2013-02-06

Takimi i ardhshëm, varet nga vlerësimi i BE-së

Në kabinetin e shefes për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, rreth orës 18 e 30 ka përfunduar takimi i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomisllav Nikoliq. Ky ishte takimi i parë ndërmjet liderëve të dy shteteve dhe, në masë të madhe, është parë si hap tutje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Në prag të tij, Ashton ka takuar ndarazi Nikoliqin dhe më pas Jahjagën.
Pas takimit Jahjaga ka deklaruar shkurt se takimi me presidentin serb është zhvilluar në atmosferë konstruktive dhe respekt të ndërsjellë.


Jahjaga deklaroi për RTK-në se qëllim i takimit ishte që të mbështet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Nga ky takim do të përfitojnë të dy vendet dhe politika në rajon. Duke pasur parasysh të kaluarën tonë, mund të them që takimi ka kaluar me respekt të ndërsjellë”, tha ajo.
Për dallim nga Jahjaga, Nikoliq nuk u është drejtuar gazetarëve menjëherë pas takimit. Mediat, madje, nuk kanë arritur të shënojnë as arritjen e tij në ndërtesën e BE-së, ndërsa më herët është thënë se presidentët do të shfrytëzojnë dy hyrje të ndryshme.
Si raporton Rel, i gjithë takimi tek Ashton është zhvilluar larg gazetarëve dhe kamerave.
“Jam i kënaqur që jemi takuar, sepse asgjë më mirë se bisedimet nuk ekziston, por për takimin e ardhshëm do të duhej që të merren vesh për diçka kryeministrat, që ne pastaj të verifikojmë dhe të gjejmë njëfarë projektmarrëveshje që do të mund të kënaqte të dy palët”, deklaroi presidenti serb Nikoliq për televizionin publik RTS pas takimit me Jahjagën.
Ai shtoi se takimi i ardhshëm i dy presidentëve varet nga vlerësimi i Bashkimit Evropian se çka është fituar me këtë takim, a është ky një hap para apo jo.
”Nuk do të shmang takimet që më ofrojnë rastin të them atë çka mendoj. Kam qenë i qartë dhe kam thënë se ëndrrën për pavarësinë e Kosovë-Metohisë presidentja e institucioneve të përkohshme në Prishtinë nuk do ta shohë të realizuar”, tha ai.
Baronesha Catherin Ashton ka deklaruar se takimi në mes të dy presidentëve është zhvilluar në një atmosferë mjaftë konstruktive.
Ajo ka paralajmëruar se javët në vazhdim do të jenë kritike pasi do të bisedohet për veriun e Kosovës.
“Pasi i takova ata ndaras, unë pata po ashtu një takim të përbashkët me dy presidentët, i cili ka kaluar një atmosferë mjaftë konstruktive. Ne kemi biseduar për dialogun aktual mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiq.
Dialogu aktual ka shënuar rezultate të mëdha, duke i falënderuar konstruktivitet të treguar nga të dyja palët. Ne tani në agjendë kemi çështjen e veriut të Kosovës dhe javët e ardhshme do të jenë kritike. Nikoliq dhe Jahjaga më kanë garantuar se ata do të mbështesin dialogun dhe më kanë bërë të qartë synimin për të ardhmen evropiane”, ka thënë Ashton përmes një komunikate nga zyra e saj.

Jahjaga takohet me Ashtonin

Bruksel, 6 shkurt (E plotësuar) - Presidentja e Kosovës është takuar para disa çastesh me shefen për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Catherine Ashton. Parapraksiht, Ashton ka pritur presidentin serb Nikoliq në një takim të ndarë, transmeton KTV. Më vonë, në mbrëmje ajo do t’i bëjë bashkë të dy presidentët për një darkë pune, siç e ka bërë më herët edhe me kryeministrat Thaçi e Daçiq. Në fund të takimit, pritet të dilet me një komunikatë zyrtare.

Jahjaga: Takimi-hapje e kapitullit të ri

Bruksel, 6 shkurt (E plotësuar) - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tashmë gjendet në ndërtesën ku do të zhvillohet takimi me presidentin serb, Tomislav Nikoliq. Jahjaga, e veshur kuq e zi, para hyrjes në ambientet ku paraprakisht do të takohet me kryediplomaten e BE-së, Catherine Ashton e më pas takimin e përbashkët edhe me presidentin serb, Nikoliq, e ka quajtur ballafaqimin me homologun serb si hapje të një kapitulli të ri.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka vlerësuar takimin e sotëm me presidentin serb, Tomisllav Nikolliq, si një takim të parë dhe të barabartë në marrëdhëniet shtetërore në mes të dy shteteve.
“Është hapje e kapitullit të ri në rrugën tonë drejt integrimeve evropiane”, ka thënën gjuhën shqipe para gazetarëve, Jahjaga.

Rasmussen: KFOR-it do të garantojë edhe më tutje paqen në Kosovë

Bruksel, 6 shkurt (E plotësuar) - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u takua sot me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së, z. Anders Fogh Rasmussen.Presidentja Jahjaga dhe Sekretari i Përgjithshëm Rasmussen diskutuan mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova dhe i gjithë rajoni në përgjithësi, si dhe vlerësuan rëndësinë e stabilitetit dhe paqes në rajonin e Evropës Juglindore.
Presidentja Jahjaga falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen për mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s dhe KFOR-it dhe rolin e tyre të rëndësishëm si garantues për paqen dhe sigurinë jo vetëm në Kosovë por dhe në të gjithë rajonin.
Sipas komunikatës nga Presidenca, Jahjaga falënderoi për mbështetjen e ofruar ndaj Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi dhe asistence, duke e siguruar Sekretarin e Përgjithshëm Rasmussen që Forca e Sigurisë e Kosovës do të vazhdojë mandatin e saj në respektim të standardeve evropiane dhe në koordinim të plotë me NATO-n.
Presidentja Jahjaga tha se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-në me mbështetje të fuqishme nga SHBA-të, që po zhvillohet nga kryeministrat e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasi që është e vetmja mënyrë për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve që kanë një të kaluar të hidhur por që aspirojnë t’i bashkohen familjes së BE-së dhe NATO-s.
Ajo vlerësoi marrëveshjet e arritura nga ky dialogu që kanë për qëllim të lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve, duke u ofruar perspektivë të qartë evropiane, si dhe falënderoi KFOR-in për angazhimin dhe punën që ka bërë në lehtësimin e implementimit të këtyre marrëveshjeve dhe në ofrimin e lirisë së lëvizjes të gjithë qytetarëve kudo që ata ndodhen.
Presidentja Jahjaga shprehu përkushtimin e institucioneve dhe shoqërisë së Republikës së Kosovës për t’u integruar në strukturat veriatlantike dhe në BE, duke nxitur inicimin e marrëdhënieve kontraktuale, sidomos Programin Partneriteti për Paqe, dhe duke siguruar përkushtim për përmbushjen e kritereve të nevojshme për të përshpejtuar proceset integruese.
Sekretari i Përgjithshëm, Rasmussen vlerësoi përmirësimin që Kosova ka bërë në fushën e sigurisë, duke shprehur përkushtimin e NATO-s ndaj Kosovës. Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë si garantuese të paqes dhe stabilitetit dhe ofrimin e asistencës në trajnimin dhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Rasmussen vlerësoi procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të zhvilluar në mes të dy kryeministrave të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke inkurajuar arritjen e marrëveshjeve të qëndrueshme dhe tejkalimin e problemeve.
Ai theksoi rëndësinë e integrimit të komunitetit serb nga institucionet e Kosovës, krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillim ekonomik dhe theksoi rëndësinë e shpërbërjes së strukturave paralele në veri të Kosovës.

Kocijançiq: Takim i rëndësishëm e me domethënie simbolike

Bruksel, 6 shkurt (E plotësuar) - Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, konsideron si shumë të rëndësishëm takimin në mes të presidentes së Kosovës dhe atij të Serbisë.

Ajo iu ka bërë ftesës presidentes Atifete Jahjaga dhe homologut të saj serb, Tomislav Nikoliq, derisa gjatë ditës së sotme, Ashton do të zhvillojë njëherë takime të ndara me ta, e pastaj takim të përbashkët.

“Takimi ndodh në kontekst të përmirësimit të marrëdhënieve, kjo do jetë tema kryesore, për ne është i rëndësishëm takimi, sepse ka domethënie simbolike”, u shpreh zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijançiq.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se takimi i saj me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq, paraqet takim simbolik, meqë kjo është hera e parë që takohen presidenti i Republikës së Kosovës dhe ai i Republikës së Serbisë.

Jahjaga, i tha Radios Evropa e Lirë se parimisht do të bisedohet për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë – Serbi.

Sot - takimi Jahjaga - Nikoliq, BE thotë “kryesisht simbolik”

Bruksel, 6 shkurt - Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, që nga e marta ndodhet në Bruksel, ku të mërkurën, sot, pasdite në Zyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, do të takohet me presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq. Ai vjen në Bruksel nga Turqia, ku në një vizitë treditëshe ka punuar në forcimin e lidhjeve me këtë shtet.

Takimi i dy presidentëve është i pari në këtë nivel prej kur Kosova ka shpallur pavarësinë. Më parë presidentët e Kosovës dhe Serbisë kanë shtrënguar duart, por kjo ka ndodhur në kuadër të negociatave për statusin e Kosovës që janë zhvilluar po ashtu me ndërmjetësimin ndërkombëtar.

Takimin i presidentëve të Kosovës dhe Serbisë edhe kësaj radhe e ka organizuar Bashkimi Evropian, më saktësisht baronesha Catherine Ashton, e cila lehtëson edhe takimet e dy kryeministrave, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Vetë BE-ja e sheh këtë takim si një simbolikë të madhe për të cilin shpresojnë se do të “ndihmojë në procesin e normalizimit të raporteve mes dy palëve” dhe do t’u ndihmojë të dy kryeministrave për të arritur kompromise të reja në dialogun i cili pritet të vazhdojë më datat 19 dhe 20 shkurt po në Bruksel.

Me kërkesë të prokurorëve Altin Dumani e Olsi Dado gjykata ka lejuar kontrollin e një apartamenti pranë qendrës “Harabel” në zonën e ish-Bllokut

  Gjykata e Posaçme ka firmosur një tjetër urdhër kontrolli për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve...