Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/17

Si të flasësh për libra që kurrë s’i ke lexuar

bayard-howtotalkabtbooksyouhaventread01



Pierre Bayard, lindur më 1954, është profesor i Letërsisë franceze në Universitetin Paris VIII dhe psikanalist, ku është i njohurbayard-howtotalkabtbooksyouhaventread01 sidomos për esenë e tij “Si të flasim për libra që nuk i kemi lexuar?”. Një shkrim ku ai kritikon idenë e njohur, sipas së cilës, do të kishte një kufi të prerë ndërmjet leximit dhe mosleximit, dhe e fton lexuesin të ndërtojë me tekstin letrar një raport më të lirë, më pak të kompleksuar. “I lindur në një mjedis ku lexohej pak, duke mos e shijuar fare këtë veprimtari dhe duke mos pasur kohë sidoqoftë për t’iu kushtuar, shpesh jam gjendur, si rrjedhojë e atyre rrethanave që jeta na i gatit jo rrallëherë, në situata të vështira, ku më duhej të shprehesha në lidhje me libra që nuk i kisha lexuar.”- shkruan profesori i letërsisë. Por në fakt, me këtë rrjedhë që mori shkollimi i tij, ai nuk mundej kurrsesi t’i shpëtonte detyrimit për të komentuar libra që, shumicën e kohës, nuk i kishte hapur fare.

“Veç kësaj, shpesh jam i detyruar të analizoj botime në kuadrin e librave dhe artikujve të mi që kryesisht, sillen mbi ato të të tjerëve. Ushtrim ende më i vështirë, sepse, në dallim me ndërhyrjet gojore që mund të lënë aty-këtu pasaktësira të padëmshme, komentet e shkruara lënë gjurmë dhe mund të verifikohen lehtë. Për shkak të këtyre situatave me të cilat jam i afërt tashmë, kam ndjesinë se jam fort i përshtatshëm, në mos për të kryer një mësimdhënie të vërtetë, të paktën për të përcjellë një përvojë të thellë mos-lexuesi dhe për të hapur një refleksion mbi këtë çështje tabu, refleksion i cili mbetet shpesh i pamundur për shkak të numrit të ndalimeve që ai duhet të kapërcejë.”- shkruan ai.
Sipas kësaj eseje, një lloj manuali për të folur për libra dhe autorë që kurrë s’i ke shfletuar, hapi debat mes kritikëve të letërsisë. Por profesor Bayard i zhveshur tashmë nga komplekset shprehet se: “Tashmë të pranosh të përcjellësh kështu përvojën tënde nuk ecën në fakt pa njëfarë guximi, dhe nuk është e habitshme që ka kaq pak tekste të cilat të mburrin meritat e mosleximit. Kjo është ngaqë ky moslexim ndeshet me një sërë shtrëngimesh të brendëzuara të cilat ndalojnë për ta parë çështjen në sy, ashtu siç do të orvatem ta bëj këtu. Të paktën tre shtrëngime janë përcaktuese. Shtrëngimi i parë do të mund të quhej detyrimi për të lexuar. Shtrëngimi i dytë, i afërt me të parin por megjithatë i ndryshëm, do të mund të quhej detyrimi për të lexuar gjithçka dhe shtrëngimi i tretë ka të bëjë me ligjërimin e mbajtur mbi librat. Ky sistem shtrëngues detyrimesh dhe ndalimesh ka për pasojë lindjen e një hipokrizie të përgjithshme mbi librat vërtetë të lexuar. Njoh fare pak fusha të jetës vetjake, me përjashtim të atyre të parasë dhe të seksualitetit, për të cilat është kaq e vështirë të merren informacione të sigurta sa ç’është për atë të librave.” Kështu nisur nga këto shtrëngime profesori i letërsisë tregon rrugën sesi mund të dilet nga kjo situatë dhe të flasësh po aq lirshëm për librin që se ke lexuar njësoj sikur ta kesh lexuar. “Në mjedisin e specialistëve, për arsye të shtrëngimit të trefishtë që sapo thashë më lart, gënjeshtra është e përgjithshme, sepse ajo është në përpjesëtim të drejtë me rëndësinë që ka libri. Edhe pse vetë unë kam lexuar pak, unë njoh megjithatë mjaftueshëm disa libra – mendoj këtu dhe për Proustin – që të mund të vlerësoj, në bisedat me kolegët e mi, nëse ata thonë apo jo të vërtetën kur flasin, dhe që të di se kjo ndodh fare rrallë. Gënjeshtra ndaj të tjerëve, por edhe, dhe padyshim së pari, gënjeshtra ndaj vetvetes, aq e vështirë është nganjëherë që ta pranojmë para vetes sonë se nuk e kemi lexuar këtë apo atë libër të mbajtur për libër thelbësor në mjedisin ku bëjmë pjesë. Dhe aq e madhe është, në këtë fushë si dhe në shumë të tjera, aftësia jonë për të rindërtuar të kaluarën, për ta bërë atë në përputhje me lutjet tona.
Kjo gënjeshtër e përgjithshme e cila zë vend sapo flasim për libra është ana tjetër e tabusë që rëndon mbi mosleximin, dhe e rrjetit të angështive, padyshim të ardhura nga fëmijëria jonë, që e mbështesin atë. Kështu, është e pamundur të shpresosh të dalësh i palagur nga situata të tilla pa analizuar fajësinë e pavetëdijshme që ngjall pohimi i të mospasurit lexuar disa libra, dhe në fakt, kjo ese do të donte ta zbuste, të paktën pjesërisht, këtë fajësi.”- thotë ai.
Të reflektosh sipas tij mbi librat e palexuar dhe mbi ligjërimet që ata ngjallin është aq më e vështirë që nocioni i mosleximit nuk është i qartë, dhe që pra nganjëherë është e vështirë të dihet nëse gënjehet apo jo kur dikush pohon se ka lexuar një libër. “Ndërmjet një libri të lexuar me vëmendje, dhe një libri që nuk e kemi pasur kurrë nëpër duar, dhe që madje as ia kemi dëgjuar zërin, ekzistojnë mjaft shkallë të ndryshme që është me vend të shqyrtohen me kujdes. Kështu, është me rëndësi që, për librat e ashtuquajtur të lexuar, vëmendja të sillet ndaj asaj çka kuptohet saktësisht me lexim, ngaqë ky i fundit, në fakt, mund të dërgojë në praktika mjaft të ndryshme. Anasjelltas, mjaft libra dukshëm të palexuar nuk janë pa njëfarë ndikimi të ndjeshëm mbi ne, përmes jehonave që na mbërrijnë. Kjo paqartësi e cakut ndërmjet leximit dhe mosleximit do të më shtrëngojë të reflektoj, në një mënyrë më të përgjithshme, mbi mënyrat tona të qenies me librat. Kështu, kërkimi im nuk do të mjaftohet vetëm me ndërtime teknikash të ndryshme të cilat të lejojnë për t’iu ikur situatave të vështira të bisedës, por do të synojë njëherësh dhe të përpilojë, nëpërmjet analizës së këtyre situatave, elementët e një teorie të vërtetë të leximit, të vëmendshme ndaj gjithçkaje që tek leximi, dobësira, mangësira, përafrime, futet, në kundërshtim me imazhin ideal që jepet shpesh, në një formë moslidhjeje.”- shkruan Bayard. Në pjesën e parë, të esesë së tij, ai fillon të shkoqis tipet e mëdha të mosleximit, që nuk thjeshtohen pra në faktin e mos-hapjes së një libri. Librat që kemi përshkuar, ata për të cilët kemi dëgjuar, ata që i kemi harruar, futen edhe këta, në shkallë të ndryshme, në këtë kategori tejet të pasur të mosleximit.
Pjesa e dytë i kushtohet analizës së situatave të mirëfillta në të cilat ne mund të jemi të detyruar të flasim për libra që nuk i kemi lexuar. Dhe këto shembuj ai i ka të huazuar në mënyrë të maskuar nga përvoja e tij vetjake. Pjesa e tretë, më e rëndësishmja, është ajo që ka motivuar shkrimin e kësaj eseje. Ajo qëndron në një sërë këshillash të thjeshta, të mbledhura përgjatë një jetë të tërë prej moslexuesi. “Këto këshilla synojnë të ndihmojnë një moslexues që has në këtë problem bisedimi, për ta zgjidhur atë sa më mirë e mundur dhe madje për të përfituar nga kjo situatë, por duke i lejuar në të njëjtën kohë që të reflektojë në thellësi mbi veprimtarinë e leximit.”

The Guardian: Librat më të cituar janë më të palexuarit

Një studim i publikuar nga britanikja “The Guardian” është përpjekur për të gjetur, në mes të 2000 lexuesve, se cilët janë librat më të lexuar dhe më shpesh të cituar nga dashamirët e letërsisë. Mbi 60% e të anketuarve konfirmuan se kanë gënjyer më shumë se një herë kur janë shprehur se kanë lexuar romane klasike. Shpesh, për të mashtruar partnerët e tyre komunikues, lexuesit e rremë kanë rrëfyer përshtatjen në një film të librit ose kanë marrë për referencë versionin e romanit në internet. Shumë prej këtyre librave janë sjellë dhe në gjuhën shqipe por ka ende të tjerë nga lista që nuk janë përkthyer për lexuesin shqiptar.

Lista e librave më të cituar e më pak të lexuar

Bibla

“Odisea” autori Homeri

“1984 “ autori George Orëell

“Lufta dhe Paqja”, autori Lev Tolstoi

“Shpresa të Mëdha” autori Charles Dickens

“Jane Eyr” autori Charlotte Bronte

“Krimi dhe Ndëshkim” autori Fjodor Dostojevski

“Një udhëtim në Indi” autori E.M. Forster

“Gjahtari në thekërishte” autori J.D. Salinger

“Zoti i Unazave” autori Tolkien

“Të vrasësh një zog tallës” autori Harper Lee

“Krenari dhe paragjykim” autori Jane Austen

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...