2013-02-06

Akademik Prof.dr.Isa Mustafa:Synoj postin e kryeministrit të Kosovës


Vetë fakti që unë jam në krye të LDK-së dhe përfaqësoj partinë më të madhe opozitare, tregon që është obligimi im të synoj Qeverinë dhe është obligimi që të synoj postin e kryeministrit.

Kështu është shprehur lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një interviste dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ai ka thënë se kjo gjë nuk varet nga fakti nëse i pëlqen atij apo jo, por e ndjen obligim partiak kandidimin për postin e kreut të Qeverisë.

“A më pëlqen mua apo jo, kjo është çështje tjetër, por e kam obligim partiak dhe e kam synim fitoren e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, prandaj edhe LDK-ja edhe unë kemi synimin që të marrim Qeverinë dhe drejtojmë atë gjatë mandatit të ardhshëm”, është shprehur Mustafa.

Ndërkaq, sa i përket dialogut Prishtinë-Beograd, Mustafa ka thënë se LDK përkrah dialogun që aktualisht po zhvillohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke besuar se përmes këtij procesi mund të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

“Ne, si Lidhje Demokratike e Kosovës, e kemi përkrahur dialogun, ngase konsiderojmë se problemet që ne i kemi me Serbinë, por edhe me vendet tjera fqinje, meritojnë të zgjidhen përmes dialogut, sepse është mënyra më e mirë për tejkalimin e problemeve, është një mënyrë, më e mira, edhe për stabilizimin e raporteve dhe marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë ndër të tjera lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

Mustafa ka thënë se pret që rezultati të jetë pozitiv në mënyrë që të bëhet integrimi i serbëve që jetojnë në Kosovë, të bëhet ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e Kosovës, të fillojë që pjesa e komunave që janë në veri të Kosovës të zhvillohet normalisht, edhe në pikëpamje ekonomike, edhe në pikëpamje arsimore, edhe kulturore, natyrisht gjithmonë duke respektuar të drejtat kushtetuese të qytetarëve që jetojnë atje dhe duke respektuar të drejtat shtesë, të cilat Pakoja e Ahtisaarit i mundëson për atë pjesë të qytetarëve tanë që jetojnë në komunat që janë me shumicë serbe.

“Pres që ne do të kemi vullnet dhe gatishmëri që të japim ofertën tonë, e cila gjithmonë duhet të kornizohet me atë çfarë është përcaktuar me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, pres që komuniteti evropian duhet të kontribuojë, edhe SHBA-ja, që Serbia t’i tërheqë forcat e veta nga veriu, sepse ka strukturë të MUP-it atje, ka struktura ilegale që veprojnë atje dhe të bëhet rikthimi i strukturave që menaxhojnë me arsimin, me shëndetësinë dhe fushat e tjera në suaza të asaj që Pakoja e Ahtisaarit e parasheh si të drejtë të këtyre komuniteteve”, është shprehur Mustafa.

Sa i përket reformës zgjedhore, Mustafa ka thënë se gjatë këtij muaji pritet të konkretizohen edhe disa çështje që kanë mbetur të pazgjidhura, përveç marrëveshjes që tashmë është arritur për zonat zgjedhore.

Ndërkaq, rreth çështjes së koalicioneve të mundshme të reja, kreu i LDK-së ka thënë se partia e tij nuk ka bërë bisedime të tilla.

“Unë kam marrë pjesë në bisedime edhe me Aleancën edhe me Vetëvendosjen, kam biseduar edhe me partitë tjera të qendrës së djathtë përpara. Kryesisht kemi biseduar për bashkërenditje të aktiviteteve opozitare me partitë që janë në Kuvend në opozitë, dhe me Vetëvendosjen veçmas edhe me Aleancën kemi biseduar lidhur me reformën zgjedhore, por jo edhe për çështje të tjera”, ka theksuar Mustafa, duke theksuar se “çështjet tjera mbesin të hapura, qoftë para apo pas zgjedhjeve”.

Megjithatë, Mustafa nuk ka përjashtuar as mundësinë që edhe para zgjedhjeve – “varësisht prej gjetjes së interesave të përbashkëta - të bëjmë koalicion parazgjedhor me ndonjë parti, në mënyrë që të futemi bashkërisht në zgjedhje”.

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...