Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/22

Njeriu Franc Kafka në kujtimet e një 17-vjeçari

Albert Vataj




Varianti i parë i këtij libri, të cilin Janushi e pati titulluar “Kafka më tha”, doli në vitin 1951, ndërsa titullin e sotëm “Biseda me Kafkën” libri e mori nga drejtuesit e Shtëpisë botuese “Fischer” të Frankfurtit, të cilët u kujdesën për botimin e tij. Për ta botuar, Janushi kërkoi ndihmën e Maks Brodit, mikut më të afërt të Kafkës, atij që kishte përkrahur hyrjen e tij në letërsi, duke i rekomanduar botuesit Rovolt librin Meditime, në vitin 1912. Janushi i pati dërguar atij dorëshkrimin e veprës në vitin 1947 në Tel Aviv, ku Brodi jetonte asokohe, por punët e shumta dhe kushtet e veçanta të pasluftës e penguan shkrimtarin të merrej menjëherë me librin “Biseda”, që do të shihte dritën e botimin vetëm katër vjet më vonë. Janushi, i cili nuk e kishte ndjekur përgatitjen për shtyp, me të dalë libri, shpalli se i pati dërguar Brodit një tekst më të gjatë se ai që ishte botuar: prej një gabimi të vetë Janushit, Brodi kish marrë vetëm një pjesë të tekstit.
Më 1962, Janushi nënshkroi sërish një kontratë me Shtëpinë botuese “Fischer” për një botim të dytë të rishikuar dhe të zgjeruar, mbështeti mbi variantin e plotë, të cilin ndërkohë Janushi e kishte gjetur. Në kontratën e vitit 1964 u shtua një klauzolë, e cila ndalonte shpërndarjen e botimit të vitit 1951. Vepra me tekstin e plotë doli nga shtypi më 1968.
Qysh në shfaqjen e tij të parë libri i Janushit zgjoi interesin e kritikës duke marrë komente entuziaste: Maks Brodi dhe Dora Dimanti, shoqe e Kafkës gjatë periudhë së fundi të jetës së tij, dalluan tiparet e përshkruara nga Janushi, ato të mikut të tyre të vdekur. Shumë nga këto tipare zbulohen edhe në dëshmi të tjera, të cilat ishin bërë të njohura në kohën kur Janushi redaktonte kujtimet e tij, për shembull, Jetëshkrimi i Kafkës i Maks Brodit i viti 1937, por të shumta janë edhe përkimet e rastësishme me dokumente të dala në dritë shumë më vonë: kjo rrethanë e fundit siguron vërtetësinë e shumë prej kujtimeve të Janushit, ndonëse dolën në pah disa paqartësi, të cilat lidheshin veçanërisht me zgjerimin e botimit të dytë. Së pari, habia lindi nga numri disi i fryrë i episodeve; pothuajse të gjitha takimet mund të përshihen brenda gjysmës së dytë të vitit 1920, gjashtëmujor gjatë të cilit, përveç të tjerave Kafka mungoi shpesh në Shoqërinë e Sigurimit për shkak të sëmundjes.
Por kufijtë e veprës janë ato të vetë autorit. Nuk duhet harruar se Janushi, në kohën kur njohu Kafkën, koleg i të atit në Shoqërinë e Sigurimit nga Aksidentet në Punë, ishte vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç. Është pra e qartë se Kafka, njëzet vjet më i madh në moshë, nuk fliste hapur duke lënë në heshtje plot gjëra, ashtu siç duket e pranueshme që i riu Gustav të zmadhojë paksa ndonjë episod, apo të pasurojë me hollësi që janë fryt i fantazisë së tij. Çuditërisht, fakti që Kafka nuk i drejtohet ndonjërit prej miqve të tij, por një djali papërvojë, përbën magjepsjen kryesore të librit, çka e bën të pakrahasueshëm me dëshmi të tjera rreth Kafkës. Libri Biseda i Janushit nuk duhet gjykuar nga pasaktësitë e episodeve të veçuara; ai nuk është as jetëshkrim dhe as vepër kritike. Janushi shkruan se nuk ka mundur as t’i lexojë veprat e Kafkës të botuara pas vdekjes, me frikën se mos fjalët e shkrimtarit do të zbehnin në njëfarë mënyre ato të njeriut, fjalë të cilat gjallonin ende brenda tij.
Kafka i Janushit nuk është figurë letrare, por një njeri magjepsës dhe misterioz, me shikim shprehës dhe buzëqeshje të trishtuar, që bashkëjeton çdo ditë me sëmundjen, e cila pas pak kohësh do ta shpinte në varr: është një mik, të cilit mund t’i besosh paqartësitë, shpresat për të ardhmen apo makthet e tua. Siç e thekson Hartmut Binderi, njëri prej studiuesve më të mëdhenj të Kafkës, Biseda me Kafkën është i rëndësishëm, sepse rikthen një atmosferë duke rrokur gjeste, fjalë, vështrime, grimasa të doktor Franc Kafkës, kreut të zyrës ligjore të Shoqërisë së Sigurimit të Punëtorëve nga Aksidentet. Pikërisht për këto veti dhe vlera të padyshimta libri po i propozohet lexuesit shqiptar në botimin e tij të plotë.
Titulli “Biseda me Kafkën”
Autori: Gustav Janouch
Gjinia: Shënime dhe kujtime
Përktheu: Gëzim Qendro
Shtëpia Botuese: Dituria
Box
Ndërsa synonte që të bëhej poet dhe njeri i letrave, Gustav Janushi (Gustav Janouch) në moshë fare të re, rreth viteve ’20 të shekullit të kaluar, filloi të shoqërohej me një koleg të babait që ishte bërë i njohur si shkrimtar premtues: Franc Kafkën. Prej këtej lindi një miqësi e shkurtër dhe e thellë që shënjoi përgjithmonë jetën e Janushit. Djaloshi regjistroi gjithçka: fakte, fjalë, gjeste të shkrimtarit të madh pragez dhe rezultat janë këto Biseda, ku na shfaqet portreti i një Franc Kafke tejet njerëzor e të ndjeshëm, një hebreu që ëndërronte të ikte në Palestinë, rob i larmisë së tij kulturore, i sëmundjes dhe i vetmisë, në kërkim të një lirie që gjithmonë i është mohuar. Dokument i papërsëritshëm dhe i pabjerrshëm, në faqet e të cilit regëtin magjepsja e një qyteti si Praga, sfond mbresëlënës i bisedave të Kafkës me mikun e tij riosh.

Duke kërkuar Kafkën dhe Kamynë


Tituj të munguar dhe kultura e fast-librit. Tregu i librit në Shqipëri vuan nga mbidoza e librave që vlejnë sa për të shtyrë një ditë plazhi nën çadër. Por, nuk është e drejtë që lexuesi i kultivuar të privohet nga kryevepra botërore, të cilat nuk mund të kenë të njëjtin sukses në shitje

Çudia që do të pasojë këto radhë ka ndodhur në Tiranë: Në një nga libraritë e kryeqytetit, një studente pyet librashitësen nëse në raftet e “pasura” me botime të reja, ndodhej edhe libri “Metamorfoza” e Kafkës. Shitësja e habitur nga kërkesa e vajzës, do të përgjigjej shpejt e shpejt plot mospërfillje: “Metamorfoza e Kafkës? Më vjen keq, por nuk kemi libra mjekësorë”. Fjalë të tilla do të skandalizonin cilindo që është dashamirës i librave, e aq më tepër atë që emrin e njeriut që hodhi bazat e absurdit dhe ekzistencializmit në letërsinë botërore, Franc Kafkën, e ka lëçitur herë pas here. Por, ja që kjo ndodhi e cila mund t’ju tingëllojë si anekdotë (absurde, apo jo?!) është e vërtetë.

Një nga novelat më të njohura të shkrimtarit më të madh çek, u ngatërrua me një libër mjekësor nga një librashitëse shqiptare. Ndoshta, në këtë mesele ka ndikuar ndopak edhe vetë gjuha shqipe dhe kuptimi i çuditshëm që emri Kafka merr pas shqiptimit. Sidoqoftë, përtej çdo të qeshure sado të vogël që të fal kjo ngjarje, është për të ardhur keq se sa pak njihen në Shqipëri disa autorë me vlera të jashtëzakonshme në letërsinë botërore, sa pak lexohen ata, dhe sa shumë dyshime mbi vlerën e vërtetë të lexuesit shqiptar mund të hidhen sot, kur në vendin tonë mbizotërojnë botimet e bestseller-ave të llojit Dan Braun apo Daniel Still.

Gjithkush mund ta ketë të vështirë të marrë përsipër të bëjë një kritikë të pamëshirshme ndaj këtij zhanri të letërsisë, përderisa këto vepra kanë shitur dhe vazhdojnë të shesin me miliona kopje në mbarë botën. Por, me siguri ai “dikushi” ndihet i dëshpëruar me sa pak tituj dhe emra me vlerë shkrimtarësh na furnizojnë aktualisht shtëpitë botuese shqiptare. Pra, se sa pak zgjedhje u ofrohen adhuruesve të Kafkës, Alber Kamysë apo Samuel Beketit, në një kohë kur stendat e librarive më të mëdha të Tiranës sa s’plasin nga librat “limonadë” (siç i etiketonte dikur një profesor letërsie, Dan Braunin me shokë).

Ndikimi i tyre është i jashtëzakonshëm sepse mund të bredhësh të gjitha libraritë e mundshme të kryeqytetit në kërkim të romanit “Amerika” të Kafkës, një tjetër kryevepër e papërfunduar e shpikësit të absurdit (e cilësuar shpeshherë edhe vepra më e mirë e tij), pa arritur ta gjejnë kurrkund atë. Madje, nuk çuditesh as atëherë kur ndonjë librashitës ngre supet duke t’u kthyer thartë pyetjes me pyetje: “Je i sigurt se ekziston një roman i tillë?”. Ndonjë mund të pyesë me të drejtë nëse “Amerika” është përkthyer ose jo në shqip. Në fakt, është përkthyer dhe është botuar që në vitet e largëta 1993-94; kohë kur shqiptarët ishin ende të etur për të njohur botën e jashtme, atë për të cilën kishin humbur kontaktet prej 50 vitesh, nëpërmjet letërsisë. Fatmirësisht, kopjet e vetme të këtij romani të dalë nga qarkullimi prej vitesh dhe që askush nuk kujtohet ta ribotojë (sepse sot nuk të lë as Dan Braun dhe as Daniel Still të botosh), gjenden në të bekuarën Bibliotekë Kombëtare, i vetmi qoshk ku lexuesi i vërtetë mund të gjejë shpëtim në kësi rastesh. Por, ndodh edhe që poezitë e Artur Rëmbosë (poet bashkëkohës me Pol Verlenin) të mos i gjesh asgjëkundi, duke hedhur dyshime nëse vargjet dehëse të tij të jenë përkthyer ndonjëherë në shqip.

Në Shqipërinë e absurdeve, të njëjtin fat me Kafkën ka pësuar edhe “ndjekësi” më besnik i tij, Alber Kamy. Jo më larg se nëntori i vitit të kaluar, romani çmim Nobel i vitit 1957, “I huaji”, ishte vështirë të gjendej nëpër librari sepse shtëpitë botuese e kishin futur në proces ribotimi, pas kërkesës së lartë të lexuesve. Por, kjo vëmendje është më e përciptë sa i takon romanit tjetër të Kamysë, “Murtaja” (botimi i parë në shqip në vitin 1994), i cili edhe pse i vlerësuar si vepra më e mirë e shkrimtarit francez nga kritika botërore, nuk gjendet asgjëkundi në tregun e librave. Dhe të mos njohësh këto romane të dy prej shkrimtarëve më të mëdhenj të shekullit XX-të është si të mos njohësh “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë apo “Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo” të Dritëro Agollit (të krahasuar për popullaritetin që ata kanë në Shqipëri si shkrimtarë bashkëkohorë).

Pavarësisht nga numri i madh i titujve të rinj që shtëpitë botuese sjellin për lexuesin shqiptar, titujt e librave “shterpë” janë kaq të shumtë në krahasim me vlerat e vërteta të letërsisë, si shqiptare ashtu edhe botërore, saqë këto të fundit nuk arrijnë të marrin frymë dhe gjithnjë e më shumë duken sikur mungojnë nëpër librari. Madje, në panairin e fundit të librit të mbajtur në Tiranë, shikoje (e dëgjoje) çudi të tilla kur shtëpi të veçanta botuese reklamonin me të madhe libra të llojit: “Kush e sundon botën”, të mbushur me fantazira frenetike, apo titujt e “limonadave” të Nikolas Sparksit, ndërkohë që ti mund të vije vërdallë si nëpër rrathë, për orë të tëra, vetëm për të pikasur emrin e atij autori të zgjedhur që ke në mendje të blesh kësaj here. Këtu citohen vetëm dy shembuj, që mund të jenë edhe më të veçantët në tregun e botimeve shqiptare, por është e qartë se me një vëzhgim sipërfaqësor në këtë çështje do të gjeje me dhjetra shembuj të tjerë autorësh që nuk ribotohen për arsye të ndryshme.

Tregu i librit në Shqipëri vuan nga mbidoza e librave që vlejnë sa për të shtyrë një ditë plazhi në det. Është e pranueshme se romanet që i destinohen masës lexuese janë edhe më të “suksesshëm” në shitje pikërisht për të njëjtën arsye dhe kuptohet përse shtëpitë botuese u kushtojnë një rëndësi “të veçantë” këtyre botimeve. Fitimi i shpejtë nga shitja e librave të tillë është më tundues se sa ribotimi i një romani, i cili do të shiste jo më shumë se pesëqind kopje sepse i drejtohet një lexuesi më të përcaktuar dhe që tenton të thithë vlerë nga letërsia e vërtetë. Ama, nuk është kurrsesi e drejtë që ky lexues i kultivuar të privohet nga kryevepra botërore, të cilat nuk mund të kenë të njëjtin sukses në shitje, dhe rrjedhimisht nuk mund të sjellin fitimin e dëshiruar nga shtëpitë botuese, por ama mbartin vlera letrare e krijuese të jashtëzakonshme dhe të pakrahasueshme me asnjë përsiatje të llojit “Djalli vishet me Prada”. Në morinë e “limonadave” që na ofrojnë libraritë tona, nuk të vjen aspak mirë nëse përballesh me supet e ngritura të botuesve që nuk dinë ç’të thonë për Kafkën apo Kamynë, por kanë kaq shumë për të thënë për Braun, Sparks apo Harold Robins. Edhe më e rëndë është pse një “bestseller” shqiptar i shkruar keq në celular ribotohet katër herë brenda tre muajve, kurse “Murtaja” apo ndonjë roman tjetër universal nuk e sheh dritën e ribotimit prej 15 vitesh. Nëse kjo është gjendja e librit në Shqipëri, atëherë nuk kemi pse të çuditemi kur dëgjojmë shprehje të tilla si: “Pse, a lexojmë ende ne shqiptarët?”.

Përpara viteve ’90, botimi i titujve të rinj ishte shumë herë më i kultivuar dhe i kontrolluar, jo vetëm për nga mesazhi që këto libra transmetonin për lexuesin (pra, duhet të ishin në përputhje me parimet e realizmit socialist), por edhe për nga cilësia dhe vlera që kishin. Ndonëse censura ishte mjaft e rreptë dhe e pamëshirshme, shtëpitë botuese të asaj periudhe tregoheshin më të kujdesshme në hedhjen në treg të titujve, në mënyrë që të baraspeshonin edhe autorët dhe zhanret e ndryshme të letërsisë. Pas vitit ’90, hapja e Shqipërisë ndikoi në njohjen e lexuesit tonë edhe me ata autorë të mëdhenj botërorë, të cilët nuk botoheshin për shkak të censurës së regjimit. Mirëpo, në vend që ai boshllëk i mbledhur ndër vite për vlerat e vërteta të letërsisë të mbushej me titujt e rinj të botimeve të ndaluara në periudhën e diktaturës, ndodhi krejt e kundërta. Pas një fillimi të mirë me nxjerrjen në treg të disa autorëve tepër të vyer, botuesit shqiptarë u bënë kopje të këqia të shtëpive botuese kudo në botë që kuptuan se më e leverdisshme ishte të botoje bestseller-at “shterpë” që blihen nga masa e lexuesve, se sa t’i kushtoje rëndësi baraspeshimit të tregut të librave, në mënyrë që gjithsecili të gjente atë që kërkonte.

Kjo është ajo çfarë duhet të bëjnë sot shtëpitë tona botuese. Në një treg ku “limonadat” shiten dhe sjellin përfitime të mëdha, duhet që të vihet dorë për të rregulluar disi atë që është prishur në 20 vjet: Baraspeshimin. Nuk është e vështirë dhe nuk kushton asgjë që në dhjetë romane të llojit Dan Braun dhe Daniel Still, këta botues të shtonin edhe një emër të madh të letërsisë botërore. Në këtë mënyrë, të gjithë do të mbeteshin të kënaqur dhe Kafka apo Kamy (dhe cilido tjetër që mbart vlera në letërsi) nuk do të shkeleshin me këmbë.

Kafka i “tremb” përkthyesit

130 vjet prej ndarjes nga jeta të Franc Kafkës. Virion Graci vjen në një rrëfim për shkrimtarin që ndryshoi rrënjësisht konceptin e letërsisë artistike dhe e bëri lexuesin të donte të frikshmen.
Zonjusha Felice. Eca i vetëm duke menduar rrugëve të Berlinit, pasi nuk doja të vija në apartamentin tënd. Gjatë gjithë ditës ti ishe shfaqur në mendjen time me fustanin tënd të bronztë dhe trikon e hedhur krahëve. Nëse do të vij sërish te ju, ndarja do të bëhet e pamundur”. Më 13 gusht 1913, Franc Kafka i shkruante këtë letër Felice Bauer, gruas që kishte vetëm një vit që e kishte njohur në ambientet letrare në Berlin. Ishte ende i ri, i këndshëm për femrat dhe lidhja me një grua mund ta privonte nga aventurat me femrat e tjera. Ndaj Kafka zgjedh t’i tregojë të vërtetën Felicë, gruas që deri në fund të jetës u kujdes për të. 130 vjet nga ndarja e tij nga jeta, biografë dhe kritikë letrarë kanë shkruar shumë mbi pasionin e tij për femrat, lidhjet e shumta që krijoi gjatë rinisë në Berlin, apo Vjenë. Por, Felice Bauer, do të ishte femra ku ai do të kthehej shpesh, dhe atëherë kur një vajzë me emrin Dora Diamant do t’i rrëmbente zemrën, e do ta bënte shkrimtarin që të përmes ankthit të luftës të kërkonte atë. Dora Diamant konsiderohet si dashuria e fundit e Franc Kafkës, si gruaja të cilës ai i shkroi letra të pafundme dashurie gjatë kohës nga spitali ku ishte shtruar me tuberkuloz… Por përtej jetës së tij private, asnjëherë të qetë, Franc Kafka vijon të mbetet si ikona jo vetëm e letërsisë gjermane, por edhe asaj botërore. Me librat që shkroi ai solli një revolucion në mënyrën e të këndvështruarit të situatave, duke e bërë letërsinë poseduese të shpirtit njerëzor. Kafka e bëri të dukshme të padukshmen, të natyrshmen të jashtëzakonshme, të besueshmen të pabesueshme. Në gjuhën shqipe përpjekja e parë serioze për të sjellë veprën e tij është bërë nga regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi, e disa përpjekje të tjera nga emra të rinj, por ende nuk e kemi të plotë veprën e tij. Shkrimtari Virion Graci, i pasionuar pas letërsisë së Kafkës, vjen më poshtë në një rrëfim për letërsinë e tij me rastin e 130-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta.
130 vjet nga vdekja e Franc Kafkës. Çfarë e bën letërsinë e tij të lexohet ende me ëndje sot?
Letërsia e Kafkës do të jetë e lexueshme edhe pas 200 vitesh, pasi ajo shënon eposin e madh të njeriut qytetar, banor autentik i shekullit XX, bashkëkohës me këtë lloj qytetërimi të cilit i përkasim ende sot. Kur të kapërcehet botërisht ky tip qytetërimi, Kafka do të lexohet, më me endje sërish pasi ai është tregimtar dhe romancier i pakapërcyeshëm i njeriut-individ; zbulesat e tij njerëzore, personazhet e tij në dukje minimaliste, kanë atë madhështi dhe forcë të pavdekshme përgjithësuese që kanë fytyrat tragjike që vijnë nga teatri antik grek, apo nga dramaturgjia shekspiriane. Ka bërë të dukshme të padukshmen, ka bërë të natyrshme të jashtëzakonshmen, ka bërë të besueshme të pabesueshmen me një gjuhë të qartë, të rrjedhshme, me një leksik të kapshëm të stilit të lirë bisedor
Çfarë solli vepra e Kafkës, në kohën kur ai i shkroi ato?
Pas veprës letrare të Kafkës ndryshoi rrënjësisht vetë koncepti për letërsinë artistike, ndryshoi rrënjësisht koncepti për personazhin, për realizmin në letërsi, për kufijtë midis vetjakes dhe shoqërores, etj… Jo më kot, një gjeni tjetër që pati ndryshuar përfytyrimet e bashkëkohësve për gjithësinë e kozmosin, Ajnshtajni i pat thënë: “as mendja ime nuk është aq aftë, aq e përsosur sa të rrokë krejt kuptimet e veprave të tua”. Shtoj se Kafka gjeti tragjiken te ndodhitë e rëndomta, monotone, pa gjak e vrasje; e gjeti eposin homerik dhe atë tolstoian në rrugicat e qeta dhe në shtëpizat e vogla të Pragës. Prej kësaj le të hamendësojmë çfarë vëzhguesi e zbuluesi gjenial ka qenë?!
A është metamorfoza ende një simbiozë e qenies njerëzore?
Metamorfoza është një bashkudhëtare e unit njerëzor, por do të kujtoja si vlerë të parë morale-filozofike të veprës së Kafkës ndjenjën e vetëgjyqësisë kafkiane, vetëfajësimin kafkian, vetëndëshkimin psikologjik-mental, dëshirën për të qenë deri në flijim i vërtetë dhe jo sipërfaqësisht i lexueshëm, i sinqertë, i pëlqyeshëm; pa këto, ajo historia e metamorfozës së Gregor Zamzës, edhe pse e shkruar nga Franz Kafka do të kish mbetur një anekdotë denoncimesh për metamorfozat e një nëpunësi çfarëdo, si dhjetëra krijime të harruar, prej të tjerë autorësh.
I frikshëm, i ftohtë, por sërish me shpirt, kështu cilësohet vepra e tij…
Në kontekstet e tyre këto vlerësime të qëmtuara nga ju, nuk mund t’i mohoj si të pasakta, por, duke përsëritur veten time do të shtoja se Kafka është i ftohtë, i frikshëm në terrin e sinqeritetit të tij kur gërmon deri në themel vetveten, e në këtë rast ftohtësia kafkiane është fundi i çdo kompromisi hipokrit me zërat e ndrydhur të pavetëdijes dhe me përllogaritjet e ndërgjegjes kalimtare njerëzore, është dashuri e sublimuar, ndershmëri heroike, intelektuale, e rrallë, e pabesueshme dhe e qartë si drita e diellit njëkohësisht, në kompleksitetin e saj
A ke një libër të preferuar prej tij, një libër që do doje ta lexoje shpesh?
Nga Franz Kafka, pas dy leximeve të ngadalshme të mëparshme, rishon herë pas here ditarin e tij, “Journal”, përkthyer në frëngjisht, pajisur me shpjegime nga një emër si Marthe Robert. Te “Ditari” i Kafkës gjej njeriun më të besueshëm, njeriun Franz-in që mund të më udhëheqë për te vepra e tij, pra fitoj njohjen personale me autorin për të fituar mundësinë dhe të drejtën e bashkëjetesës me veprën e tij të pasur; tregime, romane. Kafka nuk ka pak personazhe, edhe në tregime të shkurtra, tepër të shkurtër ai materializon artistikisht tipa të paharrueshëm, të numërueshëm përkrah karaktereve që kanë sjellë korifenjtë e tjerë të letërsisë në botë: Eskil, Shekspir, Milton… Duke filluar me Jozef. K…, e shohim një plejadë karakteresh që përligjin vlerësimet e bëra për autorin edhe në këto ditë përkujtuese.
Si do t’i gjykoje përkthimet e tij në gjuhën shqipe?
Herët kam lexuar në shqip një mrekulli të Kafkës, “Dhimbja e parë”, tregim i shkurtër përkthyer ndoshta nga Bujar Xhaferri, pastaj disa tufëza tregimesh të përkthyera në një shqipe të bukur nga Gjergj Vlashi, mandej fillova ta lexoj të plotë në frëngjisht dhe nuk kam pasur pikë kureshtie se ç’po ndodh me të, sprovat për ta sjellë në gjuhën tonë lloj-lloj duarsh të padenja, kryesisht.
Cili prej personazheve ju pëlqen më shumë dhe pse?
Jozef. K…është personazhi më i dashur për mua, jo vetëm në galerinë kafkiane, por edhe më gjerë. Po të perifrazonim Floberin kur u shpreh për zonjën Bovari: ajo jam unë”, secili nga ne do të thoshte pa rënë në tepri e patetikë “Jozef K., jam edhe unë”. Ai është sintezë e gjindjes njerëzore, e pasurisë anonime psikologjike e instiktive; është sintezë që nënkupton ndeshjen me vetveten, me trysninë dhe pakuptimësitë shoqërore, me makthet arketipore dhe ato moderne; ai si asnjë personazh tjetër para tij, përjashto Hamletin është njëkohësisht pararojë dhe pasojë e pafajshme e fatit të tij të paracaktuar. Jozef K. është mbinjeriu i vetëm i krijuar jo nga arsyetime të kulluara filozofike, por nga një krijimtari e dëlirë, e përsosur, sublime. Nuk e dua se është kaq i pasur, por pse duket krejt i zakonshëm, krejt i ngjashëm me mijëra frymorë prozaikë
A ishte letërsia e Kafkës një letërsi që u mor me të zakonshmen?
Letërsia e Kafkës ishte ajo letërsi që nënkupton pyetja juaj, por ajo është shembull, provë se universale, globale, nuk bëhet ajo që pretendon të shitet si kozmopolite, por ajo mikrobotë që është vetvetja, është autentike, është dikush ose diçka tepër tokësore, tepër e përditshme, tepër e pabujshme.
Përse Kafka i “tremb” përkthyesit?
Të sjellësh me besnikëri Kafkën duhet të jetosh gjatë me të: me veprat letrare, me ditarin, me studimet bazë kushtuar atij. Kuptimi i tij në rrafshin gjuhësor nuk është ndër më të vështirët, por duhet kapacitet mendor e kohëzgjatje për të hyrë në botëkuptimin e Kafkës, në përfytyrimet e tij danteske, apokaliptike e largpamëse. Kapacitetet intelektuale, përkushtimi me vite, kujdesi amësor ndaj veprës së një gjeniu, nuk janë cilësi që i gëzojnë sot akrobatët e fushës së botimeve në shqip; më së shumti ata janë specialistë të dekoruar të hajnisë moderne, të zhvatjes me procedura burokratike të fondeve për librat, fatkeqësisht.

Alda Bardhyli-Shqip

Franc Kafka, Rrëfimet për mikun adoleshent


Kafka ka sy të mëdhenj gri, nën vetullat e dendura të errëta. Fytyra e tij ezmere është shumë e gjallë. Ai duket sikur flet me gjithë fytyrën, jo vetëm me gojë. Kur ka mundësi të zëvendësojë një fjalë me një lëvizje të caktuar të fytyrës, e bën. Një buzëqeshje, një kontraktim i vetullave, një rrudhje e ballit të ngushtë, një përveshje e buzëve: këto janë lëvizje që me mjeshtëri zëvendësojnë fraza të tëra tek ai. Bashkon duart njëra me tjetrën duke i mbështetur mbi skrivani me një vendosmëri të qetë, drejton kryet e njëkohësisht ngre pak supet, pastaj njërën dorë e mbështet në anën e majtë në drejtim të zemrës…” Gustav Janouch e përshkruan kështu takimin e tij të parë me Franc Kafkën, në zyrën e thjeshtë të babait të tij. Atëherë një djalosh adoleshent që ëndërronte të bëhej shkrimtar, Janouch nuk mund ta mendonte se ato orë ishin fillimi i një miqësie që do të zgjaste gjatë. Gjithë takimet me shkrimtarin, Jonouch do t’i hidhte në letër, për t’i botuar më pas në një libër “Bisedat e mia me Kafkën”. Jaunuch ka qenë një mik i ngushtë i Kafkës, krahas miqve të njohur të tij si Maks Brodi, të cilit shkrimtari i la testament për të botuar veprën e tij pas vdekjes, apo Oskar Baum, dhe e dashura Dora Diamant. Në kujtimet e shkruara nga Janouch gjejmë detaje rreth librave dhe jetës së shkrimtarit, konceptin e tij për jetën apo detaje të tjera në dukje të parëndësishme. “Poezia është një lloj sëmundjeje”, do të shprehej Kafka për të. “Nuk ka nevojë të luftosh ethet që të shërohesh. Përkundrazi, temperatura e lartë e pastron dhe e shkëlqen organizmin”. “Njëherë e gjeta Kafkën në humor të mirë. Pa e zgjatur i thashë: Ju shoh mirë doktor sot? Ai vuri buzën në gaz: Është gëzim i marrë borxh. Në Pragë ka ardhur një shok shumë i mirë imi, Ludvig Hardi…”, shkruan Janouch. Në një tjetër kujtim nga miqësia me shkrimtarin ai kujton: “Një artist i ri F.V., ishte vetëvrarë për shkak të një dashurie të përfunduar keq. Ndërsa flisnim rreth këtij rasti, Kafka komentoi: Ç’është dashuria? Nuk është aspak e vështirë të shpjegohet. Dashuria është një situatë që rrit, zgjeron, pasuron jetën e njeriut drejt majave e thellësive të jetës. Dashurinë mund ta krahasoj me një makinë të re. Makina e re nuk ka probleme në vetvete, nëse ajo devijon nga asfalti apo përplaset nuk është faji i saj. Problemet qëndrojnë jashtë saj dhe mund të jenë shoferi, pasagjerët apo dhe rruga me gropa. Kështu ndodh me dashurinë”. Atëherë Janouch i tregoi Kafkës historinë e një miku të tij të shkollës, me të cilin në moshën dhjetëvjeçare kishte abuzuar mësuesja e frëngjishtes. Pas asaj përvoje ai i kishte frikë të gjitha vajzat, deri dhe motrën e tij. Kishte ca kohë që ai shkonte e kurohej te një psikanalist. “Dashuria kur nuk është dashuri, plagos, shkakton plagë që nuk shërohen asnjëherë plotësisht. Diferencimin e dashurisë nga pjesa e zezë e kësaj ndjenje mund ta bëjë vetëm vullneti i atyre që janë vërtet të dashuruar. Një krijesë e dobët siç ishte atë kohë shoku yt, nuk mund ta zotëronte ende vullnetin e duhur në këtë drejtim dhe kështu, për fat të keq, e ka pësuar”. Njëherë tjetër, duke shëtitur, ai i thotë Kafkës për Helenën, shoqen e tij. Pasi e dëgjoi ai i tha: “Njeriu kur bie në dashuri bëhet i përgjegjshëm jo vetëm për veten e vet, por edhe për partnerin. I dashuruar njeriu e gjen veten në një gjendje dehjeje speciale, e cila ndikon në aftësinë e tij për të gjykuar. Gjykimi i tij kthehet në paragjykim. Uni i njeriut të dashuruar zgjerohet e jo rrallë e përmbyt koshiencën. Por koshienca, nga ana e saj, megjithëse më e dobët se uni, tenton të drejtojë e orientojë njeriun andej nga gjykon ajo. Dhe në këtë mënyrë njeriu bëhet fushëbetejë keqkuptimesh nga më të rëndomtat e deri tek ato të rrezikshmet. Njëherë ai e pyeti mikun e tij për kinemanë. A të pëlqen kinemaja doktor? “Pasi u mendua pak, Kafka iu përgjigj: “Të them të drejtën nuk kam menduar ndonjëherë për këtë gjë. Kinemaja më duket një Londër e stërmadhe, që unë nuk arrij ta duroj, ndoshta ngaqë jam karakter që më pëlqen vizualiteti. Unë jetoj sidomos me sytë e mi, dhe kinemaja sikur më pengon të shoh gjërat reale. Shpejtësia e lëvizjeve dhe ndryshimi i shpejtë i imazheve në kinema të detyrojnë vazhdimisht të shkosh andej nga kërkojnë të çojnë ata. Kështu vështrimi nuk arrin t’i zotërojë imazhet, përkundrazi janë imazhet ato që e pushtojnë shikimin e pastaj tentojnë të përmbysin dhe koshiencën e njeriut. Filmat janë perde hekuri”. Njëherë biseda e tyre ndali te shkrimtarët e rinj. “Sa zili i kam të rinjtë!”, tha Kafka. “Jam i vjetër sa populli hebraik, i lashtë sa çifuti endacak”, vazhdoi ai. “E shoh që po të fus frikën. Mos ma vër re, ishte thjesht një tentativë për ta kaluar temën me shaka. Megjithatë rininë e kam zili. Sa më tepër plaket njeriu, aq më shumë zgjerohet horizonti i tij mendor, por, nga ana tjetër, mundësitë në jetë bëhen gjithnjë e më të pakta, deri sa vjen një kohë e njeriut i mbetet vetëm vështrimi e frymëmarrja. Dhe ky është momenti kur njeriu ka mundësi që me vështrimin e tij të përqafojë jetën e vet, për herë të parë… e të fundit”. Përballë ndërtesës së zyrës së babait të Janouch, mik i Kafkës, ndodhej një hotel i vjetër, i cili kishte vetëm dy kate dhe frekuentohej nga gra që shëtisnin poshtë e lart nëpër trotuare. Teksa priste Kafkën të zbriste, djaloshi i ri kishte fokusuar vështrimin te këto femra. Kur erdhi pranë tij ai i tha: “Po të shihja nga dritarja që ishe i përqendruar duke vështruar vajzat…”. “Këto vajza nuk më interesojnë. Janë klientët e tyre ata që zgjojnë kureshtjen time”, i tha ai. Atëherë Kafka i thotë: “Gjuha çeke është shumë e thellë dhe e sinqertë. Përcaktimi i këtyre grave me fjalën ‘Bludiçika’ (diell janari), është i saktë. Sigurisht që ndihen tepër mjeranë e të braktisur meshkujt që pretendojnë të ngrohen në vatrën e këtyre grave të mjera. Meshkujt që frekuentojnë ato femra janë në një gjendje të tillë sa mjafton një vështrim kureshtar për t’i plagosur. Rruga drejt dashurisë nganjëherë kalon duke përshkruar neveri e mjerim, por, nga ana tjetër, kush përçmon këtë rrugë ka mundësi të mos arrijë aty ku dëshiron. Dhe kështu njeriu nuk ka rrugë të mesme, duhet të pranojë më përulësi situata të ndryshme që has gjatë kësaj rruge….”

Franc Kafka jetoi pak, ai vdiq pa mbushur akoma dyzet vjeç. Bëri një jetë intensive. Jeta e tij është vepra e tij. Kush e ka lexuar veprën e Kafkës nuk e ka të vështirë të shohë se jeta e njeriut është një rrezik që duhet përballuar. Në veprën e Kafkës nuk ekziston lumturia, por vetëm motive që e bëjnë njeriun të ndihet fajtor…

Lufta për dokumentet e Kafka-s kthehet nëpër gjykatat e Izraelit

Franz Kafka
Nga Christoph Schult, "Der Spiegel"

Para se të vdesë, në vitin 1924, Franz Kafka ia kishte lënë letrat e tij Max Brod-it, i cili i kishte nxjerrë nga Çekosllovakia para avancimit të nazistëve. Tani, vajza e sekretares së ndjerë të Brod-it dëshiron t'ia shesë ato një instituti gjerman. Por beteja ligjore në Izrael është bërë Kafka-eskë. Dikush duhet të ketë shpërndarë gënjeshtra rreth Eva H. sepse, megjithëse ajo nuk mban gjëra me vlerë në apartamentin e saj, një infiltrues kishte hyrë vonë një natë. Macet e saj papritmas kishin ngritur kokat e tyre dhe pastaj silueta e një burri muskuloz, që mbante dorëza të bardha, u duk përballë xhamit të derës së dhomës së saj të fjetjes. Eva Hoffe, 75 vjeçare, e mori telefonin celular dhe thirri 100, numrin e policisë së Izraelit. "Është një hajdut në shtëpinë time, Spinoza Street, Tel Aviv," pëshpëriti ajo. "A jeni e sigurt se ai është ende në apartamentin tuaj?" pyeti zëri në fundin tjetër të linjës. "Ai po qëndron përballë derës së dhomës së fjetjes," u përgjigj plaka. Derisa erdhi policia, infiltruesi misterioz kishte ikur. Hoffe nuk beson se kjo ka qenë koincidencë. Disa ditë para përplasjes së papritur të natës, një artikull i hollësishëm rreth saj ishte paraqitur në gazetën izraelite Haaretz - saktësisht asi lloj vëmendjeje që ajo nuk e kishte dashur. Eva Hoffe është vajza e Ilse Ester Hoffe, ish sekretare e shkrimtarit të ndjerë Max Brod. Brod kryesisht është i njohur si mik, mentor dhe biograf i Franz Kafka-s. Kafka ishte bërë i njohur botërisht vetëm atëherë kur Brod ia kishte botuar, pas vdekjes së tij, në vitin 1924, librat "Procesi" dhe "Kështjella". Pa Brod-in, veprat e Kafka-s do të ishin harruar. Kafka ka vuajtur nga një varg i gjendjeve fizike dhe mendore dhe, para se të vdiste nga komplikimet që kishin të bënin me tuberkulozin, në vitin 1924, ai ia kishte besuar Brod-it një kapule me dokumente të shkruara dhe i kishte kërkuar që pas vdekjes së tij t'i shkatërronte dorëshkrimet e pabotuara. Brod e kishte injoruar dëshirën e fundit të mikut të tij. Kur nazistët e kishin pushtuar Çekosllovakinë në vitin 1939, ai i kishte paketuar dokumentet në një valixhe dhe kishte ikur në Tel Aviv. Brod kishte vdekur atje në vitin 1968 dhe ato letra ia kishte lënë trashëgim sekretares së tij Ester Hoffe. Kur ajo kishte vdekur para dy vjetëve, në moshën 101 vjeçare, dy vajzat e saj, Eva Hoffe dhe motra e saj e madhe Ruth Wiesler, e kishin trashëguar koleksionin - së paku kështu kanë menduar ato. Thesari misterioz Tani kjo trashëgimi letrare është bërë subjekt i një konflikti Kafkaesk, i cili duhet të zgjidhet në gjyq. Një pjesë e madhe e kontradiktës mbetet enigmatike, pohimet e bëra nga anë të ndryshme janë vështirë të kuptueshme dhe duket se askush nuk e di se çka mund të përmbajë thesari misterioz. Biblioteka Kombëtare e Izraelit ka përgatitur dosjet për një vendim gjyqësor mbi ekzekutimin e testamentit. Madje edhe gjatë kohës sa ka qenë gjallë Ester Hoffe, ky institucion ka tentuar më kot të sigurojë të drejtat e arkivit Kafka/Brod. Për më shumë se një vit motrat Hoffe kanë qenë duke pritur një vendim nga gjykata e Tel Avivit. Një numër në rritje i grupeve duan të marrin pjesë në proces gjyqësor. Procesi i filluar nga biblioteka izraelite pretendon se Ester Hoffe në mënyrë të paligjshme e ka marrë në zotërim letrat nga Brod-i dhe ilegalisht një pjesë të tyre e ka shitur jashtë. Në vitin 1988, Sotheby's në Londër kishte vënë në ankand dorëshkrimin origjinal të romanit "Procesi" të Kafka-s. I ishte shitur për 3.5 milionë marka (1.8 milionë euro) Arkivit të Letërsisë Gjermane në Marbach. Çfarë thesaresh mbesin të fshehura në kutitë e sigurta të depozituara të së ndjerës Ester Hoffe? Gjatë jetës së tij të shkurtë, a mos ndoshta Kafka ka shkruar vepra të tjera letrare që ende janë të panjohura? Dhe çfarë depërtime të reja mund të fitohen duke i lexuar shënimet personale të Brod-it mbi Kafka-n? Kalon pa u folur se kjo gjithashtu ka të bëjë me paratë dhe aq më shumë për ndjeshmëritë gjermano-izraelite. A duhet që trashëgimia letrare e autorit hebre Max Brod, i cili duhej të ikte prej nazistëve, të përfundojë në Gjermani? Në çdo rast, motrat Hoffe janë duke e konsideruar shitjen e dorëshkrimeve të mbetura arkivit letrar në Marbach. Para dy muajve, instituti i njohur gjithashtu ka aplikuar në gjyqin familjar në Tel Aviv për t'u bërë pjesë e debatit për trashëgiminë. Dhe një tjetër pretendues ka dalë në skenë: botuesi izraelit Amos Schocken. Gjyshi i tij Salman Schocken, i cili gjatë viteve njëzetë zotëronte një zinxhir të dyqaneve në Gjermani, i kishte blerë të drejtat e autorit të dorëshkrimeve prej prindërve të Kafka-s. Nipi i tij, Amos, sot e boton gazetën izraelite Haaretz, raportimet e së cilës kanë tërhequr vëmendje të madhe për procesin gjyqësor. Në luftë me ‘gënjeshtrat dhe shpifjen' Gazeta ka botuar një portret të Ester Hoffe dhe dy vajzave të saj si familje kokëforte, të krimbur në para, që po i pengon hulumtuesit nga marrja e mundësisë për të pasur qasje në trashëgiminë kulturore botërore. Jo vetëm që gazeta ka pasur dyshime ndaj të drejtës së tyre për trashëgiminë letrare, por gjithashtu edhe në mundësinë e tyre për t'u përkujdesur për dorëshkrimet. Tani Eva Hoffe ka folur për Spiegel dhe, për herë të parë, e ka rrëfyer versionin e saj të ngjarjeve. Ajo thotë se dëshiron të ngrehë padi kundër ‘gënjeshtrave dhe shpifjes'. Hoffe po qëndronte në zyrën e avokatit të saj, me një raft librash të mbushur me vëllime librash të drejtësisë prapa saj dhe një pirg dokumentesh të grumbulluara përballë saj. Ajo ishte e veshur me modesti, me këpucë tenisi dhe një pulovër të zi. Sytë e saj të kaltër të vegjël lëviznin të shqetësuar dhe bërrylat e saj ishin vendosur gjerësisht në mënjanë tavolinës, sikur shmangej nga ndonjë sulm.

Procesi koment dhe analize ( Franc Kafka )



Maks Brod, nje miku I tij qe pergatiti librin per botim ka thene : “Kur mora doreshkrimin e “Procesit” e lexova me nje fryme.Nuk kishte titull por Kafka keshtu e quante sa here binte fjala per te.Kete liber vete Kafka e quante te paperfunduar,pavaresisht se e kishte kreun e fundit.Ai mendonte se duhej te shtonte disa ane te tjera te atij procesi misterioz.Por megjithate, po mos t’a dija se Kafka ka patur ndermend ta vijonte punen me kete roman,une nuk do te gjeja asnje mangesi ne te.”

Struktura

Romani permban dhjete krere.Ne secilin prej tyre ka nje histori dhe ngjarje te vecante,qe duke u nderthurur krijojne permbajten e gjithe romanit.

Subjekti

Romani tregon per nje qytetar te rendomte,nenpunes banke nga nje qytet I panjohur ,te cilin nje mengjes e arrestojne dy police,pa ndonje arsye,per nje krim qe nuk I tregohet as atij dhe as lexuesit.Ato nuk tregojne se cilit autoriteti I pergjigjen .Perderisa ndaj tij nuk ka nje akuze te percaktuar,procesi I tij mbetet pezull.Gjate kesaj kohe njihet me mjegullsine e gjykatave,absurdin , hierarkine e posteve jo vetem ne gjykate por dhe ne jeten e mirefillte.Atehere ai imagjinon marifete nga me te deshperuarat,qe zbulojne para tij ingranazhe te pakuptueshme dhe mbytese. Duke mos ditur kujt t’i besoje dhe ku te kapet,ai ulet vete te perpiloje mbrojten e vet ne te cilen kerkon falje per cdo gje qe ka bere,duke firmosur keshtu aktin e fajesise dhe denimin e vet.
Ne kapitullin e fundit ate e vrasin dy policet qe e paten arrestuar ne fillim te librit.Pa proces,ose me sakte para se procesi te perfundonte,Josef K.-ne e vrasin “si nje qen”dhe me keto fjale,me te cilat personazhi percakton veten,mbyllet libri.

Interpretimi dhe kuptimet

Ne rrafshin politik :
Qytetari I pafajshem eshte paditur per dicka qe se ka kryer kurre;ne fund te fundit ai nuk eshte paditur sipas rregullave,por duhet vetem te paraqitet para gjykatesit dhe perfundon I vrare si nje qen pa degjuar akuzen,pa e marre vesh fajin.Ai eshte nje qytetar I cdo vendi ku mbizoterojne ideologjite totalitare.
Ne suazen e perandorise Habsburgase,brenda se ciles zhvillohet vepra letrare e Kafkes ,mbase cdo qytetar kishte pershtypjen se ndodhej para deres se ligjit,fajtor per dicka qe askush nuk e gjente dot.Ne kete rast “Procesi”eshte nje kritike ndaj administrates dhe teresise politko-shoqerore te perandorise.
Sipas ketij interpretimi pak a shume politik,”Procesi” eshte nje roman profetik, te cilin e bejne aktual tmerret e shekullit te XX.I referohem ketu ngjarjeve te pas Luftes se Dyte Boterore,milionave te vdekurve te pafaj ne kampet e perqendrimit,te denuar me vdekje pa pa bere asnje krim,pa qene fajtore.Nje nder ta eshte dhe personazhi I Kafkes,perfaqesues I parakohshem gjenial I asaj kohe,e cila dinakerisht formulonte ne leter dhe ne mbledhjet nderkombetare te drejtat e njeriut,por nuk I mbronte.



Rrafshi juridik :
Kafka ka thene se “Njerezimi behet nje mase e perhime,pa trajte dhe anonime kur heq dore nga ligji qe I jep trajtat.Gjate gjithe jetes,tema e ligjit ka qene nje ankth I vertete per te.
Ligji ne aspektin juridik ,e perdor procesin gjygjesor me qellim qe te imponohet dhe te respektohet per te miren e nje shoqerie.Ky ligj,prek personalisht secilin nga ne,sic e verteton Kafka kur roja I thote fshatarit te dera se dera e vdekjes eshte e rezervuar vec per te.
Kjo pjese e librit,eshte botuar me para librit,si nje skice e pavarur.Aty flitet per nje njeri qe shkon para deres se gjykates qe te hyje,por roja I thote se s’mund te hyje tani.Burri e pyet ne mund te hyje ndonjehere dhe roja I pergjigjet qe po mbase.Atehere burri pret ne stolin afer deres per shume vjet me rradhe,dhe kur I afrohet vdekja e pyet per here te fundit rojen nese mund te hyje dhe roja I pergjigjet:”Askush tjeter s’mund te hynte ketu,sepse kjo porte ishte bere vetem per ty,dhe tani une do ta mbyll”
Pra ajo s’ishte asgje tjeter vecse porta e vdekjes,paska paradoksale qe porta e gjykates te jete porta vdekjes.Eshte ligji ai qe e solli kete qytetar ketu dhe po ai qe nuk e lejon t’i afrohet.Ketu Kafka tregon se ligji eshte teper abstrakt dhe I paprekshem nga njerezit sepse ai ekziston por ne realitet nuk zbatohet.Kjo thuhet ne kapitullin e pare duke na parapergatitur per ndodhite me vone : “K. jetonte ne nje shtet ligjor,kudo mbreteronte paqja dhe ne fuqi qene ligjet.C’ishin ata qe guxonin ta cenonin ne shtepine e tij? “
Gjithasht tregon se qe drejtesia nuk funksionon sipas logjikes se njeriut,por sipas ligjit te me te fortit.Pra eshte nje sistem ku njeriu eshte I denuar te jete fajtor.

Ne rrafshin filozofik
Historia e Josef K.-se paraqet historine e cdo njeriu,si trashegues I mekatit fillestar.Njeriu u debua nga parajsa dhe akuzohej se kishte mekatuar kunder ligjit burimor,ligjit te pare.Ne kete bote,njeriu po lane pasojat e mekatit original.Josef K.-ja nuk e pranon procesin;ai perpiqet te mbrohet se nuk eshte besimtar,apo se e ka harruar thelbin.
Ne kete pike Josef K.-ja e humb sensing e realitetit.Ai nuk e kupton nese ndodhet ne burg apo eshte I lire dhe as se cili eshte e c’pune kane te tjeret me te.Ajo c’ka nis si drame e dyshimit mbaron si drame e fatit njerezor.
Ne fund te romanit shuhet dhe mbaron gjithcka siku nuk ka ekzistuar kurre me pare.Ai qe vazhdon te ekzistoje eshte absurdi ne jeten njerezore.Gjitcka ndodh nen dekorin e diteve te zakonshme ne nje qytet ku vete ideja e pafajesise eshte vrare : “Ai ka bere dicka,perderisa po e marrin.”
Veprimet e Josef K.-se jane ne kufirin maksimal te absurdit.Ne kapitullin e fundit arrihet kulmi I absurditetit.Ai e di qe po shkon drejt ekzekutimit,por nuk ben asgje per te shpetuar,madje as nuk thote me qe eshte I pafajshem “A do te mundem,valle,te jap tani prova,qe per nje vit procesi nuk me ka sherbyer per asgje? “
Denimi absurd me vdekje shoqerohet normalisht me nje vdekje akoma me absurde.Ai vazhdimisht shikon nga dritaret.Shumica e tyre jane te mbyllura dhe ne ket cast tragjik,vecse ne nje dritare duket nje burre I moshuar “Ndonje mik?Ndonje njeri I mire?Ndonje qe donte ta mbronte? “ Kjo tregon vetmine para vdekjes,dhe se fundmi tragjiciteti I romanit arrin kulmin ne fjaline “dhe iu duk sikur trupi do te mbijetonte dhe pas tij” sepse sipas fese eshte shpirti ai qe jeton pas vdekjes ndersa ne kete rast kemi nje logjike te permbysur dhe absurde.

Franc Kafka i plote me prozen e shkurter




Shumica nga gjuhe te treta. Shume nuk e kuptuan dhe ia hodhen fajin perkthimit te tjere nxoren perfundimin se ne te vertete eshte nje autor i veshtire. Por kesaj here ai vjen i plote ne nje perkthim te vertete duke e lene lexuesin te zbuloje universin e tij letrar. Franc Kafka vjen per lexuesin shqiptar me vellimin Vepra e plote ne prozen e shkurter ku perfshihen te gjitha tregimet novelat skicat fragmentet shume syresh te pabotuara me pare ne vendin tone. Vepra keto qe vijne fale shqiperimit te perkthyesit Ardian Klosi. Libri u prezantua mbreme ne ambientet e Teatrit te Metropolit ku nder te tjera aktori Timo Flloko lexoi pjese nga vepra e Kafkes si Heshtja e sirenave Poseidoni Kulla e Babelit Nje mesazh perandorak etj. U shfaq gjithashtu edhe filmi Keshtjella mbeshtetur mbi nje prej veprave me te njohura te shkrimtarit. Per ta sjelle Franc Kafken ne shqip eshte bere nje pune kolosale e cila nis qysh ne vitin 1990 per tu finalizuar plot 20 vjet me vone. Vepra prej 525 faqesh perfshin 86 krijime ne gjini te ndryshme te botuara para dhe pas vdekjes se shkrimtarit. Disa nder titujt qe mund te shfletojme ne kete permbledhje jane Pershkrimi i nje lufte Pergatitje dasme ne province 3 variantet Refuzimi Rroba Rruga per ne shtepi Te ndihesh fatkeq Femije ne rrugen e fshatit Demaskimi i nje mashtruesi Fatkeqesia e beqarit Vendimi Kaldajisti Shnderrimi Para ligjit Mesuesi i fshatit Vellavrasje Ura Nje vizite ne miniere E verteta per Sanco Pancen Leter babait Emblema e qytetit Nje artist urie Ne sinagogen tone Hulumtimet e nje qeni Bashkeshortet Nje grua e vogel Jozefina kengetarja ose Populli i minjve etj. Libri eshte i shoqeruar edhe nga nje kronike jete dhe nje pasthenie e perkthyesit Ardian Klosi i cili nga njera ane permes te dhenave autobiografike dhe nga ana tjeter permes rrugetimit te Kafkes ne shqip e ndihmon lexuesin te hyje ne universin e shkrimtarit e ta kuptoje ate. Ai informon lexuesin per jeten e shkrimtarit per prejardhjen e tij familjare studimin punen ne nje shoqeri sigurimesh udhetimet shoqerite dhe se fundmi semundjen e tij qe i mori jeten ne nje moshe ende te re. Te gjitha keto hedhin drite mbi nje sere krijimesh te Kafkes si Leter babait apo Shnderrimi etj. Perkthyesi na ofron edhe nje fakt kurioz nga jeta e shkrimtarit cek me origjine hebreje per marredheniet e tij me femrat. Te gjitha tentativat e tij per lidhje te qendrueshme me to rezultuan te deshtuara. Ne te gjitha leterkembimet Kafka shprehte friken nga afrimiteti dhe lidhjet. Frika e tij me e madhe ishte se mos i vidhnin naten te cilen ai e shfrytezonte per te krijuar.
Klosi shpjegon edhe formulen e ndjekur per botimin e ketij vellimi ne shqip. Sipas tij botimi ndjek kritere filologjike duke u respektuar variantet qe pergatiti per shtyp vete Kafka per ato proza qe u botuan dhe doreshkrimet autentike per pjeset qe la te pabotuara te renditura kronologjikisht sipas kohes se krijimit. Ai thote se per botimin ne shqip referimi baze ka qene Botimi kritik i Kafkes nje veper e pergatitur ne vitet 80 nga nje grup filologesh dhe dijetaresh gjermane te letersise ku regjistroheshin te gjitha shkrimet e tij sipas rendit kronologjik. shte respektuar ortografia dhe pikesimi origjinal madje ne aparatin shoqerues botohen edhe frazat a pjeset te cilat Kafka i ka hequr me pas. Ne kete forme vjen edhe Vepra e plote ne prozen e shkurter. Klosi nder te tjera nuk le pa permendur meriten qe ka miku i Kafkes Max Brod ne mbijetesen e kesaj vepre. Iu desh te dilte perkunder nje amaneti duke mos permbushur kerkesen e Kafkes per djegie te veprave te tij pas vdekjes. Ishte ky vendim i Brodit qe shpetoi vepren e Kafkes dhe i nxori ne drite bashke me tri romanet I humburi Procesi dhe Amerika pas vdekjes se Kafkes. Ishte ky vendim fatlum qe solli deri ne ditet e sotme vepren e nje prej shkrimtareve me te diskutuar te letersise se shek. XX vepra e te cilit eshte analizuar nen driten e shume shkollave letrare. Kafka ne Shqiperi
Si lexues i Kafkes ne Shqiperi ke pasur nje fatkeqesi dyfishe. Se pari je nisur ta gjykosh kete shkrimtar si perfaqesues te nje moderniteti dekadent para 90-s me frike adhurim te fshehur largim pas 90-s me respekt pa kufi dhe pa dijeni diktuar nga te tjeret. Se dyti literatura dytesore per Kafken ne rreth 80 vjet qysh se i dha famen Brodi eshte rritur ne menyre galopante kendveshtrimet dhe interpretimet kane krijuar shkolla me vete eshte e pamundur tu shpetosh atyre sidomos kur kerkon ndihme pasi futesh neper labirinte ku te duket se vete nuk e gjen dot rrugedaljen. Ndaj e quaj fatkeqesi natyrisht ne thonjeza. Sepse ky handikap eshte po aq edhe iluzion. Ai mund te lihet teresisht menjane dhe ti vihesh leximit te Kafkes sikur te mos e kesh njohur kurre me pare kete autor dhe te mos kesh degjuar asgje per te. Do tua keshilloja te gjitheve kete menyre leximi sidomos te rinjve. Kafka eshte perkthyer jo pak ne keto 20 vjetet e fundit menjehere pas renies se censures. Ka bere nje pune te levdueshme sidomos Gjergj Vlashi ndoshta edhe perkthyes me te rinj. Megjithate nuk jane te pakta rastet kur Kafka eshte perkthyer nga gjuhe te treta nje praktike sot e palejueshme kur behet fjale per gjuhet e medha te kontinentit tone qe kane perkthyes te kualifikuar. Edhe kjo ka qene nje arsye qe me nxiti ne kete sipermarrje. Ne shqiperim domethene qysh ne punen pergatitore perdora pikerisht qasjen qe u cek me lart ate te zhveshuren nga cdo paragjykim. Kenaqesia ishte e jashtezakonshme. As nuk mund te krahasohej p.sh. me leximin e Metamorfozes ne moshen e gjimnazit kur detyroheshim ta fshihnim librin jo me vetem nga shoket e dyshimte te klases dhe mesueset paditese por edhe nga prinderit. Nderkaq Metamorfoza ose me sakte Shnderrimi nuk kishte asgje politike madje ideologet tane kane qene vertet shume naive sepse proza si keto fare mire mund te interpretoheshin si tehuajtje e njeriut ne sistemin kapitalist si revolte e shkrimtarit ndaj ketij sistemi etj. Ndaj leximi i pandikuar i Kafkes eshte i vetmi qe te lejon te hysh i carmatosur ne boten e tij. Vetem keshtu mund te hyhet. Leximi i Kafkes sipas metaforash qe ky i paska pasur nder mend dhe qe tani ti sugjerojne te tjeret eshte as me shume e as me pak por shkaterrim i leximit domethene i kenaqesise se vecante.
Shijoni keshtu per shembull vetem gjuhen ne qofte se ju lodhin te tjerat. Maks Brodi shkruan diku Merrni vetem gjuhen e tij Gjuha e tij eshte e paster si kristali ndersa ne siperfaqe nuk veren ndonje perpjekje tjeter pervecse deshires per tiu pershtatur objektit. E megjithate nen pasqyren e hijshme te ketij lumi te kthjellet gjuhe rendin endrra vizione me nje thellesi te pamatshme.
Alma Mile

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...