2013-02-06

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës....



Takimi trepalësh i presidentes të Kosovës, Atifete Jahjaga, presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq dhe përfaqësueses së lartë të BE-së, Catherine Ashton do të mbahet sot në ora 17 në ndërtesën e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në sheshin Shuman te Brukselit

Thuhet se para takimit, Jahjaga dhe Nikoliq, ndaras, do të bisedojnë me Ashtonin.

Më pas është planifikuar që dy presidentët, po ashtu ndaras, t’iu drejtohet medieve në Bruksel.

Në Bruksel ka paralajmërime se takimi i parë, mes dy presidentëve, i cili do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nuk do të ketë protokoll të zakonshëm, kur është në pyetje një takim i nivelit të tillë presidencial.

Merret vesh se mediet nuk do të kenë mundësinë ta përcjellin këtë takim të parë, përfshirë këtu mbase as ceremoninë e shtrëngimit të duarve midis dy liderëve.

Madje, Jahjaga dhe Nikoliq, thuhet se do të hyjnë nga dy hyrje të ndryshme në kabinetin e Baroneshës Catherine Ashton.

Para takimit me presidentin Nikoliq, presidentja e Kosovës do të takohet me kryetarin e Këshillit të Evropës, Herman von Rompuj, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së Anders Fogh Rassmusen, zëvendës-ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker.

Përderisa presidentja Jahjaga ka paralajmëruar se qëllimi i këtij takimi është normalizimi i raporteve dhe mbështetje për dialogun mes dy kryeministrave, kabineti i presidentit serb porosit se bisedimet do të zhvillohen në kuadër të platformës dhe rezolutës serbe për Kosovën.

Por të dyja këto dokumente, janë kundërshtuar nga Prishtina e cila i konsideron si të paligjshme. 







Zëdhënësja e Baroneshës Ashton ka konfirmuar se ka nisur takimi mes dy Presidentëve, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolic.

Takimi pritet të zgjatë deri në orën 20 dhe më pas Zyra e Ashtonit do të lëshoj një komunikatë, ku do të tregoj për rezultatet e takimit trepalësh.
 



Në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, rreth orës 18 e 30 ka përfunduar takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikolliq.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të të dyja shteteve dhe, në masë të madhe, është parë si hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Në prag të tij, Ashton ka takuar ndarazi Nikolliqin dhe më pas Jahjagën.

Presidentja e Kosovës ka thënë se takimi i saj me homologun serb paraqet “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre kah integrimi evropian”.

Për dallim nga Jahjaga, Nikolliq nuk u është drejtuar gazetarëve. Mediat, madje, nuk kanë arritur të shënojnë as arritjen e tij në ndërtesën e BE-së, ndërsa më herët është thënë se presidentët do të shfrytëzojnë dy hyrje të ndryshme.

Përndryshe, i gjithë takimi tek Ashtoni është zhvilluar larg gazetarëve dhe kamerave.

Mësohet se Jahjaga dhe Nikolliq do të flasin para mediave pas takimit, por, sipas të gjitha gjasave, nga ambasadat e tyre në Bruksel.

Diplomatë të BE-së kanë shfaqur bindjen se takimi i së mërkurës është mbështetje e rëndësishme për bisedimet që po zhvillohen ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Dy të fundit, deri më tash, janë takuar katër herë në Bruksel, po ashtu nën praninë e baroneshës Ashton.

I gjithë procesi i dialogut ka evoluar nga ai për çështje teknike, i cili ka nisur në mars të vitit 2011 dhe është zhvilluar në disa raunde. Bartës të tij kanë qenë kryenegociatorët Edita Tahiri dhe Borsillav Stefanoviq.

Bisedimet gëzojnë mbështetje të madhe nga diplomatët perëndimorë, ndërsa skena politike në Prishtinë mbetet e ndarë. Në mesin e partive opozitare është Lëvizja Vetëvendosje ajo që thotë se procesi u shërben vetëm interesave të Serbisë. Përfaqësues të LDK-së dhe AAK-së, ndërkaq, kanë shfaqur mbështetje për të.

Po ashtu kujtojmë se Jahjaga, të mërkurën në Bruksel, ka takuar edhe zyrtarë të tjerë të BE-së, përfshirë presidentin e Komisionit Evropian, Herman van Rompuy.

Në takim me të, Jahjaga ka folur për situatën në Kosovë dhe procesin e integrimit të vendit. Presidentja ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, dhe zëvendës-ndihmëssekretarin amerikan të shtetit, Philip Reeker, të angazhuar për çështje të Evropës. 


Takimi me Nikoliqin, Jahjaga kapitulli ri - Eshton javët e ardhshme, kritike

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas takimit të parë me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikolliq e ka quajtur atë një takim konstruktiv, që synon normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Ishte takimi i parë në nivel presidentësh të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë si shtete te pavarura e sovrane, të pranuara si subjekte ndërkombëtare. Takimi u zhvillua në atmosferë konstruktive dhe i dhamë mbështetje të përgjithshme të normalizimit të marrëdhënieve me shtete e tona, që është në funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve tanë, në funksion të paqes dhe stabilizmit në rajon dhe rrugës drejt BE-së. I dhamë mbështetje procesit të dialogut të kryeministrave që ka për qëllim gjetjen e zgjidhjeve në funksion të normalizimit”, u shpreh Jahjaga në një intervistë për RTK-në.

Presidentja Jahjaga ka thënë se takimi i kontribuon fqinjësisë së mirë.

Ajo ka këmbëngulur sërish se për veriun e Kosovës nuk do të ketë asnjë status tjetër, pos atij që përcaktohet me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Presidentja kosovare ka thënë se nuk ka alternativë tjetër, dhe se propozimi për ndonjë autonomi eventuale për veriun do të bënte që serbët nga pjesët tjera të Kosovës të shpërnguleshin për në veri.

Jahjaga ka thënë se do të ketë vend edhe për takime të tjera me homologun e saj serb.

Ndërsa më sa duket në konferencën për gazetarë, Nikolic nuk ka qenë edhe aq i disponuar për shkak se Jahjaga disa herë ja kishte përmendur atij pavarësinë e Kosovës dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

“Në kuadër të dialogut të cilin e mbështes, unë para dy muajsh kam propozuar të takohemi me presidenten Jahjaga. Fatkeqësisht, zonja Jahjaga me histori librash ka folur për të drejtat e njeriut dhe ka insistuar në atë që dy shtetet e pavarura duhet të bashkëpunojnë”, ka thënë presidenti serb pas takimit, transmeton B92.

“Unë i kam thënë asaj se nëse insiston në atë se Kosova është shtet i pavarur, dialogu nuk do të shkojë në drejtim të arritjes së marrëveshjes së përbashkët”, ka thënë Nikolic.

Në prag të takimit Ashton ka takuar ndarazi Nikolicin dhe më pas Jahjagën.

Presidentja e Kosovës para takimit ka thënë se takimi i saj me homologun serb paraqet “kapitull të ri për të dyja vendet, në rrugën e tyre kah integrimi evropian”.

“Takimi si njoftim ka qenë i dobishëm, por nëse nuk gjejmë tema të përbashkëta, ndaj të cilave do të kemi qëndrime të ngjashme, nuk shoh arsye për takime tjera”, u shpreh Nikolliq.

Ai ka shtuar se takimi i sotëm nuk ka qenë i motivuar me dëshirën e Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, por me dëshirën e Serbisë që të qetësohen gjakrat.

“Dëshira e Serbisë është paqja në Ballkan”, ka thënë Nikolliq.

Sipas tij pa Serbinë nuk ka Kosovë të pavarur dhe as vend të Kosovës në OKB.

“Gjëja e fundit në jetën time do të ishte që Kosova të niset rrugës së pavarësisë”, u shpreh ai.

I pyetur nëse do të ketë takime të reja me Jahjagën, Nikolliq ka thënë se fillimisht duhet gjetur tema të përbashkëta.

“Nëse diçka duhet bërë në mënyrë operative, do të duhet të gjejmë tema të përbashkëta. Nëse duam të përsërisim qëndrimet, atëherë mund të ketë takime. Edhe Koreja Veriore dhe Jugore me vite të tëra janë takuar për të thënë ‘mirëdita’, por, kjo nuk është zgjidhje. Do ta humbasim kohën e çmuar, dhe bota normale nuk mund të na presë gjatë”, ka thënë Nikolliq për mediet serbe.


Presidenca e Kosovës ka reaguar pasi një letër e rreme është publikuar në emër të këtij institucioni e ku thuhet se Presidentja po takohet me Tomisllav Nikolicin vetëm për të ruajtur postin që e kishte fituar në vitin 2011.

“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës reagon ndaj shpifjeve dhe denoncimeve të plasuara përmes një letre të dërguar në emër të Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga përmes një adrese elektronike fantazmë që pretendon të jetë e kësaj zyre”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron për opinionin se ky komunikim nuk përfaqëson qëndrimin e kësaj zyre.

Ndërkohë, Letra e dërguar në emër të Jahjagës i ngjan gjuhës që e përdor Lëvizja Vetëvendosje për të kundërshtuar dialogun që është dërguar me një adresë fallse.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë letrën:

I dashur qytetar / E dashur qytetare,

Janë bërë tashmë gati dy vjet që kur unë dola nga zarfi për të zënë kolltukun e Presidentes së Republikës së Kosovës. Gjatë këtyre dy viteve unë kam punuar natë e ditë që t’ju dëshmojë se nuk mund të bëj asnjë kompromis që do të cënonte qëndrimin në kolltukun ku jam ulur. Këtë kolltuk mund ta mbajnë vetëm njerëz që si unë dine të sakrifikojnë jo vetëm veten, por edhe popullin që drejtojnë. Në të njëjtën frymë, dhe me zemër në dorë po ju drejtohem juve sot lidhur me takimin që do të mbaj së shpejti me Presidentitn Serb Tomislav Nikoliç.

Është e vërtetë që sot ka qeveritarë si Kryeministri Zoran Milanoviç i Kroacisë dhe Presidenti Ivo Josipoviç të cilët refuzojnë të dialogojnë me Serbinë, por shikoni në ç’gjendje e kanë katandisur ata Kroacinë. Ata refuzojnë të takojnë njerëz si Tomislav Nikoliç, nga partia ultranacionaliste e Sheshelit (që sot po gjykohet në Hagë) që ka qenë në koalicion me Milosheviçin, po ku e ka çuar vallë ky qëndrim Kroacinë?

Edhe pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Republikës së Kosovës, edhe pse kanë mbetur mbi 1750 persona të pagjetur, edhe pse mbi 20,000 gra janë dhunuar gjatë luftës, edhe pse shtëpitë tona na i kanë bastisur e na i kanë djegur, edhe pse mbi 13,000 shqiptarë u vranë nga forcat serbe, edhe pse Beogradi mban peng përmes strukturave paralele kriminale serbe 1/5 e territorit tonë, edhe pse ata shkelin të drejtat bazë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, edhe pse ata ende nuk janë penduar dhe nuk kanë kërkuar asnjëherë falje për gjithë krimet që kanë kryer ndaj popullit tonë, unë nuk di të ndalem.

Unë e dua popullin tim, por mos mendoni se ky popull ka vuajtur mjaftueshëm. Çmim që duhet të paguani që unë të mbaj kolltukun ku jam ulur nuk është fundi i botës. Ju keni parë edhe më keq, mos harroni, dhe ju mund të duroni dhe pak. Nga zarfi fizik në zarfin elektronik, me dashuri kërkoj mirëkuptmin tuaj.

E juaja,

Presidentja Atifehte Jahjaga
 

A ISHTE VRASJA E MILLADIN POPOVIQIT NË PRISHTINË E ORGANIZUAR SIKURSE RASTI "PANDA" NË PEJË ?

Nga Ryzhdi Baloku, shkrimtar shqiptar nga Peja  Në kohën e fundit është ri-aktualizuar çështja e vrasjes së komunistit Milladin Popoviq, ...