Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/03/26

Oferta e fundit e Catherine Ashtonit për Ivica Daçiçin



Pas një dokumenti që para disa ditësh e botoi gazeta Politika e Beogradit, e që përmban zgjidhjet që Brukseli i ofron Beogradit për Bashkësinë e komunave serbe (BKS) në veri të Kosovës, të cilin nuk e ka përgënjeshtruar askush, gazeta serbe “Blic” pas mbledhjes së mbrëmshme të kreut shtetëror serb, sot si ekskluzive e boton dokumentin prej tetë pikash që Catherine Ashton ia ka ofruar Daçiqit në tavolinë, sipas sistemit “merre ose lëre”.

1. Asociacioni/Bashkësia e kominave serbe do të themelohet nga komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe do ta manifestojë identitetin e tyre;

2. Asociacioni/Bashkësia do të ketë statutin e vet personal. Mund të shpërndahet vetëm me vendimin e komunave që marrin pjesë në te dhe në harmoni me procedurën parashikuar me statut.

3. Struktura e Asociacionit/Bashkësisë do të formohet në bazë të modalitetit që e përmbajnë statutet ekzistuese të komunave të Kosovës.

4. Në harmoni me Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe me ligjet e Kosovës, komunat përkatëse mund të vendosin nëse do t’i ndajnë kompetencat dhe t’i kryejnë ato me anë të Asociacionit/ Bashkësisë.

5. Asociacioni/Bashkësia do të ketë kontrollin e përgjithshëm strategjik në fushat sikurse janë: zhvillimi ekonomik, arsimi e shëndetësia dhe çështjet tjera lokale me rëndësi dhe interes të përgjithshëm.

6. Asociacioni/Bashkësia do t’i kryej kompetencat shtesë të cilat në të ardhmen mund t’u ndahen komunave nga pushteti qendror.

7. Asociacioni/Bashkësia do ta përfaqësojë bashkësinë serbe para autoriteteve qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë karrige në Këshillin konsultativ të bashkësive.

8. Zgjedhjet komunale do të organizohen në komunat veriore, në vitin 2013, me ndihmën e Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në harmoni me ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare.

“Blic” shkuan se fjala është për interpretimin sipërfaqësor të planit të Ahtisaarit që është inkorporuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe serbëve u ofrohet të vendosin vetëm mbi zhvillimin lokal ekonomik, arsimin dhe shëndetësinë.

Ndryshe, shkruan gazeta, Plani i Ahtisaarit ua mundëson komunave të bashkohen mes veti në asociacione, por atyre asociacioneve nuk u garantohet kurrfarë pushteti ekzekutiv dhe veçori, sikur që as me këtë dokument kjo nuk mundësohet.

Dokumenti i Catherine Ashton, shkruan gazeta, u “ofron” serbëve që bashkësisë, të cilën e formojnë komunat e tyre, të fitojë karrige në Këshillin Konsultativ të bashkësive, që është trup këshillëdhënës i formuar në kuadër të zyrës së kryetarit të Kosovës që nuk ka kurrfarë peshe ligjore e më pak autorizime ekzekutive.

Ideja e këtij propozimi është që detajet juridike t’u lihen ekipeve teknike juridike në përpunim, dhe janë ofruar vetëm parimet politike kornizë mbi themelimin e Bashkësisë së komunave serbe (BKS), ka thënë burimi i gazetës “Blic” në Bruksel.

Dr.Shaip Muja: Gratë e dhunuara nuk janë viktima







Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja, ka sqaruar në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, se pse kundërshton që kategoria e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë nuk bën të përfshihet në një kategori në kuadër të ligjit për veteranët e luftës.

Zoti Muja është përfshirë në një debat me deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, lëvizje kjo e cila ka inicuar që në shenjë kujdesi për gratë e dhunuara, atyre t’u sigurohet një përkujdesje institucionale në kuadër të ligjeve në fuqi.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka ndodhi në kuvend, dhe çfarë debati u inicua për gratë e dhunuara gjatë luftës, si një kategori për të cilën po kërkohet një përkujdes institucional, dhe çfarë thatë ju në Kuvend që shkaktoi gjithë këto polemika?

SHAIP MUJA
Propozimin që gratë e dhunuara, të mbrohen me ligj nuk e ka kundërshtuar Partia Demokratike, në asnjë moment. Dhe asnjë deputet i Partisë Demokratike nuk e ka kundërshtuar. Mirëpo, përzierjen e kategorisë së grave të dhunuara me ushtarët e UÇK-së, unë e kam quajtur një spekulim politik, dhe nuk e ka në esencë dhembshurinë e grupit politik të Vetëvendosjes dhe të një pjese e deputetëve, por është më shumë spekulim politik që të marrin vota, dhe mendojnë se do të marrin vota.

Në Kuvend kam thënë se këta nuk janë marrë asnjëherë me këtë kategori, kurse unë personalisht jam marr me këtë kategori. Gjithë ato gratë që e dëgjojnë këtë emision, e që ju kam ndihmuar për 12 vjet, e dinë shumë mirë se çka ju kam ndihmuar. Kam sjell edhe grupe të ekspertëve psikiatër nga SHBA-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çfarë keni thënë saktësisht?

SHAIP MUJA
Saktësisht kam thënë se këto gra janë të atakuara nga Post-Trauma Sindromi (PTSD-ja), dhe se ky sindrom do të jetë në rritje, e jo zbritje. Jo vetëm për ato gratë e dhunuara, por edhe për tërë familjen e saj, për rrethin shoqëror të ngushtë, dhe rrethin e gjerë. Të themi shumë thjesht, ne do t’i futim në ligj, ua japim edhe 200 euro ose 250 euro, një pagë dhe i harrojmë ato. Kjo nuk është zgjidhje.

Kam kërkuar që institucionet e Republikës së Kosovës të ngrisin kapacitete në Ministrinë e Shëndetësisë, me grupe të veçanta të specializuara për t’i trajtuar nga aspekti psikiatrik, sepse këto kanë lëndime shpirtërore shumë specifike. Duhet me qenë grupe të profesionalizuara, të shihen ato a janë në gjendje të ri-socializohen dhe të integrohen në sistem, apo të mbesin në skedat sociale të Ministrisë për përkrahje sociale. Kjo ka qenë kërkesa ime në parlament. Ndërsa, spekulimet që po bëjnë disa nëpër Facebook, nëpër...

RADIO EVROPA E LIRË
Një ka qenë se keni thënë se “duhet të kontrollohen ato gratë e dhunuara”?

SHAIP MUJA
Nga PTSD-ja, post-trauma sindromi. Është proces verbali, i cili...unë jam mjek, unë jam profesional. Ata të cilët e kanë devijuar janë spekulantë. Lëre që janë spekulant, por nuk janë marrë asnjëherë me çështjen e Kosovës. Nuk ka asnjë vlerë kontrolli gjinekologjik sot! Ka niveli psikiatrik, kam thënë dhe psikologjik, prandaj këta spekulantë, të cilët janë të ulur në parlament, nuk kanë as vlerë kombëtare dhe as intelektuale.

Unë e ndiej për turp të debatoj me ta në këtë drejtim, sepse nuk janë marrë me këtë kontingjent asnjëherë. Këto gra meritojnë një përkrahje, një statistikë të mirë dhe diskrete, një grup shumë profesional, sepse ato janë një pjesë, së cilës i takon në mënyrë permanente përkujdesja. Jo vetëm sot t’i fusim në ligj dhe t’i harrojmë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a nuk mendoni se është një hap i parë, që ato të kenë një ndihmë sociale, para se të bëhet shkallë-shkallë sic e thoni ju, pasi dhatë një shpjegim për sistemin e tërë, e në shkallën e parë do të ishte ndihma sociale, ta themi!?

SHAIP MUJA
Fatkeqësisht në Kosovë, me to kanë punuar shumë grupe. Unë e di që kanë punuar shumë grupe. Në mesin e grupeve kam punuar edhe unë. Unë kam nxjerr nga psikiatria gra të tilla, përmes një fondacioni të psikiatrisë amerikane që quhet “Through Field Therapy”, është terapi pa medikamente bëhet vetëm me shkarkimin e energjisë negative, që e kanë brenda.

Secili nga ne kemi energji negative, por këto gra, dhe ata të cilët kanë qenë direkt të atakuar nga sistemi i dhunës, edhe fizike, edhe seksuale, të gjitha, janë me energji jashtëzakonisht negative. Ata duhet të shkarkohen nga ajo energji negative, dhe fillojnë ta kuptojnë realitetin, por realiteti nuk i ngarkon më.

Prandaj, kjo ka qenë edhe një intencë, por fatkeqësisht unë nuk gjeta fonde që të përkrahem tutje, dhe të aktivizohet ajo. Ne kemi ndihmuar shumë gra, sa kam qenë në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, dhe jashtë TMK-së kur kam dal. Mirëpo, ky grup duhet në mënyrë permanente të monitorohet. Ky grup duhet në mënyrë permanente të shihet dhe të risocializohet në jetën normale.

Duke u gjetur punë të adaptueshme, sipas kualifikimit, apo sipas rrethanave. Kjo ka qenë kërkesa ime. Hapi fillestar që të futen ato në ligj, në ligjin e kategorisë së veteranëve të luftës, unë nuk e besoj që dikush, edhe nga aspekti juridik, por edhe nga aspektet tjera mund të thotë se është i qëlluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, kërkoni një diferencim?

SHAIP MUJA
Një diferencim, me një ligj tjetër. Me një grupim tjetër. Edhe grupimi duhet të jetë i klasifikuar fiks. Me obligimet shtetërore, të cilat duhet të jenë permanente, ndaj kësaj kategorie.

RADIO EVROPA E LIRË
për shembull për Viktimat e Luftë , apo nuk munden të futen gratë e dhunuara në kategorinë e viktimave të luftës?

SHAIP MUJA
Nuk mundesh me i quajt viktima, sepse nuk janë të vrara. Viktimat janë të vrarët. Të lutem ato janë spekulime, fjala në fjali. Prandaj për atë ju kam thënë se janë spekulantë. Unë kam qenë pjesëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UCK-së. Edhe nuk mund ta ndiejnë ata persona që kanë nënshkruar më shumë sesa unë dhimbjen.

Unë kam pa shumë foshnje, e shumë fëmijë, e shumë gra të dhunuara, e të lënduara. Unë kam vet të humbur nga familja, jam i atakuar. Prandaj, këta spekulantë të cilët janë sot politik, janë duke e dhunuar edhe publikun, duke krijuar percepcion.

2013/03/25

Zhduket ditari i SHIK-istit Latif Gashi






Është mbajtur seanca e parë në rigjykimin e tretë për Grupin e Llapit. Tre ish- luftëtarët e Zonës Operative të Llapit, Latif Gashi, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti po akuzohen për një pikë të aktakuzës që ka të bëjë me kampin e UÇK’së në fshatin Llapashticë.

Për çdo ditë shënonte gjithçka çka ndodhte gjatë periudhës së luftës. E mbante këtë ditar që në rast se do të ndodhte diçka të jetë si një dëshmi e luftës që bëri UÇK’ja. Mirëpo pas 14 vitesh ai më nuk ekziston.

Ditari i luftës me autor Latif Gashin, ka humbur diku. Askush nuk e di ku gjendet dhe çka ka ndodhur me të. Këtë e konfirmoi prokurori i EULEX’it Charles Hardway të hënën gjatë shqyrtimit kryesor në rastin “Grupi i Llapit”.

Në fakt ishte mbrojtja ajo që kërkoi që edhe ditari të jetë pjesë e provave në lëndën e cila po trajtohet për herën e tretë.

Avokati Mexhit Syla kërkoi nga prokurori që ditari të rifutet në mesin e provave.

“Ai është kryeprovë nëpërmes të cilit saktësohet drejt se ku gjendej dhe çka bënte klienti im gjatë periudhës për të cilën akuzohet”, tha Syla.

Por Hardway tha se ka disa vite që nuk dihet asgjë për ditarin. Në lidhje me këtë kryetari i Trupit Gjykues kërkoi nga prokurori që të urdhërojë shefin e hetimeve të bëjë një raport të detajuar në lidhje me këtë.

Ditari i Gashit ishte konfiskuar gjatë bastisjes së zyrës së Gashit më 28 janar i vitit 2002 kohë kjo kur edhe ishte arrestuar si i dyshuar për krime lufte.

Por ditari asnjëherë nuk është futur si provë në gjykimet ndaj ish-luftëtarëve të Zonës së Llapit, mirëpo është evidentuar në proces verbal si prova me numrin 49.

Mbrojtja tha se ekzistimi i ditarit do të ishte alibi e mjaftueshme që Gashi dhe personat tjerë të mos akuzoheshin për ato që janë ngarkuar.

Megjithatë shqyrtimi kryesor filloi të hënën me leximin e aktakuzës nga ana e prokurorit Hardway. Gashi, Mustafa dhe Mehmeti akuzohen për një pikë të aktakuzës që ka të bëjë me rrahjen dhe torturimin paligjshëm të civilëve shqiptarë në një kamp të UÇK-së në Llapashticë të Podujevës.

Gjatë leximit të aktakuzës prokurori ka përmendur edhe pika tjera, si ndalimi i paligjshëm, arrestimi, mbajtja në kushte çnjerëzore, madje diku ka përmendur edhe vrasjet. Këtu ka reaguar mbrojtja por edhe i akuzuari Latif Gashi. Ai rikujtoi Trupit Gjykues se pikërisht një aktgjykim i mëhershëm për të njëjtin rast ka konkluduar se ndalimi i njerëzve të involvuar në luftë nuk konsiderohet si krime lufte. “Le të jetë kjo për histori të gjykatave që aktgjykimet e mëhershme kanë bërë të qartë se këto ndalime nuk kanë të bëjnë asgjë me krime lufte”, tha Gashi. Sido që të jetë mbrojta është e interesuar që të dëgjojë si dëshmitarë të gjithë ata që kanë qenë të ndaluar në kampin e Llapashticës nëse prokuroria mundet t’i gjejë ata.

Gjyqtari kërkoi nga prokurori që të bëjë të mundshme të dëgjojë të gjithë dëshmitarë, edhe ata që jetojnë jashtë vendit, qoftë edhe nëpërmes videolidhjeve.

Pika tetë e aktakuzës që pritet t’i nënshtrohet edhe një gjykimi akuzon tre ish-ushtarët e UÇK-së Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa se prej muajit tetor të vitit 1998 deri nga fundi i muajit prill i vitit 1999, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që të detyrojnë të paraburgosurit të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së.

Gjykata Supreme ka konstatuar se Gjykata e Qarkut e Prishtinës, në aktgjykimin e shpallur në tetor të 2009-s ka pasur shkelje procedurale nga kolegji gjyqësor. Supremja kishte anuluar dënimin e “Grupit të Llapit”. Latif Gashi ishte dënuar nga shkalla e parë me gjashtë vjet burgim, Rrustem Mustafa me katër dhe Nazif Mehmeti me tre vjet. Ky rigjykim do të jetë i treti. Gjykimi i parë ishte mbajtur në vitin 2003 nga UNMIK-u. Nga kjo gjykatë Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant Zonës Operative të Llapit të UÇK-së ishte dënuar me 17 vjet burgim, Nazif Mehmeti- komandant i policisë ushtarake në këtë zonë me 13 vjet, Latif Gashi-Lata, komandant i sektorit informativ të UÇK-së në Zonën e Llapit me 10 vjet dhe Naim Kadriu-Lumi, pjesëtar i policisë me 5 vjet burgim, i cili ka vdekur në një aksident komunikacioni. Por Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005, e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim.

Seanca do të vazhdojë nesër në orën 10 ku fjalën e tij do ta paraqesë i akuzuari Latif Gashi.

Skandali i prokurores Drita Hajdari, dy aktakuza në një



‘Dy në një`. Këtë shprehje që jemi mësuar ta dëgjojmë shpesh në fushën e marketingut, është përvetësuar më së miri edhe nga prokurorja Drita Hajdari, e cila në një aktakuzë i ka përfshirë dy çështje të ndryshme nga njëratjetra.

Skandalin e ka denoncuar avokati Arianit Koci, i cili tregon se nga mediet ka kuptuar për aktakuzën për zyrtarët e Komunës së Prishtinës.

Skandali i dy aktakuzave në një, i përpiluar nga prokurorja Drita Hajdari, është denoncuar nga avokati Arianit Koci, i cili e ka rrëfyer për gazetën "Kosova Sot", të gjithë historinë. Aktakuza për shtetasin A.M., i cili përfaqësohet nga avokati Arianit Koci, është ngritur më 20.4.2012, por seancën për konfirmimin e aktakuzës ata e kanë mësuar pas rreth shtatë muajsh nga mediet.

"Më 10.10.2012 është shtyrë seanca për konfirmimin e aktakuzës dhe unë ia kam kërkuar gjyqtares H.H. aktakuzën, e cila ka premtuar se do të ma dorëzojë. Po në të njëjtën ditë, unë shkoj në zyrën e prokurores dhe ajo më thotë: "Tani jam e zënë - kam punë, eja pas disa ditësh, se do t` i kesh të gjitha të përgatitura. Shkoj sërish pas disa ditësh, por e gjej derën e mbyllur. Më 29.10.2012 kam shkuar përsëri ta kërkoj aktakuzën dhe shkresat përcjellëse. Nuk i kisha të gjitha të përgatitura siç u premtua. Prokuroja prapë thotë që ka obligime- punë (edhe pse nuk kisha shkuar për çështje private) dhe se duhet të shkoj, por ia la porosinë bashkëpunëtores profesionale që të ma dorëzojë dosjen në tërës. Bashkëpunëtorja ditën e caktuar më thotë se aparati i fotokopjimit nuk po punon, më pas më tha se po ma dorëzon aktakuzën", ka treguar avokati, ndërsa mohon të jetë e vërtetë se bashkëpunëtorja profesionale ia ka tërhequr vërejtjen se po i jep draftakuzën, ashtu siç ka pretenduar më vonë prokurorja Drita Hajdari.

E vërteta e vrasjes së policit Enver Zymberit







Aksioni i korrikut të vitit 2011 për shtrirjen e sovranitetit në veri të Kosovës nuk ishte realizuar bazuar në ndonjë plan paraprak, ashtu siç ishte thënë nga faktori politik në vend. Viktima e këtij aksioni, polici Enver Zymberi po ashtu nuk ishte vrarë nga snajper, por ishte vrarë nga plumbat e serbëve që më 26 korrik e kishin bllokuar rrugën, duke penguar depërtimin e policëve të njësisë speciale në pjesën veriore të vendit.

Të vërtetën mbi atë se çfarë ka ngjarë në ditën e 26 korrikut, e tregojnë deklaratat e policëve që ia kishin mësyrë portës 31 që lidh Kosovën me Serbinë. Policët që kanë qenë në vendin e ngjarjes, tashmë janë dëshmitarë. Në lidhje me atë çfarë ka ngjarë, ata kanë rrëfyer në prokurorinë e EULEX-it, e cila edhe po udhëheq hetimet në lidhje me vrasjen e policit Enver Zymberi në veri të Kosovës. Hetimet janë të pezulluara përkohësisht ngase asnjë nga gjashtë personat e kërkuar përkitazi me këtë ngjarje, nuk është arrestuar.

Deklaratat e policëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes në ditën kritike, përkatësisht të atyre që kanë qenë në veturë me Enver Zymberin kur ky i fundit është qëlluar për vdekje, tregojnë tërësisht të kundërtën e asaj që ishte thënë në kohën kur ka ngjarë aksioni. 

SKENDER ZOGAJ:Jo të gjithë e kanë dashur Adem Jasharin







Fotografia e famshme dhe vetme publike ku shihet komandanti Adem Jashari bashkë me ish-presidentin, tashmë të ndjerë, Ibrahim Rugova, siç e shpjegon njëri prej të pranishmëve në atë foto, Skënder Zogaj, është bërë në Aeroportin e Rinasit në Shqipëri.

Në një intervistë për “Tribuna”, ai ka shpjeguar respektin dhe admirimin që, sipas tij, kishte Adem Jashari për Rugovën gjatë kohës sa stërvitej në repartet ushtarake të Kosovës në Shqipëri, më 1993.

Zogaj ka folur edhe për takimet që ka pasur Ahmet Krasniqi me Azem Sylën e Xhavit Halitin, për vrasjet e Krasniqit dhe për ndarjen e luftës në dy fronte. Ai është shprehur i bindur se jo të gjithë deputetët e sotëm të Kuvendit të Kosovës, e kanë dashur Adem Jasharin.

Kim Mehmeti: Nuk debatoj me “buzhalla” e analfabetë






Lidhur me reagimet e botuara sot në disa portale shqiptare, e që kanë të bëjnë me atë që ka thënë Kim Mehmeti gjatë promovimit të librit të tij “Shkupi” në Prishtinë, Mehmeti thotë se askujt nuk ia ndalon që deklaratat e tij apo atë që ka shkruar ta interpretoj si t’ia dojë qejfi. “Unë them e shkruaj atë në çka besoj dhe ashtu siç mendoj, e ata le thonë atë që mendojnë dhe aq sa u pret rradakja” , pohon Mehmeti.

I pyetur se si do i komentojë deklaratat e disa opinionistëve kosovarë si dhe të Kancelarit të Ipeshkvit të Kosovës Kim Mehmeti thotë:“Që të mos harxhoj as unë kohë dhe që të mos u marr kohë as lexuesve tuaj, do ua japë një përgjigje të shkurtë që vlen për të dy këta zotërinj: Nuk debatoj me ata që lexojnë vetëm tituj nëpër portale informative e që bëjnë çmos të dalin nëpër media!”

Pastaj Kim Mehmeti shtonë se nuk debatonë as me ata që mbahen gjallë duke ia lexuar tjetrit mendimet, e jo atë që ai ka shkruar apo ka thënë! Nga kjo metodë diskualifikimi, shton Mehmeti, jam ngirë gjatë viteve të komunizmit!

“Pastaj në garën se cili religjion i ka më shumë hije shqiptarisë, unë nuk marr pjesë as si lojtar as si gjyqtar: le të maten mes veti në atë garë të gjithë “buzhallat e budallat” që ka shqiptaria, po pa mua si lojtarë në të! Unë ndjehem madhërishëm në shumëngjyrësinë religjioze të shqiptarisë.

I qëndroj mbrapa çdo fjale që kam thënë apo rreshti që kam shkruar në cilindo artikull apo libër, por jo edhe titujve të gazetave apo portaleve që në emër të lexueshmërisë, apo të mbrojtjes së interesave partiake, janë të gatshëm të shkelin edhe mbi kufoma njerëzish.

Pra, këta dy zotërinjtë le të mësohen të lexojnë libra e jo tituj portalesh, e pastaj le të komentojnë. Më në fund, nuk dua që në këtë moshë të tradhtojë parimin të cilit i kam qenë besnik që nga rinia: Atij që kupton, s’ke ç’ka i shpjegon, e atij që nuk merr vesh mos i shpjego asgjë, ngaqë ai i dinë të gjitha”, thotë Kim Mehmeti.


Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...