2013-02-24

Ja si do Serbia të manipulojë me pensionistët e Kosovës


Shpallja për paraqitjen e kërkesave

Me këtë lajmërim të Fondit për Pensionistët e Kosovës Serbia vetëm do të arsyetohet para faktorit ndërkombëtar, respektivisht para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg



Shkruan: Adil FETAHU

Në shkrimin e botuar në këtë gazetë, të datës 22 shkurt, kemi trajtuar më hollësisht manipulimin e Serbisë me pensionet e pensionistëve të Kosovës. Si për ta vërtetuar atë shkrim, Fondi Republikan për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Serbisë, në ndërkohë, e publikoi lajmërimin për pensionistët e Kosovës, të cilët pretendojnë të marrin pensionet nga Serbia, se cilat dokumente duhet t’i dërgojnë, si t’i dërgojnë dhe në cilin afat. Tërë përmbajtja e lajmërimit është e përshkuar me politikë dhe në funksion të propagandës e të manipulimit.

Publikimi në ueb-sajtin e fondit

Me “planin aksional për zgjidhjen e problemit të pagesës së pensioneve në territorin e Kosovës e Metohisë”, të cilin e kishte propozuar Grupi punues i Ministrisë së Punës, e që e kishte miratuar Qeveria e Serbisë më 12 shkurt, ishte përcaktuar se (pikërisht) më 20 shkurt do të publikohet shpallja për dokumentet që duhet t’i dërgohen Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nga pensionistët, të cilët pretendojnë se kanë të drejtë të marrin pensionet e tyre nga Serbia. Në planin aksional ishte caktuar që shpallja (lajmërimi) të publikohet në gazetën “Politika” të Beogradit, në “Jedinstvo” të Kosovës (që del në Mitrovicë), dhe në ueb-sajtin e Fondit Republikan të SPI të Serbisë. Në gazetat e përmendura nuk botuan, ndërsa në ueb-sajtin e fondit (www.pio.rs) është botuar shpallja, me titull: “Lajmërim për shfrytëzuesit e pensioneve nga rajoni i KA të Kosovës e Metohisë” (lajmërimi është botuar në gjuhën serbe). Për të parë “marifetet” e manipulimit, këtu po e botojmë në tërësi tekstin e lajmërimit (të përkthyer në gjuhën shqipe).

“Lajmërim për shfrytëzuesit e pensioneve nga rajoni i KA të Kosovës e Metohisë”

Shfrytëzuesit e pensioneve sipas aktvendimit të Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Serbisë, nga rajoni i KA të Kosovës e Metohisë, të cilëve nuk ka mundur t’u bëhet pagesa prej 9 qershorit 1999, munden në afat prej 60 ditësh, pas ditës së publikimit të këtij lajmërimi, të paraqesin kërkesë drejtpërdrejt ose nëpërmes postës, Shërbimit të Drejtorisë së Fondit në Prishtinë, me seli të përkohshme në “Bulevar umetnosti”, nr. 10, 10070 Novi Beograd, për të bërë pagesën.

Kërkesës duhet bashkangjitur:

1) Aktvendimin e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Serbisë mbi njohjen e së drejtës së pensionit (në origjinal, ose fotokopje të vërtetuar nga organi kompetent i Republikës së Serbisë, me klauzolën e plotfuqishmërisë, nëse është fjala për njohjen e pensionit invalidor);

2) Dokumentin për vërtetimin e identitetit, me të dhënat personale të shfrytëzuesit (leja e njoftimit, dokumenti i udhëtimit);

3) Dokumentin provë mbi atë se a është paraqitësi i kërkesës shfrytëzues i pensionit të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes dhe të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuar në Kosovë (UNMIK);

4) Certifikatën që vërteton se është i gjallë, të cilën e jep organi certifikatat e të cilit pranohen (gjykata, komuna dhe njësia organizative e Fondit Republikan të SPI);

5) Dokumentin provë se a e ka paraqitësi i kërkesës cilësinë e të siguruarit në kuptim të dispozitave mbi sigurimin pensional dhe invalidor dhe dokumentin provues mbi shkollimin e fëmijëve të shfrytëzuesit të pensionit familjar.

Të gjitha provat (dokumentet, vërtetimet etj.) duhet të jenë në pajtim me ligjet e Republikës së Serbisë”.
Pika 5 e lajmërimit (cilësia e të siguruarit) është e paqartë për njerëzit më pak të informuar. Aty është fjala për rastet kur ndonjë pretendues për pensionin është në marrëdhënie pune, ose merret me ndonjë veprimtari të pavarur, dhe qe sipas asaj baze ka sigurim pensional dhe invalidor.
Në fund të lajmërimit janë dhënë tre lloje formularësh të fondit për paraqitjen e kërkesës për pagesën e pensionit, me nga disa rubrika, të cilat munden dhe dinë t’i plotësojnë vetëm pak njerëz, të cilët marrin vesh nga fusha e sigurimit pensional dhe invalidor.

Zvarritja e procedurës

E gjithë kjo “ujdurmë” është bërë me qëllim që sa më pak pensionistë të arrijnë t’i kompletojnë dokumentet e kërkuara. Aq më tepër, që shumë pensionistë nuk i kanë dokumentet ose iu kanë humbur gjatë kësaj periudhe, ose iu kanë djegur a shkatërruar gjatë luftës. Nga ana tjetër, sipas lajmërimit, të gjitha dokumentet provë duhet të jenë në pajtim me ligjet e Republikës së Serbisë, d.m.th. të lëshuara ose të vërtetuara nga organet e Serbisë. Se Serbia po bën lojë dhe po manipulon me problemin e pensionistëve të Kosovës e vërteton edhe deklarata e sekretarit shtetëror të Ministrisë së Punës së Serbisë (Dragi Vidojeviq) dhënë gazetës “Politika” të Beogradit më 18 shkurt. Në pyetjen e gazetarëve se a është e vërtetë që Serbia u ka borxh pensionistëve të Kosovës 1 deri 5 miliardë euro, ai u është përgjigjur se “këto janë vetëm spekulime, se deri më tash 9500 veta nga Kosova i kanë paraqitur kërkesat, por prej të gjithë atyre vetëm 300 veta kanë marrë vendime pozitive, se shumë dokumente të paraqitura kanë qenë të falsifikuara etj”. Me këtë lajmërim të Fondit për Pensionistët e Kosovës, Serbia vetëm do të arsyetohet para faktorit ndërkombëtar, respektivisht para Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe ta zvarritë procedurën e ta reduktojë në minimum numrin e atyre që eventualisht mund ta realizojnë të drejtën e pensionit, respektivisht të mos ua njohë të drejtën askujt që ka marrë “pension” nga buxheti i Kosovës, e të tillë janë të gjithë këta që kanë qenë pensionistë në kohën e okupimit të Serbisë, deri në qershor të vitit 1999.
Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të dalë me një qëndrim të qartë zyrtar, e t’u shpjegojë pensionistëve se pensionet nga shteti tjetër mund t’i realizojnë vetëm në bazë të marrëveshjes ndërshtetërore, sikur veprohet ndërmjet të gjitha shteteve të tjera. Dhe, jo vetëm t’i njoftojë pensionistët e Kosovës, por t’i dërgojë reagim Qeverisë së Serbisë që të mos i maltretojë dhe mashtrojë pensionistët e Kosovës, por të ulën e të bëjnë marrëveshje bilaterale për pensionet. Pensionet janë e drejtë pronësore e pensionistëve, e Serbia nuk mund t’ua mohojë atë të drejtë dhe atë borxh, pa marrë parasysh se nga buxheti i Kosovës u është bërë njëfarë pagese prej korrikut 2002, duke filluar nga 28 euro.Kjo punë kërkon një reagim të shpejtë të Qeverisë, që të mos sillen e sorollatën pensionistët me dokumente. Qeveria, respektivisht Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka të dhënat e sakta për secilin pensionist, prandaj kjo punë nuk duhet t’iu lihet individëve të maltretohen.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...