Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/23

“Trenat” e Haqif Mulliqit përshkojnë Apolloninë

Pas netëve të xhazit, skenës antike të Apollonisë iu rikthye sërish teatri. Mbrëmë, në “Apolonia International Fest 2013” ishte radha e teatrit. Një mbrëmje me nota të trishta, që të kthente pas në vitet e luftës shqiptaro-serbe, në dramat e humbjeve të mëdha, ku një nga më të rëndat ishte edhe ajo shpirtërore. Veni dhe Vini, burrë e grua, janë dy personazhet e dramës “Trenat”, shkruar nga dramaturgu kosovar Haqif Mulliqi dhe me regji të Agim Selamit. Ata, raporton Panormama, janë në pritje të trenit, që do t’i çojë larg një fatkeqësie të pritshme nga pushtuesit, por treni nuk vjen.

Vijnë ata që dhunimin dhe përdhunimin, pa e pyetur për moshën e gjininë e përdorin si mjet, si armë lufte. Këtu nis drama, personazhet e së cilës, edhe pas pësimit, mbesin në pritje të trenit, por tani për të ikur nga vetja e tyre. Mbesin në pritje të atij treni që do t’i shpinte diku, kudo qoftë, larg qenies së tyre fizike, shpirtit, psikës, emocioneve, ndërgjegjes, gjakut…

Ai tren për Veni-Vini-n nuk vjen kurrë. Në këtë pritje pa fund shpërthejnë akuzat, kundërakuzat, vetakuzat, mospajtimet e konfliktet, shpresa, dashuria e dhimbja e Veni-Vinit, që herë ndërtojnë, e herë shkatërrojnë njëri-tjetrin. Ata tashmë janë kthyer në dy personazhet beketianë, Vladimiri e Estragoni, ndërsa treni në një Godo. Në fund të dramës, Veni e thërret gruan e tij Vinin me emrin që Estragoni e Vladimiri e thërrasin njëri-tjetrin: Didi. Më në fund, vdekja vjen për njërin prej tyre dhe ai udhëtim vajtje-ardhje tani ka vetëm një biletë pa kthim.

Dhimitër Shuteriqi dhe autoportreti në tekste letrare

Autoportreti që krijon shkrimtari nëpër tekste, mund të konsiderohet si një manifest i pastër alegorik që të fton të rilexosh dhe të kuptosh më mirë veprën e tij. Në këtë mënyrë lexuesi ndeshet me një koncept profetik që ravijëzon gjurmët e vlerave emblematike ku kufijtë e një dysie jetë/vepër shkrihen e ia lënë vendin njëra-tjetrës. Shpesh topos-et e një jete në vepër paraqiten me një qëllim që ka të njëjtin regjistër me vetë tekstet. Nuk mund të flitet me siguri se një autor frymëzohet gjithnjë drejtpërdrejt nga rrethanat e jetës së vet, por dihet se ai mbështetet së pari në realitetin e përvojës së jetuar. Duke shpjeguar tekstet, nisur nga hollësi të veçanta, shkrimtari jep shpeshherë dëshmi kaq të sakta jetësore, sa shqyrtimi i veprës së tij bëhet në një tejdukshmëri të mahnitshme. Nëse imagjinojmë një jetëshkrim, jemi të detyruar të nënshkruajmë një marrëveshje mes pohimeve që mund të gjenden në tërë veprën, të shprehura qartë, pa maskë ose dykuptimësi dhe vështrimit të jetëshkruesit që vjen gjithnjë nga jashtë. Skema e paraqitjes organike të zhvillimit letrar të shkrimtarit, është provë e lidhjes së sinqertë që mban ai me të shkruarit. Rrëfimi që përzien intimen dhe universalen përgjithësisht është shumë i dallueshëm në botën letrare. Shkrimtari te Dhimitër S. Shuteriqi është një njeri i kohës së vet. Megjithatë nuk duhet harruar se autori sjell një qëndrim të ri në paraqitjen e pjesshme të ngjarjeve jetësore dhe të historicitetit të tij si individ.

Nuk është asnjëherë jashtë logjikës që ky mbetet kushti i parë i kërkesës për të gjetur përligjjen tekst/autor e për t’i vendosur në të njëjtën shkallë vlerësimi. Kështu ne mund ta kundrojmë nga afër lidhjen e tij me tekstin letrar. Përmasa intime e shumë teksteve përfshin dy vështrime: atë vertikal dhe atë horizontal, por vepra kërkon një përgatitje profesionale dhe një përvojë gjithnjë të re leximi. Duke lexuar tekstet e Shuteriqit ne e kuptojmë si vizatohet autoportreti i një krijuesi njëherësh real dhe imagjinar që përshkon veprën si një imazh që shumëfishohet, duke u shndërruar kështu në një instrument novator. Bie fjala, në gusht 1918, në qytetin e tij të lindjes, në Elbasan, ndodh një ngjarje që ai megjithëse është tre vjeç, do ta skalisë në mendje për ta përshkruar shumë vite më vonë te tregimi Çështja e fullatave (Vërshimet e vjeshtës, 1984), në të cilin risjell atmosferën e asaj dite të largët, parë me sytë e një fëmije, duke sajuar një histori fantastike: kartolinat e vitit 1915 mbërrijnë dhjetë vjet më vonë në perandoritë e rrëzuara.

E njohim nga kujtimet e tij të shkruara te dorëshkrimi i pabotuar Fletë nga jeta ime, por edhe nga rrëfimet gojore udhëtimin e parë të Shuteriqit, i cili do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë së tij. Atë udhëtim gati romanesk, ai do ta përshkruajë me hollësi në librin me tregime për fëmijë Gurnecka (1957), duke dëshmuar se me atë udhëtim fillon edhe jeta e vërtetë e tij prej fëmije që do të bëhet shkrimtar. Konteksti është i jetuar.

Ngaqë e kanë futur në një arkëz, që të mos rrëzohet, se është i vogël, djali ngrihet paksa dhe herë pas here sodit hapësirën e pafund që hapet përpara syve të tij të habitur. Tërë rrugëtimi gjallon me tringëllima e zëra: “Bëhej kështu një muzikë këmborësh, cicërimash e përrenjsh që rrjedhin ëmbël, muzikë që vetëm ai që e ka dëgjuar mund ta marrë me mend mirë. Të gjitha më kanë mbetur në kujtesë si gjëra të çuditshme” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 9).
Pranë fshatit Përrenjas, në një rrugë më të shtruar e më të gjerë, shfaqet së largu “e përmbibukur” fusha e Domosdovës. Ja si e përshkruan pena e shkrimtarit:
“Ata që s’e kanë parë atë fushë, të mos e lënë pa e parë, se është një nga më të bukurat e Shqipërisë. Është një pllajë e madhe, rrethuar prej malesh të larta, herë të gjelbëruara, herë të përhirta dhe shkëmbore. Nëpër fushë, – ara misri, grurore, shelgjishta të gjata, rrjedhin ose burojnë të padukshme, ujëra të kristalta. Rrëzë maleve, zbardhojnë shtëpitë e kaq fshatrave” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 14).
Shkrimtari e lehtëson detyrën e lexuesit, sepse rrëfimtari bëhet shkrimtari që ndryshon herë pas here rolin e tij në një skenë të hapur. Në këtë pikëpamje bota është një konceptim i qenësishëm i ligjërimit dhe kjo shpjegon arsyen përse nëpërmjet teksteve letrare, lexuesi ëndërron një hapësirë përherë e më domethënëse. “Shpesh kam menduar më pas te ajo dallëndyshe dhe mendoj edhe sot me trishtim. Ne ishim nisur për një udhë të gjatë, si dhe zogjtë. Merreni me mend sikur edhe ndonjëri nga ne të kishte mbetur udhës, ashtu si mbeti ajo dallëndyshe fatzezë” (Dallëndyshet, në librin Gurnecka, f. 14).
Në kujtimet e disa shkrimtarëve tregohet sesi fillojnë ata të shkruajnë në një qetësi absolute, të rrethuar me personazhe që kërkojnë jetën në vepër. Ka edhe Shuteriqi një tregim të bukur, një bashkëbisedim fantastik me gurneckën e parë. Në të vërtetë jeta e një autori gjendet në një “rifigurim” të pandërprerë, thotë Paul Ricœur, një kritik i shquar francez. Ky rifigurim mbetet përherë motor i brendshëm në veprën letrare. Ja si e transpozon Shuteriqi në letërsi edhe udhëtimin e dytë. Tani është në makinë me të atin, kuptohet disi më i madh dhe që nga makina pamja e qytetit të Pogradecit, me ujërat që rrëzëllejnë nga dielli, duket ndryshe:
“S’ka gjë më të bukur sesa të shohësh Pogradecin dhe liqenin e tij nga qafa e Plloçës. Dikur, qyteti nuk shtrihej akoma buzë liqenit, si shtrihet sot. Pogradeci ishte një qytet i vogël, shumë i përmbledhur. Shtëpitë e tij sa mezi nxirrnin çatitë e kuqe përmes plepave dhe gështenjave. Liqeni shtrihej si një det i kaltëruar, i rrethuar me male të larta. Skaji, mezi i shquhej atje tej nga Veriu, nga Ohri dhe Struga” (Gurnecka, në librin Gurnecka”, f. 18).

Me Tushemishtin Simonin, të atin e Shuteriqit, e lidhnin shumë kujtime. Aty ai kishte edhe një vëllam, i cili vjen në Pogradec i mallëngjyer së tepërmi dhe i merr me qerre. Shkrimtari i ardhshëm vështron me kureshtje dy qetë e mëdhenj që tërheqin qerren ngadalë, duke ecur buzë liqenit me ujëra ngjyrë “gushëpëllumbi”. Rrugës për në shtëpi, ai dëgjon disa herë shprehjen që përsëriste vëllami i Simonit: “Kjo Shqipëri e mjerë e me fat të zi” e që e shoqëronte me një psherëtimë të thellë. Pastaj vëllamët flasin për varrin e Petrit. Petri ishte kushëri i Simonit, mësues që kishte vdekur atje, i ri, më 1905 (ai e shkruante shqipen me alfabetin e Todrit). Ja si e rikrijon Shuteriqi në një tregim, rrëfimin e vëllamit të Simonit për vdekjen e mësuesit, kur e kishin prurë nga Ohri, ku e patën çuar “ta shihnin” në doktor:

“Ishte natë, – tregonte ai, – natë pa hënë. Po ishte një natë e kthjellët. Qielli kishte çelur tërë yjtë. Liqeni s’kishte asnjë valë. Ujët ishte mavi i errët. Ishte i frikshëm uji atë natë.
[…] Mësuesi nuk i mbylli sytë gjithë udhës. Ai kishte dy sy të zes e të mëdhenj që tani i dukeshin edhe më të mëdhenj në fytyrën e tharë, petë. Nata ishte e ftohtë akull, po, kur e kur, mbi ballin e të sëmurit ndritnin bula djerse. Ai nuk ngopej së shikuari qiellin e yllëzuar, malet, që diçka dalloheshin nga e majta, gjemixhinjtë, që vozitnin pa fjalë.
[…]

Mbylli sytë dhe ashtu u shua dhe pushoi së jetuari, midis Shën-Naumit e Tushemishtit” (Një varr në Tushemisht, në librin Gurnecka , f. 37-38).
Krijimtaria e tij skalitet në një histori të dyfishtë: vetjake dhe universale. Jeta e brendshme e shkrimtarit dhe vepra e tij përgjithësisht janë një duo që formon një harmoni të përsosur, një metaforë shpirtërore. Këtë e shohim qartë edhe te këto vargje poetike.

“Dhe bashkë murmurojmë nën hënë;/ nëpër rrapishta dhe shelgjishta frushullore;/ lahet ndër ujëra hëna argjendore” (Shkumbinit, poemë, 1959, Vepra letrare 1, f. 199).
Fjala është për lumin Shkumbin valërrëmbyer, me të cilin autori ndien një lidhje të përjetshme. Në tekste të tilla ekziston një lëndë e prekshme, që përkthen raportin e tij me botën që na rrethon. Themelore, pra, është autentikja që përputhet me përvojën historike, e cila përkon edhe me përvojën ndjenjësore. Për shembull, në fëmijërinë e Shuteriqit është zhvilluar një lëvizje antizogiste në Dukagjin. Antizogistët e Dukagjinit i internojnë në Elbasan. Jemi në vitin 1925 dhe djali 10-vjeçar shikon për herë të parë njerëz që zgjatin dorën për lëmoshë. Një familje, dy pleq dhe e bija, që kishin rënë edhe në gjak, jetonin në një ahur përballë shtëpisë së Shuteriqëve. Vajzën e tyre ata e marrin ca kohë në shtëpi, se u vinte keq. U bënte ndonjë punë të vogël dhe e paguanin që të mbante pleqtë e saj me bukë. Një natë, ajo tregoi sesi i qenë vrarë tre vëllezërit, njëri pas tjetrit nga plumbi i hakmarrjes. E mbetur fillikat me prindërit, ajo e kishte vrarë me duart e veta gjakësin e vëllait të fundit. Dhimitri e dëgjon këtë ngjarje dhe e ngulit në mendje. Vajza ishte shumë punëtore dhe e bukur. Shumë vjet më vonë, pena e tij prej shkrimtari do ta përshkruajë kështu portretin e saj:
“ Prendja ishte e bukur, me një bukuri të egër. Gati leshverdhë, po sytë korb të zinj. Oh! Çfarë sysh të qeshur dhe krenarë! Edhe vetullat e saj, të verdha ishin. Tipare të tilla s’kam hasur ndonjëherë në bregdetin e jugut. Ja, për hundën e saj mund të thoshe se ishte si qiri. Buzët e fryra dhe mollëzat pak të mëdha e të dala, i kishte flakë të kuqe. E shoh akoma tek ecën dhe dëgjoj çapin e rëndë që i troket nëpër shkallët e shtëpisë sonë, Fyelli i Marsiasit, 1963, f. 162).

Është e vërtetë që në tekstet letrare Shuteriqi end në filigranë një autoportret. Ai është pasardhës i një familjeje intelektuale dhe patriote të Elbasanit. Kjo prejardhje i ka dhënë atij një formim të dyfishtë: fisnikërinë shpirtërore dhe fjalën, të cilat i shohim qartë mes të tjerash edhe në këtë fakt që ai e shndërron në tregim. Afër shkollës së fëmijërisë ishte një mulli (sepse në Elbasan, si vend i ullinjve, ngado kishte mullinj vaji) dhe ai ndalet shpesh aty. Përshëndet si shkollar që është, por edhe kënaqet kur mullisi me zë të ngjirur i përgjigjet: “Mirë se erdhe. Qofsh bekuar, çun i dajës” (Bisedë, mars 1995). Djali mbase përfytyron gjyshin, për të cilin i tregonin se kishte qenë mullis vaji. Vështron me kureshtje fytyrën e mullisit plak” me rrudha të thella si brazda”. Gjatë dimrit, shpesh herë, ai vjen nga shtëpia me një pite të ngrohtë në dorë, që mullisi t’ia regjë në vaj. Ndonjëherë hyn brenda dhe vëzhgon “gurët e mëdhenj, argatët, mengenenë, trarët ku vareshin pezhishkat, dritën e pakët dhe ngjyrën e errët të atij vendi, që i dukej se lëshonte grahma vjetërsire” (Fletë nga jeta ime, tekst i pabotuar. Arkivi familjar). Një ditë në pushim ai shkon në shtëpi dhe ia lë për pak kohë çantën e librave mullisit, por kur kthehet i duket sikur është pas derës së klasës duke dëgjuar mësim. Ai e përshkruan kështu këtë episod:

“Futa këmbën në mulli. Çuni (argati i ri) ishte ulur pranë dajë Monit, me librin të kthyer nga drita e derës dhe, mu në rrëzë të veshit, i lexonte ustait të vet me britma vargjet e Naimit. Dajë Moni i kishte ngulur sytë e ëmbël diku në errësirën e fshehtë dhe cigarja e tij, si një xhixhëllonjë, ndizej e shuhej në kënd të buzës, nën strehun e mustaqes. Te gjuri ai shtrëngonte çantën time të hapur” (Malli i shqipes, në librin Fyelli i Marsiasit, 1963, f. 186).

Kur është kohë e mirë Dhimitrit shkollar i rreh zemra fort, sepse do t’i jepet mundësia të shëtisë nëpër Elbasan. Në ullishtë kishte vende të ngrohta, qysh në mes të shkurtit, dhe fëmijë e të rritur do t’i shihje t’u gëzoheshin rrezeve të diellit, luleve të para dhe zogjve. Sa herë është ulur ai duke soditur i magjepsur një lëndinë me lule dhe bar!
“Cili nga ju ka parë fushë mali me bathra? Një fushë e tillë është pranë Elbasanit, mbi disa shkëmbinj të fshatit Baltës. Me mijëra dhe mijëra lule majë një kërcelli të gjatë, kthejnë nga dielli një si karafil të bardhë, me zemrën të verdhë. Të duket se kundërmon natyra gjithë. Fryn një fllad i parfumuar, i cili vjen që tutje, përtej malesh e detesh. Atëherë thua me vete: sa e bukur është kjo botë!” (Lulet dhe patëllxhanët, në librin Tregime të zgjedhura për fëmijë, 1975, f. 62).

Titanus Giganteus, insekti më i madh në botë që fshihet në pyjet e Amerikës






Pamjet tregojnë një ekzemplarë, ate të Titanus Giganteus, insekti më i madh në botë që fshihet në pyjet e Amerikës së Jugut. 


Ai është i gjatë deri në 18 cm, nuk fluturon dot gjatë, për shkak të dimensioneve të tij. Titanus Giganteus është një krijesë, që tregon forcën e tij për të trembur kafshët e tjera në rast rreziku. 

“Enver Hoxha pati lidhje intime me Edit Piaf, si u njohen ne baret e Parisit”

 Nga: FATMIRA NIKOLLI



Hoxha ka qenë në Paris dhe Bruksel i dërguar i Shërbimeve Sekrete të mbretit Zog. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur studiuesi Vasfi Baruti në librin e tij "Enver Hoxha në optikë të re". Në pjesën e dytë të intervistës në "Gazeta Shqiptare" për këtë monografi, ai flet për jetën në rini të diktatorit, duke cekur rolet në teatrin e qytetit të Korçës, debatin me Sabiha Kasimatin, marrëdhënien e Hoxhës me këngëtaren franceze Piaf, rrëfimin që ka bërë për të tek bashkëshortja Nexhmije Xhuglini...

“Enver Hoxha pati lidhje intime me Edit Piaf, si u njohen ne baret e Parisit”

Si trajtohet fëmijëria, shkollimi, për çfarë shquhej Enveri, subjektivizmi dhe objektiviteti në vlerësimin e tij?
Për traditë të familjes së Hoxhatëve, në breza kishin dalë klerikë të arsimuar, edukimin e parë për tre-katër vjet Enveri e mori në Mejtep, shkollë fetare me cikël të mbyllur, për klerik i lartë i arsimuar në Turqi apo vende të tjera arabe, por pa e mbaruar përjashtohej nga shkolla, për ndonjë paudhësi fëminore, që shquhej. Vazhdoi mësimet në shkollën shqipe "Drita" dhe që në klasën e parë e në vazhdim ishte tre apo katër vjet më i madh se shokët, prandaj dhe s'mund të mos ndjehej komandant i tyre, duke vringëlluar atë thuprën e thanës që e mbanin mësuesit për të vendosur rregull e disiplinë. Vazhdoi Liceun Francez të Gjirokastrës, për dy vjet, dhe me mbylljen e tij, tre vjetët e mbetura i mbaroi në Liceun Kombëtar të Korçës, që njihej me emrin Liceu Francez. Enveri ishte një fëmijë inteligjent, por me rezultate nën mesatare, madje edhe me provime në vjeshtë, në Liceun e Korçës, me notat më të ulëta në shkencat e natyrës dhe afër mesatares në lëndët shoqërore, si histori e gjeografi.
Në një biografi të botuar dy vjet më parë "konstatohet" se tek Enveri nuk binte në sy ndonjë gjë e veçantë për t'u shenjuar, ai nuk shquhej si një adoleshent karizmatik, përveç "një lloj angazhimi në teatër dhe një rol episodik që ai ka luajtur (B.F). Kësaj i thonë t'i vesh të vërtetës një fashë të zezë, pasi Enveri që fëmijë i vogël, me atë papionin dukej si një lord i vogël, shumë fotozhenik, Enveri kishte prirje për aktrim dhe letërsi apo histori. Në teatrin e shoqërisë "Studenti", Enveri nuk kishte rol episodik, por role të rëndësishme, siç ka mbetur në gazeta "Demokratia" e 31 marsit 1928: "… Nën impulsin e Enver Hoxhës dhe të shokëve të tij qyteti do të shijojë vepra të Molierit, Bomarshesë etj. Në pjesën e Molierit 'Doktor pa dashka' studenti Enver Hoxha luan dy role, të Valerit e të Thiboltit". Mesa shihet, Enveri ishte protagonist në rolin e organizatorit të teatrit dhe vazhdoi të aktrojë me grupin edhe kur ishte nxënës në klasën e tretë të Liceut të Korçës. Aftësia e tij për të shkruar u shfaq disa ditë pasi kishte mbaruar Liceun e Korçës, me fjalën e tij mjaft të ndjerë në ceremoninë mortore për përcjelljen e Vehab Ciut, një ndër shumë të paktë studentë i lauruar me çmim shumë të lartë, që rrallë jepej nga qeveria Franceze për studentë vendës e të huaj, paçka se në fjalën e tij shfaqi dhe një kufizim të ndjeshëm ideor, në gojën e një prifti të lashtë për kotësinë e jetës.
Në botimet partiake Enverit i jepen merita të pamerituara, që as arsyeja s'i pranon: "… Në moshën 12-vjeçare Enveri bashkohet me lëvizjen e protestave në Gjirokastër kundër pushtuesve të huaj" (1978). Ose, Enveri "rrëfehet" se ishte dashuruar me Moskën dhe luftën patriotike të rusëve, rrëfim i gatuar me fantaste politike e asfare i besueshëm për Enverin fillorist 10 a 11 vjeç atëherë: "Që i vogël, në bankat e shkollës, fillova të të dua me gjithë shpirt, o Moskë e madhnueshme. Kjo dashuri lindi në zemrën teme të njomë kur unë këndova për herë të parë luftën tënde të pavdekshme patriotike kundër Napoleonit, kundër invadorit francez …" dhe plot fantaste çmendurake shkruar për gazetën "Pravda" në 800-vjetorin e Moskës, nëntor 1947.
Është përfolur shumë bursa e Enverit në Francë, cila është e vërteta sipas jush?
Në tetor 1930 liceisti Enver fiton një bursë shtetërore për studime në Universitetin e Montpeljer, në seksionin e Botanikës dhe për këtë bursë u kaluan tri barrikada ligjërisht të pakapërcyeshme: Bursa jepej për nxënës me rezultate të larta në mësime dhe Enveri mbaroi liceun me rezultate nën mesatare; Enveri që kishte mbushur moshën 22 vjeç detyrimisht sipas ligjit duhet të kryente shërbimin ushtarak, ndërsa mbreti nuk kishte vënë kufizime politike për shkollimin me bursë të fëmijëve të kundërshtarëve të tij polikë, por për bursa jashtë shtetit, për fëmijë të emigrantëve politikë kishte kufizime të forta, Enveri kishte kunatin Bahri Omari në Itali, një kundërshtar politik i fortë i Zogut dhe këto tri pengesa veç e veç e së bashku e bënin të pamundur që Enveri të fitonte bursë, megjithatë kishte dhe një shteg shumë të ngushtë ku mund të kalohej: lëshimi bëhej "për nevoja specifike në interes të shtetit", siç e përcaktonte ligji. Në këto rrethana Enverit iu gjend kushëriri i dytë i tij, Abedin Hoxha, që mbante detyrën e Kryetarit të Shërbimit Sekret të Shtetit - Enveri rekrutohej për shërbime të veçanta në Francë dhe vërtet dokumentet mungojnë, por kemi postulatin e babait të historisë, Plutarkut: Kur mungojnë faktet, vër në punë argumentet. Megjithatë, argumenti "shërbime të posaçme për shtetin" merr vlerë hap pas hapi me të papritura befasuese të Enverit student, i përjashtuar si student e diplomat në Konsullatën e Brukselit. Për B. F. merita për bursën e Enverit i njihet Eqerem Libohovës, ministër i Punëve të Jashtme, i cili nuk ishte ministër i Jashtëm, i tillë ishte Rauf Fico.
Enveri në memoriaristikën e tij është i pasinqertë me rrëfimin për gëzimin e madh që ndjeu kur kishte lexuar në gazetë emrin e tij që kishte fituar bursë për Histori-Gjeografi dhe hidhërimin e madh në Ministrinë e Arsimit, kur i thanë se bursa e tij i ishte dhënë një tjetri, por e gjitha kjo është një pështjellim sepse në asnjë gazetë të kohës nuk gjenden të botuara emrat e liceistëve që kishin fituar bursë jashtë shtetit dhe që këtu rrëzohet alibia e Enverit me debatin e "padrejtësinë", që i ishte bërë në Ministrinë e Arsimit.
Cila ishte marrëdhënia e Enverit me Mirash Ivanajn?
Enveri për më shumë se tre vjet nuk dha asnjë provim apo dhe në dha ndonjë, ishte mbetës, por "Rregullorja për studime jashtë shtetit", e dekretuar nga mbreti dhe e botuar në Fletore Zyrtare e shkurtit 1929, është shumë kategorike se studentët që mbeten në provime, u pritet bursa (Art. 7) dhe detyrohen t'i kthejnë shtetit bursën e marrë ( Art. 12). Në rregullore përcaktohet qartë se inspektorët e ngarkuar për të ndjekur vijimin e përparimin e stuDentëve jashtë shtetit, tri herë në vit i dërgojnë ministrisë raporte të posaçme për punën, sjelljen e rezultatet në provime për çdo student (Art. 19). Dhe ndërsa Enveri nuk jep apo mbetet në provime dhe raportet e inspektorëve i dërgohen ministrisë tri herë në vit se është mbetës apo jo paraqitës në provim, përsëri Enveri merr bursën, ajo nuk i ndërpritet siç e kërkon ligji. Enveri vërtet nuk jepte provime, por një punë tjetër në shërbim të shtetit e bënte. Nëse kjo nuk është arsye dhe ka një arsye tjetër, cila mund të ishte ajo për partizanët e mendimit ndryshe? E çdo fillim ka e një fund: ministri Mirash Ivanaj, më 2 shkurt '34 lëshon urdhrin që studentit Enver Hoxha në mars i pritet bursa, ama kur Enveri vjen në pushtet, ia mori jetën në mënyrë mizore.

Pesëmbëdhjetë vjet "Fjala e Lirë"

JEHO PËRJETËSISHT, O FJALA E DËLIRË, E ËMBËL SHQIPE!

Nga VILHELME VRANARI HAXHIRAJ




Pesëmbëdhjetë vjet "Fjala e Lirë"



U bë shkak ditëlindja e Fjalës së Lirë, e cila sot është e brishtë, si një vashëz e re 15 vjeçare, me ëndrrat dhe shpresat e një adoleshenteje, por bënë punë që u përkasin të moshuarëve. Nuk më pëlqen t'i uroj 100 vjet jetë asaj reviste që u bë tribuna e mendimit dhe fjalës së lirë, që deri dje ishte burgosur brenda mendjeve të mykura . Revistës "Fjala e Lirë"i uroj jetë të suksesshme në përjetësi!Ky përvjetor i mikes sonë Fjala e Lirë, më bëri që të shprehja dëshirën time si më poshtë...

Vivra

Shqipëria ndër kohëra ka mbartur, ka nxjerrë dhe do të dalin prej saj figura të spikatura dhe të ndritura në fusha të ndryshme të jetës. Në fushën e hartimit të fjalorit shqip, përhapjes së gjuhës dhe shkollave shqipe, si dhe fillimeve të letërsisë sonë kombëtare, vlera të mëdha ka Rilindja jonë Kombëtare, e cila përgatiti terrenin dhe ka qenë Prologu i Pavarësisë Kombëtare. Klubet dhe shoqëritë atdhetare shqiptare të themeluara në mërgim, të drejtuara nga intelektualët më në zë shqiptarë, duke shpërndarë abetaren shqipe në të gjithë vendin, hodhën themelet e tempullit të dijes, si udhërrëfyes dhe udhëheqës të së ardhmes sonë kombëtare. Kjo lëvizje kulturore, me nismë në vatrat e nxehta, ku jetonin e vepronin shqiptarët e ditur e mëmëdhetarë si në: Stamboll, Rumani, Bullgari, Kalabri, Sh.BA, Greqi, Australi e në shumë shtete të Evropës Qëndrore dhe Perëndimore, arritën ta bëjnë të njohur çështjen shqiptare. Hapja e shkollave shqipe në të gjithë vendin zgjoi e rriti ndërgjegjen dhe dashurinë për tokën e të parëve, historinë, traditën, si dhe kulturën e të gjithë bashkëkombasve brenda apo jashtë kufijëve. Pas Luftës së Dytë Botërore, edhe pse ekzistonin dhe vazhdonin aktivitetin këto vatra kulturore, politika e dyerve të mbyllura në diktaturën komuniste heshti, madje shpesh herë u akuzuan si tradhëtarë të kombit gjithë ata që e vazhduan traditën e bukur të Rilindasve.

Duhej përmbysja e sistemit diktatorial, që shqiptarët e emigracionit të vjetër dhe të ri, ndoqën, rinisën, apo nisën nga A-ja një punë të madhe me median, si vazhdues të rilindasve. Pushteti i medias së lirë ka vlera të jashtëzakonshme për një komb që përqafon rrugën e zhvillimit. Veç ripërtritjes së atyre ekzistuese, u çelën mjaftë media të reja, virtuale apo gazeta dhe revista të shkruara, sidomos jashtë vendit, të cilat nuk janë nën influencën e asnjë force politike. Ato i shërbejnë kombit pa interes vetjak, duke shpalosur kulturën, historinë, traditën dhe situatat e shkuara që përjetuam, situatën aktuale të një tranzicioni të tejzgjatur e premisat-dilema që kanë lindur si përgjegjësi morale, qytetare dhe kombëtare për të gjithë intelektualët shqiptarë në çdo kënd të globit ku jetojnë dhe punojnë. Ata shërbejnë dhe janë Ambasadorë të Shqipërisë të paemëruar nga shteti, janë vetemëruar dhe përzgjedhur nga bashkëpunëtorët apo lexuesit e panumërt, në saj të ndërgjegjes që i udhëheq për të thënë të vërtetën e mohuar apo të lënë në harreesë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Çdo komb ka elitat e veta. Asnjë elitë nuk ka brirë, as e ka të shkruar në ballë. Elita del natyrshëm, nuk emërohet e nuk drejtohet nga askush, por me intelekt, vullnet, profesionalizëm dhe punë, mendimi i saj i avancuar, ndiqet apo përkrahet nga të gjithë. Natyrisht të gjithë ata që punojnë dhe pasqyrojnë arritjet, mbajnë qëndrim kritikë ndaj mosarritjeve, apo ndaj gjithçkaje që bëhet keq, në këtë mënyrë ndihmojnë çështjen kombëtare shqiptare. Këto janë vlerat e vërteta intelektule, të cilat kanë nevojë për një falendereim, për një mirënjohje, për një ftesë nga organet përkatëse administrative dhe të publikohen për gjithçka që bëjnë në favor të vendit të tyre. Një veprim i tillë do të rriste autoritetin e Shqipërisë në botë, si komb që di të vlerësojë intelektualët. Nuk duhet të harrojmë se ata janë emigrantë që përqafuan kulturën, kushtet e zhvillimit dhe iu përshtatën qytetarisë evropiane, amerikane etje. Asnjë emigrant nuk e gjeti rrugën të shtruar me dafina, ndaj puna që bëjnë për vendin e tyre, duke u rrëmbyer kohën problemeve familjare, është sakrificë sublime. Kjo punë e pashpërblyer, të paemëruar nga asnjë institucion shtetëror, i ka bërë ata jo vetëm të jenë vetvetja, dikushi, por i kanë treguar botës se shqiptarët janë njerëz të vlerave. Natyrisht duke punuar në fusha të ndryshme, secili prej tyre jep një apo më tepër vlera të ndryshme, por gjithmonë në favor të Shqipërisë.

Mes këtyre mediave për punën e mrekullueshme që bëjnë, do të përmendja disa prej tyre që kanë shmangur urrejtjen dhe nxitjen e hakmarrjes, por reflektojnë kulturë, dije dhe vëllazërim si: "Fjala e Lirë", "Albania News" (Londër), Gazeta "Dielli", "Illyria", "Bota e Gruas shqiptare","ttclub"(ShBA); "Agjencioni Floartpress"(Kosovë);"Tribuna Shqiptare"(Kanada); Revista "Shqiptari" (Rumani); "Rrënjët", "Fjala Arbëreshe","Vatra Arbëreshe" (Itali); "Zemra Shqiptare" (Suedi); "Voal" (Zvicër ); etje. Kërkoj ndjesë pasi për mungesë njohjeje aktiviteti të tyre, nuk kam vendosur media të tjera.

Propozim!

Të nderuar, miq, lexues dhe bashkëpunëtorë të mediave në emigracion, krijues dhe studiues, kritikë dhe analistë brenda dhe jashtë vendit po ju drejtohem për mbështetje.

Bota nuk i ka heronjtë apo njerëzit e shquar dhe i krijon, kurse ne i kemi dhe i lëmë në harresë, ose i ngremë në piedestal pas vdekjes. Duke parë se antivlera në tërësi ka mbulaur vlerat reale, ku vlerësohen me fushata në bazë miqësie dhe partiake, ose pse X person ka marrë çmim dhe unë jo. Vlera nuk matet nga sasia, por nga sa këto vlera intelektuale i shërbejnë kombit, shoqërisë dhe zhvillimit, apo ç' mesazh edukativ jep një vepër.

Mediat e sipërpërmendura që punojnë në emigracion nuk janë Fluide, as abstrakte. Ato drejtohen nga stafe të formuara në bazë shoqërie dhe atdhetarie dhe po japin vlera maksimale. Jam e mendimit që intelektualët e shquar që punojnë në emigracion për njohjen e historisë, kulturës dhe vlerave kombëtare, të vlerësohen, në këtë vit me të cilin nis 100 vjetori i dytë i Pavarësisë.

Po ju paraqes dy kërkesa që t'ia paraqesim Ministrisë së Kulturës:

1- Meqë Qeveria e parë shqiptare me Kryeministër Ismail Qemalin, funksionoi vetëm 14 muaj, jam e mendimit që:
Viti 2013 të shpallet Viti i Ismail Qemalit.
2- Intelektualët e shquar sipas listës dhe vlerave të secilit, t'i propozohet Ministrisë së Kulturës të vlerësohen në këtë vit të veçantë, ku do të veçoja Fatmir Terziun duke i propozuar edhe çmimin që meriton.
*Dr. Fatmir Terziu, Botues dhe drejtor i revistës prestigjioze Akademia "Fjala e Lirë" dhe "Albania News", si intelektual i shquar që e ka vendosur veten mes personaliteteve botërore në fushën e Kritikës, Kinematografisë, Publicistikës, Botimit dhe shkrimtar mjaftë i talentuar në disa gjini , i vlerësuar me disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare ,që jeton dhe punon si Akademik në Londër, mendoj të vlerësohet me Urdhrin "Naim Frashëri" i Artë
*Baki Ymeri-drejtues i revistës "Shqiptari", poet, përkthyes dhe publicist, që me shumë kurajo dhe vullnet vazhdon punën e të Atit dhe Rilindasve të tjerë në vazhdim të shoqërisë Drita -Bukuresht i vlereësuar me disa çmime, meriton vlerësim dinjitoz.
*Ajet Nuro-drejtor i Tribuna Shqiptare, publicist-Kanada.
*Dalip Greca-kr/redaktor i Gazetës "Dielli",publicist -ShBA.
*Ruben Avxhi, Drejtor i Gazetës Ylliria, publicist - Sh.BA.
*FLORI BRUQI, Drejtor i Agjencionit FloartPress ,shkrimtar, publicist-Prishtinë
*Raimonda Moisiu,publiciste, poete dhe veprimtare, Sh:B:A
*Kozeta Zylo, poete, publiciste, ka hapur shkollë shqipe dhe televizion shqip ShB.A.
*Hasan Aliaj, publicist, drejtor i gazetës "Rrënjët", Itali
*Elida Buçpapaj, poete, publiciste dhe drejtuese e "Voal", Zvicër
*Gëzim Marku & Remzi Limani -drejtor e kr/redaktor të "Zemra Shqiptare"-Suedi
*Sedulla Zendeli Daja, hartues i katër fjalorëve shqip suedisht dhe suedisht shqip, si dhe i një fjalori për fëmijë- Suedi
*Vasil Qesari, gazetar i TV Francë, publicist dhe fotograf i talentuar
* Si individë me vlera të rralla publicistike në mbrojtje të çështjes kombëtare veçoj:
*Prof.Dr Eshref Ymeri, Dr.Vedat Shehu dhe Prof.Dr. Rasim Bebo.
vo: Pres miratimin tuaj, sipas dëshirës, shtoni emrin në listën e mëposhtme, në bazë të së cilës do të bëjmë kërkesën për vlerësim nga Ministri. Nëse do të jetë një një numër i konsiderusehëm mbështetësish, secili nga zotërinjtë apo zonjat duhet të më dërgojë një CV të plotë, ku të pasqyrohet edhe aktiviteti dhe vlerat letrare-artistike apo kombëtare që mbart. Më pas kujdesem unë për t'i çuar në destinacion!
Ju falenderoj për kohën dhe mirëkuptimin!
Vilhelme Vranari Haxhiraj
E-Mail: haxhirajvilhelme@yahoo.com
Lista emrore:
1-Vilhelme Vranari Haxhiraj-shkrimtare- publiciste, studiuese veprimtare
2-Fitim Haxhiraj- Koreograf

Mbi romanin "Ikje nga trilli i perëndive" të Amik Kasoruhos

TRAGJEDIA E DIKTATURËS E RILEXUAR NË SHPIRTIN E PERSONAZHIT


Nga BUJAR LESKAJ

-"Ikje nga trilli i perëndive" është njëri nga këto dokumente. "Ikje nga trilli i perëndive" është një udhëtim i brendshëm, disi misterioz në zonat e nënvetëdijes së autorit, që na paraqitet edhe si një formë e stilit me funksion të dyfishtë, jo vetëm për të mos u ndarë nga ligjërimi i tij i ndjerë, por edhe për të na zbuluar rrugën e së vërtetës. "

-"Lëndimi i personazhit kryesor është i përligjur prej ngjarjeve dhe argumenteve të patjetërsueshme. Çmimi i lirisë pati qenë aq i lartë për të dhe plot sakrifica. Për të motivuar masakrën që iu bë intelektualëve të pushkatuar nga diktatura, model frymëzues u cilësua babai i autorit Qemal Kasoruho."

Motivet e romanit "Ikje nga trilli i perëndive" të Amik Kasoruhos janë të lidhura me një histori tragjike dhe të paharruar. Merret shkas nga Masakra e Natës së 26 Shkurtit 1951, e cila është një nga veprat më kriminale të regjimit komunist. U masakruan 22 intelektualë të pafajshëm, pa u zhvilluar asnjë gjyq për të provuar fajësinë e tyre. Duke shkelur në gjurmët e kësaj historie, romani i Kasoruhos vjen, jo vetëm si një prurje letrare, por edhe si variant që mbart në thelb etikën e rrëfimit të së vërtetës së ndjerë në shpinë, në eshtrat, në trupin dhe në zemrën e tij. Nëpërmjet kontekstit të përsiatjeve në rrëfim, krijohet mundësia që, një ngjarje skajshmërisht tendencioze, duke u përpjekur që të mbulonte arrestimin dhe pushkatimin e intelektualëve të shquar me hedhjen e një cope me dinamit në oborrin e Ambasadës Sovjetike, të zbulojë edhe shkaqet e vërteta të krimit komunist.Por, kujtimet nisin që nga vegjëlia e autorit, e cila i jep mundësinë për t’u përfshirë në një diapazon më të gjerë të kontekstit historik, sesa ai i periudhës komuniste dhe, me siguri, roli i kujtimeve në shkrimin ose rishkrimin e historisë bëhet më i madh. Ky rol ka edhe më shumë rëndësi, ngaqë autori ende ka mbetur një dëshmitar i gjallë. Kështu Amik Kasoruho do të njihet jo vetëm nën velin e personazhit, por edhe si një nga viktimat e atij genocidi komunist në Shqipëri që vrau, burgosi dhe internoi mendjet e ndritura të kombit, intelektualët, krijuesit. Si lajtmotiv që shërben për interpretimin e veprës shërben simbolika e pemës pa rrënjë, e cila ndihmon në perceptimin e thellë, në zhvillimin e ndjesisë humane dhe mprehjen e intuitës, duke rilexuar përndjekjet dhe ndëshkimet që i ka vuajtur prej diktaturës e gjithë familja Kasoruho. Duke shtjelluar lëmshin e mbledhur të këtyre kujtimeve, pikësëpari, autori ka menduar se njeriut i vlejnë të ruaj drejtpeshimin, ekuilibrin. "Një burrë pa kujtime nuk do të rrinte dot në këmbë. Madje, një burrë pa kujtime nuk ka të drejtë të mendojë as të ardhmen", shprehet autori në veprën e tij. I zhytur më së tepërmi në kujtesë, thellë autori i bën apel kujtesës së gjithë shoqërisë për të mos harruar. Po cila është ajo që do të shërojë rrënjët e një familjeje të përndjekur. Plagët e paraardhësve dhembin edhe tek trashëgimtarët. "Biri im, kam vetëm një dëshirë: kur të vijë fundi, nuk dua të më varrosni në këtë fshat. Duhet të më shpini në varrezat e Durrësit. Nuk mund ta pranoj idenë se edhe i vdekur do të jem e dënuar të pushoj mes njerëzish të huaj", i kujtohet autorit, amaneti i nënës. (fq. 22 në roman.)Familja e Amik Kasoruhos është përndjekur dhe diskriminuar tri breza rresht. "Nuk e meritonte kjo familje të drejtën të njihte një jetë tjetër, të ndryshme dhe njerëzore, të lirë dhe me dinjitet", mediton ai?Ishte i ndarë mes dy botësh: njëra prej të cilave ishte fragmentare, e gjallë, therëse, thellësisht e jetuar, por e padukshme, e fshehur dhe e ruajtur me xhelozi brenda tij, dhe tjetra, ajo që mund të shikonte përtej dritares: e huaj dhe e vetja, indiferente dhe e shtrenjtë, e ngrirë dhe e palëvizur e, megjithatë, plot drithërima jete.Në sytë e lexuesit afrohet e gjithë tragjedia e jetës së një familjeje, e cila edhe sikur të ishte e vetmja, do të ishte e mjaftueshme për të na drithëruar. Por ne e dimë mirë se qindra familje, mijëra nga rrënjët e trashëgimisë e të dinjitetit të tyre u shfarosën. Prandaj duke iu bashkuar edhe vetë dhimbjes së kësaj tragjedie, e ndjej obligim që këtë vepër ta marrë në konsideratë ndër të tjerat, jo vetëm për mënyrën e thellë të shprehjes dhe arsyetimit, por edhe për faktin e njohur se letërsia që përshkruan historinë e burgjeve dhe persekutimeve në komunizëm, nuk është marrë ende sa duhet në shqyrtim. Jam i bindur se çdo e vërtetë historike është më e argumentuar, nëse ajo ushqehet me ndjesitë e shpirtin krijues të një apo disa autorëve që e kanë jetuar tragjedinë. Një analizë e mirëfilltë e këtyre veprave rrit përgjegjësinë për të qenë konsekuent në rrugën e së ardhmes. Jo pa arsye, të mbushur me përgjegjësinë sesi duhet të jemi e si duhet të sillemi ne me brezat që vijnë, duhet të rikthehemi tek këto kujtime dhe aq më tepër tek ajo lloj letërsie që lidh të gjitha hallkat historike të këputura të kombit tonë, mjafton të kujtojmë fjalët e nobelistit që shkruan se: "Ne nuk i kemi vrarë viktimat e Holokaustit, dhe, kështu, ne nuk jemi përgjegjës për vdekjen e tyre. Por, po t’i harrojmë, ne e vrasim përsëri kujtimin e tyre. Për këtë vrasje të dytë, ne do të jemi të gjithë përgjegjës". I citoj këto fjalë të përmendura jo pak herë, jo vetëm për të treguar arsyet e vijimit të punës sime me studimin e veprave të autorëve që rrëfejnë vuajtjet nëpër burgjet dhe kampet e diktaturës që u vendos në Shqipëri, por edhe me synimin e qartë që të gjithë ne duhet të angazhohemi që të flasim, të shkruajmë e ta dokumentojmë krimin komunist në Shqipëri. Pikërisht romani i tij "Ikje nga trilli i perëndive" është njëri nga këto dokumente. "Ikje nga trilli i perëndive" është një udhëtim i brendshëm, disi misterioz në zonat e nënvetëdijes së autorit, që na paraqitet edhe si një formë e stilit me funksion të dyfishtë, jo vetëm për të mos u ndarë nga ligjërimi i tij i ndjerë, por edhe për të na zbuluar rrugën e së vërtetës. "Disa herë njeriu i fshihet përballjes me realitetin mujshar që imponohet, aty ku ëndrra përpiqet të mbrojë të drejtën për të jetuar. Kishte vuajtur shumë që të largohej nga vendi i vetë….", shkruan autori për heroin e romanit (vetveten), duke motivuar këtë herë dilemën e përhershme në rrafshin tragjik të shqiptarisë, "të rrish apo të ikësh" nga ky vend fatkeq. Autori rrëfen: "Aso kohe nuk e dinin që drama e jetës, për secilin prej tyre, kishte rezervuar më shumë se një akt. Në atë papafingo, asaj mbrëmjeje vere të vitit ’49 kishte ndodhur kalimi pa vetëdije nga rinia e shkujdesur në një jetë më të plotë, të trazuar, të ashpër dhe të padrejtë ku përziheshin dhuna, meskiniteti, dyshimi, çorientimi. Me pak fjalë jeta e vërtetë." (fq. 29). Ai jep një pamje të rifreskuar në kujtesë të Tiranës pas lufte, imazhe dhe detaje që flasin jo pak. "Vitet e para mbas luftës, Tirana po përjetonte një periudhë urie. Të vegjlit shkonin në shkollë të pangrënë: buka ishte me racion dhe s’mjaftonte. Nëpër dyqane nuk gjendej as miell, as sheqer, as mish, as qumësht. Ose, kur gjeje diçka në tregun e zi, kushtonte një djall e gjysmë. .....UNRRA kishte filluar të ndihmonte Shqipërinë me barna dhe ndihma ushqimore. Ato ndihma shteti ia jepte një pjesë ushtrisë dhe pjesën tjetër të rinjve vullnetarë, që në atë kohë, ende plot entuziazëm, punonin pa asnjë shpërblim në ndërtimin e rrugëve dhe rindërtimin e urave të shkatërruara gjatë luftës. Diçka mbetej edhe për shkollat. Çdo ditë, gjatë pushimit të gjatë(që ishte njëzet minuta, të tjerat zgjatnin vetëm pesë minuta), fëmijët, në vend të luanin në oborrin e shkollës, viheshin në radhë, të heshtur dhe të nënshtruar, dikush me një tas në dorë, të tjerët me disa gota alumini të sjella nga shtëpia, për të marrë racionin e ditës: 150 gram qumësht, me nja dy ose tri biskota. Për ta, ky ishte çasti më i bukur i orëve të gjata në shkollë. Dhe nuk e kuptonin se dalëngadalë, po e bjerrin shprehinë dhe nevojën që të luanin. Rritja dhe mungesat po shndërroheshin në një binom të pandashëm."(fq. 31-32, në roman). Pas këtij mjerimi, gjatë përshkrimit të syve të uritur të fëmijëve, drobitje e skamjes, autori na e bën të qartë shndërrimin tonë, të njeriut të uritur që mund t’i verbohet arsyeja shumë lehtë. Është krijuar tashmë klima për lindjen e "njeriut të ri". "Pikërisht, në ato vite të largëta të pasluftës kishte filluar tjetërsimi i njeriut që nuk njohu kufi. Po lindte njeriu i ri i kohëve të socializmit. "(fq. 32). Këto akte të dramës që shoqëron shqiptarët, nëpërmjet komenteve të autorit shoqërohen jo pak herë me një lloj komedie të zezë: "Pastaj erdhi një ditë që edhe qumështi mbaroi. Qeveria kishte zbuluar që ndihmat e UNRRA-s nuk ishin gjë tjetër veçse një propagandë e kulluar imperialiste, që vetë UNRRA nuk ishte tjetër veçse një organizatë spiunazhi amerikane e që fëmijët shqiptarë mundeshin ose jo, duhej të rriteshin pa qumështin e imperialistëve. Dhe kështu ndodhi që gjatë pushimit në shkollë, të vegjlit nuk mbajtën më radhën për qumësht dhe filluan të luanin prapë. Me bark bosh por të luanin. Fëmijët filluan të rriteshin në mes të absurditeteve të pakonceptueshme. Kur të rriteshin do të vazhdonin t’i nënshtroheshin pushtetit të fjalës dhe do të pranonin mohimin e të vërtetës." (fq. 40, po aty.) Megjithëse autori nuk u lë gjë mangët rrëfimeve të tij, ai ka zgjedhur një mënyrë tjetër për ta rrëfyer këtë, nëpërmjet një ligjërimi jo të drejtpërdrejtë, historitë copëtohen në gojën e personazheve të tjerë. Ngjarjet me qëllim e humbasin koherencën. Fillimi që nis me vrasjet e ndëshkimet dhe fundi i historisë që përshkruhet me hapjen e ambasadave dhe fillimin e demokracisë bashkohen në një tragjedi të vetme, një tragjedi që nuk hyn dot në njërën kohë e të dalë në tjetrën, por që rri ende mbi kokat e njerëzve. Ky është një mesazh shumë domethënës, ndërsa lexuesi e ndjen se Kasoruho nënkupton shtrimin e disa pyetjeve të tilla si: Përse nuk mund të shijohet në këtë vend ardhja e lirisë, ç’gjurmë ogurzeza ka lënë e kaluara? Gjatë kohës që lexuesi nis ta kuptojë shkakun, autori rrëfen se me çfarë çmimi e kishte paguar vetë ai atë udhëtim drejt asaj lirie. "Kishte kaluar një muaj që kur mijëra njerëz kishin kapërcyer muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe ajo ngjarje rëndonte mbi të gjithë me tragjizmin e saj. Si të ishte një shtresë e dendur mjegulle që ndehej sipër tokës, ai hov i dëshpëruar kishte veshur sytë e të gjithëve: njerëzit ndienin zemëratë dhe emocion. Zemëratë ata që ishin të lidhur me regjimin, emocion të tjerët", (fq 38, po aty). Lëndimi i personazhit kryesor është i përligjur prej ngjarjeve dhe argumenteve të patjetërsueshme. Çmimi i lirisë pati qenë aq i lartë për të dhe plot sakrifica. Për të motivuar masakrën që iu bë intelektualëve të pushkatuar nga diktatura, model frymëzues u cilësua babai i autorit Qemal Kasoruho. Me imazhin intelektual dhe perëndimor të tij, Mehmet Shehu e përligji pushkatimin e tij dhe të gjithë të tjerëve para popullit me shprehjen se "intelektualë të tipit Kasoruho" nuk do të mbijetojnë dot në Shqipërinë komuniste. Kasoruho ka zbërthyer pikërisht mënyrën si u veprua pas këtij dekreti kriminal të shtetit. Ka rëndësi të madhe të rrëfehet, të analizohet dhe shkruhet kjo histori, sepse me këtë ngjarje u ligjërua hapur qëndrimi terrorist i vetë shtetit mbi shtetasit e tij, duke ligjëruar qëndrimet absurde, dhunën e represionin, dhe me këto qëndrime justifikohej vala e madhe e arrestimeve, e pushkatimeve, e burgimeve dhe e mbjelljes së terrorit komunist anekënd Shqipërisë. Autori me vetëdije në veprën e tij del jashtë rrethanave politike që e shkaktuan këtë tragjedi, si për të mos e lodhur lexuesin me atë pjesë të historisë që njihet tashmë prej të gjithëve. Mirëfilli, rrethanat që shkaktuan këtë tragjedi, janë dëshmuar edhe nga Uran Butka në nje studim historik tw plotw e dinjitoz historigrafisht, studimin "Bombw nw Ambasadwn Sovjetike". Ai rrëfen ndër të tjera se vetë Mehmet Shehu kërkoi masa të egra ndëshkuese, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Sipas studimit të tij në dokumentet e gjetura në arkiva, Mehmet Shehu ka pohuar se "edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte". (Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike). Nga kërkimet që ka bërë Uran Butka në arkiva vërtetohet se të gjithë anëtarët e Byrosë Politike ishin dakord me këto masa. Ndaj duket qartë se kjo ka qenë pikërisht koha kur u institucinalizua dhuna dhe masakrat politike të bëra me vendime partiake, të cilat vunë në lëvizje Sigurimin e Shtetit, u përgatitën lista dhe u vihej kryqi atyre që duhej të të pushkatoheshin ose të përndiqeshin. Me pak fjalë, kjo është historia, tashmë e njohur prej të gjithëve, por në roman detyra e autorit është që t’i jap zë dhe shpirt asaj, sepse vetëm kështu nuk mund të harrohet. Gjatë paraqitjes së nëndheshme të këtyre kujtimeve ai e ndjen se misioni i tij mbetet që trajtojë efektin dhe arsyet e mistershme të kësaj ndodhie. Lexuesi bëhet gjithnjë e më i interesuar për atë fakt që fshihet pas monologëve dhe rrëfimeve të heroit të romanit. Ai mendon se ajo që fshihet, që shumica nuk e dinë ende mirë, një ditë tjetër do të prodhonte sërish një histori të tillë. Pra, si autori që e ka shkruar këtë libër dhe një person që merr përsipër ta analizojë kanë një mision të përbashkët të merren me fajin, me drejtësinë dhe rrugën drejt saj e nis nga dhimbja, sepse për autorin e këtij romani: "Dhimbja flet një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Lotët nuk kanë nevojë të shpjegohen. Perëndia e deshi që njeriu ta ndajë dhimbjen me të tjerët, pikërisht për t’i dhënë një kuptim solidaritetit." ... Bashkë me motivacionin e ikjes nxjerr krye dhe drama e brendshme e personazhit, e cila bashkohet në rrjedhën e një tragjizmi epik, duke iu referuar historisë së ushtrimit të 50 vjetëve diktaturë që nga lulëzimi deri në rënien e saj. Dilema të rrish apo të ikësh e Kasoruhos është e ngjashme me dramën hamletiane. Si në njërën dramë dhe në tjetrën drama vjen prej të vetëve, prej gjakut, siç ndodhi që shqiptari vrau shqiptarin në këto 50 vjet. Gjatë ikjes, bashkë me ikjen "nga trilli i perëndive" (se ikje nuk duhej të kishte), autori merr shkas të bëjë një udhëtim imagjinar në mjerimin e shqiptarëve. Ikja dhe kthimi me imagjinatë ndodhin njëkohësisht, dhe krijon efekte artistike, të cilat qerthullojnë një realitet rrëqethës, që nuk mund të deformohet, të tjetërsohet. Ndaj Kasoruho gjen mjetin për të na këndellur si lexues edhe po të ishim indiferentë ndaj asaj që ka ndodhur me ne, me jetët tona, me gjakun tonë, ndaj asaj që ka ndodhur ndër ne, që ne ende rigjenerojnë trajtat dhe format e asaj tragjedie të madhe kombëtare. Udhëtimi nëpër mjerimin e shqiptarëve kryhet paralel me ngritjen e avionit në qiell. Kështu rrëfimi merr një trajtë më të sinqertë, ashtu siç do t’i drejtoheshim qiellit vetëm për vetëm. Po cili është qëllimi i udhëtimit në këtë situatë mjerane. Edhe pse ikën larg, me dilemën për të mos u kthyer, kujtimet ruajnë një trajtë të ëmbël e të trishtuar. Kasoruho nuk përbuz, nuk urren, nuk neverit, nuk vret, nuk fajëson atë masë të mjerë kolektive oportune. Kur e lexon veprën kupton se monologu i arratisë së Kasoruhos nga atdheu është një monolog i trishtuar, nëpërmjet të cilit nuk ia hedh fajin njeriut, të mjerit për shitjen dhe poshtërimin e nënvetëdijes sonë, poshtërim që ia bënë dogmat, frika nga uria, nga burgu, nga plumbat. Lëvrimi i detajeve në këtë kontekst të ndjell vetiu një mëshirë e përbuzje, të cilën autori nuk e komenton. Na sjell parasysh si në faqet e një dokumentari Tiranën e zhuritur e të uritur të pasluftës, ndihmat e para të UNRAS dhe ndërprerjen e misionit të saj nga ideologët komunistë shqiptarë se bar do të hamë dhe nuk duam ndihma nga kapitalistët, dhe pastaj pasojat; takimi i parë me dhunën, fëmijë që nuk luajnë, trishtim, sepse pikërisht në ato vite ta largëta të pasluftës, siç thotë Kasoruho "kishte filluar tjetërsimi i njeriut që nuk njohu kufij, po lindte njeriu i kohëve të socializmit" (fq. 30-romani). Duke depërtuar në thellësinë e fakteve, mjerimi përshkruhet me detaje. Cili është qëllimi që autori me kujtimet e tij përpiqet të depërtojë në skutat më të errëta të këtij mjerimi. Edhe pse romani mund të duket me nota autobiografike, për çudi merr një rrjedhë tjetër. Biografia personale e autorit, edhe pse ka kaluar vetë tri breza përndjekjeje, anashkalohet për të depërtuar tek ajo që për qëllime analize do ta quanim biografia e atdheut. Kaq vite dhunë, shtypje, diktaturë, në atdheun që autori-personazh ka jetuar, bëjnë që të shfaqet sindroma e ligështimit, zemrës së thyer, si e vetmja mënyrë për t’iu kundërvënë kujtimeve të së kaluarës -asaj që shkrimtari e quan "sindroma e oportunizmit kolektiv". Pra, duke ia shkruar atdheut të tij këtë biografi, dalëngadalë ai ka çelur kodet e një historie të pashkruar saktë prej nesh. Pse të ishte ky fati ynë, pse të ishte ky fati i Shqipërisë? Pse, megjithatë, Kasoruhos i duhet të iki? Autori vetë i referohet momentit të ikjes me një theks stilistik të veçantë, sepse ka provuar realisht të iki e të vijë pas rënies së diktaturës, por atë e prek dhe e lëndon fakti që të ndjell vetë ikja. Ëndërron shumë që të jetë i lirë, por nuk do të donte kurrë një ikje pa kthim….Me "Ikje nga Trilli i Perëndive" autori ka zbuluar sindromën e të gjitha ikjeve dhe pasojat. Dhe ikjet e shqiptarëve janë bërë si një sëmundje epidemike. Jo pak burra e gra, të rinj e të reja, intelektualë e talente i ikin Shqipërisë. Të duket e pabesueshme sot se si nuk shter, por qëndron ende në këmbë si ta shoqëronte një lloj trilli i fatit apo i perëndive, i kujtdo qoftë ky trill. Mjerimi i kohës së komunizmit shfaqet plot paradokse e ngjyra sarkastike. Ngjarja tragjike e Shkurtit 51, krijoi një situatë aq të rëndë në Shqipëri, sa nisën të përligjeshin të gjitha dënimet, ekzekutimet, nxjerrjet me forcë nga shtëpitë e familjeve e të të pushkatarëve dhe të përndjekurve, duke eliminuar të gjitha etapat e drejtësisë, si gjykimin pa i marrë në pyetje të pandehurit, pa i lejuar të kërkojnë mbrojtjen, apelimin ose praninë e prokurorit. Gjë që nuk ndodh në asnjë vend të botës. "Kujtesa nuk është vetëm një dhuratë hyjnore që na është falur për të siguruar vazhdimësinë e ndërgjegjshme të jetës, por është edhe një gjykatëse e sjelljes sonë në kohë. Ajo na ndihmon të shlyejmë një borxh koherence me të shkuarën, por mbi të gjitha është një çelës për të interpretuar dhe për të shtruar bazat e së ardhmes: është një privilegj, është një detyrim", shkruan autori Kasoruho. Ndaj ne nuk duhet të harrojmë se ata që u pushkatuan ishin të gjithë intelektualë, një lloj drite e lirisë dhe e demokracisë, një lloj shprese e zhvillimit dhe e rindërtimit të Shqipërisë së djegur dhe të drobitur pas Luftës së Dytë Botërore. Ata që u pushkatuan ishin të shkolluar në Perëndim dhe sigurisht që do të kishin prirjen për ta drejtuar zhvillimin dhe rindërtimin e vendit drejt Perëndimit. Për këtë, një konstatim interesant e bënë edhe studiuesi Uran Butka. Ai ka zbuluar një domethënie të madhe, ku shfaqen rrënjët e krimit: "Ata ishin bijë që u përkisnin të gjitha trojeve shqiptare, "Pjerrin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra; Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana; Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho dhe Petro Konomi nga Gjirokastra; Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça; Fadil Dizdari nga Kavaja; Hekuran Troka nga Kuçova; Niko Lezo nga Delvina; Anton Delhysa nga Prizreni; Tefik Shehu nga Gjakova; Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe; Mehmet Shkupi nga Shkupi; Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi, i pushkatuar në mesnatë në afërsi të urës së Beshirit, të lidhur dorëpërdore me tela me gjemba dhe i mbuluan në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre. Më vonë, kur vendi filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që punonte në atë zonë, i ra të fikët kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Ishte trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati".Ndryshe nga disa autorë të letërsisë së burgut ( që ekziston si e tillë, por nuk është e sistemuar, ngaqë me sa duket ka një përpjekje për të zhdukur memorien historike) Kasoruho çel një korridor tjetër në konsistencën e kësaj memorieje, jo atë të përshkrimit me detaje të ngjarjeve të Gulagut, por në mënyrë të veçantë hedh dritë në skutat më të errëta të shkaqeve dhe pasojave të atij gjenocidi që komunizmi ka bërë me intelektualët më të mirë, me trurin e kombit. Pikërisht ky gjenocid është kulmuar me vrasjen e 22 intelektualëve me shkas gjoja hedhjen e një bombe në Ambasadën Sovjetike. Ndaj artistikisht ai motivon jo vetëm rrjedhën e rrëfimit, por edhe shpalljen e së vërtetës, duke vënë në qendër të veprës një hero të veprës që përfaqëson këtë inteligjencë, Robin (aludohet për Robert Shvarcin). Robi prezantohet në këtë vepër disi i ngjashëm me një hero kafkian, ngaqë duket mosveprues, injorues dhe indiferent përballë ngrehinave të një shteti që mbijeton përmes survejimit, spiunazhit krimit dhe torturës. Përafrimin artistik e kushtëzon vetë procesi misterioz brenda një burgu politik, ku pikërisht atje gjejmë shëmbëllimin më të plotë e të qartë të gjithë shtetit e klasës politike. Gjithçka shpjegohet qartë nëpërmjet kujtesës dokumentare të vet autorit, pinjollit të një familjeje të nderuar, të cilit qysh prej moshës 16-vjeçare, kur e burgosin si të birin e intelektualit Qemal Kasoruho, pushkatuar më parë nga regjimi, nuk i shqitet nga kujtesa rituali i egër e barbar i ekzekutimeve, internimeve dhe burgimeve të familjarëve të tij dhe shumë shqiptarëve brenda ngrehinës së vetmuar të Shqipërisë së vogël komuniste. Por, ky libër nuk do të kishte aq shumë kuptim, nëse Kasoruho do të merrej vetëm me këtë ngjarje. Madje, shumë rrethana të saj i anashkalon, dhe kjo i jep veprës një rëndësi të madhe, kur ai përpiqet me një sinqeritet prej krijuesi që të zbulojë arsyet dhe shkaqet. Vepra merr udhë mes shumë pikëpyetjeve që autori i ngre vetes, dhe aty ai kërkon përtej faktorëve politikë arsyet dhe shkaqet e këtij absurdi. Ai shkon aq përtej, sa nuk ka ndërmend të merret me ndonjë gjest heroik, si rrëfyes i romanit. Ngjarjet e Ambasadës Sovjetike, ku vriten arbitrarisht dhjetëra intelektualë të shquar, pa më të voglin faj, pa asnjë lidhje me autorin që e çoi atje bombën, janë shkaku dhe zanafilla për të rrëfyer fuqinë e përbindshme të shtetit komunist për të shfarosur çdo shenjë arsyeje dhe ndërgjegjësimi të kombit. Ndaj ai vetë e të gjithë heronjtë e veprës, ndihen të pafuqishëm, të ligështuar nga kalvari i dëbimeve, dhimbjeve, vrasjeve, lëndimeve që tashmë është kthyer në një proces. Kasoruho na mëson prej këtij libri që për herë të parë në mendësinë tonë të konsiderohen viktimat si heronj, gjë që edhe sot e kësaj dite nuk është konceptuar në vizionin e shtetarëve dhe politikanëve që na udhëheqin. Ndaj heroi i tij është i brishtë, i thyeshëm, i arsyeshëm, i ndjeshëm, i përkushtuar, besnik dhe i dashur. Kjo mënyrë strukturimi që ai i bën veprës letrare, duke përfshirë marrëdhëniet njerëzore në situata dhe kohë të ndryshme, krijon një besueshmëri instiktive në rrëfim dhe kjo ka jo pak vlerë. Rrëfimi ka një rrjedhë spontane. Po të është vënë re se Kasoruho stilistikisht përpiqet të vërë një rregull dhe të disiplinoj kujtimet, si një përpjekje për të kuptuar diçka më parë ai vetë dhe pastaj të tjerët. Dhe ndjesia e tij prek ndjesitë e lexuesit, sepse, për çudi, sa më i përpiktë që përpiqet ai të jetë në afrimin e ngjarjes në kujtesë, aq më absurde duken ato. Jo pak herë kujtesa e tij kthehet tek ngjarjet e burgut dhe heronjtë që shfaqen atje, janë të gjithë heronj të pashpallur, shembuj qëndrese, dinjiteti dhe krenarie si Gaspër Çuni: "Shtatlartë, i dobët, delikat dhe gjithmonë me humor të mirë, Gaspër, të cilin shokët e thërrisnin Gac, me sjelljen e tij të shtruar dhe të qetë, me harenë dhe optimizmin e tij tipik shkodran, me këngët e tij të bukura që i kompozonte me vesh ..., Gaci ishte pika e referimit për të rinjtë e burgosur." (Po aty, fq. 94). Portreti i këtyre heronjve nuk është e lehtë të vizatohet, sepse torturat çnjerëzore të burgjeve komuniste e shpërfytyronin njeriun, ndërsa stoikëve që autori i ka sjellë si personazhe nuk ua ka shpërfytyruar dot dinjitetin. "Thuajse çdo muaj vdiste ndonjë. Dhe ishin gjithmonë të njohur ata që vdisnin: mund të thuhej se gati një mijë të burgosurit e Burrelit njiheshin të gjithë midis tyre. Vdekja ishte më e shpeshtë se daljet nga burgu. Por ja që, ajo vdekje e ngadalshme, e rëndë, pikëlluese e Luk Lucës po u bënte shumë përshtypje."... (Po aty, fq. 55)Duke lexuar romanin e Kasoruhos, mësojmë se torturuesit nuk ngopeshin dot me shpërfytyrimin së gjalli, por edhe kur ishin të vdekur. Ja cila ishte mënyra e varrimit në burgjet komuniste, siç shkruhet në roman: "Unë do ta tërheq ngadalë. Ti përpiqu që ta mbash fort që të mos bjerë përnjëherësh. Nuk qe e vështirë. Luk Luca nuk kishte më peshë dhe e shtrinë poshtë me lehtësi. Shoku e rregulloi me sa mundi batanijen rreth trupit pa jetë, pastaj shtriu dorën, mori nga ana e varrit disa gurë të vegjël, ngriti paksa mbulesën dhe i vuri gurët pranë dorës së të vdekurit, e mbështolli mirë e mirë dhe doli sërish sipër. Rojet nuk po tregonin kurrfarë interesi për atë që ishin duke bërë të burgosurit-varrmihës. Atë mbrëmje nuk mundi të gëlltiste ushqimin. Nuk i shqitej kudërbimi i kufomës që kishte nisur të kalbëzohej." Ky përshkrim nuk ka asgjë më pak se peizazhi i Ferrit dantesk. Por, megjithëse e ka parë atë Ferr me sy, autori sërish e do dhe e vlerëson jetën. Ai shkruan: "Jeta është si një zjarr i fikur në dukje. Mjafton të mbetet e ndezur një shkëndijë, një e vetme, dhe të fillojë të fryjë një puhizë e lehtë e do shohësh që flaka gjallërohet dhe zjarri shpërthen. Është vetëm çështje kohe." Një arsye më shumë që e lidh atë me dashurinë për jetën dhe njeriun është edhe botëkuptimi i tij kundër luftës. Te Kasoruho nuk gjen ndonjë mesazh hakmarrjeje, ai sjell vetëm mesazh paqeje e urtësie: "... pastaj duhet të dish edhe një gjë tjetër: lufta e ndryshon dhe e shndërron njeriun. Nxjerr në shesh gjithçka që është e egër te njeriu dhe e frenon të mirën. Madje jo: e deformon. Në luftë, çdokush është vetëm një ushtar dhe si mall të vetin ka vetëm pushkën. Është e vështirë jeta e atij që lufton, bir. Por për fat, luftërat janë alternativa që zgjasin pak dhe luftëtari më pas, kur lufta mbaron, mësohet sërish me jetën normale. Janë të paktë ata që nuk arrijnë të heqin dorë nga shtazëria."Që nga momenti i rënies së diktaturës, kur njeriu i ri i është i lirë, s’di si të orientohet në këtë liri. Kjo është analizuar jo pa qëllim. "Historia, vazhdimisht, në formën më djallëzore, kishte dashur të përsëriste akte dhune të asaj pjese të shoqërisë së vendit të tij, që si filozofi jete kishte zgjedhur mentalitetin antinjerëzor dhe shkatërrimtar të luftës së klasave.", shkruan autoriKjo luftë klasash është përjetuar tragjikisht nga autori. Pasi i pushkatuan të atin, Qemal Kasoruho, Amik Kasoruhon së bashku me nënën dhe gruan i internojnë në fshatrat e Lushnjës. Vitet më të shumta të jetës së tij i kalon si i përndjekur dhe i persekutuar. Kështu, çfarë i panë sytë, duhej t’i shkruante dhe t’ia kumtonte botës. Vepra e tij edhe pse vjen në gjininë e romanit dhe nuk është një memorialistikë e mirëfilltë, nuk ka asgjë të trilluar, rrëfehet për ngjarje dhe personazhe të vërtetë. Pra, si e tillë ajo mbart një mision. Personazh dhe dëshmues me status vërtetësie është vetë shkrimtari, ndaj vepra e tij merr rrjedhën e rrëfimit në vetën e parë. Ajo që përmbush detyrimet e stilit novelistik është mungesa e renditjeve kronologjike të ngjarjeve. Dhe ajo që shpreh vërtetësinë historike të gjitha këtyre ngjarjeve është mjaftueshëm prania e vetë shkrimtarit si personazh. Një pjesë e letërsisë së burgut pas rënies së komunizmit, vjen si e tillë, ku zakonisht është bërë një vetëvendosje e qëllimshme e shkrimtarit si personazh, për të forcuar besueshmërinë dhe konkretësinë tronditëse të ngjarjeve. Ndërsa lexon këtë libër, më tej vëren se një rrëfenjë plot paradokse dhe dhimbje, me theks kulmor dramatik e tragjik, kapërcen mbi dëshminë autoriale. Vepra vjen nëpërmjet një simbioze të fortë të autorit personazh me autorin që rrëfen. Në çastet e duhura këto dy krijesa të përfytyruara distancohen dhe afrohen me njëra-tjetrën, sipas rastit. Kjo i jep më shumë retrospektivë veprës dhe ngjarjeve. Ka raste kur autori rrëfen si para pasqyrës, duke biseduar me anën tjetër të paraqitjes me vetveten personazh. I duhet të shtyp atë ndjenjë neverie për humbjen e vlerës simbolike të jetës, për çmimin e saj. Kjo e bënë atë të ndihet ende një i arratisur që nuk guxon ta shijojë lirinë, për të cilën ka paguar shtrenjtë e ku, në atdheun e tij, në vend të jepeshin medalje trimërie për luftën kundër armiqve,të jepej kjo medalje që të vrisje bashkatdhetarin tënd: "(Meqenëse mbrojte me guxim dhe përkushtim kufirin e atdheut tonë socialist dhe e asgjësove armikun që donte të kapërcente, organizata bazë e partisë dhe komanda e repartit në të cilën bën pjesë, kanë vendosur të vlerësojnë me një leje të jashtëzakonshme prej dhjetë ditësh!)." ( fq.12. Po aty, romani "Ushtari nw Kufi")Rrëfimi i një historie konkrete, përmes ndjesish emocionale dhe retorikës së hollë bëhet tërheqës që në hyrje të veprës, ku autori qëndron në një pikë vështrimi e krahasimi përskaj dy botëve, botës së lirë dhe së të sunduarës nga diktatura: "Nga kjo anë ishte një botë e pamundur. Përmatanë bota e pakufishme. Mbas pak do të ishte një njeri i lirë për herë të parë në jetën e tij të vetëdijshme. Prej dhjetëra vitesh e kishte ëndërruar atë arrati: tani që ishte duke e kryer, i dukej diçka e pamundur, pothuaj areale, sikur të jetonte jetën e dikujt tjetër. I druhej lumturisë." Pse do të duhej të zgjeroheshim me studime e polemika letrare, me ide dhe mesazhe të veprës? Kjo shpjegohet më mirë me fjalët e autorit Amik Kasoruho, i cili në romanin e tij njeriun pa kujtime e quan si pema pa rrënjë dhe kështu, ne të gjithë pa këto kujtime që lidhen me gati gjysmën e jetës sonë, do të ishim si pema pa rrënjë. Familjet e përndjekura donin ti kthenin në familje rrënjëshkulura. Regjimi synonte shfarosjen e tyre. Kështu e terratisën e përndoqën edhe familjen e Amik Kasoruhos. Perceptimi i këtij mesazhi, që përmbush edhe raportin artistik të veprës, bëhet kur shkrimtari shpreh emocionet e tij. Lexo në libër: "Ishte i ndarë mes dy botësh: njëra prej të cilave ishte fragmentare, e gjallë, therëse, thellësisht e jetuar, por e padukshme, e fshehur dhe e ruajtur me xhelozi brenda tij, dhe tjetra, ajo që mund të shikonte përtej dritares: e huaj dhe e vetja, indiferente dhe e shtrenjtë, e ngrirë dhe e palëvizur e, megjithatë, plot drithërima jete. Pasi kjo ishte jeta e vërtetë për një pjesë të popullit shqiptar, pjesë që përbënte shumicën. Ndoshta nuk do t’i donte as këto, por njeriu pa kujtimet është si pema pa rrënjë: nuk do të mund të qëndronte në këmbë. Një burrë pa kujtime nuk ka të drejtë të mendojë për të ardhmen. - Biri im, kam vetëm një dëshirë: kur të vijë fundi, nuk dua të më varrosni në këtë fshat. Duhet të më shpini në varrezat e Durrësit. Nuk mund ta pranoj idenë se edhe i vdekur do të jem e dënuar të pushoj mes njerëzish të huaj." (fq. 20)

"Aso kohe nuk e dinin që drama e jetës, për secilin prej tyre, kishte rezervuar më shumë se një akt.", thotë Kasoruho dhe narracioni i tij sa vjen dhe bëhet më epike, ndërsa shkrimtari bën disa evokime artistike nga e kaluara në sotmen dhe anasjelltas, që shpalos të gjithë degradimin e një shoqërie që ka jetuar 50 vjet nën diktaturë. Jo pak herë ai i rikthehet çoroditjes së madhe të viteve 90, kur shqiptarët të etur për lirisë dhe shpresë y dyndën në muret e ambasadave të perëndimorëve në Shqipëri. "Kishte kaluar një muaj qëkur mijëra njerëz kishin kapërcyer muret e ambasadave të huaja në Tiranë dhe ajo ngjarje, rëndonte mbi të gjithë me tragjizmin e saj. ... njerëzit ndienin zemëratë dhe emocion. Zemëratë ata që ishin të lidhur me regjimin, emocion të tjerët. Ata më guximtarët, që, të shtyrë nga dëshpërimi, kishin qenë aq të fortë sa të përballeshin me rrezikun e vdekjes, që hodhën gjithçka në një lojë të panjohur plot të papritura, nga njëra pjesë e shoqërisë u quajtën tradhtarë dhe huliganë. Pjesa tjetër, ose populli, në atë bëmë, padyshim të pashoqe për nga guximi dhe njerëzisht të kuptueshme, pa shprehjen e dëshirës për një liri askurrë të gëzuar, të nevojës së mprehtë dhe të padiskutueshme për të njohur një realitet që të mos ishte vetëm fjalë boshe dhe parulla pa vlerë. Ishin përhapur zëra që ato netët e para të korrikut në Tiranë mund të ishin vrarë nga policia më shumë se 200 vetë. i vrisnin dhe i hidhnin në kamionët e trupave të ndërhyrjes së shpejtë të repartit famëkeq 326. Askush nuk e dinte me saktësi sa ishte numri i viktimave: ato ditë në Tiranë, me t’u marrë vesh arratia nëpër ambasada, kishin ardhur me mijëra nga qytetet dhe krahinat e tjera të vendit."

Pra siç shihej si në dramat shekspiriane, si aktet e para dhe të fundit të tragjedisë kulmohen me krimin. Askush nuk pyet për të vrarët. Ata që kishin vrarë dje, ende vrasin sot. Mesazhi është i qartë kur autori thotë se: "Nuk ishte hera e parë që shteti zhdukte viktimat e tij: edhe ky veprim i përbindshëm ishte pjesë e normalitetit të pesëdhjetë viteve diktaturë. Thuhej se policia duke zbatuar urdhrat e atij që kishte sajuar një gjë aq të mbrapshtë e të ligë, hera-herë kishte lejuar që turma t’i kapërcente kangjellat e ambasadave dhe pastaj kishte qëlluar në mish."

Kategorizimet e natyrës së krimit, nuk janë bërë pa qëllim nga autori. Ai ndihet i sigurtë në rëndësinë dhe domethënien e asaj që ka shkruar, sepse ka edhe një mënyrë tjetër për të mos e harruar historinë, ajo është "gjuha e dhimbjes". "Dhimbja flet një gjuhë të kuptueshme për të gjithë. Lotët nuk kanë nevojë të shpjegohen. Perëndia e deshi që njeriu ta ndajë dhimbjen me të tjerët, pikërisht për t’i dhënë një kuptim solidaritetit." (fq. 44-45)

Dhe solidaritetin e munguar në shumicën e rasteve, për t’u bërë gjyqin krimeve të komunizmit në emër të drejtësisë, autori përpiqet ta ngjiz, duke risjellë në kujtesën tonë ferrin e Burgut të Burrelit. "Thuajse çdo muaj vdiste ndonjë. Dhe ishin gjithmonë të njohur ata që vdisnin: mund të thuhej se gati një mijë të burgosurit e Burrelit njiheshin të gjithë midis tyre. Vdekja ishte më e shpeshtë se daljet nga burgu...". (fq. 59-60). Këtë mungesë solidariteti, ai e shpreh me historinë e të përndjekurve politikë në partitë opozitare në vitet ’90 dhe mungesën e rehabilitimit të tyre. "Partitë opozitare, ato kohët e para, nuk deshën të komprometoheshin me të përndjekurit politikë dhe i lanë mënjanë. Ndoshta sepse masat, të ushqyera për më se gjysmë shekulli me një propagandë shurdhuese, mbase nuk do ta shihnin me sy të mirë daljen në skenë të të përndjekurve. Por vetëm për këtë arsye?".

Kështu autori lë në ndërgjegjen e lexuesit shumë pyetje pezull, dhe në vend të sqarimit e argumentimit të mëtejshëm, merret me detaje idilike, siç është dashuria dhe dhimbja për Ninën. Autori-hero i romanit, vë disa shenja të ngjashme me gurët kilometrikë në kujtesën e gjithkujt, duke kujtuar atë natë të tmerrshme të fillimit të marsit 1951("thellë në shpirtin e tij nuk kishte mundur t’i falte kurrë ata që kishin dashur të lëndonin lumturinë e tij, pikërisht kur ajo po lindte"). Do të na duhet të rishkruajmë atë që disa prej tyre tregojnë: "Dyzet vjet mbas vdekjes, babai dhe të pushkatuarit e tjerë nuk kishin ende një varr. Askush nuk e dinte ku i kishin varrosur. Askush nuk mund t’u thoshte gjë për ditët e tyre të fundit. Askush nuk kishte folur. Sa e gjatë kishte qenë agonia e popullit të tij. Sa shtrenjtë e kishin paguar dëshirën për liri ata njerëz që lirinë e vërtetë e kishin njohur vetëm për pjesë të shkurtra kohe të historisë së tij. Dyzet vjet më vonë mbas masakrës së shkurtit ’51, në korrik të vitit ’90, u vranë dhjetëra (flitet edhe për qindra) qytetarë që donin të arratiseshin nga një ferr: edhe ata s’e patën një varr." (fq. 86) Ose: "Kujtesa nuk është vetëm një dhuratë hyjnore që na është falur për të siguruar vazhdimësinë e ndërgjegjshme të jetës, por është edhe një gjykatëse e sjelljes sonë në kohë. Ajo na ndihmon të shlyejmë një borxh koherence me të shkuarën, por mbi të gjitha është një çelës për të interpretuar dhe për të shtruar bazat e të ardhmen: është një privilegj, është një detyrim."(fq.100)Ose: "Pesha e padurueshme e ideologjisë komuniste e linte popullin pa ajër. Censura kishte krijuar një boshllëk të madh për t’i hapur rrugë absurditetit të rrezikshëm të utopisë komuniste. Të varfrit në shpirt nuk janë të motivuar për ta kundërshtuar dhunën. Injoranca ishte treguar mbështetësja më e mirë e diktaturës. Injoranca dhe frika."Të gjitha këto janë arsyet që e shtyjnë personazhin e këtij romani, ose kushdoqoftë ai. Që të iki nga atdheu. Këtë ikje ai e ka motivuar qartë kur shkruan se "Rruga e kujtimeve kalon nëpër zemër dhe zemra dihet, do që të jetë e lirë", duke lënë në pikëpyetje të madhe luftën për vendosjen e drejtësisë në vend.

SERVILIZMI I AKADEMIKUT



Nga SADIK BEJKO


Shkrimi i  i Rexhep Qosjes..., "Fjalimi historik i kryetarit të paligjshëm", fshehur pas tonit të fryrë e stilit kuazi shkencor nuk ishte veçse një pamflet i rëndomtë, nga ata që vështirë se merren seriozisht. Pyetja e parë që të vjen në rastin e këtij shkrimi ka lidhje me një "pse?" të madhe: Përse është bërë ky shkrim, çfarë shtron dhe ku do të dalë? Nga titulli kuptojmë se qenka fjala për një fjalim historik. Më tutje marrim vesh se ky fjalim historik qenka mbajtur në Shqipëri nga një mysafir i nderuar, kryetari i porsazgjedhur i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Lexuesi shqiptar do ta priste me kuriozitet një shkrim për çështjen Pacolli, për mënyrën si u zgjodh ky president i Kosovës, mënyrën e kontestuar me të drejtë apo të padrejtë, gjë që edhe çoi në shkarkimin e Presidentit nga gjykata Kushtetuese e Kosovës. Lexuesi shqiptar do të donte të mësonte për gabimet që u bënë, dhe për dëmtimin që pësoi imazhi i Kosovës nga gjithë kjo histori. Mirëpo nga ky shkrim i akademikut nuk merret vesh asgjë. Ky shkrim është krejtësisht i çoroditur dhe kjo vjen nga që pozita e autorit të shkrimit është jo vetëm e çoroditur, por krejt e pasinqertë.
Nuk kuptohet se çfarë mbron e çfarë konteston Qosja. A është me atë mënyrë zgjedhjeje të Presidentit, apo kundër saj. E gjithë kjo paqartësi dhe kjo mungesë sinqeriteti e ka një burim: akademiku, me sa duket, është zënë ngushtë. Nuk guxon të tregojë pozicionin e tij, nga që ky pozicion nuk e nderon. Ai guxon t’i bëjë ca si kritika zgjedhjes së Pacollit, por ato janë të përcipta, shkel e shko, sa për të larë gojën dhe kjo bie në sy menjëherë.
Pyetja në këtë rast është se përse këto kritika, qoftë dhe të përcipta, nuk u bënë në kohën e duhur, atëherë kur gabimet mund të shmangeshin, por u prit koha kur Pacolli u shkarkua? Javë të tëra Qosja merrej me çështjet në Shqipëri dhe nuk thoshte asnjë fjalë në kohën kur Kosova ziente nga çështja Pacolli. Ai nuk thoshte asnjë fjalë as për problemin e krimeve, as për dosjen Dick Marty. I vetmi problem në Kosovë për të ishte të merrte nëpër gojë në mënyrë meskine dhe të pahijshme presidentin e ndjerë Rugova, xhelozia për të cilin nuk i ndahet edhe tani që ai nuk jeton më.
Shumë lexues në Shqipëri duke parë zellin e Qoses për punët e Tiranës, haptaz ia kanë bërë pyetjen: përse nuk shikon ç’bëhet aty në Kosovë?
Dhe ja tani, pas shkarkimit të Pacollit, akademikut më në fund iu zgjidh goja. Populli thotë më mirë vonë se kurrë! Por akademiku nuk është fare i besueshëm. Dhe kjo vjen sepse, siç thamë, ai nuk është i sinqertë. Ai mezi e tregon se paska qenë një nga përkrahësat e Pacollit, se ka bërë lobing për të qysh nga viti 2007. Ai ka detyrime ndaj tij. Dhe tani tregohet me dy faqe: i bën ca si kritika sa për të kaluar radhën, dhe pastaj vrapon t’i bëjë lavdërimin më të madh që mund t’i bëhet një njeriu të politikës: Behgjet Pacolli paska mbajtur në Tiranë fjalimin më monumental, më historik, më të lavdishëm në krejt historinë shqiptare, qysh prej themelimit të Shqipërisë më 1912!
Servilizmi i akademikut është i pështirë. I pështirë dhe antishqiptar në themel. Për shkak të detyrimit që ka ndaj patronit të tij biznesmen, Qosja është gati të shkelë me këmbë një traditë të tërë shekullore shqiptare të njerëzve të mëdhenj të Shqipërisë, që nga Ismail Qemali e Dom Nikoll Kaçorri, te Fan Noli, Gjergj Fishta e të tjerë e të tjerë. Sipas akademikut servil, Tirana duhej të priste një shekull që një biznesmen nga Kosova t’i mësonte ç’është atdheu, kombi, strategjia kombëtare e gjithë nocionet e larta që lidhen me të ardhmen e Shqipërisë.
Nuk është hera e parë që Qosja e tregon këtë mosdashuri e këtë mosrespekt ndaj Shqipërisë. Më 1997, kur Shqipëria pësoi tragjedinë e saj, ky akademik është ndër njerëzit e rrallë, në mos i vetmi, që u entuziazmua e u ngazëllye nga kjo fatkeqësi. Kemi dashur ta marrim këtë si një lajthitje të rastit, por s’paska qenë ashtu. Edhe me këtë të quajtur analizë komentuese ai shenjon një shkëputje të madhe mendore duke mohuar dhe rimohuar në vazhdë historike të gjitha përpjekjet iluministe dhe vizionare të asaj pjese të shoqërisë shqiptare e cila është përballur andej dhe këndej Drinit me unifikimin e shqiptarëve në aspektin historik, kulturor dhe politik. Ai e ka keqpërdorur rastin "Pacolli" dhe fjalimin e presidentit të Kosovës në institucionet e shtetit shqiptar. Ka keqpërdorur, keqinterpretuar me qëllim si deformues me dashje i historisë edhe një çështje ende të pazgjidhur në aktualitetin politik e diplomatik.
Dhe kaq lavdërime i bëhen atij fjalimi saqë akademiku bëhet qesharak kur na thotë se i duket se e ka shkruar vetë. Nuk është çudi që Qosja ta ketë shkruar një fjalim të tillë. Siç del nga shkrimi i tij, që nga viti 2007 ai paska heshtur për Pacollin. Si ka mundësi të heshtë një kampion i madh i së vërtetës? Kjo nënkupton se kampioni i madh jo vetëm ka bashkëpunuar nën tryezë me Pacollin, por edhe është shpërblyer që të mbajë një qëndrim të tillë. Kemi të drejtë ta bëjmë një hamendje të tillë? Vetë historia e shërbimeve të Qoses poshtë tryezave na e jep të drejtën për një mundësi të tillë. Ca kohë më parë një e përditshme e Tiranës botoi fakte arkivore për bashkëpunimin e Qoses me struktura të Tiranës totalitare, duke dhënë konsideratat e tij për shkrimtarë e kolegë të Kosovës: ky është egoist, ky tjetri është titist, ai është i dyshimtë etj. Gjithë këto histori të liga nuk mund të lahen e të lyhen me bojën e artikujve vetëlavdërues të njeriut që në një anë bën pazare nën tryezë e në anën tjetër, në publik, rreh gjoksin si trimosh.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...