2013-02-07

Sy me sy me Kadri Veselin

(Mos luaj me gurë po e pate shtëpinë me xhama)
Të gjithë njerëzit për nga natyra jemi të gatuar në atë mënyrë, që më tepër kemi dëshirë të qortojmë kur gabohet, se sa të lavdërojmë kur puna bëhet siç duhet!


Riza Greiçevci


Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Mos pusho duke kërkuar atë që e do, dhe mos harro, kur ta gjesh, nderoje, ruaje, mbroje!
Në janar 1990, nga Pallati i Shtypit “Rilindja” (ku punoja si gazetar shumëvjeçar), me kërkesën e disa shokëve ilegalë, shkova (atëherë) në Gllogoc - sot Drenas, në detyrën e gazetarit. Pushteti serb-çetnik, siç dihet, tërë egërsinë e keqtrajtimit masiv mizor, dhunën dhe burgosjet, ekspeditat vrasëse, dhunimin e përdhunimin, i villte ashiqare më së shumti , ku tjetër, pos në Drenicë. Celulat e para të UÇK-së për herë të parë në jetën time i pashë në Odën e Shaban Murat Jasharit. (Interesant, mbana mori tokë: Ata kërkushët celulat e para të UÇK-së sot thonë i paskan formuar diku në Zvicër, apo....! Ha-ha-ha-ha!). Kanë lënë në kujtesën tonë të urtët përvojën e jetës: Çdo takim i parë është një mbretëri në vete. Për shumëçka s’harrohet, e qe besa, ka takime të para që kanë reflektuar peshën kombëtare, të fatit, të dashurisë...
Dhe, me këtë shkrim (nga Ditari im i luftës), po njoftoj lexuesit e gazetës Një “Kosova Sot”, po bëj me dije për një takim me një djalosh shtatlis, truphollë, i hajthëm, por energjik. S’me la aq përshtypje në pamjen e parë (ende s’i kishte rënë bisk fytyrës!), por ajo që m’u ngjit si ushejzë në mendje, ishte fakti se djaloshi (kurrë s’e kisha pa), sikur ishte hija e të madhit komandant legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Të parit iu drejtova Hamëz Jasharit.Si quhet ky djalë krah për krah me Ademin? Baca Riza, shënoje në Ditarin tënd: Ky është Luli! Mos pusho duke kërkuar atë që e do, dhe, mos harro, kur ta gjesh, nderoje, ruaje, mbroje! Hallall, Hamëz Jashari! Po kuptoj: Lirinë e ke afër, atëherë kur s'i tutesh vdekjes, i thashë. Strategu i UÇK-së buzëqeshi burrash.


Kadri Veseli 

Mos u dorëzo, çdo gjë vdes! Vdes jeta, mbetet vdekja! Jeta e pret vdekjen, jetoje jetën!
Dhe, ditë e për ditë Ditarin tim e pasuroja edhe më shumë-shumë ngjarje, aksione ushtarake të çlirimtarëve, informoja shpejt e drejt për Kosovën, Evropën, botën, të bëma dhe ndodhi nga malet, atje ku me krisma e sakrificë e gjak e trimëri luftëtarët e lirisë e qëndisnin duvakun e maleve me emrin: LIRI! Hajt, hajt, nga mali në mal, nga dita në natë, nga nata në ditë, nga lugu në lugje, jeta atje në male merrte kuptimin e krenarisë, të vetëflijimit për një qëllim e synim madhor popullor e atdhetar.




 Dhe, në mesin shumë takimeve e bisedave, të shkurtra, por të prushta, sot po veçoj disa sish me Lulin, me djaloshin shtatlis, i hajthëm, por i shkathët vetëtimë. Po shkëpus sot nga Ditari im për Lulin vetëm disa biseda që për lexuesit e gazetës “Kosova Sot”, ndofta, kushedi, për ndonjë tutkun mund të mbesin vetëm përshtypje në takimin e parë, por, i dhashtë Zoti jetës dhe penës time shëndet e ymër, dhe do të vjen dita kur të gjitha ato të pathëna deri më sot për Lulin, të gjitha të thënat rrenë e të pakripura që janë thënë dhe po thuhen për Lulin, të dalin sheshazi, të mos mbetët asgjë e pa thënë që duhet për ta thënë për një të thënë shekullore malesh, për një të thënë jo përralla kalamajsh, jo përshtypje e rrena , por për një të thënë reale të jetës e të veprimtarisë kombëtare të familjes dhe të djaloshit të saj, që unë e njihja (e njoh mirë e mirë veprimtaritë, kontributin, vlerat familjare e njerëzore të tij edhe sot) Lulin – Kadri Veseli. Po bëj me dije lexuesit, miqtë e shokët e mi, në Ditarin tim pata fatin të shënoj shkurt, qartë, drejt, pa shibla, edhe shumë biseda, mendime, aforizma, urtësi, shprehje e qasje filozofike të djaloshit të djepit drenicar, Kadri Veseli, dhe për hatër të miqve e shokëve e lexuesve të mi, dhe të Lulit, po sjell këtu sot vetëm disa nga fragmentet e përgjigjeve të Lulit! Lexoni, gjykoni, kuptoni, vlerësoni, kënaquni:
Ia kërkova jetës guximin: Ajo ma dha luftën për liri!




Thuhet, guximi është fillimi i fitores. Të guxosh, do të thotë të veprosh. Të kërkosh diçka të re, diçka që duhet ndryshuar nga ajo që e ke në duar. Të kesh guxim do të thotë, me ballin lart, të ecësh përpara. Të ecësh shtigjeve nga e ke drejtuar shikimin, nga e ke përqendruar qëllimin e ecjes sate, të veprimit, të synimit, për ku je nisur për të arritur. Të kesh guxim, do të thotë të jesh i liruar nga frika, të mos e mendosh frikën as të mos e parashikosh se frika ekziston rreth teje, para teje, pas dhe përtej teje. Të kesh guxim është burrëri, shkëlqim i personalitetit dhe i species sate prej burri. Të kesh guxim fjalët janë të tepërta. Nuk të duhen gjë prej gjëje. S`të hynë gjë në punë, as filozofia e fjalës, as pesha e saj. Guximi është cilësi e një shpirti të pastër, të shëndoshë të padjallëzuar, pa gjynahe, pa hile. Guximi është dhunti dhe cilësi e burrit, e trimit.
I kërkova jetës liri: ajo ma dha pushkën!


Mirëpo, së paku këto adete, vrasjen me moh, mashtrimin, pabesinë, s’i pati kurrë Drenica. Kjo është e vërtetë, s’është përrallë. E, dikujt, ani, s’ka rëndësi, kush është ai, nga është ai, ata, ato, gjithë trurin e moralin e dinjitetin e tyre ua ka zënë udhën Drenica. Burrat dhe trimëria e saj. Buka dhe pushka e saj!Drenica diti dhe di të këndojë me lahutë e çifteli, por Drenica di edhe t’i zërë (dhe i zuri pritë!) bishës së egër serbe-çetnike, pushteteve, regjimeve, dhunuesve e pushtuesve.



Drenica diti dhe di të këndojë me lahutë e çifteli, e vërtetë, por të mos harrojmë, me dorë në zemër, jemi njerëz, së paku i besojmë Zotit, Drenica diti dhe di të bëjë edhe luftën për liri, luftën për nder, besë, atdhe, fe e Zot. Drenica diti dhe di ta bëjë edhe historinë. Edhe luftën çlirimtare.




 Siç e bënë: Azem e Shotë Galica. Kamer Loshi, Shaban Palluzha, i cili, nuk deshi, dhe i refuzoi zëshëm grada të Titos, kërcënimet e premtimet e partizane-çetnike, dhe i priu ushtrisë çlirimtare shqiptar Mixha i pashkollë, pa epitetin e kryeministrit, pa lakminë e kryeparlamentarit, të postit të presidentit, i priu Luftës Çlirimtare të Drenicës për liri dhe bashkim. Drenica diti dhe di QË nga hiri i të rënëve të gatuajë lirinë, jo të kërkojë mëshirë, përfitime karriere, gjunjëzim nga kancaleri të Beodradit, të Evriopës. Pushka drenicare kurrë s’ishte, s’është dhe s’do të bëhet mercenare, s’ishte, s’sështë dhe s’do jetë me kile o me hile, por fytyrë për fytyrë, gjoks për gjoks me hasmin pushtues të regjimeve. Pushka e burrave e trimave drenicarë kurrë nuk u shkreh për hatër të pushtetit, as karrirës, as të përfitimit, ose, Zot ruana, pushkë me moh.


Ia kërkova nderin jetës: Ajo më tha - Fitoje!
Në mbarim të këtij shkrimi po sjell disa nga aforizmat, mendimet, shprehjet dhe porositë e Lulit, të cilat i mblodha nga shumë faqe të Ditarit tim për respekt të miqve e shokëve të mi dhe të Lulit, që na njohin, na duan, dhe e dinë ata, edhe ne i duam shumë-shumë, pa shibla. Lexoni dhe kënaquni: Në më rrefsh së pari të vraftë Zoti, në më rrefsh së dyti, të ndihmoftë Zoti. Burri në shtëpi, si dreqi në xhami. Lira vjen kur s'i tutesh vdekjes. Çdo njeri është mbret në shtëpinë e tij. Kur të gjen një vdekje, të ngushëllojnë; po kur të gjen turpi, ç'të thonë? Qen i bardhë, qen i zi, qen i kuq, qen murrash, qen balash, qen është. Jo i mirë sa të të lëpijnë, jo i keq sa të të pështyjnë. Edhe engjëlli, edhe djalli, janë brenda tek i gjalli.


 Mate punën jo me atë që mbjell, po me atë që korr. Kazma në dorë, buka në gojë; kazma në katua, trasta del për miell hua. Mirë se të gjej, o hija e madhe! Mirë se vjen, o dembel. A kam leje të rri pak? Po pate me hëngër, rri sa të duash. Po t'i marrësh lopës tërë qumështin, ngordh viçi. Le gomari që na ngordhi, po s'na lënë as mizat rehat. Mos luaj me gurë po e pate shtëpinë me xhama! I kërkova nderin Jetës: Ajo më tha: Fitoje! Hitleri: “S’kam parë rod njerëzish më të poshtër dhe më të urryer se sa ata që më ndihmonin mua ta pushtoja atdheun e tyre!”

No comments:

Post a Comment

“Opozita serbe është një mjet në duart e shërbimeve sekrete kriminale dhe të huaja. Këta të rinj pak a shumë po përdoren prej tyre”, tha kryetari i Serbis1% Aleksander Vuçiç

                     Kërko brenda në imazh                              Nga Flori Bruqi p residenti serb Aleksandar Vuçiç ka akuzuar opozitë...