2013-02-24

Hashim Thaçi ka marrë Çmimin për Lidership dhe Qeverisje të Mirë nga Federata Botërore e Paqes.




Kryeministri Hashim Thaçi ka rrëfyer historinë e Kosovës në Samitin Botëror të Paqes në Seul të Koresë Jugore. Lideri i PDK’së i ka lidhur të gjitha ngjarjet historike të shtetit me emrin e tij. Atje ka folur edhe për bisedimet me Serbinë, duke thënë se shpejt do të gjendet zgjidhja për Veriun.

Kryeministri Hashim Thaçi ka vendosur të rrëfejë historinë e Kosovës në vetën e parë, duke ndërlidhur gjithçka që ka ndodhur në vend me emrin e tij.

Në Samitin Botëror të Paqes, mbajtur në Seul të Koresë së Jugut, Thaçi e ka nisur rrëfimin prej viteve kur ka ikur si student në Zvicër dhe për kohën kur është kthyer në vendlindje si “udhëheqës i luftës”.

“Shpejt u bëra një luftëtar gueril dhe udhëheqës i burrave dhe grave që morën armët për të rezistuar”, ka treguar ai.

Pastaj ka folur përsëri në vetën e parë për momentin më të rëndësishëm të Kosovës.
Ai ia ka lënë vetës meritën për momentin e pavarësisë së Kosovës. Ka thënë se i ka mbledhur të zgjedhurit e popullit dhe ka shpallur pavarësinë.

“I mblodha përfaqësuesit e popullit nga të gjitha komunitetet dhe e shpalla pavarësinë e vendit tim më 17 shkurt 2008. Isha krenar që biri im, fëmijët tanë, kurrë më nuk do të jetonin në frikë, kurrë më nuk do t’i nënshtroheshin urrejtjes, kurrë më nuk do t’u bëheshin pyetje për gjuhën që flasin apo fenë e tyre”, ka thënë ai.

Kryeministri Thaçi ka folur edhe për kohën kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, shkruan Express.

“Kosova ishte një njësi në ish-Jugosllavi, një vend që u shpërbë plotësisht nën sundimin e regjimit nacionalist në një varg të luftërave të përgjakshme”, ka treguar Kryeministri.
Për Shefin e Qeverisë së Kosovës, Serbia është bërë demokratike, pavarësisht se nuk i ka kërkuar falje kosovarëve për krimet që ka kryer.

“Serbia ndërroi politikanët dhe u bë demokratike, por fatkeqësisht diskursi i tyre ndaj kosovarëve nuk ndryshoi shumë në fillim dhe ata ngurronin që t’i pranonin krimet e kryera ndaj kosovarëve dhe të pranonin realitetin e shtetit të ri”, ka shtuar ai.
As Kryeministri nuk e ka përmendur numrin e saktë të njohjeve që i kanë ardhur Kosovës. Sikurse Presidentja dhe Ministri i Jashtëm, edhe Thaçi ka thënë se janë afër 100 njohje.

“Ne morëm ndihmë të madhe dhe në më pak se 5 vjet, pavarësisht rezistencës nga disa anëtarë të Këshillit të Sigurimit, Kosova tani është njohur nga gati 100 shtete”.
Me këtë rast, kreu i Qeverisë u ka bërë thirrje edhe vendeve tjera që ta njohin Republikën e Kosovës.

“Shfrytëzoj këtë rast që t’ ju ftoj, udhëheqës të shquar nga vende që ende nuk e keni bërë këtë, të njihni vullnetin e popullit të Kosovës dhe t’i bashkoheni më shumë se gjysmës së anëtarësisë të OKB-së duke përfshirë shumicën e vendeve të BE-së dhe NATO-s, shumicën e Organizatës së Konferencës Islamike, shumicën e vendeve të Këshillit të Evropës, të pranoni dorën tonë të miqësisë dhe të na njihni”, ka shtuar ai.
Ndërkohë, Kryeministri ka vazhduar të rrëfejë historinë e Kosovës në vetën e parë, duke ia lënë vetës edhe meritat për rritjen e pagave.

“Dyfishova pagat e të gjithë punonjësve publikë brenda 5 viteve, ndërsa i trefishova pagat e prokurorëve dhe gjykatësve”, është vetë-lavdëruar Thaçi.
“Qeveria ime ka mundësuar mbrojtjen e plotë të pakicave”, ka shtuar ai.
Pavarësisht se Kosova renditet në vendin e nëntë për nga varfëria në botë, Kryeministri Thaci ka krahasuar shtetin e ri me shtetet e BE’së.

“Rritja jonë ekonomike është e dyta më e madhja në Europë për pesë vitet e fundit, me gjithë faktin që po veprojmë në periudhën e krizës ekonomike që e ka goditur vendim tim po aq sa tuajat. Më shumë duhet bërë, sidomos në joshjen e investime të huaja direkte dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.



Thaci ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se shpejt do të gjendet edhe zgjidhja për Veriun.

“BE-ja na ka thënë të dyja palëve që të veprojmë në mënyrë fqinjësore nëse duam të bëhemi anëtarë të BE-së. Kjo është ajo që ne duam: një Serbi evropiane e cila njeh Kosovën në emër të vlerave universale, por edhe për interesa vendore.
Gjatë qëndrimit në Korenë Veriore, Thaçi ka marrë Çmimin për Lidership dhe Qeverisje të Mirë nga Federata Botërore e Paqes.

Ky çmim u ndahet liderëve të botës dhe organizatave të ndryshme që kanë treguar standardet më të larta në lidership, qeverisje, integritet profesional si dhe parime etike.
Ai ndërkaq ka takuar edhe përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...