Kastriot Kol Marku ka lindur më, 30.09.1970 në fshatin Skuraj të rrethit Kurbin. Ka kryer shkollën 8-vjeçare në fshatin e lindjes, ndërsa shkollën e mesme dega Agronomi e ka kryer në Milot në vitin 1990.
Në vitin akademik 1995-1996 është diplomuar në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi". Ndërkohë vijon studimet doktorale pranë Qendrës Albanologjike me temë: Shkolla Letrare e Franceskane e Shkodrës.
Ka bashkëpunuar me shumë organe shtypi shkencorë e letrarë si; Rilindja Demokratike, Shekulli, Gazeta shqiptare, Mësuesi, Kurbini, Kumona e së Diellës, Orana, Kuq e Zi, Revista Pedagogjike, Emathia, Kisha dhe Jeta etj., me mbi 50 artikuj të ndryshëm për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Për disa kohë ka qenë kryeredaktor i revistës kulturore “KUQ E ZI”, e cila botohet në Bruksel (Belgjikë), ndërsa aktualisht banon në Milano dhe është kryeredaktor i revistës Miqësia/Amicizia. Prej vitit 2006 është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të rrethit Kurbin.
Ka botuar:
Poezi: Përhumbje, (poezi), Camaj-Pipa, Shkodër 2001. 84 ff. ISBN: 99927-49-51-2.
Studime letrare: Kritika dhe studimet letrare shqiptare në revistën “Hylli i dritës„(1913-1944), (studim), Camaj-Pipa, Shkodër, 2000. 62 ff. ISBN: 99927-41-90-2.
Studime historike:
1. Arsimi në Gallatë, Chaminade, Lezhë, 2005. 69 ff;
2. Kishat e Kurbinit. (Kishat dhe organizimi kishtar në Kurbin), Geer, Tiranë, 2008. 418 ff. ISBN: 978-99956-22-22-0.
Guidë turistike: Miloti, Guidë/Guida, shqip-italiano, Milot, 2007. 40 ff. Miloti, guidë, Milot, 2008. 20 ff.
Librin didaktik: Libri i provimit, gjuha shqipe dhe leximi letrar” (për mësuesin dhe nxënësin), Chaminade, Lezhë, 2005. 235 ff.
Ka përgatitur për botim: ILLIA, Frano., Famullia e Milotit. (Famullia e Shën Nikollës (Milot), Famullia e Shna Prendes (Gallatë), Famullia e Shna Vlashit (Skuraj). Shkruar në Milot në vitet 1962 - 1967. Përgatiti, Kastriot Marku, Chaminade, Lezhë, 2006. 254 ff.
Është përfshirë në: Leksikonin e shkrimtarëve shqiptarë 1501-2001. hartuar nga Hasan Hasani dhe botuar nga Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2003. f. 292 A.
VELLIMI POETIK
MARKU, Kastriot., Përhumbje, (poezi), Camaj-Pipa, Shkodër 2001. 84 ff. ISBN: 99927-49-51-2.
http://sq.wikipedia.org/wiki/Kastriot_Marku
Kam adhuruar Zotin, nënën dhe babanë tim që më sollën në jetë ditën e 11 shtatorit të vitit 1970. E kalova fëmijërinë siç mund ta kalonte një djalë fshati, pas zogjve dhe topit të futbollit. Gjyshja ime e mirë ishte lektorja e parë që më mësoi përralla, uratë dhe rrëfime nga Bibla. Fliste rrjedhshëm, qartë e pas pushimeve të vogla me “qeraste me arra fiq të thatë e fruta të tjera në pikun e frurit”. Fillova të lexoj edhe shumë libra jashtë programit mësimor, dëshirë të cilën ma edukuan mësuesit e leximit të cilët, më rekomandonin disa prej tyre e që megjithëse me mundësi të vogla ekonomike, unë nisa të blija ndonjërin e kështu do të niste udhën e saj edhe biblioteka ime. Libri i parë që kam lexuar ishte me përralla dhe i shoqëruar me fotografi në të cilat një tufë ujqërish shqyheshin me njëri-tjetrin. Më vonë kjo skenë më është shfaqur vazhdimisht, pasi e tërë jeta jonë, një luftë e tillë kishte qënë më të vërtetë. Nisa të shkruaj hartime të lira dhe më vonë edhe ndonjë varg, por nuk kënaqesha me to dhe kështu ishte zjarri ai që i lexonte e i interpretonte mesazhin që mbartnin. Studimet universitare hapën mundësi që të kuptoj më mirë fenomenin e artit bashkë me studimin e tij. Që prej asaj kohe e që tash po bëhen 10 vjet një pjesë e poezive janë ruajtur, e që këtu po dalin prej vetvetes. E ndjej se po testoj guximin që më ka munguar gjer më tash, por që do të më jetë i tillë nëse ju të dashur lexues do të sforcoheni sado pak për të komunikuar me këto tekste në heshtje.
Nëse do t’ju mërzisin, unë jam këtu.
Ju faleminderit.
Kastriot Marku
PERHUMBJE
Mirmëngjes Zoti im!
Më linde?
Nga duhet të shkoj?
Më thuaj?
Po të pres!
Fol Zoti im!
Natën e mirë Zoti im!
Tek Ti jam nisur.
Alleluja.
Udha jonë
Ecëm gjithë jetën mbi gastare
E thesi i durimit u mbush.
Pluhuri i shpresës ra
E në dritë doli
Asgjëja.
Thëngjilli i vetmisë
Na lidhi për mjekre
E këmbanat ranë jo rrallë në njërën faqe.
Nga gjumi na shkundi harresa
Me shigjeta vegimesh.
Mjaft!-na tha, se heshtja u ngì.
Rrenat e përkundura në djep
Me ninullat e moteve
Dënesën mbi plagët e dhimbjes së të tjerëve
E tonat i lanë jetime.
Jam lutur për dhimbjen
Tek shelgu i përroit.
Prej shtrydhjes së saj
Pikoi
Gëzimi.
Nesër
Mëkati e pendesa
Pushojnë në rruzaren e jetës sime
E rrasa e Moisiut mjekërbardhë
Shtron ditët që vijnë pa ftuar.
Në gropën e dënesës
Hedh gjërat e humbura
Për tua lënë testament
Arkeologëve të ndërgjegjes së nesërme.
Unë sigurisht që do t’i pres në lutje
Mospërfillje
Dikush tha se kishte fat
Të tjerë se pati guxim
Por, ishte edhe një pjesë tjetër
Ata nuk i dëgjon njeri
Mirësi
O njerëz ju kam thënë
Se u dua
Edhe pse jetoj me veten time.
Në kokrrën e uratës
Lutem për ju
Sepse kam nevojë për Zotin.
Zgjohem me kuisjen e minjve
E tretem në agun e shpresës
Sepse duhet të jetojmë
Sepse jemi bashkë
Edhe pse secili vetëm
Vdekje e çuditshme
Kishte vizatuar kafkën e tij
Tani po e plotësonte ngadalë.
Ja këtu hunda,
Këtu veshët,
Goja,
Mjekrra,
Flokët,
Ia kishte harruar sytë
Asnjeri nuk i tha sydalë
Qorr,
Pa sy në ballë.
Ai i kishte sytë
Sa për të vizatuar kafkën e tij.
Pse?
Kishte fjetur keq.
Mori sapunin dhe shkoi të lante gishtërinjtë
Ishte rrëzuar me një pako me gjalpë
Të nesërmen e kaluan në asistencë.
Jetojmë
Thjerrëzat e shpirtit tëharrin tepritë e natës.
Shpërgjumur
E nën mbulesën e Psalmeve
Mbin Apokalipsi.
Kujtohemi e përnjëherë ngrehim shpatat
E dalim zabeleve me Mujin e Halilin
Në vend të tyre na përballet KOHA
Me flokë të shpupulisur.
Këmbëzbathur pret të kacafytemi
Duhet patjetër t’i prishim kufijtë
Që të vendosemi ne në vend të tyre
Gurë
Pa dëshmitarë.
Të jetosh është dhuratë
Por edhe detyrë
Të kultivosh jetën
Është gjithçka.
Paqyra ime
Kam qeshur një herë para pasqyrës
Duke u zgërdhirë.
Kur kam qarë, jam kujtuar për pasqyrën
Por ishte thyer.
Ndër copa
Dhimbja ime.
Kjo është e gjitha
Koha jonë metaforë
Që parfumon me urinën e saj
Gjithë këtë strofkë dhelprash.
Kryet na u bë përshesh me fjalë
Jetë e kapluar prej zgjebes së thashethemeve
Njeriu si bollë e vrame
Këndellet në limontinë e ditëve të munguara
Ngado kërminj, merimanga, buburreca, miza e minj
Një karantinë jotokësore.
Makina, minibusë, policë, lypës e fallxhore.
Krushq mediokër përlyer me pluhur e smog.
Akullohemi në vapë e piqemi në acar
E gjithë kohën përtypin ëndërra e pimë thashetheme.
Rregjistrojmë hingëllima politikanësh të ngelur në klasë
Që shqipen e sjellin nga Babeli i tyre primitiv
Shqipja nuk e njeh kohën e saj
Sikurse ne nuk jetojmë kohën tonë
Por kohën pa kohë,
Sepse jetojmë në mendjen e të tjerëve.
Librave
Libri, kryefjala ime.
Libri, paja ime.
Ndër libra gjej Zotin, miqtë, dashurinë.
Rrekem t’i kapërdij me copa,
Por më mbeten në hatulla të kresë
Pergamenë
Testamente flije.
Kohë e fikur
Murrizi që më shpoi dje,
Thembrën ma ka mpirë.
Shtati po më trandet thërrmueshëm.
Hukas një kandërr,
Që po më shpuplon ajrin përpara.
E shoh se po shqepoj.
Fshaj.
Kohë që ecën me paterica,
Nuk je as për shkop pra.
Jam vonë
Në piskun e dritës
Mbi shkresore,
Gjej qendrën e rëndesës sime,
E turrem hovshëm mbi shkronjat në tastierë,
Duke përqeshur Kadmosin që i shpiku
Bëj me krye nga fjalorët
Të gjej emrin tim.
Askund.
Kurrkund.
Asgjëkund.
Ja beh dielli,
E tash duhet të gatuaj drekën
Për të tjerët.
Pendesë
Kam thënë shpesh,
Ta kap këtë jetë për fyti
E ta hedh në përrua.
Pastaj jam penduar
E kam ndërruar mendim.
Në fakt ajo e ka bërë gati lakun
Dhe jo vetëm për mua
Sakrificë
Rruga ime ka qënë sapun
E mërzia më ka ngjyrosur jo pak.
Buzëqeshjen ma fikën në buzë
Dhe e pashë veten duke u varrosur,
Duke më hedhur nga një dorë dhé
Të gjithë miqtë, hipokritët, dashnoret.
Prej gojës së tyre dëgjoja se thoshin:
Qe i mirë!
U çudita me ta e bëra vërtetë habi.
Sa isha gjallë,
Nuk u bëra përshtypje.
U dashka të vdesësh ndonjëherë.
Ritual
Këmbët e tij pikturojnë rrugicat e fshatit.
Mbi baltë urinon kohën e vrarë.
Kur i del pija,
Fillon sërish nga e para.
Jetojmë
Kemi ripërtypur shumë fjalë,
Duke u kthyer nga të njëjtat rrugë,
Me të njëjtët njerëz.
Poshtë këmbëve,
Gjurmët shkojnë e vijnë
Në të njëjtat dyer.
Shenja të dyshimta këto,
Për të vërtetuar
Zbrastësinë tonë.
Pritje
Mulliri i kresë
Tashmë i ka bluar kujtimet
Në filxhanin e kafesë,
Që u ftoh dje,
Duke pritur të paftuarin
Erdhën të gjithë
Nastradini dhe Qerosi,
Juda dhe Jago,
Gjergj Elez Alia,
Por edhe Muji e Halili.
Të gjithë në miting!
Ishte koha për të ndërruar rrotën e fatit
Për të ndërtuar një mejhane të madhe
Sa Shtëpia e Bardhë
Dhimbja
Çdo varg është një brinjë e imja,
Që dhemb kur e lexoj
Tenja më bren eshtrat e fjalëve,
Që i kam lidhur nyje,
Ndër leqe heshtjeje llafazane.
Mundim
Qerpikët e mi u lodhën nga përkëdheljet
E u shemba keqas nga dashuria.
Në zverk më ngërthej reumatizma
E u këputa prej ngërçit.
Ndër këmbë më mbështillen ëndërrat e mbetura
Prej hirit të cigareve,
Që kurrë nuk i kam pirë.
Jam rreshkë jo pak nga e keqja
Ekspres
Ditë që përtoni të ikni shpejt
Në gjolin e netëve.
Kujtohuni për mua që u kam varrosur gjithnjë,
Ndër varre kafeje,
Ku lukun jua bëj me sheqer
E u var në bishta të porcelantë.
Pastaj them se, megjithëse ishit të gjata,
Ishit ekspres
No comments:
Post a Comment