Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/19

Enver Hoxha dhe diktatura staliniste ne Shqiperi, Bernd Fischer


Megjithëse kanë kaluar dy dekada, ende trashëgimia totalitare vërtitet në të tashmen tonë, duke penguar të ardhmen. Nuk është vetëm Shqipëria që nuk është ndarë me të kaluarën e saj. Vende të tjera në Ballkan, gjithashtu, hezitojnë që me vullnet të lirë të vendosin të ndahen nga një trashëgimi edhe më kriminale.



Ndonëse libri “Enver Hoxha dhe diktatura staliniste në Shqipëri” është botuar në vitin 2010, për ne është kënaqësi t’ua prezantojmë sërish këtu pasi tashmë ky libër është i disponueshëm edhe për klientët tanë jashtë Shqipërisë (pra mund të porositet direkt nga faqja). Por besojmë se është me interes veçanërisht në kuadër të festimeve dhe librave për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Bernd J. Fischer vjen sërish në shqip me perspektivën e një njohësi të sprovuar të historisë së hershme shqiptare. Libri është përkthyer mjeshtërisht nga Virgjil Muçi.

Koment nga A. Rakipi

Megjithëse kanë kaluar dy dekada, ende trashëgimia totalitare vërtitet në të tashmen tonë, duke penguar të ardhmen. Nuk është vetëm Shqipëria që nuk është ndarë me të kaluarën e saj. Vende të tjera në Ballkan, gjithashtu, hezitojnë që me vullnet të lirë të vendosin të ndahen nga një trashëgimi edhe më kriminale.

Ashtu sikundër sugjeron Dominique Moisi i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare: “Ballkanasit janë të vetmit popuj në Europë që nuk janë ndarë me të shkuarën e tyre”. Pa këtë ndarje projekti i europianizimit të vendeve ballkanike, përfshirë Shqipërinë, nuk mund të jetë një projekt i besueshëm dhe i suksesshëm.

Mbi autorin

Bernd J. Fischer është profesor i Historisë së Ballkanit dhe drejtor i departamentit të historisë në Universitetin e Indiana – s, Fort Wayne. Është autor i një sërë librash rreth Shqipërisë, duke përfshirë “Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri“, “Shqipëria gjatë luftës, 1939 – 1945” dhe “Identitete shqiptare, miti dhe historia”.

Është anëtar i Bordit të Programi i Studimeve Shqiptare, Shkolla e Studimeve të Europës Lindore dhe Sllave, University College, London dhe profesor i asociuar i Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë.


Nga Aida Tuci


Libri është në krizë. Faktorët që kanë ndikuar në zbrazëtinë e librarive të kryeqytetit janë shumë. Disa prej librashitësve (që më së shumti janë femra) thonë se kjo vjen për shkak të nivelit ekonomik. Një tjetër faktor sipas tyre është interneti, që ka larguar gjithnjë e më shumë lexuesin nga libri, politikat e shtetit për librin, gjithashtu, por sidomos në rënien e tregut të librit ka ndikuar shkatërrimi i bibliotekave dhe librarive pas viteve ’90. Vitet e fundit, në fakt biznesi duket se e ka kthyer vëmendjen edhe tek libri. Janë hapur disa librari luksoze me botime gjithashtu gjithnjë e më luks, shitëse të veshura uniform, kryesisht femra të reja e të bukura, që të shoqërojnë në çdo stendë me sy dhe buzëqeshje. Por pavarësisht imazhit, shumica e lexuesve-klientë të librarive, shohin, shfletojnë, admirojnë buzëqeshjen dhe bukurinë e shitëseve dhe dalin pa blerë asnjë titull. Arsyeja: Libri është shumë i shtrenjtë.
Libraria "Shtepia e Librit" (foto)
Florita Bardhi ka 43 vjet që si profesion ka shitjen e librit. Qoshja e saj që njihet si Libraria e Librit Universitar vizitohet çdo ditë e më pak. “Tregu i librit është shumë i pakët, sepse libri është shumë i shtrenjtë për nivelin ekonomik që ka lexuesi. Libri, për shumë lexues është luks i tepërt. Një libër kushton mesatarisht nga 800-2.000 lekë, dhe nuk është pak”, – thotë Florita. Ky është shkaku kryesor sipas Floritës që libraria e saj, dhe jo vetëm, vizitohet pak nga lexuesit. Përjashtim nga rregulli bëjnë shumë pak tituj, që edhe pse të shtrenjtë shkojnë tek lexuesi pak si dhunshëm prej “bombardimit” mediatik. “Disa shtëpi botuese por dhe vetë autorët e parapërgatisin tregun para se libri të vijë në librari, duke shfrytëzuar mediume të ndryshme. Kjo sigurisht që ndihmon në shitjen e librit”, – vëren Florita. Libraria e saj në fakt ka mbetur si dikur. Lexuesit pak mundësi i ofrohet për ta prekur librin. Ai që hyn në atë librari duhet ta dijë se çfarë kërkon. Krejt ndryshe ndodh te libraria “Albania”, e ngritur vitet e fundit, me hapësira të konsiderueshme ku librat janë renditur sipas autorëve dhe zhanreve dhe ku lexuesit i krijohet mundësi që të jetë sa më pranë librit. Por dhe në këtë librari moderne vizitorët janë shumë të paktë. “Nuk mund të thuash që libri është biznes fitimprurës sidomos në Shqipëri, sepse libri është i shtrenjtë për xhepat e njerëzve, por pavarësisht kësaj, dikush që e do librin nuk kursen për të”. Tatjana Vani, librare tek “Albania”, sapo ka përcjellë dy lexues-klientë që dolën pa blerë asnjë titull. Madje, një djalë solli te banaku një nga librat për ta blerë, por sapo pa çmimin dhe kuletën e tij, ktheu mendje. Shumica e njerëzve që frekuentojnë libraritë janë studentë dhe pensionistë, të cilët nuk kanë kuleta të fryra. Ka dhe një kategori lexuesish që librin e kanë jo vetëm pjesë të jetës së tyre, por kanë edhe mundësi ta blejnë atë. Falë kësaj kategorie, edhe pse e pakët në numër, mbijetojnë dhe ato pak librari në kryeqytet.



Shumë libra… Pak librari

Dikur librat që botoheshin ishin të zgjedhur. Përktheheshin kryesish kryeveprat botërore dhe libri shkonte në çdo qoshe të vendit. Florita Bardhi ka 43 vjet që merret me shitjen e librit. Dikur libraria e saj (që njihet si Libraria e Librit Universitar) shiste vetëm libra shkollorë dhe saktësisht librat universitarë, sot e detyruar nga tregu, në librarinë e saj (ndër të vetmet e mbetura si relikte e librarive të vjetra) mbizotëron libri artistik. “Është e vetmja librari në qendër të Tiranës dhe që i ka mbijetuar dy periudhave; asaj para ’90-ës, dhe pas ’90-ës, sigurisht me disa ndryshime”, – thotë Florita. Raftet modeste janë tejmbushur nga botimet dhe pjesa më e madhe e titujve janë vendosur në tokë.

“Ka shumë botime, nuk po flas për cilësinë e tyre, por dikur kishte një lloj përzgjedhjeje të librave që botoheshin. Botoheshin kryesisht vepra të zgjedhura. Gjithashtu, përkthyesit dhe redaktorët ishin shumë më profesionistë se sot. Kishte një përkushtim ndaj librit dhe vëmendje më të madhe, ndërsa tani libri merret, përkthehet dhe nxirret në shitje. Prandaj ka shumë vërejtje për librin sot, gjë që padyshim ndikon dhe në shitjen e tij”. Çdolloj libri; autor i madh apo anonim, i përkthyer mirë apo keq, botim cilësor ose jo, me ISBN ose pa, gjen një qoshe vend në librari. “Çdo libër që botohet, hyn në librari. Ka apo s’ka vlerë libri, nuk mund ta paragjykojmë. Por sidoqoftë, një libër gjithmonë ka vlera, pavarësisht se jam e vetëdijshme se shumë prej tyre lënë për të dëshiruar për sa i përket përkthimit dhe redaktimit. Ka shtëpi botuese serioze që botojnë libra cilësorë, por bashkë me këto në librarinë tonë gjen çdolloj libri, madje dhe libra që nuk përfaqësojnë ndonjë shtëpi botuese, por i sjellin vetë autorët që i kanë botuar në rrugë private. Nuk mund të vëmë kritere për librat që hyjnë në librari”,- thotë Tatjana Vani, librare në librarinë “Albania”, një ndër më të mëdhatë që është hapur në kryeqytet. Por ajo thotë se lexuesi zakonisht drejtohet tek ata libra që vijnë nga shtëpi botuese që kanë jetëgjatësi, çka kanë treguar seriozitet në treg dhe njihen nga lexuesit.

***

Shpërndarja e mangët nënkupton që librat nuk arrijnë tek të gjithë lexuesit potencialë. Libraritë që kanë qenë dikur, nuk ekzistojnë më. Ato që janë ngritur të reja, janë përqendruar vetëm në qendër. Florita, si më e vjetra në këtë “zanat” thotë se dikur libraritë ishin shumë më shumë, por sidomos i kushtohej vëmendje shpërndarjes gjeografike “Vetëm për librin universitar ishin disa librari të ndara sipas niveleve. Po ashtu, për librin artistik librari kishte çdo qytet, me një shpërndarje gjeografike në mënyrë që libri të shkonte tek çdo lexues. Tani libraritë janë përqendruar vetëm në qendër të Tiranës. Dikur kishte librari edhe në Babrru, Laprakë e Kombinat. Shumë prej këtyre librarive të vjetra nuk ekzistojnë më. Libraria më e madhe që ka qenë përballë Bankës së Shqipërisë nuk është më, te Materniteti i vjetër gjithashtu ka qenë një librari që tani është kthyer në kafe, te shkolla ‘Petro Nini’, në dyqan veshjesh, te ‘Pazari i Ri’, te rruga e Durrësit…etj., etj. Asnjëra prej tyre nuk është më. E vetmja librari e vjetër që ka mbijetuar me shumë vështirësi është kjo e Librit Universitar”. Tatjana e “Albania”-s ka tjetër mendim për këtë. Ajo thotë se libraritë e vjetra apo libraria te qoshja e lagjes kufizohen në titujt e librave që mbajnë. “Libraritë e vjetra furnizohen në bazë të kërkesave kushtëzuar dhe nga hapësira që kanë, ndryshe nga libraritë e mëdha ku lexuesi gjen çdo gjë”. Por ajo vëren diçka, në libraritë e vjetra që i kanë mbijetuar kohës, lexuesi mund të gjejë botime të vjetra që nuk i gjen në libraritë e mëdha dhe të hapura pas viteve ’90.



Librare dhe shitëse, një hendek në mes

“Një lexues kur hyn në librari ka nevojë për një orientim. E kur ky orientim është i duhuri, ai do të kthehet sërish aty. Por fatkeqësisht, sot nëpër librari ka më shumë shitëse sesa librare”. Tatjana Vani sheh një hendek të madh mes librares dhe shitëses. Për të, pjesa më e madhe e librarive nuk i kushtojnë rëndësi këtij elementi shumë të rëndësishëm në shitjen e librit. “Në libraritë e mëdha gjen më shumë shitëse të bukura, të veshura hijshëm, sesa librare. Të parat nuk e orientojnë dot lexuesin tek libri, sepse iu mungojnë njohuritë rreth librit, nuk lexojnë dhe nuk e njohin pjesën më të madhe të autorëve, ndërsa librari duhet të jetë një lexues i mirë, që ka njohuritë dhe kulturën e duhur për t’i sugjeruar lexuesit letërsinë e mirë.” Florita Bardhi, sot rreth të 60-tave, thotë se dikur libraritë njiheshin më shumë me emrin e librarit sesa me emrin e tyre. “Kishte librari që e kishin humbur emrin e tyre në kujtesën kolektive dhe njiheshin, ose më saktë evidentoheshin thjesht nga emri i atij që rrinte pas banakut. Jo çdo njeri mund të punonte në librari në atë kohë. Ai që i hynte këtij zanati duhej të ishte patjetër një lexues i mirë”. E në këtë kontekst, librarët ndryshe nga shitëset arrijnë të krijojnë dhe rrethin e tyre lexues-klient. “Secila nga ne, –thotë Tatjana, - ka klientët e vet dhe arsyeja është se ne u kemi sugjeruar librat që duhen dhe ata nuk janë zhgënjyer”.



“Libraritë” e bordurave

Zor se i gjen në libraritë e mëdha dhe luksoze kryeveprat e letërsisë botërore, të përkthyera në shqipen e mrekullueshme të Nolit, Shvarcit, Pashko Gjeçit, apo të Petro Zhejit. Por ama, botimet e para të kryeveprave “Komedia Hyjnore”, “Odisea”, “Tre shokët”, “Don Kishoti”, “Romeo e Zhuljeta”, “Lufta dhe Paqja” etj., etj., i gjen në bordura, trotuare, kryqëzime rrugësh, në mes të një bulevardi, të mbuluara nga pluhuri, me një çmim shumë më të lirë sesa në librari. Botimet e para të autorëve të mëdhenj, si të huaj ashtu edhe shqiptarë, nuk shiten më shumë se 200-300 lekë të reja. Shumica e librave që këta nevojtarë shesin nuk janë ribotuar më. Pjesa më e madhe e tyre ka qenë pjesë e bibliotekave të vjetra, të ngritura me mundim ndër vite. “Me shumë dhimbje i shesim sepse janë pasuri për ne, por e bëjmë për të mbijetuar. Vetëm pensioni 10 000 lekë në muaj nuk na del”, – thotë njëri prej tyre, të cilin gjithmonë e gjen tek “Parku Rinia”. Kjo është mënyra e vetme që i ka mbetur për të çuar një lek më shumë në shtëpi. Në “libraritë” e bordurave gjen botime të zgjedhura nga koha që nga letërsia antike, fjalorë, vepra të zgjedhura të autorëve të njohur shqiptarë e botërorë, deri dhe studime, libra shkollorë e revista të vjetra. “Këta libra i gjen vetëm në rrugë, sepse libraritë nuk i pranojnë këto botime. Furnizuesit tanë janë shtëpitë botuese dhe jo bibliotekat private të njerëzve të ndryshëm”, – thotë Florita, edhe pse nuk e mohon se disa prej librave që shiten ashtu rrugëve mund të kenë shumë më shumë vlerë se një pjesë e madhe e librave që qëndrojnë të vendosur bukur dhe me kopertina luksoze në raftet e librarive.

Historia e Ana Flokekuqes seri me 4 libra nga L. M. Montgomery

Ana flokekuqja, L. M. Montgomery, libri i pare


Të pakët janë fëmijët që nuk e njohin Ana Flokëkuqen apo aventurat e saj. Por jo të gjithë fëmijët e dinë se Ana tashmë është rritur dhe po ashtu janë shtuar edhe aventurat e saj. Autorja L. M. Montgomery ka shkruar edhe tre libra të tjerë me vazhdimin e historise së Anës që tashmë janë të gjithë të disponueshëm si seri me 4 libra edhe në shqip.

Për më tepër ju ftojmë të lexoni përshkrimet më poshtë:

Ana flokekuqja, L. M. Montgomery, libri i parë

E parapëlqyer për vite radhazi, ky roman klasik ndjek aventurat e Ana Shirlit, kokëkuqes energjike, e cila shkon të jetojë pranë një familjeje në Grin Gejbëlls dhe fiton zemrat e gjithë atyre që takon aty. Romani “Ana flokëkuqja” është një nga më të paharrueshmit dhe njëkohësisht një nga më të këndshmit në të gjithë letërsinë botërore.

Ana e Ejvonlit, L.M. Montgomery, libri i dyte

Ana e Ejvonlit, L.M. Montgomery, libri i dytë

Vazhdon rrëfimi i mrekullueshëm i L. M. Montgomery’t për personazhin aq të dashur për lexuesin. Ana flokëkuqja, që tashmë kthehet në Ejvonli. A mbarojnë të papriturat dhe “telashet” në jetën e saj si mësuese? Po marrëdhëniet e saj me Gilbertin a vazhdojnë të përmirësohen? Zbulimi i “Shtëpisë së Jehonës” çfarë të papriturash solli? Këto dhe shumë pikëpyetje të tjera gjejnë përgjigje në faqet e romanit “Ana e Ejvonlit”.

Ana e Ishullit, L. M. Montgomery, libri i trete

Ana e Ishullit, L. M. Montgomery, libri i tretë

Aventura të reja e presin Ana Shirlin, ndërkohë që po bën gati valixhet për t’u larguar nga Ejvonli, duke u ndarë nga fëmijëria e saj, që të nisë studimet në kolegjin e Redmondit. Me miken e saj të vjetër Prishila Grant dhe shoqen e re Filipa Gordon, ajo zbulon një jetë të re të pavarur të mbushur me surpriza, në qytetin e zhurmshëm të Kingsportit… duke përfshirë një propozim martese nga dikush që nuk e imagjinonte kurrë, shitjen e tregimit të saj të parë dhe një tragjedi që i shkakton një ngjarje të dhimbshme.

Por lotët kthehen në të qeshura kur Ana dhe mikeshat e saj zhvendosen te “Shtëpiza e Patit”. Anës nuk ia merr mendja që djali i pashëm Gilbert Blith do t’ia fitojë zemrën. Papritmas asaj i duhet të vendosë për t’iu përgjigjur dashurisë.
Ana e Stuhise se Plepave, L. M. Montgomery, libri i katert
Ana e Stuhise se Plepave, L. M. Montgomery, libri i katërt

Ky vëllimi i serisë “Ana flokëkuqja”, kronologjikisht është i katërti, ku shtjellohen ngjarjet në periudhën midis diplomimit të Anës në Redmond dhe fejesës me Gilbertin, që vijoi me martesën, tre vjet më vonë. Çaste dhe karaktere të paharrueshme në këtë libër do të mbeten gjatë në kujtesën e lexuesit.

Roman i ri: Pesëdhjetë hije më të errëta, vëllimi i dytë





Pesedhjete hije me te erreta, E. L. James, vol. 2

E tmerruar nga sekretet e errëta që torturojnë biznesmenin e ri, Kristian Grei, Ana Stilli e ka shkëputur marrëdhënien mes tyre për të filluar një karrierë pune me një shtëpi botuese amerikane. Por, dëshira për Grein dominon akoma çdo mendim të sajin dhe kur ai i propozon një marrëveshje të re, ajo nuk reziston dot.


Sapo doli në treg volumi i dytë “Pesëdhjetë hije më të errëta” i romanit tashmë të suksesshëm edhe në tregun shiqiptar “Pesëdhjetë hijet e Greit”

Romantik, çlirues dhe kryekëput përthithës, ky është një roman që do t’ju pushtojë, do t’ju zotërojë dhe do të mbetet gjithmonë me ju.


E tmerruar nga sekretet e errëta që torturojnë biznesmenin e ri, Kristian Grei, Ana Stilli e ka shkëputur marrëdhënien mes tyre për të filluar një karrierë pune me një shtëpi botuese amerikane. Por, dëshira për Grein dominon akoma çdo mendim të sajin dhe kur ai i propozon një marrëveshje të re, ajo nuk reziston dot.

Shumë shpejt ajo mëson më shumë mbi të shkuarën e trazuar të djalit të shkatërruar, kërkues, të motivuar… të Pesëdhjetë Hijeve të saj. Po ndërsa Grei kacafytet me demonët e brendshëm, Ana duhet të marrë vendimin më të rëndësishëm të jetës së vet. Një vendim që mund ta marrë vetëm ajo…

Historia e shqiptarëve, gjendja dhe perspektivat e studimit



Historia e shqiptareve, Oliver Jens Schmitt, Eva Anne Frantz

Në këtë vëllim janë përmbledhur artikuj rreth problemeve të historisë, gjuhësisë, fesë dhe letërsisë në Shqipëri, të shkruara nga autorë si: Joachim Marzinger, Stefan Schumer, Oliver Jeans Schmitt, Markus Koller, Nathalie Clayer, Bernd Fischer, Michael Schmidt – Neke, Robert Pichler, Stephanie Schwandner – Sievers, Robert Elsie, Noel Malcolm, Peter Bartl dhe Edgar Hösch.

“Historia e shqiptarëve, gjendja dhe perspektivat e studimit“ përmbledh artikuj rreth problemeve të historisë, gjuhësisë, fesë dhe letërsisë në Shqipëri, të shkruara nga autorë si: Joachim Marzinger, Stefan Schumer, Oliver Jeans Schmitt, Markus Koller, Nathalie Clayer, Bernd Fischer, Michael Schmidt – Neke, Robert Pichler, Stephanie Schwandner – Sievers, Robert Elsie, Noel Malcolm, Peter Bartl dhe Edgar Hösch.

Parathënie

Studimi i historisë së Shqipërisë- në kuptimin e një debati shkencor me studiuesit shqipfolës, kryesisht në Europën Juglindore- ka pas shpine një traditë prej më se një shekulli e gjysëm. Një Albanologji e prirë nga studimi i kulturës zhvillohet në shumë shtete të Evropës e të Amerikës Veriore, por rrallë është e përqendruar në mënyrë afatgjatë në institucione universitare. Jo vetëm për këtë arsye, rezultatet e këtyre përpjekjeve nuk merren gjithmonë parasysh sa duhet nga shkencat e afërta të historisë e të filologjisë. Thjesht ky konstatim do të përligjte përpjekjen për të hedhur një vështrim të përgjithshëm mbi problemet dhe rezultatet themelore të studimit të historisë së shqiptarëve.

Edhe më e rëndësishme duket një ndërmarrje e tillë, po të kemi parasysh lidhjen e ngushtë të historisë me politikën në hapësirën e sotme gjuhësore shqiptare. Historiografia shqiptare është e politizuar në shkallë të lartë. Meqenëse shkenca shqiptare, në formë të institucionalizuar, ka lindur vetëm pas vitit 1945, modelet sunduese të mendimit janë të ndikuara fort nga ideologjia nacional-staliniste e diktaturës së Enver Hoxhës, që në vitet ’70 u eksportua edhe në krahinat e banuara nga shqiptarët në Jugosllavi. Një traditë historiografike jo komuniste, apo para komuniste, mungon. Kështu shpjegohet edhe vazhdimësia, thuajse pa asnjë lloj dallimi nga më parë, e mënyrave të vjetra nacionaliste të interpretimit, edhe pas përmbysjes së komunizmit në Shqipëri (1990-91).

Fragmente nga libri

Faza e vështirë e tranzicionit e shënjuar nga shthurja e shtetit në Shqipëri dhe lufta në Kosovë e Maqedoni nuk ka përfunduar në hapësirën gjuhësore shqiptare. Strukturat e shoqërisë civile arritën të formohen vetëm në kushte pikënisjeje nga më modestet. Në thelb, në Shqipëri elitat e vjetra e ruajtën pushtetin e tyre. Kjo do të thotë se ato, si instrument i rëndësishëm pushteti, nuk e lëshuan nga dora as kontrollin mbi të kaluarën.

Shkenca historike shqiptare vijoi edhe tradita të tjera të epokës komuniste. Ajo nuk e merr parasysh fare ose thuajse fare shkencën ndërkombëtare, por izolohet sa mundet prej saj. Historianët shqiptarë marrin pjesë shumë rrallë në tubime ndërkombëtare.

Për këtë arsye nga ana metodike studimet kanë mbetur në pjesë të madhe në gjendjen e fillimviteve pesëdhjetë, kur studimet shqiptare u ngritën me ndihmën e Bashkimit Sovjetik; edhe më të vjetra janë metodat që etërit themelues të historiografisë shqiptare patën mësuar më së shumti në Austrinë e viteve tridhjetë.

Në përputhje me këtë, studiues të jashtëm, rezultatet e të cilëve nuk përkojnë me kuadrin nacional – stalinist të historisë, ashtu si dhe intelektualë vendas që përfaqësojnë mendime të ndryshme, përgojohen shpesh me argumente apo sajesa jashtëshkencore. Një kulturë debati shumë e dobët, shenjë e një mungese të ndjeshme të shoqërisë civile, vështirëson mjaft shkëmbimin shkencor. Kësaj i shtohet fakti që studiuesit e specializuar e kanë humbur prej kohësh epërsinë interpretuese mbi historinë. Nga revistat e pakta, që pasqyrojnë më së miri ngurtësinë mendore dhe armiqësinë ndaj diskutimit të historiografisë në masmediat dhe në forumet e internetit është depozituar debati që shpesh nuk plotëson as edhe kriteret minimale të cilësisë.

Libër i ri: Barbaritë greke në Shqipëri (kujtime historike 1913 – 1914)





Libri përmban kujtime historike të një veprimtarie fare pak të njohur në studimet shqiptare për periudhën prej shpalljes deri në njohjen e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Libri i Kosta Papës është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në Massachusetts, SHBA, më 1917.




Libri “Barbaritë greke në Shqipëri” përmban shënimet historike të një veprimtari fare pak të njohur në studimet shqiptare për periudhën prej shpalljes, deri në njohjen e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Kosta Papa ka qenë protagonist e dëshmitar i ngjarjeve traumatizuese të dy luftërave ballkanike, kryesisht në Shqipërinë e jugut. Në mënyrë të veçantë ai paralajmëron se do të ndalet në vitin e mbrapshtë 1913 dhe në disa mbrapshti të tjera që vijuan më 1914 e më vonë. Ndonëse nuk ka shumë të dhëna një gjë është ruajtur e përcjellë deri sot për autorin: Kosta Papa u dënua me vdekje nga qeveria greke e kohës pikërisht pse publikoi dëshmi rrenqethëse që do të turpëronin faqe botës çdo vend e popull që ndërmerr akte të tillë armiqësore ndaj fqinjit të tij historik, qoftë edhe në rrethana historike të mbrapshta.

Mbi librin

Libri “Barbaritë greke në Shqipëri” përmban kujtime historike të një veprimtarie fare pak të njohur në studimet shqiptare për periudhën prej shpalljes deri në njohjen e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Libri i Kosta Papës është botuar për herë të parë në gjuhën shqipe në Massachusetts, SHBA, më 1917. Libri “Barbaritë greke në Shqipëri” është një libër tronditës.

Brezave të rinj që po rriten me antimitin e kufirit, ky libër mund t’u duket tendencioz, ilustrim pikëpamjesh historike të frymëzuara prej nacionalizmit. Sepse vërtet dëshmitë që përshkruan autori nuk janë figurativisht barbari; sepse edhe vetë fjala “barbari” në këtë dritë nuk ka kuptimin që kishte në greqishten antike, si dallim me tjetrin, që nuk fliste gjuhën e akejve, por kuptimin me të cilin përdoret në kohët moderne, si dhunë e tmerr mbi popullsinë civile.

Prej këtij libri, që ribotohet i rijetësuar, ashtu si ishte në vullnetin e autorit, mund të kuptohet se sa shumë ka punuar shekulli i 20 – të për shqiptarët, sa e rëndësishme ka qenë të krijohej kjo Shqipëri shtetërore që është për të mbajtur gjallë ndjenjat dhe mendimet shqiptare në hapësirën historike të vetën rreth e qark, sa ka reflektuar mendimi politik e gjeopolitik rreth faktorit shqiptar.

Libri enciklopedik “100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb”


100 vjet pavaresi, Moikom Zeqo, Deshira Jazexhiu

Me rastin e jubileut të 100-vjetorit të Pavarësisë dhe themelimit të Shtetit modern Shqiptar, po ju paraqesim këtë botim të veçantë, duke pasur parasysh një sintezë pasqyruese dhe përfaqësuese të kësaj ngjarjeje epokale në historinë e kombit tonë.




Në kuadrin e 100-vjetorit të ngjarjes më të madhe historike të popullit shqiptar, Shpalljes së Pavarësisë dhe themelimit të Shtetit Modern Shqiptar, Shtëpia Botuese “ERIK” sjell për opinionin e gjerë të lexuesve këtë botim të veçantë. Ky libër është sintezë pasqyruese dhe gjithëpërfshirëse të kësaj ngjarje të madhe në historinë e Kombit tonë. Ngjarjet e mëdha si për çdo komb tjetër edhe për ne përbëjnë thelbin e memories tonë. Ata nuk janë asnjëherë e shkuara në kuptimin kohor, por kërkojnë njohje e thellim të përhershëm, jo vetëm për brezat e sotëm, por edhe për ata që vijnë pas. Parë nga ky këndvështrim, botimi i këtij libri të rëndësishëm të natyrës enciklopedike nga Shtëpia Botuese “ERIK” me autorë Dr. Moikom Zeqon dhe Dëshira Jazexhiun hedh dritë mbi aktin historik të ngritjes së Flamurit më 28 Nëntor 1912 duke respektuar parametrat shkencorë, paraqitjen korrekte të ngjarjeve historike, që përgatitën dhe u finalizuan  me shpalljen e Pavarësisë.


Libri “100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb” jep informacion të saktë për figurat kryesore kombëtare, të kulturës dhe politikës, heronjtë e kryengritjeve popullore dhe në shumë raste edhe informacione e fakte historike të panjohura deri më sot që dëshmojnë seriozitetin dhe hulumtimin e ngjarjeve të asaj periudhe nga autorët. Në libër i është dhënë rëndësi jo vetëm dokumentacionit origjinal, por edhe paraqitjes grafike, në mënyrë që lexuesi i gjerë, por edhe i specializuar, të krijojë ide sa më të sakta për ngjarjen e madhe të Shpalljes së Pavarësisë. Botimi i librit “100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb” bën të qartë se arritja e një objektivi dhe një ëndrre shekullore për lirinë dhe pavarësinë e shqiptarëve, është kurorëzuar nga përpjekja titanike dhe sakrifica të panumërta në të gjitha kohërat. Ai nxjerr në pah lashtësinë e popullit tonë, me një histori të gjatë përpjekjesh tragjike, me një etje të pafundme për lirinë dhe një vullnet të paepur për të sendërtuar më në fund strukturën e përshtatshme shtetërore me barazi në raport me të gjitha subjektet shtetërore evropiane dhe të botës. Ky libër i vlefshëm është botuar me synimin që të jetë në dorën e të gjithë kategorive të lexuesve, ndaj edhe nga autorët është bërë kujdes i veçantë në përdorimin e një gjuhe të qartë e koncize, të saktë e të kuptueshme. Nga ana tjetër, ky botim u shërben nxënësve e studentëve si një “libër tavoline” në të cilin do të njihen me ngjarje, personalitete e data që kanë lidhje të drejtpërdrejta me programet mësimore shkollore parauniversitare dhe universitare. Libri “100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb” botuar nga Shtëpia Botuese “ERIK” është një arritje e çmuar në afirmimin e vlerave, fakteve e dokumenteve historike. Dalja në dritë e këtij libri është nderim e mirënjohje ndaj përkushtimit të asaj pjese të kujtesës kombëtare, e cila mbas epokës së ndritur skënderbejane të shekullit të XV, përben një kulm të ri të historisë së kombit tonë në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar, afirmon dinjitetin, forcën krijuese, vetëmohimin dhe shikimin largpamës të shqiptarëve, aftësinë për të krijuar vetëdijen tonë kolektive për të dashur atdheun e kombin dhe për t’i dalë zot kur e kërkon nevoja. Libri me titullin domethënës “100 vjet Pavarësi – Flamuri që Ringjalli një Komb” botuar nga Shtëpia Botuese “ERIK”, të cilin tashmë e keni në treg, është i pari libër serioz deri tani që botohet në kuadër të ditës së madhe të të gjithë shqiptarëve.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...