Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/06/22

BILAL XHAFERI SHKRIMTAR FATPRERE


Nga Albert Shala

Bilal Xhaferi eshte nje talent i rralle i letrave shqipe...Njeri nder personalitetet letrare per te cilin shtypi shqiptar pas viteve te 90-ta e beri publike vepren e tij eshte shkrimtari Bilal Xhaferi.Ky cam fatprere pat jete perplot perplasje e ballafaqime me realitetin e idhte qe mbreteronte ne Shqiperi.Me origjine nga Cameria toke shqiptare e lare me gjak shqiptar nga greket dhe e okupuar prej tyre jeta e tij i ngjante nje anije mbi te cilen perplaseshin pameshirshem dallgte e detit.Rrethanat familjare ishin tejet trishtuese per Bilalin.8 vjec i vdes nena ndersa dhjete vjece ia pushkatojne babain si antikomunist.Bota e tij kryengritese beri qe ai te mos pajtohet me realitetin dhe te kerkoj shtegdalje nga tirania.
Per nga gjuha poetike dhe permbajtja tragjike poezia e tij ma kujton poetin kosovar Din Mehmetin.Xhaferi diti te shendroi ne art tragjedin came dhe asnje krijim i deritanishem nuk e ka fuqin gjeniale te shkrimatrit Bilal Xhaferi.Poezia xhaferiane poertretizon tragjedin came,kete plage te rende te botes shqiptare.Ai eshte mjeshter i jashtazakonshem i poezis.Ja poezia e tij...

BALADE CAME

Ylberi, si nje pershendetje e perlotur
lamtumire,
u zhduk matane largesive,
mbi kreshtat e flakeve,
neper shi.
Matane largesive u zhduk e perflakur
Cameria
dhe gjitha rruget tona shpien ne veri.
Ulerin era e Mesdheut mbi trojet e
lashta epirote,
mbi te shtrenjtat troje
tona
stergjyshore.
Ne kullotat e braktisura kullosin rrufete.
Ullishtet e pavjelura gjemojne si dallge
neper bregore.
Dhe kudo toka came,
mbuluar nga rete,
renkon e mbytur ne gjak e lot,
e mbetur shkrete,
pa zot.
Na e tregojne drejtimin plumbat,
na e ndricojne rrugen flake, qe gjithe
token kane perpire.
Pas shpinave tona perplas tufani dyert e shkallmuara
te shtepive.
Dhe rruget zgjaten e zgjaten ne veri.
Ne, popull muhaxhir, ecim neper shi...
Lamtumire, Cameri!

Kjo poezi perplot tension,dinamizem dhe ndertim poetik fascinant shpalos tragjedin came te kryer nga shovenistet greke.
Bilali edhe ne Ameriken nuk gjen qetesi.Atje ia djegin zyren ku ishte vendosur selia e revistes''Krahu i Shqiponjes''.Ne letersine shqipe ky shkrimtar fatprere mbetet nje shkrimtar i vecante,shkrimtar i tragjikes shqiptare-came dhe kjo e ben vepren e tij te nje rendesie te vecante per letersine shqipe.

Dr.sci.Merxhan Avdyli: Konteksti i vlerës së studimit

Konteksti i vlerës së studimit

Myrvete Dreshaj-Baliu “Konteksti i shkrimit“, Era, Prishtinë, 2004

Libri “Konteksti i shkrimit“ i autores Myrvete Dreshaj-Baliu është një simbiozë shkrimesh me përmbajtje të ndryshme nga fusha e letërsisë, në të cilën vend qendror zënë tri tipa të shkrimit: studimi mbi letërsinë, eseja letrare dhe recensioni. Po sipas këtyre tipave të shkrimit, që shqyrtojnë veprat e autorëve të ndryshëm dhe dukuri të ndryshme letrare është bërë edhe ndarja e librit në tri pjesë kryesore, që përbëjnë një baraspeshë të përmbajtjes së librit me titullin e saj që analizon tekstin letrar apo dukurinë letrare të fokusuar në nxjerrjen e shkrimit nga konteksti. Kësaj vije studimore autorja iu ka përmbajtur pothuajse në të gjitha tekstet e saja të veçanta të përfshira në libër.
Myrvete Dreshaj-Baliu, si studiuese e vëmendshme e letërsisë dhe njohëse e mirë dhe afishuese e vlerave të mirëfillta letrare, në librin e saj nuk është e fokusuar, përkatësisht e orientuar vetëm në një drejtim apo në një periudhë letrare. Vetë qasja e saj ndaj letërsisë në aspekte të ndryshme studimore dhe analitike dëshmon për trajtimin e saj të temave letrare, të veprave letrare, të dukurive letrare, por edhe autorëve të cilët ajo i trajton në punimet e saj nga dimensione të ndryshme interpretative. Në këtë prizëm duhet përfshirë patjetër edhe mënyrën e shkrimit, përkatësisht gjuhën dhe stilin e saj, që autores i siguron një afri me receptuesin e përgjithshëm, qoftë ai edhe vetë studiues i letërsisë, apo lexues i rëndomtë i studimeve letrare.
Përkushtimi i Myrevete Dreshaj-Baliut ndaj letërsisë, përkatësisht ndaj studimit të letërsisë, hetohet jo vetëm në përzgjedhjen e autorëve dhe veprave të cilat ajo i trajton në librin e saj, përkatësisht në studimet, esetë apo recensionet e veçanta, por edhe në mënyrën e trajtimit, në interpretimin, në qasjen ndaj dukurisë të cilin e shqyrton, si dhe në gjykimin e saj kritik-letrar, duke përfshirë këtu edhe mendimin e saj për akëcilën vepër apo akëcilin autor.
Veprimtaria studimore e Jup Kastratit
Meqë autorja vazhdon të merret aktivisht me studimin e letërsisë, jo rastësisht librin e saj e hapë me një segment të veçantë të veprimtarisë letrare nga aspekti i studimeve historiko-letrare të profesor Jup Kastratit. Është interesant se me një studim relativisht të shkurtër, duke pasur parasysh veprimtarinë e gjatë kohore të profesor Jup Kastratit, si dhe studimet e tij gjithëpërfshirëse nga gjuhësia jonë, e në këtë rast nga letërsia, qoftë nga ajo e traditës apo nga ajo bashkëkohore, autorja ka arritur që me një sintetizim të theksuar të pasqyrojë gjerësinë dhe thellësinë studimore të profesor Kastratit, në periudha të ndryshme, me një përqendrim në studimet e tij historiko-letrare të gjysmës së dytë të shekullit të XX. Edhe pse një studim relativisht i shkurtër për veprimtarinë aq të madhe shkencore të profesor Kastratit, megjithatë autorja ka arritur të përmbledhë dhe të pasqyrojë veprimtarinë e tij stud! imore, duke sublimuar aspektet e veçanta, përkatësisht orientimet themelore të shqyrtimeve të tij historiko-letrare. Pasi e përshkruan udhën studimore dhe shkencore të profesor Kastratit, që përfshin studime të ndryshme nga albanologjia, deri te hartimi i monografive të ndryshme, për periudha të ndryshme dhe për autorë të ndryshëm, autorja paraqet edhe kontributin e Kastratit në periodizimin, përkatësisht hartimin e historisë së letërsisë shqipe, duke e ndarë dhe klasifikuar atë si: letërsia e vjetër, letërsia e rilindjes, letërsia arbëreshe, letërsia e pavarësisë dhe letërsia e realizmit, natyrisht me të gjithë autorët përkatës që përfaqësonin ndarjet e tilla klasifikuese. Po kështu në këtë studim autorja ka theksuar edhe një aspekt mjaft të rëndësishëm studimor dhe hulumtues të Kastratit, që po kështu ishte në funksion të hartimit të historisë së letërsisë dhe të studimit historiko-letrar përgjithësisht: ha! rtimi i bibliografive përkatëse për secilin studim të tij,! duke mo s mbetur thjesht vetëm si një bibliografi telegrafike apo kronologjike, por duke u shndërruar në bibliografi shteruese, pasi si të tilla ato janë të përcjella edhe me komente. Mjafton me këtë rast të përmenden bibliografitë e Kastratit për De Radën, Konicën, Spassen dhe Shuteriqin.
Të së njëjtës natyrë studimore janë edhe studimet pasuese si “Poeti kombëtar”, në të cilin trajtohet në mënyrë të shkoqur koncepti i Çabejt për poetin kombëtar; “Letërsia e romantizmit dhe vetëdija kombëtare” ku nga segmente të veçanta studimore janë trajtuar veprat letrare të Migjenit, të Naimit dhe të Fishtës; “Proza e shkurtër e Migjenit”, me një analizë të strukturës së prozës së Migjenit dhe përpjekjen për të riafishuar specifikat letrare dhe estetike të prozës së tij.
Vendlindja e Gërvallës
Ndërkaq një studim më i gjatë që përfshin një pjesë të madhe të librit është studimi “Poetika e poezisë së Jusuf Gërvallës”. Studimi në fjalë është gjithëpërfshirës, është një analizë e thellë për poezinë e Jusuf Gërvallës nga aspekte të ndryshme studimore, historiko-letrare, teorike, analitike dhe kritike. Pasi e nxjerr nga konteksti historik-letrar veprën poetike të Gërvallës, përkatësisht duke e parë atë në kontekstin e poezisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar; pasi e vendos poetin në radhën e poetëve të brezit të tretë të krijuesve të poezisë shqipe, përkatësisht të atyre që kanë krijuar në vitet ’70 të shekullit të kaluar; pasi i bën një vështrim krahasues, me gjithë përafrinë dhe dallimin e poezisë së tij nga poezia e poetëve të brezit të tij, autorja më tej ndalet te qëmtimi i ideve poetike, përkatësisht te analiza e poezisë së tij.
Duke u fokusuar në veprën poetike të Gërvallës, përkatësisht në poezinë e tij e cila, e cila përmblidhet në tri libra poetikë, autorja shquan karakteristikat themelore të poezisë së tij, duke mos e larguar atë nga rrjedhat e poezisë së brezit të tij të krijuara gjatë viteve “70 të shekullit të kaluar, megjithatë një shquesi e kësaj poezie, sipas autores është poezie cila nuk bashkëjeton me retorikën e patetikën emocionale, duke i konsideruar të tejkaluara skemat e gatshme të dogmave të përsëritura. Më tej, gjithnjë në këtë dritë Dreshaj-Baliu thekson shquesin e poezisë së tij, nga segmenti i mosprekjes nga hermetizmi që ishte bërë modë për poezinë shqipe në Kosovë në atë kohë, duke u shprehur se poezia e Gërvallës është e kuptueshme jo vetëm për kritikën letrare por edhe për lexuesin, që njeh shenjat e artit poetik, duke e lidhur në këtë mënyrë poezinë e tij me receptuesin.
Duke e zgjeruar më tej studimin e saj për poezinë e Gërvallës, autorja nxjerr kodin e veçantë të poezisë së tij, që në njëfarë mënyrë është edhe shenja kryesore e individualitetit krijues të Jusuf Gërvallës – vendlindja, e cila sipas Dreshjat është muzë e këngës poetike, është burim i gjithë asaj butësie ndjenjash, gjithë atij frymëzimi të sinqertë, gjithë asaj orkestrine zërash.
Pjesa e dytë e librit “Konteksti i shkrimit” është i përbërë nga katër ese, dy prej të cilave kanë të bëjnë me letërsinë, si esetë “Letërsinë shqipe e përbënë tërësia e saj” dhe “Letërsia dhe gjinia” dhe dy të tjerat me dy segmente të tjera jetësore nga kultura shqiptare, njëra me fatin dhe pozitën e gruas shqiptare në histori dhe në shoqëri, ndërkaq tjetra me efektet e lëvizjes së pajtimit të gjaqeve në luftën e fundit në Kosovë.
Në pjesën e tretë të librit të Myrvete Dreshajt-Balilut janë përfshirë recensionet, të cilat autorja i ka shkruar në kohë të ndryshme dhe për vepra të ndryshme, madje edhe për gjini dhe forma të ndryshme shkrimore. Edhe këtu fokusimi i autores është më i madh tek libri studimor, me këtë rast ajo ka shqyrtuar veprat e autorëve si Eqrem Çabej, Jup Kastrati, Namik Resuli, Mehmet Gëzhilli, Zymer Neziri e Faik Shkodra. Ndërkaq, në fokusin recensional të autores janë edhe dy përmbledhje me poezie të autorëve Bajram Kosumi dhe Resmije Uka, si dhe i një libri studimor nga historia të autorit Ethem Çeku dhe i një libri me fotografi nga lufta të Nysret Pllanës.
Pavarësisht që është libri i parë i autores Dreshaj-Baliu, “Konteksti i shkrimit” paraqet një vepër tejet serioze të studimit dhe të kritikës letrare. Në këtë kontekst libri është edhe një plotësi e mungesë së librave të kësaj natyre, në kohët kur kemi një vërshim të madh të teksteve të teksteve letrare artistike, më shumë sesa me vlera të qëndrueshme me gjysmë vlera ose edhe me vlera tejet të dyshimta. Libri i ka vlera të mirëfillta, jo vetëm pse shquan dhe sipërfaqëson vlera të mirëfillta, por pse është edhe vetë konteksti shkrimor i vlerës studimit të letrar.

Ismail Kadare dhe tradita letrare shqiptare



Nga Ilir Yzeiri

Kur m‘u propozua nga zonja Veronique Galy, një nga organizatoret kryesore të këtij Kolokuiumi, tema: "Ismail Kadare dhe tradita letrare shqiptare", u ndjeva si i zënë në kurth, në kuptimin që një argument i tillë mund të gjente të papërgatitur, në pamje të parë, cilindo që është marrë, merret dhe ndjek letërsinë shqiptare, por edhe atë botërore. Edhe unë vetë shpesh e kam pyetur veten: Çfarë e lidh Kadarenë me traditën e letërsisë shqiptare? Ku takohet dhe ku ndahet Kadareja me këtë traditë? Dhe, që në fillim, më është dashur të pranoj se Kadareja vetë është një traditë, është një shkollë, është një hapësirë që, në disa raste, e ngushton e në disa raste të tjera e zgjeron frymëmarrjen e traditës së letërsisë shqiptare.
Mirëpo, këtu më duhet të hap një parantezë, sepse në studimet e pakta mbi letërsinë, kulturën e qytetërimin shqiptar, shpesh është përdorur një model që duket se u shkon për shtat të gjitha atyre traditave që nuk janë tërësisht perëndimore, që janë krijuar në areale të tilla siç mund të jetë në rastin tonë areali ballkanik apo më saktë akoma Ballkani Juglindor e më saktë akoma Shqipëria. Zakonisht, për këto treva apo për kulturën e qytetërimin e tyre, është përdorur modeli i joshjes që vjen prej substratit të legjendave, përrallave, miteve, prej një jete të harruar, prej një kodi që të sjell në mendje epokat e fëmijërisë së shoqërisë njerëzore dhe më duket se, në shumë raste, edhe joshja e parë që shkaktoi letërsia e Kadaresë ishte ndoshta edhe ky substrat. Ndërkaq, letërsia shqiptare apo bartësit e saj pretendonin diçka tjetër.
Mirëpo, të gjithë kishim harruar se midis qytetërimit perëndimor dhe atij ballkanik e atij shqiptar në veçanti kishte një shkëputje fatale në kohë, kishte një vonesë tragjike që ishte shkaktuar nga fati i ndryshëm historik. Ndoshta këtë ka parasysh edhe Aleksandër Zoto, një nga studiuesit që është marrë më shumë se cilido tjetër me letërsinë shqiptare, kur thotë: burim i parë i kësaj pasurie është tradita antike e poezisë gojore. Një nga anët më pak të studiuara dhe më pak të njohura në Perëndim është pikërisht njohja e këtij mekanizmi. Traditë letrare apo qytetërim shqiptar, veç të tjerash, do të thotë edhe ruajtje e këtij mekanizmi të veçantë që e përkthen kohën në imazhe e në ngjarje, që i ruan segmente të saj në një vetëdije kolektive që projektohet zakonisht në dy akse: në atë të magjepsjes dhe në atë të animizimit. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë shtrojnë një pyetje: si ka mundësi që është ruajtur gjuha shqipe, si ka mundësi që nuk është asimiluar nga latinishtja apo nga ndonjë gjuhë tjetër? Nëse do të mbanim në vështrim konceptin e Saussur-it që gjuha është kod, është një sistem shenjash, atëherë përsëri do të pyesnim: si ka mundësi që nuk u tret ky kod apo që nuk u zëvendësua nga një tjetër? Në qoftë se do t‘i ktheheshim përsëri çështjes që unë dua të shtjelloj, pra asaj të raportit të letërsisë së Kadaresë me traditën letrare shqiptare, ndoshta që këtu mund ta fillonim.
Vetë Kadareja, në më shumë se një rast, e ka përsëritur magjepsjen e tij përballë këtij fakti. Ky akt konservativ që ka brenda dy anë: nga njëra anë vonesën dhe konservatorizmin social dhe, nga ana tjetër, atmosferën ekzotike, imazhin fillestar që vjen nga koha kur siç thonë teoricienët e shkencave të komunikimit uni-tjetri dhe bota nuk ishte ende e ndarë, ka kaluar në Shqipëri nëpër disa faza. Në fillim katër priftërinjtë katolikë ose katër B-të, siç njihen në Shqipëri, Buzuku, Bogdani, Budi e Bardhi dhanë alarmin se ajo që po ndodhte, pra pushtimi otoman, kishte rrezik të asgjësonte këtë mekanizëm. Ndaj edhe fraza lapidare që ndodhet në tekstin e parë shqip të botuar më 1555: "U‘ murgu Gjon duke parë se gjuha jonë po vdaret..." është një nga shënjueset themelore që zë vend në imazhin e Kadaresë dhe që vendoset aty për të nxitur pastaj atë që është quajtur kulti i gjuhës, kulti i shqipes, por më shumë akoma, kulti i imazheve që janë ruajtur në këtë koncept, siç do të thoshte J.P. Meunier. Kështu, nëse ka një lidhje të parë të krijimtarisë së Kadaresë me traditën letrare shqiptare, është me të vërtetë kulti i gjuhës. Për Kadarenë, gjuha shqipe është metafora më sublime e të menduarit dhe e ekzistencës. Aq e vërtetë është kjo sa fraza që ka vlerën e një shenje të veçantë, ajo e përdorur në librin e Buzukut, merret nga Kadareja dhe vendoset në gojën e një murgu tjetër që nis e tregon historinë e urës (Ura me tri harqe...). Këtu tradita letrare shqiptare dhe Kadareja afrohen e ndahen njëkohësisht.
Pas 500 vjetësh, kur Perandoria Otomane po binte dhe kur kombi shqiptar kërkonte të afirmohej e të shpallte mëvetësinë, patriotët shqiptarë, poetët, filozofët, luftëtarët dukej se nuk kishin asnjë argument tjetër për të bindur kancelaritë e Europës, veç argumentit të gjuhës. Një komb i ndarë në katër besime nuk pranonte të zhbëhej, veç të tjerash, edhe pse kishte një gjuhë të ndryshme, një mekanizëm shenjash që ai nuk pranonte ta shkëmbente me asnjë lloj çmimi. Ky identitet gjuhësor ishte në fakt edhe një identitet kulturor. Letërsia shqipe e kohës së Rilindjes, që fillon në fund të shek. XIX e vazhdon deri në fillim të shek. XX, nis me himnizimin e gjuhës dhe të atdheut dhe me kultin e heroit kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Mirëpo, kulti i gjuhës solli me vete edhe kultin e ngrehinës që kishte krijuar ajo, mitologji, legjenda, këngë epike, këngë dashurie që kishin në thelb vetëm një imazh: jetën dhe vdekjen, në kuptimin që të gjallët dhe të vdekurit çonin të njëjtën jetë, mbanin të njëjtat premtime, siç ndodh në baladën e famshme të Kostandinit dhe Doruntinës dhe një kod moral i ngulitur në gjuhë që vërtitet jo rreth ndonjë besimi hyjnor, por rreth një kontrate etike e juridike; është besa. Në fakt, në agim të Rilindjes Kombëtare, poetët arbëreshë në fillim dhe Naim Frashëri më pas, por edhe Faik Konica gjithashtu dhe një poet katolik me emrin Gjergj Fishta, u përpoqën të ngrinin godinën e parë të kulturës shqiptare që mbështetej në themelet e krijimtarisë gojore në fillim, por edhe në artin e kultivuar që ata e lëvruan mbi këtë bazë. Për shkak se tradita letrare shqiptare u përdor me tepri nga propaganda komuniste për të ngritur kultin e nacionalromantizmit shqiptar, për shkak gjithashtu se dy nga korifenjtë e kulturës së Rilindjes Shqiptare, përkatësisht Fishta dhe Konica u hoqën nga qarkullimi letrar në Shqipëri, edhe përfytyrimit mbi traditën letrare shqiptare deri vonë i ka munguar një përmasë.
Veçanërisht Fishta, por edhe Konica shtuan në imazhin e traditës shqiptare përmasën e realizmit ekzistencial dhe të kontradiksionit, vetironinë dhe, në më shumë se një rast, treguan që shqiptarët nuk janë vetëm heronjtë kreshnikë që lundrojnë në balada, por janë edhe njerëz defektozë, dembelë, ndonjëherë edhe mendjetrashë (krijimtaria dramatike e Fishtës apo "Doktor Gjilpëra" e Konicës). E përmenda këtë fakt sepse krijimtaria e Kadaresë në lidhje me traditën letrare shqiptare e ruan edhe këtë përmasë. Në ndonjë rast, është bërë përpjekje që krijimtarinë e Kadaresë ta lidhin me romantizmin dhe kështu duket sikur krijimtaria e tij bëhet përfaqësimi më i lartë i traditës letrare shqiptare. Mund të jetë edhe kështu, por unë jam më shumë me idenë se Kadareja ashtu si Markezi apo Khaled Hosseini e Orhan Pamuku është i vështirë të klasifikohet në shkolla apo rryma letrare klasike. Ndoshta edhe Kadaresë i shkon për shtat ai klasifikim që i është bërë Markezit, pra edhe letërsia e tij është një lloj "realizmi magjik". Duke qenë kështu, atëherë mund të themi se tradita e letërsisë shqiptare takohet shumë rrallë me krijimtarinë e Kadaresë. Por le të hapim një parantezë të dytë. Zakonisht kur flasim për traditë kemi parasysh në përgjithësi trashëgiminë. Askund tjetër më shumë se në këtë pikë shqiptarët nuk janë treguar kontradiktorë e mendjelehtë. Tradita letrare shqiptare nis me atë që është quajtur romantizmi shqiptar dhe që u priu luftërave nacionale dhe krijimit të shtetit shqiptar. Në fillim të shekullit shpallet pavarësia e gjymtuar shqiptare dhe troje të tëra mbeten jashtë kufijve shtetërorë. Kujtoni Kosovën. Lufta e Parë Botërore vjen dhe Shqipëria bëhet teatri më absurd i kësaj lufte.
Nis konsolidimi i shtetit të pavarësisë dhe letërsia e kultura njohin një zhvillim të admirueshëm. Dhjetëra tituj gazetash të pavarura, poetë si Fan Noli, Lasgush Poradeci, Migjeni dhe padyshim Fishta, ky poet që bëhet në një farë mënyre Hygoi shqiptar dhe prozatorë si Koliqi e Kuteli që sjellin në Shqipëri traditën çehoviane të letërsisë. Me një fjalë, tradita letrare shqiptare, po të vijonte rrjedhën e natyrshme, sot do të ishte e vështirë të mendonim se çfarë do të kishte ndodhur. Mirëpo vjen viti 1944 dhe komunistët, me të ardhur në pushtet, e shkatërruan gjithë këtë traditë. Sot është absurde dhe e paimagjinueshme, por nga kujtesa e shqiptarëve për 45 vjet u fshinë emrat e korifenjve të kulturës shqiptare, Fishtës, Koliqit, Konicës. Të tjerë si Poradeci u rrethuan me heshtje. Nga viti 1945 e deri në vitin 1952 në Shqipëri u krye shpëlarja më kriminale e trurit dhe u vranë e u burgosën mbi 160 shkrimtarë, artistë, por sidomos priftërinj katolikë që kishin dhënë një ndihmesë të çmuar në kulturën shqiptare. Pikërisht në mes të viteve ‘50 në letërsinë shqiptare vjen Ismail Kadare. Poezia e tij, sidomos, provokoi një debat të jashtëzakonshëm në shtypin e kontrolluar letrar të kohës dhe u desh edhe këtë radhë ndërhyrja e Enver Hoxhës për të përcaktuar se çfarë do të bëhej mes atyre që u quajtën "tradicionalistë" dhe "novatorëve". Mjaft të kujtojmë se përdorimi i vargut të lirë apo të çlirët nga Kadareja u shpall herezi. Në fakt, në letërsinë shqiptare po vinte një shkrimtar që me vetëdije ose jo po mohonte traditën që po konsolidohej me katër dogmat e realizmit socialist. Që këtu fillon vetizolimi i Kadaresë dhe arratisja nga realiteti. Që këtu fillon ndarja përfundimtare e tij me atë që do të quhej për një kohë të gjatë tradita e letërsisë së realizmit socialist. Në këtë rast më duket se edhe për Kadarenë mund të themi atë që deklaronte Prusti për Flober dhe që e rimerr Laurent Jenny kur shkruan për "gjuhën e huaj në vetë gjuhën tonë" dhe përmend frazën lapidare të Prustit "librat e bukur janë shkruar me një gjuhë të huaj brenda gjuhës sonë".
Por në rastin e Kadaresë dhe në raportin e tij me traditën letrare shqiptare mund të shtyhemi më tej. Në një kohë kur vendi u zhyt në një izolim total, kur modeli i vetëm dhe i imponuar ishte realizmi socialist vulgar dhe himnizimi i katër figurave: partizanit në luftë, punëtorit dhe fshatarit në socializëm, gruas së emancipuar që ndërton socializmin bashkë me burrin, kur letërsia shqiptare po shkonte drejt një shabllonizmi dhe tharjeje totale, kur në imazhin kolektiv po rrënjosej me dhunë vetëm figura e një komunisti që kishte si ideal pushkën dhe kazmën, pra i një lloj terroristi po të shpreheshim me termat e sotëm që lufton dhe vret kundërshtarin, pikërisht i rrethuar nga ky mal me propagandë dhe joshje që shkonte deri në ekstazë nga projektimi që po i bënin komunistët realitetit shqiptar si vendi i vetëm në botë që po ndërton sistemin e shoqërinë më të lumtur në botë, pikërisht në këtë atmosferë Kadareja vë në dyshim gjithçka dhe nis e ndërton një sistem tjetër imazhesh e figurash. Uni i tij shmanget dhe nuk projektohet te të tjerët, komunistë apo shqiptarë, por projektohet në një realitet që e ndërton dhe e prek vetëm ai. Në qoftë se në letërsinë shqiptare shkruheshin romane apo vjersha për të himnizuar luftën partizane dhe në qoftë se në çdo vepër duhet të ishte i pranishëm një komunist që triumfon, te Kadareja përfytyrimi për luftën bëhet me një prift e një gjeneral që vijnë të kërkojnë eshtrat e një ushtrie të vdekur apo lufta është teatri absurd i qytetit të tij të gurtë ku personazhet janë nga më të çuditshmit dhe ku lufta shërben vetëm për të vizatuar më bukur e me më shumë ironi skenat e një qyteti që, po të mos e njohësh, e ke të vështirë ta besosh, ku fatin dhe jetën e përcaktojnë më shumë magjitë dhe filxhanët e kafesë së plakave sesa dialektika e imponuar komuniste.
Kadareja jetoi e krijoi pjesën më të madhe të krijimtarisë së tij në diktaturë. Tipari themelor i diktaturës ishte izolimi total dhe ndërprerja e komunikimit me të tjerët. Jo vetëm shkrimtari, por cilido shqiptar tjetër, me përjashtim të atyre që vuanin në burgje si kundërshtarë të regjimit, ndiheshin të identifikuar në dy figura: njëra ishte Partia dhe tjetra atdheu. Kjo kishte krijuar egocentrizmin shqiptar komunist dhe kishte projektuar në vetëdije e në nënvetëdije kultin e qëndresës, të përjashtimit nga të tjerët. Të gjithë ndiheshin të lumtur e krenarë dhe ashtu të izoluar jetonin me kultin e perëndive të reja që kishte krijuar propaganda agresive e regjimit totalitar. Ndërsa te Kadareja, po të nisemi, nga krijimtaria e tij, kishte ndodhur një gjë krejt tjetër. Edhe në jetën private, ai ishte i vetmi që nuk merrte pjesë në jetën publike. Të gjithë e kujtojnë se pjesën më të madhe të jetës ai e ka çuar i izoluar në një apartament në qendër të Tiranës dhe të vetmet kontakte me atë që ndodhte jashtë, ishin shëtitjet pas orës 9 të darkës në bulevardin e madh të Tiranës. Që në atë kohë ishte përhapur miti i izolimit të Kadaresë, izolim që ai e kishte zgjedhur vetë dhe që kishte nga ana tjetër luksin e jetës së shkrimtarit, sepse e vetmja perëndi ku ai kishte projektuar unin e tij, ishte letërsia. Ndaj krijimtaria e tij me atë që krijohej në Shqipëri gjatë socrealizmit, nuk kishte asnjë pikë kontakti. Ai edhe vetë ishte i bindur se po krijonte një traditë tjetër, që kishte në qendër fatin e njeriut total, shqiptar, por edhe europian gjithashtu.
Për Kadarenë, miti i tragjedive greke dhe atyre të Shekspirit, imazhi i vdekjes tragjike për shkak të pasionit, teatri absurd ballkanas, misteri i perandorisë otomane dhe pas viteve ‘70 imazhi i diktaturës, i këtij pallati që analizon deri edhe ëndrrat, u bënë ankth. Kadareja pati edhe fatin se gjenia e tij u mbrujt në epokën e Luftës së Ftohtë, kur Shqipëria ndali kohën dhe për 45 vjet nxiti sidomos te një shkrimtar si Kadareja refleksionin. Ndaj të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë shqiptare ishin skena të teatrit ku ai vendoste personazhet e tij që ishin tragjikë e komikë njëherësh. Nga kjo pikëpamje Kadareja pati meritën se projektoi me veprat e tij edhe një shije të veçantë të bashkëkohësit dhe krijoi një vetëdije tjetër që kishte në thelb magjinë e artit të madh. Nga kjo pikëpamje ai mund të krahasohet me shkrimtarët e quajtur të shenjtë, me Hygoin, bie fjala, të cilët bëhen në një farë mënyre vetëdije e një epoke të tërë.
Mirëpo erdhi viti 1990 dhe ngrehina e krijuar nga tradita e socrealizmit u shemb. Në këtë pikë, krijimtaria e Kadaresë është e vetmja që nuk mund të përfshihet në rivlerësimin e madh, në gjyqin herë të drejtë e herë të sajuar që i bëhet kulturës dhe artit që i shërbeu diktaturës në Shqipëri. Por Kadareja jo se ka shpëtuar nga ky lloj gjyqi. Jo, në shumë raste ndaj tij mbahet ai qëndrim që mbahet ndaj Orhan Pamukut. Ajo që nuk i falin kundërshtarët e tij, është pikërisht talenti dhe gjenia, ndërkohë që Shqipëria dhe letërsia e kultura po pësojnë dhe janë sot e gjithë ditën në një krizë të thellë. Ka ndodhur ajo që pritej. Është bërë rivlerësimi i traditës. Ka zënë vendin e vet tradita e hequr nga qarkullimi, janë botuar veprat e autorëve të ndaluar dhe ka lulëzuar letërsia dokumentare që dëshmon krimet e diktaturës. Kanë rënë shumë nga mitet e emrat e letërsisë socrealiste, por krijimtaria e Kadaresë nuk mund dhe nuk është prekur. Ka ndodhur pak a shumë si me Krishtin. Të gjithë e pranojnë veprën e tij, por është një pjesë që kërkon ta shohë me kryqin në krah dhe sa herë që ai vjen në Shqipëri, i duhet të mendohet mirë se ku do ta ngarkojë kryqin, në cilin aeroport, sepse kur të zbresë në Tiranë, një pjesë e madhe e shtypit do t‘i kërkojë që të ngarkojë kryqin, sepse shqiptarët tani janë të lirë, por nuk kanë më asnjë vend ku të projektohen: nuk besojnë në Zot, megjithëse ndjekin katër besime, nuk besojnë tek asnjë lider sepse i ka lodhur tranzicioni i gjatë. Në vetëdijen kolektive shqiptare tani projektohen vetëm fajtorë dhe Kadareja, në një pjesë të madhe, fajësohet edhe pse nuk na shpëtoi më parë nga diktatura. Mirëpo Kadare krijoi një traditë tjetër në letërsinë shqiptare dhe në atë botërore: ai krijoi letërsi të madhe, të veçantë, tregoi ngjarje e ndërtoi personazhe ashtu siç kishin bërë më parë edhe Shekspiri apo Dante, Kafka apo Markezi. Ai, ashtu si Pigmalioni, i besoi vetëm Galatesë së tij dhe na e dha edhe neve që ta shijojmë Galatenë e tij. Në këtë pikë ndoshta nuk është i saktë ndonjë përcaktim që pas çdo vepre të Kadaresë lexon një alegori politike. Në fakt, vepra e Kadaresë shkonte në të kundërt me atë që bënte tradita e socrealizmit shqiptar dhe këtë ankth, këtë pamundësi për t‘u shndërruar në një shërbyes banal, vetëdijen se arti ka brenda mitin e Pigmalionit, ai e ka shpështjellë me mjeshtëri në një nga romanet më të bukura të tij, në romanin "Hija".
Metafora danteske dhe kufijtë e së pamundurës, kështu e ka karakterizuar shtypi i huaj romanin "Hija". "Romani, - siç thotë autori në një shënim të shkurtër hyrës, - është shkruar në vitet 1984-1986, përafërsisht në një kohë me "Vajzat e Agamemnonit" dhe "Ikja e shtërgut". Të destinuara për të mos u botuar, - vazhdon ai, - për shkak të përmbajtjes, dorëshkrimet e tyre u nxorën nga Shqipëria dhe u depozituan në një Bankë të Parisit, pjesërisht prej autorit e pjesërisht prej presidentit të shtëpisë botuese "Fajard", Claude Durand, ardhur në Shqipëri enkas për nxjerrjen e tyre jashtë kufijve. "Po pse ‘Hija‘"? Çfarë është "Hija"? Është e vështirë të merret vesh që në titull ngjarja dhe shenjueshmëria e librit. Ashtu siç ndodh në përgjithësi me romanet e Kadaresë, të Markezit apo edhe të Prustit më larg, ato thuajse nuk kanë ngjarje, kanë një njollë dhe një fat të paracaktuar që në fillim si në tragjeditë greke. Ndaj ti nuk pret që të marrësh vesh se si do të përfundojë romani, jo, ti bashkë me shkrimtarin duhet të përgatitesh që do të futesh në labirintet e ngatërruara të imagjinatës për të kuptuar kumtin. Pra, jemi në muzg të diktaturës dhe fabula është e thjeshtë, një kineast i dështuar ka fatin që të udhëtojë jashtë shtetit për arsye pune. Kjo ecejake e tij është "gracka". Ai shkon e vjen dhe është i detyruar që t‘u rrëfejë shokëve të tij në Tiranë një aventurë dashurie, është i shtrënguar që të sjellë pak Perëndim që andej dhe t‘ua japë edhe shokëve të tij në Tiranë, e sidomos dy prej tyre që punojnë në antenat e Shijakut. Pra, që këtu është ndërtuar gjithçka dhe romani ka shtatë shënime ose shtatë kapituj që mund të quhen edhe shtatë këngë, që janë shtatë si të shtatat në ritin e përshpirtjes pas vdekjes, sepse kjo ecejake, kjo fabul e ardhur si një shenjë apo si një kumt, duhet të mbivendoset në dy botë. Njëra është ajo e autorit, vendi i të vdekurve, bota komuniste, ku njerëzit janë të detyruar që të qëndrojnë të mbyllur, vetëm njëri prej tyre ka privilegjin që të udhëtojë jashtë këtij varri gjigand dhe tjetra, ajo e të gjallëve, Parisi.
Ashtu siç thashë edhe më lart, kjo shenjë apo ky ankth i nënvetëdijes dhe i vetëdijes bashkë duhet hequr nga gjoksi ashtu siç zbulohet një pllakë varri. Kadare, i lindur për të krijuar situata tragjikomike, i lindur me një vetironi gati të skajshme, zgjedh një nyjë që nuk mund të shpështillet ndryshe, por vetëm duke përdorur sarkazmën. Drama, në mund të quhet e tillë, është kjo: personazhi kryesor - libri është shkruar në vetë të parë -është i detyruar të rrëfehet kur kthehet nga jashtë, është i detyruar të tregojë një histori dashurie, sepse persekutimi kolektiv i bashkëkombësve të tij kërkon, si për t‘u hakmarrë me veten, një penetrim qoftë edhe të stisur. Dhe në rend të dytë është historia me Silvenë Doré. Janë shtatë udhëtime: në të parin është njohja, në të dytin është urrejtja ose ankthi se udhëtimi nuk do të kryhet, në të tretin është udhëtimi në ankth ose bashkudhëtimi si model i pështirë me njeriun në këllëf, në të katërtin djalli ose shoqërimi me Zhan Markun maoist, në të pestin "kumti nuk kapërcen", në të gjashtin pështjellimi me Edipin mbret sjell në mendje incestin dhe në të fundit "Aleluja", kumti u mbajt. Në të shtatë këta rrathë është vendosur gjithçka; që nga përjetimi se personazhi që udhëton nga Lindja në Perëndim, nga Shqipëria e mbyllur në Paris, është njëlloj Kostandini që vetëm përkohësisht lë varrezën e madhe e shkon për t‘u kthyer prapë, por ndërsa Kostandini ishte i detyruar në udhëtimin fatal që të sillte motrën atëherë kur vendin e kishte pllakosur një murtajë e madhe, personazhi i "Hijes" është i detyruar të sjellë Silvenën, madje jo atë vetë, por natën e kënaqësisë, aventurën, hijen e saj që t‘ua hedhë e ta shqyejnë shokët e tij të uritur për pak Perëndim. Ndaj menjëherë lexuesi duhet të përgatitet se tani ai nuk do të udhëtojë vetëm me avionin e linjës Tiranë-Budapest-Paris, por do të mbartet edhe në kalin e Kostandinit. Pastaj, kur të zbresë në aeroportin Orli, emër që të kujton pak edhe orlat që hanë të vdekurit, duhet të përgatitet se do të kthehet prapë në arkivol. Gjithë këtë ecejake e mban të lidhur vetëm një fije e hollë, një parisiane, me të cilën kineasti i dështuar ndërton thuajse historinë më të bukur të dashurisë që njeriu mund të ketë lexuar ndonjëherë.
Takimet, ndarjet, lirizmi që përshkon këto marrëdhënie, janë të përshkruara me një ndjenjë e stil që është vërtet i paarritshëm Ja një shembull: takimi është një nga çastet më sublime në një lidhje dashurie, ora, dita, vendi dhe ja si e përshkruan Kadare këtë çast të përjetshëm që u ndodh të gjithëve: "Mbrëmja e zënë. E shtuna e zënë. E njihja fort mirë këtë ritual nga moskovitet, ashtu siç njihja ndryshimin e mëvonshëm, që ishte i ngjashëm me lëvizjen e temperaturës gjatë një sëmundjeje. Në fillim vajza të jepte të mërkurën (të shtunën kurrsesi, se do të shkoj në daça te gjyshja) dhe ti e kuptoje se të shtunën e kishte të zënë me një tjetër që e kishte më të shtrenjtë se ty... Pastaj qëllonte që ashtu si virusi i sëmundjes ti ia turbulloje asaj javën, gjersa i afroheshe së shtunës dhe e fitoje atë, për pikëllimin e dikujt tjetër, që e kishte humbur. Ndërkaq ti vetë mund ta rihumbje më pas, të kaloje prapë te e mërkura, madje te e marta, gjersa të dilje fare jashtë. Ose ti vetë mund të ishe në rolin e lakmueshëm, ti i jepje asaj të mërkurën kur ajo të pyeste "po të shtunën?" dhe ti i përgjigjeshe se të shtunën kemi një mbledhje te ambasadori... Dhe kështu vazhdonte kjo bursë e pafund e rënies dhe e ngritjes së vlerave, lojë e mrekullueshme djegëse gjer në marramendje" ("Hija", f.33).
Në shtatë rrathët apo kapitujt e këtij romani është derdhur gjithçka që ka të bëjë me ndarjen e dy botëve, me spiunët e sharlatanizmin e të vdekurve këtu dhe me marramendjen dhe të pamundurën atje. Ajo që i lidh, është një dashuri gati e pamundur, një aventurë që autori duhet ta kryejë për t‘ua sjellë si mbajtje bese të vdekurve alias, shokëve të tij në Tiranë, që jetonin në epokën e kanoçeve që kacavirreshin nëpër çati edhe në formën e oturakut vetëm për të çarë e për të rrjedhur që andej një luzmë drite erotike nga ai Perëndim që kineasti i dështuar kishte privilegjin ta vizitonte hera-herës. Alegoria, sarkazma janë ngjyrat që autori zgjedh për të vizatuar peizazhin e vendit ku njerëzit janë të detyruar të rrinë të izoluar, të atij vendi që jetonte absurdin më fatal në kontinent. Nuk mendoj se mund të ketë sekuencë më të magjishme sesa ajo që përshkruan autori diku në roman. Të gjithë e dimë se prezervativi është një mjet mbrojtës në marrëdhëniet seksuale, por në kohën e romanit ai është një mall i huaj dhe në fantazinë e autorit ndodh kështu: "Ndonëse kishte kaluar shumë kohë, më kujtohej qartë trazimi që shkaktoi në qytetin e vogël lajmi se në farmacinë e vogël të tij kishte mbërritur një sasi prezervativësh, harbimi i fantazisë së të gjithëve, urdhrat e njëpasnjëshëm nga komiteti i partisë, të lejohej shitja, të ndalohej, të pezullohej gjer në një urdhër të ri, pëshpërima se do të jepeshin me autorizim, se do të përfitonin të parët familjet e dëshmorëve etj., etj., ..." (Po aty, f.148-149). Dhe romani mbyllet me "Aleluja", me këtë ritual biblik dhe këngë si për të shënuar triumfin që premtimi u mbajt.
Heroi nuk kthehet në atdhe më parë se të ngjitet në ashensor. Ashtu si i përhumbur tani ai, pasi arriti të bënte dashuri me Silvenën, ka përse të kthehet. Kjo ndjenjë e thellë sensualiteti apo edhe penetrimi për t‘u kryer në vendin e ndaluar duket se ishte kumti që, i mbështjellë në formë kënaqësie, do ta bënte të mundur edhe afrimin e dy botëve që deri atëherë ishin njëra e vdekur dhe tjetra e gjallë. Kadareja ka krijuar hijen ose imazhin e një tradite tjetër, ndërkohë që tradita e letërsisë shqiptare ka mbetur e ngurtë dhe si e ngrirë, si një monument në hije, si një monument që shqiptarët mendjelehtë herë e kanë paraqitur si qendrën e botës dhe herë e kanë zvogëluar për t‘u ndier më mirë qoftë kur ndërtonin shtetin totalitar, qoftë tani në kapardisjen tragjike në tranzicion.

Fatime Kulli: Viçenc Prennushi, poet i papërsëritshëm



“Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar!” Kjo thënie vlen një qind për qind edhe për poetin Prennushi

Nga Fatime Kulli

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë epokë historike pa poetë” (Pjerre Reverd)
Jo pa qëllim e nisa mendimin tim me këtë thënie brilante të Reverdis, për poetët.
NJË, që padyshim e ka skalitur portretin e tij në hije-dritën e epokës historike, është edhe Viçenc Prennushi, të cilin gjatë gjysmëshekullit të fundit të XX-s e anatemuan dhe e ç’vendosën përkohësisht nga harta e krijuesve të letërsisë shqipe.
Për të parën herë njihem me poezinë e Prenushit, nëpërmjet studiuesit Alfred Çapalikut, i cili ka bërë një punë shumë serioze në monografinë e “At’ Viçenc Prennushit” (Shkodër, 1996): Libri i tij hap një dritare nga ku shquajmë qartë kristalizimin shpirtëror të poetit të mohuar. Me obligimin si poete dhe si qytetare e këtij trualli, ngazëllehem e dergjem në shtratin e poezisë së Prennushit, pasi arti i tij më ka gërvishtur plagët e identitetit tim, të të parëve të mi, për faktin se jam nga trevat e Çamërisë.
Pikërisht, në takimin “Fjala poetike Sarda 2005” isha anëtare e jurisë. Një maturante e gjimnazit “Jordan Misja”, Suida Arçi, interpretoi poezinë “Grueja shqyptare” të V. Prennushit, e cila mori çmimin e parë unanimisht.
Nuk mund t’i përshkruaj emocionet që përjetova gjatë takimit tim, me shpirtin krijues të poetit, ku nëpërmjet zërit të një adoleshenteje derdhej zëri i atdhedashurisë si jehonë legjendash, e përplasej tej faqeve të malit përreth, ku endej shpirti i thellë e i pavdekshëm i poetit që thërriste: “Shqypnia asht e shqyptarëve”.
Nuk mund ta harroj gjendjen e brendshme që fërgëllonte si prush përmes interpretimit të fjalës poetike të Prennushit, m’u shprishën të gjitha qelizat e trupit dhe shpirtit tim. Asnjëherë s’u ndjeva më e mbrojtur sesa fjala e poetit. Në sytë e adoleshentes shkëlqenin lotët e triumfit, si ushqimi më i ëmbël në magjen artistike të fjalës së shenjtë të artit poetik të Prennushit, që do të na mbetet gjatë në kujtesë. Zemra e atdhedashurisë ngrihej lart në qiellin e fjalës. Ky pra, është poeti, kjo është fjala magjike që hyn në brendësi të shpirtit njerëzor me mjeshtërinë e komunikimit në art. Emocionet e jashtme marrin forcë, përmes emocioneve të brendshme të librit që më dridhet ndër duar duke rilexuar...
Në vëllimin me poezi “Gjeth e lule”, spikat timbri leksikor në tërheqjen e gjuhësisë së gegërishtes, me një shprehje të pastër artistike e emocionale.
Poezia e V. Prennushit në përgjithësi është një ligjërim ëndrrash, akt-formash, e besimit tek njerëzorja, tek jeta, me gjetje befasuese brenda origjinës së ëndrrës. Ky ligjërim ndërtohet me shtresa të vendosura mbi nën një ligjërim të lashtë.
Poeti, duke qenë një njeri me dije, i rritur dhe i edukuar në Shkodër, me kulturën e besimit katolik, gjatë aktit të krijimit, tenton efektet për rindërtimin e besimin tek poezia dhe fjala e poetit. Ai ndërton boshtin krijues me tre akse poetike: a) patriotike, b) shoqërore, c) fetare. Të tre akset lëvizin në gjendje të harmonishme, duke finalizuar koncertin e tij poetik me partitura të ndryshme të gjendjes muzikore, pa lëvizur shkopin magjik të dirigjimit, të qëllimit artistik. Këto lëvizje gjendjesh, i gjejmë në shtyllat bazë të ndërtimit poetik, tek poezitë: “Tuj dekë”, “I vorfni”, “Kreni”, “Lulja e reja”, “Shekulli”, “Nana” dhe deri tek poezia “Në rrymë të moteve”, e cila (për mua) është një poezi e pastër emblematike, ku çdo rrokje, çdo fjalë, çdo varg, vallëzon si refren bibliko-artistik. Kjo poezi ka ritëm të lartë shpirtëror-moral-qytetar. Këtu himnizohet madhërishëm në formë artistike PAQJA, që gjithë vendet e kombet e botës e ruajnë si gjënë më të shenjtë e të paprekshme. E gjithë vepra e Prennushit paraqet një tablo serioze, ku burimi i aktit krijues është rrjedhje e gjendjes së brendshme shpirtërore të poetit, me gjetje origjinale të figurave, që Prennushi i gjallon, i madhëron si nevojë e qëllimit të misionit artistik. E gjithë “loja” artistike, epiqendrën e vendos në kufirin e idealit qytetar e njerëzor, për të përjetësuar identitetin e Atdheut, me simbolin e Flamurit, duke paraqitur në krijimtarinë e tij personalitetin e njeriut atdhetar, që rreket për lirinë dhe dashurinë e amësisë (atdheut). Ky koncept i rëndësishëm i Prennushit, është koncepti i përjetësisë së poetit për atdheun e tij.
Arti i Prennushit më kujton një thënie të Gëtes: “Poeti duhet ta dojë atdheun edhe si njeri, edhe si qytetar”. A nuk është edhe Prennushi një poet me vlera të spikatura qytetare të atdhedashurisë në poezinë e tij, si: “Shqypni e s’ke”, “Burri shqyptar”, ku ai ligjëron skenat dramatike që luheshin mbi fatet e Shqipërisë (në atë kohë) gjatë luftërave botërore?
“Por t’ka ruejtë, djalë, Zoti krahët, / t’ka ruejtë krahët e t’ka falë t’shkathët: / Eja, pra e t’shtërngoj n’gji, / Mandej del prapë për Shqypni...”
Kjo tablo, tregon për dëshirën, urtësinë e trimërinë e heronjve në poezinë “Burri shqyptar”. Edhe pse V. Prennushi shkroi vetëm një vëllim poetik, “Gjeth e lule”, ai tregon vlerat e një eruditi, që diti të ngjizë shpirtin me artin e të shkruarit drejt mishërimit të një vepre artistike jetëgjatë, me temë patriotike, duke krijuar një Un të tijin, në ansamblin e poezisë shqipe. Një ndër poezitë (tipike për karakterin e shqiptarit), është: “Ushtari i Vogël”. Është shumë interesant ndërtimi i poezisë me objektet realë, siç janë: veshja e ushtarit, shpata e pushka, që poeti i përdor në imagjinatën e lëvizjes, për t’i vënë si elementet e jashtme në funksionin e elementit bazë të poezisë dhe forma gjeneruese e heroit të poezisë, duke realizuar formën metafizike të poezisë.
Format gjeneruese e heroit të poezisë është “Ushtari i Vogël”, ende fëmijë, që rrit dhe fuqizon qëndrueshmërinë artistike në aktivizimin e aktit poetik me figurën simbolike të nëntekstit, që është elementi themelor (ëndrra), ëndrra për t’u bërë gjeneral.
“Punë fort t’mdha kishem me krye, / edhe anmiqtë kishem me i thye: / Me qindresë e dalë-ka dalë / Gjeneral kishem me dalë”.
Pra, ëndrra e “Ushtarit të vogël” është që të bëhet gjeneral, t’i shërbejë me devotshmëri e trimëri vendit të tij, dhe emocioni rritet në vargun autoritar, pasi:
“General! S’a punë me luejtë: / me ra n’luftë edhe me muejtë, / me drejtu gjith’ at ushtri,por ç’dobi, se ndodh i vogël, / as s’di ç’ujë e ban kët vogël”.
Përpilimi artistik i dëshirës së lindur nga fantazia, e rrit poetin, e çliron nga qenia e pavetëdijes, duke zhveshur elementin e parë në aktin krijues të gjendjes bazë, që është ëndrra. “E them unë pra, sado qi fmi / me dek’ kisha për Shqypni”.
Një gjendje tjetër në këtë poezi, është shpirti human i poetit, ku “loja” e heroit të vogël, në mënyrë krejt naive, si ai fëmija me botë të pastër shpirtërore, di të falë më parë se i rrituri. Ja sprova:
“E, masi, me ndihmë të Zotit / t’siguroj tokën e Kastriotit, / edhe anmiqtë’ un do t’i fali, / Mjaft qi t’thonë: Rroftë gjenerali”.
Ideja e autorit gjatë kontekstit të ligjërimit hap çelësin e aktit krijues, si histori të epokës së poezisë, ku V. Prennushi zë një vend komod, për të udhëtuar gjatë, deri në ditët e sotme, pa shënuar ndonjë eveniment të veçantë në poezi, prej eunukëve vargëzues, edhe pse sytë e poezisë së “djeshme”, janë bebet e syrit të sotëm të poezisë shqipe, si N. Frashëri, Mjeda, Fishta, Pali, Camaj, Migjeni, Prennushi, etj. Pa shkëlqimin e vështrimit të tyre, ne jemi miopë.
Zëri muzikor në poezinë e Prennushit mbështet një vegël të lashtë muzikore, që shfaqet në ditët e sotme, gjatë tingullit kuptimor të tekstit e herë si imazh i lëvizjeve të notave që mërmërijnë në buzët e lexuesit të çdo kohe. Andaj, lexuesi i vëmendshëm përzgjedh të marrë fjalën e shenjtë të poetit, për të interpretuar si mundësi të ligjërimit. Këtë gjë po bëj edhe unë, për të realizuar qëllimin e shijeve të mia, me poezinë e Prennushit.
“Poezia duhet të mëshirojë qenien konkrete që ka karakter kombëtar” (Hegel). Ky koncept për poezinë me karakter kombëtar, ekzistonte poetët e mëdhenj, paqedashës, humanë e njerëzorë. Njëri prej tyre është edhe Prennushi, që meriton vëmendje për artin dhe misionin artistik, që përcjell në letërsinë shqipe. Me të drejtë Alfred Çapaliku, në librin e tij, thotë: “Ai zë një vend që e justifikon piedestalin dhe monumentin prej tingujsh e fjalësh në panteonin e letrave shqipe”.
Struktura e simboleve në poezinë e Prennushit është ngjizur harmonishëm në formën e shpirtëzimit idealist, duke krijuar në trungun artistik, “Gjeth e lule”, rrezatimin e figurave poetike, si nevojë e brendshme për ndërtimin e Unit-Simbol, që mban vulën e Viçenc Prennushit. Dhe këtë përcaktim timin e mbështes në dukurinë e teorisë së poetizimit prennushian me temë patriotike.
Poeti i përket kësaj kategorie njerëzish, ku në mbretërinë e atdhedashurisë përputhen me ata njerëz patriotë, që kanë sakrifikuar gjithçka për lirinë, për simbolin më të shtrenjtë që kanë pasur luftëtarët e lirisë. Gjithashtu, edhe ideatorët e Rilindjes Kombëtare, që mendjen e penën e tyre e vunë në shërbim të njohjes së identitetit të shqiptarëve, si kombi më i lashtë në Ballkan.
Këtë atmosferë idealiste dhe patriotike e gjej në poezinë “Grueja shqiptare”, që për mua është një kryevepër letrare e Prennushit. Po citoj disa fragmente nga poezia, ku autori me intuitë intelektuale, krijon klimën e ankthshme në aktin e krijimit:
“T’bin e vet kshtu e pvet e ama: - Ç’ke, moj bi, qi kjan e fshan?
-Nanë dashtnija m’ka molisë, prandaj kjaj-o tuj qindisë!
-T’u thaftë goja, bi, ç’po thue? A kaq shpejt ti m’je tërbue?
-Jam shqiptare e bi shqyptari, e ato fjalë, nanë, s’mund t’i bari: Zemrën dysh un’s’mund e daj, m’len t’qindisi, m’len të kjaj!”
Ky dialog -amë e bijë-, shënon pikën më të lartë emocionale, shqetësimin e nënës dhe dashurinë e brendshme së bijës, e cila duke qëndisur flamurin kuq e zi, kërkonte të ngrejë lart, kulturën e identitetit kombëtar, madhëron skenën e interpretimit të gjendjes shpirtërore-artistike të fjalës së madhe. Të ndjenjës më të rëndësishme në këtë poezi, ndërtuar me gjetjen e imagjinatës së dialogut nënë e bijë. Shqetësimi i saj nuk e ndaloi dashurinë e së bijës, edhe pse fryma e fundit depërtoi si rreze e artë mbi pëlhurën e qëndisur, që do ta mbështillte trupin e pajetë të vajzës, simbol i përjetësisë së kombit shqiptar.
“Se ç’e gjet të zezën nanë, / nën kët diell e nën kët hanë! / Merr pëlhurën, qi pat enë / bija e sajë, kishte pas kenë: / Kuq e Zi e m’të qindis/ gjet dashnin qi e kisht’ molisë./ Për rreth shqypje, m’dorë prarua / Fjalët e hershme, fjalët e të parëve: / Se Shqipnia asht e Shqyptarëve”.

Pikërisht, këtu është dashuria më e fortë, e qëndrueshme, dashuria e ëndërruar e bijës, e cila, pasionin e idealit të madh e realizoi, duke sfiduar dhimbjen e trupit, përmes dritës hyjnore. Këto efekte artistike, shoqërohen me emocione të fuqishme, duke shënuar një përputhje uniteti me gjetjen e fabulës poetike, staturën artistike, “lojën” brilante të personazheve dhe finalizimin e përsosur interpretativ të autorit, kur gjëmon:
“Lidhniu tok, si bashin motit/ ato bijat e Kastriotit, / e broh’ritni n’gzim e n’vajë: / Rrnoftë Shqypnija e flam’ri i saj”.
Ky është shpërthimi më i fuqishëm i gjendjes së poetit, gjatë deklamimit ligjërues në mbyllje të misionit të tij, i idealeve të poetit patriot, qytetar e fetar.
Shpresoj që krijimtaria e V. Prennushit, si sovran i letrave të zero vendin që meriton, pasi në çdo vend të botës, këtyre modeleve të papërsëritshëm në llojin e vet, iu kushtohen buste mermeri, si kult i fjalës, me ideale të shenjta kombëtare. Po e përfundoj mendimin tim me një sentencë të artë të Naim Frashërit: “Ti Shqipëri, më ep nder, më ep emrin shqiptar!” Kjo thënie vlen një qind për qind edhe për poetin Prennushi.

Për romanin “Histori në natën e vranët”, të H. Haxhosajt

Lulzim Palushi: Metaforë e llojit të vecantë


NJË METAFORË E LLOJIT TË VEÇANTË

(Për romanin “Histori në natën e vranët”, të H. Haxhosajt)



Xh. Suift në veprën “Përralla e fuqisë dhe përralla të tjera”, ndërmjet të tjerash shkruante: “Librat janë llogaritur të jetojnë të paktën derisa gjuha dhe shijet tona të mos pësojnë ndryshime të mëdha”. Duke iu kthyer mendimit të Xh. Suift, mund të them se edhe shkrimtari Halil Haxhosaj e ka bërë një llogaritje të tillë.
Ku e mbështes mendimin tim?
Romani “Histori në natën e vranët”, i përgjigjet shijes së lexuesit të të gjitha trevave shqiptare; për nga stili e mënyra e të rrëfyerit, po kështu edhe për nga pasuria gjuhësore, një gjuhë mjaft e pastër letrare si dhe figura të shumta me një fjalor të pasur e bëjnë veprën lehtësisht të përvetësueshme nga lexuesi.
Në gjykimin tim si lexues, mendoj se shkrimtari ka hyrë me guxim nëpërmjet kësaj vepre në letërsinë shqipe duke bërë një hap të madh përpara dhe në një mënyrë spirale duke shkuar drejt modernes.
Autori i qëndron shumë besnik gjuhës së kombit të vet, sidomos në emërtimet toponimike, si: Anavrrini, Kroi i Akullt, Shtegu i Zanave, Guri i Pasjes, Shkalla e Keqe, etj., apo dhe në drejtim të pasurimit të leksikut (si p.sh.: hinore).
Duke mos hyrë thellë në detaje, pasi nuk dua të jem në rolin e kritikut, por dua të mbetem në atë të lexuesit të thjeshtë e të pasionuar, mendoj se Nusja e Natës si figurë (metaforë) është e një lloji krejt të veçantë, e arrirë artistikisht dhe vështirë të të shqitet nga kujtesa.
Me një vëmendje të kujdesshme vëmë re se autori i qëndron besnik idesë dhe titullit të romanit që e bëjnë shumë interesant dhe solid atë pa e lënë të zhdredhet dhe të zbehet në sytë e lexuesit.
Pothuajse, autori Halil Haxhosaj, që të gjithë kapitujt e romanit “Histori në natën e vranët” i fillon me shprehje mjaft të goditura për Natën e Vranët si:
Kreu 1. “Nata e vranët e kish shtrirë pelerinën mbi çdo gjë”.
Kreu 2. “Hëna e kishte ndezur fenerin e vet të përnatshëm”.
Kreu 8. “Një terr i zi e kishte mbuluar hapësirën e qytetit”.
Kreu 12. “Nën dritën e zbehtë të hënës nata ishte bërë shumë romantike”.
Jetësoren, ikjen tragjike që i ndodh popullit të vet prej pushtuesit ardhacak nga “Perandoria e stepave”, Haxhosaj mundohet t’ia përcjellë lexuesit me nota po mjaft tronditëse, sikurse:
- fëmijët ndalën vajin…
- pleqtë e plakat i ndalën ofshamat…
- djemtë e ri nuk vraponin ...
- nuset e reja dhe vajzat ishin ngurtësuar.
Së fundi mendoj se mitet dhe legjendat nuk i kanë munguar letërsisë shqipe, por në romanin “Histori në natën e vranët” janë trajtuar në mënyrë të veçantë, që e bëjnë interesant romanin për lexuesin.
Rrëfimi i ngjarjeve në mënyrë të natyrshme tregon respekt për lexuesin, pasi kemi vërejtur se në dekadat e fundit, shumë autorë duke dashur të hiqen modernë, i bëjnë veprat e tyre shumë abstrakte për lexuesin.
Së fundi, shkrimtari Halil Haxhosaj e respekton shijen e lexuesit dhe me këtë vepër ai është përpjekur të jetë sa më dinjitoz para lexuesit.

Gjashtë të vërteta poetike për Teodor Kekon





Nga Natasha Lako
1.
E bukur, e thjeshtë, e ngrohtë dhe e mbushur plot dritë. Kështu mund të përcaktohet poezia e Teodor Kekos, e cila vjen te lexuesi shqiptar në kolanën e poezisë së sotme shqipe të Shtëpisë Botuese “Toena”. Kur themi fjalët “e bukur” dhe “e thjeshtë”, e dimë se kemi mundësi që të flasim për gjithçka të prekshme të kësaj bote, që na tërheq pas vetes. Kur përdorim fjalët “e ngrohtë” dhe “e mbushur plot dritë”, largohemi prej botës së pafrymë dhe hyjmë në shpirtin e njeriut dhe të gjithë gjallesave të tjera, gjerbërore, ku drita vjen me reflekse të shumëfishta dhe të ndryshme, ashtu si në poezinë e Teodor Kekos. Mes për mes këtij kufiri shkrirës dhe reflekseve të ndërthyerjeve të ndriçimit njerëzor, është më lehtë t’i thuash lexuesit disa fjalë mbi poezinë e Teodor Kekos, të mbushur plot dritë dhe ngrohtësi vetjake, që nga poezitë e tij të para deri tek ato të fundit. Kjo frymëmarrje ritmike poetike dhe e ngrohtë, e ndjek Teodor Kekon gjatë jetës së tij të mbyllur një herë e përgjithmonë para kohe, jo vetëm thjesht si një shteg i parë nisjeje, si ndodh rëndon me shumë shkrimtarë të tjerë. Bota e tij e letrave, sot e përgjithmonë, bashkëjeton mes prozës dhe poezisë.
Sigurisht që gjithmonë ka një fillim dhe një shtysë, të cilën e mësojmë nëpërmjet prozës së tij, ku shpesh gjejmë të gjitha burimet e jetës personale. Mjafton që të lexosh novelën e tij “Curriculum Vitae”, të shkruar me një frymë dhe me ngut, si për ta lënë para vdekjes bekimin dhe dashurinë e tij, ku Teodor Keko lë për të gjithë përshkrimin e shtratit të tij djaloshar ku mbetën të varura mbi kokë brilantet më të ngrohta, më me dritë, më të thjeshta dhe më të drejtpërdrejta të poezisë shqipe.
Poezia e Teodor Kekos ndërhyn me të madhe në këtë histori të gjatë të poezisë shqipe, ku “me kohën tonë lumenjtë nderojnë rrjedhën në rendjen drejt dashurisë”, si thotë poeti në poezinë ”Sërish si djalë çapkën do fishkëllejë horizonti” dhe kur jetojmë në një vend ku “si ogur i keq, hollë vishen njerëzit dhe monumentet tmerrësisht trashë” te poezia “Shqipëria, dhjetor ’90 - janar ’91".
2.
Kështu për Teodor Kekon fillon një rrugë e gjatë poetike, që do ta renditë atë në radhën e poetëve më të dashur dhe më të drejtpërdrejtë shqiptarë, një poezi që përmban një mister të madh suksesi. Bëj ta gjej çelësin e këtij misteri te proza e tij që thyen norma dhe kanune të vjetra letrare, në të kundërt të poezisë së tij të mbështetur në traditën e gjatë dhe të dridhshme. Dhe ndoshta dëshiroj t’i them lexuesve të tij se te Teodor Keko ndodh një këmbim i çuditshëm letrar, që vlen si një rrugëzgjidhje origjinale. Në prozën e tij, nëpërmjet personazheve qendrore të shkruar pothuajse gjithnjë në vetën e parë, zbulohet së pari bota e brendshme dhe e turbulluar e një njeriu ku shpesh janë të tjerët që i zbulojnë veten. Në poezinë e Teodor Kekos, që nga fillimet e tyre deri te poezitë e fundit, është vetë poeti që shërben si reliev për të zbuluar plotësisht gjithçka rreth e rrotull. Çelës i çuditshëm ky, çelës i përkryer për të zbuluar botën.
3.
Kush lexon poezinë e Teodor Kekos që nga fillimet e veta deri në fund të jetës së tij të shkurtër, por të padorëzuar asnjëherë para vdekjes, ka të drejtë që ta konsiderojë kraharorin e unit të tij poetik si një truall prej nga lind dhe ndriçohet një vizion për të tjerët. Kam dëshirë të citoj një nga poezitë e tij të para të vitit 1980.
Kur nisem për te ty vetëtij dhe bubullij,
Bëhem trim i madh dhe më pushton një guxim i rrallë.
Para teje hesht. Nën heshtje zbardhem dhe ngrij.
Zbres në zemrën tënde lehtë, siç bie në rrugë borë e bardhë.
Zbres atje dhe dashurinë time ngroh,
Dhe pres të vijë pranvera e fara të çelet.
Kur të ndodhë kjo, kur të ndodhë kjo....
Trim i madh do të bëhem dhe do të bubullij patjetër.
Ka në këtë poezi mundësi dhe pamundësi për një ngrohtësi dhe dritë më të madhe që nuk gjendet dot pa praninë e njeriut tjetër, atij më të dashur. Kështu, hap pas hapi fillon e ndihet në poezinë e Teodor Kekos prania e domosdoshme e të tjerëve, si një dialog i hapur pranimi, si një univers dashurie që krijon një botë të tërë të domosdoshme, një kërkesë që në subkoshiencën njerëzore, njeriu e pati kërkuar që në zgjimin e tij të parë. Por që nuk e dallojnë dot të gjithë. Do të ishte fare e pakuptimtë sikur në mes të radhës së gjatë të “të tjerëve”, çuditërisht dhe para kohe Teodor Keko të mos shihte edhe vdekjen si në poezinë “Larg. Afër”, ku ai thotë:
Dëgjoj trokitjen, puthjen ia ndiej,
Shprishje gjymtyrësh në trupin tim.
I dashuruar pas dashurisë. Mbeta
I veshur në qefin.

Sot s’është çudi në prag të jetë
Duke trokitur vetë dashuria.
Por unë s’e njoh. Kam frikë. Hap derën.
Drejt vdekjes shkoj, siç një jetë ika.
Dhe pastaj një tufë të freskët poezie për praninë dhe njohjen njerëzore, me poezi për shokun e vet Shekspir, të njohurin e tij Meksi apo për vajzën që rri në dritare si në poezinë “Fryma në xham dhe bota në dritare”. Kështu, pranë poetit renditet një botë e madhe ku njerëzit e dashur, Irena që e lë poetin pa ëndrra si në shkretëtirë (“Kur dikush bri meje thotë Irenë”) apo dy punëtore që rregullojnë ekspresin nën hënën si kurriz delfini (“Peizazh në plazhin dimëror”) renditen pranë selvive që nuk duhen prerë, pasi në to ka trishtim, ka dashuri. Ky pranim kërkon një zemër të madhe.
4.
Që të arrish të zbulosh praninë e tjetrit, kaq thjesht, kaq butë dhe kaq poetikisht, Teodor Keko nuk ka nevojë të kapërcejë nëpër barriera. Prania e tjetrit e hap botën, e zbërthen në mënyra-mënyra. Pikërisht nga kjo koshiencë e parë njerëzore, njeriu bëhet i ndërgjegjshëm për veten dhe për shoqërinë deri në atë masë sa krijon vizionin e atdheut dhe të njerëzve të kësaj bote. Ta ndiesh apo ta shohësh botën bëhet pothuaj njësoj në një botë kaq të personalizuar të një njeriu të vetëm poezie, kaq të personalizuar prej një njeriu të vetëm. Kështu poeti duket sikur e merr në duart e tij për ta treguar si fëmijë pyllin dhe heshtjen, vajzën që do dhe emrin e thjeshtë të një shoku, në një dialog gjithnjë më të hapur dhe më të domosdoshëm herë me atin, herë me birin, herë me fëmijën e vogël të porsalindur, pasi poeti vetë nuk jeton dot pa të tjerët. Në këtë këndvështrim, mjetet poetike gjithashtu janë aq të buta, të brendshme dhe pothuaj të padukshme, pothuajse si lënda vetë, pasi për t’u parë është gjithmonë e nevojshme pasqyra e shpirtit të njeriut. Janë shumë arsye të çuditshme që e rendisin poezinë e poetit pranë gëzimit, haresë dhe shpengimit emocional që jeton si pasojë e kësaj marrëdhënie me të tjerët, që nuk ka se si ta gjesh kaq hapur dhe në mënyrë kaq ngazëlluese në prozën e tij. Por ajo që bashkon poetin me prozatorin është ky terren plot reflekse shoqërore. Me poezinë e tij, Teodor Keko të udhëheq drejt shtigjeve të një qytetërimi pothuaj personal dhe të domosdoshëm. Dhe, mbi të gjitha, ai kërkon praninë e dashurisë.
“Po forca?”, do të pyesë ndonjëri. E bukur, e thjeshtë, e ngrohtë, inteligjente është poezia e tij, ashtu si është kaq vrojtuese dhe kaq zbuluese për marrëdhënie pa fund të qenies njerëzore me të tjerët, derisa shtrihet përtej natës në pyllin e heshtur (“Natë në pyll”). E kërkojmë këtë forcë njerëzore në poezinë e tij të qetë dhe njëkohësisht të trazuar, që pranon brenda edhe harresën, edhe trishtimin.
E thënë pa frikë, në poezinë e Teodor Kekos forca e tij e vetme mbetet gëzimi që mbisundon edhe vdekjen. Dhe për këtë forcë ai shkruan poezinë lapidare që zbërthen sekretin e forcës së tij poetike.
Hapi krahët!
Në gjoksin tënd Dajti
U struk si foshnjë.
Jo ti,
Natyra
Është foshnja jote.
Në njohjen dhe praninë e tjetrit ose tjetrës, poeti krijon pak nga pak botën e tij shoqërore. Dhe ai vetë, si thotë në poezi, mbetet natyra.
5.
Në poezitë e tij të botuara në vëllime të ndryshme, gjendet megjithatë një vjershë e rrallë që i drejtohet vetvetes (“Teodorit të dashur”), e cila në asnjë çast dhe në kundërshtim me tezat e narcizmit njerëzor, megjithatë nuk flet aq për vetveten, sa për shndërrimin e njeriut, sado që te Keko nuk kalon dot në mutacion.
Nga jeta ime shtegtuan zogjtë,
Dhe njerëzimi e humbi seksin,
Tani unë flas për ç’do të lindë,
Pa parë turmat që po vdesin.

O miku im oportunizëm,
Ma hëngre kokën, ma bëre gropën,
Kujt t’i ankohem. Kë të mallkoj,
Më mirë po ik të plehëroj botën.
Gjoksi i tij poetik, sa herë që shfaqet, është aq i njerëzishëm, sa shndërrohet dalëngadalë në një reliev metaforik, për të rilevuar vetëm të tjerët.
Poezia dhe jeta e tij është aq bujare sa t’ua lërë vendin edhe të tjerëve. Kështu në poezinë e Teodor Kekos fillon të ndihet prirja e sinqertë e një largimi, si një dëshirë tjetër për të gjetur përmasat e lartësive, ose të thellësive.
Poetit i largohen shpesh dashuritë, si diçka na ishte që kurrë nuk ndodh (“Fatkeqësia”), largohen vitet, vijnë ndarjet derisa arrin dhe finalja e vërtetë e tij ekzistenciale (“Ftohtë”).
Askush s’kuptoi se gjithë ky ujë
Vajtimi im qe, madhështor.
TË DUA, thanë ujërat me zhurmë,
Po kush dëgjoi dhe kush dëgjon.
Disa nga poezitë e tij më të bukura dhe më të ndiera janë shkruar kur poeti mësoi se kishte të strehuar në trupin e tij vdekjen e parakohshme. Por ai është i gatshëm ta pranojë fundin.
Nga poshtë gjithçka duket e madhërishme,
Mjerë ju kundruesit e botës nga lart!
Nuk ka më për poetin asgjë të dhimbshme dhe të papranueshme. Kjo është ndoshta kundërshtia e tij e vetme. Pranimi.
Shpirti i tij krijohet vërtet si në një reliev që tërhiqet. Kështu ai lë në poezi, sipër trupit dhe shpirtit të tij, vetëm atë që mbetet e përjetshme. Kështu ai lë pas një botë poetike ku lëvrijnë dhe marrin frymë gjithnjë të tjerë dhe të tjerë, poezi të tilla brilante e njerëzore dhe shumë të prekshme, madje të brishta dhe delikate, si: “Dashuri e përjetshme”, “Pa kthyer kokën”, “Unë të kam dashur, por...”, “I mundur”, “Magjepsësja”, “Letra dashurie”, etj., etj., si do të thoshte vetë poeti.
6.
Lexuesi që mirëpret poezinë e Teodorit i ngjan një lloj radari. Është lexuesi që ndien dhe provon së pari sinqeritetin e një njeriu për njeriun. Në thelb të këtij pranimi të vërtetë poetik qëndron dashuria njerëzore, të cilën në prozë Teodor Keko nuk dëshiron ta shfaqë kaq hapur dhe kaq në dritë, duke i dhënë poezisë tipare të veçanta dhe të dallueshme prej prozës së tij të gjallë jetësore.
Lexuesi e ndien se kush e do me të vërtetë dhe kush jo, pasi jeton me reflekset dhe instinktet e tij të përhershme narciztike, si do të thoshin psikoanalistët e shumtë të kohëve postmoderne. Teodor Keko pranon njeriun deri në banalitetin dhe në surogaton e tij. Por në poezi, më shumë se në prozën e tij, ai është i gatshëm që të pastrojë njeriun me shpirtin e tij të madh dhe të çiltër. Ai është dashamirës dhe i çelët.
Ndoshta kjo është një nga magjitë që i shkakton popullaritetin, të ndërtuar edhe në vargje. Qofshim një ditë të shtatë në pushim si vetë i zoti i vargjeve të kësaj përmbledhjeje, sa herë që do të vazhdojmë të flasim dhe të flasim për poezinë e Teodor Kekos, ku arti dhe jeta, pas një krijimi të vërtetë, na kanë dhënë një kolazh të përbashkët dhe të njësuar.

PËR LIBRIN E JETËS DHE INICIATIVËN E MREKULLUESHME


(Përkitazi me librin publicistik të Faruk Tashollit „Afaristë shqiptarë në Gjermani“, Prishtinë, 2008)

Nga Daut Demaku

Në traditën tonë kulturore dhe kombëtare – dokumentariteti – nuk ka pasë ndonjë vlerë. Kjo, si të thuash, për shkakun jetësor: nuk kemi pasë kohë as mundësi të mendojmë për gjërat qenësore që lidheshin me jetën, me ekzistëncën fizike, nuk e dinim a po na errë nata dhe a po na gdhinë drita, prandaj edhe nuk kemi pasë mundësi të mendojmë për vlerat e larta të njëmijë e një veprimeve të tjera që i bëjnë njerëzit në botën e civilizuar. Në kuadër të kësaj jete (“si lepuri nëpër qen”), nuk janë të pakta mungesat tona. E tash, në rrethana krejtësisht të reja, në një realitet të ri politik e kombëtar, mund të mendojmë dhe mund të veprojmë shumë më ndryshe dhe në mënyrë shumë më përmbajtësore dhe më domethënëse.
Libri i Faruk Tashollit “Afaristët shqiptarë në Gjermani” për mua ishte një lajm, një shenjë se në rrugën e rritës sonë kulturore e kombëtare - po ndodh diçka e mirë, siç thashë: përmbajtësore dhe domethënëse.
Për njerëzit që bashkëjetojnë me dhembjet dhe vuajtjet e popullit të vet në rrugën e gjatë e të mundimshme për krijimin e ndërtimin e KOMBIT ME PRESTIGJ, ky libër është lajm i mrekullueshëm, është iniciativë mahnitëse që dhuron gëzime konkrete. Pse?
Përvojat e kombeve të tjera, që e kanë ndërtuar deri në perfeksion, rrugën e bërjës së kombit të suksesshëm, flasin qartë e saktë: derisa nuk ndërtohet bashkëpunimi i vërtetë i aristokracisë ekonomike dhe aristokracisë kulturore – dy shtyllat kryesore që e bëjnë kombin të jetë i suksesshëm – nuk mund të ketë rritë e zhvillim normal dhe funksional të asnjë vendi, të asnjë populli dhe të asnjë shteti.
Sa herë flas për përvojat e të tjerëve, gjithnjë kam parasysh hebrenjtë, populli më i organizuar dhe më i vetëdijshëm në planetin TOKË. Për këtë popull që nuk janë as dhjetë milionë banorë në tërë botën nuk dua të flas më shumë përveç këtyre të dhënave: E para: mbi 50 përqind e nobelistëve vijnë nga dhjetë milionë banorët e këtij populli, kurse 50 përqindshin tjetër e përbëjnë të gjashtë miliardë banorët e tjerë të botës. E dyta: emrat më të mëdhenj në botë nga lëmi i shkencës, ekonomisë dhe kulturës vijnë pikërisht nga ky popull. Tre: sot pjesëtarët e këtij populli komandojnë kapitalin e botës. (Me humor thuhet: kur lëviz një gisht i hebreut të organizuar në Amerikë – tronditen të gjitha berzat e bankat në botë!)
E qysh e arritën këtë mrekulli hebrenjtë? Përgjigja është aq e thjeshtë sa gjason me një përrallë për fëmijë, por një PËRRALLË-FARË, që ka domethënien dhe vlerën e miliona jetëve.
Në kohën e rrezikut të madh kombëtar për hebrenjtë, atëherë kur i hodhën në det dhe nuk kishin asnjë copë tokë për varre – atëherë paria e tyre e bëri betimin: u betuan në qiell e tokë, në Zot, në flamur e në komb se të gjithë pjesëtarët e këtij kombi tërë jetën do të punojnë për VIKTORINË. Dhe ky betim do të përcillet me vendosmëri – brez pas brezi. E ç’është viktoria? Viktoria (shqip: fitorja) janë dy gishtat e ngritur në formën e gërmës “V”, që me aq dashuri i ngrisnim edhe na në fillim të viteve nëtëdhjetë. Kjo germë formohej prej dy vijave: vija e parë: DITURIA dhe vija e dytë: PASURIA. Paria hebreite e dinte se kur bashkohen dituria dhe pasuria – nuk ka më fuqi në botë që mund ta pengojë rrugën e realizimit të qëllimeve politike, ekonomike dhe kombëtare.
U tha, u bë. Dhe sot e kësaj dite viktoria është yll prijetar i këtij kombi me prestigj të lartë në gjithë botën e civilizuar.
Prandaj edhe thashë në fillim se pa bashkëpunimin e thellë e të sinqertë të aristokracisë kulturore dhe ekonomike – nuk mund të arrihet asgjë. Këtë nuk e them unë, e thotë përvoja e atyre që vërtet dinë dhe kanë ditur ta kalojnë e ndërtojnë me shumë sukses rrugën e ndërtimit të kombit.
Në këtë aspekt, prandaj, këtë libër e shoh si FARË e vogël, që po hidhet në tokë të plleshme dhe prej saj, nesër e më vonë, do të bëhet një bjeshkë e madhe dhe krenare.
Momenti tjetër, që më shkakton kënaqësi të madhe e që lidhet me këtë libër, është ky: në përvojën time mbi njëzetëvjeçare të studimit të literaturës inspirative, kam nënvizuar disa momente, prej të cilave për këtë rast po i ndaj dy.
E para: shkolla e VUAJTJES është shkolla më e fuqishme në botë, sepse vuajtja njëherë të jep mësimin, pastaj provimin. Të gjitha familjet e mëdha europiane, që nuk i kanë lejuar fëmijët të hyjnë në vuajtje, madje as të hanë e të vishen vetë, që të gjitha kanë prodhuar debilla, njerëz të paaftë për jetë. Fëmijët e tyre, në momentin e parë kur janë përballë më ndonjë pengesë, atypëraty janë dorëzuar dhe kanë hequr dorë nga përpjekjet.
Në këtë kontest: kush janë afaristët shqipatarë në vendet europiane? Ata janë njerëz që me shumë sukses e kanë përfunduar shkollën e vuajtjes dhe, prandaj, atyre iu takon ardhmëria. Kur t’i lexosh me vëmendje rrëfimet e tyre, kur t’i analizosh fillimet dhe vështërsitë e fillimeve, tek secili do ta takosh vuajtjen dhe vetëm vuajtjen. Të gjithë si një kanë hapur rrugën e jetës me përpjekje mbinjerëzore, me punë të madhe, me vendosmëri të paparë dhe, natyrisht, suksesin e kanë pasë të garantuar. Suksesi i kësaj rruge është i ëmbël dhe ta finikëron shijen.
Nga ky kënd duhet parë edhe përvojën e të tjerëve: mbi njëzet qytete të botës arabe mbajnë emrat: Jetim Filani, Jetim Fisteku, sepse jetimët, duke qenë përjetues realë të vuajtjes, kanë arritur ta ndërtojnë jetën e suksesshme dhe kanë bërë edhe qytete të tëra.
E shihni, prandaj, sa e madhe dhe domethënëse është iniciative për bërjën e këtij libri të mrekullueshëm.
E dyta: e kam një kujtim timin, familjar, që më duhet ta them me këtë rast: stërgjyshi im, kur i mbushë të tetëdhjetat, i thonë djemtë: mos puno më, mjaft ke punuar, rri në kullë dhe prit mysafirë. Plaku pajtohjet me një kusht: të ma lëvroni bahçen e kullës, sepse mysafirët nuk rrinë ditë të tëra me mua, e unë mërzitem pa punë. Djemtë e dëgjojnë. Bahçja e kullës ishte e vogël, as pesë ari vend. E lavrojnë djemtë, e plehëron plaku dhe e mbjell duhan. Me punë, plehërim, ujitje e kujdes, duhani, thonë, bëhej dy metra. E përpunonte ngadalë e më kujdes dhe, një Kurtaj i katundit tim, vinte shpesh dhe e merrte nga një okë duhan të grirë. Kështu një kohë të gjatë, dhe një ditë, ai burrë i Kurtajve i thotë: - Mixha Arif, u banë 48 okë duhan, nëse m’i jep edhe dy okë – po t’i jap Logjet e Abrisë.
Stërgjyshi im i thotë: jo, bre bir, nëse m’i jep Logjet po t’i japë edhe 52 okë duhan. Dhe kështu edhe ndodh… Logje quheshin livadhet në mes të dy Abriave, toka më e mirë që edhe në verën më të thatë – ta shtrëmbëron hambarin.
Dhe kështu, nga puna e një plaku tetëdhjetëvjeçar, unë brezi i katërt e kam një arë të mirë në ato logje…Dhe pikërisht ajo tokë na ka mbajtë që të mos i nështrohemi kurrë pushtetit.
Pse e thashë këtë tregim të vogël? Një: që nga puna e vogël lindin rezultate të mëdha dhe dy: nuk e di çka do të jepja sot po ta kisha VETËM NJË FOTOGRAFI të atij stërgjyshi të mirë, që me punën e ndershme, në moshë gati të perënduar, me dorën e punëtorit të urtë, na la trashëgimi (tash gati 15 familjeve) një burim të të ardhurave të pastërta.
Emrat që prezentohen në këtë libër, duhet të shoqërohen me fotografi, me të dhëna jetësore, që i kishte sitemuar autori në mënyrë të mrekullueshme, por në asnjë mënyrë kjo punë të MOS NDALET. Imagjinoni nipat e stërnipat e të prezentuarëve me këtë libër në dorë. A ka krenari dhe investim më të mirë dhe më domethënës.
Kjo do të jetë edhe një dëshmi, një pasqyrë dhe një dokument se Kosova gjithnjë prodhon njerëz të suksesshëm. Dhe, në përmbyllje do të them këtë: njerëzit e suksesshëm janë shkollë e vërtetë prej të cilëve MËSOJNË SHUMË DHE MËSOJNË MIRË të gjitha brezat. Këta njerëz e kemi për detyrë t’i ngrisim sa më lartë, sepse: ata i përngjajnë diellit, sa më lart të ngriten, aq më shumë dritë e ngrohtësi dhurojnë. Sot kjo punë duket e vogël, por nga fara rritën lisat e lartë.
Uroj që ky fillim i mbarë të ketë edhe rezultate të pastërta.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...