Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/02/07

Lavdosh Ahmetaj: Mbijetesa e shqiptarëve gjatë kolonizimit serb më 1878

Koncepti “KOSOVA: SERBI E VJETËR” – i shprehur dhe i elaboruar nga një prej studiuesve më në zë serbë, pikërisht historiani dhe etnografi Jovan Cvijiç , i pasuar dhe i veshur me argumente të sajuar hartografikë, etnografikë, demografikë etj., në punimet e tyre edhe nga shumë teoricienë të tjerë po serbë, si V. Gjorgjeviç2, I. Tomiç3, V. Çubrilloviq4, e të tjerë të mëvonshëm si B. Nukshiq, I. Andriq, S. Moleviq – është boshti mbi të cilin është ngritur e gjithë doktrina pansllaviste e “Serbisë së Madhe”. Dhe, duke qenë se ajo është artikuluar dhe është përpunuar nga autoritete të tilla serbe të fushës së dijes, ka marrë dhe vazhdon të ketë një jehonë, ndikim dhe rëndësi të posaçme në lëmin e doktrinave politike të gadishullit dhe më gjerë. Cvijiçi dhe të tjerë kanë shtjelluar dhe manipuluar argumente historikë dhe etnografikë për ta paraqitur Kosovën dhe shqiptarët në Kosovë si një “trup i huaj”5 në hapësirën etnografike ku ata jetojnë.
Pra, duke e parë njëherësh edhe nga pikëpamja politike, koha në të cilën është shpallur dhe ngritur në rrafsh teorik si pikëpamje nga ky studiues serb (në dy dekadat e para të shekullit 20) është pikërisht koha e ngjizjes së shtetit të ri shqiptar dhe më tej kur zhvilloheshin konferencat e mëdha europiane dhe vendosej për ekzistencën politike të shtetit shqiptar, pra ekzistencën e subjektit politik shqiptar në shtrirjen natyrore të tij; nga ana tjetër, kjo teori me pretendime shkencore prezantohet në një nga momentet më të vështira të historisë politike të shtetit shqiptar6.

Por, ku janë rrënjët e kësaj teorie? Duke hulumtuar në kohën e krijimit të shtetit politik serb, duket se origjina e saj gjendet në idetë politike të elaboruara nga Garashanini, pikërisht në vitet ‘40 të shekullit 19, kur shteti serb kishte vetëm dy dekada që ishte krijuar dhe kërkonte të zgjerohej territorialisht më në lindje dhe në jug të tij7. Por një pjesë e konsiderueshme e territorit të synuar kontrollohej ushtarakisht prej shtetit otoman. Me sa duket ishte pikërisht kjo arsye, që një nga drejtimet e politikës serbe ishte orientuar në çlirimin e këtyre territoreve dhe bashkimi me shtetin serb të Karagjorgjëve. Por njëkohësisht me këtë orientim, në politikën serbe ishte shfaqur tendenca shovene, e cila më pas u shndërrua në një vijë themelore të politikës shtetërore ose zyrtare: Në vitin 1844 ministri i shtetit serb I. Garashanin shpalli programin që do të vihej në themel të politikës serbe, e që më tej do të njihet në historinë politike europiane si “NAÇERTANIA”. Në thelb kjo teori pasqyronte këto ide:
1. Çlirimin e tokave të sllavëve të jugut nga kontrolli politik dhe ushtarak otoman, me synimin për të krijuar një shtet sipas modelit të perandorisë së Stefan Dushanit8.
2. Në kufijtë e këtij modeli shtetëror do të përfshiheshin, sipas këtij programi, edhe territore me popullsi shqiptare9, duke mos lënë jashtë edhe territorin etnik të Kosovës, që Garashanini do ta quante “Serbi e Vjetër” 10.
3. Mosnjohjen e ekzistencës së një shteti shqiptar.
4. Duke mos pranuar nevojën e krijimit të shtetit shqiptar, treva e Kosovës konsiderohej si “djepi i shtetit serb” 11, i cili vishej me dy simbole:
a. Patriarkati serb i Pejës – 1346;12
b. Beteja e Fushë-Kosovës13, e rrethuar me legjendë, në të cilën ishte shfaqur qëndresa serbe ndaj Turqisë. Ndërsa shqiptarët në sytë e Serbisë ishin një trup i huaj14; ata, sipas politikës serbe, nuk kishin kurrfarë të drejte historike dhe kulturore.
Të gjitha këto ide u bënë një politikë e përhershme zyrtare me pasoja politike për shqiptarët. Pra, ambicja serbe për krijimin e një shteti thjeshtë serb, gjë që ishte reflektuar me idenë “një shtet, një mbret, një popull” 15, nuk arrinte të merrte parasysh simbiozën e gjatë shumëshekullore të evoluimit të etnisë shqiptare dhe asaj serbe, e për pasojë kjo politikë zyrtare mund të funksiononte vetëm përmes ndryshimit të strukturës etnike. Ndërkohë, në anën tjetër gjendej një fuqi e madhe shtetërore si Rusia, e cila frymëzonte krijimin e Lidhjes Ballkanike, që përfshinte politikisht Serbinë, Bullgarinë, Greqinë, Malin e Zi, për dy arsye:
së pari, likuidimin e sundimit të Portës së Lartë.
së dyti, aneksimin e Maqedonisë, Thrakisë e Shqipërisë.
Këto u shoqëruan me deklaratën e kryeministrit Nikolla Pashiç në vitet 1919-1926 për asimilimin e shqiptarëve nga pikëpamja kulturore dhe kombëtare, e pasuar më tej nga reforma agrare e ndërmarrë nga shteti serb për të likuiduar marrëdhëniet feudale, në vitet 1932-1941. Me këtë u synua gjithashtu të dobësohej sa të ishte e mundur ekzistenca e pronës tokësore të shqiptarëve, të cilët ndiheshin pa mbrojtje dhe kujdesje shtetërore. Ndërsa pikëpamjet e Vukosavljeviqit dhe Balozoviqit shprehen në vitin 1922 në revistën “Policia” me artikullin “Kolonizimi i Kosovës”, i cili e vlerësonte kolonizimin e Kosovës si një faktor të rëndësishëm për shkombëtarizimin e trevave shqiptare; madje jepte orientimin se vetëm me një kolonizim me plan e në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, mund të kishte një sukses të përhershëm. Me këto pikëpamje afrohej edhe Gjorgje Kërstiqi, në punimin e tij Kolonizimi i Serbisë Jugore, ku vlerësohet çështja e kolonizimit si çështje shtetërore e dorës së parë, duke zbatuar në mënyrë korrekte nacionalizimin dhe asimilizimin e trevave problematike. Kërstiqi propozonte miratimin e një ligji, i cili të krijonte mundësinë e përmbushjes së interesave të pakicës serbe; një ligj i tillë do të krijonte një lidhje të ngushtë dhe marrëdhënie intime të kolonëve serbë me elementin vendas.

Ky orientim pasohej nga orientime të tilla, si: të mos ndërhyhej në punën e autoriteteve agraro-kolonizuese dhe aktiviteti i tyre të motivohej vetëm nga arsyet shtetërore, në mënyrë që vendosja e kolonëve të bëhej e mundur në viset në kufi me Shqipërinë, duke ndërprerë kështu lidhjen me etninë mëmë, dhe asimilimi i shqiptarëve në Jugosllavi të ishte sa më i lehtë. Por e gjithë kjo teori do të ishte pa efektivitet, nëse nuk do të institucionalizohej; kështu u angazhuan Ministria e Reformës Agrare dhe organet vartëse, si Drejtoria e Lartë Agrare e Shkupit. Ajo që është më e rëndësishme, duke e parë nga pikëpamja e teorisë së shtetit, është fakti se këto ide dhe orientime të Gjorgje Kërstiqit u përvetësuan në të gjitha instancat nga aparati shtetëror, i cili, me ndihmën e mjeteve të informimit publik, ndikoi edhe në opinionin e gjerë jugosllav.
Ndërsa sipas Çubrilloviqit16, problemi shqiptar në jetën etnike dhe shtetërore serbe nuk ishte çështje e kohëve moderne, por ky problem ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm qysh gjatë mesjetës dhe mori rëndësi vendimtare nga fundi i shekullit 17, në kohën kur masat serbe u zhvendosën në drejtim të veriut nga tokat e dikurshme të vjetra të Rashkës, dhe në vend të tyre u vendosën malësorët shqiptarë17. Po sipas tij, shqiptarët gradualisht kanë zbritur nga malet e tyre dhe janë vendosur në fushën pjellore të Metohisë e Kosovës, duke depërtuar në veri dhe duke u përhapur në drejtim të Moravës Jugore e Perëndimore; ata nëpërmjet Sharrit zbresin në drejtim të Pollogut dhe prej andej në drejtim të Vardarit. Sipas Çubrilloviqit, kjo ishte mënyra e lëvizjes kolonizuese shqiptare deri në shekullin 20 dhe, për pasojë, “ata kishin arritur të krijonin trekëndëshin shqiptar, i cili, duke u mbështetur në boshtin e vet Dibër-Rogozna në prapavijën e vet etnike, duke u futur thellë deri në Nish, ndau tokat tona të vjetra të Rashës nga Maqedonia dhe Lugina e Vardarit”18. Kjo pykë shqiptare, vijon ai, me elementë anarkistë shqiptarë19, ishte pikërisht faktori që përgjatë shekullit 20 arriti të ndërpriste komunikimin kulturor dhe etnik serb midis tokave të veriut dhe jugut. Kjo ishte arsyeja kryesore pse Serbia vetëm në vitin 1878, nëpërmjet Vranjës e Malit të Zi të Shkupit, krijoi dhe mundi të mbajë lidhje të vazhdueshme me Maqedoninë, e për pasojë të ketë ndikim kulturor e politik në Luginën e Vardarit, për shkak të lidhjeve gjeografike-rrugore e traditave historike në ato treva. Pikërisht këtë pykë etnike shqiptare filloi ta copëtonte shteti serb20 qysh në kryengritjen e parë, duke dëbuar banorët shqiptarë.

Me interes është pikëpamja e Çubrilloviqit në lidhje me ambicjen e politikës serbe në shërbim të kolonizimit, e cila shoqërohet me një kritikë të ashpër ndaj metodave të ndjekura deri më atë kohë. Sipas tij, nuk kishin dhënë rezultatet e duhura “metodat e deritanishme të politikës sonë të kolonizimit në jug nuk kanë dhënë ato rezultate të cilat në të vërtetë duhej t’i arrinin dhe që tani qëndron si detyrë e jona e madhe shtetërore” 21.
Kolonizimi i trevave të Kosovës merrte një rëndësi jetike nga pikëpamja shtetërore për teoricienët akademikë serbë, e kjo duket edhe më mirë në kohën kur akademiku i mirënjohur Çubrilloviq i konsideronte trevat e veriut dhe të jugut të Malit të Sharrit si diçka jo të rastit. Ky bllok, sipas tij, ishte i një rëndësie të veçantë nacional-shtetërore e strategjike për shtetin serb. Duke iu referuar po atij, duket se politika kolonizuese nuk ishte një politikë afatshkurtër, por përkundrazi, ajo në thelb ishte e vazhdueshme, për më tepër referimi i origjinës së krijimit të shtetit serb, duke filluar që nga shekulli 9, është mbështetur gjithnjë në kontinuitetin e atij ekspansioni, si dhe të tokave të vjetra të Rashës, në të gjitha drejtimet, madje edhe në drejtim të jugut.

Pra, ajo që përbën njëherash edhe demagogjinë e teorisë kolonizuese të shtetit serb është se kjo vazhdimësi ishte ndërprerë nga shqiptarët dhe, përderisa të rivihet lidhja e vjetër e pandërprerë midis Serbisë e Malit të Zi me Maqedoninë në gjerësinë e saj nga Drini deri në Moravën Jugore, politikisht shteti i Serbisë nuk do të ishte i qetë dhe i sigurt në posedimin e kësaj toke. Kjo bëhej për të arritur mundësinë e lidhjeve etnike midis Maqedonisë dhe kjo do të realizohej kur të kishte mundësi lidhëse nga pikëpamja etnike me tokën amë serbe, të cilat nuk i kishin arritur ende. Kjo do të realizohet nëse do të shkatërrohet blloku etnik shqiptar, i cili sipas studimeve të tyre kishte disa favore dhe disfavore për politikës shtetërore serbe:
së pari: pjelloria e grave shqiptare,
së dyti: ndjeshmëria e shqiptarëve ndaj çështjes së tyre,
së treti: kjo racë është e rrënjësuar me gjuhën dhe pronat,
së katërti: shqiptarët janë të aklimatizuar.
Por cilat janë problemet që do të lindin përgjatë kolonizimit?
1. Vëmendja e doktrinës kolonizuese është përqendruar në trevat jugore dhe pikërisht në malet e Sharrit, për shkak se, pikërisht përqark këtij mali, ose blloku etnik shqiptar, teorikisht dhe praktikisht shikohet nga pikëpamja ushtarake-strategjike, për shkak se zinte një pozitë nga më të rëndësishmet për ekspansionin serb, për “vendshpërndarjen e lumenjve ballkanikë në drejtim të detit Adriatik, Detit të Zi e të Egjeut” 22.
2. Ishte pikërisht mbajtja e kësaj pozite strategjike, ajo që vendoste në një masë të konsiderueshme fatin e Ballkanit Qendror, por për më tepër fatin e komunikacionit shumë të rëndësishëm ballkanik Moravë-Vardar23.
3. Nacionalizimi i krahinës përreth maleve të Sharrit konsiderohej varrosja përgjithnjë e çdo lloj irredentizmi dhe njëherësh realizimi përgjithnjë i pushtetit në tokat në fjalë, e kjo konsiderohet e realizuar nga pikëpamja kolonizuese në rastin kur kolonitë serbe që do të zbrisnin nga tokat e veriut, do të takoheshin me njëra-tjetrën në Kosovë dhe në Metohi, pra rreth maleve të Sharrit, të Pollogut, në mënyrë që të mos kishte hapësira deri në trevat e banuara nga popullsi maqedonase.
Por ajo që ishte më e rëndësishme, sipas Çubrilloviqit, ishte shpërngulja në masë e shqiptarëve, që do të thoshte ndërprerja e lidhjeve të fundit midis muslimanëve të Bosnjes dhe të Novi Pazarit, si dhe botës tjetër muslimane24. Por ajo çka i shqetësonte teoricienët akademikë ishte fakti se ajo që do t’i shpëtonte këto shpërngulje masive, ishte fakti se ato shndërrohen në pakica fetare, e vetmja pakicë në Ballkan do të shpejtojë nacionalizimin e tyre25.
Por shpërngulja graduale (kolonizimi gradual) dukej se nuk ishte shumë me efikasitet, për shkak se shqiptarët ishin i vetmi popull që kishte arritur që përgjatë mijëvjeçarit të fundit, jo vetëm kishte rezistuar në bërthamën e shtetit serb të Rashës e Zetës26, por mbi të gjitha kjo epiqendër etnike sillte pasoja të tjera; kështu dëmi më i madh që mund t’i sillte shtetit serb ishte fakti se kjo masë etnike shumë vitale bënte të mundur shtyrjen e kufijve etnikë në drejtim të veriut dhe lindjes. Pra, duke e studiuar në këtë pikëpamje kolonizimin e trevave shqiptare, mendohej se mjeti më i mirë gjendej tek përdorimi i brutalitetit shtetëror, përmes një organizimi shtetëror i cili nuk ishte përdorur në mënyrë efikase mbi etnitë problematike për politikën shtetërore serbe.

Teorikisht të bën përshtypje kritika ndaj shtetit, i cili, sipas Çubrilloviqit, nuk kishte qenë i suksesshëm për shkak se, duke filluar që nga viti 1912, nuk kishte një sukses të dukshëm mbi arnautët ose mbi shqiptarhanen, sikundër theksojnë teoricienët e kolonizimit serb. Kjo mënyrë trajtimi duket se e ka shqetësimin tek fakti i një lidhjeje organike shqiptare midis etnive shqiptare në territorin politik jugosllav, me Shqipërinë politike, sidomos pas shpalljes së pavarësisë politike shqiptare27, e cila nuk bënte gjë tjetër veçse arrinte të zgjonte ndjenjat nacionale; gjë kjo që e vinte politikën serbe në një pozicion tërësisht ultranacionalist, e kjo duket në atë që theksonte Çubrilloviqi se, “nëse nuk do të qëronin hesapet me shqiptarët në kufi, atëhere për 20 deri në 30 vjet do të kishte një lëvizje irredentiste të tmerrshme, gjurmët e së cilës ishin duke u dukur përgjatë fillimit të shekullit të njëzet, gjurmët e së cilës tashmë po duken dhe në mënyrë të pashmangshme do t’i vënë në pikëpyetje të gjitha zotërimet tona në jug” 28. *Rektor i Universitetit “Pavarësia”, Vlorë

Kadare: Regjimi s’më dënoi, kaq mjaftoi të më quanin mik


Shkrimtari Ismail Kadare konsiderohet sot në Shqipëri si një nga “baballarët e kombit” bashkë me Ibrahim Kodrën, i cili ka jetuar në Milano prej vitit 1938, ndarë nga jeta disa vjet më parë, i konsideruar nga postkomunistët si artist i “djathtë” ndaj dhe i varrosur forcërisht në Ishëm, në Shqipëri, pa dëshirën e tij. Por le të kthehemi te Kadareja, sot 76 vjeç, që prej 1990-s, pasi kërkoi azil politik në Francë, jeton në Paris, në ekzil. Kohët e fundit nga ky shkrimtar ka dalë në Itali nga botimet “Fandango” “L’occhio del tiranno” (“Syri i tiranit”), një roman kundër diktaturës së Enver Hoxhës, diktatorit të pashpirt komunist, që ka mbajtur nën presion Shqipërinë për 40 vjet, deri në vdekjen e tij në vitin 1985.
Një libër prej rreth 80 faqesh, por me një forcë të jashtëzakonshme, me një kurajë ekstreme, që tregon ashpërsinë e kësaj diktature nacional-komuniste, që izoloi vendin nga e gjithë bota, në një mënyrë që nuk ka të ngjarë, mjaft të mendosh për shkatërrimin ambiental që diktatori ndërmori duke ndërtuar përgjatë brigjeve të Shqipërisë mijëra bunkerë prej çimentoje, sikur Shqipëria do të pushtohej nga momenti në moment nga vendet fqinje. Kadare ka treguar për vendin e tij, burgun e madh të ndërtuar nga diktatori, i cili u tregua i aftë të bëjë të vetin atë dekret të verbër të shpikur nga sulltani në një territor të Perandorisë Osmane, për kë “njollosej” nga “syri i keq”; ata të rrëfyerit apo vetëm të dyshuarit, dënoheshin me verbim. “Kjo çështje përfshinte të gjithë shkrimtarët më të njohur të vendeve komuniste. Më ka ndodhur edhe mua. Regjimi nuk më dënoi dhe kaq mjaftoi për të më quajtur mik. Theksoj: dekreti është i verbër”. Romani “Syri i tiranit” është një përkthim i lirë i titullit shqip e frëngjisht “Qorrfermani”, i shkruar nga Kadare 28 vjet më parë. Dorëshkrimi ka qenë i ruajtur në një kasafortë banke, në Bankën e Shtetit, plot katër vjet para publikimit në frëngjisht, i cili ndodhi një vit pas largimit të Kadaresë nga Tirana me vetëm një biletë vajtjeje. Por, si këto dorëshkrime të autorit, të cilat kanë dalë fshehurazi nga atdheu, ka pasur edhe të tjera. Ato lanë vendin përpara tij në valixhen e presidentit të shtëpisë botuese “Fayard”, Claude Durand.
Romani përshkruan botën komuniste shqiptare, i mbushur me spiunë, ftesa për denoncime, dyshime, akuza, hakmarrje të çdo lloji. Në këtë roman të shkurtër apo tregim të gjatë prej 80 faqesh, personazhet janë shqiptarë e jetojnë të gjithë në Perandorinë Osmane, ndoshta në Stamboll, por me problemet tipike të Shqipërisë komuniste.
Në vendin e shqiponjave nuk u zhvillua destalinizimi si në ish-Bashkimin Sovjetik pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953 dhe pranimit të krimeve nga ana e Hrushovit. Fatkeqësisht, në Shqipëri stalinizmi vazhdoi të jetonte deri në vitin 1990. Enver Hoxha goditi gjithçka qorrazi, ashtu si thotë edhe titulli i romanit, u eliminuan ministra, drejtues, funksionarë, me dëshirën e “shefit”. Ligji i tiranit u aplikua pikë për pikë. Kadare jetonte nën survejim. Në vitin e Orwell-it, pra në 1984, Kadare mendonte se do të vdiste në një vend komunist dhe nuk do të mund të shihte rënien e komunizmit në vendin e tij. Me thënë të vërtetën, as shërbimet sekrete më të rëndësishme në botë nuk e kishin parashikuar rënien e regjimit komunist në Shqipëri, shenjë kjo, që diktatori kishte ditur të ngrinte në këmbë një prej regjimeve më të pamëshirshme në botë.
Carlo Franza*
(*Marrë nga gazeta italiane “Libero”)
Panorama.al
 

Prof.Dr.Ferid Duka: Sfida shqiptare ndaj shtetit osman: Pashallëku i Shkodrës


Dobësimi i pandërprerë i sistemit të timarit, e bashkë me të, edhe thellimi i krizës politike dhe ekonomike të Perandorisë Osmane u reflektua me një varg ndryshimesh në gjendjen politike të viseve shqiptare gjatë shek. XVIII. Shtresa sipërore e shoqërisë shqiptare, duke përfituar nga blerja në kushte mjaft të favorëshme e taksave shtetërore (iltizami), zgjerimi i sipërfaqeve të pronave tokësore nëpërmjet blerjes së çifligjeve, si dhe privilegje të tjera të akorduara nga pushteti qendror, u fuqizua së tepërmi, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht.



Të gjitha këto dukuri çuan në një rivalitet të ashpër midis njerëzve influentë (ajanëve) në krahina të ndryshme shqiptare, gjë që u shoqërua me një sërë konfliktesh të armatosura. Pashallarët dhe bejlerët që mundën të dalin fitues në këtë rrëmujë politike, që mbizotëroi më se gjysëm shekulli në tokat shqiptare, i konsoliduan më shumë pozitat e veta politike dhe ekonomike në vend.
Në sanxhakun e Shkodrës, për një kohë të gjatë, rivalizuan midis tyre familjet e fuqishme të Begollajve të Pejës, Çaushollajve dhe Bushatllinjve të Shkodrës. Më së fundi, familja e Bushatllinjve arriti të triumfojë dhe përfaqësuesi i saj Mehmet Bej Bushatlliu, më 1757, arriti të shkëpusë nga sulltani titullin “Pashë” dhe të emërohet mytesarrif i sanxhakut të Shkodrës. Me ardhjen në krye të sanxhakut të këtij pinjolli të familjes së Bushatllinjve, në të vërtetë, u përurua sundimi i pandërprerë 75 vjeçar i Bushatllinjve në hapësirën e sanxhakut të Shkodrës, duke themeluar në këtë mënyrë pashallëkun me të njëjtin emër.
Brenda disa vitesh, Mehmet Pashë Bushatlliu mundi të likujdojë kundërshtarët e vet dhe të vendosë rregull dhe qetësi në territorin e pashallëkut. Ai mundi të bëjë për vete malësorët, të cilët i ofruan kontigjentet e nevojshme për të krijuar një ushtri të fuqishme për kohën. Kjo i shërbeu Mehmet Pashës si avantazh për të nisur luftën kundër pashallarëve të tjerë shqiptarë, duke zgjeruar ndikimin e vet deri në Shqipërinë e Mesme. Për këtë qëllim, ai mundi ta bindë sulltanin që të emëronte të birin Mustafa Pashën, mytesarrif të Dukagjinit e, më pas, të sanxhakut të Elbasanit. Mirëpo synimet e pashait shkodran për ta shtrirë pushtetin e vet drejt jugut ndeshën jo vetëm në reagimin e sundimtarit të Beratit Ahmet Kurt Pashës, por ngallën dyshime edhe në oborrin e sulltanit. Për këtë arësye, më 1775, Porta e Lartë e eleminoi Mehmet Pashën me anë të helmimit dhe në vend të tij emëroi Mehmet Pashë Kystendilin. Ky emërim nuk u pranua nga qarqet influente të Shkodrës, prandaj, më në fund, sulltani emëroi si mytesarrif të Shkodrës, Mahmut Pashë Bushatlliun, një nga djemtë e Mehmet Pashës.
Mahmut Pasha i vuri vetes si qëllim themelor zgjerimin progresiv te kufinjve të pashallëkut, duke e dobësuar gjithnjë e më tepër vartësinë e tij ndaj pushtetit qëndror osman. Me një energji të jashtëzakonshme Mahmut Pasha korri një varg fitoresh të rëndësishme, përsa i përket zgjerimit dhe forcimit të pashallëkut të Shkodrës, gjë për të cilën ai fitoi dhe epitetin “Kara” (i zi, i tmerrshëm), çka do të bëhet këtej e tutje pjesë e pandarë e emrit të tij. Në qershor të vitit 1785, ai futi nën sundimin e vet Malin e Zi, popullsinë e të cilit e detyroi t’i paguante një tribut të caktuar. Më pas, Kara Mahmut Pasha marshoi me ushtrinë e vet drejt jugut, duke thyer rezistencën e rivalëve të vet në Shqipërinë e Mesme. Ai doli, gjithashtu, fitues në betejat me rivalin e tij kryesor, Ahmet Kurt Pashën, duke arritur me ushtrinë e tij deri në Lushnje, Elbasan dhe Korçë.
Forcimi i shpejtë i pushtetit të Kara Mahmut Pashës shkaktoi shqetësim në Stamboll. Sulltani me ferman të veçantë shpalli shkarkimin e pashait nga posti i kreut të pashallëkut dhe nisi kundër tij një ekspeditë ushtarake. Mirëpo në betejën e zhvilluar në Kosovë me forcat osmane, në vitin 1785, Kara Mahmut Pasha doli triumfues. Kjo ia shtoi famën pashait shkodran, ndaj dhe disa fuqi evropiane, kundërshtare të Perandorisë Osmane, tentuan të hyjnë në lidhje me të.
Duke sfiduar gjithnjë e më shumë pushtetin qëndror, më 1786, Kara Mahmut Pasha thirri në Podgoricë një kuvend të përgjithshëm, me përfaqësues shqiptarë nga pashallëku, ku morën pjesë edhe përfaqësues nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina. Pjesëmarrësit e kësaj mbledhjeje u morën vesh për bashkimin në luftë kundër shtetit osman, duke formuar edhe një lloj aleance të quajtur “Konfederata Ilirike”.
Një vit më vonë, duke përfituar nga angazhimi i shtetit osman në luftën me Rusinë, Kara Mahmut Pasha nisi kryengritjen kundër Portës së Lartë. Beteja që u zhvillua midis forcave të tij dhe atyre qeveritare u fitua përsëri nga të parat. Pas disa vitesh qeverisjeje gjysëm të pavarur, Kara Mahmut Pasha u shkaktoi një tjetër humbje të rëndë forcave të Portës së Lartë, më 28 nëntor 1793. Më pas, ai e shtriu me tej sundimin e vet duke marrë Dibrën dhe Prizrenin, mirëpo më 1796, gjatë një sulmi kundër Malit të Zi, Kara Mahmut Pasha mbeti i vrarë, duke mbyllur kështu kapitullin më të lavdishëm të historisë së Pashallëkut të Shkodrës. Pas vdekjes së Kara Mahmut Pashës, pashallëku i Shkodrës shkoi drejt rënies. Pasardhësit e tij në krye të pashallëkut qeverisën përgjithësisht duke iu bindur Portës së Lartë. Sundimtari i fundit i pashallëkut të Shkodrës Mustafa Pashë Bushatlliu (1811-1831) arriti ta rimëkëmbë në një farë mënyre pashallëkun, por ai, duke pasur frikë nga rivali i tij jugor Ali Pashë Tepelena, u përpoq të kishte marrëdhënie besnikërie me Stambollin. Madje, Porta e përkrahu pashain shkodran për forcimin dhe zgjerimin e pashallëkut të tij drejt jugut, per ta patur si kundërpeshë ndaj Ali Pashës.
Gjatë viteve 1821-22, sundimtari i Shkodrës mori pjesë në ekspeditat e sulltanit kundër Ali Pashë Tepelenës dhe kundër revolucionit grek. Veçse pas një kohe të shkurtër, kundër dëshirës së Portës së Lartë, ai me forcat e veta braktisi frontin e luftimeve. Kundërshtar i reformave të ndërmara nga sultan Mahmudi II, Mustafa Pasha gjatë luftës ruso-osmane të vitit 1828-29 u përpoq që në fillim të mbajë anën e rusëve, e më pas marshoi kundër tyre. Pas një disfate në Stamboll, në tetor 1829, u detyrua të tërhiqet në Shkodër.
Në kuadër të operacionit të përgjithshëm për rivendosjen e autoritetit të Portës së Lartë në Shqipëri, sulltani dërgoi kundër sundimtarit të Shkodrës një ekspeditë ushtarake të kryesuar prej Mehmet Reshit Pashës. Pas disa betejave që u zhvilluan midis dy palëve, Mustafa Bushatlliu u detyrua të tërhiqej në Shkodër dhe të mbyllej në kala. Pasi qëndroi i rrethuar për 6 muaj, në nëntor të vitit 1831, ai u dorëzua dhe me ndërmjetësinë e kancelarit austriak Meternih-ut, siguroi faljen nga sulltani. Kjo ngjarje shënoi fundin e pashallëkut të Shkodrës, e bashkë me të, edhe fundin e sundimit të Bushatllinjve.
Bushatllinjtë u larguan nga skena politike e Shqipërisë osmane, por emri i kësaj familjeje, bashkë me trashëgiminë e vyer që vjen nga koha e pashallëkut, mbeten edhe sot e kësaj dite të ngulitur në kujtesën e shqiptarëve. Sundimtarët Bushatllinj zhvilluan më tej kulturën e tolerancës dhe të respektit të ndërsjelltë midis komuniteteve fetare, duke i kushtuar rëndësi të veçantë afrimit të elementit katolik dhe rritjes së rolit të tij si faktor politik dhe ushtarak në territorin brenda juridiksionit të pashallëkut të tyre.
Kur flitet për familjen e Bushatllinjve dhe rolin e saj në historinë shqiptare është e pamundur të mos vihet në dukje interesimi që pinjollët e saj të shquar treguan për kulturën, letërsinë dhe artin. Në sarajet e pashallëkut u krijua një bibliotekë me një fond të pasur librash e dorëshkrimesh, të cilat fatmirësisht kanë mbrritur deri në ditët tona dhe sot janë bërë pjesë e fondeve të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Riciklimi i tezave anti-shqiptare të shek 19 në masmedian shqip-shkruese


    Nga Fatbardha Demi

(Mjer’ ai që i jep puthjen e tradhtis’ kombit të vet, Mëmëdheut dhe të birit të të lartit Zot në qiell! (Naim Frashëri «Dëshira e vërtetë e shqiptarëve»)

Është vënë re, në harkun e viteve të fundit, mbi bazën e metodës «moderne» të shtjellimit të Historisë dhe në emër të “së vërtetës historike”, në fakt lexojmë shpalosjen e tezave anti-shqiptare të dy shekujve të fundit (19-20) mbi historinë e popullit, figurat e shquara dhe Shtetin Shqipëtar. Këtë dukuri, na e zbulojnë edhe disa shkrime-analizë të autorit Pirro Priftit si: «Lidhja e Prizrenit – Lidhja që zgjoi shqiptarizmin por copëtoi territoret shqiptare»(1), «Rrënimi i ‘Shtëpisë së Pavarësisë’ – një goditje e pabesë ndaj Rilindasve» (2) «Censusi – Një Atentat kundër Komunitetit Ortodoks shqiptar » (3), «Patriot, Ali Pashë Tepelena!? Kjo është butafori politike» (4)

Boshti rreth së cilës shtjellohen këto shkrime është: Shqiptarët janë fajtorë për copëtimin e trevave të tyre, për urrejtjen, shovinizmin dhe genocidin e ushtruar nga fqinjët e tyre, se Shteti shqiptar po bën një luftë të fshehtë ndaj komunitetit fetar ortodoks, dhe «politika bizantine shqiptare… ka reminishencat raciste, osmane në kuptimin e drejtimit të vëndit dhe të marëdhënieve me jashtë » (3) Përfundimisht, vlerësimi i autorit për vendin tonë është: «me sa duket po vërtetohet historia e fshatit të pasur që pinte ujë nga burimi i ujit që të bënte të çmendur. Çdo njeri që vinte të punonte dhe të banonte në atë fshat, duhej ta mendonte se, donte s`donte do të çmendej dhe budallallepsej si fshatarët e fshatit. Kjo është Shqipëria»! (4) Për hir të së vërtetës, burimi i kësaj «fabule» vjen nga ish-kryeministri dhe presidenti i Greqisë Kostandin Karamanlis, i cili e përshkruante vendin e tij si një “azil i madh të çmendurish” (Robert D.Kaplan – Vepër e cituar, f.40).(5)

Përse duhet t’iu kushtojmë vëmendje shkrimeve që haptas janë sajesa dhe s’kanë asnjë mbështetje të fakteve historike ?

Siç shprehej studiuesi i metodës historike Marc Bloch, edhe në shkrimet ku shtrëmbërohet historia, studiuesi mund të gjej fakte që plotësojnë pasqyrimin e realitetit të kohës. Në këtë kënd-vështrim, dobia e trajtimit të këtyre shkrimeve, është se këto ide, vërehen edhe në disa shkrime, debate televizive dhe media elektronike të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Pra është një realitet i sotëm i medias dhe ideve që qarkullojnë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. Sikurse edhe në shkrimet e lartpërmendura, ato shpesh trazohen, si kashta me grurin, me data dhe ngjarje historike (shpesh jo të sakta), por të shkëputura nga zhvillimet politike ndërkombëtare dhe të vendit, të kohës në fjalë dhe të komentuara së prapthi. Sipas analistit të shquar italian Marco Travaglio, kjo dukuri ka qëllime thjesht politike, sepse „Duke luajtur me fjalët mund t`i manipulosh faktet dhe në përfundim, të gjith memorjen kolektive” (6)

Tezat që shpalos autori mbi figurat dhe ngjarjet historike të shqiptarëve, pasqyrohen në shtypin dhe dokumentat historike, që i përkasin periudhës së shk19-20 mbi “Çështjen Shqiptare” të përdorura nga shtetet fqinj dhe Fuqit e Mëdha. Për rrjedhojë, në të gjitha shkrimet e lart-përmendura nuk ka asnjë “trajtim modern të temës historike”, por kemi thjesht një riciklim të tezave të vjetra anti-shqipëtare, që janë përdorur për qëllimin e copëtimit dhe të zhdukjes së Shtetit dhe popullit shqipëtar.

Një nga tezat qëndrore është ajo e «fajësise» së shqiptarëve si bashkë-punëtorë të forcave pushtuse. Kjo tezë nuk është e panjohur për popullin tonë, për faktin e thjeshtë se për këtë «arsye» edhe në ditët e sotme, një pasuri e madhe (në kohën e genocidit të Zervës, e vlerësuar në 20 deri 30 milion franga ari) (letër e M.Frashërit dërguar MPJ, Tiranë F.142 “Dokumente për Çamërinë”) në monedhë, tokë dhe ndërtesa, pa llogaritur donacionet milionëshe të shqiptarëve për Kishën e tyre Autoqefale ortodokse, akoma shfrytëzohet, jo nga pronarët e ligjshëm, sipas konventave të BE-së, por nga fqinji ynë jugor, anëtar i BE-së. Nuk lejohen të qarkullojnë të lirë banorët autoktonë çamë, e drejtë e aprovuar nga BE-ja dhe mbi të gjitha, mbajtja me kokë-fortësi e «Ligjit të Luftës » (28 tetor 1940) dhe ideollogjisë shoveniste «Vorio-epirote» (ku shqiptarët paraqiten si pushtues të tokave greke) midis dy anëtarëve të të njejtit bllok ndërkomëbetar ushtarak NATO-s, gjë që na bën të mendojmë, se qënja në BE apo organizma ndërkombëtarë, nuk garanton TË DREJTAT E NJERIUT dhe të Shtetit Shqipëtar.

Në shërbim të kësaj teze, autori në mënyrë të përsëritur mundohet të na ndërgjëgjesojë për shkakun e “vërtetë” të genocidit ndaj shqipëtarëve, të popullsive sllavo-ortodokse: «se klasa e pasur shqiptare e lidhur kokë e këmbë me Perandorinë osmane, është fajtore si për cungimin (e trojeve) dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë… sepse këta pashallarë në krye të sanxhaqeve ushtruan dhunë edhe ndaj popullatave sllave, rumune dhe greke» (4)

Njohja me historinë e popujve të Europës dhe ata ballkanik, do ta ndihmonin autorin të mësonte se, fiset aziatike osmane ishin numerikisht të papërfillshëm në krahasim me popujt dhe vendet që pushtuan. Se këta ndoqën të njejtën metodë, si fiset kalorës (Gotet, Burgundet, Franket, Avarët etj.) të para dhjetra shekujve në Europën Veriore dhe Qëndrore, të cilët shfrytëzuan popujt që pushtuan, për “material” njerëzor, ushtarak dhe administrative, duke i vënë në shërbim, apo si skllevër të tyre. Kësaj praktike, nuk i ka shpëtuar as populli ynë i pushtuar. Në fakt, kjo metodë u përdor, pa asnjë ndryshim edhe në shk 19-20 ndaj trevave dhe popullsisë shqipëtare, nga Mbretëritë dhe Shtetet sllavo-ortodokse me ndihmën e paçmueshme të faktorit fetar, islamo-ortodoks.

Dëshmi të vlefshme se si funksiononte administrata turke, na e ka sjellë Edith Durham (e ripohuar edhe nga Faik Konica në botimin «Ju rrëfej grekët»): “Sulltani (çështjen e fesë) ia shiti ofruesit më të lartë (Patriarkanës greke në Stamboll-shën im). Shuma të mëdha qenë paguar (nga grekët) dhe këto nxireshin prej tagra-mbledhësve kishtarë nga turma të mjera, të cilët dridheshin nga këta tagrambledhës më shumë se sa nga Turqia” (7) Shumë dëshmorë të luftës çlirimtare si, Petro Nini Luarasi, por edhe bashkë-luftëtarët besimtarë ortodoksë shqipëtare si Papa Kristo Negovani, i vëllai Papa Theodhosi dhe nipi Vasil Gjergji, At Stath Melani, At Naum Cerja, Jani Vellaraj, Vasil Gjergji etj, janë shprehje e kundërshtimit të këtij bashkëpunimi anti-shqiptar të institucioneve fetare me Perandorinë Osmane. Njohësi i dokumentave arkivore mbi historinë mesjetare të popujve ballkanik, Veis Sejko, duke folur për qëndrimin kolektiv të klasës sunduese të tyre, ndërmjet shëmbujve të tjerë, pohon se: “Paria sërbe historikisht ka qënë në shërbim të të huajit. Nuk është rastësi që krye-kreshniku popullor serb i epikës serbo-kroate, Kraleviç Marku është tradhëtari më i madh i atdheut” (8)

Autori i shkrimeve, nxjerr përfundimin “llogjik” se edhe vendimet e Kongresit të Berlinit janë një rrjedhojë e natyrshme, sepse “ky bashkë-punim me Sulltanin”: «Krijoi një mosbesim të thellë tek fqinjët kristianë ballkanas (por sigurisht edhe tek anëtarët e Kongresit të Berlinit) për shkak se po ata bejlerë e pashallarë shqiptarë që i shërbenin Perandorisë turke deri para humbjes së luftës (ruso-turke shen im) dolën papritur si `anti-turq` por thjesht për të ruajtur privilegjet dhe tokat duke iu servilosur vendeve perëndimore dhe Rusisë» (lidhja) Për rrjedhojë, vendimi i Fuqive të Mëdha “Automatikisht pa dashje, copëtoi tokat shqiptare të cilat identifikoheshin si toka të Perandorisë turke nga Rusia, vendet perëndimore dhe fqinjët ballkanas”. (lidhja). Autori na siguron (gjithmonë pa fakte arkivore apo studimore) se “klasa sunduese shqiptare sundonte edhe popujt e tjerë të krishterë të Ballkanit si `dora e fortë` e Sulltanit”dhe «për popullatat jo shqiptare ballkanike, shqiptarët nuk shiheshin si popullatë e pushtuar, por si popullatë që së bashku më boshnjakët shiheshin si bashkë-pushtues ».(1) Gati-gati të krijohet bindja se sundimi afro 500 vjeçar i popujve të Ballkanit, ka qenë osmano-shqiptar dhe të gjitha këto për faj «të klasës së pasur shqiptare »!

Mirëpo faktet historike, që për fat të keq në tekstet mësimore pasqyrohen shumë të reduktuara apo të seleksionuara, ku mungojnë statistikat e krimeve dhe dëmeve, si dhe i rëshqasin autorsisë së atyre që i kanë kryer, dëshmojnë se “Kongresi i Berlinit (13qershor-13 korrik 1878) u mbajt pikërisht për të harmonizuar, interesat e ortodoksisë dhe katolicizmit, duke e shndëruar Shqipërinë etnike, atë kohë me rreth 114.728 km², në gjah të Rusisë…” (9) Ky fakt mbështetet edhe nga tej-zgjatja kohore, 35 vjeçare qe ju desh Fuqive të Mëdha “të merreshin vesh ndërmjet tyre”, nga kundërshtimi i armatosur shqiptar, si dhe nga emrat dhe arsyet e përfituesve kryesorë të këtyre vendimeve. Përfundimisht, në arenën ndërkombëtare “Çështja shqiptare” u mbyll me Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht1913) ku Sërbia përsëri “u rrit me 39.000 km² , duke i marrë Shqipërisë 1.290.000 banorë, ose 55% te banorëve të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit me 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.”(10) Atëhere, përse akuza absurde e “fajësisë” se shqiptarëve, është përdorur në dokumentet historike të shk 19-20 nga ana e fqinjëve të saj, dhe ka nxjerre kryet edhe në shk 21?

Përdorimi i akuzës së fajësisë, në të gjitha kodet penale lidhet me përgjegjësinë, pra edhe me dënimin e fajtorit

Gjithashtu terrmi «fajtor» lidhet me termin «rrezik» për të tjerët, pra justifikon “të drejtën” e tjetrit për «sigurinë e vetes». Të gjitha këto qëndrojnë, në rast se bëhet fjalë për FAKTE TË VËRTETA. Por, sipas një thënie të Çurçillit: “sa të vesh e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron rreth botës” dhe ky është rasti i fqinjëve tanë. Në kohën që u Krijua Lidhja e Prizrenit, si organizëm politik dhe ushtarak për të mbrojtur trevat dhe krijimin e një Shteti shqiptarë, “Gazetat zyrtare shkruajnë se tani Serbia po kërcënohet më shumë se asnjëherë nga Perandoria Osmane (nënkupto shqiptarët). Lidhja qe kanë bërë shqiptarët (e Prizrenit) po trajtohet si një gjë shumë serioze dhe shumë e rrezikshme për serbët”. (11) Për tu mbrojtur nga ky “rrezik” dhe për “sigurinë” e të gjitha vendeve ballkanike “Greqia mori inisjativën e krijimit të një Lidhjeje Ballkanike (18.8.1912 ). Ajo u propozoi qeverive bullgare, serbe e malazeze, themelimin e një aleance katër-palëshe që do të kishte si synim “frenimin e pretendimeve shqipëtare” (12) (nënkupto, kundërshtimin e armatosur të shqiptarëve e udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit). Sami Frashëri, në kohën kur Fuqitë e Mëdha trajtonin «Çështjen Shqiptare» (1878-1913), në shkrimet e tij në shtyp, e ngre lart zërin për këtë politikë mashtruese të fqinjëve: “Në telegramet që janë dërguar nga Korfuzi dhe që janë botuar në gazetat e Europës, flitet për të krishterë që qënkan therur (!) nga mysylmanët në rrethet e Janinës dhe sidomos në kazatë e Margëlliçit e të Paramithisë, dhe për zullumet dhe padrejtësitë (!) që qënkan duke u bërë në ato vise. Banorët e kazasë së Margëlliçit janë të gjithë mysylmanë (shqipëtarë-shën im), edhe ajo pakicë të krishterësh që ndodhen në këtë kaza, si dhe të krishterët e kazasë së Paramithisë janë shqipëtarë. Ashtu si në të gjitha viset e tjera të Shqipërisë, edhe këtu myslimanët shkojnë si vëllezër me bashk-atdhetarët e tyre… grekët nuk gjejnë dot mënyrë tjetër për të fituar të drejtën që të marrin këto dy kaza, veçse duke trilluar shpifje të këtilla » (13) Arkivat e shteteve ballkanike, dhe ato të Fuqive të Mëdha, kanë dëshmi të shumta të masakrave masive mbi shqiptarët dhe nuk kanë asnjë dokument për të kundërtën: ”Vetëm në dy prefektura të Shqipërisë (më 1915), të Korçës dhe Gjirokastrës u dogjën 250 fshatra; dhjetra të tjera u plaçkiten dhe mijra shqiptarë u vranë. Në Tobol, Luadh e Cair, “u dogjën të gjallë, në shtëpitë e tyre, dhjetra dhe qindra familjarë; burra, gra, fëmije e pleq…” (14)

Letra e “rrezikut shqiptar” është luajtur gjithmonë në tavolinat ndërkombëtare prej shteteve fqinje, për t’iu paraprirë kërkesave për pushtim edhe në shk.20. Kështu “viktima” greke, ju kërkonte Fuqive të Mëdha ta lejonin ta shtynte kufirin e saj deri “në malet Akrokerune, ne vijen qe kalonte ne distriktin « grek » te Himares dhe qe vazhdonte ne lindje deri ne Liqenin e Ohrit…dhe një shkëmbim të popullsive “greke dhe shqipëtare në kushte humane dhe të barabarta” … (por) si variant më të mirë, sugjeronte krijimin e shtetit federativ greko-shqiptar, si “minimumin e pranueshëm” nga “epirotet” për ruajtjen e paqes në Ballkan” (15)

Miti i “fajësisë” së shqiptarëve, ushqehej jo vetëm nga letërkëmbimi i dipllomacisë sërbe apo greke, por edhe nga institucionet arsimore dhe kulturore të këtyre shteteve. «Më 29 qershor 1945 Akademia e Shkencave greke deklaronte: Populli grek nuk mund të rrijë indiferent kur grekët e Vorio-Epirit vazhdojnë të masakrohen, të asgjësohen nga një popull që është ende në fazën parahistorike të zhvillimit, pa as një literaturë dhe pa asnjë shkencë, ka vetëm një alfabet që e ka marrë hua… ».(16) Siç vërehet, “fajësia” nuk qëndron vetëm tek “masakrat” (asnjëherë të dokumentuara) të kryera nga shqiptarët por edhe sepse janë “një popull i prapambetur…”, që zbulon thelbin e teorisë raciste që qarkulloi në Europën e fund-shekullit 19 dhe u zbatua në shtetin nazist gjerman. Ky “faj”, qe i mjaftueshëm për zhdukjen e një populli, pikërisht një muaj mbas shkatërrimit (maj 1945) të një mekanizmi ushtarak racist, që shfarosi miliona njerëz.

Çdokush që do të kërkonte në materialet që trajtojnë termin “genocid”, “etnocid”, “spastrim etnik”, “racizëm”, “krime kundër njerëzimit”, “shkelje të të drejtave të njeriut” apo kronikat historike që përfaqësojnë këto emërtime, përveç veprimeve çfarosëse të kryera nga shteti serb i Milosheviçit, asnjë emërtim i sipër-përmendur nuk përfshin ndonjë ngjarje të Kombit tonë gjatë shk 19-20. E në fakt, mbi Kombin shqiptar është ushtruar genocid i pandërprerë.

Mjafton të kujtojmë dëbimin masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës,( 1878-1912), për të parafytyruar këtë genocid kolektiv kundër shqiptarëve në Ballkan. “Serbia, përmes dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror, ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik mbi 700 vendbanime dhe mbi 300.000 shqiptarë, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë dhe u masakruan 35.000 shqiptarë. Kjo u arit me përkrahjen morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë Cariste e të Evropës. Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqipëtarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878.” (17) Fundi i këtyre masakrave u shënua në Kosovën e vitit 1999. Nuk ka Shtet në Europë, që të ketë mbritur në shk 21 , i rrethuar me bashkë-kombësit e tij (kjo dukuri edhe për shtetin shqipëtar të Kosovës) dhe të jetë tkurur nga ana territoriale në 1/5 e hapsirës së tij natyrale. Nuk ka popull ballkanik, që duke qenë historikisht në numër, më i madhi në rajon, të vijojë të tjetërsohet edhe në ditët tona. (“Në vitin 1844 – Shqipëtarët populli më i madh në Ballkan me 3 900 000 banorë!” www.pashtriku.org)

Në Historinë e Kombit tonë, nuk bëhet fjalë për krime në një periudhë kohore apo për një krahinë të caktuar, por për një veprimtari të pandërprerë dy shekullore, të disa shteteve apo Mbretërive, veçmas dhe në bashkë-punim me njeri-tjetrin, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha, Marrëveshjeve politike e veprimeve ushtarake, kundrejt një populli të vetëm. Shqipëtaret kanë dëshmi të shumta të genocidit të të gjitha llojeve, që përfshihen në Konventat e sotme europiane,(18) të ushtruara në vijëmsi gjate dy shekujve mbi Kombin tonë, por nuk kanë DORË t’i shkruajne në gjuhët e tjera, që të njihet e VËRTETA HISTORIKE, e cila është memece për popujt europianë e botuar vetëm në shqip. Shqiptarët nuk kanë ZË t’iu kërkojnë dy shteteve të tyre, që ky genocid dy shekullor, të dënohet zyrtarisht në forumet ndërkombëtare historike dhe politike, dhe të shprehet me shifra, shëmbuj e autorsi, në tekstet shkollore brënda vendit të tyre.

Riciklimi i tezave dhe qëndrimeve shoveniste të shk 19 në epokën e BE-së

Risjellja e “fajësisë” së shqiptarëve të kohës osmane, bëhet për të krijuar lidhjen historike të veprimeve “kriminale” të popullit tonë, me ditët e sotme. Në mungesë të dokumentacioneve, shfrytëzohen “romane horor” që shkruhen edhe nga personalitete europiane, siç ka qenë: Transplantimi i organeve të robërve serbë, krimet e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) (Karla del Ponte e Dik Marti) dhe sidomos “goxhda e ndryshkur e Nastradinit”- diskriminimi i minoritetit grek në jug të Shqipërisë. Mbi bazën e kësaj letërsie të lloit racist «Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritar grek që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre.»(19)

Për të treja këto akuza, me gjithë gjyqet, komisionet dhe verifikimet e ndërkombëtarëve, nuk është dëshmuar asnjë fakt.

Përse shk. 21 ka nevojë për këtë lloj letërsie? Sepse, që kur Revolucioni francez përmbysi një mbretëri nga vetë banorët e saj, që kur për drejtimin e vëndit u vendos praktika e zgjedhjeve dhe kur teknollogjia e shtypit dhe masivizimi i shkollimit, e detyruan Rendin e Ri e të plotfuqishmëve të llogariste edhe forcën e masës popullore, u pa e nevojshme të krijohen ”mite” (në kuptimin letrar dhe jo historik) të ndryshme. “Faji” i shqiptarëve është një prej tyre. Qytetarët europianë e më gjerë, konsumues të masmedias dhe deklaratave të papërgjegjshme të disa politikanëve apo funksionarëve, ndikohen nga “fjalët” dhe askush nuk ju dëshmon të kundërtën, në po atë gjuhë dhe me po ato mjete. Shteti ynë mjaftohet me rolin e mik-pritësit të komisioneve hetimore dhe jo të përfaqësuesit të një populli të damkosur, që kërkon përgjegjesinë e prishjes së imazhit në arenën europiane dhe botërore. Për rrjedhojë, viktima (me cytjen e BE-së) ulet e çnderuar përballë kriminelit të papenduar e të pandërgjegjësuar dhe këndohen hymne fetaro-shtetërore, të “bashkjetesës në kohën moderne” dhe kopeshtit të Edenit ballkanik, megjithëse gjaku i “fajtorëve” shqipëtarë, në barkun e nënës, i të rinjve, burrave, grave e të moshuarve, akoma nuk është tharë. Historiani Sheradin Berisha dëshmon se “Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare… janë rrembyer mbi 3 mijë shqiptarë dhe pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.800 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur … Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh.” (20)

Figura e shquar e Parlamentit Britanik, Aubrey Herbert (lobimi i të cilit e bëri Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve në dhjetor 1921), që në maj 1913-ës, në Dhomën e Komunave shprehu idenë e kushteve për bashkëjetesë të europianëve: “pas çdo konflikti, stabiliteti i vërtetë vjen vetëm nga arritja e një paqeje të drejtë, dhe se drejtësia kërkon dy gjëra: respektimin e dëshirave themelore të popullit dhe bërjen dhe ekzekutimin e gjykimeve morale për kriminelët dhe viktimat e tyre. (Aubrey Herbert, Mons, Anzac dhe Kut, cd. Edward Melotte, Barnsley 2009). (21)

Shqipëria Natyrale dhe Dosja Çame – fundi i një Miti dhe Pavarësia e vërtetë e Shqipëtarëve

Në shkrimet e sipër-përmendura, Piro Prifti nuk lë pa analizuar edhe “fajet” e shk 21 të “klasës drejtuese shqiptare”. Sipas autorit, përveç fobisë që ajo ka ndaj fqinjëve dhe luftës ndaj ortodoksisë shqiptare, sot kërkon Shqipërinë natyrale: «në kohën që duhet të integrohemi dhe të marrim statusin e shtetit-kandidat ri-fillojnë avazin e politikave të harruara të Pashallarëve të dikurshëm nën shërbimin e Perandorisë Osmane për Shqipërinë etnike?»(3)

Për hir të së vërtetës, “klasa drejtuese” shqiptare, nuk e ka në planet dhe as në dëshirën e saj çështjen e Shqipërisë natyrale. Këtë e dëshmoi qartazi Kryeministri ynë, në vizitën e tij në Mal të Zi para një viti (25.01.2012), ku u shpreh se “zërat e ekstremistëve, ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush” (22)

Por me qënëse jemi në vitin elektoral, mund të dëgjohen edhe fjalë apo premtime, që shumë shpejt, mbas ditës së votimit “do të thahen si vesa nën diell”.

Po kështu, të parët që e luftuan ortodoksinë shqiptare dhe shkatëruan çdo objekt fetar shqiptar (përpara regjimit enverian si kohë) qenë fqinjët tanë sllavo-ortodoks. Më 22.11.1940 kur grekët pushtuan Korçën “u vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërimit të kishave dhe të xhamive të shqiptarëve në zonat ku u fut ushtria greke. (AUSSMEI relacion i komandës së korparmatës IV për Zyrën Informative të Armatës XI mbi dëmet e shkaktuara nga ushtria greke për tempujt e kultit fetar në Korçë më 30.06.1941) (23) Cili ishte “faji” i objekteve të kultit? Vetëm se ishin të shqiptarëve dhe ju shërbenin atyre.

Përse shqiptarët kërkojnë Shqipërinë Natyrale?

Shqiptarët historikisht kanë qenë paqe-dashës dhe nuk kanë patur shprehje raciste ndaj popullsive të tjera, brënda dhe jashtë kufijve të tyre shtetëror. Këtë e kanë dëshmuar edhe të huajt: “«Sllavët, thotë një gazetë shqiptare, janë një popull trim; ata mund të kenë shumë cilësi të mira. Shkaku është diçka tjetër. Urrejtja jonë nuk shtrihet në individë, as në grupe nacionale, por tek shpirti i agresionit, në fanatizmin fetar dhe dredhive të ulta politike, të njohura me emrin e Pan’Sllavizmit » (24)

Burimi i kërkesës së shqiptarëve, mbështetet tek fakti historik, se në Kuvëndin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, Shqipëria Natyrale u shpall me vullnetin e të gjithë krahinave, por në mbledhjen e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913, u trajtua si kërkesë e një populli kolonial.

Në Francën mesjetare, mbreti dhe fisnikëria, duke u mbështetur në idenë e kohës së Jul Qezarit, e quante popullin (dmth galët) skllevër dhe veten, francezë sundimtarë. Frankët, si pushtues gjermanikë (më sakt, pasardhës të luftëtarëve “të lirë” që kishin pushtuar Galinë në shk V) pretendonin se kishin fituar të drejtën e tyre për të mbretëruar. Galët, që e kishin humbur lirinë e tyre, nuk kishin të drejtën e vetëvendosjes. Rrënjët e kësaj ideje vinin prej një tradite të përpunuar në Mesjetë, që e justifikonte skllavërinë, me anën e një sërë metodash intelektuale, që e katandisnin popullsinë në një gjendje të mjerueshme jetësore, që trashëgohej brez pas brezi. Në shk e XVIII, Revolucioni francez ndryshoi rrënjësisht këndvështrimin e së kaluarës (25) dhe lindi idea e: “Lirisë-Barazisë-Vëllazërisë!” që e gjejmë të mishëruar në Projektin e BE-së, për ardhmërinë e popujve europian. Por si mund të triumfojë kjo ide në Ballkan, kur shqipëtarët e shk. 21 jetojnë në vendet fqinjë në kushtet e galëve mesjetarë? Si mundet politikanët europianë, të bëjnë thirrje “bashkjetese” në shtete, ku ata trajtohen si popull i skllavëruar dhe jetojnë në kushtet e mohimit të të drejtave elementare të njeriut dhe të kërcënuar vazhdimisht në ekzistencën e tyre?

Për shqiptarët-galë të Maqedonisë: “që prej vitit 1991 deri më sot, nuk është bërë asnjë investim ekonomik nga ana e shtetit… Tetova me dy universitete, duket si një qytet i shkretë. Pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë, pa teatër, pa objekt për organizimin e panaireve, pa librari bashkëkohore, pa sallë sportive… Prej vitit 1991 deri më sot, të gjitha investimet ekonomike janë bërë në Shkup dhe në pjesën juglindore të Maqedonisë. Në periudhën 2006-2012, qytetet shqiptare në Maqedoni, në aspektin ekonomik u shndërruan në geto. Çdo ditë në Shkup bëhen ndërtime nga më të ndryshmet. Shqiptarët ndërkaq duhet të kënaqen me betonin që shtrohet buzë ndonjë rrugë dhe me asfaltimin e gropave. (26) Shqiptarët-galë, trajtohen me të njejtën psikollogji mesjetare edhe në Mal të Zi, Serbi, Greqi dhe hije të kësaj ideollogjije për problemin e Mitrovicës, shprehen edhe në Shtetin shqiptar të Kosovës.

Kongresmeni Joseph J. DioGuardi, me 25 Korrik 2008 në Kongresin e ShBA pohon se: “Është ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, për gjerësa ende kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot” (27)

Popullsia e shteteve fqinj, ushqehet psikollogjikisht në shkolla, media dhe shpesh nga personalitetet shtetërore, me ndjenjën e agresionit racist ndaj shqiptarëve autoktonë, fakte të ndodhura në vënde anëtare dhe pretendente për tu anëtarsuar në BE.

Europianët që e kanë kaluar këtë përvojë në kurrizin e tyre, nuk e kanë të vështirë të pranojnë, se zgjidhja më reale për Ballkanin është pikërisht vendosja e popullsisë së Kombit shqiptar, në kushte të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë dhe europianë. Pra, t’iu jepet e drejta e vetë-vendosjes dhe e drejta e shfrytëzimit të trevave të tyre autoktone. Shqipëria Natyrale dhe zgjidhja e Pproblemit Çam, do t’iu jap fund riciklimit të MITEVE raciste të shk 19-20 të shteteve fqinjë, por edhe në masmedian shqipfolëse dhe do të kurorëzojë Pavarsinë e vërtetë te Kombit tonë. Ky veprim, do të sjellë frymën europiane të Revolucionit francez në Ballkan, që shënoi epokën moderne të shoqërisë njerëzore, e mëshiruar në projektin e BE-së për bashkjetesën paqësore.


Bibliografia:

1- www.zemrashqiptare.net/…/Pirro_Prifti:_Lidhja_e… -12.06.2012
2- www.forumishqiptar.com/…/144978-Rrën… – 29 Gusht 2012
3- www.revistadrini.com/…/pirro-prifti-censusi-–nje 10/12/2012
4- Gazeta «sot » online 2012-12-29).
5- “Populli dhe kombi grek, një popull dhe një komb shovinist në qëndrimin ndaj kombit shqiptar”Prof Dr Eshref Ymeri 17.12.20012
6- Marco Travaglio f.229 “La scomparsa dei fatti” v.2006
7- Edith Durham f.46 « Brenga e Ballkanasve» v.2000
8- Veis Sejko f.173 «Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate» v.2002
9- Nuri Dragoi f150-51, “Shqipëria dhe Greqia” 2009
10- f 182 po aty
11- Sami Frasheri f198 (”Shënime politike” 2.09.1878) Vepra I, Tiranë 1989
12- Beqir Meta f13, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”
shtepija botuese GEER , Tirane 2002
13- Sami Frashëri (gaz “Terxhuman Shark” 7.08.1878) f192Vepra I,Tiranë,1989
14- Nuri Dragoi f 192 , “Shqiperia dhe Greqia” 2009
15- Beqir Meta f101“Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)” shtepija botuese GEER , Tirane 2002
16- Arben Puto “Lufta italo-greke” f 255 Botimet Toena, Tiranë 2011
17- Serbia theri 70.000 shqiptarë dhe dogji 600 fshatra shqiptare …shekulli.com.al/web/p.php?id=13817&kat=87
18- Kapitulli i 2-te i Konventes per parandalimin dhe ndeshkimin e krimit te genocidit nga ansambleja e pergjitheshme e BE-se me 9.12.1948 (-↑ Convention pour la prévention et la répression du crime de génocide [archive], approuvée et soumise à la signature et à la ratification ou à l’adhésion par l’Assemblée générale dans sa résolution 260 A (III) du 9 décembre 1948, entrée en vigueur le 12 janvier 1951, conformément aux dispositions de l’article XIII) dhe e ripohuar ne Kapitullin e 6-te Statutit te Romes me 17.7.1998 qe eshte Kapitull baze, per Gjukaten Penale Nderkombetare (Statut de Rome sur le site de l’ONU[PDF] [archive]. Wikipedia génocide)
19- «Greqia në sulm për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria në mbrojtje të vetvetes së saj» Arben LLALLA 16.11.2012 gaz «Tirana observer»
20- www.Pashtriku.org 20. 01. 2013
21- Aubrey Herbert në Dhomën e Komuneve në maj 1913 – Noel Malcolm 20. 01. 2013 «Nacional»
22- Berisha në Mal të Zi: Ata që kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare, ekstremistë, 25.01. 2012 TemA Online
23- Beqir Meta f51, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”
shtepija botuese GEER , Tirane 2002
24- Edith Durham f72, « Brenga e ballkanasve » v.2000
25- Patrick J. Geary f34-35 “Il mito delle nazioni” Carocci, 2002
26- xhelalzejneli.com/ceshtja-shqiptare-ne-maqedoni ,18.9.2012
27- Ky artikull është bazuar në ligjërimin e autorit (i cili ishte ligjërimi kryesor i konferences) në Washington, DC, më 14 Korrik në konferencën mbi të ardhmen e Shqiptarëve në Ballkan, e cila ishte organizuar nga divizioni për intelegjencë të jashtme të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Agjencisë Qëndrore të Intelegjencës (CIA). Joseph J. DioGuardi 25 Korrik 2008, Çështja Shqiptare në Kongresin e SHBA « Albanian American Civic … blog.aacl.com/ceshtja-shqiptare-ne-kongresin-e-sh…)



Agim Vinca: E vërteta për takimin me Kadarenë


Asgjë nga ato që thuhen në librin me kujtime të Helena Kadaresë për një takim timin me bashkëshortin e saj, shkrimtarin Ismail Kadare, në verë të vitit 2005, nuk është e saktë. E tëra është një shtrembërim i së vërtetës, përmbysje e plotë e saj. E vërtetë është vetëm se ky takim ka ndodhur, për arsye krejt të tjera nga ato që thuhen a supozohen aty dhe se ka qenë jo vetëm korrekt, por edhe i përzemërt.

“Na kishte ardhur Agim Vinca, një nga dishepujt e Qosjes, për të bërë, si të thuash, ’pajtimin’. Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra. Is, me sa duket, ishte në orët e tij jo të mira, ose u acarua qysh në frazat e para, kur Vinca nisi të thoshte që nuk ishte mirë që ata të dy,‘baballarët e kombit’, të ishin të zemëruar etj., etj.
Ishin pikërisht epitete të tilla, të cilat ai nuk i duronte dot: baba i kombit, bacë, e të tjera si këto. Shumëkush do ta merrte si shenjë modestie nga ana e tij, apo si shenjë përmbajtjeje, por unë e dija fort mirë se s’kishte të bënte fare me to. Epitete të tilla i dukeshin folklorike.
Sapo dëgjova shprehjen ‘baballarët e kombit’ e kuptova se puna do të mbaronte keq. Fytyra e tij mori një shprehje përçmuese.‘Ç’janë këto idiotësira, tha, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër’.
Agim Vinca mbeti gojë hapur. Më erdhi keq për të se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi.
Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën. Unë desha të ikja nga veranda për të mos dëgjuar të tjerat.
‘Baballarë të kombit, vazhdoi ai nëpër dhëmbë. Unë me…Qosjen’.
‘Takimi i pajtimit’ mbaroi në mënyrën më katastrofike që mund të përfytyrohej”.
Kështu shkruan Helena Kadare në librin e saj “Kohë e pamjaftueshme” (“Onufri”, Tiranë 2011, f. 564-565), në të cilin ka marrë mundimin të flasë edhe për vizitën time në shtëpinë e tyre verore në Durrës dhe bisedën e zhvilluar me atë rast mes meje dhe bashkëshortit të saj, bisedë kjo në të cilën ajo vetë, siç do të shohim më poshtë, nuk ishte e pranishme.
Që Ismail Kadare është natyrë e vështirë, këtë e dinë edhe zogjtë e malit. Por, në takimin për të cilin e kemi fjalën, për çudi, ai nuk u tregua i tillë.
E kujtoj fort mirë atë takim, për të cilin, duke e konsideruar, sigurisht, të rëndësishëm, kam mbajtur edhe një shënim, por nga ato që kujtoj dhe që kam shënuar unë, del krejt ndryshe nga ç’paraqitet në librin e zonjës Kadare.
Nuk pati asnjë ngritje të vrulltë nga tryeza, asnjë fjalë të rëndë, asnjë hakërrim. Asgjë të tillë. Ishte një bisedë krejt normale, madje edhe e përzemërt, me një mospajtim të lehtë për ndonjë çështje të veçantë, madje më shumë se me vetë Kadarenë, me botuesin e tij, i cili, ndryshe nga ç’thotë autorja e librit:“Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra”, erdhi shumë kohë pasi kishim shkuar ne, pra na gjeti aty, ndërsa vetë zonja Kadare, vazhdonte të mungonte deri kah fundi, kur zbriti nga kati i sipërm i vilës me ca fletë të shtypura në dorë.
Nuk e di, nuk e kuptoj, pse zonja Kadare spekulon, për të mos thënë gënjen, duke e quajtur këtë takim “tentim pajtimi” mes Kadaresë dhe Qosjes dhe duke e paraqitur atë si një takim të rëndë e dramatik, pra të tillë, çfarë ai, në fakt, nuk ishte aspak.
Nuk shkova tek Ismail Kadareja për ta “pajtuar” me Rexhep Qosjen, sepse, tekefundit, ata ende nuk ishin “prishur”. Prishja e tyre ndodhi, siç dihet nga të gjithë, një vit më vonë, në 2006-n, kur shpërtheu debati i shumëpërfolur për çështjen e identitetit. Ishte vetë Kadareja, ndërkaq, që insistonte ta orientonte bisedën kah marrëdhëniet e tij me Qosjen, duke më shtruar vazhdimisht pyetjen: “Ç’ka Rexhep Qosja me mua?”. Kur e pashë se ku donte të dilte, madje duke marrë shkas nga disa dezinformata që ia kishin servirur të tjetër (servilët e tij), u detyrova t’i them: “Pse më pyetni mua për këtë, zoti Kadare? Pyetni vetë Rexhep Qosjen! Ju jeni miq dhe kolegë. Uluni dhe sqaroni gjërat (mosmarrëveshjet që keni) dhe mos dëgjoni ç’ju pëshpërisin në vesh të tjerët. Sa më përket mua, mund të them se ju jeni dy njerëz të mëdhenj të kulturës sonë dhe nuk është mirë të grindeni me njëri-tjetrin”.
Nuk shkova te Kadareja, pra, me “mision pajtimi” dhe as me “porosi” diskrete, siç mund të nënkuptohet nga teksti i cituar më lart (pikë për pikë, edhe me gabimet gjuhësore), por për një arsye krejt të thjeshtë dhe praktike.
Një miku im kosovar, që jeton e punon në Zvicër, zotëri Naim Kryeziu, kishte dëshirë ta takonte Kadarenë dhe t’i bënte ftesë për pjesëmarrje në një takim letrar me emrin “Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë” (Internationales Literaturfestival), që mbahet për çdo vjeshtë në Bazel. Personi në fjalë, magjistër i letërsisë dhe përkthyes letrar nga gjermanishtja në shqip dhe anasjelltas, ishte i autorizuar për këtë nga drejtoria e festivalit dhe dëshironte ta njoftonte me kohë, pra disa muaj më parë, Kadarenë për ftesën dhe të merrte, mundësisht, edhe pëlqimin e tij për pjesëmarrje.
I kishte premtuar se do t’ia bënte të mundur takimin me shkrimtarin një gazetare e Radio-Tiranës, e cila, pasi e sorollati nja dy ditë nëpër rrugët e Tiranës dhe plazhin e Durrësit, i tha se Kadareja nuk ishte në Shqipëri. Kur miku im u bind se nëpërmjet mikeshës së tij nuk mund të arrinte te Kadareja, e mora vetë përsipër këtë punë. U lidha me telefon me Kadarenë dhe ia shfaqa dëshirën e mikut tim. Ai jo vetëm që e mirëpriti thirrjen, por na ftoi në shtëpinë e tij te Mali i Robit, ku gjendej aktualisht, duke më dhënë udhëzime të hollësishme nëpërmjet telefonit se si mund të arrihej sa më lehtë aty.
Sikur zoti Kadare të kishte shprehur edhe më të voglën rezervë për atë vizitë, unë nuk do të kisha shkuar kurrsesi. Por ishte krejt e kundërta; ai thuajse mezi e kishte pritur telefonatën.
Na priti vetëm, në verandë dhe, me përjashtim të gruas (shërbyeses) që na solli kafenë, për një kohë (rreth gjysmë ore, në mos më shumë) nuk pamë tjetër njeri pos tij, ndërkohë që e zonja e shtëpisë, bashkëshortja e shkrimtarit, siç na tha vetë ai, po shtypte në kompjuter një intervistë të tij.
Dëshira për të ditur se ç’kishte Rexhep Qosja me të, që u shfaq pothuajse që në fillim të bisedës, u përsërit edhe në vazhdim, duke u konkretizuar paksa. “Më ka kritikuar te ai libri për Rambujenë!” – tha. Shihej qartë se nuk e kishte parë e as lexuar librin, por fliste në bazë të asaj që i kishin thënë të tjerët, servilët dhe mediokrit që sillen rreth tij, duke iu vardisur paturpësisht, njësoj siç bëjnë sivllezërit dhe simotrat e tyre në Prishtinë me Qosjen. “Nuk është e vërtetë” – i thashë. “Në dy-tre raste që të përmend, flet për ty me respekt e simpati”. “Po tek ai tjetri!”. E hidhte fjalën, sigurisht, te ditari i luftës, “Tronditja e shekullit”. “As tek ai tjetri jo”, i them. “As aty nuk ka asnjë fjalë të keqe për ty”. “Po te një i tretë, atëherë”, ngul këmbë. “Eh, tek i treti po” – dorëzohem unë. “I treti” ishte një artikull i Qosjes, në të cilin ai thoshte se Ismail Kadare po e retushon jetëshkrimin dhe veprën e tij. Ja tek erdhëm, më në fund, në “cak”. “Po pse, pse e bën këtë? A është fjala për xhelozi krijuese apo çka?” – pyet me ngulm. Nuk i përgjigjem. Duke e parandier stuhinë që do të shpërthente pa kaluar shumë kohë midis tyre, me fajin e të dyve, siç do të pohojë vetë Kadareja më vonë, i them përsëri se nuk është mirë që ata të dy të përplasen me njëri-tjetrin. Të njëjtën gjë ia kisha thënë sa e sa herë në Prishtinë edhe Qosjes, madje shumë më rreptë se Kadaresë, por pa sukses. “Nuk kam ardhur të flas me ju për këtë temë”, i them, “por edhe nëse do të flisja, do të doja kur të jemi vetëm, pa praninë e të tjerëve”.
Ndërkohë, në vilën e Kadaresë ka arritur botuesi i tij, Bujar Hudhri, i cili i bashkohet kuvendit. Nuk e di a kishte qenë aty pari apo ia behu nga Tirana, por tani edhe ai ulet me ne rreth tryezës dhe bëhet pjesë e bisedës, duke e trazuar paksa rrjedhën e saj përgjithësisht të qetë. Duke dashur t’ia mbajë anën Kadaresë, Hudhri ndërhyn në bisedë pa takt. “Ti flet kështu, sepse e ke inat Rugovën!” – më drejtohet mua. Pikërisht me këto fjalë!
Pata debatuar pak më parë me të për zhvillimet në Kosovë, përfshirë edhe ndërtimin e Katedrales në themelet e Gjimnazit “Xhevdet Doda” në Prishtinë, duke kontestuar të drejtën e njeriut që e quan veten “president” që ta caktojë vetë lokacionin e saj, pa lejen e organeve kompetente. Kadareja gjatë kësaj kohe heshtte. Nuk fliste. Vetëm nënqeshte ngapak. Por, kur botuesi i tij m’u drejtua mua me fjalët: “Ti flet kështu, sepse e ke inat Filanin!”, i zoti i shtëpisë shqiptoi frazën: ”Degradoi muhabeti!”.
Ky mund të quhet i vetmi detaj disonant i takimit te Mali i Robit dhe unë nuk do të isha i sinqertë me veten dhe lexuesin po të mos e përmendja me këtë rast.
Gjatë gjithë kohës, sa zhvillohej biseda, zonja Kadare nuk ishte me ne në tryezë. Portretit tonë në grup prej katër burrash i mungonte vetëm dama, e cila vazhdonte ende shtypjen e intervistës në katin e dytë të vilës. Zbriti pasi e kreu për t’ia dhënë të shoqit ta shihte të shtypur në letër dhe për t’u përshëndetur me ne. Ai e mori dhe pasi i hodhi një sy, më tha se në atë intervistë fliste edhe për Kosovën dhe, madje, edhe më lexoi një paragraf.
Mjafton vetëm ky fakt për të dëshmuar të kundërtën e asaj që thotë zonja Kadare: “Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën“, kurse ajo vetë paskësh dashur “të ikte nga veranda për të mos dëgjuar të tjerat”. (E si të ikte, vallë, kur nuk ishte fare aty?!) .
Krejt ndryshe nga ç’paraqitet në librin e të shoqes, atë ditë Kadareja, jo vetëm që nuk shfaqi shenja nervozizmi, por, përkundrazi, m’u duk më i butë e më tolerant se ç’e prisja. Duke përfituar nga kjo “klimë” i pata thënë, në bisedë e sipër, se nuk bëri mirë që shkoi te Rugova gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2002 dhe aq më pak që, në njëfarë mënyre, kërkoi falje për kritikat që ia kishte bërë atij në vitet ‘90 dhe sidomos në vitin 1999, pas shkuarjes në Beograd. Kadareja tha se tani ai ishte “president legjitim”, “i zgjedhur nga parlamenti”, gjë që ishte e vërtetë. Mirëpo, shkrimtari i madh i kombit nuk duhej të shkonte në audiencë tek njeriu që jo më larg se dy vjet më parë e kishte quajtur “njeri që s’ka asnjë tronditje për gjëmën që i ka ndodhur popullit të vet” dhe “njeri që nuk di të shprehë dhimbje, por di vetëm të qeshë”, duke mos kërkuar prej tij të sillej si hero, por të bënte së paku një veprim të thjeshtë njerëzor: “të ngrysej pak” në takimin me Millosheviqin, në prill të vitit 1999, kur u zu “peng”, por edhe një vit më parë, më 15 maj 1998, kur shkoi në Beograd si qytetar i lirë në krye të delegacionit shqiptar prej pesë vetash. Pamja që përshkoi botën me atë rast ishte: lideri i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, duke qeshur me hov në zyrën e Millosheviqit, aq sa tundej kolltuku nga gazi i tij!
“Aha, kjo na qenka!”, tha Kadareja, duke u kthyer prapë tek Qosja, sepse iu duk se zbuloi shkakun e zemërimit të tij me të dhe sakaq shtoi: “Po unë nuk bëra asnjë deklaratë politike gjatë asaj vizite”. “Nuk e di. Unë isha në Paris ato ditë dhe ktheja shpesh në Le Rostand, ku vendin tënd e gjeja bosh”, thashë si me shaka, ngaqë s’doja ta teproja.
Edhe një njeri tjetër u zu në gojë gjatë bisedës me Kadarenë: Adem Demaçi.
Duke përfituar nga rasti, i thashë Kadaresë se te ditari i tij për Kosovën, “Ra ky mort e u pamë”, e kishte rënduar së tepërmi Demaçin, duke e quajtur “marksist-leninist i pandreqshëm” dhe “njeri pa atdhe”, kurse ai u arsyetua se ashtu i paskësh rezultuar nga një intervistë e tij dhënë TV francez gjatë kohës së bombardimeve. (Nuk e di a është rezultat i “vërejtjes” sime apo i reflektimit të tyre – nuk përjashtohet mundësia të jetë edhe kalkulim, por vërej se Kadarenjtë e kanë ndryshuar qëndrimin e tyre ndaj “Bacës”. Letra e tij e hapur drejtuar Kadaresë me rastin e largimit të tij nga Shqipëria në vitin 1990, është komentuar gjerësisht në libër, kurse në albumin e fotografive figuron edhe një foto e çiftit Kadare me Demaçin në mes, bërë në Paris në vitin 1991).
As pas këtyre dy “vërejtjeve” të mia, nuk pati reagime negative nga ana e tij.
Kadareja kishte njëqind arsye të sillej mirë me mua, njeriun që i kishte bërë aq shumë shërbime veprës së tij – pa asnjë interes – dhe ashtu u soll në takimin në vilën e tij te Mali i Robit, në verë të vitit 2005.
Kisha shkruar me dhjetëra artikuj për veprën e tij, të cilën e kisha vlerësuar lart, ashtu siç vazhdoj ta vlerësoj edhe sot, përfshirë edhe atë për veprën e tij të plotë botuar nga “Fayard”-i në Paris. E ligjëroja në dy universitete, në atë të Prishtinës dhe të Tetovës, në njërin nga të cilët për më se tridhjetë vjet. Kisha lejuar dhe udhëhequr në cilësinë e mentorit me dhjetëra punime diplome, magjistrature e doktorate për veprën e tij të gjerë dhe të larmishme (disa ende janë në proces). Kisha marrë pjesë në sa e sa konferenca shkencore kushtuar veprës së tij në Tiranë, në Prishtinë, në Gjirokastër etj. Në nëntor të vitit 2003, pra më pak se dy vjet më parë, kur Kadareja u shpall “Doktor Nderi” i Universitetit të Prishtinës, kisha mbajtur fjalën e laudatorit në sallën solemne të Fakultetit Filologjik, me ç’rast veprën e tij e kisha quajtur “emblemë e kulturës kombëtare” dhe “bibël nacionale”. Kisha polemizuar për të me Kasëm Trebeshinën, shkrimtarin e persekutuar dhe disident, të cilit ai i kishte hyrë në hak, ashtu si shumë të tjerëve dhe e kisha marrë në mbrojtje nga sulmet që i bëheshin dhe vazhdojnë t’i bëhen, brenda dhe jashtë, sidomos në prag të marrjes së vendimit për Çmimin Nobel, duke e quajtur “shkrimtar të oborrit” etj.
Edhe të qenit “dishepull i Qosjes”, “një nga dishepujt e tij”, sado që ky s’është veçse një paragjykim, nuk ishte pa rëndësi. Kadareja nuk ishte atëbotë dhe, me ç’shihet, nuk është as sot i interesuar t’i keqësojë marrëdhëniet me Qosjen. Përse? Ngaqë Zeusi Kadare duket i frikësohet ballafaqimit me rivalin e tij kosovar. Si shpjegohet ndryshe fakti që në gjithë atë libër të Helenës ka vetëm një faqe për Qosjen, aq sa edhe për mua dhe shumë më pak se për shumë të tjerë, “të mëdhenj” e “të vegjël”, “të fajshëm” e “të pafajshëm”.
Ndërkaq, unë i marri, isha zënë sa e sa herë me “idhullin” tim në Prishtinë për shkak të tij, duke e marrë në mbrojtje veprën e tij dhe duke u përpjekur t’i arsyetoj veprimet e tij.
Duhet të jesh tepër egoist dhe mosmirënjohës që t’i harrosh dhe, madje, edhe t’i shkelmosh të gjitha këto.
Dhe, e para, në mos edhe kryesorja, ngaqë ai duket i kushton shumë rëndësi kësaj pune, kurrë deri atëherë nuk kisha shqiptuar ndonjë fjalë të keqe për Is-in, si e quan Helena në librin e saj ose “Isën”, si e quajti këto ditë shtypi kosovar. (“Helena rrëfen jetën me Isën”, “Zëri”, Prishtinë, 2 nëntor 2011).
S’kishte asnjë arsye që të më vërsulej dhe të më priste me këmbët e para zoti Kadare në shtëpinë e tij, ku unë isha mysafir, duke më fyer e përulur, siç dëshmon rrejshëm bashkëshortja e tij, në të vërtetë ai vetë.
Fundja, ne u ndamë si miq atë ditë dhe fjalët e fundit që dëgjuam nga goja e tij: “Të fala miqve!”, i morëm si një mesazh paqësor, për t’i shpërndarë dashamirësisht në Kosovë e diasporë.
Se ç’ka ndodhur më vonë, pas largimit tonë, në atë shtëpi, unë nuk e di dhe as që më intereson, por sa qemë ne aty, unë dhe miku im nga Zvicra, nuk pat asgjë, ama bash asgjë nga profkat e tanishme. Jo “marrëzira”, jo “idiotësira”; jo “trapër”, jo “baballarë”, jo “më erdhi keq se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi”. Të gjitha janë pjellë e fantazisë!
Po tani? Tani ndryshon puna. Në librin tim “(Po)etika e fjalës” (2010), krahas shkrimeve vlerësuese për Kadarenë dhe veprën e tij, ka edhe nja dy-tri sosh, në të cilat unë shprehi mospajtimin tim me ndonjë paraqitje publike të tij, çfarë ishte, fjala vjen, ajo në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në vitin 2006, ku Kadareja tha, publikisht, në takimin me studentë, se Rexhep Qosja “duhet të shkojë te psikiatri” dhe sidomos në ceremoninë e marrjes së Çmimit “Princi i Asturiasit” në Spanjë në 2009-n, ku laureati shqiptar, duke folur për “Don Kishotin”, e shmangu emrin e përkthyesit të kësaj vepre në gjuhën shqipe dhe të popullarizuesit të këtij personazhi jetik ndër shqiptarë, Fan S. Nolit, për të mos i mbetur hatri familjes mbretërore, që favoriti i saj fliste në praninë e tyre për një “mbretpërmbysës”!
Konsideroj se këto dy shkrime dhe sidomos i dyti, që botohet për herë të parë në libër, duhet të jenë bërë shkas i zemërimit të Kadaresë ndaj meje dhe i goditjes së ulët e tinëzare që më bën tani me dorën e së shoqes.
Nuk di si ta shpjegoj ndryshe paraqitjen fyese, sado të rreme, të takimit tim me burrin e saj, Ismail Kadarenë, në librin me kujtime të Helena Kadaresë, “Kohë e pamjaftueshme”, që po bëhet një bestseller në kuptimin e keq të fjalës, për të mos thënë edhe një skandal publik.
Në qoftë se edhe dëshmitë e tjera për marrëdhëniet e Kadaresë me njerëzit janë të stisura e shpifëse si kjo për mua, qoftë edhe në masë shumëfish më të vogël, atëherë vaj halli për vlerën e këtij libri dhe moralin e autores së saj, në të vërtetë të autorëve të tij!

Sy me sy me Kadri Veselin

(Mos luaj me gurë po e pate shtëpinë me xhama)
Të gjithë njerëzit për nga natyra jemi të gatuar në atë mënyrë, që më tepër kemi dëshirë të qortojmë kur gabohet, se sa të lavdërojmë kur puna bëhet siç duhet!


Riza Greiçevci


Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Mos pusho duke kërkuar atë që e do, dhe mos harro, kur ta gjesh, nderoje, ruaje, mbroje!
Në janar 1990, nga Pallati i Shtypit “Rilindja” (ku punoja si gazetar shumëvjeçar), me kërkesën e disa shokëve ilegalë, shkova (atëherë) në Gllogoc - sot Drenas, në detyrën e gazetarit. Pushteti serb-çetnik, siç dihet, tërë egërsinë e keqtrajtimit masiv mizor, dhunën dhe burgosjet, ekspeditat vrasëse, dhunimin e përdhunimin, i villte ashiqare më së shumti , ku tjetër, pos në Drenicë. Celulat e para të UÇK-së për herë të parë në jetën time i pashë në Odën e Shaban Murat Jasharit. (Interesant, mbana mori tokë: Ata kërkushët celulat e para të UÇK-së sot thonë i paskan formuar diku në Zvicër, apo....! Ha-ha-ha-ha!). Kanë lënë në kujtesën tonë të urtët përvojën e jetës: Çdo takim i parë është një mbretëri në vete. Për shumëçka s’harrohet, e qe besa, ka takime të para që kanë reflektuar peshën kombëtare, të fatit, të dashurisë...
Dhe, me këtë shkrim (nga Ditari im i luftës), po njoftoj lexuesit e gazetës Një “Kosova Sot”, po bëj me dije për një takim me një djalosh shtatlis, truphollë, i hajthëm, por energjik. S’me la aq përshtypje në pamjen e parë (ende s’i kishte rënë bisk fytyrës!), por ajo që m’u ngjit si ushejzë në mendje, ishte fakti se djaloshi (kurrë s’e kisha pa), sikur ishte hija e të madhit komandant legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Të parit iu drejtova Hamëz Jasharit.Si quhet ky djalë krah për krah me Ademin? Baca Riza, shënoje në Ditarin tënd: Ky është Luli! Mos pusho duke kërkuar atë që e do, dhe, mos harro, kur ta gjesh, nderoje, ruaje, mbroje! Hallall, Hamëz Jashari! Po kuptoj: Lirinë e ke afër, atëherë kur s'i tutesh vdekjes, i thashë. Strategu i UÇK-së buzëqeshi burrash.


Kadri Veseli 

Mos u dorëzo, çdo gjë vdes! Vdes jeta, mbetet vdekja! Jeta e pret vdekjen, jetoje jetën!
Dhe, ditë e për ditë Ditarin tim e pasuroja edhe më shumë-shumë ngjarje, aksione ushtarake të çlirimtarëve, informoja shpejt e drejt për Kosovën, Evropën, botën, të bëma dhe ndodhi nga malet, atje ku me krisma e sakrificë e gjak e trimëri luftëtarët e lirisë e qëndisnin duvakun e maleve me emrin: LIRI! Hajt, hajt, nga mali në mal, nga dita në natë, nga nata në ditë, nga lugu në lugje, jeta atje në male merrte kuptimin e krenarisë, të vetëflijimit për një qëllim e synim madhor popullor e atdhetar.




 Dhe, në mesin shumë takimeve e bisedave, të shkurtra, por të prushta, sot po veçoj disa sish me Lulin, me djaloshin shtatlis, i hajthëm, por i shkathët vetëtimë. Po shkëpus sot nga Ditari im për Lulin vetëm disa biseda që për lexuesit e gazetës “Kosova Sot”, ndofta, kushedi, për ndonjë tutkun mund të mbesin vetëm përshtypje në takimin e parë, por, i dhashtë Zoti jetës dhe penës time shëndet e ymër, dhe do të vjen dita kur të gjitha ato të pathëna deri më sot për Lulin, të gjitha të thënat rrenë e të pakripura që janë thënë dhe po thuhen për Lulin, të dalin sheshazi, të mos mbetët asgjë e pa thënë që duhet për ta thënë për një të thënë shekullore malesh, për një të thënë jo përralla kalamajsh, jo përshtypje e rrena , por për një të thënë reale të jetës e të veprimtarisë kombëtare të familjes dhe të djaloshit të saj, që unë e njihja (e njoh mirë e mirë veprimtaritë, kontributin, vlerat familjare e njerëzore të tij edhe sot) Lulin – Kadri Veseli. Po bëj me dije lexuesit, miqtë e shokët e mi, në Ditarin tim pata fatin të shënoj shkurt, qartë, drejt, pa shibla, edhe shumë biseda, mendime, aforizma, urtësi, shprehje e qasje filozofike të djaloshit të djepit drenicar, Kadri Veseli, dhe për hatër të miqve e shokëve e lexuesve të mi, dhe të Lulit, po sjell këtu sot vetëm disa nga fragmentet e përgjigjeve të Lulit! Lexoni, gjykoni, kuptoni, vlerësoni, kënaquni:
Ia kërkova jetës guximin: Ajo ma dha luftën për liri!




Thuhet, guximi është fillimi i fitores. Të guxosh, do të thotë të veprosh. Të kërkosh diçka të re, diçka që duhet ndryshuar nga ajo që e ke në duar. Të kesh guxim do të thotë, me ballin lart, të ecësh përpara. Të ecësh shtigjeve nga e ke drejtuar shikimin, nga e ke përqendruar qëllimin e ecjes sate, të veprimit, të synimit, për ku je nisur për të arritur. Të kesh guxim, do të thotë të jesh i liruar nga frika, të mos e mendosh frikën as të mos e parashikosh se frika ekziston rreth teje, para teje, pas dhe përtej teje. Të kesh guxim është burrëri, shkëlqim i personalitetit dhe i species sate prej burri. Të kesh guxim fjalët janë të tepërta. Nuk të duhen gjë prej gjëje. S`të hynë gjë në punë, as filozofia e fjalës, as pesha e saj. Guximi është cilësi e një shpirti të pastër, të shëndoshë të padjallëzuar, pa gjynahe, pa hile. Guximi është dhunti dhe cilësi e burrit, e trimit.
I kërkova jetës liri: ajo ma dha pushkën!


Mirëpo, së paku këto adete, vrasjen me moh, mashtrimin, pabesinë, s’i pati kurrë Drenica. Kjo është e vërtetë, s’është përrallë. E, dikujt, ani, s’ka rëndësi, kush është ai, nga është ai, ata, ato, gjithë trurin e moralin e dinjitetin e tyre ua ka zënë udhën Drenica. Burrat dhe trimëria e saj. Buka dhe pushka e saj!Drenica diti dhe di të këndojë me lahutë e çifteli, por Drenica di edhe t’i zërë (dhe i zuri pritë!) bishës së egër serbe-çetnike, pushteteve, regjimeve, dhunuesve e pushtuesve.



Drenica diti dhe di të këndojë me lahutë e çifteli, e vërtetë, por të mos harrojmë, me dorë në zemër, jemi njerëz, së paku i besojmë Zotit, Drenica diti dhe di të bëjë edhe luftën për liri, luftën për nder, besë, atdhe, fe e Zot. Drenica diti dhe di ta bëjë edhe historinë. Edhe luftën çlirimtare.




 Siç e bënë: Azem e Shotë Galica. Kamer Loshi, Shaban Palluzha, i cili, nuk deshi, dhe i refuzoi zëshëm grada të Titos, kërcënimet e premtimet e partizane-çetnike, dhe i priu ushtrisë çlirimtare shqiptar Mixha i pashkollë, pa epitetin e kryeministrit, pa lakminë e kryeparlamentarit, të postit të presidentit, i priu Luftës Çlirimtare të Drenicës për liri dhe bashkim. Drenica diti dhe di QË nga hiri i të rënëve të gatuajë lirinë, jo të kërkojë mëshirë, përfitime karriere, gjunjëzim nga kancaleri të Beodradit, të Evriopës. Pushka drenicare kurrë s’ishte, s’është dhe s’do të bëhet mercenare, s’ishte, s’sështë dhe s’do jetë me kile o me hile, por fytyrë për fytyrë, gjoks për gjoks me hasmin pushtues të regjimeve. Pushka e burrave e trimave drenicarë kurrë nuk u shkreh për hatër të pushtetit, as karrirës, as të përfitimit, ose, Zot ruana, pushkë me moh.


Ia kërkova nderin jetës: Ajo më tha - Fitoje!
Në mbarim të këtij shkrimi po sjell disa nga aforizmat, mendimet, shprehjet dhe porositë e Lulit, të cilat i mblodha nga shumë faqe të Ditarit tim për respekt të miqve e shokëve të mi dhe të Lulit, që na njohin, na duan, dhe e dinë ata, edhe ne i duam shumë-shumë, pa shibla. Lexoni dhe kënaquni: Në më rrefsh së pari të vraftë Zoti, në më rrefsh së dyti, të ndihmoftë Zoti. Burri në shtëpi, si dreqi në xhami. Lira vjen kur s'i tutesh vdekjes. Çdo njeri është mbret në shtëpinë e tij. Kur të gjen një vdekje, të ngushëllojnë; po kur të gjen turpi, ç'të thonë? Qen i bardhë, qen i zi, qen i kuq, qen murrash, qen balash, qen është. Jo i mirë sa të të lëpijnë, jo i keq sa të të pështyjnë. Edhe engjëlli, edhe djalli, janë brenda tek i gjalli.


 Mate punën jo me atë që mbjell, po me atë që korr. Kazma në dorë, buka në gojë; kazma në katua, trasta del për miell hua. Mirë se të gjej, o hija e madhe! Mirë se vjen, o dembel. A kam leje të rri pak? Po pate me hëngër, rri sa të duash. Po t'i marrësh lopës tërë qumështin, ngordh viçi. Le gomari që na ngordhi, po s'na lënë as mizat rehat. Mos luaj me gurë po e pate shtëpinë me xhama! I kërkova nderin Jetës: Ajo më tha: Fitoje! Hitleri: “S’kam parë rod njerëzish më të poshtër dhe më të urryer se sa ata që më ndihmonin mua ta pushtoja atdheun e tyre!”

Taxhikistani, sa larg Kosovës

"Nëse ne, njerëzit, bëhemi të mirë vetëm nëse i frikësohemi ndëshkimit, atëherë jemi shumë të këqij"- Ajnshtajni


Në trojet mbarëshqiptare ne duhet t`i referohemi asaj çka thoshte Aristoteli dikur, në kohën e tij: “T`i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit të rinisë. Një mospërfillje sado e vogël në këtë drejtim do të na kushtojë shumë shtrenjtë”



 Fahri XHARRA


Kombi është një bashkësi e madhe solidare, që e lidh ndjenja e vetëflijimit të kryer dhe vetëflijimeve për të cilat është i gatshëm edhe në të ardhmen. Shpesh mendoj se ç`pasoja të mëdha rrjedhin nga gjëra të vogla dhe nga historia jonë jam bindur se nuk ka gjëra të vogla. Taxhikistani është një shtet i vogël, 93% malor, me një popullsi prej 6 milionësh ku rreth 63% janë taxhikë e 93% myslimanë. Ky shtet i Azisë Qendrore gjithmonë është i trazuar. Që nga pavarësia e 1991-shit prej BS-ik, ky komb vazhdimisht është tronditur nga lufta fraksionale ndërkrahinore dhe fetare që kulmuan me Luftë Qytetare në majin e vitit 1992 e tutje, duke e shkatërruar ekonominë ashtu të varfër, shpërnguljet masive dhe mbytjen e mbi 60 mijë vetëve. Lufta qytetare ka zgjatur mbi katër vjet. Populli i sotshëm i Taxhikistanit ka pak nga ata që e luftuan Aleksandrin e Madh, para 23 shekujsh. Vendasit u ballafaquan ndër shekuj nga shumë qytetërime të kohës dhe pësuan asimilime gjuhësore dhe kulturore nga persët, turqit dhe mongolët. Në shekujt e 8-të dhe të 9-të u krye asimilimi gjuhësor nga persët, të cilët e sollën edhe fenë islame. Persishtja u bë gjuhë e drejtësisë, e elitës së kulturuar dhe e fesë islame, duke u futur me kohë edhe në viset më të larta e të largëta malore të vendit.
Ideologjia politike islamike
Më 1992 kushtet u stërkeqën dhe shpërtheu vrazhdësisht lufta qytetare. Ishte lufta më e përgjakur dhe më e kushtueshme ndërqytetore e Azisë Qendrore. Sipas O. Roy. (The Civil War in Tajikistan: Causes end Implications. 1993) Dikotomia (ndarja në) Myslimnon dhe Tagjiknon duhet të hiqet nga politika taxhike. Fatbardhësisht pluralizmi kulturor gjatë shekujve e ka bërë këtë ndarje në këtë vend malor e të varfër. Dukshëm, megjithatë, ishte lëvizja që avokatonte një formë të ideologjisë politike islamike e orientuar në restaurimin “e vlerave islamike” në shtet. Por, çka të bën përshtypje këtu është se ende mbetet si konflikt ideologjik gara në mes të sekularistëve dhe atyre të vizionit islamik. Sekularistët janë për pluralizëm politik, kulturor, ekonomik, kurse vizioni islamik vetëm për autokraci. Lufta qytetare i kishte edhe pasojat e saj jo vetëm ekonomike, por edhe në ndërrimin e të menduarit të taxhikut. Shkollimi i ndërprerë për vite të tëra e sajoi të aftin për punë të paaftë. Lufta e stimuloi dhunën në rritje ndaj femrës. Kjo shoqërohej me diskriminim në shkollë dhe pas shkollimit në gjetje të punës. Por, më e keqja: lufta i la shumë gra kujdestare të vetme të familjes. Mungesa e punës e rriti prostitucionin, si i vetmi burim i ekzistencës. Filloi me të madhe shkuarja e femrave të reja në vendet e pasura arabe për të gjetur “punë”. Kthimi prapa i tyre nga “puna premtuese” në vendin e tyre gjithnjë të varfër solli vetëm prishje të unit dhe të personalitetit. Një problem më tepër për shoqërinë. Dr. Abdul Ruf, (Worldpress) shkruan: “Presidenti Taxhik Imomali Rahmonov, në qeveri që nga viti 1992, e ndaloi që të rinjtë të luten e të falen nëpër xhami dhe kisha, duke i nxitur liderët myslimanë të krahasojnë këtë ndalesë si një “dhuratë të frikshme” për myslimanët, në muajin e shenjtë të Ramazanit. Imomali Ramonov e nënshkroi urdhëresën si masë kundër përhapjes së fundamentalizmit mysliman. Të gjithë të rinjve ndër moshën 18-vjeçare iu ndalohej adhurimi në xhamitë dhe kishat e këtij vendi, si dhe ndalesën për të rinjtë nën moshën 20-vjeçare që të vizitojnë klubet e natës dhe shikimin e filmave dhe leximin e literaturës që ndjell dhunë, skajshmëri (ekstremizëm) dhe terror”.
Kthimi i studentëve nga shkollat fetare
Rahmonov, i cili ka fuqinë e madhe si politikan dhe gëzon përkrahjen e madhe, sidomos të popullatës së varfër, vitin e kaluar i ktheu mbrapa një numër të madh studentësh nga shkollat fetare dhe u ndërpreu studimet jashtë vendit, si dhe e goditi ashpër mënyrën “islamike” të veshjes. Deklarata e tij: “Kam frikë që ndër frikën e dënimit e ndëshkimit të rinjtë s`do të respektojnë Zotin gjatë faljes dhe lutjeve”, hasi përkrahje ndër mjediset intelektuale dhe gati gjithëpopullore taxhike. Taxhikistanin si vend, si popull, si histori e njoh shumë mirë. Kam simpati të posaçme për këtë vend aziatik. E kam vizituar shpesh. E njoh edhe nga këndi i hundëzakëve të Aleksandrit të Madh. Vend i vuajtur dhe i përvuajtur, por me një klasë politike intelektuale dhe të mprehtë, e cila përkundër dëshirave të “miqve”, merr hapa të rëndësishëm për ardhmërinë e vendit. Varfëria, shkollimi i cunguar, perspektiva e errësuar, qasje të kufizuara në shëndetësi cilësore janë ato që i bashkëngjajmë njeri- tjetrit, e dallojmë shumë në mendimin dhe vendosjen e parakushteve për të ardhmen e rinisë sonë. Në trojet mbarëshqiptare ne duhet t`i referohemi asaj çka thoshte Aristoteli dikur në kohën e tij: “T`i kushtojmë rëndësi të veçantë edukimit të rinisë. Një mospërfillje sado e vogël në këtë drejtim, do të na kushtojë shumë shtrenjtë”. Historikisht, fatkeqësia jonë e madhe ka qenë që nuk kemi ditur të zgjedhim mikun e ende vazhdojmë me të njëjtën fatkeqësi. Të bardhës i kemi thënë e zezë dhe të zezës e bardhë. Athua pse? Fatkeqësia edhe më e madhe ka qenë të bindurit tonë në atë që na është thënë, e kjo si rrjedhojë e mosdijes sonë, mosshkollimit tonë. Lëvizjet kanë qenë të kufizuara, e me një kufizim të tillë, doemos njeriu i ynë i ka zënë besë krejt se çka iu është thënë. A na janë shpjeguar drejt gjërat? A na është shpjeguar drejtë historia jonë? Feja, a na është shpjeguar drejt, të cilës iu kemi mveshur me shekuj? Pse më duhej mua, apo babit tim, apo gjyshit tim t`i bindemi diçkaje, e cila ishte për ne e largët e paprekshme? Pse unë ashtu i pafajshëm që isha, gjithmonë të rrija me një drojë, se diçka do të më ndodhë? Pse ne nuk guxonim të qeshnim dhe të kënaqeshim me kënaqësinë e bisedës qesharake që bënte t`i harrosh hallet? Por duhej menjëherë të kërkonim ndihmën e Zotit që të na sjellë fat mbas gjithë asaj qeshjeje. Të gjitha pyetjet e kanë përgjegjës njëjtë: Mosinformimi. Po sot? Sot kur, mundësia e informimit është shumë e madhe, kur mundësia e mësimit është e vogël në krahasim me atë se çka kemi mundësi të lexojmë, të shohim, dhe të ballafaqohemi, biem pre e mosshpjegimit të drejtë, apo më mirë të themi pre e mashtrimit.
Pushtimet në emër të fesë
Qëllimi i shkrimit ka të bëjë me një shpjegim të drejtë të asaj se si tokat e ndryshme në botë janë pushtuar në emër të fesë. Lufta e shenjtë apo xhihadi islamik. Çka ishte xhihadi islamik? Sa dimë ne për te? A është për ne shqiptarët e shenjtë të mburremi me xhihadin islamik? Ç`ishte xhihadi apo lufta e shenjtë. Thjesht, një luftë “legale” e përbashkët e shtrirjes së territoreve të sunduara nga myslimanët në dëm të territoreve të sunduara nga ata të feve të tjera. Qëllimi i xhihadit, me fjalë të tjera nuk ishte përhapja e fesë islame sesa përhapja e suverenitetit të fuqisë myslimane. Xhihadi, me qëllim të ekspansionit territorial, ishte aspekt qendror dhe i rëndësishëm i myslimanëve. Në këtë mënyrë myslimanet një shekull më vonë nga përhapja e islamizmit në Gadishullit Arab i pushtuan tokat që nga Afganistani e deri në Spanjë, Indinë, Afrikën Veriore, Sudanin, Andollinë e më vonë edhe Ballkanin. Xhihadistët skllavëruan me qindra e mijëra e fëmijë (në të njëjtën kohë duke i mbytur burrat) dhe duke iu imponuar Islamin me dhunë. Pra, qëllimi i përhershëm i xhihadit ishte të sjellë krejt njerëzimin, në tërësi, nën drejtësinë e Ligjit Islamik- një sistem totalitar i udhëheqjes fetare shumë i vrazhdë për jo-myslimanët dhe gratë, me moton: Aty ku është zoti, ai është në saje të shpatës së islamit dhe hijes së shpatës së islamit! Shpata është çelësi i parajsës, e cila mund të hapët vetëm për luftëtarët e shenjtë (xhihadistat) (Andrew Bostom: “Drejtësia e xhihadit “2008). Gjatë shekujve xhihadi islamik i kishte dy ndryshore të kuptimit, njëra më radikale dhe tjetra më pak radikale. E para mbahej në atë se kush e shpjegon ndryshe besimin e tyre e këta ishin jobesimtarët dhe në të njëjtën kohë ishin cak i xhihadit. E dyta e bashkuar me mistiken e hedh poshtë xhihadin si konflikt të armatosur, por e lidh me thellësinë shpirtërore të besimit dhe pushtimin.
Përhapja e islamit në botë
Por, si veproi turku duke i pushtuar tokat tona në emër të shpatës së islamit (pushtimi i Sulltan Mehmet Fatihut II në Shqipëri): “Ata derra qenë nënshtruar dhe kishin pranuar zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të sovranit. Atëherë u dha urdhri të shtroheshin në bindje ata harbutë të pafe. Për këtë arsye, në çdo vendqëndrim sillnin para sovranit fitimtar meshkujt e lidhur me zinxhirë që luftëtarët guximtarë e të shkathët të islamit me një të rënë të shpatës, i ekzekutonin. Pati ndalesa ku u shkuan në shpatë deri në tre mijë, katër mijë, shtatë mijë të pafe. Prej kufomave të shumta, lugina të thella tanimë ngjasonin si të ishin kodra. Të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë…Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë. (Tursunbeu, Tarih’i-Ebü-l-Feth” – Historia e Atit të Çlirimit)… Vranë aq shumë, saqë s’mund të numëroheshin. I zunë robër djemtë e tyre, vajzat dhe gratë e tyre. …Kjo pra ishte, mënyra se si përhapej Islami në botë dhe në tokat tona. A ka mundësi që të mësojmë ndonjë send nga ai vend i largët?

Çfarë ndodhi më 1 nëntor 2025?

  Serbia ka heshtur lidhur me raportimet se një serb është plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria serbe në territorin e Leposaviqit, në veri...