Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/05/20

Dokumentet e para të shqipes së shkruar



Libri i parë shqip që njihet deri më sot është “Meshari” i Gjon Buzukut, i vitit 1555. Por ka të dhëna të drejtpërdrejta dhe të tërthorta që flasin se fillimet e shkrimit shqip e të letërsisë shqiptare duhet të jenë më të hershme se shek. XVI. Vetë trajta e ngulitur e shkrimit dhe e gjuhës në veprën e Gjon Buzukut dëshmon se ajo duhet të ketë trashëguar një traditë para saj. Një dëshmi tjetër e tërthortë vjen prej klerikut frëng Gulielmi i Adës (1270-1341), i cili shërbeu për shumë kohë (1324-1341) si kryepeshkop i Tivarit dhe e njohu nga afër jetën e banorëve të këtyre trojeve. Në një relacion me titull “Directorium ad passagium faciendum ad terram sanctam”, dërguar mbretit të Francës, Filipi VI Valua, në vitin 1332, Guljelmi ndër të tjera shkruan: “Sado që arbrit kanë gjuhë të ndryshme nga latinishtja, prapëseprapë, ata kanë në përdorim dhe në tërë librat e tyre shkronjën latine”.
Po ashtu Marin Barleci në veprën e tij “Rrethimi i Shkodrës” (De obsi-dione Scodrensi), botuar në Venedik më 1505, thotë se ka pasur në dorë kronika që flasin për rindërtimin e atij qyteti të shkruara, sipas tij, in vernacula lingua, d.m.th në gjuhën e vendit. Kurse historiani kalabrez Xhakomo Marafioti njofton më 1601 se në Kalabri arbëreshët i kanë arbërisht shërbesat fetare dhe as latinisht, as greqisht. Kuptohet se këtë traditë ata duhet ta kenë marrë me vete nga Shqipëria, sepse nuk mund ta krijonin vetë aq shpejt në kushtet e mërgimit të tyre të rëndë.
Deri më sot njihen vetëm tri dokumente të shqipes së shkruar në shek. XV ose diçka më herët.
I pari dokument i shkruar në gjuhën shqipe është “Formula e pagëzimit” dhe i takon vitit 1462. Është një formulë e shkurtër fetare e shkruar shqip, brenda një teksti latinisht, të hartuar prej kryepeshkopit të Durrësit, Pal Engjëllit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut. Në qarkoren që u dërgon vartësve të tij të klerit katolik, ai lejon që prindërit shqiptarë, në rast nevoje, kur nuk mund t`i pagëzonin fëmijët në kishë, mund t`i pagëzonin vetë duke përdorur këtë formulë: Unte paghesont premenit Atit et birit et spertit senit. (Unë të pagëzoj në emër të Atit e të birit e të shpirtit shenjtë). Kjo frazë është shkruar në alfabetin latin dhe në dialektin e veriut (gegërisht).
Dokumenti i dytë i shkruar në gjuhën shqipe është “Fjalorthi” i Arnold Von Harfit, i vitit 1496. Ky udhëtar gjerman, gjatë një udhëtimi në viset shqiptare, për nevoja praktike të rrugës shënoi 26 fjalë shqipe, 8 shprehje dhe numërorët 1 deri 10, dhe 100 e 1000, duke i shoqëruar me përkthimin gjermanisht.
I treti dokument i shqipes së shkruar që njihet me emrin “Perikopeja e ungjillit të pashkëve”, është gjetur në Bibliotekën Ambroziane të Milanos brenda një mbishkrimi greqisht të shek. XIV. Fragmentet shqip s`kanë lidhje me dorëshkrimin greqisht dhe dijetarët mendojnë se ky dorëshkrim mund të jetë i fundit të shek. XV ose i fillimit të shek. XVI. Ai është shkruar në dialektin e jugut dhe me alfabetin grek.
Shqipja dokumentohet kështu e shkruar që në shek. XV në dy dialektet e saj kryesore dhe me dy alfabete, me alfabetin latin dhe me alfabetin grek. Kjo është një dëshmi se kultura shqiptare dhe jeta shpirtërore konfesionale në Shqipëri zhvillohej nën ndikimin e kulturës latine-katolike, dhe të kulturës bizantine-ortodokse.

Koha e kalimit nga ilirishtja në shqipen e lashtë (arbërishten)


Përfshirja e trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve në Perandorinë Bizantine më 395 solli si pasojë, ndër të tjera, edhe dobësimin e shkallëshkallshëm të ndikimit perëndimor (romak). Për më tepër, duke qenë në periferi të Perandorisë Bizantine, edhe pushteti qendror i Bizantit mbi këto treva erdhi duke u dobësuar dalëngadalë. Këto rrethana bënë të mundur që popullsitë vendëse të këtyre trevave t’i shtonin e t’i forconin kontaktet dhe marrëdhëniet e drejtpërdrejta midis tyre. Si rrjedhim, jo vetëm që u ndërpre procesi i romanizimit të mëtejshëm të atyre popullsive, por u zhvillua edhe një rrymë konvergjence, e cila çoi në riafrimin dhe konsolidimin e të folmeve të tyre. Kështu, u zhvillua më tej, ndër të tjera, edhe prirja për ndryshime me karakter të përgjithshëm dhe dialektor, që kishte nisur të shfaqej qysh në periudhën e fundit të lashtësisë në të folmet e stërgjyshërve të shqiptarëve. Është fjala për ndryshime të tilla, që hapën rrugën për kalimin e shkallëshkallshëm nga parashqipja a ilirishtja jugore në një gjuhë cilësisht të re, që po e quajmë shqipja e lashtë a arbërishtja. Ky kalim, pas gjithë gjasash, është kryer gjatë shek. IV-VI të e. sonë, kur ishin përfunduar disa dukuri me karakter të përgjithshëm apo dialektor, që janë karakteristike për gjuhën shqipe dhe dialektet e saj. Ndër këto dukuri me karakter mbarëshqiptar mund të përmenden shfaqja e zanores /y/ dhe e zanores /ë/ të patheksuar, krijimi i kundërvënies lakim i pashquar ~ lakim i shquar me shfaqjen e nyjës së prapme shquese etj. Po gjatë asaj periudhe në dialektin jugor është shfaqur zanorja /ë-/ e theksuar para një bashkëtingëlloreje hundore (khs. nanë ~ nënë, banj ~ bënj etj.), si edhe rotacizmi, d.m.th. ndërrimi /-n-/ > /-r-/ në pozicion ndërzanor (khs. venë ~ verë, danë ~ darë etj.). Që të dyja këto dukuri janë shfaqur qysh para dyndjeve sllave, d.m.th. para shek. VII e kjo dëshmon se në kohën e ardhjes së sllavëve në këto anë ata gjetën aty një popullsi, që fliste një gjuhë të ndarë në dy dialekte kryesore.
Por pyetjes se që kur flitej kjo gjuhë në këto treva, i janë dhënë përgjigje të ndryshme. Disa dijetarë kanë shprehur mendimin se stërgjyshërit e shqiptarëve janë vendosur në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit, duke u shpërngulur, pa u vënë re, nga vise më lindore të Ballkanit pak para apo pas ardhjes së sllavëve në Ballkan. Por shumica e studiuesve nuk janë pajtuar me këtë mendim dhe kanë parashtruar një varg argumentesh, që në vija të përgjithshme u vunë në dukje te Gjuha e ilirëve. Mjafton të përmendet këtu fakti që në gjuhën shqipe kanë mbijetuar edhe huazime nga greqishtja e vjetër, si mokën/mokër, lakën/lakër etj.; këto huazime e kanë burimin në dialektin dorik, që flitej në Greqinë Veriperëndimore si edhe në kolonitë greke të Adriatikut. Në gjuhën shqipe ka edhe huazime shumë të hershme nga latinishtja, gjë që dëshmon për pushtimin shumë të hershëm romak të trevave të banuara nga stërgjyshërit e shqiptarëve. Prania e huazimeve nga greqishtja e vjetër dhe nga latinishtja e hershme dëshmon qartë se stërgjyshërit e shqiptarëve qysh në lashtësi kanë qenë fqinjët e grekëve të vjetër dhe nga të nënshtruarit më të hershëm të Perandorisë Romake në Ballkan.
Rrethanat e reja që u krijuan pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë, sollën si pasojë edhe ndryshime të rëndësishme në emërtimin e popullsive të Ilirisë Jugore si midis tyre, ashtu edhe nga të huajt. Kështu, nisi të përgjithësohej dalëngadalë midis popullsive autoktone emri Arbën/Arbër dhe fjalët e prejardhura (i) arbën-esh/arbër-esh dhe arbën-isht/arbër-isht, për të emërtuar përkatësisht vendbanimin, banorin dhe gjuhën e tyre të përbashkët. Mbi këtë bazë edhe të huajt nisën të përdornin emërtimet Arbania/Albania, arban-ensis/albanen-sis (latinët), Arvan-on, arvan-it-is (grekët), Raban < Arban dhe Arë-banas (sllavët), kurse turqit më vonë, nën ndikimin e greqishtes, përdorën trajtat arnaut dhe Arnautlluk. Të gjitha këto emërtime e kanë burimin tek emri i popullsisë ilire të Alban-ëve, a më saktë të Arban-ëve, që në dokumentet e shkruara dëshmohet për herë të parë në shek. II të erës së re, kur Ptolemeu i Aleksandrisë në veprën e tij Geografia, libri III, 12, shkruan: “Në tokën e albanëve (Albanoi), Albanopolis”. Popullsia ilire e albanëve a arbanëve banonte në një trevë në lindje të Durrësit. Por pas Ptolemeut emri Arban a Alban në burime të shkruara del vetëm në shek. XI, kur përmendet nga Mihal Ataliati (1040) dhe Ana Komnena (1081), për të emërtuar treva të Shqipërisë së Mesme (shih Acta et Diplomata Res Albaniae mediae aetatis illustrantia, I). Madje, në këtë vepër, (I, faqe III) pohohet: “Në burimet bizantine të shek. XI Alvanon/Arvanon shenjon krahinat malore, që gjenden ndërmjet Shkodrës, Durrësit, Ohrit dhe Prizrenit…”. Kuptohet vetiu që një shtrirje e tillë e këtij emri gjeografik duhet të jetë më e hershme se shek. XI. Pra, emri Arban a Alban, i shqiptuar nga banorët vendës Arbën(ë) me theksin mbi rrokjen nistore, në përputhje me rregullsitë e theksimit të emrave shumërrokësh në shqipen e lashtë, ashtu si Durrës < Dyrrhachion, Ishëm < Isamnus etj., duhet të jetë shtrirë qysh mjaft kohë para shek. XI në viset në veri edhe në jug të trevës së banuar në lashtësi nga popullsia ilire e Arbanëve a Albanëve. Për këtë dëshmojnë, ndër të tjera: 1. K. Jireçeku pohon se trevat e Shqipërisë së sotme në kohë të mesme sllavët i kanë quajtur Raban < Arban a Arëban-as dhe gjuhën përkatëse rabënë-ski. Të kihet parasysh edhe një dokument i shek. XIII, ku bëhet fjalë për një ndodhi në një fshat afër Raguzës dhe ku një dëshmitar pohon: “Dëgjova një zë që thërriste në mal në gjuhën albanesca.” 2. Në dialektin jugor emri Arbën(ë) del në trajtën Arbër(ë) me shndërrimin e /-n-/-së ndërzanore në /-r-/, ashtu si te Vlonë ~ Vlorë, venë ~ verë etj. Dhe në përgjithësi është pranuar që ky ndërrim fonetik (rotacizmi) nuk i ka prekur huazimet sllave të shqipes, pra, është vërtetuar para depërtimit të sllavizmave në shqipe. 3. Në dokumentet e gjuhëve fqinje të shekujve të parë të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë shqiptarët, pa dallim krahine, përmenden me trajta fjalësh, që lidhen me emrin e lashtë Arban a Alban (shih këtu më sipër). Shtrirja dhe përgjithësimi i hershëm i emrit Arbën/Arbër në trevat e ndryshme, ku flitej arbënisht/arbërisht, dëshmon për një vetëdijshmëri të atyre që flisnin këtë gjuhë, se i përkisnin një etnosi të vetëm. Siç pohon A. Buda, “Kjo ishte një dukuri që nuk kishte të bënte me pushtime, por me krijimin e një bashkësie ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të përbërë nga trevat historike të shqiptarëve. Fakti se me emrin e njëjtë etnik Arbën shqiptarët emërtohen në mënyrë të njëjtë si nga burimet mesjetare të hershme greko-bizantine (shek. XI e këndej), nga burimet perëndimore të së njëjtës periudhë, si edhe nga ato serbe e bullgare (shek. XII-XIII), pavarësisht nëse ishte fjala për trevat më jugore apo më veriore e lindore shqiptare, tregon tashmë për konsolidimin e tipareve të kësaj bashkësie etnike në etapën e saj më të lartë, si “kombësi”, proces i pasqyruar pikërisht në këtë emërtim të përbashkët”. Faktorët që do të kenë ndikuar në përhapjen dhe përgjithësimin e emrit Arbën/Arbër dhe të fjalëve të prejardhura (i) arbënesh/arbëresh dhe arbënisht/arbërisht në veri dhe në jug të viseve ku banonte fisi ilir i Arbanëve, mbeten të paqartë. Ndër këta faktorë mund të kenë qenë ndoshta edhe pozicioni gjeografik i atij fisi dhe marrëdhëniet e tij me banorët e trevave të tjera, ku popullsia flisnin të njëjtën gjuhë. Por fjalët Arbën/Arbër, i arbënesh/i arbëresh dhe arbënisht/arbërisht gjatë shekujve të fundit kanë dalë jashtë përdorimit në Shqipëri dhe kanë mbetur në përdorim pothuaj vetëm tek arbëreshët e Italisë dhe në një numër të kufizuar fshatrash të krahinave të Vlorës e të Kurveleshit. Edhe arbëreshët e Greqisë gjatë shekullit të fundit po quhen arvanit-as, sipas greqishtes arvanit-is, që e ka burimin tek Arban (me shndërrimin e rregullt /-b-/ > /-v-/ të greqishtes). Gjithsesi, tek autorët e vjetër veriorë të shek. XVI-XVII, fjalët Arbën dhe i arbënesh/e arbënesh-e ndeshen rregullisht dhe vetëm gjatë shekujve të fundit ato kanë ardhur duke u zëvendësuar gjithandej në trevat e banuara nga shqiptarët me fjalët shqip, shqip-tar,Shqip-ëni/Shqip-ëri.

Krijimtaria gojore e shqiptarëve në shekujt e mesjetës


Deri në fillim të periudhës së pushtimit osman tradita kulturore shqiptare ishte kryesisht e karakterit parashkrimor. Forma më e rëndësishme e saj ishte krijimtaria gojore, eposi shqiptar. Në eposin shqiptar ka edhe zëra të periudhës osmane, që shfaqen sidomos në ligjërim dhe në emërtime, por në thelbin e vet ai është një përmendore kulturore shekuj më e hershme.
Në këtë krijimtari njihen rapsoditë historike e tregimet legjendare, që përbëjnë epikën heroike, si dhe proverbat, të cilat u fiksuan të shkruara vetëm në shek. XVII. Vendin kryesor në epikën heroike e zënë rapsoditë kushtuar kreshnikëve si Muji e Halili, Gjergj Elez Alia etj. Me gjithë numrin e shumtë të motiveve e varianteve ekzistuese, këto rapsodi kanë një farë përbashkësie që u jep atyre karakterin e një cikli unitar epik. Në qendër të këtij cikli qëndrojnë bëmat e çetës së kreshnikëve, si edhe kundërshtarët e tyre, “kralë” e “kapedanë” veçanërisht nga viset bregdetare.
Lufta e kreshnikëve është vendosur në një kohë e në një ambient që s’njeh ende armët e zjarrit. Nga brendia e tyre dhe botëkuptimi shoqëror, nga elementët artistikë që përmbajnë, këngët e kreshnikëve të çojnë në një periudhë më të hershme se shekujt e invazionit osman.
Sikurse shumica e popujve evropianë, në këtë kohë (në shek. XV) shqiptarët e kishin kaluar “shekullin e epopesë legjendare”, e cila me kohë ishte formuar si gojëdhënë letrare kombëtare, që qarkullonte gojë më gojë e brez pas brezi, duke marrë nga koha në kohë gjurmë, dëshmi e jehona të tyre.
Hershmëri të thellë historike dëshmojnë veçmas dy tipare të rëndësishme të figurave mitologjike të ciklit verior: karakteri i tyre matriarkal, nga njëra anë, dhe ktonik, nga ana tjetër. Kjo është një anë tjetër e çështjes së autoktonisë së popullit që i ka krijuar. Në eposin helenik hyjnitë janë matriarkale e patriarkale. Heronjtë e eposit shqiptar janë bij të Ajkunës. Për herë të parë në epos babai shfaqet me figurën e Mujit në raport me Omerin (ose “shtatë Omerat”). Figurë qendrore është Ajkuna që ka një autoritet të madh. Muji dhe Halili formalisht nuk kanë babë, ata janë bij të një nëne që urdhëron shtëpinë dhe e marrin fuqinë prej zanave.
Tipari matriarkal i figurave mitologjike të epikës legjendare theksohet nga fryma e përgjithshme e rapsodisë së njohur të Gjergj Elez Alisë. Janë gjurmuar e janë gjetur gjurmë të kulturës bizantine, si kërkimi i haraçit nga bajlozi “tim për tim” (oxhak për oxhak). Por, në thelbin e vet, burimi tragjik i rapsodisë së Gjergj Elez Alisë është mbarimi i epokës së flijimit të njeriut (gruas) për një vepër, për një fushatë apo për haraç. Gjergj Elez Alia amniston përgjithnjë gruan nga flijimi.
Karakteri ktonik (tokësor) i hyjnive të eposit shqiptar thekson karakterin autoktonik të popullit. Ndryshe prej poemave homerike, ku hyjnitë kanë një hierarki shumëshkallëshe (nëntokësore), në eposin shqiptar figurat mitologjike të botës shqiptare janë tokësore. Në folklorin rrëfimtar, duke përfshirë eposin dhe përrallat, nuk ekziston “e bukura e qiellit”. Krahas me “të bukurën e dheut” (të kësaj toke) në traditën etnofolklorike të vendit dalin e bëhen bashkë figura të tilla si shtojzovallet (aglutinim i “shtojua zot vallet”), shtojzorreshtat (“shtojua zot rreshtat”), “ato të lumet”, shita.
Cikli shqiptar i kreshnikëve përmban një ndërthurje tiparesh të eposeve antike dhe atyre evropianë të periudhës mesjetare. Por ka më shumë tipare të eposeve antike se të atyre mesjetare. Një varg argumentesh folklorike janë në të mirë të një përcaktimi kronologjik relativ të burimit të eposit në periudhën e kalimit prej ilirëve te shqiptarët, prej ilirishtes te shqipja, prej periudhës së fundme të romanizimit në përballjen me dyndjet sllave.
Eposi shqiptar sundohet fund e krye nga konflikti i bartësve të tij me popullsinë e ardhur në Ballkan, ai mban vulën e dyndjeve sllave. Eposi shqiptar nuk u krijua qysh në kontaktet e para me popullsinë e ardhur. Vetë rapsoditë e këtij cikli bëjnë të njohur se të tjera gjëra ndodhnin “kur kem’ pas’ besë me krajli”. Këto fakte e arsyetime lejojnë të mbrohet mendimi se në epos, pavarësisht nga karakteri i tij shumështresor, megjithatë, ekziston një “kohë e parë”. Ajo përkon me shek.VII-VIII, kur ndodhin proceset më të rëndësishme divergjente të brendshme në kulturën etnike, kur vërtetohen shndërrimet cilësore kulturore, si kalimi nga ilirishtja te shqipja. Pikërisht në këtë periudhë vendësit përballen me dyndjet sllave në Ballkan dhe njohin pak nga pak karakterin ekspansiv të tyre.
Faktet folklorike të eposit çojnë në kultin e dheut të të parëve, në mitin e vendlindjes, në shenjtërimin e bjeshkës, në hyjnizimin e dheut, në atë kuptim që gjermanët e përdorin këtë fjalë kur thonë “land”. Ndonëse të kufizuara, në epos ka të dhëna me karakter etnoveçues, që gjenden të trashëguara në botën shpirtërore shqiptare. Këto fillojnë me dallimin “të vetët - të tjerët”, që është nga shenjat më të hershme të ndërgjegjes së bashkësisë. Ndonëse më shumë mund të flitet për një nocion landi, vendlindjeje, sesa për një hapësirë të përcaktuar qartë, prapë vetëdija e një atdheu që i bën bartësit e eposit të ndihen mes tyre “të vetët” del aty-këtu.
Eposi shqiptar në mesjetë kishte formën e vet artistike të kryer. Prej shekujve të sundimit osman ai mori me vete një shtresë të re ndikimi, që preku pjesën më të dukshme të tij: emrat e heronjve dhe, deri diku, dekorin e ngjarjeve. Kjo shtresë, më në sipërfaqe të eposit, ngjan më e pranishme sa është në të vërtetë. Pjesa më e madhe e emrave të heronjve mendohet të mos jenë huazime të drejtpërdrejta prej osmanishtes, por kalime kuptimore të emrave të mëhershëm, përkthime strukturore të tyre. Emri i Halilit, që i kthyer në shqip do të thotë “i bukur”, i përgjigjet thelbit të personazhit, që trashëgohet prej kohësh shumë më të hershme. Në emrin e Gjergj Elez Alisë gjymtyra e tij e tretë do të thotë “i lartë, fisnik”, që gjithashtu vlen për të theksuar një tipar që personazhi e kishte para kontakteve me botën e Perandorisë Osmane.
Me frymëzimin e tyre poetik, me mjetet e trajtimit artistik, me vargun e tyre të rrjedhshëm e me gjuhën e pastër, rapsoditë e kreshnikëve përbëjnë një thesar të poezisë sonë popullore.
Bashkë me eposin, deri në kohën e kontakteve të para me rrezikun e ri që po shfaqej nga Orienti, me invazionin osman, shqiptarët kishin krijuar gjithashtu fondin e baladave, të cilat vinin si kujtime tronditëse të epokave të shkuara. Njëra prej tyre është ajo që njihet në jug me emrin e Konstandinit dhe Doruntinës, kurse në veri me emrin “Kënga e Halil Garrisë”. Koha e lindjes së baladës së ringjalljes përkon me ata shekuj, kur dija biblike e quante të papranueshëm rikthimin nga bota tjetër, qysh prej ringjalljes së Krishtit. Balada e Kostandinit dhe Doruntinës shpesh është trajtuar si kryevepër që ngre lart kultin e besës, shenjtërinë e fjalës së dhënë, për hir të së cilës mallkimi mund të të ndjekë në këtë jetë dhe në tjetrën. Mesazhi i besës është i pranishëm në frymën e baladës, por para këtij mesazhi është fryma e fuqisë së njeriut për të riardhur në këtë jetë.
Në mesjetë e para saj funksiononin edhe gjini e zhanre të tjera të folklorit, duke filluar prej atyre më të shkurtrave, si proverbat, deri te rrëfimi popullor.
Me pushtimin e Shqipërisë nga dyndjet osmane u krijua mjedisi kulturor për shfaqjen e epikës historike. Kësaj periudhe i përket cikli i Skënderbeut, i cili përmban 10-15 këngë, të ruajtura kryesisht tek arbëreshët e Italisë. Këngë historike të periudhës së qëndresës së arbërve madje para Skënderbeut janë ruajtur edhe në Shqipëri. Në një prej këtyre këngëve i këndohet trimërisë së Milosh Kopiliqit, i cili vrau sulltanin në betejën e ballkanasve të Fushë-Dardanisë. Ai paraqitet duke udhëtuar me kokën e vet të prerë nën sqetull dhe motivi i kokës së prerë që merr e jep mesazhe nga bota tjetër, është ballkanizuar në një shkallë relativisht të gjerë.
Cikli i Skënderbeut në poezinë popullore të arbëreshëve bashkon historicitetin e figurave dhe ngjarjeve reale me legjendarizimin e trashëguar prej epikës heroike. Skënderbeu në këto këngë bën të njëjtat mrekulli si Shën Gjergji në letërsinë biblike dhe vdekja e tij përshkruhet me të njëjtin vajtim të botës, natyrës, qiellit, tokës dhe njerëzve si kryqëzimi i Krishtit. Me këtë cikël ka studiues që bashkojnë edhe këngën e Gjorg Golemit (Gjergj Arianitit), bashkëkohës i Skënderbeut, mbledhur e botuar për herë të parë në vitet 30 të shek. XX.
Këngët epike dhe legjendat që i ruajnë arbëreshët e Italisë, të larguar nga Shqipëria qysh në shek. XV, të cilat me pak ndryshime i gjejmë edhe te fshatarët e malësorët e vendit tonë, dëshmojnë se ato kanë qenë thurrur nga rapsodët shqiptarë para shek. XV.
Tradita e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë, e cila përputhet me atë të mëmëdheut, tregon se poezitë epike dhe lirike rituale këndoheshin, përcilleshin me muzikë dhe shoqëroheshin me lëvizje ritmike. Këto valle bashkë me kostumet e mrekullueshme të valltarëve, përbënin së bashku një shprehje të lartë artistike që mishëronte gëzimin e jetës dhe shijen estetike të shqiptarëve.
Kultura popullore shqiptare e mesjetës nuk u zhvillua e shkëputur nga kontaktet me popujt fqinjë ballkanas. Ajo ndikoi me një varg elementesh të saj, veçanërisht në veshje, me muzikën, vallet dhe me tiparet e saj shpirtërore, në kulturën e popujve fqinjë në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore dhe në Greqi. Nga ana e tyre, shqiptarët e pasuruan gjithashtu kulturën e vet me ndikime të marra prej fqinjëve të tyre që i shkrinë në tërësinë e trashëgimit të vet kulturor.

Kultura, letërsia e shkruar dhe arsimi në tokat shqiptare

Rol të rëndësishëm në veprimtarinë kulturore dhe arsimore në mesjetë luajti kisha e krishterë. Roli i saj si udhëheqëse shpirtërore shpjegohet nga fakti se krahas burimeve ekonomike, kisha pati në dorë monopolin e kulturës dhe përgatitjen e inteligjencies së kohës. Shumica e njerëzve të kulturës, veçanërisht në shekujt e mesjetës së herët, ishin thuajse pa përjashtim klerikë, qoftë si prodhues, qoftë edhe si porositës të prodhimit artistik e kulturor. Në duart e klerikëve ishin filozofia e letërsia, arsimi dhe artet. Si qendra të propagandimit të doktrinës fetare, të arsimit dhe të veprimtarisë kulturore-artistike shërbyen manastiret ortodokse e katolike, krahas të cilave vepronin aktivisht edhe “kurjet” peshkopale. Me ashpërsimin e marrëdhënieve shoqërore e politike në mesjetë, kur u forcua më tepër lufta e kishës për të ruajtur ndikimin e vet, krahas urdhrave murgëtarë të benediktinëve e dominikanëve që kishin pasur në dorë arsimin, qysh nga shek. XIII dhe në Shqipëri filluan të përhapeshin urdhrat murgëtarë të “lypësve”, minoritët françeskanë. Me predikimet e tyre për nevojën e “reformave” të kishës në frymën e “varfërisë”, këta mundën të ndikonin më lehtë mbi shtresat popullore.
Duke filluar nga shek. XIII pranë klerikëve në veprimtarinë kulturore të zhvilluar në tokat shqiptare shfaqen edhe përfaqësues të aristokracisë vendase, më shpesh si ktitorë (themelues) ndërtimesh monumentale kishtare. Fuqizimi ekonomik e politik i jepte asaj mundësinë të pajtonte artistë e mjeshtër dhe të ndërmerrte ndërtime të kushtueshme.
Në sajë të pozitës mbizotëruese të kishës, në kushtet e sundimit bizantin dhe të atij të feudalëve perëndimorë në tokat shqiptare, gjuhët greke e latine mbajtën për një kohë shumë të gjatë pozitën si gjuhë kulturore mbisunduese.
Gjatë mesjetës u shtua në mënyrë të ndjeshme numri i veprave të shkruara që qarkullonin në duart e njerëzve të mësuar. Përmbajtja e shumicës së tyre ka karakter krejt kishëtar. Ato janë tekste ungjillore, vepra liturgjike, aty-këtu ndonjë traktat teologjik. Një pjesë e tyre ka mundur të ruhet në Berat.
Nga shekujt e mesjetës vjen koleksioni i kodikëve që përbën një prej pasurive më të rëndësishme kulturore të popullit shqiptar. Ky koleksion përmban mbi 100 vëllime, që përbëjnë vepra të plota (dorëshkrime) dhe 17 fragmente. Jashtë këtij fondi numërohen edhe disa dhjetëra kodikë të tjerë, që i takojnë manastirit të Shën Gjon Vladimirit, mitropolisë së Drinopolit e arkipeshkvisë së Shkodrës. Kodikët ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar.
Kodikët e Shqipërisë, nga të cilët më i vjetri është “Kodiku i Purpurt i Beratit”, janë një fond me rëndësi për historinë e zhvillimit të letërsisë së vjetër biblike, liturgjike. Këta kronologjikisht ndjekin njëri-tjetrin gjatë 13 shekujve me radhë (prej shek. VI - deri në shek. XVIII). Pjesa më e madhe e teksteve të tyre janë greqisht, por, duke ardhur më pranë kohërave të reja, shtohet prania e shqipes.
“Kodiku i Purpurt i Beratit” është një dorëshkrim me rëndësi historike për fillimet e letërsisë biblike dhe renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. Sipas teknikës së shkrimit, është një dorëshkrim jo më i vonshëm se shek. VI pas erës sonë. Ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Është shkruar me shkronja të derdhura prej argjendi. Lënda e dorëshkrimit është pergamenë. Sfondi mbi të cilin janë derdhur këto shkronja është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra (jo më i hershëm se shek. XVIII).
Për herë të parë për "Codex Purpureus Beratinus" bëhet fjalë në "Diptikun e kishës së Shën Gjergjit", që gjendej në kështjellën e Beratit. Në një shënim të cituar nga ky dorëshkrim flitet për rrezikun që i vinte rrotull këtij kodiku në vitin 1356, kur ushtritë serbe të Stefan Uroshit rrethuan qytetin e Beratit, tashmë të boshatisur nga popullata, për shkak të pamundësisë për t'u mbrojtur, dhe ia kishin vënë syrin bibliotekës së manastirit të Theollogut dhe të kishës së Shën Gjergjit, thesarit më të madh të qytetit.
Deri në prag të Luftës së Dytë Botërore (kur u fsheh nga atdhetarët beratas për të mos rënë në duart e pushtuesve) “Kodiku i Purpurt i Beratit” ishte jo vetëm një libër (dorëshkrim) për bibliotekën, por edhe tekst liturgjie. Një herë në vit mesha mbahej sipas ungjijve të këtij teksti.
"Kodiku i Purpurt i Beratit" vlerësohet gjithashtu për historinë e shkrimit, për vlerat kaligrafike, si përmendore e trashëgimisë së përbotshme të dijes, si objekt shkencor i paleografisë, bibliologjisë, gjuhësisë, historisë së besimeve.
Duke u nisur prej faktit se në arkivat shqiptarë ruhen mbi 100 dorëshkrime të tipit kodik, në të cilat janë kopjuar gjatë 12 shekujve me radhë shkrimet e shenjta, "Testamenti i Vjetër", ungjijtë dhe tekste të tjera të shërbesës ekleziastike, mendohet se ato mund të jenë shkruar nga murgj vendës. Veç faktit se këto dorëshkrime krijojnë një traditë të letërsisë kishtare, vijnë në ndihmë të këtij përfundimi edhe të dhëna të tjera. Kryelutja mijëvjeçare e krishtërimit perëndimor Ty zot të lavdërojmë - Te Deum Laudamus, e cila u kompozua nga Shën Niketa i Dardanisë (ose Shën Niketa i Remesianës), u përhap në disa variante në Evropën Perëndimore pas vitit 525
"Beratinus-1" dhe kodikët e tjerë të Shqipërisë janë vepra me rëndësi për historinë e kulturës e të shkrimit të shenjtë, por dhe të letërsisë në përgjithësi. "Kodiku i Purpurt i Beratit" është i regjistruar në listën e veprave më të rëndësishme të njerëzimit, të njohur me emrin "Memoire du Monde" (Kujtesa e Botës) dhe prej disa vitesh gëzon kujdesin e drejtpërdrejtë të UNESCO-s.
Kodiku i dytë (sipas kronologjisë), i quajtur "Beratinus-2" ose "Kodiku i Anthimit" (Codex Aureus Anthimi) - për shkak të shkronjës prej ari që është përdorur, i takon shek. IX. Ai përmban katër ungjijtë (sipas Gjonit, Lukës, Markut dhe Mateut). Figurat e ungjillorëve kanë korniza dekorative, që janë ndërtuar me motive floreale dhe gjeometrike (rrathë dhe lule).
Në fondin e pasur të kodikëve të Shqipërisë, përveç "Beratinus-1" e "Beratinus-2", bëjnë pjesë edhe dhjetëra dorëshkrime të tjera, që kanë marrë emrat e qyteteve ku janë zbuluar “Kodiku i Vlorës”, afërsisht shek. X; “Kodiku i Përmetit”, i shek. XIV; “Kodiku i Shkodrës”, i të njëjtit shekull.
Në kodikët që i takojnë periudhës prej shek. XII e këndej ka dhe të dhëna etnografike, rregulla të ndërtimit të jetës së përbashkët, të dhënies të së drejtës, të trashëgimit të pasurisë nëpërmjet fejesës ose prej ndarjes, të ndryshimit të së drejtës në rastin e konvertimit të fesë.
Duke filluar nga shek. XII shënohet një rritje e zgjerim në përdorimin e shkrimit dhe në zhvillimin e letërsisë e të arsimit në tokat shqiptare, duke çuar më përpara traditat në këtë fushë. Huazimet me prejardhje latine si: “shkruaj”, “këndoj” etj., me evolucionin e tyre fonetik e kuptimor dëshmojnë se populli shqiptar njihte shkrim e këndim pa ndërprerje qysh prej një kohë të lashtë.
Zhvillimi ekonomiko-shoqëror e politik që karakterizon shek. XII-XIV krijoi kushte për përdorimin më të gjerë të shkrimit. Konsolidimi i formacioneve shtetërore vendase shtruan nevojën e redaktimit të akteve me karakter juridik e politik. Kësaj nevoje i shërbenin tani jo më rastësisht njerëz të ditur si klerikë e murgj të manastireve, por profesionistë të specializuar. Këta formonin kancelaritë pranë oborreve feudale dhe në qytetet kryesore të vendit. Rrethi i njerëzve të kulturës u shtua edhe me banorë të komunave qytetare. Në shek. XIV e në fillim të shek. XV numri i intelektualëve klerikë shqiptarë me origjinë qytetare ishte mjaft i madh; ata gjenden të përhapur edhe jashtë Shqipërisë, në shumë qytete dalmatine ku kryenin funksione kancelarësh, mësuesish, famulltarësh etj.
Nuk munguan edhe vepra të shkëputura deri-diku nga përmbajtja kishtare. Të tilla janë, p.sh., kronika e peshkopit Mihail nga Devolli (shek. XI-XII), e cila trajton ngjarje të luftës së bizantinëve kundër mbretërisë bullgare në Maqedoni e pjesërisht në tokat shqiptare, letërkëmbimi i peshkopit Teofilakt të Ohrit, me disa të dhëna interesante mbi jetën e banorëve të peshkopatës së tij në fillim të shek. XII, disa jetëshkrime shenjtorësh që zhvilluan veprimtarinë e tyre edhe në tokat shqiptare, si ato të Klementit e Naumit hartuar në shek. XIII etj. Ndryshe nga këto vepra të shkruara greqisht, është shkruar latinisht kronika e një prifti nga Dioklea, e cila përshkruan ngjarjet që u zhvilluan në Shqipërinë e Epërme në kapërcim të shek. X-XI. Në territor të banuar prej shqiptarësh në Epir, janë hartuar në fund të shek. XIV e në fillim të shek. XV dy kronika greke që japin të dhëna me interes për historinë e Principatës shqiptare të Artës. Shënime historike për shek. XIV gjenden edhe në disa nga dorëshkrimet e Beratit.
Megjithëse nuk shkëputen nga fryma teologjike, këto prodhime përbëjnë hapat e para të historiografisë në vendin tonë, sepse një pjesë e këtyre është hartuar pa dyshim nga autorë vendas dhe i përket historisë së tokave shqiptare. Shkëputjen nga ndikimi kishtar dhe kalimi në historiografinë laike, këtë hap në historinë e kulturës shqiptare, e bënë humanistët shqiptarë në fund të shek. XV e në fillim të shek. XVI, por tanimë në kushtet e pushtimit osman të vendit, jashtë Shqipërisë.
Nën ndikimin mbizotërues të kishës lindore dhe të asaj romane, gjuha kishtare shërbeu edhe si gjuhë shkrimi për administratën shtetërore. E tillë ishte, sipas rrethanave politike, greqishtja dhe latinishtja dhe në një masë më të vogël, me vendosjen e sundimit serb edhe sllavishtja. Si gjuhë shkrimi këto u përdorën edhe nga paria sunduese shqiptare, në veprimtarinë shtetërore. Disa nga sundimtarët shqiptarë, si Muzakajt, përdorin në korrespondencën e tyre greqishten, kurse Balshajt latinishten dhe sllavishten, të tjerë si Karl Topia dhe Kastriotët i përdorën të tria këto gjuhë. Dëshmi për këtë janë mbishkrimet e rëndësishme të vendosura më 1383 prej Karl Topisë në manastirin e Shën Gjonit pranë Elbasanit.
Këto gjuhë mësoheshin në shkollat që vepronin gjithmonë nën mbikëqyrjen e kishës. Në shkollat pranë manastireve, mësimi jepej në fillim në formë individuale vetëm me lexim e me këngë kishtare, kurse më vonë jepej me forma më të organizuara duke përfshirë një rreth më të gjerë lëndësh. Në të tilla shkolla që i hasim edhe në qytetet pranë kurjeve peshkopale, mësohej kursi tradicional mësimor që jepej edhe në shkollat e vendeve perëndimore. Ai përbëhej nga cikli i ulët që përfshinte lëndët letrare (gramatikë, retorikë, didaktikë) dhe cikli i lartë me lëndë shkencore (aritmetikë, gjeometri, astronomi e muzikë). Për mësimin e këtyre lëndëve pajtoheshin me kontratë klerikë të ditur. Të tillë mësues shqiptarë vepruan edhe në një varg qytetesh dalmatine ku ishin pajtuar me shërbim si specialistë të njohur. Me zhvillimin e qyteteve, shkollat pranë nxënësve klerikë filluan t`i frekuentonin aty-këtu edhe nxënës nga shtresat e larta tregtare dhe zejtare të qyteteve.
Themelimi i shkollave në trojet shqiptare gjatë mesjetës u bë me nismën e urdhrave kishtarë, sidomos të urdhrit dominikan, si dhe të administratës komunale e princërore të qyteteve të njohura. Një aktivitet i këtillë filloi së pari në Ulqin rreth vitit 1258, në Kotorr më 1266, në Durrës më 1278, në Shkodër më 1345 dhe në Tivar nga gjysma e dytë e shek. XIV.
Gjuha shqipe, si gjuhë e shkruar, në këtë kohë ende nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë shkrimit greqisht, latinisht dhe sllavisht, gjuhë kishtare me rëndësi, të cilat për më tepër kishin mbështetjen e institucioneve kishtare dhe të administratës shtetërore. Ajo shërbente si gjuhë e komunikimit të përditshëm si për shtresat popullore, ashtu dhe për fisnikërinë e klerin vendas. Kështu, në shek. XIV shqipja përdorej në administratën e bashkësisë qytetare të Ulqinit, ku në mbledhje të Këshillit të Madh ajo ishte gjuha e shërbimit.
Një ndryshim me rëndësi shumë të madhe për historinë e kulturës shqiptare shfaqet në gjysmën e parë të shek. XIV, kur dokumentohet për herë të parë se shqipja, përdorej si gjuhë shkrimi. Ky hap i rëndësishëm lidhet me ngritjen e përgjithshme ekonomike-shoqërore të vendit dhe veçanërisht të qyteteve.
Me përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë shkrimi, viheshin bazat për zhvillimin e mëtejshëm të saj si gjuhë e kulturës dhe e letërsisë shqipe.

Kadare, promovues i kulturës shqiptare

Sa dhe si promovohet kultura shqiptarë në botë, tashmë jemi të vetëdijshëm të gjithë, përveçse ndonjë shkrimtari apo artist të arteve pamore dhe skenike, shumë gjëra lënë për të dëshiruar. Sa punohet në këtë drejtim nga institucionet shtetërore, qoftë në Kosovë apo Shqipëri, e tregon kalvari i artistëve për të marrë një vizë. Ende arti dhe kultura shqiptare vuan nga mungesa e pjesëmarrjes dinjitoze në aktivitetet ndërkombëtare. Specialist dhe kritikë të mirëfilltë të artit e gjejnë shkakun te dobësia e politikave të marketingu kulturor jashtë kufijve shqiptarë, të paafta për të “eksportuar” më të mirën nga kultura shqiptare.

Kadare, promovues i kulturës shqiptare

Shumë artistë dhe njerëz të njohur të kulturës shqiptare bien dakord kur bëhet fjala për mungesën e një strategjie të përbashkët andej dhe këndej kufirit, për të promovuar sa më shumë kulturën tonë. Nga ana tjetër, ata bashkohen njëzëri se, nëse është dikush që ka promovuar dhe ka bërë që zëri i shqiptarëve të dëgjohen anë e mbanë botës ai është padyshim shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare.

Shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Visar Zhiti, librat e të cili janë përkthyer në disa gjuhë të botës, në një prononcim për gazetën tonë shprehet se bëhet pak në këtë aspekt, por zëri i Kadaresë është shumë i fuqishëm se shumë institucione së bashku. “Kadare është emblemë e kulturës shqiptare. Ai e ka bërë shumë të njohur Shqipërinë dhe shqiptarët në letërsinë e vetë. I ka dhënë shumë edhe koha, vendi, populli, që vërtet i është borxhli një figure të tillë, por ne do të kemi ambicien e mirë që në forma të tjera të zbulojmë dhe të besojmë se kemi vlera”, tha Visar Zhiti, duke shtuar se Kadare është ylli i ndritshëm i një qielli që ndriçon botën.

Për piktoren Majlinda Kelmendi, disa herë pjesëmarrëse në ekspozita ndërkombëtare, mendon se kemi artistë që na përfaqësojnë me dinjitet në skenat botërore. “Duke qene se jemi të informuar për rrjedhat e artit pasi është profesioni që vetë ne me dëshirë e kemi zgjedhur e duam,e zhvillojmë dhe përpiqemi të ndjekim kohën, të cilën jetojmë. Mendoj se ne jemi ne kontakt me të renë dhe ngjarjet artistike në galeri dhe muzeut e artit në botë. Ballafaqimi në ekspozita kolektive dhe personale në vende të ndryshme me krijimet tona, çmimet e marra, ftesat e ndryshme për vepra dhe artistë shqiptarë na bën të mendojmë dhe konstatojmë që ne kemi artistë cilësor, të cilët me veprat e tyre na përfaqësojnë me dinjitet në bot’, tha piktorja Kelmendi.

Promovimi individual më i suksesshëm se ai institucional

Ky konstatim vjen nga aktorja jonë e njohur, Florie Bajoku, e cila pati edhe vetë një sukses të madh këtë vit që po lëmë pas, duke interpretuar shqip në skenat më të njohura evropiane me shfaqjen ““Barka e Noes”. “Kultura shqiptare promovohet shumë pak në botë në formën institucionale. Mirëpo, formë tjetër e promovimit të kulturës shqiptare është edhe forma individuale dhe si e tille nuk është aspak e lehtë sidomos kur jeton në Kosovë, por gjithsesi varet edhe nga zhanri artistik, kolektiv apo individual. Mendoj qe promovimi individual i kulturës shqiptare jashtë është jashtëzakonisht i suksesshëm dhe promovues për ngritjen dhe përmirësimin e imazhit te shqiptareve.

Fatmirësisht ka shumë personalitete të pakontestueshme shqiptare që janë yje në Evropë e më gjerë dhe që janë pjesë e institucioneve dhe instancave më të larta artistike evropiane dhe botërore”, thotë aktorja Bajoku, duke sjellë shembuj Ismail Kadaren dhe spranon Inva Mula, divën e muzikës operistike. Ndërsa regjisori Selam Hajrizi mendon se ka shumë emra që individualisht kanë bërë shumë për promovimin e kulturës sonë. “Kemi shumë talente të rinj, por Ismail Kadareja është i vetmi ambasador shkrimtar me famë botërore, i cili ka arritur që të na frymëzojë ne dhe të na mburrë e të na përfaqësojë si popull. Por ka tjetër edhe të tjera personalitete siç ishte presidenti Rugova, Sali Berisha po ashtu, që ndërkombëtarizon gjithmonë çështjen e Kosovës. Apo drejtori i Baletit Angjelin Preljocaj, që në gjithë botën është shumë i respektuar”, tha regjisori Hajrizi.
Bruna Merko

Lexoni me shume per temën: Sa promovohet kultura shqiptare në botë? tek www.albanians.gr

MODERNIZIMI DHE KULTURA SHQIPTARE

SAM_0535-1
Nga Ervin Shkulaku*/

Njeriu gjatё jetёs fiton dhe humbet shumё identitete. Kёto i pёrdor pёr tё identifikuar personalitetin nё shoqёrinё ku banon. Njё i ri pasi fiton tё drejtёn pёr tё studiuar nё universitet pajiset me kartёn e studentit qё pёrfaqёson identitetin si student, ose njё polic pasi e ndalon njё shofer automjeti kёrkon nga ai patentёn, qё pёrfaqёson identitetin e tij si shofer. Edhe shtetet kanё identitetet qё i pёrdorin nё situata tё ndryshme. Karta identifikuese qё pёrdorin shtetet ёshtё kultura. Njё student pasi pёrfundon proçesin e studimit pёrfundon dhe identiteti i tij si student prandaj ёshtё e rёndёsishme tё theksojme se çdo identitet ёshtё i ndryshueshem.dhe kultura ёshtё njё faktor i rёndёsishem nё pёrbёrjen e njё kombi.

Ç’ёshtё Kultura?

Fjala Kulturё nё gjuhen shqipe ka ardhur nga gjuha latine, “Cultura”. Deri nё revulucionin francez kuptimi i fjalёs “Cultura” ishte kultivimi i njё produkti buqёsor. Pёrpara fillimit tё revulicionit francez Voltiare, termin “Cultura” e pёrdori pёr njё person tё kulturuar e tё edukuar.[1] Kёshtu pёr herё tё parё termi “Cultura” merr njё kuptim tё ri. Edhe nё gjuhёn arabe termi “Hars” ose “Kultura” ka kuptimin e njёjtё si nё gjuhёn latine. Deri nё ditёt e sotme studiuesit i kanё shtuar kuptime tё ndryshme fjalёs “Kulturё”. Nё vitin 1950 antropologёt Kroeber dhe Clyde Kluckholn nё literaturёn amerikane dhe angleze kanё gjetur 150 kuptime tё fjalёs Kulturё.[2] Sot nё gjuhёn shqipe termi “Kulturё” pёrdoret nё buqёsi, mjekёsi, histori, nё pёrcaktimin e njё shteti. Nё mёnyrё te pёrmbledhur me kulturё kuptojmё tё gjitha zakonet, gjuha, besimi, traditat qё ka njё shoqёri. Edhe shoqёria shqiptare kёto cilёsi i ka patur qё nё antikitekt dhe pёrgjatё historisё kёto cilёsi kanё ndryshuar vetёm pjesёrisht dhe nuk kanё shkrirё pёrballe ndonjё kulture joshqiptare. Ka ndryshuar pjesёrisht sepse pёrgjatё historisё vazhdimisht bota ёshtё sunduar vetёm nga disa shtete tё fuqishme dhe kёto shtete nuk kishin mundёsi qё tё shkrinin kulturat e tё gjithё popujve. Por megjithatё kёto shtete me fuqinё, kanё ndikuar edhe nё pёrhapjen e kulturave tё tyre nё shtetet e vogla. Si pёr shembull perandoria Ottomane pasi pushtoi Ballkanin ka pёrhapur edhe kulturёn ottomane. Nё bazё tё studimit tё pёrgatitur nga studiuesi gjerman Osёald Spenger historia e njerёzimit ka kaluar nё tetё kultura ndikuese. Kёto kultura janё :

Kultura e Egjiptit.

Kultura e Babilonisё.

Kultura e Kinёs.

Kultura e İndisё.

Kultura e Romёs dhe Greqisё tё lashtё.

Kultura Arabe.

Kultura Meksikane.

Kultura Perёndimore ose Evropa dhe Shtetet e Bashkuara te Amerikёs.[3]

Kultura perёndimore njihet edhe me konceptin Modernizёm. Edhe fjala Modernizёm vjen nga latinishtja Modernus. Kuptimi i termit Modernizёm ёshtё “e Re” pra zvёndёsimi i njё subjekti me njё subjekt tjetёr. Çfarё ёshtё moderne dhe çfarё nuk ёshte moderne diskutohet shumё nga studiuesit dhe gjithashtu nё çfarё kohe ka filluar Modernizmi ёshtё e diskutueshme. Sipas studiuesit Jurgen Habermas fjala “Modern” ёshtё pёrdorur pёr herё tё parё nё shek.V nga pasuesit e fesё tё krishtёrё kundёr Romёs pagane. Kjo fjlalё ёshtё pёrdorur pёr tё dalluar fenё e krishterё nga feja pagane. Fjala “Modern” u pёrdor pёrsёri nё shek.XVII nga mbreti i Francёs Karli i Madh(charlemagne). Ai e pёrdori kёte fjalё pёr tё bёrё dallimin e Evropёs nga Lindja, saktёsisht nga Kalifati Arab.[4] Gjatё revulicionit Amerikan e Francez, modernizmi do tё theksohet edhe mё tepёr dhe do tё ketё rёndёsi nё rёnjen e ndikimit tё fesё tё krishterё nё Evropё dhe asimilimin e popullsisё indiane nё Amerikё. Kёtё periudhё nё vёndin e zotit do tё jetё Modernizmi qё pas revulucioneve do tё pёrhapet nё tё gjithё kontinentin europian. Modernizmi nuk u krijua nga kultura e njё populli tё vetem por ёshtё bashkimi i disa elementёve kulturorё tё popujve europianё. Nё kёtё periudhё shqiptarёt ishin tё pushtuar nga perandoria Ottomane dhe shqiptarёt megjithse e ruajtёn identitetin[5] modernizmi nuk pati shumё ndikim sepse ligjet Ottomane nuk e mbёshtesnin kёtё rrymё.

Me formimin e shtetit, shqiptarёt filluan edhe njё kapitull tё ri nё çdo aspekt. Amerika dhe Evropa e njohёn edhe e mbёshtetёn shtetin shqiptar prandaj dhe shqiptarёt do tё shkёputen nga ndikimi i kulturёs tё lindjes dhe do tё fillojnё tё njihen me kulturёn perёndimore. Kjo lёvizje e re e shqiptarёve ёshtё njё veprim i mirё dhe qё do tё ndikoje ne rinjohjen e kulturёs shqiptare nё perёndim. Pёr shёmbull programi i Fan Nolit ishte i mbёshtetur nё sistemin perёndimor. Por Noli do tё largohet nga Shqipёria pёr nё Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs dhe nё krye tё shtetit shqiptar do tё vijё Ahmet Zogu. Ai nuk do ta drejtojё plotёsisht Shqipёrine drejt modernizmit Evropian dhe kultura shqiptare do tё jetё akoma nё ndikimin e kulturёs Ottomane. Pas largimit tё mbretit Zogu dhe me ardhjen e sistemit komunist nё pushtet pёr kulturёn shqiptare do tё jetё njё nga momentet me tё rёndёsishme tё saj brёnda territorit tё republikёs tё Shqipёrisё. Sistemi nga vetё ideologjia e tij totalitare ngre lart kultin e kulturёs. Emrat e qyteteve dhe krahinave u zvёndёsuan me emra shqiptarё, u ndalua me ligj pёrdorimi e emrave te huaj nga banorёt. U organizuan shumё festivale kulturorё dhe ankande folklorikё. Pavarёsisht nga kёto reforma nё kulturё siç e theksova edhe mё lart kultura shqiptare lulёzoj vetёm brёnda territorit tё republikёs sepse qeveria komuniste zbatoi rrugёn e vetizolimit me popujt e tjerё. Kjo do tё sjellё edhe mosnjohjen e kulturёs shqiptare nё arenёn ndёrkombёtare dhe mosndikimin e modernizmit nё shoqёrine shqiptare. Gjithashtu komunizmi ndaloi me ligj edhe pёrdorimin e fesё dhe duhet theksuar qё feja ёshtё nje faktor i rёndesishёm nё kulturёn e njё populli.

Nё kёtё kohё modernizmi ishte pёrhapur me hapa gjigandё pothuajse nё shumicёn e kulturave tё botёs. Njё nga mёnyrat qё u pёrdor nё pёrhapjen e modernizmit ishte kinematografia. Mё anё tё telenovelave dhe filmavё pёrhapej edhe kultura e modernizmit amerikan ose perёndimor. Nё vitin 1980 studiuesi Ien Ang bёri kёrkime pёr ndikimin e telenovelёs amerikane “Watching Dallas” dhe ai u shpreh : “Qё nga Turqia deri nё Australi dhe qё nga Hong Kong deri nё Britani, mё shumё se nё 90 shtete, pasi fillon telenovela rrugёt boshatisen dhe njerёzit rrinё para televizionit”.[6]

Kjo telenovelё bёnte propogandё pёr kulturёn amerikane edhe pёr tё mirat e saj. Vetёm pas 3 vitesh pra nё vitin 1983 ministri i kulturёs tё republikёs Franceze do ta shpallte kёtё telenovelё si simbol tё kulturёs amerikane dhe tё kapitalizmit. Pavarёsisht kёsaj, media nё kёtё formё krijonte edhe pika tё pёrbashkta pёr njerёzimin. Seriali komik i Charli Chaplin shikohej nё tё gjitha shtetet e botёs tё industrializuar dhe shtetet e botёs tё tretё. Pra pavarёsisht shtetit dhe kulturёs tё ndryshme, njerёzimi qeshte njёkohёsisht nё serialin e Charli Chaplin.

Pas rёnjes tё sistemit komunist nё vitet 1990 Shqipёria e ndryshoj qeverisjen e saj drejt demokracisё perёndimore. Drejt kёtij drejtimi filloi ndryshimin edhe kultura shqiptare. Pas viteve 90’ kemi emigrim masim tё shqiptarёve drejt Evropёs dhe Shteteve tё bashkuara tё Amerikёs. Nё kёto shtete shqiptarёt hasёn shumё vёshtirёsi nё integrim sepse kishin jetuar pёr 40 vjet nё njё kulturё tё ndryshme. Shumё emigrantё pa shikuar qytetet kryesore tё Shqipёrisё ose edhe vetё Tiranёn emigruan nga fshati direkt nё Romё, Paris, New-York etj. Prandaj ata hasёn vёshtirёsi nё kёtё kulturё tё modernizmit dhe shpesh herё ata u dorzuan para modernizmit duke punuar nё fushёn e krimit. Kjo solli edhe njё imazh tё keq tё kulturёs shqiptare nё perёndim. Por pas viteve 2000 ky imazh i keq ka filluar tё zhduket nё shtetet europiane sepse shqiptarёt kanё filluar tё integrohen nё kulturёn e modernizmit. Ky integrim ёshtё faktor pozitiv pёr emigrantёt sepse nё kёtё mёnyrё bёhet mё e thjeshtё jetesa nё shtetin ku banojnё. Por megjithkёtё ata nuk duhet tё harrojnё edhe kulturёn shqiptare, tё paktёn gjuhёn shqipe duhet ta kalojnё nё brezat nё vijim. Edhe kjo duket se po realizohet sepse gjatё viteve tё fundit janё formuar shumё shoqata shqiptare nё Evropё. Tani duhet qё emigrantёt ti mbёshtesin shoqatat shqiptare qё janё themeluar nё Evropё e Amerikё.

Pёr shqiptarёt qё qёndruan pas viteve 90’ nё Shqipёri hasёn shumё probleme. Shumё objekte kulturorё u vodhёn ose u shkatёrruan. Kёto veprime nxorrёn nё pah dobёsinё e edukimit qё kishte patur sistemi komunist. Me kёto shkatёrrime shohim ndryshimin e komunizmit me demokracinё. Deri nё vitin 2000 strukturat e qeverisё drejtoheshin nga figura qё ishin edukuar nё komunizёm prandaj treguan paaftёsi nё mbrojtjen e kulturёs sepse nuk kishin marrё edukim tё plotё nё komunizёm megjithse ata tani mbronin demokracinё por demokracia fitohet dhe nuk mёsohet pёrmёndёsh. Kjo mungesё e edukimit beri qё mё shpejt tё pёrvetёsoheshin elementёt negativё tё modernizmit nё shqiptarёt si : droga, prostitucioni dhe mё e keqja MOSLEXIMI I LIBRAVE.

Pas vitit 2000 megjithse ka patur evimente pёr ruajtjen e kulturёs shqiptare si psh. Festivali folklorik i Gjirkosatrёs, ose Maratona e kёngёs popullore, kёto nuk janё tё mjaftueshme. Themi nuk janё tё mjaftueshme sepse shumё qytet muze nuk po restaruhohen, po ndihet mungesa e krijimit tё muzikёs popullore shqiptare, mosbotimi i letёrsisё lirike dhe epike shqiptare si psh. tё Mujit dhe Halilit, nuk po bёhen pёrpjekje pёr gjetjen e objekteve kulturore shqiptare qё kanё humbur gjatё luftrave. Si psh. sot shpata e heroit tonё kombёtar gjendet nё Vienё.

Prandaj sot Shqipёria nё vitin 2012 duhet ta pёrkrahё modernizmin por duhet tё behet pjesё e tij dhe jo tё humbasё nё tё duke shtuar fjalё tё huaja tё panevojshme nё literaturёn shqipe, duke dёgjuar mё shumё muzikё tё huaj, apo duke rёnё pre e medias ndёrkombёtare e cila po ndikon edhe nё shtimin e divorceve. Ose nё vёnd tё kampionatit shqiptar shikohet mё shumё kampionati italian apo anglez. Kёshtu duhet tё marrim anёt e mira tё modernizmit tё cilat janё shumё dhe e para prej tyre ёshtё dёshira e leximit tё librave. Sot numri i librave nё Japoni ёshtё 20 herё mё i lartё se sa popullsia e saj. Ukrainasi me origjinё Izralite Gaugin thekson se pёr shkak tё kulturёs dhe zakoneve tona sot e gjithё bota e njeh popullin e Izraelit.[7]

Njё popull i prapambetur nёse elementёt e kulturёs nuk i pёrhap deri nё fshatrat mё te thella, ai popull do ta humbasё garёn me qytetёrimin ( M. Ghandi )[8]

*Student, dega Histori / Izmir:Turqi

Përkthyesja polake e shqipes vjen me një rrëfim për lidhjen e saj me Shqipërinë, veprat e Kadaresë dhe krizën e librit sot


Lexuesi i huaj kërkon histori virgjëreshash dhe kanune

Dorota Horodyska/ Përkthyesja polake e shqipes vjen me një rrëfim për lidhjen e saj me Shqipërinë, veprat e Kadaresë dhe krizën e librit sot

“Nuk shoh libra që të mund të japin panoramën e shoqërisë shqiptare të shekullit XX dhe të kapërcyellit të mijëvjeçarit, në gjithë kompleksitetin e fateve të saj, që të jenë edhe artistikisht të arrira”. Si përkthyese, por dhe si një person që kërkon në tregun polak të botimeve një vend për librin shqip, Dorota Horodyska thotë se e ka të vështirë të rekomandojë titullin e një libri shqip. Nëse dhjetë vjet më parë mund të rekomandonte lirshëm emra si Ismail Kadare, Fatos Kongoli apo Ylljet Aliçka, tashmë i mungon një listë e re shkrimtarësh. Të njëjtin problem kanë dhe përkthyes të gjuhëve të tjera. Në këto 20 vite postkomunizëm, ata nuk mund të gjejnë ende një emër të ri në letrat shqipe, që mund të përcjellë te lexuesi i huaj shpirtin e fatit të këtij vendi. Dorota Horodyska, përkthyese e njohur e shqipes, dhe kryetare e Shoqatës Poloni-Shqipëri, vjen në një rrëfim për “aventurën e saj shqiptare”, letërsinë e Kadaresë dhe lidhjen e saj me librin…
Si e kujtoni vizitën tuaj të parë në Shqipëri?
Për herë të parë kam ardhur në Shqipëri në qershor të vitit 1993. Shoqëroja asokohe një mik, Mazllum Saneja, i cili promovonte librin e tij “Antologjia e poezisë shqiptare dhe polake të shekullit XX”. Në Lidhjen e Shkrimtarëve të Shqipërisë pata rastin të njoh, ndër të tjerë, Xhevahir Spahiun, Bardhyl London, Fatos Arapin, Ilirjan Zhupën, Jorgo Bllacën, Korab Hoxhën, apo edhe Ali Podrimen, i cili gjendej në atë kohë në Tiranë. Falë bisedave me këta poetë, nisa ta shoh Shqipërinë me sytë e tyre dhe kjo ndoshta ndikoi edhe në rrugën time të ardhshme. Kuptohesha me ta në gjuhën ruse. Habia ime e parë ishte fakti që shqiptarët e flisnin shkëlqyeshëm rusishten, edhe pse nuk kishin qenë shpesh në Bashkimin Sovjetik. Më befasoi gjithashtu fakti që dinin kaq shumë për Poloninë dhe për kulturën e saj. Ndërkohë, unë nuk dija asgjë për Shqipërinë, me përjashtim të stereotipit, që atje nuk duhej shkuar, pasi mund edhe të mos kthehesha. E në njëfarë mënyre nuk u ktheva më (qesh). Ndjeva një shtysë të papërballueshme për ta njohur më mirë këtë vend e këta njerëz që më kishin mrekulluar.
Nga diçka duhet nisur, prandaj e nisa nga vetja. Vendosa të mësoj gjuhën shqipe, për të folur me shqiptarët në gjuhën e tyre. Në atë periudhë në Poloni nuk kishte një katedër të gjuhës shqipe, nuk kishte tekste shkollore, kisha vetëm një fjalor të vogël si dhe një libërth me biseda. Mësoja në mënyrë autodidakte. Më ka ndihmuar një profesoreshë e gjuhëve sllave, prof. Jolanta Mindak-Zawadzka, e cila e njihte shkëlqyeshëm gjuhën shqipe.
Sa ka ndryshuar Shqipëria nga ajo kohë, dhe çfarë është ky vend për ju?
Po, tanimë ky nuk është vendi që kam parë para njëzet vjetësh, nuk janë më ato vende të cilat dikur i fotografoja. Mund të thuhet se në Shqipëri ka ndryshuar gjithçka. Sidoqoftë, nuk do të doja të flisja për kostot e transformimeve e për rrjedhojë të hyja në terrenin e politikës. Nuk do të doja të flisja për Shqipërinë si turiste duke lavdëruar p.sh. rrugët e bukura, Tiranën si metropol, apo njerëzit që vishen sipas modës. Nuk do të doja gjithashtu të prekja as temën e varfërisë dhe të kontrasteve. Kjo e gjitha duhet hapur me sy të lirë. Por do të doja të flisja për atë sesi gjatë këtyre njëzet vjetëve ka nisur të njihet Shqipëria nga polakët, dhe pse na nevojitet njohja e gjuhës shqipe.
Pa dyshim, një pikë kthese në historinë e re të Shqipërisë ka qenë dalja nga izolimi, që e bëri botën të kthejë sytë nga një vend praktikisht të panjohur. Kjo hapje bëri që para historianëve, politologët, gjuhëtarët, antropologët e kulturës së vendeve të tjera të hapeshin horizonte të reja studimi. Jo shumë kohë pas vitit 1990, “kështjella” e parë shqiptare – gjuha, u arrit të pushtohej në Poloni. Ndryshe ishte e pamundur që të zhvilloje çfarëdo pune shkencore pa njohje të gjuhës shqipe. Historianët dhe politologët polakë nisën ta mësojnë shpejt këtë gjuhë në shkallën që u mundësonte atyre leximin e dokumenteve dhe bashkëbisedimin me vendasit. Që në fillim të viteve ‘90 dhe në vitet më pas, një njohës i shkëlqyer i çështjeve të Ballkanit, Tadeusz Czekalski, kishte shkruar disa libra për historinë e Shqipërisë, merita e të cilëve, përveç qasjes novatore, ishte pikërisht dhe mbështetja te burimet shqiptare, që mungonin tërësisht në librat mbi Shqipërinë të kohës së komunizmit, të cilat mbështeteshin kryesisht në burime serbe, apo ruse. Një tjetër politolog i brezit të ri, Przemyslaw Zukiewicz, shfrytëzon gjithashtu burimet shqiptare, në tekstet e tij që trajtojnë për shembull, udhëheqjen politike të Shqipërisë, apo evolucionin e sistemit politik që prej vitit 1985.
Në vitin 1994, u riaktivizua Shoqata Poloni-Shqipëri, nën patronazhin e së cilës nisi të botohej “Revista e Përkohshme Shqiptare”, kushtuar historisë dhe kulturës së Shqipërisë e Kosovës. Ndër autorët e kësaj reviste kishte si thjesht dashamirës të Shqipërisë, ashtu dhe specialistë, të cilët gjatë punës së tyre shkencore, hasin dhe problematikën shqiptare. Problematika shqiptare ishte gjithashtu një prej temave të revistës rinore, të botuar në mesin e viteve ‘90, me titull “Polis”, ku për herë të parë nisën të botoheshin përkthime të teksteve të autorëve shqiptarë, si Fatos Lubonja, Shkëlzen Maliqi, Bashkim Shehu.
Së fundi, në vitin 2000, u krijua në Torun, katedra e parë e gjuhës shqipe në Poloni (në kuadër të katedrës së gjuhëve të Ballkanit). Ky ka qenë një kapërcim cilësor, pasi përveç mësimit të gjuhës, studentët merrnin njohuri dhe për letërsinë, kulturën dhe historinë e vendeve të gadishullit Ballkanik. Leksionet më të rëndësishme mbahen atje nga vetë shqiptarët. Ky ishte një kapërcim dhe për faktin se të rinjtë e sapodiplomuar e shohin Shqipërinë ndryshe, jo përmes stereotipave, por në mënyrë më të përgjithshme. Gjuha shqipe mësohet aktualisht dhe në disa qendra të tjera. Shumë prej të diplomuarve që e përdorin këtë gjuhë në punën e tyre, janë për shembull përkthyes të licencuar, përkthyes të misioneve të dërguara në Kosovë, apo rezidentë turistikë. Gjuha shqipe duket se është e pazëvendësueshme dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kontakteve tregtare dhe ekonomike.
Fundi i izolimit bëri gjithashtu që në Poloni të vijnë gjithnjë e më shpesh dhe rregullisht të rinj shqiptarë për të studiuar në universitetet polake, duke sjellë me vete një kulturë tjetër, një këndvështrim të ndryshëm të botës, natyrën e vet shqiptare (shqiptarizmin e tyre). Disa prej tyre, si p.sh. antropologu i kulturës, filologu dhe politologu Rigels Halili, është një prej pjesëtarëve të shkencës dhe kulturës polake.
Kontaktet polako-shqiptare kanë dhënë gjithashtu frytet e veta dhe në shumë martesa të përziera, të lidhura jo vetëm në Shqipëri dhe në Poloni, por dhe nëpër botë.
Pas më shumë se 20 vjetësh tanimë kanë nisur të davariten imazhet e anijeve të stërmbushura me emigrantë, si dhe kanë nisur të zbuten paragjykimet mbi Shqipërinë, si vend i lidhur me mafien, apo me varfërinë. Edhe pse ende ekzistojnë te ne një sërë stereotipash negativë për shqiptarët, një numër gjithnjë e më i madh polakësh dëshiron ta shohë vetë Shqipërinë dhe të mësojë diçka më shumë, vetë, duke shkuar atje. Ata kanë mundësinë që të përfitojnë nga disa udhërrëfyes për Shqipërinë, një pjesë e tyre janë thjesht përkthime, por ka edhe disa syresh të shkruara nga autorë polakë.
Librat e përkthyera nga unë plotësojnë kornizën letraro-kulturore të Shqipërisë dhe janë thjesht një element i mozaikut shqiptar të krijuar me pjesëmarrjen e shumë vetëve. Kur në vitin 1993, nisa aventurën time të njohjes së Shqipërisë, unë isha si gjithë të tjerët që e bënin këtë dhe asnjëherë nuk e çoja ndër mend se dëshira ime për njohjen e Shqipërisë do të shndërrohej në një marrëdhënie të qëndrueshme, ku ende ka vend për magjepsje, ku pavarësisht çasteve të bukura dhe më pak të bukura, nuk ka kurrë monotoni, dhe nga e cila tanimë, pas 20 vjetësh kohe të investuar në të, as që bëhet fjalë të heq dorë. Ka ende gjëra të mrekullueshme për të bërë.

A mund të quhet aventurë historia juaj. Një e huaj, e cila vendos të mësojë gjuhën e një vendi e më pas t’i përkushtohet letërsisë së tij, duke e bërë të njohur në vendin e saj?

Sigurisht që kjo është një aventurë (qesh). Kjo është një histori mrekullimi, lufte me vetveten, e zbulimit të një vendi dhe të njerëzve të tij, por edhe e zbulimit të vetes. Kjo është një aventurë e bukur, pasi ende nuk i duket fundi. Çdo autor i ri është zbulim për mua, çdo punë mbi një përkthim të ri, një sfidë: a do të jem në gjendje të jap thelbin e librit, a do të jem në gjendje ta bëj të flasë polonisht, sikur ai të ishte shkruar nga një polak, dhe në të njëjtën kohë, të mos i humbasë vetitë e tij shqiptare. Nuk kam nisur të përkthej menjëherë. Duhej të isha e sigurt para se ta ndërmerrja këtë detyrë. Do të thosha të vërtetën, nëse do të pohoja se përkthyesi duhet t’i njohë mirë të dyja gjuhët, e sidomos gjuhën e tij amtare. Është gjithashtu e domosdoshme të ketë përvojë, edhe jetësore, por sigurisht të njohë mirë vendin. Përkthyesi duhet të mësojë vazhdimisht, të jetë gjithnjë kritik ndaj vetes, të njohë pandërprerë. Duhet të ketë gjithnjë ndjesinë që nuk është i përsosur. Nuk ka gjë më të mëshirueshme, nga një autor megaloman që është i bindur në madhështinë e vet.
Kuptohet, që ka një ndryshim ndërmjet punës sistematike të një përkthyesi mbi librin dhe perceptimin shoqëror të tij. Unë kam debutuar në vitin 2002 me një përmbledhje me tregim të Ylljet Aliçkës. Ishte një enigmë e vërtetë, nëse lexuesi do ta vinte re atë, nëse do të ekzistonte për të. Perceptimi i librit i tejkaloi të gjitha parashikimet. Aliçka u kthye në emër të njohur dhe për gëzimin tim të madh, nisën të shfaqeshin propozimet e reja të botuesve dhe lexuesve për një libër të ri. A kishte kurorëzim më të mirë për aventurën time të parë letrare me Shqipërinë? Debutim më të mirë nuk mund të kishim përfytyruar as unë, e as Ylljet Aliçka. Më pas nisën të vijnë librat e tjerë.
E kujtoni përkthimin tuaj të parë?
Orvatjet e mia të para në fushën e përkthimeve i kam nisur në revistën e përmendur më herët të gazetarëve të rinj, të titulluar “Polis”. Tekstet e para të përkthyera ishin ato të nxënësve shqiptarë, që kishin ardhur në Poloni në kuadër të shkëmbimit ndërmjet gazetarëve të rinj, në vitin 1995. Më kujtohet gjithashtu fjalia e parë që kam thënë në shqip: “Ja, Dajti i Malit” dhe sytë e rrotulluar nga habia të bashkëbiseduesit. Eh, kuptohet, fillimet janë të vështira.

Ju keni sjellë në gjuhën polake prozën e shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare. Si është të përkthesh Kadarenë, dhe si është pritur letërsia e tij nga lexuesi polak?

Deri në çastin kur nisa të përkthej Ismail Kadarenë nga origjinali, në Poloni ekzistonin disa përkthime të librave të tij nga frëngjishtja: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Kush e solli Doruntinën”, “Dosja H.” dhe “Përbindëshi”. Në përkthimin tim, kanë dalë deri më tani: “Pallati i ëndrrave” (2006), “Pasardhësi” (2008), “Qorrfermani” (2010) që përbëhet në fakt nga tri novela: “Qorrfermani”, “Breznitë e Hankonatëve” dhe “Komisioni i festes”, si dhe “Vajza e Agamemnonit” (2011).
Siç mund të shihet, krijimtaria e Kadaresë është përfaqësuar në Poloni në mënyrë të pasur. Edhe pse shkrimtari ka deklaruar se nuk do të shkruajë më, për lexuesin polak nuk do të thotë se kjo është fjala e tij e fundit. Ëndërroj të mund të përkthej ndonjë prej veprave të tij më të hershme, si për shembull “Dimri i madh” apo plotësimi i ciklit të tij të rrëfimeve mbi Gjirokastrën “Kronikë në gur”, “Çështjet e marrëzisë”, apo “Darka e gabuar”, për të cilën do të flas edhe më tej. Ndër veprat e Kadaresë, libri i tij më i vlerësuar është “Prilli i thyer” dhe më pas “Gjenerali…”, “Kush e solli Doruntinën”, dhe më pak “Përbindëshi”. Por kjo është realisht një çështje shijesh dhe ka të tilla, aq sa ka dhe lexues. Kadare është gjendur dy herë në finalen e çmimit “Angelus”, i cili u jepet shkrimtarëve të Europës Qendrore dhe Lindore që ende jetojnë: në vitin 2007 me librin “Pallati i ëndrrave” dhe në 2011-n me “Qorrfermani”. Dhe dy herë nuk ka fituar. Siç u shpreh një prej anëtarëve të jurisë në të dyja rastet Kadare ka qenë shumë pranë fitores. Por, të dyja herët është mundur nga letërsia ‘non-fiction’. Në Poloni, popullariteti i letërsisë dokumentare me vlera të theksuara artistike është një dukuri intriguese. Pse? Por, ja, duket se kjo lloj proze përkon me shijet e njohësve më të mirë të letrave të bukura, e përveç kësaj ka dhe avantazhin se “mbështetet në ngjarje reale”. Kjo lloj letërsie ka aftësinë gjithashtu që të dalë përtej fakteve të përshkruara dhe të trajtojë me lartësinë e duhur dhe çështje që janë mbarënjerëzore. Një prej pionierëve të kësaj letërsie ka qenë në Poloni, Ryszard Kapuscinski, i njohur gjithashtu edhe në Shqipëri. Në dy edicionet e tjera të konkursit edhe pse letërsia non-fiction nuk përfaqësohej, fituan librat krejtësisht artistikë. Supozoj që arsyeja për këtë gjendet dhe te diskutimet e anëtarëve të jurisë për veprat e Kadaresë. Përveç kësaj, në Poloni ekziston edhe një konkurs i veçantë për letërsinë non-fiction dhe në 2011-n, kur “Qorrfermani” u skualifikua, në “Angelus” fitoi një libër gjithashtu në kategorinë e non-fiction. Pra, i njëjti libër mori dy çmime: për fiction dhe non-fiction! Tipar i mjaft konkurseve është se rivalët jo gjithnjë gjenden pranë njëri-tjetrit në kohën e duhur. Por kjo ndodh rëndom nëpër konkurse. Për mua më e rëndësishmja tani është që librat e Kadaresë të përzgjidhen ndërmjet disa dhjetëra librave për finalen e ngushtë. Mund të shtoj gjithashtu, që në të shtatë edicionet e konkursit, as edhe njëherë nuk ka fituar një autor polak. Përkthimi i çfarëdo autori, e për më tepër i Ismail Kadaresë, një autor i rangut botëror, është një përgjegjësi e madhe. Më është dashur të arrij njëfarë maturie për ta përkthyer atë. Te versioni i parë i “Breznitë e Hankonatëve” jam rikthyer vetëm pas tetë vjetësh. Proza e Kadaresë është forma më e lartë e artit. Pra, vepra e tij i drejtohet një lexuesi tepër kërkues, për të mos thënë sqimatar dhe sikurse e gjithë letërsia shqiptare, për të mos thënë e gjithë letërsia e vendeve të Ballkanit, do të ketë një rreth të ngushtë lexuesish.

Duke u ndalur te lexuesi polak, a është prekur ai nga ajo çfarë ndodh sot në botë me leximin, të ketë ulur vëmendjen ndaj librave? Dhe si e shihni atë që sondazhet nxjerrin shpesh një ulje të numrit të lexuesve?

Problemi që juve keni shtruar është jashtëzakonisht i prekshëm sot në Poloni, prandaj do të qëndroj pak më gjatë këtu. Kriza e leximit në vendin tim është shqetësuese. Sipas studimeve të Bibliotekës Kombëtare të vitit 2012, 20 vjet më parë, përqindja e polakëve që nuk lexonin sillej tek 28%. Më pas nisi të rritej. Në vitin 2008 ka ndodhur rritja më drastike e këtij numri, 62% e polakëve nuk lexonin. 25% e personave me arsim të lartë nuk kishte lexuar gjatë një viti as edhe një libër, qoftë ky album, apo libër recetash kuzhine. 10 vjet më parë, ky numër ishte vetëm 2%.
Zakonisht, faji u vihet para së gjithash ndryshimeve teknologjike, por sikurse mund të vihet re nga studimet, përdoruesit e internetit lexojnë shumë më tepër sesa jo përdoruesit e internetit. Shifrat skandaloze të lexuesve në Poloni nuk tregojnë aspak se ky është një problem universal. Në Çeki, e cila është një vend që na përngjan në aspektin historik, kulturor, apo ekonomik, nuk lexon vetëm 17%, ndërkohë që në Francë, e cila ka një nivel të lartë të emigrantëve nuk lexon 30%. Këtu nuk është fjala për zgjedhjen e teknologjisë, por për një mënyrë jetese. Një prej arsyeve të këtij fenomeni është mungesa e snobizmit pozitiv për leximin e librave. Jo vetëm që nuk lexojmë, por edhe nuk turpërohemi që ta deklarojmë këtë. Njësoj nuk na vjen turp, as kur nuk kemi libër në shtëpi, apo kur nuk i nxisim fëmijët të lexojnë. Argumenti që nuk lexojmë, pasi librat janë të shtrenjtë, nuk qëndron: një libër i ri në librari kushton aq sa një shishe vodka plus meze, përveç kësaj ka dhe një ofertë të shumëllojshme librash të lirë. Polakëve thjesht nuk u intereson leximi. Pjesëmarrja në kulturë është kthyer për ne, në diçka të stërholluar, për të mos thënë idiotizëm, e cila nuk sjell asnjë përfitim të matshëm. Kemi lejuar që të rriten njerëz që nuk kanë pasur asnjë aventurë me librin. Pas një dhjetëvjeçari mund të ndodhë që të humbasim edhe kontaktin e komunikimit që vendoset nga leximi i përbashkët.
Niveli i lartë i lexuesve ekziston atje, ku ka biblioteka të mirëpajisura, para së gjithash në vendet skandinave dhe në Holandë. Karriera e ndritur e letërsisë suedeze nuk është diçka e rastit. Librat e kësaj letërsie nuk do të shiteshin askund, nëse nuk do të kishin pasur më parë sukses në Suedi. Intelektualët polakë, të alarmuar me situatën katastrofike të leximit në Poloni, në fillim të këtij viti i kanë bërë apel, përmes një letre të hapur, ministrit të Kulturës për marrjen e masave më të vendosura në drejtim të promovimit të leximit, duke caktuar një ndihmë financiare të mjaftueshme për bibliotekat polake. Dhe kjo është diçka që duhet bërë urgjentisht.

Si do ta vlerësonit letërsinë shqiptare, sa bashkëkohore është ajo?

Si mund ta kuptojmë shprehjen “letërsi bashkëkohore”? A është bashkëkohësia një çështje që lidhet me përpjekjet për të refuzuar botën anakronike, të pasur në anakronizmin e vet, por njëkohësisht e luftuar pikërisht për këtë? A mos ndoshta bashkëkohësia është pranimi i shumëllojshmërisë dhe larmishmërisë kulturore? A mos ndoshta bashkëkohësia është globalizmi, që do të thotë se problemet shqiptare, nuk janë vetëm shqiptare. Nuk di të them. Si përkthyese, që do të thotë, midis të tjerash, si një person që kërkon në tregun polak të botimeve një vend për librin shqiptar, mund të them, që sot e kam të vështirë t’u rekomandoj botuesve polakë titullin e ndonjë libri shqiptar. Dhjetë vjet më parë, nuk kam pasur probleme të tilla. Ishte Ylljet Aliçka, ishte Fatos Kongoli dhe sigurisht ishte Ismail Kadare. Sot shoh se edhe përkthyesit e gjuhës shqipe nga vende të tjera kanë po të njëjtën listë shkrimtarësh. Nuk shoh libra që të mund të jepnin panoramën e shoqërisë shqiptare të shekullit XX dhe të kapërcyellit të mijëvjeçarit, në gjithë kompleksitetin e fateve të saj, që të jenë edhe artistikisht të arrira.
Sigurisht që ka përçapje në këtë drejtim, por me përjashtime të rralla, te këta libra vërej një lloj artificialiteti, që nuk di si ta përkufizoj: ose autorët e tyre kanë dëshirë t’i imponojnë lexuesit një vizion të caktuar, një tezë të dhënë, që do të thotë, kërkojnë me detyrim, t’u tregojnë dhe interpretimin e tyre, ose janë shkruar jo për lexuesin shqiptar, por për atë të huaj, i cili mund të joshet p.sh. nga ekzotika e Kanunit, nga virgjëreshat apo nga bunkerët. Jo vetëm kaq, por disa autorë as nuk e marrin mundimin të komunikojnë me lexuesin shqiptar, por nisin menjëherë të shkruajnë në gjuhë të huaj, mundësisht në gjuhë perëndimore, duke e argumentuar këtë me faktin se e kanë më të lehtë të përcjellin emocionet e tyre në gjuhë të huaj. Këto zgjedhje më habisin, më bëjnë të dyshoj te qëllimet e autorit, dhe për rrjedhojë dhe te vetë libri, pasi vetiu lind pyetja “pse”?: “Pse të shpërfillësh lexuesin e vendit tënd? Pse të mos kujdesesh për dialog me të? A është ai më i keq se një lexues perëndimor?” Librat e autorëve shqiptarë nuk do të bëhen universale, vetëm pse shkruhen në gjuhë të huaj. Në këtë rast, vetëm sa dëshmojnë për kompleksin e autorit për vendin e origjinës, dhe për ambicien e tij të madhe për t’u promovuar jashtë vendit. Në dallim nga proza, poezia shqiptare në Shqipëri tingëllon më e freskët dhe krijuese. Mundet që të jetë kështu dhe për faktin, se është shumë e vështirë ta shkruash atë në gjuhë të huaj. Ka në të një dialog me lexuesin shqiptar dhe ka një mesazh universal. Nëse kjo lloj poezie do të përkthehej mirë në një gjuhë të huaj, atëherë mesazhi i saj do të tingëllonte bindës e novator edhe për një lexues nga një rreth tjetër kulturor.


Ju keni përkthyer në polonisht shkrimtarët kryesorë shqiptarë. Çfarë të përbashkët gjeni në librat e tyre?

Mendoj se mund të flasim për një bashkësi të Aliçkës, Kongolit dhe në njëfarë mase dhe të Lleshanakut. Kadare dhe Lubonja i përkasin një kategorie tjetër. Si “Kompromis” ashtu dhe “Lëkura e qenit” janë akuza më e madhe e komunizmit. E përbashkëta e këtyre autorëve është se ata i drejtohen të shkuarës dhe të tashmes, si dhe perspektiva nga e cila shohin si periudhën e diktaturës ashtu dhe transformimet. Të dy këta shkrimtarë sjellin risi në trajtimin e diktaturës si ‘plagë e hapur’ dhe të Historisë së Madhe. Ata e shohin atë nga jashtë, nga këndvështrimi i jetës së përditshme. Dhe kjo përditshmëria gri është ajo që trondit më shumë. Ajo na lejon të kuptojmë se çfarë ndodh me njeriun që privohet nga liria në mënyrë metodike, mendimet dhe ndjenjat e të cilit diktohen nga sipër. Çfarë ndodh me njeriun, në kushtet kur frenat nuk punojnë më dhe kur lejohet gjithçka. Heroi i Aliçkës apo Kongolit nuk është Historia e Madhe. Është njeriu i thjeshtë që jeton brenda saj, dhe që shpesh dërrmohet prej saj. Te ta, më e rëndësishme është ekzistenca e këtij njeriu dhe zgjedhjet e tij morale. Te “Fëmijët e natyrës” e autores Lleshanaku, ndërkohë bëhet fjalë për mbijetesën fizike, sidomos me dinjitet. Është pikërisht ndjenja e dinjitetit që i jep kuptim ekzistencës, ndërsa ky kuptim shprehet në jetën e përditshme, te lindjet, dashuria, vdekja.
Si është jeta juaj si përkthyese, keni dashur ndonjëherë të ishit shkrimtare?
Shumë pak përkthyes e kanë luksin të jetojnë prej përkthimeve, sidomos nëse është fjala për të ashtuquajturat letërsi të vogla. Prandaj, më duhet të pajtoj pasionin tim me punën që kryej për të krijuar të ardhura. Punoj në bibliotekën e Parlamentit polak dhe pavarësisht se kam të bëj me deputetët, prapë libri mbetet më i rëndësishmi (prandaj dhe më dhemb kaq shumë situata e leximit në Poloni). Përkthimin dhe leximin e kultivoj në kohën e lirë, gjatë fundjavave, nganjëherë dhe gjatë pushimeve. Jam mësuar kaq shumë me këtë jetë që bëj në dy binarë, saqë një ditë e shpenzuar pa një punë letrare më duket bosh. Punoj gjatë, shumë gjatë, mbi çdo përkthim, ndonjëherë më ndodh që diçka ta lë për më vonë, që të mund t’i kthehem sërish. Më duket se jam e fiksuar pas punës, por cili ndër ne që jeton shpejt, nuk është i tillë? Kohën që shpenzoj për letërsinë nuk mund ta llogaris në para, krejt e kundërta, në rastin tim, do të mund të thosha që jam në “borxh financiar letrar”. Por, kështu nuk është. E dashuroj atë që bëj dhe kam kënaqësi të madhe nga fakti që letërsia shqiptare ka gjetur një vend në Poloni. Përkthyesi duhet të jetë i ndjeshëm, të jetë “lëkurëhollë” dhe mendoj se kështu është dhe me mua. Pra, është një lloj dhurate. E konsideroj veten dhe një lloj krijimtari. Ndërkohë, nëse flitet për shkrimin…? Le të bëjmë, atë për të cilën jemi krijuar. Shpesh më ndodh të lexoj shkrime të grafomanëve, të ashtuquajturve “shkrimtarë”, mund të them, që gati kam alergji prej tyre, prandaj nuk do të doja, që ndokush të mendonte kështu për mua. Pra, do të mjaftohem me atë që kam bërë deri më tani.


Keni studiuar gjuhë ruse, dhe për tre vjet keni jetuar në Bashkimin Sovjetik. Si ishte për ju ajo periudhë?

Në fund të viteve ‘80, për rreth 3 vjet e gjysmë kam punuar në ndërtimin e naftësjellësit “Druzhba” (Miqësia) në Ukrainë si përkthyese e gjuhës ruse. E rritur në Varshavë, menjëherë pas doktoraturës, mora një vendim të vetëdijshëm për të shkuar në një fshat të humbur, për të banuar në një barakë të thjeshtë, me qëllim që së bashku me një grup prej disa qindra punëtorësh dhe inxhinierësh polakë, të ndërtoja “tubin”. Kjo punë ishte sfilitëse, stresuese në maksimum. Gjendeshim larg familjeve, duhet të prisnim disa ditë për çdo bisedë telefonike disa minutëshe me familjen, vizitat në vend ishin po ashtu të rralla dhe të shkurtra. Ky mjedis i vogël, i mbyllur funksiononte sipas disa ligjësive të veta, shpesh tronditëse për njerëzit që gjendeshin jashtë tij. Dhe sikurse në çdo bashkësi të tillë, nisën shpifjet, thashethemet, denoncimet. Një lloj “ferri polak” siç e quajmë një gjë të tillë. Ndieje një vetmi të madhe. Por, kjo ka qenë nga të gjitha punët, ajo që kam bërë më mirë. Nuk do ta ndërroja me asnjë tjetër, edhe pse pas kthimit në Poloni, martesa ime u shkatërrua. Kjo punë ka vënë në provë dhe karakterin tim. Falë saj, kam njohur mundësitë e mia, kam kuptuar se cila jam dhe deri ku mund të shkoj.
Gjithçka që bëjmë në jetë ka një kuptim dhe i shërben diçkaje, edhe pse në çastet e dyshimit na duket se nuk i shërben kurrgjëje. Mendoj se nëse nuk do të ishin ato përvoja ekstreme, nuk do të kisha pasur kurajën që të matesha me Shqipërinë. Por, pas asaj që përjetova në kantier, në Bashkimin Sovjetik, Shqipëria nuk më dukej fare e tmerrshme.


Çfarë po përktheni tani?

Fola për krizën e leximit në Poloni, por nuk kam folur për problemet e tregut të botimeve, që është një rezultante e shumë faktorëve. Euforia e botuesve e para disa viteve ka marrë fund. Kohët e fundit, te ne, ose kanë falimentuar, ose janë ristrukturuar disa shtëpi të mëdha botuese, ose gati të gjitha ato, ku kam botuar më parë librat shqiptarë. Fatkeqësisht, kjo ka prekur drejtpërdrejt dhe dy romanët e Ismail Kadaresë, të përkthyera nga unë, “Aksidenti” dhe “Darka e gabuar” e përmendur më herët. Një prej shtëpive botuese polake më të rëndësishme, ajo që i porositi këta libra tek unë, falimentoi në dhjetor të vitit të kaluar. “Aksidenti” ishte planifikuar për t’u botuar në maj. Por nuk do të botohet. Nëse këta libra do të botohen dhe kur do të botohen, nuk mund ta them. Çfarë mund të bësh në një situatë të tillë? Vetëm një gjë. Të vazhdosh të punosh më tej. Prandaj tani jam duke përkthyer diçka, por nuk dua ta tregoj më shumë. Nuk do të doja që këtë bisedë ta mbyllja me tone të zymta, prandaj do të them një shprehje që e kam lexuar në internet, e cila më goditi me logjikën e saj: “Nëse diçka nuk shkon sipas planit, do të thotë se shkon sipas një plani tjetër”. A nuk është kjo diçka optimiste?

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...