Prof. Dr. Ylli Pango
Ky është një nënshtrim i një lloji tjetër. Pa kompensim dhe pa paramendim. Një bazë fillestare e këtij nënshtrimi, nën prizmin ylli-pangofrojdist do të ishte ajo e raportit prind-fëmijë. Fëmija, siç dihet, brendëson, bën të vetat, pjesë të personalitetit dhe të koshiencës së tij, unin e babait, autoritetin e tij, si i vetmi si fillim dhe i pari ideal për t’u ndjekur. Pas kësaj ai i bindet këtij uni apo i nënshtrohet edhe kur ky nuk është më i pranishëm. Ky është një proces identifikimi që përfundon me krijimin e pavarësisë, me bindjen apo komandimin e vetvetes, duke e ndjerë prindin gjithnjë të pranishëm. Më tej vjen nënshtrimi ndaj autoritetit të mësuesit, sidomos ndaj atij të klasës së parë si autoriteti i parë social jashtëfamiljar. Ky, në moshën e vogël është më i padiskutueshmi dhe që madje tejkalon edhe atë të prindit. Me të mplekset nënshtrimi ndaj autoritetit të më të fortit, më të aftit etj., ndër shokët që bëjnë pjesë në grupin e vogël social apo mikromjedisin social të fëmijës apo të adoleshentit. Pastaj vjen autoriteti i pronarit, drejtuesit, shefit ej. Në vendet me reminishenca të forta të sistemit totalitar si Shqipëria, jo vetëm atëherë por edhe sot, nënshtrimi ndaj autoritetit të shefit apo të drejtorit ka qenë e mbetet, i detyrueshëm e jetik. Pa të, rrogëtari nuk jetonte e nuk jeton dot. Këtu do të përshtatej shprehja e Bergsonit: “Autoriteti i tyre rrjedh më pak nga ata vetë sesa nga situata e tyre në raport me ne.”
Në epokën e errët të totalitarizmit, më tej vinte autoriteti i udhëheqësve partiakë, shtetërorë, veneracioni dhe nënshtrimi ndaj tyre. Autoriteti i liderit të partisë, i “Atit” të të gjithë popullit ishte më i larti, më i padiskutueshmi. Në këto sisteme Frojdi mund të modifikohej duke e shtrirë më tej teorinë e tij të interiorizimit dhe duke e filluar atë edhe më hershëm, që nga ndërkallja që në fëmijëri të hershme e autoritetit të liderit e të atij të “partisë mëmë” në veçanti dhe të dashurisë pa kushte, pra një lloj nënshtrimi fillestar fëminor ndaj tyre. Autoriteti i liderit ishte i afërt me atë të perëndisë. Nënshtrimi ndaj autoritetit të liderit lidhej dhe kushtëzohej me autoritetin gati të shenjtëruar të partisë që ai udhëhiqte. Meritat formalisht i jepeshin asaj, e cila në këtë rast përdorej si nocion abstrakt (pasi pothuaj të gjithë udhëheqësit apo anëtarët e tjerë të thjeshtë nuk gëzonin as edhe një siguri të të qenit nesër. Partiaku i devotshëm i së sotmes, në të shumtën e rasteve kthehej më vonë sipas vullnetit të sovranit, tekave a paranojës së tij, rrallëherë të ndonjë gabimi të vet, në armik apo deviator.) Partia ia rikthente pastaj lavdinë liderit dhe kështu rrethi vicioz i shenjtërimit përfundonte po aty. Autoriteti i partisë ishte një lloj autoriteti impersonal, ideologjik dhe dogmatik. Tabuja e këtij autoriteti, paragjykimi për pagabueshmërinë e tij, e mpinte masën, e nënshtronte atë (duke e indoktrinuar më parë me pagabueshmërinë e dogmës marksiste-leniniste). Po sot? Natyrisht, reminishencat shfaqen ende, por me dallime të dukshme edhe nën ndikimin e zhvillimeve sado ende të papjekura demokratike. Gjithsesi, autoriteti i njëshit partiak ende është gjithçkaja në jetën e një pjese të madhe të njerëzve dhe nënshtrimi ndaj tij indirekt apo direkt, dëshira për t’i hyrë në sy, kacavjerrja nëpërmjet hallkash ndërmjetëse deri atje etj., janë modus vivendi tipik për mjaft njerëz edhe në shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo është e vërtetë jo vetëm për njerëz që punojnë në sektorin publik. Jo vetëm në sektorin akademik. Por madje edhe njerëzit që merren me biznes, me media private etj., lidhen me sovranë partiakë a parti të caktuara për të pasur lehtësira, përfitime, por në rastin më të keq për të mos ndjerë dorën e rëndë të përfaqësuesve spekulativë tagrambledhës a kontrollues të shtetit të frikshëm. Ka biznesmenë të rangut të biznesit të madh që e thonë hapur që e kanë frikë shtetin, nënshtrohen, paguajnë edhe tej rregullave, vetëm që të “mos kenë punë me të”.
Një shkak apo mjet tjetër i nënshtrimit të popullit dhe njëkohësisht mjet i mbajtjes së këtij nënshtrimi dikur në vendin tonë, ishte paradoksi unitet (lexo: unanimitet)-luftë klasash. Ndërkohë që kërkohej, predikohej dhe reklamohej i pari, krijohej përçarja nëpërmjet së dytës. Këtu nënshtrimi arrinte kulmin duke shkuar gradualisht nga mohimi dhe spiunimi i shokëve e familjarëve e deri ne absurdin tragjik të mohimit të të afërmit, vëllait, burrit, apo gruas, pasi sovrani apo partia kishin dhënë verdiktin e armikut të partisë për ta. Sot kjo nuk shfaqet në këtë formë por në një aspekt apo si shembull tipik, në rikthimin në parti, të një pjese të mirë të njerëzve të larguar prej vitesh nga partitë e mëdha, madje edhe me pozicione dikur, duke mohuar çdo bindje të vjetër shkak largimi dikur, të karakterit politik a programor, thjesht për shkak të përfitimit aktual e mirëqenies personale e familjare. Ky është përsëri një nënshtrim por jo i indoktrinuar as i detyruar, por pragmatik, apo i detyruar nga dëshira me qenë sërish dikush. Assesi për unitet partiak e as ideologjik a programor, çështje të cilat janë pothuaj inekzistente madje edhe për të dalluar identitetet partiake nga njeri tjetri.
Sipas një teorie të mirënjohur, ne ruajmë nga fëmijëria gjurmët e pothuaj çdo aspekti thelbësor apo vijat më të trasha e specifike të karakterit tonë të mëvonshëm. Kështu ndodh edhe me nënshtrimin: kur njeriu mësohet me tutelën dhe me nënshtrimin, ai rrezikon të mbetet i tillë për tërë jetën. Dostojevski flet për tipa “që natyra e tyre e qetë dhe e turpshme, i destinon në një nënshtrim të vazhdueshëm, pa vullnet personal.” Këtu mund të bëhet ndofta një paralelizëm edhe për popujt që të porsadalë nga errësira në djepin e brishtë të demokracisë. Ata e sidomos ne shqiptarët, që kaluam një ndër diktaturat më të ashpra e më paradoksalet në botë e sigurisht më të rëndën në Europë, duhet të luftojnë fort për të përballuar e ulur sado ndikimin ende virulent të psikologjisë së nënshtrimit. Po s’u mësove i guximshëm dhe i pavarur që në fillim e ke të vështirë të ecësh më tej. Edhe kjo e shpjegon inercinë e gjatë dhe shumëvjeçare të nënshtrimit që ende vazhdon tek ne.
Një aspekt tjetër i suksesit të kësaj psikologjie tek ne:Mbi bazën e parimit të barazisë, me të cilin u spekulua mjaft në sistemet socialiste totalitare, u kalua në barazinë ekstreme sociale për të gjithë, me përjashtim të një kaste të vogël të privilegjuar. Intelektualë, madje edhe të kategorive më të larta, merrnin paga të ulëta, të një niveli të përafërt me të tjerët. Terreni tradicional psikologjik, mbi të cilin u ngrit me sukses në Shqipëri dikur kjo barazi(por që vazhdon edhe sot si mentalitet pa respektuar hierarkinë më të lartë të vlerave), ishte krenaria, kryeneçësia e dikurshme fisnore shqiptare dhe deri-diku anarkia tipike e tij, tendenca për të mos parë dot njeri mbi vete e për të mos respektuar hierarki vlerash e pune. Kjo bëri që njerëz nga më të pavlerët a më mediokrit, të mos përfillnin shpesh as një lloj vlere a arritjeje intelektuale .(Por jo nëpunësin e shtetit që kishte në dorë). Barazia ekstreme sociale solli rrafshimin e vlerave gjë që sot ka arritur kulmin e vet. Por në këto kushte nënshtrimi është gjithmonë më i lehtë dhe mbete i tillë edhe sot. Mbi një terren të rrafshët mund të shkelet shumë më lehtë sesa mbi një terren të thyer. Mungojnë majat e thepisura, kryeneçët, zërat e fuqishëm intelektualë, baza apo shpirti i lëvizjeve të gjera sociale e ekonomike për progres apo protestues ndaj mediokritetit, stanjacionit, qeverisjeve të mbrapshta.
Intelektualët e zakonshëm (jo ata të oborrit), kanë qenë ndër shtresat apo grupet më të frikësuara dhe më të pagoja të popullsisë. Nën kërcënimin e vazhdueshëm të qarkullimit, transferimit, etiketimit si i molepsur me ideologjinë e huaj, nën peshën e rëndë të halleve ekonomike, ata kaluan gradualisht të nënshtruar në bazamentin e piramidës sociale. Së bashku me ta edhe nëpunësit e vegjël çehovianë, gjithmonë të bindurit dhe të nënshtruarit e çdo epoke apo sistemi, me frikën e përhershme në zemër. Sot për shkak të nivelit të ulët të shpërblimit, rrogës, a përgjithësisht nivelit të ulët ekonomik, intelektuali mbetet ende ndër shtresat më të paprivilegjuara e për rrjedhojë më të nënshtruara të shoqërisë. Në aspektin e zërit të lirë por edhe të raporteve më të thjeshta reciproke a të atyre me eprorin, ai shfaqet gjithaq i tërhequr a i tutur si në të kaluarën, flet vetëm nën zë në tryeza miqsh a të afërmish dhe ndodhet ende nën trysninë e humbjes së vendit të punës, pasigurisë a të frikës nga eprori a superiori i vet.
Ndër faktorët e tjerë të nënshtrimit e të heshtjes së gjatë popullore ka qenë edhe e ashtuquajtura psikologji komune apo psikologji e pseudogrupit të madh social dhe kontradikta e saj me psikologjinë dhe mentalitetin e vërtetë individual, natyror të njeriut. Mbi bazën e idealit të së ardhmes, të komunizmit, por duke operuar ndërkohë me një mentalitet dhe ndërgjegje ekzistuese të pakultivuar, plot paragjykime sociale, arkaizma dhe të mbingarkuar edhe me aspekte të tjera negative të periudhës komuniste si përçarja biografike e të tjera; u bë e ligjshme ndërhyrja në jetën personale, intime të tjetrit. Së pari partia e cila merrej edhe me problemet më intime familjare, pastaj të ashtuquajturit rripa të saj të transmisionit, fronti demokratik, bashkimet profesionale, organizatat e rinisë etj, e bënë të zakonshme, mbi bazën e justifikimit të ndërtimit të njeriut të ri, të pastër e ideal të së ardhmes, ndërhyrjen edhe në problemet më të vogla e delikate të jetës personale a familjare të njeriut. Erdhëm kështu te humbja e çdo identiteti dhe intimiteti të individit e deri të atij të shenjtë familjar. Aktivisti i lagjes dhe partia hynin deri në krevatin bashkëshortor. Mëritë e kuriozitetet e vogla të njerëzve meskinë për intimitetin e tij, fatkeqësinë e tij, futja e hundëve në jetën personale të tjetrit, thashethemet, gjenin kësisoj terren për t’u kultivuar më tej. Ndërgjegjja e niveleve të ulëta sillte efekte të kundërta nga ato të pretenduara për rregullimin dhe ruajtjen e pastërtisë së jetës së tjetrit. Njeriu nuk ndihej kurrë i qetë dhe i sigurt në jetën dhe intimitetin familjar, por i ekspozuar ndaj çdo syri të jashtëm dhe i nënshtruar edhe në jetën private. Te njeriu i thjeshtë u krijua psikologjia e dhunës dhe e terrorit, e frikës dhe e hipokrizisë, e mungesës së besimit te njëri-tjetri dhe e respektimit të personalitetit. Të gjitha këto kishin në bazë mbështetjen dhe kultivimin e psikologjisë komune, të së ashtuquajturës familje të mëdha socialiste, ku pretendohej se askush nuk të hante hakun, ku mbretëronte drejtësia dhe demokracia më e thellë, ku nuk kishe nevojë as për mbrojtje dhe as për avokat mbrojtës (institucion i zhdukur prej vitesh në sistemet totalitare) se të mbronte vetë shteti dhe partia me drejtësinë e tyre absolute. Kjo ka reminishencat e saj edhe sot. Natyrisht jo në formën e psikologjisë komune, por të paaftësisë së trashëguar për të njohur e mbrojtur të drejtat e veta individuale, familjare, qytetarisë demokratike, përgjegjësisë për jetën e fatet e vendit etj. Pa kulturën e nevojshme juridike e demokratike, njeriu i sotshëm i tranzicionit është ende tejet i nënshtruar dhe i cenueshëm nga çdolloj ndërhyrjeje, qoftë kjo politike, mediatike(sidomos mediatike), por edhe individuale e individëve agresivë që sjellin pasoja të rënda dramatike në jetët e tyre personale e familjare. A ka ndërhyrje më brutale se ajo e emisioneve të ashtuquajtura investigative televizive që ndërhyjnë në jetën personale të jetës së njerëzve, në punët e tyre, zyrat, bizneset, deri shtëpitë e tyre, me pretekstin e zbulimit të paudhësive dhe të ruajtjes së një morali të pastër absurd. Njerëzit që i bëjnë këto janë simbol korrupsioni dhe pjella të mediave të lindura nga korrupsioni e krimi dhe kjo e rrit akoma më tepër absurdin e cenon akoma më ashpër lirinë e sigurinë e individit.
Mund të thuhet se për rreth gjysmë shekulli komunizëm, Shqipëria, u transformua në një laborator të madh social, ku kaviet ishin njerëzit dhe psikologjia e tyre, ku synimi i eksperimentit ishte nënshtrimi i madh në grup, konformizmi, bindja e verbër ndaj autoritetit, paragjykimet social-klasore. Për fat të mirë ky eksperiment i përbindshëm për nga përmasat dhe për nga lloji u ndërpre, ndonëse pas një kohe të gjatë dhe pas sakrificash të panumërta të racës njerëzore. Por gjithsesi jemi ende në një periudhë kur për të dalë në lirinë e vërtetë të individit, mënjanimin e reminishencave të nënshtrimit, duhet një kohë jo e shkurtër rikuperimi, një edukim e kultivim kulture, mbi demokracinë e vërtetë, pavarësinë e të menduarit, lirinë e pavarësinë individuale, e grupore demokratike që ende lënë shumë për të dëshiruar.
No comments:
Post a Comment