2013-02-24

Mësuesi një ambasador në mbretërinë e dijes

I madh sa një det, i pasur si një mbret

Njeriu ka nevojë për arsim si bima për ujë. Si pema që thahet, po s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po s’u edukua qysh në fëmijëri, më tha mësuesi im Shefqet Abdullahu, një javë pa i mbyllur sytë

Shkruan: Riza GREIÇEVCI

Më mësuesin Shefqet Abdullahu jam takuar kur i kisha tetë vjet. Isha në klasën e tretë fillore, në shkollën e lyer me lloç, midis vendlindjes. Shpesh u shpjegoja fëmijëve të mi, por sot edhe mbesës sime, Violës (nxënëse në klasën e katërt) se unë, ky që sot jam baba, gazetar, shkrimtar, jam gjysh i shumë nipave e mbesave, klasën e parë fillore e kam mbaruar pa asnjë libër shqip, pa asnjë fletore, pa laps, pa gomë...E ku shkruanin atëherë fëmijët shqiptarë të Kosovës? Në një mini dërrasë e zezë. Aty shkruanim, në të i bënim detyrat e shtëpisë, aty mësonim shkronjat e alfabetit shqip... ‘Tabllicën’ e kishim libër, pentagram, fletore... Dhe, kur u rrita për dy klasë, në të tretën, mësues im u bë Shefqet Abdullahu, nga Zabeli i Poshtëm i Drenicës. Për mësuesin tim shkurt e shqip do të flas më poshtë, por, kur u bëra mësues edhe unë, u takuam, me përqafoi ngrohtë, dhe me tha mësuesi Shet, gjithë i buzëqeshur: Për mësuesit thuhet se janë të mëdhenj atëherë kur në kohë të errëta, në skamje e në katrahura të jetës, shohin dhe e marrin matanë bjeshkëve dritën e diturisë, dritën e lirisë,dëgjojnë dhe ndjejnë thirrjen e robit e të Atdheut për ndihmë, kurse në mbretërinë e guximit ngrënë filozofinë e besimit!

Vargje poetike për mësuesin

Unë, bimë në arën e magjishme me emrin: Drenicë, për mësuesit e mi, kur u rrita dhe u bëra shkrimtar, këndova dhe buzëqesha me kujtimin për mësuesit e mi, për ambasadorët e Kosovës në shtetin e Dijes, këndova, shpesh thura vargje, tregime për mësuesit e mi, i quaja perandorë, i quaja det me valë mbushur shkronja shqip, e quajta mësuesin tim Shet, e quajta: mbret! Dhe, në kallëzime dhe përralla pata mësuar nga gojë e mësuesit tim, për mbretër, për perandorë, për princër, për të shenjtët, por, ama, nuk pranoja tjetër mbret e det, s’pranoja tjetër perandor, pos mësuesit tim, Shetit, siç e quanin shkurt, kur ai hynte buzagaz me libër në dorë, shpërndante rreze gëzimi e krenarie me ata sy si dy yje, shpërndante urata të Zoti, lutej mësuesi për ne, për fatin e librit shqip, për fatin e flamurit kombëtar, të cilin s’e kishim pa kurrë me sy. Dhe, shkrova, vargje poetike i kushtova mësuesit tim, këndova me loçkën e zemrës për të: Sikur retë që falin shi (Sikur ara që rritë farën) Si bilbili në atë bli (Dukeshe ti me abetaren!). Sikur kroi që rrjedh me pika (Si pranvera me shyhret ), Mësuesi im shpirt prej prindi (Vinte n’klasë sikur një mbret), Fjalë më t’ëmbël s’kam shijuar (Fytyrën diell, shpirt ylber!), Jetë e mot kam me t’kujtuar (Mësuesi im, mësuesi Shet!)

Dëftesa e maleve...

Shumë ditë të jetës me kanë ikur duke biseduar me mësuesin tim, Shet. Shumë net na kanë ikur duke biseduar për gjithçka që lidhet me librin, me dijen, me intelektualët, me shkollën, por mësuesi Shet qe besa shpesh hynte edhe në tema të nxehta: Interesohej të mësonte më shumë për vrasjen e mësuesit e poetit Fazli Greiçevci, interesohej për malet dhe për atdhetarët e veprimtarët që vërr-mërr s’u bënte syri,duke kërkuar lirinë, barazinë, flamurin e kombit, shkollën shqipe, Kosovën e lirë. Dhe: pak ditë pasi në Drenicë ishin kthyer ata që kishin pasur ymrin, ani pse halli i parë i popullit të lodhur e të dërrmuar ishte hapja e varreve dhe futja e xhenazeve në dhe, sepse, trupat e vrarë kutërbonin sa ta zinin frymën... Ndjehej tepër i fortë mësuesi Shet, fliste për UÇK-n, për sakrificën e popullit, për fitoren e gjakut mbi tmerrin e vrasjet e mizoritë e kriminelëve çetnikë serbë, por, interesant, ishte i mbushur me shpresë se fitorja mbi të keqen shekullore ishte e garantuar: edhe nga Amerika, edhe nga Zoti! Me pati ardhur keq kur i pashë lotët teposhtë faqeve të mësuesit Shet për vrasjen mizore të të madhit Ymer Elshani, me tërë familjen e tij - pos Teutës, s’ndodhej në Drenicë. Sapo kërkova leje për izën, ai brofi në këmbë aq lehtë si djalë, nga rafti kapi me dorë një letër dhe m’u afrua: Këtë letër e kam hartuar si dëftesë e suksesit mësimor për ty. Ma dha në dorë atë dëftesë, me mbështeti për gjoksi, dhe me uroi: paq fat, shëndet, ti dhe familja jote! Këto janë notat e mësuesit Shet që i hodha në këtë dëftesë, të cilën e hartova atje sa isha në male, për ty, nxënësi im, që ma dërgova amanetin që ta dhashë në shkollë: Unë juve nektarin e diturisë, ju maleve pushkën e lirisë! Në të gjitha lëndët mësimore atje në male, i ke pesa. Por, në lëndën më të re mësimore: Guximi, me penë e pushkë, ta jep notën: Shembullore! Ju shtatë fish ma keni kthyer të mirën që unë ua dhashë në shkollë!

Jeta është sikur një libër: Çdo faqe e saj është një faqe e re e jetës

Duke me përcjellë, ani pse kisha një det emocionesh, fola: Faleminderit, o mësuesi Shet! Të shpërbleftë Zoti me shëndet e qetësi. Po, e vërtetë, o mësuesi Shet, ti na mësove shkronjat, na e fale librin, lapsin, dijen, kurse ne Ty të dhuruam vetë, atë që patëm mundësi, dhe e patëm për fat që ishim ky brez. Luftën e bëmë, ju o mësues ishit në ballë kësaj, ju ishit komandant, ishit gjeneral, dhe me armët tuaja, me shkronja, me libra, me këngë, me dije, ne fituam atë që s’e patëm me shekuj: Pavarësinë! Luftën e bëmë: Në emër të Zotit dhe për Kosovën. Megjithëse, jeta, sido që të jetë, është e ëmbël. Dhe sot jemi këta që deshëm dje të jemi sot. Mirë, tepër mirë. Dhe, ku ta dija se këto fjalë do të mbetën të fundit që m’i tha afro njëjarë pa ndërruar jetë mësuesi Shet: Njeriu ka nevojë për arsim si bima për ujë. Si pema që thahet, po s’u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po s’u edukua qysh në fëmijëri. Populli është sikur një libër: në dish ta lexosh dhe të kuptosh atë që është e shkruar në atë libër,e ke të hapur rrugën e përparimit, urën e besimit, nderin e kombit, madhështinë e maleve...! Po, po, jeta është sikur një libër: Çdo faqe e saj është një faqe e re e jetës! Me përqafoi ngrohtë si diell i verës, dhe, s’dua ta pranoj se mësuesin Shet s’e takoj më, s’e shoh me sy më, por betohem se s’do të shkoqet kurrë nga mendja e zemra ime! Këta rreshta shkrimi t’i pata borxh, o mësues, hallall 100 e 1000 herë! I lehtë të qoftë dheu i vendlindjes sate!

Ja si do Serbia të manipulojë me pensionistët e Kosovës


Shpallja për paraqitjen e kërkesave

Me këtë lajmërim të Fondit për Pensionistët e Kosovës Serbia vetëm do të arsyetohet para faktorit ndërkombëtar, respektivisht para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg



Shkruan: Adil FETAHU

Në shkrimin e botuar në këtë gazetë, të datës 22 shkurt, kemi trajtuar më hollësisht manipulimin e Serbisë me pensionet e pensionistëve të Kosovës. Si për ta vërtetuar atë shkrim, Fondi Republikan për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Serbisë, në ndërkohë, e publikoi lajmërimin për pensionistët e Kosovës, të cilët pretendojnë të marrin pensionet nga Serbia, se cilat dokumente duhet t’i dërgojnë, si t’i dërgojnë dhe në cilin afat. Tërë përmbajtja e lajmërimit është e përshkuar me politikë dhe në funksion të propagandës e të manipulimit.

Publikimi në ueb-sajtin e fondit

Me “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës e Metohisë”, të cilin e kishte propozuar Grupi punues i Ministrisë së Punës, e që e kishte miratuar Qeveria e Serbisë më 12 shkurt, ishte përcaktuar se (pikërisht) më 20 shkurt do të publikohet shpallja për dokumentet që duhet t’i dërgohen Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nga pensionistët, të cilët pretendojnë se kanë të drejtë të marrin pensionet e tyre nga Serbia. Në planin aksional ishte caktuar që shpallja (lajmërimi) të publikohet në gazetën “Politika” të Beogradit, në “Jedinstvo” të Kosovës (që del në Mitrovicë), dhe në ueb-sajtin e Fondit Republikan të SPI të Serbisë. Në gazetat e përmendura nuk botuan, ndërsa në ueb-sajtin e fondit (www.pio.rs) është botuar shpallja, me titull: “Lajmërim për shfrytëzuesit e pensioneve nga rajoni i KA të Kosovës e Metohisë” (lajmërimi është botuar në gjuhën serbe). Për të parë “marifetet” e manipulimit, këtu po e botojmë në tërësi tekstin e lajmërimit (të përkthyer në gjuhën shqipe).

“Lajmërim për shfrytëzuesit e pensioneve nga rajoni i KA të Kosovës e Metohisë”

Shfrytëzuesit e pensioneve sipas aktvendimit të Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Serbisë, nga rajoni i KA të Kosovës e Metohisë, të cilëve nuk ka mundur t’u bëhet pagesa prej 9 qershorit 1999, munden në afat prej 60 ditësh, pas ditës së publikimit të këtij lajmërimi, të paraqesin kërkesë drejtpërdrejt ose nëpërmes postës, Shërbimit të Drejtorisë së Fondit në Prishtinë, me seli të përkohshme në “Bulevar umetnosti”, nr. 10, 10070 Novi Beograd, për të bërë pagesën.

Kërkesës duhet bashkangjitur:

1) Aktvendimin e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Serbisë mbi njohjen e së drejtës së pensionit (në origjinal, ose fotokopje të vërtetuar nga organi kompetent i Republikës së Serbisë, me klauzolën e plotfuqishmërisë, nëse është fjala për njohjen e pensionit invalidor);

2) Dokumentin për vërtetimin e identitetit, me të dhënat personale të shfrytëzuesit (leja e njoftimit, dokumenti i udhëtimit);

3) Dokumentin provë mbi atë se a është paraqitësi i kërkesës shfrytëzues i pensionit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes dhe të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuar në Kosovë (UNMIK);

4) Certifikatën që vërteton se është i gjallë, të cilën e jep organi certifikatat e të cilit pranohen (gjykata, komuna dhe njësia organizative e Fondit Republikan të SPI);

5) Dokumentin provë se a e ka paraqitësi i kërkesës cilësinë e të siguruarit në kuptim të dispozitave mbi sigurimin pensional dhe invalidor dhe dokumentin provues mbi shkollimin e fëmijëve të shfrytëzuesit të pensionit familjar.

Të gjitha provat (dokumentet, vërtetimet etj.) duhet të jenë në pajtim me ligjet e Republikës së Serbisë”.
Pika 5 e lajmërimit (cilësia e të siguruarit) është e paqartë për njerëzit më pak të informuar. Aty është fjala për rastet kur ndonjë pretendues për pensionin është në marrëdhënie pune, ose merret me ndonjë veprimtari të pavarur, dhe qe sipas asaj baze ka sigurim pensional dhe invalidor.
Në fund të lajmërimit janë dhënë tre lloje formularësh të fondit për paraqitjen e kërkesës për pagesën e pensionit, me nga disa rubrika, të cilat munden dhe dinë t’i plotësojnë vetëm pak njerëz, të cilët marrin vesh nga fusha e sigurimit pensional dhe invalidor.

Zvarritja e procedurës

E gjithë kjo “ujdurmë” është bërë me qëllim që sa më pak pensionistë të arrijnë t’i kompletojnë dokumentet e kërkuara. Aq më tepër, që shumë pensionistë nuk i kanë dokumentet ose iu kanë humbur gjatë kësaj periudhe, ose iu kanë djegur a shkatërruar gjatë luftës. Nga ana tjetër, sipas lajmërimit, të gjitha dokumentet provë duhet të jenë në pajtim me ligjet e Republikës së Serbisë, d.m.th. të lëshuara ose të vërtetuara nga organet e Serbisë. Se Serbia po bën lojë dhe po manipulon me problemin e pensionistëve të Kosovës e vërteton edhe deklarata e sekretarit shtetëror të Ministrisë së Punës së Serbisë (Dragi Vidojeviq) dhënë gazetës “Politika” të Beogradit më 18 shkurt. Në pyetjen e gazetarëve se a është e vërtetë që Serbia u ka borxh pensionistëve të Kosovës 1 deri 5 miliardë euro, ai u është përgjigjur se “këto janë vetëm spekulime, se deri më tash 9500 veta nga Kosova i kanë paraqitur kërkesat, por prej të gjithë atyre vetëm 300 veta kanë marrë vendime pozitive, se shumë dokumente të paraqitura kanë qenë të falsifikuara etj”. Me këtë lajmërim të Fondit për Pensionistët e Kosovës, Serbia vetëm do të arsyetohet para faktorit ndërkombëtar, respektivisht para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe ta zvarritë procedurën e ta reduktojë në minimum numrin e atyre që eventualisht mund ta realizojnë të drejtën e pensionit, respektivisht të mos ua njohë të drejtën askujt që ka marrë “pension” nga buxheti i Kosovës, e të tillë janë të gjithë këta që kanë qenë pensionistë në kohën e okupimit të Serbisë, deri në qershor të vitit 1999.
Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të dalë me një qëndrim të qartë zyrtar, e t’u shpjegojë pensionistëve se pensionet nga shteti tjetër mund t’i realizojnë vetëm në bazë të marrëveshjes ndërshtetërore, sikur veprohet ndërmjet të gjitha shteteve të tjera. Dhe, jo vetëm t’i njoftojë pensionistët e Kosovës, por t’i dërgojë reagim Qeverisë së Serbisë që të mos i maltretojë dhe mashtrojë pensionistët e Kosovës, por të ulën e të bëjnë marrëveshje bilaterale për pensionet. Pensionet janë e drejtë pronësore e pensionistëve, e Serbia nuk mund t’ua mohojë atë të drejtë dhe atë borxh, pa marrë parasysh se nga buxheti i Kosovës u është bërë njëfarë pagese prej korrikut 2002, duke filluar nga 28 euro.Kjo punë kërkon një reagim të shpejtë të Qeverisë, që të mos sillen e sorollatën pensionistët me dokumente. Qeveria, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka të dhënat e sakta për secilin pensionist, prandaj kjo punë nuk duhet t’iu lihet individëve të maltretohen.

A mund të ketë marrëveshje historike shqiptaro-serbe?

Armiqësitë e deritanishme të kthehen në miqësi

Inicimi i një marrëveshjeje shqiptaro-serbe të paqes sot do të ishte në kohën e duhur, ndërsa hapi i parë drejt një marrëveshjeje të tillë do të ishte një shqyrtim gjakftohtë i asaj që ka ndodhur në të kaluarën
description
Shkruan: Dr.sc. Sali BYTYÇI,Instituti Albanologjikë,Kosovë

Viti 2013, për ne shqiptarët, përveç që duhet të jetë vit i kujtesës së tragjedisë kombëtare, si vit i përgjysmimit dhe i sakatosjes së qenies sonë, duhet të kthehet edhe në vit të përfundimit të mosmarrëveshjeve më shumë se njëshekullore me serbët. Për këtë të fundit - përfundimin e mosmarrëveshjeve shqiptaro-serbe - marr shkas edhe nga disa zëra që, në vitin e kaluar, janë dëgjuar nga udhëheqësit serbë, se ka ardhur koha për një marrëveshje historike me shqiptarët! (Këto ditë një gjë të tillë e deklaroi edhe peshkopi Irinej). Por, përveç disa deklaratave, fatkeqësisht, në këtë drejtim nga pala serbe nuk është shkuar më tej, ndërsa ajo shqiptare nuk denjoi as t’i komentojë ato.

Reflektimi ndaj së kaluarës

Pavarësisht prej kësaj dhe prej mundësisë që në këtë drejtim, në të ardhmen e afërt, të mos lëvizë asgjë, po e ndiej të nevojshme që në lidhje me këtë çështje të shtroj një pyetje dhe të përpiqem t’i jap asaj një përgjigje. Pyetja është: Vërtet, serbët dhe shqiptarët mund të arrijnë një marrëveshje historike, e cila armiqësinë e deritanishme do ta kthente në miqësi, ashtu siç bënë popujt e Evropës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar?

Unë mendoj se po. Por, para se ta eleboroj këtë më tej, dua të them nja dy tri fjalë se përse ka arsye të diskutohet kjo çështje tani, gjë që i bie ndesh tendencës sonë që këtë ta tejkalojmë me heshtje. Unë për vete nuk mendoj se ka ndonjë arsye që të mos diskutohet sot për një mundësi të tillë, e cila në shikim të parë duket e pakapshme, tani. Njëqind vjet pas përgjysmimit të trojeve shqiptare dhe më shumë se një dekadë pas lirimit të një pjese të tyre (dalja e Serbisë nga Kosova) është momenti që duhet shfrytëzuar për të reflektuar ndaj së kaluarës dhe sidomos për të menduar për të ardhmen tonë të përbashkët që do të mund ta ndërtonim jo mbi raporte varësie, por barazie me njëri-tjetrin. Inicimi i një marrëveshjeje shqiptaro-serbe të paqes sot do të ishte në kohën e duhur, ndërsa hapi i parë drejt një marrëveshjeje të tillë do të ishte një shqyrtim gjakftohtë i asaj që ka ndodhur në të kaluarën; në rend të parë nga serbët, por edhe nga ne.

Shkarkimi i palës serbe nga historia

Kështu, sa i përket depërtimit të shtetit serb në trojet e banuara me shumicë nga shqiptarët më 1912-13, ai duhet të kuptohet ashtu siç ishte në fillim: thjesht kolonizim, veprim që në atë kohë ishte në përputhje të plotë me logjikën kolonizuese të shteteve të konsoliduara ndaj hapësirave të pakonsoliduara shtetërore. Këtu duhet të shtojmë edhe atë se, që në krye të herës, ideologët serbë, depërtimin në hapësirën shqiptare e kanë arsyetuar me nevojën e kolonizimit të kësaj hapësire “me popullsi të pacivilizuar”, siç thoshin, nga shteti i tyre. Më vonë, për të mbajtur këtë hapësirë, ia kanë shtuar edhe arsyetimin “historik”, si djep i Serbisë etj., arsyetim që në vetvete nuk paraqet asgjë, përveç një preteksti për ushtrimin e dhunës së pushtetit të tyre në këtë hapësirë. Këtë duhet ta pranojë pala serbe dhe kjo do të ishte hapi i parë i tyre në një marrëveshjeje historike me shqiptarët, e cila do të mundësonte shkarkimin e kësaj pale (palës serbe) nga historia. Pas pranimit nga ana serbe se depërtimi i tyre në trojet shqiptare s’ishte gjë tjetër përveç kolonizim, hapi tjetër i radhës që do të duhej të bënin serbët sot, për të arritur Marrëveshjen historike me shqiptarët, do të ishte pranimi nga ta i së drejtës së plotë të vetëvendosjes së popullit shqiptar në shtratin e natyrshëm të tij! Kaq do të mjaftonte që historia e kësaj pjese të Ballkanit të kthehej për së mbari. Një hap të tillë, serbët tani e kanë më lehtë ta bëjnë se në të kaluarën.

Pse mund të thuhet kështu? Sepse, qenia shqiptare çdo ditë e më tepër, po arrin të kthehet në shtratin e saj të natyrshëm në pjesën që deri tani ishin objektiva të pretendimeve të serbëve. Kjo po ndodh në Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare që dikur ishin nën Jugosllavinë. Për serbët tani është më me leverdi ta pranojnë shtrirjen e këtij populli edhe në shtratin e tij të natyrshëm në Maqedoni (fakti i të qenit të shqiptarëve në Maqedoni është rrjedhojë e politikës dhe fuqisë ushtarake serbe, e jo e ndonjë politike maqedonase) dhe Mal të Zi, se sa të vazhdojnë mosmarrëveshjet me shqiptarët për veriun e çështje të tjera që, në fund të fundit, për Serbinë nuk thonë shumë.

Pse Serbia nuk e bën një gjest fisnik?

Mali i Zi e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur. Maqedonia po ashtu. Një ditë do ta pranojë edhe Greqia. Dy shtetet e para e kanë pranuar pavarësinë e territorit i cili, në krye të herës, si plaçkë e luftërave ballkanike, i takonte Serbisë. Herët ose vonë këtë do ta bëjë edhe shteti i tretë, Greqia, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve të Evropës. Tani natyrshëm na vjen një pyetje retorike: pse Serbia, pasi e humbi atë plaçkë të atyre luftërave, nuk e bën gjestin më fisnik, të pranojë të drejtën për vetëvendosje të shqiptarëve në shtratin e tyre etnik, si përfundim të filozofisë kolonialiste, në mos për tjetër, në fund të fundit, edhe si shenjë revolte ndaj atyre që dikur i kishte aleatë?! Pra, për Serbinë, tani që më nuk janë ato rrethana të para një shekulli, me njohjen e së drejtës së shqiptarëve për të vendosur për fatin e vet në hapësirën etnike të tyre, përfitimi do të jetë më i madh sesa humbja. Tani, edhe ashtu, Serbisë për të dalë në Adriatik i duhen 3-4 orë (me djersën e gjakun tonë ia kemi bërë të mundur këtë), ndërsa para një shekulli një gjë e tillë as që mund të imagjinohej! Kjo është një element shumë i rëndësishëm për interesin e këtij vendi. Mbi bazën e kësaj mund të gjykohet se më me leverdi për këtë vend është jeta e shqiptarëve jashtë kufijve të tij sesa e tillë çfarë ka qenë përgjatë Një shekulli. Një dekadë e Kosovës me Serbinë jashtë, solli mundësi më të mëdha për qarkullim të mallrave dhe ideve se sa një shekull me Serbinë në Kosovë.

Cili ishte faji ynë?

Por, kur jemi te gjendja që është krijuar që para një shekulli, duhet të pranojmë edhe ne shqiptarët pjesën e fajit që na takon dhe për të cilin kemi paguar haraç jo pak. Cili ishte faji ynë? Faji ynë nuk ishte i vogël. Ai bazën e kishte në nivelin e ulët të organizimit tonë, i cili nuk na dha mundësi të mbronim hapësirën në të cilën jetonim. Dhe, sipas filozofisë së kohës, e cila ende vazhdon të ekzistojë në kokat e disa njerëzve (kujtoni fjalët e Daçiqit, kur tha se ka luftuar me Thaçin dhe, po të mos ishte fuqia e jashtme, do ta mundte), fuqia ushtarake vendoste se deri ku do të shtrihej një shtet e jo e drejta e një populli të jetonte në paqe në truallin e tij. Sipas saj, çdo shtet që kishte afër tij një shoqëri me nivel të ulët fisnor, punën e parë që do ta bënte, ishte kolonizimi i asaj hapësire! Kështu do të bënin anglezët, francezët, italianët etj., e kështu bënë edhe serbët. Pa marrë parasysh arsyetimin e aneksimit nga ana e Serbisë të hapësirave ku ishin shumicë shqiptarët, ai ishte kolonizim i mirëfilltë. Mirëpo, ka një dallim mes kolonizimeve të serbëve dhe të atyre të popujve të përmendur. Ndërsa anglezët, francezët, italianët etj. kanë kolonizuar vende të largëta, prej të cilave me kohë janë tërhequr, serbët kanë kolonizuar hapësira fqinje, të cilat kanë pretenduar t’i fusin përgjithmonë në kuadër të shtetit të tyre. Këtij kolonizimi i erdhi fundit, tani të shohim përpara. Historinë t’ua lëmë historianëve: ta shkruajnë sa më shkencërisht. Ndërsa njerëzit të shohin nga ardhmëria. Serbët janë fqinjët tanë dhe jo vetëm gjeografikisht jemi më së afërti me ta, por edhe me shumëçka tjetër. Ishte niveli ynë i ulët dhe filozofia kolonialiste e kohës, që i shtyri ata në aventurën e hyrjes në tokat tona në dekadën e dytë të shekullit të njëzetë dhe që i tundoi të bëjnë të gjitha ato që i bënë mbi ne! Ndërsa tani, kur po jetojmë në një kohë që e karakterizon një filozofi tjetër, me një nivel shtetformues tjetër tonin, i cili edhe sot, 100 vjet pas, tek ne nuk është i lakmueshëm, ka ardhur koha që t’i ndihmojmë këtij populli dhe, duke i ndihmuar atij t’i ndihmojmë edhe vetes sonë, që të dalim së bashku nga ky qorrsokak ku jemi futur.

Kritika letrare, në krizë të rëndë


Kritika letrare në Kosovë prej vitesh është e mangët dhe jo shumë produktive. Kryesisht kritikët shkruajnë për veprat e miqve në superlativ, duke mos vënë në dukje mangësitë që ka një vepër. Kjo, ka bërë që letërsia shqipe në Kosovë të jetë larg zhvillimeve botërore.

Letërsia nuk është në krizë


Shkrimtari Reshat Sahitaj * thotë se në Kosovë letërsia shqipe nuk është në krizë, por kritika letrare. “Letërsia shqipe nuk është në krizë të thellë sa është kritika e mirëfilltë në krizë të rëndë. Për një vepër letrare artistikisht të realizuar nuk është më rëndësi a do të vlerësohet sot, nesër a pasnesër, ngase ajo një ditë do vlerësohet patjetër. Në letërsi kemi shumë shembuj kur një vepër letrare ka kaluar në heshtje për vite të tëra e pastaj gjenerata tjetër e ka vlerësuar në superlativ”, shton ai, duke thënë se kritika letrare në Kosovë jo vetëm që është në krizë, por janë shumë të paktë kritikët letrarë, të cilët dinë të vlerësojnë një vepër letrare. “Lexueseve tanë shpesh u bie rasti të lexojnë recensione letrare, të cilat nuk janë të kapshme, sepse janë të palogjikshme. Objekti i një studimi letrar është analiza e një vepre nga kënde të ndryshme dhe zbërthimi i kodeve të veprës që autori qëllimisht ose në raste të rralla rastësisht i ka përdorur në veprën e tij. Shumica e kritikëve tanë (jo të gjithë) janë shabllon dhe ende kanë mbetur në epokën e fillimit të shekullit të kaluar”, thotë  publicisti shqiptar Reshat Sahitaj.

Thëniet e huaja

Studiuesi Reshat Sahitaj thotë se edhe ata kritikë që janë mundohen që me thënie të autorëve të huaj të bëjnë kritika letrare. “Disa kritikë tanë në recensionet e tyre përdorin thënie të autorëve të huaj, të cilat i gjejnë në botime të veçanta ose në internet, por të cilat nuk kanë të bëjnë asgjë më recensionin që e kanë shkruar. Kjo metodë është kontraproduktive dhe tregon injorancën e tyre se ata nuk kanë lidhje me zbërthimin e një vepre letrare”, tha ai.

Ai ngre një çështje që duhet diskutuar, pra kritikët shkruajnë në bazë të miqësisë dhe mirë për ndonjë zyrtar shtetëror. “Pjesa më e madhe e kritikëve tanë shkruajnë për t’ia plotësuar dëshirën ndonjë zyrtari që është bërë krijues, ndonjë të dashure të tyre që vetë ua shkruajnë librat, ndonjë “miku” që ka fituar ndonjë tender nga ministria, e në këtë mënyrë ne stagnojmë”, nënvizoi  Reshat Sahitaj.

Ndjeshmëriandaj gjykimit kritik

Ndërkaq, kritiku dhe sociologu Avni Rudaku * tha se moskritika e duhur rrjedh nga arsimimi i dobët. “Kritika mbetet problem i arsimimit të dobët, gjendjes së rëndë socio-ekonomike të kritikëve, mungesa e debateve mbi letërsinë në mediet dhe hapësirën shqiptare, ndjeshmëria ndaj gjykimit kritik nga ana e krijuesve dhe relacioni emotiv që krijojnë me kritikët, organizimi i dobët i klubeve kulturore dhe letrare në Kosovë, decentralizimi i burimeve të njohjes së veprës letrare, mentaliteti postkolonial që kritikën e konsideron si ‘qortim’, ‘presion’, ‘shtypje’, ‘nënçmim’, etj. Kur e themi mentaliteti postkolonial e kemi fjalën se kemi të bëjmë me ndikimin e të kaluarës sonë nën sundimin e huaj dhe kritikën e barazojmë me qortimin, sikur kritika të ishte armiqësore”, mendon  Avni Rudaku.


---------------------------
Reshat Sahitaj.jpg

Reshat Sahitaj ka lindur më 1952 në fshatin Sopijë të Therandës. Ka një veprimtari letrare, kulturore dhe atdhetare. Për shkaqe politike, autori qe i detyruar të largohej më 1979 nga Kosova dhe të vendosej në Belgjikë. Në Bruksel ndjek studimet e gjuhes frenge dhe diplomon në Ecole Superieur de l’Etat. Atje ishte ndër organizatorët e shumë demonstratave kundër terrorit serb në Kosovë. Me 1983 emërohet sekretar për marrëdhënie me jashtë në Komitetin e Mbrojtjës së të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me kryetar Enver Hadrin. Pas vrasjes së Enver Hadrit, vazhdon veprimtarinë politike në Byronë Informative të Republikës së Kosovës deri në përfundim të luftës në Kosovë. Ka dhënë një kontribut të çmuar në miratimin e të gjitha rezolutave për Kosovën në Paralmentin Europian që nga viti 1989 deri më 1998. Reshat Sahitaj ishte ndërmjetësues i kontaktëve të para diplomatike në mes të të gjithë personalitetëve kosovare në Parlamentin Europian, Senatin Belg, dhe NATO. Ne verën e 1998, në lokalet e OKB-së në Gjenevë, Reshat Sahitaj në bashkëpinim me zonjën Anne Marie –Lizin, arriti të organizon konferencë për shtyp të UÇK-së, ku mori pjesë edhe Bardhyl Mahmuti.

Avni Rudaku.JPG

Avni Rudaku lindi më 1984 në Gjilan, është poet, publicist letrar.
Avni Rudaku është Baçelor i Psikologjisë dhe Sociologjisë në Universitetin Publik të Prishtinës. Vazhdoi studimet master në Sociologji, në të njëjtin universitet dhe, aktualisht është duke mbaruar temën për master. Ka botuar një mori refleksionesh të karakterit publicistik, shkencor dhe letrar. Është fitues i çdo burse vjetore të Universitetit të Prishtinës. Libri “Poezi pa frymë”, është njëherazi libri i tij i parë, i botuar në janar të vitit 2010. Është ngacmuar të shkruaj poezi para një viti, ku përmes vargut dëshiron më pak të transmetojë emocion (frymë), e për më tepër të shqyrtojë tema e nëntema të konteksteve të ndryshme socio-kulturore dhe psiko-filozofike, e veçmas sfidat e jetës bashkëkohore.
Aktualisht është asistent i ri për lëndë psikologjike, në Kolegjin Universitar "Iliria", dega në Gjilan.
Jeton dhe punon në Gjilan.

Përgatiti Flori Bruqi

Lahuta e Grosho Ibrës ligjëroi për trimëritë rugovase


Autori Marin Kelmendi, përmes një rrëfimi të qartë në këtë vepër, kap copëza të shkëputura të historisë së trimave të atyre maleve të Krahinës së Rugovës përmes rrëfimeve nga kujtesa e pashlyer e popullatës së asaj treve, për trimat në zë, duke ngritur lart flamurin e lirisë, siç e bëri me guxim dhe krenari bajraktari i Rugovës Sak Fazlija.
description
Rrugëtimi patriotik

Në fillim të këtij libri Marin Kelmendi, duke folur për rrethanat historike në Rugovë, para, gjatë dhe pas luftës së Dytë Botërore, kujton me fjalë dhe shifra masakrat që i bënë serbomalazezet ndaj popullatës së Rugovës. Pikërisht në rrethana të tilla fillon rrugëtimi kombëtar e patriotik edhe i dy protagonistëve kryesorë të këtij libri, të Grosho Ibrës e Shaban Groshit, babë e bir, që lanë gjurmë të pashlyera, duke u bërë pjesë përbërëse e historisë më e re të Krahinës së Rugovës.
Respekti i lartë dhe dashuria ndaj veprave të këtyre trimave u ruajt edhe sot e kësaj dite në kujtesën e shumë brezave të sotëm të Rugovës, të cilën Marin Kelmendi provoi ta artikulojë si është më së drejti në këtë vepër, e cila është edhe një dëshmi e mirë për brezat e sotëm, duke nxjerrë nga harresa qoftë masakrat dhe tmerret qoftë trimërinë dhe heroizmat e brezave të Grosho Ibrës dhe të Shaban Groshit, të tërë atë plejadë burrash e trimash që nuk pushuan së reshturi që të mbrojnë atë pjesë të kufirit në ketë cep të Kosovës .

Këngët epike

Autori me kujdes ka prezantuar përmes një simbolike epike lahutën e Grosho Ibrës dhe të birin e tij Shaban Groshin si lahutar që përmes këngëve epike ka mbajtur gjallë atë copë histori të babait të tij që ishte pjesë e pandarë e historisë së atyre luftërave, ku edhe ai vetë ishte involvuar në to. Për librin folën kryetari i Pejës, Ali Berisha, dhe Ramiz S. Kelmendi, redaktor i librit.

Librat e fundit të autorit Flori Bruqi




Ftesa për seks e qoi drejt vrasjes


Ftesa Për Seks e Çoi Drejt Vrasjes

Ditën e parë të majit 2012, për mese katër orë, ajo e thërriste në telefon Fidan Shabin duke i premtuar marrëdhënie seksuale. Por, pasi kishin shkuan në banesën e saj, në mesnatë, vajza e të ndjerit Sali Dukati e kishte ngjitur Shabin në tavan ku e kishte qëlluar në kokë e trup, siç dyshohet për motive hakmarrëse, pasi besonte që ai kishte hedhur bombën që shkaktoi vdekjen e të atit. Aktakuza e prokurorit flet edhe se si dy të pandehurit, Besarta Harxhi dhe A.Ll, kishin fshehur provat dhe e kishin mbuluar kufomën me qese.
Vrasja ende e pazbuluar e Salih Kastratit, argjendarit të njohur si Salih Dukati, pati shokuar vitin e kaluar Pejën, qytetin që ka qenë pronë e një numër vrasjesh të rënda pasluftës.
Familjarë kishin deklaruar se argjendarit i ishte kërkuar haraç nga politikanët e vendit, por pohimet e tyre ende nuk janë konfirmuar nga organet e drejtësisë.

Kastrati kishte ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare verën e vitit 2012 pas plagëve të marra nga hedhja e bombës në oborrin e shtëpisë së tij.
Fillimisht ai ishte plagosur më 14 mars 2012, por ka vdekur pasi ka kaluar një muaj në gjendje kome.
Për t’i qëndruar pranë babait të saj gjatë ditëve të fundit të jetës, vajza Besarta Harxhi (mbiemri i saj martesor) ishte kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej tri vitesh.
Njëzetetetë vjeçe, Harxhi, me vete në Kosovë kishte edhe vajzën e saj të vetme pesëvjeçare.
Ajo ka përfunduar në paraburgim, një muaj pas vdekjes së të atit, më 8 maj 2012, pas dyshimeve që ishin ngritur në lidhje me zhdukjen dhe pastaj vrasjen e Fidan Shabit.
Shabi ishte zhdukur më 1 maj 2012 dhe ishte gjetur i vrarë më 12 maj 2012 në një banesë private, afër ish-stacionit të trenit në Pejë.



Prokuroria pretendon se vepra penale e vrasjes së Shabit është kryer nga Besarta për qëllime hakmarrëse pasi që ajo mendonte se ai ishte një ndër personat që hodhi bombën e dorës në oborrin e shtëpisë së babait të saj, me pasojë vdekjen e këtij të fundit.
Harxhi ndodhet në paraburgim që nga ajo kohë ndërsa gjykimi kundër saj dhe të miturit A.Ll sapo ka filluar.
Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar aktakuzën e prokurorit Ali Uka kundër të pandehurve Besarta Harxhi dhe të miturit A.Ll. Dokumenti akuzues prej 26 faqesh mban datën 27 nëntor 2012 dhe përmban gabime të shumta gjuhësore.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale të vrasjes së rëndë respektivisht të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Të dy të pandehurit kanë lidhje familjare sepse nënat e tyre janë vajza të axhës në mes vete, ka gjetur prokuroria.

Prokurori Uka ka dhënë një version të tij përmes aktakuzës për mënyrën dhe rrethanat në të cilat ai beson se ka mundur të ndodhë vrasja e viktimës Fidan Shabi.
Më 1 maj 2012 rreth orës 19:30, Besarta kishte kontaktuar përmes mesazheve telefonike me viktimën Fidan Shabi me ç’rast ishin dakorduar të takoheshin në mesnatë në banesën e saj e cila ndodhet afër stacionit të trenave në Pejë.
Ajo i kishte premtuar Fidanit se do të kishin marrëdhënie seksuale.
Që nga ajo orë e deri në mesnatë, Besarta kishte kontaktuar disa herë Fidanin - telefonata e fundit ishte bërë rreth orës 23:00.

Pas telefonatës së fundit, Besarta, së bashku me të pandehurin tjetër të këtij rasti, të miturin A.Ll, kanë shkuar me veturë nga shtëpia e Sali Kastratit në banesën e saj dhe janë ndalur afër “Frizer Agronit”.
Vetura nuk ishte pronë e asnjërit prej tyre pasi që ishte marrë me qira.
Pasi afrohen tek banesa, i mituri i cili kishte vozitur deri aty, vendos të qëndrojë në veturë ndërsa Besarta afrohet ku po e priste Shabi.
“Ajo e fton Fidanin që të ngjiten në tavanin e banesës dhe aty në mënyrë të paskrupullt”, siç thuhet në aktakuzë, “nxjerr revolen dhe qëllon të ndjerin disa herë në kokë dhe në trup duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse”.
Më pas, Besarta thërret të miturin, i cili tash akuzohet për ofrimin e ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes, dhe së bashku mbulojnë viktimën me qese plastike dhe me batanije dhe largohen nga vendi i ngjarjes.
I mituri akuzohet nga prokuroria edhe se ka fshehur provat e veprës së kryer penale dhe ka shkatërruar revolen me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Prokuroria ka propozuar ndër të tjerë edhe 16 dëshmitarë që pritet të dëshmojnë lidhur me këtë rast.
“Gjysmë ore pas të shtënave me armë më ka zënë gjumi”
E pandehura Besarta Harxhi deri më tani ka dhënë disa deklarata të ndryshme lidhur me dyshimin për vrasjen e bërë në mes të 1 dhe 2 majit të vitit 2012, shkruan në aktakuzë.
Në deklaratën e saj të parë të dhënë më 8 maj 2012 në polici, ajo ishte mbrojtur në heshtje duke mos pohuar apo mohuar kryerjen e veprës penale.
Katër ditë më vonë, më 12 maj, ajo kishte pranuar se kishte privuar nga jeta Fidan Shabin sepse, sipas saj, ai e kishte dhunuar në tetor të vitit 2011 por se rastin nuk e kishte paraqitur në polici shkaku i familjes.
Të njëjtën deklaratë ajo e ka përsëritur disa javë më vonë, përkatësisht më 29 maj dhe 26 qershor në prezencën e avokatëve mbrojtës.
Më vonë, kur është pyetur nga prokurori, Harxhi ka mohuar të ketë vrarë Fidan Shabin dhe është arsyetuar se kishte pohuar të kundërtën më herët sepse kishte qenë e “traumatizuar”.
Ajo ka deklaruar në organin e akuzës se ditën kur dyshohet të jetë vrarë Shabi ajo së bashku me vajzën e saj dhe familjarët e tjerë ndodhej në piknik në Rugovë ku kishte shkuar herët më mëngjes dhe ishte kthyer rreth orës 18:00.


Me të në piknik ishte edhe i afërmi i saj A.Ll, i pandehuri tjetër në këtë rast.
Pasi kishte shoqëruar mysafirët pas kthimit nga pikniku, Besarta kishte rënë në gjumë së bashku më vajzën e saj kur A.Ll e kishte zgjuar dhe i kishte thënë se duhej të dilnin bashkë.
I mituri nuk ishte përgjigjur pyetjes së saj se ku do të shkonin por Besarta i ishte bindur dhe së bashku kishin dalë në veturë dhe sipas urdhrit të të miturit ajo kishte ndalë veturën tek “Frizer Agroni”.
Aty A.Ll kishte dalë nga vetura dhe ajo e kishte pritur deri në ora 02:30 të mesnatës derisa ai ishte kthyer dhe së bashku kishin shkuar në shtëpinë e të ndjerit Salih Kastrati.
Gjysmë orë më vonë, sipas deklaratës së Besartës dhënë në prokurori, ajo kishte dëgjuar të shtëna nga ballkoni i shtëpisë dhe kishte vërejtur së ishte A.Ll ai që kishte shtënë me armë.
Gjysmë ore më vonë, ajo kishte rënë për të fjetur dhe “nuk i kujtohet se çfarë ka ndodhur më pas”.
Nga tërë deklarata e Besartës i mituri ka konfirmuar vetëm shkuarjen në piknik ndërsa ka vazhduar me deklarata që kanë kundërshtuar ato të pandehurës.
“Rreth orës 23:00 bashkë me Besartën kemi dalë me ble bukë sepse nuk kishte në shtëpi”, ka deklaruar i mituri A.Ll.
“Kur kemi shkuar tek ‘Frizer Agoni’ Besarta më ka thënë të pres aty”.
Ai ka deklaruar se e ka pritur të pandehurën një kohë dhe kur ishte nisur të largohej nga vendi ajo e kishte telefonuar. I pandehuri e kishte marrë dhe kishte vërejtur se ajo me vete kishte dy qese plastike njërën prej të cilave e kishte hedhur në kontejner të mbeturinave rrugës derisa ktheheshin në shtëpi.
Prokuroria ndër prova të tjera bazon aktakuzën edhe në telefonata dhe mesazhe telefonike.
Në hartografinë e telefonave, të përpiluar nga policia hetimore, tregohen numrat e telefonit që Besarta dyshohet të ketë përdorur dhe lokacionet nga janë bërë thirrjet telefonike.
Në mes të orës 19:24 dhe 01:04 pas mesnate ajo ka kontaktuar me Shabin gjashtë herë. Tri telefonatat e para, sipas prokurorisë, janë bërë nga qendra e qytetit, telefonata tjetër është bërë nga lagjja Kapeshnicë ndërsa telefonatat tjera janë bërë përsëri nga qendra e qytetit, afër shkollës “Tetë Marsi”.
Sipas thirrjeve telefonike të prokurorisë, Besarta është kontaktuar nga i dyshuari për dhëniën e ndihmës në kryerjen e vrasjes A.Ll, telefonatë kjo që ka zgjatur vetëm 4 sekonda dhe që tregon që ai atë kohë ndodhej në rrugën “Mic Sokoli”.
Në fund të aktakuzës prokurori ka propozuar që të shqiptohet dënim me burg edhe për të miturin.
Gjykimi i të pandehurve ka filluar katër muaj pas ngritjes së aktakuzës, më 21 shkurt 2013.
Në seancën e parë ishte kërkuar nga mbrojtësit e të pandehurve që rasti të gjykohej nga EULEX gjë që është hedhur poshtë nga këta të fundit. 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...