Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Populli; Nënshtrim i detyruar apo i indoktrinuar?

ylli-pango

Prof. Dr. Ylli Pango


Ky është një nënshtrim i një lloji tjetër. Pa kompensim dhe pa paramendim. Një bazë fillestare e këtij nënshtrimi, nën prizmin ylli-pangofrojdist do të ishte ajo e raportit prind-fëmijë. Fëmija, siç dihet, brendëson, bën të vetat, pjesë të personalitetit dhe të koshiencës së tij, unin e babait, autoritetin e tij, si i vetmi si fillim dhe i pari ideal për t’u ndjekur. Pas kësaj ai i bindet këtij uni apo i nënshtrohet edhe kur ky nuk është më i pranishëm. Ky është një proces identifikimi që përfundon me krijimin e pavarësisë, me bindjen apo komandimin e vetvetes, duke e ndjerë prindin gjithnjë të pranishëm. Më tej vjen nënshtrimi ndaj autoritetit të mësuesit, sidomos ndaj atij të klasës së parë si autoriteti i parë social jashtëfamiljar. Ky, në moshën e vogël është më i padiskutueshmi dhe që madje tejkalon edhe atë të prindit. Me të mplekset nënshtrimi ndaj autoritetit të më të fortit, më të aftit etj., ndër shokët që bëjnë pjesë në grupin e vogël social apo mikromjedisin social të fëmijës apo të adoleshentit. Pastaj vjen autoriteti i pronarit, drejtuesit, shefit ej. Në vendet me reminishenca të forta të sistemit totalitar si Shqipëria, jo vetëm atëherë por edhe sot, nënshtrimi ndaj autoritetit të shefit apo të drejtorit ka qenë e mbetet, i detyrueshëm e jetik. Pa të, rrogëtari nuk jetonte e nuk jeton dot. Këtu do të përshtatej shprehja e Bergsonit: “Autoriteti i tyre rrjedh më pak nga ata vetë sesa nga situata e tyre në raport me ne.”

Në epokën e errët të totalitarizmit, më tej vinte autoriteti i udhëheqësve partiakë, shtetërorë, veneracioni dhe nënshtrimi ndaj tyre. Autoriteti i liderit të partisë, i “Atit” të të gjithë popullit ishte më i larti, më i padiskutueshmi. Në këto sisteme Frojdi mund të modifikohej duke e shtrirë më tej teorinë e tij të interiorizimit dhe duke e filluar atë edhe më hershëm, që nga ndërkallja që në fëmijëri të hershme e autoritetit të liderit e të atij të “partisë mëmë” në veçanti dhe të dashurisë pa kushte, pra një lloj nënshtrimi fillestar fëminor ndaj tyre. Autoriteti i liderit ishte i afërt me atë të perëndisë. Nënshtrimi ndaj autoritetit të liderit lidhej dhe kushtëzohej me autoritetin gati të shenjtëruar të partisë që ai udhëhiqte. Meritat formalisht i jepeshin asaj, e cila në këtë rast përdorej si nocion abstrakt (pasi pothuaj të gjithë udhëheqësit apo anëtarët e tjerë të thjeshtë nuk gëzonin as edhe një siguri të të qenit nesër. Partiaku i devotshëm i së sotmes, në të shumtën e rasteve kthehej më vonë sipas vullnetit të sovranit, tekave a paranojës së tij, rrallëherë të ndonjë gabimi të vet, në armik apo deviator.) Partia ia rikthente pastaj lavdinë liderit dhe kështu rrethi vicioz i shenjtërimit përfundonte po aty. Autoriteti i partisë ishte një lloj autoriteti impersonal, ideologjik dhe dogmatik. Tabuja e këtij autoriteti, paragjykimi për pagabueshmërinë e tij, e mpinte masën, e nënshtronte atë (duke e indoktrinuar më parë me pagabueshmërinë e dogmës marksiste-leniniste). Po sot? Natyrisht, reminishencat shfaqen ende, por me dallime të dukshme edhe nën ndikimin e zhvillimeve sado ende të papjekura demokratike. Gjithsesi, autoriteti i njëshit partiak ende është gjithçkaja në jetën e një pjese të madhe të njerëzve dhe nënshtrimi ndaj tij indirekt apo direkt, dëshira për t’i hyrë në sy, kacavjerrja nëpërmjet hallkash ndërmjetëse deri atje etj., janë modus vivendi tipik për mjaft njerëz edhe në shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo është e vërtetë jo vetëm për njerëz që punojnë në sektorin publik. Jo vetëm në sektorin akademik. Por madje edhe njerëzit që merren me biznes, me media private etj., lidhen me sovranë partiakë a parti të caktuara për të pasur lehtësira, përfitime, por në rastin më të keq për të mos ndjerë dorën e rëndë të përfaqësuesve spekulativë tagrambledhës a kontrollues të shtetit të frikshëm. Ka biznesmenë të rangut të biznesit të madh që e thonë hapur që e kanë frikë shtetin, nënshtrohen, paguajnë edhe tej rregullave, vetëm që të “mos kenë punë me të”.

Një shkak apo mjet tjetër i nënshtrimit të popullit dhe njëkohësisht mjet i mbajtjes së këtij nënshtrimi dikur në vendin tonë, ishte paradoksi unitet (lexo: unanimitet)-luftë klasash. Ndërkohë që kërkohej, predikohej dhe reklamohej i pari, krijohej përçarja nëpërmjet së dytës. Këtu nënshtrimi arrinte kulmin duke shkuar gradualisht nga mohimi dhe spiunimi i shokëve e familjarëve e deri ne absurdin tragjik të mohimit të të afërmit, vëllait, burrit, apo gruas, pasi sovrani apo partia kishin dhënë verdiktin e armikut të partisë për ta. Sot kjo nuk shfaqet në këtë formë por në një aspekt apo si shembull tipik, në rikthimin në parti, të një pjese të mirë të njerëzve të larguar prej vitesh nga partitë e mëdha, madje edhe me pozicione dikur, duke mohuar çdo bindje të vjetër shkak largimi dikur, të karakterit politik a programor, thjesht për shkak të përfitimit aktual e mirëqenies personale e familjare. Ky është përsëri një nënshtrim por jo i indoktrinuar as i detyruar, por pragmatik, apo i detyruar nga dëshira me qenë sërish dikush. Assesi për unitet partiak e as ideologjik a programor, çështje të cilat janë pothuaj inekzistente madje edhe për të dalluar identitetet partiake nga njeri tjetri.

Sipas një teorie të mirënjohur, ne ruajmë nga fëmijëria gjurmët e pothuaj çdo aspekti thelbësor apo vijat më të trasha e specifike të karakterit tonë të mëvonshëm. Kështu ndodh edhe me nënshtrimin: kur njeriu mësohet me tutelën dhe me nënshtrimin, ai rrezikon të mbetet i tillë për tërë jetën. Dostojevski flet për tipa “që natyra e tyre e qetë dhe e turpshme, i destinon në një nënshtrim të vazhdueshëm, pa vullnet personal.” Këtu mund të bëhet ndofta një paralelizëm edhe për popujt që të porsadalë nga errësira në djepin e brishtë të demokracisë. Ata e sidomos ne shqiptarët, që kaluam një ndër diktaturat më të ashpra e më paradoksalet në botë e sigurisht më të rëndën në Europë, duhet të luftojnë fort për të përballuar e ulur sado ndikimin ende virulent të psikologjisë së nënshtrimit. Po s’u mësove i guximshëm dhe i pavarur që në fillim e ke të vështirë të ecësh më tej. Edhe kjo e shpjegon inercinë e gjatë dhe shumëvjeçare të nënshtrimit që ende vazhdon tek ne.

Një aspekt tjetër i suksesit të kësaj psikologjie tek ne:Mbi bazën e parimit të barazisë, me të cilin u spekulua mjaft në sistemet socialiste totalitare, u kalua në barazinë ekstreme sociale për të gjithë, me përjashtim të një kaste të vogël të privilegjuar. Intelektualë, madje edhe të kategorive më të larta, merrnin paga të ulëta, të një niveli të përafërt me të tjerët. Terreni tradicional psikologjik, mbi të cilin u ngrit me sukses në Shqipëri dikur kjo barazi(por që vazhdon edhe sot si mentalitet pa respektuar hierarkinë më të lartë të vlerave), ishte krenaria, kryeneçësia e dikurshme fisnore shqiptare dhe deri-diku anarkia tipike e tij, tendenca për të mos parë dot njeri mbi vete e për të mos respektuar hierarki vlerash e pune. Kjo bëri që njerëz nga më të pavlerët a më mediokrit, të mos përfillnin shpesh as një lloj vlere a arritjeje intelektuale .(Por jo nëpunësin e shtetit që kishte në dorë). Barazia ekstreme sociale solli rrafshimin e vlerave gjë që sot ka arritur kulmin e vet. Por në këto kushte nënshtrimi është gjithmonë më i lehtë dhe mbete i tillë edhe sot. Mbi një terren të rrafshët mund të shkelet shumë më lehtë sesa mbi një terren të thyer. Mungojnë majat e thepisura, kryeneçët, zërat e fuqishëm intelektualë, baza apo shpirti i lëvizjeve të gjera sociale e ekonomike për progres apo protestues ndaj mediokritetit, stanjacionit, qeverisjeve të mbrapshta.

Intelektualët e zakonshëm (jo ata të oborrit), kanë qenë ndër shtresat apo grupet më të frikësuara dhe më të pagoja të popullsisë. Nën kërcënimin e vazhdueshëm të qarkullimit, transferimit, etiketimit si i molepsur me ideologjinë e huaj, nën peshën e rëndë të halleve ekonomike, ata kaluan gradualisht të nënshtruar në bazamentin e piramidës sociale. Së bashku me ta edhe nëpunësit e vegjël çehovianë, gjithmonë të bindurit dhe të nënshtruarit e çdo epoke apo sistemi, me frikën e përhershme në zemër. Sot për shkak të nivelit të ulët të shpërblimit, rrogës, a përgjithësisht nivelit të ulët ekonomik, intelektuali mbetet ende ndër shtresat më të paprivilegjuara e për rrjedhojë më të nënshtruara të shoqërisë. Në aspektin e zërit të lirë por edhe të raporteve më të thjeshta reciproke a të atyre me eprorin, ai shfaqet gjithaq i tërhequr a i tutur si në të kaluarën, flet vetëm nën zë në tryeza miqsh a të afërmish dhe ndodhet ende nën trysninë e humbjes së vendit të punës, pasigurisë a të frikës nga eprori a superiori i vet.

Ndër faktorët e tjerë të nënshtrimit e të heshtjes së gjatë popullore ka qenë edhe e ashtuquajtura psikologji komune apo psikologji e pseudogrupit të madh social dhe kontradikta e saj me psikologjinë dhe mentalitetin e vërtetë individual, natyror të njeriut. Mbi bazën e idealit të së ardhmes, të komunizmit, por duke operuar ndërkohë me një mentalitet dhe ndërgjegje ekzistuese të pakultivuar, plot paragjykime sociale, arkaizma dhe të mbingarkuar edhe me aspekte të tjera negative të periudhës komuniste si përçarja biografike e të tjera; u bë e ligjshme ndërhyrja në jetën personale, intime të tjetrit. Së pari partia e cila merrej edhe me problemet më intime familjare, pastaj të ashtuquajturit rripa të saj të transmisionit, fronti demokratik, bashkimet profesionale, organizatat e rinisë etj, e bënë të zakonshme, mbi bazën e justifikimit të ndërtimit të njeriut të ri, të pastër e ideal të së ardhmes, ndërhyrjen edhe në problemet më të vogla e delikate të jetës personale a familjare të njeriut. Erdhëm kështu te humbja e çdo identiteti dhe intimiteti të individit e deri të atij të shenjtë familjar. Aktivisti i lagjes dhe partia hynin deri në krevatin bashkëshortor. Mëritë e kuriozitetet e vogla të njerëzve meskinë për intimitetin e tij, fatkeqësinë e tij, futja e hundëve në jetën personale të tjetrit, thashethemet, gjenin kësisoj terren për t’u kultivuar më tej. Ndërgjegjja e niveleve të ulëta sillte efekte të kundërta nga ato të pretenduara për rregullimin dhe ruajtjen e pastërtisë së jetës së tjetrit. Njeriu nuk ndihej kurrë i qetë dhe i sigurt në jetën dhe intimitetin familjar, por i ekspozuar ndaj çdo syri të jashtëm dhe i nënshtruar edhe në jetën private. Te njeriu i thjeshtë u krijua psikologjia e dhunës dhe e terrorit, e frikës dhe e hipokrizisë, e mungesës së besimit te njëri-tjetri dhe e respektimit të personalitetit. Të gjitha këto kishin në bazë mbështetjen dhe kultivimin e psikologjisë komune, të së ashtuquajturës familje të mëdha socialiste, ku pretendohej se askush nuk të hante hakun, ku mbretëronte drejtësia dhe demokracia më e thellë, ku nuk kishe nevojë as për mbrojtje dhe as për avokat mbrojtës (institucion i zhdukur prej vitesh në sistemet totalitare) se të mbronte vetë shteti dhe partia me drejtësinë e tyre absolute. Kjo ka reminishencat e saj edhe sot. Natyrisht jo në formën e psikologjisë komune, por të paaftësisë së trashëguar për të njohur e mbrojtur të drejtat e veta individuale, familjare, qytetarisë demokratike, përgjegjësisë për jetën e fatet e vendit etj. Pa kulturën e nevojshme juridike e demokratike, njeriu i sotshëm i tranzicionit është ende tejet i nënshtruar dhe i cenueshëm nga çdolloj ndërhyrjeje, qoftë kjo politike, mediatike(sidomos mediatike), por edhe individuale e individëve agresivë që sjellin pasoja të rënda dramatike në jetët e tyre personale e familjare. A ka ndërhyrje më brutale se ajo e emisioneve të ashtuquajtura investigative televizive që ndërhyjnë në jetën personale të jetës së njerëzve, në punët e tyre, zyrat, bizneset, deri shtëpitë e tyre, me pretekstin e zbulimit të paudhësive dhe të ruajtjes së një morali të pastër absurd. Njerëzit që i bëjnë këto janë simbol korrupsioni dhe pjella të mediave të lindura nga korrupsioni e krimi dhe kjo e rrit akoma më tepër absurdin e cenon akoma më ashpër lirinë e sigurinë e individit.

Mund të thuhet se për rreth gjysmë shekulli komunizëm, Shqipëria, u transformua në një laborator të madh social, ku kaviet ishin njerëzit dhe psikologjia e tyre, ku synimi i eksperimentit ishte nënshtrimi i madh në grup, konformizmi, bindja e verbër ndaj autoritetit, paragjykimet social-klasore. Për fat të mirë ky eksperiment i përbindshëm për nga përmasat dhe për nga lloji u ndërpre, ndonëse pas një kohe të gjatë dhe pas sakrificash të panumërta të racës njerëzore. Por gjithsesi jemi ende në një periudhë kur për të dalë në lirinë e vërtetë të individit, mënjanimin e reminishencave të nënshtrimit, duhet një kohë jo e shkurtër rikuperimi, një edukim e kultivim kulture, mbi demokracinë e vërtetë, pavarësinë e të menduarit, lirinë e pavarësinë individuale, e grupore demokratike që ende lënë shumë për të dëshiruar.

Burrneshat, tani një fenomen artistik

f1_burnesha-jpg1346312286


Ne të gjithë kemi dëgjuar për burrneshat, gratë e zonave malore, që janë betuar të jetojnë si burra, të presin flokët, të veshin kostume mashkullore e të përfshihen në jetën e burrave, shumë e ndryshme nga ajo e grave, të paktën me ç’parashikon kanuni. Por sigurisht do na bënte përshtypje po të shihnim një të tillë. Nuk është e zakonshme. Thuhet që kanë mbetur rreth 30 në zonat veriore. Mendo pastaj një fotografe amerikane, e interesuar për çështje shoqërore, që dëgjon për këtë fenomen. Sigurisht shërbimi i saj fotografik në veri të Shqipërisë me disa nga burrneshat që jetojnë atje, jo vetëm në moshë të thyer, por edhe të reja, do bënte xhiron e botës.

Nga ana tjetër skenari më i ri Andamion Murataj me titull “Burri i Shtëpisë” (Man of the House), u përzgjodh në mesin e dy filmave nga SHBA për në Projektin prestigjioz PUGLIAEXPERIENCE 2013 . Ky është një panair ku zgjidhen skenarët më intrigues për t’u mbështetur më pas me fonde të BE-së dhe me sa duket historia e një gruaje që ka zgjedhur të jetojë si burrë u është dukur më e spikatura, jurive përzgjedhëse. Andamion Murataj ka nisur realizimin e këtij filmi me personazh kryesor një burrneshë të vërtetë të maleve tona.

Në kullën e ngujimit në Theth, të zotët, u kanë folur turistëve të këtij gushti edhe për burrneshat, duke ua shpjeguar zgjedhjen e tyre si të atyre femrave që nuk kishin më meshkuj në shtëpi. Fotografja Jill Peters që i quan burrneshat vazhdimisht virgjëresha të betuara, shkruan që ato e kanë bërë këtë zgjedhje për të pasur të drejtat që grave u mohohen sipas kanunit. Dhe një herë arti na kujton fenomenet tona sociale, dhe pikërisht artistët që vijnë nga jashtë Shqipërisë.

Histori lezbikesh në rrugët e Tiranës, zbuluar nga Sofia Hultin


Sofia-Hultin-320x213

Ato janë pjesa e padukshme e shoqërisë. Për të mos rënë pre e paragjykimit që nis që në familje, shumë prej tyre Sofia-Hultin-320x213detyrohen të martohen, edhe pse të palumtura. Artistja suedeze Sofia Hultin ka zbuluar gjatë një shëtitjeje në Tiranë shumë prej tyre. Ajo si çdo lesbike, është ulur, ka biseduar me to, dhe bën publike shumë prej historive të tyre. Ekspozita e saj “Unë jam si çdo lesbike” u çel mbrëmë në galerinë FAB të Akademisë së Arteve. Kush mund ta dijë nëse disa nga personazhet ishin apo jo të pranishme në atë ekspozitë, ato sërish janë të padukshme me pamjen e tyre, por bërtasin përmes historive personale. Sofia ka mbledhur shumë syresh gjatë shëtitjes së saj në kryeqytet dhe i ka sjellë ato si një guidë në formë audioje. Edhe pse i tregon në vetën e parë, (si e huaj është e çliruar nga çdo paragjykim), historitë e saj janë të gjitha shqiptare. Për këtë arsye dhe titullin e zgjodhi “Unë jam si çdo lesbike”. Historitë janë nga më të ndryshmet. Janë lesbiket e fshehura nën petkun e bashkëshortes, ato që kanë dy jetë: një të fshehtë, e një për sytë e botës. Për sytë e botës janë të martuara dhe kanë një burrë. Presioni i familjes ka triumfuar mbi dashurinë brenda gjinisë. Janë pastaj guximtaret që kanë treguar seksualitetin e tyre pa marrë parasysh pasojat. Kanë fituar lirinë e të qenit vetvetja, por kanë humbur ngrohtësinë familjare. Shumë pak janë fatlumet që kanë patur guximin ta çlirojnë veten nga pesha e rëndë e të qenit ndryshe nga të tjerat dhe jetojnë si të tilla, për familjen që i ka pranuar por dhe për shoqërinë. “Jam si çdo lesbike” është një shëtitje në qytet, një guidë në formë audioje dhe një hartë në të cilën tregohet një pjesë e historisë sonë në Tiranë. Ajo bazohet në historitë që me aq bujari disa prej jush kanë ndarë me mua gjatë qëndrimit tim këtu në qytet. Si çdo histori rreth një qyteti, ato janë po aq subjektive, fantastike, të trishta e plot shpresë sa edhe të vërteta. Këto janë edhe histori të një rëndësie të madhe. Historia e dokumentuar lesbike në Tiranë, që është më shumë se pesëvjeçare, është pothuajse inekzistente dhe përderisa askush nuk po e shkruan historinë tonë për ne, na duhet që ne ta shkruajmë vetë”, – thotë artistja suedeze. Janë 26 pika ku ajo ka shënjuar historitë e lesbikeve në Tiranë. Secila është një rrëfim më vete: “Si të biesh në dashuri”, “Sulmi”. “Kur preva flokët”, “Shkolla”, “Kampi i krishterë”, “Qendra e grave”, dalja publike në televizion kombëtar” etj., etj. Personazh në këto rrëfime është bërë dhe ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, me deklaratën e tij në një debat televiziv, e cilësuar si homofobike, por dhe shumë aktivitete që janë bërë në mbrojtje të komunitetit LGBT. Kjo ekspoze vjen si nismë e Rezidencës Artistike “Aleanca Unstraight” dhe ka për qëllim zhvillimin e artit si mënyrë për të praktikuar politikat emancipuese. Për katër javë me radhë Sofia Hultin ka punuar me komunitetin LGBT, dhe sjell një punë që trajton në mënyrë artistikisht akute, gjendjen aktuale politike dhe shoqërore të komunitetit LGBT në Shqipëri. Përveç punës së artistes suedeze Sofia Hultin, pjesë e kësaj ekspozite ishte edhe premiera e filmit me metrazh të shkurtër të kineastit Ergys Meta. Filmi i Metës trajton historinë e dashurisë dhe hakmarrjes së një çifti homoseksualësh. Rezidenca Artistike “Aleanca Unstraight” është një sipërmarrje e Aleancës kundër Diskriminimit të LGBT dhe “The Unstraight Museum”, e mbështetur nga Instituti Suedez.

Disa nga rrëfimet e lesbikeve të kryeqytetit

Si rashë në dashuri

Kur filloj mendoj për këtë, mendoj se gjithmonë kam qenë lesbike, por u sigurova një vit më parë kur ndjeva se kisha rënë kokë e këmbë në dashuri me shoqen time më të ngushtë. Kishim dy vite që njiheshim para se të ndodhte gjë, por kur kthej vështrimin pas më duket se ato vite njohjeje kishin qenë njësoj si takime dashurie. Fantazoja shumë për të, do doja të isha gjithë kohës me të, por në fakt nuk arrija t’ia thosha, megjithatë një ditë ajo më thotë se dëshironte të më pyeste për diçka dhe e dija se kishte të bënte me çfarë ndjeja dhe i thashë: “Më pyet” Ajo më përgjigjet: “Jo, nuk mundem”. Dhe unë i them: “Jo të lutem, më pyet”. “Jo, nuk do të pyes” dhe ky debat zgjati për rreth një orë. Dhe kur ajo në fund më tha: Ok, do të të pyes. Çfarë do të mendoje nëse do të puthja?”

Sulmi

Kur isha 17 ose 18 vjeçe, po shëtisja me të dashurën time pikërisht në këtë rrugë. Ishim për dore dhe 5 çuna që na panë filluan të ulërisnin dhe kapën për krahu të dashurën time dhe e tërhoqën tutje nga unë. U inatosa dhe fillova të zihesha me ta. Njëri prej tyre kishte një shishe në dorë dhe më sulmoi me të, duke arritur të më priste me anë të saj në krah. Sigurisht që iu përgjigja sulmit të tij, por ata ishin shumë dhe askush nuk u afrua të na ndihmojë. Gjithmonë është kështu. Më kanë sulmuar shpesh dhe askush nuk ndalon të më ndihmojë.

Kampi i krishterë

Këtë verë familja ime më dërgoi në kampin fetar për një javë dhe atje u hap një debat i paparashikuar për homoseksualitetin dhe të gjithë ishin kundra tij. Kishte shumë urrejtje dhe injorancë dhe njerëzit thanë gjithë ato gjëra homofobe dhe idiote. Ishte krejt e dukshme se ata veçse sa e lexonin dhe e përsërisnin Biblën. Këtë libër shkruar vite me parë. Dhe në fillim vetëm rrija dhe i dëgjoja në heshtje, por pas pak nuk po i duroja më dhe iu ktheva kësaj vajzës që sapo kishte bërë një ligjëratë homofobe. Njerëzit që ishin aty u kthyen të gjithë dhe më thanë: A nuk je e krishterë? – Jo, dhe unë i mbështes të drejtat gay. Nuk mund t’u thosha që isha lesbike, por isha shumë e inatosur dhe fola vërtet me zë të lartë. Dhe u ndjeva e guximshme, u ndjeva mirë, vërtet mirë. Më pas drejtori i kampit foli me mua dhe unë i thashë që jam lesbike. Dhe ai tha: “Nuk ka gjë, por unë do të lutem që kjo gjë të kalojë”. Tani ai më kontakton shpesh, duke dashur të thotë se mund të më shërojë me gjërat e tij të Biblës, por unë thjesht i them se nuk jam e interesuar.

Komisar Katani në Fier

Edicioni i dytë i “Apolonia International Students Film Festival” këtë vit sjell një të ftuar special, aktorin Michele Placido, i mirënjohur nga publiku shqiptar në interpretimin e personazhit komisar Katani në filmin “Oktapodi”. Ky edicion organizohet nga Qendra “Epoka e Re”, në bashkëpunim me Bashkinë Fier dhe financues kryesor “The Swedish Institute” (Qeveria Suedeze), më 20-25 shtator. Në këtë edicion konkurrojnë 50 filma me metrazh të shkurtër nga 29 shtete të botës. Festivali është konceptuar si një takim për të apasionuarit e kinemasë, ku për gjashtë ditë do të kenë mundësinë të ndjekin prodhimet më të fundit kinematografike shqiptare dhe ato të huaja.

Lufta e portreteve, Ilir Meta gjen zgjidhjen e mesme “integruese”

Pas reagimit të presidentit Bujar Nishani për heqjen e portretit të tij nga zyrat e shtetit, ka folur edhe kryetari i Parlamentit Ilir Meta. Ai tha se nuk do e heqë portretin e Nishanit për faktin se nuk e ka gjetur atë në zyrë, duke “ja ngecur” praktikën e mosrespektimit të figurës së kreut të shtetit, paraardhëses Topalli. Në këtë linjë, ishte moment i ish presidentit Bamir Topi, që në një intervistë për gazetën Telegraf, të kujtonte precedentin e heqjes së portretit të tij çka e nisi ish- kryetarja e Kuvendit. Në kohën e konfliktit mes kreut të shtetit dhe mazhorancës së djathtë, e djathta vendosi që të ‘zhdukë’ portretin e Topit nga zyrat e shtetit. Madje kanali Top Channel ilustroi me pamje filmike praninë dhe pastaj mungesën e portretit të Bamir Topit. Sa për Metën, ai deklaroi me qetësi në stilin e vet “integrues” se krahas portretit të Nishanit, do vendoste edhe atë të Ismail Qemal Vlorës në zyrën e tij.

Shënim: Ergysi, UÇK-ja dhe disa grekë të lodhur dhe dritëshkurtër

Publikimi i një fotoje në facebook me bluzën ku duket qartë logoja e UÇK-së, ja ka komplikuar seriozisht jetën futbollistit të Paok-ut të Selanikut dhe kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe. Ekipi e pezulloi nga aktiviteti sportive dhe një komision disiplinor u mblodh enkas për këtë rast që shkaktoi reagime të forta në gjithë Greqinë. Po përse këto reagime? Mendja ta do që lidhja bëhet me UÇK-në si “organizatë terroriste”, (paçka se partitë e dala nga ushtria çlirimtare janë në pushtet në Kosovë dhe dialoguese me Athinen zyrtare), dhe sidomos me ofendimin e vëllezërve ortodoksë serbë. Kaçe është detyruar të kërkojë falje për gjestin (foton e hodhi një shok I tij në fb, jo ai vetë) dhe deklaroi se “Paok më ka ndihmuar jashtë mase, më ka ndryshuar jetën mua dhe familjes dhe nuk dua që për shkakun tim të komentohet negativisht”. Dhe më tej,ka deklaruar se nuk e dinte se çfarë ishte UÇK-ja. “Bluzën e vesha sepse pashë që ishte flamuri shqiptar dhe nuk më shkoi në mendje se do të shkaktonte këtë reagim në Greqi. Po ta dija nuk do ta vishja, pasi këtu jetoj, këtu jam rritur, këtu shkova në shkollë dhe këtu është atdheu im i dytë”, ka thënë futbollisti.

Këto tërheqje të djalit të shkretë, padyshim të detyruara dhe të instruktuara, megjithatë duket qartë se nuk shkuan deri tek prekja e flamurit të atdheut të tij, pasi në të kundërt në Greqi do kishte edhe një lloj tjetër reagimi, ai i shqiptarëve. Por le të mbetemi tek vëllazëria serbe. Publiku grek e di fare mirë se një grupim vullnetarësh të armatosur grekë që sot më së shumti militojnë tek Agimi i Artë, kanë marrë pjesë dhe janë shquar në masakrën famëkeqe të Srebrenicës. E pohon këtë dhe gazetari e publicisti i njohur Takis Mihas. Por nuk është ndjerë ndonjëri për këtë fakt tashmë të vjetër dhe të stërnjohur. Disa pjesë të publikut dhe opinionit grek i shqetëson më shumë një logo ushtrie që ka mbrojtur atdheun e vet.

Neue Zürcher Zeitung: Edi Rama, politikan jotipik, një dorë mrekullie mund të arrijë ato që ka premtuar

Vizita e parë në Bruksel e kryeministrit të ri të Shqipërisë, zotit Edi Rama është bërë objekt jo vetëm i shtypit vendës, por edhe atij botëror, duke e komentuar në mënyra të ndryshme ardhjen e tij në pushtet dhe sidomos programin e tij të guximshëm ekonomik. Një ndër këto gazeta është edhe Neue Zürcher Zeitung, e cila në numrin e sotëm (17.09.2013) e portretizon kështu figurën e re drejtuese të Shqipërisë, kryeministrin Edi Rama:

Që nga fillimi i kësaj jave Shqipëria qeveriset nga një qeveri socialiste. Në krye qëndron Edi Rama, 49 vjeçari është 20 vjet më i ri se armiku i tij kryesor prej disa vitesh, Sali Berisha dhe i përket një gjeneratë te re politikanësh. Ish-lojtari i basketbollit, që ia doli të ngjitet deri në kombëtaren shqiptare, dallohet me statujën e lartë nga masa e politikanëve shqiptarë.

Tani Rama ka mbërritur aty ku donte. Por në rrugën drejt kreut të qeverisë, Rama është larguar nga idealet e larta. Këtë e reflekton edhe koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim, LSI, e cila drejtohet nga ish-kryeministri, Ilir Meta. Prandaj tingëllojnë boshe premtimet e Ramës që me një dorë mrekullie në vend do të krijohen 300.000 vende pune, dhe do të luftohet me efektivitet korrupsioni në vend.

Bojkoti i LDK-së, Rama viziton varrin e Rugovës


LDK: Ramën e bojkotuam se nuk përmendi Ibrahim Rugovën



Edi Rama nuk e ka komentuar braktisjen e sallës së Kuvendit nga deputetët e LDK-së gjatë fjalës së tij, porrama ne kosove për të përmirësuar këtë incident që u krijua gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë, ai vizitoi më pas varrin e Ibrahim Rugovës. Rama tha se “në këtë vend ku prehet njeriu pa të cilin Kosova nuk do të bëhej realitet, siç nuk do të ishte bërë pa të gjithë protagonistët e tjerë, që dhanë jetën për të dhe ata që vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e saj shtet sovran dhe demokratik”. Rama tha më tej “Lavdi përjetë Ibrahim Rugovës dhe gjithë atyre që vunë gjithçka kishin në themelet e Kosovës së re”.

Bojkoti i LDK-së

Shumica e deputetëve te Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bojkotuar fjalimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Kuvendin e Kosovës në shenjë proteste kur ai citoi Rexhep Qosen në fjalën e tij dhe për faktin që nuk përmendi në fjalën e tij ish-presidentin dhe ish-liderin e kësaj partie, Ibrahim Rugovën.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se fillimisht ka qenë në seancë për të dëgjuar fjalimin e Ramës, por më vonë ka dal nga salla me arsyetimin se fjalët e kryeministrit të Shqipërisë ishin përçarëse.

“Z. Rama nuk ka qenë në nivelin e duhur për të mbajtur fjalim në një Kuvend dhe një fjalim jounifikues. Aty Rama lexoj një fjalim të urrejtjes“, ka thënë Gashi, për Gazetën Express. “Ai përmend vrasje politike në një Kuvend, ku ka njerëz të prekur nga vrasjet politike. Kuvendi nuk është vendi i duhur për t’i përmendur vrasjet politike. z. Rama duket se është i painformuar për gjendjen në Kosovë ose ata që ia kanë shkruar fjalimin kanë qenë jashtë realitetit“, ka shtuar Gashi.

Gashi ka thënë se edhe Edi Rama bashkë me të majtët në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë të kenë urrejtje të pashërueshme ndaj emrit të Ibrahim Rugovës.“Nuk është në nivelin e një kryeministri, i cili mban fjalim në një vend mikëpritës. Kështu nuk bëhet as bashkimi, por vetëm thellohen përçarjet“, ka thënë ai.Sidoqoftë, Gashi ka thënë se citimi i fjalëve të Rexhep Qosjes është normale për Edi Ramën, i cili vazhdon të ndjek politikën majtiste-komuniste.“Citimet e fjalimeve të z. Qosja janë çështje e ideologjisë majtiste, komuniste dhe leninste“, ka thënë ai.

Edhe Shefi i Grupit Parlamentar, të LDK-së, Ismet Beqiri e ka dënuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama. Beqiri ka pasur vërejte pse Edi Rama askund nuk e ka përmendur ish-Presidentin Rugova gjatë fjalimit në Kuvend.“Kryeministrit Edi Rama, në asnjë moment nuk e ka përmendur historinë e krijimit të shtetit ë Kosovës, përkatësisht rolin e ish –presidenti Ibrahim Rugova dhe përkatësisht kohen kur ishte ai ishte i angazhuar për krijimin e shtetit te Kosovës“, ka thënë Beqiri.Gjatë fjalimit para deputetëve, Edi Rama ka cituar Rexhep Qosjen, i cili kishte thënë në kohën e Marrëveshjes së Rambujes se pa luftëtarët e lirisë nuk nisen në Francë për të bërë marrëveshje me Serbinë. “Pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk nisemi. Sot, as nesër, asnjëherë Kështu mendojnë të gjithë: Vetëm bashkë, tha profesor Rexhep Qosja, njëri prej anëtarëve të delegacionit… “, ka citur Rama Qosjen.

Gazetari i Zërit të Amerikës Ilirjan Agolli, jo si gjithë kolegët e tjerë të tij që kanë pyetur politkanët për fjalimin plot kritika të kryeministrit Rama në Parlament, ka dashur të dijë se ç’mendojnë intelektualët e pavaruar për këtë fjalim. Ai u ka drejtuar mikrofonin për këtë dy profesorëve të njohur, Romeo Gurakuqi në Institutin e Historisë Bashkëkohore dhe Gilman Bakallit, profesor të Shkencave të Komunikimit.
“Rama renditi një seri konceptesh të stilit britanik të qeverisjes, ishte një ligjërim që tregoi angazhim serioz në rindërtimin e shtetit, ligjit, rendit dhe europianizimit të Shqipërisë, thotë Gurakuqi. Megjithatë, theksoi ai, kryeministri nuk foli për reformën konstitucionale, ku do të bazohet ky stil i ri qeverisjeje. Ai thotë se fjalimi i zotit Rama ishte fjalimi i një europianisti të bindur, por mungonin elemente të një distancimi më të qartë me diktaturën komuniste dhe pasojat e saj në Shqipëri. Zoti Gurakuqi thotë se krahasimi i 22 marsit 1992 me 23 qershorin e sivjetëm ishte i papërshtatshëm, po ashtu si edhe mohimi i disa rezultateve të dukshme në qeverisjen e tetë vjetëve të fundit, por gjithsesi nuk janë shkase të mjaftueshme që opozita të braktiste sallën e parlamentit.
I këtij mendimi është edhe profesor Gilman Bakalli. Sipas tij, fjalimi i parë nuk merrej me detaje, por është një fjalim motivues, mobilizues dhe pa fyer askënd ai preku të gjithë problemet e shoqërisë. Zoti Bakalli thotë se fjalimi preku gjithë temat që shqetësojnë sot Shqipërinë, por ndoshta disa shtresa shoqërore pritën të dëgjonin më qartë premtimet ndaj tyre si të përndjekurit politikë dhe pronarët.
Të dy studiuesit shprehën një optimizëm të matur sa i takon bashkëpunimit në të ardhmen mes pozitës dhe opozitës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...