Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/20

Rexhep Ismajli: Gjuhën standarde nuk e bën shteti, por ekspertët

Edhe pse nuk është shteti ai që duhet të bëjë normën, shteti është ai që duhet të mbështesë ekspertët që ta bëjnë atë”. Kështu shprehet akademik Rexhep Ismajli për “Deutsche Welle”.
Sipas tij, shqipja, pas vitesh të tëra përpjekjesh, mundimesh, luftërash, ndodhet sërish përpara një udhëkryqi të ri. Zhvillimet pas ndryshimeve të thella, qoftë në Shqipëri, Kosovë, apo viset e tjera ku flitet shqipja, e vënë edhe gjuhësinë shqiptare para detyrash të reja, sepse situata e përdorimit të shqipes në funksione publike sot është shumë e ndryshme në raport me ç’ka qenë më herët. Tani e gjithë hapësira shqipfolëse, jo vetëm brenda Ballkanit, por edhe në të gjithë botën, komunikon lirshëm dhe veprimtaritë që lidhen me gjuhën janë rritur shumë, p.sh. përkthimet, shkrimet dhe botimet. “Kjo gjë vetvetiu, edhe gjuhësinë shqiptare, – dhe me këtë mendoj jo vetëm gjuhësinë në Shqipëri, e cila ishte pak a shumë e rrethuar brenda kuadrit të imponuar dikur, edhe si mendje shpesh me kufizime, – e kanë vënë tani në një situatë që të jetë një gjuhësi e hapur, që të mendojë për të gjitha problemet”, – thekson gjuhëtari Rexhep Ismajli, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
NUK KA LIGJ
“Franca, me pesë shekuj traditë kultivimi të gjuhës, ka ekipin e madh për gjuhën, në krye të të cilit formalisht është kryeministri, për t’i dhënë peshën, dhe pastaj janë gjuhëtarët. Në secilin sektor dhe ministri ka grupe që merren me terminologjinë, bëjnë propozime dhe pastaj ia japin akademisë dhe akademia i miraton ose jo. Dhe ato që miratohen, shpallen në gazetën zyrtare. Ne nuk kemi një strukturë të tillë, e madje as Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë fare ligj për gjuhën. Nuk është e domosdoshme të ketë ligj, se ligji nuk thotë gjë dhe as është kjo çështja kryesore, kryesore është që nuk ka kujdes, nuk ndihet nevoja për këtë lloj kujdesi dhe për mbështetje”, – deklaron ai. Ismajli shton se, edhe pse nuk është shteti ai që duhet të bëjë normën, “shteti është ai që duhet të mbështesë ekspertët që ta bëjnë atë. Institutet që merren me gjuhësi, janë vetëm sa për të mbijetuar. U jepen rroga të vogla sa të mos bëjnë telashe, nuk u jepen fonde që njerëzit të mund të merren me projekte të mëdha hulumtimi, që të mbështeten të rinjtë që të shkojnë në këto institute të studiojnë dhe të sjellin energji. Ne kemi propozuar dy-tri herë edhe publikisht që të krijohen mekanizma të tillë, por me sa duket kanë tash për tash përparësi të tjera.”
Një normë
“Toleranca është një cilësi e qytetërimit dhe nuk mund ta përjashtojmë. Tolerancën duhet ta kemi për çdo gjë. Tani sa i përket normës, norma e gjuhës shqipe nuk është ndonjë normë e ndërtuar shumë deri në detaje. Ajo nuk na pengon që të kemi një ngërthim më të madh të të gjitha varieteteve. Sigurisht që në gjuhë nuk mund të ndalohet asgjë”, – thotë Ismajli. Sipas tij, ne duhet të kemi të ndërtuar një normë, qoftë edhe të atyre elementeve që janë të një natyre të një regjistri të posaçëm, të rrethit të posaçëm, të regjonit të posaçëm, të shtresës së posaçme. “Kur një shkrimtar apo gazetar shkruan, duhet të dijë si ta shkruajë atë që shkruan. Pra një normë duhet ta kemi, dhe atë nuk ka mundësi ta kemi të ndarë veç e veç, secili ta bëjë si të dojë. Por duhet të merremi vesh, p.sh. në rast se në Maqedoni ka nevojë për një fjalë që s’e ka realiteti në Kosovë apo në Shqipëri, ne duhet të merremi vesh të gjithë bashkë që asaj fjale, edhe në Maqedoni, edhe në Kosovë apo Shqipëri, të gjithë t’i thonë njësoj, jo tri llojesh. Kjo është cilësia që duhet të synojmë në normim”, – mendon prof. Rexhep Ismajli.
Sipas tij, jeta sjell vetë elementet e veta dhe Kongresi i Drejtshkrimit e thoshte qartë: gjuha zhvillohet, po zhvillohet dhe do të zhvillohet. Prandaj edhe në të ardhmen do të ketë diskutime, do të ketë vazhdimisht vendimmarrje. Edhe në gjuhë të mëdha si gjermanishtja, ka probleme të tilla gjithnjë, pra kjo nuk duhet të na frikësojë”, – mendon prof. Rexhep Ismajli.
Jo detyrim, propozime
Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, të cilin e kanë themeluar dy akademitë e shkencave me kërkesën dhe nismën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ka për detyrë që të merret me të gjitha çështjet që kanë të bëjmë me shqipen standarde, me synim për të përmirësuar kulturën e shprehjes dhe në rast se ka nevojë të bëjë edhe propozime për ndryshime eventuale në standard. Por puna e këtij këshilli është vazhdimisht objekt diskutimesh në media, sidomos në lidhje me rregullat e drejtshkrimit. “Këshilli nuk ka tagër që të vendosë rregulla të reja të drejtshkrimit, por propozimet e veta mund t’i bëjë publike, t’ua japë akademive, dhe akademitë vendosin pastaj ta gjejnë mënyrën nëse këto do të legalizohen dhe si do të legalizohen. Këto janë dy probleme të mëdha. Këshilli pra bën një diskutim shkencor, aq sa është e mundshme për çështje të ndryshme, dhe për këtë qëllim janë formuar gjashtë komisione, si për drejtshkrimin, morfologjinë, sintaksën, për fjalët e huaja, apo për çështje të shqipes në shkollë. Këto komisione, për arsye praktike punojnë veç, pra një komision në Tiranë dhe një në Prishtinë, por shpesh mblidhen dhe qëllimi është që, çdo gjë që të bëhet, të bëhet bashkërisht, asgjë të mos bëhet veç”, – sqaron prof. Rexhep Ismajli, bashkëkryetar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. “Të gjithë anëtarët e komisionit që vepron në Kosovë në kuadër të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe janë jashtë akademisë, sepse kemi dashur të ngërthejmë profesorët e Fakultetit të Filologjisë, Fakultetit të Edukimit, të Institutit Albanologjik dhe të shoqërisë civile”, – shpjegon prof. Rexhep Ismajli. Në Kosovë ka edhe një shoqatë për gjuhën shqipe, në krye të së cilës është Isa Bajçinca, edhe ky anëtar i komisionit.
Debati
Në prill në Tiranë pati një takim të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, ku u diskutuan çështje të drejtshkrimit. Sipas prof. Ismajlit, “Komisionet patën plot propozime, por aty u miratuan vetëm disa prej tyre. Diskutimi qe i gjatë, rreth 8-9 orë. Kishte mendime nga më të ndryshmet dhe secili mbronte mendimin e vet. Nuk pati ndarje të tilla apo të atilla, për çdo çështje dikush kishte një mendim, dikush një tjetër, qe një debat krejt normal. Kur të mblidhen në fund të gjitha materialet, kuptohet ato mund të bëhen publike edhe më përpara, ato do t’u dorëzohen institucioneve dhe pastaj do të shohim.”/PandeliPani/

Zbulohet karikatura kundër copëtimit të Shqipërisë në 1913



Valter Gjoni rinxjerr nga arkivat karikaturën politike.

Shqipëria si një vajzë e bukur lufton kundër një leopardi, një majmuni dhe një gjarpri.
Plot 100 vite më parë, një karikaturë ka bërë xhiron e botës. Është botuar në Amerikë, Francë, Rumani… ishte viti 1913.  Shqipëria ishte veçse një shtet motak, që në konferenca ambasadorësh po copëtohej çika-çika për t’u mbyllur gojën ballkanasve poteremëdhenj. Ishte atëherë kur një ambasador amerikan idealist hedh në qarkullim një karikaturë apo një grafikë politike. Tepër provokuese. Shqipëria paraqitet si një femër e bukur e veshur me xhubletë e opinga, me gërsheta të gjatë, që në njërën dorë mban një shpatë, në tjetrën një kobure, drejtuar përkatësisht “Grekut”, i personifikuar si një leopard ngritur mbi dy këmbë, duke kafshuar shpatën dhe Malit të Zi, paraqitur si një majmun i zi. Rrotulluar nëpër këmbë është një gjarpër, pranë të cilit lexohet “Serbi”. I apasionuar pas arkivave, studiuesit Valter Gjoni i ra në dorë kjo karikaturë. Rruga për të deshifruar firmën në skaj të karikaturës e çoi te tri personalitete: ambasadori amerikan George F. Williams, fotoreporteri franko-zviceran, Robert Vaucher dhe ish-kryeministri rumun, Nikolla Jorga (Nicolae Iorga). I pari që e ka përdorur këtë karikaturë në shkrimet në shtypin e kohës dhe botimet tij mbi çështjen shqiptare, ishte ambasadori amerikan në Greqi e Shqipëri, George F. Williams. Janë të gjitha gjasat që ai të jetë edhe autor i kësaj karikature. Më pas, kjo karikaturë është përdorur edhe nga fotoreporteri i luftës, Robert Vaucher, si dhe politikani rumun, dashamirës i shqiptarëve, Nikolla Jorga. Sipas Gjonit, kjo karikaturë nuk ka përse të mbahet e fshehur…
Çfarë i lidh me njëri-tjetrin George Williams, Roberat Vaucher dhe Nikolla Jorgën?
Këto personalitete i lidh fati i Shqipërisë, ajo katrahurë që po ndodhte gjatë Konferencës së Londrës në ’13-n. Dihet se si shkoi fati i Shqipërisë, i kufijve të saj dhe pikërisht në këtë kohë, ambasadori amerikan në Athinë, që simbolikisht mbulonte edhe Shqipërinë, George Williams, ndër shumë artikuj dhe fjalime, hedh në qarkullim një karikaturë shumë interesante, ku lexohej: “Shporruni prej meje egërsira gjakpirëse”. Një karikaturë 100-vjeçare që ka dëshmuar të gjitha përpjekjet e Luftës së Parë dhe të Dytë Ballkanike, për të ardhur deri në Luftën e Parë Botërore. Të gjithë këtë situatë e simbolizon pikërisht kjo karikaturë e ambasadorit amerikan.
Emrin e Robert Vaucher e kemi hasur edhe më parë si reporter lufte në Shqipëri…
Interesante është që kjo karikaturë ka lëvizur edhe nga dy personalitete të tjera, njëri prej të cilëve shkrimtar, publicist fotoreporter i luftës, Robert Vaucher, i cili e njeh shumë mirë situatën e Ballkanit, pasi ka studiuar dhe në Greqi. Ai e ka përdorur këtë karikaturë pikërisht në shkrimin e tij “Historia e  Epirit të Veriut gjatë viteve 1913-1921” dhe e ka përdorur pikërisht në kohën kur në Versajë zhvillohej Konferenca e Parisit, me një botim shumë interesant.
Ç’e lidhte Nikolla Jorgën me çështjen shqiptare?
Nikolla Jorga ka qenë një personalitet i shquar, ish-kryeministri i Rumanisë, një poliglot, anëtar i sa e sa akademive të Europës, zbuluesi i Formulës së Pagëzimit, si elementi i parë gjuhës shqipe të shkruar, i ekzekutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga forcat nacionaliste ekstreme. Edhe ai, duke u marrë shumë me historinë e shqiptarëve, madje ka bërë edhe një libër “Historia e shkurtër e Shqipërisë dhe Shqiptarëve”, përdor të njëjtën karikaturë. Po e quaj karikaturë, edhe pse është shumë më shumë se kaq. Për mendimin tim një grafikë politike, e konceptuar me shumë sukses nga George Williams, që për fatet e Shqipërisë hoqi dorë edhe nga misioni i tij, sepse nuk ra dakord me vendimet e Konferencës së Londrës.
Si i ratë në gjurmë kësaj karikature?
Isha duke kërkuar autorësinë dhe të deshifroja një firmë që ndodhet në të. Fillimisht më dukej si Nikolla Jorga, por më pas gjeta material, që tregon se ajo është karikaturë e ambasadorit amerikan George Williams. Më pas është marrë nga Robert Voucher dhe Nikolla Jorga, duke bërë kështu në një farë mënyre xhiron e botës. Thuhet gjithashtu që ka qenë një porosi e patriotëve shqiptarë të Bukureshtit dhe të Athinës.
Shumë provokuese, apo jo?
Është provokuese, por është një vlerë e jona, e cila nuk ka përse të rrijë e fshehur. Ka ndenjur 100 vjet e fshehur. Kalon dorë më dorë nga një personalitet te një tjetër dhe asnjëri nuk tregon vëmendje. Ky është një simbol, një situatë, aq më tepër parë nga një personalitet që ka dëmtuar karrierën e vet për këtë dhe për qëndrimin që ka mbajtur ndaj fateve të Shqipërisë. Ai dha dorëheqjen. Nga ana tjetër, Robert Voucher nuk ka përtuar të nxjerrë çështjen shqiptare kudo, Jorga ka botuar pamflete, vështrime historike, protesta për Shqipërinë. Pra, kemi të bëjmë me 3 personalitete që 1913-a i ka shqetësuar, i ka vënë në lëvizje që të thonë fjalën e tyre për Shqipërinë.

Ambasadori amerikan që u dorëhoq për çështjen shqiptare
…Nuk vij të flas si mik i njerëzisë, por vij si mik dhe adhuronjës i racës shqiptare. Dashuroj Shqipërinë, dashuroj burrat e Shqipërisë, siç dashuroj Amerikën, siç dashuroj burrat që i kanë dhënë lirinë Amerikës. Shqipëria do të jetë e lirë. Shqipëria i ka dhënë 5 perandorë Romës dhe gjaku i shqipeve ka forcuar kombet e tjerë. E lashë Shqipërinë në vuajtje dhe të mbytur në gjak nga faji i Europës, e cila tani po lan gjynahet e saj. Unë protestova kundër paudhësive të Europës, kundrejt Shqipërisë, lashë vendin tim zyrtar dhe ju siguroj që unë besoj se ajo ditë që unë protestova për Shqipërinë, është dita më e lumtur e jetës sime. Tregtia e Amerikës duhet të jetë e lirë për kombin shqiptar, që është vëllai i kombit amerikan. Unë jam gati për çdo shërbim për lirinë dhe shpëtimin e Shqipërisë, edhe me jetën time.
(Nga fjala e mbajtur nga George F. Williams në mitingun e organizuar për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar, Boston, 7 nëntor 1915)


Në shkrimet e fotoreporterit Robert Vaucher
“Karikatura shqiptare tregon vendin duke u mbrojtur kundër fqinjëve. Mali i Zi është paraqitur me portretin e majmunit, Greqia me atë të një leopardi dhe Serbia si një gjarpër. Teksti në frëngjisht thotë: Shporruni prej meje egërsira gjakpirëse”. Kjo është diçitura me të cilën reporteri Robert Vaucher paraqet karikaturën që mban firmën e George Williams. Vaucher, i cili ka ndjekur nga afër situatën në Shqipëri, duke qenë fotoreporter gjatë lufëtrave ballkanike, ka furnizuar me materiale fotografike dhe reportazhe gazetat më në zë franceze të kohës dhe jo vetëm. Një nga gazetat për të cilat ai ka punuar, është “L’Illustration”. Ai ka punuar si gazetar pranë kësaj gazete gjatë viteve 1911-1944. Një pjesë e fotografive që ai ka realizuar në Shqipërinë e viteve 1917, tashmë është e njohur edhe për publikun shqiptar përmes një ekspozite fotografike, të realizuar nga studiuesi Valter Gjoni. Ekspozita u hap në Tiranë dhe në Korçë, ku janë realizuar dhe një pjesë e mirë e fotografive.

Nikolla Jorga, zbuluesi i “Formulës së Pagëzimit”
Çka do ta lidhte atë pazgjidhmësisht me historinë dhe gjuhën shqiptare ishte një formulë e thjeshtë pagëzimi e vitit 1462, por me një rëndësi të jashtëzakonshme. Ishte pikërisht historiani dhe politikani i njohur rumun Nikolla Jorga, i cili do të zbulonte në Bibliotekën Laurentiana të Milanos “Formulën e pagëzimit” në një qarkore të shkruar në latinisht nga Kryepeshkopi i Durrësit Pal Engjëlli. Më tej ai do të vazhdonte të merrej me historinë dhe çështjen shqiptare, madje do t’i kushtonte edhe veprën “Breve historie de l’Albganie et du puple albanais” (“Histori e shkurtër e Shqipërisë dhe popullit shqiptar”), botuar në Bukuresht në vitin 1919 nga Instituti për studime të Europës Juglindore. Jorga është një nga njerëzit që ka mbrojtur më së shumti çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare. Për të ilustruar shkrimet e tij ai ka përdorur gjithashtu karikaturën e ambasadorit amerikan George F. Williams.
ALMA MILE

Dokumentet në revistën “Letra”, Letrat e Koliqit: “Si futa arsimin shqip në Kosovë dhe mora në punë Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin”

Botohet letërkëmbimi mes Ernest Koliqit dhe Karl Gurakuqit.

“N’botën shqiptare, s’e kuptoj pse un njifem si intrigant, shpirt-keq, e shum kush m’urren pa pasë folë kurr me mue”

Atje ku ishte nuk i mungonte gjë. Jeta studimore e kërkimore i shkonte mbarë, jepte mësim, bënte hulumtime…, por për Ernest Koliqin ishte e papranueshme që të quhej tradhtar në vendin e tij. Ishin vitet ’50 dhe tashmë në Shqipëri ishte vendosur regjimi komunist. Shkrimtari Ernest Koliqi ishte shpallur “armik”. E duket se kjo ishte brenga e madhe e shkrimtarit. Këtë na e tregon një letërkëmbim mes tij dhe Karl Gurakuqit, mikut dhe bashkëpunëtorit të tij, përgatitur nga Dhurata Shehri dhe Agron Gjekmarkaj, botuar në revistën kritike “Letra”, botim i Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit të Historisë e Filologjisë, Tiranë. Në këtë letërkëmbim, Koliqi na shfaqet zemërhapur, teksa i tregon mikut të tij çka e shqetëson. Si për të qetësuar veten, ai radhit në njërën syresh gjithçka ai kishte bërë në të mirë të arsimit në kohën kur ishte ministër gjatë periudhës së pushtimit italian…

Romë, 16 – 3 – 1951

I dashuni Karl

Më ka ra në dorë me kohë letra e jote. Petraqi (Petraq Vuçani – shënim i redaksisë) me gojë më vuni në dijeni për punët e atyshme. Ai Ty të don. Or e ças ia ban profesori tha këtë, shkoi aty, foli kështu. Më kallzoi qi kujdesesh për ta. Të falem nderit q’i don, i këshillon e i përkrahë. Thueju të mos merrem me politikë pa krye studimet. Kanë kohë se kur me e prishë gjakun vetes. Tashti t’ia venë menden mësimeve, bukuris së natyrës e t’artit, grave (me masë). Politika e mplakë njerin para kohe. Ata t’a ruajnë sa më gjatë atë thesar qi asht rinia. Mue e ty, mjerisht na shpëtoi doret. E po themi vetëm doret! Artikujt të tuj, jo vetëm pranohen, por kërkohen. E ke për ne asht botue ai i pari.
Ky i dyti, qi i çove Ismailit (Ismail Verlaci – shënim i redaksisë), do të botohet në numrin e ardhëshëm.
Për punën t’ande s’asht nevoja qi të më porositish m’u kujdesue. E kam përher para sysh. Shpresoj me vjetin e ri akademik diçka do të bahet. Mos shpreso përpara, veç më baftë Zoti mrekulli. Ndër këto dit do të këthehem në Relazioni Culturali ku tash prap asht emnue nji mik i em. Jam gzue shum për Spiron: njiherë për operacionin qi i shkoi mirë e mbandej për rregullimin (ashtu si mund u bante) të pozitës së tij shkollore. Për Pashkë po shkoj në Rapallo: mësimet do t’i rifilloj me 3 prill. Sivjet kam zhvillue kët argument: “La poesia di Naim Frashëri e gli influssi orientali nella letteratura albanese”. U detyrova të lexoj historinë e letersis persiane e vjershat (në nji anthologji frengjisht ba mirë) të Hafizit e të Rumiut….
I fola Ismailit dhe më premtoi qi për Pashkë do më kujtojnë të shamet e belbacukvet të gjuhës shqipe nepër radjo të Tiranës e të Londrës (me më sha mue janë d’akord) e shkrimesh epileptike të mistrecave qi çohen në majë të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikan serjoza, nuk më bajnë mu as të nxeh as të ftoftë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si Shqiptar i mirë në rrethanat më të vishtira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata qi më njofin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi më je gjetë pranë si bashkëpuntor në rasat më kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës s’eme këshilltarët italjan nuk pijshin uj. Pregatitme tekste, vendosem njëherë e mirë mbi terminologjinë shkollore, themeluem Institutin e studimeve Shqiptare edhe komunistat tue i ndrrue natën emnin e mbajtën, permirësuem gjendjen e mësuesve e të profesorve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala e jonë kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha degët e bektashinjvet, nisa studentë ndër male me mbledhë pasunin folklorike, futa xhakona në Kosovë para lirimit, konviktorë vendas me libra shqip. Sa dhe si ministër, mora rishtas në shërbim Lasgush Poradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori e u dhaç rrogat e mbrapambetuna. Lirova nën garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzonin para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin – Vasil Andonin – Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (mos ta merrshim në sherbim do të shkonte qyshë atëherë në Ventotene). Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të ministris, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë kur u lirue Kosova. Nisëm me përgjegjësi personale, pa ardhur ende udhëzime të përgjithshme nga Roma për tokat e lirueme 200 mësues e profesorë në Kosovë e u përpoqa me i vu themelet arsimit shqiptar para se të dihej formula me të cilën Kosova do t’i këthente Shqipnisë. Asokohe në Romë flitej me lanë për 10 vjet, s’paku, gjuhën slave në shkolla e n’administratë. Atë qi bam për vendin e gjuhës shqipe në shkolla shum kush e din. Mirpo, me mija vetësh i shërbyen italjanvet pa kundërshtue (kundërshtimet filluen kur Italia shifej qartas se po humbte luftën), me qindra mija vetësh u pasuruan e përfituen – e sot “tradhtar” mbetem vetëm unë: Unë e solla Italinë, unë desha t’a çrrënjosi shqiptarizmin (tue botue tekste shqip), unë vetëm u pasunova, unë shtypa intelektualët. Unë e dërrmova arsimin tue ngranë si katallanjt nji profesor në çdo mëngjes, dy mësuese në drekë e nji drejtor konvikti ferlik të pjekun në hell në darkë. A jam i zoti, a s’jam? Unë i vetëm me ba të gjitha këto punë? Kur e mendoj, fryhem si bibani prej krenis (sidomos kur më kujtohet se kapa telefonin e i thashë Musolinit): urdhno e merre Shqipnin, pse po t’a shes me çmim të lir! Edhe Musolini mbas telefonatës s’eme erdh e e mori?! A jam i zoti!

Shëndet e të mira ty e zojës   

Ernest Koliqi
Romë, 9 korrik 1955

Karl shum i dashun,

Tash sa dit kam këtu në tryezë para syve letrën t’ande më 19. VI. Jo pritesa, por mungesa e lajmeve të mira më kanë shterngue t’a vonoj përgjigjen. Por t’i kapim punët për s’mbarit! Si mos me më ra ndër mend për Ty, lum Karli? Ti m’njef e din, se jam i prirun kah miqsia e marrëdhënia e përzemërt: kurrë s’kam dhanë shkak qi kush të prishet me mue: kur mujta, nuk u kurseva me ba ndera të njoftunit dhe të panjoftunit. Mirpo, n’botën shqiptare, nuk e kuptoj pse un njifem si njifarë berberi, si intrigant, shpirt-keq, mizuer, e shum kush m’urren pa pasë folë kurr me mue. Ata qi dikur m’ishin afër e sot janë largue dhe qi gja s’lanë pa trillue kundra meje në katër anët, më morën në mëni kot, pa asnji arsye konkrete. Pyet: shka u bani Ernesti?? S’kanë me ditun të përgjegjen me arsyen konkrete. E përditë shtohen ata qi më sulmojnë. Zyrat, italjane, amerikane, inglize etj janë plot (kush para) me raportue sidomos kundra meje: mason, aventurier, agjent zyrash sekrete çarlatan etj. etj. Nji amerikan, tash nja dy muej më tha: “e dini pse shumica e Shqiptarvet ju lufton: pse s’munden me ju kuptue, tue kenë ju, për sa merr vesh vetë më i oksidentalizuemi ndër shqiptarë”. Kjo cilsi s’asht vetëm e imja po e të gjithë shkodranve. Ai amerikani më njifte vetëm mue. Po sikur të njifte D. Lazrin, P. Bernardinin, Ty etj do të kishte dhënë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndryshe prej tjervet, Karl i dashun, e ata burrnin t’onë e kanë mëni si mizat farën e kuqe. “Vetëm me Lahutën e Malcis s’bahet Shqipnia”, paska thanun nji intelektual tash së fundi. Po shka kanë me Padër Gjergjin e shkretë?! Ai n‘vorr, Lahuta e Malcis e dbueme nga rradhoi i veprave letrare të Shqipnisë! Duen qi as emni mos t’i përmendet. Kemi vojt mbrapa lum miku e s’di si do të përfundojë kjo punë por ti tashma se 35 qi njifemi, gjithmonë më ke kuptue, më ke përkrahë, më ke dashtë! E si mos me t’kujtue? Ndër të paktët qi mendoj fjalë kuptimi e çmimi, më nxisin më trimnojnë mos me lëshu udhën fort marrëzisë të letërsis shqipe, je Ti e t’falem nderit për fjalë ngushlluese, të cilat më kanë ra si balçem në zemër të mbushun me idhni prej ngjarjeve të fundit. Petraqi ndoj send do të ket kallzue, duket se tue drashtun hovin e marrzis prej Blokut mbasi që u fal me përdhunë në Komitet, tue prekë me dorë edhe simpatinë e amerikanve e të italijanve për këtë grup politik serios e faktiv, janë akordue element partish të ndryshme dhe qysh në nesër e kaluene prej Ameriket në Turki, ç’prej Francet e n’Egjipt e ca kanë nis nji fushatë shpifjesh e shkarkimesh kundra eksponentavet të B.l (Bllokut Kombëtar Indipendent- shënim i redaksisë) e sidomos kundra meje. Motive kryesore të propogandës së tyne: – Populli Shqiptar, Gjomarkajt, Verlacin, Kolbibën, Koliqin i njeh tradhtarë e kurrë s’ka me lanë të kthehen në Shqipni. Pra kush i mbështet si parti humb kohë e mih n’uj. Ernesti është vu si kulçedër te dera e Ministris së Jashtme italjane dhe nuk len askend m’u avitun. Favoret, mbështetjet, nderat, ndihmat, e asaj ministrije derdhen në familje ndër vllazën e ndër ilaka të tijn. Qe për shembull, tash nji vjet monopolizuen bursat për ilaka t’vet e për kunatin Vuçani e për nji frat, Çeskun e Gilbertin. Studenta tjerë presin tue vuejtë  ndër kampe nëse këta të laureumit me kohë, në pafundsi e ndenjën tue u argtue me bursë qi kurrkush nuk guxon të lypi pse Ernesti këcen mbi ta me furi, tue mendue me ia lanë ilakave t’vet deri sa të plaken.
-Po t’u hiqte Ernesti me Gjonmarkun e Verlacin nga dera e Min. së Jashtme, të gjithë patriotët shqiptarë bahen miq të Italis. (Sa fort, lum Karli, asht shtue dashunia për Itali në këto kohnat e fundit, edhe ti çuditesh! Parashutistat qi Bloku thotë (e thonë amerikajt, jo Bloku) se kryen punë të shkelqyeshme tue qindrue 18 muej në terren, kurse grupet e partive t’jera nuk mujtën me punue klandestin as dhetë dit rresht, mbetën, po, do ndër male të Verit, por aty vranë, prenë, plaçkitën, dhunuen, dogjën e poqën. (Gjon Gjinaj ka pushkatue nja 5 spiuj komunista e Ndue Pjetër Gjomarkaj vrau kushurinin, Bardhok Bibën, shtyllë e komunizmit ndër male të Veriut, e këta këtu, qi ma fort simbolizojnë komunistat se ne shfrejnë në asi lloj akuzash!).
-Kush del në Jugosllavi si emigrant asht individ i turbullt qi kërkon aventura politike: natyrisht ata qi dalin në Greqi (e qi gjysma sa dalin prej Shqipnije, shkojnë të nënshkruhen ndër organizata vorioepirjote janë patriota antikomunista. (Dom Lazri, i shkretë thonte në Vjenë: “Shkon Klisura (Këlcyra – shënim i redaksisë) tu ministri Jugoslav e Shqiptarët thonë se shkoi me ba politikë; shkoj unë, e ata thonë se shkoj me ba spijunazhe! Atëherë, për me ba politikë u dashka me kenë toskë e mysylman; pse gegët e katolikët kenkan të gjithë spijuna!? Kjo Fushatë, bje sot, bje nesër, filloi me dhanë frytet e veta. Italjant patën përshtypjen se, tue ndihmue tepër Blokun po t’hujn e turisin tepër tjerët. Kështu shpjegohet kriza e jonë në fillim të vjetit, shkurtimi i subvencjoneve, fillue prej italjanvet me zanë miq të rij të cilët, tue ruejtë ata qi zgjodhen deri tash, e duen Italin e politikën e saj mesa dreqi njerin e bekuem. ..

Nderime e t’fala Hannit edhe prej mbarë familjes
s’ime, e cila ju kujton të gjithve me mall. Gilbertit
të fala e urime! Ty dashamirësisht të përqafoj Ernest.
mesonetoreja2
Dokumenti botohet për herë të parë, gjendej në Muzeun e Elbasanit
Dorëshkrimi i rrallë nis me një korrektësi të admirueshme dhe renditje të një letre zyrtare

Bardha Nergjoni

Një dokument i rrallë ka dalë në dritë së fundmi, pas një hulumtimi në arkivin e pasur të Muzeut të Elbasanit. Dorëshkrimi trefaqësh, me shkrim dore dhe ende me shkronjat e alfabetit të Stambollit është shkruar me aq kujdes dhe korrektësi nga vetë drejtuesi i atëhershëm i shkollës së Negovanit, Petro Nini Luarasi. Nuk dihet se si kjo letër ka përfunduar në radhën e arkivave të Muzeut të Elbasanit por ka gjasa të ketë qenë pjesë e bibliotekës së Lef Nosit, i cili kishte një interes të shtuar për zhvillimin e arsimit dhe kishte kontakte me shoqëritë atdhetare të asaj kohe. Gjithsesi drejtori i muzeut, Kreshnik Belegu, nuk di ta shpjegojë gjetjen e kësaj letre në këtë muze, por thotë se ky dokument është me mjaft vlera dhe tregon edhe një herë përpjekjet e mëdha për arsimin shqip dhe historinë e shkollës shqipe të Negovanit që përbën një moment të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip.
Dorëshkrimi i rrallë nis me një korrektësi të admirueshme dhe renditje të një letre zyrtare. Në këtë letër lajmërohet se është hapur një mësonjëtore në gjuhën amtare dhe se qysh në nisje kjo mësonjëtore ka mbi dyzet nxënës djem e vajza, duke u shkëputur nga shkolla grekomane, e cila është hapur tre muaj para saj. Aty theksohet se ka një nevojë të madhe për libra që nuk gjenden në Manastir apo Follorinë. Më tej, në letër theksohet se nevoja për libra është e domosdoshme, pasi nxënësit janë shkëputur nga greqishtja. Në përfundim firmoset nga Pleqësia e Mësonjëtores Negovan, kryeplaku Sotir Kristo dhe Kryesonjës i Pleqësisë, Petro Nini Luarasi. Kjo letër mban edhe vulën e Pleqësisë së Mësonjëtores. Ajo dëshmon angazhimin e madh të patriotëve të kohës për mësimin e gjuhës shqipe në një zonë, ku mbizotëronte greqishtja. Letra është një dëshmi e qartë e saj dhe dokumenton faktin se vetë Petro Nini Luarasi e ka drejtuar këtë shkollë pas vrasjes së Papa Kristo Negovanit, deri në prag të Pavarësisë Kombëtare. Drejtues të muzeut e konsiderojnë një dokument të rëndësishëm dhe që është rastësi shumë e bukur që ndodhet pikërisht në Elbasan në një muze të vogël, por që ka dëshmuar edhe për praninë e shumë dokumenteve të tjera të rëndësishme.

Papa Kristo Negovani lindi në Negovan më 1873. Mbas mbarimit të shkollës fillore greke të fshatit, i ati Harallambi e regjistroi në Liceun e Athinës, pasi në atë kohë merrej me karvanët e tregtisë Athinë – Selanik – Follorinë. Mirëpo në vitin e fundit ai ndërpret mësimet, pasi babanë ia vranë kusarët gjatë një prite të karvanit, në këto rrethana fillon punën si mësues për shkollat greke Negovan, Ballkamen, Leskovec, Kotor. Fshati Negovan në atë kohë ishte shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara një qind për qind me shqiptarë dhe mësuesi, dhaskali Kristo, krahas klasave në gjuhën greke, hapi edhe klasat e para e të dyta të fillores në gjuhën shqipe.
Librat e Frashërllinjve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, që botoheshin në këtë shtypshkronjë, ndezën edhe më shumë ndjenjat patriotike të mësuesit Kristo. Ato tre vjet që punoi P. Kristoja në Rumani, ishin për të një shkollë e madhe që solli një ndryshim të thellë në ndërgjegjen e tij, pasi ato e bënë nga një njeri me arsim dhe edukatë greke, në një militant të shquar të lëvizjes patriotike. Ai krijoi edhe shkollën, që në atë kohë u vlerësua shumë nga rilindësit, pasi nuk ishte vetëm një institucion për arsimin në gjuhën shqipe, por ishte edhe si një vatër që ngrohu ndjenjat patriotike të bashkëfshatarëve për të gjithë trevën.
Në këtë shkollë që ishte mjaft e rëndësishme për t’u mbrojtur nga rreziku i asimilimit ka dhënë mësim dhe drejtuar edhe Petro Nini Luarasi. Para se të bëhej pjesë e kësaj shkolle, ai kishte emigruar në SHBA nga viti 1904 deri në vitin 1908, periudhë kjo kur ishte dhe një ndër nismëtarët e shoqërisë patriotike “Malli i Mëmëdheut”. Ai gjithashtu punoi si drejtor dhe mësues në shkollën e parë shqipe në Korçë, të hapur nga motrat Qiriazi, ndërsa në periudhën 1909-1911 punoi si drejtor i shkollës së Negovanit, e themeluar nga Papa Kristo Negovani.

Gjon Neçaj: Krijuesi qe ne Haiku ka ditur te veje piken mbi i…

( Rreth librit te ri me haiku te poetit Lulzim Logu,me titull “Pike mbi i…” 
( Botimet “Vllamasi”,Tirane 2013 ).
Ne parathenien e librit te dyte me haiku te poetit nga Tropoja,Lulzim Logu,krijuesi elbasanas, e njeherazi kryetar I Klub Haikut shqiptar,Milianov Kallupi eshte shprehur se mbi  Bajram  Curri luhatet me prarime drite si NJE  qilim fluturues mbi alpe nje haik gjigand qe perbehet nga tre vargje,ku sejcili prej tyre ka nje identitet percaktues,e vargu I pare ,padyshim eshte vargu i poetit Lulzim Logut,autor tashme ishume librave ne poezi e proze,por dhe i tre librave me haiku.
E ne po paraqesim shkurtimisht haikun tropojan te Lulzim Logut,poet dhe kryetar I Klubit te Shkirmtareve Tropoje,nje shoqate krijuesish me aktivitete te dendura dhe shume e njohur ne viset shqiptare,fale drejtuesit te saj.
Lulzim Logu para disa ditesh doli para lexuesve te shumte te poezise se tij me librin e radhes me haiku,me nje titull teper intrigues dhe original per autorin : “Pike mbi i…”
Libri permban 334 haiku ne 171 faqe me nje botim luksoz nga “Vllamasi” Tirane nen perkujdesjen e redaktorit Milianov Kallupi.Vellimi me haiku perfaqeson nje fytyre origjinale te autorit ne kete gjini,ku cdo varg mbart emocione,duke depertuar thelle tek lexuesit.Ne tre vargje ai sjell boten e mistershme,por reale,dashurine e sinqerte,njerezoren:
Shiu e beri qull
Portretin tend
Ne zemer…

Apo vargjet ku autori haikian “ i trembet” pleqerise,jo nga mosha por per kujtimet e harruara:
Kam harruar te tregoj
Perrallat e femijerise.
Po plakem.
Nese te librat e meparshem me haiku dhe tanka,Logu ka fokusuar ne trevargeshin haikun e vendlindjes,Bujanin, apo  ka percjelle te lexuesit shume gure e molika,shume ajer e drite,shume ujera,shume bredha e gaca kujtimi me lote vjeshte,bore qe bie si dhimbje dhe mbi te gjitha haik Bujani,duke patur objekt vezhgimi,sic thote Kallupi,natyren dhe vendlindjen.ne librin e sapo botuar,mbizoteron vargu i dashurise,perzier me peisazhet e bukura te bjeshkeve alpine:

Kur pushon shiu
Guret si faqet tua
Pas lotit…
Apo vargje dritheruese  ku harkojne  vitet e historise ,kujtimi  i  babaitikur heret nga kjo jete,vitet e hershme te rinise studentore,et:
Ne Rozhaje
Gjuha shqipe
Rralluar si shqipet.

Kur malli pervelon
Rri skaj endrres,
Babai ma ben me dore.

A shkojme ne Shengjin
E lypim dashurine e hershme.
S’ka sosje si rana e hedhun ?!

Poeti haikian Lulzim Logu paraqet me nje ndjenje te vecante pikturimin e peisazheve natyrore,perfitimin e imazheve te fresketa nepermjet latimit te trevargeshit dhe deomos figuracionin simbolik e filozofik te tablove dhe fabulave,duke slalitur me shkathtesi ngarkesen dhe muzen emocionale .
Pervoja e grumbulluar tashme si poet i spiktaur,ka bere te  mundur qe ne haiku te vijne me forcen e duhur te perjetimit,duke patur thelbin filoxzofik dhe psikologjik,sintezen dhe elegancen,befasine dhe harmonine ne mes elementesh te vargut  haiku,duke patur prirje te dukshme kah e mira dhe njerezorja,kah e bukura dhe sublimja.Ne tre vargje te shkruara,poeti  Logu na zbulon natyren dhe mjedisin te pare ne kendveshtrimin e kesaj  filozofie.
Dashuria per jeten dhe e ardhmja me e mire,percohet neper vargje duke u dhene frymemarrje e hapesire,duke perfituar brenda tyre driten e ngrohtesine e jetes me dashurine e paane.
Lulzim Logu me kete vellim te ri me haiku,tashme radhitet ne rreshtat e pare te poeteve te ketij zhanri te vecante,duke u bere zeri i haikut ne veriun shqiptar.

Gjon Neçaj

Ernest Koliqi Ministria e Kulturës: Kolaboracionisti më i mirë




Posi…. U ba  Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje  tue bërtit në kupë të qiellës: rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na  shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesit tona. Lojë e bukur,  por s’të ka dalë… (“Tregtar Flamujsh”, 1935). Kur Ernest Koliqi i shkroi këto  radhë, Shqipëria qe ende mbretëri, e autori ende “patriot”. Duhej të kalonin  ende edhe ndoca vite, që ai të bëhej ministër Arsimi nën okupimin italian, e më  tej edhe ndoca vite të tjera që me ardhjen e komunistëve ai të quhej më në fund  edhe kolaboracionist, e gjatë këtyre viteve, emri e letërsia e tij, të shuhej,  të fshihej për të pritur që pas ’90-ta ta shpallte sërish patriot. Djali i  Shanit dhe i Age Simonit lindi në Shkodër më 20 maj të 110 viteve më parë.  Ministria e Kulturës e përkujtoi dje datëlindjen e tij, duke e konsideruar atë,  shkrimtar, vizionar dhe mendimtar të shquar shqiptar. Në kuadër të datëlindjes,  ministria u fokusua në purifikimin e figurës së Koliqit, saqë ai u cilësua edhe  si kolaboracionisti më i mirë. Në këtë vazhdë, u fol gjatë për meritat e  padiskutueshme të përhapjes së arsimit shqip në Kosovë. “Ai dërgoi mbi 200  arsimtarë shqiptarë, normalistë, nga më të mirët në Kosovë, hapi atje shkollat  shqipe dhe të parën shkollë të mesme. Me punën dhe përkushtimin e tij, Koliqi  vendosi bazat e arsimit shqip në Kosovë, që do të sillte ato ndryshime  rrënjësore në zhvillimin e kulturës dhe formimin e elitave arsimore e kulturore  në Kosovë në vitet që do të vinin”, – do të shprehej ministri Zhiti.
Takimi
Të pranishëm në takimin e djeshëm përkujtimor ishin: ministri i Kulturës,  Visar Zhiti, ish-ministri Bujar Leskaj, Ylljet Aliçka, shkrimtari Lazër Stani,  dhe miku i hershëm i Koliqit, Mërgim Korça. Në fjalën e tij, ministri Zhiti  vlerësoi lart personalitetin krijues dhe kulturor të Ernest Koliqit, që la  gjurmë të thella në kulturën kombëtare. “Fenomeni ‘Koliqi’ i tejkalon vdekjet e  veta, atë që është e natyrshme për jetë njerëzish dhe veprash, por dhe ato që ia  dhanë plot me mëri, vdekjet si dënim dhe hakmarrje parake. Sipas sentencës  latine, mund të themi se vepra koliqjane tashmë i është vënë udhës së  ringjalljes e jo vetëm të vetvetes”, – tha ai. Sipas Zhitit, duhet theksuar  rëndësia e jashtëzakonshme e veprës së Koliqit dhe cilësia e saj e veçantë  gjithashtu. “Koliqi është shkrimtar i klasit të parë, që bashkë me Mitrush  Kutelin, janë themelues të tregimit modern në letërsinë shqipe”, – vlerësoi ai.
E ndërsa fliste për kohën kur Koliqi ka qenë ministër i Arsimit në qeverinë  shqiptarë nën pushtimin italian, Zhiti u shpreh: “Si ministër Arsimi, ai punoi  për përhapjen e mësimit shqip në Kosovë. Në kohën kur në Shqipëri komunistët  shqiptarë bashkëpunonin me jugosllavët për të themeluar Partinë Komuniste që do  ta izolonte Shqipërinë për pesë dekada, Koliqi ngriti shkolla të mesme në  Kosovë. Ato vite që shënuan bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, po themelohej  partia që do ta harronte pjesën tjetër të Shqipërisë”. Sipas Zhitit, Koliqi  arriti të parashikonte edhe rënin e regjimit me veprat e tij. Mërgim Korça, mik  i Koliqit i pranishëm në takim, tha para të pranishmëve se e ka dashur shumë  shkrimtarin, edhe pse për herë të fundit e ka takuar kur qe vetëm 12 vjeç. “Ndër  kolaboracionistët, ai është sharë më shumë, është lënë në harresë më shumë,  është nëpërkëmbur më shumë, por padyshim, ai kishte më të drejtë se të gjithë.  Ai ishte shumë largpamës, e ata që i dilnin kundër, pa vizion, ai ishte më  largpamës se miqtë e tij që dolën të bëjnë Luftën Nacionalçlirimtare”, – tha  Korça. Ai theksoi se ka qenë fat i madh që Koliqi ka qenë ministër Arsimi.
Edhe Lazër Stani, në fjalën e tij i qëndroi idesë se postin e ministrit të  Arsimit, Koliqi e përdori për përhapjen e fjalës shqipe.
Vepra në letërsi
Sa i takon letërsisë së tij, ministri Zhiti tha se me nismën e Koliqit janë  botuar antologjitë e para të letërsisë shqipe, të folklorit shqiptar, është  nismëtar i ngritjes së bibliotekave në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, ka  kontribut të jashtëzakonshëm në shtypin kulturor si publicist dhe mendimtar. Ai  nënvizoi se Ernest Koliqi, me vizionin e tij është shkrimtari i parë që  parashikoi vdekjen e komunizmit dhe shembjen e regjimit totalitar nëpërmjet  dramës së tij të njohur “Rrajët Lëvizin”. Në përfundim të fjalës së tij, Zhiti  tha se “kultura shqiptare, e çliruar më shumë tashmë nga paragjykimet dhe  sundimi i tepërt ideologjik, po kupton gjithnjë e më mirë të kaluarën dhe vlerat  e trashëguara, si një pasuri e përbashkët që i duhen kthyer asaj që i përkasin,  së ardhmes. Askush nuk ka të drejtë të dënojë të tashmen me gjymtimin e  kulturës”.



Fatmira Nikolli 

Në qytezën ilire ku flasin për legjendën e Mamicës së virgjër

Botohet një nga studimet e panjohura të studiuesit Dilaver Kurti, në numrin e fundit të revistës “Amantia”. I takon vitit 1967, kur ky studiues skrupuloz sjell të dhëna të guximshme për kohën, ku ndër të tjera, duke iu referuar qytezës ilire me emrin Komsia na njofton se pas vdekjes së Gjon Kastriotit, Barleti na informon se Vojsavës, së bashku me të bijën, Mamicën, iu caktua një tokë në Mat. Mamica, gjatë kësaj kohe deri në kthimin e të vëllait, ndenji e virgjër, nuk u martua për të mbajtur nderin e tij
Komsia bën pjesë në bajrakun e Rranzës, një ndër njësitë e mëdha etnografike që formojnë krahinën e Matit. Rranza shtrihet në pjesën veriperëndimore të krahinës, në mes të rrjedhës së majtë të lumit të Matit dhe vargmalit të Trodhnës (Tradina), që sot quhet Skënderbeg dhe ndan krahinën e Matit nga Kurbini e Kruja. Nën këtë emër dikur përfshihej hapësira në mes të fisit Menga në Bushkash, Kodrës së Palit në Burrel dhe Sheut të Komsisë dhe sipas Gasparit, aty nga fundi i shekullit XVIII, në të bënin pjesë katundet Bushkash, Bas, Karicë (Daisus), German dhe Burrel, që së bashku kishin 170 shtëpi. Në këtë njësi etnografike, gjenden gjurmë banimi të hershme, që i përkasin shekullit XV e përpara. Ndër ta duhen përmendur qyteza e Komsisë në German dhe gjurmët e një vendbanimi tjetër që ndeshëm te Sheshi i Ahmatit në Rrethebaz.
Në këtë shkrim, do të flasim për qytezën e Komsisë, rrënojat e së cilës gjenden në mes të katundeve German, Midhë dhe Muzhakë, në vendin e quajtur Fusha e Komsisë e që nga jugu e veriu pritet prej Sheut të Komsisë e Zallit të Germanit, nga perëndimi mbi krye i qëndron Maja e Stragjut, kurse nga lindja shtrihet katundi Muzhakë.
Deri më 1929 kjo qytezë ruante gjurmë të shumta banimi. Vendi ishte i mbuluar me rrënoja trojesh e kalldrëme, por me fillimin e hapjes së rrugës automobilistike Krujë-Burrel dhe ndërtimit të qytetit të Burrelit, gurët iu grabitën që nga themelet.
Kështu që, sot, përveç emrit të saj si qytezë, disa gjurmëve të rralla, gojëdhënave e toponimeve rreth këtij vendi, nuk ruhet asgjë tjetër. Për ekzistencën e kësaj qyteze na vë në dijeni edhe Ippen, por nuk na informon gjerë mbi të dhe as nuk bën fjalë për datimin e saj.
Vendi që ruan gjurmë të dukshme është Dera e Qytezës në Majën e Stragjut. Aty ndodhet një qafë natyrale e prerë, që quhet “derë”. Në anën lindore, gjatë kreshtës, shtrihen konturet e një muri rrethues, kurse nëpër tre-katër pika mbeturinat e disa kullave mbrojtëse. Muri është i thatë, pa gëlqere dhe gjendet pambrojtje, ndërsa atje ku vendi është i pakalueshëm prej natyre mungon.
Kullat kanë trajtë rrethore me diametër rreth 3 metra, edhe këto me mure të thata pa gëlqere. Në anën jugore të kreshtës, në një pllajë disi të sheshtë, shquhen shenja të një vendbanimi në një sipërfaqe të vogël, e cila mund të ketë qenë më e madhe, por ka rrëshqitur nën veprimin e erozionit. Aty këtu duken rrënjë fiqsh dhe rrushi, pemë që kanë veti të shumëzohen edhe pa kujdesin e njeriut për një kohë të gjatë. Afër Majës së Stragjut gjenden toponimi Maja e Rudinës, më pas Farka (me mbeturina të punimit të metaleve, bram) dhe Pazari afër minierës së meremerit.
Kurse te Bariotët në German, një banjë e vogël me ujra termale. Një banjë e tillë ndodhet edhe në mes të Komsisë e Muzhakës. Prej fundit të Majës së Stragjut e deri te shkolla duken gjurmët e një ujësjellësi prej qyngjesh. Sipër në mal, ndodhet Maja e Skënderbeut, nga ka marrë emrin vargmali Skënderbeg, me përtej në Trodhën Gurra e Mamicës dhe Gurra e Fusha e Skanderbegut, kurse në vargkodrat e Muzhakës gjendet toponimi Qafë-Porta. Në Komsi deri më 1928 bëhej tregu i Rranxës për ditë të enjte. Germani është i përmendur në të gjithë Matin për punimin e enëve të baltës, kurse Basia (Bazi red.) për punimin e shqopës. Rreth qytezës së Komsisë fliten një mori gojëdhënash. Ky thuhet se ka qenë qyteti i dytë në Mat, për nga rëndësia, pas Stellushit. Në kohën e Skënderbeut roja dhe topi kanë qenë vendosur tek Dera e Qytezës. E ëma dhe e motra e Skënderbeut (Vojsava dhe Mamica) kanë ndenjur këtu pas vdekjes së Gjon Kastriotit deri në kthimin e Skënderbeut.
Gjatë kësaj , derisa iu kthye i vëllai, Mamica vishej me petka burri, u armatoste dhe u shfaqte diku me emrin Gjon e diku me emrin Ndue. Gjithashtu matjanët thonë se kur u kthye Skënderbeu, pasi ka kaluar nëpër Stellush, ka ardhur në Komsi dhe prej aty në mal të Bazit e në Krujë. Të dhënat gojëdhanore vazhdojnë edhe më tej. Ne vendit i themi “Kome” sepse këtu rrinte Roma. Komsia është e shkruajtur në defterët e Romës. Këtu kalonin karvanet tregtare për në Durrës. -Në qafë të Bejlegut kishte “kyce tregju”, -thonë matjanët, – kurse Kulla e Qafës Manit ruante karvanet tregtare. Këtu vinin për tregti edhe tregtarët belicarë të Strugës.
Këto qenë në vija të përgjithshme përshkrimi i vendit, toponimia dhe trashëgimia gojore, që flitet rreth qytezës dhe hapësirës aty rrotull dhe që ne na u duk me vend t’i shtjellojmë në këtë shkrim.
Dhe tani le tua lëmë fjalën burimeve historike dhe konkluzioneve tona.
Për sa i përket emrit të qytezës, ne mendojmë se rrjedh nga fjala Kome. Me këtë fjalë në mesjetë quheshin mëkëmbësit e një zyre tregtare, ushtarake etj. Pra, mbështetur në atë që banorët e quajnë me të njëjtën fjalë dhe si nyjë tregtare, ka të ngjarë që romakët gjatë pushtimit të tyre të kenë pasur ndonjë përfaqësi të tillë tregtare në këtë vend, prandaj është quajtur Kome apo Komsi siç njihet sot.
Megjithëse gjurmët e banimit janë të ruajtura pak, këtë tezë e mbështesim mbi rrënojat e Derës së Qytezës, në të cilën gjenden mure e kulla me gurë të thatë, pa gëlqere, të disa gjetjeve arkeologjike të vendasve te Shkami i Midhës (heshta, enë balte, që nuk kanë rënë në dorën tonë, por janë shpërdoruar), në ekzistencën, edhe sot, të dy tumave ilire në veri të Qytezës, të dy toponimeve ilire, Maja e Rudinës dhe emri i fshatit Gërman, që përkojnë, i pari me emrin e fisit ilir të Rudinëve, kurse i dyti, sipas Karl Traimerit, rrjedh nga ilirishtja, që do të thotë banja-terma dhe kjo fjalë përkon me atë shqipe “zarm”, hipotezë, e cila u provua nga ana jonë me ekzistencën e dy banjave të vogla termale. Atë që Procopi përmend se është një fortesë me emrin Kome në Epirin e Ri, e rindërtuar nga perandori romak me origjinë ilire Justiniani në shekullin VI, 8 mendojmë se rrënojat e Qytezës së Komsisë duhet të jenë ato të fortesës Kome. Si e tillë ajo ka të ngjarë të jetë e lashtë dhe e ndërtuar nga ilirët.
Për pasojë u rrënua gjatë luftës iliro-romake dhe u rindërtua në shekullin VI. Pas kësaj kohe ajo ngeli si një venndbanim i vazhdueshhëm deri në shekullin XV.
Po të ndalemi rreth gojëdhënave, toponimeve e burimeve historike, gjatë shekullit XV, ajo del se bënte pjesë në Trojën e Kastriotëve dhe ishte nën sundimin e tyre. Gjon Kastrioti, me anën e një marrëveshje tregtare të lidhur në 1420 me Raguzën, u siguronte tregtarëve raguzianë “tregti të lirë nëpër tokën e tij prej Shufdaje deri në Prizren”. Dhe kjo rrugë, nuk është tjetër, veçse ajo që na thotë funksionari turk, Mustafai, që “…përveç një gryke nuk ka shteg tjetër”, 10 gjurmët e së cilës ruhen edhe sot. Kjo rrugë pasi nisej prej Shufadaja kalonte në Laç-Daul-Kulla e Qafës së Manit-Qafë-Bejlegut-Komsi-Burrel-Ura e Kaikes mbi lumin e Matit-Lis-Stellush-Sinë-Ura e Lushës mbi Drin-Ujmisht-Qafa-Pamje nga Fusha e Komsisë e Kolesianit-Prizren. Gjatë këtij itinerari ndodhen një seri rrënojash kalash e qytezash, si ajo e Daulës, Komsisë, Stelushit, Sinës, Ujmishtit, që ishin vende tregjesh dhe ruajtëse të rrugës tregtare, që kalonte nëpër tokat e Gjonit.
Një rrugë tjetër, që nisej nga bregdeti dhe kalonte nëpër Komsi, ishte dhe ajo e Durrësit, e cila si dilte nga porti, përshkronte drejt Prezës-Krujës-Qafë Shtamës e në Komsi duke vijuar itinerarin e së parës. Edhe në këtë rrugë gjendeshin kala e qyteza si ajo e Durrësit, Prezës, Krujës dhe Komsisë.
Pra, Komsia, ishte ishte një pikë nevralgjike, që lidhte rrugët tregtare të dala nga bregdeti për në këtë anë, brenda diapazonit të dy porteve të atëhershme, Durrësit dhe Shufdasë, i pari nën ndikimin e venecianëve, kurse i dyti skelë e Kastriotëve. Pas vdekjes së Gjon Kastriotit, Barleti na informon se Vojsavës, së bashku me të bijën, Mamicën, iu caktua një tokë në Mat. Mamica, gjatë kësaj kohe deri në kthimin e të vëllait, ndenji e virgjër, nuk u martua për të mbajtur nderin e tij. Në fakt, siç përmendëm në fillim, këtu flitet ende një mori gojëdhënash mbi Mamicën, si dhe një gurrë me emrin e saj. Ajo më kryesorja, është, se një fenomen i legjendës, përkon me atë që na thotë Barleti mbi Mamicën lidhur me virgjërinë e saj.
Kështu edhe sot në Rranxë, kur një shtëpi mbetet e shuar, pa meshkuj, vajzat nuk martohen, por rrinë virgjëresha. Ato qethin kokën, vishen si burra, mbajnë armë, marrin pjesë në kuvende dhe gëzojnë të gjitha atributet e burrit për konakun e tyre. Këto te katolikët thirren me emrin “Gjon” kurse te myslimanët me emrin “Sadike” (gjë e çmuar, e pastër, e adhurueshme). Pra kjo tokë, që na përmend Barleti dhe që iu caktua Vojsavës, së bashku me Mamicën, është Komsia.
Me kthimin e Skënderbeut, Mamica u martua prej tij me fisnikun shqiptar Muzak Topia, i cili u vra në rrethin e Beratit më 1449 dhe në vitin 1465 Barleti na e përmend Mamicën në Petrelë.
Ka të ngjarë që ajo të rrinte atje në administrimin e pronës së vet, pasi Petrela, Tirana dhe Kruja përbënin trojet e Topiajve. Përgjatë ekspeditave luftarake, mundet që Skënderbeu , ashtu siç tërhiqte popullsinë tjetër prej zonave të luftës e i strehonte në Mat, të ketë tërhequr edhe të motrën Mamicën, pasi gojëdhëna popullore na e përmend përsëri në Komsi, kur ajo i kërkoi të vëllait për të jetuar në aq tokë sa përfshinte tingëllima e një këmbane kishe.
Dhe ai i dha fushën e Arbënit (Jallinë). Mundet që edhe emri i fshatit Muzhakë t’i ketë ngelur nga martesa e saj me Muzakën dhe ndenja e saj këtu pas vdekjes së tij.
Edhe kthimin e Skënderbeut goja e popullit e lartëson shumë në këtë vend. Atë e mori vesht “…alemi e polemi dhe krekët e Arbërit mezi pritën të takoheshin me `të në malin e Bazes”. Dihet që Skënderbeu në krye të popullit tonë bëri një luftë titanike kundra turqve. Barleti shpesh na përmend malin e Tumenishtit, ndërsa gojëdhëna malin e Bazes, Majën e Skënderbeut, Fushën dhe Gurrën e Skënderbeut, ku Skënderbeu kalonte, pushonte, mblidhej dhe luftonte kundra turqve.
Dhe që të gjitha këto, përkojnë me të njëjtin vend, Tumenishtin.
Në të gjitha këto që shtjelluam në këtë shkrim, na lejohet të konkludojmë, se Komsia është një vendbanim i lashtë ilir, ajo u rrënua gjatë luftës iliro-romake dhe u rindërtua përsëri në shekullin VI. Pas kësaj kohe, vazhdoi të lulëzonte deri në shekullin XV, duke qenë nyjë e rrugëve tregtare dhe nën Kastriotët, pas vdekjes së Gjon Kastriotit ishte ndenja e Voisavës dhe e Mamicës deri në kthimin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Burrel, 25 qershor 1967

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...