë e ashpër të maleve tona, të naltuem e të zhytun deri në vrantësinën e pafund të qiellit, të ndamë nga një stom i drejtë që bie pingul mbi një kreshtë burrnore e ku nën té buroi si prroni i pastër e i freskët hymni i një Flamuri të dhunuem për shekuj me rradhë, pikërisht aty, në ato dy vatra shkëndijash me të cilat nuk mujtën me u hangër as sytë e Shqipës, nën cohën e ashpër e të murrme të zhgunit të Shën Françeskut, pushoi së rrahuni Zemra e Madhe e Fratit të Kosovës, mu në Zym të Hasit të Thatë, me 13 Tetor 1929…kur serbët menduen me e lanë të përjetshëm Emnin e fratit tue pagëzue me gjakun e Tij të Shenjtë brigjet, cungat e stomijet e njomuna për sa shekuj nga vllaznit e Tij, dhe tue i diftue botës mbarë se këtu njenit prej bijëve të Ilirëve sot hasmi tradhëtisht i ngriti një monument ma të fortë se bronxit, Monumentin e At Shtjefën Gjeçovit OFM, i cili ndër shekuj nuk do të kenë kurrma mort!

E ç’prej asaj dite të zezë duert e Shugurueme të Tij nuk do të daltojnë kurrma ndër zemrat e njoma shkrojlat e At Gjergjit!…E, nuk do të shkojnë gjatë kur camerdhokëve të vegjël nuk do t’u mësojë ma kush me shkrue emnin “Gjergj Kastrioti”…

Qysh se fillova me marrë mend e kuptova fjalën “vrasë” tue pa me sy gjakun e derdhun lamë në 13 Tetorin e vitit 1943 në Tiranë, kjo datë më kujtonte shprazje armësh e bombësh mbi njerzit e pambrojtun e të pafajshëm…por kjo nuk ishte data e parë e atij tmeri që përjetova si fëmijë kur ishe vetëm 3 vjeç, mbasi për të gjithë Shqiptarët një 13 Tetor tjetër të përgjakun kishin përjetue 14 vjetë para meje nxanësit e Zymit të Hasit në Kosovë, kur dora e pabesë e shovenistëve serb në vitin 1929, plandosi përdhé Mesuesin e tyne të Gjuhës Shqipe, fratin e përvujtë, At Shtjefën Gjeçovi, pra plot 83 vjet ma parë.

Ishte pikërisht ajo vjeshtë e zymtë kur flladi i freskët frynte mbi gjethet e zverdhuna të lisit, me të cilët Përenditë Pellazge thurën kunorën e martirizimit por edhe të lavdisë së përjetëshme që me duert e Tyne Ata i vunë mbi ballin e Heroit të Popullit Shqiptar!

Ishte ai dru i gdhenun që i kishte lëshue ata gjeth për shtroje për daltuesin e vet, kur në dorën e Tij iu gjet si shkop për mburojë bash atëherë kur zagart e mbarë Ballkanit lehnin për “barbarët e egjër”, mbasardhësit e Lekës dhe të Gjergjit të Madh.

Ai nuk eci kurrë mbi shilte e cerga…Ai eci i zbathun me sandalet e Tija mbi gur e shkrepa, mbi ferra e zallishta, ndër fusha, shpella e male, vetëm mbas Kryqit, me Ungjill në dorë. Ungjill e Kanu ishin mburoja e Tij; Paqë e Drejtësi ishin parzmorja e Meshtarit tonë…

Ai ishte djalë i Janjevës së Kosovës, i lemë me 12 Korrik 1874, nga një familje e thjeshtë me origjinë nga Kryeziu i Pukës, me tradita të theksueme Shqiptare. Mësimet e para i mori në vendlindje, ku famullitari i atij vendi, tue vrejtë cilësi të një squtësie të rrallë e mbi të gjitha një natyrë të prirun për kah Feja e ditunia, me leje të prindëve të Tij dhe të Argjipeshkvit të Shkupit, e merr Hilën e vogël (emni i parë i Pagëzimit ishte Mëhill ose Hilë), dhe e sjell në Kolegjin e Françeskanëve të Troshanit. Aty vazhdoi mësimet e mesme dhe u pergatitë që në moshen 10 vjeçare shpirtnisht për udhën e vështirë në të cilën mendonte me vazhdue, tue ju kushtue Urdhnit të Fretenëve të Vogjel (OFM) të Shën Françeskut të Asizit, që kanë zanë vend në Shqipni që në Shek. XIII mbas Krishtit. Zakonisht aso kohe studentët shqiptarë mbas këtyne viteve shkollore dergoheshin në Bosnje, ku banin një plotësim mësimesh liceale me profesorë të njohun dhe njëkohësisht edhe parapergatiteshin për studimet e nalta teologjike, të cilat pjesa ma e madhe i kanë krye në Austri dhe Itali. Gjeçovi studimet e nalta të filozofisë i bani në Banjaluke, ndërsa ata të teologjisë i ka përfundue në Kreshevë, ku u njoht me letrarin e madh epik Gegë Martiq. Si duket edhe Gjeçovi, ashtu si At Gjergj Fishta, nga ajo shkollë e Bosnjes marrin edhe nektarin e njohun të asaj letersie e cila ma vonë ndikoi direkt në krijimtarinë e tyne letrare, por duhet theksue të një niveli artistik shumë të naltë e që mbetë edhe i papërsëritshëm mbas këtyne kolosëve, që kanë lanë vepra me vlerë të madhe në fondin e kulturës sonë Atdhetare Shqiptare.

Në vitin 1896, porsa kishte krye studimet, vjen në Shqipni dhe fillon veprimin fetar e atdhetar në Pejë, Laç të Kurbinit, Gomsiqe, pikërisht ndër ato zona shumë të vorfna, por që la mbresa të përjetëshme me mësimet e Tija të Atdhedashunisë, një vepër e vazhdueshme e Urdhnit Françeskan në të gjitha Trojet Shqiptare ku kanë shkelë ata. Folklori, doket e zakonet dhe “ligjët e pashkrueme” të atyne viseve bahën shujta shpirtnore e Tij, me të cilat menjëherë filloi me mbrujtë landën edukuese të “Kanunit të Maleve” të Kombit Shqiptar. Reformat e Xhonturqëve e zanë në Gomsiqe dhe asht ndër të parët që i zbulon pa pikë frike karakterin shtypës të tyne ndaj vendit tonë. Në Durrës ka një korespondencë të dendun me shumë shqiptarë të Shqipnisë së Mesme që punojnë për të njajtin qellim si Ky. Ndër të gjitha vendet ku shkon ishte lashtësia e tyne ajo që shumë ma shpejtë se mund të mendohej e ban me vue gurt e thëmelit të shkencës së arkeologjisë Shqiptare, Baba i së cilës asht At Shtjefën Gjeçovi.

Mbas vitit 1912, kur At Gjeçovi arriti me pa frutin e përpjekjeve të veta për Liri dhe Pavarësi me ngritjen e Flamurit në Deçiq në 1911, dhe me 28 Nandor 1912 në Vlonë, Ai nuk u pajtue si të gjithë shokët me okupacionet e hueja, kjofshin ata edhe të pjesëshme ose edhe të përkohëshme, kështu pra, as italianët, austriakët apo serbët nuk e donin praninë e Tij. Madje në vitin 1920 kur asht në Vlonë bashkë me priftin Atdhetar Don Mark Vasa, janë në krahun e vendosun të luftarëve Atdhetarë të Lirisë, kundër zaptuesëve italianë. Mospajtimi i Tyne me të tilla vepra të fqinjëve ka ba atë Histori të Lavdishme të Tyne që përjetësisht ka mbetë Heroike.

Në fushën e letërsisë krijimtaria e Tij asht mjaft e gjanë por e panjohun pothuej fare nga Shqiptarët mbas vitit 1944 për ato arësye që dihën kryesisht të përfshimë në Gjenocidin komunist kundër Klerit Katolik Shqiptar dhe veprimtarisë Atdhetare të Veriut. Asht logjike që veprimtaria e Tij e shkrueme në Gegënisht nuk mund të zente vend në letërsinë antiatdhetare të realizmit socialist. Mjaft dorëshkrime të Tij u plaçkitën nga komunistët kur ata bastisën Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit në Shkoder në vitin 1946 dhe shumë nga këto vepra të ruejtuna si dorëshkrime me vlerë, përfunduene pjesërisht në Jugosllavi, ndersa një pjesë tjetër janë endè sot jashta “perdorimi” per disa…në podrumet e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

At Gjeçovi në fushen letrare asht vlersue edhe nga dijetarët e mëdhaj të kësaj fushe si Prof. Karl Gurakuqi, i cili shkruen: “Gjeçovi botoi në Shkoder në vjetin 1910 vëllimin e bukur me titullin “Agimi i Gjytetnis” kushtue A. Fishtës, ndër fletët e të cilit frynë gjithkund nji erë e pastër ndiesishë të flakta atdhetare. Asht për tu shenuem në këte vepër nji studim i hollë mbi fjalorin e gjuhës shqipe, ku rrihet çashtja e pastrimit të fjalëve të hueja, të kujdesit në të folun pa gabime dhe të mënyrës së mbledhjes së fjalvet nga goja e popullit. Përveç këtij libri, kemi nga penda e tij edhe përkthimin e dramit tri pamjesh të Pjetër Metastasit “Atil Reguli” (1912); “Shna Ndou i Padues” mbas Dal-Gal (1912); “Vajza e Arleans-it a Joana d’Ark” (1915) etj.”



Ja, dhe një fragment i poezisë “E drejta!”:

“M’ kam, se Atdheu don që t’ vllaznohi
E njihni n’ t’ bame t’ keni e n’ fjal
M’ kam, se Atdheu don që t’ bashkohi
Hovin hujliut, vllaznisht me j’ a ndal
…M’ kam, shqyptart, m’ kam, e n’ zemrat trimnohi!
M’ kam, flamurin e Shqypnis qit – e ndrit
Emnin tand, pa frig e marre rrfeje
Gjuh’ n tande, n’ t’ cilën Mama t’ ka rrit
N’ drit me qitun, prej Zotit ke leje
…Ngrehu prej gjumit, se mjeft t’ ka topit!”



Si thëmelues i arkeologjisë sonë kombëtare asht vlerësue dhe njohë edhe nga dijetarë të huej të kësaj fushe si: Dr. Ugolini, drejtor i misionit arkeologjik italian që erdhi edhe në Shqipni, nga Prof. Marucchi n’ekspoziten e Vatikanit, nga Prof. Nopçe etj. Ai ishte me të vertetë një shkencëtar i mirfilltë në këte fushë ku la thesare me vlera të mëdha kombëtare të zbulueme prej Tij, të cilat ruheshin deri në 1946 në Muzeun e Kuvendit të Gjuhadolit, si Unaza e njohtun e Gjeçovit, armët ilire, Zoja e Zezë e daltueme në dru, enë të vjetra prej balte etj.

Ka botue mjaft artikuj në shumë revista e fletore të kohës mbrenda e jashta vendit me pseudonimin “Lkeni i Hasit”. Shkopi i Tij i daltuem në dru asht një vepër arti në vete. Asht ruejtë deri vonë në Muzeun e qytetit të Shkodres.

Madhështia e At Gjeçovit ka mbetë në fletët e prarueme të vepres së çmueshme dhe të pavdekshme “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, me të cilën Autori arrijti me gjujzue shpifsit dhe mashtruesit e vazhdueshëm armiqë të Popullit Shqiptar, tue i tregue me fakte se, kush jemi dhe nga erdhëm për qellimin e madh të ruejtjes së identitetit tonë kombëtar.

Të gjitha mendimet dhe vlerësimet e At Fishtës, Don Lazër Shantojës, Prof. Karl Gurakuqit, Prof Ndoc Kamsit, ….etj. për këte Kanu do të përmblidhën mbrenda parathanjes së kësaj vepre prej të Madhit Faik Konica, i cili ka arrijtë me penden e Tij të artë me daltue në shkambijtë shqiptar këto fjalë:

“At Gjeçovin e pata njohur me anë letrash disa vjet përpara luftës Ballkanike. Më 1913 shkova në Shkodrë dhe atjè, në Kuvënt të Franciskânëve, nji ditë u-njohmë me sy e me fjalë të gjalla. Mendimet nderimi që kisha patur për At Gjeçovin për së largu, m’u-shtuan ca mê tepër që kur u-poqmë. I mesmë nga gjatësia e trupit, pakë si i thatë, me një palë sy të zeza ku çkëlqente mendia po dhe zëmërmirsia, At Gjeçovi fitonte menjëherë besimin dhe dashurinë. Fjalët i kish të pakta po kurdoherë në vënt. Vetëm kur në të kuvënduar e sipër takohej nonjë pikë mi të cilën kish dituri të veçantë – si për shembëll Kanuni i Lek Dukagjinit ose vjetëritë greko-romane – At Gjeçovi çelej ca mê gjatë, dhe ahere ish gëzim t’a dëgjonte njeriu. Asì kohe At Gjeçovi ish “famullitar”, domethënë prift i ngarkuar me shërbimin e një fshati ose rrethi, dhe rronte në Gomsiqe, i pari katûnt i Mirditës mb’udhë nga Shkodra n’ Orosh. A i vemi musafirë At Gjeçovit nonjë ditë të kësáj jave? Më pyeti një herë At Fishta, me të cilin píqesha çdo ditë në Shkodrë. Mendimi i një vizite At Gjeçovit më pëlqeu pa masë. Ashtû, pa humbur kohë, u-nismë. Një gjë për të vënë ré, dhe që më mbushi me habí dhe trishtìm, është se nga Shkodra gjer në Gomsiqe, një udhëtìm shtat’ a tet’ orësh me kalë, nukë gjetmë as katûnt as shtëpí; veç një hani të varfër, ku qëndruam për të pirë kafé, s’pamë gjëkundi nonjë shënjë gjallësie: një vënt i zbrazur e i shkretë, si i harruar nga Perëndia dhe nga njérëzit. Po mërzia e udhëtimit na u-çpërblye përtèj shpresës posa arrijtëm në Gomsiqe, ose, që të flasim me dréjt, në famullí të Gomsiqes, – se katundi vetë i shpërndarë tutje-tëhû, një shtëpí këtû, një shtëpí nj’ a dy mile më tej, as që dukej. Famullia – një biná prej guri, e ndritur dhe e pastër, gjysm’ e zbrazur nga plaçka po e mbushur dhe e zbukuruar nga zëmëra e madhe dhe nga buzëqeshja e të zotit shtëpisë – qëndronte, mirëpritëse dhe e qetë anës një lumi. Këtû ronte At Gjeçovi. Këtû e shkonte jetën, në mes të lutjes e mësimeve, një nga njérëzit më të lartë që ka patur Shqipëria: një lartësí e përulur, në munt t’afròj e të lith dy fjalë aqë të perkûndërta; një lartësí shpirti dhe mendjeje e panjohur nga njeriu vetë, i cili, bir i vërtetë i të Várfërit t’ Assisit, në pastërí e në vobëksí të zëmrës tij e dinte veten të vogël. Famullia, shkollë dhe vënt këshillash të mira, u jipte fëmiíjëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet njérësve në nevojë. Kohën që i tepronte, At Gjeçovi j’ a kushtonte studimit.

Merej ahere me institutat e vjétëra të Shqipërisë, nga të cilat një që arriu gjer në ditët t’ona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askùsh nukë munt t’i afrohej At Gjeçovit në diturín’ e këtíj Kanuni. Na tregói një dorëshkrìm nj’a dy-mij faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kish mbledhur, radhitur e ndritur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e Mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtèj Kohës së Mesme. Në kat të sipërm të famullisë, permi një tryezë të madhe, ishin shtruar një tok vjetërsirash greko-romane, të zbulúara e të mblédhura një nga një, me një fatbardhësí të rrallë dhe me një shie të mbaruar, nga dora vetë e At Gjeçovit. Mbaj mënt, veçàn, një enë të vogël të qojtur “lacrumatorium” lotore, asìsh që të vjétërit, në besim se të vdékurit qajnë të shkúarit e jetës tyre, i mbulojin në varr bashkë me të vdékurin që ky të kish se kû t’i mblithte lottë. Nuk më shkonte ahere kurrë nër mënt se pas ca vjet sicilidò prej nesh, miq dhe admironjës të tij, do të kishim nevojë qi në gjallësí për nga një lotore ku të mbledhim lottë t’ona për At Gjeçovin…

Bir i përulët i Shën Franciskut, i ditur me një diturí pa tingëllìm, po dhe Shqipëtár i kthiellt, At Gjeçovit, që përkiste çdo mirësí, nuk i mungój asnjë hidhërim, asnjë çpifje, më e çudítshmia e të cilave ndoshta është të mohúarit se ay ish Shqipëtár. Sepsè ish lindur në një kufí gjúhërash, në një kufí ku sot mbaròn shqípia dhe nis një tjatër, ca mëndje të klasës katërt, të pazonjat të kuptojnë se fólësit e shqipes në vijën me të përparuar janë stërnípërit e atýreve që me qëndrimin e tyre në Kohën e Mesme dhe pastaj ndaluan të mbrápsurit e vijës më tehû, ca mëndje të klasës katërt e përmbysin të vërtetën dhe e kthejnë në të sharë atë që është një lavdí.

Po, At Gjeçovi, është përmi çdo sharje. Emëri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur – dhe njëditë famullia e Gomsiqes do të jetë një nga gurët e shënjtëruar të Shqipëtarësisë.”

***

Aty rreth vitit 1954, 55…

I pari njeri që më foli për At Shtjefën Gjeçovin asht kenë piktori Prof. Simon Rrota, mësuesi i em i vizatimit…kishim përpara një portret të Tij…Aq më bani përshtypje fjala e Mësuesit tem që po më shpjegonte vrasjen mizore të Tij, sa gati pavetëdije i thashë:

“Profesor, po edhe këta dy sy Shqiponjet armët serbe i këthyen në dy shpella..?”

Melbourne, 2012.

SKËNDERBEU – KAMPIONI SHQIPTAR I LIRISË DHE KRISHTËRIMIT


NGA ARTUR VREKAJ/

WORCESTER, MA . Me Skënderbeun, kampionin shqiptar të Lirisë dhe Krishtërimit i tregojmë botës se ne, shqiptarët, jo vetëm luftuam për Liri dhe Pavarësi të Shqipërisë nga Perandoria Osmane por edhe nuk lejuam që harta e Perandorisë Osmane të zgjerohej më tej në Europën Perëndimore duke treguar kështu shpirtin e pamposhtur të një kombi që kurrë ndonjëherë s’u përkul dhe s’u përhumb para pushtuesve historikë.

Kaq e përnjohur ishte lufta heroike e Skënderbeut në Europën Perëndimore në vitet 1444 deri 1468 sa “Mbretëria Kristiane ishte e mbushur me famën e Skënderbeut”. 1) Me Skënderbeun, Shqipëria sjell në historinë Europiane dhe Botërore rolin udhëheqës të tij si një nga figurat më madhore të Botës Kristiane të Mesjetës si pasardhës i denjë i udhëheqësve Ilirë të Perandorisë së Romës, në vecanti i Konstandinit të Madh që përligji krishtërimin si besim por edhe e zhvendosi qendrën e perandorise Romake në Lindje duke ndikuar edhe gjeografikisht në hartën e Botës Kristiane. Për nga dashuria e pashembullt për vendlindjen, Shqipërinë, bashkimi i shqiptarëve, shtetbërja dhe aftësia udhëheqëse ushtarake ai ngjan me Pirron e Epirit që bashkoi si kurrë ndonjëherë Ilirët e Jugut me Lidhjen Epirote të Kaonisë dhe ju gjend popujve fqinjë në ndihmë, në emër të fqinjësisë e paqes rajonale në Mesdhe. Akoma më shumë edhe sepse Pirro i Epirit është krahasuar për nga mënyra e të luftuarit me shpendin simbol të tokës amtare dhe të flamurit tonë kombëtar – shqiponjën!

Kur perandoria Romake pushoi së funksionuari, territoret e banuara nga shqiptarët ranë në duart e familjes së Kastriotëve si dhe të fiseve të tjera shqiptare të fuqishme, por Shqipëria ishte pjesa më e fuqishme dhe më e pasura e tyre me Krujën kryeqëndër.

Kush ishte Shqipëria e periudhës së Skënderbeut (1443-1468)? ”…një emër, i cili është i njohur ndër vendet Kristiane. Pjesa veriore formoi Ilirinë e Perandorisë Romake dhe pjesa Jugore ishte identike me Epirin …Në perëndim ishte e lagur nga detet Adriatik dhe Jon. Në Jug ishte kufizuar me Greqinë. Në lindje kufizohej nga Thesalia dhe Maqedonia. Në veri kishte Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjen… Sot shqiptarët trashëgojnë karakterin e lashtë Ilir…. Ata (shqiptarët, shënimi im A.V) janë racë luftëtare.” 2)

Skënderbeu është shkruar si Mbret i Epirit dhe Shqipërisë edhe për arsyen se kështu quhej edhe babai i tij, Gjon Kastrioti – Mbret i Epirit dhe Shqipërisë. Në pamundësi numerike dhe gjendjeje ekonomike për ta përballuar Perandorinë Turke pas dekadës së dytë të viteve 1400-të Gjoni e lejoi Sulltanin ti merrte peng katër djemtë e tij në shkëmbim të ruajtjes së zotërimeve të tij por edhe për të shmangur rrezikun e shndërrimit të Shqipërisë në vend lufte. Një arsye tjetër është edhe rritja e aftësisë së tij për të shmangur armikun me pak humbje në anën e tij. Më i vogli I vellëzërve Kastriotas që shfaqi cilësi të rralla ishte pikerisht Gjergji, që ju dha emri Skënderbe sipas Aleksandrit të Madh.

Pas stërvitjeve të vazhdueshme, Skënderbeu në Turqi u formua me të gjitha njohuritë e të luftuarit dhe të drejtuarit. Në luftrat në Atolia Skënderbeu tregoi vendosmërinë dhe kurajon e një luftëtari te madh. Sulltan Murati i dha komandën e pesë mije kaloësve kur ishte vetëm 19 vjec dhe pak më pas titullin Pasha. Kur Sulltani u nis me ekspeditë nëe Europë ai i la Skanderbeut komandën e të gjithë trupave në Azinë e Vogël detyrë që e kreu me sukses. Aq shumë shkëlqeu Skënderbeu në shërbim të Perandorisë Osmane sa Sulltan Murati e thërriste atë: syri i djathtë, dora e djathtë, mbrojtja e tij dhe e zotërimeve të tij.

E gjithë lavdia që ai mori në krah të Turqve nuk e bëri Skenderbeun ta fshinte nga mendja dhe zemra dashurinë për Shqipërinë, për vendlindjen e tij dhe besimin fetar të pararadhësve të tij. Skënderbeu u dërgua disa herë në krye të ushtrive turke kundër Hungarisë. Në të njëjtën kohë ai u soll me vendosmëri dhe nuk e humbi reputacionin ose të jepte shenja apo ngrinte dyshime për tradhëti dhe humbjen e besimit nga Sulltani për të.

Vdekja e të jatit, Gjonit dhe ripushtimi i Shqipërisë si dhe helmimi i tre vëllezërve pengje nga Sulltani ja rriti akoma më shumë dëshirën Skënderbeut për tu kthyer në Shqipëri për ta cliruar atë përfundimisht nga zgjedha e sundimit Osman.

Edhe pse Sulltani e vuri komandant të ekspeditave ushtarake përballë rreziqeve të mëdha të luftrave me Despotin George, lordin e Misia si dhe të dyluftimeve brenda Portës së Lartë për ta vrare atë Ai prapëseprapë kurrë nuk dha një shenjë kundërshtimi, përkundrazi, Ai i meritoi nderimet e të gjithe ushtarakëve edhe për atë që ai u prezantonte atyre: guximin, kurajon dhe trimërinë e pashoqe.

Skënderbeu mbante kontakte të vazhdueshme me princërit shqiptarë nëpërmjet korierëve të tyre që lajmëronin atë se sa shumë e prisnin ti afronin ndihmën e tyre për ta cliruar Shqipërinë nga tirania turke. Skënderbeu mendohej se si tua merrte turqve Krujën – kryeqyetin e Shqipërisë. Ai punoi shumë për planin e kthimit në Shqipëri bashkë me patriotët e tjerë në mënyrën më të efektshme e më të zgjuar pa rënë në sy të Sulltanit.

Në mënyrë sekrete, pas Betejës së Nishit kur Skënderbeu mbërriti në Dibër në krye të 300 kalorësve u dërgoi lajmëtarë princërve kryesorë të Shqipërisë ta takonin atë. Ai u bëri të njohur njerëzve qëllimin e ardhjes se tij dhe ata e përshëndetën me demonstrime të pakufishme ku gezimi dhe ndikimi ishte shumë i madh dhe cdo ndihmë dhe shërbim ju afrua atij në shkallën më të lartë.

Kongresi Amerikan më 28 tetor 2005, votoi rezolutën numer 522 per te nderuar ditën e 600-vjetorit të Lindjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu si burrë shteti, diplomat dhe ushtarak gjenial për rolin e tij në mbrojtjen e Europës Perëndimore nga pushtimi Turk ku midis te tjerash thuhet: “…më 28 Nëntor 1443 Skënderbeu u kthye në vendlindjen e tij, qytetin e Krujës dhe ngriti përsëri flamurin e Tij me shqiponjën dykrenare përmbi Kështjellën e Bardhë me një manifestim entuziast të njerëzve të Tij si një moment historik i përshkruar e përjetësuar nga poeti Amerikan Henry Ëadsëorth Longfelloë,në poemën epike “Scanderbeg”.”

Fitorja e Skënderbeut kundër ushtrisë Turke në zonën e Dibrës më 1444 “ mbushi botën Kristiane Perëndimore me gëzim dhe shpresë, përuroi Pavarësinë e Shqipërise, të cilën Skënderbeu e mbajti për më shumë se njëzet vjet…Ai ishte vetë hero i heronjve” 3)

Sulltan Murati II dhe djali i tij, Muhameti i Madh edhe pse pushtuan dy perandori: Kostandinopojën dhe Trapezondin, dymbëdhjetë mbretëri dhe pesëqind qytete kurrë nuk mundën të pushtonin Shqipërinë pas kthimit të Skënderbeut për një cerek shekulli rresht.

“Trupat e tij (të Skënderbeut, shënimi im, A.V.) kurrë nuk ishin mundur në ndonjë betejë në të cilën ai ishte present. ’’4)

Aq është vlerësuar figura historike e Skënderbeut sa Perëndimi e donte dhe e ndihmonte edhe kur parashikonte se ofensivat Turke do të rrezikonin jetën e tij.

“Më 4 prill 1461 me rezultat votimi 31 me 2 Senati i Raguzës instruktoi Rektorin dhe Këshillin e tij që ti afronte Skënderbeut një vend qëndrimi për familjen e tij në ishujt e saj në se do të ndodhte që atij do ti rrezikohej jeta nga Turqia”5)

Duke u thelluar në njohjen e figurës dhe të jetës së Skënderbeut ne ushqehemi ta duam akoma më shumë Shqiperine, atdheun, të cilin Skënderbeu e deklaroi si atdhe i trashëguar nga të parët tanë ilirë dhe pellazgë. Në qindra vepra dhe studime kushtuar Skënderbeut nga autorë shqiptarë, italianë, anglishtfolës, francezë, gjermanë, etj por edhe në letërkëmbimet e Vatikanit apo dhe me emisarë të Perëndimit si dhe sulltan Muratin II ai cilësohet si Princ ose Mbret i Epirit dhe Shqipërisë.

Ja si i drejtohet Sulltan Muhameti në letrën që i dërgon Skënderbeut më 22 qershor 1461: ”Skënderbeu, princ i Shqiptarëve dhe Epirjotëve”6)

Në fakt, për botën akademike kjo mënyre të shkruari a të shprehuri është më se e qartë. Nga autorët e lashtë Epiri është quajtur Kaoni, Mollosi dhe Thesproti (Camëri) ku përfshihen dhe shumë fise te tjera. Është Shqipëria e Jugut që lulëzoi si në kohën e Aleksandrit të Mollosisë, të Pirros më shumë që e bashkoi por edhe të Ali Pashë Tepelenës.

Emri i Epirit është përdorur në perkthimet e Jacques De Lavardine si vendlindje dhe origjinë e Marin Barletit: “Marin Barleti, prift i Shkodrës në Epir, prej të cilit cdo pjesë e historisë është studjuar fjalë për fjalë.”7)

Emri i Epirit për Shqipërine dhe shqiptarët e shekullit XV është i identifikuar më së miri me të gjitha territoret e banuara nga shqiptarët në Ballkan që natyrisht është sipërfaqe më e madhe se zotërimet e Skënderbeut. Kjo pranohet edhe nga Perëndimi sepse edhe në dokumentat e Vatikanit është shkruar si e tillë bile ishte projektuar nga Vatikani që Skenderbeu për meritat e tij në luftë kundër Perandorisë Turke të kurorëzohej Mbret i një sipërfaqeje të konsiderueshme të vendeve të Ballkanit edhe më shumë se vetë Illyria edhe pse Skënderbeu kurrë nuk pati ambicie pushtuese në udhëheqje të Shqipërise për 25 vjet!

Skënderbeu me luftën titanike kundër Perandorisë Turke për 25 vjet rresht e rifuti kështu Shqipërinë në hartën e Botës Kristiane dhe ai kishte aleancë të plotë me Napolin, Selinë e Shenjtë, Venecian dhe Raguzën. Ndërkohë, ai bashkoi princat shqiptarë dhe mbështeti e dëgjoi nga afër këshillën e Autoritetit Kristian në Shqipëri duke arritur më vonë të kishte në Këshillin e Shtetit Shqiptar edhe Arkbishopin e Durrësit Pal Engjëllin që gëzonte mbështetje popullore të plotë. Duke ndalur një nga fuqitë ushtarake të kohës që kish zaptuar territore europiane ai ndihmoi kështu Europën Perëndimore që jo shumë e vlerësoi rrezikun Turk përvec Venecias, Napolit dhe Selisë së Shenjtë.

Kur Papa Nicholas V (1447-1455) dëgjoi për kurajën dhe fitoret e Skënderbeut, ai i dërgoi atij një urim shpirtëror special duke e quajtur Skënderbeun:” kampion dhe mburojë e Mbretërisë Kristiane”.

Më vonë, Papa Calistus III e quan Skënderbeun “Ushtar i Krishtit”. 8)

Nga letrat e Papa Piu II për Skënderbeun në vitin 1463 mësojmë se Papa propozonte se ai do të linte Romën në krye të një ushtrie-kryqëzate të madhe kundër Fuqisë Turke; ai deklaronte se do ti hipte anijes në Ankona dhe do të kalonte pastaj në Epir ku ai do ti japë titullin (kapelen) e kardinalit Pal Engjëllit, arkbishop i Durrësit dhe të kurorëzonte Skënderbeun – mbret i Epirit dhe Shqipërisë si dhe ta emëronte atë Komandant të Forcave Kristiane. Besimi në autoritetin e Skënderbeut dhe aftësitë e tij ushtarake ishin në shkallën më të lartë sepse Europa Perëndimore s’kishte asnjë figurë tjetër më të përzgjedhur e më të kompletuar politikisht dhe ushtarakisht se Skënderbeu për të përballur ushtrinë Turke.

“…në qoftë se Skënderbeu do të merrte komandën si Gjenerali Kryesor i kësaj ekspedite (ekspeditës së të gjithe forcave kristiane, shënimi im A.V) atëherë do të kishte vetëm pak dyshim se forcat kristiane do të fitonin.”9)

Edhe Bishopi i Romës, Duka i Milanit në vizitën që i bëri Skënderbeut në Napoli, kur ishte bashkë me Mbret Ferdinandin e nderoi Skënderbeun, dhe e siguroi dhe e garantoi se së shpejti Papa Piu II me Kryqëzatën që do të organizojë e drejtojë mundet të shkojë në Epir qëllimisht, të marshojë kundër Turqve dhe ai (Papa Piu II) do ta kurorëzonte Skënderbeun – Mbret të Epirit dhe Shqipërisë, Maqedonisë, Trakës dhe Rumanisë dhe do ti besojë ushtrine Kristiane duke i dhënë komandën dhe qeverisjen si Gjeneral i Luftës kunder armiqve.

Kjo ishte arsyeja që Sulltan Muhameti kërkonte paqe me Skënderbeun pasi ja kishte frikën organizimit dhe udhëheqjes së këtyre trupave Kristiane pasi i njihte aftësitë e Skënderbeut.

Sulltan Muhameti në një letër më 7 maj 1463 e cilëson në shkallën më të lartë Skënderbeun “ … kam rënë dakord me admirim të madh më i shquari Skënderbe…Ju, duke qënë një Princ me heroizëm dhe princërim perfekt…”10) po të kemi parasysh që Sulltani e njohu zotësinë e nje strategu ushtarak si Skënderbeu që në Portën e Lartë.

Shpata e Skënderbeut mori fame ngaqë e priste dhe helmetën në mes, aq sa Sulltani dërgoi njerëz për ta parë nga afër se sa e vërtetë ishte kjo. Clement Moore nënvizon se efekti i madh prodhimit nuk mund ti atribuohet perfeksionit të një arme por tek fuqia e një krahu prej së ciles ai hapet.

Me një disavantazh të thellë në sasinë numerike të forcave Skënderbeu tregoi se ishte një strateg i madh ushtarak në fushëbetejë duke e zotëruar e praktikuar artin e të luftuarit në terrene malore, siç ishte shumica e Shqipërisë, e në veçanti pozita gjeografike e favorshme e Krujës që ishte edhe aleati më i madh në fitoret e bujshme të tij, që zënë fill qysh pas kthimit të tij në Shqipëri.

Letrat që Mbreti Alfonso i dërgoi Skënderbeut bashkë me 1500 trupat dhe me furnizime të tjera u lexuan në publik në Asamblenë e popullit. Skënderbeu me një fjalë entuziaste ju drejtua ushtarëve para se të niseshin me ekspeditë në qytetin e Beogradit ku do të prisnin të luftonin me ushtrinë Turke: “Ky është i njëmbëdhjeti vit në vazhdimësi o ushtarët e mi të mirë që ne kemi kembengulur për rimëkëmbje dhe zotërim për vendin tonë Epirin …”11)

Në prag të gjysmëshekullit të dytë të shekullit XV Perandoria Turke u zgjerua pasi u zhvendos drejt Europës duke pushtuar në fillim Ballkanin, Kostandinopojën, me vonë Shqipërinë, Serbinë dhe shumë territore të perëndimit.

Ushtritë Turke ishin në Juglindje të Europës, në Ballkanin Perëndimor dhe po bëheshin kërcënim i madh për Botën Kristiane që ishte zvogëluar aq shumë që nga periudha e ndritur e Perendorisë së Romës kur në krye ishte Perandori Ilir, Konstandini i Madh. Brigjet shqiptare të Adriatikut u bënë mburoja e krishtërimit në saj të heroizmit të pashoq të përbashkimit të shqiptarëve nën Skënderbeun që për një periudhë të gjatë i dhanë një ringjallje të re ndjenjës kombëtare për liri dhe pavarësi si dhe për më shumë, dëshirën për ndërtimin e një shteti kristian shqiptar të centralizuar.

“Më 4 qershor 1457 Callikstus III i shkruan Skënderbeut të qëndrojë, pa e dekurajuar atë në rolin e tij si atlet dhe mbrojtës i vërtetë i besimit kristian që Zoti kurrë më nuk do ta dezertojë sic bëri me Hunjadin një vit më parë .“12)

Me 10 shtator 1457 Papa Callikstus III kishte vendosur që pjesa e trete e ndihmës financiare nga Dalmacia duhet të ishte në dispozicion të kreut shqiptar, Skënderbeut. Papa komandoi legatën e Tij të shkojë në ndihmë të Skënderbeut, të paktën me një pjesë që operonte në detin Egje.

Më 11 shtator 1457 Papa Callikstus III i shkruan Skënderbeut se ai kishte marrë lajme të këqia nga përfaqësuesi shqiptar që Skënderbeu kishte dërguar në Romë. Papa i premtoi Skënderbeut fonde nga paratë që ishin mbledhur për kryqëzatën në rajonet e Raguzës dhe Dalmacisë… Duke i bërë nderime të mëdha Skënderbeut, për vlerat dhe famën që kish fituar Papa nënvizon: “Ta ndihmonte Atletin Shqiptar dhe kampionin, akoma më shumë, Papa mendonte të dërgonte Flotën e Trevisian të Cardinalit Lodovic ose një pjesë të saj nga operacionet e Mesdheut Lindor nëse duhej…” 13)

Më 17 shtator 1457 Papa Callikstus III i shkruan përsëri Skënderbeut:“Fort i dashur djalë! Vazhdo të mbrosh besimin Kristian! Zoti për të cilin ju luftoni nuk do ta lërë kauzën e tij, ,.. unë jam shumë i sigurtë, Ai do të garantoje sukses kundër Turqve dhe mosbesimtarëve të tjerë për Ju si dhe kristianët e tjerë me shkëlqim e nder të madh!” Pas fitores në korrik 1457, Skënderbeu informoi Princat Perëndimorë se: “ai (Skënderbeu, shënimi im A.V) nuk ishte në pozicion të sillte luftën në një konkluzion të pëlqyer pa ndihmë të mëtejshme. Ka ardhur koha nënvizonte Skënderbeu të ngriheni nga letargjia juaj, të lini mënjanë mosmarrëveshjet dhe të bashkoheni me mua me të gjitha fuqitë te sigurojmë clirimin e Botës Kristiane dhe të sigurojmë të ardhmen.” 14)

Skënderbeu ishte ushtar dhe gjeneral njëherësh. Selia e Shenjtë e mbështeti atë në cdo mënyrë e në vazhdimësi dhe solli paqe tek ai. Papa Callikstus III më 23 dhjetor 1457 e emëroi Skënderbeun Kapitenin e Përgjithshëm të Selisë së Shenjtë për Luftën Turke. 15)

…Pas një viti qëndrimi të Skënderbeut në Itali, Mbreti Ferdinand mblodhi gjithë krerët e ushtrisë së tij per ta nderuar dhe falenderuar duke e thirrur Skënderbeun në emrin e babait; e gjersa ai jetoi nuk pushoi së nderuari atë. Ai i dha Skënderbeut si dhuratë qytetin Trana dhe dy vende të tjera në Pulia.

Skënderbeu e përmbushi idealin e heroit Katolik, të burrit të fortë që jeton me besim . Ai tregoi besnikëri të pashoqe edhe ndaj aleatëve të cilët i qëndruan afër sidomos, mbreti i Napolit. Ja si e përshkruan Skënderbeun Lavardine :

“Një mbrojtës i vërtetë i kurorës së Ferdinandit, mbretit të Napolit dhe një shoqërues i tij larg duarve të armiqve të tij.” 16)

Skënderbeu e udhëhoqi luftën kundër turqve me vizionin bashkues të të gjithë faktorëve shqiptarë në të gjithë territorin e Shqipërisë. Përqafimi i besimit Kristian e bëri atë edhe më shumë mik me Seline e Shenjtë dhe me Botën Kristiane. Nuk ishte e rastit që Skenderbeu të kishte si anëtar të Këshillit të tij (shtetit shqiptar) edhe arqbishopin e Durrësit, Pal Engjëllin, i adhuruar nga të gjithë shqiptarët. Fakti, që interesat e Mbretërisë Kristiane përputheshin me interesat kombëtare të Shqipërise e bëri edhe më kuptimplotë aleancën e tij me Selinë e Shenjtë por edhe me shtetet e tjera italiane apo dhe me Hungarinë.

Vetëm në saj të aftësive të tij udhëheqëse dhe vizionit të tij të qartë për Shqipërinë shtet të Pavarur nga asnjë fuqi e në vecanti për ta mbrojtur me cdo kusht nga zgjedha turke Skënderbeu arriti të fitojë respekt dhe simpati jo vetëm në Botën Kristiane por edhe ndër armiqtë e tij. Sukseset e tij në betejat e përvitshme me Turqinë treguan se shqiptarët nën udhëheqjen e tij janë vërtet të lindur për ta mbrojtur vendin e tyre. Ushtria e Skënderbeut ishte ushtri popullore që kishte rrënjë të thella në shtresat e të gjithë shoqërisë shqiptare. Edhe pse në radhët e shqiptarëve kishte dhe kundërshtarë të blerë lehtas nga Turqia, prapëseprapë Skënderbeu hodhi në popull rrënjë të thella si luftëtar dhe udhëheqës i denjë, trim e i papërkulur, që ja ngriti nderin dhe lavdinë Shqipërise dhe kombit shqiptar. Ndaj edhe Lavardine nënvizon se” të dy palët si shqiptarët dhe armiqtë e Skënderbeut konfirmuan hapur me një zë se Skënderbeu ishte ushtari më i shkëlqyer dhe luftëtari më trim në të gjithë botën”. 17)

Skënderbeu nuk ishte vetëm një luftëtar i shquar për mbrojtjen e vendit dhe të krishtërimit. Ai ishte dhe një politikan realist me një vizion të kthjellët si dhe Selia e Shenjtë kundrejt marëdhënieve me Turqinë. Skënderbeu besonte se cmimi final i paqes me turqit do të ishte një shërbim degradues ndaj kombit dhe vendit nëse ai do të bënte paqe me Portën e Lartë si dhe fqinjet e tij : Venediku, Moreja, Genova etj.

Pa asnjë dyshim Selia e Shenjtë e shikonte Skënderbeun si kampion të Krishtërimit, sepse Skënderbeu kishte ambicje vetëm në Shqipëri dhe po punonte të ndërtonte një shtet shqiptar të Pavarur, të centralizuar, duke lënë mënjane feudalët që kishin zotërime dhe herë-herë i kundërviheshin forcërisht duke kërkuar e përdorur ndihmën turke kundër Skënderbeut.

Pra, kishim dy këndvështrime të lirisë së shqiptarëve nën administrimin Turk. Shefat fedualë e kishin mendjen tek kaosi i së shkuarës që të përfitonin vetëm për vete. Dominimi Turk do të kishte sukses dhe do të bënte më të keqen në dëm të Shqipërisë dhe popullit në të dy rastet ose sipas opinionit të Skënderbeut, shefat feudale do ta shkëpusnin Shqipërinë si “republika kristiane” nga Komuniteti Europian.

Në vitet gjashtëdhjetë të shekullit XV gjendja paraqitej edhe më e vështirë për Shqipërinë dhe Botën Kristiane. Në maj 1466 një korier i Skënderbeut mbërrin në Raguza dhe shpie lajmin e humbjes së Skënderbeut nga tradhëtia ku një numër i madh kristianesh shqiptarë ishin vrare. Italianët ndjenë panik serioz dhe Piero de Medici derdhi lotë për fatin e Shqiperisë dhe premtoi ndihmë. Papa Piu II që tashmë e kishte ndihmuar Skënderbeun dërgoi përsëri para dhe nuk humbi kohë të thërriste fuqitë Kristiane të bashkohen mes tyre. Rreziku i fuqisë Turke ishte real, aq më tepër në kufijtë e Europës Perëndimore.

“Në korrik të vitit 1466 Papa kërkoi ndihmën e Princërve Europianë në emër të Skënderbeut” 18)

Fati i Shqipërise varej nga qëndresa e Krujës tashmë e rrethuar nga forcat e Ballaban Pashës dhe nga përgjegjësia e aleancës se qetë te Skënderbeut me Venedikun. Duke parë e analizuar situatën e vështirë në të cilën ndodhej vendi dhe ushtria shqiptare, Skënderbeu vendosi te shkoje vetë në Itali, të lutet për të kërkuar para dhe armë nga Roma, Papati dhe Napoli.

Kështu, më 12 dhjetor 1466 kampioni shqiptar, Skënderbeu arriti në Romë ku u prit me nderime. Biografi i Skënderbeut Marin Barleti jo vetëm pasqyron nderimin dhe pritjen e ngrohte të Heroit në Romë por ai thekson se, Papa si dhe Kardinalët u përgjigjen me shumë bujari kërkesave të tij. “Me shumë dhurata dhe me një shumë të konsiderueshme parash, Skënderbeu u kthye i përshëndetur dhe i inkurajuar tek populli i tij.19)

Në librin e llogarisë së Selisë së Shenjtë, është shënuar se Skënderbeu ka marrë si fillim 250 dukate, më pas 200 dukate dhe më 17 prill 1467, 2700 dukate dhe më 1 shtator 1467, 1100 dukate. Sipas Secret Consistory të 7 janar 1467 ndihma për heroin shqiptar ishte miratuar. Papa kishte probleme serioze lidhur me marëdhëniet ndërshtetërore me Mbretin e Napolit (mikun e Skënderbeut) dhe për këtë arsye Selia e Shenjte s’mund të bënte më shumë për kampionin e Shqipërise. “Secret Consistory i datës 12 janar 1467 vendosi se për cdo rast Skënderbeu duhet të ketë 5000 dukate.”20)

Jo vetëm Venecia, Selia e Shenjtë por edhe Mbreti i Napolit me të cilin kishin lidhje të ngushta miqësore e ndihmuan atë me para, furnizime ushtarake.

Pas kësaj mbeshtetje te fuqishme nga aleatët perëndimorë në prill të vitit 1467 Skënderbeu e theu ushtrinë Turke dhe mori vëllain e Ballaban Pashës të burgosur. Herën e dytë ai fitoi mbi Ballaban Pashën dhe ushtria Turke dezertoi nga fushëbeteja. Kruja shpëtoi por një ushtri tjetër me e madhe që erdh sërish e mbajti për pjesën tjetër të vitit Skënderbeun në fushën e betejës.

Pas kësaj, më 17 Janar 1468, Heroi i Kristianizmit vdiq në Lezhë nga një temperaturë e lartë. “”Për fat të keq në lartësine e suksesit të tij “ shpata dhe mburoja e Mbretërisë Kristiane” ishte thyer jo nga Turqit por nga temperatura fatale.”” 21) Kjo ishte humbja më e madhe për Botën Kristiane që nga vdekja e Hunjadit. “… ai,(Skënderbeu) ishte në zemër një Kristian i vërtetë” 22)

Kur Sulltani e mori vesh lajmin ai thirri nga gëzimi:“ Më në fund Europa dhe Azia janë të miat! Mjerë Mbretëria Kristiane,… ajo humbi shpatën e saj dhe mburojën e saj !” 23)

“Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për të gjithe Princët Kristiane, në mënyrë të vecantë për Venecianët dhe Princët Shqiptare që tani kishin humbur njeriun që kujdesej më shumë dhe kampionin e padukshëm..” 24)

Qëndresa që bëri një komb i vogël karshi Perandorisë Turke pas vdekjes së Skënderbeut për më shumë se një dekadë është dëshmi e vertetë se shpirti i heroik, atdhedashës e liridashës i Skënderbeut ishte gjallë ndër shqiptaret edhe pse Skënderbeu kishte vdekur.

“Papa Nicholas V e emëroi Skënderbeun “ Kampion i Mbretërise Kristiane”. Calikstus III e thirri “Kapiten të Përgjithshem” të Selisë së Shenjtë; Papa Piu II i dha titullin Atlet i Krishtit.”25)

Skënderbeu ishte shpata e Zotit kundër armiqve të besimit Katolik. Sytë dhe mendja e shqiptarëve ishin drejtuar tek ai si i vetmi zëbashkues. Shqiptarët panë virtytet më të mira të kombit të shkëlqenin nën udhëheqjen e tij largpamëse. Ai u admirua si derë mbretërore dhe Shqipëria u ngjit në lartësitë e përndritshme të idealit të tij për të cilin ai luftoi.

Ndaj sot, në të dy kontinentet, në Europë dhe Amerikën e Veriut Skënderbeu është i pranishëm ne vepra historike, letrare, muzikore, teatrale, statuja, monumente kulture, emërtime sheshesh e rrugësh, dhe asnjëherë s’do pushojë vëmëndja e njerëzimit për ta studjuar e nxjerrë në dritë shumëllojshmërinë e mësimeve që dalin nga figura e tij me përmasa botërore.



Bibliografi

1) The virgin mother of good counsel. A history of the ancient sanctuary of our lady of good counsel in Gennazano, and of the ëonderful apparition and miraculous translation of her sacred image from Scutari in Albania to Gennazano in 1467. Chapter: Scanderbeg and Albania. Monsignor George F. Dillon D.D, 1884, faqe111

2) Po aty, faqe 113.

3) The History of popes from the middle ages to daën, Dr. Ludëig Pastor, 1891, Book III “ The champion of Christendom against Turks, 1455-1458” faqe 429.

4) “Scanderbeg or Love or Liberty, a tragedy; The life of George Castriot or commonly called Scanderbeg, King of Epirus and Albania, faqja XVII.

5) Diplomatarum ragusanum, J. Gelcich, L, Thalloczy, 1887, faqe 749.

6) George Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 330.

7) Po aty faqe 6.

8) Po aty faqe 324

9, 10) Po aty faqe 330

11) po aty faqe 181

12) The papacy and the levant, vol 2, The fifteenth century, Kenneth M. Setton, 1978, faqja 192.

13) The history of the popes from the middle ages (Draën from the secret archives and other original sources) Vol 2, 1891 by Dr. Ludëig Pastor, faqe 194

14) “The history of the popes from the middle ages (Draën from the secret archives and other original sources) Vol 2, 1891 by Dr. Ludëig Pastor, faqe 434.

15) po aty faqe 435

16) George Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 8

17)The Papacy and the Levant, 1204-1571: the fifteenth century”, Kenneth Meyer Setton, faqja 333.

18) The history of the Popes close of the middle ages. (Draën from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III, The ëar against Turks, Dr. Ludëig Pastor, Vol. 4, 1894 faqe 86

19) Barleti I, XII, faqe 355

20) The history of the Popes close of the middle ages. (Draën from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III, The ëar against Turks, Dr. Ludëig Pastor , Vol. 4, 1894 faqe 89

21) The American Catholic quarterly revieë, vol XV,1890; Kapitulli The popes of the Renaissance, John A. Mooney, faqe 759

22) George Castriot, surnamed Skenderbeg, King of Albania, Clement See Moore, 1850, faqe 365.

23) The history of the Popes close of the middle ages. (Draën from the secret archives of the Vatican and other original sources). Chapter III The ëar against Turks, Dr.Ludëig Pastor , Vol. 4, 1894, faqe 90

24) George Castriot, surname Skanderbeg, King of Albania. Clement C. Moore, viti 1850, faqe 364.

25) Scanderbeide, The Heroic Deeds of George Scanderbeg, King of Epirus, Margherrita Sarrocchi, c. ( 1560-1617) , Edited and translated by Rinaldina Russell, 2006.

Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...