Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/23

Arian Leka - Nava somnului - antologie de autor




Ardian-Christian Kyçyku

STRABIZMI I ANIJES DHE I GJUMIT

(Disa fjalë për poezinë e Arian Lekës në rumanisht)


Hyrje në strabizëm


Po t’u besojmë kryekëput fjalorëve, do të ndaleshim thjesht tek përcaktimi sestrabizmi është një anomali që nënkupton mungesën e paralelizmit të boshteve të shikimit, duke shkaktuar si pasojë vështrimin çakërr. Ose: Mangësi që karakterizohet nga pamundësia për të këqyrur natyrshëm me të dy sytë; vështrim i kryquar. Në fakt, sytë e njeriut të sotëm i kanë të gjitha arsyet për të bërë kryqin para shumicës së gjërave, pamjeve e ngjarjeve që servir epoka e quajtur edhe pasmoderne.
Historia e shikimit dhe e llojit të syve është disi më e pasur sesa numuri i gjërave që na bje të shohim gjatë jetës. Ajo ka arritur të nyjëtojë shpesh edhe gjuhën dhe të shpikë të folme që e kanë kallur botën në debate të pafundme e ndonjëherë edhe në luftra. E qartë mbetet se, hëpërhë, njeriu është e vetmja qënie që mund të përfshijë me e messyve një pamje të plotë, i vetëdijshëm se mbi, nën, mbrapa e para saj gjallojnë pamje të tjera, të mundshme, ose më të vërteta nga sa pandehim. Në traditat fetare, jo rrallë Hyu përfytyrohet si errësira e tejndritshme, një hapësirë ku vështrimi njerëzor nuk mbërrin, duke besuar se atje ku mbaron fuqia e vështrimit tonë, fillon bota e përjetshme.
Deri tek njeriu, syri ka përshkuar një udhë të çuditshme. Tek zogjtë dhe tek disa gjallesa që janë bërë mjeshtre të mbijetesës, nevojiten të dy sytë, që ato të mund të shohin një pamje të plotë. Vetvetiu shtrohen disa pyetje: si, sa dhe çfarë shohin të mësipërmet kur iu mungon, ose kur mbyllin njërin sy? Ç’pamje ka bota po të vërehet me një sy zogu e një sy kafshe? A i mungon gjësendi botës, kur shohim vetëm gjysmën e saj? A ia del mbanë syri njerëzor që, duke ngjitur dy a më shumë pjesë të së njëjtës pamje, të sajojë një të tretë, e cila, si në morfologjinë gjuhësore, të jetë e ndryshme nga paraardhëset? E sidomos: a munden dy sytë tanë që, tek ngulin shtizat e shikimit në një pikë të vetme, të njësojnë atje edhe pamjet e përçara, mendimet, dy pjesë të së tërës? Në këtë pamundësi zbulohet edhe një rol mistik, ta themi, i strabizmit. Poetikisht, strabizmi është një përpjekje e dhimbshme, - që jo rrallë zgjon humorin patëkeq dhe mëshirën, - një stërmundim rrënjësor dhe mbase i pavetëdijshëm i organizmit njerëzor për të njësuar, ribashkuar, copët e ndara të botës, të jetës, e madje të vetë shpirtit. Sepse thelbi i kohërave kur ende ndodhemi në trup është ndarja. Ndarja nga Qielli, nga e Përhershmja, nga Thellësitë, nga Vetvetja, nga Njëritjetri.


Ato që i ndodhin atdheut


Kjo epokë e shpërdoron çiltërsinë, sepse vetëm përshfaqja e dhunshme e mendimeve dhe e gjendjeve të fshehta (të fshehura) mund të joshin sot vështrimin dhe vëmendjen e mass-medias. Një poet përballet gjithnjë, të paktën në orët e vetmisë së epërme, me mëdyshjen nëse është i veçantë falë atyre që shpreh, apo falë atyre që fsheh. Dihet që dhimbja e pashprehur, ose thjesht e ravijëzuar, e bën më fisnike, më përzgjedhëse fshehtësinë e një poeti. Një tjetër pyetje e poetit të sotëm është nëse duhet ta përshfaqë dhimbjen sa më në plotni dhe kësisoj të bëhet pjesë e dhimbjes së lexuesit, t’ia marrë këtij të fundit dhimbjet e papërballueshme përmes artit të fjalës dhe të heshtjes dhe t’i shndërrojë përfundimisht në art (pra, në një element më të pranueshëm), apo thjesht t’i përcjellë lexuesit të vërtetën se ia njeh dhimbjen, është binjak me të në të mira e sidomos në të liga etj. Është pohuar me të drejtë se në ditët tona gjithkush mund të hedhë në letër vargje dhe jo rrallë të qëllojë në shenjë. Mbase etja e njeriut për të mbetur në Kujtesë e ka rraskapitur Muzën dhe ajo e ka humbur toruan, duke i hedhur perlat siç hedhim thërrimet e bukës ndaj zogjve, pa marrë parasysh se shumë pak prej tyre janë Nositë.
Poezia shqipe pati një zhvillim tronditës gjatë shekullit XX. Formulat e viteve `30 u zëvendësuan egërsisht nga formula e realizmit socialist, aq sa ndonjë risi e rëndomtë, për shkak të ngurtësisë që sundonte, tingëlloi si arritje e hatashme. U ec pas parimit në vendin e të verbërve qorri është mbret. Kur populli e çante rrugën e historisë me shpatë në dorë, ishte mëse e vështirë ta çaje rrugën e vetmisë me penë në dorë, sepse mund të gdhiheshe i shkuar në shpatë, siç ndodhi jo pak herë. Korifenjtë e poezisë së realizmit socialist ngatërruan qëllimisht pushtetin politik me atë poetik dhe, pas rënies së regjimit, shtrënguan me thonj e dhëmbë një pushtet që mund të quhet mediatik. Mëkatet e tyre u lanë mënjanë falë disa dhuntish fatale tejet njerëzore (siç është etja për të ngatërruar magjinë e një moshe të caktuar me situatën politike të kohës përkatëse, nevoja për të falur ata që s’kanë si të të shkatërrojnë më etj), por edhe ca mekanizmash të mass-medias, që vihen në punë nga shoqëritë e ndërmjetme për të mos shfarosur krejt njerëzinë. Bënë sa mundën, janë pleq e janë penduar – dhe është gati e pamundur të ndash nëse pendimi i tyre erdhi nga plakja, apo plakja e kumtit poetik sajoi në kokën e lexuesit bindjen se janë penduar.
Brezi i ri i poetëve u përpoq të ndreqte ç’ish përdhosur më parë dhe ia doli mbanë të sillte në shqip një poezi përgjithësisht të pastër, vetjake, të denjë për arenën evropiane, duke ruajtur me një përkushtim të admirueshëm fillin e pakëputur të traditës.
Arian Leka është një nga zërat e pangatërrueshëm të këtij brezi dhe një autor që bën poezi programatike, të lartë, për të mos thënë vizionare. Ajo që e shquan nga zërat e tjerë është thellësia dhe largpamësia e programit poetik. Një program që nuk shkon nga letra tek autori, duke iu bërtitur gërmave e tingujve të bëhen vargje, por që rrjedh natyrshëm nga autori dhe kthehet si vetiu në poezi. Lindur në Durrës më 19 shkurt 1966, pasi studioi (aspak rastësisht muzikë, them unë) në Liceun “Jan Kukuzeli”, përfundoi Fakultetin e Histori-Filologjisë, degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe i plotësoi studimet në Itali (Firence) për letërsi të re evropiane. Në vitin 1994 boton vëllimin me tregime Ky vend i qetë ku s’ndodh asgjë, pasuar nga Sacro e Profano,Veset e të VdekurveDoan DoelLegjendat më të bukura (1, 2), Anija e Gjumit, romaninGjarpri i ShtëpisëStrabizëm – poezi, dhe Shpina e Burrit – tregime dhe novela. Ndërkaq ka shqipëruar pjesë nga krijimtaria e T. F. Marinettit, Çezare Pavezes, Dino Kampanës, Euxhenio Montales, Italo Kalvinos etj. Ka themeluar Festivalin e parë ndërkombëtar të poezisë – POETEKA – që zhvillohet në muajin prill të çdo viti dhe që tashmë ka një emër të çmuar anembanë. Është kryeredaktor i revistës “Poeteka”,revistë e specializuar për poezinë dhe kulturën poetike, që botohet në Tiranë një herë në tre muaj që prej vitit 2004. Krijimtaria poetike e Arian Lekës ështe botuar e përkthyer në anglisht, gjermanisht, italisht, portugalisht, kroatisht, rumanisht, maqedonisht, frëngjisht. Në shqip kjo krijimtari është vlerësuar shpesh me çmime, ai i Lidhjes së Shkrimtarëve, Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve për poezinë më të mirë lirike në Festivalin poetik “Lulet e Verës”, Çmimi special për poezinë – Tetovë, Maqedoni. Arian Leka është edhe fitues i konkursit “Evropa, atdheu ynë i përbashkët”, sidhe i Çmimit “Penda e Argjendtë” për vëllimin poetik “Strabizëm”.
Gjatë kësaj periudhe, Atdheut të secilit prej nesh dhe atdheve të përbashkët u kanë ndodhur mjaft gjëra. Vendi i qetë ku s’ndodhte asgjë u dynd disa herë nga veset e të vdekurve, duke nxjerrë në pah veset e të gjallëve. Shumë të gjallë iu zunë vendin të vdekurve dhe anasjelltas. Një nga dramat e mëdha shpërtheu në gjirin e shqipes, gjuhë e stërlashtë që u gjend befas në qerthullin e betejave për ta rindërtuar, ripastruar, rishkruar, rilexuar, ripunuar, ringjallur, rivrarë. Shqipja mes zhurmave dhe tingujve, mes muzikës dhe grahmës së sharrave, mes harpave dhe gromësimave, mes frymës së saj të kulluar dhe barbarizmave që hyjnë njëheresh me dorëheqjen e shkallëzuar të njerëzve nga Shpirti i tyre dhe me triumfin e stomakut dhe të xhepit ndaj idealeve dhe zemrës. Dhe, siç ndodh jo rrallë: kur njerëzit ndahen nga atdheu i tyre, kur gdhihen ose bëhen mërgimtarë brenda tokës së vet dhe shfryjnë larteposhtë, me mllef, me egërsi e pezm llahtarat e atdheut, shkrimtarët mbeten bijtë e përbetuar të tij. Sepse shkrimtarët mbrojnë një atdhe të paktën të dyfishtë. Hirnosja e patriotizmit të pastër, zhvlerësimi i tij, ndodh njëheresh me zhvlerësimin dhe zbritjen nga froni të Letërsisë, me ngadhnjimin e përkohshëm të grafomanisë dhe të “yjeve” që janë lindur të fikur. Në këto kushte shkruajnë vetëm ata që s’rrojnë dot pa letërsinë.
Kam mbetur vetëm, si gjuha, si flamuri, shprehet diku Arian Leka. I vetëm si gjuha e sulmuar nga të gjitha anët dhe nga të gjithë ata që s’ngrihen dot deri në lartësinë e saj, dhe si flamuri, ngjyrat e të cilit duken, ose janë, gjithnjë e më të zbehta. Nuk është e lehtë të marrësh përsipër atdheun, sepse kjo nuk është njëlloj si të marrësh mbi vete dheun e tij. Atdheu është kufomë, / e vetmja kufomë që mban erë të mirë // Iliria e fjetur / Arbëria e tretur…
Në fakt, nuk është fjala për Atdheun, por vetëm për Këtë atdhe, të cilit nuk i hahen mollët, nuk i durohen pordhët dhe që dashurinë e pakët ua ndan fëmijëve / si thërrime(vështrimi?) të rëna përtokë / në errësirë. Ky është një atdhe i padashur për qënien e ndjeshme, për artistin, por nuk është i dashur as për lexuesin, as për analfabetin, as për vrasësin, as për të vdekurit që ikën me shpresën se gjërat do të marrin për mirë. Mirpo nuk është në natyrën e poetit të gjykojë dhe të ndajë faje e ndëshkime. Poeti vajton – dhe ky lloj vajtimi, shumë më tepër se dobësi, është lutje e dëgjuar nga Lart ende pa u shprehur.
Çdo gjë që i ka ndodhur vendit tim / më ka ndodhur dhe mua. Ky varg mjafton për të njohur përkushtimin e qënies poetike, që dashuron atdheun sa më tepër njësohet me të, sa më tepër mban të njëjtën erë me të. Të nevojitet një strabizëm gati hyjnor që të pastrosh, të përkryesh dhe të njësoh dy atdhetë mes të cilëve je lindur dhe që, pas ikjes sate nga kjo botë, do të vazhdojnë të ndeshen, ose njeri do të dorëzohet.


Anija


Arian Leka e ka parë fillimisht botën nga, dhe / ose me sytë e Durrësit – ish Dyrrahium, truall i bekuar ku u themelua njëra nga bashkësitë e para shpirtërore të monoteizmit. Në hapësirën e Durrësit gjithmonë kanë sunduar të paktën tri kohë: lashtësia, e tashmja dhe ajo kohë që njëson paprerë kohërat vetjake të të gjithë atyre që vijnë në breg apo që ikin nga bregu. Në Durrës mbaron bota prej toke dhe fillon bota prej deti e qiejsh. Por në Durrës ndodh edhe e kundërta. Për këtë arsye simbolet – kyçe të Arian Lekës janë deti, rëra, anija, peshkatari, rrjeta, fuzhnja, Durrësi, folklori qytetar, akasha e letrave shqipe, aromat e periudhave të lumtura të qytetit bregdetar e bregqiellor, arkaizmat si mjete për të njësuar, ose thjesht për të mos ndarë dy kohë, njëra më shpirtërore, tjetra më lëndore, zogjtë, vetmia etj. Poeti sikur stërvitet të zhvarrosë një botë të tërë, shumë më të hijshme e më njerëzore se e tashmja, një botë fanitja e së cilës, në një çast kulmor, mund dhe duhet të përmbysë gjithë mendësinë tonë të rrënjosur nga e përditshmja. Kjo botë rri e stivosur harmonishëm në një anije vigane e të padukshme, një anije që rinohet njëherazi me plakjen e shpejtë të gjërave dhe me zvjerdhjen e ngjarjeve, dhe që endet rreth e përmes ditës jo se s’ka brigje, por se pret që ta hedhë spirancën në brigjet që sjell me vete. Sepse anija është një univers që endet brenda një universi të cilit i jep leje t’i endet në brendësi. Kjo është e pamundur dhe paradoksale për logjikën me një sy, por është mëse e natyrshme për Poezinë, ashtu siç është për Durrësin, Pogradecin, Vlorën etj.
Anijen-univers e prin një poet, më saktë zëri i poetit. Zëri që s’mund ta ndryshojë botën, por që të paktën ngulmon të mos e lerë të rrënohet më tej. Apo vetëm një grimë pas rrënimit të plotë, mbi shkretinë e mbetur mund të shtrohen brigjet që ndodhen në anije? Duke vënë re se si ecin punët jashtë anijes, jo rrallë poetit ia çart gjumin një pyetje që s’ka lënë shkrimtar pa trandur. Të rrosh a të mos shkruash? Shumë kohë më parë, një sivëlla i poetit, Mihai Eminesku, i përcillte lexuesit dhe binjakëve të vet shpirtërorë një strofë rrënqethëse: Se ç’është në këtë botë, dhe ç’është sot poeti / Që zërin vetmitar pak ia dëgjon, kush do/ Vërtitet i panjohur mes botës që e treti / Kurrkush nuk do t’ia dijë në rron më apo jo / Një copëz vele është, një zemër, flluskë-e kotë / Që ndruajtur rropatet në motin zemërhekur / Më mirë të mos qe shfaqur ai në këtë botë / Në vend të vdiste sot, më mirë dje të kish vdekur[1].
Për mjeshtrat e fjalës shqipe, historikisht roli i anijes ka qenë i dyfishtë. Anija vinte e paftuar nga jashtë dhe sillte mortjen, mirpo anija dilte me ose pa leje nga brenda dhe sillte shpëtimin, duke dëbuar nga hapësira e vet fatkeqësinë. Anija si mit shpirtëror i shqiptarit, si plotësim i lirisë së pamundur, të ëndërruar, të synuar jetavdekje. Anija si shprehje e lexueshme dhe e ndjeshme e lëvizjes kozmike, e ikjes nga hapësirat e ngurtësuara, e zhvendosjes (tjetër vend – tjetër fat), Anija që jo vetëm thyen kufijtë e rehatisë, por që edhe bashkon dy hapësira, të cilat, në mungesë të saj, s’do të ishin takuar kurrë. Poezia e Arian Lekës ngulmon ta vendosë Anijen në qendër të Jetës, menjëherë pas Zotit, dhe të dëshmojë pa fjalë të tepërta se, kur poetit nuk i mbetet as edhe një lexues, as edhe një dëgjues, as edhe një shpirt binjak, ai vazhdon të shkruajë për botën, për anijen, për heshtjen dhe lëvizjen, apo edhe për gjumin, të cilin anija e merr me vete, duke lënë pas vetëm zgjimin e të gjitha shqisave. Atë zgjim që mund t’u mësojë leximin edhe gurëve të atdheut.


Dalje nga gjumi


Ideale do të kish qenë sikur krijimtaria e një poeti të shqyrtohej, sidomos për lexuesin e huaj, duke përdorur harmoninë e brendshme të veprës së tij, tingujt dhe ritmet, me rimat e dukshme e të padukshme amtare, ndonëse kjo mund ta kish pakësuar dëshirën për t’ia lexuar veprën. Pasi lexon poezinë e Arian Lekës, jo vetëm në shqip, por edhe në rumanisht, bindesh sërish se muzika e verbit mund të hapë edhe dyert e ferrit, sidomos në prag të globalizimit, kur zhurma ka marrë pushtetin dhe kur njeriu e ka shumë më të lehtë t’u ngjajë gjithë të tjerëve se sa të vazhdojë t’i ngjajë Krijuesit. Muzika e shqipes mori një plagë të tmerrshme shumë kohë më parë, kur si rastësisht, zanoret e hapura, qiellore, nisën të zëvendësohen nga zanoret vajtimtare dhe monotonizuese dhe t’i shtrojnë udhën së kobshmes gjuhë druri. Mbytja e â-ve nga ë-të dhe shumëzimi i bashkëtingëlloreve hundore, stomakore e kockore si shprehje e varfërimit të jetës e të trurit, mbetet një nga tragjeditë e mëdha të shqipes, ndonëse forca e saj arriti dhe arrin të nxjerrë ende kryevepra nga rrënojat e vetvetes. Muzika e Arian Lekës pahon dhe synon të ndreqë pikërisht strabizmin brenda-gjuhësor të shqipes, duke zbuluar tërthorazi edhe strabizmin nga i cili vuan sot gjuha njerëzore. Kurse sa i përket mundimit tonë për të mos e lënë ndarjen e gjithanshme të na verë nën thundër, ai mbetet një lloj i lumtur strabizmi, të paktën për shpirtin. Ndoshta ngaqë trupi i ka ditët e numuruara dhe nuk dëmtohet nga pak poezi, shije fluturimi a mbijetese. Aq më tepër kur mbrrin ai çast një mike pret t’i mbijnë prej teje flatrat / në kohëra të errëta kur nuk mbijnë veç brirë[2].
Bukuresht, verë 2007


[2] Arian Leka, Kulishë të verbër, Strabizëm, botimet Ideart, Tiranë 2004, f. 108.

Agim Vinca - Urnă vie (Urnë e gjallë) antologie de autor



Ndjenja e fuqishme e historisë, si dhe hapësira legjendare në të cilën ajo i ka përkryer si gëzimet, ashtu edhe fatkeqësitë, këqyren me një panjollësi të magjishme në letërsinë shqiptare të djeshme dhe të sotme, letërsi e cila shpall me një energji të shquar të drejtën morale të mbijetimit dhe të njohjes. Përtej guximit të padurueshëm dhe shpesh bezdisës, tani kur hapja kulturore drejt botës na jep të drejtë, të gjithëve, të mësojmë edhe çka na ishte mohuar me egërsi të madhe politike për dhjetëvjetësha me radhë, ka ardhur koha t’i mbarështrojmë me gjuhën e duhur vlerat epike dhe lirike, që të mos e lëmë veten të zhgënjehemi nga paragjykime dhe obsesione.
Agim Vinca është njëri nga poetët shqiptarë më të njohur e më të lexuar dhe ja, sot kam para syve një libër me titull paradoksal dhe nxitës: Urnë e gjallë, në përkthimin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit Kopi Kyçyku. Është një antologji që përfshin deri diku kronologjikisht krijime duke filluar nga viti 1978 e deri më 2006. Gjallëria himnore me të cilën autori hap zemrën, që nga vjersha e parë deri tek e fundit, me qartësinë dhe emocionin që i japin vokacionin leximit e dhuntinë poetike, mbështetet nga kthjelltësia patetike e botës në lëvizje.
Agim Vinca është shtegtuesi i ngarë të përshkojë vise magjike, duke na sjellë ndër mend ngadhënjime të futura në legjendë; shkretime luftërash, por edhe qetësinë familjare duke i dhënë fuqi një dokumentari tejet rigoroz, me të dhëna dhe ndodhi të saktësuara me madhështi. Është poezia e një intelektuali që vetëzbulohet çast pas çasti, duke raportuar historinë kulturore të botës, në Shqipëri, në atdheun që kuptimëson më epërisht se identiteti shtetëror, jetën e vet.
Agim Vinca nuk është një sentimental dhe as ndonjë bukolik i fshehur pas sintagmash emfatike; ai është një vëzhgues i hollë dhe i rafinuar që, duke e përdorur me mjeshtëri gjuhën, i jep poezisë vërtetësinë e një akti shkrimor me forcë dhe ndjeshmëri të madhe. Lipset të përmenden disa poema të mrekullueshme, me figuracion gati-gati objektiv, rrjedhja e të cilave përligjet përmes tensionit dhe pa patos përçmues: Tek varri i Bonapartit, Palimpsest për gruan dhe librin, Lutje për Nënë Terezën, Kur vriten poetët.Ndjesia e fuqishme e daljes nga kontingjenti, lind një përsiatje-epilog: Do të vdes një ditë në këtë pyll asfalti / Zemërak e i pikëlluar pa fjalë e pa zë / Do të ik fillikat a nga infarkt-inati / Unë, ujku i vetmuar AV. (Ujk i vetmuar-Epilog).

Si një kronikan akrib, Agim Vinca regjistron, sikurse përmenda më lart, të dhëna dhe vise legjendare, padrejtësi; evokon përkryerjen përmes lirisë, por nuk harron të kujtojë miqësitë që i kanë lënë mbresa, si dhe shumë figura të lavdishme të Shqipërisë, me të cilat është i lidhur shpirtërisht e me gjithë zemër.
Nganjëherë trishtimi kaplues është i shoqëruar nga një ironi e hollë, si në këtë poezi që i jep titullin librit (Urnë e gjallë):
Mars zviceran. Qiell i hirtë. / Na prit, Moisi, sot në vizitë! / Te varri yt, përpjetë Morkotës / Ngjitem si Krishti majë Golgotës. / Më rëndon kryqi. Jo. Një pikë loti. / S'jam Jezu / Krishti, as Don Kishoti. / Shqytar i marrë, Ikar pa fletë / Pakëz Faust, pakëz Hamlet. / Mars zviceran. Diell me dhëmbë. / Një lutje shqip mbi varrin tënd. / Shkronja të zeza, / mermer i bardhë. / Pyes: ku shkoj? E nga kam ardhë? / Mars zviceran. Qiell me hile. /
Zonja Evropë, e moçmja-skile, / Ç'dramë luhet sot atje në Ballkan / Absurd-teatër - plumb e temjan! / Mars zviceran. Diell me dhëmbë. / Qëndroj i heshtur pranë varrit tënd. / Në turmë i vetëm. Pa zë, pa fjalë. / E më ngjan vetja - urnë e gjallë. (Lugano, 1994)
Me siguri mund të thuheshin edhe shumë gjëra të tjera për poezinë e Agim Vincës dhe për shprehshmërinë e saj të fisme, por po e ndal këtu përvojën time prej lexuesi, duke nënvizuar qëUrna e gjallë është një libër i dashurisë, i miqësisë, i kuptimit të historisë, i dialogut, i tmerrimit nga zbrazëtia, për besimin, një libër për vlerësimin e jetës, por edhe për nderimin e të rënëve. Stili pa afeksion, vende-vende eseistik, i jep edhe më shumë forcë shprehësisë. Fakti që Agim Vinca boton sot në gjuhën rumune është një akt letrar i nevojshëm që e përshëndetim me gëzim.
Bukuresht, verë 2010





Vinca, ose poeti i ”permanencave shqiptare”


- Letër nga Parisi -

Në stilin e autorëve universitarë, Agim Vinca bën vepër në dy fronte, në atë të kërkimit letrar dhe atë krijimit letrar, duke privilegjuar sipas rastit herë njërin front e herë tjetrin. Si pegadog, Vinca hulumton aspektin emblematik të krijimit, për të nxjerrë rregulla e përkufizime abstrakte përmes të cilash mbërrihet në një kuptim të standardizuar të artit të fjalës. Si poet, ai i fut vetë duart në brumin letrar, për të gatuar një art që është gjithçka tjetër përpos fjalë e standardizuar.
Lexuesit të thjeshtë, që mund të tkurret para teorizimit të shkencës letrare, me mendimin se poezia e një teoricieni i ngjan pak a shumë një frigoriferi mjetesh e figurash të ngrira ose një kasaforte që hapet veç me kod të posaçëm, Vinca i ofron një poezi të gjallë, në damarët e së cilës rrjedh gjaku i ngrohtë i esencave shqiptare dhe ujët e përmallshëm të Drinit plak. Në atë poezi vezullojnë kostumet shumëngjyrëshe të një folklori stërgjyshëror, parakalojnë emrat e njohur e të panjohur të etnosit të përditshëm, marrin formë ndjesitë, shpresat, revoltat dhe energjia e jetës kalimtare.
Lexuesin më kërkues, që kërkon nga poezia një shkallë abstraksioni të respektueshme, Vinca e fton në një udhëtim simbolik kah “psalmet e rrënjës”, aty ku në mënyrë të figurshme ngjizen identiteti dhe trajtat e “permanencës shqiptare”. Në grykën e këtij vullkani të çuditshëm që rri gjithë kohës zgjuar, poeti hedh ashtu pështjellueshëm dromca jete e ëndrrash, që atypari përzihen e mbruhen me magmën shekullore, për të dalë vrullshëm në sipërfaqe si flakë o si tym.
Atëbotë, para këtij spektakli çmeritës, poeti shndërrohet në një “urnë të gjallë”, e cila ushqehet me zjarrin e përbashkët të Ikarit shpresëmadh, të Don Kishotit shpresëmarrë, të Hamletit shpresëbjerrë dhe Faustit shpresëfarkëtues. Ai vjen e bëhet një vetje simbolike, në të cilën ndërthuret e gjithë problematika e poezisë:
Shqytar i marrë, Ikar pa fletë,
Pakëz Faust, pakëz Hamlet.
Në aspektin formal të poezisë, sidoqoftë, kërkimi i Vincës gjurmon shtigjet e rrahura, ndonjëherë shumë të rrahura, duke mbetur besnik i traditës dhe i formave poetike që e kanë sprovuar vetveten.
Ardian Marashi
(Drejtor i Qendrës Albanologjike në Tiranë dhe profesor
në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale –
INALCO në Paris).
[1] Autorul este director al Centrului Albanologic din Tirana şi profesor la Institutul Limbilor şi Civilizaţiilor Orientale – INALCO din Paris.

Iolanda Malamen: ”e zgjat mëshirën time si ndonjë udhë...”




Poete dhe prozatore e shquar, gazetare, eseiste dhe përkthyese rumune, autore e vëllimeve Gjëndje hyjnore, Udhëtim në natyrë, Tokë nën dëborë, Një gur i bardhë mbi një gur të zi, Lulja që ec, Ëngjëlli i zbritur në rrugë, Ngadhnjimi i dantellës, Islanda e dytë (poezi); Unë, mjeshtëria e xhelatit dhe mbretëresha e pikëlluar, Shtëpia Verdi, Filipi dhe Margarita, Letër Lavuazierit, Alisa në Botën e Krimit, Antoni dhe Kavabata (prozë). Mes viteve 1983 dhe 1997, gjatë periudhës së diktaturës rumune dhe „tejzgjatjes së saj”, në shenjë proteste, Malamen nuk pranoi të publikonte as edhe një varg. Ka botuar pesë vëllime bisedash me shkrimtarë dhe artistë rumunë e të huaj, cilësuar si një ndihmesë e pashoqe në njohjen më të thelluar të letërsisë dhe arteve. Është laureate e Medaljes së Akademisë Femina për poezi në vitin 1999, e Çmimit APLER për gazetari kulturore (2006), e 8 çmimeve të Bashkimit të Shkrimtarëve të Rumanisë dhe Shoqatës së Shkrimtarëve të Bukureshtit për poezi, prozë dhe publicistikë.

Zgjodhi e shqipëroi nga rumanishtja KOPI KYÇYKU

Dialektikë

Të hënën, më 21 shtator, ora nëntë, endesha nëpër Pogradec
Kur befas një ëngjëll m’u ngjit në gojë.
Me një shkulje fjale shpëtova lehtë nga kurmi i tij i nxehtë dhe i mëndafshtë
E hodha mbi një pellg të errët
një mijë e ca vjet i moçëm
U rropat i gjori njëfarë kohe
e shihja si gërvisht me flatra mishin e pellgut-sy
pastaj u fanit një fëmijë hipur mbi një biçikletë prej ari
Për një grimë, fëmija e joshi me biçikletën e tij të artë, por ëngjëlli
nuk iu gjegj.
Fëmija mbështeti biçikletën mbi një re të kuqe
pastaj zhveshi këmishën e kuqe si gjaku dhe e mbështolli
ëngjëllin me të.
Ëngjëjt duhen mbështjellë me kujdes kur vdesin, më tha
tek ia hipte biçikletës dhe davaritej në çast.
Mëngjeseve, në qytetin Pogradec, mund të gjesh anembanë fjalë të shtypura,
biçikleta prej ari
dhe shqiponja që pijnë me et pika gjaku
nga veshja e fëmijës që iku me ngut, majë biçikletës s'artë,
ndjekur
nga afër prej një reje të kuqe...



Dielli i hirtë

Dielli i marsit, i hirtë, është tumori i mushkërisë së djathtë të
tim vëllai.
Një pluhur i bardhë, me erë të fortë ngrihet si bash i vogël
nga frymëmarrja e tij
Shoh nga dritarja e sallonit një mi që kapërcen oborrin
e papastër të spitalit.
Kur isha fëmijë, i them mjekut teksa im vëlla fle në
shtratin prej metali kutullaç, kam shkruar një poezi për vdekjen.
Mjeku më hedh një vështrim prej qeni të trishtë, ledhaton fletën e
vëzhgimeve te kryet e shtratit si të ishte lule
Në poezi im vëlla rrinte shtrirë mbi një dysheme të qelqtë dhe mbante
shtrënguar në gjoks lodrën e vet të dashur: një sëmundje e mistershme.
Pasi përshkruaja me fjalë të ndjera praninë e sëmundjes në kurmin
e brishtë
Poezia mbyllej me një metaforë naive për vdekjen.
Zoti doktor, ju lutem t’i bëni derman lëngatës! Shihni, edhe mjekësia
ka ecur shumë në këta dyzet vjet, por metafora ime
s’u tund nga mushkëria e tij e djathtë...
Në sallonin me nr. 29, korridori djathtas, kati i dytë
dega e reanimacionit, dielli i hirtë i marsit ende shpërthen nga gjoksi
i tim vëllai, duke mbushur dhomën me rreze të hirta.
Plaga e bisturisë u mbyll nga një tel me gjemba, por matanë saj
ndodhet një zbrazëti e kuqërremtë ku dua të hyj, të shoh dhe ta kuptoj.
Ku do ta ruajmë lëmshin e hirtë të mushkërisë sate? Do të
bëjmë
një
pjedestal? Do ta kyçim në një kasafortë?
Im vëlla s’ka lejë të flasë, por i lejohet ta lerë veten
Ta shohë gjithkush si një pejsazh me hijeshi të tejdukshme.
Do t'hapë sytë dhe do të kërkojë cigare
Trofetë e lëngatës do t’i kallen së shpejti mes telit me gjemba
më thotë mjeku duke flatruar duart çuditshëm.
Rend drejt metrosë me telin gjembaç të vëllait mbështjellë si një
Gjerdan perlash rreth fytit. Një i panjohur ma shkul
Dhe zhduket
në terrin e Parkut të Rinisë .
Në qiell hëna i ngjan një klloçke të majme. Nuk ngopem së pari.


Mbijetesa

Pse e ke frymën të kuqe si gjaku
dhe më avitesh, korb,
aq shumë, sa çukit pa mëshirë
në zemrën time mbijetesë?
Të thashë: eja, korb-korbzi
pikërisht tani kur gruri rrjedh me dallgë të mëndafshta
Pikërisht tani kur festoj tri rënie në mëkat
një kërcim të rrallë vdekjeprurës mbi tokë dhe një shpellë të artë?
Pikërisht tani, që jam dashuruar
Pas teshave të tejdukshme të mbretit si pas një burri me shpirt të zgjedhur?
Ç’të gjeti? S’ke paqe në qiell? U zgjua shtaza brenda teje?
Një të diel me shi kur flenë thellë
Motorrët prej plumbi
Ja tek të gjeta!
Ja tek të kërkova!
I sheh kthetrat e mia? M’i sheh sytë e bymyer nga dëshira?
Sheh vizatuar në qiell një hartë plot burgje?
Të gjitha këto më sollën tek ti...
më thotë korbi me gjysmë fryme.


Përfytyrim mbi poezinë

Kur tehu i thikës fëshfërin ndër gishta si gjethja e verdheme
statuti im shoqëror të hyn mushkërish
tym që gugát nga drithmat
ndërsa lëkura e Kordobës tejzgjatet në pikla sa syri i pëllumbit,
duke veshur gotat me verë
duke ndryshuar përfytyrimin mbi poezinë.
Ç’mall i tmerrshëm në tingullin e gotave me verë!
E ruaj statutin shoqëror si tehun e thikës
nuk e le të harbojë...
Ngrirë mbi një barrelë, tutur në hungërimën e detit si në një gëzof
ai është i sapolyer, i sapoplagosur
njëheresh me kthimin e mortit nga udha.
Bërtas: Xhovani Paolo Maxhini pikturoi thjesht dështimin
dhe ca erëza të tjera estetike.
Ruaj statutin shoqëror duke shtrënguar tehun e thikës.


Pluhur e hi

Në vrrullin e mëshirës isha guri që përjetonte gëzimin
e rëndomtë e të rrufeshëm
isha krijesa absolute
fëshfërima e mëngjezit mëshira ime me qafë mjellme dhe klithmë
prej miku
këpucët e mia nëpër erë
pluhur e hi u bënë të gjitha
pluhur e hi u bë pezullia ime
këmbëngulëse, e murgët
fëshfërinin fenerët siç vetëm eshtrat e mia ende mundnin
të fëshfërinin
O Zot, egërsia e natyrës me flijimet e sapoçelura
pluhur e hi u bë mëshira ime
ajo gjallon veç si një shputë
në qiellin e yjitur
në mes të kurthit
pluhur e hi u bë grahma e së ardhmes
nga kafshimi i poezisë
në çdo metër uji o Zot
ëngjëlli me muskuj fëmije do të qajë me mua
do të ngjërojë njëheresh me mua ujë me shkëlqim çeliku
vdekjen me shkëlqim çeliku
shpesh kam qënë guri që përjetonte gëzimin duke u trembur
duke u ngritur
pluhur e hi u bë gjethnaja
ku zbrita veshjet dhe fuqinë
pluhur e hi u bënë këmbët e qëngjit
në ëngjëllin që më ushqente
dhe as ka zbardhur ende mirë
kur e zgjat mëshirën time si ndonjë udhë
pluhur e hi u bë zukama ime në
rrapëllimën e erës.


Fjalët

Një tog dheu sa një zemër, kështu m’u duk fjala të
cilën
e shkula nga ngërthimi i dhëmbëve të tu
Ish mëngjez marsi dhe iu rrëfeja fëmijëve mbi hartë
një vend që mbante era
luftë
me ndjesinë se je ti.
Pastaj qielli u bë befas oqean i kuq, vozitës. E
këqyra
si të qe pikturë, për një kohë, nga dritarja e hapur, më pas
hodha mbi të një shi me guriçka.
Duart e tua, lëkura yte e njollosur nga dielli, dhëmbët e tu
prej zogu parahistorik
më lanë shënja të thella në tru, sot luftoj
t’u jap jetë sërish
t’i shndërroj në njëfarë bari ku të shkel duke lotuar nga lumturia.
Dikur të quajta Ai, tani je ti, s’ke emër tjetër.
Ti, për mua nënkupton udhëtime të pafundme në mëkat
dëndësia e së folmes, ikje, kthime
hija e lënë mbi kurm nga një frut gjelbërosh, erëmirë
nënkupton një mërmërimë të dëshpëruar sendesh, teshash, ditësh
nënkupton edhe ditësimin e vdekjes përmes një kërcimi
të përkryer, dhunë dhe poema shkruar drejt-e-mbi zemër
operacione
dhe net magjike kur harkoheshe mbi shpinën time si ndonjë
strehë e gjallë, e përgjakur.
Ta dëgjoj zërin dhe njëheresh me të muzikën e vargjeve
dhe grahmën e ca trupave rrëzuar mbi çimento.
Më dhemb e më tmerron rënia e tyre.
Do të doja të të ngre në krahë me kujdes, si të ishe foshnjë
të të
flas për vuajtjet e lindjes.
Do të doja të të jap shënja mirseardhjeje, duke fryrë në një bri
të trëndafiltë
por s’jam në gjëndje të ndihem kafshë fanatike.
Mbush gojën me fjalë dhe i çliroj dhe fshij me to
parvazin
e dritarës së hapur.
Një lëvizje ndreqëse, do të thoshe.
Ta dëgjoj zërin! Brenda meje rritet një ranishte lëvizëse ku
endesh
krenar, duke mbajtur në dorë një flamur akulli.
Kuvendojmë në një kafene, unë të ledhatoj supet
me një
poemë të moçme sa shekulli.
Dyndje fjalësh që përplasen muresh si ndonjë ushtri insektesh.
Një etje e llahtarshme fjalësh.
Dashuria ime ka trajtën e një përroi fjalësh.
“I madh është kopshti i fjalëve”, thua, dhe një lot pluskon
në gotën
shkëlqimtare nga ku sapo ke pirë kujën time.

Dr. Ardian Kyçyku: Një roman për farat pa emër




(Disa mendime mbi romanin “Kukullat e pyllit” të Hiqmet Meçajt, Shtëpia Botuese Triptik, 2003, botim i dytë, 189 faqe, ISBN: 99927-854-4-6 )

DALJE


Në botën ballkanase të letrave, numuri i atyre që trumbetojnë vdekjen e kahershme të romanit, shterjen dhe shfuqizimin e tij, është pothuajse i barabartë me numurin e atyre që besojnë në triumfin e tij të ngadaltë e të pashmangshëm. Mes çudirave që ka sjellë sindromi (për të mos thënë: vesi) i integrimit, mes dyndjes së të paftuarve që gëzojnë Pavdekësinë me botime luksoze, promovime, çmime dhe përkthime në gjuhë të qarkullimit ndërkombëtar, shquhen qartë shkrimtarët që s’rreshtin së botuari, - për të bindur veten dhe të tjerët se nuk janë shterur, - shkrimtarët që botojnë për të mos u vakur më tej me ndonjë veprimtari tjetër, si dhe autorë të përkushtuar, që lexohen pak (ndofta ngaqë nuk shiten aspak).
Është një stërmundim që prek majat e idealizmit të kulluar të shkruash një roman në gjuhën shqipe, ku tre në dy vetë merren me letërsi dhe ku mjegullimi i sistemit të vlerave sajon e pluhuros hierarki shpesh absurde dhe tragjike. Vlera e mirëfilltë e një vepre letrare peshohet me mjetet e shitblerjes, ashtu siç mund të caktohej vlera e një pikture nga pesha e ngjyrave që janë përdorur, apo nga numuri i qimeve të penelave, teksa kapitja e lexuesit, vëmendja e tij e çoroditur nga hallet e përditshme, shihet si përqindje përjetësie e librave të shkruar fundekrye në harmoni me tezat zhdanoviste. Idhujtaria nuk e ka për gjë të shohë në rënien e përgjithshme shpirtërore ngadhnjimin e një letërsie tejet tokësore, ateiste (gjoja laike, botërore, e lirë dhe e pavarur), që e bind lexuesin se universi kaq është, dy-tri dashuriçka, ca komplote në terrin e historisë, ndonjë frikëzë e fshehtë, ndonjë përpushje, pickim, kafshim gjinjsh, ndonjë ndarje dhe vaje të kallura në tesha postmoderniste, servirur në një shqipe të çartur nga barbarizmat dhe që synon të paraqitet si mëmë e ardhmërisë.
Fatmirësisht ka edhe shkrimtarë që ia kanë dalë mbanë të ngrihen mbi vetveten e detyruar dhe të bjenë në dorën e bekuar të servantizmit (term i imi), domethënë: të krijojnë vepra befasuese në një moshë të nderuar. Rasti i Hiqmet Meçajt[1] nuk mund të përfshihet këtu, nëse lexuesi cilësor ka ndjekur me vëmendje ecurinë e poezisë dhe të prozës së shkurtër të këtij autori.
Njëra nga meritat e mëdha të romanit «Kukullat e pyllit» lidhet edhe me kohën: pamundësia e plotë për të gjetur moshën e autorit. Mençuria e këtij të fundit, lehtësia me të cilën e sundon nga rrënjët lëndën artistike, rrjedhja e fjalës nga lënda (jeta) drejt letërsisë (rikrijimit të realitetit) zëvendësojnë moshën dhe tiparet vetjake të autorit, duke arritur atë që vetëm talenti i lindur mund ta ketë: fuqinë prapavepruese. Asnjëherë nuk është vonë që një vepër arti të botohet shumë vite më vonë se të tjerat dhe të jetë pararendësja e tyre. Duhet shtuar se romani «Kukullat e pyllit» nuk ka ende një pararendës, të paktën në letrat shqipe. Autori ka dalë të bëjë art pa fund me mund magjie e jo magji, e as të ndreqë dynjanë, sepse, si çdo shkrimtar i mirëfilltë, njeh po aq mirë sa jetën edhe kufijtë e vetvetes. 


Përroi dhe psikika e ngjarjeve


Kulti i historisë së ngarkuar, të koklavitur, plot shembje, intriga, vrazhdësi e absurd, merr në romanin “Kukullat e pyllit” një goditje të merituar. Ngjarjet nuk rrjedhin nga e majta në të djathtë, nga lart poshtë, ose anasjelltas, por nga një bërthamë gati e padukshme, si spermatozoid[2] që turret të bëhet vdekatar, të plaket e të shuhet sa më shpejt. Autori heq dorë me vetëdije nga qindra efektet dhe hiperbolat që ofron realiteti ballkanik, zgjedh rrugën më të mundimshme, atë të thjeshtësisë së parme, dhe ndeshet me kohën. Qarkullojnë mjaft përcaktime të kohës, qoftë në letërsi, qoftë në filozofi. Hiqmet Meçaj e shqyrton kohën edhe në esenë që shoqëron romanin dhe që synon të japë një ide rreth rrymës të cilën ai e emërton «mikrobotizëm». Bindjet e modernistëve dhe të pasmodernistëve duken sot njëfarësoj të tejkaluara, ose jo fort kënaqëse. Përgjigjet e viganëve të shpirtërimit ngrihen mbi to fare natyrshëm dhe na ndihmojnë që ta shohim shumë qartë letërsinë dhe jetën e sotme. Kur më pyet ç’është koha, nuk di të të përgjigjem, thoshte Shën Agustini. Kurse, kur nuk më pyet, di të të them ç’është koha. Para, gjatë dhe pas fjalëve të Shën Agustinit, rridhte kohë, dhe kjo është e vetmja përgjigje e mundshme. Koha është parë edhe si rrjedhje e sendeve dhe e qënieve në hapësirë, por eshtë parë edhe si hapësirë mes ftesës së Hyut dhe përgjigjes po, ose jo, të njeriut (i ftuari). Në romanin «Kukullat e pyllit» Hiqmet Meçaj i mbështet tërthorazi përfytyrimet e mësipërme, por me mjete vetëm letrare. Ai shprehet mes rreshtash se qënia njerëzore nuk është një e vetme, por një shumë qëniesh të cilat i bart në vete, i takon, i njeh, i jeton gjatë jetës, dhe vdes në hipostazën e njërës prej tyre. Autori nuk e përjashton mundësinë që copëzimi i qënies dhe dallimet mes njërit copëzim dhe të tjerëve të jenë një gjetje e modernistëve për ta bërë realitetin më të pranueshëm. 


Një pamje e re e vëllavrasjes


Romani sjell një pamje krejt vetjake të botës shqiptare dhe evropiane, përtej legjendave të shpikura dhe maktheve të dalë boje. Romani ka jetë - dhe kjo jetë është e rëndomtë, e mrekullueshme, e paparashikueshme, shkatërrimtare, shajnitëse, si të gjitha qëniet dhe gjërat që s’kthehen më. Një poet i ri (Admeti), caktohet të punojë në fshatin Kajat, detyrohet të ndahet nga e dashura, dhe shkon në një hapësirë që nuk gjendet në asnjë hartë e ku mezi e presin ta bëjnë pijanec e puthador. Aty “asgjë s’kishte ndryshuar që nga koha e pellazgëve, vetëm se trupat e njerëzve qenë zvogëluar, truri qe bërë sa i pulës, kurse këndezët këndonin njëlloj dhe thoshin se vezët i bënin ata»(f. 44). Në klishetë jetëgjata të realizmit socialist, poeti i ri do të kish zbuluar Parajsën e krijimit gju(hë) më gju(hë) me popullin, njerëz të thjeshtë plot mirësi, dëshirën e pafundme për punë, duar e kokë me kallo, besnikëri të përjetshme ndaj Parti(ve)së etj. Admeti nuk e ka këtë fat. Ai zgjohet mes një bote që ka një krejt tjetër lloj pasurie: pasurinë e së pakthyeshmes. Kajati gjallon në histori e gjeografi sipas ligjeve të farave që e sundojnë, ndonëse syrit të ardhur nga tjetërkund, arkeologut enigmatik Xhuzepe, nuk i shpëton e vërteta se “Po ta dinit sa popuj e sa ushtri kanë kaluar këtej, nëpër këta male, sa gjuhë të huaja janë dëgjuar të fliten, atëherë do të ndjeheshit vërtet të mburrur, që këta këtu (tregon kafkat e shqiptarëve të lashtë – sh. im) fituan mbi të gjitha këto gjuhë” (f. 52). Pasi merr nga Kajati kafka, stolí e plot sende të çmuara, që fshatarëve u duken çinglamingla, Xhuzepja dërgon në hapësirën nga e cila vjen edhe material jetik, farë të zgjedhur, çunakun Shaho. Është e lehtë të përfytyrohet shpirtërimi i Kajatit pasi farat e mira shkulen e mbillen në truall të huaj, të largët, nga ku disa kthehen dhunshëm e nga ku të tjerat, që kanë gjetur vetveten, nuk do të duan të kthehen më. Vijnë kohëra, gjatë të cilave, siç shprehet me të drejtë hoxha i fshatit, vëllai duhet të ruhet nga vëllai.
Romani rimerr nga një tjetër kah parabolën e krishterë të martirizimit, trajtuar edhe nga Dostojevski, Gide apo të tjerë. Vetëm kur kokrra e grurit vdes, ajo jep shumë fryt. Po nuk vdiq…Në romanin e Hiqmet Meçajt kokrra e grurit është farë pa emër. Është farë e keqe dhe farë e mirë. Farat janë lindur që të ndeshen për jetë a vdekje. Fara për farën është vdekje. Sipas autorit, “fara që u kultivua mirë, po të kthehet e të ndrydhet në ambjentin e parë, domethënë të egër, e ka të vështirë të rrojë, të zhvillohet, kurse ajo që u rrit në ambjentin e parë, domethënë në gjendje të egër, megjithëse i afrohet gjithnjë e më shumë egërsisë, jeton përbukuri” (f. 49).
Farat mishërohen nga dy kushërinjtë e parë, Shahoja dhe Baxhoja. I pari del nga hapësira e egër, jeton ngadhnjimin e vet në hapësirën e lirë dhe frytëzuese të Perëndimit, pastaj firmos një peticion si shumë të rinj të kohës, dhe sos në truallin e parë, kur binjaku i dikurshëm shpirtëror, Baxhoja, pasi ka kaptuar me guxim shkallët e të qënit kusar, pushkatar, partizan pa din e pa iman, komunist i thekur etj, është shndërruar në pushtetarin e përjetshëm të hapësirës. Shahoja u qe përkushtuar bimëve, insekteve dhe gjenetikës, nuk e kishte haberin në punët e njerëzisë, kurse Baxhoja as që donte t’ia dinte për arritjet e gjenetikës, për thellinat e ndritshme apo të frikshme të filozofisë. Ai ka pushtetin dhe, kur ke pushtetin, bindesh se ke pushtet mbi vetë pavdekësinë. Ç’peshë mund të ngrejë filozofia, dhembjet e dashurisë së vrarë, e pamundësisë për të dëshmuar se nuk je kukull, por qënie e gjallë, e shkatërrueshme nga gjithkush e nga gjithçka, ndonëse e pavdekshme në thelb?! 

Makthi


Duke zbuluar mjeshtërisht lidhjet e brendshme të librit, njëri nga kapitujt e romanit përfundon me shenjën “:”, kurse një tjetër (f. 68) përbëhet vetëm nga një fjali: «Të gjitha këto kishin ndodhur, apo do të ndodhnin?». Lexuesi ftohet në ankthin më mizor që përjetuan shqiptarët gjatë gjysmëshekullit të kuq. Ankthi i atyre që mund të ndodhnin, që ishin të gjitha të përbindshme dhe që, për fat të keq, pasi ndodhnin apo jo, duke fituar forcën e errët të makthit, rrënonin e drobitnin me të njëjtën egërsi. «Por plaku Shaho, thotë autori, që nga ajo natë nisi të plakej çdo ditë e më tepër, të zbardhej në fytyrë e të kërrusej në trup, megjithëse Admeti qe i bindur se atë natë nuk u tha gjë që ta rëndonte, sepse ajo natë nuk kishte ndodhur» (f. 143). Bjerrja e farës së mirë ndodh pas një nate që mund të quhet e pranimit dhe e faljes së madhe. Natë kur Shahoja pranon se, gjatë gjithë jetës, është mbajtur një grimë larg shkatërrimit përfundimtar pikërisht nga fara e mbrapshtë, Baxhoja. Ai ia fal ish-kusarit të gjitha, jo vetëm sepse nuk ka mjete për të mos falur, jo vetëm se, si qënie e zgjdhur, është ngjizur të zbatojë parimin kuranik «Mëshira Ime ia kalon hidhërimit Tim», por edhe sepse tashmë dhe parreshturështë një njeri krejt tjetër. Një njeri që dyshon përnjimend nëse ka qenë ndonjëherë i ri, jashtë shtetit, i dashuruar me një të huaj të mrekullueshme, dishepull i një profesori që nderohet më vonë me Çmimin Nobel, i lirë e sidomos krejt i pavarur nga mëshira e Baxhos. «Ishin vite të lumtura, mbushur me suksese e dashuri verbuese, prandaj i picërronte sytë në të gjitha pozat»(f. 167).
Ishin!
Vargu i tjetërsimeve, që, me sa duket, mund të mbyllen (pó për-kohësisht) vetëm me vdekjen e njeriut, përfaqëson kredon filozofike të autorit. Shpërbërja e qënies, dyzimi, trizimi a shumë-zimi i saj në hapësirë, por sidomos në kohë, shprehet dhimbshëm në mbyllje të romanit. «Edhe ato shënimet që grisa e i flaka në zjarr, thotë Shahoja, nuk kanë lidhje fare me mua plakun, por më atë, të riun[3], që vazhdoj ta mbaj brenda vetes sime, t’i ndjej çdo ditë dhimbjet, rënkimet e përpëlitjet» (f. 178).


(Sh)qytetërimi

Pjella e farës së keqe, në një pikë kulmore të romanit, plagos për vdekje (burrërie) pjellën e farës së mirë. Djali i Shahos nuk arrin të bëjë më fëmijë, sepse thika e Billit, djalit të pagjak të Baxhos, ia pret këtë dhunti. Kuptohet të kujt janë të katër nipërit e farës së mirë. Lexuesi ndjen në eshtër se kjo ngjarje jo vetëm mund të jetë e vërtetë, por edhe se nuk është skaji i mbramë ku mund të arrijë kafshëria e njeriut të kohës sonë. Dhuna është e pranishme në çdo faqe të romanit, e përcjellë me qetësi dhe gjithëkuptim shpirtëror – mbase bindje se vetëm gjithëkuptimi do të mund ta mposhtë gjithë këtë mallkim të zi. Nënës i vritet burri dhe djali dhe i jepet kurajo djallëzisht me një «Ki kujdes tjetrin!» (f. 127). Mirpo terrori, në mënyrë krejt të natyrshme, ka nisur e vazhdon të hajë edhe pjellat e veta. Roja që i caktohet Admetit, haf(h)ija e kudondodhur, me të cilin, falë bashkëjetesës së detyruar, i përndjekuri gati ze miqësi, dërgohet Alpeve të lavdishme të Shqipërisë dhe nis të vrasë burra e të çnderojë gra, derisa një plumb ia hap syçkën e tretë në zverk dhe i zgjon Admetit një mendim shkundullues. Po ta kishin lënë të më ruante mua, thotë, ndoshta do të rronte e do të bëhej njeri i mirë» (f. 121).
Disa nga pasardhësit e farës së egër provojnë heraherës ndonjë kafshim ndërgjegjeje, por nuk dalin dot e as që duan vërtet të dalin nga vetvetja. Mbesa e Baxhos bijësohet prej një ambasadori komunist, bredh e këndellet jashtë shtetit, dhe që atje sjell si trofé për Kajatin dhe atdheun në përgjithësi, si paradhënie për tranzicionin, një kuti të babëzitur Pandore. Sa mirë është të drogohesh atje larg, mes të panjohurish, me djersën dhe gjakun e barbarëve, që s’i njohin virtytet e hashashit e as mrekullitë e jetës diplomatike! Mesazhi është i qartë si tehu i shpatës: murtajën e sotme e sollën pak nga pak ata që dje mund të dilnin nga kafazi, ata që mund të bridhnin dynjasë, që rronin në vend tonë jo në vendin tonë.


HYRJE


Romani «Kukullat e pyllit» zgjon shumë më tepër mendime dhe mbase edhe polemika. I shkrova këta rreshta nën bindjen se mangësitë e mundshme të një vepre përbëjnë atë që tashmë e dimë, ndërsa arritjet e saj dhe vlerat e papërsëritshme janë dhuratat pa të cilat do të mbeteshim dijetarë të pashoq. Besoj se nuk ëndërrojmë të jemi të tillë. Hëpërhë na mjafton ëndja e dhuruar nga pena e pangatërrueshme e Hiqmet Meçajt, shkrimtar që, me përkushtim e aftësi të rralla, siç më shkruante në një letër nga hapësira greke e Mërgatës shqiptare, «kish nja 40 vjet që rrinte në qoshen e tij». Qoshe, së cilës letërsia shqipe duhet t’i bëjë patjetër një përkulje nderimi. S’ka vdekur njeri nga kjo.


Bukuresht, dimër 2005

[1] Shkrimtar shqiptar lindur në Vlorë më 2 maj vitin 1944, antar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qysh në vitin 1964, nismëtar i Klubit "Drita" të Athinës, autor i vëllimeve: „Nisja” (poezi, 1967), „Ditë pranvere” (poezi, 1971), „Tokë e pagjumë” (poezi, 1983, nderuar me Çmimin Libri më i mirë poetik i vitit), „Tek ju trokas” (poezi, 1988), „Vetëvrasja e qirinjve” (poezi, 2000), „Kukullat e pyllit” (roman, 2002 dhe 2003, fitues i konkursit „Drita”, Toena, Onufri), „Kujtesë e shpikur” (poezi, 2003), „Për Askund” (tregime, 2003), „Çikpaku” (roman, 2003). Hiqmet Meçaj është përfshirë në shumë antologji dhe tekste shkollore dhe i përket rrymës letrare mikrobotizëm.
[2] Mes faqeve 175-176 të romanit gjejmë edhe monologun kuptimplotë të një spermatozoidi. „Edhe unë isha një spermatozoid që synonte mitrën e nënës sime, po ama tepër dinak e i mënçur. U fsheha në turmën e miliona të tjerëve, i bëra të grinden e të vriten me njëri-tjetrin. Kështu m’u hap rruga të shkoja fitimtar e të mbillesha për t’u bërë embrioni i atij që jam. (…) që këtu kuptohet se, që pa lindur kemi gëzuar kur të tjerët janë vrarë e kanë humbur ngaqë kemi dashur për vete të mos vriteshim e të fitonim”.
[3] Është fjala për të riun shqiptar që kthehet nga jashtë dhe këmbëngul të japë shpirt në duart e Shahos. Kur ky e pyet pse po zgjedh pikërisht duart e tij, tjetri i gjegjet: „o njeri i pyllit, më ka lodhur shumë qytetërimi me ato prapësitë e tij” (f. 174).

VBRACIONE TË SHPIRTIT TË AKIL KOCIT



Nga: Akademik Vasil S. TOLE


Kur ulesh të shkruash për kompozitorin Akil Koci dhe veprën e Tij, është e pamundur që më përpara të mos parashtrosh faktin se çështë muzika dhe kompozicioni shqiptar për të kuptuar më mirë edhe vlerat e veprës së tij muzikore. Fillimisht do të theksonim se rëndësia e një kompozitori shndërrohet në një koncept relativ kur flasim për një kompozitor shqiptar. Arsyet për këtë janë nga me të ndryshme syresh, por besoj se ajo me kryesorja lidhet me specifikat e lindjes dhe zhvillimit të vetë muzikës shqiptare. Pikërisht veçoritë ndryshe të të kësaj muzike, nga ato europiane, janë një arsye e mjaftë për të mos gjykuar nisur vetëm nga vlerat profesionale dhe ato ngushtësisht teknike te ç’do kompozitori, por ndër të tjera edhe nga arsye jashtë këtyre të fundit, të cilat janë po aq të rendësishme sa të parat. Personalisht, do ta kisha shumë më të lehte të perzgjidhja 2-3 nga emrat më të rëndësishëm të kompozitorëve shqiptare (jeta dhe vepra e të cilëve ishin ose janë të pasqyruara në enciklopeditë e huaja), pikërisht për faktin e thjeshtë se kriteret e përzgjedhjes për të hyrë në to janë të unifikuara për të gjithë kompozitorët e botës, kritere që marrin parasysh kryesisht vetëm vlerat e larta estetike dhe teknike të cilat janë krijuar dhe burojne nga muzika e tyre, duke e konsideruar këtë muzikë si një pjesë të natyrshme të muzikes europiane dhe boterore.
Më tej, ështe disi e vështirë që të lokalizosh emrat e këtyre kompozitorëve më të rëndësishëm të muzikës sonë edhe për një tjetër fakt. Koha e ngushtë e lindjes dhe zhvillimit të vetë muzikës shqiptare (në Shqipëri dhe Kosovë), bën që procesi i seleksionimit të vlerave krijuese të tyre të jetë ende ne proces. Do të ishte shumë më e lehtë për të përzgjedhur kompozitorët më të rëndësishëm të x-vendi, i cili ka 3-4 shekuj jetë muzikore aktive, pikërisht për shkak të seleksionimit dhe përzgjedhjes së vlerës, sesa p.sh në muzikën tonë, ku ende një pjese e madhe e kompozitorëve jane ende ne proces krijues aktiv, pra ku kontributet me të fundit janë ende në proces vleresimi, sa me të tanishmen, e për më teper me traditën tonë etj.
Një arsye tjetër që e ben akoma më të vështirë klasifikimin dhe përzgjedhjen e kompozitorëve, lidhet edhe me faktin se qëndrimet e deritashme të kritikës muzikore shqiptare, në thelb nuk kanë bërë ende një renditje të vlerave dhe të rëndësisë së gjithsecilit prej tyre, por me pak fjalë vetëm kanë vendosur në rend kronologjik kontributet e gjithësecilit, pa decizuar rëndësine e këtyre kontributeve. Në këtë vështrim lista duket se ështe shumë e gjatë dhe, pa mohuar askënd, sipas këtij “koncepti studimor” të procesit muzikor në Shqipëri, që të gjithë duken të rëndësishëm për vendin që zëne në këtë muzikë. Këtu nuk duhet përjashtuar edhe ndikimi ndonjëhere i “kritikes zyrtare”, kryesisht në 50 vitet e komunizmit në Shqipëri, e cila herë pas here synoi që të krijonte një listë tjetër “vlerash”, kuptohet nisur jo nga kontributet profesionale, por kryesisht nga mbështetja që x kompozitor ose vepër e tij kishte për partinë në pushtet etj,.
Një problem i vështire në këtë formim të listës së kompozitorëve më të rëndesishëm të muzikes sonë, lidhet edhe me faktin se ndërkohë që muzika shqiptare është vetëm një, zhvillimi i saj u kushtëzua të kultivohej në Shqipëri dhe në Kosovë, shpesh herë në një mungesë të plotë informacioni për zhvillimet respektive, e po aq në tendenca të ndryshme të kultivimit të shijes dhe gjuhës muzikore të kompozitorëve shqiptarë, këtej dhe matanë kufirit shtetëror. Edhe për këte pikë specifike të zhvillimit të muzikës sonë, ende nuk ka një qëndrim të kritikës muzikore, qendrim i cili do të na lehtesonte mjaft në zgjedhjen tonë.



           Akil Koci

* Rëndësia e veprës muzikore të Akil Kocit



Kur Akil Koci hyri në muzikën muzikën shqiptare me veprat e tij të para, tradita e muzikës profesioniste shqiptare kishte tashmë CV-në e saj, emrat e këtyre krijuesve dhe disa nga veçoritë thelbësore të krijimit të gjuhës së saj muzikore, ndër ta:
* Nikete Dardani-shek. IV, krijues i hymnit te njohur mbare botërore, “Te Deum laudeamus”;
* Jan Kukuzeli-shek. XII-XIII, autor i njërës prej periudhave të shkrimit muzikor bizantin të njohur me emrin e tij, si dhe i shume krijimeve që kane zënë vend në repertorin e kishës orthodhokse;
* Martin Gjokën-realizuesin e “Skizmës” muzikore, apo nxjerrjes së muzikës nga institucioni i kultit të kishës katolike. Kompozitor i shume veprave instrumentale, vokale dhe simfonike. Kishte studiuar për kompozim në Austri;
* Fan S.Noli – realizues i “Skizmës” muzikore, apo nxjerrjes së muzikës nga institucioni i kultit të kishës orthodhokse. Kompozitor dhe muzikolog. Autor i veprave simfonike, vokale dhe instrumentale. Kishte studiuar për kompozim në USA;
* Palok Kurti-krijues i formacionit të parë muzikor laik. Autor i disa pjesëve muzikore për këtë formacion muzikor;
* Thoma Nashi-krijues dhe dirigjenti i bandës së parë zyrtare të shtetit shqiptar e njohur me emrin “Vatra”. Autor i shumë këngëve, pjeseve instrumentale dhe vokale te njohura në të gjithë Shqipërinë. Botuesi i parë muzikor shqiptar. Kishte studiuar per kompozim ne USA.
* Kristo Kono-kompozitori i parë shqiptar që ka regjistrua muzikë në pllaka gramafoni. Autor i shumë veprave simfonike, operave, rapsodive, valleve etj. Studiuar per instrument dhe kompozim ne Itali
* Preng Jakova-krijuesi i operas së parë shqiptare “Mrika”.
* Çesk Zadeja(1926-1997), personaliteti qendror i muzikes shqiptare te kesaj periudhe. Autor i simfonisë së parë shqiptare etj;
* Tish Daija-krijues i baletit të parë shqiptar.
* Lorenc Antoni-kompozitori i parë në muzikën kosovare dhe studiues i muzikës popullore;
* Akil Koci kompozitor i parë i muzikës atonale në Kosovë dhe Shqipëri;
* Feim Ibrahimi (1936-1997), iniciues i tendencave per një gjuhe atonale muzikore në Shqipëri
Për ta bërë më të qartë, theksojmë se tradita e muzikës profesionite shqiptare në shek. XX-të, u kushtëzua nga veçoritë e muzikës popullore në të cilën u mbështetën kompozitorët tanë. Në këtë kuptim, shkolla shqiptare e kompozicionit, u krijua si një shkollë kombëtare në muzikë me dy drejtime. Kështu, na rezulton se muzika e viteve 1930-1970 (me kompozitorë të tillë si Martin Gjoka, Çesk Zadeja, Preng Jakova, Tish Daija, Tonin Harapi, Lorenc Antonie etj), u formua kryesisht si gjuhë modale; ndërkohë që kërkimet e Thoma Nasit, Kristo Konos dhe në mënyrë të veçantë të Feim Ibrahimit në fillim të viteve 1970, sollën aromën pentatonike në këtë muzikë. Në këtë mënyrë, dallojmë qartë dy drejtime krijuese të formësuara prej trashëgimisë sonë folklorike: muzikën modale-tonalo veriore dhe atë pentatonike-atonale jugore.
Në këtë realitet muzikor mbarë shqiptar, hyn në muzikën shqiptare të Kosovës edhe Akil Koci, në mes të viteve 1960. Qysh në fillim, ai u prezantua qartazi si një kompozitor i alternatives muzikore, pra i tendence tjetër. Vlerat e veprës së Akil Kocit, personalisht i shoh të lidhura me këtë fakt: me faktin që përmes tij, muzika shqiptare mundi të përjetonte zhvillimet bashkëkohore të muzikës europiane në ato vite. Me pak fjalë, kjo ishte rruga e pluralizmit muzikor, rruga e lirisë krijuese e cila frymëzohej, krijohej, piqej, ekspozohej, sa në raport me kombëtaren dhe me ndërkombëtaren, sa në diversitet por edhe në unitet me traditën pararendëse, duke e respektuar dhe rivlerësuar atë. Këtë mision e filloi Akil Koci, i cili solli në muzikën tonë frymën e kërkimit dhe filozofisë perëndimore mbi tingullin, që zgjeroi kufijtë e frymëmarrjes së kompozicionit shqiptar, kjo në kushtet kur Shqipëria ishte e izoluar dhe pa informacion në këtë lëmi etj.
Kjo tendencë e atëhershme, pas viteve 1990 është bërë realitet sot në muzikën shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë . Emrat dhe krijimtaria e sotme e Aleksandër Peçit, Zeqirja Ballatës, Rafet Rudit, Thoma Gaqit, Thoma Simakut, Mendi Mengjiqit, Ermir Dergjinit, Endri Sinës etj janë një dëshmi më shumë se pluralizimi muzikor i muzikës shqiptare, i filluar nga Akil Koci me veprat e tij, është tashmë një vlerë e mbarë muzikës sonë. Përmes këtij realiteti mozaikal, respektohet më mirë edhe tradita jonë muzikore folklorike e cila e ka në thelbin e saj larminë dhe diversitetin e të shprehurit, aq i lakmuar ky sot nga muzika bashkëkohore europiane dhe më gjerë. Prandaj emri i Akil Kocit dhe vepra e tij bëjnë pjesë në kompozitorët më të rëndësishëm të muzikës shqiptare në të gjitha kohët, sepse fara që ai mbolli dje, sot është bërë një pemë, simbol i jetëgjatësisë së artit tonë muzikor.


***************





Akil Mark Koci është kompozitor i shquar dhe shumë i njohur kosovar shqiptar. Njihet me komponizime në zhanrin e të gjitha gjinive atë të këngës populloreZambaku i Prizrenit, argëtuese dhe serioze.
Është fitues i shumë shpërblimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, është shpallur qytetar nderi i qytetit të Prishtinë në vitin 1974.

Në vitin 1976 shkroi baletin e parë shqiptarë në Kosovë, Sokoli e Mirusha, pas Tish Daisë, që shkroi baletin e parë shqiptarë Cuca e Maleve. Njihet si krijuesi i parë i muzikës Avangarde (muzika pak më ndryshe).
Më 1976 me ftesen e Hazir Myftarit, drejtor i Teatrit Krahinor të Kosovës, shkruan baletin Sokoli e Mirusha...

Vepra të korit

Lirisë, To Freedom, 1959. Shfaqja parë: pril 1960, Sarajevë.
Maca e vogël, Little Cat, 1959. Shfaqja parë: mars 1967, Kori i Fëmijëve, Radio Prishtina.
Vajzës, To the Girl, 1960. Shfaqja parë: qershor 1968, Festivali i Korit në Krushevcë
Nënës time, 1960. Shfaqja parë: shkurt 1988, Kori i Radio Pristinës.
Pa titull, Untitled, 1971. Shfaqja parë: nëntorë 1972, Kori i Radio Zagrebit, Opatija.
O, e ëmbëla, 1971. Shfaqja parë: qershor 1986, Kori i Radio Pristinës.
Kaltërsirat, 1972. Shfaqja parë: tetor 1986, Kori i Radio Pristinës.
Iz zapisa Stevana Mokranjac, Nga fletorja e Stevan Stojanović Mokranjac, 1973. Shfaqja parë: nëntor 1977, Kori i Radio Beogradit, Opatija.

Vokal & Piano

Popullit tim, To my People, 1971. Shfaqja parë: nëntor 1977. Skena mzikore, Prishtinë.
Elegji, Elegjy, 1971. Shfaqja parë: nëntor 1973. Radio Ljubljana, Slloveni.
Rekviem, Requiem, 1971. Shfaqja parë: shtator 1974. Radio Ljubljana, Slloveni.
Nimfa, 1971. Shfaqja parë:e: Skena muzikore, Prishtinë.
Rekviem, Requiem, 1971. Shfaqja parë: shtator 1974. Radio Ljubljana, Slloveni.
Trimja Gjakovare, 1974. Shfaqja parë: 1986. Skena muzikore, Prishtinë.

DY FJALË PËR LEXUESIN

Kompozitori i Artë - Akil Mark Koci gurthemel graniti i muzikës dhe kulturës bashkëkohore, të mirëfilltë shqiptare

Projekti botues – libri “Akil Koci dhe të tjerët”, i publicistit të mirënjohur Ndue Ukaj, na vjen si perlë shumë e këndshme dhe e merituar, mbi kolosin e artë të transformimeve historike të kulturës sonë të përgjithshme kombëtare, ne theks të veçantë të një shkëlqimi historik të muzikës sonë, që me këtë Kompozitor të pazëvendësueshëm është ngritur në piedestalin e perlave botërore artistike, që siç thonë kolegët e tij të plejadës muzikore mbarëshqiptare, e ka bërë diellin të lind në perëndim. Shumë nga kolegët e tij të këtij zanati të shenjtë, të Madhin Akil e cilësojnë si kolos i mirëfilltë dhe shtyllë e fortë graniti në kështjellën tonë kombëtare të kulturës, respektivisht të artit muzikor, duke e quajtur krijimtarinë e tij gjysmëshekullore si një fenomen që rrallë lind dhe rrezaton në botën njerëzore. Siç thonë shumë nga ata, e më konkretisht Akademik Vasil S. TOLE, që të mund të studjohet mirë veprimtaria fenomenale e të Madhit Akil Koci, së pari duhet të bëhet një studim i përgjithshëm i kompozicionit shqiptar. Duke mos harruar veprat kapitale të këtij kompozitori të madh, që plotësisht ia ndërroi faqen dhe kahun muzikologjisë shqiptare, respektivisht kryeveprat: “Filigranët”, “Sokoli e Mirusha”, “Kënga e Rexhës”, “Gloria Festive” – Nënës së Dhimbshme”, psalm që shkëlqen në përmasa botërore, kushtuar Nënë Terezës, po cekim edhe kontributin historik të këtij kryemjeshtri të artit muzikor, që për shumë vite e ka dhënë, në rolin e redaktorit përgjegjës të Radiotelevizionit të Prishtinës dhe si pedagog shembullor – profesor ordinar në Fakultetin e Arteve në Prishtinë i lëndës “Njohuri e literaturës muzikore”. Për veprën e madhe të të Madhit Akil Koci, duhet të krenohemi të gjithë ne fara arbërore, që patëm fatin të jetojmë në shekujt XX dhe XXI, sepse ky kolos i dha kahje të bukur artit tonë muzikor, duke e ngritur atë në piedestalin e vlerave të shkëlqyeshme botërore. Ai, veç kryeveprave muzikore – kompozimeve historike, na ka dhënë shumë edhe në lëmin e literaturës muzikore, duke na njohur me vlerat e mëdha të kolosëve botërorë, siç janë Beethoven e të tjerët. Ka ditur të bashkëpuojë mirë dhe frytshëm edhe me kolegët shqiptarë. Bile për kolosin tjetër të muzikës shqiptare – Vinçenc Gjini-n ka bërë një libër të mirë. Ai ishte edhe lërues i pakrahasueshëm shkencor në lëmin e muzikologjisë dhe publicist, shembullor ndër të rrallët në lëmin e kulturës kombëtare dhe botërore. Mbase në këtë drejtim i kishte ndihmuar shumë edhe të qenët profesor universitar i literaturës muzikore. Profesor Akili kishte fatin edhe të ketë për bashkëshorte Gjejlane Broqi-n, një muziktare tipike e shembullore e soliste fantastike e këngës së vjetër qytetare shqiptare, që i kishte ndihmuar shumë në këtë profesion të shtrenjtë e të shenjtë. Prof. Akil Mark Koci ka komponuar edhe këngën shumë të popullarizuar “Zambaku i Prizrenit”, e cila – edhepse nën izolimin total komunist të Shqipërisë së Enver Hoxhës, kishte hyrë bujshëm në të gjitha zemrat e shqiptarëve, sepse ishte lejuar emitimi i saj përmes Radiotelevizionit Shqiptar, në interpretim të bilbilit të këngës popullore shqiptare – të së pavdekshmes Nexhmije Pagarusha. Veprat e mëdha të Akil Kocit në mënyrë dinjitoze kanë përfaqësuar muzikën tonë kombëtare edhe në manifestime prestigjioze ndërkombëtare, si në Amsterdam – më 1992, në bienalin e Venedikut – 2004, në Santa Cecilia – 2008 e të tjera dhe janë vlerësuar shumë lartë, si perla botërore të krijimtarisë muzikore. Kryemjeshtri Akil Koci ishte njëri nga shtyllat shumë të forta dhe vezulluese të Kështjellës së Përjetshme të muzikologjisë shqiptare, e motor i pandalshëm i zhvillimeve muzikore në Kosovë dhe në Shqipëri, si kompozitor, studjues, publicist e propagandues i arritjeve të mëdha në muzikën tonë. Profesori universitar në Akademinë e Arteve në Tiranë, Aleksandër Peçi e cilëson si personalitet të pazëvendësueshëm dhe figurë të rëndësishme të lirisë së mendimit perëndimor kompozicional në Kosovë, me dimensione diellore, nga Eposi ynë i veriut. Ndërkaq Prof Dr Fatmir Hysi, në maj 2010, ndër të tjera do t’i shkruante: “... Ju me kolegët që iu keni pri, keni bërë që edhe muzika jonë të njohë zhvillimet demokratike europiane, duke dominuar fryma e skemantizmit, tradicionalizmit dhe e pllakateve tingullore e agjitative, deri në ato propagandistike...”. Në studimet e tij shkencore e tematike, kolosi Akil Koci konstaton se arti muzikor, duke ndjekur pikësynmet e përshfaqjes së njeriut në marrëdhëniet ballafaquese në shoqërinë dhe në botën e vet të brendshme shpirtërore, është ipso facto, jo një lulëzim në hava (ajër), por në “njohje në vetënjohje”, siç do të thoshte Th. Gotjea. Në librin, që e botoi në dy vëllime “Vibracione të shpirtit shqiptar” ka shpalosur perlat më të bukura të artit tonë muzikor, të krijuara e të qëndisura bukur nga kolegët e tij bashkëkombas. Duke pasur parasysh tërë veprimtarinë e pakrahasueshme të të madhit kompozitor Akil Koci, Akademik Vasil S. Tole e radhitë atë në mesin e kolosëve iliro-arbërorë nëpër shekuj. Po e paraqesim për korrektësi radhitjen e kolosëve të muzikës iliro-arbërore, sipas Akademikut të sipërpërmendur: • Niketë Dardani – shekulli IV, autori i Hymnit “Te Deum laudemus”, që edhe sot është hymni i lavdishëm i Kishës Katolike Universale në mbarë botën. • Jan Kukuzeli – shek. XII-XIII, autori shumë shkrimeve dhe veprave muzikore bizantine të kishës orthodokse. • Martin Gjoka – realizuesi i “Skizmës”, respektivisht i nxjerrjes së muzikës nga institucioni i kultit të kishës katolike. • Fan S.Noli – edhe ky realizues i “Skizmës” dhe kompozitor e muzikolog i devotshëm. Autor i shumë veprave simfonike, vokale dhe instrumentale. • Palok Kurti – krijues i formacionit të parë laik shqiptar. • Thoma Nashi – krijues e dirigjent i bandës së parë zyrtare të shtetit shqiptar “Vatra”. • Kristo Kono – kompozitori i parë shqiptar që ka regjistruar muzikë në pllaka gramofoni. • Preng Jakova – krijuesi i operas së parë shqiptare “Mrika”. • Çesk Zadeja (1926 – 1997) – shtylla kryesore e muzikës shqiptare në shekullin tonë. • Tish Daija – krijuesi i baletit të parë shqiptar. • Lorenc Antoni – kompozitori i parë në muzikën kosovare dhe studjues i muzikës popullore në Kosovë dhe në Shqipëri. • Akil Koci – kompozitori i parë i muzikës atonale në Kosovë dhe në Shqipëri. • Feim Ibrahimi (1936 – 1997) – inicues i tendencave për një gjuhë atonale muziokore në Shqipëri.

Siç thamë edhe më parë – Profesor Akili është edhe studjues e publicist shumë i madh. Ai, edhepse – siç thotë vetë, në moshën e tretë, është i pandalshëm dhe i palodhshëm. E mba të fortë shkollën mbretërore të muzikës, për fëmijët shqiptarë në Londër. Shkruan dhe boton libra e shumë artikuj shkencorë. Por nuk ndalet edhe në stimulimin e motivimin humanitar të krijimtarisë së njerëzve në lëmenjë të ndryshëm, për çështjen kombëtare dhe për afirmimin e popullit tonë në botë. Në këtë kontekst, qe disa vjet jep çmimin tradicional “Akil Koci”, për të arritura në fusha të ndryshme krijuese, në manifestimin tradicional në përkujtim të Shkollës së Parë Shqipe në Kosovë “Takimet e Dom Mikelit”, në Stubëll të Vitisë. Të gëzojmë o shqiptarë artdashës dhe të jemi krenarë, që po jetojmë në shekujt e krijuesit të madh të vlerave dhe të perlave të pazëvendësueshme të muzikës dhe të kulturës sonë kombëtare, krahas atyre më të zhvilluarat dhe më të ndritshmet në botë. Le të jemi krenar që patëm fatin t’u takojmë shekujve të shkëlqyeshëm të Akil Kocit. Engjëll Koliqi Gusht-shtator 2010 Stubëll (Kosovë)

Skeda:Akil Koci.jpg


Në vitin 2005 Çmimin i kompozitorit Akil Koci, e fitoi pianisti 12 vjeçar nga Tirana,Arti Marika.
Çmimi i kompozitorit Akil Koci jepet edhe në ,,Takimet e Don MIkelit,, Stubëll-Viti. Për vitin 2006 e ka fituar Kleriku Dr.Don Gjergj Gjergji për librin e botuar ,,Martirët e Karadakut,,kurse për vitin 2007 e ka fituar poeti Sarë Gjergji,për librin e poezive kushtuar Nënës Tereze. Akil Koci në Takimët e At Shtjefen Gjeqovit O.F.M. në Zym-Prizren, ku jepet Unaza e Katit,aktorës tonë të famshme donator i të cilit është kompozitori i ynë i mirënjohur Akil Koci që jeton dhe vepron në Londër-Britani e Madhe Kompozitori Akil Koci,ndan edhe dy bursa njëvjëçare në Garat Ndërkombëtare të muzikës klasike që mbahën për çdo vjet në Prishtinë dy garuesve më të mirë fituesve apsolut si dhe një shpërblimin për ekzkutimin e veprës më të mirë të kompozitorit Shqiptar,për ekzekutimin e veprës më të mirë të Mozartit si dhe disa shpërblime të tjera....



Libër kushtuar kompozitorit


Libri “Monografi për jetën dhe veprën e Lorenc Antonit”, fillon me dy parathënie të shkruara nga Spiro Kalemi dhe Robert Prenushi dhe më pas hasim në shumë kapituj ku autori, Akil Koci, përshkruan, analizon dhe bënë komente për jetën dhe veprimtarinë krijuese, pedagogjike, muzikologjike dhe asaj organizative të jetës kulturore në Kosovë, bartës i së cilës ishte Lorenc Antoni.

Koci më tepër përqendrohet në veprimtarinë e kompozitorit dhe jep komente për veprat e tija, por edhe disa nga to edhe i merr edhe për analiza, duke vlerësuar lart punën dhe veprimtarinë e kompozitorit, të cilin e quan “apostull” të kulturës kombëtare. Këtë vlerësim Koci e jep duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat në të cilat kalonte Kosova ku me ngulm vepronte Lorenc Antoni.

”Mendoj se ky është shërbimi më i mire e më me vlerë që Akil Koci i bënë kulturës shqiptare dhe në këtë shtrat vendoset edhe libri që ia ka kushtuar jetës veprimtarisë e krijimtarisë së pionierit të kulturës e muzikës të hapësirës kosovare”, shkruan Kalemi në parathënie.

Nga ky vlerësim i Kalemit vërtetojmë bindjen se autori Koci duke prezantuar të dhëna të bollshme për figurën dhe veprimtarinë e kompozitorit Lorenc Antoni nxjerr në pah kulturën kombëtare dhe traditën e zhvillimit të saj në Kosovë.

Duke lexuar këtë libër me ngjarje, dëshmi e analiza, por pa partitura, në mungesë të cilave, autori Akil Koci do që përmes këtyre shkrimeve ta prezantoj të vërtetën e kësaj figure të ndritshme në rrugën e tij të veprimtarisë pedagogjike, arsimore dhe të krijimtarisë muzikore.

Lorenc Antoni ishte mësues, themelues dhe drejtor i shkollës së muzikës në Prizren, redaktor në Radio-Prishtinë dhe produksionit muzikor në radio. Ai ishte edhe studiues dhe mbledhës i folklorit, si etnomuzikolog i cili botoi 8 libra për folklorin. Ai është një ndër pishtarët e parë të arsimit muzikor.

Filloi punën në Shkup, pas luftës së dytë me 1948 dhe me 1953 kalon në Prizren dhe fillon me punë në shkollën e mesme të muzikës si mësimdhënës dhe drejtor i shkollës deri sa kaloi në Radio Prishtinë. Autori i monografisë Akil Koci, në libër, prezanton punën pedagogjike të Lorencit, por edhe flet edhe për veprat e tij duke i cituar ato duke u përqendruar edhe në analizën e tyre.

Këto të dhëna të autorit bëhen edhe më të argumentuara, me rrëfimet dhe bisedat që Akil Koci i zhvillon me muzikologen Alma Bejtullahu, arsimtaren Vera Gashi.

Por Koci, shpreh revoltën e tij për trajtimin dhe konsideratën që kanë disa gazetarë e intelektual për Lorencin.

Lidhur me këtë ai shkruan se “nuk më habisin gazetarët e shumtë që shkruajnë për te duke e emërtuar si autodidakt, por më habisin muzikologët dhe etnomuzikologët tanë që po ashtu shkruajnë, duke e ditur fortë mirë se ky emërtim në literaturën e vendeve të Evropës nuk praktikohet për asnjë krijues i nivelit siç është Lorenc Antoni”.

Në monografi Koci, sqaron se si krijimtaria e Lorenc Antonit është e qëndisur me motivet e perlave të muzikës popullore, të cilat kompozitori i bënë si tërësi të melodisë dhe veprës së re, në një vepër artistike.

Në libër Akil Koci pyet se” ç’po bëjmë për veprën e Lorencit? Qeveritar, a e dini sa pak keni ba për 100-vjetorin e tij ?”. Me këtë autori shpreh përkushtimin dhe kujdesin e tij për vet kompozitorin dhe ndaj krijimtarisë së tij, sidomos krijimtarisë muzikore sakrale, që është ruajtur dhe botuar në radhën e veprave të botuara nga kisha katolike.

Një kapitull të veçantë në këtë libër monografik, Koci ia kushton Nënës Tereze, meqë për këtë humaniste, Lorenc Antoni pati shkruar edhe këngë.

Duke shpreh mallëngjimin për këtë figurë emblematike të muzikës në Kosovë, Koci bënë thirrje ”ku je mësuesi im Lorenc? Edhe vetë Nexhmije Pagarusha rrinte e heshtur para teje, për të dëgjuar këshillat që i jepje për të interpretuar më mirë”.

Kjo mbase ka të bëjë edhe me temat që autori Koci i prek, për këngët popullore, që në kohët e sotme po bastardohen e çoroditen dhe si për çudi këto këngë gjejnë vend në programet e radiove dhe televizioneve të Kosovës, që për fat të keq, brenda këtyre shtëpive ka edhe specialist, të cilët do të duhej të reagonin ndaj këtyre dukurive dhe zhvillimeve jo të mira.

Ky libër është një përmbledhje e vlerave jo vetëm të krijimtarisë së Lorenc Antonit, por edhe gjithë andej të artistëve dhe protagonistëve të librit të Akil Kocit.

Prezantimi i denjë i kompozitorit Lorenc Antonit përmes kësaj monografie ku autori jep sqarime të bollshme për gjithë krijimtarinë dhe idealin, ndjenjën shpirtërore të kompozitorit, për arritjen më të madhe në edukimin e brezave të ri dhe ngritjen e nivelit artistik të këtij populli, në nivelin evropian.

Mbase edhe synimi i autorit, të këtij dhe librave të tjerë të tij, është po me këtë qëllim, që vlerat tona të prezantohen në mënyrën sa më të mirë të mundshme në Kosovë, Shqipëri dhe më gjerë(Shefqet H. Hoxha )

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...