2013-02-08

UNË KAM FRIKË - KURSEJINI METAFORAT

Rexhep Shahu


REXHEP SHAHU

Gjykata e shkallës së parë në Tiranë, (janë edhe dy nivele apo shkallë gjykimi, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë, pastaj edhe gjykata e Strasburgut), shpalli të pafajshëm gardistët për ngjarjen e 21 janarit 2011, ndërkohë që Prokuroria kërkonte dënim me burg.
Dhuna e deklaratave të pakënaqësisë ndaj vendimit të gjykatës dhe shprehja se gjykata rivrau të vrarët e 21 janarit, ishin më të frikshme se dhuna fizike e 21 janarit.
U mallkua gjykata. U vra gjykata. U vra besimi tek gjykata. U shpall vrasëse gjykata.
Gjithmonë kemi besuar kur kemi patur sherre apo konflikte çfarëdo, kemi ku t’i zgjidhim, kemi gjykatën. Por gjykata dje u vra nga ata që bënë 21 janarin.
Unë nuk e di dhe nuk mund ta di a është i drejtë apo i padrejtë vendimi i gjykatës, veç di se asnjë njeri në botë, president, kryeministër a çfarëdo qoftë, në sisteme demokratike, sikur me pasë edhe katër kokrra te bolet, nuk mundet ta gjykojë, rrëzojë apo anullojë një vendim gjykate nëpër konferenca shtypi, në studio televizive, me deklarata shtypi, apo në mitingje politike. Siç nuk mund ta di unë a është i drejtë apo padrejtë ai vendim gjykate, nuk mund ta dijë asnjë ambasador në Tiranë, asnjë lider politik, asnjë deputet. Një vendim gjykate e rrëzon apo e len në fuqi vetëm një gjykatë më e lartë. Dhe kur merr vendim ajo gjykata më e lartë si shkallë e fundit e pushtetit gjyqësor, ai vendim mbetet në fuqi dhe zbatohet.
Siç nuk mund ta di pse s’vajtën në gjyq nga prokuroria, që është përkrahur dhe nxitur edhe nga ambasada amerikane, organizatorët dhe nxitësit e 21 janarit si Skëndër Gjinushi, Spartak Ngjela, Edi Rama dhe ndonjë deputetkë tjetër për thirrje e nxitje për trazira e për protesta të dhunshme…
Di se ka vendime të pazbatuara gjykate për çeshtje civile, por nuk di se ka vendime të pazbatuara për çeshtje penale.
Vendimin e djeshëm të gjykatës së Tiranës mundet ta gjykojë, rrëzojë apo lërë në fuqi, plotësisht apo pjesërisht, Gjykata e Apelit e Tiranës, Gjykata e Lartë e Republikës ose Gjykata e Strasburgut.
Por nuk mundet ta rrëzojë as Edi Rama që mbjell frikë dhe terror me fjalimet e tij, nuk mundet ta rrëzojë as deputeti Saimir Tahiri nga foltorja e parlamentit të Shqipërisë, i cili ka dhënë prova se nuk e përfill gjykatën, as deputeti Taulant Balla që bën shurrën mbi gjykatën dhe kërcënon gjyqtarët nga foltorja e kuvendit.
Deklaratat e zotit Rama dhe të tjerëve dje thonin se kur të vijnë nesër në pushtet nuk do të pyesin për Presidentin e vendit dhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë që emërojnë dhe shkarkojnë gjyqtarë, por do ti emërojnë dhe shkarkojnë ata vetë…
Vendimin e Gjykatës së Tiranës nuk mundet ta rrëzojë as deklarata e shtypit e Ambasadës Amerikane në Tiranë, as deklarata e Bashkimit Europian. Sa keq flas dhe unë! Nuk munden them. Po të duan ata munden që më çudisin mua. Por unë them në kushte të një shteti ligjor, të një shteti të pavarur me institucione të pavarura.
Nëse për Shqipërinë bëjnë dhe vendosin drejtësinë punonjësit e ambasadës amerikane dhe përfaqësuesit e komisionerëve europianë, do të ishte shumë më e ndershme, më fisnike dhe do të qetësohej çdo shqiptar që gjyqtarët në Shqipëri të ishin punonjës të shtetit amerikan ose të vendeve europiane.
Që të vertetohen edhe në fushën e gjyqësorit shqiptar tezat e vjetra të huaja, kryesisht serbe, se shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet, të drejtojnë shtet.
Kur me anë të deklaratave të tyre të huajt dje thanë se vendimi i gjykatës është i padrejtë, pse nuk thonë se si është e drejta, si duhej të ishte ai vendim, pse nuk e thonë publikisht se sa e si duhej të dënoheshin të akuzuarit, pse nuk ia kanë çuar të shkruar vendimin gjykatës që gjykata shqiptare vetëm ta lexonte atë.
E folura gjasme diplomatike e të huajve për Shqipërinë, për ngjarjet dhe zhvillimet këtu, më duket se nuk është e folur shumë miqësore. Më duket sikur folësit e huaj u drejtohen marsianëve e jo shqiptarëve. Nëse ofrohen si miq, duhet të flasin si miq edhe para opinionit publik shqiptar dhe nuk shkon më e folura si nga Kina. Munden me folë më shkoqur, më qartë, pa arrë në gojë për hatër të qytetarëve shqiptarë. Shqiptarët janë më amerikanë se amerikanët dhe duan të jenë anëtarë të Bashkimit Europian më shumë se sa duan vetë qytetarët e Bashkimit Europianë të jenë europianë.
Shqiptarët, me shtet apo pa shtet, me Turqinë apo pa Turqinë, në luftra të pasosshme ballkanike qysh sa mbahet mend, janë ende gjallë si komb, të pashuar, të coptuar dhe me një shtet 100 vjeç që nuk ka ditë ku të mbështetet dhe që ka jetuar 50 vjet diktaturë. Por janë. Kanë jetuar me miq e pa miq, me armiq e pa armiq dhe nuk janë shuar jo për hatër të miqve apo armiqve. Për hatër të miqve dhe armiqve shqiptarët kanë vuajtur diktaturën e burgjeve dhe të urisë 50 vjet.
Sot shqiptarët e duan Amerikën dhe Europën më shumë se kurrë. Ndaj përfaqësuesit e tyre duhet të na thonë troç kush është gabim nga politikanët tanë e kush nuk është, kush e ka mirë e kush jo, sipas gjykimit të tyre. Pa na lënë të na tërheqin zvarrë gazetarët a përkthyesit diletantë apo militantë të cilësdo forcë politike.
Nëse do t’i lini shqiptarët që të lexojnë buzëqeshjet apo mrroljet e fytyrave tuaja, do të fitoni antipati dhe po bëni mëkat ndaj fëmijëve shqiptarë.
Në vendin tonë nuk besohet asnjë institucion. Sikur është një marrëveshje e madhe e fshehtë që të mos besohet asnjë institucion.
Gjykata që flet në emër të republikës nuk besohet, kërcënohet. Dhe po mendoja, mjaft i trembur nga stuhia e sharjeve, nga kërcënimet e mallkimet, a do të kemi ndonjëherë ku të besojmë ne si shqiptarë. A do të duhet të besojmë se bëhet drejtësi ndonjëherë në vendin tonë.
Me 21 janar, kur ndaj policëve gjuhej si mbi djallin nga grupe kriminale dhe policët nuk u konsideruan fare si shqiptarë nga kriminelët e armatosur me hunj e gurë, unë kisha shumë frikë. (Kurrë shqiptarët nuk kanë luftuar me aq urrejtje në asnjë betejë kundër armikut të huaj siç luftuan atë ditë me hunj kundër policëve shqiptarë.)
Kisha shumë frikë se shteti do të bjerë në dorë halabakësh, të cilët sot i përdor njëri e nesër të njëjtët i përdor tjetri.
Por kur shtetit i vret gjykatën, ia shpërbën gjykatën dhe del mbi gjykatën lideri i nesërm, si duhet të besoj se jemi në sistem demokratik dhe se nuk do të hyjmë në diktaturë.
Edhe në diktaturë formalisht gjykata bënte ligjin dhe kishte autoritet suprem, pavarësisht se tekstet e vendimeve bëheshin siç donte udhëheqja.
Por të jetë aq i lirë, aq i dijshëm cilido udhëheqës që të zhbëjë vendimin e gjykatës, të zhbëje gjyqtarët, kjo më ngjall shumë frikë.
Kisha shumë frikë me 21 janar 2011 se lideri i opozitës do të nxitet, mashtrohet, joshet dhe do të hyjë përmes zjarrit e ta ulë bythën në karrigen e kryeministrit të vendit. Për të dalë nga ajo zyrë pastaj nga tjetri po me dhunë, për të mos u ndalë dhuna…
Atë ditë kam mallkuar veten për herë të parë që jetoj këtu dhe që kam fëmijët këtu dhe më është dukë vetja krejt i pazoti që nuk i kam nxjerrë fëmijët jashtë.
Atë ditë mallkova policët dhe i shava me loçkë të shpirtit që duruan të rriheshin e të poshtroheshin ashtu dhe që nuk lanë shakull në vend të plagosur cilindo që gjuante si kriminel mbi policët.
Por kur pashë se nuk ranë në duart e kriminelëve institucionet e shtetit, të kriminelëve që drejtoheshin publikisht e mediatikisht nga Gjinushi, Ngjela, Rama dhe një grusht politikanësh të tjerë që rrinin skutave e fshihnin bythën, (dhe që sot nuk shkojnë para gjykatës që të merret një vendim gjyqësor ndaj tyre), mu ngjall shpresa dhe u tret mallkimi që i bëra vetës pse jetoj me familjen në Shqipëri.
Dhe besova se shteti nuk do të mund të vritet më në Shqipëri.
Dje, nga stuhia e egër e deklaratave të liderit të opozitës dhe tellallëve të tjerë më zuri frika përsëri për të nesërmen, sado e largët të jetë ajo.
Frika është tek të gjithë njerzit e thjeshtë të këtij vendi. Mund të thoni jo. Është e drejta juaj. Por unë e ndjej tek vetja dhe tek të gjithë.
Na shpëtoni nga frika kush të mundet dhe kurseni metaforat...

No comments:

Post a Comment

Kush është Dejona Mihali dhe pse është kaq e rëndësishme në LVV

Kërko brenda në imazh Para 2 vitesh  ish Deputeti i LVV, Haki Abazi, i cili  u largua nga 2 komisione parlamentare, kishte  disa akuza të rë...