Seul, Hashim Thaçi nderohet me çmimin Doktor Honoris Causa


Seul, Thaçi nderohet me çmimin Doktor Honoris Causa
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa” nga Universitetin Sun Moon në Seul të Koresë. Me këtë rast Thaçi ka thënë se është ditë e veçantë për të pasi që është në Seul, në mesin e studentëve dhe mësimdhënësve.
”Kemi udhëtuar nga vende të ndryshme të botës dhe të kuptosh se na jepet ky nder kaq larg, më bënë të kuptoj se me gjithë distancën e largët, me gjithë dallimet kulturore, në botën e sotme të globalizuar, veprimet e dikujt në jetë, pa dyshim se jehojnë tek njerëzit në pjesë të ndryshme të botës.
Është ditë e veçantë për mua të jem në Seul, këtu në mesin e studentëve dhe mësimdhënësve.
Para rreth dy dekadash, unë vetë isha student, së pari në qytezën time të lindjes e pastaj edhe si student disident në Zvicër.
Fillova studimet në degën e historisë në Cyrih, pak vite pasi qeveria brutale serbe i mbylli të gjitha institucionet arsimore në gjuhën shqipe.
Me dhjetëra mijëra dhe më vonë me qindra mijëra kosovarë, të rinj e të reja u larguan nga vendi në kërkim të arsimimit, punësimit dhe normalitetit.
Unë isha student aktivist qysh në moshë të re dhe isha cak i policisë, andaj, qëndrimi im në Kosovë u bë i pamundshëm.
Sot, ua kam zili juve, me që unë nuk i përfundova studimet në një gjendje normale.
Duke studiuar jashtë vendit, në kohën që ndaja nga leximi, takohesha me kosovarë të tjerë nga krejt bota për të parë se çfarë mund të bënim për të çliruar vendin tonë nga sundimi i Millosheviqit i cili filloi të instalojë një sistem të vërtetë aparteidi në një vend më pak se dy orë fluturim larg nga Gjeneva.
Ne takoheshim fshehtas pasi që policia sekrete serbe ishte e famshme për ndjekjen dhe vrasjen e disidentëve kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë.
Një rrugë të cilën e menduam dhe e provuam ishte ajo e rezistencës paqësore.
Duke lexuar nga shkrimet e Gandit ose Martin Luter Kingut, të frymëzuar për të duruar nga Nëna Terezë, e cila ishte e lindur në Kosovë, ne në fillim menduam se vetëm me forcën e vullnetit të popullit do të ishim në gjendje të ndalnim shtypjen.
Kjo nuk funksionoi.
Serbia e asaj kohe nuk ishte Britani e Madhe dhe Millosheviqi nuk ishte Xhon Kenedi. Andaj, të përballur me tirani, nuk kishte zgjedhje të shumta, ka thënë Thaçi në vazhdim.
Normaliteti ishte në Zvicër, përderisa një gjendje krejtësisht jonormale mbretëronte në Ballkan.
Unë i lash studimet dhe shkova për të themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës me miqtë e mi.
Nga konviktet e jetës studentore, shpejt u gjenda në malet e Ballkanit, duke u munduar të organizoj rezistencën ndaj një sistemi që nuk na konsideronte si njerëz, e lëre më si të barabartë.
Librave u duhej të prisnin ditë më të mira. Kjo nuk ishte një rrugë e lehtë për mua.
Vendimi për të hequr dorë nga çdo gjë normale në një vend të sigurt për t’u angazhuar në rezistencë të armatosur, për të rrezikuar jetën dhe për të parë vdekjen çdo ditë nuk është diçka që ua dëshiroj askujt nga ne që ta ndërmarrin prapë.
Kisha momente të dyshimit, sidomos kur shihja humbje të mëdha, miqtë e mi duke vdekur, duke dhënë jetën në altarin e lirisë.
Kisha momente të dyshimit kur shihja hakmarrje shkretuese kundër civilëve që ndërmerrnin forcat serbe pas çdo aksioni që ne e bënim kundër njësive policore dhe ushtarake.
Dilemat morale nuk treteshin, ato vetëm forcoheshin.
A luftohet e keqja me çdo çmim?
Sa jetë njerëzish është e vlefshme liria? A mund të ketë paqe pa liri për njerëzit dhe popullin në përgjithësi?
Këto janë pyetje që i kanë bërë shumë liderë, por në Evropë sot, janë shumë të paktë, nëse ka, të atillë që u desh të marrin vendime personale për të rrokur armët dhe për të luftuar.
Një tipar i luftës për liri është që ta dallosh lirinë kur ajo vjen.
Fitoret kurrë nuk janë të lehta ashtu siç nuk janë kompromiset për t’u dhënë fund luftërave e konflikteve.
Liria jonë erdhi mu në momentin kur trupat e NATO-s u futën në Kosovë pas një fitoreje mbi regjimin e Millosheviqit.
E dija në atë moment se armët nuk do të duheshin më në Kosovë.
Ne e fituam lirinë, por vetëm sa niseshim rrugës së gjatë deri në pavarësi.
Menjëherë filluam të bashkëpunojmë me Kombet e Bashkuara për të themeluar demokracinë në një vend të vogël që kurrë nuk e kishte përjetuar demokracinë e vërtetë pas dhjetë vjetësh të aparteidit dhe pesëdhjetë vjetësh të sistemit komunist.
Madje unë edhe i humba zgjedhjet e mia të para pas luftës, edhe të dytat, dhe m’u desh të pranoja rolin përgjegjës të të qenit opozitë konstruktive pa asnjë pushtet.
Ky është një mësim i rëndësishëm; që duhet të pajtohesh nëse populli thotë ashtu.
Shekulli i njëzetë tek ne filloi me luftëra dhe mbaroi me luftëra.
Megjithatë, në përfundim të luftës sonë të fundit, isha i bindur se ne duhej të hynim në shekullin XXI në paqe që fëmijët tanë të mund të jetojnë në paqe.
Paqja nuk mund të shtrihet vetëm tek një grup etnik, e as liria nuk mund të shijohet nga një popull në kurriz të të tjerëve.
Unë përherë kam qenë dhe mbetem i përkushtuar që çdo kosovar, pa dallim etnisë, fesë ose gjuhës së tyre, do të jetë gjithmonë i lirë në republikën tonë të re, më të renë të krijuar në kontinentin e Evropës.
Më lejoni të them se ne do t’u jemi përherë mirënjohës popullit të Koresë që ka njohur luftën tonë dhe lirinë tonë dhe që ka qenë njëri nga shtetet e para aziatike që ka njohur republikën tonë.
Populli i Kosovës kurrë nuk do ta harrojë këtë. Shpresoj se në fazën e ardhshme të zhvillimit ne do të mund të avancojmë miqësinë tonë duke mundësuar partneritet ekonomik.
Kosovarëve u pëlqen Samsungu, dhe djali im po mundohet të më bindë t’ia blej një Galaxy. Pasi kam parë vendin tuaj, mrekullitë e ekonomisë suaj, mbase do t’ia blej një.
Sfidat e vendit tim janë të shumta. Si t’i joshim investimet në një kohë të krizës globale dhe të një konkurrence në rritje për pak e më pak burime?
Cili do të jetë modeli i rritës sonë ekonomike për të ruajtur shkallën e lartë të rritjes së GDP-së që kemi arritur gjatë viteve të fundit?
Si të ruajmë ndarjen proporcionale të pushtetit në një sistem që garanton respekt të plotë për të drejtat e njeriut?
Si ta luftojmë korrupsionin dhe krimin e organizuar me qëllim që qytetarët të kuptojnë se shoqëria në të cilën jetojnë, është ajo që premton barazi elementare për të gjithë.
Me që ra fjala, këto dilema janë shumë më të lehta se ato për jetë a vdekje të cilat duhet të zgjidhja njëzet vjet më parë.
I shijoj dilemat e sotme sepse ato janë çështje të krijimit të normalitetit.
Që t’u mundësohet njerëzve të shkojnë në punë dhe studentëve që të arsimohen.
Andaj, të nderuar profesorë dhe studentë,
Kurrë mos harroni se roli juaj në të ardhmen do të jetë me rëndësi parësore, me që juve do t’iu ndahen detyra në formate dhe forume nga më të ndryshmet të ruani paqen dhe dialogun mes kombeve, të ruani botën të atillë që studentët kurrë më të mos përballen me dilemat për jetë a vdekje.
Në emër të të gjithë laureatëve, unë falënderoj stafin, studentët dhe miqtë e këtij Universiteti të famshëm dhe këtij vendi të mrekullueshëm që na kanë dhuruar doktorata nderi”, ka theksuar Thaçi.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit